• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Për Shqipërinë e ëndrrave tona…

March 13, 2022 by s p

MIRSEDA DACI

Unë kam një ëndërr…dhe ajo është që ta shoh Shqipërinë të lirë. Të lirë nga vargonjtë e shoqërisë paragjykuese, korrupsionit, luftës për pushtet, protestave të njëpasnjëshme…Disa prej jush mund të më shohin me habi, të tjerë mund të komentojnë e të thonë se Shqipëria e lirë është, por unë dua të jap argumentin tim. Më thoni pak a mund të quhet i lirë vendi ynë, kur bijtë e bijat e tij  vazhdojnë e marrin udhët e kurbetit? A mund të quhet i lirë ai, kur ato që nuk largohen vetëm vuajnë? Po shikoja edicionet informative dhe derdha lotë kur njerëz të thjeshtë kërkonin ulje të çmimeve për produktet më jetike. E nga ana tjetër dëgjova krerë të shtetit, të cilët dalin “të larë” nga ky mëkat e ia pasojnë njëri-tjetrit gabimet e njëpasnjëshme. Eshtë e dhimshme të shohësh njerëz që kërkojnë për të ngrënë, e të tjerë që mjaftohen me xhepat e tyre të mbushura. Ka nga ato që kërkojnë të punojnë, por pasioni i shuhet kur korrupsioni ulet këmbëkryq e mbulohet nga manteli i padijes. Unë jam një më mësuese që kam pasion letërsinë. Kam kaluar shumë peripeci në jetë dhe vazhdoj “të goditem” çdo ditë nga predhat e të korruptuarve. Endrra ime më e madhe është të përhap dije tek nxënësit e mi, që janë filizat që rriten çdo ditë drejt së ardhmes. Si unë ka shumë të tjerë që përpiqen të kontribuojnë për vendin e tyre, por nuk i hedhin dot themelet jetësore sepse ato që “dridhin zinxhirët” janë më “të aftë”. Pavarësisht përmirësimeve që janë bërë dhe po bëhen në vendin tonë, ka akoma shumë gjëra që duhen ndryshuar. Pyesim e shajmë ndër dhëmbëmbë se përse kemi nxënës që nuk dinë të lexojnë, mjekë që eksperimentojnë me trupin tonë, gjykatës që lirojnë kriminelë e gazetarë që mbushin programet me lajme boshe. Hej njerëz, hapini sytë! Mos pretendoni se mund të këndoni pa zë e të fluturoni pa krahë. Mos e kërkoni ndryshimin tek të tjerët pa ndryshuar më parë veten tuaj. Ka shumë prej jush që kërkojnë  me ngulmim që fëmija juaj të jetë mbi të tjerët. Por harroni se nuk mund të kaloni tek Zh-ja pa mësuar më parë A-në. Ju vërtetë mendoni se fëmija juaj mund të drejtojë një shtet, por ai nuk mund të jetë kurrë një lider. Ai mund të fitojë një betejë, por jo një luftë. A e dini përse? Sepse ai do të jetë i korruptuari i javës. Dëgjojmë çdo ditë termin meritokraci, por unë mendoj se ajo nuk ekziston plotësisht, është akoma në hapat e parë të krijimit. Duhet shumë kohë dhe punë që të ekzistojë. Për sytë e mi Shqipëria nuk është e lirë. Rregullat dhe ligjet zbatohen vetëm kur njerëzit janë “pa krahë”. Dhe kur dikush e merr guximin të kërkojë të drejtën e tij, nëpërkëmbet e paragjykohet nga e gjithë shoqëria. Ndoshta ekziston akoma frika se të thuash hapur atë që mendon të çon drejt humnerës. Bëjmë zgjedhje të gabuara e më pas vërshojmë në protesta duke protestuar për gabimet tona. Nuk ka faj shteti kur ju heshtni përballë diçkaje të padrejtë. Nuk ka faj as populli që nuk ia del dot të jetojë. Po kush ka faj? Të gjithë jemi fajtorë pa faj. Shqipëria është një shtet i pavarur, por jo i lirë. Nuk fitohet liria me luftë, por me punë. Dhe puna jonë më e madhe është të ndryshojmë veten. Mos kërkoni drejtësi nëse ju jeni të padrejtë në radhë të parë me veten, e më pas me të tjerët. Një ndërgjegjie e pastër sjell një shpirt të lirë. E një shpirt i lirë i sjell  lirinë një populli të tërë, një shteti. Unë kam një ëndërr…dua ta shoh Shqipërinë të lirë. Të lirë nga vargonjtë e shoqërisë paragjykuese, korrupsionit, luftës për pushtet, protestave të njëpasnjëshme…E vetme nuk mund ta bëj realitet këtë ëndërr, por me ju po. Së bashku ne mundemi sepse bashkimi sjell fuqinë! 

                                                                                                                       MIRSEDA DACI

Filed Under: Emigracion

“Gjakmarrja në prozën shqipe” e Eduard Grishajt promovohet më 19 Mars në Shkodër

March 12, 2022 by s p

Filed Under: Opinion

KOZETA ZYLO, NJË SHKRONJË SHTESË NË ALFABETIN E DIASPORËS SHQIPTARE NË AMERIKË 

March 12, 2022 by s p

Nga Gjekë Marinaj Ph.D

Botohet libri: “Albatare dhe Abetare” Poezi për fëmijë

Duke pasë parasysh aktivitetin e pakrahasueshëm të ALBA LIFE në diasporën shqiptare të Amerikës dhe rolin e Kozeta Zylos në këtë burim të pashtershëm kulturor, menjëherë i propozova Kozetës që titulli i këtij libri të ishte: “Albatare dhe Abetare”. Albatare sepse së bashku me bashkëshortin e saj të nderuar, inxhinierin mekanik dhe për kompjuter si dhe mjeshtrin në fushën mediatike Qemal Zylo, kishin krijuar dhe po mbajnë gjallë Alba Life, një prej institucioneve më të rëndësishme të kulturës shqiptare në Amerikë. Dhe Abetare, sepse roli i saj si mësuese kryesore e departamentit të shkollës shqipe brenda këtij institucioni ka qenë dhe mbetet si oksigjen në frymëmarrjen kulturore të fëmijëve shqiptarë në zonën e Nju Jorkut, ku ajo jeton. Por barriera e modestisë së Kozetës, që nuk qe surprizë për mua, më dha frymëzim për një titull tjetër.  Mirëpo, ngaqë me të dhe familjen e saj jemi shumë miq, përfitova nga kjo miqësi dhe insistova që libri të titullohej: Një shkronjë shtesë. Këmbëngula për vetë faktin sepse Kozeta, të paktën metaforikisht, është kthyer në shkronjën njësuese KZ (paralelisht me shkronjat Dh, Gj, Ll, Nj, Rr, Sh, Th, Xh dhe Zh.) shkronjë e munguar e alfabetit shqip të diasporës deri me ardhjen e saj në Amerikë. Edhe për këtë titull nuk i mungoi hezitimi.

Sidoqoftë u ra dakord që libri të pagëzohet me titullin “Albatare dhe Abetare”, titull që merr mjaft kuptim në këtë mision shumë vjeçar të institucionit “Alba Life” në Amerikë.

Ky libër është një sfond poetik i përshtatur me kujdes për moshat e vogla dhe të reja. Në çdo poezi duket qartë roli kolatik i poetes si sofiste në filozofi e mësuese në praktikë. Ajo i jep prioritet absolut gjuhës shqipe dhe nevojës për përvetësimin sa më të mirë të saj, duke frymëzuar rrugën e vështirë drejt këtij fenomeni si udhën drejt Afërditës apo Yllit të Mëngjesit që më parë shihet dhe shijohet dhe pastaj shfaqja e dritës bëhet e pandalshme. Kjo ndikon për mirë në aspektin psikologjik ngaqë me përvetësimin e gjuhës shqipe lexuesit e saj të vegjël, të lindur në Amerikë, bëhen menjëherë bilingual, një shtysë ky drejt mundësisë për të hyrë më parë si studentë, e pse jo më vonë si profesorë, në botën akademike. Në poezinë abetarja, këtyre cilësive ajo u vë çmim të lartë dhe i lidhë direkt me vlerat njerëzore: 

Abetarja ime,

Të mbaj fort tek zemra,

Po nuk të mësova,

S’di sa do kem vlera?

Këtë tërheqje të vëmendjes Kozeta nuk e bën vetëm në rolin e poetes apo mësueses, por edhe të prindit. Në poezinë titulluar “Me Ëvetarin e Veqilharxhit” flet me përvojën e saj si nxënëse dhe e frymëzuar për të bërë atë që të tjerët, të cilët ajo i respekton, i sugjerojnë. Çdo gjë e mirë do guxim dhe me guxim dhe qëllim të mirë mund të bëhet çdo gjë:   

Kur të shohësh nipi im,

Se disa nuk flasin shqip,

Merr guxim dhe bëhu trim,

Hap shumë shkolla krejt pa frikë.

Ajo jo vetëm që ka hapur shkolla, por ka hapur edhe zemrën e saj prej nëne shqiptare, shembull i nënës së dytë për fëmijët e zonës së saj. Si e tillë ka fituar besimin e fëmijëve dhe të prindërve të tyre njëherësh. E kujdesshme në çdo veprim, në çdo fjalë në poezi, në klasë dhe në jetë, ka bërë të mundur ndarjen e dashurisë njerëzore me fëmijët e saj. Them të saj, ngaqë të gjithë fëmijët që e njohin mund ta vlerësojnë si një nënë jashtë shtëpie që mundohet që ata të rriten dy herë më njerëzorë, më të respektueshëm, më të edukuar dhe të vyer për veten, familjen, dhe shoqërinë të cilës i përkasin.

Në poezinë e bukur “Fluturat” Kozeta e intensifikon rolin e poezisë dhe kuptimin e së bukurës në përditshmërinë e fëmijëve: 

Në pushin e krahëve,

Ka si pluhur fosfori,

Lehtëz ndër petale,

Vallëzojnë tek oborri.

Këtë interpretim të së bukurës dhe njohjes së botës së fëmijëve e gjejmë edhe te poezia “Kukulla ime”: 

Dhe kur një femijë,

Që grindet dhe qan,

Sapo i jep Barbin,

Të ka shpirt dhe xhan.

Të dyja këto poezi manifestojnë fuqinë e saj sofiste për të ndërhyrë me kujdes dhe maturi në labirintet e inteligjencës emocionale të fëmijëve. Duke i veshur me ngjyrat e larmishme të fjalës artistike, i kthen ata në një mozaik human drejt një mundësie shtegtimi për në majat e artit dhe letërsisë. Në mos gjë tjetër, poezi të tilla ngjallin dhe zhvillojnë mirënjohjen e fëmijëve ndaj këtyre fushave esenciale të jetës. Gjithmonë, me guxim pra, mund t’i frymëzojë ata që të fillojnë nga përgatitjet për të qenë poetët e ardhshëm të Kombit tonë.

Pikërisht në këto sfera të realitetit sillet edhe largpamësia e saj autoriale. Suksesi i një gjëje të tillë kërkon tamam atë që bën Kozeta për fëmijët. Ajo i njeh ata si krijesa njerëzore të veçanta dhe individuale, përpiqet t’i rrisë si të tillë, dhe frymëzon të jenë lule të bukura në kuptimin më shqiptar të fjalës. Kozeta i mban krahët e hapur për ta, u krijon një saksi të kristaltë me dashurinë e përkujdesjen e saj. Ndaj fëmijët i shohim gjithmonë t’i bëhen buqetë në krahët e saj. Me atë buqetë të bukur ajo zbukuron Amerikën dhe që andej Amerika merr aromë të mirë shqiptare. 

Për të jeta në Amerike është mirënjohje e ndërsjellët herë e madhe sa një kontinent herë e vogël sa një zog:

Si gjetëm folenë

Ai cicëroi,

Në shenjë mirënjohje,

Tërë natën këndoi.

Ama, mirënjohja kërkon zemër të madhe dhe njohje të mirë të origjinës dhe vendit ku jeton. Çdo poezi e këtij libri e konfirmon këtë impuls të fortë të saj në përpjekje për ta bërë Atdheun epiqendër e dashurisë së secilit. Në disa raste ajo kërkon ndihmë tek mentorët e saj si në poezitë “At Gjergj Fishta” dhe “Fan Stelian Noli. Gjuha për bashkim e alfabet të përbashkët është sa e Kozetës aq edhe e Fishtës në këtë poezi:

Është Ati i Gjuhës Shqipe,

Në Manastir i mblodhi bashkë,

Ballë i lartë kudo i ndriste,

Me një Alfabet të përbashkët. 

Ndërsa tek Noli kërkon dhe gjen lajtmotivin e guximit për të merituar bekimin e Zotit në kërkim të njohjes sa më të mirë të gjuhës shqipe. 

Për këtë arsyeja është e thjeshtë. Kozeta ka besim të plotë që nëse studentët dhe lexuesit e saj të vegjël edukohen me virtytet më të larta gjuhësorë dhe kulturore shqiptare, bota do pyesin njëri-tjetrin: nga është ky apo ajo? Gjithmonë pas një vepre të mirë e kurrë pas një veprimi të keq të tyre. Në këtë frymë ajo po përgatitë fëmijët tanë në Diasporë për të përballuar me sukses sfidat e së ardhmes. Gjithmonë me shpresën që një ditë, një prej studentëve të saj të tanishëm do të zënë vendin e saj në të ardhmen duke punuar me aq ndershmëri, përqendrim, dhe dashuri njerëzore sa po punon ajo.  

Me fjalë të tjera, përveç vetë fëmijëve, Albatare dhe Abetare mund të jetë nga gjërat më të domosdoshme për fëmijët tanë, në shtëpitë tona. Le ta gëzojmë dhe celebrojmë këtë përmbledhje të rëndësishme poezish për fëmijë dhe ta pranojmë, të paktën nga ana metaforike, shkronjën KZ si shkronjë shtesë në alfabetin e ndërgjegjes sonë kombëtare. Vërtetë, Kozeta, nuk është e vetmja që ka bërë gjera të mëdha për diasporën shqiptare në Amerikë, sepse shumë njerëz kanë kontribuar lartësisht në mënyra të ndryshme, shpesh edhe duke vënë në dispozicion të komunitetit paratë e tyre të fituara me mund dhe djersë. Por Kozeta Zylo ka dhënë dhe jep shpirtin dhe dijen e saj për filtrimin dhe perfeksionimin e gjuhës shqipe në diasporë; gjë që kurrën e kurrës as nuk mund të blihet me para as nuk mund të shitet për para. Kjo është Kozeta e gjithanshme dhe ky është libri i saj largpamës. Lexim të këndshëm. 

2022

Texas, Amerikë

Filed Under: ESSE

Hapja e shkollës së parë shqipe në Preshevë

March 12, 2022 by s p

Shkruan: Xhemaledin SALIHU/

Më 7 shkurt 2022 u mbushen 77 vjet të Shkollës së Parë Shqipe, të hapur zyrtarisht dhe solemnisht në Preshevë, te Vila Letafet, ku qytetarëve, mësuesve dhe nxënësve të ardhshëm, të kësaj shkolle u foli Abdullah Krashnica-Presheva, sekretar i Komitetit të Rrethit të Preshevës.

Para Luftës së Dytë Botërore, Preshevën e karakterizon prarambeturia e përgjithëshme arsimore dhe përqindja e madhe e popullatës analfabete. E gjithë kjo ishte rezultat i sundimit Otoman e më vonë i sundimit të Mbretërisë Serbe dhe Serbëve si dhe në ish-Jugosllavi, të cilët, jo vetëm që nuk lejonin shkollimin e Shqiptarëve, por donin asimilimin e tyre në turqë apo jugosllavë.

vila letafet

                Vila “Letafet” në Preshevë

Në territorin e Luginës së Preshevës u hapën shkolla serbë dedikuar fëmijëve shqiptarë. Në Bujanoc qysh në vitin 1867 ka ekzistuar një shkollë serbe, një e tillë, dhjetë vjet më vonë u hap edhe në Banjë të Sijarinës. Mësimi në këto shkolla zhvillohet vetëm në gjuhën serbe.

Në vitin 1892, në Preshevë kanë mësuar në “Ruzhdie” 51 nxënës, në “Iptidaie” 103 nxënës, prej të cilëve 32 ishin femra dhe në “Sibiane” 41 nxënës.

         Shkollat turke në Luginë të Preshevës pushojnë së punuari më 1912, kur Lugina pushtohet nga ushtria serbe. Pra, nga viti 1914 hapen vetëm shkolla serbe. Mësimi në shkolla kryesisht zhvillohet nëpër shtëpi private, nëpër xhami apo vende “Vakufe”.

        Deri më vitin 1945, në Preshevë punuan 6 shkolla fillore katërklasëshe në gjuhën serbe, me 7 punëtorë arsimorë dhe rreth 150 nxënës. Mësimi zhvillohet në gjuhën serbe, edhepse popullata ishte shumicë shqiptare.

Shkolla e parë shqipe, në historinë e popullit shqiptar të Luginës së Preshevës hapet më 7 shkurt të vitit 1945, në objektin e “Vila Letafet” pronë e Abdulla Haxhi Veliut. Mësuesit e parë ishin Hilmi Qerimi, Abdullah Ukshini, Tajar Zylfiu i Elbasanit dhe Demirali Ramadani-Hoxha.

        Hapja e shkollës së parë shqipe në Preshevë bëhet në mënyrë zyrtare dhe solemnisht, ku fjalën e rastit për rëndësinë e shkollës në gjuhën amtare e mbajti Abdullah Krashnica, sekretar i Komitetit të Preshevës.
Në bazë të mendimeve të shumë mësuesve të moshuar e më vonë edhe të pjesëmarrësve të Luftës së Dytë Botërore (LDB), preshevari Abdullah Krashnica luajti rolin vendimtar në hapjen e shkollave me mësim në gjuhën shqipe, duke filluar në Preshevë, për të vazhduar edhe në vendbanime tjera shqiptare të këtyre trevave. 

        Natyrisht, Abdullahu kishte shfrytëzuar ndikimin e tij te njerëzit në atë kohë, të cilët në radhë të parë ishin mësues, por që punonin në vise tjera. 

        Abdullahu erdhi në Gjilan. Unë atje punoja si mësues prej një kohe të gjatë. Më ofroi që menjëherë të kthehesha në Preshevë dhe ashtu bëra. Kështu, në shkurt të vitit 1945-së, hapëm shkollën e parë fillore katërklasëshe në gjuhën shqipe në Preshevë. Objektin e shkollës na e liroi preshevari Abdullah Veliu në të dalë të qytetit të Preshevës në magjistralen që lidh këtë qytet me Gjilanin në Kosovë – kështu kujton Hilimi Qerimi, mësuesi i parë në shkollën fillore në Preshevë. 
Mirëpo, ka edhe detaje tjera që janë të lidhura me hapjen e shkollës së parë shqipe, është vendosja e flamurit kombëtar në ndërtesën e kësaj shkolle që edhe sot quhet vila “Letafet”. Adem Ahmeti, njëri prej mësuesve të parë në komunë të Preshevës, sqaron: “Abdullah Krashnica, luftëtari, trimi, patrioti shqiptar i kësaj ane në vitin 1945-së ndihmoi në hapjen e shkollës së parë në gjuhën shqipe në Preshevë. Në mitingun inaugurues ishte i pari që foli për rëndësinë e hapjes së shkollave në gjuhën amtare. Edhe sot e përfytyroj atë miting, mbaj mend fjalët që u thanë aty dhe kur për herë të parë valëvitej flamuri ynë kombëtar në vilën “Letafet”. Ishte ky një fillim i mbarë i arsimit shqip në Preshevë dhe kjo kishte një rëndësi të madhe, sepse deri në atë kohë nxënësit shqiptarë kishin vijuar mësimin në gjuhën turke dhe gjuhën serbe.”

Vila Letafet, pronë e Abdulla Haxhi Velisë, nga Presheva, ish tregtar dhe atdhetar i devotshëm, një ndër themeluesit e Lëvizjes Kombëtare për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar në Shkup. Vila Letafet e mban emrin e vajzës së madhe të Abdulla Veliu.

”Në trojet tona për herë të parë po hapeshin shkollat në gjuhën shqipe. Për këtë ishin krenar  si mësuesit ashtu edhe intelektualët që kishin ëndërruar arsim laik në gjuhën amtare. Udhëheqësit shqiptarë të pushtetit të ri, që kishin luftuat për çlirim nacional, përpiqeshin me mish e me shpirt për hapjen e shkollave. Ndonëse nuk shërbenin në arsim, kishin shumë ndikim në përhapjen e arsimit. Atë e propagandonin njësoj si mësuesit. Antifashisti, luftëtari, trimi, patrioti dhe entuziasti i madh, Abdullah Krashnica, që në vitin 1945 ndihmoi në hapjen e shkollës së parë në gjuhën shqipe në Preshevë. Në mitingun inaugurues që i pari që foli për rëndësinë e hapjes së shkollave në gjuhën amtare. Ishte ky një solemnitet modest, por i ngrohtë, ashtu siç ishin të ngrohta edhe fjalët e tij në këtë miting. Edhe sot e parafytyroj atë miting, mbaj mend fjalët që u thanë aty dhe ku për herë të parë valonte flamuri ynë kombëtar në vilën “Letafet”.

Ishte ky një fillim modest me tre-katër  mësuesit e parë:Tajar Zylfiu, tani i ndjerë, normalist i Elbasanit nga Shqipëria, mësuesi Hilmi Qerimi dhe disa të tjerë.

Në vitin shkollor 1945/46 ishin hapur pak shkolla, pasi mungonin mësuesit. Në këto shkolla punonin edhe disa mësues të fesë, si hafëz Lutfi Ahmeti, hoxhë Demirali Ramadani etj.

Mësues të parë ishin Fehmi Salihu dhe Abdullah Ukshini nga Përlepnica e Gjilanit, Mustafë Selimi, Emin Ramadani, Mehmet Kadriu, Nexhat Ramadani etj.Në vitin tjetër numri i shkollave u rrit……….”

Të theksojmë se përgatitjet për hapjen e shkollës së parë në Raincë filluan më 5 shkurt 1945 në fshatin Raincë, me mësuesin e parë Fehmi Salihu nga Përlepnica e Gjilanit dhe me preferimet e Abdullah Krashnicës.

Këtë e dëshmojnë Mulla Xhemal Musliu dhe Ruzhdi Ymeri nga Rainca, nxënës të klasës së parë të kësaj shkolle në vitin 1945, të cilët më 5 shkurt 2015 e vizituan Shkollën fillore në Raincë, e uruan drejtorin Shukri Ymeri për Ditën e shkollës dhe evokuan kujtime për këtë ditë.
Ndërsa sipas raporteve shkollore të gjetura në Arkivin e Vranjës, të shkruara në Monografinë e Arsimit fillor në komunën e Preshevës 1945-1995, shkruan se Shkolla e parë në Raincë u hap më 6 shkurt 1945.

        Pastaj, në fletoren e historikut të Shkollës fillore “Zenel Hajdini” në Raincë shkruan se solemniteti për ditën e shkollës u organizua më 10 shkurt 1945.

Pas LDB në Preshevë hapen shkolla fillore katërklasëshe në të gjitha vendbanimet e mëdha. Mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe dhe serbe. Në këto shkolla mungonte kuadri i kualifikuar mësimor, por edhe përfshirja e nxënësvë ishte e vogël, sidomos e fëmijëve shqiptarë.
Në Caravajkë, mësimi ka filluar në vitin shkollor 1947/48 dhe mësimi është mbajtur në shtëpi private.Me ndërtimin e ndërtesës së Kooperativës bujqësore filloi mësimi të mbahet në lokalet e saja deri më 1954.

        Edhepse ishin kushtet e vështira të punës, mësuesit atdhetarë dhanë maksimumin e tyre në procesin edukativo-arsimor, vetëm e vetëm për t’i edukuar nxënësit në frymën e atdhetarizmit.

Kështu veproi edhe mësuesi nga Bushtrani Kadri Rexhepi, i cili gjatë vitit 1950/51 punoi në Caravajkë, në klasën e tij nxënësit vinin në shkollë me plisa, ndërsa në vitin shkollor 1967/68 

punoi në Bushtran. Klasa e IV fillore ishte në atë kohë e motivuar me Heroin e Madh Skenderbeun.

xhem15-4

Mësuesi Kadri Rexhepi me nxënësit e vitit shkollor 1950/51 në Caravajkë,

me Plisa të Bardhe si bora.

xhem15-3

Mësuesi Kadri Rexhepi,me nxënësit e vitit shkollor 1967/68 në 

Bushtran, dashamir i arsimit shqip, nxenesit me Skenderbeun e Madh

Në vitin 1948/49 hapet klasa e pestë e shkollës fillore, si klasë e parë e Gjimnazit të Ulët, e cila më vonë ngritet në shkollë të parë fillore tetëvjeçare. Gjatë vitit shkollor 1962/63 u hapën edhe 4 shkolla fillore : në Miratoc, Caravajkë, Raincë dhe Strezoc. Më vonë hapën edhe shkollat fillore në Leran dhe Corroticë.

Filed Under: Histori

Presidentja e Kosovës, mesazh shprese për bashkëpunimin e botës demokratike për ruajtjen e paqes

March 12, 2022 by s p

PRISHTINË, 11 Mars 2022-Gazeta DIELLI/ Presidenca e Kosovës dërgoi sot këtë komunikatë:
Presidentja Osmani në Forumin Diplomatik të Antalisë: Bashkëpunimi rajonal dhe global, mundëson paqen dhe stabilitetin. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të punimeve të Forumit Diplomatik të Antalisë, sot ka marrë pjesë në panelin e liderëve ku u diskutua për temën “Rrugët rajonale dhe globale drejt paqes dhe prosperitetit”.
Sipas Presidentes Osmani, paqja dhe prosperiteti janë të lidhura ngushtë dhe parakushte për një shoqëri progresive e të zhvilluar.
“Një mjedis paqësor dhe i begatë është çelës për çdo shoqëri, sepse ndikon në të gjitha aspektet e zhvillimit shoqëror të një vendi”, ka theksuar Presidentja Osmani. Por, sipas saj, qëllimet e tilla asnjë vend nuk mund t`i arrijë i vetëm.
“Vendosja e bashkëpunimit rajonal dhe global do ta mundësojë paqen dhe stabilitetin, i cili favorizon zhvillimin ekonomik, prosperitetin dhe përparimin”, është shprehur Presidentja Osmani.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka potencuar se rajoni i Ballkanit Perëndimor domosdoshmërisht duhet t`i bashkohet strukturave euroatlantike. Më tej, Presidentja Osmani ka thënë se e vetmja mundësi për ta ruajtur paqen është komunikimi i qartë dhe i drejtpërdrejt, megjithëse sipas saj, paqja është gjithnjë e kërcënuar.
“Përkundër përparimit të jashtëzakonshëm që ka bërë Kosova si shtet, por edhe kontinenti ynë, sot të gjithë i shohim qartë kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë, të cilat janë të vazhdueshme dhe aktive”, është shprehur Presidentja Osmani.
Diskutimin e saj, Presidentja Osmani e përmbylli me një mesazh shprese për bashkëpunimin e botës demokratike për ruajtjen e paqes: “Ashtu siç u mblodh bota demokratike për t’i dhënë fund vuajtjeve dhe gjenocidit në Kosovë në 1999, jam e sigurt që këtë do ta shohim edhe në rastin e Ukrainës dhe kudo tjetër në botë ku ka luftë dhe vuajtje”.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2361
  • 2362
  • 2363
  • 2364
  • 2365
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT