• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

POETI AMERIKAN JEFF WEDDLE NJË POEZI PËR VISARIN…

September 5, 2025 by s p

Eda Zhiti

Na erdhi si një befasi kaq e bukur dhe emocionuese për ne, një poet amerikan, Jeff Weddle, ka shkruar një poezi për poetin shqiptar Visar Zhiti, që nuk njihen, nuk jane takuar ndonjëherë.

Poezia e tyre, po. Ajo ka rrugët e veta të mistershme, nuk njeh kufij, siç dhe thuhet.

Jeff Weddle

është poet dhe shkrimtar amerikan, autor i disa librave me poezi e fitues i çmimeve te ndryshme letrare. Jeton në Tuscaloosa – Alabama dhe jep mësim në Departamentin e studimeve të Bibliotekave dhe Informacionit në Universitetin e Alabamës.

Një ditë ai lexoi librin me poezi të Visarit “The condemned apple”, i botuar këtë vit në SHBA dhe shkroi poezinë e tij kushtuar atij. Kështu na del. Po sjell përkthimin tim, një poezi tipike amerikane, me të përditshmen, me makina, por rreh pulsi i madh njerëzor:

ME VISAR ZHITIN

NË SERVISIN E TOYOTẼS

Nga Jeff Weddle

Duke ndenjur nẽ sallonin

e konçesionarit së makinave,

pres që ekipi të mbarojë ndërrimin

e vajit dhe të gomave.

Vende të tilla se si më përthajnë,

por dua t’u jem mirënjohës,

se s’do të mundja ta bëja vetë

ç’bëjnë këta njerëz për mua.

Për fat, kam poezitë e Visar Zhitit,

që flet hapur,

mẽ bẽn shoqẽri.

Bukur është të mendoj që edhe Zhiti

ndërkaq po lexon poezitë e mia diku,

por pak gjasa ka, edhe pse përpiqem

të them dhe unë aq drejt

siç ndoshta do t’i pëlqente dhe atij.

Zhiti është shoqëri e mirë,

ndërsa shokẽ tē tjerë që di,

mbeten si pengje

në heshtje me telefonat e tyre,

ndërsa poezitë e tij e bëjnë orën

të ecë më shpejt.

Së shpejti do t’i kthehem sërish

kësaj bote,

ku zogjtë fluturojnẽ,

insektet ndërzehen

dhe fëmijët humbasin nëpër shkollat

që prej kohësh kanë hequr dorë

nga mësimi i çdo gjëje të rëndësishme.

Visar Zhiti do të bëjë ato që bën.

Toka do të thahet në Tuscaloosa

pas këtij shiu të beftë.

JEFF WEDDLE

WITH VISAR ZHITI

AT THE TOYOTA GARAGE

Sitting in the car dealership,

waiting for the crew to finish

changing my oil

and rotating my tires.

Places like this drain me,

but I guess I’m grateful,

since I couldn’t do for myself

what these people are doing for me.

Thankfully, I have the poems

of Visar Zhiti,

who tells it straight,

to keep me company.

It would be nice to think that Zhiti

is somewhere reading my poems, too,

but that’s unlikely,

though I also try to tell it straight

and maybe he would like that.

Zhiti is good company,

as my fellow hostages

stare in silence at their phones,

and his poems make the clock

move a little faster.

Soon, I will be back in the world,

where birds fly, insects copulate,

and children waste away in schools

which have long since given up

on teaching anything of importance.

Visar Zhiti will do as he does.

The earth will dry in Tuscaloosa

after a sudden rain.

Filed Under: ESSE

Hora e Arbëreshëve

September 5, 2025 by s p

Hora e Arbëreshëvet, e njohur sot si Piana degli Albanesi, është një nga vendbanimet më të rëndësishme historike e kulturore të arbëreshëve në Itali. E themeluar më 30 gusht 1488 nga të mbijetuarit e eksodit shqiptar pas vdekjes së Skënderbeut dhe pas rënies së rezistencës shqiptare kundër osmanëve, ky vendbanim përfaqëson një nga shembujt më të pastër të ruajtjes së identitetit etno-kulturor në diasporë. E vendosur në afërsi të Palermos, në zemër të Sicilisë, Hora është shndërruar në një qendër simbolike të arbëreshëve, duke mbajtur gjallë gjuhën, zakonet, muzikën, veshjet tradicionale dhe simbolet kombëtare shqiptare për më shumë se pesë shekuj.

Me rreth 6.500 banorë, Hora është konsideruar shpesh si “kryeqyteti i arbëreshëve”, jo vetëm për numrin e popullsisë, por sidomos për rolin që ka luajtur në mbajtjen gjallë të kujtesës historike dhe të vetëdijes kombëtare. Pikërisht këtu lindën dhe vepruan figura të rëndësishme të letërsisë dhe kulturës shqipe. Lekë Matranga, prift dhe gjuhëtar, është një nga autorët e parë që na la gjurmë në letërsinë e vjetër shqipe, ndërsa në shekujt pasues, Zef Skiroi, poet i njohur i Rilindjes Kombëtare, e ngriti zërin e tij për çështjen shqiptare, duke e lidhur fatin e arbëreshëve me fatin e kombit amë.

Hora e Arbëreshëvet është e njohur edhe për traditat e pasura kishtare të ritit bizantin, të cilat u shërbyen arbëreshëve si një element identitar dallues përballë shoqërisë italiane përreth. Liturgjia në gjuhën shqipe, ikonografia dhe veshjet e priftërinjve arbëreshë mbeten edhe sot një dëshmi e gjallë e mënyrës se si feja dhe kultura u ndërthurën për të ruajtur identitetin kombëtar. Veshjet tradicionale të grave arbëreshe, të cilat shpalosen çdo Pashkë dhe festë kombëtare, janë një tjetër shenjë e fortë e lidhjes së pakushtëzuar me rrënjët shqiptare.

Interpretimet e mëvonshme të udhëheqësve dhe intelektualëve arbëreshë e shohin historinë e Horës si pjesë të një projekti më të gjerë identitar: ruajtjen e kujtesës së një kombi të vogël, por të pamposhtur, i cili kishte ditur të qëndronte përballë pushtimit osman në Motin e Madh. Ky vetë-imazh i arbëreshëve nuk ishte thjesht një nostalgji për të kaluarën, por një përpjekje për të përkthyer atë trashëgimi në një rol të ri historik. Përmes shkrimtarëve, klerikëve, mësuesve dhe veprimtarëve, arbëreshët u bënë predikues të lirisë politike dhe individuale, duke përfaqësuar një moral të fortë kolektiv që lidhej me ëndrrën e pashuar për një Shqipëri të lirë.

Në këtë kuptim, Hora e Arbëreshëve u shndërrua në një qendër mesianike të nacionalizmit shqiptar në diasporë. Aty ku ruhej gjuha, aty ku këndohej ende kënga për Skënderbeun dhe ku fëmijët mësonin historinë e të parëve, po farkëtohej edhe ideja se arbëreshët nuk ishin thjesht një komunitet i mërguar, por një pjesë aktive e kombit shqiptar. Nga ky perceptim identitar u ushqye edhe kontributi i tyre në lëvizjet për krijimin e shtetit shqiptar në fillim të shekullit XX, duke i dhënë kuptim të plotë rolit të tyre si urë kulturore dhe politike mes Shqipërisë dhe Europës.

Prandaj, Hora e Arbëreshëve nuk është thjesht një fshat në Sicili, por një monument i gjallë i qëndresës, i kujtesës dhe i dashurisë për atdheun e lënë pas. Ajo është një provë historike e faktit se identiteti kombëtar nuk kufizohet nga kufijtë gjeografikë, por mbijeton përmes gjuhës, kulturës dhe besimit të patundur të një komuniteti.

© Dorian Koçi

Filed Under: Histori

Jani Minga, patrioti i pavarësisë, mësuesi dhe arkitekti i arsimit kombëtar shqiptar

September 5, 2025 by s p

Gjon F. Ivezaj/

Në këtë moment solemne, ndërsa nderojmë figurat më të ndritura të historisë sonë kombëtare, është detyrë morale dhe historike të kujtojmë jetën, veprën dhe kontributin e patriotin të shquar Jani Minga, një figurë e paharrueshme e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, një edukator, një mësues shembullor dhe një njeri i përkushtuar i cili përjetësoi emrin e tij në historinë e kombit shqiptar. Jani Minga lindi më 1 gusht 1872 në fshatin Shënpjetër të rrethit të Fierit, në një familje me tradita të forta arsimore dhe atdhedashurie. Babai i tij, Konstandini, ishte mësues, një edukator i përkushtuar që i transmetoi fëmijëve të tij vlerat e dijes, të punës dhe të dashurisë për kombin, ndërsa nëna e tij, Ana, rridhte nga familja Topia e Beratit, duke i dhënë djalit frymëzim për të ndjekur një rrugë të ndritur dhe për të ruajtur identitetin kombëtar. Fillimet e arsimit i mori në vendlindje, duke përfunduar shkollën fillore dhe duke treguar një inteligjencë të jashtëzakonshme dhe një pasion për dije.

Arsimin e mesëm e vijoi në Shkodër dhe më pas në Qestorat, duke u dalluar për aftësinë e tij të jashtëzakonshme për mësim dhe për intelekt të gjërë. Pasioni për dijen dhe për gjuhën e popullit e shtynë Jani Mingën drejt studimeve të larta në Universitetin e Athinës, ku u diplomua në degën e Filologjisë, duke u njohur thellësisht me gjuhët greke të lashta dhe të reja, latinishten, italishten dhe frëngjishten. Kjo dijeni më vonë do ta ndihmonte në përhapjen e arsimit dhe të kulturës shqiptare dhe në mbrojtjen e identitetit kombëtar. Pas kthimit në Shqipëri, Minga i përkushtohet arsimit dhe përhapjes së gjuhës shqipe. Në vitin 1889, ai bashkëthemeloi klubin patriotik “Labëria”, që u bë një qendër e rëndësishme për debatet mbi emancipimin kombëtar dhe ruajtjen e identitetit shqiptar. Ai angazhohet gjithashtu për të hapur shkolla shqipe dhe për të edukuar brezat e rinj në frymën e dashurisë për atdheun dhe respektit për traditat.

Aktiviteti i tij patriotik arriti kulmin në Kuvendin e Vlorës më 28 nëntor 1912, ku Shqipëria shpalli Pavarësinë. Jani Minga, si delegat i Vlorës, firmosi aktin historik të Pavarësisë, duke u bërë një nga nënshkruesit e tij dhe duke shënuar emrin e tij përgjithmonë në historinë e kombit. Përveç kësaj, ai mori pjesë aktive në Luftën e Vlorës në vitin 1920, duke mbrojtur sovranitetin e shtetit shqiptar kundër çdo tentimi pushtimi dhe duke kontribuar në konsolidimin e shtetit të ri shqiptar. Si mësues i përkushtuar, Minga dha shembullin më të lartë të edukatorit që punon për të zhvilluar moral, dijeni dhe ndjenja kombëtare tek të rinjtë. Ai ishte i ndërgjegjshëm se arsimi është shtylla kryesore e lirisë dhe e zhvillimit të kombit. Për punën e tij të palodhur në arsim dhe patriotizëm, ai u nderua me titullin “Mësues i Popullit” dhe me mirënjohje të shumta nga komunitetet dhe qytetet shqiptare. Trashëgimia e Jani Mingës është e gjallë edhe sot: shumë shkolla mbajnë emrin e tij, duke ruajtur frymën dhe kujtimin e një edukatori dhe patrioti të madh.

Veprimtaria e tij është dokumentuar me kujdes në arkivat historike shqiptare dhe ndërkombëtare, duke përfshirë dokumente të firmosura, fotografi, shkrime mësimore dhe artikuj të botuar në gazetat e kohës si “Gazeta Telegraf”, “Besa”, “Drita” dhe revistat ndërkombëtare që dokumentuan zhvillimet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai ka lënë një kontribut të pakrahasueshëm në konsolidimin e gjuhës shqipe, në edukimin patriotik të brezave të rinj dhe në afirmimin e identitetit kombëtar shqiptar në skenën ndërkombëtare. Veprimtaria e Jani Mingës është një testament i gjallë i dashurisë për atdheun, për arsimin dhe për lirinë. Ai mbetet një shembull i papërsëritshëm i patriotizmit, i edukatorit të palodhur dhe i udhëheqësit që përkushtohet pa u lodhur për lirinë dhe mirëqenien e popullit të tij. Arkivat e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Arkivi Qendror Shtetëror në Tiranë, koleksionet e Muzeut Historik Kombëtar dhe dokumentet e Arkivit të Universitetit të Athinës ofrojnë dëshmi të qarta për jetën dhe veprimtarinë e Jani Mingës.

Përmes këtyre burimeve, studiuesit dhe historianët mund të ndjekin çdo hap të aktivitetit të tij arsimor, patriotik dhe politik, duke dokumentuar ndikimin e tij të jashtëzakonshëm mbi formimin e identitetit shqiptar dhe fuqizimin e arsimit kombëtar. Sot, ndërsa kujtojmë veprën e Jani Mingës, ndjejmë krenari për trashëgiminë e tij; një trashëgimi që frymëzon dijen, patriotizmin dhe përkushtimin ndaj kombit dhe njerëzimit. Emri i tij qëndron si një simbol i paçmuar i dashurisë për atdheun, i përkushtimit ndaj arsimit dhe i luftës për të mirën e përbashkët. Jani Minga mbetet një dritë udhërrëfyese për brezat e rinj, duke kujtuar se edukimi, moraliteti dhe dashuria për kombin janë shtyllat e forta mbi të cilat ndërtohet një komb i lirë dhe i përparuar. Përmes jetës dhe veprës së tij, ai u bë jo vetëm një figurë historike, por një frymëzim i përhershëm për çdo shqiptar, duke u bërë model i qytetarit të përgjegjshëm, i mësuesit të devotshëm dhe i patrioti të përjetshëm. Historia e Jani Mingës është një dëshmi e pakrahasueshme se edhe nga një popull i vogël, me njerëz të përkushtuar dhe vizionarë, lindin figurat që formojnë identitetin dhe fatin e kombit, duke u bërë shembuj për gjithë botën.

Filed Under: Histori

PLAGET E MARIANA GRAF

September 5, 2025 by s p

Dr. Selman Mëziu/

Sa e ndjeshme jeni Zonja e Madhe Mariana Graf. Sigurisht i keni prej nane të dhimbshme zemër butë e shpirtë qelibar. Edhe prej gjenit familiar austriak. Pse jo prej kulture me rranjë të thella në kohë. Këto janë shtysa për udhëtim drejt qytetërimit. Ngacmimet e pemës mençurore për të dasht njeriun, malet, natyrën, traditën, ujin, tokën me hojet e saja të mjaltëta, gjallesat mbi atë. Po, edhe dy Plinat në kohë të lashta kishin të njejtat shtysa, ngacmime, ndaj i dhanë udhë penës së tyre në hullitë e natyrës.

   Po ne shqiptarët ku jemi? Mjerisht shumë – shumë larg. Megjithëse në shekullin e njëzetë e njëtë që gulçon gjak, helmë, urrejtje, përqafime djajsh. Rraca jonë prej shekujsh ka ndëshkuar vetëveten. Rraca jonë me rranjë të thella  historike. Fatkeqësisht me trup e degë mbytur në detin e pa diturisë, në detin e ndjesive kafshërore dhe ma keqë akoma vetëushqyer me mendimet, veprimet prej anti njeriu. 

   Prandaj është e pamundur të zgjohemi me një fjalë e deshirë nane hyjneshë, me një shembull, me një reagim të një, dy, treqind intelektualësh patriot.  Eh Zonja Mariana! Misioni juaj është i shejtë si dielli në lashtësinë e largët, është njerëzor, i kulturshëm.  Motoja juaj: ‘’Aty ku mbillet dashuria, dashuria do të rritet.,, Sigurisht, është qëllim mirësie, ringjallje, ribërje, rizgjimi, farkëtim dashurie në mes njerëzve, natyres, ujit, diellit, tokës. Me përlotje po shkruaj, se dashuria nuk rritet në natyrën e shkrumbuar dhe njerëzit e djallëzuar në mes tyre e nanës natyrë.

   Eh plagët e tua nana Mariana, arkitekte e shpirtërave dhe e botës biologjike dhe jo vetëm, janë të shumta e të thella! Neve jemi të shkërmoqur, të thermuar, të kalbëzuar nga ndërgjegja, nga miresia, nga shpirtë dlirësia, nga morali, kultura, sjellja ndërmjet nesh, natyrës, e juve plagëshumta, shkaktuar nga ne. Shkaqet janë të panumërta, dje dhe sot. Ne kemi ende të mbjellura në mendjet tona instiktet e hakmarrjes, ato të gjakmarrjes, të shkatërrimit të gjithëçkaje, admirues të grindjeve, përçarjeve, mbjellës të mos marveshjeve, e instikti për t’u bërë i parë, dash me këmborë e borgjez për një ditë me aventura, djallëzi ose të ndihmuar nga një  UNË, si bajrektar, si ZOTI VETË ZBRITUR NGA QIELLI.

    Shqiptarët nuk mund të shërojn natyrën pa shëruar ma parë vetëveten. E kjo Misionaria e shqiptarëve dhe e natyrës ka marrë plagë shumë të thella mbi të gjitha, këto 35 vjet. Këto shikohen, gjënden, janë te përdhosja e ndërgjegjes, e moralit, e shpirtë mirësisë e mbi të gjitha, te humbja e shpresës për zhvillim, kulturim. Stërmullari i së cilës është sjellja me plotë kapadeillek e bajrektarizëm e politikanëve si udhëheqës të pa zëvendsueshëm. Ato për të arritur ku janë, ma parë shkatërruan, vranë moralisht, mendërisht, psikologjikeisht  njeriun shqiptar. Pra ato e morën kalanë,  brenda botës së brendëshme të shqiptarit. E tani këto motor që çojne shoqërinë përpara, që zhvillojn ekonominë e mbrojnë natyrën, mjerisht janë fikur. Prandaj duhet shumë, shumë punë në marrdhëniet njeri – shtet, njeri – mjedis natyror, njeri – njeri, njëkohesisht spastrime kalbësirash, gjoja timonierë të pa zevendësueshëm. Pikërisht këto të fundit kanë mbjellur, frikën, pasigurinë, krimin, nxitur miqësinë, tarafin për një vend pune. Kuptohet gjithëkujt e gjithëkund  edhe te shkencëtarët, inxhinierat, filozofët, akademikët, profesorët,  gjuhëtarët etj. duke i shtrirë në shtratin e gjumit letargjik. 

     Megjithatë gjënden aty, këtu edhe nga ato që ende shpresojnë, për pakëz dritë në fund të tunelit. Pa çka se ‘’kur natyra godet mbi 180 milonë dollar humbje çdo vit, 5 mijë shqiptar të prekur (dëmtuar ekonomikisht S.M.),,  Sigurisht edhe juve me disa shqiptar intelektual, patriotë, shpresoni ende për një rizgjim, ringjallje, e bashkëpunim ndërmet shqiptarëve, shtetit vërtet të demokratizuar, natyrës dhe biosistemeve të saja, për t’u rimëkëmbur e zhvilluar. Dhe ja urimi: Ndodhtë mrekullia!

Filed Under: Analiza

“Rendi i ri gjeopolitik 2025: Rivaliteti global SHBA-BE dhe Rusi-Kinë”

September 5, 2025 by s p

Prof. Dr. Muhamet Racaj/

Ky studim trajton rivalitetin në rritje midis kampit SHBA-BE dhe boshtit autoritar Rusi-Kinë, duke eksploruar kalimin nga rendi unipolar drejt shumëpolarizmit global. Ngjarjet në Pekin në shtator 2025, përfshirë shfaqjen e fuqisë ushtarake dhe forumet ekonomike, pasqyrojnë forcat dhe dinamikat e reja në arenën ndërkombëtare. Analiza u përqendrua në dimensionet politike, ekonomike dhe ideologjike të këtij rivaliteti, si dhe në ndikimin e tij mbi botën në përgjithësi dhe në vendet e Ballkanit në veçanti, një rajon me histori të gjatë ndikimesh të jashtme. Argumentojmë se në një botë ku nuk ekziston më dominimi absolut, vendet e vogla duhet të ndjekin politika fleksibile dhe shumëdrejtimore për të siguruar stabilitet dhe zhvillim.

Pas Luftës së Ftohtë, bota hyri në një periudhë të dominimit amerikan me një rend demokratik-liberal bazuar në rregulla të përcaktuara, institucione multilaterale dhe bashkëpunim ekonomik ndërkombëtar. Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik krijoi një moment unipolar që dominimi i SHBA-së dukej i pakontestueshëm. Ky dominim u projektua në rol lideri në organizatat kryesore botërore dhe në vendosjen e normave ndërkombëtare, duke përfshirë promovimin e demokracisë, tregtisë së lirë dhe të drejtave universale të njeriut.

Megjithatë, në dekadat në vazhdim, ky rend përjetoi sfida të mëdha. Kina u rrit ekonomikisht dhe ushtarakisht duke krijuar një alternativë komplekse ndaj sistemit perëndimor. Rusia u rikthye si aktor ushtarak dhe energjetik me aftësi për të sfiduar fuqitë perëndimore në arenën ndërkombëtare. Ndërkaq, vetë Perëndimi u përball me brishtësinë e brendshme si pasojë e ndryshimeve politike, ekonomike e sociale, si dhe ndërlikimet që sollën konflikte brenda dhe probleme në bashkëpunim.

Në këtë kontekst, analiza bashkërenditet mbi tre korniza teorike kryesore të marrëdhënieve ndërkombëtare.
1. Realizmi ofensiv i Mearsheimer-it na shpjegon se fuqitë e mëdha janë gjithmonë në kërkim të dominimit dhe balancimit të rivalëve për mbijetesë.
2. Teoria e stabilitetit hegjemonik e Waltz-it tregon se rendi botëror është më i qëndrueshëm nëse një fuqi e vetme është hegjemoni që ofron siguri dhe rregulla.
3. Nga ana tjetër, konstruktivizmi rikthen rëndësinë e ideve dhe narrativave, si “ëndrra kineze” dhe paradigma e botës shumëqendrore, që fuqizojnë apo sfidojnë strukturat ekzistuese⁷.
Këto teori, së bashku me analizën empirike të ngjarjeve të zhvilluara gjatë vitit 2025 dhe kontekstin rajonal në Ballkan, përbëjnë bazën e metodologjisë që na lejon të kuptojmë dinamika globale dhe rajonale në mënyrë të rrjetëzuar dhe të kompleksuar.

Pjesa kryesore

1.Transformimi i Rendit Ndërkombëtar

Periudha e pas Luftës së Ftohtë u karakterizua nga dominimi i SHBA-së si superfuqi absolute me një rëndësi strategjike të pazvogëluar në fushën ushtarake, ekonomike dhe diplomatike. Luftërat në Ballkan, ndërhyrjet në Lindjen e Mesme dhe zgjerimet e NATO-s u panë si konfirmim i këtij dominimi⁸. Megjithatë, kriza financiare globale e 2008 shënoi një moment reflektimi dhe heshtjeje, duke ekspozuar dobësitë strukturore të ekonomisë amerikane dhe pasojat e globalizimit të pakontrolluar⁹.
Ndërkohë, Kina po zhvillohej me një ritëm të shpejtë ekonomik dhe teknologjik, duke investuar në projekte globale, si “Rruga e Mëndafshit” dhe avancimet në inteligjencën artificiale dhe teknologjitë 5G¹⁰. Rusia, shfrytëzuesja kryesore e burimeve energjetike dhe kapaciteteve ushtarake, rifutet fuqishëm në skenën ndërkombëtare me ndërhyrjet në Ukrainë dhe Siri¹¹.

Shtatori 2025 u bë simbol i hyrjes së botës në një epokë të shumëpolarizmit, ku fuqitë e mëdha operojnë në një sistem kompleks ku asnjë prej tyre nuk dominon aspak. Manifestimet në Pekin me shfaqjen e fuqisë ushtarake, paralelisht me forume të fuqishme ekonomike dhe diplomatikë të multinacionalëve, treguan ndryshimin rrënjësor të ekuilibrave¹².

Kjo epokë e re kërkon një qasje që tejkalon dualizmin tradicional Lindje-Perëndim duke njohur një mozaik interesash dhe aleancash që bashkëjetojnë në mënyrë fleksibile dhe dinamike¹³.
2.Aleanca Rusi-Kinë dhe Strategjitë e Përbashkëta
Aleanca mes Rusisë dhe Kinës, megjithëse jo ideologjikisht uniforme, bazohen në një marrëveshje pragmatike që shfrytëzon fuqitë dhe resurset unike të secilit partner. Rusia ofron burimet energjetike dhe kapacitetet ushtarake tradicionale, ndërsa Kina fuqinë ekonomike dhe teknologjinë¹⁴.

Kjo ndarje përforcon ndërveprimin në fusha strategjike dhe minon dominimin perëndimor duke krijuar një alternativë që paraqitet si rend botëror sovranist, i bazuar në parime të fuqisë dhe pavarësisë kombëtare¹⁵. Samitet e shtatorit 2025, duke përfshirë pjesëmarrjen e vendeve të ndryshme të Jugut Global, e pasqyruan këtë model si një qasje kundër peshës liberale dhe universaliste që karakterizon Perëndimin¹⁶.
Në këtë kuadër, pushteti ekonomik i Kinës u përdor si mjet jo vetëm për avancimin e interesave të saj, por edhe për të ndihmuar aleatët si Rusia dhe vendet e mesme që kërkojnë të fuqizohen përballë presioneve perëndimore¹⁷.

Reagimet dhe Sfida e SHBA-BE-së

Nën drejtimin e Donald Trump, SHBA filloi një linjë më proteksioniste dhe tranzicionale që përqendrohej në “Amerika në radhë të parë”. Kjo solli një politikë më selektive ndaj kinse kundërshtarëve, duke ndikuar në marrëdhëniet me Kinën, Indinë dhe aleatët tradicionalë në Evropë¹⁸. Ndërkohë, Bashkimi Evropian nuk arriti të harmonizojë qasjet e tij politike dhe strategjike, duke u përballur me sfida të brendshme si:

1. Rritja e populizmit,
2. Situata ekonomike pas Brexit dhe
3. Variabiliteti në politikën e jashtmeⁱ⁹.
NATO mbetet struktura kryesore e sigurisë në hemisferën perëndimore, por ajo kërkon transformim për të bërë ballë sfidave moderne, duke përfshirë kërcënimet hibride dhe ato kibernetike²⁰.

Dimensioni Ideologjik dhe Global

Një nga thelbësoret në përplasjen e epokës së re është përballja mes modeleve ideologjike dhe qeverisëse. Perëndimi promovon demokracinë liberale dhe normat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ndërsa boshti Rusi-Kinë synon rigjallërimin e sovranitetit të fortë dhe kontrollit autoritar si bazë për rendin e ri botëror²¹.

Ky përfshin:
1. Përdorimin e teknologjive të avancuara për mbikëqyrje dhe kontroll të shoqërive,
2. Kontrollin e mediave dhe mbrojtjen e interesave kombëtare në kurriz të lirisë dhe transparencës²².
Një manifestim i kësaj është politika e “enderrës kineze” dhe mënyra se si ajo përshtatet me politikën globale dhe partnerët e saj²³.

Ballkani në Rrethanat e reja

Rajoni i Ballkanit, historikisht një hapësirë e ndikuar fuqishëm nga interesat dhe ndërhyrjet e fuqive të mëdha, po përballet sot me një kompleksitet edhe më të thellë ngjarjesh dhe përgjigjesh ndaj sfidave globale. Serbia ruan lidhje të ngushta me Rusinë, duke përfituar mbështetje politike, diplomatike dhe burime të rëndësishme energjetike, që ndikojnë në politikën dhe ekonominë rajonale²⁴. Shqipëria dhe Kosova, me një orientim të konsoliduar euroatlantik, përballen me ndikimet gjithnjë në rritje të investimeve kineze, të cilat synojnë të zgjerohen në sektorë infrastrukture, energjie dhe ekonomikë, duke krijuar një peizazh të ri bashkëpunimi por edhe presionesh të jashtme²⁵. Për Kosovën, kjo situatë është veçanërisht sfiduese për shkak të njohjeve të kufizuara ndërkombëtare dhe nevojës për krijimin e aleancave të qëndrueshme që forcojnë pozicionin e saj shtetëror dhe ekonomik ndërkombëtar.

Maqedonia e Veriut është në një tranzicion të përzier institucional dhe politik, ku tensionet etnike dhe presionet rajonale ndikojnë në stabilitetin dhe rrugën e saj drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike²⁶. Bosnja dhe Hercegovina mbetet një rast kompleks me fragmentim etnik të theksuar, elementi që e bën atë objektiv të ndikimeve të ndara nga aktorë të ndryshëm të jashtëm, shpesh në kundërshtim me njëri-tjetrin²⁷. Në përgjithësi, vedet e Ballkanit përfitojnë nga diplomacia shumëdrejtimore, e frymëzuar nga modeli indian i balancimit mes fuqive të mëdha, i cili u mundëson atyre të manovrojnë në mënyrë fleksibile dhe pragmatike në një mjedis ndërkombëtar në tension dhe ndryshim²⁸.

Pasojat Globale dhe Rajonale

Kalimi në shumëpolarizëm rrit kompleksitetin e marrëdhënieve ndërkombëtare me pasoja të thella globale. Dobësimi i institucioneve multilaterale, rritja e garës teknologjike dhe rritja e konfliktualitetit rajonal kërkojnë adaptim dhe bashkëpunim të rinovuar²⁹. Për Ballkanin, kjo përkthehet në presione më të mëdha politike dhe ekonomike por gjithashtu në mundësinë për të luajtur rol unik midis Lindjes dhe Perëndimit³⁰.

Përfundime dhe Rekomandime

Rrjedhimisht, epoka post-unipolare kërkon menaxhim të kujdesshëm të interesave dhe forcim të bashkëpunimit ndërkombëtar. Perëndimi duhet të forcojë kohezionin dhe fleksibilitetin në politikë, ndërsa Ballkani duhet të përdorë diplomacinë shumëdrejtimore për të përballuar presionet dhe për të siguruar stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajon.
Dialogu multilateral dhe bashkëpunimi rajonal janë thelbësore për shmangien e përshkallëzimeve dhe krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm gjeopolitik. Vendimet dhe manovrat strategjike të vendeve të vogla do të përcaktojnë stabilitetin në rajonet më të ndjeshme, duke përfshirë Ballkanin.

Rekomandime

• Perëndimi duhet të rishikojë strategjitë e tij të sigurisë dhe diplomacisë, duke shmangur përshkallëzime të rrezikshme.
• Vendet e vogla dhe të mesme duhet të ndërtojnë politika elastike, të ruajnë sovranitetin dhe të përparojnë diplomacinë shumëdrejtimore.
• Ballkani duhet të forcojë integrimin euroatlantik dhe kapacitetet institucionale për të përballuar sfidat e sigurisë hibride dhe kibernetike.
• Komuniteti ndërkombëtar duhet të intensifikojë dialogun multilateral për të parandaluar që përplasjet ideologjike të shndërrohen në konflikte globale¹⁴.

Bibliografia:

1. Waltz, Kenneth (1979). Theory of International Politics. Addison-Wesley.
2. Nye, Joseph (2011). The Future of Power. PublicAffairs.
3. Mearsheimer, John (2001). The Tragedy of Great Power Politics. W.W. Norton & Company.
4. Strand, Morten (2025). “Aleanca e ferrit kinez dhe rendi multipolar autoritar.” Analizë, 04.09.2025.
5. Racaj, Muhamet (2025). “Rendi i ri shumëpolar dhe ndikimet në Ballkan.” Bota Sot, 04.09.2025.
6. Foreign Affairs (2023). Artikuj mbi rivalitetin SHBA-Kinë dhe politikat globale.
7. Journal of Balkan and Near Eastern Studies (2024). Studime rajonale mbi ndikimin ndërkombëtar në Ballkan.
8. Raporte të NATO dhe BE mbi sigurinë rajonale dhe strategjitë 2024–2025.
9. Raporte mediatike dhe zyrtare mbi aktivitetet në Pekin shtator 2025.
10. Instituti për Siguri dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (2025). Raport mbi sfidat globale dhe rajonale.
11. Raporte të analistëve ushtarakë dhe ekonomistë mbi ndikimin e teknologjive të reja në politikën globale (2024-2025).

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 183
  • 184
  • 185
  • 186
  • 187
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT