• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VLERAT AMERIKANE NUK KANË ASGJË TË PËRBASHKËT ME VLERAT E REGJIMIT KOMUNIST TË ENVER HOXHËS

December 7, 2021 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidenceVetëm 3-4 ditë nga shkrimi im për këtë çështje —‘Shpërthen’ Frank Shkreli: Zonja Kim, prej sot nuk je më ambasadorja ime! | Gazeta Telegraf– se kombi shqiptar ka nevojë për pajtim dhe jo për përçarje nga përpjekjet e kujdo qoftë – po radhis disa zhvillime më të fundit të lidhura me temën e atij shkrimi. Ai shkrim u frymëzua, fatkeqësisht, nga postimi në facebook të Ambasadës Amerikane në Tiranë, ku shqiptarëve ju urohej e ashtuquajtuara “Dita e Çlirimit të Shqipërisë” — një devijim arrogant, deri më sot i pashpjeguar, zyrtarisht, se pse u bë një gjë e tillë – ndryshe nga qëndrimi zyrtar historik amerikan që deri tani ka njohur zyrtarisht 28 nëntorin 1912, si Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë — dita kur urohet, zyrtarisht, festa kombëtare e shqiptarëve. Z. Ruben Avxhiu, editor i gazetës Illyzria në Nju Jork, shkruan në një artikull të ditëve të fundit se nuk është hera e parë që Ambasada Amerikane në Tiranë uron 29 Nentorin si “Ditën e Çlirimit” të Shqipërisë. Edhe nëse kjo është e vërtetë, ky fakt nuk ndryshon asgjë. Fakti mbetet se kjo datë shënon një ditë që shumica e shqiptarëve e konsiderojnë si një ditë të themelimit të diktaturës më të egër komuniste në Evropë dhe të shtypjeve më brutale kundër një pjese të madhe të popullësisë shqiptare që nuk është pajtuar kurrë me atë ideologji të huaj sllavo-aziatike.  Ajo që është edhe më e keqe, është kjo heshtja arrogante nga ana e ambasadës ndaj reagimeve të shumëta kundër deklaratës së saj për “29 Nentorin” – një arrogancë që nuk është në natyrën amerikane të transparencës — për të mos reaguar ndaj shqetësimeve legjitime nga taksapaguesit amerikanë, e të tjerë.  

Heshtja arrogante e ambasadës amerikane në Tiranë, ndaj një shqetësimi si ky, nuk është një vlerë amerikane. Sekretari Amerikan i Shtetit, Z. Antony Blinken, në fjalimin e parë drejtuar stafit të Departmentit të Shtetit me 21 Janar, 2021, ka thenë se do të “bëjmë më të mirën për popullin amerikan, duke bërë një politikë të jashtme”, që ndër të tjera, “nderon dhe respekton vlerat”, amerikane. Heshtja e juaj arrogante në lidhje me këtë çeshtje nuk është më e mira që po bëni, Zonja Kim. Edhe nëqoftse kritikët janë të gabuar në pretendimet në lidhje me ekëtë çeshtje, atëherë na thoni, jeni të gabjar, nuk është ashtu siç thoni ju. Kështu qëndron situata.  Si shtetas amerikanë që jemi, YOU ARE LETTING US DOWN! Be transparent!

Edhe nëqoftse se nuk është hera e parë që Ambasada ben një urim të tillë, reagimet kanë qenë shumë të ashpra kundër kësaj deklarate fatzezë nga një institucion amerikan, siç është Ambasada Amerikane në Tiranë, e cila mbi të gjitha duhet të kujdeset dhe të mbrojë interesat e shqiptaro-amerikanëve në atë vend dhe të mos i ofendojë dhe të mos tallet me plagët e tyre, ende të hapura, shkaktuar nga diktatura komuniste “çlirimtare”, atyre dhe familjeve. Në fund të fundit, edhe shqiptaro-amerikanët – shumë prej të cilëve e kanë pësuar keq nga komunizmi — paguajnë taksa federale që financojnë rrogën e ambasadores dhe të stafit të ambasadës amerikane në Tiranë.  Ajo deklaratë është ende në faqen facebook të ambasadës.     Unë nuk besoj në konspiracione, por ky urim me rastin e 29 Nentorit si, “Dita e Çlirimit” të Shqipërisë përkon me përpjekje të shumta, për disa vite e deri në ditë e fundit—përfshirë përpjekje në nivelet më të larta të qeverisë shqiptare – për të promovuar të “mirat” e regjimit komunist. Këtyre zërave, përveç ambasadës amerikane në Tiranë, për glorifikimin e një të kaluare që nuk meriton glorifikim por dënim, ditët e fundit, i janë bashkuar edhe disa gazetarë, anëtarë të parlamentit shqiptar, madje dhe disa historianë të njohur.  

Në një konferencë të ditëve të fundit në Tiranë, e titulluar, “Demistifikimi i historisë dhe e ardhmja”, një historiane u shpreh se, Enver Hoxha, “Udhëhoqi Shqipërinë për 45 vjet, me të mirat dhe të këqijat”.  “Figura e Enver Hoxhës nuk mund të shihet vetëm zi”, ishin disa prej deklaratave që u dëgjuan në atë konferencë. Me këtë lloj justifikimi, duhet që tu thoni edhe hebrenjve se Hitleri nuk duhet shikuar “bardhë e zi”, por duhet gjykuar, “për të mirat dhe për të këqiat”. Transmetojani një vlerësim të tillë historik hebrenjve, të nderuar historianë shqiptarë, për të parë se si do reagonin ata. U lutemi, na kurseni prej “demistifikimit” të historisë komuniste shqiptare.  Më së pari të nderuar historianë, ju duhet të demistifikoni veten, që ta dimë se kush, vërtetë, jeni ju, pasi shumë prej jush e keni shkruar atë histori të rrejshme dhe sot pas 30 vjet të shembjes së komunizimit zyrtar, ju të njëjtit historianë doni ta interpetoni atë.  Në një rast tjetër që flet shumë për faktin se sa larg është Shqipëria në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste, megjithëse është anëtare e NATO-s – në “përpjekjet” e saja për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare — Zv.Presidentja e Asamblesë Parlamentare të NATO-s e dhe Kryetarja e Komisionit parlamentar të Shqipërisë për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli ndodhej në Uashington javën që kaloi ku mori pjesë në punimet e Forumit Transatlantik të Asamblesë.  E pyetur nga Zëri i Amerikës së ç’mendonte për një anëtar të Partisë Socialiste të Shqipërisë në parlament i cili zgjodhi të uronte anëtarët e Komisionit të Sigurisë me një fotografi të Enver Hoxhës dhe nëse është normale për një deputet të shumicës që qeveris vendin të bëjë një veprim të tillë kur trashëgimia e hidhur e komunizmit ka ngjallur kaq shumë dhimbje në Shqipëri, për shumë njerëz.  Zonja Kodheli refuzoi t’i përgjigjej drejt-për-drejt pyetjes së Zërit të Amerikës, duke u sjellur rreth e rrotullë.

Ndërkohë që as Partia Socialiste, as Kryeministri Rama nuk kanë kërkuar ndjesë për atë akt të deputetit të tyre, unë as nuk mund ta marr me mend një përfaqsuese (në Asamblenë Parlamentare të NATO-s), sikur të ishte një përfaqsuese polake, çeke, hungareze, lituaneze ose estoneze, apo cilit do vend tjetër ish-komunist, që të refuzonte të përgjigjej drejt për drejt një pyetjeje si kjo mbi dukuritë e komunizmit në vendin e tyre, siç po ndodhë në Shqipëri. Shyqyr që përfaqsuesit shqiptarë në NATO nuk kanë gjë në dorë se po të kishin do të deformonin edhe kulturën, natyrën dhe misionin demokratik, anti-komunist të NATO-s, në bazë të të cilave është themeluar aleanca perëndimore. Zonja Kodheli nuk iu përgjigj as pyetjes se pse është bosh karrigia e ambasadorit të Shqipërisë në Vatikan për 8 vjet tani, duke anashkaluar përgjigjen, ndërsa foli për pritjen e Ramës në vizitën e tij të fundit atje. Frank Shkreli: Në 30-vjetorin e mardhënieve Shqipëri-Vatikan, karrigia e ambasadorit fuqiplot të Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë është ende bosh, që prej 8 vitesh | Gazeta Telegraf

Ndërkaq — të shqetësuar rreth këtyre fenomeneve ose dukurive pro-komuniste si këto të këtyre ditëve në Shqipëri, por jo vetëm, përfshir Shtetet e Bashkuara, ku grupe ekstreme majtiste pro-komuniste çojnë krye, nga koha në kohë, për të provokuar dhe për të testuar ujërat, si të thuash – një grup kongesmenësh republikanë, në fund të javës që kaloi, njoftuan se kanë përpiluar një projekt-ligj për mësimin e historisë dhe të krimeve të komunizmit në shkollat amerikane.  Unë jam përpjekur gjatë viteve të reflektoj interesimin, në Amerikë, për viktimat e komunizmit, për krimet dhe për historinë falimentuese të regjimeve komuniste, në përgjithësi. Frank Shkreli: Ndërkohë që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kujtohen viktimat e komunizmit, në Shqipëri glorifikohet regjimi i Enver Hoxhës | Gazeta Telegraf

Deri tani, janë rreth 15 shtete të Amerikës që, në lidhje me këtë çeshtje, kanë miratuar ose janë në proces të miratimit të ligjeve për kujtimin e viktimave të komunizmit dhe për mësimin e historisë së komunizmit botëror në shkollat amerikane. Por duket se Kongresi, në nivel kombëtar, ka vendosur të bëjë diçka ligjërisht për të edukuar brezin e ri mbi krimet e komunizmit, një pjesë e madhe e të cilëve, sipas sondazheve, shprehen se nuk dinë asgjë ose shumë pak për komunizmin dhe aq më pak për krimet e regjimeve të kësaj ideologjie, anë e mbanë botës. 

“Studentët amerikanë duhet të mësojnë për gulaget sovjetike… ku Stalini, qëllimisht, shkaktoi vdekjen e 3.5 milionë ukrainasve nepërmjet urisë”, tha të premtën që kaloi, Kongresisti republikan i shtetit Teksas, Z. Dan Cranshaw, në një konferencë për shtypin para ndërtesës së Kongresit në Washington, ku njoftuan pprojektligjin e ri.  “Nxënësit duhet të mësojnë për Revolucionin Kulturor të Mao Tse Tungut që shkaktoi vdekjen e dhjetëra miliona kinezëve. Ata duhet të mësojnë edhe për skllavërinë moderne që po ndodhë tani në krahinat e Kinës ku jetojnë uguirët myslimanë”, nënvijoi kongresisti i shtetit Teksas.  Kongresisti republikan nga Teksasi deklaroi se qëllimi i këtij projektligji është, “Të sigurojmë që komunizmi të mbetet në koshin e plehërave të historisë, aty ku e ka vendin”, një thënje kjo e ish-Presidentit Ronald Reagan. 

Ndërsa, Presidenti i Fondacionit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit me qëndër në Washington, Z. Andrew Bremberg, i pranishëm në konferencën për shtypin dhe mbështetës i këtij projektligji tha me këtë rast se, “Shumica e të rinjve dhe të rejave amerikanë, thjesht, nuk e njohin historinë e regjimeve komuniste.” Ndërsa Kongresistja republikane, Maria Salazar e shtetit Florida, prindërit e të cilës janë arratisur nga Kuba komuniste, tha gjatë të njëjtës konferencë shtypi se, “E vetmja barazi që ofron komunizmi”, shtoi ajo, “është që të gjithë të jenë të barabart  në varfëri, të barbart në uri, të barbart në shtypje dhe mërgim.”

Ne që jetojmë këtu në Amerikë e dimë se qeveria federale nuk ka shumë influencë në sistemin publik të edukimit, pasi kryesisht, kontrollohet nga shtetet individuale dhe qeveritë vendore, andaj qeveria federale nuk ka të drejtë tu urdhëroj shkollave se çfarë programi mësimor duhet të përdorin. Kjo është e drejtë dhe përgjegjësi e bordeve vendore të shkollave publike, që votohen nga qytetarët e zonës.  Por, ky projektligj, i cili deri tani ka siguruar mbështjen e 60 kongresistëve në Dhomën e Përfaqsuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, ka për qëllim që të rrisë ndërgjegjen dhe njohurinë për krimet e komunizmit duke promovuar programe dhe materiale edukative për shkollat amerikane nepërmjet Fondacionit Përkujtimor të Viktimave të komunizmit, fonde që do të përdoren nga sistemet arsimore të jurisdikcioneve vendore dhe shtetërore – me objektivin për të edukuar nxënësit dhe studentët amerikanë të shkollave të mesme, mbi krimet e komunizmit dhe të regjimeve të tjera totalitare.    

https://www.facebook.com/victimsofcommunism/videos/171772828259511/?t=5  —Elida Dakoli nga Durrësi – pjesë e Projektit të Dëshmisë e Fondacionit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit në Washington.

Duke pasur parasysh nismën e Kongresit amerikan për miratimin e një projektligji përt ë mësuar në shkolla historinë dhe krimet e komunizmit, po u drejtohem ju ligjvenës të Kuvendit të Shqipërisë, ju historianë e historiane shqiptare, ju gazetarë e akademikë shqiptarë, ju klasë politike e të dy partive kryesore të atij vendi, në “pozitë dhe opozitë”.   Nëqoftse jeni të sinqertë me pretendimet e juaja mbi vlerat e përbashkëta me perëndimin, e sidomos me Amerikën, atëherë duhet të jeni të vetdijshëm edhe për të këqiat që i ka sjell komunizmi atij vendi dhe botës në përgjithësi.  Dhe si rrjedhim të bëni diçka për të ndërgjegjësuar shqiptarët, e sidomos brezin e ri të shqiptarëve, rreth krimeve të komunizmit. 

Pse nuk dëgjojmë nga ju thirrje për zbuluar të vërtetat e historisë së komunizmit – siç po bëjnë ligjvensit amerikanë, të cilët, megjithëse Amerika nuk është qeverisur kurrë nga komunizmi, madje edhe tre dekada nga shembja e Murit të Berlinit e shohin komunizmin së një rrezik real dhe aktual për të gjitha shoqëritë, përfshir Shtetet e Bashkuara.  Ndryshimi i madh midis jush dhe këtyre legjislatorëve këtu në Shtetet e Bashkuara është fakti se elementë të ndryshëm të kësaj shoqërie këtu në Amerikë, kur e shohin rrezikun, përpiqen t’i dalin përpara, ta parandalojnë. Ju nga ana tjetër që përfaqësoni Shqipërinë, një vend që ka vuajtur më së shumti nga komunizmi enverist, më i egri në Evropë — mendoni — duke filluar që nga Kryeministri, partitë politike të gjitha ngjyrave e deri tek parlamenti, shkollat, universitetet e deri tek akademia, historianët, e tjerë – se komunizmi i Enver Hoxhës nuk ishte aq i keq, se kishte të “mira e të këqia”, siç shprehen disa.

 Ndryshe nga ju në Shqipëri, ligjvenësit amerikanë janë të vetdijshëm për të këqiat e komunizmit. Bazuar në histori, ata e shohin rrezikun dhe njohin krimet e komunizmit, ndërsa me këtë projkektligj ata po përpiqen të bëjnë diçka që brezat e ardhëshëm amerikanë dhe rinia e sotme e Amerikës të mësojë të vërtetën mbi këtë ideologji çnjerzore dhe për krimet që ka bërë kundër njerëzimit. Ky është dallimi i madh midis amerikanëve dhe ju shqiptarëve post-komunistë.  Vlerat tona perëndimore nuk janë vlerat e juaja sepse po të ishte ashtu, ndryshe do të flisnit mbi historinë dhe krimet e komunizmit të Enver Hoxhës dhe atij ndërkombëtar, në përgjithësi, dhe ndryshe do vepronit. Megjithëse kanë kaluar tri dekada nga shembja e Murit të Berlinit, ju ligjvensit e Shqipërisë “demokratike”, deri më sot nuk e kini provuar – as me fjalë as me vepra se, vërtetë, jeni serioz të pranoni vlerat tona perëndimore, duke u distancuar nga e kaluara dhe krimet e komunizmit të regjimit të Enver Hoxhës. Komunizmi është në kundërshtim të plotë me lirinë dhe demokracinë amerikane, thanë kongresistët amerikanë duke paraqitur projektligjin në fjalë! Vlerat amerikane nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat e regjimit komunist të Enver Hoxhës, as me nostalagjikët e regjimit të tij, as me ditën e “çlirimit” për disa e të robërimit për të tjerët.  Nëqoftse dëshironi të jetoni në një Shqipëri demokratike, është detyrë, obligim dhe përgjegjësi e juaja që të mësoni brezin e ri mbi rreziqet e komunizmit, ashtu siç po bëjnë këta kongresistë amerikanë! Por, më së pari nevojitet që Shqipëria të distancohet nga e kaluara e saj komuniste dhe të dënojë krimet e regjimit komunist, duke u shkëputur njëherë e mirë nga trashëgimia enveriste. Vetëm atëherë, ndoshta mund të flasim për, “Vlera të përbashkëta” midis dy popujve tanë, vlera për të cilat do duhej të luftohej “krah për krah”!

Frank Shkreli

A group of people standing outside

Description automatically generated with medium confidence

Konferencë shtypi nga një numër kongresistësh republikanë duke njoftuar projektligjin për mësimin e historisë së regjimeve komuniste në shkollat e mesme të Amerikës — Washington, 3 Dhjetor, 2021 –Ata thanë se deri më tani, për projekligjin në fjalë, kanë siguruar mbështetjen e 60 deputetëve të Dhomës së Përfaqësuesve.

Image

               Pamje nga konferenca e shtypit, Washington, 3 dhjetor, 2021

Filed Under: Featured

Hezbollahu, Struktura, Strategjia dhe Fuqia Luftarake

December 7, 2021 by s p

Hezbollahu, Struktura, Strategjia dhe Fuqia Luftarake

Doktor Dritan Demiraj, Dega e Vatrës Michigan.

Ish Ministër i Brendshëm në RSH.

Me dashamirësi dëshiroj të theksoj se pavarësisht universit të madh informativ dhe forumeve multietnike të informimit, libri në versionin e printuar është pasuri e pazëvendësueshme.Në kohën e sotme imponimi i informacionit nëpërmjet videove dhe grafikave intensive, duket sikur i ka zbehur vlerat e librit, por në të vërtetë përdorimi i librit si burim informacioni, shkollimi, diturie është dhe mbetet fundamental. Personalisht jam i dashuruar me formation e librit në versionin e printuar. Asgjë nuk mund të zëvendësojë atë në bibliotekën modeste personale të shtëpisë time, në të cilën shtohen çdo ditë librat e botuar në SHBA, të cilët analizojnë gjeopolitikën, gjeostrategjinë, terrorizmin & kundërterrorizmin, sigurinë, mbrojtjen, marëdhëniet ndërkombëtare dhe shkencat politike. Me këtë rast, kam kënaqësinë tu njoftoj se në fondin e shumë librave, shtohet edhe një libër tjetër i botuar nga unë, “Hezbollahu, Struktura, Strategjia dhe Fuqia Luftarake”. Mendoj se çdo profesionist është i obliguar të shkruajë dhe të publikojë artikuj, shkrime, analiza, esse, libra, etj për tu ardhur në ndihmë dhe për të transmetuar tek të rinjtë e apasionuar njohuritë, eksperiencën dhe analizën e tij. Edhe ky libër i ri, botohet si pjesë e kolanës së librave që kam përgatitur për lexuesin e zakonshëm por edhe për profesionistët e fushës së sigurisë, një libër që nuk ka qënë pjesë e bibliotekave dhe institucioneve studimore në Shqipëri dhe jo vetëm. Në librin me 623 faqe “Hezbollahu, Struktura, Strategjia dhe Fuqia Luftarake” analizohen të gjitha elementët që kanë lidhje me historikun e krijimit, strukturën organizative, ideologjinë dhe lidershipin e Hezbollahut. Më pas bëhet një analizë e pjesmarrjes së Hezbollahut gjatë pushtimit të Libanit nga Izraeli në vitin 1982, konfliktet në vazhdim midis njëri tjetrit dhe përplasjet kundër interesave amerikane në Liban dhe në rajon. Në kapitujt në vazhdim analizohet konflikti i Hezbollahut me Izraelin në vitin 2006, në vitin 2008 e deri në ditët e sotme. Më pas analizohet në detaje përfshirja e Hezbollahut në konfliktin në Irak në vitin 2005-2009, në Siri në vitin 2012-2017, në Irak përsëri në vitin 2014 deri në shkatërrimin e ISIS-it në vitin 2017, përfshirja e Hezbollahut në operacionet luftarake jashtë Libanit, përfshirja e tij në vitin 2015 në konfliktin në Jemen në ndihmë të forcave rebele Houthi, etj. Më pas analizohet si në asnjë libër, struktura ushtarake e Hezbollahut deri në nivelin e kompanisë, kapacitetet e tij të forcave tokësore, forcat ajrore, njësitë e zhytjes së luftimit, njësitë tankiste dhe të blinduara, arsenali me më shumë se 155.000 raketa, njësitë e dronëve të zbulimit dhe të sulmit, etj. Në kapitullin pasardhës, analizohet struktura dhe operacionet e njësive të fshehta të Hezbollahut, Njësisë 1800 dhe Njësisë 3800, aparatit të tij sekret të sigurisë së brendshme (ESO), operacionet e tij të fshehta nga viti 1990-2021, bashkëpunimi me Ministrinë Iraniane MOIS, me forcat elitë Quds të IRGC-së, shërbimet e inteligjencës së Sirisë, me grupet palestineze Hamas dhe Xhihadin Islamik Palestinez (PIJ) në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor. Në kapitujt në vazhdim analizohet mbështetja financiare, logjistike, struktura e mediave, operacionale dhe luftarake. Më pas bëhet një analizë për operacionet ushtarake të Hezbollahut në Izrael, Irak, Siri, Jemen, Jordani, Kuvajt, Arabinë Saudite, Turqi, SHBA, Britaninë e Madhe, Francë, Itali, Egjipt, Libi, Argjentinë, Brazil, Uruguaj, Tajlandë, etj. Forcat e armatosura të Hezbullahut përbëhen nga jo më pak se 70.000 trupa duke përfshirë këtu edhe forcat rezerviste. Në strukturën e tij ushtarake bëjnë pjesë ndër të tjera: Brigada “Nasr” e cila është rezervë strategjike e Sheikut Hasan Nasrallah, Brigada “Badr”, Brigada “Xhelil”, Brigada “Haidar”, Brigada “al-Kamit”, Brigada “Aziz”, Brigada “al-Quds”, Brigada “Islambulës”, Njësia speciale “Ridvan”, etj. Për mua edhe ky libër më ka shërbyer si nxitje për të vazhduar punën akademike, kërkimore, shkencore në çështjet e sigurisë, terrorizmit, mbrojtjes, marëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë, me synimin për t’u bërë pjesë e ambicies bashkëkohore, për të trajtuar edhe më në “thellësi dhe gjerësi” çështjet e sigurisë në nivel rajonal dhe strategjik, por në të njëjtën kohë edhe për të analizuar në veçanti të gjithë rreziqet dhe kërcënimet për vendin tonë dhe aleatët tanë në mbarë globin.

Filed Under: Opinion

Tirana kryeqytet

December 6, 2021 by s p

Mehdi Frashëri

Konspektoi Bardhyl Selimi 6 dhjetor 2021

Para një viti, po ndiqja një emision televiziv, ku shoku im, zoti Bedri Alimehmeti, shpjegonte si u bë Tirana kryeqytet. Aty mora vesh për ndikimin e madh që pat ish mbreti Zog i Parë që arriti t’ua mbushte mendjen krerëve të parisë së qytetit duke u premtuar shumë të mira, gjë që u bënë vërtet. 

Tani sapo lexova ca shënime të njërit nga politikanët e shquar të viteve 20, Mehdi Frashërit, pikërisht për këtë temë. Më intereson edhe mua pasi i kam kaluar 75 vjet jetë në këtë qytet bujar dhe mikpritës. Familja e nënës sime ka gjetur strehë aty që nga viti 1924.

Në këtë libërth Mehdi Frashëri zbërthen arsyet përse u zgjodh Tirana kryeqytet, menjëherë pas Kongresit të Lushnjës. Ndër të tjera ai vë në dukje jo vetëm pozitën e këtij qyteti, atëhere më i vogël se Elbasani, në mes të Shqipërisë Londineze, me qasje komunikimi tokësor me të gjitha krahinat e tjera, më pak i arritshëm nga sulmet e mundëshme nga jashtë, banuar nga një popull patriot që e kish treguar me vepra dashurinë e madhe për atdheun, si në rrethimin e Shkodrës, në  shuarjen e “kryengritjes së Mirditës” dhe përballjen me sulmet serbe në lindje, një popull më pak i ndikuar nga propaganda e fqinjëve armiqësore të veriut dhe jugut të Shqipërisë dhe me pasuri natyrore.

 Atëhere mëtonin për kryeqytet edhe qytete të tjera më të mëdha e më të lashta, si Shkodra, Vlora, Durrësi, Berati, Elbasani. Në shënimet e tij, Mehdi Frashëri argumenton përse këta qytete nuk janë të përshtatshëm për kryeqytet, për pozitën e tyre gjeografike, duke sjellë krahasime me vende si Italia, Gjermania apo Franca. 

Duke u përqendruar te Tirana, autori sqaron mundësitë e shumta që paraqet Tirana në të ardhmen, propozon disa projekte të mëdha zhvillimore për të, që tani, pas gati 100 vitesh, duken tepër largpamëse. Për shembull, rruga hekurudhore elektrike Tiranë- Durrës që do ta bashkonte kryeqytetin me portin më të madh të vendit brenda gjysëm ore dhe në të ardhmen Tirana me Durrësin do ngjanin me Athinën e Pireun; teleferikun në Malin e Dajtit, plantacionet që do mbilleshin në kurorën kodrinore dhe në fusha me ullinj, portokalle dhe bimë të tjera; fuqine elektrike nga ujërat që do ndriçonte qytetin dhe do vinte në punë shumë industri në të; punimet kanalizuese dhe kulluese që do zhduknin pellgjet moçalorë që shkaktonin malarjen dhe sëmundje të tjera, ngritjen e një infrastructure krejt të re për ndërtesat qeveritare dhe komunikacionin brenda qytetit. Të gjitha këto nisën të vihen në jetë shumë shpejt pas viteve 20 duke vërtetuar parashikimet vizionare të këtij politikani të shquar. 

Besoj se edhe shumëkujt do t’i interesonte pse Tirana u caktua kryeqytet, duke lexuar shënimet e Mehdi Frashërit nga të cilat shkëputa vetëm pak fragmente.

E ardhmja e Shkodrës është e lidhur jo me të qënurit kryeqytet, por si vend tregtie dhe industrie. Veprat hidraulike, ndërtimi i udhës së hekurt Shëngjin- Prizren- Danub, krijimi i limanit të Shëngjinit, marrëveshje ekonomike me kushte reciproke me Jugosllavinë, organizimi i punimit të duhanit, të peshkut e sidomos të konservës dhe haviarit, shfrytëzimi i bakrit në rreth të Pukës, përdorimi i fuqisë elektrikë në Bunë e Drin, shfrytëzim i pyjeve dhe punimi i djathnave në malet e saj- gjenisë tregtare të Shkodrës ka me i dhënë një zhvillim të mrekullueshëm dhe ka me pru begati dhe fatbardhësi me rrënjë e ka me qenë Hamburgu ose Milanoja e Shqipërisë së re. Po Vlora?  Një qytet në breg të detit është i destinum për me qenë qendër tregtie dhe zhvillimi detar, por jo kryeqytet. Kryeqyteti i Italisë nuk mund të jetë Gjenova apo Venecia, por Roma në mes të vendit. Ashtu edhe në Francë Parisi dhe jo Marseja, Bordoja apo Dunkerku. Në Gjermani Berlini e jo Hamburgu. Veç të tjerash, kryeqyteti në Vlorë mund të nxise përçarje veri-jug, Toskë- Gegë. (këtë zoti Mehdi e thotë lidhur me kryengritjen famëkeqe të Haxhi Qamilit)

Pse Tirana?

Tirana ka të gjitha mjetet e natyrta të begatisë, të zhvillimit bujqësor, industrial e tregtar, kodrat e bukur pa gur, me një naltësi të vogël, transformohen në vreshta rrushi, fiku e gropat e tyre, që i kanë kthyer krahët muranit, në kopshte portokallesh. Ujrat që e rrethojnë për së afërmi, si Lana e Lumi, Limuthi, Tërkuzi, pak më së largmi Erzeni formojnë landë fuqi elektriku, landa pjellore për me njomë tokat. Pyjet i ka afër, gjithë gropë e Tiranës është karbonifer, thëngjill-mbajtëse.

Një pjesë e malit të Dajtit në verilindje ka një livadh të madh në forme trapezi, me ujra të bulbërta sa me ushqye një qytet të madh, me dru prej ahu, me pamjen e detit, e të gjitha fushave, me erën e kulluar, me klimënë e fortë, po të lidhet me qytetin me një teleferik, prej 8 ose 10 kilometrash. Mbasi të bahet tramvaji i Durrësit do të bahet qyteti verës të Tiranës dhe vend i një senatoriumi.

…Tirana mund të zbukurohet shumë shpejt në se 10 % e buxhetit shpenzohet për këtë qëllim. ( e përmblodha unë- B.S.)

…Ka edhe shumë faktorë të tjerë strategjikë e moralë. Është më e mbrojtur gjeografisht nga sulmet e armiqve dhe populli i pandikuar nga progaganda sllavo-greke. (e përmblodha unë- B.S.)

Konspektoi Bardhyl Selimi 6 dhjetor 2021

Filed Under: Histori

Vatranët mbështetën “Foltoren” e New Jerseyt

December 6, 2021 by s p

Presidenti i Nderit të Vatrës z. Agim Rexhaj, ish-nënkryetari z.Asllan Bushati, anëtarët e kryesisë z.Idriz Lamaj dhe z.Agustin Mirakaj dhe anëtarët e këshillit z.Muhamet Omari, z. Paulin Mrnaçaj, z. Eduard Arianitasi e vatranë të tjerë ishin të pranishëm në “Foltoren” e New Jerseyt në mbështetje të Prof.Dr. Sali Berishës. Z.Rexhaj bëri thirrje për bashkim të Partisë Demokratike dhe theksoi rolin e jashtëzakonshëm të Doktor Berishës në ndërtimin e shtetit shqiptar dhe përkrahjen e çështjes së Kosovës në të gjitha Kancelaritë Perëndimore e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Z.Rexhaj u ndal edhe te raportet e shkëlqyera të Doktor Berishës me Amerikën në të kaluarën e tij dhe miqësinë e ngushtë me Doktor Rugovën dhe punën e përbashkët në dobi të çështjes kombëtare. Ish nënkryetari z.Bushati vlerësoi “foltoren” si burim energjish patriotike dhe kërkoi të garantohet vota e diasporës. Në takim Doktor Berisha pasi kërkoi nga diaspora bashkim dhe pjesëmarrje masive për të rrëzuar pushtetin kriminal të Ramës, sqaroi motivin se pse vendosi të rikthehet në politikën aktive duke thënë se: ” Vendosa të kthehem fuqishëm për të mbrojtur Kosovën, interesin kombëtar, interesin publik deri në minutën e fundit të jetës time. Dhe u bëj thirrje, mobilizoni energjitë dhe forcat për të mbrojtur Kosovën nga projektet e serbomadhit Vuçiç dhe veglës së tij Edi Rama në Tiranë” tha ndër të tjera lideri historik i PD. Në përfundimin të takimit Doktor Berisha falënderoi vatranët për mbështetjen dhe ftoi të gjithë shqiptaro-amerikanët që ta mbështesin në betejën për të vërtetën dhe votën e lirë.(Dielli).

Filed Under: Komunitet

Sot, kujtojmë 224-vjetorin e lindjes së Naum (Bredhi) Veqilharxhit (1797-1854)

December 6, 2021 by s p

Muzeu Historik Kombëtar/

Ideologu i parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, mendimtar i shquar, illuminist e veprimtar i shkollës shqipe. Lindi në Vithkuq të Korçës, ku kaloi fëmijërinë. Para vitit 1806 mërgoi me familjen në Moldavi (Kishinjev). Më 1821 mori pjesë në kryengritjen e eteristëve në Rumani kundër robërisë osmane si një nga udhëheqësit e saj, bashkë me Shqiptarë të kolonisë së atjeshme. Iu kushtua çështjes së Çlirimit të Shqipërisë, duke u udhëhequr nga ideja themelore iluministe se një popull mund të dalë nga prapambetja vetëm po të shkruajë gjuhën amtare dhe po të përhapen arsimi dhe kultura kombëtare. Më 1824 nisi punën për përpilimin e një alfabeti të veçantë të shqipes me 33 shkronja, të pranueshëm nga të gjithë, për të kapërcyer dasitë që lidheshin me alfabetet e tjera. Synoi që sistemi shkrimor t’u përshtatej veçorive të fonetikës së shqipes. Me këtë alfabet botoi më 1844 të parën abetare të shqipes, “Evëtarin”. Abetarja u prit me entuziazëm dhe u përhap në krahinat Jugore të Shqipërisë. Për të plotësuar kërkesat e shumta që pati, e ribotoi më 1845 me titullin “Fare i ri Evëtar shqip”, të shoqëruar me një “E parathënme për djemtë e rinj shqiptarë”. Përgatiti gjithashtu një gramatikë dhe libra e dorëshkrime të tjera që nuk janë ruajtur. Më 1846 hartoi një “Letër qarkore” (enciklikë) greqisht, drejtuar bashkatdhetarëve ortodoksë në Shqipëri. Largpamësia e Naum Veqilharxhit qëndron, jo vetëm në shtytjen që i dha lëvizjes së popullit shqiptar kundër robërisë shekullore osmane, por edhe në faktin se është i pari që dalloi e paralajmëroi rrezikun që do t’i vinte kombit nga qarqet shoviniste greke e nga politika e Patrikanës.Shqiptarët i shihte si komb me karakter të veçantë, me gjuhën e zakonet e veta, me një thesar kulturor të trashëguar. Kishte besim tek aftësitë dhe virtytet e popullit të vet dhe fshikulloi ata që ishin vënë në shërbim të të huajve. Naum Veqilharxhi e kuptoi rrezikun e madh të shkombëtarizimit që vinte nga shkollat e huaja dhe punoi për një shkollë shqipe me përmbajtje laike dhe për të gjithë fëmijët e popullit. E pasuroi shqipen me një varg termash të kulturës e të dijes. Naum Veqilharxhi u përpoq gjithashtu të krijonte një shoqëri kulturore që të bashkonte atdhetarët e tjerë. Vdiq në Stamboll, i helmuar nga Patrikana. Me veprën e tij u bë shprehës i një kthese me rëndësi në historinë e kombit shqiptar.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2527
  • 2528
  • 2529
  • 2530
  • 2531
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT