• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pesë veprat që u botuan në Zarë të Kroacisë

July 8, 2022 by s p

Shqiptarët e Zarës/

Janë krijues të shquar të kulturës dhe letërsisë shqiptare ata që krijimet e tyre i bënë në formë libri në Zarë. Ndër ata që do t’i përmendim janë edhe mësues të gjuhës shqipe, të cilët ishin caktuar të ligjëronin gjuhën e tyre shtesë, për nxënësit shqiptarë atje. Mbase edhe ajo largësi nga vendlindja ua nxiti edhe më fantazinë krijuese dhe përmallimin atdhetar. Janë të ditura më se pesë vepra, të cilat janë botuar mbase edhe shkruar në Zarë.

Pashk Bardhi (1870-1947) nga Shkodra, mësues i gjuhës shqipe, gjuhëtar dhe leksikograf, e kishte shkruar me pasionin e një studiuesi një vepër, për të cilën fitoi njohur për së afërmi. Kështu kishte bërë një studim të rëndësishëm, me përkushtim, për këtë të folme arbneshe. Puna e tij u kurorëzua me botimin e veprës studimore “Gjuha shqype e arbëneshvet në Zarë”, (Zadar,1905). Ai, ngase jepte mësim në Shkollën Normale të Zarës, mblodhi edhe gojëdhëna e fjalë të rralla në këtë mes, të cilat i botoi në të përkohshmet “Ylli i dritës” dhe “Albania”, por këto materiale ishin edhe materiale plotësuese për “Fjalorin e ‘Bashkimit’”. Këtu, mbase për herë të parë u panë dhe u evidencuan lashtogjuha e këtij grupi shqiptarësh, të cilët të folmen gegërishte të veriut të Shqipërisë e kishin konservuar në mënyrën më të saktë, vetëm nga pamundësia për të komunikuar më me atdheun e tyre dhe me ndryshimet që kishte pësuar gjuha shqipe atje. Vdiq në vendlindje.

Gjergj Fishta (1871-1940) nga Shkodra, poeti i epikës kombëtare dhe atdhetari i dëshmuar, dy herë u dëshmua si autor i botimit të veprave letrare atje. Së pari ai botoi vetëm një pjesë nga vepra e tij kapitale “Lahuta e Malcis”, titulluar “Te ura e Rrzhanicës”, madje dy herë radhazi, (Zadar,1905 dhe 1907) ishte e para, dhe tjetra, po e Gjergj Fishtës, “Pika voëset”, (Zadar, 1909). Ai asnjëherë dhe në asnjë vend nuk e ndaloi veprimtarinë atdhetare dhe krijuese. Vdiq në Shkodër.

Kostandin Kotte (1889-1950) nga Korça, është intelektuali tjetër, e kishte dëshmuar talentin krijues letrar me botimin e një drame, “Shpërblimi i gjaksís”, pjesë në tri akte (Zadar, 1929). Ai ishte marrë me aktivitete politike e pushtetore. Kishte migruar për njëfarë kohe jashtë atdheut, pas pushtimit të Italisë fashiste. Pasi dorëzohet në Shqipëri, burgoset dhe vdes në burgun e Burrelit.

Ernest Koliqi (1903-1975) nga Shkodra, shkrimtari e studiuesi i shquar i letërsisë shqipe, si dhe i përkushtuari për arsimimin e shqiptarëve, në trojet shqiptare si dhe jashtë saj, botoi veprën e vlerave të rralla artistike “Hija e maleve”, (Zadar, 1929). Ai edhe para kësaj e kishte botuar një vepër në Tiranë, “Kushtrimi i Skënderbeut”, më 1924. Edhe në Itali, ku kishte jetuar pjesën e dytë të jetës, kishte qenë profesor i gjuhës e letërsisë shqipe në universitete prestigjioze atje. Vdiq në Romë.

Shtjefën Konstantin Gjeçovi-Kryeziu (1874-1929) nga Janjeva, njeriu i shumësisë së aftësive intelektuale dhe artistike, ngase njihet edhe si arkeolog, folklorist, dramaturg, poet, etj., kudo që u gjend u aktivizua në mbledhjen e materialeve nga arkeologjia shqiptare, krijoi vepra letrare përherë me theks kombëtar si dhe luftoi me çdo mjet kundër shkombëtarizimit të shqiptarëve, si në Zarë, Pejë, Rubik, Laç e vende të tjera, ku kreu shërbimin e meshtarit.. Në Zarë ai ishte në detyrën e mësuesit të gjuhës shqipe, ku e kishte shkruar po këtu një nga dramat e shumta të tij më temë atdhetare, “Tradhti gjaksore (vrasja e Marka Kulit)”, dhe atë në vitin 1906. mu për shkak të veprimtarisë atdhetare, ai u vra nga serbomëdhenjtë në Zym të Hasit.

Filed Under: Histori

Duke lexuar Senekën – Një mësim për lumturinë

July 8, 2022 by s p

Luan Rama/

La vie heureuse ! Jeta e lumtur ! Në gjithë botën njerëzit duan të jenë të lumtur dhe e kërkojnë atë por lumturia ka gjithnjë një çmim. Lumturia është diçka që i përket shpirtit dhe jo botës materiale. Shumë filozofë që në mugëtirat e kohrave kanë shkruar për lumturinë por duket se thënia e Senekë, bashkëkohës i Ciceronit, Diogjenit dhe stoikëve të tjerë është më i sakti. Mjafton që mes veprave të tij të veçojmë dy traktatet e tij De Vita Beata (Jeta e lumtur) dhe De Brevietate Vitae (Jeta efemere) për të kuptuar se karakteri njerëzor ka mbetur po ai. Ja pse dhe mitet antike, të antikitetit grek e romak ashtu si dhe mitet e botës sonë antike mbijetojnë dhe i ndeshim shpesh në jetën tonë të përditëshme ku jo rrallë ndeshemi me sozitë e Edipit, Orestit, Andromakës, Kasandrës, Circes, Orfeut, Eumenideve e shumë të tjerë. Duket se asgjë nuk ka lëvizur në shoqërinë njerëzore që prej më shumë se dy-tre mijëvjeçarë. Po ata të nënshtruar, uzurpatorë, tregëtarë flamujsh, mashtrues, mbretër e perandorë dhe nxitës të luftrave. Këto dy traktate të Senekës janë padyshim mësimi më i mirë për të kuptuar botën e njeriut : « Kush nuk dëshiron të jetë i lumtur ? – pyet Seneka, – por kur duhet përcaktuar se çfarë e bën njeriun të lumtur, të gjithë nuk arrijnë të thonë të njëjtën gjë dhe humbasin në gjykimet e tyre. » Për Senekën, të jesh i lumtur do të thotë ti adoptohesh natyrës, të pranosh ligjin e natyrës dhe shëmbullin e saj. Jeta e lumtur nuk është veçse një përshtatje me natyrën. Por siç e dijmë, shpesh njeriu detyrohet të nënshtrohet dhe të bëhet instrument apo vegël në luftrat e princave apo prijësve për pushtet. « Një nga detyrat e para për të qenë i lumtur, – shkruan Seneka – është të mos ndjekim të tjerët si puna e dhenve, pra e tufës që nuk shkojnë atje ku duhet por thjeshtë aty ku shkojnë të tjerët. Pasi s’ka mjerim më të madh se sa të qëndrosh konform i asaj që thuhet në publik, duke menduar se zgjidhja më e mirë është ajo që ka bërë shumica. Kjo do të thotë të jetosh jo me arësye por sipas frymës së imitimit. Dhe kështu njerëzit nxitojnë njëri pas tjetrit në rrëmujë. Dhe ndodh që me turmën e kapur në makth njerëzit të shtypen, pasi ai që bie tërheq me vete të tjerët.” A nuk e gjejmë këtë shëmbull në jetën tone, në sheshet tona dhe ato të botës ku turma i ngjan një demi që i tund para hundës shaminë e kuqe…

Këto dy traktate janë padyshim jo vetëm rezultat i përvojës njerëzore por dhe i kurajos për tu kërkuar njerëzve që të mos shkojnë qorrazi në jetën e tyre, duke ndjekur turmat. Dhe dihet, ka qenë gjithnjë turma e cila jo rrallë ka qënë shkatërruese. Dhe Seneka shkruan sërish: “Ne shërohemi (dhe shkojmë drejt lumturisë) veçse nëse dallohemi nga uniformiteti (“Sanabibur, si medo separerum a coetu”).

Jeta është e shkurtër, thotë Seneka, diçka që e dimë të gjithë por që shpesh e harrojmë duke patur ndjesinë e përjetësisë. Aq më shumë pushtetarët, të djeshëm e të sotëm. Edhe kur kthehemi nga varrezat dhe kthjellohemi për një çast lidhur me ekzistencën tonë, ne përsëri e harrojmë që jemi të vdekshëm dhe çdo çast që jetojmë është jo më e tashme, por e kaluar. Ne nxitojmë drejt kohës që mbaron për secilin nga ne. “Njeriu që rend drejt bollëkut dhe voluptetit apo lavdisë kujton që jeton në botën e virtutit, por kjo nuk ndodh kur je në moshë të thyer apo i sëmurë, pasi ndërkohë e kupton që gjithë kjo rendje është diçka e kotë…” Ç’thonë vallë njerëzit e pangopur nga pasuria në fundin e jetës së tyre, atëherë kur drita po shuhet dhe mbi ta ?

Lexon Senekën dhe e kupton se ajo që e bën njeriun të lumtur nuk janë shkëlqimet, narcizmi, kamja, pasuria, pushteti që të nxit për më shumë pushtet por pasuria shpirtërore. “Kur natyra do ta shuajë frymën time, – shkruan Seneka, – unë do iki nga kjo botë me ndërgjegjen se kam dashur të kem një ndërgjegje të pastër, ajo e interesave të ndershme dhe se liria e të tjerëve nuk është cunguar aspak për fajin tim.” Dhe më tutje ai shton diçka dhe mbi atë shtresë të caktuar të të diturve, elitës, letrarëve dhe shkencëtarëve, se “filozofi apo njeriu i ditur mund të kenë pasuri por kur kjo nuk i është marrë një tjetri dhe nuk është njollosur nga gjaku i tjetrit. Ajo mund të fitohet pa bërë padrejtësira ndaj dikujt dhe pa përfitime të mbrapshta…” Ai, filozofi, njeriu i ditur, mund tu japë njerëzve të tjerë nga ajo që ai ka, që ata të bëhen dikush… t’ua japë njerëzve më të denjë, për motive të drejta dhe të kuptueshme. Natyra më urdhëron që të jem i nevojshëm për njerëzit e lirë apo skllevërit kudo qofshin ata. Kudo ku ka një njeri, ka vend për të dhuruar dhe qenë solidar…”

Ja pse për Senekën që të jesh i lumtur do të thotë të jesh i drejtë dhe solidar e akoma më e rëndësishme për njerëzit që luftojnë për drejtësinë dhe kur vetë ata mund të cënohen, blasfemohen, të burgosen apo të vriten. Të jesh i lumtur për Senekën do të thotë të jesh bujar dhe akoma më e rëndësishme të jesh njeri me karakter: të mbrosh dinjitetin e vetvetes. Duke shkruar për njerëzit që mbrojnë drejtësinë, kur luftojnë për të dhe kur vetë ata mund të cënohen, të burgosen apo të vriten Seneka nuk mungon të sjellë dhe shëmbullin e Sokratit grek për të mbështetur kurajon që duhet të ketë njeriu për të mbrojtur dinjitetin e tij. “Nga ai burg që e kishte shenjtëruar atë dhe e kishte bërë akoma më të nderuar se gjithë paria e qytetit, Sokrati proklamonte: “Cila është ajo çmenduri, cili është ai instinkt armiqësor i hyjnive dhe i njerëzve që të shpifë kundër virtutit dhe gjërave të shenjta përmes fjalimeve të poshtra. Nëse doni, ju njerëz mund ti lëvdoni ata, në mos, o njerëz të mirë hidhuni njëri kundër tjetrit, pasi nëse prrallisni dhe ju kundër qiellit unë nuk them se po bëni një sakrilegj por thjesht po humbni kohën tuaj. Edhe unë dikur i dhashë shkas Aristofanit për të bërë shakara. Gjithë klika e poetëve komikë prrallisën kundër meje duke thënë nga më të këqiat… Por ishte e nevojshme që të më cytnin, harselonin, dhe këtë askush nuk mund ta kuptojë më mirë se ai që e provon këtë dhunë të turmës, pasi asnjë nuk e njeh forcën e sileksit veç atij që e punon atë. Ai tregohet njëlloj ndaj shkëmbenjve të thellësive të detit, ndaj dallgëve që shkojnë e vijnë dhe e godasin, por ato s’mund ta trondisin dhe shkatërrojnë atë. Sulmomëni, bëmëni keq! Unë do të fitoj mbi ju duke ju përballuar. Gjithçka që sulmon mbi një pengesë solide dhe të patundur, forcën e saj e përdor veç për të shkatërruar vetveten…”

Lexon Senekën sot pas dymijëvjetësh dhe kur ai flet për mbrojtjen e dinjitetit të kujtohen gjithë ata që kanë vdekur për dinjitetin e tyre dhe në kohën totalitare. I imagjinoj ata gjithnjë në “undergrand”-in e tyre të zymtë të qelive dhe burgjeve ku të dënuar për fjalën e lirë, e vetmja gjë që i bënte të lumtur ishte ndërgjegja e tyre, ishte ajo që ata nuk e ndoqën turmën por propozuan ide e projekte të reja, të tjera nga ato të liderëve. Ishte ky princip që ata nuk e shkelën dhe që ata e mbrojtën deri në fund. Një princip i lumturisë. Në dukje, gjatë gjithë historisë, shpesh princat shfaqeshin të lumtur, por në thellësi të tyre, etja për pushtet e territore të tjera apo pasuri, i bënte ata mjeranët më të mëdhenj dhe më tragjikët e të gjithë kohrave, njerëz që nuk e gëzuan jetën tokësore. Ishin makthet që nuk i lanë të shijojnë jetën e lumtur për të cilën na flet Seneka i madh.

Le ta lexojmë Senekën për të mësuar diçka për vetveten dhe botën njerëzore. Le ta ndjekim pas atë…

Filed Under: Kulture

Si u shkrua libri i Pashko Vasës “La verite sur l’Albanie et les albanais”

July 8, 2022 by s p

Dr. Hasan Bello/

Pas “Aksionit të Gjakovës” në tetor 1878 Pashko Vasa kërkoi një takim urgjent me ambasadorin e Austro-Hungarisë në Stamboll, kontin Zichy, të cilit i shpjegoi historinë e shqiptarëve dhe arsyet e padrejta për copëtimin e trojeve shqiptare nga Traktati i Shën Stefanit. Konti kërkoi që këto shpjegime ai t`i përpilonte në frëngjisht dhe t`i dorëzonte në trajtën e një promemorie. Kështu u shkrua libri “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët” i cili u botua në vitin 1879. Ai është një rezyme brilante mbi kombin shqiptar dhe trajektoren e tij historike deri në shek.XIX.

Në një kohë rekord ky libër u përkthye në gjuhët kryesore, ku përveç frëngjishtes në të cilën u shkrua “La verite sur l’Albanie et les albanais”, ai u përkthye në anglisht nga Edward S. J. Fairman, The Truth on Albania and the Albanians : historical and critical issues dhe u botua në Londër në vitin 1879 nga National Press Agency.

Një përkthim tjetër ishte ai në gjuhën gjermane dhe botimi i kësaj vepre në Berlin po në vitin 1879.

Më pas me ndihmën e ambasadave austro-hungareze, kolonive shqiptare dhe ambasadave osmane, ai u shpërnda në kancelaritë dhe qytetet kryesore të Europës. Kjo me qëllim për të sensibilizuar opinionin publik të kohës mbi pretendimet e padrejta që shtetet fqinjë kishin ndaj trojeve shqiptare.

Filed Under: ESSE

KURRË S’ËSHTË VONË PËR KRIMIN…DHE PËR DËNIMIN E TIJ…

July 8, 2022 by s p

Visar Zhiti/

Një shtesë: Çfarë tha poeti që pushkatuan, Trifon Xhagjika.

Nuk është faji vetëm i kriminelëve shtetërore, por dhe i shtetit që i do dhe i përdor, dhe i klimës kriminale që lejon shoqeria e tanishme, të ketij lulëzimi të se keqes.

Po flasin vrasësit…

Atëhere po përsëris ç’kam shkruar diku tjetër:

…Revanshi i se kaluares enveriste tashmë është triumfues, s’ka nevojë të maskohet, gjendet kudo, në mendësi e veprime e qendrime, në lidership, në drejtesi, në media. shoqata dhe letërsi. E përsëris shpesh:

“Që ne ndërtojmë demokracinë me armiqtë e saj në krye, ne ‘ndërtojmë’ kapitalizmin me armiqte tradicionale të pronës vetiake, sot oligarkë vrastarë….”.

Sigurimi famëzi i shtetit është hedhur në sulmin final.

Qëndresa është vetanake, deshperuese, intekektuale, por besoj ka të ardhme, aq sa ç’mund të jemi e mundemi… Sipas Sollzhenicin, individi i përgjegjshëm bën me shumë se shoqatat apo kolektive te ndryshme, te caktuara. Edhe poeti Josif Brodsky diku flet per “disidentë të emëruar”, intelektualë të regjimit.

Atëhere të kujtojmë poetin tonë të madhërishëm, Trifon Xhagjika, që po ta kishte një popull tjetër, shtatoret e tij, theniet e tij do të ishin shesheve e rrugëve, shtëpi muze nuk do i bënin dot, se s’ka patur shtëpi të veten. Ai tha në gjyq, kur e dënuan me pushkatim:

ME JEPNI NJË TOP T’I BIE KOMITETIT QENDROR, T’I BIE SISTEMIT TUAJ!

Trifon Xhagjika harrohet me qëllimi, të tjerë dekorohen sot.

Qendresa, siç duket, do të vazhdojë me vetmitarë, duke bashkuar zërat e vetmive tona që vazhdojnë të perndiqen demo(n)kratikisht.

Me besim te e vertefa, te e drejta dhe morali, te kujtesa kolektive, që s’duhet të mposhten…

Po ato duan njeriun e tyre. Klithmën e poetit tonë Trifon Xhagjika. Të mos lihet vetëm, po të veprojë fjala, guximi dhe dashuria e poetit. Bashkarisht. Me drejtësi dhe mirëkuptim njerëzor. Me ëndrrën Euroatlantike për Atdheun…

I thashë shpejt e shpejt këto, se kur duhet të flasësh patjetër, heshtja është e padrejtë…

Filed Under: Kulture Tagged With: Visar Zhiti

FOTO+VIDEO/ 120 minuta para Kryeministrisë, mbyllet pa incidente protesta e opozitës, Berisha: Mesazh shumicës së heshtur të shqiptarëve, bashkohuni

July 7, 2022 by s p

Marre nga : www.balkanweb.com

Link: https://www.balkanweb.com/shqiperia-ne-rrezik-protesta-e-opozites-qytetaret-nisen-nga-rrethet-per-ne-tirane-fotovideo/

07 Korrik, 2022 21:13

Dritat A

Ka zgjatur rreth dy orë protesta e thirrur nga opozita para Kryeministrisë. Qindra qytetarë, mbështetës të opozitës, demokratë janë bashkuar në protestën e thirrur sot nga Fronti Opozitar për shpëtimin e Shqipërisë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Kjo ishte protesta e parë pas rizgjedhjes së Sali Berishës në krye të PD. Në 120 minuta protestë nuk është shënuar asnjë incident dhe pasi Berisha ka mbaruar fjalën e tij, protestuesit janë larguar të qetë.

Në protestë ka pasur mbi 200 persona të caktuar nga PD si “PMT”, Persona për Menaxhimin e Turmës. Në tribunë kanë hipur me radhë aktivistë, pedagogë, artistë etj duke dhënë mesazhet e tyre për gjendjen e vendit dhe largimin e qeverisë.

Me mesazhet kyçe ‘Shqipëria në rrezik’ dhe ‘mos thuaj: ç’më duhet mua?’’, spoti i PD rithekson motivet e protestës dhe kërkon daljen nga apatia shoqërore.

Pamjet nga lart të Bulevardit

Mbyllet pas dy orësh protesta, qytetarët largohen nga Bulevardi
Ora 21 15- Mbyllet protesta e opozitës para Kryeministrisë. Kryetari i PD-së Sali Berisha iu bëri thirrje qytetarëve të heshtur t’i bashkohen protestës. Ai tha se heshta është e imponuar. “Ne u mblodhëm këtu për tu çuar një mesazh shumicës së heshtur të shqiptarëve, burrave dhe grave, djemve dhe vajzave, mjekëve, punëtorëve, juristëve, të gjithë atyre që kanë rënë në heshtje, ngrihuni dhe ju bashkohuni me ne, heshtja është e imponuar. Shqipëria sot ka nevojë më shumë se kurrë për dashurinë tonë, për besimin tonë, ndaj ju ftoj të brohorasim ‘e duam Shqipërinë, të bukurën e dheut, si Shqipëria vend nuk ka, rroftë Shqipëri, Zoti e bekoftë atë!”, tha Berisha

Protestuesit ndriçojnë bulevardin me dritën e telefonit
Ora 21:07- Ndonëse tashmë errësira ka rënë mbi kryeqytet dhe mbi Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, qytetarët që marrin pjesë kanë ndezur të gjithë telefonat.

Drita222
Dritaaaa
Dritat A
Dritaaaaaaaaa
Dritaaaaaaaa
Drita

MESAZHET E PROTESTËS
Ora 20:12- Para protestuesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ka folur edhe pedagogia dhe mbështetësja e kauzave studentore Ilirjana Buçana, e cila i ka bërë thirrje rinisë që të mos largohet nga vendi por të dalë në ballë të betejës me Edi Ramën.
“Çfarë mrekullie të shohësh njerëz kaq frymëzues sa ju. Këtu janë pedagogë, student dhe shqiptarë e vërtetë. A ka njeri këtu që nuk e di se arsimi shkretohet me tekste, tarifa, kuota, dhe a e di pse, sepse për gjithçka zgjedh Edi Rama. Ju e dini që shkollën dhe profesioni tuaj e zgjedh Edi Rama. E vetmja gjë që i ka mbetur të zgjedhë një të riu është droga, të bëhet patronazhist ose të largohet nga Shqipëria. Rama bëri axhendën e pastër duke shpopulluar Shqipërinë. Ne do të jemi këtu derisa ky njeri të largohet”, tha Buçana.

Pedagogu Erjon Piciri: Sot do bëjmë homazh për ata që 30 vite më parë i dhanë goditjen diktaturës… ky është një nga momentet më të rëndësishme të historisë sonë, sot jemi shumë se qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë janë me kurajë dhe kërkojnë lirinë dhe Europën. Ky është vetëm fillimi. Transformimi do vijë nga shpirti dhe zemra, nga historia.

Aktivistja: Zoti Edi Rama dashurinë për lirinë si e kini, nëpërmjet gazetarëve që iu tregon riedukimin. Ju që me Xhafën ndërtuar një projektligj me gjykatat administrative që i mbyllni tani gjykatën Korçës. Kryeministri i Shqipërisë, ti që mohon avokatët dhe zërin e lirisë. Dakord Zoti piktor, ju ngjyrat tuaja i keni fasada false. Ju elitën e keni degdisur. Unë jam një avokate që 20 vjet paguaj taksa, një shtëpi të vogël 30 metër katrorë kam, çfarë ndihme më keni dhënë.

Arben Murri, përfaqësuesi i fermerëve: Unë jam fermer i bashkisë së Vaut të Dejës. Jam kthyer në vitin 2013 në vendin tim për të krijuar një të ardhme më të mirë, por më duket se gabova me këtë kryeministër. Në bashkinë e vaut të Dejës është bërë një vjedhje galopante tek fermerët për naftën, përtë cilën ky kryeministër mburret ccdo ditë se e ka ndihmuar fermerët. Zotëroj mbi 100dynymë tokë dhe s’kam marrë asnjë litër naftë, ndaj ndihem i persekutuar.
Erdi Jorgoni- gjimnazist: Vij si gjimnazist shqiptar pasi të gjithë mendojnë largimin nga vendi. Vij sot para jush me një thirrje për të gjithë nënat dhe baballarët, të rinjtë e të rejat, të ngrihemi kundër demokracisë në mënyrë që lotët tuaj të reshtin nga largimi masiv i të rinjve jashtë vendit. Duhet t’i themi mjaft nga sot largimit masiv nga vendi, vetëm e vetëm se arsimi shqiptar është zhytur në mediokritet dhe korrupsion. Unë kam zgjedhur të përballem dhe të luftoj.

FOTOT/ “Iku koha e rrufjanëve”, “Edi Rama me 2 qeveri, 1 në burg e 1 në Kryeministri”! Ironia e qytetarëve përmes parullave

Qytetarët i janë bashkuar protestës para Kryeministrisë, ndërsa në duar mbajnë pankarta me parulla të ndryshme, që godasin kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij.
“Iku koha e rrufjanëve”, kjo është një nga parullat ndryshe në protestën e sotme, të thirrur nga Sali Berisha. Kjo parullë ironizon ish-kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kryeministrin Edi Rama.

Ndërkohë në një tjetër slogan shkruhet: “Duam të jetojmë në Shqipëri”.
Shumë qytetarë janë mbledhur sot para kryeministrisë, duke protestuar kundër qeverisë.

Sali Berisha i është bashkuar qytetarëve, ndërsa shihet se e pranishme është edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Kënga himn hap protestën e opozitës
Ora 19:35- Dy këngëtarët Renis Gjoka dhe Big Basta kanë marrë ‘fjalën’ të parët në protestë. Renis Gjoka live para protestuesve dhe Big Basta me zërin e tij, por larg në Australi kanë ndezur protestuesit. “Ku jeni shqiptarë”, ishte thirrja e Gjokës dhe më pas kënga himn e protestës “Një hap përpara”.

Berisha lë selinë dhe i drejtohet kryeministrisë, pritet t’u bashkohet protestuesve të grumbulluar
Ora 19:22- Kreu i PD, Sali Berisha ka dalë nga selia blu dhe është nisur drejt sheshit para kryeministrisë për t’iu bashkuar protestuesve.

Qytetarët hyjnë brenda selisë së PD, me flamuj e brohoritje: Edi Rama ka mbaruar!
Ora 19:20- Mbështetës të shumë të Partisë Demokratike kanë hyrë brenda selisë blu. Me thirrjet “Edi Rama ka mbaru, ka mbaru”, “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa”, qytetarët po presin daljen e kreut të PD, Sali Berisha, të dalë nga zyra dhe t’i bashkohen së bashku protestës para Kryeministrisë.

Siç shihet, qytetarët mbajnë në duar flamujt me shqiponjën dykrenare.

Nis protesta e thirrur nga opozita, qytetarët mblidhen në Bulevard, të tjerë marshojnë nga selia e PD
Ora 19:05– Nis protesta e thirrur nga opozita. Qytetarët janë mbledhur para Kryeministrisë. Ndërkohë një turmë tjetër ndodhet te Selia e PD, ku pas daljes së kreut të PD-së Sali Berisha do të marshojnë drejt Kryeministrisë

https://youtube.com/watch?v=NSLGSgbttFY%3Ffeature%3Doembed

Nis grumbullimi i qytetarëve para kryeministrisë, çfarë po ndodh vetëm pak minuta para nisjes së protestës së thirrur prej opozitës

18:55- Ka mbërritur në selinë e PD kreu demokrat, Sali Berisha, ndërsa pritet të niset drejt sheshit pra kryeministrisë.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se janë afro 1200 forca të policisë në gatishmëri për të garantuar rendin e kësaj proteste të thirrur nga opozita.
Dyert e kryeministrisë janë zëvendësuar me dyer të blinduara, si e vetmja mënyrë mund të ndalohet ndonjë tentativë e protestuesve për të hyrë në ambientet e brendshme.
Ndërkohë ka nisur dhe grumbullimi i protestuesve, ndërsa Forcat Speciale dhe forca të policisë vëzhgojnë situatën.
Protesta pritet të zgjasë rreth dy orë. Nga monitorimi i gazetares, ka konstatuar që pas kryeministrisë, tek godina e Parlamentit dhe institucioneve me rëndësi të lartë, janë të pozicionuar forcat speciale, makina ujëhedhëse, ndërsa efektivët e policisë janë të pajisur edhe me maska kundra gaz.
Referuar planit të masave të marra nga Policia, makina ujëhedhëse dhe forcat e specializuara për hedhje gazi, janë të pozicionuara pas godinës së kryeministrisë. Sipas planit të policisë, nëse do të ketë revoltë në mesin e protestuesve, fillimisht do të bëhet thirrje për ruajtje qetësie, e më pas do të përdoren makina ujëhedhëse.

Berisha mbërrin në PD, rrethohet nga mbështetësit

Ora 18:45- Kreu i PD Sali Berisha mbërrin në selinë e PD. Ai pritet nga qindra mbështetës.

Aktualisht në seli ndodhen edhe pjesa më e madhe e deputetëve, ndërsa sipas gazetarit Osman Stafa ata që po merren me organizimet e fundit janë deputeti Belind Këlliçi, sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka dhe nënkryetari Luçiano Boçi.

Ndërkohë në selinë e PD kanë nisur të grumbullohen edhe simpatizantët e opozitës, që po presin të dalin në shesh së bashku me kryetarin e PD, Sali Berisha për t’iu drejtuar godinës së Kryeministrisë.

Nisen protestuesit nga Durrësi, burimet: 2500 pjesëmarrës
Ora 17:55– Rreth 2500 persona nga Durrësi janë nisur me mjete individuale për të marrë pjesë në protestën e opozitës. Kështu kanë konfirmuar për gazetaren Klodjana haxhiaj burime nga PD Durrës. Protesta do të mbahet në orën 19:00.

Protesta e opozitës, kreu i PD Elbasan: Mbi 2500 qytetarë nga qarku
Ora 17:05- Qytetarët janë mbledhur për t’u nisur nga Elbasani drejt Tiranës, për të marrë pjesë në protestën e opozitë. Kreu i PD, Blendi Himçi tha për gazetarin Fatmir Popja se janë mbi 2500 qytetarë nga ky qark që do të marrin pjesë në protestë.

https://youtube.com/watch?v=A5fnBYiHKDM%3Ffeature%3Doembed

Ora 17:00- PD përcakton 4 pikat ku do të mblidhen protestuesit, Berisha del nga selia në 19:00, në podium flet edhe Monika Kryemadhi

Gazetari Osma Stafa nga selia e Partisë Demokratike ka zbardhur detaje të reja për mënyrën sesi është organizuar protesta që opozita dhe shoqëria civile do të zhvillojnë ditën e sotme në orën 19:00 përballë Kryeministrisë.

https://youtube.com/watch?v=shLqaELZoNw%3Ffeature%3Doembed

Kur ka mbetur rreth 2 orë e 30 minuta nga orari zyrtar i nisjes së protestës, mësohet se të gjitha degët e PD-së në rrethe janë angazhuar për të sjellë sa më shumë qytetarë në këtë tubim.

Qytetarët që do të protestojnë mësohet se do të mblidhen fillimisht në katër pika. Njëra është ajo në sheshin “Skënderbej”, ku do të grumbullohen grupet e protestuesve që vijnë nga Veriu i vendit, pra qytete si Shkodra, Kukësi, Dibra apo Lezha, Atyre do t’u bashkohen edhe protestues nga qytete si Lushnja, Fieri, Vlora, Saranda.

Ndërkohë, në sheshin “Nënë Tereza” do të bëhet grumbullimi i qytetarëve që vijnë nga qarku i Elbasanit dhe Korçës. Sa i përket protestuesve nga Tirana, sipas gazetarit që mbulon selinë blu, ata do të grumbullohen të gjithë së bashku, ku përfshihen protestuesit e zonës së Astirit që kanë kundërshtuar ndërtimin e “Unazës së Re”, por edhe banorët nga çdo zonë e kryeqytetit, të cilët rrezikohen nga shembja e banesave. Mësohet se ata do të vijnë përgjatë lumit të Lanës së bashku me disa grupe te shoqërisë civile.

Sa i përket kreut të PD, Sali Berisha, ai do të dalë nga selia blu në orën 19:00 nën shoqërimin e anëtarëve të FRPD-së, por edhe anëtareve të Forumit të Gruas. Fjala e ish-kryeministrit Berisha do të jetë në fund të tubimit dhe bëhet me dije se lista e folësve, që për momentin numëron rreth 20 emra, mbetet ende e hapur deri në orën 19:00.

Ndërkohë, PD ka lajmëruar Policinë e Shtetit se protesta do zgjasë 2 orë dhe në listën e folësve përpara Kryeministrisë pritet të jetë edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila ka bërë me dije se do të marrë pjesë në protestë.

Protesta e opozitës, rreth 2000 qytetarë nisen nga Dibra drejt kryeqytetit

Ora 16:42- Protestës së thirrur nga partia Demokratike në orën 19:00 këtë të enjte para kryeministrisë i janë bashkuar edhe qytetarë nga Qarku Dibër.

Sipas kryetarëve të degëve të PD në Mat, Bulqizë e Dibër, në total nga ky Qark do të jenë pjesë e protestës rreth 2000 qytetarë.

Gazetari Enver Doçi raportoi për “BalkanWeb” se nisja nga Burreli, Klosi, Bulqiza e Peshkopia është bërë pa orar për shkak se mund të kenë vonesa gjatë rrugës si pasojë e kontrolleve të Policisë.

Ora 16:08- Gazetarja Eneida Petova raportoi për “BalkanWeb” se qindra demokratë beratas janë nisur pasditen e sotme drejt Tiranës, për t’ju bashkuar protestës së thirrur nga opozita në orën 19:00. Organizimi dhe grumbullimi i demokratëve në të gjithë qarkun e Beratit është bërë nga të gjitha strukturat e degëve të Partisë Demokratike në qytetet: Berat, Kuçovë, Dimal, Skrapar e Poliçan.

https://youtube.com/watch?v=SqmvVkQCfG4%3Ffeature%3Doembed

Protestuesit janë nisur drejt Tiranës me mjete private, ku vetëm nga dega e PD-së Berat janë nisur 120 automjete të konfirmuara nga strukturat. Në rang qarku, drejt protestës në Tiranë janë nisur rreth 1350 protestues nga Berati,350 nga Kuçova,260 nga Dimali,220 nga Poliçani dhe 120 nga Skrapari. Nga ana e degës së PD-së Berat konfirmohet se nisja drejt protestës së sotme në Tiranë u krye me mjete private (ndryshe nga herët e tjera) pasi pronarët e autobusëve janë vënë nën presion me penalitete të ndryshme deri në heqje liçense nëse do të transportonin protestues drejt tubimit të thirrur sot në Tiranë nga PD-ja. Kryetari i degës së PD-së Berat, Shyqo Dura, duke shpjeguar mënyrën e organizimit të demokratëve drejt protestës në Tiranë, ka theksuar se përveç demokratëve dhe simpatizantëve të PD-së protestës do ti bashkohen edhe qindra qytetarë beratas që nuk kanë lidhje me partitë politike por që janë të indinjuar nga keq-qeverisja.

Ora 15:32- Ndërkohë gazetarja Shpresa Dine raportoi për “BalkanWeb” se për në protestën e PD të datës 7 korrik në orën 19:00 në Tiranë sipas kryetares së PD, Sarandë, Manjola Nikollo janë marrë të gjitha masat për pjesëmarrje. Sipas kryetares Nikollo janë nisur drejt Tiranës rreth 30 mjete të vogla, te kthyer në numër 250 persona.

MASAT E MARRA
Policia dhe institucionet e tjera kanë ndërmarrë masat për mbarëvajtjen e situatës, për t’iu paraprirë çdo skenari të mundshëm. Tubimi në fjalë pritet të nisë në orën 19:00, ndërkohë që PD ka marrë 2 orë leje në polici për zhvillimin e protestës, që do të mbahet para Kryeministrisë.

E teksa vijojnë përgatitjet e organizimit për ardhjen e protestuesve nga njëra anë, në anën tjetër policia ka nisur zbatimin e planit të masave. Gazetari Osman Stafa ka siguruar për BalkanWeb një video ku shihet se në rrugë ka nisur ‘zbarkimi’ i autobotëve të blinduar të ujit, që përdoren kryesisht për shpërndarjen e turmave.

Ndërkohë është mësuar se në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rrugën “Xhorxh Bush” dhe pjesërisht në bulevardin “Zhan Dark” do të kufizohet qarkullimi rrugor për automjetet prej orës 16:00.

Rrugët që do të bllokohen
Në kuadër të protestës që do të zhvillohet në orën 19:00, do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera në varësi të lëvizjes së tubuesve.
Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, janë:
– bulevardi “Dëshmorët e Kombit”;
– rruga “Gjergj Fishta”;
– bulevardi “Bajram Curri”
– bulevardi Zhan D’Ark
Policia apelon të gjithë qytetarët që të shmangin lëvizjen në këto akse rrugore.

‘Vishet’ fasada e Kryeministrisë
Por përveç masave të marra nga policia për mbarëvajtjen e rendit dhe nga PD për ecurinë e protestës, edhe Kryeministria është hedhur në veprim, duke blinduar dyert e godinës, ashtu siç edhe është bërë zakon në tubimet e mëparshme të opozitës.
Edhe pse ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se protesta do jetë paqësore, duket se nga ana e tij kryeministri Rama ka marrë masat në rast të një eskalimi të mundshëm të tubimit. Për këtë arsye gjatë paradites së djeshme u zhvendos edhe instalacionin “Kërpudha”, që u rindërtua pas dëmtimeve që mori dikur në një nga protestat opozitare.

Veç masave që po merren në “Bulevardin Dëshmorët e Kombit” dhe para godinës së qeverisë, ku janë vendosur fonitë dhe podiumi, duket se maxhoranca po i paraprinë një skenari të mundshëm dhune. Në disa foto që qarkullojnë në media shihet se gjatë ditës së sotme godina e Parlamentit është pajisur me prozhektorë të mëdhenj dhe megafonë të cilët janë montuar paradite nga punonjësit e Kuvendit.

Ndërkohë, vlen të theksohet se gjatë orarit të protestës, kryeministri Edi Rama ka shumë gjasa që të mos jetë në Tiranë, pasi ai më 2 korrik nga tuneli Skarficës paralajmëroi se do të marrë pjesë më 7 korrik në inagurimin e By Pass-it të Vlorës. Ditën e sotme, protestës pritet që t’i bashkohen demokratë dhe qytetarë edhe nga qarqet e tjera të Shqipërisë.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2175
  • 2176
  • 2177
  • 2178
  • 2179
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT