• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

COVID, BEFASI N’AFRIKË: PLOJA NUK KA NDODHUR KURRË

January 23, 2022 by s p

Nga FEDERICO RAMPINI

Ndërmjet aq arsyeve të pasigurive pandemia dhuron një befasi pohenike. Ploja nga Covidi në Afrikën nënsahariane, e lajmëruar rregullisht prej pothuajse dy vitesh, nuk ka filluar kurrë e ndoshta nuk do të ndodhë kurrë. Nga Covidi vdiset më shumë n’Itali se sa në vendet më të varfëra të planetit, megjithëse mundësia e hyrjes në vaksinat është e ulët në mënyrë shkandullore. Shpjegimi  shkencor është I kthjellët: mosha mesatare shumë e re I mbron , pothuajse sa vaksina.

Është një lajm i mirë që nuk duhet të fshihet. Dhe nuk vlejnë dredhitë për t’a zvogëluar. E vërtetojnë statistikat e mbledhura nga banka e të dhënave Our World in Data. N’Itali – që fatkeqësisht vendoset në rrjeshtimin e lartë të mesatares botërore – pandemia ka shkaktuar 229 të vdekur për çdo njëqind mijë banorë, n’Ugandë shtatë vdekje në njëqind mijë njerëz, në Nigeri dy. Rrjeshtimi i Vëndeve afrikane ruan të njëjtin zbulim të këndshëm, vdekësia ndryshon nga 15 vdekje në njëqind mijë banorë në Gambia e në Gabon deri në dy në Burkina Faso. Ndërmjet këtyre listave fshihen shumë prej kombeve më të varfër të planetit. Kundrejt tyre na është bërë zakon të kemi një kujdes sa mëshirues aq ideologjik, të sipërfaqshëm dhe stereotipik.

Afrika, e kemi vendosur me kohë, duhet jetë një lajm vetëm për tragjeditë e saj. Na tërheq vëmëndjen si qëndra e mjerimit dhe vuajtjes njerëzore, si kontinent i shkatërruar nga kundërshti t’armatosura e luftëra civile, kufiri i ri i xhihadizmit, tokë për pushtim nga rish-kolonializmi perëndimor e më së fundi kinez, pellg të mërguarish të dëshpëruar, me shtesat e valëve t’ardhëshme mërgimtare të lidhura me katastrofat klimaterike.

Në këtë skenar të errët e dëshpërues, kur filloi pandemia kemi “vendosur”që, natyrisht, do të kishte shkaktuar dëme shumë më të mëdha në kontinentin e zi. U shkreh

refleksi pavllovian i ne perëndimorëve, automatizmi  njerëzor në kahun e fajit. Me që vaksinat – së paku ato që funksionojnë – janë prodhuar në Perëndim e kryesisht n’Amerikë, ploja e re afrikane do të kishte qënë e sata njollë në ndërgjegjet tona. Një plojë e shkaktuar nga egoizmi i të pasurvet. Përse nuk shkoi ashtu?

Pabarazia e hyrjes në vaksinat ekziston; është e pamohueshme dhe e pafalëshme. Të dhënat e përpunuara nga Banka botërore dhe Universiteti i Oxfordit, të përmbledhura në një analizë të së përjavëshmes The Economist, thonë se në Vendet me t’ardhura mesatare apo lartmesatare, pra mbi 4000 dollarë PPI  për frymë, janë përdorur 160 vaksina për çdo njëqind banorë, pra më shumë se një dozë e gjysëm për kokë. Kjo mesatare përfshin natyrisht fëmijë të vegjël jo subjekt vaksinimi, të tjerë njerëz të pavaksinueshëm, dhe hapësirën jo vax. Në Vëndet më të varfëra të planetit, ata nën njëmijë dollarë për kokë, vaksinat e injektuara janë vetëm dymbëdhjetë çdo njëqind njerëz. Pra pak më shumë se një e dhjeta. Kjo vërteton mungesën e suksesit të Covax, nisma e marrë nga OKB  dhe Organizata botërore e shëndetësisë (OBSH), për të shpërndarë kudo imunizimin. Në të vërtetë dështimi nuk është vetëm pasojë e egoizmit të të pasuevet. Një pengesë serioze ka të bëjë me shpërndarjen dhe ruajtjen. Vaksinat më të efektëshme të prodhuara në SHBA kërkojnë një ruajtje në temperatura tepër të ulta, që përbën një problem në zonat nënsahariane ku korrenti elektrik nuk është i bollshëm. Për çdo dollar të çmimit të vaksinës, duhen shpenzuar pesë të tjerë për trasportin dhe ruajtjen deri në destinacionin përfundimtar. Duhet të bëhen llogaritë edhe me një hapësirë jo vax që është madje m’e shtrirë në Vendet e varfëra. N’Afrikën perëndimore vetëm 39 % e popullsisë është e gatëshme të marrë vaksinën: ndërhyjnë paragjykime të lashta dhe mosbesime kundrejt mjekësisë perëndimore, ose kundrejt qeverive vendore që i këshillojnë.

Por hyrja e paktë në vaksinat nuk ka qënë kaq vdekjeprurëse siç frikësohej. Përballë të dhënave mbi vdekësinë e ulët, shumë perëndimorë shtrembërojnë hundën: me që e vërteta nuk përputhet me paragjykimet tona, atëherë statistikat duhet të jenë të pavërteta. Është e mundëshme që Vëndet më të prapambetura të jenë më pak t’aftë për të numëruar vdekjet nga Covidi. Ka një  sistem më të provuar për të shmangur këtë mungesë, është matja e “shtesës së të vdekurve” në të cilën bazohet The Economist. Ndryshimi ndërmjet mesatares së vdekjeve vjetore në vitet 2020 – 2021  dhe periudhës para Covid  na jep tregues të besueshëm e të sigurtë. Kjo matje e paqortueshme vërteton se ploja afrikane nuk ka ndodhur kurrë, madje pandemia ka qënë më dashamirëse në Jugun e Saharasë. Shpjegimi qëndron në moshën mesatare t’atyre popullsive: është 20 vjet kundrejt 43 të Bashkimit evropian. Gjallësia e  bollshme demografike, që shpesh e kemi trajtuar si një plagë afrikane, në këtë rast zbulon një përmbysje pohenike.

Disa shkencëtarë shtojnë një shpjegim plotësues: Vëndet që janë më t’ekspozuara kundrejt malarjes mund të kenë zhvilluar edhe forma të pjesëshme imuniteti kundër Covidit. Kjo e fundit mbetet një hamëndje për t’u provuar; ndërsa mbrojtja e dhënë nga mosha e re është një siguri. Edhe sepse nga Covidi vdesin shpesh njerëz me të tjera patologji si mbipesha dhe sëmundja e sheqerit, më të zhvilluara në moshë të madhe. Rinia ka shërbyer si shqyt, duke kompensuar të tjera mungesa afrikane.

Në këtë kuadër edhe egoizmi shëndetësor i Vëndeve më të pasura është më i arsyeshëm nga si duket: vaksinat i kanë shkuar me përparësi zonave të brishta, që këtë herë janë ato më të pasurat e planetit. Bollëku dhe prekshmëria shkojnë me të njëjtin hap kundrejt Covidit. Edhe se mbetet përjashtimi i mrekullueshëm i një Japonie ende më të vjetër se ne e megjithatë e aftë për të mbajtur një vdekësi “afrikane” (është një lëvdatë).

Kjo nuk duhet të na përjashtojë nga përpjekje të reja për një shpërndarje më të përhapur planetare të vaksinavet. Ndonjë gjykim i mëtejshëm duhet të ushtrohet mbi ato burokraci ndërkombëtare si OBSH së cilës i kemi besuar misionin. Por befasia pohenike e Afrikës përmbledh një mësim edhe për ne. Automatizmat njerëzore që  kanë qënë paragjykimet tona janë, në thelb, mbeturinat e fundit rishkoloniale. Për zakon, për përtaci mendore, jemi stërvitur të mendojmë se gjithshka që ndodh në botë varet nga ne. E quajmë vetën kërthizë të gjithësisë e motor të historisë, edhe se prej kohësh nuk jemi më. Në këtë rast “mea culpa” e ndërgjegjeve perëndimore u shkreh pa mbajtur parasysh faktet dhe jemi fshikulluar për një tragjedi të pandodhur kurrë.

“Corriere della Sera”, 7 janar 2022    Përktheu: Eugjen Merlika        

Filed Under: Sociale

SYLEJMAN SALIHU MBI NJË ÇEREKSHEKULL NË SHËRBIM TË SHKOLLËS SHQIPE NË GJERMANI

January 23, 2022 by s p

Sylejman Salihu, një ndër mësuesit më me përvojë dhe një ndër kontribuesit më të mëdhenjt në themelimin e shkollave shqipe në Gjermani, në një rrëfim dhënë Editorit të gazettes Dielli të Vatrës në New York, Sokol Paja, shpalos të gjithë angazhimin e tij në dobi të mësimit shqip, gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar në Gjermani.

PËRVOJA ME SHKOLLËN SHQIPE NË GJERMANI

Përvojat e mia si mësues në Gjermani janë të ndryshme dhe kapin një periudhë më shumë se një çerek shekulli. Me të ardhur këtu, grumbullova vullnetarisht  një grup nxënësish shqiptarë, pa asnjë detyrim financiar, në qytetin gjerman Bad Oeynhausen, të cilët në fundjavë vinin në Qendren Kulturore të qytetit, sepse ata u treguan shumë bujar dhe na lejuan një lokal mësimor. Për libra shkollor krejt spontanisht iu drejtova me shkrim  Bibliotekës Kombëtare, nëse ata kishin ndonjë libër qoftë edhe të përdorur, për ne. Dhe mrekullia ndodhi: Pas një muaji më vjen një pako me libra nga Tirana, të cilat krejtësisht privatisht i kishte siguruar drejtoresha e bibliotekës, atëherë z. Nermin Basha, të cilën e falenderoj edhe sot shumë dhe të cilën pastaj kam pasur rastin ta takoj në familjen e saj në Tiranë në vitin 1994, ku pata një pritje tepër miqësore. 

SHKOLLA SHQIPE, KTHIM PAS NË KOHË, DUKE KUJTUAR FILLIMET…

Çfarë të them? Në vitin 1996 konkurova në Entin Shkollor të Mindenit bashkë me dy mësues tjerë dhe pas një interviste verifikuese, arrita të përzgjidhem si mësues nga komisioni pranues. Numri i nxënësve të lajmëruar për Shkollë Shqipe ishte i madh, por kur fillova të formoj grupet nëpër pika shkollore, u mërzita shumë, sepse pashë se të punosh me komunitetin tonë ishte e vështirë, për të mos thënë edhe e pamundur. Shumë nga ata që ishin lajmëruar, nuk vinin dhe arsyetimet e prindërve ishin nga më banalet, aq sa nuk ia vlen t‘ i përmendi. Por ngadalë me durim të fortë dhe punë intensive dhe permanente, arritëm bashkë me prindër ta vëmë në binarë procesin e punës. Shkolla shqipe në Gjermani është më së miri në Landin e Rajnës Veriore dhe të Saksonisë së Ulët, kundrejt landeve tjera, që këtë mësim e organizojnë me kontribute vullnetare. Sepse baza materiale, përcakton çdo gjë. Këtu te ne mësuesit paguhen nga shteti, prandaj mbetet vetëm vullneti dhe përkujdesja e prindërve nëse duan t‘ i sjellin fëmijët në shkollë! Por ky vullnet i prindërve, karshi nevojave dhe mundësive që janë është tepër i vogël dhe simbolik. Në landet tjera gjermane, e ato janë shumë, ku mësimi nuk paguhet nga shteti, mësimi mbahet mbi baza vullnetare dhe  mësuesit angazhohen vullnetarisht apo nga shoqatat kulturore shqiptare,gjë që nuk është e lehtë kjo punë, sepse mësuesit atje bëjnë edhe punë tjera për të mbijetuar dhe për të mbajtur familjen e tyre.  

SHKOLLAT SHQIPE DHE BASHKËPUNIMI ME AMBASADAT DHE KONSULLATAT E SHQIPËRISË E KOSOVËS

Shkollat shqipe në diasporë kanë nevojë të vazhdueshme  të ndihmohen, të përkrahen, të motivohen, në mënyrë institucionale nga shteti amë, përkatësisht nga ambasadat dhe konsulatat tona kudo qofshin ato. Por a ndodh kjo në të vërtetë? Fare pak, për të mos thënë aspak. Në fillim askush nuk e ka çarë kokën aq shumë, përjashto ndihmën morale dhe kurajën  që ndonjëherë nuk mungonte. Ambasadat apo konsulatat tona nuk kanë mundur apo nuk kanë dashur,sepse kjo ndihmë nga ato ka qenë pothuajse minimale, krahasuar për shembull me disa konsulata të vendeve tjera, si për shembull ajo portugeze, të cilat i kanë marrë menjëherë vet punët e shkollave në dorë  dhe kanë siguruar edhe mësuesit e tyre, të cilët edhe janë ndihmuar apo paguar institucionalisht. Përjashtim këtu bën Kosova ,e cila  edhe pse e okupuar, ka bërë çka ka mundur, madje ka bërë e vetme të pamundurën për të gjithë fëmijët shqiptarë nga të gjitha tokat etnike. Shqipëria, përveç fjalëve boshe, ka pasur komoditetin të mos bëjë pothuajse asgjë. Pse mund të thuhet kështu? Më kujtohet njëherë para 12-13  vjetësh më thërret një zë nga telefoni i ambasadës së Shqipërisë në Berlin dhe më kërkoi emrat e shkollave, adresat dhe numrin e nxënësve, duke më premtuar se do të më furnizonin tash e tutje me libra dhe materiale tjera mësimore! U habita nga kjo zemërgjerësi dhe u gëzova shumë. Por çka ndodhi pastaj? Kurrgjë, veç pritjes së kotë, sepse kjo ndihmë nuk ndodhi kurrë! Megjithatë sot ka një ndryshim. Përveç Kosovës që në vazhdimësi, madje para lufte dhe pas lufte  me një mijë plagë në trup, ka botuar libra shkollorë për fëmijët tanë në shkollat e diasporës duke i shpërndarë nëpër ambasada e konsulata, tash ka filluar këtë punë ta bëjë edhe shteti shqiptar, bashkë me Ambasadën e Shqipërisë. Por kjo ka ndodhur vetëm para disa muajsh në vitin  2021. A nuk është pak, që vetëm pas tridhjetë vjetësh të rënies së diktaturës!?

SHKOLLA SHQIPE DHE NDËRGJEGJËSIMI I PRINDËRVE

Për ndërgjegjësimin e prindërve mund të themi se ka një ndërgjegjësim minimal, madje paturpësisht minimal. Prindërit shqiptarë nuk e kanë atë etje të madhe siç e kishin dikur për gjuhën shqipe para lufte. Pse? Sepse fëmijë nëpër shkollat shqipe ka pasur  më shumë para luftës së Kosovës.Me të mbaruar lufta, ra ky entuziazëm për shkollën shqipe. Ata fëmijë që mbeten në Gjermani, shumë pak u përfshinë nëpër shkollat dhe kurset e gjuhës shqipe. Prindërit menduan se me të çliruar të Kosovës, edhe ata “u çliruan” nga shkolla shqipe? Është tepër qesharake kur dëgjojmë se prindërit shpesh i pyesin fëmijët e tyre nëse ata duan të shkojnë në shkollën shqipe që të mësojnë shqip? E ku ka fëmijë që shkon në shkollë me qejf pasdreke, pasi ka mbaruar mësimin në shkollën gjermane, nëse nuk e detyron prindi? Shkolla është vullnet, por shkolla duhet të jetë edhe detyrim, nëse duam t‘ i ruajmë fëmijët nga asimilimi.Në këtë drejtim prindërit tanë meritojnë të qortohen shumë. Të gjitha nacionalitetet dhe komunitetet tjera të huaja  kanë më shumë shkolla, më shumë  fëmijë dhe më shumë mësues, kurse ne duhet t‘ i numrojmë në gishta.Unë punoj në pesë qytete, ku ka fëmijë shqiptarë „ me bollëk“, që nuk vijnë në shkollë se po të vinin do të kishte vend për pesë mësues, domethënë së paku nga një mësues për çdo qytet. Neve na rastisë që nëpër shkolla ku punojmë të takojmë fëmijë shqiptarë, të cilët nuk vijnë në mësimin e gjuhës shqipe dhe kur ndonjëherë i pyesim vetëm për kurreshtje se pse nuk vijnë të mësojnë shqip, fëmijët e padjallëzuar përgjigjen sinqerisht, se „babi ka thënë jo“!!!Çfarë baballarësh janë ata? Prindërit tanë janë rrahagjoksa të mëdhenj me fjalë nëpër vende publike apo në takime me bashkatdhetarë, kurse kur vije puna ta konkretizojnë „entuziazmin“ e tyre të rrejshëm ikin dhe fshihen.Për këtë arsye asimilimi, tashmë ka hyrë nëpër shtëpitë e familjeve shqiptare në diasporë dhe ndonëse mysafir i paftuar ai tashmë është bërë pjesë e jetës së tyre. Por ka edhe një anomali që është më trishtuese: nëse prindërit shqiptarë nuk mund t‘ i sjellin fëmijët në shkollën shqipe , pse të paktën nuk flasin  shqip me fëmijët e tyre nëpër shtëpitë e tyre? Sepse, ajme, siç do të thoshte Noli, as këtë ata nuk e bëjnë.

GJUHA SHQIPE SI IDENTITET KOMBËTAR

Sami Frashëri ka thënë se nuk ka shqiptarë pa gjuhë shqipe dhe nuk ka Shqipëri pa shqiptarë. Në diasporën shqiptare gjuha shqipe është çelësi kryesor , që e hapë dhe e mbyll portën e identitetit shqiptar. Derisa kjo portë dikund vazhdon fatlumësisht të rrijë ende e hapur,  dikund tjetër , mendoj në shumë familje, tashmë është mbyllur. Fëmijët shqiptarë që vizitojnë rregullisht mësimin e gjuhës amtare, janë më komunikativ,  me të hareshëm. Ata dinë për historinë, për gjeografinë,për kulturën shqiptare. Dinë të lexojnë,të shkruajnë, të flasin, të këndojnë. Kanë në vete edhe një lloj krenarie. Veçanërisht kur rriten dhe japin provimin e gjuhës shqipe, ndjehen tepër të lumtur se mund të dëshmojnë veten e tyre se kanë identitet gjuhësor dhe identitet kombëtar.Nuk mjafton të thuash se je shqiptar e të mos dishë asnjë fjalë shqip! Duhet dhënë prova. Nëpër komisionet provuese gjatë provimeve, qëllon që të kemi edhe drejtues shkollash gjermane, të cilët habiten pastaj me rezultatet që tregojnë fëmijët tanë, për çka edhe u bëjnë lëvdata. E kur nxënësit dalin nga provimet me rezultae të mira, ata ndjehen tepër të gëzuar se janë shqiptarë dhe dinë shqip. Këtë e bën shkolla, natyrisht. Unë kam nxënës nga gjithë gjeografia  shqiptare, ndonëse dominojnë ata nga Kosova. Por ndodh që fëmijët me origjinë nga Ulqini apo Presheva të vijnë në shkollë nga 30 kilometra larg pikës mësimore, kurse fëmijët nga Shqipëria e Kosova janë brenda në shkollë dhe nuk vijnë të mësojnë shqip.Kjo, sepse prindërit „janë ngopur me vetveten“ dhe duan të duken të tjerë!!!Është e habitshme për të konstatuar se sa lehtë shqiptarët pranojnë të asimilohen, kundrejt pakicave të tjera, të cilët ruajnë me fanatizëm identitetin e tyre kombëtar, kulturor e gjuhësor! 

VËSHTIRËSITË E MËSIMIT TË GJUHËS SHQIPE TE FËMIJËT ME DY GJUHËSI

Gjithmonë ka një arsye për të thënë se është vështirë. Dhe sigurisht se ka vështirësi për të mbajtur dhe kultivuar dygjuhësinë. Por përderisa kjo për të rriturit është e vështirë, për fëmijët nuk del të jetë aq , nëse ka edhe një përkujdesje familjare dhe shkollore.Pedagogu zviceran Dr.Bazil Shader në një punim të doktoranturës ka konstatuar se fëmijët shqiptarë që kanë vijuar shkollat shqipe në Zvicër, kanë qenë më të mirë me mësime edhe në shkollat gjermane, krahasuar me ata të cilët nuk kanë shkuar fare në shkollë shqipe. Sepse gjithmonë  një gjuhë ndihmon për të mësuar një gjuhë tjetër, aq më tepër që gjuha amtare është çelësi magjik i të mësuarit të të gjitha gjuhëve tjera të huaja. A nuk e kanë dëshmuar këtë Noli dhe Konica, të cilët duke e njohur mirë gjuhën shqipe, kanë mundur të njohin më shumë se dhjetë gjuhë tjera botërore? Kjo, sepse gjuha amtare ua ka hapur atyre portën linguistike të mësimit të shumëgjuhësisë.Gjuha amtare është mrekullia vet. Fëmijët që nuk e dinë gjuhën shqipe tërhiqen pastaj edhe nga festat, edhe nga takimet me bashkatdhetarë, sepse përderisa nuk e dinë gjuhën shqipe, ngurrojnë dhe kështu për pasojë ata tashmë kanë marrë tiketën e rrugëtimit për asimilim dhe natyralizim.

Filed Under: Opinion

E shkuara që akoma vret

January 23, 2022 by s p

Ilir Levonja/

Në një market lagjeje, ku shiten edhe libra, pashë një grua që i bërtiste zonjës në banak. A e di se kush është ky? Më ka vrarë të gjithë familjen, m’i vrau e m’i zhduku. Sot jam e vetme këtu, e vetme. Një e arratisur me turmën. Nuk ma hap kush derën. Nuk më merr kush në telefon. Ky është një ndyrësirë. Një farë e keqe për njerëzimin. Dhe ju e publikoni, e shisni, thoshte ajo. Tunde në ajër një libër, por tjetra përballë mblodhi supet. Me një durim të kulluar ia ktheu se ndjente keqardhje për familjen e saj të humbur. Se do ia përcillte mesazhin atyre që kishte mbi krye etj. Por gruaja nuk u mjaftua me aq, i kërkoi numrin e telefonit të bordit të kompanisë, la librin në banak dhe doli kaq e lodhur, kaq me lot, plot me gulçe dhe humbi përjashta në të përditshmen tonë. U bëra kureshtar dhe u afrova. Gruaja e banakut hoqi kopjet nga vitrina. Bëhej fjalë për një libër enciklpodei mbi 25 emra që i kishin dhënë si të thuash fytyrën shtetit të Floridës. Aty kishte plot personalitete, bamirës t; mëdhenj në shtrirjen e rrjetit rrugor. Si rasti i Barron Collier (1873-1939) i cili kur qarku ku ai banonte nuk kishte fonde për të përfunduar pjesën që i takonte, ashtu siç kishin bërë qarqet e tjerë, ai i tha qytetit ja ku i keni paratë. Rruga u bë, është edhe sot, një nyje që lidh Tampan me Miamin, ose Tamiami Trail. Apo si i riu Xhorxh Uashington Jenkis (1907-1996) që ngriti rrjetin e supermarketeve Publix., etj., deri tek fiset autoktone indiane. Çfarë e irritoi gruan qe përfshirja e të ashtuqujtuarit liderit kubanez, Fidel Kastro. I hodha një sy përciptas. Dhe vura re se Fideli qe përfshirë aty thjesht si faktori që ngriti në mes të Miamit një tjetër qytet, Havanën e vogël (Litle Havana). Sot Havana e vogël është me pak fjalë një nga përfaqësuesit e më të mirës së gjenalogjisë kubane për faktin e një atdheu të munguar të emigrantëve. Havava e vogël është pikërisht Kuba e lirë me të gjithë sharmin e saj nga fabrikat e purove, muzika dhe më e rendësishmja, streha e emigrantëve. Aty nisin jetën amerikane jo më vetëm kubanezët, por edhe ata nga Hondurrasi, Nikaragua, Panamaja, Venezuela, thuajse gjithë të ardhurit nga Amerika Latine. Pra shkaku ku i ekzistencës së kësaj Havanës në mes të Majemit është pikërisht Fidel Kastro dhe regjimi i tij. Eksodi i madh kubanez nga reprezaljet dhe dëbimet e vitit 1963. Megjithatë, edhe pse fakt historik është i shëmtuar, prapë të dhëmb kur dëgjon e shikon se si një grua qan e këlthet krejt e vetmuar në një botë të madhe. Ajo ka tashmë lirë e saj si person, por jo atë shpirtërore. Kurrë nuk mund ta kuptojmë dot dhimbjen e saj. Krahas faktit që m’u duk si një personazh pavionesh të sëmurish mendor, ndjeva edhe respekt për dhimbjen e saj. Paralelisht m’u kujtuan firot njerëzore nga diktatura e vendit tim. Edhe unë vi nga një vend me regjim kokë më kokë si ai Fidelit. Me të zhdukur, me të varur, burgosur e internuar. Ndryshe nga Kuba sot, ne jemi hapur. Megjithatë të dërrmon fakti i një ndarje publike me të kaluarën. Dosjet kurrë nuk u hapën. Ndjesa publike kurrë nuk u dëgjua. Për më keq akoma, pinjollët e xhelatëve votohen dhe qeverisin. Mbase diku, dikund edhe ndonjë shqiptar(e), i këlthet tek e fundit ndonjë librashitësi në botë, për ndonjë botim mbi Enverin. Them nëpër botë se në Shqipëri çdo gjë ka mbaruar, në Shqipëri kanë filluar ta lavdërojnë.

Filed Under: Analiza

Prioritetet programore të Platformës për kryetar të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”

January 22, 2022 by s p

Nga Elmi Berisha

Nga programi im gjithëpërfshirës për udhëheqjen e “Vatrës” në mandatin e ardhshëm, do të fokusohem në dymbëdhjetë prioritete programore me të cilat synoj ti çoj përpara, të rris kapacitetet vepruese e ndërvepruese dhe të masivizoj në aspekt shumëdimensional organizmin patriotik më të vjetër të shqiptarëve në SHBA.

  1. Do të vazhdoj të promovoj vlerat e kultivuara nga “Vatra” brez pas brezi që nga themeluesit e saj në avansimin e çështjes shqiptare dhe trojeve etnike gjithandej, duke u mbështetur në parimet e vlerave demokratike dhe civilizuese mbi të cilat veprojnë institucionet dhe shteti amerikan;
  1. Do të reformoj dhe freskoj  “Vatrën” duke u hapur ndaj brezit të ri të bashkëkombasve tanë në SHBA, ndaj ideve të reja, alternativave kreative që promovojnë kombin tonë dhe vlerat e tij në institucionet amerikane qoftë politike, ekonomike, edukative, shkencore dhe kulturore;
  1. Me ngritjen e këtyre kapaciteteve me brezin e ri të edukuar në SHBA, duke ofruar profesionist të fushave të ndryshme, do të vazhdojmë forcimin e lidhjeve shumëdimenzionale me institucionet vendimarrësë të SHBA-ve si Senatin, Kongresin dhe Stejt – Departamentin amerikan në funksion të avansimit të cështjes shqiptare, në rrafshin politik, ekonomik, edukativo – shkencor, kulturor dhe afirmativ për kombin tonë;
  1. “Vatra” do të jetë institucion avangard i shqiptarëve në SHBA, duke ruajtuar parimet e neutralitetit, duke mbajtur pozicione të forta apartiake dhe duke përcuar mesazhin se ne jemi të të gjithëve dhe se misioni ynë është zhvillimi dhe avansimi në të gjitha fushat i kombit tonë dhe të gjitha trojeve etnike pa përjashtim;
  1. “Vatra” do të bashkëpunojë ngushtë me Qeveritë e Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesit e zgjedhur nga vota e lirë të shqiptarëve në Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi, do kërkojë drejtësi për Çamerinë, do luftojë për të mirën e të gjithë bashkombasve, në funksion të bashkërëndimit, bashkëpunimit dhe koordinimit të përbashkët për avancimin e gjithmbarshëm në rrafshin politik, ekonomik, arsimor e kulturor të gjithë kombit tonë.
  1. Dixhitalizimi i Gazetës Dielli dhe gjetja e sponsorëve me qëllim që gazeta të rritet në staf, rubrika, cilësi dhe siguria financiare e vazhdimësia  të jetë e padiskutueshme.
  1. Seli e re qëndrore për Federatën Panshqiptare “VATRA” me qëllim që ndërtesa e re të jetë multifunksionale dhe të përmbushë nevojat dhe kërkesat e kohës. 
  1. Krijimi i Bibliotekës Shkencore të Vatrës dhe pasurimi me tituj shkencor më qëllim që kjo Bibliotekë të kthehet në njësi kërkimore për të gjithë studiuesit dhe studentët shqiptarë në USA dhe jo vetëm. 
  1. Krijimi i Degëve të reja të Vatrës në shtetet kryesore të Amerikës dhe në Kanada.
  1. Bashkëpunime të frytshme me Akadaminë e Shkencave të Shqipërisë e Kosovës, me Institutet Kërkimore e Shkencore në Shqipëri e Kosovë dhe të gjitha Institucionet e Arsimit të Lartë në këto dy shtete dhe në mbarë hapsirën shqipfolëse.
  1. Krijimi i një fondi të veçantë për botimet me qëllim që Vatra të mbështesë studiuesit, shkrimtarët dhe botuesit e rinj.
  1. Rritje e Fondit të Studentëve, gjetja e sponsoreve e mbështetësve të fuqishëm me qëllim që Vatra të mbështesë vit pas viti me Bursa sa më shumë studentë shqiptarë. 

Filed Under: Featured

KUR “ARNAUTISTANI” DIGJEJ PERANDORIA TURKE-OSMANE KRIHEJ

January 22, 2022 by s p

Në përkujtim të 160 vjetorit të luftës së Kërnicës (17 janar- 23 shkurt 1862). 

NGA NDUE BACAJ

“HYRJE” 

Në përgjithësi historia jonë ka shkruar më shumë për luftrat e kryengritjet që shquhen për fitore të të parëve tanë mbi armiqtë pushtues apo grabitqarë të trojeve tona ndër shekuj. Ndërsa unë në këtë shkrim të shkurtër historik dua të bëj disi të kundërtën. E them të kundërtën pasi dua të përkujtoj 160 vjetorin e një luftë të përbashkët të Malësorëve, Shkodranëve, Ulqinasve, Krajanëve dhe Dukagjinasve,  të cilët megjithëse luftuan heroikisht në mbrojtje të trojeve tona, ata e humbën këtë betejë të përgjakur mbrojtëse të lirisë nga invazionet sllave të Malit të Zi… Kjo betejë luftarake e “humbur” njihet “pak” në analet e historisë si Lufta e Kërnicës. Lufta e Kërnicës vjen fill pas gjëmimit famëmadh që tronditi jo vetëm sarajet e pushtuesit shekullor Otoman që tashmë kishte filluar të lëngonte, por mbi të gjitha pallatet e Kralit të Malit të Zi, e pse jo edhe të Europës së përgjumur. Ky gjëmim vinte nga kulla e Vraninës me në krye Oso “barotin”, Kuken me trimat e “tij” malësorë e shkodranë…  Po në atë kohë Mali i Zi dhe fqinjë të tjerë kishin filluar të marrin zemër për dy arsye, së pari se Europa nën “syzet” e fuqishme të Rusisë e ndonjë fuqie tjetër europiane, vendosnin vija e hije në trojet tona për të “ngopur” pangopësinë e Sllavëve, dhe së dyti, fuqia e pushtuesve  shekullorë Turko-Osman  kishte filluar të lëkundej e gati të shembej për tokë nga pesha e pushtimeve, keq-qeverimeve e krimeve shumëshekullore që kishin ushtruar mbi Shqipërinë e më gjerë. Në këto kushte perandoria turke-osmane që mbante të pushtuara prej shekujsh trojet shqiptare, për të “shpëtuar” diçka nga vehtja , bënte “sehirë” para krimeve e pushtimeve të fqinjëve shoven-sllav  që donin të grabisnin sa më shumë nga trojet etnike shqiptare…

LUFTA E KËRNICËS 17 JANAR -23 SHKURT 1862… 

Si datë e fillimit të luftës së Kërnicës njihet 17 janari i vitit 1862, luftë që zgjati “periodikisht” deri me 23 shkurt 1862, kur Malazezët e pangopur kishin pushtuar Kërnicën tërësisht shqiptare, si me popullsi dhe territor. Këto troje shqiptare të pushtuara nga malazezët, në të ardhmen donin t’i përdornin edhe si pikë strategjike për pushtime të tjera të trojeve shqiptare. Lajmi i pushtimit të Kërnicës  u përhap si rrufeja, në formën e një kushtrimit që e dëgjoi jo vetëm Shkodra e Malësia, por edhe Ulqini, Kraja, Dukagjini e më gjerë. Madje për të shkuar për të luftuar për çlirimin e Kërnicës u grumbulluan menjëherë 500 vullnetarë që përbëheshin momentalisht nga Shkodranë, Malësorë e Ulqinakë të cilët, pa vonuar e pa marrë parasysh rreziku u nisën në 40 lundra që tërhiqeshin nga një avullore e kohës. Duhet sqaruar se pushtuesi shekullor turko-osman ju kërkua ndihmë nga vullnetarët për të çliruar e mbrojtur trojet shqiptare, që njëkohësisht “njiheshin” si  trojet e “vetë” perandorisë turke-osmane. Por ndihma ishte thuajse zero, madje shpesh kjo perandori e të keqes për të shpëtuar veten ishte gati të falte pjesë të “sajë”. Gjithsesi shqiptarët e këtyre trojeve që kishin kundërshtuar me armë në dorë edhe vetë pushtuesin turko-osman, ishin gati të mbronin me çdo çmim çdo pëllëmbë të trojeve të tyre, që Zoti jua kishte falur që herët kur krijoi njeriun mbi tokë. Tashmë këto trima pasi lundruan për disa kohë zunë vend në katundin Shestan, ku edhe do të përgatiteshin për të çliruar Kërnicën e pushtuar. Por Malazezët me të marrë vesh sulmuan vetë Shestanin, duke shkaktuar për një ditë mjaft gjak e mjerim si ndër 500 burrat luftëtarë të lirisë të trojeve shqiptare, por edhe në forcat e tyre të shumta. Sipas kronikës së M.Sirrit, në “Almanaku Shkodra” e vitit 1962, fq.143, (Cituar  nga “Shkodra dhe Motet, vll.I-rë”, fq.415-420 të Hamdi Bushatit,”Mësues i Popullit”, botim i vitit 1998), janë të shënuar si luftëtarë të rënë dëshmorë: Hysen Rrjolli, Zenel Egçi, Salih Ishaku, Oso Verçana dhe 20 vetë (pa emra) nga Kopliku. Mjerisht këta trima Malësorë që derdhën gjakun për lirinë e këtyre trojeve nuk kanë askund emrat e tyre që meritojnë shumë më shumë se kaq. Pas kësaj beteje në Shestan forcat Malazeze u thyen dhe u tërhoqën në Kernicën e pushtuar. Gjatë këtyre ditëve të tmerrshme në Shkodërlocen u grumbulluan mbi 600 luftëtarë të tjerë të cilët ishin nga Shkodra e Dukagjini. Kjo forcë luftëtarësh tashmë komandohej nga Hasan Hoti, por pa vonuar nga viset e sipërshënuara shqiptare do të mblidheshin vullnetarë të tjerë, të cilët do të niseshin për çlirimin e Kërnicës së pushtuar. Me të mbërritur afër Kërnicës u ndez lufta në mes vullnetarëve Shqiptarë dhe pushtuesve Malazezë, ku duhet shënuar se kjo luftë ishte disi e pabarabartë, pasi Malazezët ishin më të organizuar ushtarakisht, ishin me armatimet më moderne, të fortifikuar në pozicionet e tyre, por edhe shumë më të shumtë në numër. Gjithsesi beteja ishte tepër e ashpër, por trimat shqiptarë luftuan me heroizëm të pashoq, deri edhe trup më trup, shpatë me shpatë e bajonetë për bajonetë. Për fat të keq shqiptarët me gjithë trimërinë e tyre në këtë betejë të pabarabartë humbën mjaft luftëtarë të lirisë gjatë luftimeve, por edhe u zunë robë nga Malazezët mjaft të tjerë, duke përfshirë edhe vetë Hasan Hotin… Madje nga gojëdhënat që përmend Hamdi Bushati tek “Shkodra dhe Motet” vll.I-rë ,thuhet që robër u zunë rreth 600 luftëtarë vullnetarë shqiptarë, si dhe ranë duke luftuar në fushën e betejës rreth 500 vullnetarë të tjerë  shqiptarë. Madje në këto shkrime të tij (H.B.) theksohet se sipas kronikës të M. Sirrit u janë prerë kryet e marrë kokat nga malazezët plot 105 shqiptarëve. Disfata e luftëtarëve shqiptarë shkon aq larg sa thuhet se shpëtuan nga zënia rob apo nga vdekja fare pak, e ndër këta thuhet se ishin Halil Kopliku dhe Çun Mula i Hotit. Po në këtë kronikë (kronika e M. Sirrit) shënohen emrat e këtyre  dëshmorëve të rënë nga Shkodra në këtë luftë: Abdylla Agë Drishti, Hysen Begu i Beqir Begut, Hasan Beg Ulqini, Hyso Bordullaku, Jusuf Djepaxhia, Man Hil Hoxha, Salo Cani, Fetah Salo Texhali, Taro Dragusha, Gush Kruja (nipi i Can Krujës), Abdyl Rama, Kaso Shkreli (vëllai i Dasho Shkrelit) e tjerë.  Në këtë betejë shkruhet se u dalluan malësorët trima për të cilët ka një listë emrash me dëshmorë e të plagosur vetëm nga Bajraku i Hotit të cilët janë marrur nga regjistrat e famullisë, (dhe të shenuar nga Hamdi Bushati në “Shkodra dhe Motet”vllimi I-rë ), të cilët cilësohen se kanë rënë në fushën e betejës si dëshmorë të lirisë: Lekë Ulja,  Mirash Martini, Prelë Marku, Tomë Luli,  Gjokë Martini, Gjon Ujka,  Shyt Preçi,  Prekë Mark Luci,  Vas Bardhi. Ndërsa të plagosur në këtë luftë janë të shënuar trimat: Pjetër Pali, Prelë Marashi, Ulë Martini, Marash Gjeloshi, Mirash Hasi, Tomë Gjoni, Gjeto Preçi, Lulash Vuji, Prek Nik Vuli, Gjeto Preç Doka, Prelë Mark Toma dhe Lucë Marku. “Ndahen” për trimni në këtë luftë kundër Malazezëve Lan Ula i cili ka pre tre krena Malazezësh, pastaj vijnë Marash Ula që ka pre një krye (malazezi), Gjelosh Nika që ka pre një krye (malazezi), Lekë Ula që ka pre një krye malazezi (para se të plagosej), Gjon Nika që ka pre një krye malazezi dhe ka marrë bajrakun, Marash Daka ka pre një krye (malazezi), Lekë Pëllumbi ka pre një krye (malazezi), Prelë Preka ka pre një krye (malazezi), Marash Leka ka pre një krye (malazezi), Dedë Vuji ka pre një krye (malazezi), Tomë Pashani ka pre një krye (malazezi), Prekë Gjeloshi ka pre një krye (malazezi), (Hamdi Bushati ; Tomë Preçi ka marrë një krye (malazezi), Nikë Miculi ka marrë një krye (malazezi). (Hamdi Bushati,Shkodra dhe Motet,traditë, ngjarje, njerëz… Vll. I. Fq.417-418). Gjithsesi gojëdhënat trashëgohen edhe për trimërinë e luftëtarëve Krajanë e Dukagjinas, që dhanë jetën apo u plagosën e tjerë, por mjerisht pa asnjë emër konkret. Gjithashtu në këto gojëdhëna apo shkrime duke përfshirë edhe ato të kronikës të M.Sirrit e Hamdi Bushatit që i cituam më sipër, “tregohet” edhe për trimërinë e shqiptarëve Ulqinakas, ku emri i trimit në krye të Ulqinasve Mustafa Broçit, tregohet edhe sot si legjendë, ku thuhet se pasi luftoi me Malazezët dhe preu disa koka të tyre, erdhi momenti dhe këtij trimi ia prenë kokën Malazezët, por edhe kështu me kokë të prerë ka ecur plot shtatë hapa të tjerë… Përmendet për trimëri Ceno Begu i cili u printe Ulqinakëve, por edhe trimat Daut Pelinku dhe Halil Beci e tjerë. Por edhe pas kësaj lufte që mund të quhet e humbur, Shqiptarët- Malësorë, Shkodranë, Ulqinakë, Dukagjinas e tjerë nuk e humbën zemrën e trimërinë për t’u dalur zot trojeve të tyre etnike, ata edhe pas kësaj zhvilluan beteja të tjera në mbrojtje të trojeve shqiptare që perandoria turko-osmane tashmë i kishte lënë “hali”, ndërsa Europa i kishte nxjerrë në Ankand… Gjithsesi Malazezët e tjerë pas kësaj morën disi “zemër” nga beteja e “fituar” e Kërnicës të cilët edhe pse e kishin paguar mjaft shtrenjtë, nuk u “ngopën”, në grabitjen e trojeve shqiptare, duke detyruar kështu shqiptarët Malësorë, Shkodranë, Ulqinakë, Dukagjinas e më gjërë të zhvillojnë dhjetëra beteja të tjera që vazhduan nga Shestani, Muriqi, Palva, Gucia, Tivari, Hoti, Gruda, Ulqini, Shpuza, Kosova e tjera troje të Shqipërisë Etnike e asaj “londineze”. Mjerisht disa nga këto treva që përmenda më lart Europa që kishte forcën por jo të drejtën ia “fali” për zgjerim Malit të Zi, Serbisë, “Maqedonisë” e tjerë, e një ndër të parat “viktima” që “bekoi “ në gojën e ujkut sllav Europa plakë ishte edhe Kërnica e përgjakur e cila tashmë ka pësuar fatin tragjik (druar) pa kthim, duke u bërë pjesë e Malit të Zi, ku sot kjo trevë dikur shqiptare banohet nga jo pak malazezë ardhacakë pas vitit 1862, ose nga ata të paktë banorë shqiptarë që në kushtet e mbijetesës dalëngadalë u sllavizuan, duke humbur jo vetëm emrin, besimin, gjuhën, por mbi të gjitha, fatkeqësisht me shumicë edhe ndërgjegjen se janë pjesë e trupit dhe gjakut shqiptar që rrinë tuj vlue… 

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2448
  • 2449
  • 2450
  • 2451
  • 2452
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT