• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në pikëllim si miliona shqiptarë…

August 3, 2022 by s p

Aleksander Çipa/

I nderuari dhe i dhembshuri Bledar Avdia ngushëllime!

Unë nuk ju njoh dhe ju nuk më njihni. Nuk ju kam takuar dhe nuk më keni takuar. Tashmë jemi takuar së bashku në një dhimbje, por jo në mënyrë të barabartë. Dhimbja juaj është e papeshueshme dhe dhimbja ime është e zakonshme, por edhe ajo e papeshueshme. Pasi, dhimbjet nuk kanë njësi matëse dhe nuk kanë peshore. Dhimbjet kanë vetëm rëndesë, në shpirt.

I dashur Bledar, sot për sot, ju jeni shqiptari më i prekur, prindi më zemërshpuar, ju jeni patrioti im më i pandihmueshëm dhe për këtë, kam një dhimbje që nuk e them dot me fjalë.

Ju jeni një prind që keni humbur gjënë më të shtrenjtë të jetës, dritën më dritë, të shpirtit dhe të familjes tënde, vajzën. Kjo është e pangushëllueshme. Ju erdhët në atdhe të respektonit atdheun krenarisht dhe të merrnit prej tij, atë që mund të dëshirojë të marrë një emigrant. Zgjodhe Bregdetin e jugut, sepse je ndër ata shqiptarë që e do atdheun skaj më skaj, e centimetër më centimetër. Një bir si Ti, mund të dojë e adhurojë kështu, pa hile e pa llogari, atdheun. Por more plagë. More një shpim të thellë në zemër që nuk ka kohë që ta shëron dhe nuk ka fjalë që ta lehtëson.!!!

I dashur Bledar, jam në pikëllimë si shumë e shumë dhe miliona shqiptarë, për dhimbjen tënde sot. Unë, diçka më tepër.

Sepse tragjedia jote, ndodhi në vendlindjen time Himarë. Askush nuk do ta donte dhe askush nuk mund ta mendonte. Ju erdhët në skajin jugor të Atdheut të merrnit diçka nga kënaqësia e peizazhit dhe natyrës shqiptare në jug të vendit. Gati katër dekada më parë, im At në rrethana dhe kushte krejt të ndryshme mori të njëjtën dhimbje dhe pësoi gati shëmbëllisht të ngjashmen tragjedi. Atëhere ai shkroi: ” Vijnë mandata/ s’ka kambanë/ s’gjendet qyqe për të qarë!” Shoqëria ka mbetur po ajo!

Filed Under: Analiza Tagged With: aleksander Cipa

Kryeministri Kurti zhvilloi bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z.Jens Stoltenberg

August 3, 2022 by s p

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi sot një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z.Jens Stoltenberg. Kryeministri Kurti e njoftoi Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg se qytetarët e Kosovës janë informuar mirë për masat në ardhje, se masat janë plotësisht në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, si dhe që zbatimi i tyre është koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare. Nën masën e re të kalimit kufitar në vendkalimet kufitare të Kosovës, më 1 gusht, deri në ora 18:00 kishin kaluar 2521 qytetarë me dokumente identifikimi nga Serbia. Për këtë procedurë të re kanë pritur mesatarisht vetëm 20 sekonda, pasi gjithçka është digjitalizuar nga institucionet e Kosovës. E njëjta procedurë në vendkalimet serbe zgjatë nga 10 minuta deri mbi një orë. Kryeministri Kurti e informoi Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg se mediat e kontrolluara nga Qeveria e Serbisë kanë zbatuar një fushatë dezinformimi gjatë muajit të fundit, duke u përpjekur të ndërtojnë një narrativë të rreme dhe negative për këto masa në ardhje. Është vërtetuar tashmë se këto fushata dezinformuese po ndihmohen nga shteti rus, në përpjekjen për të destabilizuar Ballkanin.

Z. Stoltenberg e siguroi Kryeministrin Kurti për angazhimin dhe bashkëpunimin e NATO-s dhe KFOR-it për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajon.

Filed Under: Analiza

Një jetë e përgjuar në dosjen e diktaturës komuniste kundër mons. dr. Zef Oroshit

August 3, 2022 by s p

Klajd Kapinova/

“Zyrtarët komunistë e dinin se mons, dr. Zef Oroshi kishte një aktivitet të ngjeshur antikomunist dhe fliste hapur kundër tyre kudo në kishë, në përvjetore dhe tubime apo manifestime të tjera kulturore, atdhetare etj. Spiunët komunistë këtu, kishin marrë udhëzime nga Tirana e kuqe, që të eliminonin fizikisht me çdo kusht meshtarin tonë dom Zef Oroshin, sikurse e thërrisnin të gjithë asokohe. Por nga ana e tjetër, nacionalistët dhe personalitetet e shquara të diasporës antikomuniste, ishin të përgatitur dhe ndiqnin nga afër çdo lëvizje të tyre negative, kundër meshtarit tonë të shquar Oroshi. Agjentët komunistë, shkonin në lokalet apo organizatat politike dhe kulturore, ku ishin shqiptaro amerikanët, në kishë, xhami, manifestime të ndryshme, për të rekrutuar të rinj “naiv”, duke u shpërlarë trurin, se Shqipëria është shtet “demokratik” dhe atje njerëzit janë të “lumtur” në komunizëm. Por e vërteta ishte krejt ndryshe.” – Tomë Mrijaj, studiues.

Pas librave me vlerë historike: “Mons. dr. Zef Oroshi – një jetë e shkrirë për fe e atdhe”, jetëshkrim, New York, 2009, “Long Kuvendit – në trinomin Fe – Atdhe – Perparim” (New York, 2019) dhe “Abati i Mirditës – Imzot Frano Gjini – Martir i kishës katolike” Shkodër, 2018 (bashkautor me studiusen Leonora Laçi), doli në qarkullim libri i ri: “Një jetë i përgjuar” (New York, 2020), që përbën Dosjen e Sigurimit për mons. dr. Zef Oroshin.

Vepra në fjalë, u përzgjodh, përgatit dhe u botua nën përkujdesin e veçantë dhe shpenzimet financiare të studiuesit e publiçistit veteran i komunitetit tonë Tomë Mrijaj.

Meshtari dhe personaliteti i shquar e i paharruar mons. dr. Zef Oroshi, rivjen mbas shumë dekadave para shqiptarëve kudo në botë dhe komunitetit shqiptaro amerikanë, me një libër original me titull: “Një jetë i përgjuar” e mbushur plot me dokumente të Dosjes së tij keqdashëse, hartuar me dorë dhe makinë shkrimi, për dekada me radhë nga punonjësit e polcisë sekrete të Sigurimit të Shtetit socialkomunist, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.

Studiuesi Tomë Mrijaj në shkrimin e tij analitik: “Dy fjalë hyrëse”, ndër të tjera shkruan: “Sapo përballesh me një Dosje të errët, të përpiluar me denigrime, trillime, shpifje dhe shkrime me paramendime direkte qëllimkeqe, të vetë punonjësve të Sigurimit të sistemit komunist, ju si lexues të kujdesshëm, duhet të jeni të përgatitur psikologjikisht të mësoni më shumë, se çfarë ju pret nga leximi, duke qenë të vetëdijshëm, sikurse edhe unë për këto “perla” të Dosjes, që mora në dorë.

Njeriu në ditët tona, shokohet kur sheh nga afër sesa të paskrupullt, në manipulime dhe trillime (të ngjarjeve dhe figurës historike të përsonit që ata përbaltnin papushim) ishin strukturat informative policore të fshehta apo forcat e Sigurimit të shtetit komunist dhe më saktë të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Shqipëri, gjatë harkut kohor të vitëve 1944-1990. 

Ata arritën deri aty sa të sajojnë histori të rreme mbi mons. dr. Zef Oroshin, kur ai ishte larguar nga ferri burg komunist i Shqipërisë… 

Nga burimet e Dosjes, mësojmë se në Itali dhe SHBA ai përgjohej vazhdimisht këmba – këmbës nga hafijet e Sigurimit komunist shqiptar dhe informacioni mbi lëvizjet dhe takimet e tij në diasporë përgjohej dhe regjistrohej dhe më pas përcillej në Tiranën zyrtare komuniste, ku operativët e fshehtë komunistë hartonin tekstin e shpifjeve, duke krijuar kështu dora dorës Dosjen e Zezë të tij.” 

Veprimtaria e shumanshme e klerikut dhe intelektualit të shquar të botës shqiptare në diasporë mons. dr. Zef Oroshit, njihet shumë mirë, përmes librave monografikë, kujtimeve, artikujve kushtuar atij në përvjetore të ndryshme, të cilat janë shkruar nga autorë dhe studiues të ndryshëm për te, për shumë dekada me radhë deri në ditët tona.

Ardhja dhe fitorja absurde e komunizmit në vitin 1944 në Shqipëri, ishte vetëvrasja më e madhe që bënë shqiptarët, që e pranuan dh perqafuan ideologjinë e tij.

Meshtari katolik dom Zef Oroshi, bën pjesë në ato personalitete historike, që nuk u pajtuan asnjëherë me fitoren e komunistëve. Ai nuk e pranoi as në atdhe dhe as në Shtetet e Bashkuar të Amerikës fitoren mashtruese komuniste. 

Ai nuk ishte vetem një predikues i thjeshtë fetarë, por dhe një studiues i zoti, pendë e spikatur dhe e mprehtë e botës shqiptare. 

Përmes larmisë së artikujve, ne tani njohim një përkthyes cilësorë; një gjuhëtar shqiptar të apasionuar; shkrimtar i shkollës së traditës gegë dhe stoik i papajtueshëm me regjimin ateisto komunist në Shqipëri etj.

Libri në fjalë, është i bazuar në dokumente origjinale, të siguruara fatmirësisht nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, që ishte kthyer fatkeqsisht në makinë automatike propagandistike. Në librin arkivor, përfshihen për herë të parë rreth 400 dokumente, të hartuar dita – ditës nga punonjësit special të Sigurimit të Shtetit, të cilët kanë hartuar një Dosje me shpifje dhe trillime, të cilat studiuesi shqiptaro amerikanë Tomë Mrijaj, i ofton sot para lexuesve mbareshqiptarë.

Ky libër është i veçantë në llojin e vet, për faktin, se i jep për here të pare dokumentet (faksimile) në mënyrë origjinale, ku, lexuesi dhe studiuesit e rinj kanë mundsi dhe hapësirë të shohin dhe vërtetojnë me kujdes fantazinë e proçesverbale, raporteve, akuzime pervese, dëshmi të rreme nga trathtarët dhe spiunët, përshkrimeve, thënieve të fabrikuara, dëshmitarëve shpifse sistematike të diktaturës komuniste dhe të hafijeve të Sigurimit të Shtetit komunisto ateist. 

Në një qarkore, që Ipeshkvi imzot Bernardin Shllaku u dërgon dioqezave (shkruar nën torturë nga Sigurimi), tregohet sesa bujë kishte bërë arratisja e dom Zefit dhe jo vetëm Sigurimi ishte në kërkim të tij, por ishte ngritur dhe një komision kërkimi i përbërë nga Dekani i Tiranës, dom Mark Dushi, dhe Administratori Dioqezan i Lezhës dom Ndoc Sahatçija.

Kështu vetë dom Ndoc Sahatçija, në nëntor të vitit 1952 merr rrugën për në Veri të Shqipërisë, për ta kërkuar vetë dom Zef Oroshin. (Referuar nga libri i dr. Markus W. Peters, “Përballjet e historisë së Kishës Katolike në Shqipëri 1919-1996”).

Për arratisjen e dom Zefit të pamposhtur, është shkruar dhe në studimet e mëvonshme: “Dosjet e Diktaturës” me autor studiuesin dr. Pjetër Pepa dhe në monografin:  “Monsinjor dr. Zef Oroshi – Një jetë e shkrirë për fe e atdhe” të biografit të tij, që njiherazi është edhe Sekretar i Lidhjes së III Shqiptare të Prizrenit, studiuesit Tomë Mrijaj (SHBA); sikurse edhe në veprën e Nikollë Melyshit, “Ngjarje Historike, të ndime, të pame e të jetueme”, dhe së fundi në librin: “Abati i Mirditës Imzot Frano Gjini” shkruar nga bashkautorët: Tomë Mrijaj & Leonora Laçi, (Shkodër, 2018).  

Momenti i arratisjes së bujshme të mons. dr. Zef Oroshit, është kthyer në një legjend. Për ta bërë më reale dhe në mënyrë që të mos mitizohet më tej me këto fakte, pata një bashkëbisedim me nipin e mons. dr. Oroshit, Prend Gjokën, i cili, më rrëfeu pas shumë dekadave të vërtetën se si dom Zefi i kishte shpëtuar arrestimit dhe ishte fshehur në mal deri sa u largua fillimisht në Europë e më pas në tokën e premtuar të SHBA, shkruan ndër të tjera studiuesja e re Lenora Laçi.

Kështu asokohe dikush nga banorët informoj meshtarin e ri dom Zef Oroshin, se kisha ishte e rrethuar nga forcat e Sigurimit. 

Nga Tirana, forcat e Sigurimit mbanin në dorë një Urdhër Arrestimi, të ardhur direkt nga Mehmet Shehu. Sigurimi, po priste që mesha të përfundonte dhe prifti të dilte i fundit për ta arrestuar. Ata vëzhgonin nga dera kryesore daljen e popullit. 

Plani ishte që të arrestohej në momentin e daljes së popullit nga kisha dhe dom Zefin ta arrestonin, që të mos mund të kundërpërgjigjej… 

Amerika, u bë atdheu i dytë për të dhe veprimtarinë e tij, atje la gjurmë të pashlyeshme, me themelimin e Kishës së Parë Katolike Shqiptare (1962).

Kjo tregon se ai i shërbeu më mirë atdheut larg tij, duke qenë se Shqipëria u kthye në një burg të madh për intelektualët dhe ndrydhi jo vetëm dëshirat për tu arsimuar, por shtypi e burgosi edhe mendimet e fjalën e lirë. 

Prend Gjoka, rrëfen se halla e tij (motra e dom Zefit), Lukja përjetoi kalvarin nëpër burgjet e internimit. Ajo pas rënies së komunizmit ka jetuar në shtëpinë e nipit deri ditën kur mbylli sytë. 

Motra e Monsinjori. kishte qenë personi i fundit që dom Zefi kishte takuar para se të arratisej në mal. Ai në mal bashkohet me grupet antikomuniste, ku do qëndroj për tetë muaj deri sa kaloi në Kosovë e cila ishte pjesë e Federatës Jugosllave, me gjithë vështirësitë dhe i plagosur kalon në Mitrovicë e nga aty sëbashku me atë Daniel Gjeçajn O.F.M, atë Ambroz Martinin O.F.M, dhe Nikollë Kimzen, pas garancive që i dhanë Dera e Gjomarkut e personalisht Kapidan Ndue Gjomarku, shkojnë në Itali.  

 Në faqet e librit, janë emrat dhe mbiemrat e të gjithë hartuesve të Dosjës, punonjësit apo oficerët e Sigurimit të Shtetit, hetuesit, dhe punonjësit e tjerë spiunë të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, të cilët në bashkëpunim me njeri – tjetrin, ishin totalisht kundër meshtarit katolik shqiptaro amerikanë, kur ai ishte si meshtari i ri, në kishën e shën Maria Magdalenë, në Ungrej të Mirditës, kur arratiset në mallet e Mirditës dhe gjatë gjithë aktivitetit të tij antikomunist në Itali, SHBA për dekada me radhë. 

Mons dr. Zef Oroshi (1912-1989), ishte dhe mbeti një ndër liderët kryesorë antikomunistë të diasporës sonë shqiptaro amerikane, i cili, gjithë jetën e tij ia kushtoi komunitetit këtu dhe luftës kundër diktaturës komuniste dhe diktatorit otoman Dullë, alias Enver Hoxha. 

Aktivisti veteran dhe Sekretari i Lidhjes se Tretë Shqiptare të Prizrenit në SHBA studiuesi Tomë Mrijaj, është biograf i mirënjohur i Monsinjor Oroshit, mbasi kleriku ishte kumara i familjes dhe të 4 femijëve të aktivistit veteran të komunitetit tonë. 

Libri i ri në fjalë, shoqerohet me një shkrim në hyrje të tij shkruar nga biografi i Monsinjorit studiuesi Tomë Mrijaj dhe mbyllet me një shkrim tjetër me titull: “Kalvari i vujatjeve të të familjes së mons. dr. Zef Oroshit.”, shkruar nga studiuesja e re Leonora Laçi. 

Libri u përgatit me kujdes në New York gjatë viteve 2019-2020 dhe u botua me sukses, nën kujdesin e Shtëpisë Botuese dhe Shtypshkronjen “VOLAJ”, në qytetin e lashtë të Shkodrës. Një falënderim i veçantë nga zemra i shkon Shtypshkronjës “VOLAJ” dhe stafit të saj, të drejtuar profesionalisht, për punën e shkelqyer serioze të bërë nga miku im i vjetër Martin Ndoja. 

Në kopertinën kualitative, është busti kushtuar mons. dr. Zef Oroshit (1912-1989), dhuruar kishës katolike shqiptare “Zoja e Shkodtrës” Hartsdale, New York nga skulptorja profesioniste amerikane Carolyne D. Palmer.

Disa nga temat e përmbajtjes së dokumenteve

Libri përmban tema interesante, ku disa nga nga ato janë: Inventari i materialeve, që ndodhen në dosje (9 faqe); Lista e personave që janë njohur me dosjen; Lista e personave që implikohen në dosje; Fleta e kontrollit në kartotekë; Të dhëna biografike të dom Zef Çokut (Oroshit) 13.3.1981; Vendim që t’i hapet dosja e kërkimit për përpunim, 26.6.1958; Lista e lidhjeve miqësore e farefisnore të të arratisurit dom Zef Çokut (2 faqe); Disa letra që mendohet se janë shkëmbyer mes dom Zefit dhe disa të tjerëve, gjatë kohës që ndodhej në mal i arratisur. Vërtetësia e tyre është e dyshimtë.

Në  dokumentet e Sigurimit apo policisë sekrete komuniste, shikohet dukshëm edhe “ekspertiza”, që i është bërë letrave, (30.12.1951), relacionet dhe implikimet e ndryshme ose deponimi të personave pa karakter dhe të lëkundur kundër dom Zef Çokut, 18.1.1952. (2 faqe), sikurse edhe shumë informacione mbi levizjet e dom Zefit. (3 faqe); Raport propozim për regjistrimin e të dhënave mbi dom Zef Çokun në kategorinë II; Arrestimi i Ndue Jak Ndoj, për të dhënë informacione mbi strehimin e të arratisurve ndër to dhe dom Zef Çokun, kurse me datën 6.X.1952, njoftohet mbi kalimin në Jugosllavi të kriminelit dom Zef Çokut  apo informata, ku përmendet dhe plagosja në krah e dom Zef Çokut, në muajin qershor 1952.

Sigurimi kishte informacione të hollësishme mbi lëvizjet antikomuniste të dom Zef Oroshit, sikurse është raporti i datës 5.V.1956: “Raport informativ agjentural mbi emigracionin reaksionar, shkruhet dhe për takimet që dom Zef Oroshi realizon me komunitetin shqiptar, në kampin e San Antonit (Itali), ku flet me skepticizëm për amnistinë, që po jepte shteti shqiptar ndaj të arratisurve.”

Sërisht, me datën 15.I.1957, dom Zefi takon shqiptarët në Romë (Italy), ku, i bënë thirrje emigrantëve nëpër kampe, që të mos gënjeheshin nga Qeveria komuniste shqiptare dhe një vit më vonë raportohet, se me datën 28.I.1958 zhvillohen takimet e dom Zef Oroshit me komunitetin shqiptar në Napoli etj. 

Nga ana e tjetër, po atë vit, me datë 18.4.1958 brenda komunitetit shqiptarë, zhvillohen takimet e ngrohta me dom dr. Zef Oroshit dhe prof. Martin Camajt (arratisur nga Shqipëria) me emigrantët dhe përpjekjet e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, që të ndihmojë emigrantët politikë antikomunistë shqiptarë, për të udhëtuar drejt Amerikës. Aktiviteti nacionalist i Oroshit, nuk ka ndalur. Ai i shkruan një letër drejtuar komunitetit të arratisur shqiptar në Belgjikë pas takimit që pati me ta. (dy faqe) dhe më vonë ai shkon vetë në në një takim me komunitetin shqiptar në Belgjikë, ku flet hapur kundër regjimit komunist në Shqipëri etj.

Edhe në SHBA dhe më saktë në New York aktiviteti i Oroshit është i madh. Kështu me datë 8.9.1962, dom Zef Oroshi krijon Këshillin e Kishës Katolike Shqiptare në Amerikë, ku ai bën propagandë kundër komunizmit dhe në favor të Komitetit “Shqipëria e Lirë” dhe pak kohë më vonë meshtari patriot antikomunist dom Zef Oroshi takohet në Clevelend (Ohio) të SHBA-së me komunitetin shqiptar. Mons. dr. Zef Oroshi për merita përkushtuese atdhetare zgjidhet në kryesinë e Vatrës me qendër në Boston etj. 

Telegrafikisht jeta dhe vepra e mons. dr. Zef Oroshit

Meshtari ynë mons. dr. Zef Oroshi (1912-1989), ishte Sekretari i fundit i Abacisë së Mirditës, themeluesi i Kishës së Parë Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë (sot “Zoja e Shkodrës”) në New York.

Mbiemri Oroshi, që prelati mbarti me dinjitet edhe në SHBA, lajmëron sipas regjistrave të kishës, se ai kishte lindur më 24 nëntor 1912, në tokën e kathedraleve (deri në shek. XIX numëronte 200 kisha), limanin vigan të kryengritjeve për flamurin e lirë, që ishte e mbeti Mirdita.

15 vjet më pas, i riu Jozef Oroshi, gjendet në auditoret e Seminarit Papnor në Shkodër. Asokohe librat, me sa duket ishin dhe mbetën pasioni i tij i vetëm. Përkushtimi i përshpirtshëm ndaj fesë e shërbesave fetare, ishte një traditë e hershme e trashëguar nga të parët e familjes Oroshi.

Mësimet fillestare Zefi i vogël, i mbaroi në vendlindje, ndërsa mësimet e mesme i nis në vitin 1927, në seminarin e mirënjohur të Jezuitve në Shkodër. 

I etur për dije të thella e kulturë të pasur civilizuese dhe kristiane perëndimore, vijon studimet e larta më 1936-1940, në degën admiruese të Teologjisë e Filozofisë në Romë (Itali), pranë Universitetit të Urbino-s në Propaganda Fide, sëbashku me 14 djem të tjerë të rinj shqiptarë asokohe. 

Mprehtësia dhe zgjuarësia, ishin të ngjizur thellë në mendjen e begatë të të riut. Kardinali italian Shkëlqësia e Tij mons. Fumasson Biondi, Prefekt i Propoganda Fide, e shuguron, duke i dhuruar petkat dhe koletin e meshtarit. 

Buzëqeshja e sinqertë dhe fisnike, lexohej lehtë në fytyrën e meshtarit të ri, që hynte me ndërgjegje dhe dëshirë të plotë në vreshtën e madhe të Zotit. 

Meshtari, gjatë gjithë jetës së tij, u gjend afër popullit të vet, në ditë të mira dhe të vështira, si një ushtar besnik i Krishtit. Ai ndau me besimtarët gëzimet dhe hidhërimet e një jetë të vështirë plot tallaze në emigracion.

Abati i Mirditës dhe Delegati (Regent) Apostolik (kur është dëbuar nga Qeveria komuniste e Tiranës imzot Leone Nigris Delegat Apostolik në Shqipëri deri më 5 maj 1945, shënimi im K.K.) imzot Frano P. Gjini (1886-1948) e kishte dom Zef Oroshin meshtar të ri në moshë dhe njëkohësisht sekretar të tij të përkushtuar plot energji, brenda famullive, që administronte shpirtërisht (kishat sufragane). 

Mbas 12 vjetëve (1940-1952), pasoj e përndjekjeve të Sigurimit dhe martirizimeve të vëllezërve në Krishtin, në kohën e ateizmit të gjirokastritit Enver Hoxha, mbasi thotë meshën e pagëzon një fëmijë të porsalindur, hoqi shpejt veladonin dhe mori udhën e arratisjes nëpër male, duke iu bashkuar forcave të rezistencës kundërkomuniste. 

Kryqin, që kishte në qaf nuk e la në kishë, por e mori me vete, për t’ia prirë të mbaren në udhëkryqet e botës. E Zoti e deshti dhe e ndihmoi shumë. Ai ndihmoi në momentet më të vështira me qindra emigrantë, duke u dhënë ndihmë papushim, në të gjitha drejtimet, deri sa ai vetë kaloi në jetën e pasosun…

Për 8-9 muaj, qëndron mes maleve, në shpella, shi e borë, me bukë e pabukë, i veshur keq në dimër, duke provuar mundimet e Krishtit, që salvohet nga të pafetë. 

Në ditën e Pashkëve të vitit 1952, për trimat e lirisë, mes maleve të Mirditës (pyjet e Molungut), thotë meshën në orët e para të mëngjesit, ku, Zoti i dëgjon lutjet, duke e shpëtuar e udhëhequr drejt tokës së lirë…

Në gusht 1952, ai gjendet në tokat etnike shqiptare në Dardani për disa muaj, duke kaluar e qëndruar për pak kohë në Gjakovë, Pejë, Mitrovicë… dhe shkon në Beograd. 

Dera e Gjomarkajve të atdhelindjes së vet, falë mikpritjes, zemërgjerësisë, bujarisë tradicionale, i dërgon garanci, për të shkuar në Itali.

Ishte viti 1953, kur ai gjendet sërisht para ëndrrës rinore. Tashmë 41-vjeçari Oroshi, po e prekte realitetin dhe shijonte atë liri, që prej kohësh e kishte bluar në mendje e dëshiruar me zemër. 

Sërisht me libra dhe pranë tyre, ndjehej i gëzuar dhe krenar si bir arbëror. Më të mbërritur në Romë, fillon përpjekjet e takimet me klerikë, për të vijuar studimet e larta në Teologji. Këtë dëshirë zemre e përkushtimi, për dituritë, shumë vite më parë, ia kishte shprehur ish-eprorit të lartë abatit ipeshkëv imzot Frano Gjinit.

Dhe Zoti e ndihmoi, për t’i hapur me bujari portat e dijës universale, mbasi kishte ndjekur nga afër kalvarin e vuajtjeve, për të ardhur deri tek Portat e Piazza di San Pietro në Itali. Paralel me studimet e larta, i kërkoj Selisë së Shenjtë, që t’i miratoj kërkesën (dekretin), për të qenë kapelan katolik (bari misionar), për bashkatdhetarët mërgimtar politik, që gjendeshin në Romë.

Një pjesë e grigjës së tij, kishin shprehur dëshirën, për të emigruar në ShBA, ku, imzot Oroshi i ndihmon, falë bujarisë të gjithë pa dallim feje. Sikurse kujtojnë miqët e tij prelati, ka ndihmuar me bujari një hoxhë shqiptar, për të ardhur i qetë në Tokën e Bekuar të Amerikës. 

Me bindje të plotë tek e ardhmja, menjëherë iu përvesh punës dhe filloj veprimtarinë intelektuale e baritore, duke u marrë pikësëpari me shqipërimin e librave të rëndësishme, me të cilat, do të përhapte fjalën Hyjnore të Krishtit dhe ruajtjen e gjuhës së bukur amtare, shqipen.

Por në Tokën e Bekuar të Botës së Re, një tjetër prelat katolik, kishte qenë përpara imzot Zef Oroshit. Ai ishte bashkëvendasi e atdhetari i flaktë, abati i Mirditës e rilindasi i madh imzot Preng Doçi.

Kjo kishte ndodhur, në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Ai, meqenëse e kishte të ndaluar të kthehej në Shqipëri nga Perandoria Osmane asokohe (mbas 11 vjet burg, që kaloi në qelitë e ftohta të osmanllinjve), imzot Preng Doçi (duke e marrë miratimin nga Selia e Shenjtë), u nis për mision në Amerikën e Veriut në vitin 1877. Ishte ky shqiptari i parë mirditor, që shkeli kontinentin e ri, si misionar klerik katolik.

Dy mirditas Doçi e Oroshi, në kohë të ndryshme, bëhen tribunë e mendimit përparimtar shqiptar, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në ndihmë të besimtarëve dhe popullit shqiptar i ndodhur njeri mbas tjetrit në dy robëri: otomane islame barbare dhe diktaturën ateiste komuniste. 

Falë pasionit e vullnetit të hekurt, për t’u marrë me libra dhe studime, që kërkonin shumë mund dhe kohë në përkthime, dr. Oroshi, përfundoi shqipërimin e librave: Katekizmi (1953), Ungjilli simbas Mateut (1953), Studimet e Bioshme (1953), duke mos lënë mbas dore studimin e leksioneve të disiplinave të universitetit në vitin e parë akademik (1953-1954). 

Po më 1960, përkthen dhe boton Visarthin Shpirtnuer, një lloj katekizmi doracak, për familjarët emigrantë shqiptarë katolik. Dashuria e respekti, për shkrimtarët e shkollës së traditës geg veriorë, që kishin vulosur me erudicionin e përkushtimin e tyre, u bënë objekt i studimeve të tij. 

Për të qenë më konkret, ai zgjodhi shkrimtarin e shquar dhe prozatorin modern prof. Ernest Koliqin dhe kontributin e tij shembullor shumëplanësh, në fushën e letërsisë bashkëkohore shqipe. 

Një punim të plotë dhe dinjitoz: si vepër monumentale, kushtuar shkrimtarit Koliqi (numër special), ai e botoi të plotë, në revistën autoritative, shkencore, kulturore Shejzat (1975), në përkujtim të mikut të tij të madh. Në Universitetin e famshëm të Romës Angelicum (1958), vijon studimet e vitit të pestë në degën adhuruese të teologjisë, që ndryshe njihet si disiplina ose gjimnasitika e trurit. 

Këtu merr si subjekt, për të trajtuar gjerësisht e filozofikisht 20 teza në shkencën e Teologjisë, duke e mbrojtur (në vitin 1960) me sukses temën: “Një reformator i madh i Kishës irlandeze të shekullit XII”, për gradën shkencore Doktor.

Në komisionin e Këshillit Shkencor Vlerësues të Universitetit, bënin pjesë figura të shquara të kulturës, që punonin si lektorë në Universitetet e ndryshme italiane dhe asnji shqiptar. 

Ekipi prej pesë profesorëve të njohur italianë dhe një nga Universiteti i Oxford-it në Angli, e dëgjonte me vëmendje dhe interesim shpjegimin e tezave, sipas një këndvështrimi dhe studimi të hollësishëm, që kleriku shqiptar, i kishte bërë punimit voluminoz shkencor të disertacionit shumëplanësh filozofik, teologjik, të cilin, e përshkonte një bosht i ngjeshur enciklopedik.

Kjo u duk dhe në literaturën e përzgjedhur shoqëruese, që autori i palodhur e këmbngulës kishte renditur në fund të temës shkencor hulumtuese.

Ai përpiqej, t’a largonte vemendjen nga ngjarje plot të papritura, që i kishin ndodhur në Shqipëri. Por sërisht, kujtime të një kohë të hidhur, që s’harrohen e ngacmonin, për të gjykuar sesi ka mundësi, që shqiptari komunist urren për vdekje bashkatdhetarin atdhedashës dhe idealist.

Jemi në vitet e inkuizicionit të zjarrtë komunist, ku, proletarët, ishin gati të grinin në morsën e tyre cilindo, që nuk mendonte, ushqehej e këndonte vallen sllavo-ruse proletare kundërshqiptare…

Kështu, krimineli me nofkën sadisti i pamëshirshëm, i quajturi famëkeqi Hodo Habibi (i vetëquajtur si Toger Baba), me urdhër të treshës: Rita Markos, Mehmet Shehut e Enver Hoxhës, e ndiqte këmba-këmbës dom Zefin, për ta vrarë, ashtu sikurse kishin masakruar pa gjyq 101 vetë në Qarkun e Shkodrës sëbashku me Malësi të Madhe (Kelmend), sikurse në Lezhë dhe Mirditë.

Editorët e botimeve kulturore të kohës, me këmbëngulje i kërkonin eruditit të palodhur dr. Oroshit, artikuj të larmishëm me tematika të ndryshme. 

Kjo duket gjatë letërkëmbimeve, që prelati katolik kishte me pendat e spikatura të mendimit elitar shqiptar në emigracion, si: prof. Ernest Koliqin, prof. Karl Gurakuqin, prof. Rexhep Krasniqin, prof. Martin Camaj, atë Daniel Gjeçaj O.F.M…

Ajo që është interesante, është se ai ka nënshkruar si antar i Urdhërit të shën Françeskut, kur në fakt kishte mbaruar studimet teologjike si klerik jezuit. 

Don Zefi, ka celebruar meshë së pari në kishën sllovene të shën Cirilit në St. Morris Park 8th Street në New York, në kapelen e Universitetit të Fordham-it në Bronx, në shkollën e kishës së Mount Cornel në Bronx, në kishën e St. Raymond’s në Costle Hill Avenue në Bronx.

Emigrantët shqiptarë në Amerikë, kishin ardhur nga kampet e refugjatëve të Italisë e Austrisë. Për më tepër, Lidhja Katolike, u formua në një mbledhje të mbajtur në kishën katolike sllovene të shën Cirilit, në Saint Mark’s Pace, New York. 

Në mbledhje, si mysafirë, morën pjesë, mes të tjerëve, prof. Rexhep Krasniqi, Kryetar i Komitetit Shqipnia e Lirë dhe aktivisti i komunitetit Stavri Qiriako nga Bashkësia Orthodokse Shqiptaro Amerikane. 

Asokohe Monsinjori, që ishte meshtar i emëruar, për shërbesa fetare në St. Raymond (East Tremont Avenue, Bronx, New York), megjithëse çonte meshë në kishën amerikane, gjithnjë me shpirt e zemër rrinte pranë komunitetit të vogël katolik shqiptar.

Dhe më 1973, u realizua dëshira e madhe e klerikut të përkushtuar në trinomin Fe – Atdhe – Përparim, mbas fushatës fondmbledhëse prej bashkatdhetarëve, në praninë e besimtarëve, u bë më në fund bekimi i kishës së re, mes një atmosfere të madhe gëzimi, me të cilin ishte bashkuar, përmes mesazhit edhe ish Kardinali i New York-ut, i ndjeri, Arqipeshkvi Metropolitan Eminenca e Tij Terence Cooke.

Kisha e re, qendroi për shumë orë e hapur, për vizitorët e shumtë shqiptarë dhe amerikanë. Në një nga sallat e bukura të ambienteve të Fordham University, u mbajt programi i rastit dhe u shtrua darka madhështore, përgatitur nga Këshilli dhe Pleqsia e Lidhjes Katolike Shqiptaro Amerikane dhe tre komisione te formuara nga ata.

Po të shikosh me kujdes fotot e botuar, në koleksionin e revistës Jeta Katolike asokohe, syri dallon menjëherë pamjen arkitektonike të projektuesit, ku, Shtëpia e Zotit, (Kisha), kishte formën e kryqit latin, me kumbonare, me hapësirë mbas lterit, me drita të zbukuruara shumëngjyrëshe, që ndriçojnë fugurët e shenjtorëve dhe afresket e shënjtorëve në pikturë. 

Këtu shquhej një ballkon, brenda ambienteve të kishës dhe në fasadet e saj, janë të vendosur truporet e shën Ndout, shën Nikolla, Nana e Këshillit të Mirë, etj., ndër më të adhuruarit me devocion të besimtarëve të krishterë e jokrishterë.

Bariu nacionalist e dijetari i ndritur i shqiptarëve, la një emër shumë të mirë në fushën e publicistikës e botimeve në gjuhën shqipe. Ishte ai, që shqipëroi librin Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujve (Romë, 1960, 1979), në gjuhën e ëmbël geg, aq të nevojshëm për shqiptarët. 

Pjesë nga materialet e para të shqipëruara prej Ungjillit, nisin të botohen për herë të parë, në revistën e komunitetit katolik Jeta Katholike Shqiptare (1966-1978), në numërat e para të saj, por pa nënshkrimin e vet. 

Kjo rubrikë, vijoi rregullisht, në shumë numëra të së përkohshmes, për pesë vite me radhë. Monsinjori ishte tepër energjik, në kryerjen me saktësi deri në fund të çdo detyre, që merrte përsipër. 

Dom Zefi, me modestinë tipike malësore, ishte një bibliotekë, që ecte me dy këmbë, sikurse shpreheshin të gjithë ato që e njihnin nga afër, “një enciklopedi vërtetë e gjallë”. Ai nuk dinte të shterronte kurrë, për dijet akademike dhe bashkëkohore fetare dhe kulturore shqiptare që zotëronte. 

Shprehja me fjalë të zgjedhura e mbresëlënëse, erudicioni dhe edukata e thellë ekumenike e imzot Oroshit, ishin ftesa e së dielës edhe për shqiptarët e besimeve të tjera, shumë prej të cilëve shkonin për të dëgjuar predikimin e tij (homelinë) në kishë.

Si njeri me kapacitet human dhe mjek i mirë me ilaçet shpirtërore të Krishtit, shëron shumë plagë ndër shqiptarë, mërgimtarë të infektuar nga dhuna e ushtruar nga rregjimet e njëjta totalitare.

Dr. Oroshi, edhe gjatë meshëve në kishat amerikane, bëri apel, për të drejtën e popullit për liri civile, besimi, për të cilën vuante shpirtërisht e punoi me devocion me miqtë amerikanë dhe aktivistë të palodhur bashkatdhetarë kudo nëpër botë, për lirinë e fesë në Shqipëri.

Projektues e aktivisti i flaktë, mbetet si frymëzuesi i bashkatdhetarëve në organizimin e disa tubimeve kundërkomuniste dhe liri besimi në Shqipëri, para Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UN) në Manhattan Neë York.

Imzoti e adhuronte shumë mësuesin e paharruar klerikun, poetin dhe njeriun e shquar të përmasave botërore dom Ndre Mjeden (1866-1937). Oroshi, shpesh jetonte e vepronte, nën shembullin e edukatorit të zellshëm e frytdhënës, pranë Seminarit Papnor në Shkodër (1843-1946, 1991). 

Për të gjithë shqiptarët asokohe, Ishte një ndër njohësit dhe propaganduesi më i shkëlqyer i jetës dhe veprës së poetit të dashtur Mjeda. Ai, e përkujtoi me respekt të madh mësuesin e tij, në shenjë mirënjohje e nderimi në New York, duke organizuar përkujtimin, në 40-vjetorin e vdekjes.

Në mesin e shekullit XX, me rizgjimin e lëvizjeve për bashkimin e besimtarëve të krishterë në botë, filluan të thyhen shumë barriera e pengesa përmes ekumenizmit.

Diskutimet e gjata, të dy barinjve të grigjës shqiptare në emigracion, gjenin gjithnjë frymën e ngrohtë të mirëkuptimit e respektin e ndërsjelltë. 

Ata kishin menduar kohë të gjatë, për rikthimin dialogut ndërfetar (ekumenik), që kishin bërë pararendësit prelatë, për të afruar e më pas bashkuar kishën e ritit oksidental (catholic roman) dhe oriental (orthodox east), si një vlerë e re shpirtërore e bashkësisë arbërore në ShBA.

Me sa duket, përvojën e kishte mësuar nga eruditi i gjërë e i thellë poliedrik i poetit dom Ndre Mjedja shumë vite më parë. Fëmijëria dhe rinia asokohe, kanë qenë një bllok shënimesh në kujtesën e freskët të klerikut dr. Oroshi.

Në revistën 3 mujore të përkohshme të komunitetit katolik shqiptar në New York, ai do të shkruaj artikullin me titull: “Dom Ndre Mjedja me rastin e 40-vjetores së vdekjes.” Kishte raste, që nga misionet e pambarim imzot Oroshi, gjente pak kohë të lirë, për t’u prerë në qetësi, vetmi e cila, i pushtonte mallin për atdhelindjen.

Vetmia e tij, ishte një adhurim i përshtatshëm mbushur me lutje, për një kontakt më imtim me Zotin. Ai shpesh i mbushte sytë me lot dhimbjeje e malli të pashuar, për atdhelindjen Oroshin, familjen e shpërndarë në kampet e vështira të internimeve komuniste. 

Gjatë shëtitjeve të lira në park, që miku i afërt Tomë Mrijaj, ka bërë me imzot dr. Zef Oroshi, biseda të lira për Oroshin, përsekutimin e klerit katolik në Shqipëri. Është thënë e shkruar gjithnjë, se Shtypi Katolik mbarëshqiptar, ka qenë ndër shekuj shtyllë e atdhedashurisë dhe jo më pak kulture kudo. 

Ai, iu kundërvu me pendë dhe gjoks barbarizmave të huaja dhe servilizmave të opurtunistëve të brendshëm në trojet shqiptare. Kjo ka qenë në shekuj dhe dekadat e porsakaluara arsyeja pse kleri katolik, u gjet i pari në shenjestrën e të pazotëve, që poshtëruan vendin tonë dhe e kthyen atë, sikurse bënë edhe osmanët, nga një kopsht i lulëzuar feje dhe kulture në një gërmadhë rrënojash fizike e shpërtërore, gërmadhë vuajtesh dhe mjerimi.

Të sjellësh ndër mend dhe të rreshtosh figurat e mëdha jo vetëm kulturore fetare, por edhe morale, jo vetëm klerikale, por thjeshtë katolike, të kulturës së një vendi shumë të lartë është imperativi i çdo njeriu, që ka për zemër brumosjen e botës shpirtërore të fëmijëve e të rinjve tanë, ku kisha me shtypin e saj ka qenë një fanar drite, jo vetëm në lëmin fetar por edhe atë kulturor e atdhetar. 

Kjo gjë duket e kjartë sapo të hapësh një antologji letërsie, qysh prej viteve 1934-1944, 1945-1990 dhe 2020 e vijim, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme diturie ndër shekuj, por edhe brymosën tokën e shenjtë në vendlindje me gjakun e tyre martir. 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Klajd Kapinova

Pa zbukurime novelistike

August 3, 2022 by s p

(Zak Ceka e Ali Belshaku)

Nga Tasim Çiftja (1925-1993)

Ushtrimi i terrorit mbi popullin, për t’u pasqyruar në letërsi dhe në shtypin e ditës, nuk ka ndonjë nevojë zbukuruese. Është veprimi më i shpëlarë si asnjë tjetër. Jo se do të konfrontohem me ata që i novelizojnë përshkrimet me elemente letrare (bëjnë mirë), është fjala që terrorizimi i popullit eci nëpër forma e mënyra të pabesueshme, aq sa brezat, duke u njohur me to, do të na quajnë fantastë.

Rreth 4 mijë të burgosur politikë, të sjellë në Vloçisht, nga disa burgje rrethesh, për tharjen e Maliqit më 1947 (jo më 1948 kur punimet për të burgosurit ishin përqëndruar pas urës derdhëse), pra më 1947, pavarësiht nga mundimet e punës 14 orëshe tepër të rëndë, nën kërbaç, shoqërohej çdo ditë me rrahje, vrasje, groposje për së gjalli. Nuk u mor vesh (e si do të merrej vesh?) përse u qëllua me automatik mbi të burgosurin arsimtar nga Kruja që ishte duke punuar; ai djal’ i dashur do të ishte nja 28 a 30 vjeç kur u qëllua vet’ i tretë.

Çdo ditë proçedohej groposja për së gjalli, duke lënë kokën jasht’. Nuk mbeti pa u groposur së gjalli me kokën jasht’ vëç ndonjë përqidje e vogël. Kështu e pësuan edhe Arshi Pipa e Mitrush Kuteli (atje e apelonin Dhimitër Pasko).

(Këto emra mbahen mend sepse ishin të njohur si figura letrare e kulturore, po emra fshatarësh, klerikësh, pleq, që edhe mbasi i nxirrnin nga groposja, ata vdisnin gjatë natës në barakë, siç ishte Ethem Sufali nga Peqini. Ishte fillimi i mbas Luftës, pra përqindja më e madhe ballistë (organizata atdhetare e popullit po e paguante humbjen e lirisë së Atdheut).

E gjithë kjo parapesëmijëvjeçare, bëhej ndofta për programe sërbe, siç kuptohet sot në renditjen totale të ngjarjeve, në atë procedim ditor. E të vjen të inatosesh sot në në demokraci, duke dëgjuar Kadarenë të thotë “Pipiç”, pra serb! Lufta kundra popullit shqiptar si komb shqiptar, kështu ka vazhduar, e maskuar në emërtimin “lufta e klasave”, a deri sot në librat e Kadaresë.

Atë ditë pati një ndryshim të vogël. Të burgosurit Zak Ceka dhe Ali Belshaku, që të dy nga Peqini, gjatë rrahjes së zakonshme që po pësonin si gjithë të tjerët, folën përafërsisht kështu:

-në biruca na rrahët, në hetuesi na rrahët, mustaqet na i shkulët, tani pas dënimit përsëri po na rrihni, kjo është poshtëruese, përse nuk na vritni më mirë, burri rron për të vdekur, jo për t’u poshtëruar.

Kjo gjendje folëse e shtoi më shumë rrahjen, ndërsa vinte aty komandanti i Kampit Tasi Marku.

-Ç’ësht’-pyet komandant Tasi

-këta duan të vdesin- i thanë.

– e po mirë, hapni gropën.

Ia nisën të hapin gropën, për të cilën zakonisht qemë përshtatur, por shpejt sytë e të burgosurve u zgurdulluan, gropa i kaloi përmasat e varrosjes kokëjasht’ si përditërisht…ajo thellohej e thellohej,sa ata të dy, Zaku dhe Aliu, të shtyrë me goditje lopatash, ranë brenda dhe nuk u dukeshin mbi sipërfaqe as flokët. U hodh vazhdimisht, me shpejtësi, dheu. U ndje Zaku apo Aliu, zëri qe i stonuar:

-këtë që po bëni ju nuk e bëri as Hitleri.

Gropa u mbush me dhé, këtë herë pa kokën jasht’. U thirr traktori, i cili u ndodh aty, (ndofta i parapregatitur). I kaloi dy herë sipër për të sheshuar dheun. Ky qe egzekutimi i dy trimave shqiptarë nga Peqini.

Është detyrë e të gjithë atyre që e mbajnë mend, ta japin këtë të vërtetë pa zbukurime.

Elbasan, 1991

Filed Under: ESSE Tagged With: hektor ciftja, tasim ciftja

KOSOVA DHE QËNDRIMI ABSURD I BASHKIMIT EVROPIAN

August 3, 2022 by s p

Xhelal Zejneli/

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, kanë kaluar katërmbëdhjetë vjet. Sovraniteti dhe tërësia tokësore e saj vazhdon të mos njihet nga Serbia. Për këtë, dikush duhet të mbajë përgjegjësi. 

Kosova është shtet i pavarur dhe ka të drejtë të sillet si i tillë. Shtetet e mëdha të Evropës Perëndimore, si Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, sovranitetin e saj dhe tërësinë tokësore të saj. Atëherë përse e lejojnë Serbinë t’i kanoset Kosovës?! Dy shtetet kryesore të Bashkimit Evropian – Gjermania dhe Franca, e kanë njohur Kosovën në kufijtë ekzistues, ndaj është për t’u habitur sesi e lejojnë Beogradin t’i kërcënohet asaj ushtarakisht. 

Kosova është çështje amerikane apo çështje e BE-së!? Kosova është çështje e NATO-s apo e Brukselit?! 

Si është e mundur që Berlini dhe Parisi të mos e mbyllin ‘çështjen’ e Kosovës qe 14 vjet?! Nuk kanë dashur apo s’kanë mundur? A janë angazhuar dhe sa janë angazhuar ish-kancelarja gjermane Angela Merkel (Angela Dorothea Merkel, e lindur Kasner, 1954-) dhe presidenti i Francës Emanyel Makron (Emmanuel Macron, 1977-) për ta mbyllur punën e Kosovës si një shtet i pavarur dhe sovran?! A janë angazhuar dhe sa kanë punuar Merkeli dhe Makroni për t’i frenuar dhe për t’i ndalur synimet dhe aspiratat hegjemoniste dhe ekspansioniste të Serbisë ndaj Kosovës? A ka qenë Kosova në agjendën e tyre dhe ç’vend ka zënë ajo në atë agjendë? Duke qenë se drama kosovare nuk po mbyllet, rezulton se Kosova s’paska qenë dot në fokusin e interesimit të tyre. Po qe se Kosova është ‘çështje’ evropiane, atëherë ka qenë detyrë e Berlinit dhe e Parisit ta mbyllnin atë me kohë. 

Ndaj Kosovës, Beogradi ka ndjekur dhe vazhdon të ndjekë politikën e forcës. Berlini dhe Parisi s’e kanë konstatuar këtë?! Politikën luftënxitëse, destruktive dhe destabilizuese të Vuçiqit, s’e ka vërejtur Brukseli? Politikë luftënxitëse, destruktive dhe destabilizuese Beogradi ndjek jo vetëm ndaj Kosovës, por ndaj tërë rajonit. Destruksioni serb shtrihet edhe ndaj Malit të Zi, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kroacisë. 

A nuk e vëren Brukseli se Serbia:

– ka kohë që armatoset me armë të siguruara nga Rusia dhe nga Kina;

– sjell në rajon Rusinë dhe Kinën; 

– përçon në gadishull interesin rus dhe kinez;

– është zonë ruse e ndikimit;

– është sferë ruse e interesit.

Berlini dhe Parisi, jo vetëm që nuk kanë frenuar dhe nuk kanë ndalur Serbinë, por edhe e kanë favorizuar me të madhe. S’kemi ç’të themi për investimet ekonomike ruse, kineze dhe turke në Serbi, por s’ka se si mos habitesh me investimet gjermane, franceze, italiane! Në vend të ndëshkimit dhe izolimit, Serbia merr shpërblim. Shpërblehet një shtet i cili në vitet 1991-1995 ka shkaktuar gjakderdhje në Slloveni, në Kroaci, në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Kosovë. Shpërblehet një Serbi e cila ka kryer gjenocid si në Bosnjë dhe Hercegovinë ashtu edhe në Kosovë. 

Shpërblehet një Vuçiq i cili:

– ushtron gjenocid të heshtur ndaj shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë);  

– mbështet agresionin rus ndaj Ukrainës;

– nuk i vuri sanksione Rusisë; 

– gjithë ditën kontakton dhe komunikon me Moskën dhe Putinin;

– në fillim të viteve ’90 të shekullit XX, i ngjiste nëpër muret e ndërtesave të Beogradit fotografitë e kriminelit të luftës Vijisllav Sheshelit;

– i takonte të djathtës ekstreme, duke qenë edhe një euroskeptik i palëkundshëm;   

– në vitet 1998-2000 ishte ministër i Informatave dhe mbronte me mish e me shpirt politikën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Këto nuk i ka ditur Brukseli, Berlini dhe Parisi, Merkeli dhe Makroni? Erdhi një ditë dhe ky farë Vuçiqi na veshi lëkurë qengji!! E tmerrshme! 

Më 15 korrik 2019, për një vizitë dyditëshe shkon në Beograd Emanyel Makroni, ndërsa më 13 shtator 2021, i bën një vizitë dyditore Beogradit edhe Angela Merkeli. Që të dy e anashkalojnë Kosovën demokratike. E dhimbshme! 

Qendrat proruse dhe filoserbe të Bashkimit Evropian nuk do ta mbyllin ‘çështjen’ e Kosovës. 

Berlini dhe Parisi konsiderohen lokomotivë e BE-së. Kjo lokomotivë nuk paska fuqi:

– t’i bindë pesë shtetet e Unionit – Spanjën, Greqinë, Qipron, Rumaninë dhe Sllovakinë që ta njohin pavarësinë e Kosovës?

– ta pranojë Kosovën në Këshillin e Evropës?

– ta pranojë Kosovën në BE me një procedurë të përshpejtuar, si një rast i veçantë;

– të angazhohet për integrimin e Kosovës në NATO? 

Fuqitë historike të Perëndimit, jo vetëm që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por si anëtare të NATO-s, për të parandaluar një katastrofë humanitare përmasash biblike, kanë ndërhyrë edhe ushtarakisht kundër makinerisë pushtuese dhe vrastare të Serbisë. Ndërhyrjen e NATO-s kundër kolonialistëve, hegjemonistëve dhe ekspansionistëve serbomëdhenj, Spanja dhe Greqia, ndonëse anëtare të saj, nuk e kanë kundërshtuar. Tani, këto dy shtete nuk e njohin pavarësisë e Kosovës. Nuk është kjo paradoksale?!

Nuk mbyllet puna e Kosovës me politikanin spanjoll Josef Borel (Josep Borrell, 1947-) dhe me politikanin e diplomatin sllovak Miroslav Lajçak të cilët vijnë nga  vendet që s’e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Emërimi i tyre s’është dot i rastësishëm. Ata janë emëruar që puna e Kosovës të zgjidhet me kompromis. Kjo është ajo që e kërkon Serbia. Por, Brukseli duhet ta dijë se kompromis për Kosovën paraqet plani i Ahtisarit. Çdo gjë përtej këtij plani cenon sovranitetin dhe tërësinë tokësore apo integritetin territorial të Kosovës. Me këtë plan, pakicave të Kosovës u sigurohen liri dhe të drejta si në asnjë vend të BE-së. Përfaqësuesit e pakicës serbe janë të përfshirë, si në Kuvendin e Kosovës ashtu edhe në qeverinë e saj. Serbishtja ndërkaq, është gjuhë zyrtare në mbarë territorin e Kosovës. Vallë, këto s’i di Brukseli? Por, Serbia nuk do të drejta për serbët e Kosovës. Ajo do territor. As këtë s’e vëren Brukseli? Berlini dhe Parisi duhet t’ia thonë Beogradit pa ekuivokë se synimet territoriale janë në kundërshti të plotë me parimet e BE-së. BE-ja funksionon mbi parimin demokratik dhe jo mbi atë të ndryshimit të kufijve. Problemi qëndron në faktin se Serbi jeton matanë demokracisë, në anën e kundërt të saj. 

– Kosova është shtet me sistem demokratik dhe me demokraci parlamentare;

– Në Kosovë zhvillohet, ndërtohet, respektohet dhe realizohet pluralizmi politik;

– Kosova është shtet ku ka rend dhe rregull;

– Kosova është shtet i së drejtës, përkatësisht shtet ligjor, madje shumë më ligjor se Serbia;

– Kosova nuk është dhe kurrë s’ka për të qenë pseudoshtet, siç e dëshiron Serbia;

– Në Kosovë respektohen me Kushtetutë dhe ligj liritë fetare;

– Në Kosovë respektohen liritë dhe të drejtat e pakicave sipas standardeve më të larta të BE-së; 

– Kosova ndjek politikë konstruktive, paqeruajtëse dhe stabilizuese në rajon;

– Ndaj fqinjëve të vet, Kosova ndjek politikë të fqinjësisë së mirë; 

– Kosova synon anëtarësimin në BE;

– Kosova synon anëtarësimin në NATO.                   

Atëherë ku qëndron problemi i Serbisë?! Këtë pyetje Brukseli duhet t’ia bëjë Serbisë dhe jo ta ledhatojë atë. 

*   *   *

Në vitet 2008-2014, kryeministër i Kosovës ishte Hashim Thaçi (1968-). Në vitet 2014-2017 ishte Isa Mustafa (1951-). Në vitet 2017-2020 ishte Ramush Haradinaj (1968-). Në muajt shkurt-qershor të vitit 2020 ishte Albin Kurti (1975-). Në vitet 2020-2021 ishte Avdullah Hoti (1976-) dhe prej vitit 2021 e këndej, përsëri Albin Kurti. Këtë që e bën kryeministri i përtashëm – Albin Kurti, duhej ta kishin bërë paraardhësit e tij. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur. Si e tillë, ajo jo vetëm që ka të drejtë të vërë rend në mbarë territorin e saj, por këtë e ka edhe detyrim. Me fjalë të tjera, faji i moszbatimit të parimit të ndërsjellshmërisë apo të reciprocitetit nuk takon vetëm Brukselit. Fajin për fatkeqësinë e vet, njeriu duhet ta kërkojë në vetvete, thotë romancieri, filozofi, dramaturgu dhe kritiku francez Zhan-Pol Sratrë (Jean-Paul Sartre, 1905-1980).

Ndaj zvarritjes së rrumbullakimit të shtetësisë së Kosovës kanë qenë indiferentë edhe institucionet arsimore dhe shkencore të kombit – akademitë e shkencave, si të Kosovës, ashtu edhe të Shqipërisë. Nuk kanë qenë në krye të përgjegjësisë historike as universitetet e kombit. Me një fjalë, inteligjencia shqiptare ka qëndruar në gjumë. Qëllimi i tyre ka qenë të zënë pozita dhe t’i ruajnë ato. Qëllimi i tyre ka qenë ta çojnë mirë me pushtetarët, për përfitime meskine. Një klasë politike që lufton me vetveten, s’lufton dot me armikun. S’bëhet shtet me dasma dhe me ceremoni fetare. Aq më pak me muzikë pornografike. Për shtet kërkohet arsimim, vetëdije kombëtare, idealizëm dhe vetëmohim. Shteti modern s’bëhet dot me populizëm. As me mikrovlera, as me mikrosisteme. S’bëhet shtet duke vepruar në mikroplan. 

Nuk mjafton ditë e natë t’u referohemi ilirëve, Gjergj Kastriotit, rilindësve, Vlorë së 1912-ës, Nënë Terezës, Adem Demaçit, Ibrahim Rugovës, Adem Jasharit, përkatësisht Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e në anën tjetër preokupim ta kemi pasurimin brenda natës.      

Me ndihmën e ShBA-së, Kosova është duke ndërtuar makrovlera dhe makrosisteme, është duke vepruar në makroplan.          

*   *   *

Trazirat e shkaktuara prej bandave çetnike kriminale serbe në veri të Kosovës, më 1 gusht të viti në vazhdim, shkojnë favor të Putinit. Ai noton në gjakun e ushtarëve të vet dhe të ushtarëve e civilëve ukrainas. Ai e ka humbur arsyen. Tanimë do luftëra dhe zjarr. Ai ka kaluar matanë historisë. Është antihistorik. Brukseli nuk duhet ta sjellë punën që për Kosovën të prononcohet madje edhe kryetari i Bjellorusisë Aleksandar Lukashenko (1954-). Lidhur me barrikadat e çetnikëve serbë në veri të Kosovës, ai tha: “Do të jemi me Serbinë…”.

S’na habit dot Lukashnko, miku i afërt i Putinit. Na habit Josef Boreli i cili me deklaratën e vet përkitazi me bllokimin e rrugëve të veriut të Kosovës, s’bëri dot asnjëfarë dallimi midis viktimës dhe hienës gjakpirëse. Viktimë është Kosova që s’e lënë të qetë, ndërsa hienë gjakpirëse është Serbia e Vuçiqit dhe jo vetëm e tij. A s’e sheh vallë Brukseli se në Serbi s’dëgjohet dot kurrfarë zëri alternativ? A kjo Serbi i thotë vetes: jam Evropë?! A kjo na qenka Evropa?! I këtillë na qenkësh kontinenti i vjetër?! Evropë, lëre rahat Serbinë në gjirin e Moskës dhe të Pekinit! Të mjaftojnë Shqipëria dhe Kosova, zemra e shqiptarisë. S’ka pasur fuqi që ka mundur ta shtrojë. Kombi shqiptar Evropë, të vlejnë sa njëqind Serbi – proruse. Mos prano në gjirin tënd Evropë, kalë troje. Mos shti në kështjellë tënde kolonë të pestë – ruse.

Kosova dhe Shqipëria do të bëhen. 

Xhelal Zejneli                  

Filed Under: Opinion Tagged With: Xhelal Zejneli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2136
  • 2137
  • 2138
  • 2139
  • 2140
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT