• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mons. dr. Zef Oroshi dhe sofra e Festivalit të 30-të shqiptar të muzikës dhe valleve në New York

November 8, 2022 by s p

“Vetëm kush mbahet fort mbas traditës, tradita i siguron nji vend të merituem në botën e qytetnueme” – Gjokë Vata, poet, këngëtar

Klajd Kapinova

editor i revistës Jeta Katolike, New York

Zef Oroshi u lind më 1912, në Mirditë. Ai mësimet fillestare i mbaroi në vendlindje, ndërsa mësimet e mesme i nis në vitin 1927, në seminarin e Jezuitve në Shkodër dhe studimet e larta më 1936-1940, në Teologji e Filozofi në Romë, në Universitetin Urbino në Propaganda Fide. 

Mprehtësia dhe zgjuarësia, ishin të ngjizur thellë në mendjen e begatë të tij. Kardinali Fumasson Biondi, Prefekt i Propoganda Fide e shuguron meshtar, duke i dhuruar petkat dhe koletin e bardhë.  Pas 12 vjetëve (1940-1952), pasojë e përndjekjeve të Sigurimit të Shtetit dhe martirizimeve të vëllezërve në Krishtin, në kohën e dikaturës së Enver Hoxhës, duke e parë se kishin vendosur ta arrestojnë ai pasi thotë meshën… hoqi shpejt veladonin dhe mori udhën e arratisjes nëpër male, duke iu bashkuar forcave të rezistencës kundërkomuniste, ku vihet në krye të nacionalistëve në malet e Mirditës. 

Pas arratisjes në gusht 1952, ai gjendet në tokat etnike shqiptare në Dardani për disa muaj, duke kaluar e qëndruar për pak kohë në Gjakovë, Pejë, Mitrovicë… dhe nga aty shkon në Beograd. Dera e Gjomarkajve i dërgon një garanci udhëtimi, për të shkuar në Itali.  Paralel me studimet e larta, i kërkoj Selisë së Shenjtë, që t’i miratoj kërkesën (dekretin), për të qenë kapelan katolik (bari misionar), për bashkëatdhetarët mërgimtarë politikë, që gjendeshin në Romë.

Dy mirditas Doçi e Oroshi, në kohë të ndryshme, bëhen tribunë e mendimit përparimtar shqiptar në diasporë, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në ndihmë të besimtarëve dhe popullit shqiptar, i cili kaloi në dy robëri: otomane islame barbare dhe diktaturën barbare ateiste komuniste. Dr. Oroshi në vitin 1960, përkthen e boton “Visarthin Shpirtnuer”, një lloj katekizmi doracak, me lutje shpirtërore në gjuhën geg, për familjarët emigrantë shqiptarë katolikë të shpërndarë udhëve të botës.

Në Universitetin e famshëm “Angelicum”, më 1958 vijon studimet e vitit të pestë në degën e teologjisë, që ndryshe njihet si disiplina ose gjimnasitika e trurit. Këtu merr si subjekt, për të trajtuar gjerësisht e filozofikisht 20 teza në shkencën e Teologjisë, duke e mbrojtur (në vitin 1960) me sukses temën: “Një reformator i madh i Kishës irlandeze të shekullit XII”, për gradën shkencore Doktor.

Dashuria e respekti, për shkrimtarët e shkollës së traditës veriore geg, që kishin vulosur me erudicionin dhe përkushtimin e tyre brilant, u bënë objekt i studimeve të tij. Editorët e botimeve kulturore të kohës, si redaksitë e shumë revistave dhe gazetave të diasporës me këmbëngulje i kërkonin eruditit të palodhur dr. Oroshit, artikuj me tematika të ndryshme.

Ai ishte meshtar i emëruar, për shërbesa fetare në St. Raymond (East Tremont Avenue, Bronx, New York), megjithëse çonte meshë në kishën amerikane, gjithnjë me shpirt e zemër rrinte pranë komunitetit të vogël katolik shqiptar.

Në vitin 1973, u realizua dëshira e madhe e klerikut të përkushtuar në trinomin Fe-Atdhe-Përparim, mbas fushatës fondmbledhëse prej bashkatdhetarëve, në praninë e besimtarëve, u bë më në fund bekimi i kishës së re, mes një atmosfere të madhe gëzimi, me të cilin ishte bashkuar, përmes mesazhit edhe ish Kardinali i New York-ut, i ndjeri, Arqipeshkvi Metropolitan Eminenca e Tij Terence Cooke. Për këtë ngjarje të madhe të komunitetit katolik shqiptar dhe meshtarin dom Zef Oroshin shkruajti edhe gazeta amerikane The New York Times.

Bariu nacionalist e dijetari i ndritur i shqiptarëve dr. Oroshi, la një emër shumë të mirë në fushën e publiçistikës e botimeve në gjuhën shqipe. Ishte ai, që shqipëroi librin: “Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujve” (Romë, 1960, 1979), në gjuhën e ëmbël geg, aq të nevojshëm për shqiptarët. Pjesë nga materialet e para të shqipëruara prej Ungjillit, nisin të botohen për herë të parë, në revistën e komunitetit katolik “Jeta Katholike Shqiptare” (1966-1978), në numërat e para të saj, por pa nënshkrimin e vet.

Kishte raste, që nga misionet e pambarim imzot Oroshi, gjente pak kohë të lirë, për t’u prerë në qetësi, vetmi e cila vazhdimisht, i pushtonte mallin dhe i rizgjonte nostaligjinë e madhe për atdhelindjen e tij të paharruar. 

Meditacionin e thellë si ushtrim shpirtëror e bënte dy javë në vit. Vetmia e tij, ishte një adhurim i përshtatshëm mbushur me lutje, për një kontakt më imtim shpirtëror me Zotin. Ai shpesh i mbushte sytë me lot dhimbjeje e malli të pashuar, për atdhelindjen Oroshin, familjen e persekutuar dhe shpërndarë në kampet e vështira të internimeve komuniste.

Mesha e parë në Qendrën Katholike Shqiptare në New York City, në Natën e Madhe të Keshndellavet të vitit 1969, është një përrmbledhje brilante oratorie, ku si gjithnjë shquhet fjalimi elokuent, me fjalë të zgjedhura dhe frymë patriotike nga prelati ynë mons. dr. Zef Oroshit.

Si dëshmi e historisë Monsinjori, njoftonte vazhdimisht komunitetin e vogël katolik shqiptar në New York, mbi ngjarjet e rëndësishme, sikurse ishte asokohe blerja e Qendrës Katholike Shqiptare e New York-ut gjatë vitit 1969. 

Fest XXX në kujtim të 110-vjetorin e lindjes së mons dr. Zef Oroshit

“Bukuria dhe madhështia e këtij festivali për tre dekada, janë fëmijët shqiptar të lindur e rritur në Amerikë, që vishen me veshjet popullore, këndojnë e vallëzojnë shqip.

Kjo tregon, se ata krenohen se janë shqiptarë, dhe, ne krenohemi me ta. Dom Zef Oroshi, prej ditës së parë, që ka ardhur në Amerikë, është interesuar si ti bashkojë emigrantët shqiptarë të porsaardhur, dhe pas disa vitesh organizoi blerjen e një funerali me “capel” ndërfetare, në adresën 4241 Park Ave, Bronx New York. 

Dhe, natën e Krishtlindjeve të vitit 1968, ai me besimtarët e kremtojnë meshën e parë shqip, në qendrën e re shqiptare, dedikuar Zojës së Këshillit të Mirë. Kjo kishë është një shkëndijë e vogël sot, por, që një ditë do të rritet e bëhet Dritë e Madhe, për të gjithë shqiptarët. 

Sot, ne gëzojmë këtë kishë të bukur, që i shërben fesë edhe kombit tonë. Sa e sa organizime, që janë bërë në këtë kishë, një ndër to është edhe ky festival, që këtë vit është jubilar dhe po feston 30-vjetorin, ndersa i kushtohet monsinjor Zef Oroshit, themeluesit të kishës shqiptare në Amerikë. 

Vit pas viti në festime të tilla, ne bashkohemi me njëri-tjetrin, dhe i ripërtërijmë realiacionet tona, shprehem kënaqësinë për gjuhën e kulturën tonë. Përkrahim njëri-tjetrin, gëzohemi së bashku dhe qëndrojmë së bashku. 

Për jetëgjatësinë dhe suksesin tridhjet vjeçar, në shenjë faleminderimi sot, për të gjithë ata njerëz, që kanë punuar për këtë qëllim. Duke filluar prej monsinjor Zef Oroshit, e pasardhësve të tij, deri më sot, kur ne kremtojmë me këngë e valle shqiptare të kënduara e të vallëzuara prej të rinjëve e të rejave të komunitetit tonë. 

Madje, shumica prej tyre janë të lindur e rritur këtu në Amerikë, por, janë krenar që janë shqiptar. Gjithashtu, edhe ne jemi krenar me këta fëmijë dhe këtë festival dhe këta fëmijë.

Faleminderoj organizatorët e festivalit, që për çdo vjet dedikojnë kohë, talent dhe energji, që Festivali Shqiptar, të dalë sa i pasur dhe më i bukur.

Faleminderit të gjithë ju, për pjesmarrjen dhe përkrahjen tuaj, qofshit gjithmon të gjithë të lumitur e të gëzuar.” – Dom Pjetër Popaj

Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës”, me nderim, respekt dhe kënaqësi të veçantë njoftoj komunitetin shqiptaro-amerikanë dhe mediat në New York me rrethe, se me 5 dhe 6 nëntor 2022 do të mbaj në sallën e Illyria Community Center në Bronx NY, Festivalin e XXX-të Shqiptar, i cili në këtë jubile i përkushtohet themeluesit të Kishës së Parë Katolike Shqiptare në SHBA dhe në të gjithë Hemisferën Veriore mons. dr. Zef Oroshit, i cili themeloi me devocion Qendrën Shqiptaro-Amerikane, botoi dhe drejtoi revistën fetaro-kulturore Jeta Katholike Shqiptare (Jeta Katolike 1966-2022). 

Në kujtim të 110-vjetorit të lindjes së prelatit të paharruar imzot dr. Zef Oroshit

Kjo është ngjarja më e Madhe Mbarëshqiptare në Amerikë, e cila si synim ka pasur dhe vazhdon të mbajë, shpalos dhe ruaj gjuhën, traditën dhe kulturën e gurrës shumë shekullore popullore, të këngëve e valleve burimore, shfaqjen e shumë ngjyrave të bukura dhe ornametëve, që pasqyron vazhdimisht folklori etnik shqiptar. Kështu artdashësit këtu do të kenë mundësinë për dy netë festive të argëtohen me këngëtarë të njohur të shumë trevave, grupet folklorike të cilët, sikurse çdo vit e pasurojnë Festivalin me instrumente, kostume dhe valle të ndryshme.

Kisha e jonë tregon të veçantën e tij, se Festivali i 30-të Shqiptar, i perkushtohet intelektualit dhe prelatit të shquar të komunitetit tonë mons. dr. Zef Oroshit, një ndër figurat më të shquara të mërgatës shqiptare, por edhe mbarë botës jashtë trojeve shqiptare.

Si për të mos mjaftuar me kaq, mësojmë se Shoqata “Trojet e Arbërit”, me qendër në Prishtinë të Kosovës, ka në proçes botimin e një libri special voluminoz, kushtuar mons dr. Zef Oroshit, ku janë të përmbledhur të gjithë kumtesat e ligjëruesve, që i mbajtën në muajin qershor 2022, në qytetin historik të Lezhës. 

Po ashtu në Lezhë këtë vit, është përuruar busti kushtuar anti-komunistit dhe intelektualit të erudit mons. dr. Zef Oroshit, që për shumë dekada ruajti të gjallë mes shqiptarëve kulturën dhe gjuhën shqipe. 

Ai ishte mik i ngushtë i intelektualëve prof. Ernest Koliqit, prof. Rexhep Krasniqit, prof. Zef Nekaj, pader Giacomo (Jak) Gardini, i cili ishte prift italian i dashuruar mbas Shqipërisë, që si shpëblim diktatura ateisto-komuniste e plandosi mizorisht në burg për 10 vjet (1945-1955)… atë prof. Zef Valenini, dom Pjetër Popaj (meshtar aktual sot në New York), atë prof. Andrew Nargaj ofm, prof. Arshi Pipës, Kapidani i Mirditës Gjon Marka Gjoni, Ndue Gjomarku, Mark Gjomarku, Llesh Gjomarku, studiuesi Tomë Mrijaj (autori i 4 librave kushtuar klerikut dom Zef Oroshit, skurse e thërrisnin të gjithë këtu), etj.

Vijimsia e kulturës shqiptare në New York

Është bërë traditë zhvillimi i Festivali Shqiptar në New York, që përpiqet të indetifikojë, dokumentojë dhe promovojë artistë të folklorit dhe njëkohësisht të mbajë të bashkuar komunitetin tonë, pa dallim feje, ideje apo krahine. 

Çdo vit Festivali këtu, ruan dhe përkrah traditat muzikore dhe folklorike autoktone shqiptare si dhe siguron që ato do të vazhdojnë të ekzistojnë dhe të kenë domethënie për brezat e ardhshëm. 

Ai i ofron spektatorit të thjeshtë, mundësinë e mishërimit me thesarin e pasur të kulturës sonë. Tubimi mbarëshqiptar kulturoro-artistik, shpalos begatinë e pasur kulturore të komunitetit shqiptarë si një pjesë indetifikuese e komunitetit të përgjithshëm amerikan.

30 vjet këngë, valle dhe muzikë etnike në Amerikë

Shqiptaro-amerikanët, u mblodhën në sofrën e gurrës popullore artistët nga diaspora shqiptare e Amerikës. Festivali i XXX-të i Këngës e Valles Popullore Shqiptare, që mbahet në New York këtë vit festoi 30-vjetorin e saj. 

Si gjithnjë, parada artistike e grupeve të ndryshme të muzikës me instrumente popullore tradicionale dhe moderne, valleve me larushisë e kostumeve të trojeve etnike, krahinave dhe nenkrahinave, gjatë 30 vjeteve në Festival, është përpjekur të idenfifikojë e përkrah grupet artistike dhe kulturore, që gjenden në disa shtete të ndryshme të Amerikës, shumëngjyrshmërinë e kostumeve, valleve, intrumenteve origjinale, traditave, zakoneve të lashta iliro-arbërore-shqiptare, të ruajtur ndër shekuj nga të gjithë bashkatdhetarët që jetojnë këtu.

Ky është thesari i shpirtit të një populli të vogël, por me zemër të madhe, që ka një histori të lavdishme, me vlera kulturore shumë të pasura dhe të larmishme, për t’i treguar kombit të madh amerikan.

Sofra muzikore dhe koreografike kulturore këtë vit iu përkushtua bariut shpirtëror brilant mons dr. Zef Oroshit, që gjithë jetën punoi si misionar i Krishtit, pa u lodhur për komunitetin shqiptaro-amerikanë deri sa kaloi në amshim.  I shtrenjtë është ai njeri, i thirrur nga Zoti, në gjithçka që bënte derisa e mori në krahët mikpritës të Tij.

Larushia e perlave shpirtërore të kultivuar dhe ruajtur me kujdes dhe respekt brez mbas brezi edhe në Amerikë, u shpalosën me dinjitet në spektaklin Festivali i 30-të në New York, në kryeqytetin metroplolitan të kulturës shumë etnike botërore.

Ky ka qenë dhe mbetet edhe objektqëllimi kryesor (prej tre dekadash), për ribashkimin në një vatër të madhe festive, brenda mozaikut të vlerave folklorike të papërsëritshme burimore popullore të zonave dhe krahinave të ndryshme etnike gjithpërfshirëse.

Shqiptarët nga të gjithë trojet etnike, pa dallim feje sot kremtojnë së bashku, traditën tonë të bukur të ruajtur me kujdes prej etërve tanë ndër shekuj. Shumë këngë u dedikohen herojve tanë historik, që nuk kanë kursyer veten dhe kanë dhënë jetën për të ruajtur traditën dhe indetitettin tonë. 

Shqiptarët, janë shumë krenarë, për të rinjtë dhe të rejat e komunitetit tonë, sidomos ata që kanë lindur këtu dhe nuk e harrojnë prejardhjen e tyre shqiptare. Ata e duan gjuhën shqipe dhe krenohen se janë shqiptarë.

Dihet se institucionet e hershme të artit dhe kulturës në Shqipëri e kanë pasur zanafillën e tyre nga kisha katolike, gjë që dëshmohet nga burimet e shumta historike ndër shekuj, kurse në diasporën shqiptare në ShBA dhe posaçërisht në shtetin e New York-ut dhe rrethina në këto përgatitje si gjithëmonë rol të rëndsishëm kanë luajtut klerikë: katolike, si: imzot dr. Zef Oroshi (1912-1989), imzot Rrok Mirdita (1939-2015), dom Pjetër Popaj, dhe aktivistët e palodhur të komuniteti të vogël katolik shqiptarë (i përbërë krysisht nga emigrantë politik (1944-1990), është vendosur vonë në krahasim me komunitetin e hershëm ortodoks shqiptar (shekulli XVIII nga emigrantë ekonomik në vitet 1944-1990 ato politik dhe mbas vitit 1990 ato ekonomik) me qendrën e saj në Boston rreth kishës së shën Gjergjit. 

Krahas ndërtimit të kishës së re, udhëheqësit shpirtëror meshtarët katolikë shqiptarë dhe artdashësit e kulturës tradicionale popullore, që kishin emigruar në Amerikë, bashkëpunuan dhe vendosën të themelojnë shoqëri, klube dhe grupe artistike kulturore. 

Ishte pranvera e vitit 1978, kur në New York me inisiativën e asokohe mons.  dr. Zef Oroshit dhe dom Rrok Mirditës, që filluan krijimin e korit të kishës, me një grup të vogël bashkëatdhetarësh, por që kishin dëshirën e madhe të bëjnë diçka të bukur dhe dobishme për kishën e tyre. 

Nga ana e tjetër, meshtarët e palodhur dhe kudogjendur mons. dr. Zef Oroshi dhe imzot Rrok Mirdita, gjithëmonë kërkonin diçka motivuese të re, për të mbajtur të bashkuar komunitetin e vogël shqiptarë. Këto vizionarë largpamës dhe qëllimmirë, u provuan shumë herë ndër aktivitete, që pasuan më vonë në Qendrën Kulturore të Kishës Katolike Shqiptare në New York.

Në ambientet e saj, lindi ideja e formimit të një grupi muzikor, me antarët e korit dhe të tjerë, që i afroheshin, kishës dhe komunitetit ndër gëzime e festa, dasma e kremtime të ndryshme. Të inkurajuar nga mons. dr. Zef Oroshi, imzot Rrok Mirdita, dhe aktivistë të tjerë të kishës, u formua grupi muzikor “Rozafati” (2008), që këtë vit përkujton 14-vjetorin e saj. 

Xhubleta 5000-vjeçare dhe valet popullore në skenat amerikane

Me datën 20 tetor të vitit 1991, Presidenti i Bronx-it Fernando Ferrer, para 31 vitëve lëshoj një Proklamatë, në të cilën deklaroj Ditën e Shqiptarëve në Bronx, të cilën e solli në ditën festivalit Bill Aguado, drejtor Ekzekutiv i Zyrës së Arteve në qytetin Bronx, New York.

Festivali Shqiptar u kthye në traditë dhe përformimet artistike në skenë kanë vazhduar çdo vit. Me një thjeshtësi e ndjesi të thellë zemre bashkatdhetarët, me mendimet e tyre dashamirëse, po sillnin pjesë nga toka e maleve mbuluar me borë, xhubletën e hershme dhe të lashtë në historinë e Europës, puset e ujit të ftohtë, që burojnë nga bjeshkët kreshnike, vallet e lashta sa vetë historia e Ilirëve në trojet autoktone, Shqipërinë, Kalabrinë, Kosovën, Malësinë e Dedë Gjon Lulit, simbolet e krenarisë nacionale, në veshjet popullore, në ambientet ku sërisht u bashkuan shqiptarët, me buqetën e këngëve, valleve, që hijeshojnë interpretimet e tyre veshur me kostumet e bukura popullore.

Së fundi, foklorin ynë në skenë, si thesar i madh për popullin e vogël, duke risaktësuar shkencërisht lashtësinë, unitetin dhe diversitetin e shpirtit të pasur arbëror. Këto perla, janë ngjizur në shtresa të hershme historiko-shoqërore, duke dëshmuar unitetin krijues artistik të kombit tonë, që i përshkon një fill fin atdhetarizmi. 

Pak esencë nga mënyja e Festivali XXX-të Mbarë Shqiptar

BRONX NY: Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”, mbajti Festivalin e 30-të Shqiptar, për dy net me radhë (5 dhe 6 nëntor 2022) në sallën e koncerteve në Qendrës Komunitare Illyria në Bronx NY. 

Për tre dekada, Festivali është duke sjell këngëtarë, istrumentistë, këngë e valle folklorike nga Kosova, Shqipëria, e mbarë trojet shqiptare. 

Dom Pjetër Popaj, në cilësinë e mikëpritësit dhe organizatorit të Fest XXX, në fjalën e hapjes, mbasi foli per figurën e monsinjor dr. Zef Oroshit, u shpreh me shumë krenari përpara të pranishmëve, duke shfaqur kënaqësin pjesmarrjen ndër vite për të rinjtë e të rejat e komunitetit tonë, që kanë lindur këtu në Amerikë, dhe janë duke kënduar e vallëzuar këngë dhe valle shqiptare.

Njëri prej tyre i pranishëm pothuajse në çdo festival dy dekadat e fundit skenografi dhe piktori Astrit Tota, i dhurojë në mënyrë simbolike në këtë jubile dedikuar monsinjor dr. Zef Oroshit, në praninë e udhëheqësve të Festivalit XXX-të Shqiptar, biografit dhe mikut më të afërt i mons. dr. Zef Oroshit, në Amerikë, z. Tomë Mrijaj, shkrimtar dhe publicist, një pikturë me protretin e figurës së lartë të mërguarit, të ndjerit monsinjor dr. Zef Oroshit, themeluesit të Lidhjes Katolike Shqiptare, dhe Kishës së Parë Katolike në të gjithë Amerikën, por edhe në mbarë botën jashtë territorit shqiptar, shkruan gazetari i komunitetit tonë Beqir Sina.

Fest i XXX Shqiptar në Bronx, New York, u hap me vallen “Vallja e pranverës”, interpretuar nga grupi i valleve “Rozafati”, me koreografe Angelina Nika – Mjeshtre e Madhe, dhe, u mbyll sërisht me “Vallja me motive të Tropojës”, interpretuar grupi i valleve Rozafati nga Qendra Kulturore Artistike “Nëna Tereze”, pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja Shkodrës”, Hartsdale, NY.

Gjatë dy netëve ku dominuan simbolet kombëtare dhe ngjyra kuq e zi, u interpretuan: “Vallja e zogjve”, interpreton Grupi Artistik “Barbana”, nën drejtimin e Nadia Hoxha e Hannah Demiri, 
Kënga “Albulena”, këndon Besim Muriqi dhe u duatrokit papushim nga spektatorët shqiptaro-amerikanë, që kishin ardhur nga New York, New Jersey, etj.
Me duatrokitje frenetike u mirëprit vallja e “E dua vendin tim”, të interpretuar nga Grupi i Valleve “Gjergj Kastrioti”, me koreografe Joli Paparisto. 

Disa nga vallet e tjera të bukura popullore si: “Vallja e Malësisë”, “Vallja me motive të Jugut”, “Vallja e pranverës”, “Vallja me motive të Matit”, “Vallja e luleve” etj., u interpretuan nga Grupi i Valleve “Rozafati”, me koreografi nga Angjelina Nika, kurse “Vallja e Tropojës”, u interpretua nga Grupi Artistik “Barbana”, nën drejtimin e Nadia Hoxha e Hannah 
Demiri. 
“Shpresa nuk vdes kurrë”, ishte një moment teatral interesant, që u interpretua nga Grupi “Shpresa e Shqiptarëve”, kurse  “Këndojmë për komb e për flamur”, kënduan Avni Hoxha & Tomë Gjergji, bashkë me 
grupin e rapsodëve të “Bashkimi Kombëtar”. Më pas kënga  
“E din“ u interpretua nga Mikeila Nonaj dhe 
“Lozonjare“ u këndua me dashuri nga Edmond Nikolla, “Rrjedh në kangë e ligjërime”, si suprizë u këndua Nora Ernesti. 

Me duatrokitje të ngrohta u mirëprit “Vallja me motive të Malësisë”, interpretuar nga Grupi i Valleve “Nora e Kelmendit”, e përgatitur nga 
Sebastian Tinaj, me muzikë të Agron Pllumaj, kurse “Nanë Shqipni”, u këndua nga Maria Lajçaj. Më pas “Vallja dyshe Matjane”, u interpretua nga Aleks Zhgjuni dhe Gjergj Dedvukaj të Grupit “Bashkimi 
Kombëtar”.
Me nivel atistik u interpretua sërisht kënga “Kush ta mori erën tande”, kënduar nga Lap Logu dhe “Djemtë e Malsisë”, u këndua nga Vida Kunora.

Shenim: Video në kanalin YouTube, është realizuar nga gazetari Beqir Sina

Filed Under: Opinion Tagged With: Klajd Kapinova

Shkencëtari ndërkombëtar nga Drenica e Shqiptarisë, në modelin e tij Çitaku, zbulonë kompetencat e Lidershipit për botën perëndimore (USA, CA, UK, A, D, CH) në Mjekësi dhe Shëndetësi

November 7, 2022 by s p

Pra ca javësh Prof. Dr. Fadil Çitaku, PhD, MME (Unibe), i lindur dhe i rritur në Drenicë të Shqiptarisë, i cili jetonë në Zvicër dhe ligjeronë në shkollimin e lartë të Zvicëres qe 23 vite, ka botuar librin “LEADERSHIP COMPETENCIES IN MEDICINE AND HEALTHCARE: Scientific based development of 63 leadership competencies, which can be learned and applied”.

Bazuar në teorinë e shkencës së lidersipit sipas Çitakut (Çitaku et al. 2012, et al. Çitaku et al. 2020, Çitaku, 2022), rreziku më i madh që i kanoset botës sot janë liderët që udhëheqin dhe nuk posedojnë kompetenca të lidershipit. Profesor Çitaku në studimin e tij shkencor, për të zbuluar kompetencat e lidershipit investigoi gjashtë shtete përndimore, tri gjermano-folëse (Austria, Gjermani dhe Zvicera) dhe tri anglo-folëse (Kanda, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe). Në studimin e tij ishin të përfshirë njerëz në pozitat kryesore në fushat ku ata vepronin. Të gjeturat e këtij studimi u publikuan në revistën prestigjioze shkencore British Medical Journal (BMJ, 2012) dhe zbulimi i këtij modeli i dha shkencës së lidershipit një ngritje të madhe duke dëshmuar se, kompetencat e lidershipit mund të studiohen empirikisht.

Modeli i kompetencave të lidershipit Çitaku përmban pesë komponente: përgjegjësia sociale, inovacioni, menaxhimi i vetvetes, menaxhimi i punës dhe orientimi i drejtë. Në këto pesë komponentë janë të përfshira 63 kompetenca të lidershipit, të cilat janë të operacionalizuara dhe mund të mësohen. Profesor Çitaku para ca javësh e publikojë Libribrin“LEADERSHIP COMPETENCIES IN MEDICINE AND HEALTHCARE: Scientific based development of 63 leadership competencies, which can be learned and applied” në të cilin pëfshihen 63 kompetenca të lidershipit, të bazuara në shkencë, të cilat mund të mësohën nga lideret/lederët aktual dhe oto/ata që aspirojnë pozita të lidershipit në mjekësi dhe shëndetësi. Duke marrë parasyshë së mjek¨sia/shëndetësi në tër botën ka sfida të mëdha lideret/liderët e kësajë fushe janë të pa pregaditur ti përballojnë këto sfida. Ky libër është publikuar enkas për këta adresatë dhe është 100% i bazaur në shkencë. Ky libër është duke u blerë më shpejtësi të madhe nga liderët e mjekësisë dhe dhe shëndetësisë dhe është pritur mjaftë mirë nga kritikët shkencor nga e tër bota. Një nga shkenctarët eminet të fushës së lidershipit, nga Kanada për librin e profesor Çitakut shkruan si vijonë “” Dr. Fadil Çitaku, Ph.D. — An interesting read that brought my curiosity and passion for healthcare leadership to terms with my rekindled appreciation of statistics. Some interesting parallels between this model (social responsibility, innovation, self management, task management, and justice orientation) with the LEADS framework developed by the Canadian College of Health Leaders. (Leads Self, Engages Others, Achieves Results, Develops Coalitions, Transforms Systems)….Yours is a serious, well-designed, thoughtful study. I especially enjoyed the tables in section 4 (pp 165 – 171) that suggest what warning signals to consider in leaders. I hope you plan to build a broader curriculum or commercialize some of these ideas. Too often, financing, system structure, regulation, or policy are the focus of reform instead of the leadership competencies themselves. Best regards, ML”

Libri “LEADERSHIP COMPETENCIES IN MEDICINE AND HEALTHCARE: Scientific based development of 63 leadership competencies, which can be learned and applied” mund të porositet në Amazon, duke klikuar këtë link: https://www.amazon.com/-/de/dp/B0B6XKV94P/ref=sr_1_1…

Filed Under: Emigracion

Targat RSK, si muzikë zhurmuese e politikave viktimizuese të Beogradit!

November 7, 2022 by s p

Politika aktuale e Beogradit, në njërën anë mban qëndrim të rezervuar ndaj politikave pushtuese të Kremlinit, kurse në anën tjetër i shfrytëzon dhe i keqpërdor të gjitha tolerimet e Brukselit ndaj këtyre qëndrimeve proruse. Për rrjedhojë, edhe raportet e veta me Kosovën, Beogradi i ndërton mbi primesat e këtyre taktizimeve, duke e shitur shtrenjt tek Perendimi politikën e saj të uljes në dy karrige – para dite me Brukselin, pas dite me Moskën.

Shkruan Mehmet PRISHTINA

Në veri të Kosovës po luhet një spektakëI i përgatitur keq nga Beogradi. Vuçiqit i duhen këto tollovi për të kamufluar dështimet në ekonomi dhe zhvillim dhe për arsyetuar qëndrimin e tij politik ndaj Kosovës, duke ia mohuar kësaj të fundit funksionalitetin shtetëror. Karta e fundit e Beogradit është instrumentalizimi, e jo përfaqësimi i interesave të serbëve lokal përmes Listës Serbe. Kjo e fundit është zgjatim i politikave shtetërore të Serbisë kundrejt Kosovës, prandaj në protestën e fundit të së dielës kishte më tepër aktivist të këtij grupacioni politik, e më pak përfaqësues të komuniteti serb nga mbarë Kosova.

Një vëzhgues i huaj që ndjek zhvillimet e fundit në Kosovë, do të duhej paraprakisht të mbledhë të dhëna nga terreni për të pasur një pasqyrë më të plotë mbi dritëhijet e realitetit në të cilin jetojnë serbët lokalë të Kosovës. Ky vëzhgues do të duhej ta dijë se serbët lokal nuk marrin vendime autonome, pasi që Beogradi luan rolin e megafonit të prishur, i cili aktivizohet jo atëherë kur kanë nevojë këta serbë, por kur ka nevojë Vuçiqi të paraqitet para botës si “viktimë e vendimeve të njëanshme e arbitrare të Prishtinës”.

Refuzimi i targave RKS është pjesë e strategjisë së Beogradit për të tërhequr më shumë vëmendje ndërkombëtare, por edhe një pretekst më shumë për të përshkallëzuar mosbindjen qytetare të serbëve të Kosovës ndaj institucioneve qendrore në Prishtinë. Pjesë e kësaj strategjie është edhe shou mediatik i disa zyrtarëve serbë të Policisë së Kosovës, të cilët i dorëzuan vetëm uniformrat, por jo edhe armët, me çka dëshmuan se aksioni i tyre më tepër ishte simbolik se sa përmbajtëror.

Serbia aktualisht udhëhiqet nga një lidership i cili ideologjikisht e politikisht është formuar në kohën e krizave e konflikteve të viteve nëntëdhjetë në ish-Jugosllavi, të cilat i ka nxitur vet. Të gjithë ata që kërkojnë nga ky lidership sjellje të arsyeshme e racionale, ose nuk e njohin gjenezën e hasmërive ndëretnike në këtë pjesë të Ballkanit, ose duan të mbyllin njërin sy dhe të tolerojnë çdo aksion politik që në thelb e ka kaosin dhe mosmarrëveshjen.

Politika aktuale e Beogradit, në njërën anë mban qëndrim të rezervuar ndaj politikave pushtuese të Kremlinit në Ukrainë, kurse në anën tjetër i shfrytëzon dhe i keqpërdor të gjitha tolerimet e Brukselit ndaj këtyre qëndrimeve proruse. Për rrjedhojë, edhe raportet e veta me Kosovën, Beogradi i ndërton mbi primesat e këtyre taktizimeve, duke e shitur shtrenjt tek Perendimi politikën e saj të uljes në dy karrige – para dite me Brukselin, pas dite me Moskën.

Shteti i Kosovës është krijuar kundër vullnetit dhe dëshirës së Serbisë, dhe përderisa të jetë kështu, çdo lëvizje që bën Qeveria e Kosovës e që nuk i konvenon politikës së Beogradit, a priori shpallet e dëmshme për interest e serbëve. Mirëpo deri më tani nuk është bërë një hulumtim profesional e i pavarur i opinionit publik, i cili do të përgjigjej në disa pyetje:

Sa i dëmtojnë realisht interesat e serbëve lokal, vendimet e Qeverisë së Kosovës?

Pse serbët lokal të Kosovës nuk kanë një organizim politik demokratik autonom, që është jashtë ndikimit direkt të Beogradit?

Likuidimi i Oliver Ivanoviqit ( i dënuar me 9 vite burg për krime lufte në Kosovë) a ishte një mesazh i Beogradit për serbët e Kosovës që të heqin dorë nga politikat e tyre autonome?

A ka ndokund në botë standarde të tilla të dyfishta ku të drejtat e pakicës serbe trajtohen si çështje të shenjta?

Vetëm pasi të shterrohen përgjigjet në këto pyetje, mund ta flasim për një realitet i cili përputhet plotësisht me situatën në terren. Çdo realitet tjetër virtual që Beogradi mundohet ta projektojë në laboratorët e vet të manipulimit, është një përpjekje donkishoteske për të frenuar proceset europianizuese në këtë pjesë të Ballkanit. Zatën edhe qëllimi parësor i Serbisë është që ta paraqes si të falimentuar procesin eurointegrues për llogari të politikave të Kremlinit, sidomos tani kur ende duket larg epilogu u luftës pushtuese në Ukrainë. Sa më larg të mbahen reflektorët e BE-së nga rajoni, aq më mirë bëhet për megafonët zhurmues të Beogradit, të cilët tringëllimën e targave të automjeteve RKS e kanë shndërruar në farsë për të prodhuar viktimizim dhe asgjë tjetër.

Deri kur Brukseli dhe Washingtoni do ta dëgjojnë këtë kakofoni serbe?!

Prishtinë, 06 nëntor 2022

Filed Under: Fejton

KULTURA E VUAJTJES

November 7, 2022 by s p

Homazh për pianiesten Maria Rafael në qytetin e Fierit, me rastin e aktivitetit në nder të saj përgjatë festivalit “Hungarissimo” të organizuar nga Festival Academy.

Nga Pëllumb Kulla

Një grua e bukur hungareze, një artiste, mjeshtre e lojës në pianoforte, u çapit tok me ne për mbi 30 vjet, në rrugën shqiptare të mundimeve. Ajo zbriti në Shqipëri një ditë të kthjellët, ashtu e re, e freskët, pështjellë ngrohtë nga dashuria e të shoqit. E ndoqi të dashurin pas, siç ndiqet shoku i jetës, si në traditën e tërë vendeve të qytetëruara.

Vitet e lumturisë që vijnë nga zhvendosja në një vend të panjohur, nga martesa e porsalidhur, nga respekti i jashtëzakonshëm shqiptar ndaj të huajve, nga kënaqësia e punës në koncerte teksa shoqëronte në piano këngëtarë të shquar të vendit dhe të huaj të famshëm, nuk zgjatën shumë. Një ditë prej ditësh, fajtor për planet e arratisjes nga vendi ku me dorë të hekurt sundonte Enver Hoxha, burri i saj, artisti Stavri Rafael, arrestohet dhe i nënshtrohet një burgimi të gjatë.

Maria Ferenc Rafael nuk zgjodhi rrugën e shumë grave të huaja si ajo, që gjatë procesit të mbylljes së Shqipërisë, u ndanë nga burrat, dhe u kthyen në vendet e tyre, në Rusi, Rumani, Poloni e gjetkë. Hungarezja Marie, me vogëlushin e saj nuk lëvizi nga vendi. Ajo nuk u thye, as në goditjen që pësoi me arrestimin e burrit, as kur shokët e shoqet e punës në Opera i kthyen shpinat, dhe as kur e dëbuan nga Tirana në Fier.

Fieri ishte një rreth me zona të caktuara për internime. Njerëzit internoheshin tok me familje, ose si ndëshkim individual. Nëpër fshatrat e fushës vendoseshin familje të padëshiruara nga pushteti. Për ta, internimi nuk kishte fund. Fëmijët e tyre lindnin rriteshin, martoheshin dhe vdisnin në fshatrat e fushës, mes dy lumenjve, Vjosës dhe Semanit.

Kish të internuar edhe në qytet. Ishin zakonisht individë të shquar, militantë të vjetër, si intelektuali i rrallë, Sejfulla Malëshova, ashtu edhe gjeneralë dhe komandantë të luftës partizane.

Në Fier e mbajnë për ngjarje fatlume dërgimin këtu të zonjës së re, Maria Rafael, asaj gruaje të heshtur, që në vënd të psherëtimave, ankesave, apo mallkimeve, të vetmit tinguj që nxori ishin ata të pianoforteve, mbi të cilat lozi dhe u mësoi etydet nxënësve të shumtë.

Banorët e Fierit e vështronin këtë grua të hijshme që ecte gjithnjë me një hap të shpejtë, me dinjitet të rrallë, drejt punës, dyqanit, apo agjencisë së udhëtimit, që i mundësonte vizitat e rregullta tek i shoqi prapa telave, nëpër kampet e ndryshme të të burgosurve, anekënd Shqipërisë.

Maria u lejua të luante publikisht në piano, si në orkestrën e qytetit, ashtu edhe në atë të estradës tonë profesioniste. Por, sikurse dritëhijet në trurin e sëmurë të diktaturës, asaj i hiqej kjo e drejtë për një kohë dhe më pas, grishej të luante përsëri këtu. Ndahej pa lot nga pianoja, Maria. Thjesht e mbyllte kapakun mbi tastierë dhe ngrihej e ikte, sikurse iket kur mbaron dita dhe vjen nata, për t’u kthyer të nesërmen….

…Edhe pse, për mësuese Marian, këto netë zgjasnin dy, tri, ndonjëherë edhe katër vjet. Asaj iu dha mundësia të bënte pedagogjinë e pianos dhe ne, nxënësit e saj, ishim fatbardhët, të lidhur me fatin e zi të artistes (mësueses sonë të dashur) hungareze!

Ajo vinte në provat tona të estradës apo koncerteve madhorë, me një përpikmëri shëmbullore, ulej në stolin përpara instrumentit dhe bënte punën e saj, pa u shqetësuar për ndonjë zgjatje të paparashikuar të provave, pa u nervozuar nga përsëritjet, për shkak të gabimeve të orkestrantëve.

Ajo që u bënte më shumë përshtypje kolegëve të saj, dirigjentëve, regjisorëve, bashkëpedagogëve të shkollës, ku jepte mësim, ishte një qëndrim i studiuar mirë prej saj, gjatë përballjes me ta në rrugët e qytetit: asnjë ndalesë! Asnjë buzëqeshje! Asnjë shenjë njohje! Asnjë përshëndetje!

Një shkëmbim në rrugë pa e kthyer kokën nga ana tjetër, që të mund të merrej si mospërfillje. Jo, jo! Dukej sikur ajo, thjesht, pat fikur përkohësisht dritëzat e kujtesës.

Gruaja e re në tërë ato vite dukej sikur jetonte vetëm për një ditë,

atë ditën emocionuese dhe dramatike të takimit, që i lejohej me të shoqin, në dhomat e burgut.

Me kalimin e kohës, grave vizitore u lejonin dhe fjetjen në shtrat me bashkëshortët e burgosur. Mund t’i marrim me mend ëndrrat rinore të vashës hungarezes për shtratin martesor dhe realitetin e shtretërve të shëmtuar të burgjeve shqiptarë.

Këtu duhet thënë, ama, se vetëm pas lirimit të burrit nga burgu, Maria mbeti shtatzënë dhe lindi vajzën, kukullën e saj të shumëpritur…

Artistja e rritur afër brigjeve të Danubit, dukej sikur pat ardhur në Fierin tonë, jo për të sjellë kulturën e pianos, por kulturën e lartë të vuajtjes njerëzore. Në ato vite jete të ashpër, ne kujtojmë karakteret e prishur, rrugaçërinë, përbuzjen e njerëzve. Marian, këtë hyjni të dhimbjes, e deshën që të gjithë: të mirë e të këqinj, të vegjël e të mëdhenj, gra e burra, komunistë dhe njerëz të deklasuar.

Imazhi i saj, tingujt e saj të pianos, mbi këtë skenë, brënda kësaj salle ku jemi sot, duket sikur nuk janë shuar ende. Ende nuk janë shuar nga sheshet e Fierit, nga mbitarracat, nga rrugët e sallat, ku u shfaq ajo.

Dhe si dëshmi për këtë, sjellim një nga veprimet më të bukura qytetare, që mund të jenë bërë në këto vite plot mundime: Këshilli Bashkiak i qytetit të Fierit, me vendim të njëzëshëm, e shpalli hungarezen fisnike Maria Rafael (mbiemri hungarez), Qytetare Nderi të Fierit! Gjest përfaqësues i jashtëzakonshëm, veprim mjaft prekës, që pasqyron mirënjohje të thellë, drejtësi dhe dritë.

Pas vitit ‘90, Maria Rafael, me burrin dhe fëmijët, u vendos në Hungari, në një qytezë periferike të vendit. Zonja e rrallë mbylli sytë dhe vdiq mes njerëzve të saj të dashur. Në varrim u gjendën ish nxënës dhe kolegë të saj, të mërguar nëpër Evropë.

Disa morën rrugën nga Shqipëria! Shkuan atje, për ta përcjellë artisten, mësuesen Maria në amshim dhe për të rikujtuar veprën e saj të pabujshme, por mjaft dinjitoze.

Mirënjohje dhe Paqe për të vuajturën, të paharruarën, Maria Rafael!

Filed Under: ESSE

BRIAN D. JOSEPH, Universiteti Shtetëror i Ohajos

November 7, 2022 by s p

“…. disa veçori të shqipes janë pjesë e trashëgimisë së saj nga proto-indo-evropianishtja, dhe janë në shqip, sepse gjuha është anëtare e familjes së gjuhëve indo-evropiane…”

-Ligjërata akademike “Jeta ime me gjuhën shqipe dhe me gjuhësinë shqiptare: Rëndësia e shqipes për mua dhe për studiuesit e huaj)” që paraqiti sot në gjuhën shqipe, gjatë ceremonisë së dorëzimit të diplomës “Anëtar nderi i Akademisë” –

#AShSh

#BrianDJoseph

#anëtarnderiiASH

“Të nderuarve kolegë të mi të rinj,

Jam thellësisht i nderuar që jam emëruar Anëtar Nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, duke njohur kërkimet e mia në historinë dhe strukturën e gjuhës shqipe përgjatë disa dhjetëvjeçarëve të fundit.

Për mua, t’i bashkohem radhës së shkencëtarëve të shkëlqyer që përfaqësojnë Akademinë, e ndër ta albanologëve më të shquar, është një njohje që as do të mund ta kisha ëndërruar para më se dyzetë vjetësh, kur iu futa studimit të shqipes si një mënyrë për të zgjeruar kuptimin tim për gjuhët ballkanike dhe për konvergjencën gjuhësore që ato shfaqin.

Meqenëse në studimin e Ballkanit arrita më së shumti nga një perspektivë greke, për shkak të përgatitjes sime si helenist, kur u ndërgjegjësova për veçoritë mahnitëse që mund të shihen në gjuhën shqipe, vetëm atëherë fillova të çmoj plotësisht kompleksitetin e kontaktit gjuhësor në këtë pjesë të globit.

Në shumë mënyra, Ballkani dhe pozita e shqipes japin një mësim për hulumtimin shkencor të gjuhës dhe të historisë së saj. Kontaktet intensive mes popujsh të ndryshëm në këtë rajon kanë çuar në përdorimin e përbashkët të struktorëve dhe fjalëve, duke treguar se, edhe nëse Ballkani është një vatër tensionesh etnike, jo gjithmonë kontaktet kanë çuar në konflikte midis grupeve të përfshira. Në të vërtetë, përfundimi i kontakteve në Ballkan, nga këndvështrimi gjuhësor, është më shumë çështje bashkëjetese paqësore, sesa konflikti dhe grindjeje.

Më lejoni të përmend këtu disa nga karakteristikat e shumta të shqipes që janë dëshmi e këtij kontakti dhe rezultojnë nga ai, për shembull, përdorimi pleonastik i një përemri së bashku me një objekt (si në “E pashë Gjonin” ose “I dha Gjonit” një libër), përdorimi i një forme të foljes të ‘dua’ në kohën e ardhme (si në Do të vij nesër), frazat jopersonale si “Më hahet” ose “Më pihet”, përdorimi i shënjuesit mohues mos si thënie ndaluese me një fjalë, pozicionimi i artikullit të caktuar (pozicioni i dytë në togfjalëshin emëror, si në libri interesant/ interesant-i libër, ndër shumë të tjera.

Megjithatë, disa veçori në shqipen janë pjesë e trashëgimisë së saj nga proto-indo-evropianishtja, dhe janë në shqip, sepse gjuha është anëtare e familjes së gjuhëve indo-evropiane, për shembull, dallimi në mohim midis “s’” për indikativ dhe “mos” për joindikativ, trajta e paskajores gegërisht (që përfshin pjesoren me “-në”, si p.sh. thânë), dhe numri i madh i foljeve me dallime në formë dhe në rrënjë midis së tashmes dhe së shkuarës, p.sh. jep / dhashë, sheh / pa, etj.

Dhe janë disa veçori të pazakonta dhe të papritura nga këndvështrimi i gjuhës njerëzore në përgjithësi, si p.sh. parafjalët që kërkojnë emëroren për formën rasore (do me thënë “tek” dhe “nga”), ose dukje e një elementi të veçantë që lidh emrat me mbiemrat ose emrat me pronorët (si në “libri i madh i Gjonit”, “librin e Gjonit”).

Këto veçori tregojnë se shqipja kontribuon në njohuritë gjuhësore në tri mënyra:

• si gjuhë indo-evropiane, shqipja shton njohuritë tona për mënyrën sesi u zhvillua familja gjuhësore dhe cila ishte forma e gjuhës mëmë

• si gjuhë ballkanike, ajo shton njohuritë tona se sa kontakti gjuhësor mund të ndikojë në një gjuhë dhe llojet e ndryshimeve që mund të ndodhin në situata me kontakte intensiv midis folësve të gjuhëve të ndryshme

• si gjuhë njerëzore, ofron material, nga i cili përcaktojmë gamën e strukturave të mundshme dhe gamën e kombinimeve të veçorive që mund të gjenden në gjuhët njerëzore.

Në të njëjtën mënyrë, shqipja na tregon ndërveprimin midis vazhdimësisë historike dhe ndryshimit në kohë.

Në këtë drejtim, më lejoni të përmend dy raste nga puna ime që përfshijnë semantikën leksikore, ku shqipja tregon vazhdimësi nga njëra anë dhe ndryshim nga ana tjetër.

Së pari, shqipja vazhdon një metaforë të vjetër në mohim në parashtesën negative “as-“, si në “asgjë” ose “askush”, sepse rrjedh nga fraza negative proto-indo-evropiane *ne H2oyu kwid, ku *H2oyu është fjala për ‘jetën e gjatë’, si anglishtja bisedore “Not on your life!” si një mohim i theksuar.

Lidhja e ‘jetës së gjatë’ me mohimin vazhdon në shqipe tani përmes paralelizmit strukturor të dy shprehjeve: shprehja e parë është “kurrën e kurrës”, d.m.th. “kurrë fare”; “jo në një milion vjet”, si një frazë e theksuar negative e bazuar në kurrë, e cila fjalë për fjalë është ndajfolja kurrë, trajtuar si emër dhe shfaqet si kallëzore dhe më pas përsëritet si gjinore, d.m.th. kurrë.kallëzor e një kurrë.gjinor, dhe shprehja e dytë është për (në) jetë të jetëve ‘për përjetësi’, d.m.th. fjalë për fjalë “për (një) jetë(gjatësi) jetese”, me leksemën jetë të përsëritur në raste të ndryshme, fillimisht kallëzore (njëjës) e më pas gjinore (shumësi).

Është e rëndësishme që fjala shqipe “jetë” është argumentuar (nga Eric Hamp) se është zhvilluar nën ndikimin e latinishtes aetas “moshë”; domethënë, nëpërmjet këtyre efekteve të kontaktit, jeta i përket familjes leksikore të *H2oyu, përderisa aetas lidhet me aevus ‘periudha kohore’, një derivat i fjalës për ‘jetë e gjatë’. Metafora vazhdon dhe kemi paralelizma strukturore në këto fraza që theksojnë lidhjen.

Së dyti, në përdorimin e foljes “bie” në shprehjet e motit, “bie shi” / “bie (dë)borë”, vështrojmë një kuptim krejt të natyrshëm, pasi ‘shiu’ dhe ‘bora’ bien nga qielli. Por nga pikëpamja etimologjike, situata është më e komplikuar, pasi bie rrjedh nga rrënja *bher-, që do të thotë ‘mbart’. Pra, ka pasur këtu një ndryshim semantik nga “mbart” në “rënie” që duhet shpjeguar.

Unë sugjeroj se ishin pikërisht këto shprehje të motit që dhanë bazën për këtë ndryshim semantik, pasi fillimisht idioma ishte se diçka – me sa duket një re – mbart shi/borë; një ndryshim në diatezën verbale do të kishte dhënë ‘bartë shiu/bora’ (d.m.th. ‘mbartet’, nga një re), dhe interpretimi natyror do të ishte se shiu ose bora bën atë që bën shiu ose bora, domethënë bien nga reja. Pra, konteksti i shprehjes së motit ofron një bazë për të kuptuar se si “bartja” mund të ndryshojë në “rënie”.

Të gjithë këta shembuj ofrojnë dëshminë për mënyrat sesi shqipja pasuron të kuptuarit tonë për aspekte të ndryshme të gjuhës njerëzore – në raport me gjuhët e tjera dhe në vetvete – dhe tregojnë se gjuha ka ardhur në vazhdimësi me të kaluarën, por edhe me risi, duke shfaqur drejtime të reja. Në këtë mënyrë, ne nxjerrim një mësim të rëndësishëm nga gjuha shqipe, mësim që vlen për të gjitha institucionet njerëzore.

Siç e përmenda, karrierën time e nisa duke u fokusuar në greqishten dhe ndërsa studimi i greqishtes më ka çuar natyrshëm në studimin e shqipes. Meqenëse të dyja janë gjuhë ballkanike, gjithnjë e gjej veten vetvetiu të tërhequr veçanërisht në botën magjepsëse të historisë dhe të analizës strukturore të shqipes.

Në përgjithësi, për mua, ka qenë një kënaqësi që kam qenë në gjendje të ofrojë njëfarë ndriçimi mbi gjuhën shqipe dhe të tregojë se si ajo ofron një pasqyrë në fenomene më të përgjithshme të gjuhës njerëzore.

Dhe të njihem nga Akademia për kontributet e mia është përtej asaj që mund të kisha shpresuar ndonjëherë.

Ndërsa nga njëra anë ky është një nderim personal, nga një anë tjetër më e rëndësishme, ai ka domethënie të madhe për studimet shqiptare në përgjithësi në Shtetet e Bashkuara. Shqipja, si gjuhë nuk ka tërhequr asnjëherë vëmendjen e plotë të gjuhëtarëve amerikanë, pavarësisht shumë veçorive të saj interesante. Megjithatë, ka një traditë të vogël, por të fortë të studimeve shqiptare dhe unë jam i lumtur që kam luajtur një rol sado të vogël, duke ndihmuar për ta mbajtur gjallë dhe madje për ta lulëzuar atë.

Tash në dhjetëvjeçarin e fundit kam udhëhequr disa diploma studentësh të programit master dhe atij doktoral, të cilët kanë punuar me mua në çështje që lidhen me gjuhësinë shqiptare. Me njohjen më të madhe që më jep anëtarësimi në Akademi, mund të shpresoj që të rritet numri i studentëve në vitet e ardhshme. Në këtë kuptim, të qenët tim Akademik Nderi do të kontribuojë në çuarjen përpara të çështjes së gjuhësisë shqiptare, që është me siguri një çështje e rëndësishme.

www.akad.gov.al

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1979
  • 1980
  • 1981
  • 1982
  • 1983
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT