• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TREBESHINA – mallkimet apokaliptike në gjallje dhe heshtje në amshim

August 12, 2025 by s p

Behar GJOKA/

Kasëm Trebeshina, edhe në këtë vitlindje të radhës, pra në vitin e 99 të lindjes, kur janë mbushur tetë vite në amshim, të jetës së kaluar në dy shekuj, të cilët në marrëdhënie me të, megjithatë ngjajnë shumë, sepse të dy e përjashtuan si shkrimtar, e përjashtuan nga letrat shqipe, kur në fakt dje, sot dhe nesër janë ato që kanë nevojë për Trebeshinën. Madje, as vetë kapërcyelli i ndërrimit të mijëvjeçarit të tretë, nuk lëvizi gjësend në marrëdhënie me jetën dhe veprën e gjerë letrare, me veprën e botuar dhe të pabotura, me veprën e pa lexuar, e mbi të gjitha të papranuar në arealin e letrave shqipe, vetëm për arsye jashtëletrare. Duket, se në rastin e këtij autori, si me rrallë të tjerë, është lëshuar një mallkim, gati apokaliptik që nuk lë hapësirë shikimi dhe vlerësimi. Mallkimi absurd, ndërkaq është shoqëruar me një patologji asgjesuese të tjetrit, të të ndryshimit, lëshuar dikur në motet e diktaturës komuniste.

E mallkimi nuk po i ndahet, edhe pse sistemi që e shpalli armik ka rënë nga fiku, është fshirë nga faqja e dheut, por verifikimi dhe mentaliteti, mjerueshëm është po ai, me një përmbysje jo koncpetuale, por hapësinore, nga bardhë e zi, në zi dhe bardhë. Nuk ka se si të ndodh ndryshimi, kur kanë mbetur hijet dhe hijenat e djeshme në institucionet e shtetit, në shkollat e rrumpallës shqiptare, në akademinë e ngjyrosur me pluhur sovjetik, ku nuk guxohet as t’i përmendet emri. Edhe ndokush që guxoi të shkruante për të, madje pavarësisht marrjes së titujve mbi veprën e tij, letërsia e shkruar në kullën e fildishtë, siç rreken të përgojojnë korifejtë e realizmit socialist dhe enukët e mos leximit të tij, të shpallur akademikër dhe profesora, më tepër shtuan “njollat” në biografinë e tyre, se sa ndryshuan marrëdhënien më këtë përvojë shkrimi. Një mallkim tmerrues, që këdo tjetër do ta kishte gjunjëzuar, rrëzuar, hedhur mbërdhe që të zvarritej si krimbat, siç shohim të zvarriten njerëzit që përshtaten, njerëzit pa dinjitet dhe karakter, vetëm të jenë në krye të shtetit, të institucioneve të arsimit dhe kulturës.

Trebeshina, tashmë më tepër është një legjendë, qëndrese stoike, zemërim dhe përleshje, e sidomos një Robinsoni i letërsisë, jo vetëm nuk e uli vrullin e zemëratës ndaj së keqes, adhurimin për letërsinë, por e vijon duke shkruar dhe përkthyer vetë veprat në anglisht. Në këtë kohë, vetë mallkimi ka mbetur në mjerim dhe pa grimën e fuqisë, sepse u tejkaluan të gjithë parametrat e qëndresës, e kundërshtisë ndaj sistemit, dje dhe sot, ndaj krimeve dhe spiunimit, ndaj legenërisë që antivlerën e ka ngritur në piedestal si kryevlerë. Mallkimi, çnjerëzor dhe sistematik, tani nuk di se ku të fusë kokën, gjendet në zgripin e vetë ekzistencial, i tredhur dhe telefosur nga utopia ideologjike, nga marrëzia njerëzore, për t’ia nxirrë të gjithë ditët e jetës, njeriut dhe shkrimtarit. Mallkimi, lëshuar dikur si rrufe kozmike, mbi jetën dhe veprën, nisi herët, por ndër vite erdhi vetëm duke u përforcuar, mori forma të ashpra, të çuditshme dhe tejet çnjerëzore. Trebeshina, si shumë të tjerë, e nisi veprën letrare në vatrën e komunizmit, por si pak të tjerë, mbase vetmitar, pa shëmtimin dhe shpërfytyrimin e bashkëluftëtarëve, e barktisi dhe hyri në betejën donkishoteske (në kuptimin e ëndrrrës për ta ndryshuar realitetin) me të.

Në motet e diktaturës, luajti me monizimin dhe kaposhat e tij, si macja me miun, e mposhti, e përbuzi, e shkërbythi nga udha e vetë, dhe vijoj të mbijetonte falë dashurisë për letërsinë. Shkrues të tjerë, që sa qe sistemi jetuan dhe e adhuruan, korrën frytet e tij, fituan emër dhe famë, e tash duan të shkruajnë heroizimin e pas betejës, mençurinë pas kuvendit, pra një histori të pavërtetë. E mallkuan dje, si askënd tjetër, e burgosën dhe internuan, e shpallën fajtor, ia hoqën të drejtën e botimit, e prapë fjala, si zjarri për Prometeun, e mbajti gjallë dhe të freskët. Mallkimi i djeshëm, vijon edhe sot, madje më i hidhur, më poshtrues, sepse në këto vite bëhet në emër të lirisë së fjalës, lirës së shprehjes, lirisë së demokracisë së brishtë shqiptare. Trebeshina, dje i burgosur, me veprat letrare, endi magjinë e lirisë së artit. Trebeshina, në liri, gjendet edhe më i burgosur se dje, sepse skllavëria e mendjes dhe shpiritit, që adhuron idhujt e rremë dhe pa krena, na pengon për të prekur dhe shijuar letërsinë e pashoqe të Trebeshinës. Në 32 vjet, institucionet e arsimit, kulturës, të nginjur në lumturinë e vetë, ngujuar në shoqërinë e korifejeve të realizmit socialist, nuk e panë vlerën e artit të Trebeshinës, nuk ktheyn sytë nga dramatika e tij, që do ta nxirrte nga kriza dramën shqipe.

Nuk kishin kohë për të lexuar prozën dhe poezinë e tij, ku shkëlqen syrrealizmi, ndonëse është botuar pjesërisht, pra duke mbetur ende një ajsberg që duhet zbuluar… Asnjëherë nuk është vonë, thotë anglezi. Për Trebeshinën koha ka formuluar një marrëdhënie tjetër, vepra e tij, do ta nis dialogun, kur të jemi të lirë aq sa të mos vlerësojmë skllavërinë si liri, kur ta kuptojmë se Trebeshina nuk ka nevojë për asgjë, jemi ne që kemi nevojë, janë letrat shqipe, që pa veprën e tij, të Camajt, Pipës, Pashkut, Rreshpes etj. , është gjysmake dhe e nginjur në shërbesë ideologjike, pra në mungesë vlerash letrare. Letërsia është atdheu i njerëzve të lirë, ku nuk funksionon ligj i asgjesimit të tjetrit, parë më tepër “si pengesë për tu hequr qafe” simbas Kroçes, por secili thotë energjinë e vetë, me fuqinë e fjalës, e jo me idenë e urrejtjes, që të sjellë shkretëtirën… Letërsia nuk është skalion për të shpallur fajtorët e radhës, letërsia është perëndeshë që duhet trajtuar si e tillë, ku askush nuk është tepër, e po kaq askush nuk është perandor…

Filed Under: Opinion

Ali Pasha i Janinës në rrëfimin romantik të shkrimtarit hungarez Jókai Mór

August 12, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Romani “Janicsárok végnapjai” (në shqip, “Ditët e fundit të jeniçerëve”) është një roman historik-romantik i shkrimtarit hungarez Jókai Mór, botuar në vitin 1854. Fillimisht u publikua në formë serish në revistën Délibáb, ndërsa më pas doli edhe në formë libri, fillimisht në dy pjesë, ku pjesa e parë titullohej Lufta Ballkanike. Ky roman, i shkruar në vitin 1852, është një nga veprat më të hershme dhe më të rëndësishme të romantizmit hungarez dhe trajton një figurë shqiptare me ndikim të jashtëzakonshëm në historinë e Perandorisë Osmane. Ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në formësimin e imazhit të Ali Pashë Tepelenës në kulturën evropiane, veçanërisht në atë hungareze, ku Ali Pasha paraqitet si një figurë magnetike që mishëron rezistencën lokale, fuqinë absolute dhe tragjedinë orientale. Për më tepër, ngjarjet që paraprijnë romanin gjenden në veprën e mëparshme të Jókait, The White Rose.

Frymëzimi i shkrimtarit Jókai Mór për të shkruar këtë roman vjen nga një interes i thellë për Lindjen ekzotike, për historinë e Ballkanit dhe për figurat që sfidojnë pushtetin qendror — një tematikë që rezonon me përvojën e tij personale si pjesëmarrës në revolucionin hungarez të vitit 1848. Ali Pasha i Janinës, i njohur për autonominë e Pashallëkut të tij në jug të Shqipërisë dhe Greqinë kontinentale, si dhe për përplasjen e tij të hapur me Sulltanin, i ofroi shkrimtarit Jókai Mor një figurë të përkryer për të zhvilluar një narrativë dramatike e romantike, ku përzihen lufta për pushtet, hakmarrja dhe tragjedia. Ai u ndikua edhe nga udhëtimet e autorëve perëndimorë në Ballkan, si François Pouqueville, Lord Byron dhe John Hobhouse, të cilët kishin përshkruar takimet e tyre me Aliun dhe oborrin e tij në Janinë.

Romani ndërthur elementë historikë me fantazi letrare. Ngjarjet zhvillohen në Janinë dhe përreth territoreve që dikur kontrolloheshin nga Ali Pasha. Ai paraqitet si një figurë e fuqishme, plot kontradikta: një udhëheqës i ndritur që ndërton qytete, rrugë dhe ujësjellës, por njëkohësisht një tiran i pamëshirshëm, i dhënë pas hakmarrjes dhe i prirë për të mbretëruar me frikë. Skenat e oborrit të Janinës janë të ngarkuara me intriga politike, dashuri të ndaluara dhe dramë ekzistenciale — një mikrokosmos i Lindjes romantike që për Jókain është po aq i bukur sa dhe i rrezikshëm. Ky pështjellim shprehet fuqishëm në skenën përfundimtare të romanit, të bazuar mbi ngjarje historike, kur pas vdekjes së Aliut, kokën e tij ia dërgojnë Sulltanit.. Jókai Mor përshkruan me mjeshtëri reagimin e popullit të Stambollit ndaj ekzekutimit të një prej figurave më të frikshme dhe enigmatike të kohës:

“Në ditën e caktuar, tatari mbërriti në Stamboll me kokën e Aliut.

[…] Te porta ku ishte ekspozuar koka e Tepelenës, turma ishte aq e madhe për tri ditë me radhë, sa disa njerëz u shtypën për vdekje nga ata që donin ta shihnin – të gjithë kishin ardhur për të parë atë fytyrë me mjekër të thinjur, para vështrimit të tërbuar të së cilës kishte dridhur për një kohë të gjatë gjithë perandoria.”

Ky përshkrim jep jo vetëm fundin tragjik të një tirani, por edhe thellësinë simbolike të frikës dhe respektit që kishte ngjallur figura e tij.

Romani ndihmoi në ndërtimin e një imazhi të romantizuar të shqiptarëve në mendësinë hungareze të shekullit XIX. Shqiptarët përshkruhen si luftëtarë krenarë, të egër, por të ndershëm, që respektojnë ligjet e nderit dhe të besës. Për lexuesin hungarez, ky ishte një popull i panjohur, por i respektueshëm për heroizmin dhe për natyrën e paepur. Figura e Ali Pashës, e shkëputur nga imazhi tipik i pashallarëve osmanë, u bë simbol i një fuqie shqiptare me ambicie perëndimore dhe organizim modern. Kjo e bëri romanin të veçantë dhe shumë të lexuar në kohën e vet, duke i ofruar një paralelizëm mes përpjekjeve për autonomi në Ballkan dhe luftës së Hungarisë për pavarësi nga Habsburgët. Në këtë mënyrë, Jókai ndërtoi një urë emocionale mes lexuesit hungarez dhe një realiteti gjeopolitik që ndodhej larg Vjenës, por që përmbante ngjashmëri të dukshme.

Romani i Jókait është një ndër të parat që i kushtohet tërësisht Ali Pashës në mënyrë artistike. Në krahasim me veprat më të vona si “Ali Pasha” nga Alexandre Dumas apo paraqitje e tij në veprën e Bajronit, vepra e Jókait është më pak patetike dhe më e ndërlikuar në ndërtimin e karakterit të protagonistit. Ai nuk e sheh Aliun si thjesht një hero apo një tiran, por si një njeri të pushtetit që lufton me vetveten dhe me sistemin që e krijoi. Gjithashtu, në krahasim me përshkrimet dokumentare si ato të Pouqueville apo Leake , romani i Jókait qëndron si një dëshmi letrare e mënyrës se si Lindja interpretohej për lexuesin perëndimor – një interpretim që ndonjëherë shkon përtej fakteve historike në emër të ndjeshmërisë estetike dhe ideologjike të kohës.

Romani “Janicsárok végnapjai”( i përkthyer në shqip “Luani i Janinës” nga gazetari Ahmet Qerriqi dhe botuar në Prishtinë 2018 nga Radio Kosova e Lirë) i Mór Jókait nuk është thjesht një rrëfim për jetën e një sundimtari shqiptar. Ai është një pasqyrë e mendësisë romantike evropiane për Orientin, një interpretim letrar i forcës dhe tragjedisë, si dhe një dëshmi e marrëdhënieve kulturore mes Ballkanit dhe Evropës Qendrore. Për lexuesin shqiptar, kjo vepër ofron mundësinë për të kuptuar se si është parë Ali Pasha në letërsinë evropiane dhe çfarë roli ka pasur figura e tij në ndërtimin e një imazhi kulturor që ende rezonon në studimet historike dhe kulturore të sotme. Ky roman është një dritare e rrallë letrare në historinë shqiptare, që e meriton të lexohet, të përkthehet rishtazi dhe të analizohen në mënyrë të thelluar ndikimet e tij në perceptimin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe shqiptarëve në shekullin XIX.

Filed Under: Histori

Bota që shkakton zemërimi dhe frika…

August 12, 2025 by s p

Agim Baçi/

Filozofi italian, Umberto Galimberti, është një prej zërave më të fortë që prej vitesh ka ngritur alarmin për pasojat e komunikimit të vështirë që kanë sot prindërit me fëmijët e tyre adoleshentë. Kjo, sipas tij, ka ardhur pasi nga njëra anë shumë fëmijë kanë një fjalor gjithnjë e më të mangët për të shpjeguar gjendjen e tyre emocionale dhe nga ana tjetër prindërit mbajnë ende në mendje modelin e edukimit nga etërit e tyre pa mundur të lexojnë realitetin. Por si duhet të sillemi ne me fëmijët teksa fuqinë e komunikimit në familje, në rrugë e në shkolla e ka marrë tregu i zbavitjes dhe konsumit? A jemi ne të rriturit të përgatitur për t’i dalë zot botës së fortë të ankthit që krijon besimi te konsumi, te zbavitja?

Përgjithësisht ata që kanë kaluar të tridhjetat e kanë të qartë fuqinë e komunikimit në një komunitet banorësh ku ka bashkëveprim, ku bashkëmoshatarët luajnë me njëri-tjetrin. Por fëmijët e sotëm janë një brez që kanë dijeni për gjithçka që është në shitje, për gjithçka që mund të jetë e reja më e fundit teknologjike, e megjithatë nuk arrijnë të orientohen përballë fqinjit apo fqinjës së tyre, përballë shokëve të klasës. Një brez i tillë, i gjendur nën pushtetin e fortë të ankthit për t’u bërë i famshëm, rrezikon të mbetet peng vetëm i rezultatit, pa kuptuar se jeta e njeriut kalon në zigzage ulje-ngritjesh, ku humbja mund të jetë një stacion i mirë për të njohur veten dhe tjetrin, ndërsa fitorja mund të shkaktojë përgjumjen përballë botës së vërtetë.

Por, kushdo që mendon se kjo situatë është individuale e fëmijës së tyre, apo vetëm e shoqërisë shqiptare, gjykon gabim dhe rrezikon të prishë urat e komunikimit me to. Një situatë e tillë ka nevojë për një debat sa familjar e shkollor, aq edhe mbarëkombëtar, ku të mos i hapim udhë lumit të pesimizmit, pasi një lumë të tillë nuk dërgon asnjë varkë në një breg zgjidhjesh.

Në lumin e pesimizmit dhe të mos komunikimit fiton vetëm ankthi i përkohësisë, vetëm bota që shkakton zemërimi dhe frika. Ndërkohë që ne të gjithë e dimë se ajo që e mban fillin e fortë mes nesh është besimi dhe dashuria, është empatia dhe solidariteti dhe jo vetmia.

Ne si prindër duhet të kuptojmë se premtimi për një të ardhme më të mirë, sot nuk vlen njësoj me fëmijët e sotëm, të cilët gjenden të kërcënuar nga “droga e famës”, nga ethet e pasurimit të shpejtë, të cilat, në fund të rrugëtimit mund të rezultojnë vetëm një larmi vuajtjesh dhe padurimi. Nën ndikimin e spektaklit e të konsumit dhe të kërcënuar gjithnjë e më shumë nga rezultati dhe jo nga qëllimi i asaj që bëjnë, fëmijët do ta kenë gjithnjë e më të vështirë të përcaktojnë emocionalisht kufijtë e kënaqësisë për atë që kanë dhe për atë që duan të bëjnë me jetët e tyre. Mungesa e qëllimeve për të nesërmen e ka kthyer të tanishmen në një diktaturë padurimi, por për ta lexuar si të tillë, ne, prindërit, duhet të gjejmë udhën e një leximi të përbashkët me bijtë e kohës, me sfidat e së tashmes që na paraqitet çdo ditë si e vetmja rrugë.

Gjatë gjithë prej kohësh ne shohim se si ndeshen të rinjtë me pyetësorë pa fund, me sondazhe që kërkojnë përgjigje të ngutshme dhe dhënie opinionesh, me statistika dhe kërkimet të tregut. Po kështu, thuajse çdo prind, me shumë gjasë, është përballur me emocionet që shkaktojnë te fëmijët rrëfime individuale në programe të përditshme televizive e sidomos në video të shpërndara, përfshi këtu deri ne limitet e fundit te intimes. Këto projekte e emisione i kthejnë të rinjtë në një gjah të konsumit të së sotmes, pa pasur fuqi të mendojnë për nesër, pa mundur të ëndërrojnë. Nën këtë presion, shumë fëmijë nuk e kuptojnë dot që, ajo që duhej të ishte vetëm e tyrja, është sot e gjithë publikut, pasi është bërë pjesë e show-t, duke u shpërndarë, pa ditur se kjo i bën më pas ata të pafuqishëm për t’iu kundërvënë makthit të spektaklit.

Sepse pak njerëz arrijnë ta kuptojnë se gjithçka është e jona kur kemi ditur ta ruajmë si të tillë, ndërkohë që kur e humbim, nuk varet më vetëm nga ne. Ndaj me përgjegjësi duhet t’u themi fëmijëve se informacioni nuk është mençuri, por vetëm një mundësi. Duhet t’u themi me qetësi se reflektimi ynë është i rëndësishëm dhe jo ajo që sugjeron bota e spektaklit. Përndryshe, nëse nuk ua themi hapur, do kemi murin e indiferencës së tyre ndaj asaj që do t’u kërkojmë më pas.

Ky mur indiference, zemërimi dhe nervozizmi që shfaqin të rinjtë mund të shembet nëse vendosim ura të vërteta bashkëbisedimi, pa u ankuar për atë që nuk kemi patur ne në kohën tonë dhe pa dramatizuar atë që ata na kërkojnë ata për shkak se janë bij të kohës së tyre.

Filozofi italian Umberto Galimberti në librin e tij, “Bujtësi turbullues”, shkruan se për të kuptuar sa të rëndësishme janë për jetën raporti me humbjen, zgjidhja e konflikteve, solidariteti dhe empatia, duhet që të mos lejojmë që fëmijëve tanë t’u bëhet baby-sitter televizioni apo aparati celular.

Nëse nuk arrijmë dot të ndërtojmë pyetjet e duhura në familje e shkollë, nuk ka pse, më pas, të bëjmë si të tmerruar nga dhuna që pason shoqërinë tonë, nga cinizmi i të rinjve, të cilët pa përgjigjet e bazuara te fuqia e dashurisë dhe besimit, do të zgjedhin atë të talljes, të vënies në lojë dhe të zemërimit dhe ankthit. Nëse nuk i drejtojmë sytë nga dashuria, nëse zemrën e tyre e lëmë në dorë vetëm të rezultatit dhe arsyes, atëherë duhet të llogarisim se mund të jetojmë në mbretërinë e indiferencës së tyre jo vetëm për ne, por për gjithçka rrotull tyre.

Ndaj, le të mos ngurojmë që t’u themi fëmijëve se, nëse ke një zemër të ndjeshme, nuk është dobësi, por është forcë për të kuptuar. Le t’u themi me forcë fëmijëve tanë se të kesh sa më pak rroba në trup ku duket lakuriqësia jote nuk do të thotë se je më i hapur ndaj të tjerëve. Natyrisht, të lakuriqësosh shpirtin është më e rëndë se sa të lakuriqësosh trupin. Por ne duhet të këmbëngulim që ata të dinë se të heqësh gardhin e turpit nuk do të thotë se me tjetrin je kuptuar. Përkundrazi, mund të lëndosh ata që të kanë menduar të jenë të afërt, pasi rënia e murit të turpit për intimen është jo vetëm humbje e dinjitetit por njëkohësisht edhe përjashtimi i atyre që na duan dhe duam nga të qenurit për ta dhe me ta.

Ne kemi në dorë të rilidhim sërish në një botë të përbashkët konsumi shpirtin dhe mendjen, duke mos ia lënë pushtetin e së sotmes trupit, që të mos jetë ajo drejtuesja e botës së sotme të konsumit. Përndryshe, askush nuk mundet t’ia dalë përballë fuqisë që ka bota e mbështetur te rezultati, te klikimet, te strategjia që vendos turpin te të qenurit truptrashë, e jo trutrashë- siç vë re me të drejtë shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti.

Filed Under: Sociale

Pse policët në anglisht thirren “cop” dhe lidhja me foljen shqipe “kap”

August 12, 2025 by s p

Studim socio-linguistik nga Rafael Floqi/

T’u thuash policëve “cops” në SHBA është një zakon që daton që nga shekulli XIX. Asnjë fjalë zhargoni për një profesion nuk e ka zëvendësuar aq shumë emrin origjinal të punës sa fjala “cop”. Fjala “cop”, (shqiptohet kap) përdoret si zhargon për “polic”, rrjedh nga folja angleze “to cop”, që do të thotë “të kapësh” ose “të arrestosh”. Kjo folje është dokumentuar që nga viti 1704 dhe besohet se vjen nga frëngjishtja e vjetër “caper” dhe latinishtja “capere”, që do të thotë “të kapësh” ose “të marrësh” . Me kalimin e kohës, “copper” u përdor për të përshkruar një polic, që më pas u shkurtua në “cop”. Ndërsa mediat dhe dokumentet zyrtare qëndrojnë te termi i gjatë “police officer” (oficer policie), shumica e njerëzve thonë shkurt “thirra cops,” “u ndalova nga një cop,” ose, nëse dita ishte me të vërtetë e trazuar, “u arratisa nga cops.”

Por si përfunduan oficerët e rendit të quhen “cops” dhe origjina PIE e fjalës.

Ka disa versione “të bukura” për origjinën e kësaj fjale që qarkullojnë, por fatkeqësisht asnjë nuk është e vërtetë. Jo, fjala “cop” nuk është akronim për Constable on Patrol (qëndrues në patrullë – “constable” që është termi britanik për policin). As nuk është shkurtim i copper, që lidhet me materialin prej bakri të përdorur dikur për stemat ose butonat e uniformave të policisë.

Origjina e fjalës angleze “cop”

Në SHBA, “cop” u bë termi më i përdorur, ndërsa në Britani dhe Australi mbeti popullor copper. Edhe pse zakonisht shihet si një fjalë neutrale – ndryshe nga pig (derr), që ka kuptime fyese – disa nuk e pëlqenin. Sipas Snopes, J. Edgar Hoover e urrente të quhej “top cop” kur ishte drejtor i FBI-së. Po, ekziston një lidhje interesante midis fjalës angleze “cop” dhe fjalës shqipe “kap”, të dyja të lidhura me konceptin e kapjes ose arrestimit, dhe që ndajnë një origjinë të përbashkët indoevropiane.

Origjina e fjalës shqipe “kap”

Fjala shqipe “kap” gjithashtu ka kuptimin “të kapësh” ose “të marrësh”. Ajo rrjedh nga proto-shqipja “*kapa”, e cila ka origjinën nga rrënja proto-indoevropiane “*kap”, që do të thotë “të kapësh” ose “të marrësh” . Kjo rrënjë është e përbashkët në shumë gjuhë indoevropiane, duke përfshirë latinishten “capere”, gjermanishten e vjetër “habjaną” dhe greqishten e lashtë “κάπτω” (káptō) .

Fjala shqipe bazë “kap” që ka të njëjtin shqiptim si në anglisht dhe ka rrënjë të qarta në fondin indoevropian, por udha e saj deri në formën e sotme ka kaluar nëpër ndikime të shumta gjuhësore dhe historike.

Shumë studiues e lidhin “kap” me një rrënjë të lashtë indoevropiane që ka kuptimin “të marrë, të zërë me dorë”. Disa kandidatët kryesorë janë: *kap- ose *kapə- (PIE – Proto-Indo-European) → kuptimi themelor “të marrë, të kapësh, të mbash”.

Nga kjo rrënjë kanë dalë: latinishtja capere (“të marrë, të kapësh”) frëngjishtja e vjetër caper, chaper (“kap, merr”) ; italishtja capire (“kuptoj”, fjalë që fillimisht lidhej me “kapjen mendore” kuptimin e një ideje); anglishtja capture (përmes frëngjishtes nga latinishtja); spanjishtja coger (nga e njëjta rrënjë latine).

Rruga e fjalës “kap” në shqip

Në shqip, fjala “kap” është pothuajse me të njëjtën formë si latinishtja capere në temën e saj themelore (cap-). Ky fjalë e hershme (para latinishtes së vonë), sepse ruan strukturën e thjeshtë njё rrokëshe kap- pa prapashtesa. Trashëgimi më e lashtë nga proto-ilirishtja me të njëjtën rrënjë PIE (*kap-), e përforcuar më pas nga ndikimi latin. Në këtë skenar, ilirishtja kishte tashmë një folje të ngjashme me kuptimin “zë, marr”, dhe latinishtja “capere” vetëm sa e konsolidoi formën.

Paralele në gjuhë të tjera indo-evropiane Latin: capere – “të marrësh vesh, të zësh” ;; Sanskrit: gabhasti (“kapje, dore” – rrënjë e ngjashme semantikisht) Greqisht e vjetër: καπτω (kaptō) – “marr, kap, gëlltit” Lituanisht: kãpti – “ta kapësh me gojë”; Gjermanishtja e vjetër: hafjan (kap, merr) – nga rrënjë tjetër por me kuptim të njëjtë.

Zhvillimi semantik në shqip

Në shqip, “kap” ka ruajtur kuptimin fizik bazë (“të marrë me dorë, të zësh”), por është zgjeruar edhe në: kap me mend – në kuptim figurativ “të kuptosh” ; kap shpejt – “reagoj shpejt”; kap në flagrancë – përdorim ligjor. Ky zgjerim kuptimi është i njëjtë me atë që ndodhi në latinisht (capere → “kuptoj”) dhe italisht (capire).

Gjuha proto-Indo-Europiane (PIE) nuk ishte një gjuhë monosilabike siç pretendojnë disa të ashtuquajtur gjuhëtarë facebuku,— rrënjët e saj themelore leksikore zakonisht ishin të formës (B)BZB(B), shpesh me zanore të plota ose të reduktuara. Rrënjë si *bher- (“të mbartësh”), *dʰewbʰ- (“thellë”) ose *ster- (“i ngurtë”) ishin kryesisht rrënjë monosilabike, por mund të zgjeroheshin me prapashtesa dhe mbaresa inflekcionale. Shumë fjalë PIE ishin kështu monosilabike në rrënjën e tyre, por u bënë polisilabike pasi u shtuan mbaresa ose parashtesa.

Gegërishtja tenton të ruajë disa grupe bashkëtingëlloresh dhe të zvogëlojë zanoret e patheksuara më agresivisht sesa toskërishtja. Shembull: Gegërishtja kryp “kripë” kundrejt toskërishtes kripë < latinishtja salem përmes një forme më të hershme. Kjo mund ta bëjë gegërishten të duket “më e vjetër” ose “më koncize” në numrin e rrokjeve, por kjo nuk është gjithmonë një mbijetesë e drejtpërdrejtë nga PIE — shpesh është njё erozion fonetik i mëvonshëm.

Ca fjalë për fjalën “polic”

Fjala angleze “police” rrjedh nga frëngjishtja e mesme (Middle French) police, që do të thotë “rend publik”, “administratë” ose “qeverisje”, e cila nga ana e saj vjen nga latinishtja politia, që do të thotë “administratë civile”. Kjo termologji gjurmohet deri tek greqishtja e lashtë πολιτεία (politeía), që do të thotë “qytetari”, “administratë” ose “polici civile”, dhe rrjedh nga fjala πόλις (pólis), që do të thotë “qytet”. Etym Online More Merriam-Webster.

Në përdorimin e hershëm anglez (rreth viteve 1530–1600), fjala “police” i referohej në mënyrë të gjerë rregullimit dhe kontrollit të komuniteteve – praktikisht është sinonim me policy (politikë) Etym Online Patricia Meredith. Me kalimin e kohës, veçanërisht në fund të shekullit XVII dhe fillim të shekullit XVIII, kuptimi u ngushtua duke filluar të përfshinte menaxhimin e rendit publik dhe zbatimin e ligjit, ndikim i cili erdhi kryesisht nga përdorimi në France Deri rreth viteve 1800–1810, fjala “police” filloi t’i referohej veçanërisht një force të organizuar civile, e ngarkuar me mbajtjen e rendit publik dhe parandalimin e krimit. Subjekti i parë në Angli që quhej “police” ishte Marine Police, themeluar në vitin 1798 për të mbrojtur mallrat në Portin e Londrës.

Ne shqip fjala polic, oficer policie ka hyre vonë. Në shqip, madje termi “milic” (ose “milici” në disa përdorime) dhe “polic” (ose “polici”) kanë dallime të qarta historike, strukturore dhe kontekstuale.

“Milic” / “Milicioner” vinte nga sistemi i ish-Jugosllavisë dhe periudha komuniste, ku administrata dhe strukturat e rendit ishin formatuar sipas modelit të “Milicisë” (srbo-kroatisht: milicija). Për shembull, në Kosovë gjatë komunizmit, përdornin tituj si milicioner, organ i punëve të brendshme, etj..

“Polic / Policia” është term modern, i cili është adopuar nga ndikimet perëndimore (italiane, angleze e amerikane). Në Shqipëri prej vitit 1913 u themelua “Policia e Shtetit” (State Police, Policia e Shtetit) si autoriteti kryesor i zbatimit të ligjit Wikipedia. Termi shqiptar “Policia e Shtetit” vjen prej direkt nga Polizia di Stato italiane. Milicia dhe Policia ishin struktura të epokës komuniste që nuk funksiononte vetëm si polici civile, por edhe për shtypje politike dhe ruajtje ideologjike. Në Shqipëri, në periudhën 1945–1991, ekzistonte “Policia Popullore” ishte pjesë e sistemit të brendshëm nën kontroll të ngushtë politik të regjimit komunist.

Po pse ka shumë fjalë zhargon pёr policët

Fjalët zhargon për policët në anglisht dhe në shqip janë të pafund, por vetëm disa terma kanë mbijetuar.

Në shqip , rrufjan – term i vjetër për autoritet të padëshiruar, rendori – nga “policia e rendit”, garda – në të kaluarën për trupat e mbretërisë, xhandar – përdorur gjatë Perandorisë Osmane për forcat e rendit, i plotfuqishëm, polici i lagjes, uniformat Blu, shqiponjat, etj. Në të folurin urban, sidomos në Tiranë, Durrës e Shkodër, fjala “kalec” përdoret për njё polic që bën punët e pista për dikë tjetër: “Ai është vetëm kaleci i shefit.”

Origjina e termit 12 në anglisht nuk është aq e qartë. Ky numër, i përdorur shpesh në hip-hop për policët, mund të lidhet me kodin radiofonik të policisë 10-12, që do të thotë se ka civilë të pranishëm ose të pritet për udhëzime të tjera. Me kalimin e kohës, komunitetet mund ta kenë shkurtuar në “12” për t’u paralajmëruar për praninë e policisë.

Origjina e termit 12 në anglisht nuk është aq e qartë. Ky numër, i përdorur shpesh në hip-hop për policët, mund të lidhet me kodin radiofonik të policisë 10-12, që do të thotë se ka civilë të pranishëm ose të pritet për udhëzime të tjera. Me kalimin e kohës, komunitetet mund ta kenë shkurtuar në “12” për t’u paralajmëruar për praninë e policisë.

Një tjetër teori thotë se një njësi narkotikësh në Atlanta kishte numra njësish që fillonin me 12, duke e lidhur kështu numrin me policinë. Terma të tjerë zhargoni për policët : Cop, Copper, Pig, 5-0, 12 , Fuzz, Boys in blue (djemtë në blu) , Po-po.

Një shembull është 5-0 (Five-0), që mendohet se vjen nga seriali policor “Hawaii Five-0” (1968–1980). Në serial, “Five-0” i referohej faktit që Hawaii ishte shteti i 50-të.

Humoristi i madh, Charlie Chaplin, e ngarkon figurën e policit si një simbol të dhunës së shtetit, dhe për këtë arsye në filmin e tij Police (1916) e portretizon atë si objekt humori. Kjo mënyrë për t’u tallur me ligjet apo ata që i zbatojnë ofron një mënyrë të sigurt dhe komike për të sfiduar autoritetin. Në filmin Police të vitit 1916, Chaplin luan rolin e një ish-fajtori i liruar nga burgu që përfshihet në situata komike me policinë dhe shoqërinë në përgjithësi shkakton humor, por fjala “cop” nuk është e tillë dhe s’ka konotacion negativ.

Edhe pse fjalët “cop” dhe “kap” janë fjalë në gjuhë të ndryshme, ato ndajnë një origjinë të përbashkët nga rrënja proto-indoevropiane “*kap-“, që lidhet me aktin e kapjes ose marrjes. Kjo tregon se, pavarësisht zhvillimeve të ndryshme gjuhësore, disa koncepte bazë kanë mbetur të qëndrueshme në shumë gjuhë të familjes indoevropiane si shqipja dhe anglishtja.

Filed Under: Fejton

Përurohet shtatorja e dom Mikel Beltojës, meshtari i fundit i pushkatuar nga regjimi komunist

August 12, 2025 by s p

Në fshatin Beltojë, vetëm pak kilometra larg qytetit të Shkodrës, është përuruar shtatorja e një prej bijve më të shquar të këtij vendi, martirit të Kishës Katolike, dom Mikel Beltoja, meshtari i fundit i pushkatuar nga regjimi komunist.

Në ceremoninë e përurimit, përfaqësuesit e lartë të klerit katolik në Shqipëri e vlerësuan figurën e dom Mikelit si një pasuri të madhe historike, kombëtare, kishtare dhe shpirtërore. Ata theksuan se, edhe pas shpalljes së shtetit ateist në Shqipëri, ai nuk reshti kurrë së kryeri me përkushtim misionin e meshtarit.

“Vendimin për tu bërë meshtar ai e mori pasi pa me sytë e tij pushkatimin e pjesës më të madhe të meshtarëve, njëri pas tjetrit. Ai e përballoi hapur diktaturën komuniste për të treguar se kur Zoti është pasuria dhe themeli i ekzistencës njerëzore asgjë nuk mund të na mposhtë,” tha Giovanni Peragine, argjipeshkvi i Dioqezës Shkodër-Pult.

“Dom Mikel Gjergji jetoi, qëndroi dhe vdiq pikërisht për dinjitet e për identitet. Për identitetin si shqiptar, si i krishterë dhe si njeri i lirë. Prandaj edhe vdiq duke thirrë ‘Rroftë Krishti mbret e rroftë Shqipnia’,” tregoi dom Mark Pashkja, zëdhënës i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë.

Shtatorja prej bronzi është vepër e skulptorit Sadik Spahija, i cili u shpreh se frymëzimi për këtë krijim ka ardhur nga vetë personaliteti dhe qëndresa e dom Mikel Beltojës.

“Shtatorja duhet të kishte përkushtimin e thellë, mirësinë dhe përvuajtjen, forcën dhe besimin e trupëzuar në të gjithë figurën, gjestin e duhur, ndjesinë e të qenët në kishën e tij, në tokën e tij, në grishën e tij,” tha z. Spahija.

Dom Mikel Beltoja shërbeu si famullitar në Dajç të Bregut të Bunës dhe Barbullush. Në vitin 1973, ai u arrestua nga regjimi komunist dhe pasi mbrojti haptas idealet e tij fetare në gjyqin që iu bë, u pushkatua në vitin 1974 në moshën 39-vjeçare.

Gazetar: Adrian Hoti

/rtsh.al/

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 225
  • 226
  • 227
  • 228
  • 229
  • …
  • 2781
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT