• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VESA XHYMSHITI, MATEMATIKA DHE E BUKURA

November 20, 2025 by s p

Rafaela Prifti/

Qyshkur ka hyrë në klasën e parë në moshën 6 vjeçare në Gjilan e deri më sot, Vesa Xhyshmiti ka vetëm 7 vite shkollore dhe të paktën po kaq medalje dhe vende nderi në garime kombëtare e ndërkombëtare të matematikës. Sapo ka nisur të garojë në fund të klasës së pestë, studentja 13 vjeçare ka arritur rekorde të hatashme në Olimpiada matematike si EGMO 2025. “Talenti nuk rritet me frikë, por duke pasur vetëbesim, natyrisht pa e tepruar atë,” thotë Vesa. Në gara dhe konkurrime ndërkombëtare ajo ka përfaqësuar Kosovën me shumë sukses dhe ka lënë mbresa tek gjyqtarët dhe vlerësuesit. Por, talenti dhe vetëbesimi i një shkollareje të një vendi të vogël përballen me vështirësi të mëdha për mbështetje financiare.

Vesa bën pjesë në brezin GenZ i quajtur edhe IGeneration, të ardhur në një botë dixhitale ku përgjithësisht ata janë “në shtëpinë e tyre”. Viti i lindjes së saj 2012 përkon me ripërtëritjen e nismave për mundësi të barabarta në arsimimin e vajzave dhe grave në Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë – STEM, ndërsa vetë akronimi është krijuar në fillim të viteve 2000.

Me sy të butë, të zgjuar dhe shumë vëzhgues, Vesa flet me elokuencë dhe pjekuri përtej moshës që ka, për rrugëtimin e saj të përditshëm shtëpi-shkollë përkatësisht Gjilan-Prishtinë, për klasën në shkollën private New York School of Science in Kosova, për shoqërinë e mirë që ka aty dhe ecurinë e suksesshme në konkurset e matematikës. Mamaja e saj, Albina, me profesion arsimtare në Kosovë, shëndrit me krenari pranë vajzës dhe shpreh vazhdimisht mirënjohje për mësuesit dhe drejtuesit e Vesës në arritjet e saj mbresëlënëse.

“Mësuesit kanë qenë inkarujuesit dhe nxitësit e zellshëm të Vesës. Në fillim në garat shkollore ku doli fituese dhe pastaj në garat komunale, ku mori maksimumin e 100 pikëve që nuk kish ndodhur më parë, dhe më tej në garat ndërkomunale përsëri me sukses, atëherë kur edhe u shtua këmbëngulja e mësuesve që Vesa të shkonte më tej se aq.”

Në nëntor 2025 Vesa u ftua të merrte pjesë në Harvard–MIT Mathematics Tournament (HMMT) meqë ishte pranuar në programin prestigjioz Athemath. Ajo thotë se është veçanërisht krenare “që është e para Kosovare pjesëmarrëse në këtë konkurs me emër të njohur.” Atë javë Shoqata e Studentëve shqiptarë të Harvardit Harvard Albanian Students Association e kishte mysafire Vesën në një takim enkas për fituesit e garës, të titulluar Ëndrra pa Kufi (Dreams Without Borders) në Harvard University.

“Pjesëmarrja në garime jashtë Kosovës ka shpenzime të konsiderueshme financiare për familjen tonë katër-anëtarëshe me të ardhura mesatare.

Ishte bujaria e komunitetit të Bostonit që e mundësoi ardhjen tonë, me një pjesë të harxhimeve, së bashku me kontributin e familjes sonë,” thotë Albina, duke falënderuar Xheraldin & Xhufe Morina Foundation, dhe zemërmirësinë e shumë zonjave si Valbona Lavdari, Mirjola Adhami, Rita Zhupe, dhe Irena Xhurxhi .

“Është me rëndësi të thuhet,” vëren ajo, “se nga pranimi në Athemath, program amerikan trajnimi për vajza, Vesa ishte ftuar edhe në PUMaC (Princeton University Mathematical Competition) por për shkak të shpenzimeve të shumta nuk mori pjesë në të. Kurset intensive dhe individuale kanë koston e tyre. Dhe garat ndërkombëtare janë të kushtueshme. Komuna e Gjilanit ka bërë sa ka mundur brenda mjeteve të veta. Prandaj ne e vlerësojmë shumë ndihmën e komunitetit shqiptar në Amerikë si edhe mikpritjen e tyre shumë të ngrohtë,” thekson Albina.

Në vitin 2024 Vesa përfaqësoi Kosovën në Olimpiadën Neo Science në NY ku mori vendin e parë në Matematikë dhe medaljen e argjendte për Shkencat. E ftuar nga Shoqata e Matematicenëve të Kosovës të garojë me klasat e 7 dhe 8 në Olimpiadën e Matematikës Shqipëri Kosovë (KAMO), Vesa fitoi medaljen e artë. Në Holandë fitoi një medalje tjetër në STEM Olympiad dhe hyri në kategorinë Best of the Best. Në klasën e shtatë fitoi vendin e parë në Olimpiadën e Matematikës së Kosovës duke u klasifikuar për testin në EGMO – ku ishte në garim me vajzat me rezultatet më të mira të klasave 7 deri 12 të Kosovës. Në sajë të punës shumëorëshe dhe drejtimin e duhur të mësuesve, ajo fitoi bashkë me një vajzë tjetër të klasës së 11. Vesa ishte ndër garueset më të reja në EGMO me 55 vende pjesëmarrëse mbajtur në Kosovë në prill 2025. Ajo thotë se aty, përveç krenarisë, ndjeu se vende të vogla mund të fitojnë mes matematicienëve më të mirë të botës.

Kur flet për zgjidhjen e një problemi me teorinë e numrave, ajo e quan atë “të bukur”. Bukuria e zgjidhjeve në matematikë e ka tërhequr Vesën qysh në fillim. Asaj i pëlqen arsyetimi logjik, të menduarit kritik në lëndët e matematikës por edhe në fushat e tjera. I ka kaluar me lehtësi konvertimet e termave matematikore shqip – anglisht në sajë të njohjes shumë të mirë të dy gjuhëve. Këtë e thotë me mburrje edhe Medina, halla e saj në Nju Jork, tek e cila Vesa dhe Albina erdhën vizitore disa ditë përpara se të ktheheshin në Prishtinë. Aty i pret babai, Iliri, me të cilin Vesa shikon ndeshjet e futbollit, kur nuk është duke studiuar matematikë, dhe, vëllai i saj 6 vjeçar, Dielli, me të cilin ngjyrosin e vizatojnë dhe përcjellin programin Number Blocks në anglisht.

Nga Kosova, Vesa ka postuar disa foto nga Bostoni, Nju Jorku dhe Uashingtoni, ndërkohë që ka nisur përgatitjet për garën e ardhshme. Në janar është kualifikuar automatikisht të hyjë në OMK 2026 si pjesëmarrëse fituese në EGMO 2025 (European Girls Mathematical Olympiad). Me dëshirën dhe ëndrrën që të kalojë testin selektues për EGMO në shkurt dhe IMO (International Mathematical Olympiad) në mars — si përfaqësuese e Kosovës, ajo do që të valëvit flamurin e vendit në çdo garë të madhe botërore për pesë vitet e ardhshme. Vesa dëshiron të jetë në kanalin e vet në YouTube për të shpjeguar koncepte matematike në formë tërheqëse për moshat e reja. Pjesë e ëndrrës së saj është të zbulojë edhe për të tjerët “bukurinë e matematikës,” ashtu siç e sheh ajo. Në të ardhmen jo të largët, Vesa shpreson që matematika të jetë çelësi që hap dyert e universiteteve elitë në Amerikë. Shkolla e specializuar New York School of Science e Kosovës nuk është larg nga Bulevardi Bill Clinton në Prishtinë, ku ngrihet statuja e ish-presidentit amerikan që i sjell në mend çdo ditë “se sa pranë njëra-tjetrës janë vendet tona historikisht,” përfundon ajo me qartësinë e vesës.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Rafaela Prifti

Pesëqind vjet gati po mbushen…

November 20, 2025 by s p

Risto Siliqi/

Pesëqind vjet gati po mbushen qysh se rraca e Azisë u rrajue(zuri rrënjë) në tonën Shqypëni, sikurse insektet me thimthin të helmuem kur rrajohen e shumohen ndër vneshta e helmatisin frytin e saj! Pesëqind vjet gati po mbushen qysh se shqyptari përkulet e vajton në robëni, vigmon e varet për ndihmë e për shëlbesë, se ndihma prej kërkahit(prej askujt) s’i dëftehet! Pesëqind vjet gati po mbushen, qysh se qëllimposhtra egërsinë rrenon e shkretnon gjith se ç’ka ndër thonjë t’i vijnë, helmon thelbet e shëndoshta e të smundtat(të sëmura) i ndihmon të shumëhen sa e pruni Shqypëninë ndër gjasë prej gjithkujt me lot të kjahet!(të qahet) Pesëqind vjet po mbushen, qysh se dielli i Shqypënisë prendoi(perëndoi) e u rrokullis për mbas të neltës(të lartës) bjeshkës Velë; u shkri nata, errësina e trashë e mnerme, nëpër të cilën kryqëzojnë egërsinat e gjith se ça t’i bijnë ndër shapa e ndër turij, e coptojnë, e shretnojnë pa mëshirë! Por shqyptari fatos ndenji i zgjuem në roje të vdekun, e mbrojti ma të shejtnueshmet(më të shenjtat) amanetet e veta, gjuhën, besën e mirpritjen, me të cilat dhe si rob i hueji, mujti gjith-herë e gjithkund me u madhështue me të ndershmin emën “shqyptar!”.

Kështu në errësinë, në rrjedhë të pesëqint vjetve, lule Shqypënija, për ditë e ma fort qi u shkretonte e u vorfnonte, edhe nuk i zhyti në thelli të oqeanit të harrimit, se ma të fortë zinxhira e mbajtën të birtë(të bijtë) e saj tuj ruejtun të shejtërueshmet amanetet, gjuhën, besën e mirpritjen, për të cilat shum herë u banë therorë!

Mbretët e Turqisë tuj u frigosun(duke u frikësuar) se, kurdoherë e në çdo kohë, të birtë e Shqypënisë, të madhështuem me kunora të heroizmit të gjyshave të vet, të fjeshtëmbajtësit e amaneteve të shejtërueshme, do të shkunden mbas thirrjes së hijeve të të parëve e do të ngrehin Atmen(të ardhmen) e vet prej robniet me lirue. Nuk i mastonte mendimi në ç’mënyrë ta hupin(ta mbizotërojnë) kët komb, kështu filluen me gënjeshtra t’i ndillin ata shqyptarë, të cilët e kishin ndër fise të veta randsinë ma të madhe, i largojshin prej trollit të vetë, i qëndrojshin në mjes(në mes) të turqizmit tuj i rritun me ka një rybe(gradë) të naltë. Kështu ky i mjeri shqypëtar qëndronte në mërgim me vjetë e fisi i tij i gënjyem u madhështonte me rybe(gradë) të naltëntë tijën kur, por sa disa vjetë kalojshin, halldupat rybe-naltin shqypëtar e helmojshin e dërgojshin allahut në drejtim?! Fisin e tij e lajmoshin, bashkë me ta tuj damun(duke ndarë) dhimben(dhimbjen), se asht vdekun prej smundjet e tuj dërguemun dhe sa të holla, mbrrijshin të qasin(vinin të merrnin) përsëri therore ndër thonj të vet!

Kjo gënjeshtër rrjedhi kohë të gjatë! Shqypëtarët filluen t’i kujtohen dhelpënisë së halldupëve dhe nisën të zgjohen e të shkunden për në mbrojtje, por zinxhiri i randë në qafë i prite hovin e nuk mujshin të nxitojnë me forcë, si me zemër. Kur ndër kohë të mbrame zhonërat(megallomanët, mendjemëdhenjtë) qi qëndruenë të zotët e situatës në Turqi e mbasi qi dolën para botës si bartësit e “Bashkim Përparimit”, prep(prapë) shqypëtarët u gënjyen e sa pak e këthillne ballin e rrudhun me shpnesë se në liri të përgjithshme do mundet ankimet e nevojat t’i paraqesin botës e do mund t’i shërojnë krahët e varruem(e plagosur), atëherë guxueshëm të fluturojnë, në naltësinë e lirisë!

Ironi? Zhonërat(megallomanët), të cilët u dëftuene si bartësit e “Bashkim Përparimit” para syve të botës, porsa nisën të çfaqojnë(të shpalosin) pikat e programit të tyne eksperimental, me nji herë u vu oroe(u vu re) vekshi(ena) i tyne ç’gjellë ziente, nisën të dëftehen të poshtër, sa kurrnji qeveri në rrjedhë, qysh se mbretnija turke shtyni kufitë në Evropë. Këqyrën e prigjuene(përgjuan) në kohë të parashkueme, të shofin me ç’mënyrë mujti kaq kohë të gjatë të jesin emni shqyptar mbi faqe të dheut?! E gjith tuj e pasun jetimin në errësinë, për pa e pamun nji ditë dritë?! Këqyrën dhe e oroen(vunë re) se emni shqypëtar ka qëndrue mbi faqe të dheut me qëndresë të amaneteve, gjuhës, besës e mirpritjes!

Zhonërat(megallomanët), të poshtër idealistë, mbas kësaj oroe(mbasi vunë re), morën përpjekje(u përpoqën) si mund t’i shkoqin shqypëtarët prej këtyne amaneteve, por kur oroen(vunë re) se me tradhtina idenë e s’po mund e kryejnë, u përpoqën me masa të prehta, nisën të forcojnë, me topa, me pushkë e me hunj të zjarrtë!

Kjo poshtërsi, ky barbarizëm i zhonërve, të ndyrës qeverisë qendrore, i preku shpirtin shqyptar, i tundi e i organizoi në qëllimin e shenjtë “Liri a Vdekje” e, ndonse ndodhen të likshtë(me mungesa) me forcë materiale, me forcë të zemrës nxituene në mprojtje të Atmes(së ardhmes) së vet e, kështu, ndër vjete 1908, 1909, 1910 e 1911 u la me gjak, sheshi e shkambi i fiseve të gegënisë!

Për rrjedhën e të shenjueme të katër vjetëve të përgjakshme, me sa më mastoi(drejtoj) mendja, në kët libër e pasqyrova, e rrjedhën në të ardhshme, e cila pa dyshim me gjak do të vaditet, do të përpiqemi, ta pasqyroj në Librin e Dytë, të cilin kam shpnesë(shpresë) të fortë, do ta botoj nëpër “Shqypëni të Lirueme!”

-Pasthënia e librit “Pasqyra e ditëve të përgjakshme”, Trieste, korrik 1912. Në këtë botim rrëfehen kryengritjet e mëdha shqiptare në Malësi të Madhe dhe në Kosovë, që çuan në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë pas pesë shekuj robërie otomane.Vetë Risto Siliqi mori pjesë me armë në dorë në Kryengritjen e Kosovës dhe Malësisë së Madhe, duke qenë anëtar i Komitetit Shqiptar për drejtimin e kryengritjes.

Dërgoi për botim: Laura Konda

Foto: wikidata.org

Filed Under: Histori

PROF. ZIAUDIN H. KODRA – DIBRANI QË JETËSISHT STUDIOI GJUHËN, LETËRSINË DHE KULTURËN ARBËRESHE

November 20, 2025 by s p

Vilma Jazexhiu Proko/

Veprimtari përkujtuese në 60-vjetorin e ndarjes nga jeta të prof. Ziaudin H. Kodra ishte veprimtaria që u organizua në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për një nga personalitetet më të shquar të albanologjisë dhe letërsisë shqipe e asaj arbëreshe, prof. Ziaudin Kodrën, në vendlindjen e Tij, Dibër, nga Shoqata “Bashkësia Dibrane” (Tiranë), në bashkëpunim me Shoqatën për Histori dhe Trashëgimi Kulturore “Dibra” (Dibër), Qendrën e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), dhe familjen Kodra, me rastin e 112-vjetorit të Lëvizjes së Bashkësisë Dibrane në Tiranë, në të cilën morën pjesë Kryetari i Komunës-Dibër (RMV), z. Fisnik Mela; Profesor Emeritus Emil Lafe, pjesëmarrës i Kongresit të Drejtshkrimit (1972), Kryeredaktor i “Fjalor Enciklopedik Shqiptar” (2008-2009) dhe Kryetar i Këshillit të Botimeve të QSPA-së nga krijimi (2020); akademik Adem Bunguri, Drejtor i Institutit të Arkeologjisë (Akademia e Shkencave e Shqipërisë); studiueset dr. Jolanda Lila dhe dr. Vilma Proko nga QSPA; Kryetari i Shoqatës “Bashkësia Dibrane”, prof. as. Saimir Shatku, Kryetari i Shoqatës “Tirana”, z. Rruzhdi Keçi; Kryetarja e Shoqatës për Histori dhe Trashëgimi Kulturore “Dibra”, dr. Qëndresa Paçuku, pedagogë e studiues nga Universiteti i Tetovës, universitetet e Shkupit: “Nënë Tereza” dhe “Sh. Kirili dhe Metodi”; intelektualë dibranë nga të dyja anët e kufirit, të ftuar nga Tirana, Dibra, Prishtina dhe anëtarë të familjes Kodra.

Për të pranishmit u shfaq dokumentari kushtuar prof. Z. Kodrës, i siguruar nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, në të cilin u pasqyrua përkushtimi i studiuesit Kodra në dokumentimin dhe mbledhjen e të dhënave mbi komunitetin arbëresh, gjatë vizitës në ngulimet arbëreshe të Kalabrisë në v. 1965, raporti i ekspeditës studimore në po këtë vit, dhe fragmente filmike nga konferenca shkencore e mbajtur në Tiranë (1964), me rastin e 150-vjetorit të lindjes së De Radës, ku prof. Z. Kodra ishte një prej kumtuesve kryesorë.

Fjala përshëndetëse u mbajt nga prof. as. Saimir Shatku, Kryetar i Shoqatës “Bashkësia Dibrane”, ku theksoi se prof. Ziaudin Kodra (1909–1965) ishte një nga studiuesit e parë shqiptarë të gjuhës, letërsisë dhe trashëgimisë arbëreshe. I arsimuar në Liceun Francez të Korçës dhe në Universitetin e Firences, ai zhvilloi një karrierë të pasur si mësues, drejtor dhe pedagog i letërsisë shqipe në institucionet kryesore arsimore të vendit. U persekutua nga regjimi fashist dhe u internua në Itali, por vazhdoi punën shkencore me përkushtim, duke hartuar tekstet themelore mbi letërsinë e vjetër shqipe dhe arbëreshe, metodikën e gjuhës dhe letërsisë, dhe me bashkautorësi “Historinë e letërsisë shqipe”, duke mbetur ndër të parët që studioi në mënyrë sistematike kulturën dhe letërsinë arbëreshe.

Ligjëruan me kumtesat e tyre: Profesor Emeritus Emil Lafe, i cili në fjalën e tij theksoi që emrin e Ziaudin Kodrës e njeh nga teksti “Letërsia e vjetër shqipe dhe arbëreshe”, që përdorej në vitet ’50 në shkollat e mesme, kur prof. Lafe qe nxënës. Më pas, e njohu nga afër gjatë studimeve në Universitetin e Tiranës. Ajo që i mbetet e pashlyer në kujtesë kujtdo që e ka njohur prof. Z. Kodrën, – tha prof. Lafe, – është njëjtësimi i tij me objektin e punës: të dukej sikur ai dhe Bota Arbëreshe përbënin diçka të pandashme: Bota dhe letërsia arbëreshe ishin jeta dhe shtëpia e tij e përjetshme. Prof. Z. Kodra u nda nga jeta 56 vjeç, kur kishte arritur shumë falë pasionit të studiuesit dhe punës së tij të ngulët, por ai kishte në mendje e në letër edhe shumë shestime shkencore për të sjellë studime e vështrime të reja për letërsinë dhe folklorin arbëresh. Bibliografia e tij shkencore është mjaft e pasur dhe zbulon një intelektual aktiv e energjik. Deri sot trashëgimia e tij studimore, e përderdhur në revista dhe botime të ndryshme shkencore, nuk ishte mbledhur në një botim të veçantë.

Bashkë me kolegun e vyer dr. Thoma Qendro, e quajtëm si detyrim qytetar që ta nderonim kujtimin e prof. Z. Kodrës, duke kryer punën filologjike për botimin e veprës së tij. Z. Ilir Kodra, nip i prof. Z. Kodrës, qe gjithnjë në gatishmëri për të mbledhur dhe kompjuterizuar gjithë lëndën. Jemi përpjekur që të përgatisim një ribotim cilësor të shkrimeve të autorit, që shtrihen në një periudhë 30-vjeçare: 1935–1965, gjatë së cilës gjuha letrare shqipe në tërësi dhe stili i veprimtarisë shkencore në veçanti, patën një zhvillim dinamik. Për këtë arsye kemi mënjanuar luhatjet e zakonshme drejtshkrimore e gramatikore dhe shumë luhatje të tjera që kanë të bëjnë me emërtime arbëreshe, por natyrisht kemi ruajtur gegërishten letrare që ka përdorur autori deri nga mesi i shekullit të shkuar.

Vëllimi i pranishëm përbën një vepër konsultimi dhe studimi për letërsinë arbëreshe deri në gjysmën e parë të shek. XX, por është njëkohësisht edhe një antologji e vlerave më të spikatura të asaj letërsie, përfshirë edhe letërsinë popullore. Pjesët më të rëndësishme të vëllimit janë kapitujt e hartuar nga prof. Z. Kodra për veprën “Historia e letërsisë shqipe”, të botuar nga UT (dy vëll., 1959), që mbetet ende e pakapërcyer nga gjerësia dhe kriteret shkencore të hartimit, po ashtu edhe një varg artikujsh për autorë të veçantë arbëreshë që thellojnë e plotësojnë trajtimin e tyre në atë vepër. Prandaj, shpreh bindjen se kjo përmbledhje studimesh të prof. Z. Kodrës, e nisur si një peng nderimi ndaj tij, është gjithashtu një vepër studimi, që u drejtohet studentëve të letërsisë shqipe në universitetet tona, po ashtu mësuesve të kësaj lënde në mbarë hapësirën shqiptare dhe gjithë atyre që kanë dëshirë, kureshtje e interes kulturor për letërsinë arbëreshe. Këtu do të gjejnë pa dyshim materiale dhe analiza nga një specialist i dorës së parë në këtë fushë.

Prof. Lafe e përfundoi fjalën e tij me disa mbresa nga vizitat e tij në vendbanimet arbëreshe të Kalabrisë rreth viteve ’80. Dr. Jolanda Lila, QSPA mbajti on line fjalën e titulluar “Tri hullitë kryesore të veprimtarisë së Ziaudin Kodrës”, përmes së cilës paraqiti rolin e studiuesit Kodra për njohjen e figurës së De Radës në Shqipëri në vitet 1952-1965, kur ai ndahet para kohe nga jeta, përmes tri mënyrave: Përshtatjes së 15 kangjeljeve të kryeveprës deradiane “Milosao” për lexuesit e sotëm; Hartimit të kapitujve me të dhëna rreth jetës e veprës së De Radës (krahas autorëve të tjerë arbëreshë) në tekstet historiografike: “Letërsia e vjetër shqipe dhe arbëreshe”, 1952 dhe “Historia e letërsisë shqipe” (1959, I, II), si dhe botimit në shtypin shkencor dhe kulturologjik të shkrimeve për De Radën.

Dr. Vilma Proko nga QSPA mbajti kumtesën “Trashëgimia arbëreshe dhe kontributi i prof. Ziaudin Kodrës në studimet shqiptare”, të cilën po e paraqes shkurtimisht më poshtë: Studiuesi poliedrik Ziaudin Kodra (1909–1965) mbetet një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të letërsisë dhe kulturës arbëreshe në Shqipëri dhe një ndër zërat më të angazhuar në studimin dhe përhapjen e vlerave të letërsisë arbëreshe në vitet e pas Luftës II Botërore. Krahas veprimtarisë së vyer si studiues i arsimit, u dallua edhe në mbledhjen me kujdes dhe durim të veçantë të këngëve lirike dhe liriko-epike arbëreshe, të cilat përbëjnë një thesar të çmueshëm gjuhësor, duke i përshtatur tekstet letrare dhe folkloritike arbëreshe me një shqipe të qartë e të rrjedhshme, të pasur me të dy dialektet e saj kryesore. Më 1957 u botua përmbledhja e përgatitur prej Tij: “Poezija popullore arbëreshe”, me rreth 200 faqe, një antologji që mbetet edhe sot një dëshmi e gjallë e trashëgimisë shpirtërore të arbëreshëve, ku çmon rolin e rëndësishëm të folklorit në ngjizjen e letërsisë arbëreshe.

E kam ndeshur për herë të parë emrin Ziaudin Kodra gjatë punës për hartimin e “Fjalor Enciklopedik Shqiptar”, 3 vëll., ASHSH, 2008-2009, e më pas, që nga v. 2020 e në vijim, gjatë punës në Qendrën e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) përmes një materiali të gjerë të dokumentuar në revista shkencore, botime të ndryshme, shtypin e kohës etj., e deri me pjesëmarrjen në Simpoziumin shkencor “Ziaudin Kodra–Studiuesi i vyer i botës arbëreshe”, organizuar më 18 dhjetor 2024 nga QSPA, në nder të 115-vjetorit të lindjes. Në këtë simpozium u mbajtën kumtesa nga Prof. Emeritus E. Lafe, prof. Y. Çiraku, prof. Klara Kodra etj., përmes të cilave u dhanë vlerësime mbi veprën dhe kontributin shkencor të këtij personaliteti.

Në kumtesën e mbajtur prej meje të titulluar: “Ziaudin Kodra i vështruar si studiues i shqipes dhe i arbërishtes” u përpoqa të paraqes figurën e shumanshme të Z. Kodrës si studiues i historisë së letërsisë shqipe e sidomos asaj arbëreshe dhe punën e tij të kujdesshme për mbledhjen e këngëve lirike dhe liriko-epike arbëreshe, të cilat përbëjnë një pasuri të çmuar gjuhësore, si dhe aftësinë për t’i përkthyer e përshtatur ato në një shqipe të pastër, të rrjedhshme dhe të pasur me elemente të dy dialekteve. Vlerësohet botimi i v. 1950 i “Gjahut të malësorëvet” të Kristoforidhit, që mundëson lexim paralel në gegërisht dhe toskërisht.

Po ashtu analizova studimin “Përkujtime” mbi “Bletën Shqiptare” (me rastin e 70-vjetorit të vdekjes së Thimi Mitkos), si dhe disa çështje të arbërishtes të trajtuara prej Z. Kodrës në revistën “Studime filologjike” si edhe në shkrime e studime për Gavril Darën, Zef Seremben dhe Françesk Santorin, duke nxjerrë në pah origjinalitetin e tyre dhe rolin e gjuhës arbëreshe si një laborator të gjallë të shqipes. Madje Z. Kodra, e ka përcaktuar Seremben si “poet të lindur” (në kuptimin e një talenti spontan, individual) dhe duke u ndalur në begatinë e figuracionit në poezinë e tij, të cilën për herë të parë e lidh me poezinë popullore, ka theksuar karakterin aktual dhe modern të poezisë së Serembes, duke hedhur një hap para në zbulimin e origjinalitetit të tij. (Marrë nga V. Proko, “Në 180-vjetorin e lindjes së Zef Serembes”, (f. 281), në Kuvendin e Parë të Studimeve Arbëreshe: “Gjendja aktuale e studimeve për arbëreshët”, organizuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), Tiranë, 27-29 shtator 2021, botuar më 2022.

Po ashtu, përmenda edhe paraqitjen time me kumtesën: “Kontributi i Ziaudin Kodrës për gjuhën dhe letërsinë arbëreshe”, në Konferencën shkencore “Figura me vlera shkencore dhe kulturore shqiptare nga Lugina e Preshevës dhe vise të tjera shqiptare”, organizuar nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës (25-26 tetor 2025), ku ndër të tjera analizova faktin se prej letërsisë arbëreshe ky studiues i zellshëm ka arritur të sjellë e dëshmojë kumtet shpirtërore të një komuniteti të larguar prej shekujsh nga toka e të parëve, por që e mbajtën përherë gjallë kujtimin e saj.

Akademik Adem Bunguri në fjalën e tij përshëndetëse shprehu mirënjohjen për ftesën e foli për kontributin e bashkëvendasit të tij, prof. Z. Kodrës, në fushën e studimeve albanologjike, e sidomos atyre arbëreshe, duke theksuar se ky përkujtim është një homazh për studiuesin dibran, prof. Ziaudin Kodra që jetoi për dijen dhe kulturën shqiptare, dhe që shërben si një nxitje për brezat e rinj të ndjekin shembullin e tij të ndershmërisë intelektuale, përkushtimit dhe dashurisë për gjuhën e kombit.

Dr. Qëndresa Paçuku, Kryetare e Shoqatës për Histori dhe Trashëgimi Kulturore “Dibra” e përmbylli fjalën e saj me shprehjen: “Unë, në mënyrë metaforike mund të them, se dibranët e Tiranës nuk u shkëputën kurrë nga Dibra, por Dibrën e morën me vete në Tiranë!”

Në fund të takimit u promovua edhe vepra shkencore “Studime Arbëreshe” (përmbledhje e dorëshkrimeve dhe studimeve në botime të ndryshme etj., pa përfshirë dorëshkrimet në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, ASHSH), përgatitur nga Familja Kodra, redaktuar nga prof. Emil Lafe dhe Dr. Thoma Qendro, dhe botuar nga Fondacioni Kulturor & Social Alsar, Tiranë 2025. Në fjalën përmbyllëse, z. Ilir Kodra, nipi i i prof. Ziaudin Kodrës, falënderoi të pranishmit dhe shprehu mirënjohjen e thellë për kumtuesit në këtë përvjetor të 60-të të ndarjes së prof. Kodrës, me theks kontributin e tij të vyer në studimet mbi letërsinë arbëreshe, të cilat përbëjnë një kontribut të çmuar për letërsinë shqipe e botën arbëreshe.

Filed Under: ESSE

“Sprova e gjykatës së Hagës, me çlirimtarët ose pushtuesit e Kosovës”?!

November 20, 2025 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Përtej gjetjeve strategjike, sigurisht ky opinion mbart edhe një mesazh kombëtar në mbrojtje të Presidentit Thaci, Kadri Veseli, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimi, etj, të cilët nga bashkëçlirimtarë të Kosovës, prej më shumë se 5 vjetësh (nëndor 2020) mbahen cinikisht dhe akuzohen pabesisht nga gjykata e Hagës për: “krime kundër njerëzimit gjatë luftës 1998/99”!

Po ashtu përsëris solidaritetin vllazëror por edhe privilegjin të kontrubuoj modestisht në ndërtimin e Institucioneve të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Kosovës, të bazuara në balancat demokratike të pushteteve, si dhe që vlerësimet, rezervat dhe këshillat strategjike (p.sh shkëputjen nga paranoja ballkanike e përqëndrimit të pushteteve), t’i ndaj z.Thaçi dhe udhëheqësit e tjerë të Kosovës së pas-çlirimit nga makineria kriminale e Millosheviçit.

Siç edhe po ndiqet nga opinioni kombëtar, dje, e mërkurë 19 nëntor, Ish-komandanti Suprem i NATO-s, gjenerali Wesley Clark, mbyll listën e dëshmimtarëve të mbrojtjes në Hagë, ndërsa gjykata ka konfirmuar se parashtrimet përfundimtare dorëzohen deri 22 dhjetor 2025.

Së dyti e çmoj me interes për opinionin mbarë-kombëtar të paraqes një përmbledhje të përditësuar: “PSE dëshmia e gjeneralit, mbart rëndësi kritike jo vetëm në mbrojtje të Presidentit Thaçi por edhe të luftës e UÇK/USA/NATO për çlirimin e Kosovës”?! “Ata që kanë luftuar për të mbrojtur familjet dhe vendin e tyre nuk mund të quhen as kriminel as terrorist”, konfirmoi para gjykatës Gjenerali *mirënjohur Amerikan.

Po ashtu, përmënd me mirënjohje, që përveç gjeneralit Clark, në mbrojtje të çlirimtarëve, kanë dëshmuar ish – ambasadori i OSBE, William Walker; ish-ndihmës Sekretari Shtetit, James Rubin, ish- përfaqësuesi OKB-së Bernard Kouchner, ish-këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës në Rambuje Paul Williams, etj çka konfirmon edhe qëndrimin zyrtar të ShBA se: “lufta për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit Serb nuk ishte kurrësesi krim”, por e drejtë fundamentale e Kartës së Atlantikut (1941), Kartës së OKB (1945), etj !

Ndërsa, shpërdorimi për axhendën partiake, deri mitingjet me patriot sarahosh në Prishtinë, Tiranë e gjetkë, nuk i shërbejnë lirimit të luftëtarëve dhe as imazhit kombëtar. Për të kundërtën, kujtoj me nderim qasjen fisnike të Presidentit të Shenjtëruar Rugova me UÇK-në; vetë-dorëzimin në Hagë të Kryeministrit Hardinaj (duke i treguar botës se nuk jemi tribu/kaçak në këto troje, por ndër kombet më të vjetër të Europës); si dhe për përballjen dinjitoze të Presidentit Thaçi para “gjykatës së verbër dhe shurdhër” të Hagës, duke mbrojtur vehten, bashkëluftetarët (UÇK/USA/NATO) dhe luftën për liri në Kosovë.

Së treti, duke përsëritur përuljen për gjakun e derdhur, si dhe nderimin për sakrificat sublime të Shqiptarëve të Kosovës në shekuj, nuk mund të mos skalisim mirënjohjen kombëtare për “çlirimtarët e vërtetë” [ShBA/NATO/UK]; përfshi pêr rastin konkret, pra për mbrojtjen në gjykatën e Hagës si dhe për peshën kritike që vijojnë të mbajnë për të ndërtuar bashkëjetesën paqësore mes popujve të Ballkanit Perëndimor.

Thënë këtë, edhe për Enveristo-sovranistët e sëmurë, ngrihet një pyetje shumë e thjeshtë: “Nëse ShBA/Trump, tërheqin e trupat ushtarake nga Kosova (që sigurisht një ditë do të ndodhë) = kush është opsioni-2 i Kryeministrit në detyrë për të mbrojtur statusquonë teritoriale të Kosovës”? Pyetje që pa “lejen e vetë-vendosësve” kërkon përgjigje edhe nga Tirana Zyrtare, apo Jo?

Ndërsa për tmerrin që e ka mbërthyer z Vučič nga “Shqipëria e Madhe” dhe makthet e Millosheviçit 26 vjet mbas humbjes turpëruese me NATO-n, mund të ushqejnë agjendën e radikalëve në Beograd, interesat e Kremlinit dhe krimit të organizuar, apo sorrat rreth liqenit Ujmanit, por kurrësesi nuk trembin kombin Shqiptar si dhe as fuqinë e sprovuar (në 1999) të Aleancës transatlantike (USA/NATO/BE)!

Së treti, pavarësisht vendimit të Hagës, “në shtesë” gjeni edhe pesë gjetje si dhe 5 rekomandime strategjike:

Përtej pafajësisë së provuar së Presidentit Thaçi dhe bashkëluftëtareve të tij, këtë çështje e gjej si: “një sfidë dhe sprovë për nderin/integritetin e Gjykatës së Hagës”, për të mos vënë shenjën e barazisë mes pushtuesve gjakatarë/Serb dhe luftëtarëve të lirisë, qofshin ata Kosovarë, Amerikanë ose nga vendet e NATOs”. Pra, e gjej edhe “të fundit shanc për të mos dalë nga binarët e misionit/juridiksionit si dhe për të mos krijuar një preçedent të rrezikshëm në historinë e ndërtimit të paqes së pas-luftrave”. Nënëvizoj se ShBA, nuk e ka nënëshkruar dhe as i njeh vendimet e Gjykatës së Hagës, çka “demostron kështu edhe diferencën mes aleatëve strategjik/USA dhe aleancave antishqiptare, Ruso -Sllave.

Repektivisht faktorët dhe aktorët me peshë në Tiranë dhe Prishtinë, konkretisht Kryministrit Rama dhe Kurti, do t’Ju sugjeroja që ti tejkalojnë qofshin edhe 10-ra diferencat/mllefet politiko-primitive, pasi: “ka 101 interesa të përbashkëta që në Hagë të përfaqësohen me një Platform, një Ekip dhe një Zë” në mbrojtje jo vetëm të Thaçit etj, por edhe të gjakut të derdhur në shekuj, të luftës së drejtë për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit Serb si dhe për zhvillimin e interesave mbarëkombetare në rajon dhe mesdhe.

Mbrojtjen e sovranitetit/statuesque-s të Kosovës si dhe zhvillimin e interesave Kombëtare në Rajon, Shqipëria dhe Kosova, do mund t’i realizojnë “vetëm duke forcuar më tej bashkëpunimin strategjik me ShBA dhe BE” (s’ka opsion-2). E thënë me thjeshtë, Prishtina dhe Tirana Zyrtare nuk do duhet kurrësesi të ndërmarrin vendimarrje që minojnë themelet e besimit nga/me USA/BE, pasi ato mbajnë ende peshë kritike për paqen dhe ardhmërinë Euroatlantike të Kombit (R.Sh dhe Kosovës).

Mbetet emergjencë Nr.1: “ngritja e një Grupi të urtësh/wise group”, me elita të gjerësisht pranuara, që përtej pazareve part-iake përulen para interesave kombëtare si dhe përgjegjësive shtetërore për ta jetësuar Platformën: “2-Shtete sovrane 1-Komb i vetëm”, e cila nuk kërcënon (as Serbinë), por kontribuon si një balancë racionale për bashkëjetesën paqësore si dhe integrimin Euroatlantik të rajonit.

Ndërsa aktorët dhe strategjistët/kolegët në Washington, do t’ju sugjeroja që perspektivën e dialogut strategjik me Kosovën ta para-kushtëzojnë JO me “deliret bollshevike të pushtetarëve që venë e vinë”, por mbi një Matricë Masash të Mirëbesimit Reciprok (MMMMR), të monitoruara nga USA/BE.

Filed Under: Ekonomi

Klevis Imeri, po shkëlqen në Hungari — fiton vendin e parë në konferencën shkencore të Universitetit BME

November 20, 2025 by s p

Nga Dashnim HEBIBI/


Në një kohë kur të rinjtë shqiptarë po bëhen gjithnjë e më shumë pjesë e skenës akademike ndërkombëtare, emri i Klevis Imerit spikat si një shembull frymëzimi, pune të palodhur dhe suksesi të merituar. I rritur me vlerat e dijes dhe atdhedashurisë, Klevisi — me rrënjë nga Lugina e Preshevës dhe me familje që jeton në Kosovë — po vazhdon ta nderojë kombin tonë në Hungari, duke sjellë rezultate të njëpasnjëshme, që e renditin ndër studentët më të dalluar të universitetit prestigjioz BME. Suksesi i tij i fundit, vendi i parë në konferencën shkencore ndërkombëtare, nuk është vetëm arritje personale, por një mesazh shprese dhe krenarie për të gjithë shqiptarët kudo që janë.

Klevis Imeri – një yll në ngritje në botën akademike

Rruga e Klevis Imerit drejt dijes ka nisur herët, e ushqyer me përkushtimin familjar dhe me inspirimin e prindërve, Luigj Imerit, një emër i respektuar në Kosovë si për kontributin e tij për lirinë e vendit, ashtu edhe për rolin e tij në fushën e dijes. Duke ndjekur gjurmët e këtij edukimi të fortë nga babai dhe nëna e tij, Klevisi ka treguar se përkushtimi dhe pasioni mund të sjellin arritje të jashtëzakonshme.

Sot, ai është student i dalluar në Hungari dhe po vazhdon të shkëlqejë në çdo hap të rrugës së tij akademike. Pavarësisht angazhimeve të shumta, ai përfaqëson me dinjitet jo vetëm familjen e tij, por edhe identitetin shqiptar, duke dëshmuar respekt për vendin ku studion dhe duke e vlerësuar thellë historinë tonë kombëtare, nga Skënderbeu e deri tek bashkëpunimet e sotme.

Hungaria, një shtet ku veprojnë shumë bamirës shqiptarë — mes tyre edhe filantropi i njohur Avni Hafuzi — është bërë një vatër e rëndësishme zhvillimi për të rinj si Klevisi, të cilët po japin shembull të jetës së ndershme, punës dhe përkushtimit.

Suksesi i radhës: vendi i parë në konferencën shkencore BME

Në konferencën e organizuar nga Universiteti BME, një nga institucionet më të respektuara teknike në Europë, Klevisi prezantoi punimin e tij shkencor me temë:


“Improving Model Checking Portfolio Efficiency through Partial Result Transfer.”

Një temë kërkimore e thellë dhe komplekse, në të cilën ai ka sjellë qasje të reja që kontribuojnë drejtpërdrejt në efikasitetin e proceseve të verifikimit të modeleve — një fushë me rëndësi të madhe në shkencat kompjuterike. Punimi i tij u vlerësua maksimalisht nga juria profesionale, duke i dhënë Klevisit vendin e parë në konkursin shkencor. 

Fjalët e babait të tij – një emocion i madh dhe krenari e pafund

Babai i tij, Luigj Imeri, i cili njihet për kontributet e tij shumëplanëshe në Kosovë siç e përmendëm edhe më lartë, u shpreh me emocion dhe krenari për arritjen e djalit:

“Sot djali jonë, Klevisi, prezantoi punimin e tij shkencor në konferencën e organizuar nga Universiteti BME në Hungari dhe u vlerësua me vendin e parë. Ndihem jashtëzakonisht krenar për punën, përkushtimin dhe talentin e tij. Ky është vetëm fillimi i një rruge të gjatë plot suksese dhe arritje. Urime Klevis, vazhdo të shkëlqesh!”

Këto fjalë përmbledhin jo vetëm krenarinë e një prindi, por edhe ndjesinë që sot ndan çdo shqiptar që mëson për këtë arritje.

E ardhmja: dija që do t’i kthehet Kosovës

Ndërsa vazhdon rrugën e tij akademike në Hungari, Klevisi synon që një ditë t’i kthejë dijen e tij Kosovës e trojeve shqiptare. Ai është shembulli i një të riu që nuk harron prej nga vjen dhe që e shikon dijen si mjet për kontribuim shoqëror.

Megjithëse nuk ka shumë kohë të takojë bashkatdhetarët tanë në Hungari, ai e di se secili prej tyre punon me sakrifica për familjet e tyre — një realitet që e kupton thellë dhe e respekton.

Një emër që do të dëgjohet edhe më shumë

Historia e Klevis Imerit është një tregim suksesi që meriton të rrëfehet. Punë, përkushtim, talent dhe vlera njerëzore — të gjitha këto e bëjnë atë një figurë frymëzuese për të rinjtë shqiptarë.

Klevisi nuk është thjesht një student i suksesshëm; ai është një përfaqësues dinjitoz i kombit tonë në arenën ndërkombëtare. Dhe sipas çdo gjase, ky është vetëm fillimi.

Urime Klevis! Shkëlqe edhe më shumë — Shqiptaria është krenare me ty! 

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 218
  • 219
  • 220
  • 221
  • 222
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT