
Prishtinë, 27 prill 2023/
Në Ditën e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës në Kosovë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bën nderim te Memoriali për të zhdukurit.
27 Prilli është dita kur ne përkujtojmë masakrën e Mejës, por gjithashtu është Dita e të Zhdukurve me dhunë në Kosovë, pra Dita e të Pagjeturve, të atyre, të cilët u rrëmbyen me forcë nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit, i cili përveç se i rrëmbeu më të dashurit e familjeve të shumta të popullit tonë, gjithashtu edhe shumë prej tyre ua rrëmbeu edhe kufomat më pas në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimeve të kryera gjatë luftës, tha Kryeministri Kurti.
Ai theksoi se në pesë varreza masive në Serbi janë eksumuar deri më tani rreth 950 kufoma, ndërsa ende janë mbi 1600, të cilët ende figurojnë të zhdukur nga lufta e fundit.
Kemi nevojë për drejtësi, kemi nevojë për përgjegjësi, kemi nevojë që kriminelët, fajtorët, ekzekutorët e urdhërdhënësit të ndodhen prapa grilave dhe për këtë na nevojitet edhe mbështetja ndërkombëtare, por edhe mobilizimi kombëtar, tha Kryeministri Kurti.
Pranë memorialit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës bën homazhe edhe ministrat Albulena Haxhiu, Rozeta Hajdari, Hekuran Murati dhe Arbërie Nagavci, ambasadorë të akredituar në Kosovë, drejtuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur në Zyrën e Kryeministrit, familjarë dhe përfaqësues të shoqatave të të zhdukurve.
Nën përkujdesjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, me rastin e shënimit të Ditës së personave e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, Zyra e Kryeministrit, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, Shoqatën “27 Prilli 1999 Mejë”, shoqatat familjare dhe organizatat vendore e ndërkombëtare të angazhuara në procesin e ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur, organizojnë homazhe në Prishtinë dhe Mejë ( Komuna e Gjakovës).