• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

𝐈𝐧 𝐦𝐞𝐦𝐨𝐫𝐢𝐚𝐦 𝐭𝐞̈ 𝐯𝐮𝐚𝐣𝐭𝐣𝐞𝐬 𝐬𝐞̈ 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫𝐞̈𝐯𝐞 𝐦𝐞̈ 𝟕-𝟖 𝐠𝐮𝐬𝐡𝐭 𝟏𝟗𝟗𝟏

August 8, 2025 by s p

– 𝗖̧𝗳𝗮𝗿𝗲̈ 𝗻𝗱𝗼𝗱𝗵𝗶 𝗻𝗲̈ 𝗯𝗼𝗿𝗱𝗶𝗻 𝗲 𝗮𝗻𝗶𝗷𝗲𝘀 “𝗩𝗹𝗼𝗿𝗮” 𝗱𝗵𝗲 𝗻𝗲̈ 𝘀𝘁𝗮𝗱𝗶𝘂𝗺𝗶𝗻 𝗲 𝗕𝗮𝗿𝗶𝘁!

(Një histori e vërtetë)

Nga Dr. Bledar Kurti

Në atë verë postkomuniste të vitit 1991, liria erdhi si një tundim i ëmbël dhe joshës, por shumë shpejt u kuptua që pa katarsis çlirimi nga një regjim, sado i egër e mizor të kish qenë, nuk garantonte liri. Me sa duket, ferri nuk kishte qenë i mbushur vetëm me demonët që kishim lënë pas. Ferri ishin edhe njerëzit e tjerë.

Te vepra Huis Clos (Me dyer të mbyllura) Jean Paul Sartre shkruan: Ferri janë të tjerët!

Në këtë vepër, tre shpirtra të mallkuar, Garseni, Inesi dhe Estela, përfundojnë në një dhomë në ferr. Në vend të torturave të tmerrshme ndëshkuese, gjejnë një dhomë të modeluar në stilin perandorak francez. Ata kuptojnë se nuk kanë përfunduar në atë dhomë rastësisht dhe janë aty pikërisht për ta bërë njëri-tjetrin të mjerë. Për të ofruar ferrin te njëri-tjetri. Ndaj edhe vepra mbyllet me: FERRI JANË TË TJERËT!

Anija Vlora e nisur më 7 gusht 1991 nga Porti i Durrësit, dhe ajo çfarë ndodhi në stadiumin e Barit më 8 gusht, janë ndër ilustrimet më tragjike të ferrit të shkaktuar nga të tjerët, pra nga vetë ne. Elementi më tragjik i atij eksodi ishte ferri që i shkaktuam njëri-tjetrit.

Perdja e hekurt kishte rënë, por ne ende vazhdonim ta bënim njëri-tjetrin të mjerë. Ndoshta pa asnjë arsye. Ndoshta thjesht sepse dinim. Ku ishte vëllazëria e bashkëvuajtësve? Ku ishte solidariteti? Torturuesit nuk ishin më, përse nisëm të torturojmë njëri-tjetrin? A fshihet brenda njeriut dëshira për t’u ushqyer me dhimbjen e vëllait? Përse eksitohet e përndizet viktima kur viktimizon të tjerët? Pra, ferri janë të tjerët.

Disa elementë të atij eksodi janë mbajtur të pathëna si në media ashtu edhe në diskutimet e hapura publike.

Historia nis me atë çfarë ndodhi në bordin e anijes Vlora më datë 7 gusht 1991.

𝐑𝐫𝐞̈𝐟𝐢𝐦 𝐫𝐞𝐚𝐥 𝐧𝐠𝐚 𝐩𝐞̈𝐫𝐣𝐞𝐭𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐛𝐚𝐛𝐚𝐢𝐭 𝐭𝐢𝐦 𝐀. 𝐊𝐮𝐫𝐭𝐢:

Të etur e të përvëluar nga dielli, njerëzit u vërsulën në kuzhinën dhe mensën e anijes. Aty kishte punonjës që u jepnin njerëzve vetëm një garuzhde me ujë për person. Pasi uji mbaroi, të tjerët mbetën pa pirë deri të nesërmen kur arritën në Itali.

Nuk e kuptuam se çfarë kishte ndodhur, por në bord të anijes kishte ushtarë të vrarë të cilët ishin të mbuluar me batanije. Poshtë në hambar kishte tonelata me sheqer dhe mbi kapakët që mbulonin hambarin gjendeshin disa ushtarë të vrarë. Ne i dalluam menjëherë që ishin ushtarë nga spaletat dhe qethja e flokëve. Ajo anije po lundronte me njëzet mijë njerëz në kërkim të një jete më të mirë, ndër ta shumë gra shtatzëna dhe fëmijë. Por ai ishte udhëtim makthi. Shumë burra dhe gra u hodhën në det nga njerëz të panjohur. Gjatë natës dëgjonim ulërima dhe shumë banda të armatosura me thika të gjata tmerronin njerëzit. Trauma e eksodistëve dhe smerilimi i lirisë që kishim ëndërruar nisi që në bordin e anijes.

Me të arritur në bregun italian, rojat bregdetare do ta patrullonin rreptësisht anijen Vlora dhe ende pa u ankoruar në kalatën e portit, njerëzit nisën të hidheshin në det për të shuar të nxehtin që u kishte pushtuar trupin. Isha në gjendje të fikëti. Diellin e kisha mbi kokë. Nuk munda të duroj më dhe u hodha nga dymbëdhjetë metra lartësi. Kur preka ujin, forca e hedhjes më çonte thellë e më thellë nën ujë. Luaja këmbë e duar për t’u ngjitur, por vazhdoja të zhytesha. Ngrita kokën lart dhe drita e diellit sa vinte e zvogëlohej, derisa u bë terr. As edhe një rreze drite. Ky ishte fundi, mendova. Kujtova dy djemtë e mi dhe gruan. Nënën time, motrën dhe vëllain. Këmbët dhe duart më ishin mpirë dhe fryma po më mbaronte, megjithatë vendosa të shtyj me çdo muskul të trupit dhe me çdo grimcë të shpirtit të përpiqesha të shpëtoja. Nisa të ngjitem lart. M’u duk një përjetësi. Zot, më trego dritën. Të lutem, më trego dritën. Shtyva dhe u përpëlita derisa pashë një pikë të vogël drite e cila zmadhohej teksa ngjitesha gjithnjë e më shumë. Më në fund, dola në sipërfaqe, si një njeri i ringjallur nga vdekja.

Pas disa orësh na strehuan të gjithëve brenda stadiumit të Barit. Policia italiane e rrethoi stadiumin dhe na hidhte me helikopter ushqime e pije. Ne vërsuleshim si kafshë për të marrë diçka për t’u ushqyer dhe për të shuar etjen. Shpeshherë nuk ia dilnim, pasi kishte disa banda që vrisnin me sëpata e bajoneta këdo që merrte pakot me ushqime. Netët ishin të tmerrshme. Për shkak se ishte muaj i nxehtë, askush nuk e mori me mend që natën do të bënte aq ftohtë dhe ne ishim të veshur me bluza të holla, madje shumë burra ishin gjysmëlakuriq.

Kur erdhi mesnata, bashkë me të ftohtët nisën edhe përdhunimet. Shumë gra dhe vajza u përdhunuan sistematikisht gjatë atyre netëve brenda stadiumit të Barit. Ishte një terror përtej çdo imagjinate. Një dramë e gjallë. Që kur na strehuan brenda në stadium, e gjithë ajo hapësirë kontrollohej nga disa banda shqiptarësh të cilat ishin të armatosura. Madje njëra prej tyre kishte edhe një qen të egër që e mbanin me zinxhir. Si u armatosën, mendova unë. Po këtë qenin e egër ku e gjetën?

Njëra bandë njihej si e Laprakës, të tjerat si të Tiranës. Njëri prej drejtuesve të bandave, të cilat përbëheshin nga shtatë a tetë veta, mbante në kokë një kapelë kaubojsh, ndërkohë që pistoletën e mbante në brez.

Çdo mbrëmje këto banda shkonin nga njëri grup njerëzish tek tjetri, të shpërndarë në shkallët dhe fushën e stadiumit, zgjidhnin gratë dhe vajzat që u pëlqenin dhe i përdhunonin. Në një rast, më thirrën disa të njohur që të shkoja e t’i flisja Kujtimit, i cili punonte në të njëjtën ndërmarrje me mua. E kishin gjetur duke varur veten brenda një magazine nën shkallët e stadiumit. Kur shkova unë, ai ishte me një shkop në dorë me të cilin godiste dyshemenë. Bam, bam, bam dhe vërtitej nëpër dhomë. Bam, bam, bam. Sytë më kapën litarin që ishte ende varur në një tra metalik. E shthura nyjën dhe e mora litarin me vete. I fola, por ai vazhdonte të vërtitej dhe të godiste dyshemenë me shkop. Shoqja e tij me të cilën ishte takuar në anije, ishte përdhunuar një natë më parë. Ndoshta e kishin përdhunuar edhe vetë atë. Sytë e tij përpiqeshin të më thoshin diçka. Unë arrita të lexoja dhimbjen në ta dhe vuajtjen që kishte në shpirt. Por, ashtu si edhe njëzet mijë të tjerët në atë geto, isha i pafuqishëm.

Natën e dytë, teksa po ngrohesha bashkë me disa të tjerë në një zjarr të vogël me kartonë që kishim ndezur në shkallët e stadiumit, disa metra më poshtë ishin disa emigrantë nga Lushnja. Njëra prej bandave të armatosura, e kryesuar nga një burrë trupmadh i cili kishte vënë parukë të gjatë për t?u maskuar, iu afrua njërit dhe nisi ta godiste me shkop në kokë. Unë dëgjoja një tingull të thatë që jehonte deri te ne dhe mendova se ai po godiste shkallët e stadiumit e jo atë, por ajo zhurmë e thatë ishte koka dhe brinjët e lushnjarit. Aman, mos më vrisni. Jam baba i pesë fëmijëve. Ma kurseni jetën. Aman, mos më vrisni. Aman, kush do të ushqejë fëmijët e mi. Mos më vrisni. Mos më vrisni?. E lanë për të vdekur. Nuk e di nëse vdiq apo jetoi.

Adrenalina bëri të vetën dhe emocionet e tmerrit na pushtuan trupin duke na shndërruar edhe ne në bisha. Kur flinim, mbanin hunj e hekura në dorë në rast se na sulmonin. Nuk ishte më Italia ëndrra jonë e madhe, por mbijetesa.

Për shkak se netët ishin të ftohta, njerëzit nisën të thyenin çdo derë që gjenin në kërkim të një mbulese, rrobe apo çadre me të cilat mund të mbanin veten ngrohtë gjatë natës. Dhe ja u gjet një magazinë me materiale sportive ku siguruam mjete rrethanore për të fjetur ngrohtë gjatë natës. Por në atë magazinë kishte edhe gjyle, shtiza, sëpata dhe mjete të mprehta. Me të rënë në duart e bandave, njerëzit brenda stadiumit u shndërruan në shënjestra për rrokje. Shumë njerëz u vranë me shtiza të cilat ua depërtuan trupin tej e përtej. Disa të tjerë me goditje gjyle e sëpata në kokë. Kush mbante në duar ushqime apo rroba, bandat i bënin pritë dhe e godisnin me shkopinj bejsbolli.

Dy ditët e para u vranë shumë njerëz. Të ulur në shkallët e stadiumit, shikonim të tmerruar se si shumë burra dhe gra goditeshin me shtiza në bark, pas shpine apo me gjyle e shkopinj mbi kokë. Më pas hidheshin në cepat e stadiumit dhe mbuloheshin me plastmasë.

Një mëngjes pamë një ushtar që vraponte nga njëra anë e stadiumit tek tjetra dhe bandat e ndiqnin me shtiza në dorë. Ai u shpëtoi shumë shtizave, por njëra prej tyre e zuri dhe e depërtoi mespërmes. Klithma e tij u dëgjua nga të gjithë ne.

Ferr. Ai eksod ishte ferr. Flakët po i ndiznim vetë për njëri-tjetrin.

Ferri janë të tjerët.

————

Anija Vlora kishte 20,000 mijë shqiptarë në bord kur arriti në Bari, pas refuzimit dhe bllokadës që iu bë për t’u ankoruar në Brindisi. 17, 400 prej tyre u riatdhesuan në Shqipëri ose përmes shpërblimit prej pak liretash ose me detyrim (me qenë, forca policie dhe të trasportuar në Rinas me avionë ushtarakë), ndër ta edhe babai im. Qeverisë shqiptare iu dhanë 90 miliardë lireta për ushqime dhe 60 miliardë lireta për industrinë dhe shkollat. Kjo ndihmë u dha që të mos kishte më eksode të tjera. U mbajtën zyrtarisht vetëm 1,500 shqiptarë, vetëm ata që paraqitën kërkesë për strehim politik. Por, gjatë 30 viteve në vazhdim, azili ekonomik dhe kërkesat e shqiptarëve për strehim politik në vendet perëndimore do rriteshin gjithnjë e më shumë.

U larguan nga një vend i mrekullueshëm dhe i bekuar nga Perëndia por i sterrosur nga njerëzia, nga ajo që Jean Paul Sartre e quajti: FERRI JANË TË TJERËT.

Filed Under: Emigracion

Shqiptarët në Mal të Zi dhe Porta e Lartë

August 8, 2025 by s p

“Pasi kishin pësuar humbje të mëdha në luftimet kundër trupave osmane dhe u thyen edhe këtë herë të fundit, malazezët e kuptuan se e kishin të pamundur që ta merrnin me forcë Gucinë, prandaj iu drejtuan sërish shteteve të Europës për ndihmë. Edhe këta të fundit i dërguan paralajmërime shtetit osman që t’i ndalonte shqiptarët për t’u vajtur në ndihmë banorëve të Gucisë por, meqenëse për gegët çështja e fshatrave Vuthaj dhe Martinaj në kazanë e Gucisë ishte një çështje nderi, qe e pamundur që t’u imponohej diçka e tillë shqiptarëve. Sikurse u përmend edhe më lart, shteti osman e kishte liruar e braktisur kazanë e Gucisë duke e zbatuar vendimin e Kongresit, prandaj ai nuk mbante asnjë përgjegjësi në këtë mes. Po ashtu, nëse nahija e Vasojeviçit të Poshtëm, e cila ishte lënë në anën e Bosnjës, do të shkëmbehej me kazanë e Gucisë, Mali i Zi mbetej i kënaqur dhe çështja konsiderohej e zgjidhur. Ky ishte mendimi im modest, që gjeti edhe mbështetjen e autoriteteve përkatëse por ishte kabineti i Austrisë ai i cili nuk e pranoi këtë formë zgjidhjeje. As Porta e Lartë nuk këmbënguli më gjatë në këtë drejtim. Por ambasadorët kryen një manovër tjetër diplomatike, sipas së cilës kërkonin dhënien e një hapësire tjetër territoriale në vend të Gucisë.

Më konkretisht, ambasadori i mëparshëm i Italisë, Korti do të shprehej se “meqenëse banorët e Gucisë janë myslimanë dhe shqiptarët do t’i mbrojnë vazhdimisht, situata nuk do të gjejë zgjidhje. Ndërkohë që popullsia e zonave në anët e Podgoricës nuk janë kryesisht myslimanë”, prandaj kërkonte që këto vende t’i jepeshin Malit të Zi në këmbim të Gucisë. Ndërkohë që pjesa më e madhe e malësorëve, të cilët u erdhën në ndihmë banorëve të Gucisë, ishin katolikë dhe, sikurse e përmenda më sipër, qëllimi kryesor i tyre ishte mbrojtja e fshatrave dhe e zonave shqiptare. Ishte e qartë se malësorët, të cilët kishin ndërmarrë kaq shumë sakrifica për mbrojtjen e dy fshatrave myslimane, i përkisnin malësisë së Kelmendit. Pra, nuk u kishin ardhur në ndihmë atyre për faktin se ishin myslimanë. Nga ana tjetër, vendet në anët e Podgoricës që përfliteshin për t’ua dhënë malazezëve ishin Gruda dhe Hoti, dy zona të cilat ishin ngjitur me malësorët e Kelmendit. Nëse malësorët ishin ngritur në këmbë për dy fshatra shqiptare në kazanë e Gucisë, sigurisht që nuk do të pranonin t’i jepej Malit të Zi i asnjë pëllëmbë tokë nga zonat e banuara prej tyre. Madje, në një rast të tillë, e gjithë Gegëria do të ngrihej për të sulmuar Malin e Zi. Nuk dihet si ndodhi, por Ministria e Jashtme e pranoi propozimin e Kortit dhe kështu u firmos një dokument që parashikonte pagimin e një bedeli prej malësorëve të Shkodrës në vend të Gucisë…” -A. Cevdet, 1862.

“Histori e Shqipërisë” – Eduart Caka

Filed Under: Histori

KODI PENAL I SHPËTIMIT – “KUSH VJEDH ME ZEMËR TË PASTËR, SHPËTOHET!”

August 8, 2025 by s p

Pamflet nga Rafael Floqi

Generated image

Mirëseerdhët në Republikën e Pafajësisë Shqiptare , ku krimi burokratik vdes nga dashuria ligjore, jo nga drejtësia!

Të nderuar qytetarë dhe të nderuar zyrtarë të lartë (sidomos ata me valixhe gati për t’u arratisur), kemi kënaqësinë të shpallim Kodin e Ri Penal Socialist, më i dashur, më mbrojtës, më shpëtimtar se kurrë më parë!

Nëse jeni zyrtar dhe keni bërë “gabimisht” ndonjë tender për hallën, dajën, kushëririn e dytë apo për xhepin tuaj – mos u shqetësoni! Sipas versionit të ri, nuk mjafton të keni vjedhur me dorë të lirë. Jo! Prokuroria tani duhet t’ju lexojë mendjen për të vërtetuar se kishit qëllim kriminal. Po kush ka më kohë të provojë qëllime, në një vend ku edhe gjyqtarët i kanë qëllimet në pushime?

Arben Ahmetaj, shembulli më edukativ i këtij realiteti – arratisur larg, i qetë dhe i lirë – është prova që kodi penal mund të jetë më i butë se një çaj kamomili në ditë proteste. Një vendim gjykate nuk u zbatua? Dëm me miliona? Asnjë problem. S’e provoi dot njeri që Arbeni donte të dëmtonte me vetëdije. Ndoshta i rrëshqiti gishti në dëm.

Tenderët? Barazi? Mos e përmendni më!

Kodi i vjetër thoshte se mjaftonte të shkelje rregullat e tenderit dhe përfundoje në burg. Kodi i ri thotë: vetëm nëse vërtetohet që doje të përfitoje! A gjeni se çfarë po mendon Lali tani ? Dhe ajo çështja Partizani duket si kot me këtë Kod, ta kenë menduar vallë?

Po nëse flet me sarkazëm dhe fsheh përfitimin? Thjesht, je njeri i kujdesshëm – jo kriminel. Ligji të duartroket, jo të ndëshkon.

“Ligji i gjatë, dënimi i shkurtër” – Formulë e re juridike me aromë partishmërie

Kodi i vjetër kishte 71 fjalë për abuzimin me detyrën. Kodi i ri ka 162 fjalë, me më shumë kthesa se rruga e Qafë-Thanës, por që në fund nuk të çojnë askund, veçse në rrugën e lirimit.

Nëse dikur mjaftonte një mosveprim për të të dënuar, tani duhet një sinjal nga telepatia për të vërtetuar qëllimin kriminal. Ose më thjesht: nëse nuk e thua me gojë “po, dua të vjedh”, je i pafajshëm.

Dënime për qytetarët që guxojnë të flasin… por jo për hajdutët që vjedhin me stil

Kodi i ri Penal nuk është veç një letër amnistie për zyrtarët në hall, por edhe një kërcënim për çdo qytetar që guxon të qeshë me Begajn, Ramën apo ndonjë tjetër të përkryer institucional. Të tallesh me autoritetet? Burg! Të vjedhësh tenderin? Vetëm nëse e bëre me qëllim (dhe s’të kapën kamerat).

Qeveria? Jo, s’është autori – vetëm qëllimi ishte i mirë!

Një grup “ekspertësh anonimë” – të cilët ende s’i kemi parë me sy – kanë shkruar këtë kryevepër gjuhësore që s’e kupton as vetë drejtësia. Profesori Fuga thotë që gjuha e ligjit duket si llastik. Po, llastik që zgjatet aq sa të nxjerrë të pafajshëm gjithë kupolën.

Përfundimi?

Nëse ke vjedhur, falsifikuar, abuzuar me detyrën apo prishur barazinë në tenderë, mos ki frikë!

Thjesht thirr një avokat me përvojë në interpretim “llastiku”, e me ndihmën e kodit të ri, ti do të jesh sërish në krye të detyrës… apo në Dubai, sipas dëshirës. 

Kodi Penal i Rilindjes: më i butë se qymyri politik, më elastik se flamuri i drejtësisë.

Sepse në Shqipëri, 

Drejtësia është për të vegjlit, kurse kodi është për të mëdhenjtë.

Filed Under: Ekonomi

Udhëtim imagjinar, nëpër Shqipëri dhe Kosovë me UDHËRRËFYESIN

August 8, 2025 by s p

Albana Hasku

Sofiela Ropi

SHQIPONJAT E MËNDAFSHTA

(Le Aquile Di Seta) Bari (Itali)/

Udhëtim imagjinar, nëpër Shqipëri dhe Kosovë me UDHËRRËFYESIN. Shkodra. Ishte njëra nga temat (punëtoritë) e mbajtura në, Seminarin e XVIII Mbarëkombëtar me mësuesit e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë dhe në mërgatë. “Gjuha shqipe dhe Kultura Shqiptare në epokën digjitale”

Shkodër, 31 korrik – 3 gusht 2025. Po, ç’është Udhërrëfyesi? Si mund t’a përdorim atë, duke krijuar një laborator didaktik dhe edukativ, që ndikojnë në mësimdhënie me bazë konstruktive dhe nxisin krijimtarinë e të nxënit? Udhërrëfyesi, është një cikël me materiale didaktike për mësimdhënien në Diasporë me autore Milena Selimi. Ky cikël, udhëtimesh, rrëfen trashëgiminë kulturore për 10 qytete të Shqipërisë dhe Kosovës, që do t’u shërbejë fëmijëve të diasporës të krijojnë një lidhje shpirtërore me vendet e origjinës. Ky projekt përmban qytetet :Shkodra, Gjirokastra, Berat, Prizren, Gjakovë, Kruja, Tirana, Durrësi, Prishtina, Vlora.

Pra, nga titulli i këtij libri (Udhërrëfyesi), kuptohet rëndësia që kanë materialet që Qendra e botimeve për Diasporën krijon për shkollat shqipe në Diasporë, por dhe aftësia e mësuesve për t’a transmetuar tek nxënësit. Lënda e gjeografisë, zë një vend të veçantë, pasi krahas gjuhës shqipe, nxënësit mësojnë dhe njihen nga afër me vendin, atdheun e prindërve dhe të parëve të tyre. Nëpërmjet kësaj lënde njohin qytete, shtete, territore, pozitën gjeografike, dukuri natyrore, zhvillimin Ekonomik, politik, kulturor, zhvillimin e turizmit, ku herë pas here udhëtojnë me prindërit për pushime, atje ku i pret “Një derë e hapur”, ku gjyshërit gëzojnë ndërkohë bisedojnë me nipërit në gjuhën shqipe. Rëndësi ka jo vetëm komunikimi, por orientimi, kur udhëtojmë. Udhërrëfyesi është një libër praktik, I pajisur me ilustrime të bukura, të thjeshta e të larmishme, nxënësit miqësoren shpejt me të, gjithashtu I gjejmë në format digjitale (PDF), të thjeshtë në përdorim.

Ky projekt në shkollën tonë nisi në muajin janar, me qytetin e Shkodrës qendra e veriut të Shqipërisë. Shkodra mes maleve, liqenit, detit dhe lumenjve. Shkodra, bukuria e rrallë mes ujërave : aty ku Drini Buna dhe Kiri, buzë Rozafës bahen nji. Udhërrëfyesi rrëfen Shkodërlocen këtë qytet të biçikletave, me shëtit I lirë në këtë QYTET DASHNIE, në oborret e historive e lagjeve plot dritë kulture.Shkodra vjen me njerëzit e saj të shquar, nga At. Gjergj Fishta me vargjet e tij, të Filip Shiroka, Koli Idromeno, që thotë, se “Shkodra nuk asht mendjemadhe, por nji vajz e dhastueme, prej dashnisë gjithkujt. Martin Camaj, që e quen” Qyteti me Kunora “. Kështu pra futemi n’Shkoder e njihemi me kulturën e saj, artin, muzikën, arkitekturën, muzetë e bukur, të vetmit në Shqipëri. Në Shkodër gjejmë traditën, mikpritjen e bujarinë. Me kenë shkodran t’tana i ban. Në fund, pasi marrin njohuritë mbi këtë qytet karajfila e lulebore, nxënësit përgatiten të bëjnë një udhëtim imagjinar. Po si?

Klasa e IV ndahet në dy grupe.

Dy mënyra për të udhëtuar nga Bari drejt Shqipërisë dhe pastaj drejt Shkodrës së legjendave.

1-grupi i parë udhëton me avion

2-grupi i dytë udhëton me anije.

Propozimet janë të ndryshme. Dikush me Google Maps, Një tjetër me hartat e përgatitura në klasë, një nxënëse njofton gjyshin për t’i shoqëruar etj. Pra pyetjet janë të ndryshme pjesëmarrja

kurioziteti dhe fantazia e nxënësve, është aq interesante, sa mund dhe kohën, duan të vazhdojnë dhe pse ajo kalon. Por, a do të arrijnë shqiponjëzat e Mëndafshta, këta Udhëtarë të së ardhmes të udhëtojnë drejt Shkodrës me udhërrëfyesin? Per këtë kemi menduar të bashkëpunojmë me shkollat shqipe në Itali, të krijojmë një konkurs me një pyetësor të Udhërrëfyesit me titull UDHËTARË TË VEGJËL RRITEN NË DIASPORË. Ejani me ne, të udhëtojmë sëbashku nëpër Shqipëri dhe Kosovë me UDHËRRËFYESIN. Po ju presim.

Filed Under: Komente

PARAMETRAT E DIMENSIONEVE LETRARE TË PREND BUZHALËS

August 8, 2025 by s p

Brahim Avdyli/

Duke i shqyrtuar këtu 7 vepra të Prend Ndue Buzhalës, në një shikim të gjithanshëm dhe pa i trajtuar romanet e tij ( që do të jenë të trajtuara në një vepër tjetër timen, nëse gjëj kohë të mjaftuar, sepse i kam disa vepra shkencore, letrare, publicistike dhe të tjera të rëndësishme!): „Moisiu fluturonte me Qerren e Zjarrtë“, 2003; „Njerëzit prej fijeve të dritës“, 2019; më tutje, “Në kapërcyell“, SHB „Lena“, Prishtinë, 2020; dhe përmbledhja e tregimeve “Një buzëqeshje përtej varrit” (Tregime pleqërishte për një roman me frymë të shkurtër), SHB “Lena”, Prishtinë, 2023, apo ndonjë tjetër me tregime të mëparshme, që janë proza të shkurtëra, si p.sh.: “Shenjat e kryqëzimit/rrëfejza të vërteta”, 2020; “Zërat jashta vetes”, 2021 dhe “Qiellit i mungonin lotët” 2022, etj., me këto vepra të tanishme të cilat i kemi shqyrtuar, na kompletohen, në njëfarë forme, dimensionet letrare.

Do të përpiqemi që të vëmë disa gjëra në spikamen tonë. Çka kemi thënë më parë nëpër studime tonat, i kemi thënë e nuk po i përsëritim të gjitha. Janë vërtetë një vijë e denjë, e pathënë plotësisht nga vrojusit e kritikët të tij letrar. Pse i kam filluar këto studime nga përkushtimet e tija të veçanta, në periudha të posaçme? Sepse gjendja e atdheut të anës shqiptare kalonte nëpër periudhat më të vështira, më të ndryshme e më të thella të jetës së mundimshme e të vuajtura të tij, madje me një jetë të trishtë e të dukur si të “humbur”.

Kombi shqiptar në pjesën e Kosovës ishte i zhytur thellë nën okupimin tërësisht antikombëtar të serbo-jugosllavëve. As sot e kësaj dite nuk pranojnë kurrsesi të hjekin dorë nga racizmi i tyre, nga ekstremizmi i tyre, nga shkatërrimi masiv, shpërfillja jonë kombëtare dhe fetare islame. Kudo i ka mbjellur kopilat e tyre, që flasin, rroken e pështillen kurdoherë siç e do serbo-rusia me izmat e tyre më të pamenduara, nëpër tokat tona, veçanërisht në Kosovë. Kombi shqiptar i kësoj pjese, i RKS, ka ardhur në pyetje të mos quhej shqiptar dhe të mos e flasë gjuhën kombëtare: gjuhën shqipe!

Gënjeshtrat e mëdha, që i ushtron Serbia, edhe me çmimin NOBEL, të cilat vetëtijnë në ndërdijen e vetëdijen e krijuar për natyrën e kombeve, më së pari për pjesën e kombit të ndarë në Republikën e Kosovës, pa marr parasysh Çamërinë (e cila është Epiri Jugor, sot në Greqi!), e të tjerat të mbetura nën Serbi, nën Malin e Zi dhe nën Maqenonisë së Veriut, po të mos themi se kështu zhytet thellë edhe Republika e Shqipërisë, që na stopon për gënjeshtrat serbo-ruso-greke dhe turko-arabe, dhe të gjitha na denatyrojnë.

Kjo gjë duket “natyrore”. Çdo fushatë që vjen nga ata që na kanë vrarë, persekutuar, përndjekur, gjymtuar, sakatuar apo zhdukur nga trupi ynë i vërtetë kombëtar është vepër e ligë e armiqve tanë…

Këtu po e themi se goditet artistikisht Prend Ndue Buzhala si në periudhat e ndjekjes së tij të përparshme. Përkundër autorit të posaçëm, Prend Buzhalës, armiku ynë shekullor përpiqet në të gjitha mënyrat të zhduk të vërtetat tona mijëvjeçare. Ato janë fakte të padiskutueshme. Prandaj po fillojmë këtë studim me veprën e tij estetike, të AMËS sonë, shqiptare dhe kombëtare, e denjë prej gjenezës sonë të madhe, “O Amë, O Amë”, botuar në vitin 1995, në kuadër të Klubit Letrar “Vorea Ujko”, në Klinë. Në realitet, këtu fillon vepra letraro-artistike e Prendit me një poemë recitative estetiko-etike, formë e veçantë, që do ta lexojë si lekturë edukative, e cila mund të lexohet, sepse autori i saj, Prend Ndue Buzhala u ndalua nga puna edukative e brezit të ri, e dhjetra brezave të Klinës, por ai arriti t’i edukojë etikisht dhe estetikisht brezat e lexuesve të Kosovës dhe më gjërë.

Na vie thirrja e parë etike për atdheun tonë “siç duhet të jetë”, e jo “siç është” nën platformat e shpërfilljes kombëtare.

Këtu vjen parësisht filozofia e jetes, e cila lidhet me numra për të tri ndarjet e kësaj vepre estetike, në “Estetika 1, 2 e 3”. Na shtrohen tri format e paraqitjes së Zotit të Madh e Krijuesit të Botës dhe dy Zotrave të kësaj bote, ATIT (Babait) dhe AMËS (Nënës sonë), kur i thërret “O Amë, O Amë”, me 157 emra të saj artistike, që të flet me Zotin e Madh, i cili nuk shihet me sy, por ndjehet me zemër, e AMA i ka më të mira se sa të tjerët, këto ndjenja të rralla të saj, t’ia shpallë njëherë e përgjithmonë gjendjen tonë të rëndë e të shtypur krejtësisht nga politika shfarorëse serbo-jugosllave, autokratike mbi ne, “fëmijët” e saj të padëgjuar, sepse t’i thuash njëmijëherë tërë botës, nuk po dëgjonte aspak e nuk merzitej shumë, as nuk lodhej për ne!

Kur starton në krijimtarinë e tij krijuese Prend Buzhala, e zgjedh njëren prej mundësive fenomenale, e cili ishte edhe në studimet pasdiplome të fakultetit, dhe kjo formë ishte forma më adekuate, speziale e recitative. Njëkohësisht, ajo ishte mjeti më i zgjedhur, e shkruar në poemë apo poezi recitative, si të vetmit mjet artistik i edukimit të tërë brezave, meqë ishte lënë me qëllim pa edukim nëpër bankat e shkollës ku do të punonte. Ai e zgjodhi këtë formë të veprës letrare si edukim të tërë brezave të kombit shqiptar, “të lejuar” përmes ndërgjegjes nga Hyjniu i Madh, i kësaj bote shpirtërore, që t’i kthejë sytë nga 157 thirrjet e tij artistike! Pra, ishte mohuar dhe ndaluar profesioni edukativ me brezat e ri shkollor, por si edukator i rrallë e fillonte estetikisht e etikisht edukimin e brezit të ri të kombit tij për idealet kombëtare, i cili po flente në një edukatë shkatërruese e të vështirë të atyre që “e shkruanin” vdekjen absolute kombëtare, me “edukatën” e plumbave, të burgosjeve, të asgjësimit, të kësaj pjese të ish-Republikës së Dardanisë mbretërore, e cila e kishte vënë në plan të dytë, por shumë të rëndësishëm, edhe shpërfilljen përmes fesë islame. Me këtë fé e vendoste lartë karakterin mashkullor dhe e kishte lënë “të pavlershëm” baraspeshën e gjinisë femrore, përmes një feje të huaj, në një gjuhë të huaj, gjuhës arabe, që po e zhdarraviste tërësisht idealin tonë kombëtar dhe edukativ.

Sa më i madh ka qenë dhe është denatyrimi i kësaj pjese të KSA të Kosovës e të pavetëdijshme kombëtarisht, aq më i gjërë ishin thirrjet e mëdha e të vetëdijshme të autorit të rrallë, Pren Ndue Buzhala, me 157 emrat simbolike e metaforike për Amën tonë të madhe, thirrje shpirtërore të autorit në fjalë, të cilat i drejtohen përmes AMËS fuqise subleme, ATIT, t’a riedukojë atë pjesë të kombit për rëndësinë e tyre kombëtare, të cilën e pat harruar e braktisur ajo pjesë e madhe e popullatës shqiptare, në radhë të parë ruajtjen e identitetit kombëtar.

Jo vetëm se ishte startimi i një biri të denjë i kësaj pjese të kombit, por është edhe një shtegtim i pasur estetik që i shpalos pasuri të thella shpirtërore, në kuptim të gjërë të ekzistenës.

Në veprat e tij, „Në kapërcyll” dhe “Një re pa atdhe”, mund të themi se janë pasqyrë e thellë vrojtuese e një krijuesi pa atdhe të vërtetë dhe me një dyshim të thellë krijues, pasi ai nuk konsiderohet se është “në mesin e të gjallëve”, por jeton dhe ka dëshirë prap që të na thotë diçka. Njëherë, e thotë “të vërteten” e brezit të tij dhe të brezave paraardhës prej fillimit, për të gjitha gjeneracionet pas tij. Prend Ndue Buzhala, si duket, na ka mbetur pa atdheun shpirtëror të shqiptarëve, pra “të albanëve” (këtu po e themi se italianët “l”-në latine e kanë zëvendësuar me “r”-në e emërtimit tonë të parë, arbanë-albanë, e këtë po e them për herë të parë, që ta shihni edhe ju!), i cili është shumë më i madh se të jesh “kosovar”. Cassova (Kasova) është një emër i një kalaje dhe një qyteti të Dardanisë, e nuk është emër i popullatës ilire, që janë ndarë më vonë.

Nuk ka absolutisht rëndësi cili e ka quajtur veten “shteti ilir” e kush nuk e ka quajtur kështu, por një gjuhë, gjuhën shqipe, e kanë pasur dhe të gjithë e kanë përdorur. Emërtimi nuk na e ndërron gjakun! Goja është prej tuli, e vërtitet andej e këndej, nëpër gojë. As nuk na e ndërron trajtën, edhe kur na fyejnë për këto gjëra. Yllor kemi qenë të gjithë dhe kemi zbritur për herë të parë në tokë prej Yllit të dyfisht Sirius ( që ta dimë se mbaresa “us”, është një mbaresë iliro-pellazge! ). Parailirë na quajnë ata dijetar që nuk i përfillin aspak mileniumet e ndarjet e shteteve. Babai i denjë i Kontinentit të Europës së parë, së bashku me Amerikën, POLIFEMI, i ka pasë tre djemë, përveç 12 vajzave, e të parin e ka emëruar ILIR. Iliria është ndarë më vonë si një shtet i madh nga shtetet e tjera, ndërsa maqedonët, thrrakasit e të gjithë frigët, edhe ato ishin ILIRE.

Nuk do mend se na mbetet një vizë e vogël e parametrave letrare edhe të Prend Ndue Buzhalës, e këto janë vetëm disa nga dimensionet e tij letrare. Po e them se vendlindja e tij na ka mbetur një pjesë e vogël e “Atdheut shpirtëror”, e cila sot na thirret me emrin “Republika e Kosovës”. Ajo është pjesë e vogël e Shqipërisë së Bashkuar dhe pjesë e denjë e Dardanisë!…

Jo pse ne nuk kemi talent të shkruajmë, jo pse nuk kemi aq shumë vepra të lexuara të këtij shkrimtari të denjë, Prend N. Buzhala, të cilat na rrethojnë e shkojnë përtej mendjes sonë, etj.; ne po e sjellim një thënie të vetme, të një profili të FB, që e quan veten “shqiptaro-madhi”, i cili na e sjell me dhembjen e tij të madhe, një thënie zhvlerësuese, që një gjerman ia përcjell atij, edhe pse ata aq sa janë pro nesh, janë të lidhur me rus, pra contra nesh:

“Trimat, ua ka vrarë armiku! Të menqurit, i keni vrarë vet! I ngjani shqiponjës. Si të hypni lart, shikoni si t’i hani këta poshtë!” – dhe kjo “e vërtetë” është lakonike.

Për shembull: më i afërti është vëllai, që t’a ka lindur një nënë dhe një babë; është i pari që të kthehet kundër. Ti e do shumë, por ai të shkatërron… Ju, shikojeni tregimin tim, “Vetvrasja kolektive”, apo këto shqyrtime, një nga një për veprat: “Heroi i rrugës”, SHB “Lena”, Prishtinë, 2017; “Ani i ilirishteve”, SHB “Lena”, Prishtinë, 2020; “Sizifi pa gurin e tij”, SHB “Lena”, Prishtinë, 2020; dhe “Këngëz me errësirë blu”, SHB “Lena”, Prishtinë, 2022, etj., e do të gjëni nga një pjesë të së vërtetës, madje përputhjet dhe shpërputhjet e ideve.

E vërteta është spirale e asaj që njerëzit e kuptojnë si “të vërtetë”, apo nuk e kuptojnë kështu. Pjesërisht e shohin apo nuk e shohin si “të vërtetë”, edhe ata që në radhë të parë duan që t’a kundërshtojnë. Jo të gjithë ata që e shohin me sy nuk e masin me zemër. Ata duhet t’a pyesin mendjen. Mendja është e treta që do të pyetet se çka mendon ajo për këtë gjë.

Në fakt, shumica e shqiptarëve na e harrojnë zemrën e tyre, të cilën e kanë si masë të të gjitha të vërtetave. Kur vrapon mendja para se të nxirret zemra, si taban i njeriut, e pjesa dërmuese nuk e llogaritin ndërgjegjen që të përcjellë kudo dhe e vërteta na duket se është një gjë relative, në qoftë se do t’a kuptosh kështu këtë gjë, çdo gjë ka fluturuar. Në të vërtetë, zemra e ndjenë, sytë e shohin dhe mendja e di materien dhe imaterien.

Ne, jemi vërtet një komb që nuk llogaritet se është një komb i vërtetë e bij ilir, yllor, arban/arbër, që quhemi vetë “bijë të Shqiponjave”, e “shqiponjat” i vrasim të gjitha, sepse në vend se të kemi mendjen, e kthejmë ate në të praptë. Dheun tonë na ka lënë trashëgim Ati ynë, prej ATIT TË SHENJTË. Ne, vëllezërit tonë i denigrojmë terësisht, kur nuk kemi mundësi që t’i zëmë me grusht të dorës, sepse janë të ndarë apo të shpërfillur në tërë botën, ku ka një vend të vogël për të bërë stofullën e tyre, të pa rënë në sy. Ikim pra prej vetvetes. Kjo është turp!

Vendin tonë e kanë sulmuar armiqtë tanë nga të gjitha anët, e armiqtë më të rrezikshëm janë këta: “grekët” e dhunshëm, sepse historikisht nuk quhen ashtu, por e kanë vjedhur prej gjuhës shqipe emërtimin e tyre, nga “graitë”, numri shumës i grave tona; “serbët” gjakpirësa, njerëz pa asnjë fije të karakterit (latinisht: serb=serpente!), një popullatë mikse e mbeturinave të të tri fiseve, nga gënjeshtarët më të tmerrshëm në botë, me disa “nobelista” më të “zgjedhur” nëpër Europë; pastaj vinë të tjerët për rreth nesh, me “rusët“ e mëdhenj, që janë kundërshtarët e SHBA-ve, të cilët fenë ortodokse e kanë shndërruar në profil aktual të shtetit dhe përpiqen që ta zgjerojnë nëpër botë, së bashku me të tjerët, etj.; “bullgaro-makedonët”, të cilët kështu na quhen, dhe na e vjedhin pa turp emrin “makedonia” (për të cilin ne i kemi fajet, sepse kështu vetë i thërasim!), mandej na mashtrojnë me Aleksandrin e Madh, i cili shqip ka folur, por ka qenë i shkolluar në gjuhën artificiale të “Graecias”, që nuk ka qenë “gjuha shqipe”, por e krijuar prej të huajve, prej fiseve të ardhura nga Afrika, e ata janë akejtë, e sot quhet “gjuha greke”…

Së fundi, kemi mbetur nën katër “shtete” pa rrënjën tonë, që të tjerët na i kanë zapuar trojet, duke i dëbuar me marrëveshje me armikun tjetër të shqiptarëve, Turqinë, madje janë të futur më përpara se ne në Europën e Bashkuar: Greqia, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë. Pak kush na do, meqë jemi shqiptarë!

Në parahistori, kemi qenë i dyti komb në botë, pas indianëve të Indisë, me Azinë e Vogël, Egjiptin, pjesën dërmuese të tokave tona deri në Irakun e Babiloninë; tokat e tjera deri në Algjeri apo në Marok, Europën si kontinent, së bashku to, shtetin e Britanisë e Madhe, Irlandën e Islandën, e deri në Kontinentin e Amerikës. Nuk mund të merret me mendje një gjë e tillë, e as kryetarët e mëdhenj të botës, të larguar prej trojeve tona!…

Prej “shtetit të pabashkuar shqiptar”, me Rep. e Shqipërisë, që nuk është siç duhet të jetë, kemi mbetur në Kosovën Veri-Perëndimore, e do të duhej të ringjallej Mbretëria e Dardanisë dhe Çamëria e pakrijuar, në Jug-Lindje, apo si të doni ju që t’i llogaritni. Për shembull, mund të llogaritni disa “personalitete” të dalur para popullatës sonë me fjalë të mëdha e disa libra të rrejshëm apo duke i “ligjëruar” kostruktet “historike” të greko-serbëve, për të zvogëluar shumë më tepër kombin shqiptar e për t’a përçarë ate apo përkundër meje. Në radhë të parë, do të duhej të isha “Kryetar i Shqipërisë së Bashkuar” , që nuk është aspak në rend të ditës, dhe i “ringjalljes” së Baba Fajës, i cili është zhdukur nga regjimi i ri Shqipërisë, me atë shtet të vogël, pas LDB-së, të quajtur “RPS e Shqipërisë”, me të cilët e ka krijuar atë shtet, pas “çlirimit”, me ruso-serbët e të tjerët, që do të duhej t’a shkatërronin tërësisht shtetin e madh ilir.

Baba Faja ishte “sheh” i veshur me fé, por Gjeneral ishte. E vranë prapa kurrizit dhe shqiptarë quheshin. Në prapavijë të tyre u bëmë shqiptarët me një “shtet” të kthyer në një shtet të vogël e “multi-nacional”, me rrymat e atjeshme që thuhet sikur “t’a pinin gjakun me gotë”.

Nuk ka më poshtë se ku të shkojmë! Më tutje, nuk ka nevojë që të flitet! Jemi vise të vogla, me ndarje adminstative, e jo kufi të fortë shtetërorë. Këte e kam thënë edhe unë disa herë. Ju, shpaloseni të vërtetën në këto shkrime, siç është më së miri; e gjeni të vërtetën e pathënë apo të thënë simbolikisht!…

Kudo na flasin gjuhë të tjera, në vend të gjuhës shqipe. Edhe në Gjakovë na ka mbirë një ”birë bushtre” nga Turqia. Është specializuar në Rumani. Rumania është mirëfilli ortodokse! Aty jetojnë edhe vllehët, që janë zëri i dytë në Serbi, përpos fisit iranian. Pa e marrë parasysh se prej kujt e ka marrë Serbia emrin e saj “Sirbistan”, apo prej latinëve “Serpente”, ne duhet t’a dimë se “Sirbistani” është kurd, e jo iranian!

Le të vetëquhen si të duan serbët! Në radhë të parë mund të bëjnë përpjekje që t’u ikin emërtimeve të kopjuara apo të shkurtuara, edhe prej gjuhës artificiale latine. Duhet të mos e lëmë anash këtë çështje! P.sh., ata vallëzimin e kanë tipikisht si iranianët, e gënjeshtrat shkojnë lakadredhas. Serbët janë me të vërtetë nacionalist gënjeshtarë, përveç se janë mizorë!…

Të bien lotët në sy dhe të sillet e tërë bota për rreth! Ti, nuk je i pari, as i dyti, as i fundit, por fundi i fundrrinave të botës! Bota të bëhet spirale, e të sillet me akuza, me demonë, me kundërshtarë të Zotit të Madh, me “jo”-të, në vend të “po”-së. Germa apo shenja e kthen drejtimin e çështjes…

Shikojeni njëherë këtë godinë të botës, me disa kate e kate, midis yjeve apo planeteve. Jemi energji. Të gjithë jemi të bërë prej energjive, të energjive të mendimeve tona, deri në errësinën e plotë. Janë parametrat e dimensioneve tona. Parametri është tregues i njërës prej vetive të një krijimi, që i përmban karakteristikat themelore të tij, një kat të përbërjes së tij apo e disa kateve që do t’i shohim edhe në këtë fotografi, apo të një sistemi apo të një dukurie të veçantë.

Parametrat e përcaktojnë natyrën apo gjendjen ose regjimin e punës në një drejtim. Ajo na i ruan mëtutje të pandryshueshme kushtet e mira të një mësimi të dhënë përmes dioptrisë të së vërtetës së tij, që është në fakt një paramendin i tij, nga sasia e madhësisë së tyre, që e ruan vlerën e tyre, edhe në tërësi.

Në rastin e veprave të Prend N. Buzhalës, i kemi të vërtetat e shikuara e të thëna përmes shkrimeve metaforike e alegorike, të dimensioneve të tij letrare, në prozë të shkurtër dhe në poezi. Një pjesë të tyre, po i përmbledhim, si vijon:

– Si dimesion i parë padiskutim është postmodernizmi i tij. Kush nuk i ka lexuar veprat e mirëfillta kritike dhe të teorisë letrare e ndërkombëtare, si p.sh. Mario Androtti, “Die Struktur der modernen Literatur/Struktura e letërsisë moderne”, botimi i 4, Haupt Verlag, Bern-Stuttgard-Wien, 2009, ose veprën e Linda Hutcheon “Poetika e postmodernizmit /Hitoria, Teoria, Fiksioni”, OM, Prishtinë, 2013, e të tjera si këto, nuk e di.

Këtë dimension letrar të shkrimtarit të nderuar Prend N. Buzhala, nuk mund ta dijë tekstualisht që ta thotë lexuesi i thjeshtë. Postmodernizmi e ka shprehjen e vet që prej vitit 60 të shekullit XX. Kjo letërsi, pas Luftës së Dytë Botërore (LDB-së), ka përfunduar me këtë periudhë. Fillimi i subjektivitetit të letërsisë së viteve të 70-ta ka fizionomi të re nga letërsia klasike të viteve të 60-ta.

Në radhë të parë vie tipizimi, si shkrimtar. Postmodernizmi i letërsisë së viteve 80-ta dhe i viteve 90-ta Prend Ndue Buzhala na tipizohet me intertekstualitetin. Ai punimin e parë e ka botuar me 1967, ndërsa vepra e parë e tij, me 1995, të cilën tani po e cekim këtu, është rezultat i postmodernizmit të intertekstualitetit, në poezinë e tij, e veçanërisht në tregimet e shkurtëra. Pas viteve 2000 e përfshin modernizmi i ri, prej postmodernes, në vitin 1980.

Vepra e parë, me lirikë shqiptare, “O Amë, O Amë”, botim i Klubit Letrar “Vorea Ujko”, në Klinë, të cilën e kemi cituar në këtë vepër, është botuar me 1995, gjysma e postmodernizmit, kur fillon modernizmi i ri. Pra, veprat e tij na përfshihen në modernizmin e ri, pas viteve 1995, në përgjithësi, të letërsisë shqiptare. Intertekstualizmit të tij po i kushtohet vërtetë rëndësia e dimensioneve letrare.

– E dyta, janë ngjarjet e vërteta simbolike dhe alegorike të tij, të marruara nga realiteti ynë dhe me dinamikë të përgjigjeve të intertekstualitetit në formën më adekuate të metaforikës, nëpër periudha të ndryshme, përderisa nuk e dimë që t’i qëndrojmë besnik për vije të ndërgjegjes sonë dhe me vetëdije të plotë kombëtare e të dalim njëherë e përgjithmonë prej copëtimit të trojeve të atdheut tonë shpirtëror. Ai është shumë më i madh se ato toka të ndara prej armiqve tanë me ndarje admistrative. Duhet të mos shkojmë më symbylltazi dhe pavetëdije nëpër ndarjet tona aktuale; nëpër sakrifica të mëdha të kombit tonë, sepse nuk mund të kuptojmë tërësisht këtë çështje.

Ne, nuk jemi të vetëdijshëm, aq sa duhet të ishim, e të mos ia lëmë këtë punë rretheve ndërkombëtare të na rikthejnë të padrejtën mbi ne, të armiqve të shumë edhe më të rrebtë, se sa kanë qenë më parë, në shpërfilljen tonë.

– E treta, liria ka lindur në i-lirishte dhe gegërishte, si të parat këngë. Një vepër të lirikave ilirishte “Ani i ilirishteve”, e kam zgjedhur më tipikën për ta analizuar në tërësi këtë vepër, sepse ilirët/yllorët/gegët nuk e thonë këtë asnjëherë, por janë të parat që kanë sunduar njerëzimin, që prej Egjiptit.

Këto vinë nga superiori ilirik, e na janë kryesisht lirika të tilla atdhetare të karakterit kombëtar ilire, thjeshtë arbane apo arbërore, me gjuhë të pasur letrare, prej Zotit të parë THOT e Zotit NJË, ATIT në fenë e krishterë katolike, nga ANI i vërtetë krijues. Këto janë këngë tipike kombëtare dhe gegërishte, edhe kur i ngjeshin ato me tema të reja nëpër këngë ilirishte, në kuptimin e fjalës së shkruar artistikisht e poetikisht, gati të pashkruara asnjëherë më parë nga shpirti ynë krijues, të koncetruara nga Bibla e Vargjeve. Ato na janë tërësisht janë këngë të bukura e të mirëfillta i-lirike të ilirishtes.

-E katërta, tregimet me pak fjalë janë vija e dytë e tregimeve dhe e para në letërsnë shqiptare, që trajtojnë plot figura artistike, të ironisë e ndonjëherë të sarkazmit, realitetin e hidhur prej antikitetit të lashtë e deri në kohën tonë. Është jeta enigmatike që na shprehet e na shpaloset shkurt e trup, nëpër krijime të shkurta letrare, siç i quan shkrimtari ynë “tregime, me pak fjalë”.

– E pesta, zhanri letrar i prozave të shkurta dhe simbolike e alegorike, me figura të ndryshme të fjalës së shkruar artistike, është metaforika, që nuk quhet kështu në shkencën letraro-historike apo teoriko-letrare, e që janë prej të gjitha figurave letrare, prej ironisë e deri te sarkazmi i hollë.

Në fakt, janë në bazë të përjetimeve letrare e të fatit tonë të hidhur, deri te shpalosja e tyre artistike.

– E gjashta, çështja e besimit është çështje individuale dhe ka të bëjë vetëm me psikologjinë e njeriut. Besimi është çështje e trurit, e egos, dhe nuk është çështje e përkatësisë kombëtare. Edhe njëherë po e themi se vjen në radhë të parë të gjuhës së folur, pastaj të shkruar; të simbolit kombëtar; të shtrirjes së tij nëpër një territor të caktuar, pa marrë parasysh se cilit besim i ndërlidheni apo asnjërit nuk i ndërlidheni e jemi pa u ndarë nga ndonjë relegjion të caktuar; të tregtisë e rrjetit të marrëveshjeve të përditshme, ku bukës i thonë bukë, e ujit i thonë ujë. Çështja kombëtare është çështja e parë dhe e parevokuar nga shqiptarët. Kjo gjë është çështje primare dhe jo çështje sekondare! Armiqtë tanë kombëtar e fetar, islamike dhe ordodokse (ua falëm një pjesë serbëve dhe na e grabitën pjesën tjetër grekët!), pretendojnë që t’a nxjerrin çështjen fetare si çështje të parë. Kjo nuk ka kuptim logjik!

Çështja kombëtare i konvenon çështjes gjeo-politike, e jo çështjeve të tjera, si të dorës së dytë. A beson në këtë fé apo atë fé, apo në asnjërën, kjo nuk duhet të na sjell kundër njëri-tjetrit. Përkundrazi. Larushitë e ruajtura në fund të shpirtit tuaj, me bukurinë e papërshkruar nëpër risitë e dhëna përmes fesë katolike, janë dhunti e veçantë e tyre, të dhëna me gjuhën e pasur letrare shqipe. Të jesh ilir e shqiptar nuk do të thotë se e ndërron gjakun e damarëve tuaj, kur thirresh në baza fetare. Dihet, i shtati njeri përcjellës i Jezu Krishtit ka qenë ilir: Nika, Nikolla. Janë quajur ar-ban dhe kushërinj të tyre ishin armaikët dhe armenët, tre fiset në Lindjen e Mesme e të Vogël. Sot, në bazë të gjuhës jeton dhe dallon kombi, me të dy etnitë: gegët dhe toskët. Në radhë të parë duhet të jenë të bashkuar ata, me tokën e Atit (Ati jonë, atdheu, mëmëdheu!). Kjo tokë, e ruan gjuhën tonë, gjuhën shqipe, prej tokës e cila quhet “tokë shqiptare”.

A bëhët që të jetojmë si skllevër, në tokën tonë të copëtuar, me vuajtjet e Sizifit, pa gurin e tij? Jo! Kjo nuk është e saktë! Kjo nuk është e drejtë! Kjo është çështje e dëshirës së KRYEDEMONIT, ndërsa duhet të ishte siç thotë Zoti i Madh: të flasin shqip e të ruajnë dheun e Atit!

– E shtata, mitologjia (e mirë apo më e dobët, e zhvendosur nëpër kohë të ndryshme dhe nëpër vende të tjera!) zë vendin kryesor në dimensionet letrare të Prend Ndue Buzhalës. E thotë apo nuk e thotë këtë gjë autori i tyre, qoftë edhe për titujt e tyre, p.sh., “Sizifi pa gurin e tij”, ajo na është pjesërisht apo tekstualisht nëpër tregimet e shkurta, deri në Egjipt e para saj. Koha që e përshkruan këtë popull e këtë komb të veçantë, është realiteti ynë jetik!…

– E teta, të shkruajmë për tipologjinë e intertekstualitetit të Prend Buzhalës, përderisa e njeh shumë bukur personalitetin e tij letrar, kur shkruan për “Pesëdhjetë oratorio për fjalët e hirshme”, SHB “LENA”, Prishtinë, 2024, duhet të njohësh mirë potencialin e tij poetik dhe artistik. Poetika e teksteve të tij në këto pesëdhjetë oratoriot vetëm me fjalë mjaft të hirshme, të kënduara sinqerisht, edhe nga prizmi i teksteve fetare e të vjetra liturgjike, i kanë të gjitha format e poetikës së tij të intertekstualitetit, me zërin e veçantë poetik. Ai është shkrimtar i tërë kombit shqiptar, me përmasa ndërkombëtare. Të gjitha lirikat që i shkruan këtu janë edhe një dëshmi e gjallë e tij të intertekstualitetit me tema që vetëm ai ka ditur t’i shndërrojë në modele të poezisë vizionare.

Poezia postmoderne e Prend Ndue Buzhalës, në një lutje poetike të për tema të caktuara para një fuqie të madhe mbinjerëzore, vetëm nëpër fjalë të hirshme, të shkruara mirëfilli me një formë të marrura nga liturgjia e vjetër, e të thëna me të vërtetë si shqiptime artistike, të urta e të veçanta, kur pjesa dërmuese e qytetarëve të tij kishte rrëshqitur krejtësisht nëpër pavetëdije dhe në amullinë e thellë shkatërruese të armiqve tanë kombëtar, arrin jo vetëm të gjëjë format më adekuate antidemoniane, pa unin e vet, por me oratorinë e saj shqiptare dhe të hirshme, t’i lutet Zotit të Madh që ta shpëtojë këtë turmë të humbur nëpër shthurje.

– E nënta, dhe e fundit, nuk na tërheq aspak UN-i i tij, por populli i mbetur pa arësye të vërteta njërëzore, pa llogjikë të shëndoshë, e i zhytur thellë në shpërfilljen fetare, si komb.

Në të vërtetë, oratoriot janë tema të mirëfillta të shpjegimit thelbësor, me teknikë specifike dhe artistike politiko-njerëzore dhe letrare. Ato i drejtohen një auditoriumi më të lartë të Qiellit, me të folurën e tij artistike, i vetëm si poet, në vetmi, në mënyrë më specifike letrare, e plot me fjalë simbolike e alegorike.

Ka edhe të tjera, por i lëmë me kaq, aq sa mundem, me këto që i thashë. Shtatë palë janë Zotrat. Sipas THOT-it, ishin nëntë Zotra. Tre i numërojmë ne, Zotin e Madh, Babën e Nënën!

Zotin e Madh nuk e shohim, por e ndjenë ZEMRA! Metafizikën e njoh mirë para KRIJIMIT! Trinia është e veçantë e përkushtimit krijues të Prend Ndue Buzhalës.

Jetoftë edhe shumë vite, e lashtë pas tij edhe shumë vepra!…

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 229
  • 230
  • 231
  • 232
  • 233
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT