• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

109 VJET NGA MASAKRA SERBE NË DARSINË TIME

March 27, 2022 by s p

Me 25 Mars 1913, 27 burra të pafajshëm u therën si bagtitë në thertore të improvizuar nga serbët në fshatin Gjuzaj-Darsi. Ndër ta dhe gjyshi i tim eti…Shih listën e emrave në fund të shkrimit…

Nga Dalip Greca

Me 25 Mars (1913-2022) u mbushën 109 vjet nga masakra serbe në Darsinë e Lushnjës (dikur, në ndarjen e vjetër administrative të viteve ’40- ‘50 të shekullit të kaluar e përfshinte Peqini).

Ngjarja tragjike tronditi Darsinë; konkretisht vendlindjen time- fshatin Gjuzaj.

Për këtë ngjarje ka shkruar studiuesi i ndjerë Harun Greca, kushëri dhe mentori im, në librin e tij”DARSIA”, të cilin e ruaj në bibliotekën familjare këtu në Nju Jork si një nga librat më të dashur. Po shkëpus një fragment:”Thikat ndritën në errësirë prej reflekseve të dritës…I therën në dy thertore,i hodhën kapicë mbi njeri-tjetrin…Era e rëndë e gjakut dhe rënkimet e të therurve trazuan qetësinë e shtirur të natës…Nga kjo masakër doli i gjallë vetëm Mustafa Xhyra,të cilin jo se e kursyen,por thikat e ngulura në qafë nuk ia morën dot jetën,ndoshta për të rrëfyer për të tjerët ato çaste të fundit për 27 burra të fshatit që u masakruan barbarisht nga serbët,dhe për t’i treguar botës mbarë se cilët ishin barbarët, cilët ishin ata që dhunonin e thernin pabesisht shqiptarët.”

     …Unë, për të parën herë e kam dëgjuar ngjarjen në vitin 1978 nga i vetmi burrë i mbijetuar në fshatin tim, i cili edhe pse u pre në qafë, arriti të shpëtojë dhe e përcolli ngjarjen me hollësi, pasi u shërua. Ai quhej Mustafa Xhyra, ishte i ardhur në fshatin tonë. Atë kohë unë isha përfshirë në aksionin e mbledhjes dhe interpretimit leksikor të toponimeve të zonës, detyrë e vënë nga kabineti pedagogjik i rrethit. Gjatë mbledhjes së toponimeve më ra në në sy edhe emërtimi toponomastik ”Ke t’thermit”. Duke e diskutuar me tim atë mësova historinë. Atij ia kishte treguar i ati. Në atë ngjarje tragjike ishte përfshirë edhe gjyshi i tij me kushërinj, i cili në kohën kur serbët po merrnin përdhunshëm çdo burrë që gjenin nëpër shtëpi apo në ara e arrestonin dhe e grumbullonin në qendër të fshatit. Ushtari serb që kishte shkuar tek gjyshi i tim eti që po punonte tokën me një pendë qe, i kishte parë në gjoks, mbi xhamdan një sahat të florinjtë me gjerdan po të florinjtë. Serbi ia kishte kërkuar që t’ia falte, gjyshi ia kishte refuzuar kërkesën :- Unë kokën e jap, por jo sahatin, ishte përgjigjë!

Natyrisht që serbët ia morën edhe sahatin edhe kokën. Ai vdiq bashkë me të tjerët i therur egërsisht, siç theren kafshët. Vetëm sllavët kanë zemër e shpirt të therin njerëz si kafshët.

Baba më rekomandoi që të shkoja dhe të takoja xha Mustafanë, burrin e moshuar, që kishte shpëtuar nga vdekja falë përkujdesjes së barinjëve që kishin kaluar aty pas masakrës me delet e tyre.

  Shkova dhe e takova xha Mustafanë tek Dardhat e Bardha. Kishte një kujtesë fenomenale, edhe pse po I afrohej një shekulli jetë. Fliste ngadalë dhe shtruar.

Ja ngjarja që më tregoi ai: Ushtria serbe që kishte arritë deri në Shqipërinë e mesme, pasi kishte kapërcyer lumin Shkumbin, marshonte drejt Myzeqesë me qëllim që të daljen në detin Adriatik. Ata kishin mbërritë në lartësitë e kodrave të Mollagjeçit,ku ishte vendosë shtabi i divizionit të tyre(historianët kanë identifikuar se bëhet fjalë për divizionin Morava), ndërkohë që kolona e ushtrisë turke që komandohej nga Xhavit Pasha, në tërheqje e sipër për ta lëshuar Shqipërinë, ndeshet me forcat serbe pikërisht në atë zone.

Dy fshatarë nga Gjuzaj, që banonin në zonën e luftës, në lagjen e sipërme të Çelëve, tek varrezat e fshatit, kapin pozicione  strategjike dhe u zënë pritë serbëve, duke luftuar për orë të tëra. Ata janë identifikuar si Dervish Zyber Çela dhe Mersin Selman Çela.Ushtria serbe arriti që t’i asgjësojë por pasi ata kishin vrarë disa prej serbëve që binin në pritë në rrugën e thellë tek varrezat e fshatit, në këmbët e kodrave.

Pas asgjesimit filloi reprezalja, rrethimi i tre lagjeve të fshatit nga ushtria dhe arrestimi i çdo burri që gjendej në fshat. Ndër të arrestuarit ishte dhe Mustafa Xhyra, plaku që më tregoi historinë interesante që ndodhi me të dhe të tjerët. Ai kujtonte se serbët të gjithë burrat që mblodhën tek”Boka e Bardhë” afër shtëpive të Mullalive-ndërmjet Gjuzaj dhe Jazxhiaj, i rreshtuan dhe filluan t’i masakronin me bajoneta. Binte një shi i rrëmbyshëm në kohën e ekzekutimit(therjes). Mustafai mbante mend goditjen dhe britmën e serbit  në gjuhën e vet sllave, që i nguli bajonetën në gushë dhe në pjesën anësore të qafës dhe s’kujtonte asgjë më shumë. Më pas ka ndjerë se si uji i shiut i hynte nga plaga e hapur prej bajonetës. Pastaj kishte rënë në kllapi. Dikur kujton edhe ulërimat e burrave të tjerë që thereshin.

Aty kishin kaluar barinj me dele që i kanë kontrolluar viktimat dhe kur e kanë ndjerë se Musatafai ishte gjallë, kanë therë një dash të madh dhe me lëkurën e tij të ngrohtë ia kanë mbështjellë plagët për t’i ndaluar rrjedhën e gjakut dhe e kanë transportuar në Peqin, ku i është dhënë ndihma mjeksore. Ai e shpëtoi.

     Unë mbaj mend se Xha Mustafai e kishte të ngritur, si tegel të salduar pjesën e qafës ku kishte pasë plagët, që ia kishin qepur në spital.

 Kisha tentuar disa herë që ta pëecillja ngjarjen tregjike të masakrës në shtypin e kohës, para ’90-tës, por asnjëherë nuk arrita ta botoja. Ngjarja tragjike mbeti e mbuluar dhe nuk u ekspozua kurrë. Arsyeja? Enigmë.

Kur erdhi demokracia ngjarja u përkujtua dhe një pllakë përkujtimore përcjell ngjarjen tragjike që u mori jetën 27 burrave të Gjuzajt.Aty është lista e të therurve.

        Për këtë masakër ka botuar shkrime përkujtimore edhe gazeta Dielli në Nju Jork. Ndërkohë që në rrafshin kombëtar vlen të përmendet emisionin i gazetarit Marin Mema në “Gjurmë Shqiptare” Top Channal, trasmetuar në korrik 2019.

Kush ishin 27 burrat e therur? 

Ja lista me emrat e shkruar në pllakën përkujtimore:

1-Adem Vallja 

2- Beqir Greca 

3-Caush Greca 

4-Dervish Çela 

5-Elmaz Çela 

6-Hasan Greca 

7-Islam Xhyra 

8-Islam Greca 

9-Idriz Çela 

10-Islam Alleshi 

11- Islam Vallja 

12-Murat Greca 

13 Mersin Çela 

14-Mustafa Xhyra-I mbejetuari I masakrës 

15- Mustafa Greca 

16-Nuredin Greca 

17-Qazim Xhyra 

18- Sulejman Greca 

19- Seit Greca 

20- Sulejman Xhyra

21- Sefer Xhyra

 22-Sako Xhyra 

23-Selam Çela 

24-Tahir Greca 

25- Xhaferr Greca 

26-Jaçe Greca 

27 Veli Xhyra.

Pushofshin në Paqe!

Filed Under: Politike

DIASPORA SHQIPTARE NË AMERIKË APEL PËR BASHKIM TË GJITHË SHQIPTARËVE NË ZGJEDHJET PËR KOMUNËN E ULQINIT

March 26, 2022 by s p

Të dashur vëllezër e motra, bashkëqytetarë të Ulqinit

Të nderuar anëtar të spektrit politik shqiptar në Ulqin

Si kurrë më parë po e përcjellim me vëmendje të posaçme procesin zgjedhor në Komunën e Ulqinit.  

Duke patur në mendje rëndësinë historike, kulturore, politike dhe ekonomike të komunës së Ulqinit për shqiptarët në Mal të Zi e jo vetëm, vullneti i shumicës së banorëve të Ulqinit është që partitë nacionale shqiptare do të duheshin të garonin në një platformë politike unike dhe të bashkuar në këtë fazë shumë të rëndësishme zgjedhore.

Edhe këtë radhë politikanët shqiptarë në Ulqin nuk e morën parasysh dëshirën e elektoratit por vazhduan me avazin e vjetër duke e ndarë votën shqiptare në koalicione të ndryshme jo në favor të votuesve shqiptarë që ata përfaqësojnë por vetëm për pozita dhe përfitime personale.


Flitet, pak edhe me të drejtë se shqiptarët në diasporë nuk mund të vendosin për fatin e bashkëvendasve tanë në vendlindje deri sa ata jetojnë jashtë vendit, por është e pamundur të qëndrojmë indiferent ndaj keqpërdorimit të votës shqiptare nga elita  politike shqiptare në Ulqin.

Mbase Mali i Zi nuk e bën të mundur që ne vullnetin tonë ta shprehim me anë të votës por ne na mbetet që të jemi kritik ndaj tyre dhe të shprehim pakënaqësinë tonë në këtë mënyrë. Është e pa pranueshme që të ndahet vota shqiptare, interesi shqiptar, e ardhmja e shqiptarëve në Ulqin.

Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, këtë radhë entuziazmi i rinisë në këtë proces zgjedhor të jep shpresë për një të ardhme më të mirë, më të ndritur dhe më të begatë. Fakti se koalicionet parazgjedhore përbëhen nga dinosaur politik që në të kaluarën nuk kanë dhënë asnjë progres pozitiv për banorët e Ulqinit me rrethinë, ka gjasa se edhe ky “fillim i ri” do të mbetet vetëm zhgënjim i ri. Ju lutemi si vëllezër e motra: Vendosni të parin interesin e shqiptarëve tuaj, njerëzve tuaj, vendit ku ju dhe fëmijët tuaj projektoni ëndrrat dhe jetesën.

Pse duhet që shqiptarët të jenë ato që gjithmonë ndërtojnë ura për kombësitë e tjera ne rajon ndersa ato vetëm vendosin mure për shqiptarët?


Mërgata shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës bën këtë apel të fortë te bashkëvendasit tanë: Votën tuaj hidheni te partitë nacionale shqiptare se vetëm aty mund të tregohet fuqia e votës sonë. Vota garanton të ardhmen tuaj, sigurinë tuaj, progresin e qytetit dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, social dhe politik.
Votoni për Ulqinin tonë historik dhe shumë të vlefshëm, për ju që punoni dhe jetoni aty, por edhe per ata që nuk pushuan kurrë duke i ndihmuar Ulqinit nga mërgata shqiptare në Amerikë e kudo ku jetojnë e punojnë shqiptarët.

Pjesë e Apelit:

Mark Gjonaj – Former NYC Council Member

Federata Panshqiptare e Amerikës  Vatra

Albanian American Associacion Ulqini

Albanian American Community Associacion

Albanian American Council

Albanian American Common Sense Political Club

Albanian American Educators  Associacion

Albanian American Humanitarian Foundation

Albanian American National Organization – AANO

Albanian American PAC

Albanian American Puka Community Associacion

Albanian American Writers  Associacion

Albanian Business Network

Ansambli Folklorik Bashkimi Kombetar

APEN – Albanian Professional Entrepreneur Network

Albanian Community & resource center

AAACE

Bajraktari House Foundation

BashkeRia

Batalioni Atlantiku

Fondi Humanitar Trieshi

Fondacioni Humanitar shqiptaro-amerikan Trojet Tona

Fondacioni Plavë e Guci

Gazeta Dielli

Illyrian Business Organization

Komuniteti Hasan Prishtina Waterbury

Lukaj Foundation

Mother Teresa GolfOuting

Sons of Illyria – New York- New Jersey- Milwaukee

Shoqata Ana Malit

Shoqata Atdhetare Dibra

Shoqata Atdhetare Kraja

Shoqata Humanitare Open Hands Associacion

Shoqata Malesia e Madhe – New York

Shoqata Peja

Shoqata Rugova

Shoqata Shpresa

Shoqata Shqiptaro-Amerikane Skenderbej Inc

Apelit po i bashkohen nga momenti në moment edhe shumë organizata e shoqata shqiptare në të gjithë Amerikën.

Filed Under: Featured

Pushtimi i Ukrainës dhe fashizmi rus

March 26, 2022 by s p

Pushtimi i Ukrainës  me 24 shkurt nga Rusia të përkujton pushtimin e Polonisë nga Gjermania me 1 shtator 1939, që ishte fillimi i Luftës së Dytë Botërore, duke dëshmuar se kemi të bëjmë me fashizmin rus me konceptin ideologjik të Perandorisë ruse,  kërcënim për fqinjët e saj dhe ndaj rendit të ri botëror.

Nail  Draga

Dështimi i ideologjisë komuniste dhe socializmit si rend shoqëror, filloi me rënien e Murit të Berlinit(9 nëntor 1989), duke pasuar me miratimin e pluralizmit politik(1990), ku kulmin e arriti me  shkatërrimin e   ish BRSS në vitin 1991. Ishte kjo një ngjarje me përmasa botërore , ku nga ajo perandori komuniste u pavarësuan republikat duke u pranuar ndërkombëtarisht. 

Në këtë kuadër edhe Republika e Ukrainës shpalli pavarësinë me 24 gusht 1991. Por, nga ajo kohë e deri  më tash ka kaluar shumë sfida duke mbeshtetur ambiciet perëndimore. Nuk ka dilemë se Rusia, nuk mund të pranojë një Ukrainë të fortë, të lidhur me Perëndimin e të jetë pjesë e NATO-s, por  të ketë qeveri e kryetar prorus. 

Por, Ukraina dallohet nga ish republikat tjera, të ish BRSS, sepse ajo është vendi me sipërfaqe ma të madhe në Europë, pas Rusinë europiane me 603.628 km2,  dhe më popullsi prej 44 milionë banorë! Pikërisht kjo sipërfaqe dhe popullsi, ku dominojnë ukrainasit me 76%, ndërsa rus ka 20%  si dhe me resurse të mëdha natyrore paraqet pengesë për politikën ekspansioniste ruse.

Ukrainasit-popull i protestave

Analistët e ndryshëm vlerësojnë  se ukrainasit janë popull i veçantë, madje e quajnë si „popull i  protestave“, sepse për këto tridhjetë vite kanë çuar  në rrezimin e katër presidentëve, me protesta të fuqishme, por edhe me viktima. Kujtojmë me këtë rast  vitin 2001  ku u zhvillua fushata e protestave me moton “Ukraina pa presidentin Kuçma”.

Në veçanti të opinioni ka mbetur në kujtesë “Revolucioni Portokalli”  në fund të vitit 2004,  ku në “Sheshin e Pavarësisë” qindra mijëra protestues u mblodhën në shesh dhe rrugët aty pranë dhe ngritën tenda për disa javë. Protestat ishin me moton  kundër mashtrimit zgjedhor nga presidenti ne fuqi,ku  çuan në një raund shtesë të zgjedhjeve presidenciale të urdhëruara nga Gjykata e Lartë e Ukrainës, të cilat u fituan nga kandidati i opozitës, Viktor Jushçenko. Ishte kjo fitorja spektakulare e opozitës! Më pas gjatë vitit 2009, Yulia Tymoshenko u propozua si kandidate për presidente e opozites duke mbledhur ne këtë shesh rreth 200,000 njerëz.

Në veçanti duhet cekur  protestat  antiruse dhe proeuropiane, te cilat filluan ne nëntorin e vitit 2013, të cilat me pas u kthyen në përleshje të dhunshme, qe perfunduan me vrasjen e 100 ukrainasve. Sheshi qendroi i pushtuar nga protestuesit gjatë gjithë ditës dhe natës, nga 1 dhjetori 2013 deri me 27 janar 2014.

Këto protesta ia arritën qellimit sepse   çuan ne rrëzimin e presidentit  Viktor Janukoviç dhe largimin e tij drejt Moskës, sepse ai ka refuzuar  hapjen e negociatave me BE-në, kunder vullnetit te popullit ukrainas, duke dëshmuar se ishte në favor të politikës pro ruse. 

Mashtrimi ukrainas  në vitin 1994

Kemi të bëjmë me marrëveshjen në mes SHBA-Britani e Madhe dhe Rusisë të cilët e binden Ukrainën që të dorëzpjë Rusisë armët bërthamore, me garancionin e tyre se do ta mbrojnë nëse sulmohet nga një vend tjetër. Por, pushtimi i Ukrainës nga Rusia nga data e 24 shkurtit 2022, dëshmon se ajo është mashtruar sepse nuk është respektuar marrëveshja e tillë. Madje ky pushtim të kujton sulmin e Hitlerit ndaj Polonisë me 1 shtator 1939, edhe pse një javë më parë ishte nënshkruar marrëveshja Ribentrop-Milotov, përkatësisht Hitler-Stalin, për mos sulmim ndaj Polonisë. 

Heshtja e ndërkombëtarëve

Duke pasur interesa të ndërsjella vendet europiane nga Rusia kanë importuar gazë, naftë dhe mallra të tjera, që ndikoj në forcimin e saj ekonomik duke investuar në armatim. Nga një pozitë superiore ndaj fqinjëve Rusia, sulmoi ushtarakisht Gruzinë(2008), duke ia shkëputur Abhazinë dhe Osetinë Jugore. Duke parë se faktori ndërkombëtar qendroi në heshtje ata nuk u ndalën sepse në vitin 2014, aneksuan Krimenë, si dhe i mbeshtetën   dy republikat e  të vetshpallura në regjionin e Donbasit(Luganski dhe Donjeck ) duke i pranuar së fundmi si shtete të pavaruara(21 shkurt 2022)! Ndërsa me 24 shkurt, ndodhi sulmi dhe pushtimi i Ukrainës, si shtet sovran, pas asnjë shkas, por me qellime ekspansioniste, sipas ideologjisë për shtetin e madh të Perandorisë ruse.

Sanksionet kundër Rusisë

Duke marrë parasysh se Ukraina nuk është në NATO, vendët e BE-ës por edhe të NATO-s, u zgjuan dhe reaguan mënjëherë duke  vendosur  sanksione të ndryshme ndaj Rusisë, ku dominojnë ata ekonomike, dilpomatike, finaciare  etj. Madje në këtë situatë kritike, presidenti i SHBA-ve ka deklaruar se në këtë moment kemi vetëm dy mundësi të veprojmë me sankasione ekonomike, apo të fillojmë luftën e tretë botërore. Nuk ka dilemë se për një vend nuk mund të fillohet lufta e tretë botërore, sepse do të kishte pasoja të mëdha, por, për momentin çdo gjë do mbesë në sanksione, si dhe furnizime të ndryshme për popullsinë e Ukrainës, për të përballuar pushtimin dhe organizuar rezistencën popullore.

Solidarizimi  me popullin ukrainas

Pamjet nga pushtimi i Ukrainës kanë ndikuar në ndërgjegjësimin e komunitetit ndërkombëtar, të cilët kanë organizuar protesta të ndryshme në shumë vende të botës, duke akuzuar pushtimin e një vendi të pavarur, që paraqet rastin e parë në Europë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Kemi  të bëjmë me fashizmin tipik si në kohën e Hitlerit, i cili si pasues modern ka Putinin. Bombardimi, shkatërrimi i objektëve të banimit, infrastrukturës, vrasja e popullsisë, shpërngulja e tyre dhe vendosja në vendët fqinje e më gjerë, dëshmojnë se kemi të bëjmë me një okupim klasik në kohën moderne. 

Në këtë aspekt, me përjashtim të Bjellorusisë dhe Serbisë, të gjitha vendet europiane, akuzojnë politikën ekspansioniste të Rusisë. Një politikë e tillë ka ndikuar jo vetëm në solidaritetin e popujve dhe vendeve europiane por edhe në unitetin e BE-së dhe të NATO-s, duke u bindur se kemi të bëjmë me agresion i cili është në kundërshtim me parimet ndërkombëtare kundër një shteti sovran.

Spastrimi etnik strategjia e politikës ruse 

Ajo çka është duke ndodhur në Ukrainë, nuk është luftë, por spastrim etnik të qytetëve sidomos  pranë Detit të Zi e Detit Azov ku qyteti i Mariupolit është rast i veçantë  kriminal ndaj popullsisë, sepse përmes tij lidhet territori toksor nga Krimea në drejtim të lindjës ku janë republikat e vetshpallura në regjionin e  Donbasit. 

Kemi të bëjmë me një situatë identike sikurse në BeH (1992-1995)dhe Kosovë(1998-1999) që vepronte ushtria serbe, duke rrethuar e granatuar qytetët, masakruar popullsinë e detyruar të shpërngulët, që ishte qellimi i politikës neofashiste  serbe, ku pamjet e prezantura në media e dëshmojnë një konstatim të tillë.

Nga pasojat e luftës bëhet me dije se  deri  më 23 mars, nga Ukraina janë larguar 3,5 milion banorë, ndërsa të zhvendosur brenda vendit janë  mbi 2 milion banorë.

Në pritje të marrëveshjës ndërkombëtare 

Pavarësisht se sa do të zgjatë okupimi i Ukrainës, përvoja e deri tashme dëshmon se do të kemi një marrëveshje ndërkombëtare për të përfunduar luftën dhe vendosjën e paqës në mes dy vendëve. Në këtë konferencë  përveç dy palëve do të marrin pjesë edhe shtete që do të jenë garant të marrëveshjes së arritur. Ndonëse deri me tash janë organizuar disa  takime nga përfaqësuesit e delegacionëve (Ukrainë –Rusi) njoftohet se pala ukrainase ka pranuar të të tërheq  nismën për tu bërë pjesëtarë të NATO-s, duke mbajtur pozitën neuatrale. Një deklarim i tillë duket se  është i pranueshëm edhe për palën ruse, por kontestuese do të mbesin statusi i Krimesë, që është aneksuar nga Rusia në vitin 2014, si  dhe dy republikat e vetshpalluara si të pavarura(2014) dhe të pranuara nga Rusia(21 shkurt 2022). 

Opinioni është njoftuar se Ukraina ka akuzuar Rusinë për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, e cila me 16 mars ka marrë vendim të përkohshëm duke urdhëruar Federatën Ruse që mënjëherë të ndërprejë operacionet ushtarake në territorin e Ukrainës. Duhet cekur se urdhëri për ndërprerjën e operacioneve ushtarake është masë e përkohshme gjyqësore deri në marrjen e vendimit definitiv për çështjen e ngritur në Gjykatë. Nuk ka dilemë se më pas do të trajtohet çështja e dëmshpërblimit si pasojë e krimeve të luftës  nga ushtria ruse në Ukrainë.

Pavarësisht se sa do të zgjasë lufta, Putini e ka të humbur luftën dhe ate do ta presë fati i Sllobodan Millosheviqit në përballje me gjykatat ndërkombëtare, sepse ka prova të mjaftueshme për krimet e kryera deri më tash. 

                     (23 mars 2022)

C:\Users\123456\Desktop\IMG-9cae1c8b4ecd37769b0c7b07f17700fa-V.jpg

Filed Under: Kronike

Poezi nga Trandafile Malshi

March 26, 2022 by s p

Pritje
Po bredhin mendimetMbi supe peshë të randëKanë mbajtGjysma fjalësh e premtimeshQë u thanë.U vyshkën n’ pritjeMe lotët në sytë e çiltërU përvjelenE diku u zhdukënSe di nga vajtën,Apo thjesht u thanë?Në plagë të vjetra që kore kanē zanMos gërvisht se mallkimi do të zērë!Mos e prek lulen e kujtimitQë në fletën e bllokut ështē tharë!Do të shkërmoqet kaq keqSa as grimcat sdo dish ku vanë .
Mos i thirr ato fjalëtT’ujitmet me lot e me bëlbëzitmet e kohësQë i mshehu aq fortSa vitet nan petk t’kohës po i mban
Mos këlthit kot me kot!Mos thuajSe ish jeta që rrengje punoi !Jo sbesoj ,Jeta se mbajti dotPeshën e mëkatit që ia vunë mbi supeNpër rrugët e botēsHallakatun për me kapPër flokësh ate fatin e bardhëQë spo t’avitet.Mos ki dert se mbijetojplagt e mia mësova ti kuroj.Me lot,heshtje ,qetësiIa dola t’shpërndaj shpresēnDhe ditët e randa plot mërziNē atë ditën plot aromë pishashE gurgullime të lumitQë m’freskonMe ato rreze në ato majaN’shpirt m’shëron

2-Poezi në shpirt
Shpirti bukur qendisurPlot me poeziZemra bukur ujdisurPlot me gjallni
Varg pas varguShpirtin plotTan mrekullitëQë i ka kjo botë

N’kët botëPlot me vaj e lotShpirti do t’qetohetVec me një fjalë t’ngrohtë
Nji varg I amēlPlot me dashniSjell n’kët botPlot me djallzi

Nji buzë e qeshurNji shpirt qendisurMe ojna e fjalëBukur ujdisur
Ah kjo poeziaPlot ngjyra e dritëTan botes me lotPërcjell mrekullitë
N’livadh tan me luleE bukra poeziDo mbeshtes kokënAty të rri
Të shëroj shpirtinMe vargje e fjalëQē botës mbarëShprese ti fal

3-Aromë dheu
Brazdat frymuan aromë tokeMijëra rreze drite shpërthyenBashkë me frymën e mjaltuar të tokësMe bisht t’synit sythet e sapoçelmeM’përshëndesinMireseerdhe bijë e tokēs
Mbas plugut t’randQi kish maskuarT’ftohtin e dimnin e gjatëMshef ish n’ mbulesën e tokësAfti I kandshëm I dheut që ma rriti shtatinE ai avulli I tokësQë më bëri me krahë
Në rrajt e tokësTë të parëve të miAsht ajo kreniaSe jam tek ato kufinjtëE moçëm që shtun krenarinëQë na rritën e na banë burra e gra
O dheu I amëlI vendlindjes që fort dhembMbrujtun prej gjakut e munditT’babës e nanës punëtoreQi s’pushoi njiherëDuke shkrifëtu npër duarDheun e rrafun prej dhemtës e sakrificësBashke me avujt e tokesSë mbrujtun e vaditun me djerse e mund

4-Po vjen pranvera
Në skutat e fshehta të shkurtit ,Fshehur jane sythet e lulesS’marsit ,që pret me çil
Aty janë fshehur qindraBulza luleshQë presin me shpërthy si ngaher
Qielli frymon freskiE brymon n’livadhT’sapo shpërthym tan hijeshi
n ‘plasat e tokësNihet ofshamaE ngutja e nanës natyrë me shperthy
Dimnit ngadalë po I grisetPetk I randëDielli nplasat e revePo shndrit pa ja daShpejt do flakoje pranveraE di sdo presë ma
N’eshtna e n’trup po nigjojSe gjaku po shkrihetPo rrjedh n’damarFryma e bekumja prag pranveraPo vrapon me ardh
N’pragjet e ngrimeNga afsh I dimnitPo shkrin lang I sertë jetsori mugujve t’parë të pemëveJasemin e lule mimozeÇelun ,zverdh skuq e zbardhPo ngutet pranvera me ardhe

5-Shpresē
Mbledh I kam tan ngjyratNë atë veroren lidh për doreE tan buzeqëshjet do I thur kurorë dashnieMe ia dhuru tan botës Bashkë me ngjyrat e pranverësMe dasht me shu tan luftnat Tan dhimtën e fmive me sytëI çiltër e t’lotumLotët e përzim me pluhnin e kuq tē bombardimeveAromat e kandshme Me I rujt e me I mbledh Me I ba gjerdan shprese e vese bashkëMe ia dhuru nanave Që në krah ua prunë djemtëBij ,ju ratë pēr atdhe tujnE lulet e livadheve do ju knojnë kangē trimnie
N’sytë e njomun nga loti e dhemtaShoh rrēnojat por dhe shpresënSe për hir të fmive luftrat do rreshtinDo dalë pranvera dhe për ta Do çelin tan ngjyratJo sdo ketë ma luftraVec kangë e tinguj t’amël bylbylashPa pra do nihen zanat e natyrës Që ngushëllim për gjithkan kan me u ba
Do vijë pranvera do vijëDo mërgoje tmerret e luftratSytë e fmive do buzëqeshin Plot ngadhnimBota do ngjyroset me tan dashninëDo vinë ato ditē do vinë.

Filed Under: Kulture

AT  GJON  SHLLAKU O.F.M.

March 26, 2022 by s p

download

AT GJON SHLLAKU O.F.M.

(1907 – 1946) 

Pergatiti Fritz RADOVANI:

“Kallxonte nji zonjë, e cila aso kohe bante punën si përkthyese në shërbim personal të sekretarit të Partisë Enver Hoxhës, në marrëdhanjet diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, si njiditë me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasatorit titist e Enverit, ky i fundit shend e verë i paska pasë kumtue përfaqësuesit të Beogradit gati-gati si tue u krenue:      “E mbytëm Patër Anton Harapin e, me té kemi plagosë për vdekje Klerin Katolik!”. Simbas rrëfimit të grues, ambasatori diplomat i vjetër pan-serbian, i paska pasë përgjegjë: “Po, po! Po keni ende gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë”, duhet – vazhdoi ai “ si mbas porosisë që kam prej qeverisë seme, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!” (At Daniel Gjeçaj “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare” fq. 36.). At Gjon Shllaku O.F.M. asht kenë një Françeskan i përgatitun në disa fusha. Kishte kohë që e kishte thanë At Gjon Shllaku O.F.M., këte aksiomë të Tij: “Tjetër kund njerëzit e idealit nëse i mbysin për së gjalli, i nderojnë për së vdekuni. Ndër né, ata mbyten dy herë, edhe harrohën!”. Fatkeqësisht, një thanje që sot,  asht ma aktuale se asnjëherë! At Gjon Shllaku asht le në Shkodër më 27.07.1907. Vazhdoi shkollen nder Françeskanët e Shkodres ku ra në sy per mprehtësi. Studimet universitare i bani në Lovanio të Hollandës si dhe në Paris. Asht shugurue Meshtar më 15.03.1931. Ka dhanë mësim si Profesor në filozofi, gjuhë frënge, ekonomi politike në Liceun Illyricum të Fretënve në Shkoder. Zotnoi disa gjuhë. 

Ishte fillimi i vitit 1945, kur në Shkoder vinte Sejfulla Maleshova, gjoja me themelue “Parti Demokristjane”, dhe nepermjet rinisë shkodrane u takue edhe me At Gjonin, i cili e vuni në dijeni se: “Provinçiali I Françeskanve At Mati Prennushi, ua ka ndalue rreptësisht Fretenve me u marrë me politikë, dhe se, në rast të kundert do ti ndalonte thanjen e Meshes.” Vendimi i Tij ishte i padiskutueshem nga të gjithë Françeskanët e Shqipnisë. 

Shpesh, flitej se asht mendue për një Parti Demokristjane.  

Shpesh, bisedohej se, “ka kenë formue” kjo parti në Shqipni.

Kishte nga ata që e thonin të sigurt ekzistencën e kësaj partie; por nga shumë burime që për mue kanë kenë burime të sigurta e të sakta edhe pse ishin burime gojore, si bie fjala Prof. Gaspër Ugashi, Mark Gjon Shllaku, At Meshkalla, Don Mark Hasi, At Gegë Luma, At Dioniz Maka, Prof. Nush Radovani, Don Nikoll Mazrreku, At Gardini, Monsinjor Mikel Koliqi, etj., me të cilët, kur unë kam bisedue për këtë çështje, e thonin pa ma të voglin dyshim, “se kjo parti nuk ka ekzistue kurrë në Shqipni,“ por, asht kenë një shpikje e komunistëve për me shkatrrue klerin katolik, inteligjencën dhe rininë entuziaste për ndryshime politike demokratike. 

Asnjë organizatë antikomuniste prej vitit 1943 nuk ka pasë në emnin e saj një sigël demokristjane. Asnjë përson nuk merr përsipër një detyrë nga kjo parti. Ende sot nuk gjindet një dokument ku shkruhet një pikë e statutit të kësaj partie. Arkivat sot kanë edhe detaje të programit të „Besëlidhjes së Veriut“, që u formue në vitin 1943, si dhe perfundimin e saj.

Kjo përputhet edhe me thanjet e At Gjolajt, në librin „Çinarët“. Ky libër u ba shkak që në vitin 1998 me u bisedue kjo temë edhe njëherë me z. Nino Kurti. Ai kishte lexue librin dhe ishte i kënaqun që At Gjolaj, kishte shkrue një fakt që njihej edhe prej z. Nino, tue fillue nga loja e Sejfullah Malëshovës e deri tek laboratorët e Sigurimit të Shtetit, në lidhje me këtë parti fantazëm e çpikun  e gjithmonë e pakenun, që hangri sa koka njerëzish të pafajshëm.

I nderuemi z. Nino Kurti tregon se në muejn maji të vitit 1945, kishte shkue në shtëpinë e Mark Gjon Shllakut (Gjon Mark Pyka i Rusit), mbasi ishin shumë shokë. Aty kishte gjetë Mark Lulashin dhe Paulin Kel Palin, që sapo kishin shkundë mandin e po hanin në oborr. Ka shkue pak ma vonë edhe njëfarë Mark Palit nga Laçi, që Nino kishte kohë që nuk e kishte takue. I fundit ka mërrijtë Pjetër Berisha edhe ky krejt rastësisht. Asht bisedue për zgjedhjet që do të zhvilloheshin në dhjetor të 1945.

Asht  bisedue idea e ardhun nga Tirana prej Mark Palit dhe dyshimi që kishin të gjithë këta përsona se, mos kjo ide asht lojë e Sigurimit. Ndoshta, dy-tre nga këta përsona ndonjëherë kishin bisedue për këtë parti, por të gjithë sëbashku nuk e kishin bisedue kurrë. Sigurisht paraqiste rrezik.

Atëditë, i kujtohej mirë z. Ninos, se ishte kenë i pari Pjetër Berisha që ka hapë bisedën për këtë parti. Si parime për të gjithë nuk kishte asgja të panjoftuna, kuptohet pa hy ndër detaje. 

Debati aty kishte fillue tek mënyra se si do të reagojë pjesa e kulturueme Myslimane dhe a do të mërrijë ajo pjesë e pergatitun e myslimanëve me ba për vedi shumicën tjetër. Njëkohësisht edhe a do të pranojnë ata me u drejtue kjo parti nga përsona që përfaqësojnë pakicën e popullsisë?

Problemi i dytë ishte kenë lidhja me klerin për me pa a pranohet prej tyne si parim. Këtë e ka marrë përsipër Paulin Kel Pali e Mark Shllaku, per me e bisedue me At Gjon Shllakun. Kur asht ba fjalë se kush mund të ishte kryetari, Mark Lulashi ka propozue emnin e Andro Petroviq, i cili nuk ishte aty dhe as nuk dinte gja për këtë bisedë. Të gjithë ishin dakord për Andron mbasi njihej si njeri i aftë, i prëgatitun mirë si intelektual dhe shumë besnik. Mbas pak ditësh Mark Shllaku kishte njoftue Ninon se, At Gjon Shllaku nuk ishte dakord që të formohet një parti e tillë, mbasi largimi i Delegatit Apostolik të Vatikanit Imzot Leone Nigris nga Shqipnia, prej qeverisë së Tiranës, më 5 maji 1945, asht tregues shumë i keq për problemet e katolikëve në Shqipni. At Gjoni u kishte tregue se një çështje si kjo as nuk mund të bisedohet as me Provinçialin At Mati Prennushi, e as me Imzot Thaçin, mbasi asnjeni nuk janë dakord. Mendimin e tyne sigurisht, ai e dinte nga takimi me Sejfullah Maleshovën, ku, At Gjoni asht kenë prezent. At Gjoni kishte shtue se propozimi i Tiranës asht vetem lojë e komunistëve prandej, si përfundim “kleri nuk përzihet në çështje partishë politike mbasi mund t’a pësojë si At Lekë Luli prej zogistave”.

Nino Kurti dinte se asht ba edhe një përpjekje tjetër prej Prof. Gjelosh Lulashit me At Çiprian Nikën, Guardian i Françeskanëve, por edhe kjo pa asnjë rezultat. At Çipriani, përveç shkaqeve të paraqituna nga At Gjoni, kishte shtue se ishte njoftue që edhe shkollat fetare shpejt po mbyllen. 

Gjendja sa vjen e randohet mbasi kishte sinjalizime se ka xhakoj të përzimë me Sigurimin. Ai madje, kishte porositë Prof. Gjelosh Lulashin, që mos të përzihen asnjë në këtë çështje mbasi si po shifej, edhe anglo-amerikanët Shqipninë e kanë lanë në dorë të jugosllavëve dhe, “nuk dijmë si do të bahet halli i jonë”. Nino, shtonte, se nuk ishte kenë dakord që në fillim që kjo parti të formohej në lidhje me klerin katolik. 

Kur Mark Shllaku i ka tregue se po formohet një organizatë pa pjesmarrjen e klerit dhe asht Mark Çuni që do t’a  drejtojë, Nino ishte kenë dakord dhe i kënaqun për tè. Me Ninon janë kenë të gjithë papërjashtim shka ishin deri atëherë për formimin e Partisë Demokristjane. 

Kjo ishte edhe arësyeja që as nuk asht bisedue ma për atë parti që mbeti vetëm një IDE. Mbas tyne nuk asht mendue ma as si ide. Ai e kishte njohë ma parë Mark Çunin si djalë shumë inteligjent, trim, i vendosun dhe besnik. Ai e formoi Organizatën “Bashkimi Shqiptar” e dha edhe jetën për tè. Anëtarët e asaj organizatë edhe sot e kanë për nderë që kanë ba pjesë në té dhe janë drejtue nga atdhetari i flaktë Mark Çuni.

Nino e lente ide edhe për faktin se përsonat që janë kenë në shtëpi të Mark Shllakut, madje, edhe Andro Petroviq që nuk ishte fare aty, të gjithë janë arrestue vetëm për organizatën “Bashkimi Shqiptar” dhe as që, asht tregue prej ndonjenit se asht mendue për parti demokristjane, as gjatë torturave, as gjatë proçesit gjyqësor, madje, as kur ishin ndër kampe e burgje. Ata nuk e kanë zanë në gojë atë ide se mund të ridënoheshin mbas njëzet vjetësh. Ata vetëm kanë porositë njeni tjetrin që mos me zanë me gojë emnin e Andro Petroviq, mbasi mund të baheshin shkak për zhdukjen si dhe pushkatimin e tij kurdoherë nga komunistët.

Nino Kurti e përfundoi bisedën e tij me këto fjalë: “Hipotezat, provokimet e bame në hetuesi, në gjyqe etj., janë kenë vetëm trillime dhe shpifje, mbasi vetëm po të dihej idea, asnjeni nuk do të shpëtonte me kokë. Kjo ide asht kërkue për 50 vjetë rresht nga Sigurimi i shtetit, por asnjëherë nuk asht ra në gjurmët e vërteta të sajë, mbasi kryesore kemi pasë besën. 

Unë jam edhe sot për një Parti Demokristjane të vërtetë, mbasi ajo do të ndikonte shumë për hymjen në Evropë, po ku, me e gjetë sot një kopjo të Andro Petroviq, apo të Mark Çunit, per me e drejtue këtë parti?”.

Mbas asaj bisedë per fatin e keq unë nuk u pashë ma me Ninon, mbasi edhe Ai vdiq ndër ato ditë krejt papritmas në Tiranë.

Ka pasë edhe një variant tjetër që flitej sikur Mark Pali i Laçit të Kurbinit, kur ka ardhë në Shkodër tek shtëpia e Mark Shllakut në Rus, asht kenë i dërguem për “Partinë Demokristjane” nga Imzot Vinçenc Prennushi. Edhe ky variant nuk qëndron mbasi as nuk asht folë në atë shtëpi për Imzot Prennushin. Njëkohësisht, si mujte Imzot Prennushi me dërgue Mark Palin për një detyrë kaq të rëndësishme, krejt në kundërshtim me Argjipeshkvin Metropolitan të Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçin, apo me kushrinin e vet, Provinçialin e Françeskanëve At Mati Prennushin?

At Pjeter Meshkalla thonte: “Asnjëherë Shqipnia nuk asht kenë e pergatitun për një parti demokristjane, mbasi kleri nuk duhet me u përzi ndër parti politike, ndërsa brezi i inteligjencës ishte ende në formim. Partia nuk bahet me aq pak njerëz të pergatitun sa kishte ajo kohë. Duheshin edhe pak vite, por komunizmi kje një shkatrrim për të gjitha fushat, sëpse, as që mund të bahej ma fjalë për qeverisje demokratike e aq ma pak Europjane.

Shkollat marksiste-leniniste kanë me e pengue demokracinë e qeverisjen demokratike edhe mbas përmbysjes së komunizmit. Shkaqet dihen!” 

Dihet sakt: Gjatë asaj kohe të shkurtë, per me evitue takimet me Sejfullahin, dy here At Matia e dergoi At Gjonin, zëvendës-famullitar në Theth dhe, prej datës 14 korrik deri më 27 nëntor 1945, në Nikaj, tue zëvendësue Atë Dioniz Makaj, nder të parët fretën të arrestuem nga Sigurimi i shtetit në Shkodër. 

Po i njajti fat më 23.01.1946, e ndjekë edhe At Gjon Shllakun ndërsa, jepte mësim në klasë. E arrestojnë dhe fillon hetimet.

At Gjon Shllaku O.F.M. deklaroi para gjyqit:

Jam kenë dhe jam kundër çdo lloj diktature. Për këtë jam kenë i keq edhe me italjanët, mbasi ardhjen e tyne e kam quejtë pushtim. Për këtë edhe Sejfullah Malëshova më ka kërkue me formue nji parti Demokristjane por nuk më kanë lejue eprorët, për mos me u përzi Kleri Katolik në politikë.

Me datën 28. 01. 1946, i kam thanë edhe z. Prokurorit se, Kisha, lejon pjesëmarrjen në politikë të anëtarëve të saj, mjaft që politika të përdorët për të miren e shoqnisë dhe të popullit.

Unë nuk kam ba pjesë në këtë organizatë dhe as nuk kam sjellë njeri në këtë organizatë mbasi po e përsëris, nuk më asht lejue me u përzi në politikë. Arsyeja kryesore asht se drejtimin e shtetit e morën komunistët ateista.

Kur asht inaugurue Shtëpia e Kulturës në Shkodër, unë kam shprehë bindjen teme, se asht e para herë që Shqipnia çlirohet me gjakun e bijve të vet. Indipendenca e Shqipnisë sot nuk asht nji dhanti, por asht fryt i përpjekjeve të popullit Shqiptar. 

Për organizatën “Bashkimi Shqiptar” e kam marrë vesh kur asht arrestue At Fausti dhe At Dajani. Ma përpara nuk kam dijtë kurrgja.

***

Me datën 08. 02. 1946, kur po fillonte seanca e mbas drekes, porsa del para trupit gjykues z. Myfit Q. Bushati, ish student i gjimnazit të Jezuitve, i arrestuem edhe ky si anëtar i kësaj organizatë, ndërpritet seanca nga ndërhymja e prokurorit Aranit Çela, i cili i drejtohet kryetarit të trupit gjykues me këto fjalë: “Me qenë se avokat Muzafer Pipa, implikohet në këtë proçes, se ka pasë dijeni dhe se ka kënduar trakte të këtyre organizatave apo ka qenë pjestar, kërkoj që të përjashtohet si përfaqsues mbrojtjëje i të pandehurit Patër Gjon Shllaku me shokë”.

Av. Muzafer Pipa tha: Në lidhje me kërkimin e z Prokuror, unë nuk kam ndonjë kundërshtim por, në këtë rast unë nuk përfaqsoj Myfit Q. Bushatin.

Kryetari i trupit gjykues lexon vëndimin:

Lexoni me kujdes mënyren me të cilen u shtjellue ngjarja nga Aranit Çela, i cili nxjerrë fëtyren e vertetë të tij!

“Vëndim: Me qenë se Muzafer Pipa, mbi egzistencën e organizatës së ashtuquajtur Demokristjane, ka patur dijeni dhe i atribohet faji që pretendohet që organizator është Patër Gjon Shllaku, në anë tjetër, që të pandehurit që ky përfaqson kanë qenë pjestarë të organizatës “Bashkimi Shqiptar”, që do të bashkohej me Demokristjanën, sipas parimit juridik, nuk duhet të përfaqsojë, për derisa i atribohet faji i dijenisë ose i pjesëmarrjes, prandaj, Trupi Gjykues, konform kërkesës z. Prokuror, Vëndosë përjashtimin e tij si përfaqësues Mbrojtjëje i të pandehurve: Patër Gjon Shllaku, Rrok Martini, Çesk Gjeluci, Ndoc Rrok Jaku dhe emron avokat Ranko Çerankoviq.”

Avokat Muzafer Pipa doli nga salla e gjyqit. (Dosja nr. 1068).

Nuk shkoi gjatë dhe Aranit Çela e mbajti fjalën që i pat thanë tue hy në bar “Impero” të Fushës së Çelës: “Hë, Muzafer Pipa, e kemi ruajtur një gjysëm leku edhe për ty!”.(Dëshmi gojore e Prof. Gaspër Ugashit).

Populli i Shkodrës ruen në kujtesën e tij përjetë veprën heroike të Prof. Kol Prelës, Deputet i Kuvendit Popullor në zgjedhjet e 2 dhjetorit, i cili si burrat paraqet para gjyqit:

DEKLARATË:

Unë i nënshkruemi Kol Prela, profesor në Liceun e Shtetit Shkodër, dhe Përfaqsues i Dekretuem në Asamblenë Kushtetuese, përsa i përket të pandehurit Patër Gjon Shllaku, Françeskan nga Shkodra, deklaroj sa ma poshtë vijon:

Pader Gjon Shllakun e kam njoftë për herë të parë në verën e vjetit 1940 kur u ktheva prej Italijet, mbasi mbarova studimet universitare. Qyshë në takimet e para që kam pasë me té kam muejtë me konstatue, se ai ishte nji element anti-italian dhe anti-fashist. 

Kudo qi kishte rastin dhe mundësinë demaskonte dhe disaprovonte ardhjen e Italisë këtu dhe, vëprimet të cilat Italia me trathtarët bante vazhdimisht këtu, në dam të tonë. 

Në rast konkret dij se, ai propagandonte kundër njollosjes së Flamurit tonë Kombëtar me fashjot e Liktorit e, kundër artikullit denigrues për Popullin Shqiptar që P. Fulv Cordignano pat botue në revistën “Albania”. Madje, në këtë rasën e fundit nuk u kondenue vetëm me disaprovue por edhe punoi për përpilimin e broshurës: “Cordignano në gjyq përpara botës”, tue gjetë gadi të gjithë bibliografinë, tue përkthye të gjithë copat e autorve gjerman që nëvojiteshin për atë përgjegje. Nuk e vuni emnin në fund mbasi broshura delte n’emnin e grupit të profesorëve të Liceut të Shtetit të Shkodrës e me vue emnin edhe ky, do të dukej se profesorët e nji instituti Shqiptar mos të ishin në gjendje me shkrue nji artikull pa kërkue ndihmën edhe jashta rrethit të tyne. 

Këtë, mund t’a dishmojnë edhe Prof. Mark Ndoja e Prof. Simon Deda, të cilët në këtë kohë janë kenë në kontakt vazhdimisht me të pandehurin. 

Këtë qëndrim anifashist ka vazhdue t’a mbajë gjatë gjithë kohës që kam kenë në kontakt me té, d.m.th., deri në qershor 1943, datë në të cilën jam ilegalizue, mbas së cilës, nuk kam pasë ma rasë me ra në përpjekje me té derisa asht shlirue Shqipnia.

Mbas shlirimit dihet prej të gjithve se Pader Gjoni, ka dhanë kontribut në lamën që ishte ma i pregaditun d.m.th. në atë të kulturës. 

Ka ba  konferencën për inaugurimin e Shtëpisë së Kulturës në Shkodër, në të cilën ka thanë ndër tjera edhe këto fjalë:

“Asht e para herë që Shqipnia shlirohet me gjakun e bijve të vet.

Indipendenca e Shqipnisë sot nuk asht nji dhanti, por asht fryt i përpjekjeve të Popullit Shqiptar”.

Përmbajtjen e kësaj deklarate, jam gadi me e vërtetue edhe para Gjyqit të Popullit, po mos të jemi i xanun në shkollë me mësime.

V.F.L.P.                                                           Deklaruesi: Prof. Kol Prela d.v.

 Shkoder, 14. 02. 1946.

Ndersa At Gegë Luma deklaron në gjyq në vitin 1968: “Shqipnia ka dy krahina të ndame, Veriu dhe Jugu, ka tre besime të ndame, myslimanë, orthodoks dhe ma pak se të gjithë katolikë. Sikur të kishte edhe dy parti, një në pushtet dhe një opozitë, popullsia do të ndahej në shtatë pjesë, që asht vështirë me u kuptue njena me tjetrën vetëm dy pjesë të sajat, jo ma shtatë. Atëherë, ku mbetë vend për Parti Demokristjane?”.

At Gjon Shllaku OFM u dënua me vdekje me pushkatim me 22.02.1946. Asht pushkatue në Shkodër, në orën 5 të mëngjesit, më 04.03.1946, së bashku me At Danjel Dajanin S.J., At Giovanni Fausti-n S.J., Seminaristin Mark Çuni, të rinjtë Qerim Sadiku, Gjelosh Lulashi e të tjerë.

Patër Gjon Shllaku tha: “Lamtumirë mi thoni shokve Françeskanë dhe të gjithë të njoftunve. Rrnoftë Krishti Mbret dhe Rrnoftë Shqipnija!”

Kështu mbylli jeten dijetari i madh At Gjon Shllaku.

At Gjon Shllaku O.F.M. nder shkrimet e veta me vlerë ka lanë një thesar të çmueshem nga ana historike dhe filozofike, tue mos nenvleftsue asnjëherë pikpamjet e Tij Fetare dhe gjuhsore. Ajo që e veçon Ate asht mospajtimi i Tij per asnjë arsy me pikpamjet komuniste të kohës dhe të shtetit Shqiptar.

Ishte viti 1938 kur At Gjoni ishte drejtor i Revistës “Hylli I Dritës”.

Aty botoi shkrimin “Shka asht komunizmi”, në të cilin analizoi doktrinën komuniste dhe njëherit tue e njohë mirë vuni në dukje të metat e saj. 

Ky studim i mirëfilltë rreth marksizmit mbetë gjithnjë i kohës dhe aktual. Bie në sy sesi në ketë shkrim, Át Gjon Shllaku pohon se komunizmi u nis si shkencë, nga themeluesit e parë, por përfundoi si diktaturë, nën drejtimin fanatik të njerëzve të etun për pushtet që, për ta shue këtë etje të tyne, nuk hezituene që të flijojnë tue vra me miljona njerëz të pafajshëm të Globit. 

Shkrim aktual dhe shumë i vlefshëm, ky shkrim për historinë e filozofisë.

Kushdokjoftë ai Shqiptar që sot do të lexojë mendimet rreth organizimit shoqnor, shkrimet filozofike, hulumtimet historike të Át Gjon Shllaku, ai do të vrejë menjëherë se ndër ata, do të spikasin tri fjalë me vlerë të madhe: “Shqiptari – Frati – Shqipnia”, dishka shumë origjinale dhe me vlerë per të gjitha kohët e historisë së Shqipnisë. 

E ajo që ka vlerë asht se historia e Shqipnisë asht dishmitare e këtij trinomi të pandashëm, unjisues për idealet kulturore, shpirtnore dhe atdhetare.

Át Gjon Shllaku vazhdon edhe sot e na mëson se, idealet shpirtnore dhe atdhetare janë shumë të çmueshme, të njisueme me jetën e atij, që i jeton dhe i provon nder rrethanat e jetës së vet. 

Mësimet e At Gjon Shllakut sot na kujtojnë gjithnjë sesi: Atdheu ndërtohet gjithmonë mbi themelet e botës Shpirtnore. 

Në shkrimet e Tij At Gjoni, pohon pahezitue asnjë moment të jetës së Tij:
“Veç nji kulturë shpirtnore e hapët âsht e zoja të lindë nji atdhedashtní, me të cillen të çmohen, të ruhen e të lavrohen karakteristikat e ndjesítë kombtare, e mund të na shtyj me bâ flije të panumurta per të miren e Atdheut”. E sidomos At Gjoni (na mëson), kurr të mos bijmë në kurthën “ku aventurjerat e të çmendunit i bijnë lodrës e na duertrokasim marrít e tyne.” 

Kjo kujtesë sot na tregon saktësisht sesa i perkushtuem ishte tirani Ever per zbatimin e porosive të diktatorit Tito, per zhdukjen Klerit tonë Katolik. Ky krim i dha vrasësit Ever dekoraten “Hero i Popujve të Jugosllavisë”, që ai e ka edhe sot të varun në fyt, mbasi nuk ka kush ia prekë me dorë, sepse tash ne, po presim dekoratat tjera që do të na “dhurojnë Ballkani i hapur”!

Por, mos harroni se tradhëtia e Atdheut paguhet edhe nga sternipat tuej!!

“Mallkimi i Popullit Shqiptar”, per të cilin lutet Nanë Tereza, njëditë jo larg do të marrin me vete të gjithë ata, që me perkushtim i sherbejnë sot atij!

Vlerat e paçmueshme të At Gjon Shllakut, edhe pse lehen në heshtje, ato janë vertetë të doemosdoshme po, edhe të perjetëshme per jeten e Atdheun.

Sa shumë nevojë ka Shqipnia sot, per Figura si At Gjon Shllaku O.F.M., që asht gjithmonë një Zamak i freskët i Flamurit të Kastriotit – Skenderbeut ! 

Melbourne, 26 Mars 2022.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2338
  • 2339
  • 2340
  • 2341
  • 2342
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT