• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRESHNIKU KOMBËTAR DEDË GJO’ LULI – “MALËSORI QË MUJTI”

November 27, 2022 by s p

Në 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë /

Nga Frank Shkreli /

See the source image
A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

                                                                          Ded Gjo’Luli
Përshëndetje të gjithëve…

Si zakonisht, është kënaqësi dhe privilegj për mua që gjëndem përsëri këtu në kryeqendrën e Vatrës historike të shqiptaro-amerikanëve dhe të Kombit mbarë. Ju falënderoj për ftesën për të folur, shkurtimisht — për Kreshnikun e Kombit Ded Gjo Lulin me malësorët, në këtë 110-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë. 

E vërtetë se Flamuri i Gjergj Kastriotit – Skenderbeut u ngrit në Vlorë me 28 Nentor, 1912 – dita kur edhe u shpallë Shqipëria shtet më vete. Ky zhvillim i përmasave historike të Kombit shqiptar nuk ndodhi në një boshllëk kohor as nuk ia dhuroi kush shqiptarëve pavarësinë.  Shumë sakrifica, luftëra dhe zhvillime ushtarake, politike dhe diplomatike i kanë paraprirë kësaj date historike të 28 Nentorit. 

Ndër këto zhvillime ishin dhe luftërat dhe kryengritjet e fiseve të Malësisë së Madhe kundër pushtimit 500-vjeçar të Perandorisë Osmane dhe ngritja e flamurit kombëtar në Deçiq — me 6 prill, 1911 — ku në vend të flamurit turk, u vendos flamuri i Kombit shqiptar – Flamuri i Gjergj Kastriotit- Skenderbeut – për herë të parë në trojet shqiptare – ç’prej kohës së të Përgjithëmonshmit të Kombit Shqiptar – Kryetrimit — Skenderbe. 


Po, kush ishte protagonisti kryesor i atyre lëvizjeve dhe cilët ishin ata trima rreth tij, që me veprat e tyre, në fillim të shekullit të kaluar, ndoshta për herë të parë në 500-vjet robëri – shkaktuan përhapjen e një entuziazmi anë e mbanë trojeve të pushtuara arbërore, se shqiptarët mund të ia delnin kundër një perandorie të madhe, siç ishte ajo e pushtuesve otomanë!

Kujt ia merrte mendja se kjo histori pushtimi prej 5 shekujsh, mund të ndryshonte njëherë e mirë. Se më në fund, Kombi Shqiptar po shkruante një kapitull të ri në historinë e tij — drejt një fillimi të lirisë dhe pavarësisë së tij në fillim të shekullit XX. 

Kush ishte prijsi dhe cilët ishin këta burra pashkollë – por të zgjuar e të urtë, trima dhe patriotë — qendresa kundër pushtuesve otomanë e të cilëve bëri bujë anë e mbanë Evropës së asaj kohe?

Fjala është për Ded Gjo’ Lulin, të cilin At Gjergj Fishta e kishte cilësuar si “Malësorin që mujti” dhe për “petritat malësorë” të fiseve të Veriut të Shqipërisë.  Veprat e tij dhe të malësorëve, mbeten sot e kësaj dite, një akt i madh historik e patriotic që do të kujtohen gjithmonë, (të pakën në sytë e popullit të atyre anëve).  

Ata kujtohen me krenari frymëzuese dhe si simbol i paharrueshëm i fuqisë morale të malësorëve dhe të Kombit shqiptar kundër pushtuesve të huaj dhe armiqëve të Kombit, atëherë dhe sot.

Në momentin e duhur historik, malësorët i erdhën në ndihmë Kombit në çastin kur mendohej se raca shqiptaro-arbërore po jepte shpirt, e ndarë dhe e harruar nga bota perëndimore, nga ajo botë ku shqiptarët e kishin vendin – aty ku e kishte para-përcaktuar, historikisht, Gjergj Kastrioti-Skëndërbeu.

Malësorët e vitit 1911, jo vetëm që, para Evropës, u bënë simboli i Rilindjes Kombëtare për liri e pavarësi të shqiptarëve, por ata ishin edhe zëdhënsit e parë të Kombit që paralajmëruan pavarësinë –e që erdhi një vit më vonë. Në të vërtetë, Ded Gjo’ Luli dhe malësorët e tij, ishin përfaqsuesit e Kombit ata që njoftuan botën se toka e Gjergj Kastriotit, më në fund, kishte zot.

Ismail Qemali e ka quajtur Ded Gjo Lulin, “Pushkë të ngrehur të Shqipërisë.”  Lufta serioze e malësorëve kishte gjetur menjëherë ndihmën dhe përkrahjen e Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit dhe patriotëve të tjerë shqiptarë nga mbarë trojet shqiptare. Të inkurajuar nga lufta e malësorve kundër otomanëve, më mendje-ndriturit e Kombit, në atë kohë, shkuan për t’u takuar me Dedë Gjonin dhe bashkpuntorët e tij në (Podgoricë) për të përpiluar Memorandumin historik që, përmbante, ndër të tjera — kërkesat për të drejtat bazë për atë kohë — të Malësorëve dhe të gjithë Shqiptarëve.  


Sot, një peticion të tillë, dërguar fuqive të mëdha të kohës, do ta quanim fillimi i “ndërkombtarizimit të çështjes shqiptare”.

Ishin, pra, malësorët ata të cilët në emër të Kombit shqiptar, i parashtruan botës së atëhershme të qytetëruar, kërkesat e tyre për liri dhe pavarësi, aspak ndryshe nga rasti i Kosovës, dekada më vonë – ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës e kemi quajtur, dëshmitarë e pjesëmarrës të cilës jemi. Një lëvizje e prirë me urtësi dhe diplomaci nga Presidenti historik i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.  

Po kush ishin malësorët, bashkpuntorë të Ded Gjo’ Lulit, të cilët nënshkruan Memorandumin e famshëm me kërkesat e tyre dhe të gjithë shqiptarëve, drejtuar perandorisë osmane dhe fuqive të mëdha të asaj kohe?   

Mund të jetë hera e parë që, publikisht, lexohen emërat e këtyre përfaqsuesve të fiseve të Malësisë së Madhe në aë kohë, të cilët në emër — jo vetëm të krahinës a fisit të vet — por edhe në emër të mbarë Kombit shqiptar kanë nënshkruar atë që historia e njeh si,“Memorandumin e Grecës”, drejtuar fuqive të mëdha të asaj kohe.  

 Në Qershor, 1911 u mbajt Kuvendi ku u nënshkrua “Memorandumi i Greçës” me 12 pika nga të parët e Malësisë së Madhe.  Emrat, as roli i tyre nuk janë aq të njohur për shumë veta, por unë do i kujtoj sot pasi e meritojnë të kujtohen, duke lexuar emrat e tyre — ndoshta për herë të parë në publik – megjithëse emrat e tyre janë shënuar në artikuj të botuar në atë kohë (siç ishte revista e njohur Leka, Hylli i Dritës e të tjera, para Luftës së II Botërore), por edhe në ndonjë publikim të më vonshëm. 

NËNSHKRUESIT ishin: Ded Gjon Luli i Hotit, Sokol Baci i Grudë, Ded Nik Bajraktari-Vukël, Dod Preçi-Kastrat, Tom Nika-Shkrel, Cal Dedi-Selcë, Mehmet Shpendi i Shalës, Gjeto Mark Ujka-Hot, Hil Mosi, Risto Siliqi, Luigj Gurakuqi- përfaqësues të Shkodrës, Lul Rapuka – Vukël, Llesh Gjergji-Nikç, Nik Mhilli-Shllak, Binak Lulashi -Toplanas, Bash Bajrami-Nikaj Mertur, Bec Delia-Dukagjin.  Nënshkrues të Memorandumit ishin dhe disa prej meshtarëve të atyre krahinave, në atë kohë, si Pater Karl Prenushi, Pater Mati Prenushi, dënuar me vdekje nga komunizmi enverist, Pater Lorenc Mitroviqi, Pater Sebastian Hila, Pater Bonaventura Gjeçaj dhe Pater Luigj Bushati. (Revista Leka- Vjeti IX- 1937, Memorials des Malisores, Sir Edward Grey).  

Siç thashë më lartë, për brezat e rinjë të shqiptarëve sot këta emra janë të panjohur. Mund të jenë edhe të mërzitshëm, të një periudhe të kaluar, por sipas At Gjergj Fishtës këta ishin, “Ded Gjo Luli, që vu sy me vdekë, a Shqiptar i lirë me mbetë — me ata kreshnikë petrita të Maleve të Mëdhaja – burra si motit veç që i bante lokja shqipëtare — bjen në mal, e mbi kaki të Deçiqit ngulë Flamurin e Shqipënisë – kuq e zi: zjarm e dekë, nji be ai rreh, nji be të madhe po, rrreh ai në sy të qiellës e të dheut, se rob Shqiptari për nën themër mizore të Turkut ma kurrë, jo, kurrë nuk do të gjimonte, e as nën themër,  t’atij Sllavi të mënijshëm. Me atë be të shugurueshme ngeli në habi Evropa. Cetina u trand, e u dynd tanë pem e mëni Stambolla…dhe Malësori mujti”, ka shkruar At Gjergj Fishta.  Malësorët — paraprijës të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë — ia dolën, në krye me Ded Gjo Lulin!

Falë rolit dhe sakrificave të këtyre burrave të Malësisë së Madhe dhe të Kombit shqiptar, në krye me Ded Gjo Lulin, Shqipëria feston sot 110-vjet pavarësi.  Por, megjithë arritjet e deritanishme, ëndërra e shqiptarit për të jetuar në shtëpinë e vet, zot i fatit të vet, të bashkuar në demokraci të vërtetë, liri dhe në paqë e siguri me fqinjtë — si pjesë e familjes së madhe evropiane, “I lirë dhe i lumtur”, siç është shprehur Luigj Gurakuqi dikurë– mbetet ende një ëndërrë e pa realizuar për shqiptarët, 110-vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. 

Në këtë 110-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, shqiptari i shekullit XXI, e kërkon realizimin e kësaj ëndërre — për fat të keq të tijin — në dhena të huaja dhe jo në trojet e të parëve të vet. Të parët tanë, si Ded Gjo’Luli me malësorë na dhanë 110-vjetë më parë, atë që prisnin shqiptarët për pothuaj 500-vjet: një Shqipëri të lirë e të pavarur. Prej kësaj klase politike që udhëheq sot shqiptarët, anë e mbanë trojeve të tyre iliro-arbëroro, Kombi dhe shqiptarët kudo që janë, këmbëngulin të kenë diçka më tepër, kërkojnë: 

“Një Shqipëni të lumtun”, do të thoshte At Pjetër Mëshkalla, një prift katolik jezuit shqiptar, i persekutuar, si shumë të tjerë, nga regjimi diktatorial komunist i Enver Hoxhës. Shqiptarët duan një Shqipëri të lumtur, që të ndalohet zbrazja epike e trojeve shqiptare, për arsye të politikave aktuale korruptive anti-kombëtare të politikave shqiptare 30-vjeçare: regjimesh autokratike majtiste, pseudo-komuniste. Ka ardhur koha për një ndryshim të madh!  

Ka ardhë koha që shqiptarët, e sidomos klasa politike aktuale shqiptare, “Të lidhin besa-besen, të lëftojmë për të drejtat e për nderin e Shqipërisë dhe t’u rrefejmë të huajve se rrojmë e duam të rrojmë me nder në vendin tonë”, ka porositur dikurë ky burri këtu i Vatrës, Faik Konica.  

Ka ardhur koha që, më në fund, Kombi shqiptar, Shqipëria dhe Kosova, të distancohen njëherë e mirë nga politikat majtiste sllavo-komuniste dhe nga trashëgimia e tyre shkatërruese që shihet kudo edhe sot – madje edhe në nivelet më të larta politike, shkencore, kulturore dhe historike. Kombi shqiptar ka nevojë për riafirmimin e figurave të tija të ndritura – emrat e disave i përmenda këtu — por edhe shumë e shumë të tjerëve, të cilët historiografia komuniste i ka zhdukur ose anashkaluar nga kujtesa kombëtare.  

I përjetëshëm qoftë kujtimi i Ded Gjo Lulit dhe i kryengritësve të Malësisë së Madhe. Gëzuar Dita e Flamurit, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë.  I Madhi Zot e bekoftë Kombin Shqiptar në këtë 110-vjetor – një kohë e trazuar për fatin e tij — por me besimin dhe shpresën se drita e agimeve të reja do të shëndritë mbi fatin

e shqiptarëve dhe bashkë me të edhe rrezja e bekimit të Madhit Zot.

Frank Shkreli

Në Vatër, Nju Jork,

27 Nentor, 2022

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

Ismail Qemali, marrëdhëniet e tij me Italinë për Pavarësinë e Shqipërisë (në burimet arkivore diplomatike italiane)

November 27, 2022 by s p

Dr. Paulin Marku/

Ismail Qemali është ndër figurat kryesorë të veprimtarisë politike e organizative në fillim të shekullit XX. Ai nuk mbeti vetëm në suazën politike, por pati jehonë të madhe dhe në qarqet diplomatike. Ashtu si diplomatët e tjerë, edhe italianët interesoheshin për situatën në Perandorinë Osmane dhe për rrjedhojat e ngjarjeve në Ballkan, përfshirë dhe ato në viset shqiptare. Kancelaritë e huaja ndiqnin me interes zhvillimet politike të Portës së Larte si dhe të krerëve shqiptar. 

Po ashtu, lëvizjet e Ismail Qemalit ndiqeshin me interes dhe nga autoritetet e larta të Stambollit dhe nga diplomacitë e huaja. Ai ishte një personalitet i rëndësishëm në procesin e gjatë dhe të vështirë të Pavarësisë së Shqipërisë.  Italia ishte e interesuar për gjendjen e trazuar në Ballkan dhe për çështjen shqiptare. Në arkivin historik e diplomatik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë gjenden dokumente të rëndësishme për çështjen shqiptare. Aty ka të dhëna të shumta për situatën politike, ekonomike e kulturore të shqiptarëve. Dokumentet arkivore italiane hedhin dritë mbi lëvizjet dhe organizimin e shqiptarëve, me të dhëna të shumta në spektrin politik, ekonomik kulturor-shoqërore. Po ashtu, gjenden materiale të shumta për elitën politike të kohës në shërbim të lëvizjes kombëtare shqiptare. Një vend të rëndësishëm zënë edhe takimet politike e diplomatike gjatë periudhës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Konsolidimit të Shtetit Shqiptar, kryesuar nga Ismail Qemali.

Italia informohej në mënyrë të vazhdueshme nëpërmjet diplomatëve e bashkëpunëtoreve të tyre për lëvizjet e elitës shqiptare dhe për politikën e brendshme të Perandorisë Osmane. Ismail Qemali, ishte njëri prej tyre që mbronte interesat e popullit shqiptar brenda parlamentit në Stamboll dhe ishte një zë i fuqishëm në politik-bërje, ndaj ngjallte interes veprimtaria e tij. Rikthimi i tij në jetën aktive politike në vitin 1908, falë rivendosjes së kushtetutës dhe legjislacionit perandorak që detyronte Portën e Lartë të shpallte zgjedhjet parlamentare, shikohej pozitivisht nga shqiptaret dhe ndiqej me interes dhe nga diplomatët e huaj. Rikthimi i Ismail Qemalit në atdhe për të marrë besimin e shqiptarëve me votë, për në parlamentin e Stambollit duke bërë fushatë elektorale në zonën Berat-Vlore u ndjek me shumë interes dhe nga Italia. Ai, e priste prej kohësh shpalljen e kushtetutës perandorake dhe daljen e një amnistie të përgjithshme që i lejonte rikthimin në vendlindje. Në takimin e Ismail Qemalit me ambasadorin italian në Londër, San Giuliano, ndodhur në gusht të vitit 1908, pohonte për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë rreth bisedës së tyre. San Giuliano shprehej se ishte diskutuar për çështjen konstitucionale dhe për situatën e shqiptarëve gegë e toske të cilët dëshirojnë kushtetutën, lirinë, rendin dhe progresin. Në njoftimin e tij, diplomati italian e  përshkruan Ismail Qemalin si një burrë inteligjent shqiptar, që e njihte prej vitesh. Ai i kishte folur dhe për programin politik. Bëhet fjalë për vitin 1908 kur San Giuliano mbanë postin e krye-diplomatit italian në Londër që më vonë transferohet në Romë me detyrën Ministër i Jashtme i Italisë. Programi politik i Ismail Qemalit ishte i gjatë, ku përshkruante gjendjen në vilajetet shqiptare, projekt me mendim politik për të ardhmen. Në vitin 1908 shprehej se ishte për një “autonomi të gjere administrative në suazën e Perandorisë”, faktorizim i çështjes shqiptare në qarqet ndërkombëtare dhe mbrojtjen nga copëtimi i territoreve shqiptare, themelimin e disa shkollave shqipe dhe shtypjen e shpërndarjen e librave në gjuhen shqipe dhe i kërkonte ambasadorit që vendi i tij të investoje në mënyrë sekrete dhe sa më parë, si dhe investime të kapitalit të huaj. Ndërkohë që Ismail Qemali mbante mandatin  e deputetit dhe qëndrimet e tij opozitare ishin publike, bashkë me një grup deputetësh shqiptar në parlamentin e Stambollit, ai vazhdonte të mbante kontakte me diplomatët e huaj dhe herë pas here vizitonte përfaqësues të ndryshëm në Evropë. 

Ismail Qemali nuk arriti të fitonte mandatin e II-të, të deputetit në vitin 1912. Ai gjithsesi nuk e ndaloi veprimtarinë politiko-diplomatike nëpër kancelaritë Evropiane për të lobuar në mbrojtje të drejtave kombëtare të popullit shqiptarë dhe përpiqej që të bindte diplomacinë e Vjenës, Romës, Londrës, etj, se ishte në dobi jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të Perandorisë Osmane dhe të Fuqive Evropiane që të njihen sa më parë kufijtë dhe t’i jepej autonomia Shqipërisë. Dokumentet italiane paraqesin veprimtarinë intensive me informacione dhe raporte diplomatike të shumta për takimet dhe udhëtimet e intelektualëve shqiptar.

Përfaqësuesit shqiptarë kishin kërkuar ndihmë dhe mbështetje tek qeveria italiane edhe para 1912 por me daljen e pranverës gjendja në Ballkan ishte e tensionuar dhe shqiptaret përpiqeshin të krijonin aleat në mbrojtje të interesave kombëtare shqiptare. Italia tregohej e kujdesshme në qëndrimet zyrtare, duke i konsideruar probleme të brendshme çështjen e shqiptarëve me Perandorinë Osmane, si dhe për shkak të konflikteve të hapura në Tripoli. 

Në një takim që Ismail Qemali kishte zhvilluar me diplomatin italian Labia, ishte shprehur se shqiptarët kishin shpresuar shumë tek ata, por nuk kanë marrë ndihmë nga Italia. Ai i kërkonte konsullit italian, që të komunikonte me Romën zyrtare dhe t’ju shpërndante shqiptarëve një sasi të konsiderueshme armatimesh. Sipas dokumentit diplomatik, thuhet se I. Qemali e motivoi kërkesën e tij me argumentin se, shqiptarët do t’i përdorin armët vetëm për vetëmbrojtje dhe jo për kryengritje sepse i frikësohej rrezikut të ndonjë ndryshimi territorial në dëm të programit shqiptar, pasi Lufta Italo-Turke e kishte dobësuar Perandorinë Osmane. Në gjykimin e tij situata ishte sa premtuese aq edhe e rrezikshme për të ardhmen e Shqipërisë. Në përfundim të takimit, Labia i kishte thënë Ismail Beut se qeveria italiane ishte e gatshme që në rrugë ligjore të nxiste Perandorinë Osmane që të siguronte kushte sa më humane për shqiptarët dhe këtë do të vazhdojë ta bëjë edhe në të ardhmen, ndërsa për pajisjen e shqiptarëve me armë nga ana e Italisë, i kishte dhënë një përgjigje negative. Sipas diplomatit ndihma e Italisë do të shkaktonte trazira të mëdha dhe do të jepte pretekste për interpretime Portës së Lartë. Ai e këshillonte Ismail Qemalin që shqiptarët duhet të qëndrojnë të qetë dhe të evitojnë lëvizjet kryengritëse.

Citoj dokumentin e diplomatit italian, Labia dërguar Ministrisë së Jashtme të Italisë për takimin e zhvilluar me Ismail Qemalin, i klasifikuar telegram i rezervuar, nr. 230, nga Korfuzi, më 2 maj 1912: “Kam patur mbrëmë një intervistë me Ismail Qemal Beun. Në përfundim, pas të njëjtave deklarata dashamirëse kundrejt Italisë, ai shtoi se shqiptarët nuk kanë marrë deri më tani ndihmat e mëdha që prisnin prej saj. Ai më përsëriti se i kishte paraqitur Shkëlqesisë së Tij Markezit Imperiali, ambasadori ynë në Londër, kërkesën se meqë situata e vështirë në Turqi mund të sillte ndryshime territoriale në dëm të programit shqiptar gjatë dhe pas luftës italo-turke, Italia t’u shpërndante shqiptarëve një sasi të madhe armësh (nga ato të skartuarat e ushtrisë).” Por përgjigja ishte tepër diplomatike dhe e matur.  Labia e falënderoi për ndjenjat në favor të Italisë, dhe ju përgjigja se, ishte në dijeni, se qeveria italiane ka bërë gjithmonë gjithçka ne mënyrë ligjore që të nxisë qeverinë osmane t’u siguronte kushte sa më humane shqiptarëve, dhe këtë do vazhdonte ta bënte me një interes të madh. Diplomati italian pohonte nuk është e mundur të vendoset shpërndarja e armëve pasi kjo mund të krijojë pavarësisht gjithçkaje, një situatë të rrezikshme. Për më tepër elementë trazues shqiptarë nuk janë të gjithë të disiplinuar dhe të bindur. Ë shpërndarja e armëve nga ana e Italisë (që do merrej vesh shumë shpejt) do të jepte padyshim pretekste për interpretime dhe komente false dhe të rrezikshme. 

Në qarqet diplomatike italiane situata në viset shqiptare konsiderohej shqetësuese. Këtë e konfirmonte një tjetër diplomat i Italisë nga Athina. Ambasadori pohonte se shqiptaret po bëjnë përpjekje për të siguruar armatime për popullatën. Në vazhdimësi të rendimit të situatës të shqiptarëve përpjekjet për të kërkuar ndihma dhe bashkëpunim me Italinë ishin të vazhdueshme të Ismail Qemalit. Këtë e konfirmon ambasadori italian në Paris nëpërmjet telegramit të tij, dërguar ministrit të Jashtëm San Giuliano, emërtuar, I rezervuar nr. 1564, telegram nr. 670. Në atë takim, Ismail Qemali kishte kërkuar ndihma nga Italia sepse revolta ishte në rritje dhe situata mund të përshkallëzohej dhe për pasoje rrjedhat e ngjarjeve mund të ndryshonin. Citoj: “Qemal Beu u përqendrua në lëvizjen aktuale shqiptare, duke u përpjekur që të marrë një ndihmë nga qeveria italiane. Sipas tij, revolta aktuale është e paracaktuar që të zgjerohet dhe të ketë ndikim të madh në qeverinë qendrore të Kostandinopojës aq sa të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve. Pavarësisht se Aloisi i kishte paraqitur deklaratat e përsëritura të Italisë për Ballkanin, Ismail Qemali ka këmbëngulur, duke treguar se ndërhyrja e Italisë mund të sillte një ndryshim të favorshëm për përfundimin e veprimeve ushtarake. Ai nuk kishte besim te udhëtimi i ministrit të Brendshëm Osman, Haxhi Adil beu për të kryer reforma në Shqipëri.”

Por, shpërthimi i kryengritjes së përgjithshme në vitin 1912 nxori në pah disa aspekte të rëndësishme të gjendjes së dobësuar të Perandorisë Otomane, shfaqjen haptazi për realizimin e qëllimit të shqiptarëve, si dhe nxjerrjen në pah të synimeve të fqinjëve ballkanik në dëm të tokave shqiptare.    

Diplomacia italiane edhe pse në dijeni të ngjarjeve që ndodhnin në Shqipëri, ajo ishte shumë e kujdesshme në deklaratat zyrtare për situatën e rënduar në këto vilajete, madje evitonte të ndërhynte në punët e brendshme të Perandorisë. Qëndrimet zyrtare ishin për mos të hapur probleme të tjera me Stambollin si dhe për të mos ngjallur rivalitet me Austro-Hungarinë. Në komunikimet telegrafike që kishte patur ministri i Jashtëm i Italisë me diplomate italian, ai ishte shprehur se vendi i tij ishte në dijeni të trazirave që po ndodhnin dhe nuk mbështeste situatën e rënduar dhe masat e ashpra që po ndërmerrte ekspedita osmane në viset shqiptare. Italia pati edhe qëndrime jo zyrtare për përkrahjen e çështjes shqiptare,  të cilat ishin iniciuar nga njerëz të pushtetshëm. Siç ishte rasti i vitit 1911 kur në Romë u themelua komiteti me lëvizjen “Pro Albania”, nën kryesinë e Ettore Ferrarit, që mbante postin e kryetarit të partisë Republikane. Komiteti u mbështet edhe nga i mirënjohuri Riciotti Garibaldi. Ai ishte edhe ndër nismëtarët që organizoi ekspeditën prej 500 vullnetarësh garibaldianë për t’u ardhur në ndihmë çetave shqiptare. Vullnetarët që do të niseshin nga vendi fqinj do t’i priste juristi arbëresh Terenc Toçi që ndodhej në Shqipëri, por në momentin e fundit kjo lëvizje u pengua nga qeveria italiane. Roma zyrtare deklaronte zyrtarisht se hiqte dorë nga lëvizja pasi dëmtonte interesat e politikes së jashtme të Italisë. 

Tentativat e udhëheqësve shqiptarë për të siguruar ndihmë tek qeveria italiane ishin të vazhdueshme, por ato nuk përmbushen pritshmëritë e shqiptarëve. Ismail Qemali qe në marrëdhënie të mira me italo-shqiptaret. Ai kishte vizituar disa here komunitetin shqiptar në Itali. Edhe kur ishte pyetur në vitin 1907 nëse politika italiane përputhej me programin e popullit shqiptar, Ismail Qemali nuk kishte ngurruar të përgjigjej në mënyrë pohuese. Udhëtimet e Ismail Qemalit u shtuan në vjeshte të vitit 1912. Më 26 tetor 1912 Ismail Qemali niset nga Stambolli për në Bukuresht. Ai së bashku me Luigj Gurakuqin, e të tjerë prijës organizuan emigracionin shqiptar në Bukuresht, të cilët vendosen përgatitjen e një kongresi kombëtar shqiptar. Gjithashtu, vendosen të dërgojnë telegrame në çdo cep të Shqipërisë se kishte ardhur koha që të realizohen aspiratat kombëtare. Pas takimit në Bukuresht, Ismail Qemali shkoi në Vjenë nga ku i dergoi edhe telegramin të birit rreth të ardhmes së Shqipërisë dhe të bënte të njohur lajmin e mirë në të gjitha anët e vendit. Biseda me Berchtoldin në Budapest, me miratimin e pikëpamjeve mbi çështjen kombëtare shqiptare, me përkrahjen gjithashtu edhe prej Italisë, Ismail Qemali u nis për Trieste ku e prisnin një grup shqiptarësh për t’u kthyer së bashku në Shqipëri. Më 28 nëntor 1912 u mblodh një asamble kombëtare, kryesuar nga Ismail Qemali dhe u shpall Pavarësia e Shqipërisë dhe u formua qeveria e përkohshme. Menjëherë u njoftuan me telegram Fuqitë e Mëdha për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. 

Telegrami i kryetarit të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, Ismail Qemali, i datës 28 nëntor 1912, drejtuar Ministrive së Punëve të Jashtme të Italisë, Austro-Hungarisë, Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Britanisë së Madhe, me anë të cilit njoftonte për Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare dhe kërkonte njohjen zyrtare nga ana e tyre. 

Ndonëse shqiptarët nuk gjeten mbështetjen e pretenduar tek Italia, akti politik i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë shënon fundin e procesit të komb-formimit modern te shqiptarët dhe i hap udhë procesit të ngritjes së shtetit shqiptar me mbështetjen kryesisht të Austro-Hungarisë dhe me përkrahjen e Italisë.  

Filed Under: Opinion Tagged With: Paulin Marku

Parësia dhe Ismail Qemali

November 26, 2022 by s p

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj/

Në këngët e Labërisë

Për fisnikët shqiptarë na vjen në ndihmë një këngë e Labërisë, e krijuar në shek. XVIII-XIX, e gjetur në fshatin Brataj.
“Gjemit e turkut errin,/ Të mbledhin parësinë,/ Selim Agon në Vlorë,/ Me Meçanin dorë për dorë,/ Byzylykët i hodhnë./ Beqir Velon në Kaninë,/ Laton e Dalan Seinë,/ Me Fejzo bej Risilinë,/ Mahmut Hoxhë Tragjasinë,/ Kamber Delo bukurinë,/ Në Dukatë Dervshi Alinë,/ Në Kropisht Zybo Tahirë./ Në Mavrovë Xhafer Salinë,/ Në Shkozë Imer Alinë,/ Mustafa Begë birbilë./ Në Raçaj Fegë Mahilë,/ Rustemaj Tozo Beqirë,/ Selfo Liço derëzinë,/ Dhe në Vajzë dy nishanë,/ Meten e Sadik Çobanë,/ Gumenicë Haxhi Rrapnë,/ Në Gjormë dy spahillarë:/ Habiti me të vëllanë,/ Në Velç Selam Hasanë,/ Në Tërbaç Lulo Abazë,/ Në Vranisht Sefer Miftarë,/ Në Brataj Matan Haxhinë,/ Lilo Qendro Nishanllinë,/ Dule Zoton në Smokthinë,/ Në Armen muarr Sadiknë,/ Dhe në Mekat Ismailnë./ Zeqo Xhafë Karbunari,/ Sadiden Ahmet Vasjari,/ Kalivaç trimat e mirë:/ Dule Maton me Xhelilë,/ Të gjithë krerët i lidhë,/ I nisën për në Janinë,/ Në Stamboll na i pyetnë, Edhe në Alep i tretnë”.
Pushtuesit osman, si gjithë pushtuesit, i shkatërruan arkivat e Skënderbeut dhe nuk lejuan krijimin e arkivave, por populli i mbajti në kujtesë, u këndoi brez pas brezi, shekull pas shekulli. Kënga tregon se parësia punoi dhe luftoi në krye të popullit për Shqipërinë. Kënga vërteton se, lufta për çlirimin e Shqipërisë nga perandoria osmane nuk ishte projektuar nga Ismail Qemali, por shekuj më parë, madje, menjëherë pas pushtimit dhe në vazhdimësi, ndërsa Ismail Qemali arriti ta realizonte ëndrrën shekullore. Emrat e këtyre trimave, të cilët luftuan dhe dhanë jetën, u përjetësuan, në këngët popullore, në kujtesën e kombit. Këngët e popullit mjaft studiues, me shumë të drejtë, i quajnë “arkiv të gjallë i historisë së popullit shqiptar”.
Zjarrin e luftës për liri e mbajti të gjallë i gjithë populli, që u organizua, u drejtuan dhe u udhëhoq nga parësia e krahinave. Emrat që përmend kënga labe tregon se të gjithë ishin të pasur, se parësia e vendit, që këngëtari popullor i ka quajtur bejlerët dhe agallarët, e që luftuan kundër pushtimit osman ishin patriot e luftëtar. Parësia luftoi së bashku me popullin e thjeshtë. Por puna ishte se për të shuar idenë e çlirimit nga pushtuesi, osmanët internonin dhe vrisnin parësinë, që të bindej popullit të thjeshtë.

Fisnikët e Shqipërisë

Ata që krijuan Shqipërinë nga Ismail Qemali e deri tek ai më pak i vlerësuari, ishin fisnikë e të pasur. Më tej në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në kryengritjet shqiptare të viteve 1011-1912, ata që drejtuan lidhje dhe kuvende si Abdyl Frashëri, Ali Pashë Gucia, Sulejman Vokshi, Isa Boletinin etj., ishin të pasur. Ishin familjet e mëdha ato që mbajtën të ndezur zjarrin e patriotizmit. Në mesjetë u ngrit Skënderbeu, së bashku me familjet më të mëdha fisnike, për çlirimin e Shqipërinë dhe e mbajti për 25 vjet të lirë nga pushtuesi osman. Edhe Gjergj Arianitasi, i ati i Donikës, kishin shfaqur patriotizëm. Ishin fisnikët e mëdhenj shqiptarë që mbanin ndezur zjarrin e atdhetarisë.
E rëndësishme është të dihet edhe se kur shkoi Ismail Qemali, në vitin 1908 në Vlorë dhe krijoi shoqatën “Labëria”, rreth tij u mblodhën stërnipërit e atyre, që këndohen në atë këngë, të cilët turku, pasi i kapi në befasi, i gjykoi në Stamboll dhe “i treti,” i internoi dhe ata vdiqën në Alep të Sirisë së sotme. Veprimtarinë Ismail Qemali në Shqipëri e zhvilloi, duke pasur mbështetjen e pasardhësve të patriotëve të harruar në varre pa emër në Siri.
Qeveria turke, mbas ardhjes së Ismail Qemalit, i cili këshilloi për hapjen fshehtas të shkollave shqipe, bëri të njëjtën veprim, si atë që përmend kënga më sipër, duke kapur fshehtas një pjesë të parisë së Vlorës dhe të Labërisë, të cilët i vari në rrepet e Janinës.
Këta stërnipër të atyre që, një shekull më parë, i kishin internuar në Alep të Sirisë, luftonin për çlirimin e Shqipërisë, u kapën befasisht nga osmanët dhe i varën. Të tjerë më vonë do të udhëhiqnin luftën për të mos lejuar grekët të pushtonin Janinën në 1913. Të tjerë stërnipër organizuan dhe drejtuan Luftën për çlirimin e Vlorës në 1920 nga pushtuesit italianë. Fakt është se luftën kundër pushtuesit italian në vitin 1920 e nisën fisnikët. Populli i varfër i ndoqi këta fisnikë sepse vet nuk ishte në gjendje të kuptonte dhe të ngrihej për luftë kundër pushtuesit osman për të krijuar Shqipërin.

Vegjëlinë shqiptare e udhëhoqën fisnikët

Të gjithë firmëtarët e shpalljes së Pavarësisë ishin “bejlerë” dhe “agallarë”. Familjet e mëdha i edukuan fëmijët e tyre me ndjenjën e nderimit ndaj ligjit. Gjyshët i edukuan nipat e tyre me shprehjen “o bëhu i mirë, o mos u bëfsh!”. Që në fëmijëri merret edukata e nderimit të ligjit së bashku me qumështin e nënës. Të tilla ishin thuajse pa përjashtim familjet fisnike. Ndërsa tani janë bërë “udhëheqës” shteti mjaft që nuk përulen para ligjit. Ata pasurohen duke e shkelur ligjin dhe siç ka shkruar Ali Asllani, se “në drekë janë pa brekë, në darkë milionerë…”.
Duhet pranuar se regjimi monist i shkatërroi familjet fisnike. Ai zhduku fisnikëritë. Edhe ndokush, që arriti të bëjë diçka nuk e kanë lënë të ecë përpara, sepse tërë jetën mbeti i izoluar nga jeta shoqërore. Edhe ata që, kanë arritur të bëhen njerëz të mëdhenj, kanë mbetur përjetësisht të harruar, edhe se i kanë dhënë shumë se kushdo tjetër Shqipërisë…
Zhdukja e fisnikërisë edhe në sistemin e demokracisë është fatkeqësia më e madhe e kombit shqiptarë. Në se në Shqipëri do të drejtonin fisnikët, ne do të ishim vendi i parë ish komunist, që do të bashkohej me Europën dhe jo i fundit. Edhe Kosova do të ishte e bashkuar me Shqipërinë. Dhe ne sot do të ishim vend me ligje të forta dhe ekonomi të zhvilluar. Këtë nuk mund ta bëjnë ata, që nuk e njohin shenjtërinë e ligjit dhe thonë ndryshe nga sa veprojnë.
Intelektualët sot kanë mbetur fisnikëria e vetme e kombit. Këtyre u kërkohet më shumë se kurrë që të punojmë së bashku, për t’u hapur sytë shqiptarëve, të ecim më shpejt përpara. Është, në radhë të parë, detyra e njerëzve më të kulturuar të kombit, me ndjenja fisnike në shenjtërimin e ligjit, ta çojmë kombin shqiptar atje ku e ka vendin, në ballin e vendeve më të kulturuara të Evropës.
Në librin “Vëllai i pengut” Reshat Agaj do të theksonte se “…në rininë e vet Ismail Qemali vizitonte shpesh Smokthinën, vendlindjen e Agajt, dhe kishte rënë në dashuri me bukuritë e fushës së Mesaplikut, që përshkohej si gjarpri nga Shushica e bardhë dhe e kulluar, rrethohet nga malet e Vetëtimës (Akroqeraunët e vjetër të Ilirëve) nga një anë dhe nga ana tjetër prej maleve të Çipinit, Këndrevicës dhe Tartarit, duke pasur mbi krye grykën strategjike të Kuçit. Agallarët e Smokthinës, duke parë këtë bir të Vlorës që shprehte kaq dashuri për këtë vend, u mblodhën dhe ia caktuan një pjesë të fushës, aty anës së lumit të mbushur me rrepe shekullorë, si pronë të tij dhe sot e kësaj dite, që është përdorur që në kohë të lashta si vend mbledhjeje, si kuvend, quhet “Rrapet e Ismail beut”. Kjo copë tokë në kohën që ne ishim në Shqipëri, dhe besoj edhe sot, nderohet si një vend i shenjtë dhe asnjëri nuk guxonte atëherë të priste një copë dru në rrapet, sepse besohej nga fshatarët se kush vë dorë mbi të prish një vakëf të Perëndisë dhe pëson një të keqe”.
Tek Rrepet e Ismail Qemalit në Mesaplik është ngritur nga djalëria labe një memorial i bukur ku në qendër ka Ismail beun dhe në të dy anët e tij burrat e shquar dhe fisnikët e Lumit të Vlorë, të Rrëzës dhe të Shullërit.
Foto: wikipedia

Filed Under: Komente Tagged With: Bernard Zotaj

NË NDERIM TË NJËRIT PREJ THEMELUESVE TË SHTETIT BASHKËKOHOR SHQIPTAR – IMZOT NIKOLLË KAÇORRIT

November 26, 2022 by s p

Dr. Musa Ahmeti
Center for Albanian Studies
Budapest

Studimi i historisë bashkëkohore, veçanërisht i periudhës që i takon edhe imzot Nikollë Kaçorri kërkon shumë kujdes, paanshmëri e profesionalizëm të lartë, në njërën anë, ndërsa në anën tjetër ballafaqim të shpeshtë të burimeve të reja me “tabutë e krijuara për shumë vite” nga emra të njohur të historisë së popullit shqiptar me idetë tanimë të vjetëruara dhe të tejkaluara të qasjes së metodologjisë së vjetër shkencore të personaliteteve dhe ngjarjeve të veçanta. Botimi i dokumenteve ashtu siç u shkruan në kohën e krijimit të tyre, pa ndërhyrje, duke ruajtur aq sa është e mundur origjinalitetin dhe saktësinë ortografike, toponominë dhe mikrotoponominë vendore, emrat e fisveve dhe perosnaliteve që vinë nga fiset ose krahinat e caktuara, të shikuara sipas binomit të paralelizmit qëndror: “Fe e Atdhe” pa një dallim ose favorizim thelbësor religjioz apo patriotik, bëjnë që të realizohet besnikërisht qëllimi dashamirës për ta paraqitur këtë binom që shquhet sidomos te shqiptarët. Laiciteti i të riut Nikollë, ndërthuret me mjeshtëri pa u vënë re me petkun e priftit don Nikollë, duke mos përjashtuar atë më kryesoren dashurinë për atdheun, vendlindjen, popullin dhe në asnjë situatë, besimtarët. Shtjellimi i shtresëzuar i një rrëfimi shkencor sipas modaliteteve bashkëkohore, kritike të botimeve të specializuara, studiuesin, historianin e lexuesin i bën që me padurim të lexojnë faqe pas faqe një jetë të panjohur, por shumë të bujshme që nga fëmijëria e varfër, gjë pothuajse e zakonshme për pjesën dërrmuese të shqiptarëve, pastaj shkollimin, studimet e më vonë jetën meshtarake që nga shugurimi dhe përkushtimi për jetën fetare (ku kthimi i tij në atdhe e vendlindje “festohet sikur të ishte një dasmë”), ngritjen dhe bllokimin në hierarkinë kishtare dhe pastaj ballafaqimin me patriotin dhe nacionalistin e përkushtuar për atdhe deri në vdekje.
Studimet burimologjike arkivore për figura të shquara kombëtare dhe fetare të mbështetura në kërkime të thelluara profesionale, hulumtime arkivore dhe shfrytëzim të një literature të bollshme të fushave të ndryshme, e plotësuar edhe me burime dytësore si memoaret apo rrëfime-intervista të personave të gjallë, kur shkruhen nga penda të mençura dhe profesionale, domosdoshmërisht përbëjnë një ngjarje kryesore dhe janë literaturë e pashmangshme për rishikimin dhe rishkrimin e historisë sonë kombëtare, veçanërisht të periudhës së Pavarësis së Shtetit Shqiptar.
Qëmtimi me kujdes, ballafaqimi kritik me burime relevante, vlerësimi racional dhe paraqitja logjike me një gjuhë të rrjedhshme e të pastër, pasiqë është punuar, konsultuar e analizuar me profesionalizëm e me burimet origjinale, mundësojnë studime, analiza dhe nxjerrje përfundimesh nga këndvështrime të ndryshme për personalitetet që fimorësn gurëthemelin e shtetit shqiptar, e njëri nga ata ishte imzot Nikollë Kaçorri, që me veprimet e tij të menqura dhe largëpamëse, prej burrështetasit, zë vend në lterin e nderuar të themeleve të shtetit bashkëkohor shqiptar.
Nikollë Kaçorri u lind në fshatin Krejë, një krahinë e vogël e Lurës, por e nderuar dhe e vlerësuar për peronalitetet që i dha në historinë e Shqipërisë. Ky vend i bukur, i vendosur në mes të Dibrës, Mirditës dhe Matit, që nuk i përkiste asnjërës prej këtyre trevave dhe, duke qenë pak nga këto të trija, krijoi individualitetin e vet të spikatur. Gjergj Fishta, pasi e vizitoi, pati thënë: “Kush nuk njeh Lurën nuk njeh Shqipërinë” . Babai i Nikollë Kaçorrit, Vokrri ishte djali i Kolë Kaçorrit. Vokrri, ndonëse katolik i devotshëm, ishte martuar me Hane Vladin, një vajzë myslimane nga Lura, e shtëpisë së njohur së Vladëve, edhe ata të përzier në fe,që ishin shumë të lidhur me nipat e tyre katolikë, pa asnjë lloj paragjykimi (…), ndërsa edhe xhaxhai i Nikollës ishte mysliman.” Vokrri dhe Hane Vladi patën dy djem, të cilët u rritën si katolikë të devotshëm, të cilët quheshin: Ndrecë e Nikollë.
Për datën e lindjes së Nikollë Kaçorrit ka mendime të ndryshme. Sipas njërit prej biografëve të tij, Sali Ajazit “dokumenti i pagëzimit që kërkohej për të vazhduar studimet në Romë i ishte lëshuar në vitin 1882, në atë vit kur ka filluar studimet dhe, nisur nga data e këtij dokumenti, si dhe nga fakti se ka shkuar për studime në Romë në moshën 17 vjeçare, del se viti i lindjes së tij është 1865”.
Në fëmijërinë e Nikollë Kaçorrit nuk kishte shumë shkolla në gjuhën shqipe në Lurë. Ndërkohë, në treva të tjera fqinje, Dibër e Mat kishte ndonjë të rrallë, ku mësimet të shumtën merreshin në gjuhën turke. Nikolla i ri bëri mësimet në Kryeipeshkvinë e Durrësit ku ekzistonte një kolegj i vogël, me qendër në Delbnishtit në Kurbin, ku, kishin djekur mësimet shumë të rinjë që më vonë u bënë atdhetarë, fetarë /priftërinj/ dhe figura të nderuara të Shqipërisë. Në Delbnisht Nikolla qëndroi për një kohë të shkurtër, duke vazhduar mësimet që i kishte nisur në Lurë, për t’u përgatitur për në Seminarin Papnor të Shkodrës. Studimet në Seminar bëheshin në gjuhët shqipe dhe italiane. Studimi zgjaste rreth shtatë vjet në gjimnaz dhe katër vjetë të tjera ishin për të studiuar teologji. Pasi mbaroi me sukses të lartë studimet në Shkodër, Nikolla u zgjodh për të studiuar në Kolegjin Urmanian të Propaganda Fide-s në Romë. Në Kolegjin Urbanian të Romës, Nikolla studioi 6 vjet, nga të cilat, katër vjet për gramatikë dhe dy vjet për retorikë. Pas studimeve në në Romë, ai vazhdon edhe dy vjetë të tjera studimi nëUniversitetin “Zeking” në Zyrih në Zvicrër. Këtu Nikolla studioi teologji, filozofi dhe shkenca politike dhe u diplomua në vitin 1938.
Më 1908, Nikollë Kaçorri mori pjesë në Kongresin e Manastirit. Në vitin 1909 mori pjesë në Kongresin e Elbasanit. Në nëntor të vitit 1912, si delegat i Durrësit, mori pjesë në Kuvendin e Vlorës dhe ishte firmëtar i dokumentittë pavarësisë. U zgjodh nënkryetar i qeverisë shqiptare. Pas rënies së Qeverisë së përkoshme, Imzot Nikollë Kaçorri emigroi në Austri, në Vjenë. Atje qëndroi derisa vdiq, më 29 maj 1917. Varrimi i tij u bë më 1 qershor 1917, në Zentralfriedhof, Austri në “Central Cementery” në grupin 84, rreshtin 32, numër 19. Certifikata e vdekjes e Imzhot Nikollë Kaçorit ruhet në Arkivin e Shtetit Shqiptar, AQSH. F. 65, V. 1917, D. 144. F. 1. Sot eshtrat e Imzot Nikollë Kaçorrit prehen në Shqipëri, në Kishën e Shën Luçisë, në Durrës. Me origjinë nga një krahinë e varfër, me specifika shumë interesante, me një besë e burrëri të panjollosur, me një zgjuarsi natyrore, imzot Kaçorri edhe kur ishte zëvëndës-kryeministër (në fakt, në shumë raste e për shumë kohë ushtroi detyrën e kryeministrit kur Ismail Qemali mungonte, kur ndodhej jasht shtetit) por edhe më vonë, në përballjen me Esat Pashën, ai tregoi zgjuarsi, mençuri e pjekuri duke marrë vendime të drejta të cilat edhe sot e kësaj dite janë të padiskutueshme.
I formuar në rrethet intelektuale arsimore të kohës, me një shkathtësi të veçantë të përdorimit të gjuhëve të huaja që njihte, prifti i ri as edhe një herë nuk i shkëputi lidhjet dhe interesimin për atdheun që ndodhej nën një shtypje të rëndë, nga një pushtues mizor, në momente shumë të rëndësishme të kthesave të mëdha historike, të mbijetesës dhe të shtetëformimit modern.
Nuk ishte fare e lehtë të veprohej në kushtet e survejimit, ndjekjes e burgosjes, të torturave mizore dhe sfidave nga më të pabesueshmet, megjithatë, burrëria dhe shpirti liridashësh ngadhnjyen mbi të keqen, duke e bërë tani priftin e pjekur dhe të nderuar në popull e në bajraqe, të respektuar në kuvende e takime, dëshmitar dhe pjesëmarrës direkt, të njërës prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së kohës moderne, shpalljes së pavarësisë së shtetit modern shqiptar.
Nuk është rasti i parë që një klerik intelektual shqiptar i formuar dhe i brumosur me dije nëpër qendrat universitare të Europës, të vërë në veprim binomin “Fe e Atdhe”. Por, rasti i imzot Nikollë Kaçorrit është shumë intersant dhe me specifika tepër të veçanta.
Njëri nga momentet më të rëndësishme të jetës dhe trevës nga është origjina e imzot Nikollë Kaçorrit, të cilit duhet kushtuar një vëmdje e posaqme, është edhe fenomeni i “laramanizmit ose kriptokatoliçizmit.” Për shkak të rëndësisë që ka ky fenomen, por edhe për vetë ndërlidhshmërisë funksionale me ngritjen hierakike kishtare të imzot Nikollë Kaçorrit mendojmë se atij i duhet kushtuar një vëmendje e posaçme. “Lura sot paraqet një rast unikal në Europë. Ajo është e përzier në fe, jo thjeshtë si krahinë me fshatrat e saj, por edhe brenda të njëjtës strehë familjare. Nuk ka shtëpi që të mos jetë lidhur në trungun e vet me familje të fesë tjetër. Kështu, për të krishterët, apo myslimanët personat e fesë tjetër janë vëllai, nipi, kushëriri, miku dhe, duke qenë të tillë, ata janë pjesë e pandarë e tyre ku, përballë lidhjes së fortë të gjakut, ndryshimet në besim kalojnë në rend të dytë.“
Në literaturën historike, fenomeni i “Laramanizmit te shqiptarët” është trajtuar më se një herë, por pa u thelluar në specifikat, kushtet, arsyet dhe rrethanat që ndikuan në përhapjen dhe shtrirjen e këtij fenomeni te shqiptarët në përgjithësi dhe në rastin konkret në Lurë, në veçanti. Është trajtuar në mënyrë sipërfaqësore nga autorë që janë vetë me origjinë “laramane ose kriptokatolike” të cilët nuk kanë mundur t’i mënjanojnë paragjykimet, kështuqë punimet e tyre nuk e kanë trajtuar thellësisht dhe gjithanshmërisht këtë problematikë mjaft të ndjeshme për shoqërinë tonë.
Don Nikollë Kaçorri nuk arriti të emrohej ipeshkëv apo kryeipeshkëv. Deri me sot, jnaë përmendur në mënyrë hipotetike arsye të ndryshme, por e vërteta është krejt tjetër. Nuk qëndron pohime se don Nikolla nuk arriti të ngrihej në pozita të larta kishtare për shka të “aktiviteti patriotik ose angazhimet politike”. Një pohim i tillë nuk është i qendrueshëm, për faktin se Selia e Shenjtë, kishte në dorë një argument tjetër tepër të rëndësishëm, e që deri me sot nuk është shkelur apo anashkaluar. Ky argument është: imzot Nikollë Kaçorri ishte “Laraman ose kriptokatolik” dhe kishte edhe në familjen e ngushtë e të gjerë myslimanë!
Sipas të Drejtës Kanonike, si ipeshkv apo në një funksion tjetër më të lartë kishtar cilidoqoftë ai, nuk mund të emërohet në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast, një përson që ka origjinë ose të kaluar të tillë. E Drejta Kanonike është shumë e rreptë dhe një gjë të tillë e sanksionon në mënyrën më rigoroze të mundshme.
E vetmja mundësi për emërimin e tij si ipeshkv mund të ishte, rasti kur imzot Nikollë Kaçorri, ipeshkvi ose kryeipeshkvi që e kishin propozuar atë, i janë drejtuar “Penitencierisë së Shenjtë – Sacra Penitentieria” dhe nëse ky dikaster si njëri ndër më të rëndësishmit dhe me kompentenca direkte për çështje kërkonte Papës leje të veçantë, në rastin tonë, që imzot Nikollë Kaçorri të mund të emërohej me gjithë këtë ‘njollë’ në biografinë e tij apo të familjes së tij. Me një bulë të veçantë, Papa jepte miratimin e tij për të proceduar me emërimin, dhe për këtë njoftohej edhe Kolegji i Kardinalëve.
Ne nuk kemi informacione nëse imzot Kaçorri apo ipeshkv P. Bianki i janë drejtuar “Penitencierisë së Shenjtë” për një gjë të tillë, sepse dokumentet që ruhen në arkivin e “Penitencierisë së Shenjtë” në kushte tepër të rrepta sigurie dhe pas shumë garancish përkatëse, nuk janë të hapura për studies e në asnjë mënyrë edhe për publikun e gjërë. (Për informacion mund të themi se njëra nga studiueset e rralla në botë që ka pasur fatin të bëjë kërkime shkencore në këtë fond, në Arkivin Sekret të Vatikanit, /Archivio Segreto Vaticano sot Archivio Apostolico Vaticano/ është shqiptarja, Prof. Dr. Etleva Lala).
Pra dëshirojmë të ripërsërisim se shkak për mosemërimin e imzot Kaçorrit si ipeshkv në Shkup, Shkodër apo Durrës është origjina e tij prej “laramani ose kriptokatoliku” dhe asgjë tjetër personale, politike apo fetare, etj.
Të gjithë ne ia kemi borxh një perosnaliteti dhe figure të tillë poliedrike, e atdhetare, që ta vëmë atë në vendin e tij, aty ku i takon, në lterin e lirisë, si njëri prej themeluesve të shtetit bashkëkohor shqiptar.
(Fragment monografia për Imzot Nikollë Kaçorrin)

DOKUMENTE ARKIVORE NGA HAUS UND HOF STAATSARCHIV WIEN, PËR IMZOZ NIKOLLË KAÇORRIN
Perandoria Austro-Hungareze ka ndjekur me vëmendje të veçantë zhvillimet politike që ndodhnin në Ballkan në përgjithësi dhe në veçanti në Shqipëri. Diplomacia austro-hungareze ishte shumë aktive në fusha të ndryshme, posaqërisht nga koha e Rilindjes Kombëtare, duke vazhduar me ritëm të shtuar në vitet e shpalles së Pavarsisë, por edhe më vonë në vitet në vijim. Duke ndjekur nga afër përmes përfaqësuesve të saj, zhvillimet në trevat shqiptare që ende ishin në pushtim osman, përmes raporteve, telegrameve dhe dokumentacion tjetër zyrtar, ne sot mund të analizojmë shumë aspekte nga këndvështrime të ndryshme si të mbështetjes politike, ekonomike, ushtarake, kulturore, arsimore, sociale etj.
Në këtë kuadër, kësaj radhe botjmë “vetëm” katë dokumente që kanë të bëjnë ngushtë me veprimtarinë e nënkrytarit të Qeverisë së Vlorës, atdhetarit dhe klerikut të ndritur don Nikollë Kaçorri, i cili edhe përkundër presionit që shkonte deri në kërcënim, nuk hoqi dorë asnjëher nga Lëvizja Kombëtare Shqiptare për Pavarsi dhe për krijimin e shtetit shqiptar. Jo rrallë herë gjuha dhe veprimet diplomatike marrin ngjyrime tjera, të cilat duhen shikuar nga koha kur kanë ndodhur, e asnjë mënyrë nga pozitat e sotme.
Dokokumentet që po analizojmë janë me mjaft interes për një peridhuë kohore prej vetëm dy muajsh, por kohë e mjaftueshme, për të krijuar një përshtypje dhe ide të qartë për zhvillimet dinamike dhe pozicionet në të cilat ndodheshin atdhetarët shqiptar gjatë kësaj periudhe plot trazira, sfida dhe të papritura.
Në dokumentin e parë që botojmë këtu, me mjaftë interes është qëndrimi i kryeipeshkvit të Durrësit imzot Primo Biankit si ndaj Austro-Hungarisë, poashtu edhe ndaj Selisë së Shejtë. Rëndësi të veçantë ka ky dokument për propozimin e bërë nga kryeipeshkvi për emrimin e ndihmësit tij, si dhe mendimi shumë i lartë që ka ai, për don Nikollë Kaçorrin. Është mjaft domethënës fakti, kur kryeipeshkëv imzot Bianki shpreh rezervat e tij për imzot Doçin dhe klerin shkkodran, të cilët, sipas tij, mund të “bëjnë intriga” kundër don Nikollë Kaçorrit. Për fat të keq, nuk kemi të sqaruar arsyen e një rezerve të tillë. Nëse shikojmë dokumentacionin tjetër, atëher ky rast nuk është i vetmuar.
Dokumenti i dytë është një telegram i nënkonsullit austro-hungarez Rudnay, dërguar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë për veprimet e don Nikollë Kaçorrit, të cilat kanë të bëjnë me ndihmën e ofruar prej tij, për drejtuesin e kryengritjes së malësorëve Pal Vataj nga Biza. Përmes këtij dokumenti mund të ndjekim kujdesin dhe interesin që tregon për zhvillimet në Shqipëri dhe rajon Austro-Hungaria. Inforamcionet e hollësishme të shënuara në dokument na mundësojnë të kemi një pasqyrim shumë të saktë për dinamikën e zhvillimit të situatës politike dhe qëndrimet e klerikëve shqiptarë, veçanërisht të don Nikollë Kaçorrit. Është shumë interesant presioni që i bën don Nikollë Kaçorrit, nënkonsulli Rudnay për veprimet e tija, i cili në fund detyrohet të pranoj ndihmën e ofruar për Pal Vatajn. Nënkonsulli njofton për këto veprime ministin, ambasadorin e Austro-Hungarisë në Stamboll dhe konsullatën e tyre në Korfuz.
Dokumenti i tretë që botojmë është një relacion zyrtar nga Ministria e Punëve të Jashtme Austro-Hungareze me udhëzime shumë të qarta për nënkonsullin Rudnay dhe ambasadorin, Markezin Pallavicini, për qëndrimet që duhet mbajtur ndaj klerit katolik dhe rreth zhvillimeve politike në Shqipëri. Qëndrimet shtetërore janë të qarta, të prera dhe shumë domethënse. Vihet në pah se kjo Ministri në mënyrë të vazhdueshme ka kundrështuar dhe më tutje do kundërshtoj dyshimet e qeverisë Otomane për qëndrimet e Klerit katolik në Shqipëri, duke u arsytuar me qëndrimet korrekte të pjesës dërmuese të klerikt katolik. Por, nuk mungojnë as tonet e ashpra dhe rekomandimet e prera, të cilat shkojnë deri në masën e kërcënimit për don Nikollë Kaçorrin, të cilit i kërkohet që të heq dorë nga veprimtaria patriotike sepse në të kundërt do njofotjnë edhe Selinë e Shejtë, përkatësisht udhëheqësit e tij, në Propganda Fide, në Vatikan.
Dokumenii katër edhepse i shkurtër, nënkosulli Rudnay, e njofton Konsullin e Përgjithshëm për qëndrimet dhe veprimet e tija ndaj don Nikollë Kaçorrit, si dhe për mosmundësinë e shkuarjes për vizitë te kryeipeshkvi imzot Primo Bianki në Delbinisht për shkak të situatës dhe rrethanava jo të favorshme politike. Mjaft i ashpër është qëndrimi për don Nikollë Kaçorrin, ku e informon eprorin e tij, se nga don Kaçorri ka kërkuar që të heq dorë nga vepimet e dyshmita politke! Është shumë i rëndësishëm informacioni se nënkonsulli ka fituar besimin e kelrit katolik, që len të nënkuptohet se ata nuk i mbështesin qëndrimet dhe veprimet e don Nikollë Kaçorrit.

Dok. 1.
Durrës, 04 prill 1912.
Raport sekret i të dërguarit Perandorak dhe Mbretëror në Durrës, Löwenthal, për Ministrin e Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë në Vjenë, kontin Leopold Graf Berchtold, rreth propozimit të kryeipeshkvit të Durrësit, imzot Primo Biankut, për emërimin e don Nikollë Kaçorrit si: coadjutor cum jure successionis, në këtë kryipeshkvi dhe insistimin e tij për mbështetje tek Selia e Shejtë, nga ana e Perandorisë Austro-Hungareze, përmes princit Schönburg.

Telegram numër 13
Tepër urgjet /Skeret!
Shkëlqesisë së Tij:
Ministrit të jashtëm perandork dhe mbretëror, kontit Bertchold,
Vjenë.
Imzot Bianki që pas disa ditësh do të shkoj në rezidencën e tij verore, më bëri një vizitë lamtumirëse dhe më këtë rast më parashtoi lutjen si vijon:
Ai e ndien vetën të plakur dhe të lodhur për të administruar kryeipeshkvinë që e drejton. Për shkak të sëmundjes që kaloi këtë dimër, ai është mjaft i dobësuar dhe pohon se nuk është në gjendje që të drejtoj e administroi me shumë sukses e energji, shërbimet që kërkohen prej tij, duke shtuar edhe vështirësitë e shumta dhe udhëtimet e mundishme si dhe kushtet shumë të këqija që janë në kryeipeshkvinë e tij.
Prandaj ai [imzot Bianki, m.a.] i është drejtuar me një kërkesë Selisë së Shejtë që ti caktoj një coadjutor cum jure successionis . Sipas pohimeve të tij, ai për këtë post kishte menduar protonoterin apostolik dhe njëherësh famullitarin e tij, për qytetin e Durrësit, dom Nikollë Kaçorrin, për të cilin mendon se është zgjedhja më e pëlqyeshme dhe më e drejtë edhe për ne.
Imzot kryeipeshkvi pasi më njoftoi më këtë kërkesë të drejtur për Selinë e Shejtë, më është lutur që nga ana e jonë t’i rekomandojmë Selisë së Shejtë, përmes princit Schönburg, që për këtë post të zgjidhet don Kaçorri, ose për këtë të merrej parsysh edhe mendimi i imzot Biankit. Nëse një gjë e tillë do kërkojhej nga ai, atëher ai do të popozonte vetë don Kaçorrin, dhe lutet që propzimi i tij të mbështetet nga ana jonë.
Imzot Bianki me këtë rast shprehu një shqetësim, sepse dyshon se kryeipeshkvia e Shkodrës dhe sidomos kleri i kryeipeshkvisë së Shkodrës, posaqërisht imzot Doçi, do bëjnë intriga kundër peronalitetit të don Kaçorrit.
Unë jam i bindur se personaliteti i klerikut të propozuar, nga ana e imzot kryeipeshkvit, është shumë mirë i njohur për shkëlqesinë Tuaj. Unë me këtë rast po kufizohem të vë në dukje, e të shënoj mendimet dhe dhe veprimtarinë e don Kaçorrit, që kam mundur të siguroj gjatë qëndrimit tim të shkurtër këtu. Këto qëndrime pajtohen plotësisht me qëllimet tona dhe me ineresat e Monarkisë.
Prandaj, marr guximin që të rekomandoj dhe mbështesë edhe nga ana ime, kërkesën e imzot kryeipeshkvit për popozimin e bërë nga ana e tij, duke i bërë një mbështetje energjike kandidaturës së don Kaçorrit.
Një kopje për Romën, numër 61 / Sekret
I dërguari Perandorak dhe Mbretëror
Löwenthal.

Dok. 2.
Durrës, 10 maj 1912.
Telegram i nënkonsullit Rudnay dërguar në Minisrtrinë e Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë për veprimet e don Nikollë Kaçorrit, të cilat kanë të bëjnë me ndihmën e ofruar prej tij, për drejtuesin e kryengritjes së malësorëve Pal Vataj nga Biza.

Telegram nr. 33
Shumë i nderuar Kont.
Me ndihmën e famullitarit të këtushëm, don Nikollë Kaçorri, me datë 04 të këtij muaji shkoi për në Korfuz, me vaporin e Lloyd-it, malësori Pal Vataj, katolik shkodran, një nip i Átit françeskan të Bizës, Rrok Vataj.
I përmenduri, gjatë kryengritjës së vitit të kaluar, ishte njëri nga udhëheqësit e malësorëve. Flitet se tani para disa kohësh, ai, ka vra në fshatin e tij, pesë ushtarë [turq, m.a] për t’u marrë armët. Sipas informacioneve që kam siguruar unë, i përmeduri, ka shpresë se do furnizohet me armë nga konsullata italiane ose nga Ismail Qemal beu, të cilin e ka takuar vitin e kaluar personalisht. Siq jam njoftuar unë, sapo ka mbërritur në Korfuz, Pal Vataj, ka zhveshur veshejn e tij kombëtare dhe ka veshur kostumin e rrobave europiane.
Don Nikollë Kaçorri, rezervorhej të më tregonte për këtë rast, si për identitetin e personit në fjalë ashtu edhe për qëllimet e tija. Pas insisitimit tim, ai pranoj se informacioni që kisha unë, ishte i saktë, dhe shtoi se Vataj, planifikon që të kthehet prap në Shqipëri përmes Serbisë ose Bosnjes.
Don Nikollës unë i vura në dukje rreziqet dhe problemet që mund të shkaktonte për te dhe për ne, ndihma e dhënë prej tij, për personin në fjalë.
Një kopje të këtij relacioni po ja transmetoj Konsullatës Perandorake dhe Mbretërore në Korfuz në numrin 183 / Rezervat.
Në mënyrë identike u njoftua Stambolli në numrin 29 dhe shkodra në numrin 28.
Shkëlqesi, pranoni, konsideratën dhe respektintonë më të thellë.
Rudnay.

Dok. 3.
Vjenë, 20 maj 1912.
Relacion zyrtar nga Ministria e Punëve të Jashtme Austro-Hungareze me udhëzime shumë të qarta për nënkonsullin Rudnay dhe ambasador Markezin Pallavicini për qëndrimet që duhet mbajtur ndaj klerit katolik dhe rreth zhvillimeve politike në Shqipëri.

Raport numër 2093-2094:
I. Zotit von Rudnay, Durrës
II. Markezit Pallavicini, Stamboll

Në lidhje me realcionin e datës 10 të këtij muaji, numër 33, ju lutem që në takimin e afërt me Imzot Biankin, zotëria Juaj, të drejtoni bisedën, duke i vënë atij në vëmendje rreziqet dhe pasojat që sjell qëndrimi i don Kaçorrit, me rastin e ndihmës për kalim fshehurazi të malësorit Pal Vataj për në Korfuz.
Ne kemi provuar në çdo kohë, që të kundërshtonin pranë Portës së Lartë, dyshimet e qeverisë otomane që shfaqeshin herë pas here kundër qëndrimit të klerit katolik, duke bërë rekomandimet e rastit. Këto kundërshtime tona, do të bëhen edhe në të ardhmen, duke u mbështetur në qëndrimin korrekt të shumicës dërmuese të klerit.
Por, është për të ardhur keq, që pikërisht don Kaçorri, e ka komprementuar në një farë mënyrë të papëlqyeshme pozitën e tij dhe të klerit me një çështje mjaft delikate, dhe po merret tani prap me veprime të dyshimta.
Në emër të kësaj Ministrie, zotëria Juaj, duhet ti luteni imzot kryeipeshkvit, për t’a paralajmëruar don Kaçorrin, që të mos i përsëritë herë tjetër këto veprime. Nëse qëndrimi i tij politik, do të sillte për pasoj ndonjë proçedim gjyqësor ndaj tij, atëher ne me keqëardhjen më të madhe do të ishim të detyruar të heqim dorë nga çfardo ndërhyrje në favor të personit në fjalë dhe se çështjen do ta paraqesim për dijeni Propagandës Fide.
Me rastine bisedimit tuaj me imzot Biankin, zotoria Juaj, të keni mirësinë ti vini në dukje edhe rastin e përmendur në relacionin Tuaj numër 28, të datës 27 të muaj të kaluar, që ka të bëj me festën e organizuar aty me rastin e hypjes në fron të Madhërisë së Tij, Sulltanit.Don Kaçorri nuk ka bërë ndriqimin e shtëpisë së famullisë katolike me këtë rast.
Në lidhje me relacionet e konsullatës Perandorake dhe Mbretërore të Durrësit, të dërguara për Shkelqësinë Tuaj, me numër 25 e 30, në datat 27 të muajit të kaluar e 10 të muajit në vijim , bashkangjitur këtu, ju dërgojmë për njoftim kofidencial kopjen e një udhëzimi të drejtuar nënkonsullit Rudnay, i cili ndjek veprimet e dyshimta të don Kaçorrit.
Relacioni nr. 2093 e 2094 është dërguar për zotin von Rudnay në Durrës dhe për markezin Pallavicini në Stamboll nga Ministria e Punëve të Jashtme e Austro-Hungarisë.

Dok. 4.
Durrës, 31 maj 1912
Në këtë dokument të shkurtër, nënkosulli Rudnay, e njofton Konsullin e Përgjithshëm për qëndrimet dhe veprimet e tija ndaj don Nikollë Kaçorrit, si dhe për mosmundësinë e shkuarjes për vizitë te kryeipeshkvi imzot Primo Bianki në Delbinisht, për shkak të situatës dhe rrethanava jo të favorshme politike.

Shumë i nderuari zoti Konsull i Përgjithshëm.
Urdhërin e ngarkaur me shkresën e lartëcekur numër 2093, të datë 20 të këtij muaji, unë, nuk kam mundur që ta vë në zbatim, sepse pengesë janë rrethanat e tanishme politike këtu. Nuk e konsideroj të këshillueshme një udhëtim për në Delbinisht për momentin.
Por, unë nuk kam lënë pas dore, as më parë e as tani, që në mënyrë shumë energjike të urdhëroja don Kaçorrin, që të hiqte dorë nga aktivitetet e tija politike të dyshimta, dhe për sa mund të jap një gjykim unë, personi në fjalë është i ekzaltuar, dhe tani është më i qetë se sa ishte më parë.
Shpresoj që më në fund ia kam arritur qëllimit që të fitoja qëndrimin e Klerit për këtë rast të veçantë. Deri me sot, këtu, nuk kemi pasur asnjë lëvizje kryengritëse në territorin e Kryeipeshkvisë, pëveç asaj të “Besës” së Kthellës, e cila është një çerdhe myslimanësh. Shpresoj që brenda mundësive të mia, do të siguroj qetësinë në këtë zonë.
Zoti Visner, është duke u kthyer. Që nga e enjta është nisur prej Korfuzit, i cili do të udhëtoj përmes Durrësit për në Vjenë. Me të mbërritur vaporri këtu, unë do e takoj atë dhe do drekoj së bashku me të.
Duke ju lutur me përulje të pranoni përshëndetjet e mia
Rudnay.
(Fragment nga vëllimi me dokumente arkivore ausotro-hungareze, për Imzot Nikollë Kaçorrin)

 
Literatura:
1. Alexander Koller, Kurie und Politik. Stand und Perspektiven der Nunziaturberichsforschung. Tübingen: Max Niemeyer Verlag Tübingen, 1998, f. 1-15.
2. Alfredo Laudiero, Oltre il nazionalismo. Le nuove storiografie dell’est. Napoli: L’Ancora del Mediterraneo, 2004, f. 20-24.
3. Angjelin Shtjefni, Nikollë Loka, Imzot Nikollë Kaçorri. Burrështetas shqiptar në altarin e atdheut. Tiranë: Emal, 2012.
4. Anisa Papleka, Domenikanët në Shqipëri. Përhapës të dijes dhe kulturës kombëtare dhe përendimore. /Hisotri & fe/. Shqip. /E përditshme e pavarur/. Tiranë. 31 mars 2007, viti II, nr. 85 (377), f. 26-27.
5. Bernardin Palaj, Tradita e krishterë te iliro-shqiptarët. Fisi i Shalës-Dukagjinit. Në: Mitologji doke dhe zakone shqiptare. (Zgjodhi, shtjelloi dhe përgaditi për shtyp Anton Nikë Berisha). Prishtinë, Shpresa, 2000, f. 87-150.
6. Christine Maria Grafinger, Die Ausleihe Vatikanischer Handschriften und Druckwerke 18. Jahrhundert. [Studi Testi, vëll. 407. Biblioteca Apostolica Vatikana]. Teil. II. Cità di Vaticano: Archivio Segreto Vaticano, 2002, vëll. 407, f. 311-356.
7. Dominique Kirchner Reill, Nationalists Who Feared the Nation. Adriatic Multi-Nationalism in Habsburg Dalmatia, Trieste, and Venice. Stanford, California: Stanford University Press, 2012, f. 116-118.
8. Douglas Saltmarshe, Identity in a Post-Communist Balkan State. An Albanian village study. Aldershot, Burlington USA, Singapore, Sydney: Ashgate, 2001.
9. Dhimitër Kotini (ed.), Qeveria e Përkohëshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj – nëndor 1912 – janar 1914. Tirana: 1963.
10. Etleva Lala, The Papal Curia and Albania in the Later Middle Ages. Në The Long Arm of Papal Authority. Ed. Gerhard Jaritz, Torstein Jorgensen, Kirsi Salonen. Medium Aevum Quotidianum.Sonderband XIV – CEU Medievalia 8. Bergen, Budapest, Krems: CEU Press, 2004, ff. 89-101.
11. Etleva Lala, The Survival of the Catholic Church in Albania during the Period of Direct Contact with the with the Ottomans (1458-1484). Në: Et usque ad ultimum terrae-The Apostolic Penitentiary in Local Contexts.Edituar nga Gerhard Jaritz, Torstein Jørgensen, Kirsi Salonen. SeriaCEUMedievalia. Budapest: Central European University, Department of Medieval Studies, Central European University Press, 2007, f. 115-122.
12. Fehari Ramadani, Shqipëria në politikën e Austro-Hungarisë në fillim të shek. XX. /Albania in the policy of the Austro-Hungary in the beginning of the 20th century/. Në: Studime Historike. Qendra e Studimeve Albanologjike. Instituti i Historisë. Tiranë: Instituti i Historisë, 2008, viti LXII (XLV), nr. 3-4, f. 39-64.
13. Ferid Duka, Dritan Egro, Sokol Gjermëni [Edit], Shqipëria në dokumentet Austro-Hungareze (1912). Vëll. II (prill-maj). Qendra e Studimeve Albanologjike. Instituti i Historisë-Tiranë. Botimet Albanologjike.Tiranë: Qendra e Studimeve Albanologjike. Instituti i Historisë-Tiranë, 2012, vëll. II.
14. Fulvio Cordignano S. I., L’Albania a traverso l’opera e gli scritti di um grande Missionario italiano il P. Domenico Pasi S. I. (1847- 1914). Volume III. Da Alessio a Oroshi, per le amarissime prove di Durazzo, con la potenza purificatrice della persecuzione – rivolto uno sguardo verso l’Oriente – a la gloria della fine.Roma – Istituto per l’Europa Orientale, 1934, vëll. III, f. 409-441.
15. Gjon Lleshi, Selia Arqipeshkvnore e Durrësit & Kisha e Shën Teodoritnë Delbnisht Kurbin /La Sede Arcivescovile di Durrazzo & Chiesa di San Teodoroa Delbnisht, Kurbin Në: Miqësia. Revistë kulturore periodike eShoqatës Kombëtare të Miqësisë & Bashkëpunimit Shqipëri – Itali. Tiranë: Organ i Shoqatёs Kombёtare tё Miqёsisё dhe Bashkёpunimit Shqipёri –Itali, 2011, dhejtor, viti III, nr. 3, f. 17-19.
16. Ilirjana Kaceli ‐ Demirlika, Kongresi i Elbasanit dhe shkolla Normale në arsimin shqiptar. Në: Në: Gjurmime Albanologjike – Seria e shkencave historike. Prishtinë: Instituti Albanologjik i Prishtinës, 2020, vëll. 50, f. 129-143.
17. Jusuf Buxhovi, Nga Shqipëria osmane te Shqipëria evropiane. Prishtinë: Faik Konica, 2010.
18. Krisztián Csaplár-Degovics, Der erste Balkankrieg und die Albaner. Beitrag zur Geschichte der Unabhängigkeitsproklamation Albaniens (28. November 1912). /The First Balkan War and the Albanians. Contribution to History of the Declaration of Independence in Albania (28. November 1912)/. Në: Südost-Forschungen. Internationale Zeitschrift für Geschichte, Kultur und Landeskunde Südosteuropas. München: Institut für Ost- und Südosteuropaforschung Veröff entlicht durch Verlag de Gruyter Oldenbourg, 2015, vëll. 73, f. 168-201.
19. Krisztián Csaplár-Degovics, Lufta e Parë Ballkanike dhe shqiptarët. Një kontribut për historinë e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë (28 nëntor 1912) /The First Balkan War and the Albanians. A contribution to the history of the proclamation of the Albanian independence/. Në: Revistë Kulturore Pranverë – Vjeshtë 2013. Tiranë, 2013, vëll. 30-31, f. 54-84.
20. Krisztián Csaplár-Degovics, The Policy of the Provisional Government of Vlora between December 1912 and April 1913. Në: Journal of Balkan and Black Sea. Viti 2, bleni 3. Dhjetor 2019, f. 97-128.
21. Ledia Dushku, Nga të mandatuar në kohë lufte, në të zgjedhur në periudhë paqeje: një qasje krahasuese e tipareve të përfaqësimit në Kuvendin Kombëtar të Vlorës dhe parlamentin e vitit 1921.Në: Studime Historike. Tiranë: Akademia e Studimeve Albanologjike. Instituti i Hisotrisë, 2021, viti LXXV (LVIII), nr. 1-2, f. 69-89.
22. Liman Varoshi, Ballkanet mes tri perandorive. Nga kriza e Lindjes deri në kohët e reja. (Universiteti “Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit. Fakulteti i Shkencave Humane, Departamenti i Historisë dhe Gjeografisë). Tiranë: Naimi, 2010.
23. Lorenzo Tacchella, Il Cattolicesimo in Albania nei secoli XVII e XVIII. /Dalle Visite ad Limina Apostolorum e dai Processi Concistoriali/. Verona: Biblioteca Capitolare di Verona, 1984, f. 38.
24. Lorenzo Tacchella, Le Antiche sedi episcopali Latine, Greche e Bulgare dell’Albania etnica e della Macedonia. Milano: Biblioteca dell’ Accademia Olubrense, 1990.
25. Ludwig Thallóczy, Beiträge zur Siedlungsgeschichte der Balkanhalbinse. /Die Urgeschichte des Illyrertums au dem Gebiete Bosniens. Në: Illyrisch-Albanische Forschungen. München und Leipzig: Verlag von Duncker et Humblot, 1916, vëll. I, f. 40-47. (Ne kemi shfrytëzuar edhe: Vëzhgime Iliro-Shqiptare. Përkthyer nga Mustafa Merlika-Kruja. Shkodër: Camaj-Pipa, 2004).
26. Matteo Sanfilippo, Alexander Koller, Giovanni Pizzarusso, Gli archivi della Santa Sede e il mondo asburgico nella prima età moderna. Viterbo: Sette Città, 2004.
27. Musa Ahmeti, Në nderim të njërit prej themeluesve të shtetit bashkëkohor shqiptar – Imzot Nikollë Kaçorrit. Në: Imzot Nikollë Kaçorri. Burrështetas shqiptar në altarin e atdheut. Tiranë: Emal, 2012, f. 5-10.
28. Nicola Jorga, Geschichte des Osmanischen Reisches. /Geschichte der Europäischen Staaten/. Gotha: Friderich Andreas Perthes Aktengesellschaft, 1908, vëll. I.
29. Nik Ukgjini, Nënkryetar i Qeverisë së Vlorës, Kaçorri, rivarroset në Kishën e Shën Luçisë në Drrës. Shqip. Tiranë, 09 shkurt 2011.
30. Nuridin Ahmeti. Kontributi i klerikëve në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912. Në: Gjurmime Albanologjike – Seria e shkencave historike. Prishtinë: Instituti Albanologjik i Prishtinës, 2013, vëll. 43, f. 185-196.
31. Odette Marquet, Pjetër Bogdani. Letra dhe dokumente nga Arkivi i Kongregatës “de Propaganda Fide” si dhe nga Arkivat Sekrete të Vatikanit./Mendimi Shqiptar/. Shkodër: Shtëpia botuese “At Gjergj Fishta,” 1997.
32. Pëllumb Xhufi, Ndikime Italiane Në Rilindjen Kombëtare Shqiptare. /Italian influences in the Albanian National Movement/. Në: Studime Historike. Qendra e Studimeve Albanologjike. Instituti i Historisë. Tiranë: Instituti i Historisë, 2014, viti LXVII (L), nr. 1-2, f. 19-40.
33. Philippe Levillian (Ed.), Dizionario storico del Papato. /Cmitato scientific: Philippe Boutry, Oliver Guyotjeannin, Philipe Kevillain, François-Çarles Uginet, Jean-Louis Voisin/. Milano: Bompiani, 1994, vëll. II, I-Z.
34. Pjetër Logoreci, Dom Nikollë Kaçorri. Letrat e panjohura në arkivin e Vjenës. Rilindasi. Suplement javor drejtuar nga Admirina Peçi. /Shqiptarja.com/. Tiranë: Shqiptarja.com, 12 qershor 2012, f. 20-21.
35. Ramë Buja, Kosova në krizën jugosllave. Prishtinë: AAB Riinvest, 2011.
36. Roberto Moroco dela Roca, Kombi dhe feja në Shqipëri 1920-1944. (Përktheu nga origjinali italisht: Luan Omari). Tiranë: Shtëpia botuese “Elena Gjika”, 1993.
37. Sali Ajazi, Nikoll Kaçorri nënkryetar i qeverisë së Vlorës 1912. Tiranë, 2002.
38. Shan Zefi, Islamizimi i shqiptarëve gjatë shekujve (XV-XX). Arsyet e islamizimit dhe qëndrimi i Kishës ndaj kësaj dukurie.Prizren: Drita, 2000.
39. Tomë Mrijaj, Imzot Nikollë Kaçorri-një ndër baballarët e kombit shqiptar. Në: Dielli Demokristian. Buletin Informativ. Vjenë: Organ i aktivistëve dhe intelektualëve shqiptarë demokristianë në Vjenë, qershor 2017, nr. 29, f. 25-26.
40. Xheladin Shala, Shpallja e Pavarësisë më 1912 dhe përgjysmimi i Shqipërisë. /Declaration of Independence in 1912 and Dimidation of Albania/. Në: Gjurmime Albanologjike – Seria e shkencave historike. Prishtinë: Instituti Albanologjik i Prishtinës, 2007, vëll. 37, f. 161-180.
41. Zekeria Cana, Populli shqiptar në kapërcyell të shekullit XX. Prishtinë: Instituti Albanologjik i Prishtinës, 1990.

Foto: Wikipedia.

Filed Under: Histori Tagged With: Musa Ahmeti

Doktori poet që shëron dhe me mjaltin e metaforave

November 26, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Kambanë malet e mi/ U bie Vjosa gjuhë me trille/ Kumbimi i saj më vjen në vesh, muzikë Perëndie/ Dhe kur jam larg, më josh, më grish, për ty vendlindje.

Kam kohë dhe vite që i lexoj poezitë e Doktorit shkrimtar Çerçiz Myftarit, të cilat më vinë pranë si ca dallgë të çuditshme Vjose dhe bëhen metafora lulesh në Atdheun tim të dytë, Amerikë. Lexuesit dhe pacientët e shumtë flasin fjalë miradie për doktorin tepelenas Çerçiz Myftari. Çfarë binomi i magjishëm është të jesh dhe doktor dhe poet, pasi i përdor bukur paralel dhe bisturinë dhe metaforën. Të dyja janë ilaçe çudibërëse nëse i përdor në metodën më të epërme mjekësore dhe letrare. Doktori poet shkruan: Gjithë jetën në alarm për shëndetin e njerëzve. Ai flet dhe dëshmon nga lartësitë e viteve të moshës 83. Me të drejtë studjuesi i shquar Prof. Dr. Bardhosh Gaçe shkruan: Doktori i talentuar ka udhëuar pergjatë dekadave duke shpërndarë tek të tjerët humanizëm dhe dashuri të spikatura pa interesa vetjake meskine, por fjala e urtë në buzët e tij, ka qenë përherë e çelur si trëndelinë Dragoti dhe Labërie.
Ai vjen nga Dragoti i Tepelenës, një fshat nga më piktoreskët shqiptarë ndërtuar buzë Vjosës, lumit më të egër në Europë. Të lindësh atje e pamundur mos të behesh poet, pasi ke malet midis, dy urat e famshme e Dragotit dhe e Beçishtit të Tepelenës ku Vjosa here është e qetë dhe here shkumëzon duke të lbyrë sytë nga ngjyrat e saj magjepsëse. Dhe ja si shkruan: Një degë peme më pret dhe më përcjell/ la zogjtë dhe këngën e gjethit/ dhe dega e pemës më priti tek djepi/ kur u rrita e bëra parmendë/ Cylë dyjare e mbusha me këngë.
Doktori është si kali flutures pegasian herë tek pacientët e herë me buzë tek metafora e pacientëve lexues. Ai është si një pemë e mbushur me zogj vendi dhe shtegtarë si në poezinë “Pema ecën”. Pema ecën me gishta rrënje/ Me farën në sqepat e zogjve/ Me shungullima ere/ Në fëmijëri unë bëja garë/ Sa zbrisja nga maja/ Një degë peme shaloja si kalë.
Pena e tij përjetëson detaje nga mjekësia deri dhe kthim të njerëzve përsëri në jetë. Në poezinë“Vajza që takon me buzë” doktori poet sjellë kirurgun e mirënjohur dhe shumë të dashur të ndjerin Kafaz Xhuveli i cili operoi adoeleshenten nga Turani i Tepelenës me krahët e prera nga makina korrëse. Ajo vuri proteza në Rumani për krahët dhe kur u kthye takoi me buzë
Dr. Kafazin. Kjo poezi tejet e ndjerë me metaforën e dhimbjes dhe të bukurisësë pashoqe flet qarte për humanizmin e dy mjekëve që shërbyen me zemër dhe shpirt dhe pse në kushte tejet të vështira. Mbi gishtëza të këmbëve, vajza hënëz/ Kirurgut si kulpër i ngjitet në trup/ Gjinjtë hepon me trokthin e zemrës, Qershizat e buzëve zgjat ta puth/ Lotët e tij rrokullisen faqes/ Farfurijnënë mëngët e saj pa krahë/ Kavaviren protezat e shkasin qafës/ Guri pikëllimit zemrës më ra!
Me Cfarë bukurie të fjalës e ka përshkruar vashëzen shqiptare duke i vendosur epitetin Vajza Hënëz…
Doktori poet përcjellë edhe dhimbjet familjare që kanë qenë tragjike dhe fatale në sytë e tij, pra gjithmonë në alarm, alarm mjekësor për shëndetin. Ai kujton motrën e tij Dallëndyshen e cila u mbyt në Vjosë duke lënë pas 8 fëmijë jetim. Duke lexuar këtë poezi tejet të dhimbshme dhe tragjike në mendje më endeshin se sa shumë djem nënash kur laheshin ka rrëmbyer Vjosa në gjirin e saj, pasi Mezhgorani im, Dragoti, Beçishti kanë Vjosën të përbashkët dhe janë ngritur pranë malit Shëndëllila, në malin e shenjtë… Lumi ulkonjë të kafshon gjunjët/ Ti lëshon ca pika qumëht/ Një dallgë Vjose hingëllin si kalë/ Vello të hedh shkumën e bardhë/ Vijnë vajzat të puthin me ngjutje/ Ndalo! Mos u mashtro moj Dallëndyshe. Gjashtë vajzat presin bëhen nuse/ Tetë zëra fëmijësh zhyten palombarë/ Ne sytë tek rrjedha e Vjosës i lamë/ Po ti s’po dukesh/ Mos shtegtove me tufë dallëndyshes?…
Dhe këtu Vjosa më duket si një Poseidon, sepse metaforat janë subtile, të magjishme, delikate me plagë malli vëllazëror.
E pamundur një mjek i vërtetë në Shqipëri në kohën tonë të mos kishte një trokitje në natë. Këtë më kujtoi poezia “Një trokitje në derën e apartamentit tim”.
Doktori gjithmonë ka qenë në alarm si në këo vargje: Trokitje në derë, të pandëprera, të forta…/ Boria e alarmit më thërret mua/ Në jam në gjumë, brof/ në jam duke ngrënë/ lë lugën në pjatë/ Ndodh të jem duke shkruar, stilolapsin e flakë…/ T’i jap të sëmurit ndihmën e parë.
Duke lexuar me shumë kënaqësi dhe një vemendje ë posaçme guxoj të them se
Dr. Myftari të kujton shkrimtarin e famshëm botëror rus Anton Cehovin i cili u diplomua në Universitetin e Parë Shtetëror të Mjekësisë në Moskë I.M. Sechenov dhe duke u bërë mjek i kualifikuar në 1884. Çehovi konsiderohet si një nga krijuesit e tregimit të shkurtër modern, si dhe i teatrit modern duke sjellë magjishëm me detaje nga jeta e tij.
Si mjek shkrimtari Myftari ka përjetuar dhimbshëm Luftën e Kosovës duke iu shëbyer fëmijëve shqiptarë të Kosovës. Ai dëshmon genocidin si në poezinë: Në sytë e fëmijëve kosovarë”. Bashke me uturimat e avionëve të NATO-s hynin tek dera/ nëna të ngarkuara me foshnja/ dhe pluhurin e vendlindjes/ në këmbët e zhvokshura/ Me shpirtin tim të drithëruar, ata që i zbuan mallkoja/ Fëmijët e sëmurë vizitoja/ Ç’ kishin ca sy të kaltër/ Brenda notonte dhimbja/ Me pak ledhe/ lëshonin vështrime të ëmbla.
Ai tregon se kur punonte në spital pothuajse një jetë nëTiranë si mjek i përgjithshëm, pediatër, Epidemiolog etj, kishte takuar shkrimtarin novelistin e shquar alias Dhimitër Pasko, Mitrush Kuteli i cili ishte shtruar nga tensioni i lartë i gjakut, (Morbus Hypertonicus). Ai e thirri një ditë në dhomën e tij ku kishte librin e Tolstoit për ta përkthyer, romanin “Rruga e mundimeve”. Unë kishja dorëzuar ne redaksinë ku punonte, novelën time. Ai nxorri fletoren e shënimeve dhe më tregoi gabimet që kishja bërë, pamvarësisht se u skuqa gjer tek veshët, une kuptova se sa fort kishte ndikuar në jetën time, se letërsia artistike fillon në përdorimin e fjalës së epëme, eleganca, përzgjedhja.
` Por le të hidhemi përsëri tek poezia e tij që janë plot mesazhe mjeku si tek: “Kur pi raki”. Rakia kur pi, më gudulis/ dhimbjet m’i arratis/ Në kurth nuk rashë/ pi raki me rast.
Një vend të veçantë zë dhe plaga e kurbetit, një plagë që ka zënë kore ne shekuj dhe mjerisht vazhdon dhunshëm dhe në ditët e sotme. S’besoj të ketë familje shqiptare pa njerëz te larguar nga familja e tyre, çka flet për mjerimin e pllakosur kudo. Në poezinë “Në oazin e vetmisë” doktori shkruan: Ah, moj varfëri/ Ti m’i zbove fëmijët, vëllain, mbesat, nipërit, kushërinjtë? Apo ju o zogj, u mësuat shetegetime pa cak/ Kam mbetur në oazin e vetmisë/ Durimin kam për target/ Tek direku i shpresës mbahem fort/ Ndoshta fitojnë ca lekë/ e kthehen prapë/ Ejani/ Mos më lini vetminë të më mbysë/ dhe varri të më humbasë/
Si emigrante poete e lexoj dhe mbytem në lotët e vetmise per këtë dramë që ka pllakosur kudo ndër pragjet tona atje… Sa prindër pleq varrosen në vetmi, sa prindër pleq jetojnë në oazin e vetmisë siç shkruan metaforikisht autori mjek.
Autori vjen nga fshati Dragot me njerëz të famshëm si Stan Dragoti regjisori i shquar hollivudian. Familja e tij është autoktone dragotase me shtëpia dykatëshe, me mulli, pusi, vija e ujit, muret rrethuese të kopshtijeve, ullinjtë etj, ku kam pasur fatin t’i vizitoj si TV “Alba Life”, NY.
Asllani babai i tij mbaroi studimet në gjimnazin “Zosimea” të Janinës.
Ne vitin 1913 vdes i ati (Sakoja), dhe në vitin 1914, mbasi kthehet në vendin e lindjes, emigron me dy bashkëfshatarë në SHBA.
Një nga arsyet e emigrimit në moshë të vogël është djegia e shtëpive dhe prishja e pronave nga masakrat greke në Jug (1913-1914).
Asllani babai i Stan Dragoti hyri në Federaten Panshqiptare “Vatra”, në Boston ku, për aktivitete të rëndësishme patriotike, zgjidhet ndër zyrtarët e saj së bashku me Faik Konicën (6 korrik 1924) Vjen aty edhe i vëllai Miftari, i cili merr pjeë aktive në shoqerinë “Vatra”.
Merr pjese ne demostratën kundër synimeve shoviniste greke në Jug tëShqipërisë në tetor 1946.
Dhe për këto kontribute të vyera kombëtare autori frymëzohet dhe i kushton një poezi regjisorit holluvudian Sten Dragoti si: “Vjen Sten Dragoti” Cipë e mjegullës/ dhe vesa që bie, si loti i mallit/ mbajnë fshehur helikopterin që uturin, brenda syrit qiellit Dragotit/ mes dy malesh, me ullinj e portokalle/ Dhe me Vjosën nazemadhe/ Zog u bë helikopteri/ Ulet, ngrihet/ Pas reve fshihet? Zëra nga celulari/ Nuk ulemi dot/ Ju presim në Gjirokastër/ Nxiton grupi riosh me taksi/ t’i dhurojnë dashurinë tonë/ dhe tufën e luleve të çelura ne në oborre e saksi/ nga duartë e nënave të vendlindjes të të Atit.
Autori është një urtan i fjalës, i bukurisë shpirtërore, i muzës, perëndeshës së frymëzimit dhe bëhet bilbil gjyzar për lexuesit e shumtë.
Doktori Poet mjekon dhe shëron dhe me mjaltin e metaforave të letërsisë së epërme.

25 nëntor, 2022
Staten Island, New York

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1952
  • 1953
  • 1954
  • 1955
  • 1956
  • …
  • 2781
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT