• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidentja Osmani me ministrin Lipavský: Është vendimtare që procesi i liberalizimit të vizave të përfundojë gjatë Presidencës çeke

September 29, 2022 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin e Jashtëm të Republikës Çeke, Jan Lipavský.

Presidentja Osmani ka theksuar se Çekia është aleate e rëndësishme e vendit tonë, me të cilën ndajmë vlera themelore demokratike dhe përkushtimin për paqe, siguri dhe të ardhmen e përbashkët në familjen euroatlantike.

Fokusi kryesor i takimit ndërmjet Presidentes Osmani dhe ministrit Lipavský ishte çështja e liberalizimit të vizave. Në vazhdë të takimeve që ka pasur Presidentja Osmani me lidershipin çek në Pragë, Presidentja Osmani ka falënderuar ministrin Lipavský për angazhimin konstruktiv të Çekisë për t’i dhënë fund këtij procesi përgjatë Presidencës çeke.

Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se vonesa e liberalizimit të vizave për popullin e Kosovës është një padrejtësi e madhe. Ajo ka theksuar se: “Është jashtëzakonisht e rëndësishme që liberalizimi i vizave të jetë në agjendë, prandaj llogarisim në mbështetjen çeke në këtë aspekt si bartëse e Presidencës së Këshillit të BE-së”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Krahas temës së liberalizimit të vizave, Presidentja Osmani ka folur edhe për nevojën e avancimit të rrugës evropiane për vendin tonë. Ajo ka theksuar bashkërendimin e plotë të politikave të jashtme dhe të sigurisë së Kosovës me ato të Bashkimit Evropian si dëshmi e përkushtimit të institucioneve dhe popullit të Kosovës për integrim evropian. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka përmendur që Kosova do të dorëzojë këtë vit aplikimin për statusin e vendit kandidat.

Në lidhje me dialogun me Serbinë, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive dhe se zgjidhja e vetme që i kontribuon paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm është një proces i përqendruar në njohje të ndërsjellë.

Filed Under: Politike

NËNKRYETARI I AAK DHE DEPUTETI PROF. BESNIK TAHIRI VIZITOI VATRËN

September 29, 2022 by s p

Sokol Paja/

New York, 29 Shtator 2022 – Z. Besnik Tahiri, Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryetar i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK) dhe nënkryetar i kësaj partie zhvilloi një vizitë vëllazërore në Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA. Në fjalën e mirëseardhjes kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha vlerësoi kontributin e z.Tahiri në jetën politike dhe publike në Kosovë, çmoi rolin e tij konstruktiv si parlamentar i shtetit të Kosovës, ekspertizën e eksperiencën e tij në Institucionet Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Z. Berisha kërkoi një marrëveshje mes Parlamentit të Kosovës dhe Vatrës për kordinim dhe bashkëveprim të veprimtarisë kombëtare me shtetin e Kosovës dhe më pas me Shqipërinë. Duhet të forcohet bashkëveprimi mes Tiranës zyrtare, Prishtinës Zyrtare e Vatrës, një trekëndësh që do forconte rolin e shqiptarëve dhe mbrojtjen e interesit të shtetit e kombit tonë, tha ndër të tjera z.Berisha. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK Prof. Besnik Tahiri ekspozoi para Vatranëve takimin e një delegacioni nga Kosova në Kongresin Amerikan, Departamentet të Shtetit e institucione të tjera amerikane. Vlerësoi kontributin e z.Berisha për çështjen kombëtare në Shtetet e Bashkuara në fushën e Diplomacisë dhe rolin historik të Vatrës për Shqipërinë e Kosovën e shqiptarët kudo. Z.Tahiri ekspozoi faktorin politik shqiptar në shtetet e Ballkanit dhe pozitat e forcuara të shqiptarëve gjithnjë e në rritje. Prof Tahiri kërkoi nga Vatra forcimin e rolit të diasporës në USA dhe lobimin pranë vendimmarrësve për arritjen e njohjes reciproke mes Serbisë dhe Kosovës. “Vijat strategjike të shtetit e kombit tonë nuk duhet të lëvizin. Është jetike ndërhyrja dhe angazhimi i Shteteteve të Bashkuara në proceset në të cilat ndodhet Kosova. Vijat kombëtare dhe Vijat strategjike të partneritetit me SHBA duhet të forcohen çdo ditë. Zoti e bekoftë kombin shqiptar dhe përpjekjet e Vatrës për çdo shqiptar. Do kërkoj që kjo marrëveshje mes Vatrës dhe Parlamentit të Kosovës të iniciohet sa më shpejt që Vatra të na japë një mbështetje të proceseve kombëtare në SHBA” tha ndër të tjera prof. Besnik Tahiri. Shefi i Kabinetit të kryetarit të Vatrës Dr. Pashko Camaj tha se Dielli për shqiptarët lind në perëndim. Është jetike nevoja për shqiptarët ta mbajnë lidhjen organike me Institucionet e Perëndimit dhe Amerikën. Asllan Bushati kërkoi që të organizohet një Simpozium Ndërkombëtar për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë në një shtet të vetëm dhe kujdesin e rrezikut rus si çështje serioze e sigurisë kombëtare. Z.Marjan Cubi në fjalën e tij tha se çështja shqiptare do të konsiderohet edhe më shumë pas luftës në Ukrainë. Prof.Tahiri i dhuroi Vatrës një libër kushtuar Kosovës me mbishkrimin: “Zanafilla e komunitetit dhe kauzës kombëtare buron nga zjarri patriotik dhe intelektual i Vatrës. Vatra është një fatbardhësi. Edhe një shekull më vonë ky zjarr ende e ngroh zemrën dhe shpirtin shqiptar. Jam i nderuar që sot jam në ballë të Vatrës, me vëllezërit e motrat e mia” shkruhet në dedikimin e librit. Takimi u përmbyll vëllazërisht me premtimin dhe angazhimin konkret për marrëveshje në shërbim të çështjes kombëtare. Për nder të Prof. Tahiri, kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha shtroi një drekë vëllazërore.

Filed Under: Featured Tagged With: besnik tahiri, Sokol Paja

Kosova Shtet Sovran dhe i Pavarur, para 31 viteve u votua pro 99,87 për qind

September 28, 2022 by s p

-KALENDARI HISTORIK/

-Në Referendumin e mbajtur para 31 viteve, nga 26 deri në 30 Shtator 1991, për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur u votua pro 99,87 për qind/

-Gazeta e rezistencës “Bujku” para 30 viteve: Kosova filloi Referendumin për Sovranitet; Manifestim paqësor e demokratik përballë dhunës; Masivitet i madh në votime…; Referendumi për Kosovën Sovrane u krye me sukses të plotë; Mbi 99 për qind të votuesve për Sovranitetin Shtetëror të Kosovës…/

-Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova për Referendumin për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur: Është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen/

-Referendumi u mbajt në rrethana të një okupimi të egër të regjimit të Beogradit dhe të një shtetrrethimi ushtarako-policor, ndërsa rezultatet e tij ishin mesazhe të fuqishme dhe të qarta të Kosovës për gjithë botën në një kohë të lëvizjes gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 26 Shtator 2022/ Kosova Shtet Sovran dhe i Pavarur u votua pro 99,87 për qind në Referendumin e mbajtur para 31 viteve, nga 26 deri në 30 Shtator 1991.

“Kosova filloi Referendumin për Soranitet”, ishte kryetitulli i ballinës së gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku” të datës 27 Shtator 1991.

“Republika e Kosovës filloi Referendumin për të nesërmen e vet: Shtet Sovran dhe i Pavarur. Referendumi i parë historik i Kosovës i shprehejes së vullnetit të lirë politik të popullit filloi në kushte e rrethana shumë të rënda që po përjeton Kosova nën pushtetin policor serb, prandaj vota për sovranitet dhe pavarësi është edhe votë e deklarimit demokratik e paqësor për liri e barazi të plotë për çka shqiptarët në Kosovë dhe në Jugosllavi edhe para këtij referendumi janë deklaruar fuqishëm me shumë forma të shprehjes e të manifestimit të vullnetit të lirë”, shkruaja atëherë në 26 Shtator 1991 në kryeartikullin e botuar në numrin e së nesërmes të gazetës “Bujku”.

Legjenda e fotografisë në ballinë ishte: “Deklarim demokratik për ardhmërinë e Kosovës: pamje e Prishtinës”. Aty, po në faqen e parë, në mbititull shkruante: “Udhëzime për mbajtjen e Referendumit”, e në titull theksohej: “Referendumi është legal dhe legjitim”.

Në kryetituj balline gazeta “Bujku” në 28 Shtator 1991 shkruante: “Referendumi për Republikën e Kosovës Shtet Sovran e i Pavarur – Manifestim paqësor e demokratik përballë dhunës”, ndërsa në 29 Shtator 1991 konstatonte: “Masivitet i madh në votime për Republikën e Kosovës Shtet Sovran e i Pavarur – Referendumi në Kosovë në përfundim”.

E në numrin e 1 Tetorit 1991 gazeta “Bujku” në mbititull e kryetitull në ballinë shkruante:

“Pas pesë ditësh votimi masiv në Referendumin për Republikën e Kosovës Shtet Sovran dhe të Pavarur – Referendumi për Kosovën Sovrane u krye me sukses të plotë”. Tituj balline ishin edhe: “Parlamenti i Shqipërisë përkrahu Rezolutën për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur” dhe “Qeveria Amerikane ka kundërshtuar politikën e Serbisë ndaj shqiptarëve”…

“Fillim i së nesërmes” ishte titulli i redaksionalit që kam shkruar para 32 viteve në 2 Korrik 1990, duke qenë me delegatët në ngjarjen historike kur para dyerve të mbyllura të Kuvendit në shtetrrethim e para snajperëve serbë Kosova me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 shpallte pavarësinë e saj, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Në editorialin e botuar të nesërmen në ballinën e gazetës tradicionale të vetme shqipe kosovare në atë kohë Rilindja, theksoja se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota…”

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 dhe aktet e tjera madhore që e pasuan, Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit të po atij viti e Referendumi për Pavarësi i 26 deri 30 Shtator 1991 shënonin kthesën historike drejt së nesërmes – të sotmes së Kosovës së lirë e të pavarur.

“Në Referendum dolën 914.802 veta ose 87,01% e 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote, prej tyre për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur votuan 99,87%. Kundër kishin votuar 164 veta, ndërsa të pavlefshme ishin 933 fletëvotime”, konstatonte Komisioni Qendror për Zbatimin e Referendumit në raportin përfundimtar.

Gjithnjë sipas rezultateve zyrtare përfundimtare të shpallura nga Komisioni, në votim, për shkaqe dhe arsye të ndryshme, nuk dolën 136.555 votues apo veç 12,99% e qytetarëve të Republikës së Kosovës me të drejtë vote. Për realizimin e Referendumit pati 1500 vendvotime me 450 njësi votuese.

Referendumi u mbajt në rrethana të një okupimi të egër të regjimit të Beogradit dhe të një shtetrrethimi ushtarako-policor, ndërsa rezultatet e tij ishin mesazhe të fuqishme dhe të qarta të Kosovës për gjithë botën në një kohë të lëvizjes gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.

“Është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen”, theksonte Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në intervistën e parë ekskluzive për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), që e kam zhvilluar para 28 viteve, në 22 Shtator 1994, në 3 vjetorin e Referendumit të deklarimit të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit të Kosovës.

Në intervistë, Presidenti Rugova, i cili vazhdimisht theksonte se “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur” fliste edhe për opcionin e “lidhjeve konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

Vizionet e parashikimet në lëvizjen e luftën drejt Lirisë e Pavarësisë, për të cilat fliste Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në intervistë para më shumë se çerek shekulli – 28 viteve janë realizuar gjatë viteve: “Një mbrojtje për Kosovën…një protektorat ndërkombëtar” erdhi me ndërhyjen shpëtimtare të forcës më të madhe planetare – NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendosjen e administratës së Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në vitin e madh të lirisë 1999. “Dhe, kjo kontribuon në realizimin e pavarësisë, për të cilën është deklaruar populli i Kosovës”, shprehej Presidenti Rugova në intervistë…dhe pavarësia u shpall në 17 Shkurtin historik 2008…

Pas ditëve të zhvillimit të votimeve masive, gazeta “Bujku” njoftonte rezultatet e referendumit.

Me kryetitullin “Mbi 99 për qind të votuesve për Sovranitetin Shtetëror të Kosovës”, me mbititullin “Kumtesë e Komisionit Qendror për Zbatimin e Referendumit të Kuvendit të Republikës së Kosovës” dhe me nëntitullin “Prej më se 1 milion votuesve kanë dalë në votime mbi 870 mijë veta ose rreth 85 për qind e numrit të pëgjithshem të qytetarëve me të drejtë vote. Pjesëmarrja e serbëve dhe e malazezve në referendum ishte simbolike”, gazeta kosovare e rezistencës “Bujku” në numrin e 4 Tetorit 1991, në faqen e parë shkruante:

“Deri më 3.10.1991 Komisionit Qendror të Kuvendit të Republikës së Kosovës për zbatimin e referendumit për Republikën e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur i kanë arritur rezultatet e votimeve nga të gjitha komunat e Kosovës, si edhe nga disa shtete të Evropës Perëndimore, nga SHBA-të, Australia e të tjerë. Ende nuk kanë arritur rezultatet e votimeve të qytetarëve të Kosovës që punjnë përkohësisht në disa republika të tjera në Jugosllavi, si edhe nga disa shtete të Evropës Perëndimore, e supozohet se është një numër i madh i votuesve.

Nga përpunimi i rezultateve të votimimeve që kanë arritur mund të konstatohet se në Referendum, prej më tepër se 1 milion votuesve, kanë dalë më shumë se 870.000 votues, ose afër 85 për qind të numrit të përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote. Për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur janë deklaruar 99,8% të votuesve.

Rezultatet e votimeve dhanë mundësi të konstatohet se në Referendum ka dalë një numër i konsiderueshëm i myslimanëve, turqve, kroatëve, romëve e të tjerë, ndërsa pjesëmarrja e serbëve dhe e malazezve ishte simbolike.

Komisioni Qendror për zbatimin e Referendumit lut të gjitha komisionet, të cilat nuk i kanë dorëzuar ende rezultatet e votimeve, ta bëjnë këtë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të kumtohen rezultatet përfundimtare të Referendumit, thuhet në kumtesën e Komisionit Qendror për zbatimin e referendumit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Gazeta “Bujku”, që shkruante kështu, ishte “edhe gazetë edhe televizor”, si thoja atëherë gjatë ditëve të referendumit, meqë në terrin informativ, kur ishte i okupuar edhe Televizioni i Prishtinës, për ta “kompensuar” mungesën e televizionit botonim edhe shumë fotografi të mëdha nga votimet e atmosfera. Dhe thuaja e gjithë gazeta ishte referendum, me raporte të gjëra e fotografi të ekipeve të gazetarëve e korrespondentëve nga e gjithë Kosova që punonin ditë e natë e me sakrifica.

Në atë kohë gazeta e vetme e përditshme shqipe në Kosovë, “Bujku”, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, gazetë e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, dilte nga 18 Janari i vitit 1991, e pasonte dhe sfidonte ndalimin e dhunshëm nga Serbia të gazetës tradicionale, të parë e të vetme të përditshme shqipe në Kosovë Rilindja

Që atëherë nisëm edhe bashkëpunimet me Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare, duke marrë e botuar informacionet e saj, e kështu u themeluan bashkëpunimet e para të medias Shqipëri-Kosovë.

E pastaj, të parat bashkëpunime të një media të Kosovës me një media të Shqipërisë vijuan edhe me raportimet me lidhje telexi për zgjedhjet e para pluraliste kosovare, parlamentare e presidenciale, të 24 Majit 1992, ku Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës, e që shënonin fillimet e korrespondenturës së Agjencisë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë në Kosovë. Zyra e telexit në ambientet e gazetës “Bujku” në katin e pestë të Pallatit të Shtypit Rilindja në Prishtinë u bë edhe Zyra e korrespondentit në Kosovë të Agjencisë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, e edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë.

Para 28 viteve, në 22 Shtator 1994, Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar – të parën të një presidenti kosovar dhënë Agjencisë Telegrafike Shqiptare, të cilën e cilësonte edhe si një hap në politikën globale të shqiptarëve, si edhe vazhdimisht, falenderonte dhe vlerësonte për informimin nga Kosova e për Kosovën.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti Rugova në intervistën ekskluzive në 3 vjetorin e Referendumit për Pavarësi.

Vendimin për mbajtjen e Referendumit për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur e mori Kuvendi Kosovar në ekzil, në marrëveshje me subjektet politike në Kosovë, në mbledhjen e 22 Shtatorit 1991, mbajtur në Slloveni. Kuvendi i Kosovës kishte dalë në ekzil pasi kishte miratuar Deklaratën Kushtetuese për pavarësi të 2 Korrikut dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit 1990, që u pasuan edhe me zgjedhjet e para shumëpartiake parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992.

Në krye të Kuvendit të Kosovës në kohën e vendimeve e ngjarjeve historike drejt lirisë dhe pavarësisë ishte Ilaz Ramajli, i cili në një intervistë ekskluzive që kam zhvilluar në 20 vjetorin e Referendumit, në 29 Shtator 2011, ka vlerësuar se Referendumi u organizua shumë mirë, megjithëse mbahej në rrethana të një okupimi të egër të Serbisë në Kosovë.

“Para Referendumit, edhe Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatën e krijuar në ish Jugosllavi”, ka theksuar Ramajli.

Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga elementet konstituive me të drejtë vetoje të federatës, mes të cilave ishte edhe Kosova që u bë shtet, shtete të reja të rajonit dolën edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedona, Mali i Zi dhe Serbia.

“Mbajtja e referendumit dhe rezultatet e tij jo vetëm që mundësuan ndryshimet kushtetuese me të cilat Kosova u shpall shtet sovran e i pavarur dhe u rrumbullaksua korniza kushtetuese e ligjore lidhur me këtë por ishte edhe një mesazh i fortë dhe shumë i qartë për Serbinë dhe gjithë botën se populli i Kosovës më asnjëherë nuk dëshiron të jetë nën kontrollin e të tjerëve, por është përcaktuar fuqishëm që shteti i tyre, Kosova, të jetë shtet sovran dhe i pavarur”, është shprehur Ramajli.

Pas zgjedhjeve të para shumëpartiake parlamentare e presidenciale në Kosovë të 24 majit 1992, të clat pasuan referendumin për pavarësinë, nga Presidenti historik Ibrahim Rugova i zgjedhur atëherë Ilaz Ramajli u emërua ambasadori i parë i Republikës së Kosovës në Tiranë.

“Për mua kjo ka qenë një përvojë e re. Detyrën e Përfaqësuesit të zyrës së Republikës së Kosovës në Tiranë e kam pranuar si një privilegj dhe detyrim të marrë me Vendimin e Presidentit të ndjerë Rugova për emërimin tim në këtë pozitë. Konsideroj se Zyra e Republikës së Kosovës në Tiranë ka qenë me një rëndësi të veçantë në rrafshin diplomatik dhe të bashkëpunimit ndërshtetëror mes Kosovës dhe Shqipërisë. Unë kujtoj me kënaqësi kohën sa kam punuar në Shqipëri dhe jam mirënjohës për kontributin e shtetit shqiptar që ka dhënë për Kosovën në të gjitha fazat derisa Kosova është bërë shtet i pavarur e sovran i pranuar ndërkombtarisht. Angazhimi dhe mbështetja e shtetit shqiptar në çështjen e Kosovës ka qenë i pakursyer dhe i plotë”, shprehej Ramajli në intervistë.

Këshilli Koordinues i Partive Politike të Kosovës kishte marrë vendimin politik për organizimin e Referendumit gjithëpopullor dhe për këtë qëllim u emërua Komisioni Qendror. Kryetar i Komisionit Qendror për Organizimin e Referendumit ishte Ramush Tahiri, përfaqësues i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës.

“Në këtë Komision kanë qenë të gjithë përfaqësuesit e partive politike të Këshillit Koordinues. LDK në Këshillin Koordinues ka pasë tre përfaqësues, Ibrahim Rugovën si kryetar të Këshillit Koordinues, Fehmi Aganin dhe Ali Aliun. Partia Fshatare është përfaqësuar nga kryetari Hivzi Islami, Partia Socialdemokrate është përfaqësuar nga Shkëlzen Maliqi, Partia Parlamentare është përfaqësuar nga Veton Surroi dhe Partia Shqiptare Demokristiane ku unë kam qenë përfaqësues”, ka deklaruar Tahiri në një intervistë televizive para tre vitesh.

Ndërsa, Rifat Blaku atëherë anëtar i Komisionit Qendror për mbajtjen e Referendumit vlerësonte se, “një barrë të madhe, por edhe meritë të veçantë për punën për mbarëvajtjen e Referendumit e kishin Këshillat lokale komunale për Referendum”.

Blaku, në shkrimin ekskluziv në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja – botim special në 90 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në 28 Nëntor 2002, përkujtonte edhe se, rezultatet përfundimtare të Referendumit janë shpallur nga Kuvendi i Kosovës në 18 Tetor 1991, kur është shpallur edhe Qeveria e Kosovës në ekzil.

Pas Referendumit, në 11 Tetor 1991 është miratuar e nënshkruar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte Ibrahim Rugova. “Njëmbëdhjetë partitë politike shqiptare, anëtare të Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, duke shprehur vullnetin politik të popullit shqiptar për zgjidhjen e çështjes shqiptare dhe për gjendjen aktuale në Jugosllavi”, siç theksohej në Deklaratën politike, shpreheshin për këto tre opsione:

“1. Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.

2. Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë për serbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.

3. Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë.”

Tani, pas 31 viteve nga Referendumi historik për Shtet Sovran dhe të Pavarur, Kosova është e lirë prej mëse 23 viteve, nga Qershori 1999 i përfundimit të luftës e hyrjes së forës shpëtimtare paqeruajtëse të NATO-s dhe e pavarur prej mëse 14 viteve nga 17 Shkurti 2008, e njohur deri tani nga 117 shtete të botës, anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njohur Shtetin e Kosovës që në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së Pavarësisë…

Filed Under: Rajon

Promovim i veprave që denoncojnë barbarinë dhe mizorinë serbe deri në shkallë gjenocidale, nga Serbia nazifashiste e gjakatare

September 28, 2022 by s p

Shkruan: Nusret Pllana 

Organizator: Ansambli “ VATRA”, në Bylah – Cyrih

25 Shtator 2022, CYRIH

Në sallën e mbushur nga kurbetçarët tanë, jo vetëm të Zvicrës, por edhe nga Gjermania, Austria, Italia dhe më gjerë, u bë promovimi i librit të xhepit “VERGISS NIEMALS – MOS HARRO KURRË “, gjermanisht- shqip, të autorëve: Nusret Pllana e Agim Aliçkaj, e përkthyer në gjermanisht nga Arlinda(Fadil) Çitaku. 

Përveç programit të pasur kulturo – artistik të Ansamblit “VATRA”, të Cyrihut, u promovuan edhe dy filma dokumentarë: ”Kush i vret fëmijët” dhe “ Dëshmitë e Heshtura”, të autorit N. Pllana.

Me pjesëmarrjen e tyre, përveç shumë bashkatdhetarëve tanë na nderuan edhe: Ish Konsulli i Republikës së Kosovës në Cyrih, Dr. Sali Sefa, Konsulli i Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Sami Kastrati, bashkëshortja e Heroit të kombit Agim Ramadani, znj. Shukrie Ramdani – zyrtare e lartë e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, znj. Sadete Aliçkaj – e cila enkas kishte ardhur nga New Yorku, për ta shoqëruar bashkëshortin e saj, Prof. Agim Aliçkajn, Prof.dr. Fadil Çitaku, z.Lulzim Krasniqi – Kryetar i Ansamblit“VATRA”, z. Nexhmedin Isufi( ish Kryetar i Ansamblit “VATRA”), luftëtari emblematik i UÇK-së dhe vëllai i dëshmorit të kombit Beqë Gashi, z. Zhujë Gashi – Kryetar i Këshillit të prindërve në Bylah, z. Driton Zeqiraj, Fotoreporteri, z. Burim Kryeziu, aktori dhe regjisori Adem Kicaj bashkë me ARTI TV, shkrimtari dhe gazetari, z. Xhevdet Kallaba, shkrimtari dhe gazetari, z. Rexhep Rifati, anëtarët e Kryesisë së Ligës Shqiptaro – Zvicerane, motra e Heroit të kombit Agim (Bardh) Zeneli, Violetë Zeneli, miq gjermanë e zviceranë, të cilët u shokuan me pamjet e librit dhe përmbajtjen e filmave dokumentarë, me pamje të rënda e tragjike, vrasje, masakrime, dhunime, vrasje të shumta të fëmijëve e grave shtatzëna, dëbime me përmasa antologjike të shqiptarëve nga trojet e tyre stërgjyshore, vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë, sa që jo rrallë herë, nga dhimbja dhe emocionet e shumta nuk përmbaheshin nga lotët që i “tradhëtonin” shpesh.

Kapitull i veçantë i kësaj mbrëmje madhështore ishte programi kulturo – artistik i djemëve dhe vajzave të Ansamblit “VATRA” të Cyrihut, të cilët me performansën e tyre të mrekullueshme, përcilleshin me duartrokitje të shpeshta frenetike, e shpeshherë edhe me lot në sy nga të pranishmit në sallë.

Promovimin e udhëhoqi me kompetencë e profesionalizëm, z. Shaban Haliti, të cilin e falënderojmë nga zemra.

Dhe, fare në fund të këtij programi të larmishëm, znj. Kimete Havolli, për t’i nderuar autorët e veprave të cilat i promovuam së bashku, kishte gatuar dhe përgatitur një tortë të madhe në formë libri, duke ia shkruar edhe titullin: “The Terror Of Serbian Occupier Over Albanians”.

Në emrin tim dhe mikut tim të çmuar, z. Agim Aliçkaj, të gjithëve ju falënderohemi nga zemra për pjesëmarrjen dhe kontributin Tuaj të madh me rastin e këtij manifestimi kulturor, edukativ e shkencor, që të vetmin qëllim e kishte mos – harresën e kujtesës historike dhe denoncimin, por edhe dënimin e Serbisë pushtuese e gjakatare për gjenocidin dyshekullor mbi shqiptarët!

Vazhdojmë më tutje…!

Filed Under: Opinion

Nesër takim në Vatër me Z. Besnik Tahiri, Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës

September 28, 2022 by s p

Z. Besnik Tahiri, Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe kryetar i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), do të vizitojë Vatrën, ditën e Enjte, ora 11.30 Am.

Takimi i Deputetit z.Besnik Tahiri do të zhvillohet në Selinë Qëndrore të Vatrës në adresë: 2437 Southern Blvd, The Bronx, NY 10458.

Ftohet komuniteti të marrë pjesë.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2041
  • 2042
  • 2043
  • 2044
  • 2045
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT