• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KLIMA DHE TË DREJTAT: ME MBROJTË SHOQËRITË E HAPURA

December 1, 2021 by s p

Nga ANGELO PANEBIANCO

“Corriere della Sera”, 21 nëndor 2021    Përktheu: Eugjen Merlika/

Të shuara dritëhedhësit mbi Cop 26, mbi takimin e Glasgow, për më tepër mbi manifestimet e udhëhequra nga Greta Thunberg që e kanë shoqëruar, ndoshta i a vlen të bëhen një palë pyetjesh. Megjithë marrëveshjen e befasishme mbi klimën ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës (që duket se është një lëvizje më shumë në një ndeshje të ndërlikuar shahu ndërmjet dy Vendeve), mbetet që kundërshtia e ndotësit më të madh të Planetit, Kinës, për marrëveshje shtrënguese mbi energjinë e ndotur ka qënë përcaktuese. Më shumë se ajo e Hindisë që ka shfaqur hapur armiqësinë e saj (në të vërtetë, për arsye të kuptueshme) ndaj një heqje dorë shumë të shpejtë të përdorimit të qymyrit. 

Si vallë nuk shihen në qarkullim nëpër botë veprimtarë të mjedisit të zinxhirosur para ambasadave kineze? Si vallë Kina nuk është bërë armiku i tyre kryesor? Një tjetër pyetje e pason: në Glasgow kishte veprimtarë t’ardhur nga gjithë anët e botës por mund të vihet bast se ata me pashaportën e Republikës popullore kineze ishin shumë të paktë. Ndoshta asnjë. Si ndodh kështu? Pyetja e parë detyron dallimin ndërmjet shqetësimeve të natyrshme për ndryshimet klimatike dhe atyre të natyrave të tjera. Pyetja e dytë do të duhej të inkurajonte veprimtarët e mjedisit të pranonin se nuk jemi të gjithë njësoj, se ka, ndërmjet Vëndeve të ndryshme të pështjelluara, ndryshime politike rrënjësore, të cilat nuk do të jenë të papërfillëshme në vendimet e ardhëshme të qeverive, edhe në lëndën e kundërshtisë ndaj ndryshimeve klimatike.

Përgjigja e pyetjes së parë nuk është e vështirë. Në lëvizjen mjedisore bashkëjetojnë dukshëm dy drejtime. I pari është ai i atyre që kanë si interes të vetëm të natyrshëm ndalimin e ndryshimeve klimatike. Sigurisht ai është drejtimi i shumë veprimtarëve. Është ai që fiton simpatinë e një publiku të gjërë perëndimor që bashkëndan me të shqetësimet.

Por ka edhe një tjetër, po aq të dukshëm, një tjetër drejtim që mund t’a pagëzojmë “kundërkapitalizëm me të gjitha mjetet”. Është drejtimi i atyre që janë të interesuar të luftojnë kapitalizmin e njëjtësuar me shoqërinë perëndimore. Njëherej kjo rrymë gjallëronte lëvizjet komuniste. Sot që komunizmi është një utopi e vjetëruar, që nuk shërben më, maqina e re është lufta kundër ndryshimeve klimatike. A nuk ka qënë vallë kapitalizmi perëndimor që ka dhunuar mjedisin në shekujt e fundit? Pra lufta kundër ndryshimeve klimatike dhe kundër kapitalizmit në trajtë perëndimore a nuk është e njëjta gjë? Ja përse Kina nuk mund të bëhet armiku kryesor. Do t’ishte në kundërshti me rrëfimin, ndoshta jo zotërues, por sigurisht shumë të përhapur në botën mjedisore. Do t’a zhvendoste vëmëndjen nga armiku “i vërtetë”, i cili, veç të tjerave, është shumë më i ndikueshëm se sa Kina.

Deri sa dy drejtimet do të vazhdojnë të bashkëjetojnë, “të fuqishmit e Tokës” me të cilët do të merren do të jenë kryesisht “të fuqishmet” (qeveri) perëndimore, çfarëdo të thonë faktet që duken sheshit (për shembull, ata që tregojnë pakësimin, gjatë kohës, të pasojave ndotëse të veprimtarisë industriale n’Evropë). Ja përse fjala e urtë e ish Presidentit Obama mbi shumllojshmërinë e problemeve dhe shkallshmërinë e nevojshme të dhënies së përgjigjeve, i u kthye mbrapsht dërguesit. Është njëra nga dy arsyet, për të cilat zotërojnë parashikimet apokaliptike mbi përimtimet e qeta e të matura: sa më shumë të përhapet bestytnia në katastrofën kërcënuese, aq më shumë kapitalizmi (perëndimor) mund të vihet në vështirësi. Arsyeja tjetër, më e përgjithëshme, është që utopitë mijëvjeçare (pritja në një t’ardhme rrënjësisht të ndryshme nga e sotmja) janë kripa dhe motori i të gjitha lëvizjeve kolektive. 

Vështrimi tjetër, i lidhur me të parin, është i përfaqësuar nga nënvleftësimi i ndryshimeve që shfaqen ndërmjet shoqërive të hapura e demokratike perëndimore dhe atyre të mbyllura e autokratike. Siç ka vërejtur Federico Rampini (Corriere, 14 nëndor) nuk mund të ketë një Greta kineze. Për arsyen e thjeshtë se nëse një kundërshtar me çfarëdo titulli, ngre kokën nga ato anë, menjëherë atë i a presin. Rrjedhin dy pasoja. E para është se lëvizjet mjedisore  mund t’a bëjnë të ndihet zëri i tyre veçanërisht ose vetëm në Perëndim. E dyta është se duke qënë ato perëndimore shoqëri të hapura, në të cilat qeveritë duhet të përgjigjen për veprimet e tyre para opinioneve publike, do të jenë ato në vitet e ardhëshme që do të venë në jetë masat e kundërshtisë së ndryshimit klimatik, për shkak të përhapjes së shqetësimeve në vetë ato shoqëri.

Duhet vënë re se ata ndryshime shfaqen në çdo drejtim. Është e vështirë (siç ka vërejtur Franco Venturini në Corriere të 17 nëndorit) që të mos i vishet fakti që në Rusi përqindja e të vaksinuarve është thellësisht më e ulët se ajo që regjistrohet në Vendet perëndimore, mosbesimit tepër të kuptueshëm e shumë të lashtë të rusëve kundrejt autokracive të pushtetit. Kush mund t’i besojë, nga ato anë, asaj që thotë qeveria?

Si vallë këto ndryshime të dukëshme ndërmjet Vëndeve kaqë shpesh nuk mbahen parasysh nga një lloj veprimtarësh të mjedisit, po aqë nga shmë prej atyre që, duke punuar në sistemin e komunikimeve, mbajnë haptas anën e tyre? Kjo “harresë”  miratueshmërisht është pjesë e një sintome të njohur e të vërejtur prej shumë kohe: prirja, veçanërisht e disa perëndimorëve të ndryshëm që ushtrojnë, me çfarëdo titulli, punë intelektuale, për të urryer shoqëritë e hapura e demokratike në të cilat jetojnë e për të parapëlqyer shoqëritë e mbyllura dhe autokratike. Thonte ekonomisti Joseph Schumpeter se vetëm shoqëria perëndimore ka rritur një numër kaq të madh intelektualësh, të cilët kanë marrë përsipër detyrën për të dhënë ndihmesën për t’a shkatërruar. Të mos vlerësojnë shoqërinë e hapur në të cilën bëjnë pjesë dhe në qoftë nevoja edhe t’a luftojnë (mjaft se me mjete paqësore e të ligjëshme) është një e drejtë e qytetarëve perëndimorë. Duhet t’u kujtohet atyre se ka edhe një të drejtë për t’a mbrojtur.

“Corriere della Sera”, 21 nëndor 2021    Përktheu: Eugjen Merlika               

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

Shkolla Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në Mjediset Universitare të St.Francis College në Brooklyn

December 1, 2021 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/


Dita e shenjtë e Flamurit Kombëtar festohet me madhështi nga e gjithë Diaspora anë e mbanë globit. Doemos kjo festë duket sikur bashkon gjithë shqiptarët, veç ziliqarët dhe politikanët s’ka arritur akoma t’i bashkojë…Ndonëse është përsëri kohë pandemie, por me kushte më të zbutura përsëri aktivitetet shumë të rëndësishme nga Diaspora Shqiptare në Amerikë nuk kanë munguar. Shkolla Shqipe Alba Life çdo vit e feston Ditën e Shenjtë të Flamurit dhe e ka në programin e saj. Javën e kaluar mori pjesë me krenari të ligjshme me një program artistik në Akademinë përkujtimore kushtuar 66 vjetorit të ditëlindjes së Heroit legjendar Adem Jasharit si dhe të 109 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë që u zhvillua në Qendrën “Illyria” siguruar nga z.Mark Gjonaj këshilltar i Bashkisë së Nju jorkut dhe që kemi pasur nderin të parët si shkollë për t’i përdorur këto mjedise tejet komode. Sot Nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” në Bronx të shoqëruar nga koordinatorët znj.Arta Xhaferri, Blerim Gjocaj, anëtar i Stafit të TV “Alba Life” z.Elton Xhaferri si dhe nga mësueset Fatbardha Shiqerukaj dhe Majlinda Tafaj shkuan pranë kolegjit St.Francis dhe festuan 109 Vjetorin e Pavarësisë me një grup studentësh eksellent shqiptarësh nga St.Francis College Brooklyn, kolegj i krijuar që nga viti 1859.Ftesa dërguar z.Qemal Zylo themelues dhe drejtues i TV dhe Shkollës Shqipe “Alba Life” nga z. Arkelino Hila president i Klubit Rrënjët Shqiptare në St.Francis College u mirëprit me plot dashuri dhe përkushtim. Kjo natë festive në kolegj në Ditën e Flamurit nderonte gjithashtu sportistët e dalluar në atletikë dhe studentët që kanë dhënë kontribute të dukshme në shumë fusha. Ajo që të bën përshtypje është se ky klub është me studentë të shkëlqyer dhe inkurajojnë fuqimisht çdo student të kolegjit që të përfshihen dhe të kontribuojë sa më shumë në jetën studentore. Më duhet të shtoj se ishin këta studentë të klubit që erdhën si ekip si pranë shkollës në Bronx si: Albion Veliu, Adjola Rrashi, Kleid Saraci, Emiljan Bodini, Sarah Shurdha, Herta Hada, Xhessika Hasankolli dhe Alkida Koleci të cilët vlerësuan me pllakën e mirënjohjes dhënë nga zonjusha Megi Rama me motivacionin: “Certifikatë mirënjohje Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit për kontribut të jashtëzakonshëm në Komunitetin shqiptar në mësimin e Gjuhës Shqipe, kulturës dhe traditave, fëmijëve me origjinë shqiptare.”. Ata premtuan para nxënësve se do të kenë lidhje të vazhdueshme dhe ja erdhi Dita e Flamurit dhe u bënë bashkë në këto mjedise me studentë elitarë. Koordinatorja e Shkolles Shqipe “Alba Life” ne Bronx znj. Arta Xhaferri pershëndeti të gjithë studentët në emër të Bordit dhe mësuesëve si: Mirëmbrëma të dashur studentë dhe pjesëmarrës në këtë aktivitet,Është kënaqësi si koordinatore të jem me ju dhe të festojmë së bashku Ditën e Flamurit Kombëtar Shqiptar. Ne kemi ardhur sot këtu si Shkollë Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit që operon në të gjitha lagjet e Nju Jorkut dhe në emër të mësuesve dhe stafit të saj ju përshëndesim dhe ju përgëzojmë që mbani gjallë traditat shqiptare. Sot jam këtu me Blerim Gjocaj koordinator si dhe mësueset Fatbardhën dhe Majlindën dhe disa nxënës për të performuar dy valle të bukura shqiptare si vallen e Tropojës dhe të Kosovës udhëhequr nga këto mësuese të përkushtuara. Jemi krenarë me ju dhe le të valëvitet lart Flamuri Shqiptar. Ne jetojmë në këtë vend ku të gjithë amerikanët kanë mundësinë e mahnitshme për të shfaqur patriotizmin e tyre duke mbajtur me krenari flamurin Amerikan.”Le të valëviten të dy flamujtë përgjithmonë në paqe!Duajeni Amerikën, vendin më demokratik në botë dhe i mundësive më të mëdha.Zoti e bekoftë Amerikën!Zoti e bekoftë Shqipërinë!Në këtë aktivitet kishte miq të ftuar si tenori Isli Ademi, Kledi Roda president i parë i klubit dhe Fatime Dukova ish presidente e klubit.Pjesëmarrësit u argëtuan me ushqime të shijshme tradicionale shqiptare si dhe vazhduan me aktivitete dhe ceremoni të tjera sportive.Të gjithë të rinjtë kudo ku janë, nxënësit e Alba Life dhe studentët shqiptarë nëpër Kolegje janë e ardhmja e diasporës, ata janë dritë kombëtare që duhen mbështetur për të fluturuar të lirë si shqiponja në hapësirat pafund. Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar te gjithëbashkëkombasve tanë!
30 Nëntor, 2021New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: Keze Kozeta Zylo

OPOZITA NUK E KA KURRË LUKSIN E PËRJASHTIMEVE

December 1, 2021 by s p

Marjana Bulku/

Gjithmonë më ka shqetësuar fryma përjashtuese në subjektet tona politike. Jo pak herë kam reflektuar, madje edhe reaguar edhe pse në të shumtën e rasteve zëri im ka mbetur si thirrje në shkretëtirë ndoshta edhe si monolog në kushtet një dialogu të munguar. Sistemi shoqëror dhe ai politik në Shqipëri e ka në gen frymën përjashtuese, denigruese, përçmuese pasi ne jemi një shoqëri që luftën klasore e amplifikuam vetë duke duartrokitur gabimet që bënte politika. Kur them Ne për hir të së vërtetës e përjashtoj veten pasi; – së pari për fat të mirë unë dhe asnjë pjesëtar i familjes time nuk ishim anëtar të partisë mëmë (asaj të Punës) që i ndante në klasa popullsinë, në të prekur, të internuar, të përkëdhelur, të deklasuar, familje revizioniste, borgjeze, etj etj.dhe -së dyti kur u bëra anëtare e Partisë Demokratike në janar 1991 e më pas unë  kurrë dhe në asnjë moment nuk i kam fryrë zjarrit të urrejtjes dhe përçarjes, denigrimit të tjetrit dhe përjashtimit madje e kundërta ka ndodhur sepse në Demokraci çdo kontribut ka vlerë. Po çfarë po ndodh sot në partinë më të madhe opozitare. Është i pakuptueshëm dhe apsurd përjashtimi i individëve apo individualiteteve  e për më tepër kur je në opozitë. Pa dashur të rendis emra dua të kujtoj se zvetënimi i opozitës i ardhur së brëndëshmi më së shumti êshtë një fenomen brejtës dhe vetshkatërrues me të cilin nuk mund të trumpetosh thirrje për fitore. Ka qenë e dhimbshme për mua kur Opozitës i largohej Karamitro, Zhulali, Topi, Patozi, Bojaxhiu, Olldashi, Topalli, Berisha ,etj etj. Akoma më e dhimbshme ishte kur askush nuk ngrinte zërin për këto ZËRA që shuheshin kur aq shumë duheshin për arsye të maturimit të tyre politik por edhe konsolidimit të historikut të Partisë Demokratike. Madje e kundërta ndodhte, më kujtonte fëmijërinë kur në përgjigje të prishjes së marrdhënieve me kinezët apo grupet armike ndaj regjimit të Hoxhës duhet të shkarravisnim nga librat emrat, madje edhe figurat e tyre vizuale. Sot Partisë Demokratike nuk i mungojnë aktorët, por fatkeqësisht ata janë vënë përballë njëri- tjetrit në një duel që nuk i shërben as historisë së saj, as individëve që e deshën dhe as atyre që nuk e duan, as vendit tonë fatkeq i destinuar të mos ketë opozitarizëm por vetëm duartrokitarizëm. Një opozitë dinjitoze do të duhej të shohë përtej vetvetes, të mbjellë shpresa tek ata që nuk kanë dhe që pompoziteti qeveritar i cili prodhon deri aeroporte imagjinare, luks me rrena, ndërkohë  kur në çdo cep Shqipëria rënkon nga pafundësi krizash sociale dhe ekonomike, opozita merr një mision tjetër, shërues, inspirues, shpëtues. Një opozitë dinjitoze nuk i ka hije të mbjellë kaq shumë stres, presion  dhe konfuzitet brenda antarësisë së saj për çeshtje të saj të brendëshme. Një opozitë dinjitoze nuk përjashton por i fton anëtarêt e saj madje edhe qytatarët jo partiakë në një koalicion që është kundra padrejtësive. Përjashtimin e kam provuar edhe unë, por çfarë kuptova është pikërisht ajo që dua ta ndaj me ju; minidueli i brëndshëm ka efektin diapazional përtej subjektit ku ndodh ai e që zbërthehet në zhgënjim ndaj subjektit i cili në vend që të zgjerojë radhët e të shtojë ndjekësit, godet pa shkak shërbëtorët e vet për arsye egocentrizmi (them unë) duke tkurrur fuqinë e vet dhe duke vetshkatërruar subjektin për të cilin të gjithë jemi përgjegjës. Ndaj theksoj se që një opozitë të jetë dinjitoze do duhej të ndalojë çdo fjalor denigrues dhe poshtrues dhe regjistri gjuhësor politik të pasurohet me ftesa e thirrje përbashkimi pasi opozitarizmi nuk e ka luksin ti thotë askujt: IK ! edhe pse dikujt: Gabove, dhe shumëkujt kthehu. Opozita nuk i takon individit por tërësisë së saj numerike dhe historike që me siguri ka prodhuar Risi në këto vite e qē është koha të marrin në dorë fatet e momentit politik në PD.  

Filed Under: Opinion Tagged With: Marjana Bulku

SPEKTRI I AUTIZMIT DHE EDUKIMI

December 1, 2021 by s p

Nga Fatjona R. Lubonja Ed.D

*Fatjona R. Lubonja mban titullin Dr. e Shkencave në Edukim, ka studiuar Neuro-Shkencë dhe Behavior në Universiteti i Kolumbias (Columbia University) në New York dhe është specializuar në Universitetin e Harvard.

Bazuar në statistikat, megjithëse të pakëta, në Shqipëri numri i fëmijëve që vuajnë nga aftësitë e kufizuara intelektuale apo problemet mendore është më i lartë në krahasim me patologjitë e tjera të fëmijëve (WHO-AIMS Report, 2006). Në një intervistë me Pediatre Dr. Gj, duke u bazuar në datat e marra përgjatë 20-vjetëve të fundit nëpërmjet vizitave të fëmijëve të regjistruar ka një rritje të numrit të fëmijëve të diagnostikuar me spektrumin e autizmit apo aftësi të kufizuara intelektuale. Me rritjen e rasteve, fëmijët me aftësi të kufizuara intelektuale janë “në rrezik”, kur ekziston një pabarazi midis kuptimit të këtyre ç’rregullimeve, trajtimit, edukimit dhe nevojave themelore të tyre. Shoqëria ka nevojë për ndërhyrje përdrejt të një trajtimi cilësor që i lejon fëmijëve me aftësi të kufizuara intelektuale të mbijetojnë në një mjedis të vështirë. Gjithashtu, duke i kuptuar këto ç’rregullime, kërkohet një reflektim etik i shoqërisë për të ndaluar diskriminimin apo etiketimin në gjuhën/fjalorin e përditshëm kundrejt një individi, fëmijë apo i rritur, me këto ç’rregullime. Ç’farë mendohet se shkakton autizmin apo aftësi të kufizuara intelektuale? Spektri i ç’rregullimit të autizmit është një nga këto probleme që kërkon vëmëndje për faktin se është akoma i paqarte se ç’farë e shkakton në origjinë një ç’rregullim të tillë. Studimet e fundit (Lavy, J. A., et. al. 2021) considerojnë proteinën Dyrk1A që kontrollon rritjen e trurit (Guedj, F., et .al 2012) si të rëndësishme dhe influencuese në grupin e ç’rregullimeve të autizmit dhe aftësive të kufizuara intelektuale. Gjithashtu, Autizmi mund të konceptohet si një sëmundje e ç’rregullimit të sinapseve (Toro, et al. 2010). Më thjesht mund të shpjegohet se zhvillimi i trurit, nga fëmijërija deri në moshën e rritur, pëson ndryshime në sistemin nervor qëndror nëpërmjet formimit të degëzimit të qelizave nervore që përfshijnë formimin e synapseve, mirëmbajtjen, remodeling e lidhjes brenda qarqeve qelizore, etj… Në disa studime është diskutuar mundësia që fëmijët me simptoma të ç’rregullimit autikë të kenë një densitetit të degëzimit të qelizave nervore në tru shumë më të madhe se ato që gjënden në fëmijët e paprekur të së njëjtës moshë. (Hutsler, J., & Zhang, H., 2010; Johnson & DeHaan, 2015). Cila është domethënia e densitetit të degëzimi të qelizave nervore në tru? Zhvillimi i trurit të fëmijes kalon në perjudhë zhvillimi nëpërmjet shtimit të qelizave nervore dhe gjithashtu në një perjudhë të krasitjes të qelizave nervore. Të dyja këto proçese janë shumë të rëndësishme në zhvillimin e trurit të fëmijës. (Huttenlocher, 1990, 1994). Pra duhet theksuar se gjatë këtij zhvillimit jo vetëm shtimi i degëzimit të qelizave nervore por edhe krasitja e tyre është një proçes i rëndësishëm për të eliminuar lidhjet e tepërta midis qelizave nervore. Ky proçes sjell ndryshime në volumin e trurit që nga lindja e fëmijes deri në moshën e rritur. Si ndikon ky proçes në ç’rregullimin e autizmit? Indet e trurit të një fëmije me ç’rregullime autike tregojnë një rritje në degëzimet e qelizave nervore piramidale nga shtresa (2) në ballore dhe shtresa (5), (Toro, et al 2010). Si rrjedhim truri i fëmijëve me ç’rregullime të autizmit karakterizohet nga: hipër-lidhjet (të larta) në qarqet lokale dhe hipo-lidhjet (të ulta) në mes të rajoneve të trurit (Geschwind, dhe Levitt, 2007), që rezultojnë nga defiçitet në proçesin e krasitjes (Huttenlocher, 1994). Siç ilustrohet në Figurën 1. në ç’rregullim të spektrit të autizmit vihet re një formimin i egzagjeruar apo shkurtim jo i plotë gjatë proçesit të zhvillimit të qelizave nervore. Figura 1. Bazuar ne trajektoren e formimit të zhvillimit të qelizave nervore. (Penzes, P., et. al. 2011). Trns. Lubonja, R. F. Opinion, (2021) Ç’farë trajtimesh janë të rekomanduara? Përgjatë kontrolleve të vazhdueshme me specialistë, studimet sugjerojnë gjithashtu se terapitë ABA (Aplikimi Analitik i Sjelljes), terapi cognitive mendore, fizio-terapi, apo të tjera që mund të varet nga ç’do situate individuale, në moshën fëminore pas lindjes janë të rëndësishme. Edukimi formon bazën e aftësisë së memorjes dhe si rrjedhim, proçesit të mësuarit mund të ketë një ndikim të fuqishëm të specializuar në fëmijët me aftësi të kufizuara përgjatë zhvillimin e tyre (Gillig, M., P. & Gentile, J. 2012). *Fatjona R. Lubonja mban titullin Dr. e Shkencave në Edukim, ka studiuar Neuro-Shkencë dhe Behavior në Universiteti i Kolumbias (Columbia University) në New York dhe është specializuar në Universitetin e Harvard.

Filed Under: Politike Tagged With: Fatjona Lubonja

TAKIMI ELBASANIT APEL I VETËDIJES SONË PËR BASHKIM KOMBËTAR

December 1, 2021 by s p

KASTRIOT  ALIAJ/

Takimi i 26 Nëntorit midis dy qeverive shqiptare Shqipëri-Kosovë, në kuadrin e bashkëpunimit dy palësh, i ndërprerë për arsye nga më të ndryshmet,ishte një apel dhe vetëgjyqësi para shqiptarëve. Në se vite më parë u hodh ideja e takimeve të përbashkëta, kjo duhet medoemos të bëhej vazhdimësi dhe jo të ndërpritej për mosmarrveshjet midis drejtuesve të qeverive. Në se sot në Shqipëri drejton Rama, me anët e mira dhe të këqia, ndërsa në Kosovë Kurti, nesër do të vinë të tjerë kryeministra por bashkëpunimi nuk duhet të ndërpritet. Këto momerandume e programe bashkëpunimi, nuk janë pronë e kryeministrave dhe e asnjë qeverie, ato janë shprehje e vetdijes së dy populjve, që përbëjnë një komb, një gjuhë, një flamur. Cdo shoqëri ka nevojë për lidhje e bashkëpunim, sepse me vendimet e marra së bashku shtrohen shinat e ecjes përpara, për të ndërtuar një realitet të ri të munguar. Sot më tepër se kurrë, të dy vëndet kanë nevojë për afrimitet, për të lënë mënjanë paragjykimet, deklaratat senile që nxitin armiqësi, sherret, mosmarrveshjet, mos dakordësitë, por vetëm duhet parë përpara në plotësimin e kushteve drejtë integrimit. Ky bashkëpunim nuk mund të konsiderohet herezi por as edhe hipokrizi, siç janë munduar ca lapsa që e kanë bërë vijë, që mbas cdo takimi nuk kursehen, duke hedhur baltë me shkrimet e tyre. Ky bashkëpunim ka brënda dëshirën sinqeritetin dhe nxitjen, për qëndrueshmërinë e sistemit politik në të dy anët e kufirit, për t’u garantuar qytetarve vazhdimësinë e të ardhmes së tyre. Ai nuk është thjeshtë një takim zyrtar, por një program bashkëpunimi e zhvillimi në interes të dy shteteve, që fatmirësisht sot janë të lirë dhe të pamvarur. Ky bashkëpunim si vazhdim edhe i atyre më parë, do të promovojë idetë e ndryshimt të imazhit përpara botës demokratike, se shqiptarët që dikur kanë vënë themelet e qytetërimit Evropian, janë në  gjëndje të ndërtojnë shtet dhe të kosolidojnë demokracinë. Këto marrëveshje për bashkëpunim, nuk kanë për qëllim që t’u vëmë notë organizatorëve, por për të modeluar qëndrime efikase ndaj një raliteti të ri, në pronovimin e programeve zhvillimore të përbashkëta në të gjitha fushat. Le t’u kujtojmë drejtuesve të këtyre takimeve thënien e mëncur të ish, presidentit amerikan Xhejms Medison i cili thoshte; “Një bashkëpunim i sinqertë dhe i qëndrueshëm, në pronovimin e një rindërtimi të tillë të sistemit tonë politik, do të sigurojë lirinë e përherëshme të shteteve të bashkuara”. Ky takim është prologu i një procesi në vijim, për të krijuar kushtet e realizimit të ëndrrës së herëshme, të mbetur në tentativë për bashkim kombëtar. Nënshkrimi i 13 marrëveshjeve për bashkëpunim, në fushat më me përparësi në forcimin e shtetit ligjor, janë vizioni i të ardhmes sot midis dy palëve ndërsa nesër ai i bashkimit në një shtet të vetëm. E themi këtë sepse flamuri i pavarësisë në Vlorën e historisë, nuk u ngrit vetëm për Shqipërinë e cunguar në vitin 1913 nga fuqitë e mëdha, por për të gjithë hapësirën e etnicitetit shqiptar. Fakti është që jemi i vetmi komb në botë, që rrethohemi nga vetvetja. Për këtë cështje kaq madhore, që lidhet me identitetin dhe dinjitetin tonë, shqiptarët e te dy shteteve i bëjnë apel politikës, që të lërë mënjanë interesar personale të luftës për karierë e pushtet, por t’i përkushtohet cështjes më të mprehtë të ditës, asaj të bashkimit kombëtar. Prandaj në këto takime me karakter të shumfishtë, një vënd të vecantë duhet zërë sensibilizimi i cështjes, së mbetur pezull nga faktorët negativë të historisë. Bashkimi i dy shteteve nuk është cështje dëshire, por aspiratë që buron nga vetëdija jonë dhe amaneti i rilindasve tanë. Ky bashkim nuk duhet kuptuar si një agresivitet ndaj fqinjve tanë, që i referohen metamorfozës së njohur “Të Shqipërisë së madhe ” të fabrikuar prej tyre. Ne jemi kombi i ndarë pafajësisht dhe padrejtësisht, nga ish.fuqitë e mëdha duke lënë jashtë trungut 2/3 e etnicitetit shqiptar. Prandaj shqiptarëve u lind e drejta e zbatimit të parimit të vetvendosjes, si një e drejtë legjitime që ka marrë rrugë që më 1919 në konferencën e Parisit. Duan apo nuk duan fqinjët si dhe disa nga antarët e BE, që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kjo është cështje e tyre ndërsa ne jemi në të dretën tonë. Qëndrimi i tyre bie në kundërshtim me vijën politike të BE, e cila u krijua për t’u bërë një komunitet model në të gjithë botën demokratike, për mbrojtjen e lirisë pavarësisë dhe të drejtave të qytetarëvë brënda saj. Por është fakt dhe dukuri negative, që gjirin e saj janë shfaqur divergjenca, turbolenca, mos dakordësi për vendimmarrje, gjë që e ka zbehur rolin e saj si komunitet model. Por shqitarët sot në të dretat e tyre të pamohueshme, në të gjithë hapësirën etnike, do të bëjmë gjithcka që propozimi për bashkimin e dy shteteve Shqipëri-Kosovë të bëhet realitet.

Filed Under: Opinion Tagged With: Kastriot Aliaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2540
  • 2541
  • 2542
  • 2543
  • 2544
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT