

Dr. Mjaftime Dushallari/
Nuk është e lehtë të shkruash gjithcka apo të bësh bilancin e jetës së një njeriu që ka pasur fatin të jetojë për nëntë dekada, përmes gëzimesh e shqetësimesh, dashurisë e humbjeve, përmes të cilave është rritur e formuar si i tillë. Është edhe më e vështirë kur është fjala për një njeri aktiv, energjik, mendjehapur, krijues që me veprën e tij ka frymëzuar, ka dhënë emocione, ka efektuar jetë njerëzish. I tillë është shkrimtari i mirënjohur shqiptar, mjeshtri i tregimit dhe i fjalës shqipe, njeriu me vlera të mëdha të kombit, zoti Naum Prifti.
Do të duhej më shumë se një studim për të përfshirë të gjitha fushat e artit të fjalës që ka prekur Naum Prifti në krijimtarinë e tij letrare. Bibliografia e veprës së tij është shumë e gjerë. Ai ka shkruar vëllime me tregime, novela, legjenda monografi, biografi e studime, pjesë teatrale, komedi muzikore, skenarë filmash, librete estrade dhe librete baleti. Krijimtaria e Naum Priftit është shumë e pasur dhe e pashtershme. Ai krijon e krijon, bukur e përditë… është vlerësuar e do të vlerësohet përjetë nga artdashës shqiptarë e të huaj, sepse vepra e Naum Priftit është art i vërtetë.
Ajo që doja të realizoja si një dhuratë e vogël për përvjetorin e 90-të të ditëlindjes së shkrimtarit Naum Prifti, është një gjë shumë më e thjeshtë. Është një buqetë urimesh nga të gjithë ata që unë mendoj se e kanë njohur shkrimtarin dhe janë efektuar në një mënyrë a në një tjetër prej veprës së tij. Është momenti që duhet ta urojmë kete artist te fjales shqipe duke shprehur mirënjohjen për gjithcka të mirë kemi përfituar prej tij, për kënaqësinë që na ka dhënë krijimtaria e tij, për cka kemi mësuar nga vepra dhe aktiviteti i tij.
Më kujtohen disa fjalë nga falenderimi që më dërgoi z. Naum pas shkrimit që unë bëra në gazetën “Ylliria” në NY rreth krijimtarisë letrare dhe personalitetit të këtij shkrimtari disa vite më parë. “…pasi lexova shkrimin tuaj, kuptova se njeriut i pëlqen më shumë të dëgjojë fjalë të mira dhe vlerësime në pleqëri se sa në rini, sepse qenka në natyrën e njeriut që në këtë moshë do të dijë për kënaqësitë dhe emocionet që u ka shkaktur lexuesve të njohur e të panjohur…” Pra, le ta kënaqim artistin me disa urime e falenderime mirënjohjeje.
Do të ishte gjë e bukur që zërat e shumë fëmijëve, si cicërima zogjsh, të nisnin këngën e urimit për ditëlindjen për ta falenderuar dhe për t’i shprehur mirënjohjen shkrimtarit për tregimet e zgjedhura për fëmijë, për pjesët që kanë parë dje dhe sot në teatrin e kukullave, si dhe për skenarët e filmave vizatimorë që Naum Prifti ka shkruar me aq dashuri. “Faleminderit dhe vazhdo të shkruash dhe të na tregosh histori të bukura!”- do të ishte urimi dhe mirënjohja më e thellë që autorin e tyre të dashur do ta kënaqte shumë. Dhe sa e lehtë është që ta kuptosh gëzimin e Naum Priftit, njeriut optimist dhe po aq pozitiv. Posi gëzimi i fëmijëve, ai shihet lehte në shkëlqimin e syve dhe në buzëqeshjen e tij të përhershme.
Familjarët e tij janë njerëzit që me gjatë e kanë pasur pranë, janë rritur nën kujdesin, mirësinë, fisnikërinë dhe mëncurinë e tij. Kanë qenë lexuesit e parë të veprave të tij. Kanë ndjerë të parët emocionet dhe kënaqësitë artistike, po aq sa dhe ankthet për publikimin e veprave letrare. Shkrimtari i talentuar u ka transmetuar fëmijëve të tij aftësitë krijuese, i ka bërë të njohin, të duan dhe të vlerësojnë letërsinë dhe artin në tërësi. Ata janë rritur me krenarinë e ligjshme që u jepte emri i babait të tyre të nderuar. Ndaj urimi e mirënjohja e familjarëve në këtë përvjetor të madh të lindjes së Naum Priftit, njeriut model në familje e shoqëri, duhet të jetë e pafund. “T’ju kemi sa më gjatë mes nesh!”- vetëm këtë dëshirojnë me shpirt. Unë do të shtoja, “Vazhdoni t’ju tregoni njerëzve tuaj, shoqërisë, lexuesve të shumtë aftësitë dhe cilësitë tuaja që kanë qënë e janë influenca juaj!”
Po të mundeshin të gjitha gjërat e vogla që e kanë frymëzuar, të gjithë njerëzit, historitë e të cilëve janë bërë pjesë e veprave të tij, të gjitha vendet që ka shkelur e ka përshkruar me aq dashuri e finesë Naum Prifti, të vinin dhe të festonin me të në këtë përvjetor, kjo do të ishte festa më e bukur e jetës së tij. Shkrimtari ynë ka shkruar gjithmonë me dashuri të thellë për njerëzit dhe për tokën shqiptare, për traditat dhe historinë tonë. Tregimet fantastike, aq të ngrohta, të rrjedhshme për fshatin, për Rehovën e tij, për Voskopojën me Cesmën e Floririt etj etj, mbeten perla të letërsisë shqiptare. Naum Prifti e ka shtrirë vështrimin e tij për traditën edhe më thellë. Ai ka shkruar edhe përralla e legjenda shumë të bukura shqiptare. Disa prej tyre i ka përpunuar ose jep variante të reja dhe disa i ka krijuar mbështetur në histori. Për këto gjithë populli shqiptar e nderon dhe mendoj i ështe mirënjohës. Në këtë moment, secili duhet të bashkohet shpirtërisht për të festuar me kënaqësi e respekt jetëgjatësinë e shëndetshme, krijuese dhe të suksesshme të ketij talenti duke i uruar të mbetet model frymëzimi për brezat.
Kultura, serioziteti në punë dhe vullneti për punën krijuese, e kanë ndihmuar Naum Priftin të merret dhe me përkthime nga Italishtja, Frengjishtja dhe Anglishtja. Përkthimet nga anglishtja që kam pasur rastin t’i njoh, janë shqipërime të përsosura që duken si krijime origjinale të shkruara prej tij. Naum Prifti ka pasur guximin të përkthejë me sukses nga anglishtja vepra të mjeshtrit të rrëfimit botëror, Roald Dahl. Veprat e Naum Priftit janë botuar në Tiranë, Prishtinë dhe në Amerikë. Disa prej tyre janë përkthyer në Anglisht dhe Greqisht. Fusha e përkthimit e ka bërë të njohur mjeshtrin e tregimit shqiptar dhe më gjerë dhe njëkohësisht i jep mundësinë letërsisë shqipe dhe kombit shqiptar të njihet në botë përmes vlerave të vërteta. Kjo është një arsye tjetër për të qenë mirënjohës dhe për t’i uruar shkrimtarit tonë të nderuar sa më shumë energji në shpirtin e tij të paplakur.
Kur u largua nga Shqipëria për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Naum Prifti ishte mbi 60 vjec. Kjo nuk e pengoi që edhe në kontinentin e ri, ai të ishte njeri aktiv në jetë dhe në krijimtarinë letrare. Duke ndjekur traditën patriotike të familjes së tij dhe vecanërisht eksperiencën e vyer të të vëllait, të nderuarit zotit Piter Prifti, Naumi iu bashkua menjëherë Federatës Panshqiptare “Vatra” ku u mundua të jepte ndihmesën e tij si patriot dhe intelektual i formuar. Ai shërbeu si sekretar i kësaj Federate për 15 vjet. Në këtë periudhë Naumi bëri një punë të cmuar në botimin e dy librave me platformë gjithëkombëtare “Shekulli 21” – Mendime dhe opinione për të ardhmen e Shqipërisë dhe libri “Kombi” – Rrugët e bashkimit kombëtar. Ai është koordinator, redaktor dhe korrektor letrar i të dy librave. Naum Prifti ka qenë organizator dhe pjesëmarrës aktiv i shumë tubimeve të komunitetit shqiptar në New York si për pavarësinë e Kosovës dhe cështje të tjera shqiptare. Si kryetari i pare i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë dhe me vone anetar i saj, Naum Prifti ka qenë gjithemone aktiv me fjalën dhe veprimtarine e tij krijuese. Në 106 vjetorin e saj (1 Qershor 2018), Federata Panshqiptare Vatra e ka nderuar z. Naum Prifti me Mirënjohje të Lartë për Kontributin si Sekretar i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, për Arritjet në Fushën e Letërsisë dhe si Personalitet i Dashur dhe i Respektuar për Komunitetin Shqiptar. Po ashtu, në 17 shkurt 2020, Presidenti i lagjes Bronx të New Yorkut Ruben Diaz Jr, në emër të 1.4 milion banorëve, prej të cilëve një numur i konsiderueshëm shqiptarësh, nderoi z. Naum Prifti për Aktivitetin e tij si Shkrimtar i spikatur, Novelist, Dramaturg, Publicist, Përkthyes, per Kontributin e tij në Pasurimin e Kulturës Shqiptare dhe në Vlerat që i shton Komunitetit Shqiptar të New Yorkut. Për këtë ndihmesë të dalluar në shërbim të kombit, mendoj se dhe komuniteti shqiptar në Amerikë e më gjerë duhet te krenohet e t’i jetë mirënjohës dhe t’i bashkohet urimit tonë në këtë përvjetor të madh të lindjes së shkrimtarit dhe veprimtarit të shquar Naum Prifti për më shumë përvojë e mëncuri në vitet në vazhdim.
Naum Prifti nuk e ndau kurrë penën nga dora. Duke sfiduar moshën, probleme shëndetsore dhe ndonjë fatkeqësi familjare, ai vazhdon të mrekullojë lexuesit e tij me tregime, përralla, legjenda dhe histori të së shkuarës dhe të tashmes. Dy vëllimet, “Nëna e Diellit” dhe “Grirja e Shpirtit”, disa perkthime e studime si dhe shumë botime në shtypin shqiptar në Amerikë, e dëshmojnë më së miri një gjë të tillë.
Personalisht ndihem mirënjohëse për miqësinë e sinqertë që na ka ofruar z. Naum dhe familja e tij për këto dekadat e fundit që na ra fati të jemi pranë në kontinentin Amerikan. Ishte 65 vjetori i lindjes së tij që na bashkoi për herë të parë në një mbrëmje të vogël festive familjare. Qysh atëherë, cdo 7 Mars, që përkon me ditëlindjen e shkrimtarit dhe me Ditën e Mësuesit, u bë traditë të kthehej në takime të bukura miqsh, në diskutime letrare, në promovime librash, shkëmbime krijimesh, festim ditëlindjeje apo festim i Ditës së bukur të Mësuesit.
Ndihem e privilegjuar që më është dhënë mundësia të lexoj disa nga krijimet e z. Naum të shkruara kur ai nuk ishte vec 16 -17 vjec. Përvecse më kanë pëlqyer shumë, ato dhe më kanë mahnitur me stilin aq të formuar të mjeshtrit të ardhshëm të tregimit shqiptar në vitet e rinisë së tij të hershme. Aty lulezonin filizat e personalitetit krijues te rrefimtarit premtues. Po ashtu, kam pasur fatin të lexoj disa nga krijimet e tij apo ripunime, para se të shihnin dritën e botimit. Do të vecoja prej tyre variantin origjinal të Naum Priftit të legjendës së njohur të murosjes në kalanë e Rozafës, Udhëtimi fantastik i Garentinës që tingëllojnë si proza poetike qe kendojne. Tregimi “Te Mulliri i Gjyshit me Babanë” më ka mrekulluar me detajet dhe pershkrimet aq te holla. Për mendimin tim, ato janë xhevahire të vërteta. Po xhevahire të cmuara, nga ato që mbaheshin mbyllur në sepetet e drunjta që hapeshin për t’ua dhënë trashëgimtarëve në vitet më të pasme të moshës së tretë. Se vetëm kështu, në mënyrë perfekte, me shqipe te kulluar, di të shkruajë Naum Prifti, shkrimtari yne i talentuar.
Me kënaqësi në shpirt e me respekt të thellë, unë i uroj shkrimtarit tonë të mirënjohur të jetë kështu sic është që të festojmë edhe 100 vjetorin e tij sëbashku sepse Naum Prifti 90 vjecar është versioni më i mirë i Naum Priftit njeri dhe krijues. Ai sot është imazhi më i mirë e me i kompletuar i lexuesit.







