• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Feja në Kçirë

July 24, 2023 by s p

Lekë Gjoka, Kçirë/

Kçira, ka qenë dhe është e gjitha e besimit katolik, famulli në vete e Dioqezes së Sapës, qe në vitin 1291 me ipezhkëv të parë Pjetri I. 

Kisha, ka qenë në mes të fshatit, sepse banorët e hershëm të Kçirës, kanë jetuar në Kçirë të poshtme dhe kishagji, pasi ishte e mbrojtur nga erërat e ftohta të veriut, toka të mjaftueshme dhe shumë pjellore, të krijuara nga lymi i Lumit Gomsiqe, pyje për kullosë bagëtish e dru zjarri për ngrohje, ujë vade e të pijshëm, për atë popullsi të pakët. 

Kisha emertohej, kisha e Sh’Totrrit, është kishë varrezash për lagjet Plet, Rrukaj, Kishagji, Luf, Uraj dhe Vmerez, që përbënin 2/3 e fshatit Kçirë. Burimet gojore tregojnë: Se këtë kishë turqit e kthyen në xhami, duke i vënë minaren me yll e hëne.  

Duhet theksuar nga ana e tjetër, se asnjë Kçiras nuk u konvertua në islam, dhe Kçirësit kështu e lanë në pamjen e jashtme dukej xhami dhe brenda thuhej Rruzarja e shenjt.  

Kështu vazhdoi deri në vitin 1848, kur ketë kishë e dogji Begolli i Pejës. Në vitin 1848 krerët e Kçirës, mblodhën katundin dhe vendosën të mos i paguanin taksat Begollit.

Pashaj, erdhi me ushtri të madhe, ku dogji 40 shtëpi dhe vrau disa kryengritës, sikurse shkruhet në histori. Kisha katolike, u rindertua nga famullitari dom Jak Negri, gjatë vitit 1851-1855. Me rritjen e numërit të popullsisë së Kçirës, banorët u shtrinë me banesat e tyre përgjatë Luginës se Gomsiqes nga zona e veriut, duke krijuar kështu dy lagje të reja, Kçirçn e epër dhe Planin. 

Për këto lagje në fjalë, u ndërtua një kishë e re katolike, në vitin 1800, e cila mori emrin kisha e Shën Gjergjit dhe e shenjtit Baft, që u zgjerua në vitin 1863 nga meshtari dom Jak Plezha. 

Edhe kjo kishë ishte kishë varrezash për lagjet Kçirë e epër, Pla dhe Zagrada. Kjo kishe ishte e ndërtuar me gur gëlqeror, të gdhendur me daltë nga mjeshrit duarartë kçiras. 

Në muajit qershor-dhjetor të vitit 1915, kçirasit luftuan kundër Esat Bej Toptanit, që i printe ushtrisë serbe. Më 25 shtator 1915, ushtria serbe hyri në Kçirë, dogji të gjithë shtëpitë dhe kishën me gjithë dokumentet, që ajo kishte brënda. 

Kësaj lufte heroike, poeti popullor Pernush Gega, i ka thurur një këngë trimërie, që këndohet me çifteli në fshatra e më gjërë. 

Lufta kundër Esat Pashës

Janë mbledh shkodra, e bëjnë kuvend, 

Merren vesht o turq e t’kshtene 

Na ka ardh, ky pashe me rrene

Thotë jam turk, e po pij venë 

Po pij venë, po pij raki

Ramazan, ka thanë nuk di 

Rrene, jam Shah përmbi Shqipni

Ai Dom Ndoci, isht kone Dai 

Po bashkon, tha 100 shpi 

Qaj Ndrek Ndoj, u ka pri

Qysh t’ja bajm moj famulli

Fammulli qysh po m’thoni

Si t’ja bajm mor Zef Nikolli

Me i dhan pushken ktij manovi 

Ky manov me kto magjupe

Kane ardh qenat me na tut 

Lypin mish, e lypin buke

Kekan ba marak për luftë 

Fort për luftë jan ba marak 

Po luftojn nja dy sahat 

Dy sahat e gjithë një ditë 

Maje Lehes, kanë zanë një pritë 

Nikoll Gjini me komite, 

A nis pushka nëpër dritë 

Shum janë vra ma shum kan ik 

Qa asht kjo luftë o prej Bojeti

Qaj Ndue Hila e dom Lareci 

Thon çfarë asht ky far kjameti 

Si bim n’dorë pa u ba gazepi 

Pasha çadrat ku na i ngrehi 

Pasha çadrat ku i ka ngul 

Ka Qafe Rrasa në Korthpul 

Kapne pushkën kush asht burr

Kapne pushkën kush asht djal 

Paska ardh o Kçira mbare 

U nis lufta balle për balle 

balle për balle kishin luftue 

Istikami me gjak a mblue 

Shum kan vdek e shum varrue 

Shum kan mbet n’ket istikam 

Qaj Gjok Kola pelivan 

Kollaj iken nuk e ban

Paskan ik Shkoze e Gojan 

Ka met Kçira, pa kerkan 

pa kerkan kjo Kçira e shkrete

Taksirat i paska gjet 

Mashkujt vra e shpijat djege

Aj Dom Ndoci dul te kisha 

Unë t’a disha nuk ja nisa 

Se po me ik Thaçi e Berisha 

Në katër qoshet u thy komita 

Deshti Zoti su korita! 

Si rezultat i shtimit të popullsisë nga lagjet e vjetra Kçira e poshtme uraj e kishagji familje të tëra të këtyre lagjeve dulen me jetu në Luf dhe lindi nevoja e ndërtimit të një kishe të re në vitin 1928, në fushë të Bulsharit, me terren më të përshtatshëm se dy kishat e përmendura më lart, kishë famullitare me çelë  të priftit me pronë toke, pyje e livadhe dhe ujë të bollshëm vade e të pijshëm. 

Në këtë kishë shugurohet prifti i parë kçiras At Paulin Margjokaj me 26 mars 1932, ku ishte i pranishëm ipeshkvi i Sapës imzot Zef Gjinali, dhjetra priftërinj e xhakonj të dioqezës si dhe banorë të fshatit shtëpi për shtëpi. 

Të afërmit e familjes së priftit, u shtruan një drekë festive të pranishmeve për gëzimin, se doli një prift nga familja e Margjokës.  Kjo kishë mban emrin e shenjtit Shën Koll, që kçirasit i ndezin qirinj çdo 5 dhjetor dhe e festojnë me miq. 

Kjo shtëpi e Zotit, ka shërbyer në edukimin shpirtëror të besimtarëve deri në mars të vitit 1967. Këtë kishë nuk e dogjën turqit as serbët, por e persekutoi dhe e masakroi regjimi i pafe e i paatdhe i Enver Hoxhës. 

Viti 1967, do të mbahet mend si viti i shkatërrimit të bazës materiale të fesë të të gjitha besimeve. 

Prifti i fundit, që u përzu nga Kçira ishte dom Mhill Troshani. Ai ishte një shërbestar i përvujtur i mësimeve të Krishtit, por dhe një punëtor i palodhur, i dijshëm, që punonte në pronën e vet. Duart i kishte me kallo si të bujkut. Ne bahçen e tij kishte perime, hardhi, pemë drufrutore, por nuk mungoninn edhe lulet e shumëllojshme e shumëngjyrëshe.

Ai ishte shumë i lidhur dhe i dashur me grigjen e vet, i mësonte si të punonin, si të edukonin fëmijët, si te jetonin me djersë të ballit. 

Për këtë arsye, ditën e largimit të tij ishin dhjetra besimtarë, duke e ndihmuar për mbajtjen e plaçkave nga çela e priftit në fushë të Bujarit deri në rrrugën nacionale Pukë-Shkodër. 

Ndarja me priftin, ishte e dhimbshme mallëngjyese e jo si në disa vende të tjera, që priftërinjtë përbuzeshin gjatë përcjelljes. Bashkë me te ikën edhe dy murgeshat: Motër Lula nga Zadrima dhe motër Tereza nga Shkodra. Edhe këto motra ishin shumë të dashura nga fshatarët dhe u përcollën me shumë respekt. 

Tani kçirasit ngelën pa prift dhe  nuk kishin ku t’a gjenin dhe ku të ankoheshin, se ishte njësoj në të gjithë Shqipërinë. 

Të dhënat gojore, tregojnë se rreth vitin 1680 ipeshkvi i Sapës e la Kçiren pa prift. U mblodhën krerët e Kçirës dhe zgjodhën 3-4 të rinj të fuqishëm, te guximshëm me kuaj, që të shkojnë në Vig të marrin priftin.  

Të rinjtë shkuan natën në çelën e priftit dhe i thanë: “Bahu gati se kemi ardh me t’marre”. Prifti mblodhi petkat dhe erdhi te kisha e Sh’Totrrit, pa dalë drita. Ipeshkvi ndërhyri, që prifti të shkoj në vend të vet, por kçirësit nuk e lëshuan dhe u zotuan se do t’a mbajnë priftin vet, që të mos i mungojë asgjë. 

Si e larguan nga Kçira Patër Mhillin e ngarkojnë në një punë të rëndë në ndermarrjen e tullave dhe tjegullave në Shkodër, punë shumë të rëndë për moshën e vjetër dhe shëndetin e tij të pakët.

Por edhe këtu se linin rahat, e përgjonin, e tallnin, e spiunonin. Një ditë një punonjës i Sigurimit Sekret të Shtetit komunist e pyet: “A të erdhi keq qe u prishën kishat!?” – Nuk merzitëm për një punë, që do të rregullohet shpejt, ishte përgjigja e tij.

Asnjë akuze meshtari ynë nuk e pranoi. Ai në gjyq, duke sfiduar Prokurorin dhe gjyqtaret e shtetit komunist qëndroi heroikisht. Ai u denua me 17 vjet burg, ku kreu 3 vjet e 9 muaj. Vdiq në shtëpinë e kushëririt të vet, Pjetër Zef Ndreca, i cili e përcolli me ceremoni në banesën e fundit taman si prift. 

Pas heqjes së bazës materiale të fesë, komunizmi në Kçirë, nuk i rrafshoi kishat, por i përdori për magazina prodhimesh bujqësore, për brigadën e kishagjive dhe Kçirës së epërme, ndërsa kishën e Fushës së Bujarit e ndanë në dy dhoma, njëra për klasë fillore dhe tjetra për dhomë muze. 

Ajo kështu vazhdoi deri në vitin 1989, kur keqberësit e rrafshuan, duke grabitur paisjet e shkollës, bankat, tavolinat, dogjën librat dhe fotot, hoqën dyert e dritaret. 

Këtë fat pati edhe dhoma muze e fshatit, që e plaçkitën dhe e dogjën. Gjatë 23 vjetëve kçirasit pa prift dhe pa kishë asnjëherë nuk e hoqën besimin në Zot. 

Ato festonin festat fetare fshehurazi partisë komuniste ateiste, mbanin krezhem, lëshonin dhe dëgjonin Radio Vatikanin në gjuhën shqipe, shkonin te kisha e Laçit, gjatë 13 të martave të Shën Ndout. Ato thonin rregullisht Uratë në dimër e veçanerisht në krezheme, Rruzaren, i mësonin fëmijët me ba kryq e me thënë çdo ditë uratë, pra e ndjenin shpirtërisht kthimin e lirimit të besimit, dhe kjo ditë e lumtur erdhi në vitin 1990, e cila u vendos më në fund edhe ne Kushtetutë. 

Kçirasit mezi e prisnin këtë gëzim dhe me besimtarët e Kçirës si: Marka Cub Perdeda, Nikoll Zef Lleshi, Pashuk Mark Gjoka, Frrok Mark Gjergji, Ndue Doda, Prendush Mark Pjetri, Gjon Makeshdedaj dhe Dod Keçi gjeten priftin në Shkodër, dom Gjergjin, i cili  kishte punuar në Korthpulë dhe i kishte shpëtuar gjenocidit komunist. 

Prifti i thyer në moshë erdhi pa pritesë dhe u shërbeu kçirasve si për pagëzime femijësh, kurorëzime nëpër shtëpiat e njerëzve, sepse kishat ishin të papastra, por shpejt kishat u pastruan nga besimtarët dhe u bënë të gatshme për meshë. 

Në vitin 1993, filloi ndërtimi i kishës së re në fushë të Bujarit, pak metra më poshtë, se kisha e vjetër e shkatërruar. 

Ajo u ndërtua me kontributin e kçirasve dhe kontributin e dom Anton Kçirçs, me 10 mijë dollar, që i dhuroi nga vetja, dhe 18 mijë dollarë nga ndihmat e kosovarëve. 

Më 13 tetor 1995, dom Anton Kçira celebroi meshën e parë, duke qenë kisha e re më e madhe bashkohore plot e përplot. 

Gjatë vitit 1990-1999, ipeshkvi dërgonte herë një prift herë një tjetër, për të thënë meshë në Kçirë. 

Në vitin 1999, ipeshkvi i Sapës cakton prift për Kçirën dom Giovanni nga Italia, një i ri plot enërgji e përkushtim ndaj fesë dhe komunikues e i dashur me të gjithë besimtarët e vet dhe mjaft tërheqës për fëmijët vendas, sepse u krijonte kushte të mira, për katekizëm dhe organizonte gara sportive dhe lojëra popullore brenda kishës famullitare, por edhe në mes famullive të tjera, brenda dioqezës së Sapës. 

Dom Giovanni, përveç detyrës kryesore të edukimit shpirtëror, që e bënte shumë mirë, ai kishte njohuri edhe shumë deshirë e vullnet për zhvillimin e bujqësisë e blegtorisë në pronën e kishës, duke krijuar një fermë të përparuar e të fuqishme, që e pagëzoi me emrin: “Qendra për zhvillim  Shpirtëror, Shoqëror dhe Bujqësor At Mhill Troshani”.

Në këtë fermë, ai kultivoi vreshta, luleshtrydhe, manaferra, sherbelë, rozmarinë etj., lule të shumllojshme, pemë si: arra gështenjë, mollë, dardhë e kumbulla. 

Për punimin e këtyre prodhimeve, meshtari bëri punishte rakie, vere, reçelrash  dhe likerna të ndryshme, që i dërgonte në treg. Në fermën e tij, ai mbante shumë derra, për mish dhe për treg. Po kështu ai kishte edhe pula për treg.

Ai bëri nje fabrikë të vogël salami, me cilësi të mirë, ku gjithashtu prodhonte edhe proshute për treg. Përpunimet e produkteve për fermën e tij, ai ka marrë edhe punëtorë nga Kçira, duke i marrë e duke i mësuar, kualifikuar dhe ka zbutur pak varfërin dhe ulur papunesinë në krahinë. 

Për menaxhimin e punëve në fermë, shitjet dhe blerjet e mallrave, që prodhoheshin në fermë, rol të rëndësishëm luan edhe bashkëfshatari ynë Dod Morina. 

Në vitin 2021, si familltarë në Kçirë vjen dom Zefi nga Dushi i poshtëm, nip Kçirë, i ri i dashur plot enërgji  i çiltër e i qeshur, me grigjën e tij, duke ecur në vazhdën e paraardhësve të tij. 

Në vitin 1997, u ndërtua kisha e “Zemrës  së Krishtit” në Pla, ku prift ishte dom Marçelo (kroat), ndërsa në Plet në vitin 2021, u inagurua kisha e Shen Jozefit, nën drejtimin e priftit dom Zefi. 

Kështu Kçira sot ka 6 kisha katolike, që tregon dashurinë e pakufijshme të kçirasve ndaj fesë katolike dhe Shtëpisë së Zotit. 

Filed Under: Kronike

Mitomania, Personalitetet e Mëdha dhe Historia: 4 Fake News bombastike të tipit “Made in Albania”

July 24, 2023 by s p

(Melsen Kafilaj –Studiues)/

Ballkani, siç e emërtoi në vitin 1808 gjeografi gjerman, August Zeune apo siç duhet të quhet realisht Rajoni i Evropës Juglindore është një Rajon i cili ndryshe nga rajonet e tjera të Evropës krahas të tjerash ka edhe një karakteristikë tejet specifike: shquhet për mitomani dhe mitofili.Aq i vërtetë është ky konstatim saqë shpesh vihet re edhe fenomeni i “përvetësimit të figurave historike të njëri-tjetrit”, ndodhin sherre banale virtuale mes anëtarëve të kombeve të Rajonit në fjalë apo madje edhe ngërçe diplomatike shtetërore të përmasave ndërkombëtare. Mitet, këto ëndërra publike të transmetuara nga njëra gjeneratë në tjetrën dhe të deklamuara me një pathos Dionisiak, rrotullohen në këtë Rajon rreth një ndjenje të vetme: asaj të Madhështisë.Si karburant për këtë mitomani mund të shërbej lashtësia dhe etnogjeneza, fisnikëria e gjakut, aftësia qytetërimore, feja, historia (e cila shpesh është më tepër narrativë mitike sesa histori), nxjerrja e figurave të mëdha me impakt botëror prej etnive respektive e kështu me radhë. Përjashtim në këtë drejtim nuk bëjmë as Ne Shqiptarët.

Por ç’është Mitomania?! Mitomania, nëse i referohemi njërit prej përkufizimeve të Fjalorit Psikologjik të Shoqërisë Amerikane të Psikologjisë (APA) “është një interes jonormal për Mitet, tek të cilat Individi mund ta besoj dhe marr fantazinë për realitet dhe një tendencë e theksuar për të fabrikuar histori të pabesueshme” (Vandenbos, 2015:684).Mitofilia, nga ana tjetër është dashuria për këto mite, një devocion ky në Ballkan edhe më i madh se ai i treguar ndaj Zotit dhe Shenjtëve.Duke qënë të tillë, nuk është e rastësishme që fake news në këtë Rajon të jenë të shpeshta.Mitomania në Shqipëri ka forma të ndryshme por një prej formave më klasike është “tendenca për të bërë çdo personalitet të madh botëror me gjak shqiptar”.Këtë “eksportim të madhështisë së gjakut shqiptar” imagjinata jonë mitiko-poetike e ka çuar shumë larg. Aq larg saqë personalitete të jetës politike, kulturore a shkencore botërore si George Washington, Napoleon Bonaparte, Nicola Tesla apo së fundmi edhe presidenti turk, Rexhep Tayip Erdogan të jenë të gjithë “me gjak shqiptar”.Ler ti marrim me radhë dhe trajtojmë këto 5 fake news bombastike të përhapura në masë në Media apo Rrjetet Sociale të cilat çdo shqiptar i mirë, i thjeshtë dhe fisnik me të vërtetë i beson.

  1. George Washington ishte me gjak shqiptar nga ana e Nënës

Sipas mitit në fjalë Mary Ball Washington, nëna e “Atit Themelues të Shteteve të Bashkuara” George Washington e kishte emrin Marije Bala dhe ishte me origjinë nga Peja.Në të vërtetë, nëse i referohemi informacionit të marrë prej Librarisë Presidenciale George Washington në Mount Vernon dhe biografit të Washingtonit, John H. Rhodehamel, Mary Ball ka lindur në vitin 1707 në Epping Forest, Virginia nga bashkimi i Joseph Ball dhe Mary Johnson (p.13). Gjithashtu është fakt, se duke nisur me biografin e parë të George Washingtonit, Mason Weems dhe duke u konsultuar me atë më të fundit, Ron Chernow nuk gjen “asgjë shqiptare” në lidhje me pemën gjeneaologjike të Heroit Amerikan.Gjithë të tjerat janë trille fantastike të cilat Arsyeja dhe Logjika e shëndoshë nuk mundet kurrësesi që ti pranojnë.

  1. Napoleon Bonaparte kishte gjak shekullor shqiptar në venat e tij

Nëse në Antikitet thurësit e miteve kanë qënë më së shumti priftërinjtë dhe poetët, në ditët tona stafetën e kanë marr padyshim historianët entuziastë, publicistët pasionantë dhe profesorët.Eshtë interesante të vëresh që mitin e një Napoleoni me gjak shekullor shqiptar e kanë fabrikuar dhe hedhur për qarkullim publik nw Shqipwri pikërisht këta të fundit.Disa shkojnë aq larg saqë e çojnë këtë origjinë në Ilirinë e Jugut gjatë Periudhës Romake, të tjerë orvaten ta shpjegojnë këtë prejardhje përmes një morie emrash fisesh a familjesh fisnike të përmëndura dhe ndërlidhjesh që vetëm fantazia e tyre pegasiane mund ti arrij, ndërsa ca të tjerë megjithëse i mëshojnë hipotezës së një origjine të tillë arvanitase të Perandorit,  tregohen më diplomatë duke  theksuar se “prejardhja e Napoleonit ka mbetur një enigmë”.Studiues seriozë si André Castelot (Napoleon, 1968), Jacques Godechot (Napoleon, 1969) dhe së fundmi Andrew Roberts (Napoleon the Great, 2014- fituese e Çmimit të Madh të Fondacionit Napoleon) e përjashtojnë katërcipërisht këtë hipotezë, duke theksuar që Familja “Buona Parte” ishin pronarë të mëdhenj tokash me origjinë nga Firenze (Ky mbiemër figuron në regjistrin e këtij Qyteti që prej vitit 1261) teksa një prej pinjollëve të kësaj familjeje, Francesco Buonaparte qe i pari që emigroi për në Korsikë në vitin 1529..Ipse facto, vendlindja e Napoleonit është Ajaccio, Korsikë ndërsa prejardhja e tyre është Italiane.

  1. Nikola Tesla ishte me gjak shqiptar nga ana e Babait

Tesla, një prej Gjenive më të mëdhenj të Shek. XX dhe “master-brain” i një sërë shpikjesh civile-ushtarake të aplikuara në kohën tonë, sipas mitit më të fundit ishte me gjak shqiptar nga ana e Babait (një mitolog tjetër thotë nga Nëna, Georgina Gjuka).Sipas rrëfenjës në fjalë, familja e Teslës ishte nga Sanxhaku ndërsa babai i tij, Milutini (Shqiptar me emër të tillë vetëm Mitologu e gjen) ishte shqiptar orthodox, i cili shërbeu si prift dhe që më vonë u largua në drejtim të Kroacisë, ahera pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze.Por a ka ndonjë dokument në të cilin mund ta bazoj pohimin e vet, këtë mitologu nuk mund ta thotë. Kjo për faktin e thjeshtë se miti ndryshe nga historia bazohet tek fantazia dhe imagjinata dhe jo tek kultura e dokumentacionit.Mitologu vazhdon duke insistuar që emri i Teslës, Nikola është tipik shqiptar, dmth Nikolla.E vërteta historike është që Tesla e mori emrin e vet prej gjyshit nga ana e nënës, Nikola Mandić (gjithashtu prift orthodox në fshatin e tij).Një fakt tjetër historik është se teksa ishte student në Graz të Austrisë Tesla ishte  edhe Kryetar i Shoqatës së Studentëve Serbë.Gjithashtu ai u nderua me një sërë urdhërash të lartë prej Serbisë, ku më i herëshmi është Urdhëri Mbretëror i Shën Savës, dhënë në vitin 1892.Për rrjedhojë, të pranosh një Tesla me gjak shqiptar është po aq absurd sa pretendimi i një Skënderbeu me gjak sërb.

  1. Rexhep Tayip Erdogan është me gjak të hershëm shqiptar 

Mitomanët në Shqipëri janë gjithëfarësojësh por më përfaqësuesit janë; 1) Mitomanët e Alien-Illyrit, 2) të Kryqit, 3) të Hënës dhe 4) ata Kozmikë.Secili prej grupeve të përmëndura ka kanalin e tij komunikues ku shpërndan opinionet, besojmat dhe mitet e veta.Kështu psh, në njërin prej këtyre kazanëve mediatikë jepet dhe shpërndahet me bujë lajmi bombastik se Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayip Erdogan është me gjak të hershëm shqiptar nga Kraja e Malit të Zi.Mitologu e merr “ad literam” frazën e lëshuar prej tij “Jam rritur nga nënë shqiptare” gjatë takimit me Presidentin Nishani në vitin 2016, e shkëput nga konteksti, i jep krahë të lirë fantazisë dhe del në konkluzionin e dëshiruar paraprak.Sipas logjikës së tij simpliste, meqë Erdogan ka lindur në Güneysu (Rize) dhe Güneysu (Rize) banohej nga shqiptarët, ahera edhe Erdogan është shqiptar. Ndërsa Erdogan e pretendon prejardhjen e rrënjëve të tij familjare prej Batumit të Gjeorgjisë (deklaratë e vitit 2013) në vitin 2014, siç shprehet gazetari turk dhe eksperti i Lindjes së Mesme, Cengiz Çandar ai e mohon këtë fakt.Por çfarë thonë studiuesit për këtë gjë?! Politologu i Universitetit të Utah, Mehmet Hakan Yavuz në librin e tij “Secularism and Muslim Democracy in Turkey”(2009) shprehet se vendlindja e tij është Qyteza e lartpërmëndur (p.123). Të njëjtin qëndrim mban edhe biografi i tij “zyrtar” Mehmet Karahan i cili në broshurën e tij apoteozoike “President Erdogan’s Biography” (2019) shkruan: “Vendlindja- Qyteti i Rizes”.Por asnjëri prej tyre nuk flet për “përkatësinë shqiptare” të Presidentit në fjalë.Mitomanëve tanë që bëjnë çmos që ta “shqiptarizojnë” Idhullin e tyre turk dhe ta duan po aq sa Allahun, i këshilloj dashamirësisht që të falen dhe bëjnë sadaka sepse sipas “Umm al-Kitāb” janë në gjynah.

Si përfundim, mund të themi se pavarsisht këtyre 4 fake news spektakolar, nga gjaku shqiptar kanë dalë me të vërtetë një sërë personalitetesh dhe figurash të mëdha (shenjtë, muratorë, muzikantë, arkitektë, piktorë, gjeneralë, dukë, papë, perandorë, sadrazëmë, pashallarë, etj) të cilat as Vulgu dhe as Paria nuk kanë dëshirë dhe as interes që ti di.Me studiuesin e ndjerë Moikom Zeqo dhe disa studiues të tjerë në vitin 2019 i propozuam “ekspertëve” të Ministrisë së Kulturës për bërjen të mundur të një botimi të tillë por mesa duket qe një kërkesë “e rënë në vesh të shurdhët”.Shqiptarët nuk kanë nevojë për të përvetësuar dhe shqiptarizuar personalitetet e mëdha e të gjithë botës për të treguar sesa të mëdhenj që janë.Nëse do të njihnin ca më mirë historinë e tyre, do ta kuptonin që kjo Shqiptaromani histerike, me fake news kronik është e panevojshme dhe figurat që kanë do të ishin mëse të mjaftueshme për ti bërë krenar si komb dhe për ta mbajtur kokën lart.

                                                                                                                           © Melsen L. Kafilaj

Filed Under: ESSE Tagged With: Melsen Kafilaj

SHKOLLA SHQIPE TE “ZËRI ATDHEUT”, NË MONTEBELLUNA TË ITALISË

July 24, 2023 by s p

Raimonda Deda, mësuese e gjuhës shqipe pranë shkollës shqipe të “Zëri Atdheut”, në Montebelluna të Italisë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Treviso, Itali, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me Raimonda Dedën bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

SITORIKU I SHOQATËS PATRIOTIKE “ZËRI ATDHEUT” QË MBËSHTET SHKOLLËN SHQIPE

“Zëri Atdheut”, që ushtron veprimtarinë e saj në Montebelluna të Italisë. “Zëri Atdheut” themelohet më 3 Shkurt të vitit 2018 nga një grup patriotësh nga Kosova të udhëhequr nga Z.Isuf Zenelaj e Z.Besnik Veselaj, dy veprimtarë të hershëm të çështjes shqipëtare dhe pjesëmarrës në luftën çlirimtare që çoi pastaj në shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Rritja e komunitetit shqiptar në zonën tonë e bëri të domosdoshëm ndërtimin e një strukture të mirëfilltë e funksionale që ky komunitet të mos shkëputej nga rrënjët etnike e historike të tij. Ishte ai momenti kur shoqatës i bashkangjitet edhe figura ime si mësuese vullnetare. Ndonëse pa eksperiencë në fushën e mësimdhënjes, pasionin dhe dashurinë për gjuhën, historinë dhe kulturën shqiptare po mundohem ti përcjell tek filizat e rinj, shqiptarët e të ardhmes, fëmijët tanë. Siç thotë edhe i madhi Gjergj Fishta:

“Pra mallkue njaj bir shqyptari

Qi ket gjuhe te perendis

Trashigim qi na e la i pari

Trashigim si a len aj fmis ”

VAZHDOJMË TË RESPEKTOJMË E KULTIVOJMË TRADITAT TONA

Kjo nismë krijoi një atmosferë mjaft shpresëdhënëse dhe numri i nxënësve nga viti në vit u shtua. Filloi krijimi i kontakteve me autoritetet politike vendase, të cilët vunë në dispozicion të shkollës shqipe sallen ku mësimdhënja të zhvillohej në mënyrë dinjtoze. Raporti që është krijuar me këto autoritete është jashtë mase miqësor ndaj janë gjithmonë të pranishëm në festat tona dhe shikojnë me admirim faktin që ne vazhdojmë të respektojmë e kultivojmë traditat tona. Ndërtimi i kontakteve me shoqatat e tjera që bashkojnë komunitetin shqiptar kudo në Itali dhe ndërtimi i urave lidhëse me autoritetet politike në Kosovë, Shqipëri dhe me organizma të tjerë qeveritarë, të cilët çdo vit bëjnë të mundur mësimin e gjuhës shqipe duke dërguar materialin didaktik.

TË RINJTË TË ANGAZHUAR ME GRUPIN E VALLEVE DHE GRUPIN E INSTRUMENTISTËVE

Shoqata “Zëri Atdheut” sot numëron rreth 200 të anëtarësuar, të cilët me familjet e tyre janë terësisht të angazhuar në veprimtaritë e shoqatës. Përveç veprimtarisë së shkollës me fëmijet, në gjirin e shoqatës janë të rinjtë me grupin e valleve dhe grupi i instrumentistëve që po hedh hapat e para në ruajtjen e traditave tona si instrumentale ashtu edhe me këngët e sofrave e legjendat e përcjella ndër breza. Gjithashtu është krijuar edhe një skuadër minifutbolli e cila merr pjesë çdo vit në turneun e organizuar nga shoqata, për nder të Epopesë së UÇK. Sivjet u regjistruan 16 skuadra në këtë event. Edhe kjo veprimtari si të gjitha veprimtaritë e tjera të shoqatës sonë u mundësua terësisht me kontributin e komunitetit, gjë që na bën të ndihemi jashtë mase krenarë me bashkatdhetarët tanë.

AKTIVITETE NË NDERIM TË SHTETIT E KOMBIT SHQIPTAR

Tani më lejoni t’ju shpalos disa nga aktivitetet e shoqatës sonë: Muaji i Nëntorit i është dedikuar terësisht flamurit ku shqiptarët mblidhen dhe festojnë shqiponjën dykrenare. Muaji i Shkurtit i dedikohet Pavarësisë së Kosovës ku shpalosen simbolet tona kombëtare. Muaji Mars i kushtohet kujtesës, ku kryesisht aktivitetet janë të përqëndruara mbi figurën e Gjergj Kastriotit, Ati i Arbërve dhe komandantit legjendar Adem Jashari ,shpirti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Muaji Qershor i dedikohet fëmijëve, ku bëhet mbyllja e vitit shkollor dhe shpërndarja e çertifikave e cila shoqërohet me një shëtitje të organizuar nga shoqata. Gjithashtu shoqata “Zëri Atdheut” organizoi prezantimin e librit dokumentar “TERRORI I SERBISE PUSHTUESE MBI SHQIPTARET” të Prof.Doc Nusret Pllana dhe mundësoi depozitimin e këtij dokumenti në biblotekën e Vatikanit. Në këtë moment shoqata po mundëson perkthimin dhe botimin në gjuhën italiane të romanit “ESKADRONET E VDEKJES” me autor Prof.Bardhyl Mahmuti.

MËRGATA SHQIPTARE E AMERIKES ËSHTË MË I FUQISHMI ZË I SHQIPTARISË

Mërgata shqiptare e Amerikes është më i fuqishmi zë i shqiptarisë, në radhet e të cilës kanë ligjërua e punua personazhe të klasit të parë të cilët i përkasin edhe historisë politike e sociale të vendit tonë. Ndonëse një largësi gjeografike e madhe, sytë gjithmonë nga atdheu, shpesh e pamundura behet realitet falë angazhimit të mërgatës shqiptare përtej oqeanit. Amanetet e të parëve, gjuhën, kombin, historinë, ju i ruajtët ndër vite brez pas brezi e ne kemi pse krenohemi me ju, çdo shqiptare ka pse krenohet me ju.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI KRYETARIT TË DEGËS JACKSONVILLE ADRIATIK SPAHIU PËR HUMBJEN E VËLLAIT

July 24, 2023 by s p

E nderuar familja Spahiu

I dashur miku ynë Adriatik

Me keqardhje mësova lajmin e largimit nga jeta të vëllait tuaj Safet Spahiu. Në emër të Federatës Pan- Shqiptare të Amerikës VATRA, të gazetës Dielli, në emër të të gjithë vatranëve e të familjes sime ju përcjell ngushëllimet tona më të sinqerta e më të dhimbshme për humbjen vëllait tuaj të shtrenjtë Safet Spahiu.

Zoti ju dhashtë forcë për të përballuar dhimbjen për humbjen e njeriut të zemrës.

Të gjithë bashkë si vatranë jemi pranë jush e familjes Spahiu, familjarëve, miqve e dashamirësve tuaj në këto momente trishtimi e dhimbje.

I pikëlluar

Pranë jush dhe me nderime

Kryetari i VATRËS

Elmi BERISHA

Filed Under: Politike

“Kompleksi i Edipit” si një interpretim i novelës sё Stefan Zweig – “E fshehta përvëluese”

July 24, 2023 by s p

Dr. Iris Halili/

Nё historinё e letërsisë botërore ka vepra, vlera letrare e tё cilave ka qenë po aq e çmuar, sa edhe elementet e fshehta frojdiste qё mund tё gjenden në to. Tё tilla janё veprat e Stefan Zweig-ut, njё mik i ngushtë i Freud-in.  Nëse do të na duhej t’u bënim një pёrcaktim novelave të tij, aq tё njohura edhe pёr lexuesin shqiptar, ndoshta, do të na vinte më për mbarë, që studimin ta titullonim: “Një novelë, një teori”. Kjo pёr tё thёnё se sa fuqishёm depërtojnё teoritё psikanalitike  në novelat e Zweig.

“E fshehta përvëluese” është një ndër novealt e Zweig -ut  ku pothuaj çdo frazё mund ta interpretosh nga kёndvёshtrimi psikanalitik, ku çdo  titull apo nënkapitull është një simbol-arketip dhe ku e gjithë ngjarja ndërtohet mbi personazhe qё shfaqin hapur forma tё incestit, nën dritёn e kompleksit të Edipit. Freud e mbështeti teorinë e tij të Edipit tek miti grek. Sipas mitit grek, Edipi ishte i vetmi qё gjeti gjёegjёzёn me tё cilёn pёrbindshi Sfinks tmerroi Tebёn. Si shpёrblim, martohet me Jokastёn pa e ditur se ishte e ёma dhe më pas merr fronin e mbretit Lai, vrarё nga dora e tij, pa e ditur se ishte i ati. Sipas Freud-it kompleksi i Edipit është i pashmagshëm: “Nëse je një njeri , atëhere ti je një Edip”. Ky kompleks është një arketip që mban brënda nesh të pandërgjegjshmen kolektive, i tillë ka qënë  brenda paraardhësve tanё e do mbijetojё edhe tek pasardhёsit tanë. Djali kerkon “te arrije të ëmën duke përjashtuar të atin, ndërsa vajza të arrijë të atin duke përjshtuar të ëmën”. Në mitin grek, Edipi e vrau të atin (ndonëse miti e justifikon se ai nuk dinte se kë po vriste ). Sipas Freud-it djali burrërohet dhe vajza maturohet vetëm nëse arrijnë të  shmangin këtë akt!!

Tani le te sjellim nё kujtesё subjektin e novelës. Një djalë, Edgari shkon me pushime me të ëmën. Nё dukje s’ndodh asgjё: vendi ёshtё i qetë, njerёzit tё largёt e nuk pёrcjellin gjёsend, situata mёse monotone. Ndodh njё ditё, qё ngjarjet ngatёrrohen dhe nё skenё hyn njё baron me sjellje galante, që bie në dashuri me nënën e Edgarit. Djali bёhet xheloz, reagon, bёn tё pamundurёn pёr tё penguar kёtё lidhje. Ai e do  tё ёmёn dhe kёtё ndjenjë  e shpreh nё formё xhelozie. Dhe kjo e bёn njё fёmijё tё vogёl. Ai e adhuron fillimisht baronin derisa pak nga pak ndjenjën e  adhurimit e zё njё urrejtje qё rritet shkallë-shkallë. Dhe kjo e bёn njё burrё tё madh. Çuditёrisht, Edgari, po zëvendëson tё atin. Djali reagon ashpër dhe këtë (sipas teorisë psikanalitike) nuk e bën se do babanë, as sepse urren baronin, por sepse do të ëmën marrёzisht dhe nё mёnyrё instiktive. Freud-i, kёtё instikt e quan “vija e brishtësisë së nënës”, domethёnё, sipas tij, fëmija zgjedh njёrin prej prindёrve si objekt dëshirash ku djali dëshiron t’i zёrë vendin babait, ndёrsa vajza nënës. Fillimisht, Edgarit i pëlqen baroni, por kurba e inatit të tij shkon në përpjestim të drejtë me dashurinë qё ka ky i fundit për tё ёmёn, Margarita. Kur djali kupton se baroni po tenton t’i zëvendësojё të atin, atëherë, fillon ta urrejë dhe synon nё mёnyrё tё pavetёdijshme t’ë mos ja lejojë këtë vend . Novela ka një pikë kulminante që vjen me  titullin “e fshehta përvëluese”. Zbërthimi i këtij simboli, sipas analizave që metodika psikanalitike do i bënte retorikës në vepër, do të thotë në fakt zbërthimi i të gjithë skemës frojdiste të novelës. Ç’është kjo e fshehtë për Edgarin? Dhe ajo që na intereson mё shumё, ç’është kjo e fshehtë sipas deshifrimit që i bëjmë ne? Psikanaliza na thotë se kurrë nuk mund të mbetemi peng vetёm i një teze, sado e fuqishme të jetë ajo. Kështu zbërthimi i simbolit-emër i perveçëm por edhe titull në të njëjtën kohë “e fshehta përvëluese”, ka një peshë universale që e krijon vetë arketipi i këtij simboli. Duket fillmisht sikur  ky simbol shënon erotikën e marrëdhënies së tё ëmës me baronin, apo  çfarë fshihet pas kësaj erotike apo dashurie të fshehur. Ky do të ishte interpretimi i parë dhe i shpejtë që do t’i bënim simbolit me anё tё psikanalizës. Në fakt e fshehta, si arketip, është më tepërt se kaq, dhe ka të bëjë më shumë me Edgarin sesa me të ëmën, pasi kjo e “fshehtë” është ajo ndjenjё që mbajmë brenda vetes, por që shpesh nuk dimë as ta kuptojmë e as ta nënshtrojmë e  quhet “vija e nënës”, apo “vija e babait”. Ёshtё e fshehtë e thellё, edhe pse e hasim në reagimet tona apo të atyre qe kemi përreth; ështё përvëluese, sepse kur e kuptojmë, skuqemi prej saj. 

Pas gjithë këtyre analizave, a mund të jetë Edgari një Edip i vërtetë? Në fakt, me Edgarin, nuk realizohet kompleksi i Edipit. Ai zgjedh tё mos i tregojë të atit për atë ç’ka parë dhe shpёton pёrfundimisht nga kompleksi i përjashtimit të të atit. Vetëm, në qoftë se Edgari do të rrëfente historinë e dashurisë së mamasë për baronin që u kthye edhe në histori të dhembjeve të tij, mund të flisnim për një  Edip , pasi Edgari do të kishtë “eliminuar babanё”. Përjashtimi i Baronit nga jeta e nënës ishte edhe siguria që i ati do vazhdonte të rrinte me të ëmën , dhe në këtë formë Edgari e shmangu rrezikun e eliminimit të babait dhe në këtë mënyrë  sikur na thotë teoria e Freud-it Edgari u “burrërrua.” Pra, Edgari është një Edip i paplotë, siç pothuajse jemi të gjithë ne, siç janё shumë personazhe nga letërsia botërore, tek tё cilat ky kompleks ёshtё shumë i fshehur dhe rrallëherё jepet i drejtpërdrejtё. Edgari nga ana e tij, e vuajti kompleksin e Edipit, por arriti ta shmangё atë, gjë që duket në çastet e fundit të novelës, ku autori krijon një situatë të ndjerë mes Edgarit dhe të ëmës. Pakti ishte kryer. Shija e fitores që Edgari provon në fund, na bind për postulatin frojdist, se udhёtimi si rritje, apo si pjekje intelektuale që bën Edipi pёr tё mundur Sfinksin, është i pashmangshёm dhe i domosdoshёm. Të gjitha këto analiza që bëmë,  me lehtёsi na sollën nga novelat  e Zweig-ut tek psikanaliza e Freud-it. Shkuam me lehtёsi tё madhe, nga njёri te tjetri e kjo tregon se edhe këtë herë, sesi letërsia na çoi tek psikanaliza. 

Le të ndalemi pak edhe tek emrat e personazheve në novelë: djali, quhet Edgar, nëna Margarita dhe personi që flirton me nënën është baroni, ose të paktën me këtë emër e njeh Edgari. Kur vё nё punё metodёn psikanalitike, edhe zgjedhja e emrave tё personazheve nuk të duket mё rastësi. Ata marrin ngjyresa tё pavetёdijes qё ndёrthuren e nxjerrin krye nё rrethana tё caktuara. Jo rastёsisht ndërlidhet, pёr shembull, emri i Edgarit qё është pranë atij të Edipit, pasi i lidh ajo “ed”. 

Një pasazh tjetër i novelёs është kur Edgari pasi e ka ndjekur nënën me baronin, trembet kur i shikon aq pranë fizikisht  pasi kujton se baroni po vё dorё mbi  nënën. Pikërisht tek kjo dhunë imagjinare, mund të gjejmë një tjetër teori të Freudit. Zweig-u, në fakt, sqaron se Edgarit i duket sikur mbi nënën po ushtrohet dhunë. Psikanaliza e Freudit do e  shpjegonte  këtë episod me faktin se fëmija kur bëhet rastësisht dëshmitar i aktit seksual tek tё rriturit , e pёrjeton këtë akt si përpjekje për dhunim, apo si luftë, duke e interpretuar vetë aktin në mënyrë sadiste. 

Përfundimisht, duhet të shtojmë se psikanaliza na jep fushё tё lirё tё kuptojmё se çdo interpetim ështё vetëm një propozim e në rastin mё tё mirё, mund tё bёhet realisht një hipotezë interpretimi. Suksesin e kësaj metode, e tregojnë sot ato studime që përpiqen të interpretojnë letërsinё, duke shfrytëzuar psikanalizën. E tregojnë vizionet e reja që ka fituar letërsia falë kёsaj disipline. E tregon mbi të gjitha tradita qё ka krijuar raporti i marrёdhёnies sё tyre, që në vite, më shumë thellohet se sa zbehet, më shumë pёrtёrihet se sa vjetërohet, zhvillohet e nuk mohohet, mё shumё kujtohet se sa harrohet.

Ky fragment ёshtё shkёputur nga libri i fundit i autores: 

“ Letёrsia nё psikanalizёn e Freud -it dhe dilemat eksistenciale” , prezantar nё Panairin e Librit Tirana 2022. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Iris Halili

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1755
  • 1756
  • 1757
  • 1758
  • 1759
  • …
  • 2982
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT