• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një urim ndryshe këtë fundvit

January 1, 2022 by s p

PhD (c). Ll M. Igli TOLA  

Festimi i Vitit të Ri e ka zanafillën qysh nga epoka e Çezarit. Ishte Julius Caesar (Jul Çezari), në vitin 46 p.e.s., ai që krijoi Kalendarin Julian. Në këtë kalendar diellor, ardhja e Vitit të Ri u bë që të përkonte me festën e Janusit (Giano, Iano: Zoti i fillimeve materiale e jo materiale. Hyjni i Romës antike), nga emri i të cilit e ka prejardhjen Janari. Më vonë ndër shekuj ky kalendar u zëvendësua nga ai Gregorian dhe u vendos që Viti i Ri të jetë më 1 Janar. (për kuriozitet ortodoksët vazhdojnë të ndjekin ende kalendarin Julian dhe Vitin e Ri e festojnë më 14 janar.)

Një festë me zanafillë shumë të lashtë, mileniale; ku në thelb të gjithë celebrojmë një moment magjik në të cilin i themi lamtumirë vitit të vjetër, për të filluar një vit të ri me shpresën që të jetë më i mirë.

E ajo që shpreson gjithësecili prej nesh në rrafshin personal apo profesional varion; ama si Shqiptarë ‘ëndrrat’ kësaj here i kemi disi të kufizuara, sepse paradoksalisht kemi 30 vite që zhgënjehemi, na premtohet dhe serviret ‘sapuni për djath’. Andaj gjatë këtyre 365 ditëve të 2022 e në vijim na mjafton që:

  1. ‘Zarfi’ dhe vjedhja nëpër tendera/koncensione/PPP të shkoj të paktën 20%, aq sa ishte disa vite më parë. ‘Është bërë deti kos’ duke shpikur lloj-e-soj ‘yçklash’ e marifetesh që e kanë kthyer përmbys raportin 20:80; ‘zarfi’ është fryrë në mbi 80% të vlerës së projektit dhe ngelet që nga ai 20% të hidhet ndonjë lopat zhavor. 

Pavarësisht se nuk reagojmë, ose reagojmë me hope; nuk jemi budallenj dhe e kuptojmë se po e paguajmë kilometrin e rrugës sa ‘frëngu pulën’, pastrimin dhe incenermin e mbetjeve sa ‘arabi ujin’ etj. 

Duke zhvatur pronën dhe paratë publike për mëse 3 dekada: mjaft syresh janë bërë milionera, për pak veta thonë se i kanë kaluar edhe 1 miliardë euro nëpër ‘Off-shore’. Uleni pak ritmin se kështu do t’Ia kaloni edhe Elon Musk duke rendur drejt trilionit të dollarëve.  

  1. Dakort nuk del hesapi ti rrisni rrogat e administratës se aq është buxheti, kurse privati i cakton vetë në marrëveshje me punedhënësin dhe sipas kërkesë-ofertës; por të paktën mos u tallni kështu barbarisht me mundin dhe dinjitetin e qytetarëve. Një ushti me këshilltarë lokal, që zorr se e merr vesh për çfarë japin mend dhe a kanë shkuar ndonjë ditë të vetme në punë, paguhen sa 2-fishi i një mësuesi. Atij mësuesi që mund të japi mësim edhe në ndonjë fshat të harruar, të bëj nja 2 orë rrugë në borë e shi për të vajtur në shkollë.

Boll me trajtimin ‘ca të nënës e ca të njerkës’. Të duket sureale dhe ndjen neveri kur sheh se ka ca Institucione ku shoferat (këto mbase ish-pilota të Formula 1), apo sanitaret (ndërsa këto mbase me master në Harvard), marrin nga  1 milion e kusur në muaj. Mos të flasim për shefat dhe drejtorat e tyre. Kurse, inxhinierët, ekonomistët, mjekët që së paku kanë nga një karton diplome firmosin në bordo për 600-800 mijë lekë.

Nqs ka një vend të dytë në këtë planet ku ndodh kjo, qoftë Zimbabve apo Honolulu na thoni, mos të ngelim injorant.

  1. Fjala ‘Eurobond’ mbase tingëllon ‘trandy’, por e kemi kuptuar tanimë që është si puna e ‘dardhës që e ka bishtin prapa’; borxh që duhet ta paguajmë cent-për-cent e plus madje me ca interesa të majme. Prandaj, shtrëngohuni pak dhe mos na emetoni nga 2 obligacione brenda 16 muajve, me vlerë mbi 1 miliard euro. Historia ka dëshmuar me dhjetra herë që shtete shumë më të mëdha i ka kolapsuar borxhi dhe korrupsioni. 

Sikundër termi ‘Eurobond’, rrishtazi në fjalorin tonë u futën edhe termat ‘Arbitrazh’ dhe ‘vendime të Gjykatës së Strasburgut’, veçse edhe këto vetëm sa na e rëndojnë barrën që bartin përditë në kurriz. Falë këtyre ‘3 strumbullarëve’ borxhi publik de-facto i tejkaloi 90% të PBB-së. E aq më keq kur paratë kanë vajtur dhe janë harxhuar për projekte që ose kanë ngelur në letër-3D, ose kanë ngelur ‘rrugëve’ është për të dhënë alarmin SOS.

Për të bërë një krahasim të thjeshtë: vërtetë çdo bebe që lind merr 400 mijë lekë shpërblim, 800 mijë i dyti dhe i treti 1.2 milion; por marrin edhe një çek prej 4800 deri në 5200 euro borxh. Ne do të paguajmë, nuk kemi zgjidhje tjetër; fundja për të mirën tonë merren ato borxhe. 

“Eh sa shume gjëra bëhen në emrin tënd o popull” – Sandër Prosi.

  1. Sistemi gjyqësor të mos harxhoj shumë energji duke menduar dhe folur për kapjen e ‘peshqve të mëdhenj’. Mbase, për to duhen të tjera rrjeta, apo karema-grepa; por të paktën këto ‘peshqit e mesëm’, sardele e cironka ti shohin një herë. U duket vetja Zeus që lëshonte vetëtima: ligjin e shkelin me të dyja këmbët pa iu trembur syri, duke mbajtur veshur mantelin e ‘arrogancës’. Që me të ardhurat e deklaruara nuk justifikojnë dot karburantin për makinën luksoze që bredhin lartë-e-poshtë, jo më makinën vet, rrobat firmato etj.

Kjo është forma më e thjeshë e Vetting-ut, pa kosto të shumta administrative e gjumë mbi dosje voluminoze; thjesht duke bërë një xhiro nëpër rrugët e qytetit.

  1. Të ndalojmë për ca kohë ‘prodhimin’ e VIP-ave, se edhe pak do të kemi më shumë VIP-a se njerëz (jo për gjë, por me dhjetra mijëra shqiptarë po vazhdojnë të largohen nga vendi çdo vit: azilantë, studentë, klandestinë etj). Kurse, VIP-at nuk ikin, se nuk gjejnë dot punë andej, se Europa dhe bota kanë mjaftueshëm VIP-a për vete.  

VIP, nuk është akronimi i “unemployed, and very lazy person”/njeri përtac dhe i papunë ; por i “very important person”/njeri shumë i rëndësishëm. Edhe ndodh të bëhesh VIP se ha fara në Tik-Tok, por jo të gjithë që hanë fara aty janë VIP-a.

Antivlerat kurrsesi në afatgjatë nuk mund të jenë Vlera, sado të përmbyset piramida shoqërore.

. . .

Edhe diçka të fundit, kjo më shumë në formën e lutjes. Mirë që po jetojmë në një “Big Brother” të madh (George Orwell këtë realitetin tonë kishte në mendje kur shkroi romanin “1984”): me lista pagash, borxhesh, tualetesh që kemi në shtëpi shëprndarë vërdallë si mall pazari ; të paktën na vendosni edhe një Premio – 100 milionë lekë të motivohemi tamam dhe shijojmë lojën. 

Filed Under: Opinion

VATRA DO NDEROJË MË 1 JANAR 2022 RAPSODIN BAJRUSH DODA

December 30, 2021 by s p

Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra do të nderojë më 1 janar 2022 në orën 12.30 pm rapsodin e madh Bajrush Doda. Në një ceremoni solemne në Selinë Qëndrore të Vatrës, nderimi i rapsodit do të vijë në 10 vjetorin e ndarjes nga jeta. Vatra e nderon rapsodin Bajrush Doda për veprimtarinë e tij jetësore dhe kontributin e madh që i ka dhënë folklorit shqiptar, i cili me një mjeshtri të rrallë diti ta ruaj dhe ta kultivoj me besnikëri melosin autokton të Dukagjinit, Malësisë së Gjakovës dhe të Rugovës. Duke qenë një prej rapsodëve më mëdhenj të kohës, ai me këngët e tij që nuk do të vdesin kurrë, u bë i dashur dhe i adhuruar në të gjitha trojet shqiptare dhe ne me plot krenari mund ta quajmë legjendë të folklorit shqiptar.

Ftohet komuniteti shqiptar të bëhet pjesë e kësaj ceremonie madhështore nderimi në 10 vjetorin e ndarjes nga jeta të rapsodit të mirënjohur popullor Bajrush Doda.

Filed Under: Kronike

SHPOPULLIMI I SHQIPËRISË, NJË EMERGJENCË KOMBËTARE DHE KËMBANË ALARMI PËR TË GJITHË NE

December 30, 2021 by s p

Editorial nga SOKOL PAJA/

Shpopullimi i Shqipërisë është kthyer ne një problem shqetësues për çdo shqiptar, brenda apo jashtë atdheut. Ikja masive e shqiptarëve nga Shqipëria përfshin shtresa të ndryshme të shoqërisë, pozicione dhe profesione. Ikja është kryefjalë. Nga Shqipëria kryesisht po ikin të rinjtë që janë fuqia vitale e punëtore si dhe të profesionistëve të ndryshëm krijon një destabilizim e shbalancim të brendshëm të tregut të punës, shoqëruar kjo me pasoja të rënda për të ardhmen e vendit tonë. Largimi nga Shqipëria e moshës më vitale dhe rritja e kërkesës se shqiptareve për azil në vendet e BE po sjell shqetësime edhe për vete Komunitetin Evropian. Pozicionimi i Shqipërisë në vendet e para, sipas statistikave zyrtare të Institucioneve prestigjioze dhe serioze të Sigurisë Globale dhe Humanitare, të INSTAT dhe te institucioneve te tjera qe merren me çështjen e emigracionit shprehin shqetësim te madh rreth fenomenit te largimit te shqiptareve nga Shqipëria. I madhi Faik Konica do të shprehej: “Përgjegjësia jonë ndaj vendit është e pamohueshme, do vuajmë me vuajtjet e Shqipërisë, do gëzojmë me gëzimet e saj”. Fatkeqësisht aktualiteti na pohon se gjendemi vetëm në vuajtjet e Shqipërisë.  Pseudo-Rilindja e drejtuar nga kryetari Edi Rama gjatë 8 viteve qeverisëse, jo vetëm qe nuk i përmbushi premtimet elektorale por me keqqeverisjen e tij, kryeministri Rama zhgënjeu, varfëroi, dëboi shqiptarët. Shqiptarët nuk ndjehen më të sigurtë, të dashur dhe të ngrohtë në atdheun e tyre, në shtëpinë e tyre. Ky zhgënjim dhe dështim i qeverisë Rama që qëndron si xhelat mbi kokat e shqiptarëve, u shoqërua me rritjen e taksave, agresivitetin e shtetit ndaj qytetarëve, shtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike, të ujit e shume shërbimeve bazike ndaj qytetareve. Pasiguria në vend, krimi i organizuar, kthimi i Shqipërisë në portë trafiku ndërkombëtar dhe shkarkimi nga puna për arsye politike si kundërshtarë, hapi konflikte të shumta dhe rriti papunësinë duke varfëruar ekonominë e familjeve shqiptare. Fatkeqësisht çdo ditë e më shumë shqiptaret po arratisen dhe kërkojnë mirëqenien e tyre në “dhe të huaj”. Shqiptarët ikin edhe pse ndihen të tradhtuar nga klasa politike që e mban peng vendin prej 30 vitesh duke shkatërruar të ardhmen e gjeneratave të kombit tonë. Shqiptarët ikin se ndjehen të vjedhur, të braktisur, të vetmuar dhe të pambrojtur nga qeveria. Gjithashtu, ndjehen të shantazhuar, të papërfaqësuar e të harruar prej klasës politike qe kujtohet për popullin vetëm kur ka zgjedhje politike.

Shqipëria ka nevojë me shumë se kurrë për njerëz me integritet te larte që gëzojnë besueshmëri në popull, të pa inkriminuar e të pa korruptuar që të ngjallin shprese dhe vizon për vendin. Një investim i domosdoshëm për ndalimin e kësaj hemorogjie largimi nga është të punohet shumë me rininë duke ju krijuar mundësi konkurrimi dhe jo me rekomandim partiak për një vend pune si dhe hapja e sa me shume shkollave e kurseve profesionale. Konkurrimi i ndershëm ne postet publike, pra jo në kushte fiktive duke dërguar dosjen ne DAP (Departamenti i Administratës Publike) me rekomandime politike sipas kontributit në fushata elektorale apo rasti i fundit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 qe patronazhistat kishin te dhënat e te gjithë elektoratit dhe bënin presion apo kërcënonin me forma nga me te ndryshmet elektoratin gri apo opozitar. Edukimi i mirë i rinisë është shpresa më e madhe e vendit tonë dhe investimi afatgjatë për të ardhmen e shtetit dhe kombit tonë.

Duhet ndalur në mënyrë të menjëhershme largimi i trurit të kombit tonë nga Shqipëria, i profesionistëve dhe i forcave të reja krijuese e inovative. Shqiptarët kanë nevojë për besim, për shanse të barabarta, për siguri, për projekte afatgjata dhe me kryesorja, vendit i duhen shtetarë që e duan atdheun me zemër dhe kane vizion për te ardhmen e vendit, e jo prioritet interesin personal apo një grupi te caktuar qe për te realizuar qëllimet nuk iu dhimbset asgjë. Përqindja e emigracionit në Shqipëri është rritur në masë shumë të madhe dhe vijon te përshkallëzohet ne ritme te larta. Ajo qe është me dramatike për popullin shqiptar është fakti se në mbarë popullsinë është ngulitur ideja për të ikur dhe se ky vend nuk bëhet?! Makineria e propagandës qeveritare përpiqet qe nëpërmjet medies pranë qeverise dhe te atyre qe i ka kapur ne një mënyrë apo tjetër, te shes largimin nga Shqipëria si një çështje e cila është ngjarje normale e globalizimit qe ndodh ne te gjithë boten. Këtë përpiqet ta paraqesë në mediat e kontrolluara nga qeveria për konsumim masiv në publik duke i shoqëruar me sekuenca suksesesh qeveritare, të cilat kur i krahason me realitetin e Shqipërisë që braktiset, ata nuk kane asnjë lidhje me realitetin e dëshpërimit te një populli qe e sheh te ardhmen e tyre, vetëm ne emigracion. Konica pohonte me te drejte “Ata që do të donin t’i ngopnin shqiptarët me retorikë, në vend të urojnë zhvillimin intelektual të tyre, japin provën më të qartë të armiqësisë së tyre ndaj shqiptarëve”. Qasje që të ngjallin vetëm trishtim të tejskajshëm me realitetin shqiptar. Çdo qeveri e votuar për ti shërbyer qytetarëve dhe nuk vë interesin qytetar të parin, ajo do jetë kurdoherë një qeveri që tradhton interesin  kombëtare me dëme te mëdha, si  ndaj qytetarëve te majte e te djathte, ashtu dhe të shtetit e te shoqërisë shqiptare. Kjo qasje politike me produkte të gatshme për konsumim masiv dhe ndërtimi i një infrastrukture mediatike-propagandistike, e cila vihet në funksion të zbatimit të propagandës qeveritare është tipar themelor i funksionimit të diktaturave me një regji qendrore që prodhon e shpërndan dhjetëra apo qindra aktorë e faktorë që përsërisin të njëjtin mesazh të fabrikuar, orkestruar dhe shpërndarë nga “agjit-propi” qeveritar. Ndalimi i shpopullimit të vendit duhet të jetë kryefjalë e qeverisë, e medias dhe e shoqërisë civile në Shqipëri. Qeveria duhet të ketë një plan konkret kombëtar për qeverisje të mirë, për rritje të mirëqenies, të sigurisë publike e kombëtare, zhvillimit të ekonomisë e tregut të lirë, te bujqësisë e blegtorisë, te kthimit te Shqipërisë në një atraksion për vendasit dhe të huajt. Po ashtu, qeveria duhet jetë dinjitoze e transparente në prokurimin e fondeve publike dhe jo te presim qe skandalet mega korruptive, si te rastit te funtit, te incernatoreve te qeverisë me ministrin Koka, te vidhen me një të rënë lapsit, skandali i vjedhjes së të dhënave personale, i nxjerrjes së databazës për pagat e shqiptareve e shume skandale, e kanë kthyer shtetin qesharak në syte e publikut. Shteti shemb shtetin. Shteti trafikon të dhëna që mbrohen me ligj. Shteti tradhëton qytetaret e tij. Shteti, nga garantues kthehet në abuzues, shteti kthehet në antishtet.

Për të penguar këtë plagë të tmerrshme të braktisjes së Shqipërisë nevojitet një pakt kombëtar mes partive politike, botës akademike e universitare, komuniteteve fetare e shoqërisë civile, artistëve e njerëzve me ndikim në shoqërinë shqiptare, ku secili prej tyre të luajë rolin e tij dhe të marrë përsipër një përgjegjësi në këtë dramë për Shqipërinë tonë. Shqipëria është në rrezik te madh dhe sot ajo ka më shumë se kurrë nevojë për të gjithë Ne. Sot…nesër do jetë shumë vonë!

Filed Under: Editorial

NJË HISTORI ME PASKUINE DHE FLETË-RRUFETË NË QENDËR TË QYTETIT MYZEQAR

December 30, 2021 by s p

Nga Dalip Greca/

Era e ndryshimeve më në fund nisi të fryjë në Shqipërinë e viteve ‘89-90. Takimi i Ramiz Alisë me një grup intelektualësh në gusht 1990, ku u kërkua lejimi i ekonomisë së tregut dhe i sistemit shumëpartiak, u pasua me hapjen e dritës jeshile në shtypin partiak për mendimet ndryshe. Artikulli në dy pjesë i Prof. Ylli Popës “Në kërkim të kohës së humbur” botuar me 28 dhe 29 Prill 1990 në Zërin e Popullit,i pasuar nga artikulli i Dr. Sali Berishës me 17 shtator 1990 me kritika të ashpra për kozmetikën e reformave të Ramiz Alisë, çelën rrugën dhe u dhanë zemër shqiptarëve që të vrisnin frikën dhe të ngrinin zërin për padrejtësitë e sistemit.

Jo pa ndrojë, nisa të provoj guximin e penës. Fillimisht me rezeva, pa i mohuar të gjitha”të mirat” e sistemit, shkrova në gazetën”Bashkimi” një artikull me titull”Bisedë për demokracinë në një odë fshati” ku dhe të mirat dhe kritikat i vija në gojën e fshatarëve.Më pas në një shkrim të dytë e forcova penën dhe denoncova padrejtësitë e sistemit në Darësi, e cila ishte trajtuar gjithmonë me syrin e njerkës dhe ishte lënë në varfëri e mjerim, pa investime sociale, pa të drejta studimi, larg shkollave të mesme etj…Kur nisi shtypi i opozitës pena u bë më e idhët. Pata kurajon që ta ktheja penën edhe nga vetja e kolegët, duke kritikuar veten për rolin që kishim luajtur në zgjatjen e jetës të sistemit me lustrën që i bënim. Një shkrim për “fshatin pa emër” ngjalli shqetësim më të madh se sa e kisha menduar.

Pas publikimit të shkrimit, një mëngjes gjeta poshtë derës së zyrës një zarf të mbyllur që më adresohej me emër. Nuk kishte adresë të dërguesit. Letra ishte e mbushur me akuza dhe në fund kërcënonte”E dimë se fëmijët i ke dërguar në fshat. Nëse vazhdon siç e ke nisë, një ditë do t’i gjesh në fundin e liqenit të Laskaricës”.M’u mbush trupi me djersë dhe ndjeva një këputje të plotë të gjymtyrëve dhe dhimbje në gjoks. Sytë më rridhnin lot. Përse gjithë këto kërcënime? Po me fëmijët ç’kanë?

      Në fund të letrës, të shkruar me shkrim të hapur dhe shkronja kapitale, ishte emri i autorëve: Banorët e fshatit Matjan.

Çfarë të bëja? Ku të shkoja? Kë kisha shkelë në kallo me shkrimin e fundit apo ishte ndëshkim për të gjithë? Apo ishte shpagim për qëndrimet e mia të atyre kohëve. 

A vinte vërtetë kjo letër nga fshati Matjan? Si familje dhe si fis nuk shkonim keq me fisin e matjanëve. Dikur, në kohën e Mbretërisë, fisi kishte qenë në gjak me matjanët, por pajtesa ishte bërë publikisht tek shkolla e fshatit Gjuzaj në vitet e Luftës së Dytë Boterore. E kishte bërë vetë Hamit Matjani dhe gjyshi ynë, përfaqësues i fisit, pat ndërruar jetë pak javë pas faljes së gjaqeve. Falja kishte funksionuar. Më pas gjithçka ishte normale. Unë me prindërit dhe vëllezërit e motrat kalonim përherë mes fshatit Matjan, ku kalonte rruga për të shkuar në fshatin Shegas, ku kishim gjyshërit dhe dajot. Asgjë nuk na kishte ndodhë.Unë kisha pasë nxënës shumë prej djemëve dhe vajzave nga matjanët dhe i kisha trajtuar në mënyrë të barabartë me nxënësit e tjerë. Shumë prej tyre ishin të shkëlqyer dhe i kisha stimuluar. Edhe sot i kam miq, jo vetëm në fb.

A ishte shkruar vërtetë ajo letër nga matjansit apo ishte ndonjë vepër e parties apo 1200-tshave? Duhej ta verifikoja. Përmes mikut tim H.H, mësova se një nga burrat që i dëgjohej zëri në fshatin e Matjanëve po kurohej në spitalin e qytetit (në fakt matjanët asnjëherë nuk u bënë fshat me emër të veçantë, edhe njëhere kur e propozuam në Këshillin e Ministrave pas renies se sistemit, na e kundërshtuan për shkak të largësisë së pamjaftueshme me Garunjasin, fshatin nga vareshin)….I kërkova mjekut që e kuronte t’më krijonte mundësinë që të bisedoja me G.M. Ai u tregua i gatshëm. Shkova në spital. 

G.M iu bë qejfi që po e vizitoja dhe më pyeti për prindërit.E pashë se ishte shumë miqësor dhe brenda vetes e krijova opinionin se ajo fytyrë miqsore nuk kishte asnjë lidhje me shqetësimin tim. Kur po bëhesha gati që të dilja, ai më ndali: Nuk ma the shkakun e vizitës!

-Erdha të shoh, i thashë dhe sërish bëra të ikja. 

Por ai ma tërhoqi dorën dhe këmbënguli:-Një hall e ke.

U dorëzova. Nxora letrën nga xhepi i brendshëm i xhaketës dhe ia zgjata ta lexonte.

E pashë se u trondit. 

– Ke mbrojtjen time, më tha. Pastaj shtoi: Më jep 24 orë kohë, do të dërgoj njerëz sot në fshat. Përgjigjen do ta marrësh tek doktori. Ose tek H.H. Jam i bindur se duhet të jetë shkruar nga ata që ke shkelë në kallo, por jo nga ne. Ti na ke mbrojtë dhe ne të jemi mirënjohës.

Ika i çliruar disi, por brenda vetes përjetoja ankthin e enigmës. Vendosa që të të bëja dhe një verifikim tjetër.Takova një mbesë të matjanëve dhe i kërkova që të informonte Xhevitin(i ndjerë), të birin e Hamit Matjanit. Natyrisht as ai nuk dinte gjë(Kur erdha në Nju Jork, Xheviti erdhi më takoi tek redaksia e gazetës Illyria dhe dolëm për kafe. Pastaj erdhi me gjithë zonjën dhe djalin tek shtëpia dhe folëm edhe për atë histori. E intervistova dy herë Xhevitin. Pushoftë në paqe!).

Edhe verifikimi i dytë më bindi se letra duhej të ishte shkruar me porosi të partisë. Këtë bindje ma forcoi letra e dytë, që ishte hedhë poshtë derës të apartamentit tim. Ishte mëngjesi i së nesërmes së letrës së parë. Akoma nuk isha çuar nga shtrati, kur dëgjoj një fërfërimë poshtë derës dhe pastaj ca hapa të nxituara nëpër shkallë. U ngrita dhe pashë zarfin. Dola në ballkon dhe hodha sytë poshtë.. Asgjë nuk dukej.. Sikur e kishte përpi dhe’u. Hapa zarfin. Sërish letra ishte e mbushur me kërcënime. Këtë herë ishte përdorë një stilolaps me ngjyrë të kuqe, por shkronjat ishin të njëta, kapitale. 

Në fund të letrës shkruhej:Selia jonë është tek varrezat e qytetit! 

Kërcënim më të hapur nuk kishte se si bëhej.

Tronditja qe e madhe. Nuk dija ç’të bëja. U përpoqa të mos bëja zhurmë me qëllim që të mos zgjohej ime shoqe. Fëmijët ishin në fshat.U vesha dhe dola. Në kënd të pallatit takova një prej djemve demokratë të lagjes D.K. 

– Ç’të ka ndodhur?-më pyeti plot shqetësim.

Nuk e fsheha dot të vërtetën. I dhashë letrën. 

– Kjo është e dyta, i thashë me gjysëm zëri.

-Mos u shqetëso më tha pasi e lexoi deri në fund; duan të trembin, por ne jemi këtu. Hidh një gurë tek çatia e shtëpisë time dhe unë për dy minuta i mbledh djemtë…Thjesht më dha zemër. 

Këmbët më çuan tek redaksia e gazetës. Isha i pari që hapa zyrën.Të tjerët u vonuan. Pritja po ma shtonte ankthin.Nuk m’u duk shenjë e mirë një vonesë aq e gjatë. Në orën 10 mbërriti shefi. U kollit në korridor dhe pa trokitë hapi derën e zyrës time.

-Eja pak në zyrën time, më tha.

Shkova.

Ai nuk më ftoi të ulesha, por më përcolli urdhërin e pushimit nga puna.

-Përse?-e pyeta me gjysëm zëri.

– Arsyeja është e thjeshtë, tha. Kjo është gazeta e partisë tonë, jo e partisë tënde!

– Unë ende nuk jam në asnjë parti,- kundërshtova.

Ky është vendimi dhe unë kisha për detyrë që ta komunikoja, tha ai dhe kapi telefonin.

– A mund të ma jepni vendimin me shkrim, i thashë me mirësjellje.. Unë dua motivin se do të kërkoj punë tjetër. Kam familjen për të ushqyer.

– Shko merre vendimin tek shoqja sekretare e parë, tha ai.

Ishte e kotë të vazhdoja. Shefi kaq e kishte për detyrë. Shkova dhe kërkova vendimin. Më thanë se nuk ishte zbardhë akoma….dhe nuk u zbardh kurrë… U ktheva si i papunë në shtëpi.

***

Ishin bërë disa ditë që qëndroja i papunë. Ishte mëngjes i zakonshëm. Ecja me hap normal drejt qendrës së qytetit, kur më ndal i shqetësuar miku im B.D. Pa më thënë as mirëmëngjes, më tregon se në qendër të qytetit, tek MAPO, aty ku shpalleshin njoftimet publike, ishte varë një fletë-rrufe kundër meje.

– Janë grumbulluar shumë njerëz dhe po e lexojnë,-më tha. Pastaj më tërhoqi drejt MAPO-s. E ndoqa i bindur, pa e fshehur shqetësimin. 

Po mendoja:Prapë me fletë- rrufe këta? Një fletë-rrufe ma kishin vendosë para dy javëve, ku përgënjeshtrohej një artikull imi, publikuar në shtypin qendror, ku kritikoja kryetarin e Komitetit Ekzekutivë dhe të tjerë. Fletë-rrufeja më cilësonte gënjeshtar dhe kritizer. Në fund të fletë- rrrufesë ishin emrat e të gjithë administratës, përfshi kryetarin, zv.kryetarët,sekretarin, shefat e seksioneve. Po kjo e sotmja, ç’të ishte?

Në qytetet e vegjël lajmi përhapet shpejt. E shihja se kisha marrë mbi vete vështrimet e atyre që e kishin lexuar fletë-rrufenë.

-Ja ai në krah të majtë është, po i thoshte një djal i lagjes shokut përbri, kur na kaluan fare afër.

Kur u afruam tek këndi i fletë- rrufeve pamë se ishin grumbulluar kurreshtarë me shumicë, rrëshqita brinajzi për t’u afruar sa më shumë që ta lexoja se çfarë shkruhej.E lexova me një frymë. Akuzohesha se kisha fshehur biografinë dhe kisha mashtruar partinë, duke mos treguar se isha nipi i një komandanti të Ballit.(natyrisht ishte gënjeshtër). Partia më kishte shkolluar dhe unë e kisha tradhëtuar.Më bënin haram gjithçka.Kisha qenë gjarpër që isha futë tinëzisht në oborrin e partisë.

Në fund shkruhej:

Bashkfshatarët e fshatit Gjuzaj. 

Kur kisha lexuar dhe rreshtin e fundit, ndjeva një prekje në sup. Kthej kokën. Shoh një djal të gjatë të lagjes. Ai më dhuroi një buzqeshje dhe më shkeli syrin, pastaj zgjati dorën dhe e grisi letrën. Në ikje, ngriti zërin që ta dëgjonin dhe të tjerët:- Po pate problem na lajmëro!

Nuk kisha kohë që t’i përgjigjesha. M’u kujtua D. K dhe djemtë e lagjes Teqe.

Kujtohem që ta pyes B.D, që vazhdonte të rrinte krah meje: – Ti e pe vetë apo ta tregojë kush? Si kalove aq herët në qendër të qytetit?

– Shkova të pi kafen e mëngjesit dhe aty takova berber Metin. Ai më tregoj se e kishte parë që në orën 5 të mëngjesit një polic të gjatë që po e vendoste. Në gjysëm errësirë kishte shquar një polic shtatlartë që po e vendoste. Polici ishte nga fshati Halilaj. Berberi e njihte mirë policin se shpesh e thërrisnin në Degë për të qethur të burgosurit.

Po mendoja: Ç’ne bashkëfshatarët e mi të sillnin atë fletushkë, që në orën pesë të mëngjesit.Pse aq me ngut? Së paku duhej të ishin nisë në 3 të mëngjesit për të arritur aty në orën pesë! Pastaj qetësova veten: Njësoj si letrat nën derë, e njëjta dorë. Histori me paskuine.

Natyrisht që ato historitë e mia me paskuine nu kishin asgjë të përbashkët me novelën e shkrimtarit magjik amerikano-latin Gabriel Garcia Markez. Janë paskuine alla shqiptare. Gjeni shumë prej sosh edhe në portalet shqiptare dhe rrjetet sociale! Zoti na ruajte nga shpirtrat e keqinj!

Nju Jork, dhjetor 2021

Filed Under: Opinion

PRESIDENTI HISTORIK RUGOVA: KOSOVA NË MIQËSI TË PËRHERSHME ME SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS

December 30, 2021 by s p

SPECIALE – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 29 Dhjetor 2021/ Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në një intervistë ekskluzive që kam zhvilluar  në fundvitin 2002 për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha, i pyetur se si e shihte të ardhmen, zgjidhjen e çështjes shqiptare, mes tjerash theksonte: Kosova e pavarur, shtet i njohur, i integruar në Bashklimin Evropian, në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është një vend që i pari është interesuar për ne dhe na ka ndihmuar, dhe që na ndihmon vazhdimisht.

Gazeta Rilindja – botim special në ditën e 31 Dhjetorit 2002  për festën e Vitit të Ri 2003 e botoi intervistën në pesë faqe – 1,2,3,4 dhe 5, duke nisur me kryetitullin në ballinë “Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA”.

Derisa zhvillonim intervistën Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në Rezidencën Presidenciale në lagjen Velania të Prishtinës kishte në tavolinë dhe mbante në duar gazetën tradicionale e historike shqiptare të Kosovës Rilindja që kishte kryetitull “Kosova për herë të parë feston 28 Nëntorin me institucionet e saja të njohura ndërkombëtarisht”.

Ishte ajo gazeta Rilindja që në jubileun e 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në 28 Nëntor 2002, doli me botim special festiv, siç theksonte në ballinë, me shkrime të autorëve dhe personaliteteve të shquara nga gjithë bota shqiptare, ndërsa u shpërnda në të gjitha trojet etnike shqiptare – në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë të Preshevës, Ulqin e lokalitete tjera në Mal të Zi.

Gazeta DIELLI e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA intervistën e fundvitit 2002 e risjell të plotë në prag të Vitit të Ri 2022 – të 14 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës të njohur ndërkombëtarisht, ideator dhe arkitekt i së cilës ishte Presidenti historik Rugova:

INTERVISTË EKSKLUZIVE E PRESIDENTIT TË KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVA, DHËNË GAZETËS “RILINDJA”

KOSOVA E PAVARUR NË NATO E NË BE DHE NË MIQËSI TË PËRHERSHME ME SHBA

Vlerësimet për progresin në Kosovë janë të përgjithshme – edhe nacionale, edhe ndërkombëtare, ky progres gjithsesi e shpie Kosovën më shpejt në njohjen formale të Pavarsisë.- Gjithsesi njohja formale e pavarësisë së Kosovës do t’i shpejtonte proceset, edhe ekonomike, edhe demokratike, edhe të integrimit të shoqërisë së Kosovës – dhe do të qetësonte edhe rajonin e Evropës Juglindore, apo të Gadishullit Ilirik; do të qetësonte edhe popullin e Kosovës.- Njohja formale e pavarësisë së Kosovës do t’i detyronte edhe disa fqinjë tanë ta pranojnë realitetin e ri që është krijuar pas fushatës së NATO-s për lirinë e Kosovës, do t’i detyronte të bashkëpunojnë dhe do të merrnin fund kalkulimet, manipulimet e ndryshme, disa, nëse mund të shprehem kështu, ëndërrime joreale për Kosovën, që ata kanë nga e kaluara. Njohja e Kosovës nga SHBA-të, Bashkimi Evropian, që do ta formalizonte OKB-ja, do të ishte rruga shumë më produktive, më e drejtë.- Unë insistoj që të njihet Kosova drejtpërdrejt, sepse ne kemi kryer negociata të ndryshme: ju kujtohen Rambujeja dhe Parisi. Pastaj erdhi intervenimi i NATO-s, kur u ndëshkua pala tjetër pse nuk pranoi.

—-

Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, priti në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë Kryetarin e Këshillit Drejtues dhe Kryeredaktorin e gazetës “Rilindja”, Behlul Jashari, me ç’rast i dha një intervistë ekskluzive, duke i dhënë kështu edhe mbështetjen e fuqishme institucionale krijimit të mundësive dhe kushteve për rifillimin e botimit të gazetës simbol i traditës së informimit në Kosovë.

RILINDJA: Z. President, kemi nderin dhe kënaqësinë që të kemi këtë intervistë në përfundim të një viti historik të bërjes së Kosovës me institucionet e njohura ndërkombëtarisht dhe në pritje të një viti tjetër shumë të rëndësishëm. Fillimisht, Ju lutem, si e vlerësoni vitin 2002?

PRESIDENTI RUGOVA: Ju thatë se është një vit historik, por unë po them i rëndësishëm. Filluan punën institucionet qëndrore apo shtetërore të Kosovës. Në përgjithësi kemi vazhduar rrugën e progresit që po e shënojmë qe tri vite e gjysmë në Kosovë. Kemi një situatë shumë më të mirë të sigurisë, më shumë stabilitet dhe tolerancë. Natyrisht, ende ka probleme, ende ka incidente të ndryshme, por në përgjithësi – edhe ju e dini – është një situatë krejt tjetër. Edhe në planin ekonomik ka pasur një ecje, sidomos të sektorit privat. Sektori shtetëror punon tash me një kapacitet ekonomik më të vogël, dhe këtë sektor duhet ta privatizojmë. Për vitin e ardhshëm presim të vazhdojë gjithsesi në mënyrë më dinamike ky progres që e kemi pasur. Edhe institucionet e Kosovës do të jenë më të përgatitura – pra Kuvendi, Qeveria, Presidenca – po edhe ministritë, edhe shoqëria civile, që të ecim më shpejt në zhvillimin ekonomik, në privatizimin dhe në krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë e Kosovës. Po e theksoj këtë sepse kemi një popullatë të re që duhet t’i hapim përspektivë, dhe gjithsesi të krijojmë një stabilitet edhe më të madh politik, që të kemi investime, që të bëhet Kosova atraktive për investime në Kosovë.

RILINDJA: Kosova po bëhet edhe me simbolet shtetërore. Në Festën e Flamurit e të 90-vjetorit të Pavarësisë Shqiptare dolët me propozimin për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës. Para pak ditësh, në 13-vjetorin e LDK-së, partisë që e udhëheqni Ju që nga fillimi si një lëvizje për liri, pavarësi e demokraci, përuruat edhe një monument, një shenjë shtetërore – Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës. Ju lutem të na flisni edhe për këto momente të rëndësishme në rrugën e bërjes së Kosovës shtet.

PRESIDENTI RUGOVA: Gjithsesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës. Siç e dini, flamurin qe sa vite unë e përdor edhe si stemë të Presidentit të Kosovës, pra si emblemë, edhe në komunikime

ndërkombëtare zyrtare, po edhe të brendshme. Edhe flamurin shtetëror duhet ta kemi, flamur që shpreh specifikën e Kosovës. Tani shenjat kombëtare i përdor Shqipëria si shtet aktual.

Për himnin, do përkujtuar se është ajo kënga e dashur e 1912-tës, që e kanë kënduar të gjithë shqiptarët. Natyrisht do të ketë përpunim artistik, po them standarde artistike, po edhe standarde shtetërore. Për këto do të ndiqen procedurat, pra në konsultim me institucionet e Kosovës, me Parlamentin, me Qeverinë. Po edhe njerëzit le të diskutojnë, le t’i thonë hapur mendimet e veta. Por, besoj se shumica në Kosovë – e popullit, e intelegjencies, e klasës politike – janë dakord që të kemi simbolet tona. E kam marrë këtë si një inisiativë të Presidentit. Është në detyrën time t’i ec këto punë dhe besoj se së shpejti do të kryhen. Në këtë vazhdë ishte edhe përurimi i Shtëpisë së Pavarsisë. Dëshiruam të lëmë një monument, një traditë, atje ku janë krijuar institucionet e para të Republikës së Kosovës. Do të ketë një kompleks të Pavarësisë aty, që do të ketë objekte përcjellëse, ndërsa po ajo shtëpi nismëtare do të ruhet dhe do të ketë edhe karakter muzeal, po edhe aktiv. Do ta mbajmë gjallë atë kompleks. Pra,

të krijojmë edhe një traditë. Ne kemi një traditë me Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, pastaj në Shqipëri është Shtëpa e Pavarësisë në Vlorë, edhe këtu tash Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, që ka simbolikën e vet. Kemi edhe një shenjë të veprimit, sepse të gjithë, i gjithë populli i Kosovës, kemi kaluar nëpër atë shtëpi që ka qenë një shtëpi e shpresës, e pavarësisë, e lirisë dhe e demokracisë.

RILINDJA: Institucionet shtetërore të Kosovës së pasluftës, të zgjedhjeve të lira e demokratike, po përmbyllin vitin e parë të fuksionimit të tyre. Si e vlerësoni këtë periudhë të këtyre institucioneve, Presidencës, Parlamentit e Qeverisë, bashkëpunimin, edhe bashkëqeverisjen, e forcave politike të Kosovës, bashkëpunimin me administratën e OKB – UNMIK-un, si dhe procesin e kalimit të kompetencave nga ndërkombëtarët te vendorët?

PRESIDENTI RUGOVA: Në përgjithësi, ky ishte viti i parë i funksionimit të institucioneve. Ishin çështjet teknike, praktike, kompletimi i Presidencës, do të thotë i administratës, i Qeverisë, i Parlamentit, i ministrive. Më shumë kemi punuar në këtë plan sivjet. Shpresoj se në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm do të kompletohen të gjitha këto institucione, që të jenë efikase. Poashtu ne kemi pasur një bashkëpunim të frytshëm në mes nesh, por gjithsesi edhe në kuadër të ndarjes së pushtetit, pushtetit legjislativ – Parlamenti, ekzekutiv – Qeveria, dhe Presidenti – Presidenca ai pushtet reprezentativ, përfaqësues i Kosovës, por edhe që garanton për funksionimin demokratik të institucioneve të Kosovës. Pra, gjithsesi, Presidenca u ka dhënë përkrahje Parlamentit, Qeverisë, ministrive, edhe shoqërisë civile. Mund të them se në këtë vit në plan të parë ishte funksionimi i institucioneve të Kosovës.

Çështja tjetër është raporti me UNMIK-un, me pushtetet e rezervuara me

kompetenca. Vitin e ardhshëm shpresojmë se do të punojmë më shumë që të kemi raporte produktive dhe forma produktive të bashkëpunimit me UNMIK-un. Siç e dini, për dy vite kemi punuar së bashku (me UNMIK-un), ndërsa tash janë krijuar institucionet e Kosovës dhe duhet të gjejmë forma më produktive të bashkëpunimit. Siç është e paraparë me dokumente, duhet të ketë bartje graduale të kompetencave në

pushtetin nacional, apo pushtetin kombëtar, të Kosovës.

RILINDJA: Nga përfundimi i luftës kanë kaluar vetëm më pak se katër vjet, dhe edhe pse një periudhë e shkurtër, Ju vazhdimisht flisni për një progres të madh në Kosovë, ndërsa bashkësia ndërkombëtare ka vlerësime të larta, siç ishin edhe ato për zgjedhjet parlamentare si «të shkëlqyeshme e më të mirat në rajon», zgjedhjet lokale si «të standardeve evropiane, ndërkombëtare», vlerësime këto të Këshillit të Evropës, të OSBE-së, etj. Cila është rruga nëpër të cilën po shkon Kosova, nga e shpie Kosovën kjo ecje me vlerësime kaq të larta?

PRESIDENTI RUGOVA: Gjithsesi, vlerësimet për këtë progres janë të përgjithshme – edhe nacionale, edhe ndërkombëtare. Ky progres gjithsesi e shpie Kosovën më shpejt në njohjen formale të Pavarsisë së Kosovës. Po ju përgjigjem kështu shkurt.

Veç kësaj, ky përparim në këto tri vite shpie edhe në rrugën e një

zhvillimi më dinamik ekonomik të vendit. Do të thotë janë krijuar parakushte edhe për investime, për zhvillim më të shpejtuar ekonomik.

RILINDJA: Ju për shumë vjet keni folur për një Kosovë të pavarur,

euroatlantike, për NATO-n në Kosovë. Ka vite më parë që keni deklaruar se Kosova ka çka t’i ofrojë NATO-s, keni folur për një protektorat ndërkombëtar si fazë kalimtare. Ishte ajo që si një formulë zgjidhjeje e keni theksuar vazhdimisht dhe shumë herë. Si e vlerësoni këtë fazë të zgjidhjes në të cilën ka arritur e nëpër të cilën po kalon Kosova dhe çfarë do të jetë e ardhmja?

PRESIDENTI RUGOVA: Ky ishte, pra, objektivi yni qe sa vite, synim i popullit të Kosovës. Kërkesën për pavarësi e kam afirmuar unë si President i Republikës së Kosovës, dhe tash si President i Kosovës. Ishte rezultat i bazuar në Referendumin për Pavarësi të popullit të Kosovës që është mbajtur në shtatorin e vitit 1991. Pra, kjo ishte detyrë e institucioneve të Kosovës. E kërkonim edhe prezencën e NAT0-s, që është tashti në Kosovë. Sigurisht që me pavarësinë e Kosovës NATO do të ketë një mandat tjetër në Kosovë, do të ketë baza këtu. Kosova do të jetë anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian, e strukturave euroatlantike. Edhe protektorati që, pas luftës pra, erdhi si një fazë kalimtare, nëpër të cilën tash po kalojmë, edhe që i jep një siguri Kosovës, një perspektivë. Gjithsesi njohja formale e pavarësisë së Kosovës do t’i shpejtonte këto procese – edhe ekonomike, edhe demokratike, edhe të integrimit të shoqërisë së Kosovës – dhe do të qetësonte edhe rajonin e Evropës Juglindore, apo të Gadishullit Ilirik; do të qetësonte edhe popullin e Kosovës.

Pra e ardhmja, nëse doni t’ju përgjigjem shkurt, e ardhmja, po edhe e

tashmja, është pavarësia e Kosovës, sa më shpejt. Pra, pavarësia

formale, se ne de fakto jemi të pavarur. Pavarësia formale do të na hapte shumë dyer në planin e institucioneve financiare, të organizmave ndërkombëtare, në prezencën e drejtpërdrejtë në integrimet veriatlantike.

RILINDJA: E ardhmja e Kosovës, siç thuhet edhe në mesazhet e ndërkombëtarëve, varet nga përmbushja e standardeve të domosdoshme, veçmas të atyre që kanë të bëjnë me komunitetet pakicë. Ju edhe shumë më herët, si kryetar i LDK e President i Republikës së Kosovës, vazhdimisht i keni theksuar, e i theksoni edhe tash, garancitë e shtetit të Kosovës për të drejtat e interesat e pakicave. Çka ofron dhe çka do të bëjë Kosova në përmbushjen e standardeve që kanë të bëjnë me komunitetet minoritare?

PRESIDENTI RUGOVA: Po, ky, siç thuhet, është një prej standardeve. Po, njohja formale e pavarësisë do të jepte mundësi më të mëdha në të gjitha fushat. Sa i përket minoriteteve, ne kemi pasur progres në këto tri vite e gjysmë në Kosovë. Minoritetet tash janë prezente në Parlamentin e Kosovës, pastaj janë në Qeveri nëpër ministri, kanë dy poste ministrash, dhe tash kanë marrë pjesë në zgjedhjet e dyta vendore për pushtetin lokal. Por, gjithsesi, nuk po e them si sllogan, ka dhe do të ketë garanci dhe mbrojtje për grupet etnike, për minoritetet. Dhe, ju e dini, sot është e lirë gjuha për të gjitha minoritetet dhe po përdoret edhe në Parlamentin e Kosovës, që për një vend që ka dalë menjëherë pas luftës nuk është shumë e lehtë. Ju e dini se minoritetet kanë qenë të përfaqësuara edhe në qeverinë e përbashkët me UNMIK-un, në Këshillin e Përkohshëm Administrativ dhe në Këshillin Transitor, në ministri, në dokumente. Pra, ka progres edhe në këtë plan.

Natyrisht, ende është një kohë me plagë nga lufta; janë ende të zhdukurit, ata që ende nuk u dihet fati. Por, vërtetë kemi ecur shumë, sepse populli i Kosovës është një popull tolerant, me bazë, edhe në praktikë, popull që i respekton të tjerët, por gjithsesi edhe pakicat duhet të tregojnë një vullnet që të integrohen. Ne duhet të garantojmë edhe si shtet, edhe si popullatë shumicë, për të ardhmen e tyre, për një integrim ku do ta shohin perspektivën e vet në planin social, ekonomik edhe politik, që ua garanton Kosova.

RILINDJA: Evropa, ku Kosova dhe rajoni dëshirojnë të integrohen, ka edhe standardet e komunikimeve e integrimeve kombëtare, si dhe të bashkëpunimeve midis vendeve. Si e shihni bashëkpunimin e komunikimin ndërshqiptar, bashkëpunimin mes Kosovës e Shqipërisë, po edhe me vendet e tjera fqinje të rajonit?

PRESIDENTI RUGOVA: Ne folëm pak për këto standarde, që i kemi tash në Kosovë. Me pavarësinë, në këto standarde të tjera, që i paraqesin Bashkimi Evropian dhe integrimet euroatlantike, do të shkonim shumë më shpejt. Gjithsesi, një prej pikave është edhe bashkëpunimi rajonal, apo bashkëpunimi me fqinjët. Me Shqipërinë kemi një bashkëpunim të mirë, në trembëdhjetë vjetët e fundit kemi zhvilluar një bashkëpunim me Shqipërinë, që, për shkaqe praktike ka qenë shumë i vështirë, por ka qenë produktiv. Tash pas luftës është një bashkëpunim në të gjitha fushat, në planin ekonomik, politik, etj. Gjatë këtij viti ishte një bum i vogël turistik i kosovarëve në Shqipëri, të cilin besoj se e kanë respektuar edhe autoritetet e Shqipërisë, edhe populli i Shqipërisë. Dhe, natyrisht, duhet të krijojmë edhe mundësi komunikimi, rrugë – rrugën që e kërkojmë ne, Prishtinë-Durrës apo Prishtinë-Lezhë, për në bregdetin shqiptar. Patjetër duhet të punojmë për këtë, duhet t’u krijojmë njerëzve mundësi si pushtet, edhe institucionet shtetërore të Kosovës edhe të Shqipërisë. Kosova ka një bashkëpunim të mirë reciprok me Shqipërinë.

Gjithsesi do të bëjmë përpjekje që me Maqedoninë të zhvillojmë

marrëdhënie… UNMIK-u bën disa përpjekje. Me Malin e Zi, siç e dini, marrëdhëniet janë të mira kështu, në heshtje. Mali i Zi ka qenë më korrekt në raport me Kosovën. Ndërsa me Serbinë ju e dini se momentalisht UNMIK-u i mban disa marrëdhënie. Është më vështirë, sepse Beogradi ende nuk e ka ndryshuar logjikën e vjetër, ende i ka disa ngarkesa, edhe pse janë bërë ndryshime në Beograd. Por, do të bëjmë përpjekje që me të gjithë fqinjët të kemi marrëdhënie të mira edhe me hapa praktikë.

Për fat të keq, e theksoj edhe këtu, disa fqinjë tanë ende bëjnë pengesa që janë kundër OKB-së, kundër bashkësisë ndërkombëtare. Nuk njihen regjistrimet e targat e makinave të Kosovës, pasaportat e UNMIK-ut, pra të Kosovës…Kemi bërë disa përpjekje, por po ecën shumë vështirë, edhe UNMIK-u ka pasur vështirësi në këtë plan. Pra, ende janë ato alergjitë e vjetra, por shpresoj se shpejt do të thyhen edhe këto.

Përsëri po them, ndoshta dikujt do t’i dukem i tepërt, por njohja

formale e pavarësisë së Kosovës do t’i detyronte edhe disa fqinjë tanë ta pranojnë realitetin e ri që është krijuar pas fushatës së NATO-s për lirinë e Kosovës, do t’i detyronte të bashkëpunojnë dhe do të merrnin fund kalkulimet, manipulimet e ndryshme, disa, nëse mund të shprehem kështu, ëndërrime joreale për Kosovën, që ata kanë nga e kaluara. Pra, njohja formale e pavarsisë së Kosovës do të shpejtonte edhe procesin e marrëdhënieve pozitive apo fqinjësore, edhe miqësore, më fqinjët.

RILINDJA: Shqiptarët jetojnë në trojet e veta etnike edhe në disa vende

të rajonit, si në Maqedoni, në Luginën e Preshevës në Serbi, në Ulqin –

Mal të Zi. Si e shihni të ardhmen, zgjidhjen e çështjes shqiptare, duke pasur parasysh edhe këtë fakt? Lidhur me këtë ekziston qe më se një dekadë edhe Dokumenti i opcioneve i partive politike shqiptare.

PRESIDENTI RUGOVA: Po, është Dokumenti i ‘tri opcioneve’. Këtë

politikë, për fat të mirë, e kemi bërë të gjitha partitë politike të trojeve shqiptare, dhe ai dokument i ka dhënë frytet e veta, do të thotë jemi organizuar.

Zgjidhja e çështjes shqiptare, nëse duam të hyjmë kështu, në mënyrë

globale, shihet: Shqipëria si shtet, që është e njohur, Kosova e

pavarur, shtet i njohur, i integruar në Bashklimin Evropian, në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është një vend që i pari është interesuar për ne dhe na ka ndihmuar, dhe që na ndihmon vazhdimisht. Në Maqedoni shqiptarët gjithsesi të jenë element i shtetit, shtetformues; tash janë bërë hapat e parë, siç është Marrëveshja e Ohrit, pastaj integrimi i shqiptarëve në institucionet e tjera, që do të jenë element me rëndësi. Në Mal të Zi, poashtu, shqiptarët duhet të kenë një administrim të vetin, pra të kenë përfaqësim në nivel të Republikës së Malit të Zi në instiucione; edhe atje ka filluar një proces. Poashtu edhe në Preshevë, në Luginën e Preshevës, ka filluar një proces pozitiv; ka robleme, do të ketë probleme, por disponimet janë pozitive. Natyrisht, po e them në mënyre legale, ne, Kosova, do të interesohemi si shtet për shqiptarët në Mal të Zi, për Luginën e Preshevës, po edhe në Maqedoni, dhe nuk do të përzihemi në punët shtetërore, që të krijojmë çrregullime, siç dëshirojnë disa fqinjë ndaj Kosovës.

Po e theksoj për ju, e kam theksuar edhe më parë, në Evropën Juglindore, në këtë pjesë të Evropës e të botës, popujt duhet ta njohin njëri-tjetrin: edhe historikisht, edhe në pikëpamje politike, edhe shtetërore, sespse kjo mungon. Për fat të keq, shumica e popujve në rajonin tonë kanë pasur atë logjikën e dominimit, kanë injoruar shqiptarët në përgjithësi, nuk i kanë njohur, ose janë përpjekur edhe të bëjnë eliminime të ndyshme. Prandaj është një plan perspektiv, për të cilin ne si Kosovë do të punojmë në të ardhmen. Duhet të njohim njëri-tjetrin në rajonin tonë, përndryshe mund të ketë probleme. Mirëpo, është pozitive se në përgjithësi tash në rajonin tonë shikojnë nga Evropa. Këtë nuk e kishim deri para disa vjetësh. Ndërsa ne, shqiptarët, në përgjithësi, kemi shikuar gjithmonë e shikojmë nga Evropa, nga integrimet evroalantike.

RILINDJA: Z. President, të kthehemi edhe një herë te pyetja e parë.

Thamë se pas një viti historik Kosova pret një vit tjetër shumë të rëndësishëm. Ka paralajmërime se në vitin 2003, ardhjen e të cilit po e festojmë, do të fillojnë negociatat për statusin, për pavarësisë e Kosovës, që do të njihet edhe ndërkombëtarisht. A mund të na thoni diç më shumë lidhur me këtë?

PRESIDENTI RUGOVA: Ka spekulime të ndryshme se do të fillojnë

negociatat, pikëpamje të ndryshme. Këto i shoh si pozitive. Të gjithë po e shohin se kjo është një domosdoshmëri që duhet të bëhet. Por, unë insistoj që të njihet Kosova drejtpërdrejt, sepse ne kemi kryer negociata të ndryshme: ju kujtohen Rambujeja dhe Parisi. Pastajerdhi intervenimi i NATO-s, kur u ndëshkua pala tjetër pse nuk pranoi. Pra, është një epokë e re tani në rajonin tonë, të Evropës Juglindore, ndoshta edhe për shumë perspektiva në Evropë, në plan ndërkombëtar.

Njohja e Kosovës nga SHBA-të, Bashkimi Evropian, që do ta formalizonte OKB-ja, do të ishte rruga shumë më produktive, më e drejtë, dhe do të krijonte mundësi më të mëdha për zhvillim të përgjithshëm, ndërsa populli i Kosovës dhe rajoni përgjithësisht do të qetësoheshin.

RILINDJA: Viti i ardhshëm do të jetë edhe i një momenti të rëndësishëm

për gjithë njerëzimin, e që ka të bëjë me një shqiptare, Nënën Terezë,

Shenjëtërimin e saj, që e ka paralajmëruar edhe Papa Gjon Pali ll, të

cilin në Urimin e Krishlindjeve e keni ftuar të marrë pjesë në vënien e gurthemelit të Katedrales në Prishtinë…

PRESIDENTI RUGOVA: Po, do të jetë padyshim një vit i veçantë.

Parashikohet shenjtërimi i Nënës Terezë. Këto ditë Ati i Shenjtë e

njohu, e pranoi, një mrekulli që ka ndodhur me Nënën Terezë, pra, me njerëzit që janë shëruar edhe me kultin e saj, me mrekullinë e saj… Se ajo vetë ishte një mrekulli, një nënë kosovare-shqiptare, por edhe një nënë universale e njerëzimit. Dhe do të jetë edhe ky një simbol i madh për Nënën Terezë, që i takon gjithë botës, po edhe për shqiptarët në përgjithësi, edhe për Kosovën si shtet, që ajo e çmonte, e donte, e respektonte, dhe të cilën e ndihmonte.

Ju e dini, veprimi i shoqatës me emrin e Nënës Tereze ka qenë jo vetëm

një simbol, por edhe një ekzistencë e njerëzve tanë në planin e shërimit, të mjekësisë, të jetës sociale në Kosovë, që ka luajtur rolin e një ministrie në dhjetë vitet e kaluara. Edhe tash, në kohën e pasluftës, u tregua se kjo shoqatë mund të ekzistojë si pjesë e shoqërisë civile që i duhet shtetit. Pra, do të jetë një simbol për të gjithë shqiptarët. Skënderbeu ishte një simbol i Evropës, i botës – njihet. Nënë Tereza sot është një simbol universal, i njerëzimit, dhe ne jemi krenar që është shqiptare, që ka dalë nga bota shqiptare, prej popullit shqiptar.

Dhe, gjithsesi, edhe katedralja që parashikon Ipeshkvia ta ndërtojë në

kryeqyetin e Kosovës do të jetë me rëndësi, një simbol dhe një vepër që

i duhet kryeqytetit të Kosovës. Unë, si President i Kosovës, e kam

përkrahur, dhe natyrisht e njoftova në emër të popullit të Kosovës Atin e Shenjtë për atë që do të bëjmë. Pra, për Pashkët do të vendosim gurin e themelit të katedrales, që do të jetë një qendër fetare dhe kulturore me objekte përcjellëse, që do të jenë për të gjithë qytetarët e kryeqytetit e të Kosovës. Vërtet na duhet katedralja. Ju e dini: ka qenë në qendër të Prishtinës një kishë e vjetër katolike shqiptare, që është larguar dikund pas viteve 60-të, që është prishur a është shkatërruar. Katedralja në Prishtinë do të jetë edhe një simbol për Kosovën. Do ta përkrahim të gjithë, do ta përkrahin të gjithë qytetarët e kryeqytetit e të Kosovës.

RILINDJA: Z. President, falemnderit për këtë intervistë për botimin

special të gazetës «Rilindja» për Vitin e Ri. Kemi edhe një falënderim të madh për Ju zoti President i Kosovës për mbështetjen dhe angazhimet për një zgjidhje institucionale për gazetën tradicionale të Kosovës «Rilindja», të cilës shpresojmë se së shpejti do t’i krijohen kushtet dhe mundësitë të rifillojë botimin e rregullt. Mendojmë që është një rast shumë i mirë që «Rilindja» të rifillojë botimin e rregullt në ditën e përvjetorit të saj të 58-të, më 12 shkurt 2003. Shfrytëzojmë rastin, dhe kemi nderin dhe kënaqësinë, që qysh tash t’Ju ftojmë në festën, në solemnitetin që do të bëjmë, edhe për Ditën e Rilindjes edhe për rifillimin e botimit të gazetës «Rilindja».

PRESIDENTI RUGOVA: Unë ju kam premtuar përkrahje edhe më herët. Duhet të shikojmë, po flas praktikisht, si ta aktivizojmë

gazetën, që ka një traditë. S’po flasim më shumë, e dimë të gjithë.

Pastaj, me emrin «Bujku», këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë, pra derisa bëmë edhe Televizionin Satelitor. Kjo ka qenë shumë e rëndësishëme. Pra, ishte një bazë e informimit në Kosovë. Dhe, një mirënjohje për ju dhe të gjithë ata që në këto vite të vështira punuan dhe mbajtën të gjallë informimin në Kosovë.

Duhet të shikojmë praktikisht si të aktivizohet gazeta «Rilindja», t’i sigurohet vendi. Duhet të bisedohet dhe të shihen mundësitë. Edhe zyra ime për informim do të interesohet për këtë çështje; besoj edhe komisioni për media i Parlamentit, që është krijuar tash së voni, edhe institucionet e tjera. Duhet parë punën e statusit të «Rilindjes». Ju mund të jeni si gazetë e pavarur, por duhet të shikojmë sa mund të ndihmoheni nga institucionet tona.

Është shumë mirë që gazeta “Rilindja” edhe në këto kushte gjatë kësaj

kohe të fundit ka dalë me botime të kohëpaskohshme për ngjarje e data të rëndësishme, duke vazhduar të jetë histori e shkruar e Kosovës, dhe ruan në një mënyrë vazhdimësinë deri në rifillimin e botimit të rregullt.

RILINDJA: Z. President, Ju falënderojmë shumë për këtë përkrahje të

madhe për “Rilindjen”. Shfrytëzojmë rastin, kemi nderin dhe kënaqësinë, që t’ Ju urojmë: Gëzuar Vitin e Ri 2003, më shumë shëndet, mbarësi, suksese për Ju dhe për gjithë Kosovën.

PRESIDENTI RUGOVA: Urime, poashtu, edhe Juve, me shumë suksese dhe për punën që po bëni, për “Rilindjen”, që ta kemi së shpejti përditë. Falemnderit.

Legjenda e fotografisë në faqen 1:

Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, priti në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë Kryetarin e Këshillit Drejtues dhe Kryeredaktorin e gazetës “Rilindja”, Behlul Jashari, me ç’rast i dha një intervistë ekskluzive, duke i dhënë kështu edhe mbështetjen e fuqishme institucionale krijimit të mundësive dhe kushteve për rifillimin e botimit të gazetës simbol i traditës së informimit në Kosovë. Është shumë mirë që gazeta “Rilindja” edhe në këto kushte gjatë kësaj kohe të fundit ka dalë me botime të kohëpaskohshme për ngjarje e data të rëndësishme, duke vazhduar të jetë histori e shkruar e Kosovës, dhe ruan në një mënyrë vazhdimësinë deri në rifillimin e botimit të rregullt, tha Presidenti Rugova

BOXA – THEKSIME NGA INTERVISTA:

Gjithsesi njohja formale e pavarësisë së Kosovës do t’i shpejtonte këto procese – edhe ekonomike, edhe demokratike, edhe të integrimit të shoqërisë së Kosovës – dhe do të qetësonte edhe rajonin e Evropës Juglindore, apo të Gadishullit Ilirik; do të qetësonte edhe popullin e Kosovës.

Pra e ardhmja, nëse doni t’ju përgjigjem shkurt, e ardhmja, po edhe e

tashmja, është pavarësia e Kosovës, sa më shpejt. Pra, pavarësia

formale, se ne de fakto jemi të pavarur. Pavarësia formale do të na hapte shumë dyer në planin e institucioneve financiare, të organizmave ndërkombëtare, në prezencën e drejtpërdrejtë në integrimet veriatlantike.

Përsëri po them, ndoshta dikujt do t’i dukem i tepërt, por njohja

formale e pavarësisë së Kosovës do t’i detyronte edhe disa fqinjë tanë ta pranojnë realitetin e ri që është krijuar pas fushatës së NATO-s për lirinë e Kosovës, do t’i detyronte të bashkëpunojnë dhe do të merrnin fund kalkulimet, manipulimet e ndryshme, disa, nëse mund të shprehem kështu, ëndërrime joreale për Kosovën, që ata kanë nga e kaluara. Pra, njohja formale e pavarsisë së Kosovës do të shpejtonte edhe procesin e marrëdhënieve pozitive apo fqinjësore, edhe miqësore, më fqinjët.

Zgjidhja e çështjes shqiptare, nëse duam të hyjmë kështu, në mënyrë

globale, shihet: Shqipëria si shtet, që është e njohur, Kosova e

pavarur, shtet i njohur, i integruar në Bashklimin Evropian, në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është një vend që i pari është interesuar për ne dhe na ka ndihmuar, dhe që na ndihmon vazhdimisht. Në Maqedoni shqiptarët gjithsesi të jenë element i shtetit, shtetformues; tash janë bërë hapat e parë, siç është Marrëveshja e Ohrit, pastaj integrimi i shqiptarëve në institucionet e tjera, që do të jenë element me rëndësi. Në Mal të Zi, poashtu, shqiptarët duhet të kenë një administrim të vetin, pra të kenë përfaqësim në nivel të Republikës së Malit të Zi në instiucione; edhe atje ka filluar një proces. Poashtu edhe në Preshevë, në Luginën e Preshevës, ka filluar një proces pozitiv; ka robleme, do të ketë probleme, por disponimet janë pozitive. Natyrisht, po e them në mënyre legale, ne, Kosova, do të interesohemi si shtet për shqiptarët në Mal të Zi, për Luginën e Preshevës, po edhe në Maqedoni, dhe nuk do të përzihemi në punët shtetërore, që të krijojmë çrregullime, siç dëshirojnë disa fqinj

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2481
  • 2482
  • 2483
  • 2484
  • 2485
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT