• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TEK BIJTE E SHQIPES NE FILADELFIA, HYN EDHE HAVZI NELA

April 15, 2023 by s p

Nga: Tajar Domi/

Në sallën e veprimtarive të Shoqatës Atdhetare – Kulturore “Bijtë e Shqipes“ në Filadelfia, nga sot nuk do të mungojë edhe portreti i martirit të fjalës së lirë, poetit HAVZI  NELA  i vlerësuar “Martir I Demokracisë“ (pas vdekjes ). Ai do të jetë aty krahas poetëve, shkrimtarëve e atdhetarëve të tjerë, me të cilët I bashkon dashuria e kontributi për kombin, për ta parë atë të fortë, të lirë e të bashkuar. Aty, do të jetë së bashku me vëllezërit Frashëri e me Ndre Mjedën, me Pashko Vasën por edhe me Ali Podrimjen, me Fan Nolin por edhe me Faik Konicën, me Gjergj Fishtën, Migjenin dhe Esad Mekulin, me Ismail Kadarenë e Mitrush Kutelin, me Musine Kokalarin, Ali Asllanin, Dritëro Agollin dhe shumë e shumë të tjerë. Sigurisht aty do të gjejë edhe figurat më të mëdhaja kombëtare, që e ndërtuan shtetin shqiptar apo i dhane emër si askush tjetër kombit, GJ. K. Skenderbeu, Ismail Qemali e Nënë Tereza.

Ceremonia e këtij veprimi e planifikuar të zhvillohej pak ditë më vonë, u realizua me datën 9 prill 2023, meqenëse atë ditë erdhi për një vizitë të shkurtër pranë nesh edhe kryetari i këshillit të Qarkut Kukes, z. Abdulla Domi prania e të cilit në këtë veprimtari u mendua se do te ishte një vlerësim i shtuar për veprën e poetit kuksian Havzi Nela. Ishin pjesëmarrës anëtar të këshillit drejtues të shoqatës “Bijte e Shqipes”, intelektualë e anëtar të komunitetit shqiptar e veçmas të atij kuksian . Krejt rastësisht u gjetën të pranishëm në këtë ngjarje të rëndësishme mysafirët nga Shqipëria, çifti intelektual Sanie e Arian Korini, drejtues të shkollës jo publike Arkos në Tiranë, të cilët kishin planifikuar një vizitë pranë shkollës shqipe “Gjuha Jonë”, dhe me këtë rast u antarsuan në shoqatë. Këte veprimtari e hapi kryetari i kësaj shoqate, z. Bujar Gjoka i cili pasi uroj mirëseardhjen për të gjithë pjesëmarrësit, theksoi se kjo veprimtari është e vecantë për shoqatën “Bijtë e Shqipes”, pasi i kushtohet një emri që është vlerësuar vetëm pas vdekjes. Dhe ne qoftë edhe simbolikisht duam ta sjellim afër komunitetit, me qëllim që ne të ardhmen poetin martir Havzi Nelen, ta njohim më mirë nëpërmjet organizimeve të tilla kushtuar atij. Ai ja dha fjalën kryetarit të nderit të shoqatës “Bijte e Shqipes” z. Tajar Domi (që është edhe autori i këtij shkrimi), i cili shkurt evidentoi jetën, veprimtarinë poetike e vlerësimin e figurës të Havzi Neles, mbështetur edhe në publikimet e shkrimtarëve lumjan Rexhep Shahu, Izet Duraku e Petrit Palushi:

Mësuesi e poeti shqiptar Havzi Nela, lindi në fshatin Kollovoz të Kukësit në vitin 1934 dhe vdiq i ekzekutuar me varje në litar me 10 gusht 1988, nga sistemi diktatorial i kohes. Ndoshta është poeti i fundit në botë i ekzekutuar në këtë mënyrë. 

Kur ishte ende fëmije, babai i tij vdiq. Dhe pikërisht për arësye të varfërise, në moshën 9 vjecare del nga shtëpia prindërore për të nxjerrë bukën e gojës në Tiranë , ku falë dashamirësisë të mësuesve e zellit të tij për dije , filloi menjëherë shkollën , që e vazhdoi edhe pas luftës. 

Në vitet 1947-1949 jetoi me xhaxhain e tij në Prizren, ku vazhdoi arsimimin e tij në shkollën normale të atij qyteti. U kthye në Shqipëri në 1950-tën, ku vazhdoi 

shkollimin e tij ne Kukës e Shkodër përgjate viteve 1950-1952. Më pas fillon punën si mësues duke shërbyer në Burrel, Krume e Kukës, në fshatrat Lojme, Shishtavec e Topojan, ndërsa vazhdonte studimet e larta pa shkëputje nga puna.

Në vitin 1967, në nje takim publik në Topojan, bëhet kritik i reformave që po aplikoheshin nga qeveria për ndalimin e besimit fetar, kolektivizimin ekstrem të bujqësisë si dhe afirmimit të së resë në ndryshimin e traditës së jetesës, riteve e zakoneve si dhe të veshjes. Shprehja e tij aty ishte: “Tre inxheksione të menjëhershme e vdesin njeriun dhe nuk e shërojne atë“, e cila sigurisht do ta vinte nën vezhgimin e strukturave të pushtetit. Për ti shpëtuar ndeshkimit, Havziu së bashku me bashkëshorten e tij, Lavdijen, kapërcejne kufirin shtetëror në prill 1967, duke lënë një copë letër aty: 

“Lamtumirë, atdhe i dashur, 

Po të la, por zemër plasur “.

Fati tragjik nuk e deshi të qendronte gjatë në Prizren, në qytetin që e deshte aq shumë. Në Prizren e mbajtën të burgosur në qeli , e keq trajtuan dhe e kërcënuan, por nuk e thyen. Prandaj e kthyen në Shqipëri me datën 6 maj 1967, ku u denua me 15 vjet burg, ndërsa në vitin 1975 u ridënua me 8 vjet të tjera shtesë burgimi.

Filloi kështu kalvari i gjatë i vuajtjeve për mësuesin e poetin e ardhshëm, Havzi Nela. Ai do te provonte dimrin e terrin e natës në birucat e kampet e burgjeve të egra në Shqipëri. Kryengritjen e tij poetike, Havziu e nisi ne birucat e Rreshenit, sic shkruan vete, “kur unë isha në vuejtje dhe në mërzi të randë …”.

Dhe në kushte të pa përfytyrueshme, në terr të plotë, pa laps e fletore, sic shkruan ai në shënimet e tij të pakta, “ia nisa hartimit vetëm me mendje dhe ato që nxirrja, i përsëritesha shpesh vetëm me mend, me qëllim që ti ngulja në kujtesë për të mos i harrue. Duke i përserit herë pas herë për 8 vjet, munda ti ruej të pa shlyeshme nga kujtesa. Ai portretizon shqiponjat sypatrembura që dhanë jetën për liri, thur vargje për shokët e tij të Spacit si përmendore të flamurit, fton vendlindjen e tij Lumën historike, por edhe Vloren e Krujen, Shkodren e Korçen, Dibren e Tiranen etj, të bëhen mburojë e atdheut, ngre në kembë të vdekurit që janë bërë të pavdekshëm si Skenderbeu, Ismail Qemali, Isa Boletini, Bajram Curri, Selam Musaj; ata që ndezin zemrēn e kombit si Gjergj Fishten, Mjeden e Vaso Pashen…

Kosovën, poeti Havzi Nela e kishte në zemer, si të gjithë banorët e Lumës, e cila fatet e saj i kishte të lidhura me të si pjesë e vilajetit të Kosoves. Ndërsa Prizrenin e donte si qytetin ku Luma merrte bukën e nxirrte në treg prodhimet e saj. Në Prizren ishte dija, drita, qytetërimi. 

Prandaj, por edhe për shume faktorë të tjerë, atë që pak nga krijuesit letrar guxuan ta realizonin për lirinë e Kosoves, Havziu arriti ta nxirrte në dritë.

Ky kontribut prej mijëra vargjesh, në të cilart rrezellin Kosova me qëndresën e përpjekjet e saj të pa epura për liri, mbetet dëshmia më e fortë e autorit si kundërshtar i regjimit.

Poezitë e poemat e tij janë të mbajtura në 7 fletore, dhe janë botuar në një libër të vetëm nën kujdesin e studiuesit Rexhep Shahu. Libri përmban një volum prej 5,546 vargjesh. Poezitë e Havzi Neles, janë bërë objekt studimi e vlerësimi prej shumë shkrimtarëvë e studiuesve tanë , dhe lexuesit do të dinë ta vlerësojnë veprën e tij. 

“Kur të mësoni se unë kam vdeke,

Kur të thoni “Ndjesë Pastë”, 

A e dini se cfarë kam hjeke,

Unë poeti zemërzjarrtë.

Mësuesi dhe poeti desident Havzi Nela, një simbol i fjalës së lirë e i dinjitetit njerëzor, tashmë është një emër i njohur e i vlerësuar me shumë të drejtë nga institucionet vendore e qendrore të shtetit shqiptar, në periudhën e demokracisë. Shkolla e mesme e përgjithshme në qytetin e Kukësit, mban emrin e këtij martiri, ndërsa portret i tij është përjetësuar me bustin e vendosur përballë saj. Është nderuar me shumë institucione, ku me i larti është ai “Martir i Democracisë“, akorduar nga presidenti i vendit. 

Duke vendos portretin e poetit martir Havzi Nela, në ambjentet e qendrës tonë social – kulturore “Bijte e Shqipes”, krahas portreteve të tjerë kombëtar të cilët sigurisht janë me kontribute të ndryshme në përmasa por edhe në kohë, në hapim një dritare të re të afishimit e njohjes të këtyre figurave. Pas Musine Kokalarit, po vendosim sot Havzi Nelen, por pas tij ndoshta do të duhet të vendosen edhe Vilson Blloshmi e Gjergj Leka e të tjerë. E rëndësishme për ne e vecanërisht për brezat që vijnë, është që historia e emrave të tillë, me vlerat letrare e atdhetare që mbartin dhe përfundimin tragjik të jetës së tyre për fjalën e lire, jo vetëm të njihet por edhe të lartësohet në veprimtari e shkolla, këtu në diaspore.

Pas këtij prezantimi të shkurtër të jetës e veprës të Havzi Neles, fjala ju dha kryetarit të këshillit të qarkut Kukës, z. Abdulla Domi, i cili mes të tjerave falenderoi shoqatën Bijte e Shqipes dhe u shpreh krenar që një figurë kuksiane si Havzi Nela, behët i pa harruar edhe këtu në Filadelfia, megjithëse fatkeqësisht pas vdekjes. Pas tij intelektualët, zotërinjte Llazar Vero, Ahmet Shabani, Hys Hasa Eqerem Murataj, Vlashi Fili, Enver Parllaku, drejtore e shkollës ERKO në Tiranë znj. Sanie Korini , Haki Collaku, Dritan Matraku, Shkelzen Gjakova etj, si dhe bisnesmenët kuksian Besim Fana, Mexhit Koboci etj, duke i bërë jehonë veprës e qëndrimit të pa pajtueshëm të Havzi Neles  ndaj regjimit, u pajtuan me mendimin për të organizuar një veprimtari me të gjerë për të , gjatë muajve shtator-tetor.

Kështu pra Havzi Nela, hyri te “Bijte e Shqipes“, për të mos u harruar kurrë. 

Filadelfia, me 12 Prill 2023

Filed Under: Kulture Tagged With: Tajar Domi

EMIGRACIONI NJË PLAGË E PASHERUESHME PËR POPULLIN TONË

April 15, 2023 by s p

Prof.Asc.Dr. Gëzim MUSTAFAJ/

Emigrimi ndërkombëtar, lëvizjet e njerëzve nga një territor në një tjetër kanë luajtur një rol thelbësor në historinë e njerëzimit. Kështu, popullsi fare të papërfillshme morën përmasa madhore, ndërkohë që shtete të fuqishëm janë dobësuar, apo forcuar, falë lëvizjeve ndërkombëtare të njerëzve. Bota do të kish qenë krejt ndryshe pa modelet historikë të emigrimit ndërkombëtar.

Fenomeni i emigracionit, ka qënë i pranishëm edhe në Shqipëri, ashtu si në të gjitha vendet e tjera të botës, duke luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomiko-shoqëror. Pas vdekjes së Skënderbeu, shumë shqiptarë të detyruar nga pushtimi osman, emigruan kryesisht në  Italinë Jugore dhe në Greqi. 

Gjatë shekujve  XVI-XIX, për motive tregtare, kulturore por edhe patriotike, janë krijuar koloni të emigrantëve shqiptarë, kryesisht në qytete të Gadishullit Ballkanik si në Stamboll, Athinë, Selanik, Bukuresht, Sofie, të cilat kanë luajtur një rol të rëndësishëm në Rilindjen Kombëtare Shqiptare.

Nga fundi i shekullit të XIX dhe fillimi i shekullit të XX emigrantët shqiptarë janë drejtuar në vendet kapitaliste të zhvilluara si në Sh.B.A, Itali, Francë, Kanada, Australi, Argjentinë. Në të gjitha vëndet apo shtetet ku kanë shkuar, emigrantët shqiptarë kanë bashkëjetuar në mirëkuptim me popullsinë e këtyre  vendeve.  Fakti që Shqipëria e Jugut dhe e Mesme janë përgjithësisht më të zhvilluara se pjesa tjetër e vendit i dedikohet edhe fenomenit të emigracionit i cili ka qënë më i dendur në këto pjesë të vendit. Duhet thekësuar se këtë e favorizonte edhe qënja afër detit, pasi lëvizja e njerëzvë në këto perjudha ishte shumë e vështirë. Krahas luftrave dhe vdekshmëris së lartë, duke i shtuar edhe emigracionin gjatë gjithë këtyre perjudhave, kemi një rënje të numrit të popullsisë, duke arritur në 800 mijë  në vitin 1920 dhe me shumë pak ndryshim në vitin 1944.

Popullsia e Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore u karakterizua nga ritme të shpejta të rritjes së saj. Gjatë kësaj periudhe afro gjysmëshekullore, vendi ynë pati një rritje të madhe të popullsisë si rezultat i lindshmërisë shumë të lartë dhe i moslejimit të emigracionit.  Nga 800 mijë banorë që ishte në vitin 1920, arriti në 1.003.000 në 1940 dhe në vitin 1990 arriti në 3.256.000. Në periudhen 50 vjeçare të regjimit komunist popullsia e vendit u trefishua, duke zënë vendin e parë në kontinentin europian përsa i përket ritmeve të rritjes së popullsisë.

Pas viteve 90-të, emigrimi u kthye  në një nga sfidat më të mëdha socio-ekonomike për shoqërinë shqiptare. Megjithatë, ky problem ka ngjallur  pak vëmendje tek vendimmarrësit.  Emigracioni masiv, largimi i trurit dhe qëndrimet e përkohshme jashtë vendit për qëllime arsimimi jo vetëm kanë vështirësuar, por po shkohet drejt një mungese të theksuar të fuqisë punëtore brenda vendit. 

Emigracioni është një shqetësim i madh për Shqipërinë për shkak se aktualisht me shqetësim, por duhet të pranojmë se afërsisht 60 – 65% e popullsisë është larguar nga vendi gjatë 32-të viteve të fundit, duke e bërë Shqipërinë një nga vendet me nivelin më të lartë të flukseve të emigracionit në botë.

Duke qenë se Shqipëria është një vend, i cili është prekur masivisht nga  emigracioni, mund të kuptohet qartë edhe dobësimi ynë në drejtim të burimeve njerëzore. Deri tani shqiptarët kanë  zvogëluar një prej elementeve  përbërës të sigurisë kombëtare, popullsinë. 

Po ti referohemi histories së emigracionit shqipëtarë, do të verenim se; Pas emigrimit masiv të popullsisë shqiptare të shekujve 15-17, kryesisht drejt, Itali dhe Greqi si rezultat i pushtimit të Shqipërisë nga Turqia, gjatë gjysmës së parë të shekullit 20, kemi emigrimin e popullësië gjatë viteve 1912 – 1923, kur ekonomia bujqësore ishte rrënuar si pasojë e Luftës së Parë Botërore dhe mungesa e industrisë solli si pasojë faktin që në këtë periudhë, 21 000 familje shqiptare të lënë atdheun e tyre. Nga viti 1923 – 1939, prapambetja ekonomike dhe lëvizja e lire solli largimin e 110 000  personave. Gjatë periudhës 1940-1945, afërsisht 19 000 persona kanë emigruar, shumë nga të cilët ishin kundërshtarë politikë të regjimit komunist. Pas luftës së dytë botërore, emigracioni nga Shqipëria ishte i ndaluar.

Shkalla e emigrimit pas vitit 1990, në raport me popullsinë shqiptare, ka qënë më e larta në Europë dhe një nga më të lartat në botë. Sipas të dhënave të INSTAT në 32 vitet e fundit, emigrantët jashtë vendit kanë arritur në 1.6 milionë persona, ose 59% e popullsisë banuese në vend. 

Do tu referohem disa statistikave në një raport për migracionin neto të Ballkanit Perëndimor, Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare i Vjenës, përllogariti se gjatë 2011-2020 ikën nga Shqipëria 499 mijë persona. Po kështu vlerësohet se 42 mijë përsona emigrojne çdo vit.

Të dhënat u morën nga Eurostat për vendet e BE-së dhe nga vende jo anëtare të BE-së. Numri i emigrantëve për Shqipërinë u përllogarit nëpërmjet autorizimeve për lejet e qëndrimit të lëshuara për herë të parë nga këto vende.

Shqipëria rezultoi me numrin më të lartë të emigrantëve në krahasim me Serbinë, Malin e Zi, Bosnjën, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Si faktor themelor, ekspertët e Vjenës evidentojnë nivelin e lartë të varfërisë, fenomen që shpjegon flukset e larta të emigracionit, sidomos në Shqipëri dhe Kosovë. Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet me nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë në rajon dhe me nivelet më të larta të varfërisë, sipas Bankës Botërore. Për rrjedhojë, kanë edhe flukset më të larta emigratore.

Në 2020-n në vend kishte rreth 769 mijë familje, ose 2,637 familje më pak se një vit më parë, sipas Anketës së Buxhetit të Familjeve. Edhe në 2019-n, numri i familjeve ra me rreth një mijë, ndaj një viti më parë. Në 10-vjeçarin e fundit janë larguar nga vendi 6,6% e familjeve, gjithsej 49,500 të tilla, ndërsa në vitet 2001-2011 ishin larguar 4.4% e njësive familjare. Në totalin e familjeve të larguara jashtë, numrin më të madh e ka Tirana, ku raportohet se janë larguar 10,3% e totalit të qarkut, ndërsa qarqet me humbjet më të mëdha të popullsisë janë Kukësi dhe Tropoja në Veri, Durrësi dhe Elbasani në qendër dhe Fieri në Jug. Anketa ka zbuluar se kushtet ekonomike, duke përfshirë varfërinë, papunësinë dhe nënpunësimin, të ardhurat e ulëta nga punësimi, kushtet e vështira të jetesës, mbrojtja e kufizuar sociale dhe borxhet janë faktorët kryesorë për emigrantët shqiptarë. 

Pas përfundimit të Covid-19, vala e ikjeve nga Shqipëria është rritur ndjeshëm, sidomos në vitin 2022, ku një kanal i ri emigracioni në Britanin e Madhe, me gomone nga Franca po zbraz me shpejtësi vëndin.

Fenomeni i emigracionit të shqiptarëve drejt vendeve të tjera të botës, me të cilin po përballet gjithnjë e më shumë shoqëria, duhet të shikohet si një rrezik për kombin shqiptar, zhvillimin ekonomiko-social të Shqipërisë, si dhe për sigurinë e saj në të ardhmen. Ky emigracion masiv, ka krijuar dhe shumë probleme sociale. Duke qenë se pjesa më e madhe e emigrantëve janë meshkuj, ka ndryshuar struktura e popullsisë sipas seksit. 

Emigracioni në vendin tonë ka ndodhur kryesisht për arsye ekonomike. Kjo shpjegohet me faktin se tek ne varfëria ishte shumë e madhe dhe se diktatura komuniste ishte më e ashpër se në vende të tjera të Europës Lindore. Nëse deri dje emigrimi ishte kryesisht nga shtresa e varfër e popullsisë, sot këmbanë alarmi duhet të jetë, sepse po largohet truri i kombit shtresa e mesme e popullsisë dhe kjo ka një ndikim jo vetëm në numrin absolut të popullsisë dhe të shpërndarjes së saj gjeografike, por gjithashtu edhe në strukturën e brendshme të popullsisë sepse po  ndryshon raporti sipas seksit dhe moshës, sipas grupeve social ekonomike, etj.

New York Prill 2023

Filed Under: Ekonomi Tagged With: gezim mustafaj

Qytetarët votuan për ndryshimin e skenës politike

April 15, 2023 by s p

Ashtu siç është pritur qytetarët me votën e tyre me 2 prill në balotazh  të zgjedhjeve presidenciale  votuan bindshëm për ndryshim, duke zgjedhur  presidentin e ri në Mal të Zi, nga subjekti jashtëparlamentar duke paralajmëruar ndryshime në skenën politike të cilat do të pasojnë në zgjedhjet parlamentare të cilat do të mbahen me 11 qershor të këtij viti

Nail  Draga

Mbajtja e zgjedhjeve presidenciale me 19 mars dëshmoi se dy ma të votuarit  presidenti aktual M.Gjukanoviqi me 35.37% apo 119.685 vota dhe J.Milatoviqi me 28.92% apo 97.867 vota  do të ballafaqohen në balotazh   me 2 prill, duke paraqitur dilema në opinion dhe të elektorati votues.

Por, një çështje e tillë u eliminu mënjëherë, sepse partitë politike të cilat ishin pjesëmarrëse me kandidatët e tyre u deklaruan publikisht se do të mbeshtesin J.Milatoviqin, qe ishte sinjal i mjaftueshëm për te kuptuar se ai ka përparësi të madhe ndaj presidentit aktual, i cili u mbeshtet nga parti të vogla pa ndonjë peshë të elektorati votues.

Presidenti në pension politik

Sipas të dhënave nga KZSH, në balotazh  të mbajtur me 2 prill 2023, J.Milatoviqi ka fituar  58,88 % apo  221.592 vota,  ndërsa M.Gjukanoviqi  41,12 % apo 154.769 vota. Nga numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë  vote prej 524.154  në zgjedhje kanë votuar 380.281 qytetarë(70.14%) ndërsa të vlefshme kanë qenë 376.361fletë votime, qe ishin më shumë për  37980  votues  apo 10% në krahasim me dyjavë më parë. 

Kemi të bëjmë me rastin e parë deri më tash në Mal të Zi por edhe më gjerë kur presidenti zgjidhet nga partia jashtëparlamentare, duke dëshmuar se qytetarët votuan kandidatin më të preferuar duke e dërguar presidentin aktual në pensionin politik.Një vendim i tillë i qytetarëve dëshmon se ata votuan lirshëm në mënyrë tolerante pa diktate që është  dëshmi se kemi të bëjmë me evoluimin në kulturën politike të qytetarëve në këtë mjedis.

Si votuan shqiptarët e boshnjakët ?

Në krahasim me ruandin e parë me 19 mars, me 2 prill shqiptarët e boshnjakët në zgjedhje kanë dalur më tepër duke e rritur ndjeshem numrin e votave kryesisht për M.Gjukanoviqin, por një përqindje e konsiderueshme ka qenë edhe për J.Milatoviqin. 

Kështu në dy komunat me shumicë shqiptare, në Ulqin 6515 vota ishin për  M.Gjukanoviqin, ndërsa 2995 për J.Milatoviqin, në Malësi 5855 vota ka fituar M.Gjukanoviqi ndërsa 1.284 J.Milatoviqi. Ndërsa në komunat me shumicë boshnjake në Rozhajë 11.004 vota ishin për M.Gjukanoviqin ndërsa 2.213 për J.Milatoviqin, në Plavë 3.275 M.Gjukanoviqi ndërsa 1.432 J.Milatoviqi etj.Por, kjo mbeshtetje nuk ka ndikuar në humbjen e M.Gjukanoviqit, sepse si e tillë është paralajmëruar në zgjedhjet lokale(23 tetor 2023) që u vërifiku bindshëm në këto zgjedhje. 

Nuk ka dilemë se  shkaku i  humbjës  se presidentit aktual M.Gjukanoviq, nuk duhet kërkuar të elektorati votues të popujt pakicë(shqiptarë e boshnjakë), por  të elektorati me përkatësi malazeze përkatësisht ortodokse të cilët mbeshtetën J.Milatoviqin, i cili paraqet moment të veçantë në skenën politike në Mal të Zi. 

Të dhënat e publikuara dëshmojnë se në 17 komuna ka fituar J.Milatoviqi ndërsa M.Gjukanoviqi në 8, dëshmi se qytetarët kanë votuar për ndryshim, duke dëshmuar se pushtetit të DPS-it i ka ardhur fundi sepse është koha për figura të reja udhëheqëse   pa hipoteka nga biografia e tyre.  

Fundi i një pushteti autokratik 

Nga zgjedhjet parlamentare(30 gusht 2020) DPS-i është duke përjetur rënie të vazhdueshme. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse kemi të bëjmë me një parti politike e cila është konsumuar,  ndërsa aferat korruptive dhe kriminaliteti  kanë ndikuar në rënien e mbeshtetjës te qytetarët. 

Nuk ka dilemë se  pushteti i gjatë tridhjetëvjeçar(1990-2020)  pa ndryshime dhe reforma partiake  ka ndikuar qe kjo parti e ka legjitimuar vetën me pushtetin, përkatësisht shtetin duke u bazuar ne liderin karizmatik, qe ka ndikuar për të  humbur  bazën e legjitimitetit.

Duke marrë parasysh se DPS-i pësoi humbje në zgjedhjet parlamentare me 30 gusht 2020 dhe ato lokale me 23 tetor 2022, humbja në zgjedhjet presidenciale ishte e paralajmeruar por çështja qendronte të përqindja numërike e humbjes. Edhe pse në ruandin e parë presidenti aktual M.Gjukanoviqi fitoi 35.6% ishte sinjal i mjaftueshëm se ai në balotazh do të jetë humbës dhe ate në mënyrë bindëse. Sepse, si në zgjedhjet parlamentare e ato lokale askush nuk dëshiron koalicion me DPS-in, ku edhe kësaj here situata ishte identike. Animoziteti ndaj M.Gjukanoviqit u dëshmu nga të gjitha subjektët politike të shumicës aktuale parlamentare, të cilat kanë mbeshtetur J.Milatoviqin, ndërsa nga ana tjetër M.Gjukanoviqi,  në këtë raund pati  mbeshtetje nga SDP dhe të  disa partive të popujve pakicë qe ishte numër i pamjaftueshëm për të përmbysur rezultatin. Ndonëse nga DPS-i kanë pritur mbeshtetje maksimale  nga popujt pakicë dhe diaspora, një mbeshteje e tillë nuk ishte sipas parashikimeve, dhe pa ndikim në rezultatin përfundimtar. 

Presidenti i ri pa hipoteka 

Fitorja e presidentit të ri bazohet në faktin se ai nuk ka hipoteka nga  e kaluara, duke qenë i ri në moshë, me përgatitje profesionale në qendrat ndërkombëtare, duke qenë personi i duhur në momentin e duhur.Ndërsa  duke marrë parasysh edhe animozitetin  ndaj presidentit aktual te opinioni i gjerë, mbeshtetja masive  nuk ishte befasuese. Por, duhet thënë se pikë të veçanta fitoi ne sajë të  duelit televiziv tre ditë para zgjedhjeve, duke dëshmuar përgatitje profesionale, qasje konstruktive dhe guxim intelektual në prezantimin e çështje aktuale në vend.

Përfundoi epoka e kultit të individit 

Ndonëse në pluralizëm në vendet e ish kampit socialist, kulti i individit është bërë pjesë e pandryshuar e konceptit të qeverisjës, rasti i Malit të Zi ishte i veçantë, sepse këtu kulti i individit qendroi ma gjatë duke përfunduar me 2 prill me zgjedhjen e presidentit të ri. 

Shkaku i humbjes së M.Gjukanoviqit është vet ai, sepse i ka munguar vlerësimi real i situatës në vend sepse ka mbivlerësuar vetën e nënçmuar të tjerët, përkatësisht kundërshtarët politik.Nga ana tjetër ai si duket nuk ka qenë i vetdijshëm se është konsumuar politikisht, sepse ka qenë në pushtet 34 vite. Madje nuk thuhet kot se pushteti të prish, përkatësisht të zhvlerëson në çdo aspekt, sepse nuk ke së çka  ofron, andaj bëhesh monoton për qytetarët.  

Nga raportet e  tilla  ka qenë e udhës qe preisdenti i cili mban edhe pozitën e kryetarit të partisë politike(DPS) të mbeshtesë një kandidatë të ri  nga partia e tij e pse jo edhe nga shoqëria civile, në mënyrë qe të largohet pa humbje.  Por, ne këtë aspekt ai nuk ka treguar ndonjë interesim për të përgatitur ndonjë   bashkëpunëtor si trashëgimtarë  që është dëshmi e tipave autokrat andaj edhe përfundimi nuk mund të ishte ndryshe por disfatist. Në dështimin e tij në këto zgjedhje nuk mund të përjashtohen edhe korupcioni dhe aferat e rënda koruptive në qarqet e ish qeverisjes së DPS-it dhe  të bashkëpunëtorët e tij.

Në fushatën parazgjedhore opinioni i gjerë në Mal të Zi kishte mundësi të degjojë nga  presidenti M.Gjukanoviq se ai është në mbrojtje të shtetit dhe të ardhmës euroatlantike, por një qasje e tillë nuk ka pasur jehonën e duhur të elektorati votues sepse qytetarët janë ngopur me retorikë të tillë e cila me shumë ngjante në demagogji se sa në mesazhe parazgjedhore të votuesit.

Duca karikatura

Dekompozimi i skenës politike

Përfundimisht suksesi i Lëvizjës Evropa tani, duhet trajtuar si një evoluim i vetdijës politike të qytetarëve në Mal të Zi, të cilët nuk kanë pasur mundësi të përballojnë liderin i cili ka qeverisur për 34 vite, andaj lirshëm kanë shprehur qendrimin e tyre, duke votuar për ndryshim, i cili fillon me presidentin e ri të vendit. Nga ana tjetër kjo lëvizje do të ndikojë në dekompozimin e skenës politike në vend, ku do të dëshmohet në zgjedhjet parlamentare të cilat janë parapa të mbahën me 11 qershor. 

Ndonëse kemi të bëjmë me një subjekt politik të ri qe është formuar vitin e kaluar, duke arritur rezultate spektakulare në zgjedhjet lokale me 23 tetor, arriti kulmin ne këto zgjedhje presidenciale, ku pa dilemë  do të jetë surprizë  edhe në zgjedhjet parlamentare me 11 qershor, sepse qasja e tyre për statusin socioekonomik për qytetarët do të jetë motiv i veçantë për mbeshtetje nga elektorati votues.

(Prill 2023)

Filed Under: Analiza

Lef Nosi, monument i vlerave kombëtare

April 15, 2023 by s p

Saimir Z. Kadiu/

Delegat i Elbasanit ( bashke me Dervish bej Biçakçiu, Shefqet Daiu, Mithat Frashëri), nënshkrues i Aktit të Pavarësisë dhe anëtar i kabinetit të Ismail Qemalit.

Lef Nosi është krijuesi i filatelisë shqiptare. Familjarët e të afërmit e Lef Nosit, saktësojnë se nën drejtimin e Nosit, qeveria e Vlorës nxori gjashtë emisione pullash, ku më interesanti ishte ai i pullave të vulosura me shqiponjën dykrenore dhe shkrimin “Shqipënia”.

Nga kujtimet e të afërmve dhe miqve mësohet se Lef Nosi i ka dhuruar “British Muzeumit” 65 ekzemplarë të pullave postare, me qëllim për ta ruajtur si etalon në këtë institucion prestigjioz dhe për të shmangur falsifikimin e tyre.

Po kështu, pulla dhe reperte arkeologjike shqiptare Lef Nosi i ka dhuruar nëpërmjet mikes së tij, Margaret Hazllëk, universitetit të Aberdinit në Skoci për t’i ekspozuar në muzeun e tij prestigjioz .

Lef Nosi ka qenë njohës i gjuhëve turqisht, greqisht, frëngjisht, gjermanisht dhe italisht.

Nga bashkëkohësit thuhet se Lef Nosi kishte bibliotekën e dytë të Shqipërisë, pas bibliotekës së Mit’hat bej Frashërit (1880-1949), një figurë tjetër e qëndresës anti-komuniste.

Bërthama e fondit të albanologjisë dhe ballkanologjisë në bibliotekën publike “Qemal Baholli”, në Elbasan, mban vulën personale të Lef Nosit, madje që në themelimin e saj, duke qenë edhe në këshillin shkencor të bibliotekës së asaj kohe.

Ai blinte rregullisht libra të shkruara për Shqipërinë dhe ia dhuronte bibliotekës, ndër të cilën mbajnë vulën e tij: “Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së vjetër të veriut, gegërisë”; “Banka Kombëtare e Shqipnis”; “Albania the master Key to the Near East” i botuar më 1919; “The Balkan Peninsula”, me autor Frank Fox, botuar në vitin 1915. Pasionin e Nosit për librat e ka përshkruar me hollësi Dora D’Istria në librin “Gli Albanesi in Rumenia”.

Aq i madh ishte personaliteti i Lef Nosit sa qe pranohej edhe nga vete komunistet…Ja cfare shkruan Qemal Stafa ne nje leter drejtuar Nosit:

“I nderuari Lef Nosi. Së pari dëshiroj t’ju tregoj gëzimin shpirtnuer që më ka shkaktuem njoftja e juej, gëzim qi jam i sigurtë nuk do ta konsideroni si shfaqjen e një konvenience të zakones, por si një realitet…” dhe në përfundim: “Përherë në dispozicion të juej përsa të ju nevojitet. Ju lutem të pranoni shprehjen e nderimit më të thellë. Qemal Stafa, Via Nicolini, 5 Casellai”.

Por clirimi i vendit e gjeti Lef Nosin ne nje pozicion shume te veshtire… Pjesemarrja e tij ne Keshillin e Regjences gjate pushtimit gjerman solli jo vetem fundin e tij fizik, por edhe denigrimin e gjithe vepres se tij patriotike dhe filologjike.

Patriotizmi i tij ishte ne drejtimin e duhur, por ndoshta zgjodhi apo rrethanat e kohes i afruan anijen e gabuar…por absolutisht nuk i leu duart me gjak shqiptaresh.

Me 1 shkurt 1946 ne Tirane u hap gjyqi kundër regjentëve Patër Anton Harapi, Lef Nosin dhe Maliq Bushati.

Gjyqi u zhvillua në sallën e kinema “Kosova”, i cilësuar “gjyq ushtarak i Tiranës” edhe pse të akuzuarit nuk ishin dhe nuk kishin qenë kurrë ndonjëherë, asnjëri, ushtarak. Të tre të akuzuarit u thirren “kriminelë të luftës” dhe “armiq të popullit”. Trupi gjykues qe kryesohej nga major Irakli Bozo, pati në përbërje: major Gjon Banushi, major Tonin Jakova dhe prokuror major Misto Treska.

Të nesërmen gazeta “Bashkimi” vijoi me njoftime propagandistike: “Krerët e Tradhtisë japin llogari”, “Lef Nosi në bankën e të akuzuarve”.

Sipas reporterit të kronikës së gjyqit, Lef Nosi u paraqit në gjyq i drobitur, i lodhur dhe me zor nxirrte fjalët nga goja. Referuar dosjes hetimore-gjyqësore dhe procesit të gjykimit, zhvilluar më 1 shkurt 1946, Lef Nosi akuzohej se: gjatë okupacionit italian, në bashkëpunim me Mustafa Krujën, ka qenë kryetar i komisionit të Elbasanit për mbledhjen e ndihmave të leshit, për ushtarët e Italisë fashiste; ka qenë kryetar i Komitetit Qarkor të Ballit për Elbasanin; përgjegjës për krijimin e çetave bashibozuke të Ballit, në prefekturë (jepen emrat e vendeve ku janë krijua çetat balliste sipas rretheve); ka qenë nisiator, pas kapitullimit të Italisë fashiste, për krijimin e Komitetit Ekzekutiv Provizor Kuisling, për krijimin e Asamblesë Kombëtare; anëtar i Regjencës; ka inspiruar, urdhëruar e ndihmuar okupatorin në veprimet kriminale, vrasje, tortura, arrestime, burgime, internime e shpërngulje të popullatës në kampet e shfarosjes; ka bashkëpunuar me konsullin Von Scheinger; ka inspiruar dhe ndihmuar organizatat tradhtare të Ballit Kombëtar e Legalitetit; ka qenë vegël e ndigjueshme e okupatorit , etj.

Pjesa me e madhe e akuzave ishte e pabesueshme edhe per vete trupin gjykues, por vendimi ishte marre prej kohesh…

Nuk u pushkatuan thjeshte tre kuislinge nga regjimi komunist, por tre figura nga me te rendesishmet e historise dhe kultures shqiptare…

Keshtu perfundoi jeta e Lef Nosit, i kryqëzuar nga tri regjime.Fillimisht është arrestuar nga turqit, është internuar nga italianët dhe më në fund u pushkatua nga komunistët.

Pas vitit 1990 Lef Nosi eshte nderuar si patriot i shquar dhe dekoruar nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Eshte shpallur Qytetar Nderi i Elbasanit dhe ne bulevardin kryesor te Elbasanit eshte ngritur statuja e tij.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Saimir Kadiu

Veprat e shkecëtarit shqiptar nga Drenica janë përzgjedhur edhe nga universitetet Harvard, Yale dhe Stanford

April 15, 2023 by s p

Shkenca e Lidershipit modern është e lidhur ngushtë më emrin e Prof. Dr. Fadil Çitaku nga Drenica dhe bashkëpuntorëve të tij. Këto vepra shkencore janë literatur e prëzgjedhur në universitetet më perstigjose në botë: Harvard, Yale dhe Stanford.

Disapora Shqiptare po na bënë të krenohemi si komb. Shumë shkencëtare dhe shkencëtar Shqiptar tani i gjënë në institutet më perstgjoze shkencore të botës. Njëri nga ata është edhe Prof. Dr. Fadil Çitaku, i lindur në Drencë, i cili jetonë në Zvicër.

Prof. Dr. Fadil Çitaku është profesor i Lidershipit dhe i Inteligjencës Emocionale në Academy of Leadership Sciences Switzerland (ALSS www.alss-edu.ch) Ai është themelues dhe CEO i ALSS, themelues dhe drejtor i programit Doktoratë në Pedagogjinë e Mjekësisë (DME) dhe profesor i programit të Doktoratës, PhD në Pedagogjinë e Mjekësisë.

Ai ligjeronë në arsimin e lartë të Zvicrës që 23 vite dhe ka inicuar dhe implementuar shumë kurrikula dhe projekte të arsimit të lartë në Zvicër dhe jashtë saj. Ai është supervisor për Trajnim Didaktik në Universitetin shtetëror prestigjioz ETH (Institutin Federal Zviceran të Teknologjisë në Cyrih) të Zvicëres dhe bashkë-themeluës i Qendrës së Ekselencës për Lidership, Inovacion dhe Cilësi në Universitetin RAK, RAKCODS, pranë Dubait, në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ALSS, në Cyrih, Zvicër.

Prof. Çitaku këshillon dhe trajnon lidere dhe lidër të kalibrit të lartë dhe institute në tër botën dhe ka mbajtë fjalime, si folës kyç në shumë konferenca shkencore ndërkombëtare me reputacion të lartë.

Ai është zbulues i Modelit të Kompetencave të Lidershipit Çitaku, në të cilin ka investiguar ekspert të lidershipit nga USA, CA, UK, A, D dhe CH, duke publikuar për herë të parë në botë një Model Empirik të Kompetencave të Lidershipit për Mjekësi dhe Profesionet Shëndetësore, i cili është botuar në revisten shkencore prestigjioze British Medical Journal (BMJ) https://bmjopen.bmj.com/content/2/2/e000812. Hulumtimet shkencore dhe mësimdhënja e Prof. Çitakut përqëndrohen në Lidership, Inteligjencen Emocionale, Menaxhimi i Cilësisë, Teoria Organizatave, si dhe Menaxhimi i Projekteve.

Prof. Çitaku është zbulues i Modelit të Kompetencave të Lidershipit DRENICA, publikuar në 2020 në Kanada https://ijol.cikd.ca/article_60503.html dhe ka botuar tri libra:

1. Kompetent reagieren in Notfallsituationen: https://www.amazon.com/-/de/dp/3838680359/ref=sr.

2. LEADERSHIP COMPETENCIES IN MEDICINE AND HEALTHCARE: Scientific based development of 63 leadership competencies, which can be learned and applied: https://www.amazon.com/dp/B0B6XKV94P.

3. NEUROLIDERSHIPI, INTELIGJENCA EMOCIONALE DHE POTENCIALI INTELEKTUAL I DIASPORËS SHQIPTARE: https://www.amazon.com/-/de/dp/B0B4QVWSG3.

Veprat shkencore të Prof. Çitakut dhe bashkëpuntorëve të tij janë literatur e përzgjedhur në universitetet më persitgjoze të botës siq janë Harvard, Yale dhe Stanford. Për tu njohur me veprat shkencore të Prof. Çitakut dhe bashkëpuntorëve të tij klikoni më poshtë duke u lidhur direkt me bibliotekat përkatëse të universiteteve Harvard, Yale dhe Stanford.

https://lnkd.in/eiSab_-n
https://lnkd.in/ecJ9VjbT
https://lnkd.in/egaayQY2

Filed Under: Mergata

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1720
  • 1721
  • 1722
  • 1723
  • 1724
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT