• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JEHONA E 110 VJETORIT TE PAVARESISE TEK “BIJTE E SHQIPES” NE FILADELFIA

December 10, 2022 by s p

Nga: Tajar Domi/

Shpallja e pavarësisë është ngjarja më e rëndësishme e një vendi, e një kombi. Për ne shqiptarët, të ndarë, coptuar e pushtuar  ndër shekuj , 28 Nëntori 1912 ishte data e jehonës të madhe, e guximit dhe e shpresës së madhe. Sot pas 110 vitesh Shqiperia e shqiptarët janë në vendin e tyre, zot te tij , me nje emer e fuqi qe respektohet në botë . Kjo na e shton krenarinë dhe festimi i kësaj date në këtë përvjetor, nga shqiptarët jo vetëm në vendlindje por kudo në botë ku janë shpërndarë ata, duket që i jep forcë e zemër emrit e bashkimit të kombit. Kjo atmosferë natyrshëm erdhi edhe tek “Bijtë e Shqipes” e në të gjithë komunitetin tonë në Filadelfia. Tashmë eksperienca e kësaj shoqate gjatë këtyre 20 viteve është e madhe. Këshilli i saj drejtues, sic do vit, edhe kësaj radhe ka hartuar plan të vecantë masash për të realizuar me sukses festimin e ditës së shpalljes të Pavarësisë dhe ngritjen ceremoniale te Flamurit tonë kombëtar në sheshin qendror pranë Bashkisë  të Filadelfias.

Mbrëmja e madhe festive:

Është një organizim I përvitshëm, cdo vit e më mirë, cdo vit e më shumë. Bashkatdhetarët e presin me padurim festimin e kësaj ngjarje. Të rinj e të moshuar, gra e nxënës shkollash, mbushen si kurrë më parë sallën e restaurantit ku zhvillohet kjo veprimtari, e cila ishte e mirëorganizuar dhe e zbukuruar me flamuj kuq e zi e portretin e të madhit Ismail Qemali. Organizatorë, me një shqetësim të brendshëm lëviznin për të sistemuar pjesëmarrësit, mësueset e shkollës shqipe me nxënësit e tyre, ndërsa gazetarja jonë Eva Dori, që po i jep edhe më shumë emër shoqatës “Bijtë e Shqipes” nëpërmjet pasqyrimit professional të gjithê jetës së saj, ishte në hapin e fundit të sfilatës të kostumeve të nxënësve të shkollës që aq bukur realizuan këtë spektakël. Nga Shqipëria erdhi stilistja Gerta Cami, një vajzë e apasionuar në punën e saj, për të kënaqur fëmijtë e të gjithë publikun me këto veshje të kohës ku nuk mungonin simbolet kombëtare, ngjyra e kuqe e shqiponja. Dhe sigurisht për gjithë këtë punë e pasion, Gerta do te kishte falenderimin dhe vlerêsimin e kryesisë të shoqatës me një Çertifikate Mirënjohje. Moderatorja e vogël, nxënësja e shkollës shqipe Amelia Alickaj e cila shkëlqeu me gjuhën e bukur letrare që fliste, pas sfilatës të veshjeve fton pjesëmarrësit të ngrihen në këmbë e së bashku të këndojmë hymnin tonë të Flamurit, më të bukurit në botë, thotë vogëlushja. Menjëherë pas saj ajo fton sekretarin e shoqatës “Bijtë e Shqipes” z. Ali Sopaj për të mbajtur fjalën e rastit në 110 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.  Midis të tjerave ai tha se më 28 Nëntor 1912 u sanksionua e drejta e pa mohueshme e kombit shqiptar për të qenë I bashkuar, i lirë e i pavarur në trojet e tij. Pas kësaj, muzika, vallja e kënga shqip u shpërndanë me shpejtësi duke i ftuar bashkatdhetarët që ti bashkohen atmosferës festive për të kënduar e vallëzuar së bashku. Këngëtarët Altin Malo, Alma Berisha e Alket Begaj, të shoqëruar nga orkestrantet Thoma Noli e Bujar Uka, i kënaqen pjesëmarrësit e shumtë e dashamirës të muzikës popullore, të lehtë e atdhetare, me zërin e tingujt e bukur të instrumenteve. Por, për shoqaten “Bijtë e Shqipes”, kjo festë e madhe shërben edhe për të njohur komunitetin me disa nga arritjet e përsonazhet që kanë kontribuar vecanërisht në bashkimin e rritjen e emrit të saj. Në këtë kuadër, kryetari Bujar Gjoka, prezantoi para publikut disa vleresimet që Keshilli drejtues I shoqatës ju ka akorduar disa zonjave e zotërinjve, duke i falenderuar edhe njëherë ata për këtë punë të madhe te tyre, kohën e harxhuar në shërbim të komunitetit e inteligjencën e shprehur nëpermjet këtij kontributi. Të tillë ishin Mimoza Zanaj e Maria de Gracia të vlerësuar “Nderi i Komunitetit”.

Gjithashtu z. Gjoka prezantoi të ftuarin e nderit të festimit të 110 vjetorit të Pavarësisë të Shqipërisë në Filadelfia, z. Abdulla Domi, kryetar i Këshillit të Qarkut Kukës, i cili me këtë rast u vlerësua me certifikatën “Anëtar Nderi” i shoqatës “Bijtë e Shqipes” Filadelfia. Me cmimin “Mik i Shoqatës” “u vlerësua dhe Këshilli i Qarkut Kukës. Kujtojmë se Këshilli i Qarkut Kukës, para 4muajve vlerësoi këtë shoqatë me medaljen “Nderi i Qarkut Kukës”, për kontributin e dhënë në ruajtjen e promovimin e gjuhës, kulturës e traditave shqiptare, si dhe vlerave të komunitetit kuksian në Filadelfia. Së bashku me shoqatën u vlerësua në atë kohë, me këtë medalje edhe veprimtari e shkrimtari Hys Hasa, për kontributin e dhënë në ruajtjen e promovimin e vlerave të trashegimisë historike e kulturore të trevave të Kukësit e ato shqiptare në Diaspore.  Në fjalën e tij pêrshendetëse, z. Domi falenderoi shoqatën “Bijtë e Shqipes” për punën e madhe që bën me komunitetin shqiptar këtu, si dhe për ftesën për të qenë i pranishëm në festimin e 110 vjetorit të pavarësisë pranë shqiptarëve të Filadelfias. “Me këto vlerësimin për z. Hamdi Gjana me “Nderi i Qarkut Kukës”, si dhe me Çertifikatë Mirënjohje për katër përsonalitete të tjera kuksiane , zotërinjtë Ahmet Shabani , Tajar Domi , Enver Parllaku e Mexhit Koboci, ne ndjehemi më të vlerësuar si Qark, sepse i kemi shtuar historisë tone vlera të jashtëzakonshme që nuk i kemi pasur më parë të njohura. Prandaj urojmë që lartësimin e shqiptarizmës ta mbani gjithmonë kështu, nëpërmjet këtij bashkëpunimi të shkëlqyer që keni arritur të ndërtoni duke e forcuar atë dita-ditës. Unë ndjehem krenar këtu, për bashkë qytetarët e mi kuksian për ato vlera që përcjellin në komunitetin e mrekullueshëm shqiptar në Filadelfia, duke qenë aktiv e kontribues pranë shoqatës model në Diaspore “Bijtë e Shqipes”, – e mbyll fjalën e tij kryetari I Qarkut Kukës, z. Abdulla Domi. Duartrokitjet e shumta të pjesëmarrësve, ishin miratimi më i mirë këtyre vlerësimeve. 

Në vazhdim kënga e vallja shqip, me motive që nga jugu në veri, i sjell përsëri dashamirësit e tyre në qendër të sallës. E kështu vazhduam deri ne përfundim të mbrëmjes. 

Ceremonia e ngritjes të Flamurit në Filadelfia

Është një festë me vete e shoqëruar me një krenari të ligjeshme të shqiptarëve, kur ata ndodhen para flamurit të tyre kombëtar. Që nga viti 2012, pra gjatë 10 viteve flamuri ynê është ngritur në mënyrë ceremoniale dhe është valëvitur në sheshin qendror para Bashkisë të qytetit të Filadelfias. Edhe këtë vit, ditën e hënë dt. 28 Nëntor 2012, ky shesh u skuq nga flamujt shqiptar që pushtuan hapesirën e tij, duke u mbajtur e valëvitur lart në duart e pjesëmarrësve. Megjithëse ditë pune, bashkatdhetarët u gjenden në paraditen e kësaj dite së bashku, të rinj e të moshuar, burra e gra, të kapur dorë për dore në vallet dhe këngët e bukura që vecanërisht jashtë atdheut, të japin emocione të jashtëzakonshme. Këtë vit e gjithë veprimtaria e ngritjes së flamurit tonë kombëtar u moderua nga dy ish nxënëset të shkollës Shqipe “Gjuha Jonë” Filadelfia zonjushat Sara Matraku e Silvana Cela. Sara ishte veshur me kostum kombetar sjellë enkas për këtë veprimtari nga znj. Eva Dori, kurse Silvana ishte veshur me një fustan të kuq madhështor ku shqiponja dy krenare ja shtonte hijeshinë. Ky fustan me ngyrat e flamurit tonë kombëtar dhe shqiponjën dy krenare dhe një tjetër i njejtë më të, ju dhuruan shoqatës me rastin e ditës së pavarsisë nga anëtaria e komunitetit tonë z. Sofika Dushi.  

Prezantueset Silvana Cela e Sara Matraku përmes këtij entusiazmi jo të zakonshëm, ftuan bashkatdhetarët të grumbullohen në qendër të sheshit. Pasi u ekzekutua Himri kombëtar American, prezantueset ftuan të gjithë të pranishmit për të kënduar së bashku hymnin tonë të flamurit, i cili filloi të ngrihej në krah të atij amerikan. I privilegjuari apo flamurtari i kesaj ceremonie të 110 vjetorit të ditës së flamurit, ishte z. Abdulla Domi, I cili mezi po mbante emocionet kur tha: “Nuk e kisha menduar kurrë që unë të isha në qytetin e Filadelfias në këtë përvjetor të pavarësisë të Shqipërisë e të ngrija flamurin tonë kombëtar. Ju falenderoj për nderin që me bëni dhe kjo ditë do të mbetet e pa harruar për mua ….”. Në këtë ceremoni kishin ardhë për të festuar së bashku, të ftuar nga ambasada e Kosovës, zv.ambasadori i saj z.  Bujar Maxhuni I cili përshëndeti me këtë rast, si dhe këshilltari z. Drilon Zogaj.

Në emër të komunitetit shqiptar dhe të shoqatës “Bijtë e Shqipes”, për ditën e madhe të shpalljes të Pavarësisë, në këtë 110 vjetor foli kryetari i kësaj shoqate z. Bujar Goka, i cili midis të tjerave theksoi: Ngritja e flamurit shqiptar ketu në Bashkine Filadelfia, vendlindja e Pavarësisë Amerikane dhe Kushtetutës Amerikane, është një nder për Shqipërinë, shqiptarët dhe në veçanti për Komunitetin Shqiptaro-Amerikan të Filadelfias.  Këtë vit, festa e 110 vjetorit të pavaresisë, përkon edhe me 78 vjetorin e çlirimit të atdheut nga pushtimi nazifashist. Edhe Shqiperia perkrah fuqive më të mëdha të kohës, SHBA, Anglisë, Francës e Rusisë u përfshi në këtë luftë shkatrrimtare për të cliruar vëndin e saj. Le te valvitet flamuri yne kombetar lart e me lart ne krah te flamurit Amrikan!

 Pas tij fjalën e mori zonja Sheila Hess, përfaqësuesja e bashkisë të qytetit të Filadelfias (City Representative) e cila vlerësoi rritjen e komunitetit shqiptar këtu, vecanërisht arritjet në arsim e bisnes të tij dhe uroj këtë ditë të shenjtë të Flamurit. Ajo I dorëzoi kryetarit të shoqatës z. Gjoka, Proklamaten me të cilën kryebashkiaku I këtij qyteti z. James F Kenney nderonte komunitetin shqiptar dhe të gjithë kombin për 28 Nëntorin, ditën e shpalljes të pavarësisë në këtë 110 vjetor të saj. Prej 10 vitesh kjo Proklamate hartohet dhe dorëzohet në ditën e ceremonisë të ngritjes të Flamurit, dhe aty shkurt shënohet historia e shtetit shqiptar, luftërat e popullit shqiptar për liri e vatan, gjeografia dhe arritjet e ndryshimet nga njëri vit në tjetrin. Nga Zyra për Çështjet e Imigrantëve ne Bashkinë Filadelfia përshendeti drejtori I saj z. Alain Joinville. Ndërsa në emër të Këshillit të Konsujve të Nderit në shtetin e Pennsylvanisë, përshendeti  presidenti I këtij këshilli z.Peter Longstreth.

Prej disa vitesh, këtë veprimtari festive të shqiptarëve në Filadelfia, e pasqyrojnë edhe mediat e shkruara e visive këtu, vecanërisht kanali televiziv ABC -6, ku punon edhe gazetarja shqiptare Katie Katro, e cila ka dëshiruar gjithmonë dhe e ka realizuar e pasqyruar për publikun, kronikën përkatëse. Prandaj këshilli drejtues I shoqatës “Bijtë e Shqipes” pati kënaqesinë ta nderonte znj. Katro me nje Çertifikate Mirënjohje, të cilën ja dorezoi z. Bujar Gjoka, duke e uruar për suksese të metejshme në punën e saj. Kënga e vallja shqip vazhduan edhe për shume kohë. Ndërsa z. Enver Parllaku, si gjithmonë i fton te gjithë pjesëmarrësit, pranë lokalit “La Fontana Della Citta” që menaxhohet nga djali I tij z. Arian Parllaku, për kafe së bashku me rastin e kësaj date të madhe, 28 Nentorit. Është një ftesë e përvitshme, por asnjëherë nuk është ndaluar vetëm me kafe e një gote raki. Edhe këtë ditë, rreth 40 bashkatdhetar që iu pergjigjen ftesës të professor Enverit, qëndruan për rreth tre orë dhe shijuan drekën e muhabetin plot humor e dashuri që u be aty. Enveri (apo Xhaxhi sic e thërrasin stafi I lokalit) është një burrë plot bujari që I pëlqen bashkimi e kënaqet me arritjet e shqiptarëve, e fale këtyre cilësive të tij në ishim aty atë ditë duke shijuar gjithcka. Faleminderit Enver Parllaku.

Java e Flamurit në Filadelfia dhe pritja e kryetarit te Qarkut Kukes z. Abdulla Domi.

Ishte një dëshire e shprehur para pesë vitesh në këshillin drejtues të shoqatës, që ditët rreth asaj të 28 Nëntorit, të ishin me më shume aktivitet e gjallëri në komunitet. Dhe ashtu u bë, duke marrë emrin “Java e Flamurit”. Java e Flamurit, nënkupton vizita të ndërsjella në familjet e bashkatdhetarëve, biseda, kafe apo dreka e darka, për ta bërë festën e Flamurit jo vetëm publike e ceremoniale, por për ta afruar pranë familjeve tona, në vatrat tona. Dhe që nga viti 2017 kur filluan vizitat e para dhe Flamuri përcillej nëpër shtëpitë shqiptare, kjo nismë vazhdon të mbahet gjallë, duke shpresuar që më shumë do të bëhen pjesë e këtij festimi familjar e shoqëror, në të ardhmen. Me këto hyrje e dalje në familjet e shokëve, miqve apo edhe të rrethit tonë familjar, njohja bëhet më e gjerë deri tek fëmijtë të cilët do të jetojnë me kujtimet e këtyre vizitave e bisedave, duke e forcuar dashurinë për atdheun e flamurin. Ndërsa në brezin e prindërve, një ditë e tillë do të jetë shumë ndryshe nga monotonia e të tjerave, punë-gjumë-punë, duke sjellë më shumë kënaqësi, dashuri, clodhje e atdhetari.

Prandaj vazhduam edhe këtë vit, me grupe shokësh, vizitat të cilat na lanë një shije e dashuri të madhe në odat e bashkatdhetarëve ku u pi kafja, u ulëm për dreka apo darka së bashku. Kur vijnë miqtë, gëzojnë edhe trarët e shtëpisë -, thuhej më parë në anët tona (në jug e veri). Disi ndryshe është në ditët e sotme, por në këto vizitat tona që realizuam na u duk se pamë gëzimin e përbashkët të të gjithë familjeve. Kjo na stimulon për ta vazhduar e për ta kthyer në traditë këtë. 

Java e Flamurit e këtij viti ishte 110 vjetori i shpalljes së Pavarêsisë të Shqipërisë. Por, sic cituam më sipër ne kishim të ftuar nga vendlindja kryetarin e këshillit të Qarkut Kukës, zotin Abdulla Domi, i cili gjatë gjithë kohës u bë njeriu më i respektuar në pritjet që ne bashkombasit e tij, organizuam për Flamurin por edhe për të. Sigurisht kryetari i shoqates “Bijtë e Shqipes” z. Bujar Gjoka, së bashku me të gjithë antarët e këshillit drejtues, bënë punën e duhur të programuar më parë. E respektuam mikun tonë sic duhet, por Ai e meritonte cdo respekt e përkujdesje tonën. Z. Abdulla Domi mori pjesë në shumë takime me komunitetin dhe u bë pjesë e vizitave në Javën e Flamurit, sic e shënuam më sipër. Kudo u prit dhe u përcoll me dashuri të madhe e respekt, pasi e vlerësuan si burrë të zgjuar, bujar e fisnik, dashamirês e vlerësues i gjithckaje pozitive në jetët tona. Nuk ishin vetëm kuksianët që e pritën, por shumë të tjerë nga të gjitha trojet shqiptare. “Ishte një mik i mirë, që ja vlente të ulesh me të “- thonin njerëzit që e njohën. Së bashku me Bujarin, e shoqëruam ditën e parë për një vizitë në Nju Jork, ku ishte planifikuar edhe nje takim tek shoqata VATRA. “Kam edhe një Çertifikate Mirënjohje“për Vatrën, na thotë Abdullai rrugës, për tua dorëzuar në këtë 110 vjetor të krijimit,  për kontributin e madh atdhetar që ajo ka dhënë për kombin”. E falenderuam edhe ne sigurisht, dhe pas vizitës në qendrën e qytetit, udhëtuam për te Vatra. U mirëpritem nga editori i ri i Diellit z. Sokol Paja. E falenderoi z. Abdulla për Mirënjohjen dhe na njohu me ambjentet e Vatrës, fotot me personazhet që kanë orientuar e drejtuar atë ndër vite, si dhe mjaft dëshmi të mbështetjes së madhe që SHBA i ka dhënë vazhdimisht kombit tonë. E falenderuam z. Paja duke i uruar sukses të mëtejshem atij dhe Vatrës. 

Ne kthim për në Filadelfia, kishim planifikuar të ndalonim tek miqtë tanë, vëllezerit Jashar e Hekuran Daku që zotërojnê restaurant “IL Fiore” në Nju Xhersi, një emër i njohur për kontributet për komunitetin aty e për shoqatën “Bijtë e Shqipes”. Si gjithmonë të qeshur e të respektueshëm. Ishte prezantim i bukur për Abdullain qe e kishte ditën e parë në Amerike, dhe ashtu eci mbarë kudo. Jemi në Javën e Flamurit, i themi Jasharit. Shumë mirë e keni menduar. Kemi nevojë të jemi bashkë, të paktën në ditë festash. Kanë nevojë femijët tanë, edhe më shumê. I falenderuam këta djem punëtor për pritjen sic ata dinë ta bëjnë, të shijosh gatimin special të këtij restauranti por mysafirët duhet të marrin edhe me vete, vazhdon Jashari.

Kështu Java e Flamurit vazhdoi me vizita të shumta. Erdhën shumë natyrshëm e me plot dashuri në dhjetra familje shqiptare, ku bisedat, humori e kujtimet e shumta nga vendlindja të “shkurtonin “kohën e qëndrimit. Në një pjesë prej tyre ne patëm kënaqësinë e këtij bashkimi. Disa të tjerë bashkatdhetar nuk arritën të presin vellezërit e tyre, pasi edhe java kaloi shpejt. E filluam tek bisnesmeni Mexhit Koboci në familje, por edhe e mbyllëm prej tij tek “La Fontana” restaurant ku mbi 30 persona kaluam disa orë shqip në cdo anë. Sigurisht professor Enver Parllakun, administrator i këtij lokali, asnjëherë nuk e gjen të lodhur për të ftuar bashkatdhetarët e tij. Kështu ishte edhe kjo javë për të, pasi në mënyrë të vecantë donte të respektonte me plot deshirë, kryetarin e Qarkut të tij, z.Abdulla, që sic thotë ai i prezantoi kuksianët ashtu sic janë e sic duhet. Por nuk mund të harrohen për ne të gjithë ftesat e shumë miqve që nuk arritëm të shkonim për një kafe. E rëndësishme është dëshira e mirë, ndërsa koha gjendet. 

Mund te shkruash një libër të vecantë, e jo një shkrim gazetë, për të përmendur mikpritjen shqiptare në familjet ku u bëmë bashkërisht në këto ditë festë. Një vizitë ishte planifikuar dhe u bë tek familja e z. Imer Dedja. Ai vjen nga Dibra e madhe dhe është një biznesmen i sukseshëm dhe mbështetës i punës së shoqatës. Mikpritja dibrane, biseda, mencuria, urtësia dhe atdhedashuria ishin pjesë e sofrës bujare të kësaj familje të nderuar. Më pas vijuam vizitat tek kuksiani Albert Sula, ku babai i tij i nderuar Dalipi kishte hijeshuar dhomën për të pritur miqtë, gëzohesh kur shikon arritjet e kësaj familje në shkollim, bisnes e me shtëpi të bukur bajraktari sic i thonin më parë. Ndërsa shoku ynë Llazar Vero, ditën tjetër e ka shtruar drekën së bashku me zonjën, doktoreshën Tatjana e cila duke uruar mirëseardhjen thotë se e bëra për mikun nga Kukesi pasi dëgjova shumë mirë për të. Sigurisht që ndjehesh mirë kur të vleresojnë vecanërisht njerëz të tillë që papërtuar ti thonë pozitivet por edhe mangësitë hapur, përballë. Vëllai im Jakupi me zonjën Shqipe, ditën tjetër donin të provonin veten në shtëpinë e re, se a mund të presin miq apo jo. Prandaj nuk ua prishëm. U mblodhëm 10-12 veta për ti uruar edhe për festën e Flamurit, edhe për shtëpinë e re. Kaluam bukur, duke kujtuar edhe dhomat e miqve dikur ku çibukët e gjatë e duhani i dredhur i shoqëruar me kafe të herë pas hershëm, i jepte lezet muhabetit. Por sonte, Abdullai ishte në shtëpi të vet, tek fisi Domi. Shoku ynë nga Vlora,ish kryetar i shoqatës z.Petrit Zanaj , na thotë : “Kush të nderon, duhet nderuar”. Keshilli i Qarkut Kukës na ka nderuar shoqatën tonë duke e vlerësuar “Nderi i Qarkut”, dhe ne ju jemi mirënjohës. Prandaj kryetarin, z. Abdulla Domi dua ta nderoj me një darkë tek lokali shqiptar “Osterio Saporino” e vëllezërve Jaupaj. Ashtu u bë. Duke shijuar ushqimin mjaft te shijshëm që ishte përgatitur, biseda u bë më shumë në arritjet e shqiptarëve këto vitet e fundit në bisnes, kryesisht në restaurantet e sektorin e ndertimit, ndërsa shumë nga të rinjtë kanë avancuar me shkollimin dhe sot i shikon të jenë punësuar në arsim, mjekësi, inxhinieri, financë, avokati, gjyqtar etj. Komuniteti po rritet shpejt jo vetëm në numër, por edhe cilësi e forcë. Vizitat e takimet vijuan me familjen e z. Hys Hasa në restaurant “Eating Garden” me pronar z. Ahmet Zeka; Odën Dibrane të familjes së nderuar Collaku; me z. Hamdi Gjana si dhe komunitetin Kuksian në Filadelfia.  

Ditët po kalonin por vizita e planifikuar në Washington DC dhe në Ambasadën Shqiptare atje, duhej realizuar. U vendos për të shtunën 3 Dhjetor. Së bashku me z. Abdulla Domi, udhëtuan kryetari i shoqatës z. Bujar Gjoka, Tajar Domi dhe Hys Hasa. Eshtë privilegj për cdo njeri, të cilit i mundësohet një vizitë në krye- qendrën e SHBA-së por edhe të botës. Pra, edhe për mikun tonë, kjo ishte një gjë shumë e rëndësishme. Takimin e parë e realizuam tek Ambasada shqiptare, një godinë e bukur në teritorin e ambasadave, pronë e shtetit shqiptar ku flamuri i ngritur na fton të futemi brenda. Gjejmë një pritje të ngrohtë e vëllazërore nga Ambasadorja znj. Floreta Faber, tashmë e vlerësuar “Miku i Shoqates” tek Bijte e Shqipes, dhe ekipit të saj, Armandos e Florianit. Kafe e muhabet i këndshëm. Sigurisht interesi i bisedës ishte 28 Nentori dhe festimi i kësaj date të madhe, ndër shqiptarët e Amerikes. Interesit të znj. Faber për ketë festim në Filadelfia, ku ajo ishte e ftuar, ju dha informacion nga z. Bujar Gjoka. Unë, tha ajo, mora pjesë në festimin e ditës së Flamurit me shqiptarët e Nju Jorkut ku u kënaqem, meqenëse isha për herë të parë aty, ndërsa tek ju kam qenë disa herë. Znj. Ambasadore në bisedë të lirë, e informoi kryetarin e Qarkut Kukës, për ditën e hapjes së ambasadave për publikun në muajin qershor të cdo viti, ku interesi për të vizituar ambjentet tona është i madh, 3-4 mijë veta, duke mbajtur radhë të gjata jashtë. Ndërsa në qershor të 2017-ës na nderuan bashkatdhetarët tanë nga Filadelfia që morën pjesë së bashku me nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë”, të veshur me kostume kombëtare e të përgatitur me këngë e valle popullore. Ishte shumë mbresëlenëse, vazhdoi znj. Faber.  Pasi morëm disa foto si kujtim të kësaj vizite e i falenderuam diplomatët tanë për pritjen, do te vazhdonim me njohjen e qytetit, me foto të shumta afër Shtepisë së Bardhë, te Capitol Hill e në pjesë të tjera të tij Që një ditë e bukur për të gjithë ne, por për mua thotë z. Abdulla, ishte e vecantë. 

Pas dy ditësh, ai do të kthehet në Atdhe. Prandaj së bashku me z.Bujar Gjoka, do të organizonim një kafe-koktej në ambjentet e Qendrës të Re të komunitetit, me rastin e këtij largimi. Morën pjesë anëtar të kryesisë, të shoqatës e nga komuniteti, të cilët e falënderuan me fjalë zemre z. Domi për pjesëmarrjen në këto ditë festë, e vlerësimet e bëra për shoqatën Bijte e Shqipes së bashku me disa anëtar e veprimtar kuksian të saj. Shpresojmë që ju të keni hapur rrugën edhe për qarqet e tjera në vendlindje, që të mos kursehen me vleresimet e merituara ndaj shoqatave e bashkë qytetarëve të tyre, sepse kështu krijojmë histori arkivore të përbashkët duke lumturuar të dya palët, ashtu sic ndodhi me Kukësin e Ju i nderuar z.kryetar Abdulla Domi. 

Filadelfia, me 6 Dhjetor 2022

Filed Under: Ekonomi

Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës Në  NY, Ambasadori Blerim Reka Midis Nxënësve Të Shkollës Shqipe “Alba Life”, Brooklyn

December 10, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo

Unë biri yt, Kosovë, t’i njoh dëshirat e heshtura/ t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj…

Ali Podrimja

Shkollat Shqipe “Alba Life” janë model i mësimit të Gjuhës Shqipe dhe i kultivimit të vlerave kombëtare dhe atdhetare.  Ambasadori Reka

Mësues, Nxënës, prindër dhe stafi i Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasadori i Kombit në Brooklyn mirepritën me plot përzemërsi Konsullin e Përgjithshëm të Kosovës në New York, Ambasadorin Blerim Reka.  Ambasadori Blerim Reka shoqërohej nga bashkëhortja e tij, pedagogia Ymrane Reka dhe Diplomati Fatmir Zajmi.  

Nxënësit të gëzuar e mirëpritën me duartrokitje Ambasadorin Reka dhe bashkatdhetarët nga Kosova dhe kjo është një traditë e mrekullueshme për gati 16 vjet brenda mjediseve tona në shkollë.  Në dërrasë shkëlqente si Dielli, Flamuri Kombëtar dhe Flamuri i shtetit të Kosovës.  Nxënësit gjithmonë janë kurreshtar, ngacmues të kujtesës, truri i tyre kërkon sa më shumë të thithë historinë, kulturën, traditat tona.  Një nxënese me sy të shndritshëm blu më pyeti se pse ne kemi dy Flamuj ku ju i keni shfaqur në dërrasë?  Çdo Komb ka vetëm një Flamur?  Natyrshem ia spjegova me kujdes për aq sa i lejon mosha e tyre për ta kuptuar, por nga ana tjeër ju ngulitet mirë në kokë se Bashkimi Kombëtar është detyrë immediate dhe atëhere do të valojë vetëm Flamuri i Gjergj Kastriot Skënderbeut.  

Ambasadori Reka përshëndeti gjithë të pranishmit, mëuesit, nxënësit, prindërit që i janë bashkuar Misionit Kombëtar.  Me një elekuencënë të folur dhe plot kulturë ai i falënderoi nxënësit dhe i porositi që të mos i harrojnë kurrë rrënjët nga kanë ardhur dhe të vazhdojnë të mësojnë Gjuhën Shqipe, pasi ai është identiteti ynë kombëtar.  Është kënaqësi të jem midis jush dhe t’i dorëzoj z. Qemal Zylo themeluesit dhe drejtuesit të Shkollave Shqipe në të gjithë Nju Jorkun dhe në Online Abetaren e unifikuar në një nga shkollat tuaja në Brooklyn.  Shkolla Shqipe “Alba Life” është një model i mësimit të Gjuhës Shqipe dhe i kultivimit të vlerave kombëtare dhe atdhetare.  Ju gjithmonë do ta keni përkrahjen e qeverisë së Kosovës e cila ka projektet e saj për të mbështetur dhe bashkërenduar me Diasporën.  

Z. Qemal Zylo e falënderoi në emër të Bordit dhe gjithë mësuesëve Konsullin e Përgjithshëm të Kosovës në NY, Ambasadorin Blerim Reka për vizitën e tij në këtë shkollë.  Dua të theksoj se Shkollat Shqipe “Alba Life” gjithmonë e kanë ndjerë përkrahjen dhe mbështetjen e qeverive të Kosovës dhe për këtë ju shprehim mirënjohjen tonë të pakufishme. 

Më duhet të shtoj këtu se Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në vitin 2018 hapi siparin e 10-të Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës me nxënësit e Shkolles Shqipe “Alba Life”.

Disa nxënës e përshendetën me poezi të ndryshme ardhjen e Ambasadorit Reka.  Nxënësit e talentuar si Kelvin Rustani, Altea Bala, Henri Cami etj interpretuan poezi të ndryshme.  Psh Altea Bala interpretoi poezi me titull “Ëvetarin”, që i kushtohet Abetares së parë, më 1844 nga Naum Veqilharxhi.  

…Është gjuhë e Perëndisë,

Me Ëvetarin e Veqilharxhit,

Veç ajo ty do të ndrisë,

Si një yll në mes të ballit.

Në mbyllje të vizitës nxënësit bënë fotografi me Birin e Kosovës, Ambasadorin Reka duke e falënderuar për dhuratën e çmuar që iu solli: Abetaren e unifikuar Shqipëri-Kosovë.

Duke bërë fotografi me vehte interpretoja poezinë e famshme të Ali Podrimes si: 

Unë biri yt, Kosovë, t’i njoh dëshirat e heshtura/ t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj…

Faleminderit Kosovë!

9 Dhjetor, 2022

Brooklyn, New York

Filed Under: Politike Tagged With: Keze Kozeta Zylo

Dinjiteti shqiptar dhe torturat serbe në 13 burgje

December 10, 2022 by s p

Intervistë me z.Rexhep Gali Balidemaj

Nga Orest Çipa

Barra e rëndë e viteve, ja ka ngadalësuar pak hapin, deri në çapitje, ja ka tkurur kraharorin e tij prej malësori, ja ka zbardhur flokët, por s’ka mundur dot t’ja shuaj zjarrin e shkëlqimit të syve, mprehtësinë e mendimit dhe hijen e kësaj “race” të rrallë burri.

Edhe pse ai sot është 100-vjeç, Bac Rexhep Balidemaj, e ruan me kokëfortësi vitalitetin dhe fisnikërinë e kreshnikëve shqiptar.

Udhëjeta e tij një shekullore është dëshmia më e gjallë e plagëve të cilat ende lëngojnë nën lekurën e drobitur të Kombit tonë.

Kjo frymë e zjarrtë shqiptari, na jep dritë nga erësira e gjakosur e së shkuarës, që ende, vardiset në dhimbjen e mijra dhimbjeve të trashëguara brez pas brezi deri në ditën që do kryhet amaneti.

Ai na priti ashtu siç e do zakoni!

-“Burri e pret mikun dhe hasmin tek pragu i derës dhe e fton në vatrën e tij. Apo e kam gabim burra”?!

-“Për atë nder burri, ashtu është Baca Rexh”!- Ja ktheu miku im Qazim Doda.

Pasi shtrënguam duart dhe hymë në derën e këtij “martiri” të gjallë vuajtjesh, syt më shkuan tek Kanuni i Lekë Dukagjinit.

Ç’farë kontrasti i bukur! Ky plak virtuoz 100-vjeçar i cili jeton prej 30-vitesh në Nju Jork ende e do pranë këtë libër të “shenjtë” të malësorve shqiptar.

Bac Rexha u ul në divan. Pas supeve të tij ishte e hedhur një lekure e rregjur bagetie (zakon i trashëguar në breza ), në krahun e majtë, ishte një sklupturë e heroit legjendar Adem Jashari. Pak më aftër, në të djathtën e tij, ishte një lahutë e gdhendur bukur. Pasi morri fryme thellë, e rrëmbeu lahuten dhe nisi të na këndoje një kënge mikpritjeje.

O Mirë se ardhe o burr i Labërisë / ma ke gëzue shpirtin e konakun/ e gjithmon i gëzoftun kiofsh/ si shkipja me flamurgjakun/ o burr i Labërisë , o shqiptari burr/

Kiofsh në jet e mot, i fort si i y’ni gur/.

Unë u përhumba në një botë tjetër…

Më ishte kënduar qysh në djep vëndçja shqiptare (polifonia) e sot që jam 34-vjeç më këndohej me lahutë! Tingujt e lahutës të cilat përftoheshi duke i rënë kordhës me hark, më dritheronin lëkurën. Qazimi më kallzoi se Baca Rexh e dinte përmendësh të gjithë Lahutën e Malcis së Atë Gjergj Fishtës, po ashtu, herë pas here ai këndonte me lahutë dhe e kishte si ilaç për të mos humbur në meditimin e moshës. Ky plak fisnik nuk ditka vetëm të durrojë rropatjet dhe torturat e shkjahut, por ditka të ngrejë lart traditën, kultin e të parëve, historinë dhe ngjarjet e lavdishme të eposit tonë. Pasi përfundoi këngën e përqafova me dashuri të madhe dhe nisa ta pyes.

Sa vite mban mbi supe Bac?

Kam lind më 19 dhjetor të vitit 1922 në fshatin Martinaj të Gucisë.

Aty kreva edhe shkollën fillore, ndërsa gjimnazin siç quhej atëherë e bëra në Plavë në gjuhën serbe, pasi asokohe nuk kishte asnjë shkollë që jepte mësim në gjuhën shqipe.

Si mësove ta shkruash shqipen?

Ishte rastësi e bukur e cila më ndryshoi komplet rrjedhën e jetës. Në vitin 1941 vendlindjen time e vizitoi Ministër i Shtetit, Qazim Koculi (atëhere ishte qeveria kolaboracioniste shqiptare). Mesa duket në atë periudhë patriotët shqipar kanë dashur të arsimojnë individe të veçantë nga trojet e mbetura jashtë kufijve te Shqipërisë. Më kujtohet se Ernest Koliqi ka qenë përgjegjës i 200-mësonjësve të këndimit të shqipes. Me një letër të posaçme që Ministri më dha, unë shkova në Tiranë dhe u regjistrova në gjimnaz.

Në këtë periudhe u njoha me Qemal Stafën e patriotë të tjerë, ku së bashku morëm pjesë në disa aksione antifashiste. Më pas, në verën e 43-shit u ktheva në vendlindje, ku u angazhova në lëvizjen rinore të Plavës e Gucisë. Në vjeshtën e po atij viti, u regjistrova në aradhat partizane me të cilat luftova deri në Trieste të Sllovenisë.

Ç’ndodhi në jetën tënde pas çlirimit të Shqipërise ?

Isha i etur për dije, mu krijua mundësia të shkoja në Beograd, aty bëra kursin për shifrant. Punova për pak vite në Gardën e Titos por isha i lodhur duke mbajtur pushkën mbi supe, doja diçka më shumë, doja dije. Në vitin 1946 së bashku me një grup kolegesh fituam të drejtën për të studiuar ne Kiev të Bashkimit Sovjetik (në atë periudhë). Ne ishim klasa e parë nga Ish-Jugosllavia që do trajnoheshim për tu bërë pilot. Aty qendrova 2-vite. Kishte student nga e gjithë bota. U njoha edhe me shumë shqiptarë të cilët i ndihmova dhe ju gjetëm pranë njëri-tjetrit. Në vitin 1948 pasi përfundova kursin u punësova si pilot ushtarak në Zemun, një qytet afër Beogradit.

Ç’ndodhi më pas?

Këtu nis një kapitull tjetër i jetës time.

Në një poezi që kam shkruajtur dikur po ju kujtoj vetëm esencën e saj me një fjali:

“Në këtë udhë që kisha hekun / u degëzue në dy rrugë t‘jena/ njëra ishte me lule, tjetra ishte me therra/“. -Mu desh të zgjidhja rrugën e dytë!

Po në vitin 1948 me prishjen e marrëdhënieve pas Rezolutës së Informbyrosë, kur u prish Titua me Stalinin, u mbyll hermetikisht edhe kufiri me shqipërinë dhe për 45-vite nuk kam shkuar më. Këtu u përcaktua për mbrojtjen e çështjes kombëtare shqiptare, sepse në anën e rezolutës ishte Shqipëria. Kur u morra në pyetje, si shqiptar, donin të dinin për bindjet e mia pas prishjesh së Jugosllavisë me Rusin. Unë isha i brumosur me ndjenjë patriotike. Ne të “trojeve” e donim Shqipërinë deri në vdekje. Ju thashë me bindje të fortë se më kë ishte Shqipëria isha dhe une. Pas kësaj përgjigje u arrestova si Informbiro-ist dhe u dënova me 6-vite burg. Dënimin e vuajta në burgun më famëkeq të ish-Jugosllavisë në Goli Otok. Burgu ishte një tmerr i vërtet! Kur skam për ta harruar.

Ç’ka të kujtohet nga burgu?

Më mirë pyet këtë lekurë e këto kocka (e më buzqesh)

Cilat kanë qenë torrturat më të veshtira që keni ndier? Dhimbja më e madhe ka qenë dhimbje fizike apo dhimbje shpirtërore?

Ç’do i burgosur politik në burgjet e regjimit Serb ka përjetuar tortura të tmerrshme dhe në fund shumë nga ne kanë vdekur nga ato tortura mizore. Presioni psikologjik ka qenë i tmerrshëm, dhunimi ynë ka qenë nga më brutali. Rahjet ishin të shpeshta një apo disa herë në ditë. Kishte mungës ushqimi, uji dhe ka qenë një i ftohtë i madh që të bënin ta humbisje shpeshherë vetëdijen. Kur gardianët lodheshin duke na rrahur, na detyronim të bartnim gurë të rëndë tërë ditën. e shqiptarët kemi lindur për vuajtje. Nuk dua të zgjatem tek torturat sepse janë të shumta (rrudh vetullat). Shumë shqiptarë kanë dhënë shpirt për së gjalli në ato burgje! Sot , këta politikanët tanë po e shesi vendin për pushtet.. ( shpreh dhimbej)

Në hetuesi më së shumti jamë malltretur nga UDB-ashët shqiptarë. Edhe serbët më mundonin shumë, ndërsa malazezët ishin pak më të përmbajtur. UDB-ashët shqiptarë më urrenin se e doja Shqipërinë dhe flisja edhe para tyre kundër Jugosllavisë. Ata ishin të betuar për atë shtet dhe e merrnin shumë personale.

Po pas burgut ç’ndodhi?

Burg pas burgut e burg pas burgut ..(qesh sërish).

Kam qenë gjithsejt në 13 burgje në vende të ndryshme në ish-Jugosllavi. Pas vuajtjes së dënimit, në vitin 1956-të u ktheva në vendlindje. Mirëpo, ndonjëherë liria është më zi se burgu.

Tani më ishte qepur nga pas UDB-ja.

Një rast i rëndomë në fashtin e lindjes ku unë dola në mbrojtjen e një fshtarit tim të cilin UDB-a e kishte nën vëzhgim u penalizova bashkë me të. Kjo mjaftoi që në bazë të nenin 133 të akuzohesha për propagandë armiqësore dhe mu privua liria ime me 3-vite burg, të cilat i vuajta në burgun e Kotorit.

Një rast i tillë me bëri të kuptoja se propaganda serbe kishte arritur të asimilonte pothuajse 80-përqind të popullsise shqiptare. Më kujtohet se kur isha i ri ngaqë këndoja mirë prifti ortodoks donte të ma bënte emrin nga Rexhep në Ranko. Por, në rastin që u tregova pak më parë, ishte dakordësimi100-përqind me votë i fshatarëve të mi që unë të shkoja në burg. Ata u pyetën në atë mbledhje se kush është për ta dënuar Rexhep Balidemajn. Unë disi e kisha një besim të plotë se të paktën do të mbrohesha nga njerëzit e mi sepse e ngrisja zërin për të drejtat e shqiptarëve por ndodhi e kundërta dhe u habita se si disa prej tyre i kishin ngritur nga dy duar që të dukeshin se janë më shumë. I joti ta kall datën!

Po pas lirimit nga ky dënim, si i kishe punët?

Keq e mos më keq. S’kisha ku të shkoja u ktheva në vendlindje. Ca njerzit e mi më ndihmuan të filloja punë si rojtar pyjesh. Por edhe këtu nuk kisha mundësi të merrja frymë! Sërish kisha nga pas UDB-në! Pas tre vitesh i lirë i thënçin, më arrestojnë përsëri. Kësaj here më dënuan me dy vite burg, në ishullin Gërgur. Pasi u lirova, ishte e vështirë të gjeja punë, mbeta disa vite pa punë. Pastaj ika në Kosovë. Në këtë periudhe kam qenë i martuar dhe kisha dy fëmijë. Disa dashamirës të familjes, që kishim edhe lidhje gjaku të cilët jetonin dhe punonin në Prishtinë, më punësuan në ndërmarrjen “Ramiz Sadiku”, ku punova deri në vitin 1981. Prej aty, pa kaluar shumë kohë u angazhova me demonstratat e studentëve të po atij viti dhe përsëri u prangosa nga policia serbe. Kësaj here më çuan në burgun e Lipjanit. Ky burg nuk zgjati shumë, gati dy muaj. Aty u njoha me veprimtarët e rinj të çështjes së shqiptarëve të Kosovës dhe u angazhova në të famshmen “Lëvizja Treshe”. Isha i madh në moshë, mirëpo vuajtjet e këtyre viteve më kishin bërë më të fortë. Në vitin 1983 u arrestova përsëri dhe u dënova me 5-vite burg. Në këtë periudhë gjerat kishin ndryshuar, unë kisha një emër, isha “veteran” burgjesh (qesh)!

Për fatin tim të mirë kësaj rradhe më mori në mbrojtje avokati i njohur Bajram Kelmendi, dhe pas disa përpjekjeve të tij me ndërkombëtarët, dënimin u zbritën nga 5-së në 3-vite burg, të cilat i mbaja në burgun e Prishtinës, Gjurakovcit dhe Gjilanit. Pas këtij burgu i bëra dhe dy muaj të tjera brenda se kështu ishte shkruar për mua. Kush e do atdheun vuan!

Mirëpo, isha i nderuar që kisha bashkëpunim të ngushtë me Rexhep Malajn, Nuhi Berishen e Afrim Zhitinë. Të tre kanë rënë heroikish në luftë kundër pushtuesit Serb, dy të parët në vitin 1984 dhe Afrimi u vra në vitin 1989. Në Kosovë veprohej në systemin e treshit (siç ua thashë) dhe në këtë mënyrë i shpëtonin të tjerët edhe nëse ndonjëri arrestohej nga UDB-ja.

Unë isha kryefortë për bindjet e mija patriotike, se e doja Shqipërinë. Por nëse je patriot të rëndonte barra e vuajtjes dhe mbijetesës, e cila ti stërgjat mundimet dhe të vë në provë të madhe dinjitetin. Por, nëse je burr, asgjë nuk ta nënshtronte dot shpirtin!

Filed Under: Fejton Tagged With: Orest Cipa

Tv Kultura Shqiptare, çerekshekull në shërbim të komunitetit shqiptar në Amerikë

December 10, 2022 by s p

Sokol Paja/

New York, 4 Dhjetor 2022 – Televizioni Kultura Shqiptare festoi çerekshekull transmetime dixhitale në shërbim të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një festë madhështore në Bronx, media e drejtuar nga Adem Belliu përfshiu shumë bashkëpunëtorë ndër vite, profesionistë të medias, veprimtarë të komunitetit shqiptar, miq e të ftuar të familjes televizive. Televizioni Kultura Shqiptare u themelua më 28 Nëntor 1997 në Bronx New York. Ishte pjesë e rrjetit të televizionit publik Bronxnet. Ky televizion ka ndjekur çdo veprimtari të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke qenë një memorie televizive, historike, dixhitale e shqiptarëve të Amerikës. TV Kultura Shqiptare ka në plan në bashkëpunim me organizatat shqiptare kryesore në New York që në pranverë të organizojë një festë madhështore për komunitetin shqiptar. TV Kultura Shqiptare është televizioni më i vjetër shqiptar në Amerikë dhe ka një arkivë shumë të pasur të jetës komunitare të shqiptarëve të Amerikës. Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA dhe gazeta Dielli i shpreh mirënjohje dhe falenderim të përzemërt për bashkëpunimin, dedikimin, përkushtimin dhe profesionalizmin.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Adem Belliu

Aleksandër Vuçiq, njeriu i Rusisë në Ballkan

December 10, 2022 by s p

Sylë Ukshini/

Presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka kaluar nëpër shumë transformime politike, por edhe pse tani betohet në Bashkimin Evropian, me çdo lëvizje që bën ai tregon se nuk ndjek një politikë të tillë dhe se ende i intereson shumë më tepër Rusia, shkruan e përditshmja gjermane, Sueddeutsche Zeitung – SZ.

Gazeta vlerëson se “lidhja me Rusinë është një nga konstantet më të forta në jetën e Aleksandar Vuçiqit, edhe pse në të njëjtën kohë ai pretendon se dëshiron ta çojë Serbinë në BE.

SZ kujton se Vuçiq së fundi në Beograd u takua me përfaqësuesin e presidentit çeçen Ramzan Kadyrov, i cili konsiderohet përgjegjës për krimet e luftës si në Rusi ashtu edhe në Ukrainë, dhe tha se “marrëdhëniet ruso-serbe nuk mund të shkatërrohen nën asnjë presion”.

“Pesëdhjetë e dy vjeçari Vuçiq ka pësuar metamorfoza të shumta politike – nga ministri i propagandës nën autokratin serb Slobodan Millosheviq dhe një nacionalist i vendosur, tek një politikan i supozuar reformist dhe tani përsëri në një populist neo-nacionalist”, shkruan SZ.

Sipas gazetës SZ, Vuçiq ka më shumë se dhjetë vjet që përcakton politikën e Serbisë dhe sundon si autoritari Viktor Orbán në Hungari, dhe në Serbi “madje skandalet më të mëdha raportohen vetëm nga një numër i vogël i mediave të pavarura”.

“Nëse Vuçiq do të donte vërtet anëtarësimin në BE, negociatat e anëtarësimit, të cilat janë zvarritur që nga viti 2012, ndoshta do të shkonin pak më tej. Por në BE, Vuçiqit do t’i duhej të kufizonte pushtetin e tij. Ashtu si bisedimet me Brukselin pa rezultat, po ngecin edhe bisedimet me Kosovën”, shkruan SZ.

Megjithatë, gazeta gjermane thekson se “elefanti” më i madh proverbial i politikës së Vuçiqit është Rusia.

“Ajo është e lidhur me Serbinë jo vetëm nga historia dhe feja, por edhe nga kontrolli mbi rafineritë dhe kompanitë serbe të naftës dhe gazit.” Deri në luftën në Ukrainë; BE-ja i mbajti të dy sytë tek ajo. “Tani Vuçiq është nën presion prej muajsh për t’iu bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Moskës”, shkruan SZ.

Edhe pas shpërthimit të luftës, Vuçiq theksoi se dëshiron ta çojë Serbinë drejt BE-së dhe përmes shefit të diplomacisë Ivica Daçiq njoftoi se më mirë do të rreshtohej me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, “faktet thonë të kundërtën”.

Një shembull, shkruan e përditshmja, është emërimi i Aleksandër Vulinit, “bashkëpunëtor i ngushtë i Vuçiqit dhe aleati më i lartë serb anti-evropian dhe rus” në krye të shërbimit sekret të fuqishëm – BIA.

“Dhe planet për një tubacion nafte që do të transportojë më shumë naftë ruse përmes Hungarisë në Serbi, si dhe bashkëpunimi i ngushtë i njoftuar së fundmi me kompaninë ajrore ruse Aeroflot, e cila është e bllokuar në BE, tregojnë se Aleksandar Vuçiq e vendos shpresën e tij më shumë në Moskë, sesa në BE”, përfundon SZ.

Filed Under: ESSE Tagged With: sule ukshini

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1930
  • 1931
  • 1932
  • 1933
  • 1934
  • …
  • 2783
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”
  • Trifon Xhagjika (20 prill 1932 – 23 dhjetor 1963)
  • POETIKA E MUNGESËS DHE KUJTESËS APO ËNDRRA SI METAFORË E IDENTITETIT LIRIK
  • Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit
  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT