• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTESA HISTORIKE NGA FRANK SHKRELI

March 27, 2023 by s p

DEBAT NË “PARLAMENTIN” E VATRËS: DEMOKRACIA NUK PRET, TË AUTORIT FRANK SHKRELI!

Kronikë nga Dalip Greca botuar në gazetën Dielli, Prill, 2018 me rastin e promovimit në Vatër të vëllimit: Demokracia nuk Pret

SHËNIM: Kjo kronikë e botuar 5-vjetë më parë në gazetën Dielli të Vatrës nga Dalip Greca po ribotohet në kujtim të tij me rastin e 1-vjetorit të kalimit në amshim. Dalipi ka shërbyer si ish-Editor i Gazetës Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra — gazeta e famshme Shqiptaro-Amerikane, e themeluar nga Noli e Konicanë vitin 1909. Ribotimi i kronikës së të ndjerit Dalip kujton gjithashtu edhe 5-vjetorin e botimit të tre vëllimeve “Demokracia Nuk Pret”, me autor Frank Shkrelin, siç duket një profeci e realizuar, pasi për fat të keq, 30-e ca vjet pas “shembjes së komunizmit”, sot demokracia shqiptare duket se është në rrezik më shumë se kurrë këto tre dekada.  

DEBAT NË “PARLAMENTIN” E VATRËS: DEMOKRACIA NUK PRET!

                                           Nga Dalip GRECA/*

Vatra, dikur, në kohët e arta të saj, kur kryente rolin e shtetit të vdekur, kur siguronte financat për shtetin shqiptar, apo kur emëronte ambasadorët për Kombin nëpër Europë e Washington, ishte Parlamenti i shqiptarëve, jo vetëm në Amerikë, natyrisht, jo si Parlamenti-Karnaval i sotëm. Kur do të ngrihej Parlamenti ligjor i shqiptarëve në Tiranë, Vatra do të dërgonte kryeparlamentarin e saj Fan S. Noli, të cilin më pas e shoqëruan si deputetë edhe Kristo Kirka e Loni Prifti…

Në prag të 106 vjetorit të lindjes së saj (28 prill 1912-2018), Vatra, thirri Parlamentin e saj për të debatuar rreth demokracisë hibride, demokracisë së dështuar me tranzicion të tejzgjatur, me moton:DEMOKRACIA NUK PRET!

Në foltoren e Parlamentit Vatran përcollën kumte për Demokracinë: Dr. Elez Biberaj- drejtor i Euro-Azisë në Zërin e Amerikës , Frank Shkreli-ish drejtor i Zërit të Amerikës për Euro-Azinë, Kryetari i Vatrës Dritan Mishto, deputeti i Parlamentit të Shqipërisë dr. Halim Kosova, ish gazetari i Zërit të Amerikës  Idriz Lamaj, Prof. Nikolla Pano, Prof. Sami Repishti, akademik Jusuf Buxhovi, dhe editori i gazetës “Dielli” që moderoi debatin.


Pjesë  e debatit ishin edhe shumë prej pjesmarrësve në sallë: ish ambasadori shqiptar në Bullgari e Izrael Bujar Skëndo, ish i burgosuri në burgun e Spaçit Pëllumb Lamaj, ish Kryetari i Vatrës Dr. Gjon Buçaj,  dr. Azeta Kola, Marjan Cubi, Shkëlqim Bylykbashi, Lek Përlleshi, Andon Dede, Haxhi Dauti, Zef Balaj, Frederik Ndoci, Gezim Nika e të tjerë.

Kronika e Promovimit: Promovimin-Debat e ka çelë editori i Diellit, i cili ka prezantuar autorin e librit, ”Demokracia nuk Pret” gazetarin Frank Shkreli ish drejtor i Zërit të Amerikës për Euro Azinë. Më pas moderatori ka ftuar kryetarin e Vatrës, Dritan Mishto, për të çelë debatin dhe për të prezantuar folësin e parë Dr. Elez Biberaj, duke bërë një biografi të shkurtër të tij.

Dr. Elez Biberaj pasi ka falenderuar Vatrën për ftesën, ka treguar lidhjet e ngushta të Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra” me Zërin e Amerikës, dhe ka uruar mikun dhe kolegun e tij Frank Shkreli për librin. Është ndalur në karakteristikat e publicistikës së tij, ka analizuar Demokracinë shqiptare, arritjet, dështimet, dhe ka vënë piketat tek e ardhmja.

Për Dr. Biberajn, ndërsa rekomandimi i Brukselit për Shqipërinë është shpresëdhënës, ai paraqet një moment të volitshëm që elitat qeverisëse, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë e në Maqedoni, të reflektojnë mbi ato që do ti quaja raste të arta që shqiptarët kanë humbur gjatë viteve dhe dekadave të fundit dhe që kanë ngadalësuar rrugën e tyre për konsolidimin e demokracisë. Bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të kishin filluar vite më parë. Duhet pranuar se ky dhe raste të tjera të arta për Shqipërinë dhe për Kosovën, janë humbur kryesisht si rrjedhim i i mangësive të theksuara udhëheqëse të vendim-marrësvë shqiptarë.

Sot, shqiptarët përballen me sfida të dukshme: problemet ekonomike; papunësia e lartë dhe varfëria; korrupcioni që ka depërtuar në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe të shoqërisë; paligjshmëria dhe mungesa e shtetit ligjor; institucionet e dobëta; dhe politikanë të papërgjegjshëm që tolerojnë e nxisin korrupcionin dhe përdorin praktika jodemokratike për të siguaruar dhe mbajtur pushtetin.

Këtyre sfidave të brendshme tani u shtohen edhe disa probleme të jashtme: prirja rajonale dhe globale e rrëshqitjes së demokracisë; forcimi i alternativës autoritare, si në Turqi dhe Rusi; dhe ndryshimi i peisazhit politik balkanik dhe evropian. Për Dr. Biberajn duhet ndryshim thelbësor për të shkuar tek demokracia e vërtetë:

Stili i tanishëm i qeverisjes duhet të ndryshojë me themel dhe të përqëndrohet tek interesat themelore kombëtare e jo tek ato partiake ose tek objektivat politike afat-shkurtëra. Forcat kryesore politike të bien në ujdi mbi vizionin për të ardhmen e vendit dhe mbi përpilimin dhe zbatimin e politikave madhore që do të çonin në realizimin e këtij vizioni.  Të krijohen dhe të fuqizohen institucione me të vërtetë të pavarura dhe të afta për vendosjen e shtetit ligjor dhe çrrënjosjen e korrupsionit.

Media të çlirohet nga trysnia dhe interesat politike dhe financiare. Procesi i vendimmarrjes për çështje të rëndësishme të jetë gjithëpërfshirës, me pjesëmarrjen e aktorëve kryesorë, grupeve të interesit, të shoqërisë civile, dhe ekspertëve.  Dhe se fundi, e gjithë shoqëria duhet të ndryshojë thellësisht – mënyra si mendon dhe si vepron ajo.  Shqiptarët duhet të jenë më kërkues dhe ndëshkues ndaj politikanëve të tyre dhe të kërkojnë llogaridhënie, transparencë dhe përgjegjshmëri më të madhe. Këto janë objektiva shumë të vështira dhe duhet vullnet politik dhe kohë që ato të arrihen.  Por shqiptarët në përgjithësi, e jo vetëm udhëheqësit dhe politikanët e tyre, ndodhen para një prove historike: të pajtohen me gjendjen e tanishme ose të zgjohen nga amullia, të kapin momentin dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të realizuar potencialin e tyre të plotë demokratik. Siç thekson Frank Shkreli, Demokracia nuk pret, ka nënvijuar Dr Elez Biberaj.

Editorja e seksionit anglisht të Gazetës Dielli, Rafaela Prifti ka përcjellë mesazhin e Prof. Nikolla Pano.

Gazetari Frank Shkreli ka prezantuar mysafirin dhe mikun e tij personal, një nga personazhet e librit,”Demokracia nuk Pret”, Deputetin e Parlamentit Shqiptar Dr. Halim Kosova, i cili kishte ardhur enkas për këtë promovim-debat në Vatër. Dr. Kosova tha ndër të tjera se ndjehej i nderuar që ishte në Vatër dhe pjesë e debatit-promovus,”Demokracia nuk pret”. Në këndvështrimin e tij, Demokracia Shqiptare i ngjanë foshnjës së porsalindur, që ka probleme e anomali dhe vetëm një mjek i mirë e i kujdesshëm mund ta mbajë në jetë. Ai tregoi hyrjen e tij në politikë, duke pasur moton, ”Partia ime është Shqipëria” dhe rrethanat e njohjes me Frank Shkrelin pas zgjedhjeve të humbura për Bashkinë e Tiranës. E njoha Franin, tha ai, pasi kishte shkruar artikullin, dhe u habita që më kishte njohur pa më takuar. Në shenjë nderimi Dr. Halim Kosova i dhuroi një penë të argjendtë gazetarit Shkreli.

Studiuesi dhe ish gazetari i Zërit të Amerikës Idriz Lamaj, në kumtesën e tij, trajtoi kontributin e Frank Shkrelit në gazetarinë shqiptaro-amerikane, duke e analizuar atë në dy epoka historike, para dhe pas viteve ’90.

Ndër të tjera Lamaj tha sjell në vëmendje revistën“Rinia shqiptare në mërgim”, të botuar nga Fran Shkreli para 46 vitesh…Fran Shkreli, djal i ri në mërgim, filloi botimin e revistës së tij “Rinija shqiptare në mërgim”me përkrahjen e pakë shokëve të ngushtë idealistë. Në janar të vitit 1972, doli këtu në New York  numri i parë i revistës në fjalë. Në numërin e parë, Frani goditë pa mëshirë qendrimet e errta politike komuniste të shkrimeve të tyre kundër mërgatës nacionaliste dhe Klerit tonë Katolik. Ai i goditë  jo me metoda të formës  pro-jugosllave, siç bënin disa, por me armën Fishtiane. Në editorialet dhe në artikujt e tij, vazhdimisht e cilësoi komunizmin shqiptar si sllavo-komunizëm, si sëmundje vdekjeprurse për kombin shqiptar të mbështetur dhe drejtuar nga jugosllavët gjatë gjithë ekzistencës ideologjike në Shqipëri. Lamaj solli fragmente artikujsh, analiza, kronika, editoriale të shkruara nag Frank shkreli dhe u fokusua në këndvështrimin e kthjelltë publicistik të Shkrelit rreth Demokracisë.  Duke analizuar librin”Demokracia nuk pret: z. Lamaj arrin në përfundimin se: Përshkrimi i temave, analizat koncize, të thella e të gjithanëshme, historike, politike, ekonomike, shoqërore, ideologjike e kulturore;  densiteti dhe gjërësia e informacionit jepen me mjeshtri e pa përsëritje të dukurive të ndryshme e ngjarjeve. Pasuria e fakteve është e padiskutueshme. Njohuritë e gjithanëshme historike, stili i rrjedhshëm dhe elokuenca e të shprehurit i kanë dhënë mundësi autorit Shkreli t’i shmanget pësëritjeve monotone.

Zv. Kryetari i Vatrës Agim Rexhaj solli Kumtesën “Nëpër Kohë” përgatitur nga akademiku Jusuf Buxhovi. Përmes një analize profesionale akademiku Buxhovi sillte në fokus evolimin dhe fokusimin e publicistikës shqipttare që në kohën e Konicës dhe angazhimin e saj ndaj problemeve shoqërore, politike dhe atyre kulturore. Për Buxhovin, publicisti Shkreli trajton problemet shqiptare, jo me brengën e Konicës deri në dëshpërim, por me një shqetësim nga që, në njërën anë shoqëria shqiptare nuk po ia del që të mundë apo të lirohet nga ngarkesat ideologjike dhe mbetjet e tyre,  dhe në tjetrën anë, nuk po ia del që të tejkalojë sa duhet ngarkesat e mentaliteteve fetare, të cilave,  Rilindja jonë kombëtare, u kishte dhënë përgjigje të duhur.

Sekretarja e Vatrës, Nazo Veliu solli mesazhin e Prof. Sami Repishtit, i cili përshëndeti takimin dhe përcolli vlerësime për gazetarin Frank Shkreli. Citoj nga përshëndetja e Prof. Repishtit:  “E gjithë veprimtaria e Frank Gj.Shkrelit, qoftë ajo letrare, qoftë politike, përshkohet nga tri ide kryesore, boshti i filozofisë së jetës tij;

E para: besimin në Zotin, feja e krishtenë; dhe e dyta: shërbim për Atdheun, Nanën Shqipëri, që për atë përfshinë të gjithë hapësinën shqiptare në Ballkan, Me nji pikë qendrore: epoka e lavdishme skenderbegiane. “Fe e Atdhe”. E treta; përpjekja koshiente dhe konstante me mbrojtë demokracinë liberale amerikane, dhe me luftue pa kompromis murtajën komuniste në Shqipëri, dhe kudo që ajo paraqitej.

E kaluemja e Frankut në vendlindje, jeta e peripecitë e familjes tij në Shqipëri dhe në ish-Jugosllavi, tragjedia e popullit shqiptar, sidomos gjenocidi i klerit katolik shqiptar, vorfënia, shtypja, paditunia masive dhe poshtënimi i pësuem si shqiptar në nji shtet sllav kanë formue karakterin e tij, dhe kanë lanë gjurme të thella tek i riu Frank Shkreli, pa u sherue asnji herë. Lexoni “Demokracia nuk pret” e do ta kuptoni.”  Profesor Repishti i përgëzon organizatorët: Ky tubim u pagëzue nga organizatorët si “bashkëbisedim” dhe për këte unë i përgëzoi plotësisht, ka thenë Profesor Repishti. Ashtë nji term që përmbledh shokë e miq me mendime të ndryshme por me qellime të përbashkëta. Si akt krijimi, kjo inisiativë ashtë jashtëzakonisht e randësishme dhe i ka mungue bashkësisë sonë këtu në Amerikë për shume vjet. Ka ardhë koha kur elementë pozitivë dhe të ndërgjegjshëm të mblidhen me njeni-tjetrin me shqyrtue gjendjen tonë këtu si komunitet dhe atë të hapësinës shqiptare, sepse ka nevojë urgjente për nji orientim që e kërkon e nuk e gjen. Kjo hapësinë përfshinë të gjithë ata që me ndërgjegje dhe lirisht bukën e quejnë bukë, dhe besën shqiptare e mbajnë besë shqiptare. Aty ashtë Shqipëri, pavarësisht nga ndeshtrashat politike e ndasitë kufitare. Uroj që organizatorët të inkurajohen, të ndihmohen dhe të shpërblehen me bekimet tona për këte punë me vlera të pa përshkrueshme. Këtu ashtë Shqipëria e jonë, kjo ashtë Shqipëria e jonë! Le ta ndertojmë simbas konditave të vendit, shoqëninë tonë shqiptaro-amerikane, të lirë, të denjë dhe të aftë me ndihmue vëllaznit e motrat tona kudo që janë, në të gjitha fushat, kryesisht në gjuhë shqipe e arsim.  Dhe ma në fund, si thonte Noli i madh: “Paçi uratën e Perendisë!”, ka përfunduar Profesori i nderuar Sami Repishti.

Moderatori i tubimit ka sjellë në fragment nga koleksioni i Diellit të 30 Janarit 1976, ku përshkruhej një çast kulmor nga jeta e Frank Shkrelit dhe e zonjës Viktori, dita e martesës.

Gazearja Marjana Bulku, anëtare e Kryesisë së Vatrës, solli kumtesën e studiuesit Prof. Thanas Gjika, sekretar i degës së Vatrës në Uster: “Mbi vlerat dhe temat kryesore te gazetarit Frank Gjeto Shkreli”.  Prof. Th. Gjika në hyrje të kumtesës së tij theksonte se: “Në vitet kur Shqipëria nuk kishte marrëdhënie diplomatike me SHBA-të, “Radio Zëri i Amerikës”, luajti rolin e ambasadës amerikane për të ndihmuar popullin shqiptar për informimin e popullit shqiptar mbi ngjarjet kryesore, duke ia treguar ato me vërtetësi, ashtu si kishin ndodhur. E në këtë mision kanë dhënë ndihmën e tyre të çmuar një sërë burrash e djemsh shqiptarë si, Jozef Paskali, Talat Karagjozi, Xhevat Kallajxhi, Ilia (Louis) Prifti, spikerja Lulu Vrioni (mbesë e Mit’hat Frashërit), Ruzhdi Daca, Gasper Kiçi, Bardhyl Pogoni, Dr. Elez Biberaj, Idriz Lamaj dhe Frank Gjeto Shkreli.”  Gjika në analizën e tij për librin “Demokracia nuk pret” konstaton se gazetari Frank Shkreli është një politolog që jep mendime kritike ndaj shkaqeve që e pengojnë ecjen e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, por atij nuk i mungon orientimi optimist për të ardhmen. Duke u mbështetur dhe te gjeopolitika dashamirëse e SHBA-ve dhe e BE-së ndaj Shqipërisë, ai ka formuluar idenë pozitive “shpresa do ta mundë dëshpërimin”…

Sipas Thanas Gjikës , Frank Shkreli ecën në rrugën e Profesor Repishtit lidhur me luftën për zbatimin e të drejtave të njeriut. Mbështetur në artikullin 19 të “Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut”, ku përcaktohet e drejta për lirinë e shprehjes së opinionit, e marrjes dhe e dhënies së informacionit, Shkreli sulmon shkeljen e kësaj të drejte në Republikën e Turqisë dhe në Republikën e Shqipërisë.

Më pas ai ndalet në përmbajtjen e librit:Vlerësimin e Kishës Katolike dhe i barinjve të saj, në Nostalgjia ndaj diktatorit Hoxha, si një pengesë serioze për Shqipërinë, ndalet në domosdoshmërinë e hapjes së dosjeve, në analizat rreth Ballkanit Perëndimor, SHBA-të, Rusia dhe Turqia; fokusohet në Idetë demokratike;në Grindjet që kanë penguar suksesin e shqiptarëve; në trajtimin që i bën Frank Shkreli Diasporës si pasuri e madhe shkencore, letrare dhe kulturore etj.

Editori i Diellit solli Kumtesën,”Stili publicistik në gazetarinë e Frank Shkrelit”. Në hyrje të kumtesës së tij editori tha: “Kam mendimin se libri që promovojmë, “Demokracia nuk pret” i gazetarit Frank Shkreli, përveç mesazheve dhe shqetësimeve qytetare, sjell edhe përvojën e tij gazetareske, ku dallohet një stil i veçantë i të shkruarit, me një gjuhë të pasur nga ana leksikore dhe të pastër nga fjalët e huaja, strukturat sintaksore, fjalët janë të thjeshta, pa fjalë e fjali parazite, pa shprehje standarte e pllakateske, që vlen të studiohet dhe të merret në konsideratë nga gazetarët e rinj, natyrisht pa e imituar. Stili i tij gazetaresk nuk vuan nga mania e oratorizmit apo e ligjërimit fals, as nga moralizimet.

Në shikimin tim, z. Shkreli është një vëzhgues i kujdesshëm i zhvillimeve demokratike, i ngjarejeve të ditës dhe ato të perspektivës, veçanërisht në trevat etnike shqiptare dhe një analist gjakftohtë, që operon kujdesshëm me faktet, pa e ngarkuar tekstin. Frazat dhe fjalitë në 80 artikujt e këtij libri që promovojmë janë të zhveshura nga mbingarkesa e huazimeve të huaja dhe përdor mjaft mirë gjuhën shqipe, edhe pse ka mërguar në moshë fare të re në SHBA.  Mendoj se kapja e temës dhe vendosja e titujve përbën një model për atë që do të mësoj prej përvojës së gjatë të tij.  Editori arrinë në përfundimin se: publicistika e shkruar e z. Shkreli është e zhveshur nga fjalët bombastike, nga vlerësimet e glorifikuara, nga epitetet false. Nuk gjenë tek ai shprehjet e lodhshme që karaktirizojnë gazetarinë e rëndomtë edhe këtu në komunitet, ku të gjithë përshkruhen si të mirënjohur, të shquar e shumë të shquar, tepër të njohur, shumë të talentuar, ku të gjithëve u vihen grada dhe tituj, sa na është mbushur komuniteti me doktorë e profesorë, shkrimtarë të shquar, poetë të shquar, artist i shquar etj..etj…edhe kur nuk i kanë këto grada ua japim ne gazearët. Jo, Franku i jep secilt hakun që meriton.

Gjithësesi mendoj se publicistika e gazetarit Frank Shkreli meriton vëmendje edhe nga katedrat e fakultetet e gazetarisë në Tiranë e Prishtinë, ndërsa për ne gazetarët e komunitetit të këtushëm, dhe në përgjithësi gazetarët e diasporës, ai mbetet një model nga duhet mësuar, natyrisht, jo kopjuar. Uroj: Përurofshim së shpejti dhe librin e ri me publicistikë të autorit!- tha editori i Diellit.

Frank Shkreli,autori i librit ka përcjellë falenderimet e tij në mbyllje të Kumtesave: Falënderimet e mia Vatrës….Jam mirënjohës dhe falënderoj sinqerisht, Kryetarin Dritan Mishto, Kryeredaktorin e Diellit Dalip Greca dhe gjithë antarët e Kryesisë së Vatrës për këtë organizim, që na ofron mundësinë të kalojmë këtë bashkbisedim vëllazëror me ju sot – Jam shumë i kënaqur që marr pjesë në takimin tuaj kulturor të radhës, tha ai.

Dua të falënderoj Dr Elez Biberajn mikun e ngushtë ç’prej bankave të Lehman college në vitin 1972 e deri më sot: kolegun dhe mikun Idriz Lamaj, Prof Sami Repishtin dhe Prof. Nick Panon, Akademik Jusuf Buxhovin, Dr. Thanas Gjikën dhe të tjerë për meazhet e tyre, për miqësinë dhe këshillat e tyre gjatë viteve.  Një falënderim të veçant për deputetin e Partisë Demokratike të Shqipërisë Dr. Halim Kosova, i cili na nderon me pjesëmarrjen e tij.  Një sekret të vogël po e ndaj me ju. Titulli i librit, “Demokracia nuk pret”, është pronësi intelektuale e Dr. Halim Kosovës.

Vëllimi i parë — është botuar me sponsorizimin e Gazetës Telegraf, Drejtorit të saj, Engjëll Musai dhe botuesit, Klaus Çiraku.  Dua t’i falënderoj publikisht për besimin ndaj meje dhe për mbështetjen që më kanë dhënë për më shumë se një dekadë, duke botuar të gjitha shkrimet e mia, pa përjashtim…”.

Më pas ka vazhduar debati për Demokracinë shqiptare, e cila shpresat e shqiptarëve për Demokraci të ëvrtetë, i ka kthyer në zhgënjim falë kontributit të klasës politike. Kritik i ashpër ka qenë ish i burgosuri politik Pëllumb Lamaj, ndërkohë që kanë shprehë opinionet e tyre edhe: Bujar Skëndo, ish Kryetari i Vatrës Dr. Gjon Buçaj, dr. Azeta Kola, Marjan Cubi,Shkëlqim Bylykbashi, Lek Përlleshi, Andon Dede, Haxhi Dauti, Zef Balaj, Frederik Ndoci, Gezim Nika e të tjerë. Ky i fundit e ka mbyllë takimin me këngën: ”Gegë e Toskë”, që përcjell mesazhin e bashkimit, këngë që e këndoi bashkë me sallën.

Frank Shkreli: Del në pension Dalip Greca, Kryeredaktori i Diellit

                                 Idriz Lamaj, Dalip Greca, Frank Shkreli

Filed Under: Histori

What We Need Is Albanians of Fan Noli’s Stature, What We Have are the Words of his “Albumi”

March 27, 2023 by s p

Rafaela Prifti

The book Albumi is a unique publication in many respects. It was designed to celebrate Fan Noli through some of his works in the first half of the 20th century. The 2022 reprint that’s being promoted at St. George’s Cathedral in Boston underlines a void that is present in the lives of Albanians everywhere while paying tribute to the power of Noli’s words. Before attempting to talk about it, I will quickly point to two curious clarifications that are worthy of note in terms of both historical context and accuracy.  

First, the original publication of 1948 has a dedication that reads: “Kryetrimave që e çliruan Shqipërinë nga fashistët, nga nazistët, nga bejlerët, u dedikohet ky album prej Federatës Vatra” (Albumi by Vatra Federation is dedicated to the valiant men who liberated Albania from the fascists, the Nazis, the landlords/Turkish governors) Whether the dedication was written by Fan Noli or inserted by Vatra to perhaps get the book in Albania and into the hands of Albanians in the immediate years after WWII, it is unclear.

Second, the publication is purported to be “the Album of his Eminence’s  40 years in America”. Yet, historically, in the span of those four decades, Fan Noli resided in America for about 25 years. He was in various different countries in Europe including Albania for a total of roughly one and a half decade. This makes sense considering that in the timeframe of 1906 to 1946 there were two major global events, namely two World Wars.

Those two clarifications aside, the collection of poems, artistic literary creations and adaptations in the book Albumi are but a fraction of his superb body of work and genius mind. One thing is clear: today Albania and Albanians need Fan Noli. Perhaps the 2022 publication of Albumi will serve to awaken the Albanian ideal “ideali shqiptar” as Mitrush Kuteli puts it in the book’s introduction of the 1948 edition, Boston, Massachusetts.

What is also clear is that today is a good day! Noli would have been very pleased with this event.  Whether a few miles from here at his final resting place or inside this church in spirit, Noli would be content that the presentation of Albumi brought us here today. 

More specifically, he would be pleased that it brought at Saint George’s Church, the Albanian writers, the Library and Vatra. And here is why: He founded the Albanian Orthodox Church as a center of the independence movement and to raise awareness that, contrary to the Greek’s state propaganda, religion does not equal nationality. Noli and other Albanian visionaries also founded Vatra to allow for all Albanians to gather and organize their efforts for a national awakening. Yet, neither the Church nor Vatra would be here, were it not for the most powerful gift he had: the word – and that’s what the members of the Albanian American Writers Society celebrate with the book presentation of Albumi – the power of the word.

It is through words that Fan Noli elevated the Albanian language to heights it didn’t know it could achieve. And Noli was aware of it. To illustrate this point, I will share a story that the Very Reverend Father Arthur Liolin shared with me. It goes back to the time of his youth. While he played organ at church, he would, now and then, catch glimpses of Noli sitting at the throne with his eyes closed seemingly asleep. After noticing this a few times, the young Liolin brought it up to others at Church who were also in agreement that Noli appeared to be sleeping while the music was playing. Someone decided to approach him with that question. “Sleeping?” was Noli’s response. “I am listening to the choir’s singing my own translations.”

Today, I imagine Fan Noli with the eyes closed listening to the music playing here and very likely nodding in admiration of his own words.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Rafaela Prifti

VATRA PROMOVOI “DIPLOMACIA NDËRKOMBËTARE DHE ÇËSHTJA E KOSOVËS 1997-1999”

March 27, 2023 by s p

Sokol Paja/

New York, 25 Mars 2023 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA promovoi librin “Diplomacia Ndërkombëtare dhe Çështja e Kosovës 1997-1999” të historianit Dr. Lulzim Nika. Me pjesëmarrjen e studiuesve të historisë, albanologjisë, mediave e veprimtarëve të komunitetit shqiptar në New York e më gjërë, promovimi u kthye në një nderim për kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e shtetit të Kosovës. Pas ekzekutimit brilant të himnit kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Shqipërisë nga artisti Lek Negri, Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha në fjalën e tij të mirëseardhjes deklaroi se: “Libri i Dr. Lulzim Nika ka një rëndësi të veçantë pasi nxjerr në pah punën e jashtëzakonshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mërgatës shqiptaro-amerikane në proceset e shtetëzimit të Kosovës. Puna diplomatike e Doktor Rugovës dhe miqve amerikanë të kombit shqiptar patën një rol vendimtar deri në pavarësinë e Republikës së Kosovës. Studimi mbi dokumente arkivore, diplomatike dhe të institucioneve amerikane të sigurisë e bëjnë një studim serioz dhe dinjitoz për historinë moderne të shtetit të Kosovës” tha ndër të tjera kryetari i Vatrës Berisha. Studiuesi Dr. Paulin Marku në fjalën e tij para të pranishmëve u ndal te vlerat studimore, shkencore, diplomatike dhe historike të këtij botimi kaq voluminoz rreth pavarësisë së Kosovës.Historiani Dr. Naim Musliu në fjalën e tij theksoi se Periudha e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si një nga periudhat më të ndritshme të historisë së popullit shqiptar pas pavarësisë së Shqipërisë, është një nga periudhat që më së paku është trajtuar nga historiografia shqiptare. Edhe pse ka botime të caktuara të kësaj periudhe, rreth luftës së Kosovës, por të rralla janë botimet të aspektit diplomatik të Luftës së Kosovës, sidomos të Fuqive të Mëdha si ShBA, BE dhe Rusia. Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë z.Mëhill Velaj në fjalën e tij u ndal te protestat e studentëve vitit 1981, ndarja e Kosovës nga ish -Jugosllavia, lufta e UÇK, nevoja për shkrimin e historisë dhe puna e pa lodhur e mërgatës shqiptaro-amerikane për shtetin e Kosovës. Kandidatja e parë shqiptare për Gjykatëse në Bronx, New York Edit Shkreli pasi mori mbështetjen e Vatrës, në fjalën e saj u shpreh se në garën e saj për institucionet e larta të drejtësisë së shtetit të New York-ut: “Do përpiqem të nderoj kombin tim dhe bashkatdhetarët e mi”. Studiuesi Dr. Lulzim Nika theksoi në promovim se: “Ky libër ka në fokus analizën e politikës ndërkombëtare dhe çështjen e Kosovës të viteve 1997-1999, duke pasur si qëllim kryesor zbardhjen e qëndrimeve të Diplomacisë Ndërkombëtare me ndikim ndaj çështjes së Kosovës mbi bazën e dokumenteve të kohës, ku brenda së cilës përfshihen tri këndvështrime studimore, të tri politikave ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me çështjen e Kosovës: politika e SHBA-së, politika e Bashkimit Evropian dhe politika e Rusisë” ndër të tjera tha Dr. Nika. Në përfundim të përurimit Vatra shtroi një koktejl të dhuruar bujarisht nga patrioti Toni Musaj. Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra i uron suksese studiuesit Dr. Lulzim Nika në pasurimin e historisë sonë me analiza të tilla mbi politikën ndërkombëtare dhe çështjen e Kosovës.

Filed Under: Vatra

VATRA MORI PJESË NË PROMOVIMIN “ALBUM” TË NOLIT DHE NDEROI AT ARTHUR LIOLIN

March 27, 2023 by s p

Sokol Paja/

Boston, 26 Mars 2023- Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA mori pjesë në promovimin e librit “Album” të At Fan Nolit përgatitur për botim nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe Biblioteka Memoriale “Fan Noli”, Boston. “Albumi” i At Nolit përgatitur nën përkujdesjen e Dr. Arjeta Ferlushkaj, Neka Doko dhe Adnan Mehmeti përbën një vlerë të madhe për lartësimin e veprës së At Fan Nolit dhe letërsisë kombëtare shqiptare. Mikpritjen e delegacionit zyrtar të Vatrës me në krye kryetarin e Vatrës z.Elmi Berisha, Dr. Pashko Camaj, Besim Malota, Dr. Paulin Marku, Paulin Mërnaçaj, Rafaela Prifti, Drita Shala, Editori i Diellit e shumë vatranë nga e gjithë Amerika e bëri At Theofan Koja, rektor i Katedrales Ortodokse Shqiptare, Shën Gjergj dhe Neka Doko, përgjegjëse e Bibliotekës Memoriale “Fan Noli”, Boston.Nën moderimin e kryetarit të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë z.Mëhill Velaj, promovimi i “Album” të At Nolit filloi me një minutë heshtje në nderim të At Nolit, Konicës, A. Athanas e shumë personaliteteve të tjera të kombit shqiptar. At Theofan Koja, rektor i Katedrales Ortodokse Shqiptare, Shën Gjergj në fjalën e tij përshëndetëse theksoi rolin At Fan Nolit në historinë e Vatrës, Diellit, Kishës Ortodokse e mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fjalën e tij At Koja vlerësoi punën e shkëlqyer që Vatra po bën nën drejtimin e kryetarit z.Berisha dhe stafit të tij duke e kthyer Vatrën në ditët e saj më të lavdishme. Në fjalën përshëndetëse kryetari i Vatrës u ndal te rëndësia e figurës së At Fan Nolit në letërsinë shqiptare, historinë dhe identitetin kombëtar të shqiptarëve në Amerikë. Për kontributin e tij të shquar dhe angazhimin fetar e kombëtar, Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA nderoi me “Mirënjohje” At Arthur Liolin me motivacionin: “Very Reverend Arthur E. Liolin Chancellor Emeritus of Saint George Albanian Orthodox Cathedral Boston for fifty years of devotion to the faith and a lifetime of outstanding dedication in service of the Albanian community in its ongoing spiritual journey while leading by example in a profoundly transcendental style impacting future generations of Albanian Americans”, mirënjohje e cila u tërhoq nga i biri Evans Liolin. Pas ceremonisë së nderimit, programi i promovimit “Album” të At Nolit vazhdoi me: “Një libër që na frymëzon” nga Adnan Mehmeti, president i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë”, Recitime nga “Albumi”, “Frekuencat e shpirtit nolian-proza poetike” nga Neka Doko, përgjegjëse e Bibliotekës Memoriale “Fan Noli”, Boston, “Fan Noli, “Albumi” dhe ne” nga Dokt.Arjeta Ferlushkaj Kotrri, studiuese e letërsisë, “Mbi vjershën ‘Thomsoni dhe kuçedra’ të Fan Nolit” nga Sevdai Kastrati, studiues, Recitime nga “Albumi”, “Një “Album”, shumë perspektiva” nga Rafaela Prifti, editore në gjuhën angleze tek gazeta “Dielli”, organ i “Vatrës”, “Një ditë nga jeta e Nolit sipas dokumentave të FBI-së” nga Agron Alibali, studiues, “Testamenti vargëror që na duhet në breza” nga Namik Selmani, shkrimtar dhe në fund përshëndeti aktivitetin dhe Thanas Gjika, studiues. Ky promovim përbën një ngjarje shumë të shënuar kulturore në mërgatën shqiptare të Amerikës.

Filed Under: Featured

VATRA VIZITË NDERIMI TE VARRI I NOLIT DHE MEMORIALI I KONICËS

March 27, 2023 by s p

Sokol Paja/

Delegacioni zyrtar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA i përbërë nga kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha, Dr. Pashko Camaj, Besim Malota, Dr. Paulin Marku, Paulin Mërnaçaj, Drita Shala dhe Editori i Diellit, zhvilluan një vizitë nderimi dhe respekti në vendin ky prehet At Fan Noli dhe varri memorial i Faik Konicës. Nën kordinimin e kryetarit të Shoqërisë Atdhetare Besa-Besën z.Petrit Alibej, delegacioni i Vatrës i përkujtoi me lule, qirinj e lutje të dy drejtuesit historik të Diellit e Vatrës si personalite të shquara të kombit shqiptar në mërgatën shqiptare të Amerikës. Noli e Konica si veprimtarë, publicistë, diplomatë e shtetar kanë lënë gjurmë të pa shlyeshme në historinë e kombit tonë. Noli e Konica janë historia, identiteti dhe krenaria e shqiptarëve të Amerikës. Me trashëgiminë e tyre atdhetare, emri i Nolit e Konicës është i gdhendur me gërma të arta në historinë e kombit shqiptar.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1753
  • 1754
  • 1755
  • 1756
  • 1757
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT