• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHTETËSIA MALAZEZE,  JO VETËM ÇËSHTJE  POLITIKE

March 11, 2022 by s p

Nail  Draga

Vendimi i Qeverisë së Malit të Zi, në ditën kur humbi votëbesimin(4 shkurt) për të lejuar marrjën e shtetësisë malazeze qytetarëve të huaj të cilët kanë qendirm të përhershëm  ma shumë së pesë vite është kontestuar nga opozita dhe shoqëria civile, e cila një vendim të tillë e cilëson me motive politike  për të ndryshuar  strukturës etnike të popullsisë si dhe rritjen e elektoratit votues serb, që do të ndikojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Se Mali i Zi është mjedis i pakonsoliduar politikisht dëshmon konstatimi se në ditën e votëbesimit të Qeverisë, kryemnistri Zdravko Krivokapiqi, mbajti mbledhjen elektronike të qeverisë, duke marrë vendime më rëndësi për qytetarët me shtetësi të huaj.Fjala është kryesisht për qytetarët me prejardhje nga Serbia, Bosna e Hercegovina e Rusija, të cilët në vite me parë  janë vendosur në këtë vend, duke marrë përmasa të mëdha  pas shkatërrimit të ish Jugosllavisë(1991) e më pas.

Sipas të dhënave të mëhershme  nga Ministria e Punëve të Brendshme në Mal të Zi jetojnë 63.746 qytetarë të huaj, prej  të cilëve për 30.930 iu është lejuar statusi i të huajit me qendrim të përhershëm sepse me vite jetojnë  në Mal të Zi  dhe potencialisht mund të fitojnë statusin  e shtetësisë, ndërsa 32.816 individë iu lejohet qendrim i përkohshëm në Mal të Zi.

Ndryshimi në  strukturën nacionale

Vendimi i tillë i marrë nga kryeministri Krivokapiq në mbledhjen e Qeverisë në mënyrë urgjnete vlerësohet si i qellimshëm i cili në mënyrë artificiale do të ndikojë në ndryshimin e strukturës etnike të popullsisë në Mal të Zi. Duke marrë parasysh se numri i shtetasve të huaj që presim të marrin shtetësinë malazeze i përket kombësisë serbe, ata gjithashtu do të jenë përcaktues në mbeshtetje të subjektëve politike proserbe.

Në favor të këtij konstatimi shkon edhe e dhëna  nga CEMI, të cilët parashikojnë se në pesë vitet e ardhshme në Mal të Zi do të aplikojnë nga 25.000-28.000 shtetas të huaj  për të fituar shtetësinë malazeze, e me këtë edhe të drejtën në regjistrin zgjedhor. Duke marrë parasysh raportët në mes popujve shumicë në këtë mjedis(malazezëve e serbëve), del qartë se do të ndikojë në strukturën e tyre në kuadër të popullsisë së përgjithshme. 

Politizimi i shtetësisë

Nëse supozojmë hipotetikisht se nga ky numër për dy vite do ta fitonin shtetësinë malazeze rreth 20.000 shtetas të huaj, që janë kryesisht serb, atëherë numri i deputetëve proserb do të rritej për katër deputet. Do të ishte ky numër i mjaftueshëm për të qenë përcaktues në fitorën e shumicës parlamentare, nëse për bazë merret raporti aktual i deputetëve  në mes pozitës e opozitës. Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me një mjedis e skenë politike të polarizuar çdo ndryshim numërik ndikon në strukturën e elektoratit votues, përkatësisht   në rezultatin përfundimtar, ku si dëshmi kemi raportin e pozitës dhe opozitës në zgjedhjet e 30 gushtit 2020, e cila diferencën e kishte të një mandat i deputetit.

Sfidat e qeverisë së re

Në sajë të reagime të shumta del qartë se Qeveria e re e cila do të formohet së shpejti në lidhje me këtë çështje do të jetë para sfidave të mëdha, sepse nga ajo do të kërkohet të anaulojë vendimin e Qeverisë të datës 4 shkurt, sepse është me pasoja në Mal të Zi. Madje ekziston ideja e ngritjës së padisë penale ndaj ish kryeministrit Z.Krivokapiqi, në shkelje të procedurës dhe ligjshmërisë në lidhje mbi këtë çështje. Mbetët të pritet të formohet qeveria e cila është emërtuar si e pakicës si dhe gadishmëria të merret me këto çështje që cilësohen të kontestuara, ku duhet të vendoset me profesionalizëm dhe ligjshmeri. Ndërsa deri sa qeveria e re të formohet nuk ka dilemë se në numër i konsideruar i shtetasve të huaj që i plotësojnë kushtet formale do të marrin shtetësinë malazeze, e cila iu është mohuar vite më radhë nga motive politike.

Kujtojmë me këtë rast se sipas të dhënave   të përgatitur më parë nga CEMI, se në sajë të Ligjit për shtetësinë malazeze, është lejuar pranimi i saj për   rreth 31.000 shtetasve të huaj  për 15 vite që janë rreh 5% e popullsisë së përgjithshme në Mal të Zi, ndërsa sipas Ligjit për të huaj , sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme, ka lejuar  30.052 shtetas me qëndrim të përhershëm dhe   29.042 me qëndrim të përkohshëm.

Shtetësia sipas ligjit e normave ndërkombëtare

Pasi vendimi për marrjen e shtetësisë malazeze është botuar në Fletën zyrtare me 11 shkurt, ndërsa ka hypur në fuqi me 19 shkurt, sipas informacionëve nga  ditët e para me kërkesë për shtetësi janë paraqitur një numër i konsideruar i shtetasve të huaj. Një veprim i tillë nuk paraqet befasi, sepse ata kanë pritur vite me radhë, edhe pse këtu kanë jetuar e punuar, por pa të drejta si qytetarët e tjerë. Ndërsa tash janë kriuar  rrethana tjera duke u barazuar me qytetarët tjerë në Mal të Zi. Nëse në ndërkohë nuk ka ndonjë reagim nga qeveria e re e cila do të formohet së shpejti, marrja e shtetësisë së tyre do të ndikojë në strukturën e  përbërjës  etnike të popullsisë në Mal të Zi, si dhe do të ndryshojë regjistrin zgjedhor në favor të partive politike proserbe. 

Përfundimisht në lidhje me këtë çështje përgjegjësi nuk ka qeveria aktuale apo ajo që do të formohet së shpejti, por e mëparshmja e cila për tridhjetë vite në pushtet nuk është angazhuar për ta zgjidhur këtë çështje sipas ligjit në fuqi dhe normave ndërkombëtare, por e kanë trajtuar sipas interesit të tyre politik.

(Mars  2022)

Filed Under: Emigracion

Nëna pranë foshnjës së vdekur

March 11, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo

Në Ukrainë gjaku derdhet si lumë,

fëmijë të vdekur prindërit shtrëngojnë,

një botë e tërë dënon këtë dhunë,

ndërsa barbarët s’pyesin, bombardojnë…

Dhe foshnja “fle” në krah të nënës së mekur,

me duar të djegura e vë në gjoksin e saj,

por djali s’çohet i ngrirë ka mbetur,

Më s’mund të shkruaj, shkrihem në vaj…

10 Mars, 2022

New York

Kjo Foto tronditëse tregon Marina Yatsko dhe Fedor duke qarë mbi trupin e pajetë të djalit të tyre 18 muajsh në një repart spitalor në qytetin e rrethuar të Mariupolit në Ukrainë nga barbarët rusë.

Filed Under: ESSE

MBËSHTETJA FINANCIARE E SELISË SË SHENJTË PËR SKËNDERBEUN NË VITET 1465-1467 SIPAS BURIMEVE ARKIVORE

March 11, 2022 by s p

Steme origjinale e Gj. K. Skenderbeut nga viti 1467. Origjinali ruhet ne Biblioteca Apostolica Vaticana
Nje vellim me dokumenta origjinale nga ASV
Mandati i Gj. K. Skenderbeut nga viti 1458
ASV – Reg. Lat. vell. 102, 118r

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanien Studies – Budapest

Marrëdhëniet financiare të Skënderbeut me Vatikanin janë pasqyrë e një prej aspekteve më të rëndësishme të personalitetit të tij prej burrë-shteti dhe diplomati. Duke qenë se Selia e Shenjtë në mesjetë ishte pushteti qendror i Evropës dhe ushtronte autoritetin e saj si mbi aspektet fetare të banorëve të Evropës, ashtu edhe mbi të gjitha aspektet e tjera të jetës së tyre, ishte mençuri nga ana e Skënderbeut që të përpiqej të fitonte vëmendjen e Vatikanit, dhe ta përdorte këtë vëmendje për qëllimet e tij. Sigurisht që financat në kuptimin e gjerë të fjalës përbëjnë një ndër treguesit më të mirë të temperaturës së këtyre marrëdhënieve, dhe nuk duhen konsideruar thjesht si shkëmbime monetare të mjaftueshme apo të pamjaftueshme për Skënderbeun.  

Nëse do të përpiqemi që të kuptojmë mirë këto marrëdhënie të Skënderbeut me Vatikanit, duhet t’i marrim në konsideratë ato në të gjitha nivelet dhe në të gjithë plotësinë e tyre, gjë që do të ishte një sipërmarrje shumë e veçantë, por edhe shumë e madhe. Në këtë shkrim bëhet një përpjekje për të cekur disa nga nivelet më të rëndësishme të këtyre marrëdhënieve, kryesisht duke u përqendruar në dokumente arkivore që sot gjenden në Arkivin Sekret të Vatikanit dhe Arkivin e qytetit të Romës, një pjesë e mirë e të cilave nuk janë botuar asnjëherë

Disa historianë shqiptarë, pa bërë asnjëherë kërkime dhe hulumtime shkencore në ndonjë arkiv të rëndësishme ku ruhen burime dhe dokumente origjinale për marrëdhëniet financiare të Selisë së Shenjtë dhe Gj. K. Skënderbeut, të mbështetur në pohimet e disa historianëve të huaj, si psh. Voigt dhe Fallmerayer pohojnë pa asnjë argument se papët e ndihmuan Skënderbeun vetëm me bekime apostolike dhe me ligjërata panegjirike, zëra këto që gjejnë jehonë të fuqishme edhe sot e kësaj dite jo vetëm në historiografinë e huaj, por për fat të keq edhe atë shqiptare. Një gjë të tillë e hedhin poshtë disa nga autorët që janë marrë me studime dhe kërkime serioze të raporteve financave të Selisë së Shenjtë me prijësit evropianë që luftuan kundër turqve në Arkivin Sekret të Vatikanit dhe Arkivin e qytetit të Romës si p.sh. Bertoloti, Caro, Cherubini, Gottlob,  Malacarne, Noli,  Pastor, Schneider, etj, të cilët pothuajse njëzëri pohojnë se papët “i ndihmuan Skënderbeut me të holla tingëlluese që arrinin në mijëra dukatë ari të thesarit papal”. “Dhuratave të tyre – shkruan Noli – duhet t’u shtohen edhe fondet e mbledhura nga legatët e papëve si brenda në Shqipëri, ashtu edhe përjashta, veçanërisht në Dalmaci, për kryqëzatën e Skënderbeut.” E në fakt, për këtë kemi shumë dokumente dhe burime arkivore, disa prej të cilave do t’i përmendim më poshtë, për vetëm dy vitet e fundit të jetës së Gj. K. Skënderbeut, përkatësisht nga 19 prill 1465 deri me 1 shtator 1467, pa sjellë rezultatet e viteve të mëhershme, të cilat mendojmë t’i bëjmë publike në të ardhmen. 

Qysh në fillim duhet theksuar që marrëdhëniet midis Skënderbeut dhe Selisë së Shenjtë u ndërtuan mbi bazën e një interesi të ndërsjellë, si nga ana e Skënderbeut ashtu edhe nga ana e Selisë së Shenjtë, interesa këto që erdhën duke u forcuar me kalimin e kohës dhe me rritjen e famës së Skënderbeut si strateg në luftën kundër osmanëve. Ishte dështimi i kryqëzatës së Varnës (1443-1444) e mbështetur nga papati dhe e udhëhequr nga Vladislavi III, mbreti polak që në ato kohë ishte bërë edhe mbreti i Hungarisë, nga Janos Hunyadi, figurë kryesore e oborrit mbretëror hungarez që sundonte Transilvaninë dhe Gjergj Brankoviqi që pas pushtimit turk të Serbisë ishte strehuar në Hungari, ai që e bëri papatin që të kthente tërë vëmendjen e tij nga Skënderbeu, i cili me qëndresën e pandërprerë në territoret shqiptare ndezi përsëri shkëndijat e shpresës për papatin dhe pengimin e depërtimit osman në Evropën Perëndimore. 

Megjithatë, që Skënderbeu të fitonte plotësisht besimin e Selisë së Shenjtë iu desh kohë dhe shumë fitore kundër turqve. Atij iu desh jo vetëm që ta çonte ushtrinë e vet nga fitorja në fitore, por edhe të demonstronte që ishte serioz në sipërmarrjet e tij kundër turqve dhe që do të luftonte si një princ i krishterë kundër jobesimtarëve. Papët Eugjen IV (1431-1447) dhe Nikolla V (1447-1455) e afruan mjaft Skënderbeun, por nuk mund të thuhet që ata të vetmen shpresë e kishin tek ai dhe për këtë arsye ta përqendronin të gjithë vëmendjen e tyre për luftën kundër otomanëve te ai. Pjesa më e madhe e vëmendjes së tyre ishte e përqendruar kryesisht te Hungaria dhe Konstantinopoja, që mbanin barrën kryesore të luftës së krishterimit kundër jobesimtarëve, ndërkohë që me papën Kalisti III (1455-1458), sidomos në fund të pontifikatit të tij, vëmendja e papatit ndaj Shqipërisë rritet, për të arritur kulmin me papën Piu II (1458-1464), i cili e konsideronte Skënderbeun si komandant të ushtrisë së krishterë kundër turqve.

Që në fillim të fushatës së tij anti-osmane, Skënderbeu tregon qartë që po kërkonte një orientim perëndimor. Nuk ishte rastësi që përpjekjet e para për bashkim të princërve shqiptarë ndodhën pikërisht në një katedrale të ritit katolik. Fan Noli pohon që nuk ishte rastësi që Kuvendi i Lezhës (2 mars 1444) në të cilin Skënderbeu thirri të gjithë princat shqiptarë dhe ata të vendeve fqinjë u mblodh në një katedrale. Me anë të këtij veprimi Skënderbeu po dëshmonte që kisha katolike, institucionet dhe klerikët e saj, do të ishin ata që do të shërbenin si bazë në misionin e tij kundër turqve. Koha e mëtejshme tregon sesa të vërteta ishin këto plane. Kisha katolike kishte luajtur dhe do të vazhdonte të luante jo vetëm një rol të rëndësishëm në luftën kundër turqve por edhe në realizimin e idesë së bashkimit të princërve fetarë dhe të koalicioneve efektive si pjesë përbërëse të një plani lufte kundër infideles.

Meqenëse marrëdhëniet e Gj. K. Skënderbeut me Selinë e Shenjtë kishin filluar që herët dhe patën një vazhdimësi të pandërprerë gjer në fund të jetës së Skënderbeut, mund të flasim pa frikë edhe për rrugë diplomatike të konsoliduara midis tyre. Përfaqësuesit e Kishës Katolike ishin vazhdimisht të ngarkuar me shërbime ndërmjetësuese midis Vatikanit, fisnikëve shqiptarë dhe fuqive të tjera të Evropës së asaj kohe. Kështu p.sh. më 27 shkurt 1451, ambasadori i Skënderbeut, Gjon Gazuli, e informoi papën Kaliksti V për situatën e vështirë në të cilën ndodhej Skënderbeu. Kjo situatë nuk ishte krijuar vetëm si rrjedhojë e sulmeve të turqve, por edhe për shkak të mungesës së financave për të vazhduar luftën kundër turqve. Për shkak të kësaj situate në të cilën ndodhej Skënderbeu, Gjon Gazuli ishte nisur për në Raguzë (Dubrovnikun e sotëm) ku mundi të merrte ndihmë financiare, vetëm pasi paraqiti atje letrat papnore që kishte marrë nga papa Nikolla V. Në këto letra, papa i kërkonte Republikës së Raguzës që të ndihmonte fuqishëm Skënderbeun. Sigurisht që kjo ndihmë konsistonte në radhë të parë në mbledhjen e fondeve për luftën e Skënderbeut. Zyrtarisht dhe të përhershëm si ambasador i dërguar pranë Selisë së Shenjtë, funksioni i të cilit ishte dorëzimi i letër-kredencialeve të Skënderbeut te papa Piu II, ishte Martin Muzaka, një pinjoll i shquar i familjes Muzaka. Më 29 tetor 1459, pasi ka marrë një relacion nga Martin Muzaka, ambasadori i tij pranë Piut II, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i prezanton kryeipeshkvit Pal Engjëlli të Durrësit e të rajonit ilirik, Biaxhon, prior të Dominikanëve të Kuvendit të Shkodrës, që do të shërbente si orator e nunc apostolik në Shqipëri. 

Kisha katolike e Shqipërisë, dhe sidomos Pal Engjëlli luajtën një rol shumë të rëndësishëm në vitet ’60 të shekullit XV për përkrahjen ekonomike dhe politike të Skënderbeut. Që prej vitit 1465, kryeipeshkvi i Durrësit, Pal Engjëlli ishte personi më i rëndësishëm i Skënderbeut në marrëdhëniet diplomatike me Selinë e Shenjtë. Ai konsiderohet madje edhe si një ndër princërit klerikë më të rëndësishëm të të gjithë Ballkanit të shekullit XV, sepse ishte në shërbim të planeve kryqtare të papa Piu II, i cili fushatat kundër turqve i ndërmerrte me gjithë energjinë e mundshme. Pal Engjëlli ishte gjithashtu ai që organizonte kishën katolike në trojet shqiptare, duke thirrur jo vetëm mesha dhe takime të përbashkëta të klerikëve shqiptarë por madje edhe kuvende ku merrnin pjesë jo vetëm klerikë por edhe personalitet më të rëndësishme shekullore të rajonit siç ishte kuvendi i Matit i vitit 1462.

Papa Kalisti III, në një breve të tij drejtuar Skënderbeut, na përmend një tjetër personalitet kishtar, i cili funksionoi kryesisht si ambasador për çështjet midis Skënderbeut dhe Sinjorisë së Venedikut: Gjergj Pelinin, abatin e manastirit benediktin të Shën Marisë së Rotecit. Edhe ai ishte i dërguar diplomatik i Skënderbeut në Vatikan, dhe anasjelltas. Papa Kalist III na informon që ai i plotësonte të gjitha dëshirat e Skënderbeut. Duke e lavdëruar në një letër të 19 shkurtit të vitit 1461, papa Piu II thotë për Gjergj Pelinin që krahas devocionit për kishën katolike, ai kishte sakrifikuar jashtëzakonisht shumë edhe për Skënderbeun, sidomos kur e kishte shoqëruar këtë të fundit si përfaqësues papnor në Pulia të Italisë. 

  Përsa i përket zërit diplomatik të Selisë së Shenjtë pranë Skënderbeut, kemi shumë autoritete kishtare. Ndër më të hershmit që daton nga një prill i vitit 1444 është Paganino, ipeshkvi i Ulqinit. Papa Eugjeni IV e konfirmon Paganinon, ipeshkvin e Ulqinit në autoritetin dhe postin e nuncit të Selisë së Shenjtë për Shqipëri e Dalmaci: përkatësisht për trojet shqiptare e më gjerë ku përfshiheshin Tivari, Budva, Ulqini, Shasi, Drishti, Pulti, Shkodra, dhe Sarda. Pas vdekjes së Gjergj Pelinit, i tillë kishte qenë në Shqipëri edhe Giovanni Navarra. Andrea Suma ishte një tjetër ambasador i Skënderbeut dhe përfaqësues i Kurisë papnore pranë Skënderbeut. 

Marrëdhëniet diplomatike të Skënderbeut me Selinë e Shenjtë shfaqen më të frytshme përsa i përket çështjes së bashkimit të krerëve shqiptarë rreth Skënderbeut. Minoriti dhe nunci apostolik, Antonio de Olivetto, ishte porositur prej papës Nikolla V që të fitonte fisnikët vendas për Skënderbeun, me qëllim që ata ta mbështesnin atë në luftën kundër turqve. 

Një rast shumë i spikatur është ai i pajtimit të gjaqeve midis Skënderbeut dhe Dukagjinasve. Marrëdhëniet midis Skënderbeut dhe Dukagjinasve ishin ashpërsuar veçanërisht në vitin 1450, kur rezultuan në luftime të vogla. Në po atë vit, disa anëtarë të familjes së Dukagjinit duket se kanë ndihmuar fushatën osmane, për qëllime materiale siç ishte rritja e pronave të tyre të paluajtshme. Selia e Shenjtë filloi ndërhyrjet për pajtimin e Skënderbeut me Dukagjinasit në vitin 1452. Më 13 gusht 1452, papa Nikolla V, emëron Pal Dushin (Paolo Dussus), ipeshkvin e Drishtit, nunc dhe mediator të paqes midis Gjergj Kastriotit Skanderbeut dhe Palit e Nikollë Dukagjinit. Dhe në të vërtetë paqja u përfundua, edhe pse u arrit dy vjet më vonë, në vitin 1454, gjë që tregon se sa serioze dhe të vështira për pajtim ishin këto kontradikta.

Megjithatë, paqja midis Skënderbeut dhe Dukagjinasve nuk zgjati shumë. Më 10 shkurt të vitit 1459, ishte papa Piu II ai që i drejtohet me një bulë kryeipeshkëve të Durrësit dhe të Tivarit dhe sufraganëve të tyre, në lidhje me kundërshtimet e dukagjinasve, në atë kohë aleatë të turqve “kundër popullsive katolike, kundër Selisë së Shenjtë dhe veçanërisht kundër birit të shquar, burrit fisnik Gjergj Kastrioti i ashtuquajtur Skënderbeg, zot i Shqipërisë.” Papës Piu II iu desh të përdorte autoritetin e tij apostolik për këtë rast: i kërcënoi dukagjinasit me çkishërim, nëse ata do të vazhdonin kundërshtimet e tyre. Përveç kësaj, Pal Engjëlli u tregua një mediator i shkëlqyer kur arriti të shmangte luftën midis të dy palëve shqiptare.

Një tjetër rast për intervenimin apostolik shfaqet në vitet 1463-1464 kur Skënderbeu dhe Dukagjinasit kishin marrë një qëndrim neutral përkundrejt osmanëve. Duke qenë se po bëheshin plane sulmi të të krishterëve kundër turqve nën udhëheqjen e papës Piu II, papa Piu II i donte edhe Skënderbeun dhe Dukagjinasit aktivë në këtë fushatë, dhe ia arriti që t’i tërhiqte ata në anën anti-osmane. 

Në këtë kohë, në të gjithë Ballkanin jugor vepronte edhe Eugen Suma, i cili ishte emëruar nga papa Nikolla V si nunc dhe komisar për këtë rajon. Ai predikonte jo vetëm në Shqipëri por edhe në Bulgari dhe në Rasha (Serbi). Papa Nikolla V e ngriti në postin e ministrit provincial të françeskanëve, dhe së fundi i ngarkoi atij edhe postin e inkuizitorit në luftën kundër herezisë në këto territore. Eugen Suma ishte një ndër predikuesit kryesore në Shqipëri e në Ballkanin jugor për të përkrahur Skënderbeun në luftërat e tij anti-osmane.

Përveç të gjitha këtyre aktiviteteve të klerit katolik në përkrahje të Skënderbeut dhe të luftës së tij anti-osmane që sigurisht mbartnin me vete edhe koston e tyre financiare, por që nuk llogaritet asnjëherë nga pothuajse asnjë studiues, kemi edhe dokumente të tjera të natyrës thjesht financiare që tregojnë për përkrahjen e papatit ndaj Skënderbeut. Para se të merremi me analizën e dokumenteve dhe letrave papnore specifike për këtë qëllim, po paraqesim edhe një pasqyrë të shkurtër të indulgjencave që Selia e Shenjtë i jep Gj. K. Skenderbeut. Më 19 shkurt të vitit 1447, nëpërmjet një bule papa Nikolla V, u jep indulgentia pleniaria të gjithë atyre (individë apo fuqi politike evropiane qofshin ato) që do të ndihmonin Gjergj Kastriotin Skënderbeun me para. Duhet të mbajmë parasysh që indulgjencat luanin një rol shumë të rëndësishëm në jetën e besimtarit të asaj kohe, dhe që ishin një ndër motorët kryesorë që kisha përdorte për të mbledhur para, dhe sasia e mbledhur arrinte shumë të konsiderueshme. Ndihma të tilla të tërthorta ekonomike sot do të ishin të barazvlefshme me fundraising që mbajnë në këmbë shumë organizata dhe institucione bashkëkohore. Sigurisht që ishte dhënia e indulgjencave të plota, sipas së cilës faleshin mëkatet për gjithë jetën dhe që vlente për të gjitha llojet e mëkatet, për të gjithë ata që ndihmonin Skënderbeun me para ishte një ndihmë e konsiderueshme ekonomike për të. Selia e Shenjtë nuk e  kurseu këtë formë të mbledhjes së fondeve për fushatat e Skënderbeut edhe në raste të tjera. Më 15 shtator 1457, papa Kalisti III i plotëson dëshirën Skënderbeut duke lëshuar një indulgjencë për ata që do të bëjnë dhurata për rikonstruktimin e kishës së Shën Nikollës në Lezhë, tempull antik që në atë epokë ishte në rrënim. Pas vdekjes së tij, Skënderbeu varros në këtë kishë. Të tjera indulgjenca iu dhanë edhe në vitin e shenjtë, 1450. Në këtë vit, Gjon Gazuli ishte personaliteti më i rëndësishëm përgjegjës për mbledhjen e financave që Kuria Papnore ia kishte akorduar Skënderbeut. 

Krahas indulgjencave, një peshë të madhe financiare sigurisht që luanin edhe të dhjetat e kishës, që Kisha i vinte në shërbim të fushatave anti-osmane. Këto të dhjeta arrinin përmasa kaq të mëdha saqë shpesh ndaheshin në mes të disa forcave politike që luftonin për të njëjtin qëllim. Kështu, më 17 shtator të vitit 1457, papa Kalisti III i dërgon një breve kardinalit të S. Angelo-s, duke i kërkuar udhëzime për të shpërndarë të dhjetat e mbledhura për kryqëzatat në Dalmaci midis mbretit të Hungarisë, Bosnjës, dhe Skënderbeut. Më anë të kësaj breve papa i shkruan Skenderbeut që abat Pellini i kishte plotësuar të gjitha dëshirat e tij, por i komunikon gjithashtu edhe keqardhjen e tij për vdekjen e ipeshkvit të Krujës, që kishte qenë nunc dhe kolektor pontifik në Shqipëri. Në vend të tij, papa kishte dërguar një komisar të ri në Shqipëri, Giovanni Navarrën për të rikuperuar të gjitha shumat e mbledhura nga ipeshkvi i sipërpërmendur dhe nga kolektorët e subkolektorët e tjerë për kryqëzatën. 

Më 20 shtator të vitit 1457, papa Kalist III i komunikon dogjit të Venedikut, Francesco Foscari, që kishte nisur komisarin e tij, Giovanni Navarrën, dhe çdo shumë parash e mbledhur nga Raguza e në qytete të tjera të Dalmacisë në favor të Selisë së Shenjtë, të ndahej në mënyrë të barabartë midis mbretit të Hungarisë, Bosnies dhe Skënderbeut, gjë që tregon se Shqipëria e vogël, do të merrte po aq financa sa mbretëria e Hungarisë që jo vetëm ishte shumë më e madhe gjeografikisht, dhe më e fortë politikisht por kishte qenë edhe shumë më e konsoliduar në luftën kundër turqve. Përveç kësaj papa i kërkon Dogjit venedikas që Gjovanni Navarra t’i dorëzojë Skënderbeut edhe paratë e mbledhura në Shqipëri, në vendet që juridikisht ishin subjekte të Republikës së Venedikut. 

Më 6 shkurt të vitit 1458, papa Kalisti III i drejton një breve Gjergj Kastriotit Skënderbeut, në të cilën e informon që kishte marrë nga ai ambasadorë që e kishin informuar për situatën në Shqipëri. Kalisti III e definon Skënderbeut si princ të vërtetë katolik dhe për të lavdëruar pamposhtmërinë e tij në luftë kundër turqve i dhuron atij 6.000 dukatë de camera. Kjo ishte tepër shenjë miqësie dhe besueshmërie, por që sigurisht që nuk ishte një shumë e vogël për t’u quajtur modeste.

Më 8 shkurt 1458, papa Kalist III i drejton një breve mbretit të Aragonës, në të cilën e informon që kishte ndërmend t’i dërgonte edhe ndihma të tjera Skënderbeut, dhe i bën thirrje atij që t’i dërgonte gjithashtu shuma parash zotit të Shqipërisë. 

Përveç se me indulgjenca e forma të tjera si dhe me para të gatshme, Selia e Shenjtë e ndihmonte Skënderbeun edhe me forca ushtarake. Më 9 qershor të vitit 1457, papa Kalist III e siguron Gjergj Kastriotin Skënderbeun, dominus Albaniae, se do t’i japë menjëherë një flotë të pajisur mirë, dhe i premton që do t’i dërgojë të tjera sa më shpejt që të jetë e mundur. Më 11 shtator të vitit 1457, papa Kalisti III i drejton një breve Skënderbeut, në të cilën e lavdëron atë dhe e quan atleta invitto e propugnatore del nome cristiano. Në të njejtën kohë, ai gjithashtu i shpreh keqardhje për Shqipërinë e kërcënuar nga ushtria e fuqishme turke, dhe e siguron Skënderbeun që do t’i vërë në dispozicion flotën e madhe papnore, të dislokuar në Orient. Kjo sigurisht që mbart me vete një kosto të jashtëzakonshme financiare, edhe pse nuk janë para në dorë.

Marrëdhëniet diplomatike midis Skënderbeut dhe Selisë së Shenjtë, si dhe përkrahja financiare e papëve për fushatat e Skënderbeut kundër turqve natyrisht që ishte ndërtuar mbi interesa politike dhe kishte qëllime politike në sfond. Kryqëzata kundër turqve ishin shpallur nga të gjithë papët e shekullit XV, por me papa Piun II, i njohur që gjatë kardinalatit të tij si predikues dhe promovues i kryqëzatës dhe që kishte treguar interes për Shqipërinë dhe për Skënderbeun që gjatë asaj kohe, Shqipëria ngrihej në përfytyrimet papnore si një bazë për planet kryqtare dhe Skënderbeu në një udhëheqës të kryqëzatës së planifikuar. Kjo duket qartë në një dokument të prillit të vitit 1463, në të cilin papa Piu II, Republika e Venedikut si dhe aleatët e tjerë i kërkonin Skënderbeut që të nënshkruante një marrëveshje me ta për luftë kundër turqve. Pas fitores së Skënderbeut në vitin 1464, papa Piu II ishte përfundimisht i bindur e i vendosur që Skënderbeu do të ishte udhëheqësi i ushtrisë kryqtare të krishterë kundër turqve “të pabesë”. Megjithatë papa Piu II vdiq në Ankona, kur po fillonte kryqëzatën, dhe bashkë me vdekjen e tij, vdiqën edhe idetë e tij. 

Pas vdekjes së papa Piut, ndryshuan edhe marrëdhëniet financiare ndaj Skënderbeut. Meqenëse ka nga ata që janë të interesuar kryesisht për shifrat monetare që Skënderbeu mori nga Selia papnore gjatë dy viteve të fundit, dhe e përdorin këtë shpesh si argument që papati nuk e ka ndihmuar financiarisht Skënderbeun, këtu po rendisim fondet ku gjenden këto lloj informacionesh puro financiare si dhe shumat e marra në secilën datë: 

Në bazë të dokumentave arkivore nga fondet: 

a) “Registri  pro sancta Cruciata 1465-1472” f. 126, f. 134, f. 140, f. 141, f. 143, f. 148; 

b) “Mandati della Reverenda Camera Apsotolica (1418-1802); 

c) “Registri della serie Camerale I, Depositeria della Crociata. (1460-1462)”

d) “Commissariato delle Soldatesche e Galere, bb. 1-3 e 80-81” 

e) Introitus et Exitus, dok. 447. C. 229A; 

  f) “Depositeria gen. D. Crociata, 1464-75, c. 156” 

Gjergj Kastrioti Skënderbeu për vitet në vijim, kishte marrë këto ndihma nga Selia e Shenjtë: 

më 19 prill 1465, 2.000 dukatë floriri; 

më 7 qershor 1466, 2.050 dukatë floriri; 

më 20 tetor 1466, 200 dukatë floriri; 

më 12 dhjetor 1466, 250 dukatë floriri; 

më 24 dhjetor 1466, 200 dukatë floriri; 

më 15 janar 1467, 250 dukatë floriri; 

më 19 prill 1467, 2.700 dukatë floriri; 

më 1 shtator 1467, 1.500 dukatë floriri.

Pra për dy vjet, përkatësisht nga 19 prill 1465 deri me 1 shtator 1467, Gj. K. Skënderbeu vetëm nga Selia e Shenjte ka marrë shumën prej 9.150 dukatesh floriri si ndihmë financiare në luftë kundër turqve. Është e vërtetë që përveç Gjergj Kastriotit Skënderbeut, sipas dokumenteve arkivore, ndihma financiare nga Selia e Shenjtë kanë marrë edhe fisnikë të tjerë shqiptarë si p.sh. despoti i Artës, Leonard Tocco, më 12 mars 1465, 1.000 dukatë floriri; më 18 korrik 1466, 1.200 dukatë floriri dhe më 2 prill 1467, 1.000 dukatë floriri, pra gjithsej 3.200 dukatë floriri, mirëpo po t’i krahasosh të gjitha këto me shumat që merrte mbreti hungarez, ka vend për të menduar negativisht për ndihmat financiare të Selisë së Shenjtë ndaj Skënderbeut.

Sigurisht që këto nuk ishin ndonjë shumë e madhe po t’i krahasosh me ato që merrte mbreti hungarez Mathia, i cili pothuajse për periudhë të njëjtë kohore mori nga Selia e Shenjtë këto ndihma financiare për luftën anti-osmane: 

më 23 maj 1465, 575.000 dukatë floriri hungarez; 

më 28 prill 1466, 10.000 dukatë floriri hungarez; 

më 5 tetor 1469, 15.000 dukatë floriri hungarez, 

pra gjithsej 600.000 dukatë floriri hungarez. 

Arsyet për këtë ndryshim të madh financiar në vitet e fundit të jetës së Skënderbeut janë shumëfishe: është tashmë një fakt i njohur që politika e papatit ndryshon sipas pikëpamjeve personale të çdo pape që vjen në krye të Selisë së Shenjtë. Kështu papa Pali II si individ, ndryshe nga papët e tjerë paraardhës nuk është shquar për ndonjë mbështetje të madhe ndaj Skënderbeut. Arsyet janë të ndryshme, si politiko-ekonomiko; ushtarake dhe diplomatike, në veçanti ato individuale të vetë atit të Shenjtë, përkatësisht përcaktimet e tij për luftë, për paqe ose për një variant tjetër të tretë. Është pastaj vetë Skënderbeu që me paraqitjen e tij në Romë në vitin 1467 ka bërë më shumë armiq midis kardinalëve sesa përkrahës, e sigurisht që kjo ndikon shumë në politikat vendimmarrëse sidomos përsa i përket çështjes delikate të financave. Pamja e Skënderbeut, e përshkruar si “një burrë i varfër dhe që i kishte kaluar prej kohës të 60-at” në dokumentet e asaj kohe me siguri që nuk ka qenë shumë shpresëdhënëse për kardinalët, që sipas atyre që kishin dëgjuar prisnin me siguri që të shihnin një kalorës të fuqishëm që do të marshonte para tyre në një mënyrë solemne. Paraqitja e një “plaku” që edhe sikur të ishte i suksesshëm në luftë kundër turqve gjatë jetës së tij, kjo përsëri nuk ishte shumë shpresëdhënëse për të ardhmen e krishterimit pasi dukej qartë që ai nuk do të jetonte gjatë, ka qenë ndoshta një grusht shumë i fortë për palën përkrahëse të kardinalëve. Dhe faktikisht, vdekja e Skënderbeut një vit më vonë, i përligji veprimet e palëve kundërshtuese. Megjithatë, parë realisht, është Selia e Shenjtë ajo që e mbështeti me shumë forcë financiarisht Gj. K. Skënderbeun, ndoshta më shumë se çdo pushtet tjetër i asaj kohe. 

Filed Under: Opinion

MATERIALET FOTOGRAFIKE E DOKUMENTARE TË VATRËS TË MOS PËRFUNDOJNË NË PLEHRA

March 11, 2022 by s p

-Pas një telefonate të z. Petrit Alibej, kryetar i Shoqatës Atdhetare Besa-Besën në Boston- Massachusetts-

Nga Dalip GRECA

Të Mërkurën, 9 Mars 2022, pradite mora një telefonatë shqetësuese nga miku im vatran, kryetar i Shoqatës Besa-Besën në Boston, z. Petrit Alibeaj.

Në thelb të telefonatës ishte shqetësimi i tij se në një zonë të Bostonit ishin parë fotografi historike të Vatrës të hedhura në plehra.

       Ai më tregoi se një amerikan i kishte telefonuar dhe i kishte treguar se afër shtëpisë së tij, pranë shtëpisë të një shqiptaro-amerikani të vjetër që kishte ndërruar jetë, banka kishte nxjerrë në shitje shtëpinë, ndërkohë disa materiale fotografike, përfshirë dhe një fotografi të 2 gushtit të vitit 1931, që kishte në qendër Fan S. Nolin në një piknik të Vatrës në Marlborough, MA(Në fund të fotografisë ishte shënimi: I pari piknik i Vatrës). Marlborough është një qytezë me rreth 41 mijë banorë, që njohu zhvillim të hovshëm industrial në fund të shekullit 19 dhe fillim shekullin 20. Emigrantët shqiptarë ia mësynë kësaj qyteze si shumë të tjerave në MA, pasi fabrikat merrnin punëtorë të pa kualifikuar. 

Aty, katër vjet pas themelimit të Federatës Vatra, u ngrit dhe një nga degët e Vatrës, që i mbështeti fort veprimtaritë e Federatës. 

  Kjo degë është bërë inisiatore për organizimin e piknikut madhështor, ku është ftuar edhe Imzot Fan S. Noli, paçka se në atë kohë ai vazhdonte të ishte në oponencë më Vatrën zyrtare për shkak të opozicionit me qeverinë shqiptare dhe përfaqësuesin e saj në Washington Ministrin Faik Konica, por përkrahësit e tij të shumtë duhet t’ia kenë organizuar këtë piknik madhështor. 

 Në fotografinë e piknikut që përfundoi në plehra numërohen rreth 400 pjesmarrës(në foton që po publikojmë është vetem qendra e fotos), ku shquhet në mes Imzot Noli, bashkëpunëtorë të tij, vatranë me familjet e tyre, madje dhe shumë fëmijë. Fotografia ishte e vendosur brenda një korrnize me xham me përmasa të mëdha-1 metër e  20 cm gjerësi dhe 40 cm lartësi. Fotografia ruan cilësi të lartë.

Fotografia në një vështrim të shpejtë përcjell frymën dhe mesazhe vatarne. Federata”VATRA” e kohës së Nolit dhe më vonë deri në vitet ’80 të shekullit të shkuar funksionte si një familje e stërmadhe, ku përfshiheshin në aktivitete jo vetëm vatranët burra, por edhe gratë, edhe fëmijët. Brezat përcillnin frymën e bashkimit brenda vatrës dhe e trasmetonin tek brezat e ardhshëm këtë frymë.

   Le të kthehemi tek problem I fotografisë që përfundoi në plehra; brezi i vjetër i vatranëve është në zhdukje e sipër. Bijtë, apo nipërit e mbesat e tyre, në pjesën më të madhe, janë konvertuar e asimiluar. Interesi për Vatrën dhe vendin e origjinës vijnë në zbehje. Për 12 vite unë iu drejtova me mesazhe në gazetën Dielli familjeve me origjinë shqiptare, që kush prej tyre ruante relike të prindërve apo gjyshërve, ruante fotografi, libra, fotografi të vjetra, koleksione të gazetës Dielli apo të gazetave të tjera si Kombi, Emigranti, Albania, Revista Adriatic etj., mundësisht të njoftonin Vatrën dhe t’i dorëzonin ato në selinë e saj në 2437 Southern BLVD, Bronx, Nju Jork 10458. Një pjesë u përgjigjën dhe doërzuan materiale të vlefshme, por nuk mendoj se mesazhi ka shkuar tek shumica e familjeve që ruajnë ende materiale dhe dokumente të Vatrës. Rasti në Marlborough, ku një fotografi historike me materiale të tjera përfundoi në plehra, e dëshmon këtë.

  Jo shumë kohë më parë ne mësuam nga nipi i një prej kryetarëve të Vatrës se në familjen e tij ruhej jeleku i Faik Konicës, që nga 15 dhjetori i vitit 1942, kur Faiku ndërroi jetë dhe miqtë e tij të afërt morën sendet e tij. Po sa materiale të tjera mund të ruhen ende nëpër shtëpitë vatrane? Të mos harrojmë se deri në 100 vjetorin e Vatrës ne nuk kishim gjurmë të ekspozuara të Vatrës, por ekspozita që përgatitëm me atë rast na jep mundësi sot të prekim disa nga bëmat e Vatrës, që natyrisht nuk mjaftojnë. Fatmirsisht ende jetojnë bijë të vatranëve që kanë lënë gjurmë në historinë e Vatrës, si i biri i rekordmenit të fushatës së 3 Qershorit 1917, Ali Kuçit, që u kthye në Shqipëri, por tragjikisht humbi jetën në moshë të thyer duke u mbetur në duar hetuesve komunistë!E ndëshkuan pse krahas partizanëve kishte ndihmuar dhe ballistët! Dhe kë ndëshkuan? Burrin që frymëzoi shqiptarët e Amerikës të dorëzonin kursimet e tyre për të Shpëtuar Shqipërinë!Ai e udhëhoqi fushatën duke dhuruar $680.00

   Federata Panshqiptare e Amerikës duhet ta bëjë objekt të punës së saj grumbullimin e materialeve që mbahen nëpër shtëpia që rrezikojnë të përfundojnë në plehra. Duke qenë se baza e Vatrës ka qenv në Massachusetts, aty vepruan me dhjetëra degë të saj, por sot mjerisht nuk ka degë,rithemelimi i një dege të Vatrës në Boston e vendlindjes së Federatës është urgjente për bordin e tanishëm.E kisha filluar punën me një grup vatranësh për themelimin e degës së Bostonit, pro nuk e di pse humbi interesi nga udhëheqësia e Vatrës. Gjithçka ishte gati, u paguan dhe anëtarsitë, por çuditërisht pat tërheqje nga qendra në momentet e fundit. Le të shpresojmë se ajo bërthamë që patëm gati do të ndihmojë për riorganizim.Një degë e Vatrës në vendlindjen e Federatës do të bënte të mundur që Vatra të rikthehej tek rrënjët dhe të siguronte dhe materialet dokumentare e fotografike që janë jetike për mbijetesën e Vatrës.

Që të mos lejojmë hedhjen e dokumentave në plehra mund të përdoret kryetari i Shoqatës Atdhetare Besa-Besën, z. Petrit Alibej. Kushdo që disponon materiale të Vatrës mund t’i telefonojë atij në tel:617-651-7310 dhe ai ndërmjetëson për t’i dërguar tek Vatra ose të telefonohet në selinë e Vatrës.

  Edhe degë të tjera ku vatra ka qenë aktive që në fillimet e Federatës ia vlen që të hulumtojnë në komunitet për të materiale fotografike dhe dokumentare të hershme.

***

PAK HISTORI NGA DEGA E VATRES NE MARLBORO

Dega e Vatrës Marlboro filloi të organizohet të Dielën e 23 Korrikut 1916 dhe mbante numrin dega nr.49. Pleqsia e pare përbëhej nga: Koço Asimaqi-Kryetar, Gaqi N. Dishnica-arkëtar, Ilo V. Qafzezi-sekretar, ndërsa pleq ishin: Dhimiter Kreshpani, Stefan G. Zguro dhe Janaq Stefan.

Në fushatën”Për shpetimin e Shqipërisë” 3 Qershor 1917, dega ishte pjesmarrëse dhe donatore e saj. Vetëm gjatë ditës së parë të fushatës me 3 qershor iu përgjigjën thirrjes së komisionit të fushatës 39 vatranë të kësaj dege. Ja Lista e ditës së parë:

  1. Efthim K.Lreshpani $10
  2. Peter Kerka $10
  3. Vangjel Opari $10
  4. Ilo Treni $ 5
  5. Ndrio Tike $10
  6. Petro Stefani $12
  7. Vangjel Miti $5
  8. Kosta R. Pema $5
  9. Stavro Dh.Bilmezi $5
  10. -Cale Andon $5

11-Sotir Th. Kreshpani $13

  12- Vangjo Shosho $11

13-Jani Botko $5

14-Koço P. Gorjoshani $5 

15-Koli Laska $5

16-Kosma Angelo$10

17-Janaq Stefan $10

18-Agathokli Xhitoni $12

19-Gaqi J. Qafzezi $12

20- Dhori Manol $17

21- Miço Thoma $10

22-Stefan Zguro $10

23-Misto Thoma $10

24-Hari Simo $10

25-Dhimitri L. Kreshpani $10

26-Duli George $10

27-Thanas J.Kreshpani $10

28- Vell Luka $60

29-Loni P Peristere $5

30-Pilo Kosma $10 

31-Nuli Buxhuku $10

32-Ilo Zilexhi $10

33- Vell Hekurani $25

34-Dhimitri Kadiu $5

35-Gaqi K. Deshnica $5

36- Vell K.Furrzhi $20

37-Dhimiter Remetsi $5

38-Mina Lluka $10

39-Anonim $2

Shuma e përgjithshme $419

Filed Under: Featured

Politika e vulgaritetit, sundim përmes injorancës

March 10, 2022 by s p

Ergys Mertiri/

Progresi teknologjik i komunikimit dhe kontrolli i medias mbi opinionin publik ka sjellë një transformim rrënjësor të politikës në shoqëritë moderne. Media përcakton mënyrën se si ajo zhvillohet, gjë që do të thotë se politika varet nga mjetet e komunikimit që përdor. Për shkak të varësisë nga media, politika është bërë gjithnjë e më shumë e painteresuar ndaj ideve dhe qeverisjes në vetvete, duke u përqendruar thuajse plotësisht tek imazhi. Ajo nuk ndodh në ndonjë realitet konkret, por ndodh vetëm në ekran. Ajo është një veprimtari e shfaqur dhe e kushtëzuar ekstremisht nga shfaqja dhe si e tillë ajo është bërë spektakolare dhe thellësisht propagandistike. Siç thonë disa studiues, tashmë ajo mund të quhet videopolitikë.Efekti i natyrshëm i spektakolarizimit të politikës është vulgarizimi i saj. Giovanni Sartori është një nga ata studiues që pohojnë se ajo karakterizohet sot nga të mosmenduarit. Kalimi nga gazeta tek radio dhe ankorimi në televizion, si arena kryesore ku bëhet dhe shfaqet politika moderne, ka bërë që pesha e fjalës (qoftë kjo e shkruar, apo e folur) të humbasë dhe të dominohet tashmë nga imazhi. Në këtë mënyrë, politika çlirohet nga forca e mendimit për të shkuar gjithnjë e më shumë drejt shfaqjes. Imazhi e ndërpret mendimin kritik dhe procesin e të gjykuarit thellë tek individi. Ai, gjithashtu, prodhon reagime emocionale dhe jo racionale te publiku. Kjo bën që politika, si një veprimtari televizive, të mbështetet gjithnjë e më pak tek idetë e programet dhe gjithnjë e më shumë tek efektet emotive, të prodhuara nga stimujt e kushtëzimit veprues të propagandës.Nga të gjitha format e komunikimit, thotë Sartori, imazhi gënjen më shumë, pasi ai flet vetë dhe nuk lë hapësirë për koment. Për këtë arsye, sipas tij, televizioni është mjeti më i rrezikshëm i komunikimit e, rrjedhimisht, politika e sunduar nga televizioni, prodhon një demokraci që nuk formësohet nga arsyeja, por nga injoranca. Kjo do të thotë se demokracia ka humbur idealet mbi të cilat është ngritur duke dështuar të prodhojë një politikë të arsyes.Sipas Sartorit, televizioni ndikon mbi turmat duke falsifikuar autoritetin. Ai përdor njerëz të famshëm, pa asnjë lloj atributi intelektual – këngëtarë, futbollistë, aktorë – duke iu dhënë atyre autoritet për të manipuluar turmën. Injoranca kthehet në standard dhe në mjet sundimi. Me këto mjete, videokracia fabrikon opinionin, çka boshatis demokracinë nga atributet e saj si një qeverisje e opinioneve. Televizioni vepron si zëdhënës i publikut, por ai është vetëm jehona e zërit të vet, e cila i mbivendoset publikut.Politika e sotme është jo vetëm irracionale, por, në një masë të konsiderueshme, edhe e pavetëdijshme. Aldus Huxley vëren se njerëzit në përgjithësi komunikojnë më shumë në mënyrë të pavetëdijshme sesa të vetëdijshme. Shumica e gjërave që shohim e dëgjojmë gjatë ditës, nuk janë objekt i vetëdijes sonë. I gjithë ky informacion, sipas tij, depozitohet në nënvetëdije, gjë që bëhet një burim i madh ndikues mbi mendimet, ndjenjat dhe sjelljet tona të vetëdijshme.Këtë mund ta themi edhe për zgjedhjet tona politike. Votuesi nuk bën llogari apo analiza të specializuara për të përcaktuar se kujt ia jep votën. Ai gjykon mbi bazë të përshtypjes, e cila ka marrë formë në nënvetëdijen e tij, teksa më pas, ai mund të debatojë dhe të arsyetojë se si dhe pse një forcë politike është më e mirë se tjetra. Arsyet e zgjedhjeve, përtej argumenteve tona, janë më shumë produkt i sferës së nënvetëdijes. Në thelb, përveç se joracionale, demokracia moderne është gjithashtu një “udhëheqje e pavetëdijes së popullit”.Nëse dikur media dhe shtypi i lirë janë parë si burim i rëndësishëm i demokracisë, sot ato janë burimet që po e tjetërsojnë atë. Ato nuk janë më mjete të mirëfillta informimi, por burime manipulimi dhe propagande. Demokracia kthehet në një sistem ku garojnë manipuluesit. Aftësia për të manipuluar bëhet kapitali më i madh politik dhe fuqia që përcakton suksesin. Politika është si një pazar ku tregtarët shesin e blejnë imazhin e tyre. Njësoj si në një qendër tregtare, blerjet tona nuk varen aspak nga cilësitë reale të mallrave, por nga fuqia marketuese e tyre. Kjo do të thotë se partitë nuk janë më alternativa qeverisëse, por, siç thotë Lazarsfeld “agjenci reklamash që luftojnë për monopolizim të vëmendjes”.

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2363
  • 2364
  • 2365
  • 2366
  • 2367
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT