• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Romakë e gotë

April 17, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Kur Roma u pushtua në 410, shumë nga njerëzit që e plaçkitën ishin pjesë e legjioneve të saj. Ata kishin luftuar në anën romake për vite me radhë, duke mësuar taktikat e tyre dhe vdekur përkrah tyre, shpesh në numër më të madh. Ata quheshin Foederatis; të trajnuar nga ushtria romake dhe luftëtarë tepër të aftë e të talentuar.

Pikturat e Rilindjes evropiane dhe disa burime, shpesh japin pamjen se ata që plaçkitën Romën ishin si kafshë të egra gjysmë të zhveshur me një kockë, si armë, të lidhur në trupin e tyre. Kjo është kryesisht e rreme.

Alariku, goti që plaçkiti Romën, rridhe nga fisi balt (burrnor) dhe madje luftoi përkrah perandorit Theodosius në betejën e Frigidus. Megjithatë, ai mendonte se grupi i tij kishte pësuar pjesën më të madhe të viktimave, dhe e inatosi Romën për këtë. Më pas, në latinisht, Alaric u bë Almerik, Amerigo, nga mori emrin Amerika.

Gjatë dekadave, Alaric kishte zhvilluar shumë beteja, herë me Romën, herë kundër saj. Kundërshtari kryesor i Alarikut ishte Flauvio Stilicho, Magjister Militum i Romës – një nga gjeneralën e harruar – dhe kujdestar i perandorit Honorius.

Për çfarëdo arsye, edhe kur Stilicho fitonte ndaj Alarikut në betejë, ai e linte të ikte (kishte thashetheme për një komplot mes të dyve.

Gjatë kësaj kohe, Roma ishte mjaft e pafat që kishte në krye të saj një nga perandorët më të paaftë, indiferentë dhe naiv, Honorius.

Në një farë mënyre, (ndoshta sepse ishte i paaftë dhe i mashtruar lehtësisht) Honorius ishte i bindur të mbështetej tek gjenerali i tij. Stilicho ishte njeriu që pothuajse i vetëm e kishte mbajtur Perëndimin të sigurt për më shumë se dhjetë vjet. Vrasja e tij ishte njësoj si t’i prisje dorën e djathtë Honorusit.

Menjëherë pasi trupi i Stilicho-s ra në dysheme (së bashku me shumë njerëz “barbarë” në Romë që ishin të lidhur me të), Alaric bëri lëvizjen; ai dhe gotët e tij marshuan në Romë.

Fillimisht, nuk kishte ndërmend ta pushtonte qytetin. Gjithçka që donte, ishte një komandë ushtarake, një titull brenda perandorisë dhe pak tokë për popullin e tij. Megjithatë, Honorius ishte i bindur të mos pranonte asnjë kusht të propozuar; Alaric rrethoi Romën në dy raste, përpara se ta pushtonte. Në fakt, Alariku thjesht po përpiqej të merrte lëshime nga Honorius, dhe jo të shkatërronte qytetin.

Nëse Honorius thjesht do të kishte bërë gjënë e duhur për popullin e tij, dhe do t’i jepte Alarikut atë që donte, plaçkitja e Romës dhe rënia e saj mund të mos kishin ndodhur kurrë dhe Alaric mund të ishte bërë një aleat i dobishëm.

Fatkeqësisht, Honorius ishte (siç u tha më parë) naiv-budalla dhe i sunduar nga njerëz mashtrues.

Megjithatë, Alaric nuk kishte përpara legjionet siç kishin ekzistuar në Romën e lashtë; ato ishin zhdukur. Roma ishte një guaskë e vetvetes së mëparshme dhe u mbështet kryesisht tek të huajt, foederatistët, për mbrojtjen e saj. Sapo ata arritën të bëheshin shumicë mes legjioneve, u kthyen kundër, Roma pagoi çmimin përfundimtar dhe rrjedha e historisë ndryshoi.

Filed Under: Histori Tagged With: Astrit Lulushi

VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT

April 17, 2023 by s p

Të dashur bashkëkombas të besimit Ortodoksë

Më lejoni që në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, të gjitha degëve dhe strukturave të saj; në emër të familjes sime dhe në emrin tim personal, t’ju uroj përzemërsisht: Gëzuar dhe Përshumëvjet Pashkët.

Ngjallja e Krishtit na fton për një reflektim të thellë në simbolikën hyjnore të kësaj feste madhështore. Pashka na udhëheq drejtë një besimi më të fortë, shprese më të zjarrtë, dashurie plot sakrifica e paqes së qëndrueshme. Jeta është fitimtare mbi vdekjen, drita mbi terrin, parajsa mbi ferrin, ky është thelbi i Pashkëve.

Pashka e këtij viti le të përcjellë për të gjithë ne më shumë optimizëm, shpresë, prosperitet, paqe dhe dashuri për çdo shqiptar anëkënd botës ku jeton e vepron.

Zoti dhashtë bekim, mirësi e mbarësi për familjet tona dhe atdheun tonë.

Zoti ju bekoftë të gjithëve.

Me respekt e gëzim

Kryetari i VATRËS

Elmi BERISHA

Filed Under: Vatra

VATRA DHE DIELLI PROMOVOJNË VEPRËN E DALIP GRECËS MË 30 PRILL 2023

April 17, 2023 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA dhe gazeta Dielli do të promovojnë më 30 prill 2023 veprën e lënë në dorëshkrim nga Dalip Greca, Editori i Diellit (2009-2021). Veprat: “Editorët e Diellit në 110 vite histori” dhe “Editorial” janë botim ekskluziv i Federatës Vatra dhe do të promovohen ditën e Diel më 30 Prill 2023 ora 11 Am në Sallën Iliria pranë Jacobi Hospital në Adresë: 1400 Pelham Pkwy S, Bronx, NY 10461 (Salla e Amfiteatrit).

Ftohet mbarë komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mediat, miqtë, bashkëpunëtorë dhe të njohur të Dalip Grecës që të marrin pjesë.

Në promovim do të flasin rreth veprës publicistike dhe atdhetare të Dalip Grecës: Sokol Paja, Elmi Berisha, Alfons Grishaj, Dr.Paulin Marku, Agim Rexhaj, Idriz Lamaj, Nazo Veliu dhe Dorjan Greca.

Filed Under: Featured

LE TË SHPËTOJMË POEZITË…VISAR ZHITI NË UNIVERSITETIN E MICHIGAN-IT, SHBA

April 17, 2023 by s p

C:\Users\User\Downloads\IMG_4989.jpg

Në Universitetin e Michigan-it, i pari universitet publik dhe ndër më të mëdhenjtë në SHBA, Fakulteti i Gjuheve Moderne dhe letërsive të tyre ftoi poetin dhe shkrimtarin Visar Zhiti për të mbajtur një ligjëratë dhe një bisede me studentët amerikanë, që ndjekin, në Katedrën e Sllavistikës, lëndën “Letërsia shqipe në Egzil”, të krijuar dhe drejtuar nga Dr. Lisandri Kola. 

Në auditor, përveç studentëve të shumtë, të kombësive të ndryshme, indianë, aziatikë, europianë, rumunë, etj, shqiptarë patjetër, kishin ardhur dhe qytetarë amerikanë si dhe një grup nga etërit e Kishës katolikë shqiptare të Miçiganit.  

“Le t’i shpëtojmë poezitë”. Kjo ishte tema e takimit dhe mbishkrimi i vendosur mbi pllakatin me portretin e të ftuarit, i vendosur në mjedisin e Departmanetit.  

Në qendër të leksionit të Visar Zhitit do të ishte dëshmia e tij e gjallë, poezia në burg, e përmbledhur në librin :”Dorëshkrimet e fshehta…”, botim anastatik i “Onufrit”, Tiranë, që kishte mbërritur dhe në SHBA, shoqëruar kjo dhe me një libër tjetër e ri, I porsadalë po nga “Onufri”, “Pyetja nr. 19”, një bisedë mes autorëve Visar Zhiti dhe Lisandri Kola për çeshtjet e letërsisë në realitetin e tanishëm, polemikë dhe sfida si dukuri të letrave sot në Europën Qendrore dhe Lindore, të vendeve të dala nga perandoria komuniste.   

Auditori universitar, i mbushur plot, jo vetëm që dëgjoi me vemendje te madhe, por dhe shfaqi interesim të mëtejshëm për Shqipërinë dhe artet e saj.

“T’i shpëtojmë poezitë” u ndje si një apel jete. 

Fjala e të ftuarit..

C:\Users\User\Downloads\d41c4e42-f913-4bcc-a21e-367f9eaab718.JPG

        Visar Zhiti dhe Lisandri Kola.

C:\Users\User\Downloads\IMG_4990 (1).jpg

            Visar Zhiti 

POESIA ËSHTË LIRI,

AJO MË FUTI MUA NË BURG, 

POR DHE MË SHPËTOI SHPIRTIN NGA BURGU…

– Triptik nga Visar Zhiti –

Të dashur studentë, të pranishëm e qytetarë të mbledhur për këtë takim. 

Është kënaqësi e madhe që jam sot këtu me ju për të ndarë diçka nga përvoja ime, për poezinë në burg, mendimet në lidhje me censurën e letërsisë gjatë komunizmit dhe pasojat e saj të rënda.

I jam shumë mirënjohës Fakultetit të Gjuhëve Moderne dhe Letërsive të tyre, Departmanetit të Sllavistikës për mbështetjen e vizitës time në Universitetin e Ann Arbor në Michigan. . 

I jam shumë mirënjohës Dr. Lisandri Kola për ftesën dhe më mirëpritjen, mbi të gjitha për lëndën që ai zhvillon këtu me ju, “Letërsdia shqipe ne egzil”. 

Jam i emocionuar, nuk e fsheh, sepse jam në departamentin, ku ka qenë poeti i famshëm, nobelisti Josiph Brodsky, ish i burgosur politik si dhe unë, i ikur nga Rusia sovjetike……

Po më lejoni të filloj me rrëfimin tim për poezinë në një diktaturë, të mbyllur si një burg.

*   *   *

Unë jam dënuar me 10 vjet burg për poezitë e mia në Atdheun tim, shumë larg nga këtu, në Europë, më saktë në Ballkan, në gadishullin aq shumë poetik të botës, në një vend të vogël midis Greqisë, që ka nxjerrë  Homerin dhe Italisë, që ka nxjerrë Danten, dy poetët e parë dhe ndër më të mëdhenjtë e njerëzimit.  

Dhe mua më vjen shumë keq, se më duket se nga trashëgimia e mrekullueshme e Homerit arritën të mbajnë dhe të mësojnë nga më mizorja, atë se si Akili zvarriti trupin e Hektorit, pasi e vrau, se dhe sundimtarët e vendit tim ashtu do t’i trajtonim kundërshtarët, t’u përdhunonin dhe kufomat. Ndërsa nga Dante gjenial u pëlqye më shumë “Ferri” i tij dhe u ndërtua një më i keq dhe më i tmerrshëm mbi tokën shqiptare… burgjet e diktaturës, ku janë dënuar dhe poetë, madje janë pushkatuar…

Unë kam një poezi ka formën e hartës së atdheut tim, Shqipërisë, e shkruar në burg. Dua të them se vendi im aq është, sa një poezi e dënueshme.

Në fakt kam ardhur të them se unë kam shkruar poezi në burg, pavarësisht se si e nisa fjalën time, por do të tregoj shkurt, që ishte e ndaluar poezia e lirë, unë shkruajta fshehurazi, e ruajta poezinë dhe ajo më ruajti, shpirtin tim… 

1.

Mua më arrestuan kur isha 26 vjeç, punoja mësues në një fshat mes maleve të Veriut të venditi tim dhe më dënuan me 10 vjet burg për poezitë e mia, që i kisha dërguar për botim në t;e vetmen shtëpi botuese që kishte vendi im dhe që ishte shtetërore, e kuntrolluar. Më akuzuan që poezitë e mia jo vetëm që ishin të trishtuara dhe hermetike, por që ishin dhe kundër metodës letrare që lejohej atëhere, Realizmit Socialist, madje që ishin dhe kundër vetë sistemit socialist, kundër diktatorit komunist Enver Hoxha.

Këtë konkluzion, akt-ekspertizën e poezive të mia nuk e bënë policët apo prokurorët a gjykatësit, as avokati mbrojtës, se të tillë nuk kishte në vendin tim por më parë redaktorët letrarë të shtëpisë botuese, poetë dhe shkrimtarë të regjimit. Informacioni u dërgua lart, kështu thuhej për udhëhqjen e vendit, për sundimtarët, në Komitetin Qendror të Partisë së Punës, që e vetme ishte dhe shtet dhe diktaturë mizore.

Poezitë e mia nuk i kisha menduar si trakte politike dhe as i kisha shpërndarë si të tilla, ishin thjeshtë poezi, që do të tregonin për mua e botën time përreth, ndjesitë e mia.    

  Ja njëra nga poezitë, e kisha shkruar që student. Po e lexoj së pari në shqip:

DIELLI I DYTË

Shumë gjak

është derdhur mbi këtë botë,

por akoma s’e kemi krijuar diellin e gjakut.

Dëgjo, miku im, këto fjalë që dridhen: 

një diell i dytë do të lindë

nga gjaku ynë

në formën e zemrës

Përkthyesi i poezive të mia në anglisht, në librin tim “The condemned apple”, të botuar në vitin 2005 në SHBA nga botuesi “Green Integer” poshtë kësaj poezie ka vendosur këtë shënim: This poem was written in the 1970s and used, among others, by the State as evidence to condemn the poet to ten years in prison. As the communist system in Albania at the time prided itself on being the ‘socialist sun,’ the poet’s appeal for a second sun was interpreted as a call for an anti-communist uprising. 

2.

Kur më arrestuan dhe më hodhën prangat në duar, më lanë vetëm në një qeli të zbrazët dhe natën më merrnin në pyetje: që pse isha bërë armik i Partisë dhe popullit, kush të ka nxitur që do të përmbysësh sistemin tone socialist, mos je i lidhur me shërbimet e fshehta agjenturore të imperializmit amerikan dhe revizionizmit sovjetik?

Që t’i mbijetoja tmerrit dhe çmendjes, frikës dhe urisë dhe vetmisë torturuese, nisa të bëj poezi me mend, se nuk lejoheshin as letra dhe as lapsi dhe as libri. Vazhdoja të krijoja çdo ditë, poezi për murin, për derën dhe dritën që hynte nga dritarja me hekura, poezi për minjtë, të vetmit që më vinin dhe më vizitonin, poezi për larine, për mallin, poi  ndja në poezitë e të hënës, të së martës, të mërkurës e kështu me radhë, të dielën i përsërisja të gjitha dhe endesha si një tiger në kafaz. U bënë 97 poezi me mend. Nuk i bëra dot 100, sepse, pasi më nxorën në gjyq, që u bë i hapur me plot njerëz në sallë si në një teatër absurd, me pranga në duar më çuan në burgun e tmerrshëm të Spaçit. Rrugës i dëshpëruar dhe pa shpresë thosha me vete se poezia kishte qenë prostituta që më dënoi mua…  

Por poezia do të bëhej dhe shenjtorja mbrojtëse e shpirtit tim. 

Në burgun politik, mes shumë të dënuarve, qytetarë nga e gjithë Shqipëria, profesorë, mjekë, inxhinierë, fermerë, por dhe artiste, gazetarë e shkrimtarë, etj, të dënuar për agjitacion dhe propaganda kundër shtetit apo për tentative për arratisje nga Shqipëria, të akuzuar për sabotim apo atentate udhëheqjes, për agjenturë të vendeve të huaja, aty gjeta dhe një shok timin, kishim qenë bashkë studentë, ai u bë dhe mecenati i poezisë time, dua t’ja them emrin, Hasan Bajo, tani është në New York dhe ka botuar dhe një roman, ai më nxiti t’i shkruaja poezitë që kisha në kokë, se mund të vritesha në minierë e ato duheshin shpëtuar, kështu më tha, thjesht, sikur po më jepte një cigare, por me seriozitetin sikur po flisnim për testamentin. 

Dhe ashtu bëra. Në burg lejohej fletorja, mund të bëje vetëm dy letra në muaj, vetëm dy faqe familjes, por denoncime për komandën e burgut mund të shkruaje sa të doje. Këtë mundësi shfrytëzova unë, i shkruajta poezitë e mia në ato dhomat me plot të burgosur, me shtretërit ngjitur njëri pas tjetrit, me tre kate, më ruante miku im.

Ai i fshehu fletoret, s’di ku i çoi, kujt ia dha. Dhe unë vazhdova të shkruaja të tjera fshehurazi. 

U shtuan fletoret, miqtë besnikë që i fshihnin, lexuesit e pakët, që nuk janë aq shumë për aq vite burg sa bëra. Po ata nuk na denoncuan, na mbrojtën dhe ne mbetem gjallë. Dhe shkruaja: 

…në këtë llogore burgu

plot baltë vuajtjesh

                    rri dhe pres.

Sa keq të jesh luftëtar pa lufëra!

Edhe vetë u specializova në fshehjen e poezive në thasët e rrobave tona të grisura, i mbështillnim me pece të pista, që të mos i kontrollonin dot, në kashtën e dyshekut, në opinga, etj, u bëra kontrabandist i poezisë. 

Aty nga viti i pestë a i gjashtë i burgut, guxova t’i marr me vete në takimet me nënën, me vëllezërit, Shpëtimin dhe Ilirjanin dhe me motrën, Arbëreshën. Vinin herë pas here, në çdo 3-4 muaj, jo të gjithë bashkë. Edhe fletoret, të fshehura në trup, te këpucët e burgut apo në astarin e çantës së ushqimeve, gjeja rastin, kur kisha siguri dhe ua jepja atyre. Më ka shpëtuar Zoti!

Pse shkruaja, kur mund të humbja dhe jetën?

Duke shkruar, edhe në kushte tmerri, edhe pse për burgun, për punën e rëndë, për minierën, ku punonim si skllevër, për të vrarët, policët, spiunat, telat me gjëmba dhe hënën sipër tyre, për borën e burgosur, këpucët e burgut, qentë, ylberin, etj, etj, unë s’isha më aty, por në një si skrivani të padukshme, njëlloj me këdo që shkruante, në Tiranë, ku kam lënë shtëpinë time a po në Romë, në Paris, në New York, këtu në Michigan, arrija kështu përhumbjen time, delirin tim, i vidhesha burgut dhe kjo ishte liria ime e munguar, e rishpikja, e krijoja. 

Pastaj zbulova mrekullinë: kur shkruaja, s’kishte rëndësi çfarë, e mirë ose jo, a do të duhej, a do të kishte lexues, etj., në ato çaste unë nuk jetoja si i burgosur, gjë për të cilën shteti kujdesej si përbindësh, pra sfidoja vendin dhe kohën, pavetëdijshëm rishpikja dhe emocionin e gjallë të krijimit, pra bëja poetin duke e zhvleftësuar krejt dënimin.

Dhe kuptova se po kryenim dy akte të mëdha dhe me rëndësi, sipas meje: 

– Një nga një dhe së bashku po krijonim një “letërsi tjetër”…

– Po kështu ne krijuam lexuesin e burgosur dhe të fshehtë të kësaj letërie. 

3.

Poezitë tona, pra, si asnjë poezi tjetër në botë, kanë dhe “biografi”, aventurën dhe rrezikun dhe ishin pa asnjë mundësi botimi. 

Siç tregova, poezitë e mia arritën të dalin para meje nga burgu, por unë nuk e dija ç’bënin familjarët e mi me to, ku i çonin? Sigurisht në shtëpi, në Lushnjë, në apartamentin tonë të vogël murehollë, me dysheme çimentoje. Me fëmijët e vegjël, që mund t’i gjenin… Po fqinjët, që s’dihej se si… Motra ime kishin shtëpi përdhese dhe me kopsht. Bashkëshorti i saj, Thomai, sajoi një arkë metalike, mbylli fletoret e poezive të mia atje dhe i futën nën dhé. Dhe nga nën(ë)dheu kishin ardhur… Ç’t’ju them, ky është një poemë tjetër…

Kur u lirova nga burgu, me të mbërritur në shtëpi, m’i dorëzuan, të ruajtura me dhëmbshuri mitike, Po unë çfarë t’u bëja? Unë s’kisha më të drejtën e botimit, punoja si punëtor në një fabrikë tullash dhe po i rezistoja Sigurimit të Shtetit për të mos u bërë bashkëpunëtor i tyre, spiun. Dhe vazhdoja të shkruaja. Mbarova dhe tre drama

Duhej të shëmbej Muri i Berlinit, të binte perandoria komuniste dhe në vendin tim të fillonin ndryshimet, që edhe unë të mund të botoja…

Ndërkaq nga burgjet dolën ashtu si gjithë të burgosurit poezi, tregime, memuaristikë, romane, studime, përkthime… 

Erdhi një “letërsi tjetër” jo që të zëvendësonte letërsinë shqipe siç u trembën shkrimtarët e Realizmit Socialist, por për të sjellë vetveten, të vërtetën dhe moralin, që edhe Franc Kafka e thotë se pa ato nuk ka letërsi të madhe. Albert Kamy definon: E vërteta është urdhër. 

Letërsia jonë e burgjeve dhe internimeve, që nuk e dinin se ekzistonte, e pasuroi letërsinë e re shqipe dhe tani ajo ka lexuesit më të shumtë, zotëron si frymë. 

Edhe unë nisa të botoj poezi, tregime, ese, romane, së fundmi të gjitha ato fletoret e nëndheshme në një botim të ri anastatik, faksimile, “Dorëshkrimet  e fshehta të burgut”, madje iu dha çmimi i parë kombëtar për poezinë nga juria e vitit 2022, por para se të shpallej ky çmim, studiuesi dhe shkrimtari Lisandri Kola, pedagog në universitetin tuaj, më bëri disa pyetje dhe konstatime me rëndësi për problemet e letërsisë shqipe sot. Bashkë me përgjigjet e mia ato dolën në një botim më vete, pra kemi kështu një libër për një libër, por që i ngjan një guide për mendimin e ri kritik. 

Ne jemi letërsia që ka brenda vetes burgun, jo vetëm metaforik, por dhe atë realin dhe ndoshta jemi letërsia e vetme në botë që ka dhe një varrezë monumentale të shkrimtarëve dhe poetëve të vrarë, ca vdiqën në burg dhe ca i pushkatuan, të cilët ende nuk ka një varr ku të vendosim një lule. Në nderim të gjakut të poezisë dhe gjakut të tyre, që janë të përzier tani midis tyre, lejomë të përmend disa emra këtu:

Dom Lazër Shantoja, poet, esperantisti i parë shqiptar, i pushkatuari i parë nga kleri katolik, në vitin 1945, sapo kishte mbaruar Lufta e Dytë Botërore. Në vitet më pas do të pushkatonin të tjerë. 

Beqir Çela në vitin 1947, në moshën e Krishtit, kishte shkruar dhe një nga Himnet Kombëtare. 

Në vitin 1948 pushkatojnë poetin Ali Skëndi – Baba Tomorri, klerik bektashian. 

Vdes në burg në moshën 86 vjeçare, në vitin 1951 Dom Ndoc Nikaj, romancieri i parë shqiptar. 

Në vitin 1961 pushkatojnë poetin 31 vjeçar Trifon Xhagjika. 

Në vitin 1965, një javë para lirimit, helmojnë në burg tragjedianin e parë shqiptar Et’hem Haxhiademi, kurse në vitin 1967 pushkatojnë dy poetë të rinj, kushërinj, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. 

Në vitin 1983 vdes në internim, pasi kishte dalë nga burgu, shkrimtarja Musine Kokalari, ndër të parat, në mos e para grua shkrimtare.  

Në vitin 1988 varin poetin Havzi Nelaj, kjo është dhe varja e fundit në të gjithë perandorinë komuniste, se pas një viti rrëzohet Muri i Berlinit bashkë me gjithë perandorin:e komuniste. 

Ne na vranë me plumba ata që bënë diktaturën, kurse ne edhe pas vdekjes i vrasim me poezi, që të ndërtojm;e ëndrrën. 

Po e mbyll fjalën time ashtu siç e nisa, dua të them se pas disa mijëvjeçarëve nga Homeri kemi mësuar se duhet të bëjmë një luftë të përditëshme ashtu si në “Iliadë” për një grua të bukur, Helenën e Trojës, ne të luftojmë që të fitojmë bukurinë shpirtërore, ndërsa nga Dantja t’i japim më rëndësi në jetë asaj që është në Komedinë e tij hyjnore, “Parajsa” dhe të kujtohemi se poema më e bukur në botë është ajo e dashurisë.

Ann Arbor, 14 prill 2023

Fjala e mbajtur në Universitetin e Miçiganit.

C:\Users\User\Downloads\IMG_4986 (1).jpg

    Pllakati… 

C:\Users\User\Downloads\IMG_4992.jpg

  …në auditor.

https://b3c4r2f7.stackpathcdn.com/21864-thickbox_default/doreshkrimet-e-fshehta-te-burgut.jpg
C:\Users\User\Downloads\IMG_4420.jpg

Filed Under: Politike Tagged With: Visar Zhiti

OPOZITA HAPI FUSHATËN, MITING MADHËSHTOR NË TIRANË

April 15, 2023 by s p

Sokol Paja/

Koalicioni opozitar “Bashkë Fitojmë” hapi fushatën elektorale për Zgjedhjet Vendore të 14 majit 2023. Një festë spektakolare e demokracisë e qytetarisë kundër monizmit partiak institucional që keqqeveris brutalisht Shqipërinë prej 10 vitesh. Me një pjesëmarrje masive të demokratëve shqiptarë në Air Albania, në fjalimet e kandidatëve të opozitës u dhanë mesazhe të fitores, shpresës e bashkimit të shqiptarëve kundër të keqes në pushtet që po varfëron e shkatërron çdo ditë Shqipërinë. Lideri i demokratëve të Shqipërisë Doktor Berisha në fjalën e tij ndër të tjera deklaroi se: “Ky start i madh, i paparë në 32 vite, ka tmerruar Edi Ramën dhe lolon e tij, Erion Veliaj dhe lolot e tjera…Ne do fitojmë! Edi Rama, siç konstatoni, ndjehet tmerrësisht i tmerruar. Është i tmerruar nga ju sepse ai e di se jeni misionarët e ndryshimit. Është i tmerruar se ai e di që do humbasë në mënyrë të turpshme më 14 maj. Atë e pret në mënyrë të pashmangshme, fati i mikut të tij, tradhtarit të kombit amerikan, Charles McGonigal. Ai e di se nuk ka gjykatës në botë që të dënojë ryshfetmarrësit dhe të mos dënojë ryshfetdhënësin. Nuk shpëton as se i vodhe vulën PD-së, nuk të shpëton as Soros, ky armik i egër i demokracisë shqiptare. Je krejtësisht i pashpresë. Edi Ramës dhe rilindjes i themi këtu: jemi shqiptarë, ne o budallenj. Besën e prerë dhe votën e vjedhur nuk ta falim kurrë. Ndryshimi është në duart tuaja. Bashkë do fitojmë! Thirrjen që ndjeva unë e keni ndjeri edhe ju. Sot jeni pishtarë shprese që ndriçoni të ardhmen e Shqipërisë. Zoti e bekoftë opozitën shqiptare, Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë…Ne nuk jemi njëlloj, por të ndalemi te këto zgjedhje lokale. Kandidatët tanë janë shëmbëlltyra e moralit, virtyti i qytetarëve. Nuk ka si të jetë ndryshe se i zgjodhët ju me votën e lirë, i zgjodhët me primare. Ata janë kandidatët e lirisë, kandidatët e vullnetit tuaj, dinjitetit tuaj. Po kandidatët e bodrumeve të Edi Ramës, që përzuri votën nga partia e tij, çfarë janë? Thuhet se djalli ka shumë emra, po ashtu janë edhe kandidatët e Edi Ramës. Njerëz me shumë emra, sepse fshehin krime, mbulojnë të shkuarën e zezë. Shqiptarët nga 14 maji do përfaqësohen nga njerëz të ndershëm, punëtorë. Nga specialistë dhe ekspertë. Familjarë të ndershëm dhe patriotë të devotshëm që i zgjodhën vetë ata. Ne nuk jemi njëlloj, dallojmë shumë nga njëri-tjetri. Për ne, familja është themeli i shoqërisë. Kurse për këta, familja është prindi me numra dhe asgjësimi i saj. Ne besojmë te qytetari ndaj vendosim të parin qytetarin, barazinë para ligjit, dinjitetin e tij. Kurse për këta sot, vota, dinjiteti i qytetarëve nuk kanë asnjë vlerë. Ne besojmë te taksat e ulëta dhe iniciativa e lirë. Këta bazohen te taksat e larta, klientelizmi. Ne nuk jemi njëlloj, interesi kombëtar është i pari. Kurse këta me zbrazjen e Shqipërisë dhe Ballkanin e Hapur kanë të parë interesin serbo-rus” tha ndër të tjera lideri i demokratëve të Shqipërisë Doktor Berisha. Në fjalën e tij kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ndër të tjera deklaroi në çeljen e fushatës se: “Është koha të vrapojmë! Edhe 29 ditë për t’i dhënë fund monizmit absolut në pushtetit vendor. Pyes veten, pas 4 vitesh do shkallmojmë atë që askush nuk e mendonte ndonjëherë në Shqipëri, që ky vend anëtar i NATO, 100 përqind pro evropian, të jetë një vend ku në mënyrë të paligjshme një klikë kontrollon në mënyrë absolute të gjithë pushtetin vendor. Asnjë këshilltar opozitar në 4 vite në Shqipëri. Ne e dimë shumë mirë se pushtet absolut do të thotë korrupsion absolut siç është e gjithë Rilindja. Koha e ndryshimit ka kaluar me kohë, është koha për revolucion. Për revolucionin me votë që do sjellë përmbysjen e korrupsionit absolut, dhe do të sjellë njëherë e përgjithmonë transparencë absolute, llogaridhënie absolute, për çdo kryebashkiak që do të zgjidhet dhe për këshillat bashkiake që do të mbrojnë interesin e qytetarëve” citoi ndër të tjera z.Meta.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1719
  • 1720
  • 1721
  • 1722
  • 1723
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT