Nga Keze Kozeta Zylo/
Natyrshëm ritet dhe zakonet shqiptare vazhdojnë me atë ritëm si në Mëmëdhe dhe këtu ne Diasporë në shtetet ku na hodhën fatet si të larguar nga trojet tona. E enjtja e 13 prillit ishte një vjetori që Zef Balaj, ky filantropist i madh shkoi në amshim.
Familja e nderuar Balaj, Vatranët, Diaspora Shqiptaro-Amerikane nderuan me një ceremoni përkujtimore birin e Shqipërisë, Zefin.
Në hyrje na mirëprisnin e shoqja e tij fisnike Lina, djali Davidi dhe gjithë familja Balaj. Buqeta me lule u vendosën pranë memorialit ku prehet Zef Balaj në varrezën “Gate of Heaven”, një varrezë e besimit katolik. Zef Balaj prehet në një memorial madhështor me një ëngjëll me flatra pranë që qetëson çdo njeri që shkon atje.
Sa herë hyj në varreza ku prehen mijëra vetë shpesh e imagjinoj si bibliotekën më të madhe me histori normale, të çuditshme dhe të famshme, si psh Zef Balaj eshte një libër i hapur për çfarë i la Federatës Panshqiptare “Vatra”, Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane, Kishës Katolike dhe gjithë Komunitetit shqiptar.
Në këtë varrezë prehet dhe Federico García Rodríguez (1859–1945), babai i shkrimtarit të famshëm të Spanjës dhe botës Federico García Lorca. Kur u arratis nga Spanja nga krimet, vrasjet që po bëheshin ai tha: “Nuk dua ta shoh më kurrë këtë vend të ndyrë në jetën time”, ishte fraza që nipërit e tij e kujtojnë se e dëgjuan të thoshte në kuvertën e anijes.
Sa çudi! Janë shumë emigrantë që janë larguar dhe nga vendi ynë, sidomos ata të luftës të persekutimeve dhe që ishin në këtë varrezë, si psh Zef Balaj dhe të afërm nga familja e tij. Historitë ngjajnë shpesh, familja Balaj me gjashtë anëtarë morën arratinë, të perndjekur nga forca e sigurimit dhe diktatura komuniste, më 30 qershor të vitit 1951. Midis babait të shkrimtarit të famshëm Lorka dhe Zefit ka një ndryshim të madh se Zefi nuk u betua qe të mos kthehej më në vendlindjen e tij, përkundrazi ai u kthye, kur erdhi demokracia dhe ndihmoi si një humanist i madh.
Ceremoninë përkujtimore e udhëhoqi Dom Nikolin Përgjini në procesin solemn të Rruzarës së Shenjtë. Në emër të familjes Balaj nderoi dhe respektoi z.Lush Binaku.
I biri i Zef Balaj, djali fisnik David Balaj falënderoi të pranishmit duke përkujtuar me dhimbje dhe dashuri të Atin, ndërkohë i ftoi sipas zakonit pë drekën përkujtimore në “Royal Regency” Hotel.
Drekën përkujtimore e moderoi plot kulturë, respekt dhe mirënjohje për Zef Balaj editori i gazetes “Dielli” z. Sokol Paja. Kumbara i tij Prel Ademi solli kujtime nga miqësia që kishin pasur një jetë të tërë.
Në këtë ceremoni përkujtimore folën fjalë miradie Dr. Elmi Berisha kryetar i Federatës Pan Shqiptare “Vatra”, nënkryetari i Vatrës z.Alfons Grishaj i cili kishte udhëtuar nga Michigani, presidenti i Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj, ish kryetari i Vatrës dhe Konsull i Përgjithshëm i Shqipëisë në NY, z. Dritan Mishto, z.Sergio Bitici, biznesmeni i sukeseshëm, Gjeneral Asllan Bushati ish n/kryetar i Vatrës, z. Adem Belliu themelues i TV “Kultura Shqiptare”.
Z. Qemal Zylo themelues dhe president i TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në emër të bordit i dhanë çmimin e mirënjohjes për bashkepunimin me TV dhe shkollat Alba Life. Pas përkujtimit nga këto personalitete për të pranishmit u shfaq dokumentari rreth jetës dhe kontributit të madh të Zef Balaj ideuar nga z. Dritan Haxhia i cili ndau dhe kujtimet e çmuara personale me të ndjerin Zef Balaj.
Ishte nje ditë përkujtimore në nderim të atdhetarit, patriotit të madh Zef Balaj që luftoi me gjithë shpirt për Kosovën e pavarur, Shqipërinë e lirë nga diktatura, Diasporën e bashkuar, ishte një ditë e paqtë ku emërues të përbashkët gjatë diskutimeve të ndryshme kishin që Zef Balaj ishte NJERI.
Atdhetari zemërzjarr Zef Balaj na bashkon paqësisht dhe pas vdekjes
13 prill, 2023
Staten Island, New York