• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Atdhetari zemërzjarr Zef Balaj na bashkon dhe pas vdekjes

April 14, 2023 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Natyrshëm ritet dhe zakonet shqiptare vazhdojnë me atë ritëm si në Mëmëdhe dhe këtu ne Diasporë në shtetet ku na hodhën fatet si të larguar nga trojet tona. E enjtja e 13 prillit ishte një vjetori që Zef Balaj, ky filantropist i madh shkoi në amshim.

Familja e nderuar Balaj, Vatranët, Diaspora Shqiptaro-Amerikane nderuan me një ceremoni përkujtimore birin e Shqipërisë, Zefin.

Në hyrje na mirëprisnin e shoqja e tij fisnike Lina, djali Davidi dhe gjithë familja Balaj. Buqeta me lule u vendosën pranë memorialit ku prehet Zef Balaj në varrezën “Gate of Heaven”, një varrezë e besimit katolik. Zef Balaj prehet në një memorial madhështor me një ëngjëll me flatra pranë që qetëson çdo njeri që shkon atje.

Sa herë hyj në varreza ku prehen mijëra vetë shpesh e imagjinoj si bibliotekën më të madhe me histori normale, të çuditshme dhe të famshme, si psh Zef Balaj eshte një libër i hapur për çfarë i la Federatës Panshqiptare “Vatra”, Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane, Kishës Katolike dhe gjithë Komunitetit shqiptar.

Në këtë varrezë prehet dhe Federico García Rodríguez (1859–1945), babai i shkrimtarit të famshëm të Spanjës dhe botës Federico García Lorca. Kur u arratis nga Spanja nga krimet, vrasjet që po bëheshin ai tha: “Nuk dua ta shoh më kurrë këtë vend të ndyrë në jetën time”, ishte fraza që nipërit e tij e kujtojnë se e dëgjuan të thoshte në kuvertën e anijes.

Sa çudi! Janë shumë emigrantë që janë larguar dhe nga vendi ynë, sidomos ata të luftës të persekutimeve dhe që ishin në këtë varrezë, si psh Zef Balaj dhe të afërm nga familja e tij. Historitë ngjajnë shpesh, familja Balaj me gjashtë anëtarë morën arratinë, të perndjekur nga forca e sigurimit dhe diktatura komuniste, më 30 qershor të vitit 1951. Midis babait të shkrimtarit të famshëm Lorka dhe Zefit ka një ndryshim të madh se Zefi nuk u betua qe të mos kthehej më në vendlindjen e tij, përkundrazi ai u kthye, kur erdhi demokracia dhe ndihmoi si një humanist i madh.

Ceremoninë përkujtimore e udhëhoqi Dom Nikolin Përgjini në procesin solemn të Rruzarës së Shenjtë. Në emër të familjes Balaj nderoi dhe respektoi z.Lush Binaku.

I biri i Zef Balaj, djali fisnik David Balaj falënderoi të pranishmit duke përkujtuar me dhimbje dhe dashuri të Atin, ndërkohë i ftoi sipas zakonit pë drekën përkujtimore në “Royal Regency” Hotel.

Drekën përkujtimore e moderoi plot kulturë, respekt dhe mirënjohje për Zef Balaj editori i gazetes “Dielli” z. Sokol Paja. Kumbara i tij Prel Ademi solli kujtime nga miqësia që kishin pasur një jetë të tërë.

Në këtë ceremoni përkujtimore folën fjalë miradie Dr. Elmi Berisha kryetar i Federatës Pan Shqiptare “Vatra”, nënkryetari i Vatrës z.Alfons Grishaj i cili kishte udhëtuar nga Michigani, presidenti i Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj, ish kryetari i Vatrës dhe Konsull i Përgjithshëm i Shqipëisë në NY, z. Dritan Mishto, z.Sergio Bitici, biznesmeni i sukeseshëm, Gjeneral Asllan Bushati ish n/kryetar i Vatrës, z. Adem Belliu themelues i TV “Kultura Shqiptare”.

Z. Qemal Zylo themelues dhe president i TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në emër të bordit i dhanë çmimin e mirënjohjes për bashkepunimin me TV dhe shkollat Alba Life. Pas përkujtimit nga këto personalitete për të pranishmit u shfaq dokumentari rreth jetës dhe kontributit të madh të Zef Balaj ideuar nga z. Dritan Haxhia i cili ndau dhe kujtimet e çmuara personale me të ndjerin Zef Balaj.

Ishte nje ditë përkujtimore në nderim të atdhetarit, patriotit të madh Zef Balaj që luftoi me gjithë shpirt për Kosovën e pavarur, Shqipërinë e lirë nga diktatura, Diasporën e bashkuar, ishte një ditë e paqtë ku emërues të përbashkët gjatë diskutimeve të ndryshme kishin që Zef Balaj ishte NJERI.

Atdhetari zemërzjarr Zef Balaj na bashkon paqësisht dhe pas vdekjes

13 prill, 2023

Staten Island, New York

Filed Under: Komunitet

FAMILJA, MIQTË DHE KOMUNITETI SHQIPTAR NË NEW YORK PËRKUJTUAN PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 1 VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM

April 14, 2023 by s p

Sokol Paja/

New York, 13 Prill 2023- Familja Balaj, kumbarët Perpepaj, miqtë, veprimtarët, bashkëpunëtorët e ngushtë përkujtuan në New York patriotin e madh Zef Balaj në 1 vjetorin e kalimit në amshim. Zef Balaj ishte shqiptar i veçantë, fisnik, zemërbardhë e shpirtmadh, një mik, shok, vatran, patriot, familjar e veprimtar i pa shoq në mërgatën shqiptare të Amerikës. Gjatë jetës së tij, Zef Balaj mori pjesë aktive në proceset patriotike, demonstratat, protestat, lëvizjet, ndihmat për komunitetin e kombin për 60 vite nga Washingtoni, Bostoni, New York e Institucionet e Shtetit Amerikan, te Liga Shqiptaro-Amerikane e deri te Federata Vatra. Në ceremoninë përkujtimore, në varrezat ku pushon përjetë Zef Balaj “Gate of Heaven”, Dom Nikolin Përgjini udhëhoqi procesin solemn të Rruzarës së Shenjtë, uratë e lutje për pushim të pasosur, në dritën e pambaruar të Perëndisë. Z.Lush Binaku kushëriri i Zef Balës, foli në emër të familjes Balaj dhe falenderoi për respektin e përkujtimin e paharruar. David Balaj djali i Zef Balës nderoi kujtimin e miqve ndaj të atit duke i vlerësuar për pjesëmarrjen. Në Royal Regency Hotel ku familja zhvilloi drekën e përkujtimit, pas fjalës falënderuese të David Balajt, kumbara Prel Ademi- Perpepaj solli kujtime nga fëmijëria me Zef Balajn dhe familjen e tij. Ai gjithashtu drejtoi një pjesë rruzare dhe uratë për shpirtin e patriotit Zef Balaj. Kryetari Vatrës z.Elmi Berisha në fjalën e tij u ndal te 28 vite të miqësisë e bashkëpunimit me Zef Balaj sidomos në luftën e Kosovës, demonstratat e protestat për Kosovën e shqiptarinë. Nënkryetari i Vatrës z.Alfons Grishaj theksoi përkushtimin e Zef Balës për Dardaninë e krejt viset shqiptare. Zefi ishte diamant i çmuar, ishte një krenari e veçantë për miqtë e kombin. Ai luftoi pa u ndalur për idealet e tij, theksoi z.Grishaj. Presidenti i Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj në fjalën e tij veçoi njohjen prej dekadash me Zef Balajn, sakrificën e jetës së Zef Balaj, kapacitetin, vullnetin dhe pjesëmarrjen e Zef Balajt në të gjitha demonstratat e protestat që janë bërë për çështjen kombëtare. Sergio Bitici solli në memorie kujtime me Zef Balajn që nga Kosova e që prej vitit 1959, bashkëpunimin dhe organizimet patriotike, pritjen e Doktor Berishës më 1992 bashkë me Zef Balën, veprimtaritë në dobi të aktiviteteve për komunitetin dhe çështjen kombëtare. Qemal Zylo themelues i Shkollës Shqipe dhe Tv

Alba Live në emër të bordit të shkollës i akorduan Zef Balës çmimin e mirënjohjes për mbështetjen e pakursyer në dobi të mësimit shqip. Ish – kryetari i Vatrës Dritan Mishto theksoi mençurinë e Zef Balës, aftësinë për të mbetur në kujtimet e secilit prej nesh. “Zefi ishte i veçantë, mbaj mend shtrëngimin e fundit të dorës së tij. Do ta kujtojmë gjithmonë me respekt dhe nderim” kujtoi ndër të tjera z.Mishto. Adem Belliu nga Televizioni Kultura Shqiptare foli për amerikanizmin dhe patriotizmin e Zef Balaj. Dritan Haxhia organizatori dhe ideatori i dokumentarit për jetën e Zef Balaj, u tregoi të pranishmëve episode dhe veprimtari në dobi të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Asllan Bushati solli në fjalën e tij veprimtari specifike të Zef Balajt, rolin dhe kontributin e tij në

vendime deçizive ku ka kaluar komuniteti dhe Vatra. Në drekën e lamtumirës, familja e miqtë e përkujtuan me lutje e heshtje Zef Balën, për shpirtin e tij fisnik dhe trashëgiminë e shkëlqyer patriotike që trashëgoi tek të gjithë ne.

Filed Under: Opinion Tagged With: david balaj, Sokol Paja, Zef Balaj

“NGA SOT KEMI NJË COPËZ KOSOVË NË ZEMËR TË KALABRISË”

April 13, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidenceKështu u shpreh Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës së saj këto ditë në Kalabri.  Ajo gjëndet në mesin e Arbëreshve të Italisë me ftesë të komuniteteve të ndryshme arbëreshe të rajonit të Kalabrisë.  Sipas portalit të zyrës së Presidentes Osmani, gjatë vizitës së saj në Kalabri, ajo zhvilloi takime veças me kryetarin e Rajonit të Kalabrisë, në Katanzaro, me kryetaren e Provincës së Kozencës, si dhe me kryetarët e komunave arbëreshë të atij rajoni, me të cilët do të diskutojë mbi mundësitë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit të Republikës së Kosovës me komunat arbëreshe të asaj zone. Ndërkohë që, në një ceremoni të veçantë, në komunën e Frasnitës, Presidentes Osmani do t’i ndahet çmimi “Gjergj Kastrioti”. Presidentja Osmani, në ditën e dytë të vizitës së saj në Kalabri, është takuar edhe me kryetarin e Rajonit të Kalabrisë, Roberto Occhiuto, me të cilin bisedoi mbi shtrirjen e mëtejme të bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Rajonit të Kalabrisë.

Presidentja Osmani ishte ftuar të vizitojë Universitetin Kalabria ku ka zhvilluar një bashkëbisedim me studentët dhe mësimdhënësit e atij universiteti të njohur.  Në të gjitha këto takime, thuhet në njoftimin e Presidencës së Republikës së Kosovës, se Zonja Osmani do ta shtrojë mundësinë e bashkëpunimit të Kosovës me komunat e Kalabrisë ku jetojnë arbëreshët, si dhe mbi bashkunimin e institucioneve të Kosovës për të ndihmuar komunitetet arbëreshe për ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhësor e kulturor. Mbledhja e traditës gojore arbëreshe, si dhe regjistrimi i pasurisë gjuhësore, si pjesë e ruajtjes së identitetit të tyre, do të jenë në qendër të vëmendjes së vizitës së Presidentes Osmani, thuhet në njoftimin për vizitën.  Ndërkaq, theksohet se gjatë vizitës së saj në Kalabri, Presidentja e Kosovës mori pjesë në aktivitete të shumta me një përqëndrim në traditën, ritet dhe kulturën arbëreshe.

Zonja Osmani e ka cilësuar komunitetin Arbëresh në Itali si një shtyllë e kulturës dhe e identitetit kombëtar të shqiptarëve, ndërsa ka shprehur mirënjohjen e saj për mikpritjen që i bënë me këtë rast vëllezërit dhe motrat arbëreshe. “Për shekuj të tërë, ata e kanë ruajtur identitetin kombëtar e gjuhësor, traditën, ritet e kulturën e të parëve të tyre. Ideja e Rilindjes kombëtare dhe historia e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, e gjejnë burimin në tokën e arbëreshëve”, është shprehur Presidentja e Republikës së Kosovës, në takimet e saj me Arbëreshët.  

Udhëheqsja e Republikës së Kosovës i shprehi falënderimet e saja komunës së Frasnitës për çmimin “Gjergj Kastrioti”, akorduar asaj nga kjo komunë arbëreshe. Ky çmim është një mirënjohje, para së gjithash, për betejën historike të Kosovës për liri dhe për ruajtjen e identitetit kombëtar, ka thenë Presidentja Osmani. Gjatë qendrimit të saj në atë zonë, “në zemër të Arbërisë”, në praninë e shumë arbëreshëve të Frasnitës, është inauguruar sheshi, i cili tani e tutje, do mbaj emrin e Republikës sonë, sheshi, “Kosova” — një copëz Kosovë mu në zemër të Kalabrisë, ka theksuar Presidentja e Republikës së Kosovës, Zonja Vjosa Osmani.  

Presidentja e Republikës së Kosovës ka thenë se “Identiteti kulturor e gjuhësor është pjesë e çmueshme e identitetit dhe kulturës shqiptare, Prandaj, ruajtja e tij është jetike për gjithë Kombin tonë”, ka shtuar ajo duke theksuar se, “Festa e Valleve” gjatë vizitës së saj në komunat në komunat Çift dhe Frasnitë, është një dëshmi e ruajtjes së këtyre traditive shekullore ndër Arbëreshët, ka theksuar Zonja Osmani. 

Kosova, Shqipëria dhe mbarë Kombi Shqiptar u kanë shumë borxhe Arbëreshve, të cilët për pothuaj 600-vjet, ata ruajtën gjuhë e tradita në Italinë mikëpritëse. Me në krye poetin e madh arbëresh, Jeronim De Radën – apostullin e parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, shumë intelektualë arbëreshë, gjatë shekujve mblodhën dhe ruajtën vlerat, gjuhën dhe traditat, rezultatin e frutëshëm, e të cilave e shohim edhe sot të shpalosur gjatë vizitës së Presidentes së Kosovës në zonat arbëreshe të Italisë.  “Pesë shekuj besnikërie të nji jete kalue në hullin e dokeve arbnore, larg trollit të dheut të të Parëve, u ligjuen në vepër të De Radës, e cila i dha veshtrim të lumnueshëm mërgimit shekullor të Arbëreshvet”, ka shkuar Ernest Koliqi, edhe ky vet një kontribues i madh i ruajtjes së kulturës, gjuhës dhe traditave në komunitetet arbëreshe në Itali, shekullin e kaluar. “Prandaj, na Shqiptarët, që muarme në dorëzim nga De Rada amanetin e lanun Arbëreshvet prej Skanderbegut, d.m.th fytyrimin e Shqipnisë së lirë, duhet t’i jemi mirënjohës, jo vetëm Poetit të Makjit (De Radës) por edhe vëllazënvet të nji gjuhe e gjaku që nën qiella të huaja, atë amanet ruajtën me besniki të patrandëshme”, ka shkruar Profesor Ernest Koliqi, në artikullin me titull, “T’u jemi mirënjohës Arbëreshvet të Italisë”, botuar në revistën e tij Shejzat, VIII, 1964. Kombi shqiptar u është borxhli dhe duhet t’u jetë mirënjohës Arbëreshvet, sepse sipas Ernest Koliqit, “Nepër poezi e apostullatë të Jeronim De Radës, Arbreshët e Italisë kryen atë vepër të mistershme shpërblimi njerzor e kombtar, që i Nalti Perendi u caktoi atyre, kur në nji stinë duhie e tmeri, kanë lanë brigjet e Atdheut dhe mërguan në vis të huaj, me ikonat (e tyre) fetare dhe me hire shqiptare.”

Këto hire, këto bukuri e hijeshi shqiptare, për të cilat ka shkruar Ernest Koliqi 60-vjete më parë në revistën Shejzat, përfshir identitetin kulturor e gjuhësor të Arbëreshve, e për të cilat foli edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës së saj në Kalabri — e që sipas saj janë, “Pjesë e çmueshme e identitetit dhe e kulturës shqiptare. Prandaj, ruajtja e tyre është jetike për gjithë Kombin tonë”, ka theksuar Presidentja e Republikës së Kosovës,

Ruajtja e identitetit kombëtar vërtetë është jetike, qoftë në trojet shqiptare, qoftë edhe jashtë tyre siç janë Arbëreshët e Italisë, për një të ardhme më të mirë për mbarë Kombin shqiptar, shpesh të gjunjëzuar gjatë historisë, por kurrë i humbur!  Ky ishte edhe mesazhi i vizitës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në krahinat arbëreshe të Italisë, këto ditë por dhe simbolika e pritjes madhështore që i akorduan asaj vëllëzërit edhe motrat arbëreshe të “gjakut ynë të shprishur”!

Frank Shkreli 

*Fotot janë marrë nga faqja fejsbuk e Presidencës së Kosovës

May be an image of 11 people

May be an image of 2 people

     

No photo description available.
No photo description available.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

Presidentja Osmani takoi kryetaren e Provincës së Kozencës dhe kryetarët e komunave arbëreshe

April 13, 2023 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani u takua sot me kryetaren e Provincës së Kozencës, znj. Rosaria Succurro, me të cilën bisedoi për raportet ekonomike, politike e kulturore mes komunave të ndryshme të Kosovës dhe Kozencës. Presidentja theksoi se është shumë e rëndësishme që të krijohen mundësi të reja të bashkëpunimit mes bizneseve tona, institucioneve kulturore dhe operatorëve turistikë. Në Kozencë gjenden 21 komuna arbëreshe ku vazhdon të ruhet tradita, kultura dhe tradita kombëtare për pothuaj gjashtë shekuj.

Në Kozencë gjenden thesare shumë të rëndësishme, siç janë dorëshkrimet e rilindësit Jeronim De Rada, të cilat ndodhen në Bibliotekën e Qytetit të Kozencës dhe gjetiu në Kalabri.

“Digjitalizimi i dorëshkrimeve letrare shqipe të shekullit XIX është pasuri e cila duhet t’u ofrohet studiuesve dhe gjeneratave të reja”, tha Presidentja Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi një takim edhe me kryetarët e komunave arbëreshe të Provincës së Kozencës. Presidentja i falënderoi ata për përkushtimin e pashoq për kultivimin e gjuhës, kulturës dhe traditave arbëreshe, si pjesë e të rëndësishme e kulturës dhe identitetit shqiptar.

“Ne duam të punojmë së bashku me ju për identifikimin e mundësive për realizimin e projekteve të përbashkëta për ruajtjen, kultivimin dhe përparimin e mëtejmë të traditave tuaja kulturore e gjuhësore”, tha Presidentja.

Presidentja rikujtoi rolin e jashtëzakonshëm, të cilin arbëreshët e kanë luajtur përgjatë historisë në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kulturor e politik të shqiptarëve.

Më tej, Presidentja çmoi mënyrën se si arbëreshët kanë krijuar model të vyer për gjithë mërgimtarët se si, duke u integruar në jetën e vendit mikpritës, i kanë kultivuar e ruajtur traditat e veta, duke u shndërruar në qytetarë të suksesshëm të vendit, por edhe kontribuues për kulturën e të parëve.

“Ju i keni dhënë kulturës e trungut etnik, por edhe vendit mikpritës, Italisë, ngjyrat e një kulture të veçantë, e cila është pasuri e vendit dhe e kulturës prej nga vini, por edhe e vendit i cili ju mirëpriti”, tha Presidentja Osmani.

Më tej, Presidentja e shtroi mundësinë e hartimit dhe të realizimit të projekteve për ruajtjen e trashëgimisë gjuhësore e traditave kulturore, nëpërmjet regjistrimit e botimit të kujtesës gojore.

“Rënia e ngadaltë e përdorimit te gjuhës shqipe te brezat e rinj dhe zvogëlimi i popullatës, për shkak migrimit, është sfidë me të cilën ballafaqohen shumë vende, përfshirë edhe rajonet në të cilat jetojnë arbëreshët. Prandaj duhen politika të qarta promovuese”, tha Presidentja. Ajo nënvizoi domosdoshmërinë e shtrirjes së bashkëpunimit, hartimin e itinerareve turistike dhe shkëmbimeve kulturore, për ta ruajtur lidhjen me tokën e të parëve. Ajo e çmoi bashkëpunimin e komunave arbëreshe, të cilat tashmë janë binjakëzuar me disa komuna të Kosovës.

Filed Under: Kronike

STUDENTËT SHQIPTARË NGA ZVICRA VIZITË ARBËRESHËVE  NË KALABRI             

April 13, 2023 by s p

Hazir Mehmeti,
Kalabri/

                 

Frasnitë, 1O-11 prill 2023.  Shoqata “Studenti” e  Universitetit të Cyrihut me kryetarin e saj  Eleonit Smajli organizuan vizitë pesë ditore në Kalabri, shoqëruar nga Prof. Rexhep Rifati, gazetar hulumtues i njohur me studimet e tij mbi arbëreshë i shoqëruar nga grupi i tij.  

    Arbëreshët e Kalabrisë janë shembulli i veçantë i ruajtjes së kulturës, traditave dhe gjuhës arbëreshe gjashtë shekuj. Ata që i vizitojnë arbëreshët do përjetojnë pritje vëllazërore, do mësojnë mbi rrënjët e një pjese të kombit me gjithë sfidat dhe sakrificat shekujve. 
        Në grupin shoqërues të Prof. Rexhep Rifatit gazetar ishin edhe  Ramadan Morina, aktor nga Gjermania dhe Hazir Mehmeti, publicist nga Vjena. Shoqata STUDENTI nga Zvicra vizituan disa fshatra arbëreshe ku mësuan mbi  historinë e kulturën e lashtë arbëreshe e cila në shumë elemente ruhet akoma.  Nuk ishte hera e parë që shoqatat studentore nga Zvicra kishin ardhur në Kalabri dhe Sicili. Kësaj radhe ishin 40 student, shumica për herë të parë.  

        Vizita në Shën Sofia (Santa Sofia de Epirio), ishe fillimi i shijimit të mikpritjes arbëreshe. Busti i Gjegj Kastriotit – Skënderbeut i ngritur në qendër të katundit shndriti i rrethuar nga shkëlqim rinor, shpresë e progresit shqiptar.  Nën riga shiu grupi vazhdoi rrugën drejt Shën Mitër Koronës i njohur me kolegjin e Shën Adrianit ku studiuan Jeronim De Rada,  Zef Serembe,  Luigj Gurakuqi, Avni Rrustemi.  Por, nuk u vizitua Makia, fshati i lindjes së Jeronim De Rades ku ruhet shtëpia e tij para së cilës qëndron busti i shkrimtarit ku përkulën me respekt vizitorët. Rilindësi i madh, De Rada, qysh në vitin  1848 nxori të parën gazetë shqiptare “L’Albanese d’Italia”(Shqiptarët e Italisë). 
    E veçanta e kësaj vizite  ishte vizita në Frasnitë (Frascineto), katundin arbëresh me histori të veçantë i cili luajti rol me rëndësi në kultivimin dhe ruajtjen e gjuhës dhe kulturës arbëreshe. Ky fshat dha gjatë historisë dolën figura të njohura me rëndësi për gjithë kombin. Në kohën tonë, pa dyshim, figurë e njohur është At Antonio Belushi, gazetar–shkrimtar-pedagog, etnolog dhe mbi të gjitha, një misionar e atdhetar i madh i cili në ditët më të vështira në Stejt Departamentin amerikan u vu në mbrojtje të Kosovës. Frasnitë. Rruga e ngushtë me kalldrëmin e vjetër dhe shtëpitë e gurta shekullore me ballkonet e nxjerra sipër, të krijonin ndjenjë të veçantë me gjithë fantazinë rrugëve në largësinë e jetës sonë. Ballkoni në shtëpinë bibliotekë, dallohej i stolisur me flamuj  që fliste në vete për vizitorët e rinj. Në portën e gurtë me këngë arbëreshe priste Rina Belushi, veprimtare e dalluar krahas vëllezërve të saj At Antonio dhe Tomaso Belushi (Tommasso Besllusci). Edhe pse në moshë të shtyrë Zonja e Shtëpisë, me zërin e  saj melodik ngrohu zemrat “Kur jemi bashkë Skënderbeu zbret nga qielli”, një refren i njohur moteve arbëreshe.

      Në fjalën emocionuese të At Antonio Belushit para studentëve përcjellë nga melodia këngës së njohur arbëreshe “Moj e bukura More” ai tha: “Nga varri i të parëve akoma vjen një jetë, një filozofi,  një etikë, një dritë, një udhëtim. Nga varri i të parëve me trupat e tretura del drita, del kujtimi, dashuria që vetëm ne e kemi. Profesori i njohur Arshi Pipa tha: “Arbëreshët janë një fenomen ndërkulturor”. Ta dini këtë thënie për arbëreshët këtu ku ju jeni për vizitë.”  Studentët e mrekullueshëm nga Zvicra, dëgjuan fjalën nga At Antonio Belushi e cila do shënohet në kujtesën e secilit si porosi dhe detyrim kombëtar, si rreze shprese gjeneratave.   Bujaria arbëreshe është e lindur dhe nuk shuhet dot. Vet At Antonio u shërbeu vizitorëve me sheqerkat dhe pijet. Secili nga studentët u mrekullua me pritjen dhe përjetimet e këndshme të pa përsëritshme. 

        “Fati ju prinë trimave”,- thoshte fjala popullore. Edhe kësaj radhe. Agjenta e studentëve u takua me agjenten e vizitës së presidentes së Republikës së Kosovës Vjosa Osmani në Frasnitë. Ajo e shoqëruar nga personalitete politike e të kulturës vendore bëri zbulimin solemn të pllakës “Sheshi i Kosovës”, emërtim në shenj kujtimi e respekti për shtetin e Kosovës. Studentet u takuan me presidenten e cila bisedoi ta. Ata gjallëruan sallën ku mbahej takimi ceremonial i pritjes së presidentes e shoqëruar nga Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali Lindita Haxhitasimi.  Në katundit Civita (Çifti) grupi i studentëve përcolli festivalin tradicional të valleve arbëreshe ku morën pjesë  grupe vallesh nga Kalabria, Shqipëri, Zvicra etj. Në Kalanë “Kruja” u dha program me këngë e valle të bukura shqiptare dhe arbëreshe, kurse ditën tjetër në sheshin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu u mbajt hapja solemne prezantuese e programit i cili pasoi me paraqitjen e grupeve valltare. Kryetarja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani mbajti fjalë përshëndetëse krahas drejtuesve arbëresh.   Të vizitosh vëllezërit arbëresh është më shumë se aq; është mësim, është detyrim gjaku, është porosi për sot e nesër. Faleminderit vëllezër arbëresh! 

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1724
  • 1725
  • 1726
  • 1727
  • 1728
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT