• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“ALBANIAN BOOKFEST” SI KONTRIBUT KOMBËTAR I FEDERATËS VATRA NË MBËSHTETJE E PROMOVIM TË KULTURËS E LETËRSISË KOMBËTARE NË MËRGATËN E AMERIKËS

November 11, 2025 by s p

Sokol Paja

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra në bashkëpunim me shoqatat kryesore patriotiko-kulturore, shkollat shqipe dhe klubet e studentëve shqiptarë  në New York, New Jersey, Philadelphia etj organizon për herë të parë një festë madhështore të librit shqip në New York. Një ngjarje kulturore dhe atdhetare me synim themelimin e një tradite të vyer që rrit, promovon dhe bashkon shqiptarët e mërgatës rreth dijes, librit e kulturës.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra fton shtëpi botuese, autorë, grup autorësh, shkrimtarë dhe krijues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Evropa, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ti bashkohen festivalit të librit shqip që do të zhvillohet në New York nga datat 28 – 30 nëntor 2025. Ky festival libri është një ngjarje kulturore që promovon letërsinë, kulturën dhe identitetin kombëtar shqiptar në diasporën e Amerikës e më gjerë.

Për herë të parë libri shqip i të gjitha gjinive e prej të gjitha trevave do bëhet bashkë në New York për të shënuar ngjarjen më të rëndësishme kulturore për shqiptarët e Amerikës nën udhëheqjen e Vatrës. Komisioni i organizimit i përbërë nga profesionistët Dr. Pashko Camaj, Dr. Paulin Marku, Sokol Paja e me mbështetjen e organizatave në organizim i bëjnë komunitetit një shërbim të çmuar kulturor dhe atdhetar.

Roli i promovimit të librit shqip në Amerikë për herë të parë në këto përmasa interkontinentale prej Vatrës do të sjellë një impakt të fuqishëm në promovimin e kulturës kombëtare, gjuhës shqipe dhe ndërtimit të një ure komunikimi sa shpirtërore por edhe kulturore mes shqiptarëve të mërguar dhe trojeve etnike. Federata Vatra e gazeta Dielli e kanë pasur si qëllim në vetvete përgjatë gjithë historisë së veprimtarisë së tyre ruajtjen e identitetit kombëtar ku libri shqip i rrezikuar nga zhvillimet teknologjike dhe emigrimi masiv, sot më shumë se kurrë kërkon kujdes dhe impenjim në ruajtjen, zhvllimin e promovimin e tij. Libri shqip do të jetë e vetmja garanci në të ardhmen për ruajtjen e identitetit gjuhësor te shqiptarët e mërguar anembanë botës.

Libri shqip është mjeti më i fuqishëm identitar shqiptar për të ruajtur kujtesën historike, gjuhën, traditat dhe zakonet e një populli të shpërnarë në të gjitha kontinentet. Nëpërmjet librit shqip, brezat e rinj ruajnë të gjallë lidhjen shpirtërore me atdheun dhe mësojnë për historinë e lavdishme, rrënjët e gjenezën kombëtare të shqiptarëve. Libri bashkon, libri përfaqëson, libri mbron gjuhën, libri është ambasador kulturor dhe markë identitare e kombit në raport me kulturat dhe kombet e tjera. Trashëgimia e përbashkët kulturore e gjuhësore ka qenë në qendër të veprimtarive të Federatës Vatra e cila me mbështetjen e shkollave shqipe kudo në botë dhe me promovimin e dhjetëra librave të Selinë Qëndrore të Vatrës, e ka shëndërruar Federatën në promotoren më të fuqishme të kulturës dhe historisë kombëtare në mërgatën e Amerikës dhe jo vetëm. Libri shqip është drita dhe shpirti i një kombi.

Letërsia e të gjitha zhanreve e gjinive, historia, folklori dhe botimet e ndryshme shkencore, publicistike dhe enciklopedike kanë një rol specifik në formimin e vetëdijes kombëtare dhe morale te një shoqërie, shteti dhe kombi. Media, letërsia, historia dhe narrativa kombëtare ka pësuar një deformim të tmerrshëm në kohën e komunizmit dhe sot, promovimi i letërsisë së re është një hap i madh drejtë një çlirimi kombëtar prej ideologjisë komunistë e manipulimit të të vërtetave prej ideologjisë staliniste që poshtëroi kombin tonë për 50 vjet. “Një komb pa libra është si një trup pa shpirt” do ta përcaktonte i madhi Faik Konica. Autorët shqiptarë dhe libri shqip janë një mundësi fenomenale për të afruar dhe publikun amerikan e më gjerë me vlera e letërsisë shqiptare dhe autorët bashkëkohorë shqiptarë që për hir të vërtetës kanë lënë gjurmë të fuqishme në letërsisë bashkëkohore europiane.

Promovimet e përkthimet e librave të autorëve shqiptarë në Amerikë, Europë e kudo ku ka shqiptarë, është një promovim i identitetit kombëtar, punë e cila kërkon jo vetëm mbështetjen e vëmëndjen e institucioneve shtetërore shqiptare, por patriotët dhe organizatat e shoqatat që veprojnë në mërgatë duhet ta kenë librin shqip dhe gjuhën shqipe motiv të veprimtarisë së tyre kryesore. Duke qenë se ka një shtim të emrigrimit masiv të shqiptarëve nga Shqipëria e Kosova kryesisht prej keqqeverisjes, nevojave dhe sfidave të emigranteve të rinj duhet tu përshtatet edhe promovimi kulturor dhe identitar kombëtar. “Libri është ura që lidh të kaluarën me të ardhmen” do të thoshte aktori i madh Aleksandër Moisiu. Një letërsi e mirë forcon imazhin  e kombit tonë në arenën ndërkombëtare. Libri është një formë e posaçme e diplomacisë kulturore ku shtete dhe kombe e zhvillojnë së tepërmi.

Libri shqip shërben si arkiv shpirtëror e material ku ruhet trashëgimia e historisë e shpirti kombëtar. Libri shqip është trashëgimi dhe jetëgjatësi, dëshmi e pavdeksisë së kombit shqiptar.

Filed Under: Opinion

DËSHMI ARKIVORE MBI PRONAT NË ZONËN KUFITARE SHQIPËRI-MALI I ZI

November 10, 2025 by s p

Pas dy botimëve të mëparshme “Shqiptarët në Malë të Zi nga Kongresi i Berlinit e deri në vitin 1941”(2016) dhe “Ulqini në dokumentat malazeze nga viti 1880 e deri më 1915”(2018), ditë më parë Hajro Hajdari opinionit i prezantohet më botimin më të ri me titull “PRONAT DYPALËSHE të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit Shqipëri-Mali i Zi”, Botuar nga Art Club-i, Ulqin, 2019.

Nail Draga

Nga vet titulli del se kemi të bëjmë me një temë interesante e cila deri më tash ka qenë pothuaj e panjohur për opinion e gjerë, andaj si e tillë është intriguese për lexuesit. Fjala është për pronat dypalëshe të qytetarëve të cilët jetojnë dhe punojnë në zonën kufitare në mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Fillimisht autori trajton semantikën e terminologjisë juridike të pronave dypalëshe e cila është trajtuar pak në literaturën juridike, andaj ka mbetur në margjina të çështjeve të tilla duke dhënë informacione të mjaftueshme në aspektin terminologjik dhe ate juridik. Me themelimin e shtetëve të pavaruara në shek.XIX, në Europën Juglindore në opinion u paraqit edhe koncepti i zonave kufitare, ku përveç të ndonjë rasti të veçantë nuk ka qenë objekt i hulumtimeve dhe studimeve të ndryshme shkencore.

Në këtë botim fillimisht autori trajton përcaktimin kufitar në mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, duke filluar me Kongresin e Berlinit(1878) dhe më pas me Konferencën e Ambasadorëve në Londër(1913), më ç’rast vise e vendbanime shqiptare iu dhuruan Malit të Zi. Vendimet e tilla absurde të Fuqive të Mëdha ndikuan që një numër i konsideruar i popullsisë e viseve shqiptare të mbesin jashtë shtetit amë-Shqipërisë. Një veprim i tillë ishte në kundërshtim flagrant me të drejtën etnike e historike të popullit shqiptar ku padrejtësisht u vendos kundër vullnetit tyre. Dhe një veprim i tillë, ndikoj që Shqipëria të kufizohet më popullin e vet, si asnjë shtet tjetër në Europë.

Në lidhje me këtë çështje autori ofron të dhëna me interes, në diakroni e sinkroni para Luftës së Parë Botërore, pas saj deri në Luftën e Dytë Botërore dhe më pas që përmbyllet me vitin 1948. Në periudhat në fjalë janë arritur marrëveshje në mes dy vendëve ku si model pozitiv mund të shërbejë koha në mes dy luftërave botërore në mes Mbretërisë Jugosllave e asaj të Shqipërisë, ku janë miratuar marrëveshje të ndryshme të cilat ishin në favor të qarkullimit ndërkufitar të popullsisë në zonën kufitare e cila ishte kryesisht shqiptare. Fjala është për distancën 10km nga kufiri ku popullsia përkatëse në vendkalimet kufitare kalonte për të shkuar në treg, punimin e tokave, bartjen e prodhimeve bujqësore, përdorimin e kullosave etj. Përveç vendkalimeve zyrtare kufitare kanë ekzistuar edhe vendkalime kufitare jozyrtare, që ka të bëjë me perdorimin sezonal, kryesisht të prodhimeve bujqësore.

Kështu nëse analizojmë vendkalimet e tilla të zonës kufitare nga liqeni i Shkodrës e deri në Grykë të Bunës, del se kanë ekzistuar 8 vendkalime të tilla, ku nga to 4 ishin tokësore e 4 ujore. Një e dhënë e tillë dëshmon për demokracinë e ekzistuar praktike për qarkullimin ndërkufitar e dhënë kjo e cila nuk ka ekzistuar nga viti 1948 e më pas, kur kjo zonë humbi përmbajtjën e saj sepse kanë dominuar interesat ideologjike e jo ato kombëtare nga ana e shtetit amë-Shqipërisë, që ka pasur pasoja të mëdha për atë kohë, ku autori më të drejtë e quan “gjenocid social”.

Për përgatitjen e këtij botimi autori përveç literaturës profesionale të cilën e ka konsultuar, në veçanti ka përdorur materialet arkivore nga Arkivi Qendror i Shqipërisë dhe Arkivi Shetëror i Malit të Zi, të cilat pas hulumtimit dhe përpunimit të tyre ka ofruar të dhëna me interes, të cilat deri më tash kanë qenë të panjohura për opinionin e gjerë. Me interes janë prezantimi i materialeve të Komisioneve mikste shqiptaro-jugosllave për çështjet pronësore të cilat kanë qenë aktive deri në vitin 1948, duke përfunduar me vitin 1953. Po ashtu me vlerë të veçantë janë paraqitja e regjistrave të familjeve të shtetasve shqiptarë që kanë pronat në Jugosllavi, dhe e kundërta e shtetasve jugosllavë, më përkatësi të kombësisë shqiptare në Shqipëri. Regjistri i tillë ka vlerë të veçantë jo vetëm sa i përkët pronësisë së tokave përkatëse, por edhe shpërndarjën territoriale të tyre nga Shtoji i Ulqinit në jug e deri në Guci e Plavë në veri për gjatë zonës kufitare në gjatësi prej 172 km. Nga të dhënat e prezantuara del se më së shumti prona dypalëshe kanë shqiptarët nga Mali i Zi në Shqipëri rreth 4000 ha, ndërsa më pak kanë shqiptarët nga Shqipëria në Mal të Zi rreth 600 ha.

Pasi nga viti 1948, u prishën marrëdhëniet në mes ish-Jugosllavisë e Shqipërisë për shkaqe ideologjike dhe politike, pasojat e para u hetuan në zonën kufitare, sepse u pengua qarkullimi i lirë përmes lejës së kufinit dhe shfrytëzimit të pronave dypalëshe, duke mbetur zona të izoluara, të rrezikshme dhe të papërspektivë. Madje pronat e tilla humben përmbajtjën e mëparshme sepse shumë prej tyre u shtetëzuan, apo iu janë dhënë të tjerëve për shfrytëzim si kompensim për pronat e tyre në anën tjetër të kufirit. Kështu p.sh.në Anë të Malit, Krajë e gjetiu, pronat e tilla që ishin në shfrytëzim, njiheshin si “toka të Shqipnisë”, ku këtë tretman e vazhduan një periudhë të caktuar kohore, ndërsa më vonë u regjistruan në katastër si pronarë “legjitim” të tyre që ishte në kundërshtim flagrant ligjor, shtetëror dhe ndërkombëtar.

Ndërsa pas vitit 1990, me miratimin e pluralizmit dhe qarkullimit të lirë të personave në mes dy vendëve, filloi interesimi për pronat legjitime në të dy anët e kufirit. Në këtë aspekt ndonëse me një vonesë të konsideruar ekziston baza ligjore për të zhvilluar proceset e tilla gjyqësore, për të iu rikthyer pronat pronarëve legjitim, por mungon marrëveshja shtetërore në mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, që nuk mund të arsyetohet më asgjë, përveç me pakujdësi dhe joseriozitet profesional. Sepse pavarësisht rrethanave shoqërore prona mbetët e shenjtë dhe si e tillë duhet të iu kthehet pronarëve legjitim. Vetëm ne këtë formë të veprimit përmes gjykatave vendore, shtetëtore e madje deri të ajo ndërkombëtare në Strasburg, do të eliminohej një padrejtësi e imponuar dekada më parë, që është në kundërshtim flagrant ndaj të drejtave legale e legjitime të qytetarëve të zonës kufitare.

Andaj, duke uruar autorin këtë botim e vlerësojmë në mënyrë të veçantë sepse është i pari me një përmbajtje të tillë, ku besoj së do të jetë një impuls pozitiv për hulumtues të tjerë që duan të merren me një çështje të tillë në zonën kufitare. Nuk ka dilemë së një çështje e tillë sa është profesionale është edhe kombëtare, sepse ka të bëjë me popullsinë shqiptare në zonën kufitare në të kaluarën e deri në ditët tona.

Pikërisht duke marrë parasysh këtë çështje duhet mbeshtetur të gjithë ata që do të angazhohen në studime e hulumtime të tilla në të ardhmën duke mbetur si mision profesional dhe kombëtar sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.

In memoriam

Hajrullah Hajdari (1949-2025)

Në Ulqin me 12 tetor 2025, në moshën 76 vjeçare vdiq Hajrullah Hajdari, jurist e studiues, autor i disa botimeve kryesisht nga fusha e historisë. Ka lindur në Bobosht-Krajë(1949), ku ka kryer shkollën fillore, të mesmen në Gjakovë ndërsa Shkollën e Lartë Administrative dhe Fakultetin juridik në Prishtinë. Eshtë marrë me hulumtimin dhe studimin e dokumentëve arkivore dhe ka marrë pjesë në konferenca të ndryshme shkencore.

Është autor i 6 librave: “Shqiptarët në Mal të Zi nga Kongresi i Berlinit deri në vitin 1941”, Ulqin, 2016; “Ulqini në dokumentët malazeze nga viti 1880 deri në vitin 1915”, Ulqin, 2018; “Pronat dypalëshe të shqiptarëve në Mal të Zi në të dyja anët e kufirit Shqipëri-Mali i Zi”, Ulqin, 2019; “Pozita kushtetuese-juridike dhe politike e shqiptarëve në Mal të Zi 1945-1990”, Ulqin,2021; “Shqiptarët në Mal të Zi nga Kongresi i Berlinit deri në vitin 1941”(Botim i dytë i plotësuar), Ulqin, 2021 dhe “Balshajt dhe objektët kishtare në goricat e liqenit të Shkodrës”, Shkodër, 2025.

Recensioni për librin “Pronat dypalëshe të shqiptarëve në Mal të Zi në të dyja anët e kufirit Shqipëri-Mali i Zi”, Ulqin, 2019, është shkruar në vitin 2019, ndërsa ribotohet në nderim të autorit.

Filed Under: Fejton

Një libër i guximshëm…

November 10, 2025 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Ambaasadorin austriak Wolfgang Petritsch të gjithë e kujtojmë për angazhimin e tij në çështjen e Kosovës që përkon me luftën e armatosur dhe emërimin e tij me 1997 si i dërguar i Posaçëm i BE-së për Kosovën. Gjatë atyre viteve 1997/1998 ai së bashku me të dërguarin amerikan ambasadorin Chriss Hill, intensifikuan të ashtuquajturën “shuttle diplomacy” në kërkim të një zgjidhje për konfliktin midis forcave serbe të sigurisë dhe UÇK-së që po përshkallëzohej me shpejtësi.

Tani Petritsch vjen edhe në shqip me një libër tejet interesant “Ndërrimi i epokave- Rikthimi i luftës në shekullin autoritar-digjital”. Në këtë botë që po ndryshon me shpejtësi marramendëse, Wolfgang Petritsch analizon kthimin e luftës si mjet në shekullin autoritar-digjital.

Nga Ukraina deri në Lindjen e Mesme, nga përplasjet gjeopolitile deri te luftërat e informacionit, autori shtron pyetjen thelbësore: a po hyjmë në një epokë të re ku teknologjia, propaganda dhe autokracia bashkohen për të riformësuar rednin botëror?

Me përvojën e tij të gjatë diplomatile dhe analizën e hollë politike, Petritsch na udhëheq përmes kontradiktave dhe autoritarizmit, progresit teknologjik dhe rrezikut të manipulimit total.

“Ndërrimi i epokave” është një libër i guximshëm, aktual dhe i domosdoshëm për ta kuptuar shekullin ku po jetojmë.

Filed Under: Emigracion

Trashëgimia arbëreshe…

November 10, 2025 by s p

Prof. Begzad Baliu/

Më 26 nëntor të vitit 1954, drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Elhami Nimani, ua dërgonte një letër arbëreshëve të Zarës: leksikografit e enciklopedistit Dr. Kruno Kërstić, shkrimtarit të shquar Josip Rela dhe studiuesit Budimir Perović, me të cilën nxiteshin që të punojnë në identifikimin, mbledhjen dhe regjistrimin e trashëgimisë gojore të arbëreshëve të Zarës, që do të shërbenin si bazë e “një studjim deskriptiv systematik njëheras edhe i fjalorit, por mâsë forti i gramatikës s’këtij nëndialekti të gegënishtës”.

“Ne mendojmë, – thuhet në letrën, të cilën sipas diskursit të gjuhës së saj, nuk është vështirë të konstatohet se është shkruar nga linguisti Selman Riza, – se shqyrtimi përfundimtar, tâanësuer dhe i hollësishëm mund të kryhet soll prej pjesëtarëvet të vetë kësaj kolonije, siç âsht rasa pikërisht me ju të tre”. (…)

“Konkretisht na proponojmë që shoku Budimir të marrë përsipër barren kryesore rreth gjurmimit të landës së duhun; por me kusht që, në fazën e mâtejme të systemimit dhe interpretimit të kësaj lânde, me shokun Budimir të bashkëpunojnë shokët Relja dhe Krstić; kështu që ndjenja gjuhësore nevojisht pak a shumë e lëkundshëme te çdonjâni prej jush, të qëndrueshëmohet /stabilizohet/ nëpër kritikën dhe kontrollin prej anës së dy tjerëvet”. Pa dashur të merremi këtu më gjerësisht me udhëzimet e letrës, dua të theksoj se prej dokumenteve të Arkivit të Institutit Albanologjik dhe arkivave private të albanologëve në Prishtinë, si dhe prej botimeve, kryesisht të revistës letrare “Jeta e Re”, deri në fund të viteve ’60, dhe të përditshmes “Rilindja” më tej, studiuesit arbëreshë, shkrimtarët dhe publicistët e atjeshëm, kanë bashkëpunuar me shumë sukses, me institucione dhe individë, pavarësisht mbylljes së shpejt të Institutit.

Për kureshtjen fillestare, këtu po e sjell një dorëshkrim të studiuesit Budimir Petrović, origjinali i të cilit gjendet në arkivin tonë personal.

(Begzad Baliu, Nga një studim në proces)

Filed Under: LETERSI

Kosova, Serbia dhe Integrimi në Bashkimin Evropian: Analizë Strategjike dhe Parashikim

November 10, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla Berisha

Washington D.C., Nëntor 2025/

I. Parashikimi strategjik

Parashikimi ynë akademik është ky: Nëse Serbia vendos të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe të njohë pavarësinë e Kosovës, kjo do të mundësonte një rrugë të shpejtë drejt Bashkimit Evropian. Megjithatë, për shkak të realitetit politik, historik dhe strategjik, Serbia nuk ka gjasa ta bëjë këtë, duke e mbajtur vendin në një dilemë të qëndrueshme midis presionit perëndimor dhe aleancave tradicionale me Moskën.

Ky parashikim nuk është thjesht spekulativ: ai mbështetet mbi analizën e politikave historike të Serbisë, ndikimin e Rusisë, presionin ndërkombëtar dhe realitetin politik brenda vendit.

II. Konteksti historik dhe gjeostrategjik

Lidhjet historike dhe strategjike me Rusinë

Serbia ka një histori bashkëpunimi politik, kulturor dhe strategjik me Rusinë që daton qindra vjet pas mbështetjes ortodokse dhe ushtarake në Ballkan. Nga shpërbërja e Jugosllavisë, Rusia ka përdorur Serbinë për të ruajtur ndikimin e saj në rajon, përfshirë bllokimin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës në OKB në vitin 2008 dhe 2010.

Çështja e Kosovës dhe kushtet për BE-në

Njohja e pavarësisë së Kosovës konsiderohet nga shumica e ekspertëve dhe diplomatëve perëndimorë si kusht i domosdoshëm për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Refuzimi i Beogradit për ta bërë këtë pasqyron qëndrimin e ngurtë politik dhe presionin e brendshëm nga nacionalistët dhe qytetarët pro-rusë.

Shembuj krahasues në Ballkan

-Maqedonia e Veriut: ndryshoi emrin për të arritur marrëveshjen me Greqinë dhe për të avancuar procesin e BE-së (2019).

-Mali i Zi: pranoi reforma të thella në drejtësi dhe anti-korrupsion për të përshpejtuar integrimin.

-Shqipëria: ka zbatuar reforma kushtetuese dhe ligjore për të harmonizuar standardet me BE-në.

Krahasimi tregon se Serbia qëndron jashtë trendit të kompromisit historik dhe reformave strukturore që vendet e tjera të rajonit kanë pranuar për integrim.

III. Analiza e faktorëve strategjikë

Deklarata dhe parashikimi i bërë reflektojnë tre elemente thelbësore:

Instrumentalizimi i BE-së si levë politike

Serbia përdor perspektivën e anëtarësimit në BE si instrument për presion diplomatik dhe legjitimitet politik brenda vendit. Megjithatë, për të përparuar realisht, do të duhej të pranonte sanksione ndaj Rusisë dhe njohjen e Kosovës, gjë që nuk duket e mundur.

Balancimi midis Perëndimit dhe Rusisë

Serbia ka një strategji të dyfishtë: nga njëra anë pret mbështetje perëndimore dhe investime, nga ana tjetër ruan lidhjet tradicionale me Rusinë për stabilitet politik të brendshëm. Ky balancim është i ndërlikuar dhe kërkon menaxhim të vazhdueshëm të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Presioni i brendshëm politik

Popullsia dhe partitë nacionaliste mbështesin një politikë anti-kosovare dhe pro-ruse, duke kufizuar lirinë e liderëve për të marrë vendime që do të shpejtonin integrimin në BE.

IV. Ilustrime konkrete historike dhe diplomatike

Vetoja ruse në OKB (2008–2010)

Rusia përdori veto në Këshillin e Sigurimit për të penguar pranimin e Kosovës si anëtare e OKB-së, duke përdorur Serbinë si instrument strategjik.

Sanksionet ndaj Rusisë (2022–2025)

Kur BE dhe SHBA vendosën sanksione ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës, Serbia refuzoi t’i bashkohej, duke përdorur energjinë dhe furnizimin me gaz si leverazh diplomatik.

Procesi i BE-së dhe vendet e rajonit

Maqedonia e Veriut ndryshoi emrin për të përparuar integrimin; Mali i Zi pranoi reforma të thella; Shqipëria harmonizoi legjislacionin. Serbia nuk ka bërë hapa të ngjashëm, duke mbajtur një qasje konservatore dhe nationalistike.

V. Skenarët strategjikë për Serbinë (2025–2030)

Skenari A: Refuzimi i njohjes së Kosovës dhe sanksioneve ndaj Rusisë

-Serbia mbetet jashtë BE-së për disa vite;

-Ruhet ndikimi rus;

-Stabiliteti politik i brendshëm mund të rritet përkohësisht;

-Presioni ndërkombëtar rritet, duke kufizuar investimet dhe zhvillimin ekonomik.

Skenari B: Pranimi i njohjes së Kosovës dhe vendosja e sanksioneve

-Serbia do të mund të hyjë shpejt në BE;

-Do të humbasë mbështetjen politike brenda vendit nga faktori pro-rus;

/Do të krijohej një partner strategjik i besueshëm për Perëndimin në Ballkan.

Skenari C: Balancim gradual

-Serbia mund të bëjë hapa të pjesshëm drejt BE-së, pa pranuar njohjen e plotë të Kosovës;

-Do të ruajë lidhjet me Rusinë;

-Procesi i integrimit do të jetë i ngadalshëm dhe i pasigurt, duke krijuar paqëndrueshmëri rajonale.

VI. Parashikimi strategjik

Parashikimi strategjik është i qartë: Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe nuk do të njohë Kosovën në të ardhmen e afërt, duke ruajtur fleksibilitetin strategjik dhe ndikimin politik të brendshëm. Ky qëndrim ka implikime të qarta për:

-Stabilitetin e Ballkanit;

-Procesin e integrimit euroatlantik;

-Marrëdhëniet Serbi–Kosovë–BE;

-Pozicionin e Rusisë në rajon.

Analiza tregon se Serbia mbetet një faktor kompleks në politikën e Ballkanit, ku historia, kultura, politika dhe strategjia ndërkombëtare bashkohen për të formuar dilemat dhe zgjedhjet e lidershipit serb.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 234
  • 235
  • 236
  • 237
  • 238
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT