• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FEKRIJE KONJUSHA U ZGJODH SI DELEGATE PËR KUVENDIN E VATRËS NGA DEGA E VATRËS, HARTFORD, CT

January 22, 2022 by s p

Me 21 Janar 2022, ne lokalet e restaurantit “Hilltop” ne Willington, u mbajt mbledhja e pergjithshme e kryesise, dhe te gjitha anetareve aktive te kesaj dege. Mbledhjen e hapi kryetari i Deges, Z. Milaim Tahiri, i cili pasi i falenderoi dhe pershendeti te gjithe pjesemarresit, e falenderoi nikoqirin e kesaj mbremje Z. Ben Tena, i cili perhere eshte i gatshem ti prese vatranet ne hapesirat e restauranitit te tij. Gjithashtu u falenderuan edhe avokati Benjamir Shehu i cili gjithmone ka qene ne krah te organizates me ndihmesen e tij profesionale, si dhe Z. Val Gjomarkaj i cili poashtu gjithmone i ka ofruar hapesirat e restorantit te tij ne sherbim te organizates sone. U falenderua per pjesmarrje edhe mysafiri i mbremjes Z. Besim Malota – kryesues i Komisionit per pergatitjen e Kuvendit te Pergjithshem te Vatres qe do te mbahet me 26 Shkurt 2022 ne New York. Pastaj u dha nje raport per aktivitetin dyvjecar te deges, dhe u vazhdua me pikat e rendesishme qe duhet te merremi se shpejti; prurja e kuadrove te reja, rritja e numrit te anetareve e posaqerisht femrave, riorganizimi dhe zgjedhja e kryesise se re, si dhe nevoja dhe rendesia e hapjes se shkolles shqipe. Pati debat te hapur, ide dhe iniciativa te ndryshme lidhur me keto pika dhe ne bisede u inkuadruan te gjitha anetaret e kryesise dhe pothuajse te gjitha te pranishmit. Pika e fundit ishte zgjedhja e delegateve (delegatit) qe do te perfaqesonte degen e Hartfordit ne Kuvendin e Pergjithshem te Vatres me 26 Shkurt ne New York. Lidhur me kete pike ne bisede u inkuadrua Z, Besim Malota, i cili ne funksionin e kryesusesit te Komisionit pergatitor te kuvendit e shpjegoi se ne baze te kanunores dhe rregullave ne fuqi te percaktura nga komisioni, dega jone e ka te drejten qe te dergoje nje delegat ne Kuvendin e muajit te ardhshem ne New York. Me vendim unanim u vendos qe perfaqesuse nga dega e Hartfordit te jete Zj. Fekrije Konjusha, profesoreshe ne arsimin superior.Per fund u shtrua nje darke nga ana e nikoqirit, dhe ndeja vazhdoi deri ne oret e vona me diskutime nga me te ndryshmet.
Dega e VATRES, Hartford, CT 21 Janar, 2022

Filed Under: Vatra

HOXHË KADRI PRISHTINA, I CILI MË MIRË SE ÇDO KUSH TJETËR MISHËRON LIDHJEN NË MES SHQIPËRISË DHE KOSOVËS

January 22, 2022 by s p

Nga Qemajl Morina/

Jeta dhe vepra e Hoxhë Kadri PrishtinësHoxhë Kadriu është biri i Lutfullahut, i cili kishte nëntë fëmijë. Në vitin 1878, vit i shënuar në historinë e kombit tonë, Lutfullahut i lindi djali i parafundit, Kadriu. Ishte viti i ngjarjeve të mëdha, që synonin pikën kulmore të Rilindjes shqiptare. Kadriu i vogël u mëkëmb e hodhi shtat së bashku me ato ngjarje dramatike të Atdheut, të cilat i mbetën në kujtesë të pashlyera për tërë jetën[2].Hoxhë Kadri Prishtina, i cili më mirë se çdo kush tjetër mishëron lidhjen në mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ai u lind në Kosovë, ku edhe kaloi një pjesë të rinisë, kurse në Shqipëri kaloi pjesën tjetër të jetës deri në vdekje. Në Shqipëri, ai zhvilloi pjesën më të gjatë të aktivitetit të tij politik, i cili kishte tre synime kryesore:I pari: forcimin dhe demokratizimin e shtetit shqiptar, sepse pa një shtet të qëndrueshëm dhe të fuqishëm shqiptar nuk kishte mundësi të ketë një Kosovë të lirë.I dyti: çlirimin e Kosovës dhe trojeve tjera shqiptare nga okupimi sllavo-grek, për ta realizuar atë, ai themeloi “Komitetin për mbrojtjen e Kosovës”.I treti: ruajtjen e identitetit kombëtar dhe fetar të shqiptarëve, për çka nxori revistën “Udha e s’Vërtetës”.Përgatitja shkolloreNë vitin 1885, kur Kadriu arriti moshën për shkollë, i ati e dërgoi në shkollën fillore turke të Prishtinës. Shkollën fillore dhe plotore të qytetit e kreu me sukses. Duke e parë etjen e birit për të mësuar, i ati e regjistroi në gjimnazin turk të Shkupit. Edhe në Shkup Kadriu u dallua midis shokëve për zgjuarsinë e tij dhe la mbresa te mësuesit. Zelli i Kadriut për të mësuar e shtyri Lutfullahun të mendonte mirë për të ardhmen e birit. Djalit i duhej krijuar mundësia që të vazhdonte shkollimin më tutje. Kjo ishte porosia e shokëve dhe e mësuesve për të birin.Në atë kohë, profesioni i mësuesit si dritëdhënës i kombit, ishte një dëshirë e flaktë e të gjithë atdhetarëve, prandaj dhe Lutfullahu të birin e regjistroi në “Daru-t-Tedris”, shkollë e lartë pedagogjike në Stamboll[3].Për dy vjet rresht ai doli i shkëlqyeshëm në shkollën e lartë pedagogjike dhe mori diplomën. Ai mësoi pedagogji, psikologji, histori, letërsi etj. Por, për Kadriun kjo shkollë dyvjeçare qe gjysmake. Ai donte të vazhdonte më tej në këtë degë, por nuk iu dha mundësia. Megjithëkëtë, u regjistrua në Medresenë Islame të Fatihut në Stamboll. Atje, përveç shkencave islame, mësoi gjuhën arabe dhe persishten. Edhe këtë shkollë e mbaroi me sukses të shkëlqyeshëm. Më 1903, në moshën 25-vjeçare, u regjistrua për të marrë provimet e drejtësisë me korrespondencë dhe më 1904 i mbaroi ato, duke marrë gradën shkencore “Profesor’’[4].Formimi patriotikGjatë kohës sa vazhdonte studimet në Stamboll, ai u fut në klubet patriotike, që qenë krijuar atje. Dhe krijoi lidhje të ngushta me atdhetarë shqiptarë. Takimet dhe bisedat që zhvillonte me ta, ndikuan në formimin e tij atdhetar të mëtejshëm, për të kapur më kryesoren ndër hallkat e atdheut. Patriotët paraprijës i quajti mësues të tij, kurse dijet që përfitoi prej tyre, i vlerësoi si universitet më vete. Ai recitonte e komentonte me pasion veprat e bashkatdhetarëve, si të Samiut, Naimit, Pashko Vasës, Hoxhë Tahsinit etj. Për një kohë ai u bë një ndër veprimtarët më të flaktë në rrethet patriotike shqiptare të Stambollit. Tanimë, në shenjë respekti, ata filluan ta thërrisnin “Hoxha” (që në gjuhën persiane do të thotë “i ditur”, “i mësuar”, “profesor”).Në atë kohë ai zotëronte mirë frëngjishten, turqishten, arabishten, persishten, e më vonë edhe gjermanishten.Në prill 1904, policia hyn në shtëpinë e Hoxhë Kadriut dhe mbasi kontrollon dhomën ku banonte, e arreston me pretekstin se vepronte kundër interesave të pushtetit turk, dhe e dërgon për të vuajtur dënimin në burgun e politikanëve, në Jedikule[5], ku e priste fati i keq i dhjetëra patriotëve të tjerë shqiptarë. Nga kushtet e vështira, gjatë pesë viteve, sa qëndronte në burg, Hoxhë Kadriu u sëmur, mori tuberkulozin e eshtrave, prandaj iu desh të bënte amputimin e këmbës mbi gju. Në sajë të intervenimit të shokëve të tij, Hoxhë Kadriu lirohet nga burgu më 1908, dhe kthehet në Prishtinë. Ende pa u çmallur mirë me familjen, pushteti turk e ktheu në Turqi, me motivacion se “qenka liruar gabimisht”. Internohet përsëri në Turqi, por kësaj radhe në qytetin Tokat[6]. Internimi i tij në Turqi s’e mposhti dot idealin që kishte për të realizuar synimet e tij kombëtare. Me fitoren e Revolucionit Xhonturk, Hoxhë Kadriu u gjend në liri, kurse më 1913, së bashku me të gjithë kundërshtarët e tjerë, edhe ky u internua. Papritur, në dhjetor 1913, ata morën vendimin për largimin nga Turqia të gjithë njerëzve që propagandonin kundër Perandorisë Osmane. Në fund të dhjetorit 1913, Hoxhë Kadriun e hipën me forcë në një vapor austro-hungarez për ta nxjerrë jashtë territori të Turqisë. Pas një udhëtimi të gjatë, duke u ndalur në Palestinë, Egjipt, Rumani e Austri, ai arriti në Durrës.Kthimi në ShqipëriMë 1914 Hoxhë Kadriu kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Shkodër. Aty u lidh me veprimtarinë që zhvillonin patriotët shqiptarë mu në atë kohë kur lakmitë e shteteve fqinje për ta copëtuar Shqipërinë ishin më të mëdha se asnjëherë më parë.Si vendbanim, Hoxhë Kadriu zgjodhi Shkodrën, por syrin e zemrën, sigurisht, i kishte në Kosovën e pushtuar e të martirizuar. Prandaj, ai donte të ishte sa më afër saj. Në ato vite ai shkruante: “… Jam i lidhur aq fort që edhe larg saj të gjendem, shpirti dhe zemra ime do të jenë në Shkodër. Prandaj dëshiroj që Shkodra t’i afrohet flakës së zjarrit të dashtunisë të atdheut dhe të kombit dhe të ngrohet pra në këtë zjarr. Zakonet prapanike, fanatizmat fetare, frymëzimet fantastike të mos pengojnë ndriçimin e mendjes dhe ngritjen e nivelit arsimor. Në Shkodër më kanë lindur edhe më janë shfaqur dëshirat e mija, që Shkodra kundër rrymave politike dhe propagandave të dëshmonte të mos e humbasin ngjyrën kombëtare dhe për këtë qëllim të ketë gazeta, revista dhe disa shkolla që të përparojë gjuha e jonë. Në kohëra të afërta dhe të largëta të fatkeqësive, Shkodra ka qenë streha dhe krahu i kombit tonë”[7].Gjatë qëndrimit të ushtrisë austriake në Shkodër, një ditë komisari i jashtëzakonshëm, Moiso Krajli, e kishte thirrur Hoxhë Kadriun dhe, pas një bisede të gjatë, i propozonte të punonte në ofiqet më të larta ku të dëshironte dhe ia numëroi me radhë :”Kryemyfti, drejtues i përgjithshëm i arsimit ose i drejtësisë”. Hoxhë Kadriu i refuzoi ofertat e propozuara, pasi, siç deklaroi, e kishte kuptuar se politika e Austrisë ishte kundër “independencës së Shqipërisë”. Sipas tij, këto poste ishin larg nga ideali për të cilin luftonte. Për këtë arsye ai preferoi të punonte si avokat i thjeshtë e jo të ishte në shërbim të okupatorit të vendit të tij.Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”Edhe pse Komiteti emërtohej “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës[8]”, përvoja tregon se udhëheqësit, anëtarët e tij kishin për qëllim mbrojtjen, pavarësinë dhe integritetin e shtetit shqiptar dhe se ata ishin përfaqësues të vërtetë të mbarë kombit shqiptar. Për ta ishte i dashur dhe i shtrenjtë çdo cep i atdheut, prandaj u përpoqën një lloj për paprekshmërinë e çlirimin e Shkodrës, të Vlorës, të Korçës, të Kosovës dhe të gjitha trojeve shqiptare.Mbarimi i Luftës së Parë Botërore përsëri shtroi para popullit tonë problemin e ekzistencës së shtetit të pavarur shqiptar. Në këto kushte rritet lëvizja për të shpëtuar vendin nga copëtimi i ri dhe për bashkimin kombëtar, kështu që më 7 nëntor 1918 u formua komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”[9] i cili pati si organ të vetin gazetën “Populli”, që u botua në Shkodër nga 18 janar 1919 deri më 27 gusht 1920. Gazeta kishte kryeredaktor atdhetarin vlonjat, Salih Nivica. Ajo u ngrit fuqimisht në mbrojtje të të drejtave kombëtare, kundër planeve hegjemoniste të shteteve fqinje, dhe projekteve që hartonte Konferenca e Paqes në dëm të tërësisë dhe të pavarësisë së Shqipërisë.Ky objektiv i Komitetit më së miri shihet nga proklamata e janarit të vitit 1919, në të cilën shprehet qëndrimi ndaj politikës italiane dhe franceze në Shqipëri, ku në mënyrë të qartë thuhet se: “qëllimi i tij kryesor është të vendosë një Shqipëri independente, të përjashtuar nga çdo lloj protektorati, të çlirojë Kosovën e ta bashkojë me Shqipërinë dhe se do të kundërshtojë cilindo që do t’i kundërvihet këtij qëllimi”.Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, që drejtohej nga Hoxha Kadriu, luftonte jo vetëm për një Shqipëri të pavarur, por edhe për shpëtimin e Kosovës nga okupimi serb. Ai bëri një sërë protestash para Lidhjes së Kombeve kundër kolonizimit e serbizimit të Kosovës nga Krajlët e Serbisë. Kështu, në shtator të vitit 1924, komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, me udhëzimet e Hoxha Kadriut, dërgoi në Gjenevë një delegacion që të protestonte pranë Lidhjes së Kombeve kundër barbarizmave të qarqeve shoviniste serbe nëpër Kosovë. Delegacionin e përbënin: Hasan Prishtina, Bajram Curri dhe Bedri Pejani, të cilët paraqitën protestën. Në të, përveç të tjerash, thuhej: “…ky regjim hekuri, zjarri e grabitjeje përbën shkakun kryesor të një emigrimi në masë të popullsisë shqiptare drejt Turqisë, emigrim ky që bëhet në kushte të tmerrshme e që kushton jetën qindra familjeve dhe pjesa tjetër, që mbeten, dënohen me një mjerim të pashërueshëm….mjafton me dijtë se për mija krime të bëra në mes ditës asnjë nuk është ndjekë nga gjyqet …..Është vendi i vetëm në botë, ku mund të vriten njerëzit në prani të gjyqtarëve që heshtin”[10].Hoxhë Kadriu e urrente diplomacinë evropiane, e cila me hipokrizinë e saj merrte nëpër këmbë të drejtat e popujve të vegjël.Kështu, ky atdhetar i flaktë, që ishte një nga figurat më të ndritura të lëvizjes Kombëtare të Kosovës, me themelimin e komitetit në fjalë, mori përsipër një barrë të rëndë, të vështirë dhe delikate. Këtë barrë ai e mbajti deri në vdekje, me besim të patundur në fitore. Ky komitet, qëllim kryesor kishte çlirimin e Kosovës dhe ribashkimin e saj me Shqipërinë. Kështu shkruante edhe vet Hoxhë Kadriu: “Komiteti ynë ka për qëllim themelor bashkimin e kombit”.Kjo del e qartë që në nenin e parë të programit ku thuhej: “Me i dalë zot vetsundimit e tërësisë tokësore të Shqipërisë”. Për të arritur këtë qëllim e në mbështetje të nenit 1 u përcaktua rruga që duhej të ndiqej. Në nenin 2 thuhej: “Me përdorur çdo mjet për me i librue (çliruar) Kosovën e Dibrën e çdo vend ku flitet shqip e me i bashkue në sundim të Shqipnisë Lirë”[11]Komiteti për “Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës”, përveç aktivitetit diplomatik në zgjidhjen e çështjes kombëtare, u drejtohej popullit me anë të proklamatave për aksione luftarake, kështu shohim në një apel drejtuar popullit në gusht të vitit 1919 se koha kishte treguar se “nuk ka më njerëzi e drejtësi dhe se fjalën e mbrame do ta thotë pushka besnike e shqiptarit”.Hoxhë Kadriu disa herë ishte zgjedhur deputet në parlamentin shqiptar dhe kishte kryer funksionin e ministrit të drejtësisë.Pas sa e sa vuajtjesh të rënda shëndetësore, në moshën 47-vjeçare, më 20 janar 1925 kaloi në botën e amshueshme, atdhetari i madh, burrështeti, juristi në zë, organizatori i drejtësisë shqiptare, publicisti i njohur, “babai i Kosovës”, guximtari dhe njëri nga promotorët kryesorë të mendimit politik shqiptar. Ditën që vdiq Hoxhë Kadriu, nga Kosova shkruanin: “Lajmi i vdekjes së Hoxhës sonë, Kadri efendiut, babai i të gjithë kosovarëve dhe sidomos mbështetja e të gjithë idealistëve kosovarë….na pikëlloi dhe na hidhëroi zemrat….vdekja e të ndjerit Hoxhë nuk është dhembje pikëlluese vetëm për familjen e tij, por është për të gjithë Shqipërinë. Po sidomos për kosovarët është një humbje e madhe që s’mund të zëvendësohet”.Me gjithë përpjekjet e shumta, Hoxhë Kadri Prishtina nuk mundi ta realizojë ëndrrën e tij që ta shohë Kosovën të pavarur, por ai trasoi rrugën për gjeneratat e mëvonshme.Idetë Islame të Hoxhë Kadriut në revistën “Udha e s’Vërtetës”Në dallim nga bashkëkohësit e tjerë prej dijetarëve islamë, Hoxhë Kadriu pati fat më të mirë. Për veprimtarinë patriotike të tij është shkruar si në Historinë e Shqipërisë, ashtu edhe në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar[12], janë organizuar sesione shkencore dhe janë botuar mjaft artikuj në shtypin tonë, qoftë në Shqipëri[13], Kosovë[14], a në diasporë.Në shumicën e shkrimeve të lartpërmendura nuk është hulumtuar një segment tejet i rëndësishëm i veprimtarisë së Hoxhë Kadriut, që është aspekti Islam i jetës dhe i veprës së këtij dijetari të madh. Bile Jup Kastrati, në kumtesën e tij me rastin e 40-vjetorit të vdekjes shkruan: “Hoxha Kadriu vërtet studioi për fe, por kurrë nuk qe fanatik. Ceremonitë fetare për të nuk kishin rëndësi. Urrente ndasitë fetare dhe punoi për bashkimin e popullit”.Po ashtu, Eqber Skëndi në monografinë e tij të cituar më parë (që ka 216 faqe), revistës “Udha e s’Vërtetës” i kushton vetëm pesë faqe. Por, kjo nuk është për t’u habitur, kur dihet se gjatë kohës së monizmit, edhe historia tek ne ishte e ideologjizuar deri në atë masë, saqë fare pak përkonte me realitetin. Po kjo ndodhi edhe me Hoxhë Kadriun tonë.Fakti që drejtori i policisë austriake në Shkodër, për shkak të qëndrimit dinjitoz të Hoxhë Kadriut ndaj okupimit të Austrisë, e kishte thirrur në bisedë dhe i qe drejtuar me fjalët: “Ju, Hoxhë Kadriu, po merreni me propagandën e panislamizmit dhe po krijoni një bashkim midis myslimanëve”. Në asnjë shkrim që kemi pasur rastin të lexojmë, nuk është përmendur fare kjo çështje.Në kohën kur Hoxhë Kadriu punonte në Shkodër si avokat i thjeshtë, kishte menduar të nxirrte një revistë mujore, në të cilën të shprehte pikëpamjet e tij islame. Pasi mori leje nga përlimtarja (bashkia) e Shkodrës dhe në marrëveshje me shtypshkronjën “Ora”, vendosi të botonte në Shkodër revistën e tij mujore me titull “Udha e s’Vërtetës”. Si nga titulli i revistës, ashtu edhe nga përmbajtja e shkrimeve në të, del e qartë se ishte e pranishme fryma Islame[15] në jetën dhe veprat e Hoxhë Kadriut, të cilat do të trajtohen edhe në revistën e tij me vërtetësinë dhe sinqeritetin, me të cilin ishte gatuar jeta e tij. Nën titullin e revistës vinte motoja:”Kërkimi i së vërtetës është e drejta e mendjes”.Revista “Udha e s’Vërtetës”ishte, siç deklaronte Hoxhë Kadriu, fletore fetaro-politiko-letrare. Në fakt ai tribunën e revistës e përdori për t’i demaskuar disa të pavërteta, të cilat kohë pas kohe plasoheshin në shtypin shqiptar të asaj kohe në dëm të fesë Islame. Ai këtë më së miri e shpreh në “Parathënie” të numrit të parë të revistës së tij[16].Ashtu siç është traditë te dijetarët myslimanë, pas parathënies fillon me “Bismil-lahir-rrahmanir-rahim”,pastaj e falënderon “Të madhin Zot që premtoj për popullin shqiptar të shkruajë e të këndojë ky në gjuhën e vet amtare edhe të gëzojë lirinë e pavarësinë e vet”.Pastaj i përcjell “salatet” dhe “selamet” “Muhamed Mustafas, ma të mbramit Pejgamber në fytyrë të tokës, që pranojë në vathë të vetin shumicën e madhe të shqiptarëve”.“Është e qartë se kleri mysliman ka dhënë një kontribut të veçantë për ekzistencën e popullit dhe kombit shqiptar. Në përpjekjet dhe në luftën e tij të gjatë për ruajtjen identitetit kombëtar ai ka marrë pjesë në të gjitha ngjarjet me karakter historik dhe politik dhe do ta vëmë re se prania e klerikëve myslimanë është kudo e pashmangshme. Mund të fillosh nga Hoxha Tahsini i madh – erudit e të vazhdohet me më tej me Daut efendi Boriçin (në Lidhjen e Prizrenit), me Hafiz Ibrahim Shkupin (në Kongresin e Manastirit), me myfti Vehbi Dibrën e Sheh Ahmet Pazarin (në shpalljen e pavarësisë më 1912 dhe ngritjen e flamurit), me Hafiz Ali Korçën dhe Ismail Ndroçin (në Kongresin e Durrësit më 1918) me Mytesim Këlliçin (në Kongresin e vitit 1920) etj.”, shkruan Pirro Prifti këto ditë në artikullin e tij me titull: “Kleri shqiptar – vendimtar në Pavarësinë e Shqipërisë”.[17]Shqipëria në 100 vjetorin e saj mbetet e përçarë politikisht. Kosova vetëm katër vite më parë, pas shumë peripecive dhe krajatave mundi të arrijë pavarësinë e saj. Ndërkohë, që shqiptarët e tjerë vazhdojnë të jetojnë me statusin e pakicave në trojet e tyre etnike, në shtetet përreth Shqipërisë. Kjo ishte e natyrshme, sepse nuk patëm një shtet të fuqishëm shqiptar gjatë njëqind vjetshit të kaluar. Andaj, në epokën e globalizmit mund të triumfojnë vetëm të fuqishmit. Për një të ardhme më të mirë lypset që spektri politik shqiptar, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës të jetë unik dhe interesat shtetërore dhe kombëtare të jenë mbi ato personale dhe partiake. Vetëm si të këtillë do të jemi të denjë për respekt nga populli ynë, por edhe nga popujt e tjerë.** Marrë nga libri i konferencës shkencore “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar”, botim i Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Bashkësia Islame e Kosovës dhe Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë, Tiranë 2013: 194-200.[1]. Fjalori enciklopedik shqiptar, Tiranë, 1985, f. 1044.[2]. Eqber Skendi, Hoxhë Kadriu (Kadri Prishtina), Prishtinë, 1992, f. 9.[3]. Jup Kastrati, Hoxhë Kadriu (me rastin e 40 vjetorit të vdekjes), Buletin i ILPSH. Nr. 3, Shkodër 1965, f. 435.[4]. Eqber Skendi, Hoxhë Kadriu (Kadri Prishtina), Prishtinë, 1992, f. 14.[5]. Po aty, f. 16.[6]. Po aty, f. 23.[7]. Po aty, f. 29.[8]. Lush Culaj, Komiteti mbrojtja kombëtare e Kosovës (1918-1924), Prishtinë, 1997.[9]. Po aty, f. 39.[10]. Jup Kastrati, Hoxhë Kadriu, kumtesë (me rastin e 40-vjetorit të vdekjes), f. 439.[11]. Hasan Prishtina, “Përmbledhje dokumentesh”, 1908- 1934, Tiranë 1983, f. 175.[12]. Tiranë, 1985, f. 386.[13]. Tiranë, 1984, vëll. 3 f. 165.– Jup Kastrati, Hoxhë Kadriu, kumtese me rastin e 40 vjetorit te vdekjes.– Zamir Shtylla, Rreth krijimit të veprimtarisë së Komitetit MKK, Studime Historike, 1968, nr. 3, f. 434.– Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” (përmbledhje kumtesash), Tiranë, 2004.[14]. Shkëndija, Hoxha Kadriu-atdhetar dhe demokrat i shquar (me rastin e 65 vjetorit të vdekjes), f. 6.-Bujku, Diplomat e dhe luftëtar për çështje kombëtare ( me rastin e 70 vjetorit te vdekjes), 20 janar 1995.– Mr. Lush Culaj, Komiteti mbrojtja kombëtare e Kosovës (1918-1924), Prishtinë, 1997.– Eqber Skendi, Hoxhë Kadriu (Kadri Prishtina), Prishtinë, 1992.– Qemajl Morina, Hoxhë Kadri Prishtina – mendimtar islam, Prishtinë, 2000.[15]. Qemajl Morina, Hoxhë Kadri Prishtina – mendimtar islam, Prishtinë, 2000, f. 17.[16]. Udha e s’Vertetës, nr. 1, vjeti i I-rë, tetuer 1923, Shkodër 1923, f. 2-3.[17]. “Sot news”, 8 korrik 2012.”Kadri Prishtina, i njohur dhe si Hoxhë Kadri Prishtina, ishte klerik, ditunar, atdhetar, politikan, diplomat, publicist e jurist. Ishte themeluesi dhe drejtuesi i lëvizjes “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Pas Kongresit të Lushnjes u zgjodh Ministër i Drejtësisë në shtetin e sapoformuar. Shërbeu si deputet i Parlamentit të Shqipërisë, duke përfaqësuar Prefekturën e Dibrës dhe të Kosovës. Ka punuar si avokat në Shkodër, ku botoi revistën mujore “Udha e s’Vërtetës” (AQSH).

Filed Under: Sociale

Këshillimi Kombëtar -shteti emocional i Ramës

January 22, 2022 by s p

Agim Baçi/

Në shumë shoqëri njerëzit kanë njohur gjithmonë më shumë fuqinë e ligjërimit se sa ligjin apo parimet kushtetuese. Ndaj dhe spastrimi etik i gjuhës i ka paraprirë zëvendësimit të përgjegjësisë morale në qeverisje me dredhi justifikuese, me qëllim që shoqëria të shkojë drejt reagimit emocional dhe të mos kërkojë llogaridhënie ndaj atyre që ka votur për qeverisjen. Edhe fushata me dymbëdhjetë pyetjet “derë më derë” që paralajmëroi kryeministri Rama nuk është veçse futja e qytetarëve shqiptarë në hullinë e hutimit dhe joshjes emocionale, duke kërkuar të besojnë se mendimi i tyre do të jetë busulla e qeverisjes. Por, a duhet që qytetarët të vendosin me përmes pyetësorëve për një projekt, si “Open Ballkan”, të cilin nuk mundet ta llogarisin me të gjitha pasojat e ardhshme? Fundja, qytetarët në përgjithësi mendojnë sot për sot, ndërkohë që politika është ajo që duhet të mendojë edhe për pas pesë, dhjetë apo edhe pesëdhjetë vitesh. Atëherë, si mundet që të fusësh qytetarët në një pyetje që tejkalon përditshmërine e tyre dhe përgatitjet e tyre ligjore e arsyetuese? Kjo metodologji e zgjedhur nga Rama prej kohësh ka qenë një tallje e hapur e qytetarëve, të cilët duke besuar se po pyeten realisht, rrezikojnë të mendojnë se po marrin pjesë në bashkëqeverisje. Por, si mund të gjykojnë qytetarët lidhur me vendimet që duhet të marrë drejtësia, kur dihet se shpallja fajtor apo jo është një proces që nuk mbështetet te emocionet por te faktet? Kjo do të thotë të shuash shtetin e së drejtës dhe të vësh qytetarët e tu përballë gjyqeve publike. Pra, një lloj politike komunikimi që nuk ndryshon aspak nga propaganda e kohës së diktaturës, në kohën e partisë shtet, ku qytetarëve u thuhej orë e çast se “Çfarë do populli bën partia!” Shumica e pyetjeve jo vetëm që ka dilema të mëdha mes moralit dhe ligjit, por si në rastin e integrimit në BE, apo në marrëdhëniet me fqinjët, kjo pyetje është edhe më tallëse, pasi i vë qytetarët në një lojë dashakeqe, duke i faturuar atyre vendime që nuk luhen as në Tiranë e as Shkup, e as në Beograd, por në Bruksel. Madje, jo në Brukselin burokratik, por në atë të zyrave të qeverive që kanë përgjegjësi përpara qytetarëve të tyre për atë që u kanë premtuar e jo për ide si të z. Rama që i shohin qytetarët si një masë përdoruese dëshirash. Në fakt, që në fillimet e hapave të tij politikë z. Rama ka tentuar të vendosë një diskurs tjetër të ligjërimit politik, ku ideja e mbështetjes mbi mendimin e qytetarëve ka qenë strategji më vete. Për këtë hap ai së pari ka tentuar, ashtu siç ka ndodhur thuajse me çdo ideologji tjetër, që të ndryshojë gjuhën, e përmes ndryshimit të gjuhës edhe të menduarit rrethe qeverisjes së tij. Sepse pa ndryshimin e etikës gjuhësore, çdo manipulim do ish i pamundur. “Për të ndryshuar mendimin, më parë duhet të ndryshosh gjuhën”, shprehet filozofi dhe gjuhëtari i famshëm amerikan Noam Çomski. Burgosja te gjuha ideologjike, si në rastin e këtij pyetësori, provon heqjen e përgjegjësive shtetërore dhe e vë kryeministrin Rama në rolin e “gurusë shpirtëror” dhe jo në rolin e njeriut që mban përgjegjësi për atë që ndodh në qeverisjen e tij lidhur me korrupsionin, shkeljet e ligjit, mosmbajtjen e premtimeve dhe me paaftësinë për t’u shërbyer qytetarëve. “Të thuash rrena me vetëdije dhe t’i besosh sinqerisht ato; të harrosh çdo fakt të pafavorshëm, dhe më pas, kur bëhet i nevojshëm, ta harrosh sërish – ta nxjerrësh nga harresa për aq sa ke nevojë. Të mohosh ekzistencën e së vërtetës objektive dhe gjatë gjithë kohës të kesh parasysh faktin e mohuar. E gjitha kjo është domosdoshmëri. Dhe kështu deri në pafundësi: me faktin se gënjeshtra është gjithnjë një hap përpara të vërtetës”, shkruan Oruelli në romanin aq shumë të diskutuar “1984”, ku pikërisht shpjegohet ky burg ligjërimi që tenton të prodhojë Rama përmes një duzine pyetjesh drejtuar publikut. Pas këtij pyetësori ai po tenton të ndërtojë një ligjërim publik të ngjyrosur me përgjigjet e qytetarëve, duke tenbtuar kështu t’i vërë qytetarët përballë një vetëfajësimi për gjithçka që do të ndodhë në të ardhmen. Nëse nuk refuzohet ky model nga qytetarët, llogaridhënia dhe zbatimi i ligjit nga qeveria do të mbeten thjesht një dëshirë për t’u varur në kornizë, por të pamundura për t’u aplikuar.

Filed Under: Kronike

“Filantropi” amerikan Xhon de Kej

January 22, 2022 by s p

Dr. Hasan Bello/

Një nga historitë më interesante të “filantropëve” që kanë ardhur në Shqipëri në vitet 30-të është ajo e Xhon de Kej, i cili përfaqësonte një korporatë amerikane. Ai do t`i ofroi qeverisë shqiptare 10 milion dollarë, që t`i kthente borxhet Italisë dhe si shpërblim kërkoi prej saj disa koncensione. Në fakt, ky mashtrues dhe aventurier ndërkombëtar ishte një “personalitet” i njohur për shërbimet sekrete. Kjo, sepse, edhe vetë shërbimi sekret amerikan e mbante nën vëzhgim për shkak të implikimit të tij të hershëm kundër xhonturqve, si përhapës të ideve socialiste, si autorë i librit “Paraja e popullit” dhe si posedues i disa pasaportave, gjermane, meksikane, etj. Sipas të dhënave të Departamentit të Shtetit, ai kishte marrë pjesë në lëvizjen meksikane kundër SHBA në vitet 1913-1914 dhe ishte detyruar të fshihej për shkak të implikimit në disa operacione të kundraligjshme bankare apo si i përfshirë edhe në kontrabandë në Irlandë. Për të mikluar autoritetet shqiptare, ai ndoqi një skemë që rëndom praktikohet edhe 30 vitet e fundit. Ai i dërgoi një letër Sanije Zogut, motrës së Mbretit, e cila ishte Kryetare e Kryqit të Kuq, sipas së cilës, do t`i dhuronte kësaj organizate 100.000 franga shqiptare. Pas ndërtimit të imazhit publik, Xhon de Kej, në tetor të 1930 do të filloi tentativat për të lidhur një marrëveshje me Ministrinë e Ekonomisë, për formimin e një konsorciumi të kapitalistëve amerikanë me një kapital 200 milion dollarë. Sipas të dhënave, me ndihmën e këtij kapitali, ai kishte deklaruar se do të ndërtonte tre porte, një rrjet hekurudhor, kanale vaditëse për bujqësinë, shfrytëzimin e minierave, lumenjve, dhe themelimin e dy bankave, një industriale dhe një tregtare. Për këto “investime” ai do t`i jap Bankës Shqiptare një çek të pa mbuluar prej 350.000 frangash ari. Në tetor të 1933, shtypi i kohës shkruan se, Banka e akuzonte atë si “aventurierin dhe mashtruesin e njohur”. Për këtë arsye, autoritetet shqiptare Xhon de Kej-in dhe kolegun e tij Jozef Shipler-in nga Zvicra do t`i dënojnë me dy vite e gjysëm burg. Kjo histori shihej me kërshëri nga diplomatët italianë, të cilët i raportonin Ministrisë së Jashtme në Romë se, “filantropi” amerikan i kishte bërë një shërbim të madh politikës italiane, sepse “shqiptarët besojnë në çudinë se disa filantropë të huaj do ta shpëtojnë Shqipërinë”.

Filed Under: Komente

Kohezioni i Perëndimit dhe prania e ShBA-ve në Kosovë e rajon, garanci e fortë edhe për finalen e dialogut me Serbinë

January 22, 2022 by s p

Shqiprim Pula/

Të gjithë ne si qytetarë të Republikës por edhe politikanët e mirëpriten ardhjen e ambasadorit amerikan zotëriut Jeff Hovenier, i cili padyshim do sjell një frymë e dinamikë të re, marrë në konsideratë njohuritë dhe përvojën e tij personale të më hershme në Kosovë dhe rreth rajonit. Por vazhdimi i dialogut me shtetin fqinjë, Serbinë, do vijoj sigurisht pas zgjedhjeve që do të mbahen në pjesën e parë të Muajit Prill të këtij viti dhe pas konsolidimit institucional, e deri atëherë, Kosova, përkatësisht institucionet duhet të mirë pregaditen për të gjitha temat e mundshme që do të diskutohen përgjatë procesit të gjatë dialogues. Tani jemi në një ‘stand by’ proces dialogu, andaj dhe, qeveria si prijëse e këtij procesi duhet të absorbojë mundësi e strategji, por edhe t’a kërkoj dhe llogarisë në ndihmën e aleatëve tanë. Ardhja e ambasadorit të ri amerikan zotëriut Jeff Hovenier në Prishtinë, e më pas deklarimi i parë i tij pas takimeve të realizuara me drejtuesit institucional në Kosovë, duke treguar elanin për përfshirjen e tij nga afër për të ndihmuar proceset e Kosovës brenda saj dhe proceset e Kosovës me fqinjët e saj, saktësisht mbi dialogun Kosovë-Serbi, nuk do duhej konsideruar vetëm e mirëseardhur por edhe e rëndësishme për shkak të fuqisë së shtetit prej nga vie. Për shkak të relacioneve që kemi ndërtuar prej dekadash tashmë me ShBA-të, angazhimi i vazhdueshëm dhe këmbëngulës i administratës amerikane në Ballkanin perëndimor, e specifikisht raporteve Kosovë-Serbi, për shkak të kaluarës, ekziston shpresa se ne jo vetëm se do ndihmohemi me ekspertizë mbi temat konkrete por edhe do ndihmohemi në proces për të arritur qëllimin përfundimtar, atë të një marrëveshje juridikisht mbi paqen dhe kultivimit të fqinjësisë në rajon. Si politikë e vendit, apo si institucione të Republikës, duhet vepruar të përbashkuar reth interesit shtetëror duke përqafuar ndihmën nga aletatët tanë, të cilët edhe këtyre kohërave kujdesen për shtetësinë e Kosovës, sepse nuk duhet harruar që kohezioni i shteteve perëndimore e posaqërisht prania e ShBA-ve në Kosovë e rajon, ofron garanci të fortë sigurie. Në këtë kuptim organizatat/subjektet politike në vend, duhet lënë anash ҁfarë do lloj ngjyrimi politik, për të vetmen arsye, për ruajtjen e integritetit territorial dhe ngritjen e dinjitetit shtetëror të Kosovës si entitet politik dhe subjekt i së drejtës në arenën ndërkombëtare. Dallimet pozitë e opozitë, mund të jenë për konsum të brendshëm politikë e që normalisht i shërben edhe kultivimit të demokracisë përmes shkëmbimit të argumenteve mbi idetë apo programet politike, por, përsa i takon Republikës duhet të ketë një dhe vetëm një qëndrim. Duhet kujtuar se ardhja e ambasadorëve të rinjë në kryeqendrat e rajonit, por jo të rinjë nga përvoja, do të sjellin një qasje me kompetencë mbi të gjitha vendimet e të ardhmes që na pret mbi sigurinë, politikën e jashtme dhe ekonominë si në vend ashtu dhe në rajon.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2449
  • 2450
  • 2451
  • 2452
  • 2453
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT