• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Naum Prifti, Bilal Xhaferi dhe frika e redaksive

September 4, 2025 by s p

Julika Prifti/

Shkrimtari Naum Prifti, i cili ka lënë pas po aq vepra të pabotuara sa ka edhe të botuara, ka edhe një pasuri të rrallë të letër-shkëmbimeve me të atin dhe dy vëllezërit më të mëdhenj të emigruar në ShBA, me shokë të Shkollës Mjekësore, si edhe me shkrimtarë të afirmuar të kohës, me lexues e krijues të rinj. 

Për fat të mirë, ashtu si edhe vëllai i tij, Peter Prifti, ai ka ruajtur letrat e dërguara dhe në disa raste përgjigjet e letrave janë të paktën në dy kopje ose janë kopjuar me dorë. Ndërsa i ndaj me kujdes materialet e pabotuara sipas zhanreve, në skenarë filmi me metrazh të gjatë, novela, tregime, përralla, libret për teatrin, librete baleti, përmbledhje këngësh të vjetra, fjalor i fjalëve të rralla, fjalor me emra lulesh, e me radhë, i vendos në një kuti më vete që e kam quajtur Korrespondenca e Naum Priftit.  

Arti i të shkruarit të letrave më ka tërhequr gjithmonë dhe ka qenë një praktikë që nuk e kam braktisur as sot por e kam kufizuar në kohët e festave, duke pranuar se teknologjia e ka modernizuar ose shfytyruar këtë formë komunikimi në sinjale e kode elektronike që transmetohen në rrjetin gjigand kompjuterik si mesazhe emejli dhe tekste që mund t’i lexosh në çdo cep të globit. Por. këto që kaloj në duar janë letra të shkruara nga dora e babait dhe ngjajnë si “tregime” të shkurtra, në të cilat letërshkruesi komunikon në nivelin më njerëzor për një hall a një shqetësim me marrësin. 

Letra drejtuar Bilal Xhaferrit (1935-1986) flet për anën personale të Naum Priftit, karakterin e tij dhe besimin për të ndihmuar këdo, pavarësisht pozitës në shoqëri, si regjisor a aktor, shkrimtar a letrar i ri, ushtar apo oficer i lartë. Nga data e letrës del se ishte koha kur ishte botuar vëllimi i parë me tregime i Bilal Xhaferit “Rrugë dhe fate” po ashtu edhe disa poezi të tij në periodikë të ndryshëm. Është i dukshëm komunikimi i tyre miqësor dhe me respekt të ndërsjellë. Babit i ka pëlqyer tregimi Hurmat “nga ana artistike”, siç shkruan ai, por në tentativat për ta botuar atë është ndeshur me ngurtësinë dhe stepjen e organeve të regjimit në krijimet “me konflikt real nga jeta jonë “. 

Besoj se leximi i letrës mjafton për ta njohur kurajën dhe shpirtin human të letërshkruesit. 

I dashur shoku Bilal! 

Letra juaj më gëzoi shumë dhe e kam lexuar më tepër se një herë. Ju falenderoj si për fjalët e mira që më shkruani ashtu edhe për respektin që keni ndaj meje. Unë nga ana ime ju siguroj se tek mua kurdoherë do të gjeni një mik,  të cilit mund t’i drejtoheni në çdo rast a për çdo gjë dhe ai ka për tu treguar i gatshëm.

Për tregimin ” Hurmat” nuk patëm fat. Në Kolegjium nuk u treguan entuziastë ashtu si kurse unë dhe bënë ca vërejtje si këto që po ju shkruaj këtu më poshtë.

  1.  Ç’do të tregojë autori dhe ku është qëllimi i tregimit?
  1. Pse një fakt i supozuar bëhet kaqë i madh?  A nuk do ishte më e drejtë sikur ai që në fillim të tregonte se s’ kishte marrë asgjë.

III. Për të nxjerrë figurën e policit të mirë, i bëri gjithë të tjerët të këqinj.

Pika e tretë qe ajo më e rëndësishmja rreth së cilës u ngjallën dhe diskutimet më të mëdha. Kundra vërejtjeve të tilla skematike është vështirë të luftosh me mjete artistike.

Unë mbeta në qëndrimin tim dhe pas disa ditësh e shpura tregimin në revistën Nëntori. Pas dy javëve edhe Ibrahim Uruçi më tha çuditërisht pikën e tretë të vërejtjeve. Atëherë e mora tregimin e po e ruaj meqenëse ju nuk keni as origjinalin. Tani nuk di si të veproj. Mendoj t’ja shpije “Zëri i Rinisë ” ose “Dritës”, po nuk do më pëlqente të veproja pa u pyetur juve.

Unë vazhdoj të mendoj se ai është një tregim i mirë nga ana artistike, me konflikt real nga jeta jonë dhe pakë i ashpër. Pikërisht këto dy gjërat e fundit i bëjnë redaksitë të stepen, sado e çuditshme që mund të duket kjo. Po gjithmonë jeta ka paradokse.

Juve si ia shpini? Shpresoj se të paktën, nuk kini ndejtur pa shkruar gjë këto muajt e fundit.

Kur tu bjerë rasti të kaloni nga Tirana mos harroni të më bëni një vizitë të shkurtër.

Ju uroj suksese në punën tuaj. Duke ju shtrënguar dorën fort, ju përshëndes me dashuri 

Naum Prifti

Tiranë, 22 -VII-964

Filed Under: Emigracion

“Shqipëria ka qenë toka e njeriut të lirë… e njeriut të ashpër dhe zemërmirë…”

September 4, 2025 by s p

Albert Vataj/

Optika më të cilën u trajtua identiteti ynë, përgjithësisht reflektoi një admirim dhe realizëm nga shumë prej atyre që e përdorën penën jo më pak dhe shpirtin për të shpërfaqur shqiptarët si një popull dhe kulturë që meritin vëmendje dhe vlerësim. Kjo përkundër disa penëthyerish që u ndikua dhe keqintepretuan çfarë ishte fakt. Por ata ishin të lënë në periferi të interesit, sepse kërkohej e vërteta dhe jo pak i shërbyen shqiptarëve me përkushtim dhe profesionalizëm. Një prej tyre ishte studiuesi italian, Roberto Morozzo della Rocca, në vitin 1989, i cili në librin e tij “Kombi dhe feja në Shqipëri 1920-1944” shkruan:

“Literatura për Shqipërinë midis shekujve XIX dhe XX, dhe jo vetëm ajo perëndimore, si rregull ka pohuar se Shqipëria në thelb nuk mund të krahasohet me asnjë vend tjetër, se ajo ka një origjinalitet të thellë, një ndryshim të pabesueshëm zhvillimi historik me popujt fqinjë. Dhe në të vërtetë, ndjenja e të qënurit veç të tjerëve është në themel të çdo nacionalizmi e partikularizmi. E pra Shqipëria dhe shqiptarët janë trajtuar nëpërmjet stereotipeve me efekt: një vend i egër dhe i pastër, një popullatë e papërkulur dhe gjakatar; një krahinë dhe një qytetërim midis Lindjes dhe Perëndimit, midis pazarit dhe monumenteve të klasicizmit; nën ndikimin e një mijë kulturave të asimiluara keq dhe në realitet me kulturën e vetme të natyrës dhe të forcës; me fjalë të tjerë një vend që të shokon. “Për një udhëtar që hyn në Shqipëri- shkruhej në vitet ’30- udhëtimi duhet filluar duke lënë mënjanë çdo term krahasimi që të vjen ndërmend nga zakoni. Në Evropë është Londra është edhe Tirana…”

Gjykimi për pakrahasueshmërinë e Shqipërisë bazohej më tepër në efekte sesa në njohjen me një vend që konsiderohej si ekzotik, i mbetur jashtë mendohej tërësisë së kombeve të qytetëruara, tërheqës nga ana natyrore, me gjuhë e zakone të lashta dhe ekskluzive. Miti i Shqipërisë si një vend unikal përjetësohej me një dozë të mirë retorike, duke konfirmuar me ndonjë përshtypje të jashtme çka ishte “zbuluar” ndoshta edhe para se të shihej e të verifikohej. Nuk të habit fakti se autorët evropianë të frymëzimeve të ndryshme kanë ekzaltuar Shqipërinë e vogël me të njëjtën retorikë të natyrës magjepsëse, të qiellit të pastër dhe të detit të kaltër, të luginave të qeshura dhe bregdetit plot dritë.

Por deshifrimi i këtij miti të Shqipërisë nuk është i lehtë, sepse shumë veta e kanë parë vendin e vogël adriatikas si një prizëm nëpërmjet të cilit mund të projektonin ëndrrat dhe ankthet e veta. Shqipëria ka qenë toka e njeriut të lirë ose e njeriut të egër të mirë, e njeriut të ri ose e njeriut primitive, e lirisë ose e tiranisë; e komunizmit të realizuar ose e gulagut pranë shtëpisë; parajsë e papërlyer ose mbeturinë e botës së lashtë. Ndoshta më pranë së vërtetës ishin ata që e shikonin origjinalitetin e Shqipërisë në shkretëtirën e një vendi të ekspozuar ndaj pushtuesve, i detyruar përherë të mbrohej kundër botës së jashtme, i prapambetur sepse ishte në kufi, si të qytetërimit perëndimor, ashtu edhe atij lindor.”

Filed Under: Kulture

NË NJË BOTË QË NDAHET MES DY BOSHTEVE, KOSOVA DUHET TË ZGJEDHË PA HEZITIM: SHBA-të

September 4, 2025 by s p

Faton Bislimi*/

Presidenti i Serbisë mori pjesë në një paradë ushtarake në Kinë — krah për krah me përfaqësues të Rusisë, Koresë së Veriut dhe vendeve që përfaqësojnë boshtin e ri autoritar global. Nuk ishte një vizitë protokollare. Ishte një deklaratë politike me ngjyrime të qarta ideologjike e strategjike: Serbia po e thellon partneritetin e saj me shtetet që sfidojnë rendin demokratik perëndimor.

Ndërkohë, Kosova — shteti me popullin më pro-amerikan në Europë dhe simbol i ndërhyrjes humanitare të NATO-s — rrezikon të mbetet e paqartë dhe e hutuar në pozicionin e saj ndërkombëtar, për shkak të mungesës së unitetit të brendshëm dhe mjegullës strategjike në lidershipin e tanishëm.

Në një kohë kur bota po ndahet gjithnjë e më qartë midis dy boshtesh – atij ruso-kinez, që promovon autoritarizmin dhe përmbysjen e vlerave demokratike, dhe atij euro-atlantik, që mbron lirinë, sovranitetin dhe të drejtat e njeriut – Kosova nuk ka luksin të qëndrojë neutrale apo konfuze. Aleanca me SHBA-në nuk është luks – është mbijetesë.

Që nga dita e parë e përfshirjes sime në çështjen e Kosovës në Washington, e kam kuptuar një gjë me qartësi të plotë: SHBA-të nuk janë vetëm aleati ynë strategjik – janë arkitekti i shtetit tonë. Pa Amerikën, nuk do të kishte NATO më 1999, nuk do të kishte pavarësi më 2008, dhe nuk do të kishte përkrahje në sfidat që kemi përballuar.

Por sot, kjo aleancë ka nevojë të ripërtërihet – jo në fjalë, por në vepra. Nuk mund të kërkojmë mbështetjen e SHBA-ve, nëse sjellja jonë politike prodhon vetëm përçarje të brendshme dhe konfuzion ndërkombëtar.

Ne nuk mund të jemi partnerë strategjikë me Amerikën, ndërkohë që minojnë kredibilitetin tonë ndërkombëtar.

Serbia po zgjedh anën e gabuar të historisë – Kosova duhet të zgjedhë të kundërtën!

Pjesëmarrja e Vuçiqit në paradën e Pekinit është simbolikë e rrezikshme për rajonin. Ajo nuk është e rastësishme. Ajo tregon qartë se Serbia nuk ka ndërmend të heqë dorë nga pozicionet e saj revanshiste, por kërkon të forcohet përmes lidhjeve me Moskën dhe Pekinin – dy qendra të fuqishme anti-NATO dhe anti-perëndimore.

Kjo duhet të shërbejë si zgjim për të gjithë ne: rajoni i Ballkanit është sërish në fokusin e përplasjes globale mes dy botëve. Fundja siç e ka thënë edhe Samuel Huntington, vijat e përthyerjes së civilizimeve kalon mu përmes tokave tona. Dhe Kosova nuk guxon të mbetet e papërcaktuar, pa vizion dhe pa një lidership që di të orientojë qartë shtetin.

Ky është momenti për kthjellje dhe për përgjegjësi, assesi për ndasi!

Kjo krizë globale nuk është një krizë larg nesh. Ajo është edhe e jona. Sepse nëse Kosova nuk tregon pjekuri politike, rrezikon të humbasë jo vetëm besimin e miqve, por edhe drejtimin si shtet.

Nuk është koha për protagonizma personale. Nuk është koha për debate boshe. Është koha për bashkim institucional, për maturi shtetërore dhe për një rikthim strategjik të Kosovës në qendër të vëmendjes së SHBA-ve dhe Perëndimit.

Për këtë, vendit i duhet një lidership që flet me zë të besuar në Washington, që njihet në Berlin, Londër e Bruksel – dhe që ka integritet, përvojë dhe vizion për të udhëhequr në kohë krize.

Për më shumë se 20 vjet, kam folur për Kosovën – në Kongresin Amerikan, në universitete të mëdha, në tryeza ku është vendosur e ardhmja jonë. Dhe këtë nuk e kam bërë për të ndërtuar karrierë personale, por sepse e kam ndier si detyrë të shenjtë ndaj popullit tim.

Por sot, në këtë moment kritik për vendin, nuk mjafton më vetëm të flasësh. Duhet të veprosh.

Kosova ka nevojë për zë të qartë. Për përfaqësim të denjë. Për udhëheqje që e di ku qëndron historia dhe në cilin krah duhet të qëndrojë Kosova.

Zgjedhja është e thjeshtë – por kërkon vizion dhe urtësi!

Ne kemi dy opsione përpara:

1. Të rrëshqasim drejt një zone gri politike e diplomatike, ku miqtë tanë lodhen dhe armiqtë tanë forcohen.

2. Ose të ringrihemi me dinjitet, të rifillojmë bashkëpunimin serioz me SHBA-në dhe të forcojmë pozicionin tonë si aleat i palëkundur i botës demokratike.

Unë besoj te opsioni i dytë. Dhe jam po angazhohem për të, më shumë se kurrë më parë.

Koha për të ndërtuar një kapitull të ri për Kosovën është tani!

Kosova nuk ka nevojë për liderë që ndjekin frymën e ditës. Ka nevojë për vizionarë që e ndiejnë peshën e historisë dhe përgjegjësinë për të ardhmen.

Tani është momenti të vendosim: A do të jemi pjesë e botës që na ndihmoi të çlirohemi dhe të ndërtojmë shtetin, apo do të rrezikojmë të izolohemi në një rajon që afrohet gjithnjë e më shumë me vlerat e errësirës?

Unë besoj se qytetarët tanë janë të vetëdijshëm. Ata e dijnë kush janë miqtë tanë të vërtetë. E dijnë çfarë përfaqëson Amerika për ne. Dhe e dijnë që e ardhmja e Kosovës është në Perëndim. Dhe ajo fillon me një lidership të ri, të përgjegjshëm dhe me vizion.

Kosova duhet të zgjedhë qartë, pa hezitim: Demokracinë, miqësinë me SHBA-të, dhe një udhëheqje që qëndron për këto vlera.

Ky është angazhimi im.

*Faton Bislimi është ish-Deputet i Kosovës dhe avokues i kauzës kombëtare në Washington, DC.

Filed Under: Interviste

Rikthimi i Skënderbeut në skenat europiane

September 4, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Lista e kompozimeve të rralla të kryera nga Antonio Vivaldi përfshin edhe operën “Scanderbeg”. Kjo vepër muzikore e veçantë u shfaq për herë të parë më 22 qershor 1718 në Teatro della Pergola në Firence, Itali. Ishte pikërisht kjo opera që përuroi rihapjen e teatrit për publikun, duke shënuar një moment të rëndësishëm në jetën kulturore të qytetit. Libreti u shkrua nga Antonio Salvi, libretisti i preferuar i Dukës së Toskanës, Ferdinando de’ Medici, nga familja e fuqishme e Mediçëve, e cila kishte një rol të jashtëzakonshëm në mbështetjen e artit dhe muzikës në Itali gjatë shekujve XVI–XVIII.

Fakti që Vivaldi zgjodhi figurën e Skënderbeut për këtë rast madhështor nuk ishte rastësi. Ai tregonte se heroi shqiptar, i cili kishte vdekur pothuajse tre shekuj më parë, vijonte të kishte një ndikim të fuqishëm në kujtesën dhe imagjinatën e Europës. Skënderbeu shihej si mbrojtës i qytetërimit perëndimor, si një udhëheqës që përballoi fuqinë osmane dhe që simbolizonte heroizmin, lirinë dhe virtytet kalorësiake. Në kontekstin e shekullit XVIII, kur Venecia, Firence, Napoli e shumë shtete të tjera italiane vijonin të përballeshin me kërcënime nga Lindja dhe me kujtimet e betejave të mëdha kundër turqve, figura e Skënderbeut përjetonte një ringjallje të re artistike.

Opera “Scanderbeg” e Vivaldit, e ndërtuar mbi libretin e Antonio Salvit, nuk është një rikrijim i ftohtë i jetës së heroit, por një interpretim artistik i frymëzuar nga motivet e tij historike. Veprat e tilla shpesh ndërthurin realitetin me elementë të trillimit, duke i dhënë një dimension teatror dhe emocional që i ftonte spektatorët të shihnin te Skënderbeu jo vetëm një luftëtar, por edhe një figurë universale të virtytit dhe tragjedisë.

Në libret shfaqen episode të betejave kundër osmanëve, përplasjet e dhimbshme për liri dhe dashuria e heroit për atdheun. Skënderbeu paraqitet si udhëheqës i vendosur dhe i pathyeshëm, por njëkohësisht edhe si figurë njerëzore që përjeton dilema, ndjenja dhe pasione. Opera përfshin intriga politike, tradhti dhe sakrifica, duke e vendosur heroin shqiptar në qendër të një rrëfimi që përkon me modelin e operës serio të kohës: një përzierje e epopesë historike me dramën personale dhe morale të personazheve.

Figura e tij ndërlidhet me motivet e dashurisë dhe besnikërisë, ku dashuria nuk është vetëm pasion personal, por edhe metaforë e lidhjes së tij të pathyeshme me vendin dhe popullin që ai mbron. Skënderbeu del si simbol i një bote ku nderi dhe detyrimi ndaj atdheut janë më të forta se çdo interes tjetër.

Nëpërmjet kësaj opere, Vivaldi dhe Salvi sollën jo vetëm një homazh për një figurë të ndritur historike, por edhe një reflektim mbi identitetin europian të shekullit XVIII. Në skenën e Firences, Skënderbeu nuk ishte më thjesht një prijës shqiptar, por një figurë universale që mishëronte idealet e lirisë dhe rezistencës kundër tiranisë.

Opera “Scanderbeg” ishte gjithashtu dëshmi e mënyrës se si kultura muzikore dhe teatrale italiane i shihte shqiptarët dhe figurën e tyre më të ndritur. Duke u vendosur në qendër të një vepre muzikore të një gjeniu si Vivaldi, Skënderbeu bëhej pjesë e një kujtese të përbashkët europiane, ku arti dhe muzika ishin ura që lidhën historinë shqiptare me kulturën perëndimore.

Fakti që sot opera “Scanderbeg” dhe vetë figura e heroit shqiptar po rikthehen në kujtesën kulturore të Europës dhe Italisë është dëshmi e përjetësisë së mitit të Skënderbeut. Në këtë rikthim, ai nuk është më vetëm një figurë e kronikave të betejave, por një simbol i dialogut mes kulturave, i rezistencës për liri dhe i ndërgjegjes së përbashkët europiane. Skënderbeu, i ringjallur nga muzika e Vivaldit në skenën e Firences më 1718, vazhdon të udhëtojë edhe sot nëpër hapësirat e kulturës europiane, duke na kujtuar se heronjtë e historisë nuk i përkasin vetëm një kombi, por gjithë njerëzimit.

Filed Under: Politike

105 vjet nga Lufta-epope e Vlorës, (3 shtator 1920 – 3 shtator 2025)

September 4, 2025 by s p

Bujar Leskaj/

Këtë vit , më 3 shtator 2025,përkujtojmë 105 vjetorin e Luftës së Vlorës, e cila është skalitur si një ngjarje historike me rëndësi të jashtëzakonshme kombëtare dhe vendimtare për ekzistencën e shtetit shqiptar dhe mbrojtjen e identitetit tonë.

Katër janë kulmet e historisë së shtetit shqiptar, të cilat ngjyrosin krenarinë dhe identitetin tonë kombëtar: Pavarësia (28 Nëntor 1912), shpallur nga Babai i Kombit Ismail Qemal Vlora, Epopeja e Skënderbeut (1443-1468), Lidhja e Prizrenit (1878) dhe Lufta e Vlorës (1920).

Lufta e Vlorës zgjati tre muaj dhe ishte një lëvizje e madhe për të mbrojtur qytetin e Vlorës, por edhe Shqipërinë nga copëtimi total që do i bënin pushtuesit italianë.

Lufta e Vlorës ishte një ngjarje ku shqiptarët u ngritën në këmbë kundër pushtuesit të huaj, të bazuar vetëm në forcat e tyre, pa u ndihmuar ushtarakisht nga askush.

Beteja për Vlorën (29 maj-3 shtator 1920) ishte një përballje krejt e pabarabartë e 4 mijë luftëtarëve shqiptarë të keqarmatosur, të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare, por shumica lebër, të vetëorganizuar, pa mbështetje financiare dhe logjistike, me përjashtim të dashurisë dhe sakrificave të popullit të Vlorës, dhe mbi 22 mijë ushtarëve të rregullt, të armatosur deri në dhëmbë, të inkuadruar në dy divizione të një ushtrie ndër më modernet dhe të pajisurat e kohës, ushtrisë italiane.

Lufta e Vlorës ngërthen një ngjarje historike të rëndësisë madhore kombëtare, e cila u tregua vendimtare për ekzistencën e metejshme dhe pavarësinë e plotë të shtetit të ri shqiptar, të formuar tetë vite më parë, por të gjymtuar nga pasojat e Traktatit të fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915 dhe vënë në pikëpyetje nga ushtritë që përshkuan territorin shqiptar gjatë Luftës së Parë Botërore 1914-1918, një pjesë e të cilave vijuan të qëndronin edhe pas përfundimit të kësaj Lufte.

Fitorja e Luftës së Vlorës festohet nga vlonjatët dhe shqiptarët gjithmonë me po atë rëndësi që i jepet edhe 28 nëntorit 1912, pasi 3 shtatori 1920 është rishpallja e Pavarësisë Kombëtare të përmbysur nga Lufta e Parë Botërore.

Në 2 shtator 1920 u liruan nga ishulli i Sazanit 1760 vlonjatë të internuar. Në këmbim të tyre u liruan edhe robërit italianë (rreth 1400 ushtarë dhe oficerë që mbaheshin në fshatin Vajzë e Tepelenë.)

Në 3 shtator 1920 u festua me madhështi fitorja e Luftës së Vlorës. Çeta e parë që hyri në Vlorë ishte Çeta e Velçës, çeta që kishte më shumë dëshmorë në këtë luftë.

Flamuri i fitores u ngrit po atë ditë, në 3 gusht mbi varrin e Ismail Qemalit, në Kaninë, nga një mysliman nga Jugu, major Ahmet Lepenica dhe një katolik nga Veriu At Shtjefën Gjeçovi.

Sot, në 105 vjetorin e Luftës së Vlorës, do të doja të kujtoja të gjithë ata trima të Labërisë, Vlorës e Shqipërisë, të cilët derdhën gjakun e nuk i rreshtën kurrë përpjekjet për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë.

Do të doja të kujtoja të gjithë anëtarët e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, Sali Bedini, Hamit Selmani, Duro Shaska, Hazbi Cano, Beqir Sulo, Ali Beqiri, Alem Mehmeti, Hysni Shehu, Qazim Kokoshi, Murat Miftari dhe Myqerem Hamzaraj.

Do dëshiroja të kujtoja me nderim e respekt të veçantë kryetarin e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, patriotion e shquar Osmën Haxhiu.

Sot kujtojme me veneracion komandantët e Luftës Ahmet Lepenica, Qazim Koculi dhe Mehmet Selim Mallkeqin, i cili i dorëzoi komandës italiane ultimatumin e Luftës së Vlorës 1920. Për aktin e fortë të këtij luftëtari ne ende nuk kemi një përmendore në Vlorë, apo nje basoreliev dinjitoz përpara bashkisé .

Përmendorja e kapedan Sali Vranishtit, punuar mjeshtërisht nga skulptori i shquar Mumtaz Dhrami , ende po pret të vendoset në Vlorë.

Drejtuesit politikë dhe kapedanët e Luftës së Vlorës 1920 duhet të vendosen në Panteonin e Lirisë !

Kjo do/ duhet të ndodhë, sepse gjaku i luftëtarëve vlonjatë dhe të gjithë Labërisë ,dhënë për liri e pavarësi nuk harrohet, nuk zhbëhet, e nuk zëvendësohet me pllaka e ngrehina betoni pa kuptim, sepse gjaku dhe mesazhi i patriotëve vlonjatë nuk harrohet, por nderohet e lartësohet.

Data 3 shtator ende nuk është festë kombëtare, megjithëse në ndërgjegjen e popullit është nga datat kulmore të historisë së Shqipërisë, është Lufta e heronjve që ranë për liri e na lanë Shqipëri!

Në 50 vjetorin e Luftës së Vlorës, luftëtarët e saj u vlerësuan nga regjimi i kohës, por me shumë kufizime e mënjanime për arsye politike.

Do të ishte demokracia dhe veçanërisht presidentët e nderuar të Republikës Bamir Topi, Bujar Nishani dhe Ilir Meta në 100 vjetorin e saj, që do të vendosnin në piedestalin më të lartë të vlerësimeve kombëtare heronjtë, drejtuesit, komandantet, dëshmorët dhe figurat politike dhe shoqërore të kohës që mundësuan këte Luftë – Epope.

Lavdi dëshmorëve, heronjve dhe kapedanëve të Luftës së Vlorës 1920!

Gjithmonë jemi dhe mbetemi borxh të Luftës së Vlorës 1920 dhe heronjve të saj!

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 184
  • 185
  • 186
  • 187
  • 188
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT