• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqiptarët, Ballkani Perëndimor dhe e ardhmja e tyre

July 11, 2022 by s p

Zenel Çeliku/

Cilido shqiptar mundet të pyes, kush është e ardhmja e Shqipërisë dhe në tërësi e Ballkanit Perendimor ? A ka qënë dhe a është serioz Bashkimi Evropian (BE) në marëdhënie më vëndet e këtij Rajoni ? Pse BE-ja nuk i mban premtimet për këtë zonë gjeografiko-politike?

Le të fillojmë me samitin e mbajtur së fundmi të liderëve të nismës rajonale të Ballkanit të hapur në Ohër dhe me samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel.

BE-ja në afro 20 vite, vëndet e Ballkanit Perëndimor i ka parë me syrin e njerkës- “thonë gojët e liga”. Vërejmë se mbas pushtimit rus në Ukrainë, BE-ja shkaktoi një debat themelor, nëse do të pranojë apo jo në familjen e saj vendet e Ballkanit Perëndimor-Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnjë & Hercegovinën. Nëse BE-ja është serioze për të marë vendimin për të pranuar vendet e lartpërmendura në gjirin e saj, pyetja që shtrohet është ; pse nuk vepron dhe pse orvatet tek vetoja e Bullgarisë e cila ka penguar dhe pengon hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut? A mjafton frika e luftës së agresionit rus edhe në Ballkan?

Egzakt kanë kaluar 19 vjet nga miratimi i axhendës së Selanikut (Greqi) për Ballkanin Perëndimor, që parashikonte anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Kjo axhentë ngeli vetëm në kuadrin e premtimeve për perspektivën evropiane të vëndeve të këtij Rajoni, ku BE-ja thotë se këto janë shtete shumë të rëndësishëm për vetë Europën. Asgjë, asgjë konkrete nuk ka ndodhur deri më tani në lidhje me anëtarësimin e tyre në BE. Çfar mendojnë qytetarët e vëndëve të këtij rajoni? Dekleratat dhe premtimet e BE-së për anëtarësimin e vëndeve të Ballkanit Perëndimor janë gënjeshtra, tallava gjeo-politike apo paaftesi e Europës plakë?

Në rethanat e krijuar nga agresioni rus në Ukrainë, vendimi I shpejtë i BE-së për t’i dhënë Ukrainës dhe Moldavisë statusin e kandidatit në BE, vetëm tre muaj pasi kanë dorëzuar aplikimin e tyre për anëtarësim në BE, ka ngjallur pakënaqësi dhe zhgënjim të madh nga gjashtë vëndet e Ballkanit Perëndimor. Shikojmë se BE-ja mban qëndrime me dy standarte kur ajo ka interesa madhore. Ndërsa aktualisht, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe vëndet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë në pritje 20 vjeçare të integrimit në BE. Për fat të keq vetoja bullgare ka ndaluar pa kuptim shpresat e dy vëndeve tona, BE-ja çfar po bën?

Në këto rrethana parlamenti i Bullgarisë nën presionin ndërkombëtar, pak ditë më parë miratoi një vendim që i hap rrugë hapjes së negociatave BE – Maqedonia e Veriut ku përfiton edhe Shqipëria. Por, si është pritur dhe çfar po ndodh në vëndin fqinj-në Maqedoninë e Veriut? Sipas politikës maqedonase, zhbllokimi I vetos bullgare për t’i hapur rrugë integrimit të maqedonasve në BE, është një “Kal Troje” për Maqedoninë e Veriut. I ashtuquajtur zhblokimi I Bullgarisë për Maqedoninë e Veriut që të hapë negociatat me BE-në, me frocë nuk pranohet nga opozita maqedonasë, sepse qëndrimi bullgar mohon ekzistencën e Maqedonisë së Veriut si shtet, mohon popullin e saj, mohon identitetin e saj dhe gjuhën e saj. Për politik-bërësit e Maqedonisë së Veriut, vendimi i Parlamentit të Bullgarisë, është i papranueshëm, ata thonë se vendimi bullgar në fakt imponon kushte edhe më specifike në dëm të Maqedonisë së Veriut. Qëndrimi I fundit bullgar që heq veton për hapjen e bisedimeve BE- Maqedonia e Veriut, është pritur me duartrokitje nga BE-ja dhe nga Shqipëria në veçanti si shtet I penalizuar si shkak I bllogimit të Maqedonisë së Veriut nga Bullgaria. Tashme pas vendimit te ri bullgar, sipas liderëve të BE-së, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut duhet të shfrytëzojnë periudhën e ardhshme për të gjetur një marrëveshje kompromisi në përputhje me projektin e presidenti francez-Emmanuel Macron. Ka shumë opinionistë dhe ekspertë të politikës të Ballkanit Perëndimor që mendojnë se BE-ja vazhdimisht i shmanget qëndrimit konkret për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Në këto rethana, presidenti francez – Macron, ka nisur së fundmi një iniciativë për krijimin e një aleance politiko-evropiane ku përfshin edhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Duke qenë se BE-ja është një aleancë politike, ekonomike, kulturore e bazuar në vlera, vërejmë se po krijohet një rend i ri global, por çështja është ; çfarë vendi do të zërë Ballkani Perëndimor në këtë rend të ri ???

Tashmë vendimi bullgarëve sipas projektit – Macron, ka ngjallur zemërim dhe protesta të fuqishme nga opozita në Maqedoninë e Veriut, aq sa ka rrezik për rendin politoko-shoqëror të këj vëndi. Momentalisht situata e rëndë në Maqedoninë e Veriut na bën të mendojmë dhe të dyshojmë, a do të ketë zhvillime pozitive për hapjen e nogociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë e Veriut ? Theksojmë se, edhe fati i Shqipërisë varet nga zhvillimet në Maqedoninë e Veriut sepse dy vëndet tona janë vlerësuar në bllok për hapjen e negociatave.

Me besim dhe me dorë në zemër, “dashtë Zoti” që ky moment të jetë një shrese për qytetarët e të dy vëndeve tona, por pa eksese dhe gjarje të hidhura. Ballkani Perëndimor nuk ka koh për të humbur, por edhe BE-ja duhet të nxitoi sepse interesat e saj, janë të lidhura ngushtë me Ballkanit Perëndimor.

Zenel Çeliku

TIR-Fax News Agency 11 Korrik 2022

Filed Under: Fejton Tagged With: Zenel Celiku

“Fëmijët i vrasin me plumba më të vegjël, apo jo mami?”

July 11, 2022 by s p

Bujar Leskaj/

Kjo ishte pyetja e një fëmije, para se të vritej në Srebrenicë.

Sot, 27 vite pas, në ditën e gjenocidit serb në Srebrenicë, ku u vranë e u masakruan mbi 8.000 njerëz, duhet të kemi kurajon të shohim të vërtetën në sy!

Për këtë ngjarje kaq tragjike e më të dhunshmen pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Papa Gjon Pali do ta cilësonte: “Kjo që po konsumohet para syve të botës mbarë përbën një disfatë të qytetërimit. Këto krime do të mbesin një ndër kapitujt më të trishtueshëm të historisë së Evropës!”

Gjenocidi në Srebrenicë në 1995 dhe ai në Kosovë në 1998, në harkun kohor të tre viteve, kanë një të përbashkët: agresorin serb!

Serbia, në vend që të pranonte gjenocidin e të kërkonte falje për krimet e saj monstruoze, kërkon ta përsërisë duke e minimizuar dhe, paturpësisht, duke mos e pranuar!

Parlamenti shqiptar ka bërë shumë mirë që nëpërmjet një rezolute ka dënuar gjenocidin serb në Bosnje!

Kuvendi i Shqipërisë, duhet të mbajë të njëjtin qëndrim, të gjejë forcën dhe guximin të dënojë zyrtarisht, qartë e prerë dhe të miratojë rezolutën që dënon krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë, për të ardhmen, për paqen, drejtësinë, për qetësimin e shpirtrave të martirëve!

Filed Under: Analiza

KODIKU I LAURENCIANËS DHE DORËSHKRIMET TJERA TË FAMILJES FISNIKE SHQIPTARE – TË ENGJELLORËVE NGA SHEK. XV e XVI

July 11, 2022 by s p

Bula papnore per Engjelloret nga viti 1567
Shqyti djathtas nga Stema e vitit 1567
Shqyti majtas nga Stema e vitit 1567
Stema nga viti 1567 –
Stema nga viti 1567

Dr. Etleva Lala

Budapest

Kërkimet shkencore janë shumë interesante për studiues, veçanërisht për mesjeten, sepse të papriturat dhe sfidat janë shumë befasuese. Jo rrallë ka ndodhur që të shpenzohen orë, ditë e muaj të tërë, pa pasur ndonjë rrezultat konkret, për një temë a personalitet të caktuar. Një gjë e tillë, nuk ndodh kur fillon të bësh kërkime ose hulumtime shkencoreme për disa nga familjet fisnike shqiptare, të cilat ishin mjaft të fuqishme dhe kishin ndikim në zhvillimet e përgjithëshme politike, kulturore, ekonomike, ushtarake… etj, jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe më gjërë. Për familjen e Kastriotëve, tashmë është e njohur se ata përmenden për herë të parë në vitin 1368, në një diplomë – origjinali i së cilës ruhet në Dubrovnik dhe janë shkruar shumë studime, libra, artikuj, etj. Familje tjetër me shumë interes për historiografinë në përgjithësi dhe mesjetën shqipatre në veçanti, është ajo e Engjëllorëve të Drishtit. Burime të shkruara, dorëshkrime, dokumenta dhe libra pak të njohur ose fare të panjohur, ruhen në shumë arkiva e biblioteka të ndryshme të Italisë, Kroacisë, Spanjës, Austrisë, Francës, Rusisë, Shkodrës, [te disa pinjollë të kësaj familje, si psh. Kamsi], etj. Deri me sot, nuk është bërë një punë sistematike, hulumtuese-studiuese, identifikuese për gjithçka ruhet për këtë familje. Është folur e shkruar shumë për disa nga dorëshkrimet e njohura të familjes Engjëllore nga Drishti, të cilat ruhen në biblioteka shtetërore dhe private. Një pjesë fare e vogël e tyre janë botuar, ndërsa pjesa më e madhe vetëm janë zbuluar dhe ende nuk janë botuar, presin studime dhe analiza të gjithanshme kritike të specialistëve nga fushat përkatëse për të bërë një vlerësim sa më real dhe të preçiz si për të dhënat që ofrojnë ato ashtu edhe për saktësinë e trajtimit të tyre, origjinalitetin, autenticitetin dhe vlershmërinë historike. Dorëshkrimet e pabotuara që na janë ruajtur nga familja fisnike Engjëllori prej Drishtit, përveç se janë të pabotuara, kanë si elemente të përbashkëta, [katër prej tyre, ato nga Vatikani (dy doërshkrime), Firenca dhe Venediku] faktin se janë shkruar nga  e njejta dorë në fund të shekullit XV ose fillim të shekullit XVI.

Ka shumë gjëra që duhen sqaruar, parë me sy kritik, rivlerësuar, ballafaquar me burime dhe dokumente të tjera, të drejtëpërdrejta apo të tërthorta, për të nxjerrë përfundime të sakta, të qëndrueshme dhe të vlershme, qoftë për familjen, qoftë për pjesëtarët e kësaj familje, të cilët kishin ndikime të jashtëzakonshme në shumë zhvillime të kohës në shekujt XV-XVII. Pothuasje të gjitha dorëshkrimet [ato që janë më shumë se disa faqe] të cilat sot ruhen në origjinal dhe janë shkruar nga pjesëtarë të kësaj familje të madhe ose për këtë familje, mendojmë ne, duhen botuar. Botimi i tyre është me shumë vlera dhe interes, sepse aty ka të dhëna të shumta nga fusha të ndryshme, për të cilat njohuritë tona janë të pamjaftueshme për kohën kur ato u krijuan apo për kohën kur ato flasin. 

Për shkak të peshës së tyre, nuk do të flasim në këtë shkrim për librat e botuar që kanë për autorë disa nga anëtarët e familjes Engjëllori, nuk do flasim as për ato libra, botimin e të cilëve e kanë mundësuar ata si mecenë, por do të fokusohemi në publikimin e një dokumenti nga Arkivi Sekret i Vatikanit dhe informacionin e plotë për dorëshkrimin e Laurenzianës së Firencës, dorëshkrime këto që siç thamë i lidh e njejta dorë që i ka shkruar. 

Nga ASV, botojmë gjithashtu edhe një stemë të Engjëllorëve dhe një të Kastriotëve; ndërsa nga Bilbioteka Laurenziane e Firencës, informacionin e plotë për dorëshkrimin e Kodikut të Pal Engjëllit, të ashquajturin “Dorëshkrimi i Formulës së Pagëzimit.” Natyrisht, që nuk dëshirojmë të bëjmë një klasifikim, duke pohuar se dorëshkrimet dhe dokumentat e tjera janë më pak të rëndësishme, përkundrazi, ato janë me shumë vlera dhe numri i tyre është shumë më i madh se sa mendohej apo është shkruar në shtyp deri tani. 

Familjet fisnike shqiptare në mesjetë, ashtu si edhe familjet e tjera europiane kishin jo vetëm tituj të lartë fisnikërie, por gëzonin edhe privilegje të caktuara, të cilat herë pas herë i konfirmonin dhe i rikonfirmonin sipas nevojës me diploma përkatëse të lëshuara nga autoritetet më të larta të kohës siç ishin perandorët bizantinë dhe më vonë papati, përkatësisht Selia e Shenjtë. E tillë është një diplomë [bulë] solemne për familjen e Engjëllorëve, përkatësisht për Ndre Engjëllin, lëshuar nga papa Piu V [1566-1572]. 

Diploma e lëshuar nga papa Piu V në vitin 1567 përmbledh në vetvete disa diploma që janë lëshuar nga perandorët dhe princët që nga perandori Leone deri tek Michaeli. Arsyeja se përse ato gjenden të gjitha në të njejtin vend, është njohja që u bën atyre papa Piu V, dhe në bazë të kësaj njohjeje bëhet edhe konfirmimi i tyre dhe i privilegjeve që ato përshkruajnë. Dokumenti i parë i përmendur në këtë bulë është lëshuar më 25 prill 1293 nga Androniku II Paleolog, perandor i Konstantinopojës. I konsideruar si një instrument publik i së Drejtës Kanonike papa Piu V i konfirmon Andrea Engjëllit, fisnikut, dukës, princit dhe kontit të Drishtit, Durrësit, Pultit të Ulët, lidhjet e tij të gjakut me perandorët romakë si dhe me perandorët e Konstantinopojës. 

Lëshuar dhe rikonformuar rishtas ato janë bërë të vlefshme nga papa Piu V, [1566-1572], në vitin 1567, sikurse edhe nga paraardhësit e tij, përkatësisht papët Kaliksti III, [1455-1458], Piu II, [1458-1464], Pali II, [1464-1471], Siksti IV, [1471-1484], Inocenti VIII, [1484-1492], Pali III, [1534-1549], Juli III, [1550-1555], dhe papa Piu IV, [1559-1565], në emër dhe për llogari të Andreas Angelus [Ndre Engjëllit], nga Vincentium de Hippolitis Pistoriensem ac Gasparem de Mercado Romanum Jures.

Bula në fjalë ruhet në Arkivin Sekret të Vatikanit dhe daton nga viti 1567, dhe në të ndodhen edhe dy stema të mirëmbajtura, që në tërësinë e tyre paraqesin elemente heraldike të familjeve fisnike shqiptare. 

Heraldika si shkencë që merret me studimin dhe prejardhjen e simboleve dhe elementeve të ndryshme, origjina e të cilave është e shumëllojshme, në Shqipëri i gjen fillimet e saj që në fund të shekullit XII, për të vazhduar deri në ditët e sotme, si pjesë përbërëse e heraldikës evropiane me të gjitha zhvillimet, ndryshimet dhe arritjet e saj. Stemat më të hershme i gjejmë në fillimet e Principatës së Arbërit, e më pas në një vazhdimësi të pandërprerë pothuajse në të gjitha dinastitë dhe familjet patronomike shqiptare mesjetare si: Albani, Araniti, Balsha, Beçikemi, Bogdani, Dukagjini, Dushmani, Engjëllorët, Gazuli, Golemi, Gropa, Jonima, Kastrioti, Komneni, Maneshi, Matranga, Muzaka, Shpata, Skura, Spani, Topia, Zaharia etj, për të mos vazhduar me familjet e tjera shqiptare nga shekujt në vijim, përkatësisht deri në fundin e shek. XIX apo fillimin e shek. XX.

Diploma është e shkruar në pergamen dhe është zbukuruar me flori. Në të tre anët, pa pjesën e poshtme ku është përthyerja dhe ka qenë vula e papës Piu V, e cila për fat të keq ka humbur, dokumenti ka një bordurë të zbukuruar me gjerësi që varion anash 5.6 cm dhe lart 6.3 cm. Zbukurimet janë kryesisht me motive floreale. Në të dy anët e bordurës fillojnë me nga një figurë që i ngjan kupës (simbol i kalistit) nga ku dalin lule që ngjiten lart dhe kanë fruta prej ari. Lart kurorëzohen me nga një kokë engjëlli, sipër të cilëve qëndrojnë tre stema. Dy stemat anësore të vendosura sipër dy kokave të engjëjve, respektivisht ajo në të djathtë dhe në të majtë, janë stema të familjeve fisnike shqiptare që kishin lidhje gjaku me Engjëlloret, ndërsa ajo e mesit është stema e Republikës së Raguzës (Dubrovnikut të sotëm).

Ngjyra dominuese e dekorimeve është e kuqja. Lart, motivet duket sikur dalin nga dy figura engjëjsh që janë në dy meset e bordurës kur ajo ndahet në mes. Engjëjt janë në këmbë dhe në të dy duart mbajnë dy si shpata me maja të ngulura në tokë, por që tek doreza shpërthejnë egërsisht në degë dhe lule që kanë fryte më të mëdha se ato anash dhe që janë të lara me flori. Dimensionet e diplomës janë 51.5 x 72.2 cm.

Stema e parë e cila ndodhet në anën e majtë të diplomës, është në formë të rrumbullakët dhe ka dimensione 7.5 x 7.5 cm. Stemat e vendosura në trupin e shqiponjës janë katër të ndara në dy shqyte sipër të cilave është kurora mbretërore. Secila nga stemat ndahen në disa kuadrate të cilat kanë simbolet e tyre, përkatësisht paraqesin stemat e familjeve fisnike shqiptare të Topiajve, Muzakajve, Arianitëve, dhe Balshajve. Të gjitha elementet heraldike që ndodhen në këto stema janë të njohura dhe paraqesin traditën dhe lidhjet e ndryshme në mes të këtyre familjeve me familjen Engjëllore, të gërshetuara përmes një simbolike interesante dhe shumë përmbajtësore.

Ndërsa stema tjetër e cila ka dimensione 7.5 x 7.5 cm, dhe është në anën e djathtë të diplomës, gjithashtu është e vendosur në një reth, por me më shumë elemente dekorative të zakonshme për kohën kur u krijua stema. Brenda rrethit janë të vendosura dy stema të ndara në katër fusha identike në të cilat dominon stema e Kastrioteve dhe ajo e Topiasve. Stema e Kastrioteve është një shqiponjë dykrerëshe me krahë të ngritur lart dhe sfond të verdhë, e cila është e njëjtë me stemat e tjera të Gjergj Kastriotit Skenderbeut të njohura nga dorëshkrime të tjera, qoftë nga Arkivi Sekret i Vatikanit, Biblioteka Apostolike e Vatikanit apo edhe nga bibliotekat e Venedikut. 

Në fund të tekstit, në anën e majtë të diplomës, është shenja dhe firma dalluese e noterit. Poshtë është një yll në formë freskoreje me tetë cepa të vijëzuar nga qendra. Mbi yll gjendet një kryq dhe poshtë yllit në dy anët janë inicialet e noterit R. B. Poshtë tyre vjen një shirit i hapur, por me anët pak të kthyera nga brenda, brenda të cilit shkruhet “o[mn]ia morte cadunt.”

*****

Që nga viti 1915, kur N. Jorga, për herë të parë e bëri publik lajmin për zbulimin e Kodikut të Pal Engjëllit, nga Biblioteka Laurenziane e Firencës, është shkruar e debatuar shumë për të. Si informacion ky gjendet në të gjitha tekstet e Historisë së Letersisë, Historisë së Popullit Shqiptar, në monografi të specializuara, në botime të veçanta të Akademive e Instituteve të Gjuhësisë si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë, në bibliografi, studime dhe artikuj qofshin ata të mirfilltë shkencor, qofshin popullarizues. Natyrisht, të gjithë deri në një, thirren në atë informacion që e ka dhënë N. Jorga, duke botuar edhe të shumtën e rasteve, një faksimile fotomontazhe [gjë kjo e palejuar në raste të tilla], që me sa duket e ka burimin që në botimet e para. E vërteta është, se deri me sot, Kodiku i Pal Engjëllit, të cilin e zbuloi N. Jorga, nuk është botuar kurrë i tëri! Kjo duket e pabesueshme, por është shumë e vërtetë. Të paktën, para dy vitesh, u botua njëri nga 15 dokumentat [më parë është phuar se janë 13 dokumenta (sic!) që përmban ky Kodik, në gjuhën shqipe [K. Frasheri, Dokumente…, 2005], por që përkthimi lë shumë për të dëshiruar. 

Numri i autorëve që janë marrë me Kodikun si tërësi, është i vogël dhe përmblidhet përafërsisht në këto punime: “1. G. Valentini. Il manoscritto ASHB 1167 della Laurenziana. Shpirti Shqiptar. Torino. Viti I, nr. 3, janar – mars 1955, f. 15-23; 2. Willy Kamsi, “Dorëshkrimi ASHB 1167 i Laurencianes” në revistën:  Phoenix. Shkodër. 1999, nr. 9/1, artikulli 3; që është përkthim i studimit të G. Valentinit të cituar më lart; 3. Namik Resuli, I piu antichi testi albanesi. Shpirti Shqiptar. Torino. Viti I, nr. 2, tetor – dhjetor 1954, f. 13-14, referenca nr. 1; 4. Aurel Plasari, Mbi Skenderbeun “mbret” sipas Ashburnhamit. Gazeta55. Tiranë, 9 mars 2003, f. 12-13; 5. Musa Ahmeti. Ja dokumenti që sfidon Formulën e Pagëzimti. Ballkan. Tiranë. 21 shkurt 2004, viti III, nr. 2732 /6232/, f. 29; 6. i njëjti: Pal Engjëll, personalitet i madh i kohës së Skënderbeut. /Monumenta albanica/. Ekskluzive. Prishitnë. Qershor 2003, nr. 38, f. 84-87.” Përkundër faktit, se autorët e lartëcekur, në disa raste edhe ndonjë tjetër, kanë provuar të merren me përmbajtjen e Kodikut, ajo është me plotë mangësi, pasaktësi dhe lëshime. Duke dashur që kjo rrëmujë të jetë sa më e vogël, ne fillimish po përshkruajmë fizikisht Kodikun e Pal Engjëllit, për të vazhduar pastaj dhe sipas lëndës, duke ndjekur metodat më bashkëkohore-kritike për raste të tilla. 

Kodiku ka kopertina të forta lëkure, ngjyrë kafe. Të dy kopertinat kanë dekorime floreale që janë karakteristika të kohës. Në kurriz të kodikut ka të shënuar numrin: 1167 /lartë/ dhe 1167 /poshtë në një etiketë të kuqe, që është zverdhur nga koha/. Sapo e hap kopertinën ka këto shënime: fillimisht është një letër e bardhë në të cilën janë të shënuara nga e majta, lart: 7/; [ky numër është shënuar me laps plumbi] pak më poshtë: 40, [ky numër është shenuar  me pendë, me ngjyrë kafe]; menjëherë në vazhdim: C. L. 1167 [është e shkruar me laps plumbi]; më poshtë është e shënuar: Durrazzo–Codel Geul [është e shkruar me laps plumbi]. Në faqen në vazhdim, që i bie faqja e parë është e shënuar, lart në të majtë me laps plumbi: 1167, ndërsa më poshtë, në të djathtë: me pendë, ngjyrë e zezë: Laur. Ashb. 1167 dhe menjëherë poshtë këtij shënimi është një vulë e rrumbullakët me ngjyrë të kuqe e Bibliotekës së Laurencianës; krejt poshtë, në të djathtë është shënuar numri një [I] romak. Faqja në vijim nuk ka asnjë shenjë, është krejt e pastër. Paginimi fillon me numrin 1, dhe faqja është në pergamen. Në f. 1r lart në të majtë është shënuar me pendë me ngjyrë të zezë: Laur. Ashb. 1167. Fjala Ashb. është e nënvizuar me dy vija me ngjyrë të zezë me pendë. Poshtë është vula e rrumbullakët e vogël e bibliotekës së Laurencianës, në vazhdim f. 1v, nuk ka asgjë, është e pastër.

Dimensionet e dorëshkrimit janë 14.2 x  21.8 cm. Trashësia e dorëshkrimit është 1 cm, ndërsa dimensionet e tekstit të shkruar në pergamen janë: 9.2 x 15. cm. Në f. 2r, fillon dorëshkrimi i Kodikut me: “Paulis Angelus, Miseratione divina…” dhe poshtë në të majtë, ka vulën e Bibliotekës së Laurencianës dhe përfundon në f. 37r, përfundon dorëshkrimi me fjalët: “Quatro Jdus Martij Imperij uero nŕi Anno Decimo.”

Në f. 33r ka një vulë të biliotekës së Laurencianës, të rrumbullakët, me ngjyrë të kuqe, në të majtë, poshtë tekstit, po ashtu në f. 37r ka një tjetër vulë të biliotekës së Laurencianës, të njëjtë me atë të f. 33r, po ashtu poshtë tekstit. Në të djathtë të vulës është shënuar numri: 216601, me laps plumbi. Në vijim faqet: 37v, 38r, 38v, 39r, 39v, 40r, 40v, janë krejt të pastra pa asnjë shënim, derisa në f. 40v ka një vulë të bibliotekës së Laurencianës, në të majtë poshtë. Faqja në vijim e cila është letër e bardhë e thjeshtë, në të djathtë, poshtë ka të shënuar: Ashb. 1167; poshtë nën këtë shënim ka të shënuar: constat ff. 40r-v. Poshtë numrit 40r-v është hequr një vijë me pendë me ngjyrë të zezë. Faqja në vijim ka vetëm një rrumbullak të bërë me pendë me ngjyrë të zezë, në mes të faqes. Kjo faqe është letër e thjeshtë e bardhë, por e zverdhur nga koha. Faqja e kopertinës, e cila është prej letre të thjeshtë të bardhë dhe e zverdhur nga koha, ka një dëmtim në të djathtë, poshtë. Lart, në të majtë, me laps plumbi ka të shënuar: 007; L 3 13.6; poshtë këtyre numrave është tërhequr një vijë me laps plumbi; menjëherë poshtë ka këtë shenim: 3/ II/ 32, me laps plumbi poshtë, është tërhequr një vijë, dhe menjëherë poshtë ka këtë shënim: (279), me laps plumbi e vënë në kllapa. Pak më djathtas këtij shenimi, me laps plumbi është shënuar grafema: “k” me një vijë të drejtë, të shkurtër. Faqet: 3r-v, 20r-v, 26r-v, 31r-v, 36r-v, janë pergamen më i trashë se sa faqet e tjera, të cilat janë fine dhe më të holla. Ndërsa f. 20v, është e shkruar nga një dorë tjetër, përderisa në f. 33r, rreshti i fundit, është shkruar me dorë tjetër nga ajo e tërë dorëshkrimi dhe është dorë tjetër edhe nga f. 20v. Dorëshkrimi i Kodikut është në gjendje shumë të mirë, përveç f. 5r-v, e cila është e dëmtuar në fund, djathtas, dhe i është shqyer një copë e vogël me dimensione: 8 x 9 mm. 

Në vazhdim po japin titullin për secilin dokument veç e veç të përkthyer nga origjinali në gjuhën shqipe. Kur nuk ka titull, japim fillimin e dokumentit ose rreshtin e parë dhe në kllapa katrore sjellimin formën e citimeve të bëra nga autorët shqiptarë deri me tani].

  1. f. 2r-11r, Pal Engjelli kryeipeshkv i Durrësit dhe i krahinës së Ilirisë falë mëshirës hyjnore, në kujtim të përhershëm të çështjes. Në këtë dokument gjendet edhe Formula e pagëzimit, në fillim të f. 4r. [Vendimet, urdhëresat dhe rregulloret e Kuvendit të Matit të shpallura nga Pal Ëngjëlli më 8 nëntor 1462 dhe Çështje të liturgjisë kishtare nga Pal Ëngjëlli].
  2. f. 11r-13r, Nga libri  i artë i lashtësive të arkivit të qytetit të Durrësit. [Fragmente nga “Libri i Artë i Lashtësive” i arkivit të qytetit të Durrësit, që nga antika ilire].
  3. f. 13r-v, Përveç kësaj kemi shtesën e bërë me urdhërin e shumë të nderuarit dhe shumë të ndriturit kardinalit të kishës së shenjtë romake dhe kryeipeshkvit të Durrësit, zotërisë, zot Pal Engjëllit në vitin e mishërimit të Zotit më 18 dhjetor 1463. [Asnjë nga autorët e cekur nuk e shënon titullin e këtij dokumenti].
  4. f. 13v-20r, Dekret i përgjithshëm i shenjtërisë, zotit tonë papës Piu II, papë për provani hyjnore, i lëshuar me kërkesën e shumë të nderuarit dhe shumë të ndriturit kardinalit të Kishës së Shenjtë Romane dhe zotit kryeipeshkëv të Durrësit, zotit Pal Engjëllit dhe kundër sektit Muhamedan dhe në të mirë të mbretit të pathyeshëm të Arbërisë, zotit Skenderbe, kushëririt të shumë të ndriturit zotit Pal dhe sikurse duket sheshit nga vula e vënë poshtë. [Bula papale e Piut II,  lëshuar në Romë, më 4 nëntor 1463 që i është drejtuar “kardinalit” (?) të Durrësit Pal Ëngjëllit; në po të njëjtin dokument Skenderbeu quhet “mbret i pamposhtur i Arbërisë” (?)].
  5. f. 20v, Në arkivin e qytetit Driadens që sot quhet Drisht gjendet në rubrikën X, në faqe C, të Librit të Artë të burrave të shquar të Lashtësisë të vitit 841 prej themelimit të Romës, d.m.th. në 5 të kalendave të majit (27 prilll). [Ekstrakt (me shkroja gotike) prej “Librit të Artë të Lashtësive të burrave të ndritshëm” i Arkivit të qytetit të Drîshtit, në lidhje me nji rrasë guri e cila qe gjetë aty në kohën e njifarë Filip Engjëllit dukë i Drîshtit, e cila e ngjitte familjen e Engjëllorëve te viti 841 i Romës dhe te familjet perandorake romake nëpër njifarë Isak Engjëllit dukë e kont i Drîshtit, bir i Palit patric e vëlla i Pal Emilit konsull (!). Këtë shënime e ka vetëm N. Resuli].
  6. f. 21r-22r, Privilegj apo konfirmim i privilegjeve të zotërve kontë të qytetit të Drishtit. [Fragment nga kronika e: “Librit të Artë të lashtësisve të burrave të ndritshëm”, nga arkivi i qytetit të Drishtit. Ku kemi dëshminë e Perandorit bizantin Mihail për venomet e qytetit të Drishtit, lëshuar më 25 prill 1292, që bëhet fjalë për M. Engjëllin që ishte kont i Drishtit, dhe birit të tij Ndreut si trashëgimtar].
  7. f. 22v-25r, Konventat dhe paktet e bëra me zotin Françesk Kuirinon nga bujarët drishtianë që po i nënshtrohen atij nën emrin e shumë të ndriturit zotërimit të Venedikut. [Marrëveshja e Venedikut me bashkësinë e Drishtit më 9 maj 1443, e cila pothuajse në tërsi është e ruajtur edhe në Statutin e Qytetit të Drishtit].
  8. f. 25r-27v, Konventat dhe paktet e bëra midis të ndriturit dhe të fuqishmit dukës, zotit Gjergj Topisë, sunduesit të Durrësit dhe zotit Saracen Dandulit në emër të shumë të ndriturit zotërimit të Venedikut nga kështjella e Durrësit. [Marrëveshja e Gjergj Topisë dhe Anton Venierit, dogj i Venedikut, për dorëzimin e kështjellës së Durrësit, datë 18 gusht 1392. Pjesërisht e botuar edhe në “Acta Albaniae…”  të M. Sufflay, vëll. II].
  9. f. 27v-32r, Mbi breznitë e të ndriturve djem të Isakut patricit e senatorit romak dhe fatet e ndryshme të tij dhe të mbiemrit të tij. [Gjenealogjia e detajuar e Ëngjëllorëve të Drishtit, datuar më 21 nëntor 1460].
  10. f. 32r–v, Bajlit dhe kapitenit të Durrësit. [Një dekret i bailit [kapedanit] të Durrësit për Pal Ëngjëllin, datuar më 3 qershor 1461].
  11. f. 32v-33v, Këshilli me kolegjin, datë 8 qershor 1461. Të nderuarit në Krisht, Atit dhe zotit Pal, me hir të Zotit dhe të Selisë Apostolike kryeipeshkëv i Durrësit, të dashurit mik Paskual Maripetro, me hir të Zotit dogjë i Venedikut etj. [Letër e Pasquale Mariperos, dogji i Venedikut, drejtuar Pal Ëngjëllit më 9 qershor 1461].
  12. f. 33v-34v, Besim për veprimet që bëri shumë i nderuari dhe shumë i ndrituri kardinali i kishës së shenjtë romane Pal Engjëlli, kryeipeshkëv i Durrësit për nder të fesë së krishterë dhe të shumë të ndriturit zotërimit të Venedikut me shpenzimet e veta personale. [Letër e Gabriel Trevizanit, dogj i Venendikut drejtuar Pal Ëngjëllit, datuar më 25 korrik 1465, në Tivar. Edhe këtu e gjemë të shënuar Pal Ëngjëllin si “Kardinal”. (?) Këtu bëhet fjalë për pajtimin e Skenderbeut me Lekë Dukagjinin].
  13. f. 34v-35v, Zotimet që shumë i shkëlqyeri Këshilli i të Dhjetëve i bën të lartit zot Lekë Spanit, për t’i dhënë atij dhe trashëgimtarëve të tij 400 dukatë në vit nga provizioni. [Vendim i Këshillit të të Dhjetëve të Venedikut për një provizion për Lekë Spanin. Fillimisht datohet më: 4 janar 1470, pastaj ka edhe datime të mëvonshme si: 1484, 1495 dhe 1503].
  14. f. 35v, Më datë 27 qershor 1484 në Këshillin e të Dhjetëve u mor vendim që të gjitha zotimet e bëra për marrjen e qyteteve të provincës së Shqipërisë të respektohen në të gjitha detajet etj. [Asnjë nga autorët e cekur nuk e shënon titullin e këtij dokumenti].
  15. f. 36r-37r, Atit e zotit të shenjtë në Krisht, zotit Celestin III, papë me hirin e zotit dhe të kishës së shenjtë romane. Isak Engjëlli, perandor i Konstantinopojes dhe gjithmonë cezar august i gatshëm për nderim me çdo nënshtrim etj. [Letër e perandorit bizantin Isak Ëngjëllit drejtuar, papë Çelestinit më 14 mars 1194].

Përkundër faktit se autorët që kanë shkruar për këtë Kodik, janë emra të njohur në fushat e historisë dhe albanologjisë, të gjithë pa përjashtim kanë bërë gabimet më elementare duke ngatërruar faqet e dokumentave, duke mos dhënë titujt e saktë, duke i dhënë abstrakte në vend të titujve dhe duke i renditur ato në forma të ndryshme. Edhepse ne disponojmë të dhëna të sakta se dorëshkrimin origjinal disa nga ata e kanë shfrytëzuar në Bibliotekën Laureziana të Firencës, [si: N. Resuli, W. Kamsi, M. Ahmeti], përsëri ka gabime. Një gjë e tillë nuk duhej t’u ndodhte, për vetë rëndësinë e që ka Kodiku, sepse në këtë mënyrë kanë ngatërruar më shumë edhe të tjerët që kanë cituar ata.

Nikolae Jorga duke bërë kërkime shkencore në bibliotekën Laurentiana të Firencës, në vitin 1915, zbuloi dorëshkrimin e Kodikut të Pal Engjëllit, Ashb. 1167, i cili është i shhkruar i tëri në pergamen dhe ka 37 fletë [74 faqe]. Në këtë kodik, ruhen 15 dokumenta të ndryshme, ndër to edhe e ashtuquajtura “Formula e Pagëzimti”, të cilën ai e botoi në veprën e tij: “Notes et extratis pour servir a l’Histoire des Croisades au XVe Siècle. Quatrième série (1453-1476). [Academia Român. Publicaţiunile Fondului “Princesa Alina Ştirbei” No. IX]. Bucarest, 1915. 

Po kush është zbuluesi i këtij Kodiku? Nikolae Jorga lindi në vitin 1871, ishte historian, shkrimtar publicist, politikan, akademik, profesor i Universitetit të Bukureshtit dhe i disa akademive dhe Instituteve të ndryshme të historisë. Si specialist i formuar punonte në shumë gjuhë të huaja si në latinisht, në greqishten e vjetër, frëngjisht, italisht, gjermanisht, spanjisht, portugalisht, aglisht, suedisht, danisht, holandisht dhe sllavisht. Gjatë veprimtarisë së tij shkencore burimeve arkivore në arkivat e bibliotekave të Prespës, Munihut, Nurenmbergut, Insbrukut, Venedikut, Milanos, Firences, Dubrovnikut, Barcelonës, Parisit, Gjenovës, etj. Krijimtaria e tij e jashtëzakonshme përfshin rreth 1.250 vëllime qoftë si autor ose si editor dhe mbi 25.000 artikuj shkencorë. Sipas një përllogaritje të thjeshtë matematikore, gjatë 69 vjetëve të jetës së tij, N. Jorga ka shkruar gjithsejt 26.350 zëra bibliografikë. Nëse llogarisim se ka shkruar që në moshën 18 vjeçare, kemi një rezultat të çuditshëm, sepse del që N. Jogra ka shkruar 430 zëra bibliografikë, /punime, studime ose libra/ në vit. Këto të thëna edhe pse në dukje të parë të pabesueshme i gjemë në të gjitha enciklopeditë dhe biografitë e N. Jorgës. Si pasojë e botëkuptimeve antifashiste vritet nga legjionarët më 1940, në një pyll afër Plojeshtit, duke mos arritur të përfundojë shumë projekte dhe dorëshkrime nga fusha të ndryshme.

Filed Under: Histori Tagged With: Etleva Lala

27 vite dhimbje e mall nga gjenocidi i Srebrenicës

July 11, 2022 by s p

Albin Kurti/

Kur Raphael Lemkin në librin e tij “Axis Rule in Occupied Europe” kishte përdorur termin GJENOCID për herë të parë, dyshoj të ketë konsideruar mundësinë e diskrepancës mes aspektit teorik dhe praktik të termit.

Dyshoj shumë që kur Lemkin ka folur për gjenocidin, të ketë menduar që dikush në shekullin 21 do të arrijë të ndërtojë një narrativë të tërë diskutimi bazuar në mohimin e gjenocidit.

Gjenocidi si fjalë nuk është zbuluar për t’u mohuar. Por për të potencuar egërsinë dhe johumanitetin e krimeve që shkojnë përtej asaj që termet si krime lufte e krime kundër njerëzimit përfshijnë.

Ende sot, gjenocidi nënkupton ndërmarrjen e veprimeve me qëllim të shkatërrimit (të plotë ose të pjesshëm) të grupeve në aspektin kombëtar, etnik, racor ose fetar.

E çka ka ndodhur në Srebrenicë para 27 viteve nuk është asgjë më pak se gjenocid. Asgjë më pak se shënjestrim i qëllimshëm i viktimave për shkak të ekzistencës së tyre.

Dëmi i shkaktuar nga gjenocidi i Srebrenicës është i shumëfishtë. Ai shkon përtej 8.273 burrave dhe djemve të vrarë. Përtej 30 mijë fëmijëve e pleqve të abuzuar e të shpërngulur me dhunë. Dëmi i shkaktuar transferohet secilin vit te dhimbja e nënave. Lotët e motrave. Traumat e përjetuara. Vuajtjet e pakontrolluara.

Dëmi i shkaktuar nga gjenocidi nuk mund të riparohet. Por ai mund të njihet duke u pranuar. E në kohën kur jetojmë ne, viktimave u vendoset kripë në plagë secilën ditë kur gjenocidi i Srebrenicës mohohet paturpshëm nga Serbia.

Kur roli i atij agresioni të tmerrshëm minimizohet deri në pafundësi.

Kur organet që do të duhej të dilnin e të kërkonin falje me përulje, dalin e paturpësisht mohojnë ekzistencën e gjenocidit.

Në kohëra si këto, duhet të kujtojmë që hapi i parë i përsëritjes së gjenocidit është mohimi. Andaj duhet të jemi të vëmendshëm e të zëshëm në përkujtimin tonë dhe kërkesat tona për njohje dhe përulësi ndaj një prej gjenocideve më makabre të ndodhur në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore.

Filed Under: Politike

LUAN KALANA : NUK DO TE RRESHT SE SHKRUARI PER SHQIPERINE DHE SHQIPTARET

July 11, 2022 by s p

Intervistoi: Fadil Shehu/

Shpesh herë rriktheheni në retrospektivën e viteve të fëmijërisë suaj.Si do i kujtonit ato në këto momente?

Padyshim me nostalgji. Ah sikur të ktheheshin edhe një herë. Fëmijëria është çiltërsi pa komplekse”tabula rasa”, një shprehje kjo latine ku fëmijëria është e pastër në karakter. Kurrë nuk kam reshtur së shkruari për botën e pasur të fëmijëve. Sapo kam shkruar një tufë vjersha si lule të freskëta të përhershme. Aty janë krijimet për fëmijërinë e sotme, sepse fëmijëria jonë e dikurshme as që mund ta imagjinojnë i duken si përalla.

Qysh në bangat e shkollës më shumë pasion gërmëzonit, shkruanit vargjet e para poetike .Ishte ky një pasion i lindur apo diçka nga tradita juaj familjare?

Dashuria ime për të lexuar dhe më pas për të shkruar, lindën dhe u rritën brënda meje në ecurinë e viteve.

Në vitet studentore për gjuhë-letërsi, e mendonit që kishit bërë zgjedhjen e duhur për të nesërmen e jetës suaj?

Në fillim kisha dëshirë për tu bërë aktor. Për çudi më pas me trysninë e mbështetjen e shokëve, kolegëve vazhdova për letërsi.

Dhe vjen një ditë… Një lloto amerikane ju jep të drejtën e shtegëtimit tuaj familjarisht për në Amerikë. Si u ndjetë kur pas kishit lënë të afërmit tuaj, miq e shokë …shqipërinë.?

E pa përshkuar, emocione. Krahas gëzimit, keqardhje, pasi po linim një pjesë të jetës, zemrës sonë, prindërit, motrat, vëllezërit, shokët, por edhe ndërprerjen e mësimit me nxënësit…po linim shqipërinë. Na u krijua ndjesi e veçantë….sa shumë e paskemi dashur Atdheun. E dhimbëshme dhe për faktin që ishte viti i zi i 97-tës,ikëm nga “lufta” imagjinare, mes plumbave… .më mirë mos ti zëmë në gojë.

Sa e vështirë ishte për ju fillimi i integrimit në jetën amerikane?

Vështirë është një fjalë që mund të thuash, por ta imagjinosh veten është si të thuash ti biesh murit me kokë. Përpara kishim një botë tjetër. Pa patur para dhe memec, pasi nuk dinim gjuhën.

Si do i vlerësonit mardhëniet me krijues e kolegë tuaj në Shqipëri dhe këtu në Amerikë?

Doja të thoshja miqësitë e hershme por edhe këto të krijuar këtu në Amerikë janë forcuar e zgjeruar dhe më shumë nga ana profesionale si krijues,. Padyshim këtu kanë ndikuar në veçanti krijimet cilësore të mirëpritura nga krijues në shqipëri me Dritero Agolli, Agim Shehu,Albert Zholi,Skënder Rusi,Petrit Ruka,Skender Demolli…një listë e gjatë emrash që i kujtoj shpesh. Ndërkohë një botë e re letrare këtu në Amerikë me shkrimtarë të njohur Agim Bacelli, prof,Vangjush Ziko,Merita Bajraktari, Ermira babamusta, Lida Lazaj,Kostaq Duka, Rajmonda Moisiu, Thani Naqe,e deri më të rinjtë Iris Halili,Gëzim Buna etj. Ndërkoh lidhje shumë të frutshme mund të konsideroj ato me krijues amerikanë, ku do të veçoja shkrimtarin prof.Bob Graham, drejtuesen e bibliotekës me të madhe këtu në Florida shkrimtaren e njhour Patricha Ann e të tjerë.

Kohët e fundit jeni njohur me shkrimtaren amerikane Carolyn Collett, vlerësusar si shkrimtarja më mirë e vitit të kaluar në Amerikë. Si erdhi kjo njohje?

Faleminderit për këtë pyetje ardhur në kohën e momentin e duhur. Me autoren në fjalë u njoha në një seminar letërsie këtu në Florida, ku gjatë pushimit, ajo u njjoh me disa krijues, midis tyre dhe unë. Më pas në tavolinën ku unë isha ulur ajo vjen me librin e saj të fundit në dorë, duke më thënë : urdhëro librin tim. Në fund të seminarit folëm së bashku ku ajo u njoh më shumë me krijimet e mia dhe letërinë shqiptare.Tashmë ne komunikojmë me njeri tjetrin për promovime të tjera.Jemi miq.

Shpesh shkruani poezi,novela, tregime, dhe skica. Në cilën prej tyre ndjehni më mirë?

Padyshim gjinia që lëvroj më tepër është proza, me të cilën ndjehem si në shtëpinë time. Krahas përkushtimit ndaj këtyre gjinive shkruar në harkun e 30 viteve në amerikë, ku kam botuar më se nëntë libra. Njëherësh kam synuar të ndërmarë një pozicion disi më të gjërë, duke qenë ideator, bashkëautor dhe redaktor i pesë antologjive poetike kombëtare botuar nën kujdesin e shoqatës “Jehona Shqiptare”me drejtuese poeten Zamira Korançe dhe presidente “Nder i kombit” Margarita Xhepa. Në faqet e këtyre antologjive përfshihet krijimtaria e njëqind krijuesve nga Shqipëria dhe diaspora.

Nga cila momente priret më shumë krijimtaria juaj?

Kudo dhe kurdoherë mundohem të jem me “këmbë në tokë”. Në çdo çast shkruaj frymëzime të momentit kujtime, mbresa në rrugëtimin e jetës dhe krijimtarisë time, përherë me vizionin e së ardhmes dhe kohës që përjetojmë aktualisht.

Sa e rëndësishme ka qenë vëndlindja dhe treva e Devollit në krijimtarinë tuaj?

Aty në rrënjët e kësaj vëndlindje, lindi e hodhi shtat Muza ime letrare. Në buronjat e natyrën e saj u rrit pasioni im si krijues, u formua profesioni im si mësues letërsie.Sërish,ndonëse larg vëndlindjes, malli ndaj saj troket me shumë dashuri.

Thuhet se më parë jeni dashuruar me artin e skenës, por më pas pasioni juaj mori tjetër kah. Eshtë e vërtetë?

(Buzëqesh lehtë) Po.Gjatë shkollës tetë vjeçare dhe atë të mesme, dallohesha si aktor në festivale teatri ku dhe jam vlerësuar. Më pas u angazhova në teatrin amator të Vishocicës, ku nisi rrugën e përhershme të artit dhe aktorja e njohur Elida Janushi.

Disa prej librave tuaj sot ndodhen në bibliotekën e madhe kombëtare Amerikane në Uashington DC. Ju gëzon ky fakt?

Mendoj se përtej modestisë time, për mua është privilegj dhe krenari njëkohësisht për letërsinë tonë kombëtare, duke qenë pjesë parësore e leteërsisë botërorë.Padyshim që ndjehem krenar, ku dua të falenderoj presidentin e kësaj biblioteke të seksionit për vëndet e lindjes Prof. Grant G.Haris, duke hapur portat dhe për ne krijuesit shqiptar. Nuk dua të harroj kurrësesi përkushtimin e ish senatorit prej dymbëdhjetë vjetësh në shtetin e Floridas, ish guvernatorin e shtetit të Floridas për tetë vite, profesorin e universitettit të Miamit, shkrimtarin e politikanin e njohur, Bob Graham. Kam patur privilegjin që së bashku me të, të promovojmë librat nga anglishtja në shqip .Librat “Mather Tereza” dhe “Albania -Land of Eagle”

Përse u angazhuat me përkthimin e këtyre librave?

Të jesh larg atdheut në mërgim, malli ndaj atdheut është i dyfisht, i pa imagjinueshëm dhe i pa krahasueshëm. Dihet që kur je larg atdheut, malli të merr dhe për gurët e sokakut. Shohim që Shqipëria vitet e fundit ka patur përkrahje jo vetëm nga amerika, duke u njohur gjithnjë e më shumë në botë. Kur ndërmora inisiativën e përkthimit të dy librave të sipër përmëndur, dhe i realizova ato të përkthyera në shqip, jo pak njerëz befasoheshin kur mësonin që Nënë Tereza është shqiptare.

Cfarë është Florida në jetët tuaj ku ju jeni këtu prej më se njëzet vite?

Të jetosh në shtetin e Floridas, në veçanti me familje, është privilegj. Krahasur me shumë shtete këtu në Amerikë, Florida dallohet për klimën e saj të ngrohtë në çdo stinë. Eshtë fakt që në gadishullin e madh të Floridës jetojnë afërsisht njëzet e pesë milionë banorë. Këtu nuk mungojnë resuset turistike dhe natyra, të cilat frymëzojnë mjaftë krijues dhe piktorë.

Jeni veprimtar i disa shoqatave madje në stafin e tyre, sikundër janë shoqatat “Jehona shqiptare”, klubi letrar “Bota e re”, në degën e lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve këtu në Florida. Si ndjeheni që jeni pjesë e tyre?

Përveç kënaqësisë shpirtërore, dhe pjesëmarrjes aktive familjarish t, ka qenë një hobi e imja për obligimin tim si qytetar këtu në mërgim. Nuk ka kënaqesi më të madhe kur mbesa jonë Katerina tani studente në universitet në qytetin e njohur në botë për Disnei Parqet magjik, Orlando, e cila flet shumë bukur shqipen, të njihet si valltare dhe balerinë dance e grupit të sukseshëm të valleve “Shqiponjat” në Clearwatër.

Përtej vlerësimeve të nga marra nga klube letrare, Shoqata , Revista…kohët e fundit jeni nderuar nga Shoqata kulturore e shqiptarëve në Rumani me çmimim prestigjioz “Nder i Kombit”. Ju lumturon ky vlerësim?

Nuk e prisja një vlerësim të tillë. Për mua ajo çka është më shumë e rëndësishme, qëndron në faktin që në çdo kohë shkruaj krijime letrare për shqipërinë dhe shqiptarët. U jam mirënjohës për vlerësimin ndaj meje.

Me se po merrerni aktualisht?

E rëndësisshme është që nuk mund të rri dot pa e “vrarë” kohën e lirë. Jam në përfundim të dy librave të rinj, të cilët më pas do jenë në planet e mia për ti botuar.Kurrësesi nuk e vlerësoj veten krijues i madh apo i sukseshëm. Por një gjë bëj mirë. Për çdo ditë shkruaj dhe nuk do të rresht së shkruari duke qenë maratonist i letrave në mërgim.Zoti i bekoftë shqiptarët.

Ju uroj shëndet dhe krijimtari të mbarë.

Faleminderit juve për vlerësimin tim si krijues, duke ofruar kohën tuaj të çmuar.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2168
  • 2169
  • 2170
  • 2171
  • 2172
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT