• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHKODRA NË “RRETHIMI”- n E ENKEL DEMIT

January 13, 2023 by s p

Frano Kulli

C:\Users\User\Desktop\FRANOJA personale\Frano.jpg

Unë nisa me e lexue “Rrethimi”- n e Tom Kukës (Enkel Demi) , me kërshërinë e shfaqur se çka do të gjeja interesante në vizatimin artistik të një copë kohe e të një peisazhi të  Shkodrës, atij qyteti, skena më e rëndësishme e teatrit të ngjarjeve historike, sidomos atyre të fillimshekullit të njëzetë dhe për më saktë, tetor 1912-prill 1913. Lufta e parë ballkanike, sulmi dhe pushtimi i Shkodrës nga Mali i Zi dhe ballas, qëndresa mbijetike e qytetit në rrethanat e pushtimit. Ky, është në të vërtetë sfondi historik që tejkqyret  matanë ngjarjeve të romanit të Enkel Demit, kurse ngjarjet e romanit, diku të vërteta e diku fiction, sikurse edhe personazhet mbartës e livrues (lëvizës) të këtyre ngjarjeve, gjithashtu të dyzuar, zënë fill prej historisë së një fotografie.

Këtu nis romani, kjo është pika prej nga autori i kundron ngjarjet e luftës, por aspak si një kronikan i saj. Është jeta qytetëse por e shtjellur (zhvilluar, shpërfaqur) në pelikulen  imagjinare të autorit. Se Kolë Laca, përreth të cilit nis e shtjellohet linja parake e romanit nuk është Kolë Maca, fotografi i njohur i Shkodrës, të cilin na e ka njoftuar më së miri studiuesi i historisë së fotografisë në Shqipëri, Qerim Vrioni, sikurse është e vërtetë historia e Gjon Palit, i cili, i varruem (plagosur) jep shpirt në duart e së bijës dhe fotografi Maca gjindet aty me atë kutinë e madhe të zezë, mbështetur mbi trikëmbësh për të bërë punën e pasionit së tij, atë të fotografit, një punë e zeje që asokohe, e sapo ardhur në qytet si shpikje e Europës , një djalosh që merrej me të e bënte me flatra. Kurse në kundrimin e autorit Tom Kuka, mbi shpalimin e zgaqjen e së mbrendshmes së djaloshit artist ndërtohet linja vezulluese e dashurisë ndërmjet të rinjëve të gjëndur rastësisht kundruall; njëra e pikëlluar  përtej kufinjëve të dhimbjes për babain që po i fikej me kokën në duart e saj e tjetri, duke vjelë e disenjuar dhimbje që ta çan gjoksin për ta nderë mbi pelikulen e ftohtë…

Qyteti, i gjëndur  i rrethuar pabesisht ka dy palë të përkundruallta; ushtria që gjuan me top pa ja dá dhe qytetasit që mbrohen, struken, lëvizin kaleças (ngadalë, pa u ndjerë) më tepër në terr se në dritë, më tepër natën se ditën. Të unshëm të etshëm deri në zi…”Zorrët u kërsisnin më shumë se pushkët”. E në mes Tom Kuka (emër kaq fort i dashur për Enkel Demin, saqë e do përveçse emrin e vet autorial në krejt shkrimësinë e tij romanore edhe emër të personazhit të vet më simpatik këtu) majë dyrrotakut të tij, që bredh mahallë në mahallë tue përcjellë parandjenjën e tij se në cilin kopësht ka rá gjylja e në cilin oborr ka me rá tjetra, simbas alibisë së tij të ndërtuar edhe simbas përndjekjes që ai i bënte kronikës së veprimit në front. – Po bjen n’udhakryq – thërriste njëherë; – po e then qafen në Xhabije, tjetrën herë. E kështu herë mbas here i kishte ra kryq e tërthuer krejt qytetit të rrethuem…

Paralel me Tomën mbajë dyrrotakut shkon e vjen “I premtuemi” , që gati si një somnabul lëshon spikamën e tij rrugicë në rrugicë, anës mureve të avllive me gurë të rrumbullaktë të Kirit e pranë kopshtijeve: “Unë jam i premtuemi…kërkoj…”. 

“I premtuemi”, në të vërtetë kërkonte të zezën e vet. Atij ia kishin thënë se qe i premtuar për Trinën, qysh kur ata ishin në djep,motakë, prej Gjon Palit, të atit. Gjoni kishte vdekë, po fjala kishte mbetë se fjala nuk varroset. E fjala e dhënë peshon rëndë. Me këtë barrë në shpirt, të rëndë sa vetë nderi i malsorit “I premtuemi…” kish zbrit prej malesh  e endej nëpër qytet në kërkim të tij, të nderit. Me e mbrojt atë (nderin pra) me çdo kusht sublim. Krejt përkundruall tij i bjen me qenë Kolë Laca, lidhja e të cilit me Trinën që pati lind si lidhje zemrash, lidhje e përjetëshme.Të përkundërtat kanë zgjidhje të ndryshme. Mirëpo, koha dhe vendi i njëjtë i ngatërron ato… I premtuemi e “don gjanë e vet” edhe pa e dijtë mirëfilli se çka asht gjëja e vet, porse kështu është fjala e fjala është kthyer në sendin që të takon, e sendi që të takon, robi i premtuem pra, është gjë e çmuar që  mbrohet edhe me pushkë. Kurse për Kolë Lacen, gjëja e vet është…Dritëshkronja, së cilës për ta mbrojtë…i ven drynin dhe kaq. E as i shkon mendja mendja me e mbrojtë me pushkë. Ai nuk din si nxirret ajo prej millit. Për të njéri nuk është mall. E mos o Zot Trina; ajo për të është shpirt, frymë, është hyjní. Por…qe se vendi, koha i pshtjellojnë gjendjet e veprimet e cilitdo. E ja që…

-Duhet me e mbrojtë gruen tande, familjen tande. Duhet me ia mbyllë gojën këtij cubit – i thotë Marta e Dodë Bibës e fjalët e saj e bënë të brofte në këmbë. Vajza e princit të Mirditës po i kërkonte të mbronte familjen… Ajo që deri tash i kishte bërë strehë dashurisë së tyre dhe embrionit të familjes së tyre njëherëshi, gjithashtu, në atë “minaren” e saj e e kishte mbrojtë atë, më të shtrenjtën e tij, tani po i kërkonte mbrojtjen me të njëjtat mjete si ato “të premtuemit”…

Hasan Riza Pasha, aludimi për vrasjen e tij prej  Esat Pashës, që njëri pas tjetrit i bie të kollonisin qytetin e rrethuem në qëndresën e mbijtesën e tij e deri te Çerçiz Topulli , që janë personazhe të dorës së parë në histori, janë të dorës së dytë në roman, çka ta bën të plotbesueshëm kumtin e Tomës (Enkel Demit), se ai nuk merr përsipër të rishkruajë historinë e tyre që është vetëm një cak në rrethim i historisë së Shkodrës. Mjaft më në plan të parë të “vizatimit” të rrethimit janë Osoja i falltores , Qazim Quku a Gjiacinto Simini, Seit Saiti e Harapi i Beledijes, Hoxhë Kadria i Xhamisë së plumbit a dom Luigji a Imzot Jak Serreqi. Sikurse edhe gjuha bisedore e tyre është gjuha qytetëse shkodrane a e rrethinave: njitesh-tani; a je i marrë a shtihesh  (frazeologji e përveçme e atij qyteti); motet kishin shkuar dhe mbeten vetëm këngët – frazeologji; haliçët – gurët e vegjël që futen ndërmjet gurëve të gdhendur të murit prej guri; Malësori i ri shkon me një vandak ferrash e i hedh në tymtar…; mica (macja) kur i shkel bishtin; kaçamak (qull i thonë malësorët); dhjakut Simon (djakoni – xhakù, i thonë në Shkoder), çmimi qe kacafiu (i lartë përtej të iamgjinueshmes) etj etj…

E duke kundruar kështu, skenë mbas skene e përshkrim mbas përshkrimi kalon deri në fund, me një frymë, nëpër ferrin e “Rrethimi”-t të Enkel Demit, duke u përmbushur kështu me të tjera dije që të vijnë nga ajo kohë, prej rrëfimeve e ndodhive të treguara që kanë kapërcyer së paku katër breza për t’u shënuar si gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tënde. Fundja a s’është edhe kjo një shërbesë për ty që, diç do më shumë të dish e të ushqehesh me pak më shumë dije e përjetim nga e shkuara e antropologjisë tënde kulturore?

C:\Users\User\Desktop\botashqiptare.Enkel_Demi_Rrethiminsp-134.jpg

Filed Under: Kulture Tagged With: Frano Kulli

McCarthy: Një lider i dobësuar apo i shpëtuari i trimëruar?

January 13, 2023 by s p

Analizë nga Rafael Floqi /

UASHINGTON – Pas katër ditësh ngërçi dhe disfatash që nuk janë parë në një shekull, udhëheqësi i GOP-së të Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy më në fund krijoi një rrugë për të qetësuar një fraksion rebelësh të Partisë së tij republikane dhe për të siguruar postin e lartë të shtunën herët, me premtime që mund t’i kthehen kundra duke e përndjekur atë .

McCarthy bëri që 14 kundërshtarë të hiqnin dorë nga pozitat e tyre dhe e bindi pjesën tjetër të tërhiqej, duke siguruar zgjedhjen si kryetari i 53-të i Dhomës në votimin e 15-të, pasi kapërceu një hall të minutës së fundit që i prishi planet e tij më të mira të votimit të mëparshëm. 

Duke vepruar kështu ai u bëri një sërë lëshimesh, që e dobësojnë fuqinë e pozitës së zyrës së tij dhe zgjerojnë ndikimin e anëtarëve të ekstremit të djathtë të konferencës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, gjë që kritikët thonë, se mund t’ia  komplikojë punën e tij të mëtejshme të qeverisjes nën një shumicë të vogël ndaj demokratëve. 

McCarthy dhe aleatët e tij e ndienin se ishin në prag të një fitoreje të enjten mbrëma pasi republikania Francis Hill nga Arkansas dhe të tjerë u takuan me mbështetës të krahut të djathtë – duke përfshirë përfaqësuesit Scott Perry nga Pensilvania, Chip Roy nga Teksasi dhe Byron Donalds nga Florida. Rebelimi  u drejtua nga anëtarët e grupit të Dhomës së Lirisë të djathtë, e cila njihet për zotërimin e pushtetit të papërpunuar dhe tolerancën e lartë ndaj veprimeve të lirshme për t’i detyruar udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuesve të GOP-së, të përkulen sipas dëshirave të tyre. 

Ekipi i McCarthy u paraqiti atyre një “kornizë” të ndryshimeve të rregullave të Dhomës së Përfaqësuesve dhe premtime të tjera që do ta qetësonin grupin – dhe që përfundimisht bëri që gjashtë anëtarë të Dhomës të votonin “të pranishëm”, në një lëvizje vendimtare që e uli pragun për një shumicë dhe hapi rrugën që ai të kishte sukses. 

“Dje në mbrëmje patëm një vizitë inkurajuese. Dhe ne u inkurajuam para se të shkonim në shtrat që kur të ngriheshim në mëngjes, do të kishim një seancë të mirë pune, “tha Hill të Premten. “Gjatë mëngjesit, ndiheshim sikur kishim bërë përparim.”  Perry, kryetar i Grupit të Grupit të Lirisë, tha të premten se ai vendosi të votonte për McCarthy-n pasi korniza e kërkesave të tyre u pranua në tryezë. Por ai gjithashtu e bëri të qartë se mbështetja e tij për McCarthy-n ishte e kushtëzuar nga kushtet e marrëveshjes.

“Nëse korniza shpërthen, unë jam jashtë,” u tha ai gazetarëve. Kevin McCarthy (R-CA) nuk arriti të fitonte më shumë se 218 vota në disa fletë votimi; kjo qe hera e parë në 100 vjet që Kryeparlamentari nuk u zgjodh qysh në votimin e parë. 

Paketa e rregullave republikane e pranuar të premten përfshinte këto lëshime. Ajo do të lejojë që çdo anëtar ta detyrojë me një “mocion për të liruar” karrigen, kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe ta rrëzojë atë. Kjo e bën më të vështirë për Dhomën e Përfaqësuesve, që të rrisë shpenzimet, taksat dhe kufirin e borxhit. Dhe Perry tha se marrëveshja përfshinte edhe një “përfaqësim konservator” në të gjithë Dhomën, duke përfshirë shtimin e numrit të anëtarëve të krahut të djathtë në komisionet kryesore. 

Perry dhe Roy nuk pranuan të zbulojnë detaje, por dy burime me njohje për situatën i thanë NBC News se Grupi i Grupit të Lirisë po kërkonte tre vende në Komitetin e fuqishëm të Rregullores, i cili kontrollon projektligjet që paraqiten në dhomën e Përfaqsuesve. “Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Komisioni i Rregullores të reflektojë organin dhe të pasqyrojë vullnetin e popullit. Dhe kjo është një pjesë e këtij kuadri,” u tha Roy gazetarëve të premten. “Ajo për të cilën kemi rënë dakord në kuadër, do të duhet të ketë llogaridhënie. Ne duhet të jemi në gjendje të vazhdojmë të besojmë se do të jemi në gjendje të zbatojmë kuadrin e asaj për të cilën kemi rënë dakord.” 

Ndërsa përpjekjet e ish-presidentit Donald Trump për t’u bërë presion republikanëve për të mbështetur McCarthy-n në fillim të javës dështuan, ai po organizonte mbështetësit me telefon të premten dhe organizoi disa telefonata trepalëshe me McCarthy-n. Ai synoi që dy anëtarë të veçantë: Rep. Matt Rosendale nga Montana, një kandidat i mundshëm për Senat dhe Rep. Eli Crane nga Arizona, të ndërronin mendje, tha një këshilltar i Trumpit. Të dy ata votuan të pranishëm në votimin përfundimtar.

Marrëveshja është gati të rrisë fuqinë e republikanëve të ekstremit të djathtë në kurriz të të moderuarve që duan të avancojnë legjislacionin që mund të fitojë edhe miratimin në një Senat të kontrolluar nga demokratët dhe presidenti Joe Biden. Kjo mund ta bëjë detyrën e McCarthy-t për miratimin e  projektligjet e domosdoshme si financimet nga Qeveria dhe heqja e tavanit të borxhit shumë më e vështirë nën një shumicë të vogël në Kongres , nëse një grup prej pesë republikanësh mund ta bllokojnë atë në çdo kohë.

Prapëseprapë, republikanët më të moderuar ose më të zakonshëm i bënë pak rezistencë paktit për të cilin ranë dakord liderët e partive, dhe disa e pranuan atë si një kosto e të bërit biznes nën kufij të ngushtë. 

“Ata nuk duhet të shqetësohen për mua. Unë paraqitem për çdo praktikë,” tha Rep. Mike Kelly, një republikan nga Pensilvania.

Kevin Smith, një ish ndihmës i kryetarit të pensionuar të GOP, John Boehner, tha se McCarthy e meriton mundësinë për të qenë kryetar, por paralajmëroi se kërkesat e anëtarëve të djathtë mund ta dëmtojnë Dhomën.

“Nëse anëtarë të caktuar të konferencës duan më shumë role drejtuese, atëherë ata duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të demonstruar lidership, në vend që të shkatërrojnë institucionin,” tha Smith.

Demokratët thonë se lëshimet e raportuara do ta bëjnë Dhomën e pa qeverisshme dhe do të shkaktojnë kriza.

“Ajo që ne po shohim është zvogëlimi i pabesueshëm i rolit të Speakerit ,” tha ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi në një intervistë të premten. “Nuk është gjë e mirë për Dhomën e Përfaqësuesve. Ne jemi shtëpia e popullit. Duhet të negociojmë me Senatin. Duhet të negociojmë me Shtëpinë e Bardhë. Dhe në vend të kësaj, ne po zvogëlojmë rolin udhëheqës të Dhomës.”

Dhoma e Republikanëve do të votojë siç ka premtuar për projektligjet për të kufizuar abortin dhe emigracionin. Përf. Jim McGovern, një demokrat nga Massachusetts dhe kryetari më i fundit i Komitetit të Rregullores, tha se vendosja e tre anëtarëve të Grupit të Lirisë në panel, i cili zakonisht ndahet 7 me 4 midis palëve, mund të pengojë ambiciet e kryetarit të ri të Dhomës së Përfaqësuesve. 

“Arsyeja pse këta njerëz duan të jenë në Komitetin e Rregullores është se duan t’i prishin gjërat për McCarthy-n. Ata duan të mikromenaxhojnë çdo gjë që ai sjell në sallë,” tha McGovern. “Ai ka dhënë gjithçka, përfshirë dinjitetin e tij, në përpjekje për t’u bërë kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve. Dhe kur  ai të bëhet kryetar i Dhomës ë Përfaqësuesve, atëherë makthet e tij sapo do fillojnë.” 

“Ai mendon se kjo është e keqe – çfarë po kalon tani? Ai nuk ka parë asgjë akoma, bazuar në ata që mund të rezultojnë.”

Disa anëtarë në GOP thanë se mund të ketë një mënyrë për të parandaluar që Komisioni i Rregullave të bëhet një pikë mbytëse për legjislacionin që mbështet shumica e konferencës.  

“Teorikisht, ju mund ta përballoni këtë duke rritur madhësinë e komisionit,” tha përf. Mark Amodei, një republikan nga Nevada. “Gjithçka është e mundur.” 

Rep. Mario Díaz-Balart, një republikan nga Florida, tha se ai nuk shqetësohet se ndonjë person mund të detyrojë një votim për filluar procesin për të liruar karrigen e kryetarit. “Realiteti është se pesë republikanë tani mund të ndalojnë gjithçka,” tha ai.  Ai tha se rregullat do të decentralizonin vendimmarrjen në grup. “Do të jetë e vështirë,” tha ai, ndërsa e mbrojti atë si një proces më të mirë se sa si Pelosi, kur një kryetarja e Dhomës së përfaqësuesve i merrte të gjitha vendimet vetë.

Gjatë gjithë bisedimeve me dyer të mbyllura, McCarthy i informoi të moderuarit për lëshimet e mundshme ndaj konservatorëve, tha Rep. Don Bacon, një republikan i Nebraskës. Mesazhi që lideri mori nga qendrat e tij që bëjnë marrëveshje ishte : Ne mund të jetojmë, duke u dhënë vende të komisioneve të anëtarëve të Grupit të Lirisë, por përgjigja pwr dhëniet e kryesive së komisioneve ishte”jo qysh në fillim”.

“Askush nuk duhet të marrë drejtimin në një kryesi pa e fituar atë,” tha Bacon. “Kur i thua dikujt: ‘Hej, unë do të votoj për ty, nëse më bën kryetar’, kjo është marrëzi. Kjo na mërzit.”

Díaz-Balart tha se kishte marrë garanci se “nuk kishte asnjë marrëveshje të prerë në lidhje me kryesimet” në komisione si pjesë e votave të lëkundura që u deshën për ta bërë McCarthy-n kryetar. 

Përfaqësuesi Matt Gaetz i Floridës dukej i dorëhequr për faktin se republikani i Kalifornisë do të siguronte votat. ndërsa lëshoi mesazhe për mbledhjen e fondeve për mbështetësit të premten, duke sulmuar McCarthy si “thjesht një anije për lobistët me interesa të veçanta”. Gaetz përfundimisht votoi “i pranishëm”, duke ndihmuar kështu mundësinë për fitoren e McCarthy-t.

Ai u luhat në një pozicion të ndërmjetëm, duke argumentuar se ndryshimet e rregullave që i dhanë McCarthy-t dhe aleatëve të tij “këmisha mbrojtëse funksionale” dhe mund të ndihmojnë për “demokratizimin e pushtetit”.

“Unë jam shumë optimist për vendin ku jemi tani,” tha Gaetz në Fox News të premten mbrëma, duke e quajtur McCarthy-n “kryetar të zgjedhur”.

Kryetarja Nancy Pelosi, D-Calif.,e pat hequr rregullin “lirojeni karrigen” kur demokratët rifituan shumicën në 2019. Një ligjvënës me përvojë që kishte bërë histori si gruaja e parë që ishte kryetare, Pelosi drejtoi Dhomën me forcën e përvojë.

McCarthy ka qenë në detyrë për 15 vjet, sa gjysma e Pelosit kur mori drejtimin e parë, dhe me shumë më pak fitore legjislative për të folur. Në bisedimet e javës së kaluar me linjat e ashpra, ai u detyrua të rikthejë “mocionin për të liruar karrigen” për të fituar mbi të penguesit. Por ata tani mund ta mbajnë atë peng çdo ditë.

“Nëse një CEO nuk po e bën punën, ju mund ta pushoni atë – e njëjta gjë është edhe në politikë,” tha republikani Ralph Norman i Karolinës së Jugut, një nga vendet që McCarthy fitoi me ndryshimet e rregullave.

Kaosi që shpërtheu në katin e Dhomës së Përfaqësuesve javën e kaluar mund të përfundojë si një prelud për Kongresin që do të vijë. 

“Ajo që patë gjatë javës së kaluar,” tha Norman, “është se si funksionon demokracia”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Rafael Floqi

KOSOVA ME AFER BE

January 13, 2023 by s p

Komunikatë e përbashkët për media

Komiteti VI i Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës

12 janar 2023

Mbledhje virtuale

Komiteti VI i Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës u mbajt më 12 janar 2023. Fjalën hyrëse e mbajti Sh.T.Z. Besnik Bislimi, Zëvendëskryeministër i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Qeveria e Kosovës, dhe znj. Michela Matuella, U.D. Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit. Mbledhja u kryesua nga z. Artan Çollaku, Drejtor i Zyrës për Koordinimin e Procesit të Stabilizim-Asociimit në Zyrën e Kryeministrit, Qeveria e Kosovës, dhe z. Vassilis Maragos, Shef i Njësisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit.

Komiteti diskutoi zhvillimet kryesore politike dhe vlerësoi gjendjen lidhur me kriteret politike dhe ekonomike, përafrimin me legjislacionin dhe standardet e BE-së, bashkëpunimin financiar, si dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA). Ai vlerësoi dhe miratoi konkluzionet e dala nga mbledhjet e shtatë nënkomiteteve dhe dy Grupeve të Veçanta tematike të mbajtura gjatë vitit të kaluar nga Komiteti V. Palët gjithashtu vlerësuan përparimet e bëra lidhur me Agjendën për Reforma Evropiane II dhe Programin për Reforma në Ekonomi, të cilët janë ndër kornizat kyçe që shërbejnë si udhërrëfyes të përpjekjeve të Kosovës për reforma në zbatimin e MSA-së.

Në mbledhje u diskutuan prioritetet e reformave në shumë fusha, përfshirë energjinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore, reformën e administratës publike, konkurrencën dhe inovacionin, punësimin dhe arsimin.

Komisioni Evropian përshëndeti përkushtimin e vazhdueshëm të Qeverisë dhe përpjekjet e saj për të zbatuar reformat lidhur me BE-në, përfshirë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë, dhe nënvizoi rëndësinë që këto hapa të çohen deri në fund. 

Gjithashtu është bërë punë për të hedhur themelet për përparim të qëndrueshëm në disa fusha, përfshirë tranzicionin e gjelbër dhe atë energjetik, si dhe inovacionin. Komisioni vlerësoi Kosovën për forcimin e kapaciteteve për të koordinuar zbatimin e MSA-së dhe mekanizmave përkatës të monitorimit dhe raportimit. BE-ja ripërsëriti zotimin dhe gatishmërinë e saj për të vazhduar të ofrojë këshilla për të shmangur mospërputhshmërinë e veprimeve të Qeverisë me zotimet e saj sipas MSA-së.

Kosova përmendi dorëzimin së fundmi nga ana e saj të aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar përkushtimin e saj të fortë për të avancuar më tej në rrugën drejt BE-së përmes zbatimit të reformave të kërkuara.

Komisioni inkurajoi Qeverinë që të angazhohet më ngushtë me të gjitha partitë politike në Kuvend, përfshirë ato nga opozita, për të ruajtur konsensusin politik në rrugën drejt BE-së, si dhe për Dialogun Beograd-Prishtinë. Komisioni i kërkoi Qeverisë që të bëjë përparim të shpejtë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të zbatojë plotësisht të gjitha marrëveshjet e kaluara dhe të përmbahet nga çfarëdo veprime apo deklarata përçarëse që nuk kontribuojnë në një mjedis të favorshëm për dialog. 

Komiteti nënvizoi rëndësinë e përafrimit me standardet e mira të BE-së në të gjitha fushat, veçanërisht në sundimin e ligjit, reformën e administratës publike, zhvillimin ekonomik, tregun e brendshëm, arsimin, energjinë dhe mjedisin. Komisioni ripërsëriti rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit makro-financiar. Palët presin të diskutojnë më tej përparimin e bërë në këto fusha kyçe në Këshillin e ardhshëm të Stabilizim-Asociimit.

Filed Under: ESSE

Kosova, mirënjohëse shumë diplomatëve dhe aktivistëve austriakë që kontribuan  për lirinë e pavarësinë

January 13, 2023 by s p

VJENË-AUSTRI, 12 Janar 2023 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/

 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në Akademinë Diplomatike të Vjenës – Austri tha se, rreth 70,000 qytetarë të Kosovës, shumë prej tyre që u shpërngulën këtu nga fillimi i viteve të ’70-ta deri në fund të viteve të ’90-ta për t’i shpëtuar pushtimit, e bënë Austrinë shtëpi të tyre.

“Ata jetojnë, punojnë dhe studiojnë këtu dhe janë bërë ambasadorë tonë si dhe ura të gjalla midis dy vendeve dhe kulturave tona.

Ne jemi shumë mirënjohës për këtë lidhje dhe presim që të thellojmë dhe zgjerojmë edhe më shumë marrëdhëniet tona miqësore, në çdo aspekt.

Muajin e ardhshëm do të festojmë 15- vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

I jemi borxhli shumë diplomatëve dhe aktivistëve austriakë nga Ehard Busek e deri te Albert Rohan që kontribuan në luftën tonë çlirimtare dhe në procesin tonë të pavarësisë”, theksoi Kryeministri Kurti.

Fjalimi i kryeministrit Kurti në Akademinë Diplomatike të Vjenës

12 janar 2023, Vjenë, Austri

Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në diskutimin “Ballkani Perëndimor: Një pjesë qendrore për paqen e qëndrueshme në Evropë” organizuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës, Instituti Austriak për Politika Evropiane dhe të Sigurisë, si dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri.

I nderuar Dr. Emil Brix, Drejtor i Akademisë Diplomatike të Vjenës,
I nderuar Werner Fasslabend, President i Institutit Austriak për Politikat Evropiane dhe të Sigurisë,
Të nderuar akademikë, diplomatë, ambasadorë dhe studentë,

Jam i nderuar që jam këtu me ju në Akademinë Diplomatike të Vjenës, ku për dy shekuj, burra dhe gra kanë studiuar e hulumtuar, janë trajnuar dhe janë drejtuar në rrugëtimet e tyre në karrierën e tyre në udhëheqjen ndërkombëtare.

Sot më herët, me të nderuarin kancelar Karl Nehammer, përmenda se Vjena njihet si qyteti i kompozitorëve të mëdhenj dhe po ashtu mendimtarëve të mëdhenj, por Vjena është gjithashtu qyteti i diplomacisë që ka pritur konferenca të panumërta paqeje dhe ka formësuar dinamika historike.

E di që ju keni bashkëpunim me Ministrinë tonë të Jashtme dhe se shumë diplomatë tanë janë trajnuar këtu. Unë jam mirënjohës për këtë dhe inkurajoj rritjen e bashkëpunimit në trajnimin e mëtejshëm të trupit tonë diplomatik mjaft të ri.

Pra, faleminderit për mundësinë të ju drejtohem sot këtu në këtë institucion të nderuar.

Se po jetojmë në kohë në ndryshim, tashmë është vërtetuar.

Ajo që shumë kishin frikë dhe shpresonin se nuk do të ndodhte, tashmë ka ndodhur.

Rusia pushtoi Ukrainën, një vend demokratik dhe paqedashës që nuk bëri asgjë për të provokuar fqinjin e saj.

Kjo ka pasur një ndikim të thellë në gjeopolitikë dhe përfundimisht ka shkundur Evropën nga vetëkënaqësia.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, i ka dhënë tashmë një emër një ndryshimi të tillë. Ai e quan atë – Zeitenwende.

Lufta në Ukrainë ka bërë shumë komentues të pyesin veten, si arritëm deri këtu?

Ndërsa nuk kam përgjigje për të gjitha pyetjet e vështira që janë shfaqur pas agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe tensioneve të ripërtërira në Ballkanin Perëndimor, apo në Evropën Juglindore për këtë çështje, do të përpiqem të jap mendimin tim se pse ne gjejmë veten këtu dhe çfarë nevojitet për të arritur në një gjendje më të mirë.

Pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore dhe holokaustit, Evropa dhe bota u zotuan se kurrë më nuk (Never Again) do të lejojnë të ndodhin mizori të tilla.

Megjithatë, ne pamë që gjenocidi të ndodhte përsëri në Evropë; në Bosnje dhe Kosovë dhe në mbarë botën; në Ruandë, Darfur, Irak dhe Siri.

I mbijetuari i Holokaustit dhe autori Elie Wiesel ka thënë se: “Kurrë më” është një frazë që është shumë më tepër se një slogan. “Është një lutje, një premtim, një zotim … kurrë më lavdërim të dhunës së ulët, të shëmtuar dhe të errët.”

Duke qenë nga një rajon i kontestuar dhe një vend i shkatërruar nga lufta, unë kam parë fuqinë shkatërruese të urrejtjes kundër popullit tonë, e cila kulmoi me spastrim etnik dhe gjenocid nga forcat serbe.

Në mënyrë të pashmangshme pyesim veten, pse ndodhi përsëri? Si mundëm të lejojmë që gjenocidi të përsëritet në Evropë? Përgjigja, sado e ndërlikuar që ndonjëherë të duket, besoj se është mjaft e thjeshtë.

Ajo qëndron në mosgatishmërinë për t’u përballur me të kaluarën, për të përqafuar të ardhmen dhe për t’u distancuar nga kriminelët e luftës që kryen gjenocid.

Në vend të kësaj, ne shohim glorifikimin e kriminelëve të luftës, por edhe glorifikimin e një të kaluare imperialiste, një rikthim në kohët e zgjerimit territorial, të lavdisë së kaluar, të pushtetit dhe dominimit mbi të tjerët, gjë që siç e shohim në rastin e agresionit rus në Ukrainë, shkon qysh në mesjetë.

Ajo qëndron edhe në pamundësinë për të pranuar tjetrin si një qenie njerëzore të barabartë, duket e qartë, por nuk është aq e natyrshme sa duhet të jetë, për të pranuar kështu ekzistencën dhe aspiratat legjitime të njëri-tjetrit.

Një mendim i tillë çon në urrejtje për tjetrin e cila më pas derdhet në dhunë.

Dallimet ideologjike, raca, mosha, feja ose besimi, gjuha, gjinia dhe gjithçka që na bën të ndryshëm nga njëri-tjetri shfrytëzohen më pas për ta portretizuar tjetrin si armik.

Nuk besoj se dallimet sjellin konflikt, por instrumentalizimi i tyre për përfitime politike apo ekonomike i kthen në konflikt.

Kjo është ajo që pamë në shekullin e kaluar; kjo është ajo që çoi në shumë luftëra dhe konflikte.

Në pjesën më të madhe të Evropës, përgjigja për një masakër të tillë që nuk i shihej fundi ishte lindja e Komunitetit Evropian, i njohur tani si Bashkimi Evropian.

Ndonjëherë është e lehtë të harrohet, por Bashkimi Evropian si një projekt paqeje dhe proces historik i bashkëpunimit midis kundërshtarëve të vjetër u bë i mundur vetëm pas pranimit të përgjegjësisë për luftën, pas një pendimi kuptimplotë që çoi në gjunjëzimin e një kancelari dhe përqafimin e demokracisë së vërtetë.

Pra, çfarë ka të bëjë e gjithë kjo me Ballkanin Perëndimor, apo paqen e qëndrueshme në Evropë, mund të pyes dikush?

Unë besoj që gjithçka.

Arsyeja kryesore dhe e vetme pse ne ende shohim tension në pothuajse çdo vend të Ballkanit Perëndimor është sepse agresori, ai që nisi të gjitha luftërat në ish-Jugosllavi, refuzon të marrë përgjegjësinë. Në vend që të njeh dhe pranojë rolin e vet, dëshiron të portretizojë dallimet në të gjithë rajonin si burim konflikti.

Pothuajse 24 vjet pas gjenocidit në Bosnje dhe Kosovë, Serbia nuk pranon asnjë krim. Asnjëherë nuk ka kërkuar falje dhe as nuk ka marrë asnjë përgjegjësi.

Përkundrazi, udhëheqja e saj aktuale, e cila ishte në pushtet në kohën e Millosheviqit, vajton për humbjet e saj territoriale dhe i konsideron kriminelët e luftës si heronj.

Në Serbi, në lumin Danub, afër fshatit Tekija, një peshkatar vëren një objekt që noton mbi ujë. Është një copë kamioni. Thërret një zhytës dhe në fund të lumit gjejnë një kamion ngrirës të thertores. Ndërsa nxjerrin kamionin nga uji, këmbë të njerëzve fillojnë të bien nga pjesa e pasme e kamionit. Hapin dyert dhe brenda gjejnë 86 trupa, dhe tre koka. Mes tyre është edhe trupi i një vajze të vogël vetëm 7-vjeçare. Ndërsa kontrollonin gjërat e saj, ata gjejnë çantën e saj të shkollës. Brenda çantës është një fletore e UNICEF-it, lapsa me ngjyra dhe një kukull e vogël. Në fletore kishte vizatime të shtëpive dhe luleve.

Ajo u vra në Kosovë, u fut në kamionin ngrirës të thertores dhe u fundos në fund të lumit. Pasi e gjetën, së bashku me trupat e tjerë e ngarkuan në një kamion tjetër. Sot e kësaj dite nuk e dimë se ku i dërguan ata trupa. Ne nuk e dimë emrin e vajzës, si dukej ajo dhe kush janë prindërit e saj. Ajo është në mesin e 1617 personave të zhdukur me forcë.

Ndërsa ne e dimë se ajo nuk do të kthehet më te shtëpia dhe te lulet që ka pikturuar, nuk do t’i shohim kurrë me të, ne o ta tregojmë gjithmonë historinë e saj dhe nuk do të ndalemi kurrë derisa të dihet fati i saj. Dhe ne do ta kujtojmë gjithmonë atë dhe 1133 fëmijët që u vranë nga Serbia gjatë viteve 1998-99.

Nën një poligon qitjeje policie në periferi të Beogradit, në Batajanicë, jo larg “Sheshit të Republikës” së Beogradit, trupat e më shumë se 744 shqiptarëve u gjetën në një varr masiv.

Ata trupa u varrosën në Kosovë, pastaj u zhvarrosën dhe u transportuan në Serbi për rivarrim të fshehtë në përpjekje për të fshehur dëshmitë e krimeve të luftës. Midis këtyre trupave ishin dyzet e gjashtë anëtarë të familjes Berisha; 14 prej tyre nën 15 vjeç, mes tyre dy foshnje dhe një grua shtatzënë.

Pranë varrit masiv është ndërtuar një kishë e re ortodokse serbe.

Deri më sot, në Serbi janë gjetur pesë varre masive, në Batjanicë, Rudnicë, Kizhevak, Peruqac dhe Petrovo Selo me gjithsej 950 trupa.

Megjithatë, nuk ka një pllakë përkujtimore dhe as një shenjë të vetme që tregon se ka pasur një varr masiv në të gjitha këto vende.

Sot, autori që kreu gjenocid vetëm pak më shumë se dy dekada më parë vepron si viktimë dhe mohon krimet.

Mohim i plotë.

Por ne nuk harrojmë. Historia e vajzës 7-vjeçare, e vrarë, e futur në kamionin ngrirës të thertores dhe e fundosur në fund të lumit Danub, nuk do të harrohet.

Duke filluar nga ky muaj, deri në qershor kur trupat e KFOR-it hynë në Kosovë në vitin 1999, pothuajse çdo ditë kemi përkujtimore të masakrave të kryera nga Serbia.

Pra, për sa kohë që udhëheqja në Serbi refuzon të pranojë krimet e tyre të së kaluarës, të kërkojë falje për keqbërjet e tyre, paqja e vërtetë dhe kuptimplote në Ballkanin Perëndimor është ende larg arritjes.

Në vend që të kërkojë falje, Serbia vazhdon të kërcënojë fqinjët e saj, të ndërhyjë në punët e tyre të brendshme dhe të përdorë pakicat etnike si mjet për destabilizim, në vend që të ndihmojë integrimin e tyre.

Ambicia e shekullit të kaluar për një “Serbi të Madhe” tani është ndryshuar në politikë “Bota Serbe”, identike me politikën e “Botës Ruse”, në kërkim për hegjemoni dhe dominim.

E megjithatë, përkundër gjithë kësaj, Republika e Kosovës është e angazhuar në mënyrë konstruktive në dialogun me Serbinë për të kërkuar normalizimin e marrëdhënieve.

Në Forumin e Paqes në Paris, vitin e kaluar, thashë se Kosova dëshiron marrëdhënie paqësore dhe fqinjësore të mirë me Serbinë dhe se ne jemi të gatshëm të shtrijmë dorën nëse ata janë të gatshëm të hapin grushtin.

Është e qartë se nuk është mungesa e vullnetit nga ana jonë për të ecur përpara në një të ardhme bashkëpunuese, por mungesa e vullnetit të Serbisë për t’u distancuar nga e kaluara e saj.

Pyetja duhet të jetë, pse Serbia nuk është e gatshme të pranojë përgjegjësinë, të kërkojë falje dhe t’u shtrijë dorën e pajtimit viktimave të agresionit të saj?

Përsëri, përgjigjja është mjaft e thjeshtë.

Serbia nuk u transformua kurrë plotësisht. Ajo kurrë nuk i ndoqi dhe dënoi kriminelët e luftës në mënyrë kuptimplote, por përkundrazi u bë një parajsë e sigurt për ta.

Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian, në vend që të sanksionojë kërcënimet dhe agresionin e Serbisë ndaj fqinjëve të saj, e ka shpërblyer atë me miliarda investime të BE-së dhe avancim drejt anëtarësimit në BE.

Ajo që lidershipi i Serbisë kuptoi është se për të marrë paratë e BE-së dhe për të avancuar drejt anëtarësimit në BE, pranimi i përgjegjësisë dhe distancimi nga Millosheviqi nuk ishte një parakusht.

Me fjalë të tjera, Serbia ka mundur të marrë paratë e BE-së duke refuzuar vlerat e BE-së. Sot, Serbia është i vetmi vend kandidat për në BE që nuk e ka sanksionuar apo dënuar agresionin rus në Ukrainë.

Për të dëshmuar talljen e saj ndaj detyrimit për t’u rreshtuar me politikën e jashtme të BE-së, shtatorin e kaluar ministri i jashtëm i tyre nënshkroi një marrëveshje me Rusinë për “konsultime” të ndërsjella, ndërsa Rusia vazhdonte luftën e saj të pamëshirshme në Ukrainë.

Unë besoj se kjo është e gabuar.

E di që shumë në Bruksel presin që Kosova të arrijë në dialog pa vënë në pikëpyetje kërkesat irracionale të Serbisë, të cilat janë në kundërshtim me vlerat themelore të BE-së.

Në përpjekje për të qenë neutral ndaj statusit të Kosovës, ata janë bërë neutral ndaj agresionit të Serbisë ndaj fqinjëve të saj dhe neutral ndaj mospërfilljes së vlerave të BE-së nga Serbia.

Por ne po bëjmë pjesën tonë. Kosova është e gatshme për dialog dhe do të kërkojë normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përkundër synimeve malinje të kësaj të fundit, sepse ne besojmë se dialogu nuk ka alternativë.

Por ne angazhohemi me parime dhe jemi të drejtuar nga vlerat. Jo thjesht të nxitur nga interesi. Interesi dhe vlerat nuk duhet të ndahen.

Ne besojmë se dialogu ka të bëjë me njohjen reciproke.

Sepse njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe demokratizimi i vërtetë i të gjithë rajonit sjell paqe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor dhe kontribuon për një paqe të qëndrueshme në Evropë.

Ndërkohë, ne vazhdojmë të forcojmë shtetin e Kosovës.

Megjithëse kontinenti ynë vazhdon të jetë rajoni më demokratik, raportet e besueshme sugjerojnë se gati gjysma e demokracive në Evropë – gjithsej 17 vende – kanë pësuar erozion demokratik në pesë vitet e fundit. Ndërkohë, në nivel botëror, gjysma e demokracive botërore janë në zmbrapsje dhe numri i vendeve që lëvizin drejt autoritarizmit në gjashtë vitet e fundit është më shumë se dyfishuar.

Kosova, nga ana tjetër, ka përparuar në dy vitet e fundit.

Vitin e kaluar ne u përmirësuam për 17 vende në Transparency International në luftën kundër korrupsionit dhe njëjtë (17) vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit.

Ne u renditëm të parët për herë të dytë për shtetin e së drejtës në Ballkanin Perëndimor nga Projekti Botëror i Drejtësisë dhe të dytët në botë për përmirësim në vitin e kaluar.

Ne u ngritëm në grupin B nga grupi C në Indeksin e Pjekurisë Teknike të Qeverisë së Bankës Botërore (World Bank Government Tech Maturity Index) për fokus në qeverisjen digjitale.

Dhe kemi pasur një rritje të buxhetit prej 17% krahasuar me një vit më parë. Rritja jonë e BPV-së ishte 4% pas zbritjes së inflacionit. Eksportet u rritën me 23%, të hyrat tatimore me 22% pa ndryshuar politikën tonë fiskale, të ardhurat doganore me 11% dhe IHD me 47%.

Kemi dorëzuar aplikimet për anëtarësim si në Këshillin e Evropës në maj të vitit të kaluar, ashtu edhe në Bashkimin Evropian, një muaj më parë, dhe mezi presim të bëhemi anëtarë të Programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s.

Jam shumë i kënaqur me pritjen e ngrohtë të kancelarit Nehammer sot dhe angazhimin e tij për të mbështetur aplikimin tonë në Këshillin e Evropës, si dhe mbështetjen e vazhdueshme për procesin tonë të integrimit në Bashkimin Evropian.

Ne do të punojmë së bashku për të forcuar më tej marrëdhëniet tona dypalëshe.

Dhe Austria ishte ndër vendet e para që njohu diplomat tona në një periudhë kur qytetarët tanë kishin shumë nevojë, gjatë aparteidit të viteve të ’90-ta, tre dekada më parë.

Rreth 70,000 qytetarë të Kosovës, shumë prej tyre që u shpërngulën këtu nga fillimi i viteve të ’70-ta deri në fund të viteve të ’90-ta për t’i shpëtuar pushtimit, e bënë Austrinë shtëpi të tyre.

Ata jetojnë, punojnë dhe studiojnë këtu dhe janë bërë ambasadorë tonë si dhe ura të gjalla midis dy vendeve dhe kulturave tona.

Ne jemi shumë mirënjohës për këtë lidhje dhe presim që të thellojmë dhe zgjerojmë edhe më shumë marrëdhëniet tona miqësore, në çdo aspekt.

Muajin e ardhshëm do të festojmë 15- vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

I jemi borxhli shumë diplomatëve dhe aktivistëve austriakë nga Ehard Busek e deri te Albert Rohan që kontribuan në luftën tonë çlirimtare dhe në procesin tonë të pavarësisë.

Faleminderit për këtë mundësi.

Filed Under: Politike

Partneritet historik dhe i pathyeshëm në mes të SHBA-ve dhe Kosovës

January 12, 2023 by s p

PRISHTINË, 11 Janar 2023 -Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/

Një delegacion i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, udhëhequr nga zyrtari i lartë Derek Chollet, sot në Kosovë është pritur në takime të veçanta nga Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti.

Komunikatat e plota dërguar nga Presidenca dhe Qeveria e Kosovës:

Presidentja Osmani priti në takim zyrtarin e lartë të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, Derek Chollet

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim një delegacion të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, të udhëhequr nga zyrtari i lartë z. Derek Chollet, i shoqëruar nga ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit Gabriel Escobar, zëvendës ndihmës sekretari i Mbrojtjes Spencer Boyer, si dhe përfaqësues të tjerë të Departamentit të Shtetit dhe ambasadës amerikane.

Presidentja Osmani dhe z. Chollet kanë konfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara, aleatin kryesor të Republikës së Kosovës, si dhe janë angazhuar për fuqizimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve. Presidentja Osmani ka falënderuar z. Chollet për angazhimin proaktiv të Shteteve të Bashkuara në procesin e dialogut, duke theksuar se angazhimi i shtuar amerikan në këtë drejtim është vendimtar për të siguruar rezultat të suksesshëm në dobi të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Presidentja Osmani tha se marrëveshja përfundimtare, e cila duhet ta ketë në qendër njohjen e ndërsjellë, ka për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve, dhe arritjen e paqes së qëndrueshme dhe afatgjate në rajon. “Kosova është e gatshme të vazhdojë, me përkushtim të plotë, të jetë palë konstruktive, e koordinuar me SHBA-të, duke bërë propozime që kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje të tillë”, tha Presidentja Osmani.

Në takim me z. Chollet, Presidentja Osmani bisedoi për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, duke potencuar aleancën dhe afërsinë e theksuar të Serbisë me Rusinë dhe rreziqet që paraqet ky raport jo vetëm për Kosovën, por edhe për aleancën euroatlantike. Presidentja Osmani theksoi se me mbështetjen e Rusisë, Serbia vazhdon të jetë forcë destabilizuese dhe kërcënim për paqe të qëndrueshme në rajon.

Presidentja Osmani në takim me delegacionin e lartë amerikan, konfirmoi partneritetin historik dhe të pathyeshëm në mes të SHBA-ve dhe Kosovës, ndaj pikërisht kjo është një bazë e fortë për rritjen e bashkëpunimit në fushën ushtarake dhe atë ekonomike. Bazuar në nismën e saj për Dialog Strategjik ndërshtetëror me SHBA-të, të iniciuar formalisht nga Presidentja Osmani para gjashtë muajsh, u shpreh gatishmëri për përshpejtimin e këtij procesi në përfitim të qytetarëve të të dy shteteve.

Kryeministri Kurti priti në takim Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet

Prishtinë, 11 janar 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti ​sot në ndërtesën e Qeverisë, Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili sot po qëndron në Kosovë në kuadër vizitës së tij në rajon.

Përgjatë takimit, kryeministri Kurti e njoftoi z.Chollet me punën dhe arritjet e qeverisë në vitin që sapo lamë pas. Ai ndau me të indikatorët më të fundit ekonomikë dhe demokratikë në vend, dhe nënvizoi qëllimet e përbashkëta për zhvillim dhe demokratizim. Kryeministri Kurti e falënderoi Këshilltarin e Lartë, Chollet për vizitën, komunikimin e vazhdueshëm dhe për angazhimin e tij. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partner dhe aleat i domosdoshëm i Republikës së Kosovës, u shpreh kryeministri Kurti, teksa vuri theksin te synimet e vendit për partneritet edhe më të fuqishëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe integrim në NATO.

U diskutua edhe për procesin e dialogut, planin Evropian dhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. U theksua nevoja për angazhim aktiv dhe konstruktiv në dialog dhe për intensifikim të përpjekjeve drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër.

Në takim z. Chollet ishte i shoqëruar nga dërguari i posaçëm amerikan, Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Mbrojtës për Politika Evropiane dhe NATO, Spencer Boyer, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, Shefja e Stafit të Këshilltarit Chollet, Laura Updegrove, Ndihmësja e posaçme e Këshilltarit, Dr. Florence Akinyemi dhe Këshilltarja e Politike dhe Ekonomike në Ambasadën amerikane në Kosovë, Ralan Hill.

Kurse Kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, Ushtruesja e Detyrës së Kryesueses së Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mimoza Kusari Lila, Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, Këshilltari Politik i Kryeministrit, Jeton Zulfaj dhe Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1887
  • 1888
  • 1889
  • 1890
  • 1891
  • …
  • 2785
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT