• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kuajt e përgjakur

December 13, 2021 by s p

Bajram Mjeku

Nga të gjitha kafshët, janë kuajt që i dua më së shumti. Ata nuk shquhen vetëm për fuqinë, por edhe për instiktin e zgjuar dhe bukurinë që kanë.Kjo kafshë fisnike që shquhet edhe për elegancë, vazhdon të lë gjurmë të fuqishme në të gjitha fushat e artit; në letërsi, pikturë, skulpturë, filma artistikë…Jam me fat që fëmijërinë e kam kaluar midis tyre. Familja ime, të vetmen pasuri që mbërrijti të shpëtonte nga konfiskimi i madh i regjimit komunist në vitin 1947 ishin kuajt, por asnjëherë nuk ka mundur të shpjegonte, si vërtet ndodhi kjo?Tufa e kuajve të racës gjakthjeshtë anglez, mbijetoi deri në fillim të viteve gjashtëdhjetë dhe rrëfimin për përgjakjen tyre, e kam dëgjuar disa herë nga nëna ime e ndjerë. Përsëriste sa e sa herë për plagosjen e kuajve nga lukunia e ujqëve një ditë vjeshte, kur lugina e vendlindjes time jo rrallë mbulohet me mjegull… Janë ujqërit që duan mjegull dhe ditën fatkeqe, lukunia e tyre kishte bërë kërdinë. Rrëfimi i nënës për kuajt e përgjakur ishte dramatik. Fliste me ndjeshmëri për plagosjen e tyre nga ujqërit dhe për hingëllimat trishtuese, kur ata kishin mbërrijtur të plagosur para portës së madhe të oborrit të shtëpisë…Në Kosovë, kuajt pothuajse janë specie në zhdukje. Ndodh kështu, mbasi kjo kafshë fisnike si edhe shumë tjera, nuk janë nën përkujdesje të shtetit. Në shtetet normale, ushtritë dhe policitë kanë kavaleritë dhe parakalimet e tyre mbresëlënëse, ndodhin edhe sot në sheshet kryesore të kryeqyteteve të Evropës. Ende i dua kuajt dhe për aq sa zvogëlohen në numër, dashuria ndaj tyre më shtohet më shumë!

Filed Under: Emigracion

URIME SHOQATËS SË SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË NË 20 VJETORIN E KRIJIMIT

December 13, 2021 by s p

Nga Dalip Greca

Në pamundësi për t’iu përgjigjur Ftesës për të qenë fizikisht në veprimtarinë e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë të Dielën me 12 Dhjetor 2021, u përcjell urimet më të sinqerta në përvjetorin e 20-të të krijimit. Ndjehem mirë që në këto dy dekada të udhëtimit të shoqatës kam qenë bashkë me shoqatën në shumicën e veprimtarive të organizuara, në panaire, në promovimet e shumta, madje dhe bashkëorganizator me Vatrën e Diellin në disa prej promovimeve siç ndjehem mirë që në bibliotekën më të pasur të komunitetit, në bibliotekën e Vatrës është krijuar këndi i krijuesëve të diasporës.Ndërkohë gazeta Dielli ka qenë e hapur online dhe në print për Shoqatën siç ka qenë Vatra një shtëpi libri me dyer të hapura për promovime.Në këtë përvjetor festiv i përcjell urimet më të sinqerta të gjithë shkrimtarëve dhe artistëve shqiptaro-amerikanë, themeluesit Prof. Gjek Marinaj, President Nderi i Shoqatës, Poetit Adnan Mehmeti-President i Shoqatës, Kryetarit-Mhill Velaj, shkrimtarit të njohur Visar Zhiti-anëtar Nderi I shoqatës, dhe të gjithë pjesmarrësve në këtë festë. Urime: Ta gëzoni Përvjetorin e 20-të!

Filed Under: Politike

Në kujtim të Gjergj Fishtës dhe Migjenit -Me rastin e 150 dhe 110 vjetorit të lindjes së tyre

December 13, 2021 by s p

Vasil ÇapeqiBruksel, dhjetor 2021


Eshtë një mister, një enigmë e vërtetë përse gjuha jonë e shkruar shqipe u çfaq vetëm në shekullin e pesëmbëdhjetë, me vonesë krahasuar me gjuhët e tre universeve të mëdhenj kulturorë që e rrethojnë: grek, latin dhe sllav. Dhe nuk besoj se kane patur tjetër argument fqinjët tanë të përjetshëm, për të prodhuar dhe përhapur zhurmën sikur gjoja shqiptarët na qënkan një popull inferior.Nën këtë presion ekzistencial, atdheu ynë Shqipëria, u katandis në fillim të shekullit të njëzetë, me vullnetin e Fuqive te Mëdha, me një gjeografi tepër të vogël në krahasim me hapsirat e saj jetësore reale. Por gjithmonë e hapur ndaj botës nëpëmjet deteve, nga Ulqini në Prevezë, dhe e mbërthyer fort te malet e saj, nga më të lartët në Ballkan. E megjithatë, e Keqja më e madhe dhe kronike, shqiptarëve u ka ardhur prej shefave të tyre politikë. Diktatura Komuniste e bëri Atdheun tonë një vënd bunker, ajo vuri perden e hekurt mbi dete dhe male, duke na mbajtur të izoluar nga bota dhe të ndarë prej bashkëatdhetarëve tanë që jetojnë matanë kufijve.Ne shqiptarët, jemi të gjithë të vetëdijshëm dhe krenarë se gjuha shqipe është zemra e identitetit tonë. Fishta dhe Migjeni kanë shkruar që të dy në « gegërishte » që, së bashku me « toskërishten », ndryshe nga sa kujton njerëzia, nuk janë thjesht dy dialekte. Përveçse përfaqsojnë dy familjet e mëdha të gjuhës së folur shqipe, ato janë dy pjesët organike të trupit tonë identitar : dy hemisferat e tij cerebralë, dy sytë dhe dy veshët e tij, dy duart dhe dy këmbët e tij. Në sajë të këtij aliazhi natyral dhe të pacopëtueshëm, kombi shqiptar ka mundur të qëndrojë në këmbe dhe të mbijetojë nëpër shekuj. Diktatura komuniste kreu akte barbarie dhe inkuizicioni ndaj Gjergj Fishtës: eshtrat e tij u hodhën në lumin Drin dhe vepra e tij u ndalua. Pyetja që shtrohet në mënyrë urdhërore është kjo: përse gjithë këto mizori kundër At Gjergj Fishtës ? Enver Hoxha deshi të imponohej si Shpëtimtari i shqiptarëve. Duke dashur të ëvëndësojëZotin mbi tokë, ai rrafshoi përdhe kisha dhe xhamia. Një shëmbje fizike kriminale e besimit të njeriut. Ndërkaq, « Lahuta e Malcis » e Fishtës ishte bërë korda magjike e Shpirtit Shqiptar. Diktatorideshi ta shkatërrojë edhe atë… Por, para së gjithash, lahuta ky instrument me një tel të vetëm, ka kënduar prej qëmoti epopenë orale të pavdekshme shqiptare, përbri rrëfimeve dhe legjendave të qytetërimeve të medha. Përpara trashëgimisë shpirtërore të popullit të vet, çdo diktator, ani pse e ka emrin Hitler, Stalin ose Enver, e pret gijotina e historisë. Një qëndrim krejt tjetër djallëzor mbajti diktatura komuniste ndaj Migjenit. Ajo deshi të bënte me veprën e tij një produkt kozmetik për të maskuar shëmtinë e vet morale. Për diktaturën, faji i mjerimit të shqiptarëve ishte i Mbretit Zog dhe e i së kaluarës së tyre. Por Migjeni u bë i paprekshëm edhe nëpërmjet vdekjes së tij tejet të parakohshme, në moshën vetëm 27 vjeç. Me« Poemën e Mjerimit », « Recital i malsorit » dhe krejt veprën e tij, ashtu si Victor Hugo, Jehan Rictus dhe Jean Richepin në Letrat Franceze, Migjeni ka kontribuar për të ngritur në institucion, mjerimin dhe revoltën njerzore. Para 30 vitesh, në vënd që Shqipëria të shkëputej nga diktatura dhe nga e keqja, njëdemokraci e gënjeshtërt u instalua në truallin e saj prej dy kampeve politike, njëri gjoja i djathtë dhe tjetri gjoja i majtë, njëri blu dhe tjetri kuq e rozë. Atdheu ynë i martirizuar mori një shkelm të pamëshirshëm në bark, që detyroi një të tretën e popullsisë të largohej nga vëndi. Një eksod biblik, i panjohur në historinë e re të njerzimit. Si modul arithmetik, do të ishte njêsoj sikur katër miljonë Belgë, njëzetë miljonë Italianë, ose njëzetë e dy miljonëFrancezë të kishin marrë arratinë në këto tre dekadat e fundit… Ne shqiptarët e Diasporës jemi materie e gjallë e kësaj hemoragjie njerzore e cila nuk po ndalet. Le të provojmë të lexojmë dhe të kuptojmë përsenë e kësaj fatkeqsie madhore nën optikën eveprës së Fishtës dhe Migjenit. I njëjti refren vazhdon t’u thotë Shqiptarëve se fajin për mjerimin që nuk u ndahet atyre e kaparaardhësi. « Trashëgova një vënd të rrënuar, përsërisin njëri pas tjetrit shefat e Shtetit, por unë jam shpëtimtari juaj, unë jam më i miri… ». Ata kujtesa i tmerron, ndaj duan të sundojnënjë popull amnezik, duke e detyruar atë që të jetojë me sot me nesër. Për të kuptuar aleancën e tyre të hajnisë, mjafton të lexojmë dhe të dëgjojmë atë çka shefat aktualë të te dy kampeve politikë thonë për njëri tjetrin. Gjithëçka është e regjistruar përjetë,me zë dhe me figurë në Internet. Ata akuzojnë njëri tjetrin në mënyrë të paskrupullt dhe pa u hyrë gjëmb në këmbë, se kanë kryer tashmë një grabitje të padëgjuar dhe të pandodhuraskund, të pasurive të vëndit të tyre, të nëntokës dhe të mbitokës, deri te rezervat e floririt të Shtetit, deri te votat, deri edhe te shpresa e një populli të tërë për një të ardhme më të mirë.Por atëhere, si ka mundësi që njerëzit që banojnë akoma Atdheun tonë nuk reagojnë, nuk bëzajnë siç thotë Migjeni ? Në epokën tonë të çrregullimit alarmant klimatik të planetit, Atdheu ynë përjeton çrregullimin e vet të dhimbshëm organik. Nën efektin toksik të reve ngjyrë mavi që u rrinë mbi kokë, dy hemisferat cerebralë, i majti dhe i djathti, punojnë secili për hesap të vet, trupi social bën njësy qorr dhe një vesh shurdh, njëra dorë i bie gozhdës dhe tjetra patkoit, njëra këmbë pengon tjetrën, në rrugën drejt përparimit dhe lirisë. Në këtë vit pandemie planetare, shefat e të dy kampeve politikë duket se po heqin maskën. Të sigurt se tashmë janë bërë të paprekshëm, ata po zbulojnë lojën e tyre mëkatare të kalimit tëpushtetit e cila e ka emërin « vrasja e babës », versioni modern shqiptar i kompleksit të Edipit, mbret i Tebës ne mitologjinë greke. Babai i fundit i diktaturës i tha trashëgimtarit të zgjedhur : « biri im, bëj sikur do të më vrasësh, por jo prej vërteti, sepse jam unë që të mora nga dhitë dhe të futa në oborrin e pushtetit nëTiranë ». Babai i kampit tê kuq të pas diktaturës i tha djalit të tij të dëshiruar : « vritmë mua, biri im, por jo prej vërteti, sepse jam unë ai që të mora nga bulevardet e Evropit, ku ti ishe trafikant dhe të vesha me kostum ministri në Tiranë ». Biri i plotfuqishëm i momentit i thotë kushëririt të tij më të ri në moshë : « unë u bëra ky që jam sepse e vrava babën tim politik, vrite edhe ti babën tënd politik, me qëllim që dy familjet tona, rozë dhe blu të mbretërojnëderi në fund të shekullit ». Ka ardhur momenti i duhur që ti thuhet kësaj lukunie politikanësh të korruptuar: : Mjaft më abuzimit tuaj në grup me Nënën tonë Shqiperi ! Migjeni vazhdon të lypë për ne pakëz dritë dhe godet me grushtin e tij të fuqishëm prejdjaloshi 27 vjeçar malin brënda nesh, që s’bëzan, për të shkundur dhe për të zgjuar ndërgjegjet tona.. Në vitin 1914, Fishta pati shkruar një dramë ku zhvillohet ky dialog ndërmjet heroit tonëkombëtar Skënderbeut dhe Djallit, i cili po kthehej nga një udhëtim i gjatë: Skënderbeu pyet: « po Shqiptarët dhe Shqipëria si janë ? »Djalli përgjigjet : « ashtu siç i do armiku… » Shikoni këtë hartë të dashur bashkëatdhetarë, rezultat i zgjedhjeve të fundit të përgjithshme politike në Shqipëri, në muajin prill 2021. Gjithë bota e shikon në Internet. Eshtë Nëna jonë Shqipëri, e copëtuar më dysh, në rozë dhe blu si nga dora e vetë Djallit. Gjuha jonë e shkruar shqipe, për nga historia e saj është në lulen e rinisë, për nga gjeni i saj ajo është bukuri hyjnore ! Ajo po e kap me shkëlqim vonesën e saj. Ne kemi sot Fishtën, Migjenin dhe Ismail Kadarenë, një nga shkrimtarët më të mëdhenj botërorë të kohës sonë.

Filed Under: Analiza

“AT PJETËR MËSHKALLA S.J.”

December 13, 2021 by s p

PERGATITI FRITZ RADOVANI, 2021


AI ISHTE !E njofta… Ai ishte!E pashë atë ditë tue predikue, me 29 prill 1967, ora 17.00.Ai foli e na ndigjuem se shka do me thanë me kenë Atdhetar në Fé të Krishtit!Ai ishte që tha: “Unë jam Katolik!” E kapën, e lidhën… Ai ishte që shputë i ranë Fëtyrën me ia marrë.Në vargoj e merthyen pse në Kryqin besoi. Ai ishte, e pashë në mes tyne, në karvan të pafund, i pranguem përdore me Don Ndré Zadêjën, At Gjon Shllakun, At Giovani Faustin, At Daniel Dajanin, Don Alfons Trackin, Don Dedë Malaj, Imzot Gjinin e Bonattin, Etnit Mati Prennushi, Çiprian Nika, Bernardin Llupi, e sa e sa Martirëve të rreshtit pafund…Përbindshit ma hovin nuk ia pret asgja, ai veç vret, veç pret e dhunon panumrim.Edhe ndër muret e akullta të kështjellës së “lavdishme” të komunizmit të Burgut të Burrelit, do të shkruhej se, Ai ishte këtu! Me ata hekura të ngjyeme në gjak do të shkruhej Epopeja e Atyne Martirëve të pafajshëm, që bashkë me Ata Atdhetarë, pranguen edhe të Madhin At Pjetër Meshkalla S.J., vetëm pse, Ai ishte Meshtar i betuem dhe i vendosun për “Fé, Atdhé dhe Përparim t’ Atdheut”. Prej melodisë së lehtë të zanit të Tij, ruhen prap këta tinguj: “Vëllazën me të gjithë, pa dallim Feje!” Bashkë me né kjo muzikë do të zbuste qinda e mija zemra djelmësh të rijë, që gjakun kishte fillue me ua turbullue dëshprimi. Asht Ati i madh, Ati i të gjithëve, Myslimanë e të Krishtenë, me Fé e pa Fé, që hapte krahët e u thonte: “Ejani, ejani, djelmët e mij, durim, durim, të lutemi për ta dhe t’i falim!”, e së bashku me të gjithë vazhdonte vuejtjen, dhunën, mjerimin e pakufi, gjithmonë si Feja e pat mësue, tue pritë delen e humbun. E kur tirani, me sy të ngërthyem si mordja, na dukej në atë skëterrë që me plot lakmi shihte rininë shqiptare, kah gjak në vetull vëllau vëllaut po i merrte, si t’ ishte i huej që Atdheun po i shklet; i Madhi At Mëshkalla, veç brofte në kambë e zani si prej një vorrit naltohej deri në qiell: “Na nën dhé e ju mbi dhé, por na jemi ma të fortë se ju!”. Ushtria mbas Tij veç shkonte, ndër shtigje të tjera që frymën ta merrnin, por Trimi ka orën çuet! Ai s’ thehet! Ai printe përpara!Kur bishat vërriten me djegë Ungjillin – vetëm një za aty u pat ndigjue: “Inkuizicion!”, e Ati u tha: “Digjeni, digjeni, po deshët, se as ju nuk keni me ia dalë, ashtu si paraardhësit tuej, që tash 2000 vjet veç djegin Ungjijtë e Fenë e Krishtit nuk kanë muejtë me e shue as me e zhdukë!”. Mizorët tërbohen ma zi kur Burri dy pëllambë i shkurtë, u thotë: “Unë në Zotin besoj, e do të fitoj, ju më dënoni sa të doni, se unë prap se prap do të dal; ju shoshojnë keni me hangër e aty asht fundi juej! Feja e Krishtit nuk maron kurr!”. Profet! Vërtetë, Ai nuk trembët prej territ, se e di se Zotin do të shohë një ditë… Prap në hekura, prap në pranga, i lidhun mbas turmës: Ai ecën, nuk ndalet, nuk trembet, nuk përkulet, mes turmës ecën, e në Veronikën nuk hasë, nuk ka kush Fëtyren t’ ia fshijë. E prapseprap çdo çast Ajo Fëtyrë, më dukej ma e pastër, ma e dlirtë e ma hyjnore se kurrë! E, megjithatë, nuk mungoi edhe një grue, që dhimbjen e nanës harroi e zani i saj humbi në një gropë, si grueja që në dhé hyn pa Prift. Të gjithë si ishim mbërthyem dhambët e kapërdimë ato pak fjalë, që per shumë vjet i ruejtem të ndryme në zemër: “AI ISHTE HERO !”.Vetëm një Burrë, përkarrshi i thinjun, Gurakuqi Trimi, që edhe sot e shoh të zemruem me nofulla të shtërngueme, diçka përshpriti nën mustak e buzën zuni njak kah pa që zvarrë deshtën me e marrë e, gjunjët me gjak me ia bâ, por Ai, si Lajmëtari drejt Qiejve, flutroi e në prehën të Zotit pushoi!. Ushtuen malët e u dridh toka. Kushtrim ndër Bjeshkët e Nêmuna lëshoi si shkrepë vetima: “O BURRA, bre, Fitova !” Në xhips e futën për terr. Golgotë përsëri…Ai ishte që u tha: “Ju Kishat rrenoni, por toka nuk lot, ju prishni Kisha e Xhamija, turp! Në truell të Kastriotit çdo gja po shkatrroni, turp, për ju! Ai Krishtënimin Europës ia mbrojti!” Por Europa, s’kujtohet. S’kujtohet, se e di se mbrohet: ASHT PJETRI, Meshtari, Juzuiti i Madh, Stërnipi i Gjergjit, që Fenë e mbron. Ajo nuk shqimet në SHQIPNI! Në Shqipni asht Pjetri që Krishtin nuk mohon, jo, kurrë, se asht Meshkalla i Madh që e mbron e vedin flijon, për Krishtin veç vdes e, s’e lëshon!Kumbonaret heshtin. Dyert e mëdha mbyllën. Dritaret me gurë “ata” i gjuejnë. Ushtojnë kristalet që thehen, shalldanët që rrëzohen. Metalurgët shkrijnë kumbonë, se tingujt e tyne dëspotëve veshtë ua shurdhojnë dhe s’mund t’i ndigjojnë kah grizhën e ftojnë. Mbas Atit shkojnë! Ai ishte, që Kalvarin vazhdon pa u ndalë.Ai ishte i urtë, i përvujtë, i palodhun, i dashtun, i pakursyem, i patrembun, e gjithmonë buzagaz. At Pjetri i zdathun, i çveshun, i etëshëm mes vëllazënve të uritun, veç lutej: “Fali, o Zot, se s’dijnë se shka bajnë!” Djelmëve buzën e thame me ujë ua lagë, pikë-pikë, buzën e zhuritun ua zbutë, “Bariu i Mirë”, At Pjetri; uratën me ta e thotë e, kur nën Kryq Ai rrëzohët, Ata me vrap e çojnë, e marrin, e Kryqin ia mbajnë, e ndihmojnë, se Ai ishte që ju prinë… Ai ecte me ta n’errësinë, nuk ndahet, nuk ndalet, nuk kthehet, Ata janë Bijt’ e Tij. Ai ishte Ati, që thërriste: “Ecni, ecni, Bijtë e mij, se Drita s’asht larg”! Ai vetë Ju prinë për mos me ra në greminë… Ajo nuk asht aq larg sa kujtojmë, forca, durim, ecni e të mos ndalojmë… Përpara!Ecni! Përpara!Larg shihet një Dritë!E Brezat e ardhëshëm njëditë…Simbolit të Atdhëtarisë, Fesë, Burrnisë, Trimnisë e Fisnikisë Shqiptare që, burrnisht me Kryqin e Krishtit, pa Ju tutë syni gjujzoi Perandorinë ma barbare komuniste per 44 vjetë, t’ asaj Europës plakë e shkretinave t’Azisë; ashtusi Parardhësi i Madh dhe i Pavdekshem Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, që me shpatë në dorë mposhti per 25 vjetë, një Perandori Otomane vrastare nder hunj dhe, shkatrrimtare të qytetnimit ma t’ vjeter Ilir.E, Shqiptarët e Vertetë: Nderës e Besës ndaj Atdheut e Flamurit Shqipes që s’ vdes, Tèk I.N.R.I., me shkronjat e Fishtës daltojnë:
“AT PJETËR MËSHKALLA S.J.”

Filed Under: ESSE

TRUMPIZMI PA TRUMP-IN

December 13, 2021 by s p

Nga MASSIMO GAGGI

“Corriere della Sera”, 3 dhjetor 2021     Përktheu Eugjen Merlika

Donald Trump-i vazhdon të ushqejë pritmërinë e një kandidature të tij për në Shtëpinë e Bardhë më 2024. John Kelly, ish shefi i Kabinetit të tij, tregohet i sigurtë se kur të vijë koha do të tërhiqet mbrapsht: “Nuk mund as të konceptojë që të kalojë në histori si një i mundur”. Ka bindur njëherë popullin e tij se ka qënë i vjedhur. Per herë të dytë do t’ishte e vështirë edhe për të. Por nëse të gjithë sytë janë të përqëndruar mbi lëvizjet e personazhit, mekanizmat e politikës amerikane po ndryshojnë – me rrezikun e të tjerë dëmeve për demokracinë – në një nivel që rrëmben më pak kujdesin e publikut të gjërë.

Mbas votës së një muaji më parë në Virxhinia (ku fitoi një konservator që e ka drejtuar fushatën e tij pa ndërhyrjen e ish presidentit), shumë republikanë kanë filluar të mbajnë parasysh mundësinë e një trumpizmi pa Trump-in: vijë e ashpër, aspak kompromise, teknika komunikimi të paskrupullta dhe retorikë përçmuese, siç u pëlqen idhtarëve të The Donald, por pa një kthim të tij në Shtëpinë e Bardhë. Prandaj shumë, që nga guvernatori i Floridës Ron De Santis deri tek Chris Christie, kuturisin lëvizje përgatitore për një zbritje në fushë duke sfiduar zëmërimet e shefit të madh.

Sot Partia republikane, ajo që pothuajse sigurisht do të rifitojë konrollin e Kongresit mbas 11 muajsh, është një krijesë e çuditëshme politike. Në dukje është nën kontrollin e plotë të Trump-it: deri pak kohë më parë i vetmi zë që e kundërshtonte hapur ishte ai i Liz Cheney-t, që partia e Shtetit të saj, Wyoming, ka kërkuar në të gjitha mënyrat t’a shkishërojë. Megjithatë, në të vërtetë shumë parlamentarë të moderuar heshtin nga frika e hakmarrjes politike, ose të dhunave fizike: kërcënime tashmë shumë të përhapura.

U pa në konferencën e fundit të guvernatorëve republikanë: gazmorë e të bashkuar në mbrëmjet zyrtare, në të vërtetë t’alarmuar nga sulmet e Trump-it shumë prej tyre dhe shumë parlamentarëve konservatorë  jo mjaftësisht të rrjeshtuar. Shumë kanë vendosur të mos kandidohen më (i fundit, dje, guvernatori i Massachusetts Charlie Baker), ndërsa të tjerë duhet të maten në parapraket me ndonjë besnik skajor të Trump-it, që kërkon t’i çrrënjosë. Prandaj beteja e vërtetë politike djathtas, më shumë se në zgjedhjet e mid term të nëndorit, do të zhvillohet në parapraket e pranverës e të verës.

“Corriere della Sera”, 3 dhjetor 2021     Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2515
  • 2516
  • 2517
  • 2518
  • 2519
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT