• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gazeta që sfidonte ndalimin e të vetmes së përditshme shqipe në Kosovë

January 17, 2022 by s p

-Në Prishtinë para 31 viteve, me datë 18 Janar 1991, nisi të dalë gazeta “Bujku”, gazetë e rezistencës, e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, isha themeluesi-kryeredaktori i parë, e nxirrnim gazetarët e punëtorët e tjerë të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, të ndaluar nga Serbia okupatore. Në ballinë emri i gazetës “Bujku” shkruhej me shkronja të vogla nën një B të madhe logo. Ishte si Gazeta B, që zëvendësonte Gazetën A – Rilindjen, sfidonte ndalimin…/

-“Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, e vlerësonte  gazetën e rezistencës Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në funddhjetorin 2002 në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës Rilindja, me ç’rast më dha edhe një intervistë ekskluzive…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 17 Janar 2022/ Para 31 viteve, me datë 18 Janar 1991,  në Prishtinë nisi të dalë gazeta e përditshme “Bujku”, kryeredaktori i parë-themelues i së cilës isha,  e cila ishte gazetë e rezistencës, pjesë e lëvizjes gjithëpopullore të shqiptarëve në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, gazetë e parë e pavarur kosovare, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik, të cilën me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale, e nxorëm gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja të ndaluar nga Serbia okupatore.

Ishte 17 Janari 1991. Për ridaljen një herë në javë të revistës “Bujku”, ku do botoheshin edhe lajme dite, kishin dalë disa ide e propozime, edhe për fizionomi, edhe për kryeredaktor, por jo ndonjë zgjedhje e pranim detyre dhe po përfundonte mbledhja në lokalet e gazetës tradicionale Rilindja, të përditshmes së vetme në gjuhën shqipe në Kosovë, e cila që nga 7 Korriku i vitit 1990 ishte ndaluar e mbyllur me dhunë nga regjimi okupues i Beogradit.

Mora ushtrimin e detyrës së kryeredaktorit, kisha idenë dhe shkasin për ta nxjerrim “Bujkun”, jo si revistë, por si gazetë dhe të përditëshme “përkohësisht”.
Atë ditë kishte nisë lufta në Gjirin Persek, për të cilën Presidenti Amerikan Xhorxh Bush i drejtohej kombit, me një deklaratë të cilën gazeta e botoi në ballinë me titull “Tërheqje pas fitores”…Edhe me këtë shkas, shkruajta “Fjalën e Redaksisë” me titull “Përsëri ‘Bujku’…”, për faqen e parë të gazetës, ku theksoja se del si “gazetë e përkohëshme…edhe për shkak të nevojës që edhe lexuesit shqiptarë në Kosovë, në mungesë të gazetës së përditëshme, të kenë informacione sa më të gjera e me kohë në gjuhën shqipe për ngjarjen… fillimin e Luftës në Gjirin Persik. Për këtë shkak edhe me fizionomi e edhe me përmbajtje ky numër është i jashtëzakonshëm”.
Me përmbajtje të ngjashme, se nga e nesërmja do dalë një gazetë në terrin informativ të Kosovës shkruajta një letër për ta njoftuar Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, pasi kontaktova me Ambasadën e Shqipërisë dhe ua dërgova atyre me telefax që ta përcjellnin. Ajo letër sigurisht do të ketë gjetur mbështetje për ne, pasi edhe vazhdoi të dalë gazeta, në ballinën e së cilës “Bujku” shkruhej me shkronja të vogla nën një B të madhe logo. Ishte si Gazeta B, që zëvendësonte Gazetën A – Rilindjen…

“Bujku” ishte një revistë e përdymuajëshme që trajtonte kryesisht tema nga bujqësia, e që nuk kishte dalë fare një kohë, dhe duke e marrë atë emër nisi gazeta e përditshme, e paregjistruar te autoritetet okupatore serbe.

Gazeta “Bujku”, me të cilën nisëm e themeluam  edhe bashkëpunimet e para të medias Prishtinë-Tiranë, në numrin e parë në ballinë theksonte “proceset demokratike në Shqipëri” mbi titullin “Zgjedhjet u shtynë për 31 Mars”. Në ambientet e kësaj gazete u bë edhe zyra e parë e korrespondenturës në Kosovë të Agjencisë Shtetërore Zyrtarë të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencisë Telegrafike Shqiptare, prej nga me lidhje telexi, e vetmja e mundëshme atëherë nga Kosova në Shqipëri, nisa raportimet nga  dita e 24 Majit 1992 e zgjedhjeve të para pluraliste parlamentare e presidenciale në Kosovë, në rrethana të rënda të okupimit  e të mbylljes së dhunëshme edhe të mediave kosovare në gjuhën shqipe. Zyra e telexit në ambientet e gazetës “Bujku” në Pallatin Rilinda – zyrë e Agjencisë Telegrafike Shqiptare u bë edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë.

Në numrin e parë të gazetës “Bujku”, e cila u botua me tirazh të madh prej mëse 50 mijë ekzemplarësh, që e shfletoj edhe sot, shkrime të tjera nga Shqipëria ishin për tre këngëtare të Festivalit të Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar, Irma Libohova, Morena Reka e Redina Tili, si dhe reportazhi “Tirana e trishtuar”, në faqet e mesme, ku botohej edhe “Kalendari historik”, që  përkujtonte arritjen në qytetin e Lidhjes Shqiptare, në Prizren, në Dhjetor të vitit 1880, të Abdyl Frashërit…

E shkrimet për Kosovën e okupuar nga regjimi ushtarako-policor i Beogradit ishin raportime për masa të dhunëshme, për dëbimin e shqiptarëve nga institucionet, nga puna, për shkatërrimin e sitemit arsimor në gjuhën shqipe, për dhunën edhe kundër kulturës shqiptare, për burgosjet e keqtrajtimet nëpër qytete e fshatra, për vrasjet e ushtarëve shqiptarë në armatën jugosllave, protestat e indinjatën e thellë…

Gazeta e përditshme “Bujku” doli deri në prag të 1999-tës, të një viti tjetër të ri të luftës që po zhvillohej në Kosovë, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.

Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të Rilindjes nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, gjithnjë në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme me emrin Rilindja në Prishtinë,  duke punar nëpër shtëpitë e tyre, dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova.

Ekipi i gazetës Rilindja hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 Qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup.
Ashtu siç kisha raportuar për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare një ditë më parë herët në mëngjes nga kolona e tankeve të para të forcës ushtarake më të madhe planetare, në faqen e parë të Rilindjes në kryetitull shkruhej: “Dje në orën 5.17 Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”. Në Kosovën e lirë me popullin u kthye edhe gazeta Rilindja, që nuk  u ndal edhe kur u ndalua… Gazeta “Bujku” sfidoi ndalimin…

Gazeta tradicionale e historike e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 77 viteve, në 12 Shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja shqipe prej plumbi që u sollën me arka nga Tirana…

“Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, e vlerësonte  gazetën e rezistencës Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në funddhjetorin 2002 në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, me ç’rast më dha edhe një intervistë ekskluzive.

Në intervistë, i pyetur se si e shihte të ardhmen, zgjidhjen e çështjes shqiptare, Presidenti Rugova mes tjerash theksonte: Kosova e pavarur, shtet i njohur, i integruar në Bashklimin Evropian, në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është një vend që i pari është interesuar për ne dhe na ka ndihmuar, dhe që na ndihmon vazhdimisht.

Gazeta Rilindja – botim special në ditën e 31 Dhjetorit 2002  për festën e Vitit të Ri 2003 intervistën ekskluzive me Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova,  e botoi në pesë faqe – 1,2,3,4 dhe 5, duke nisur me kryetitullin në ballinë “Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA”. 

Derisa zhvillonim intervistën Presidenti Rugova në Rezidencën Presidenciale në lagjen Velania të Prishtinës kishte në tavolinë dhe mbante në duar gazetën tradicionale e historike shqiptare të Kosovës Rilindja që kishte kryetitull “Kosova për herë të parë feston 28 Nëntorin me institucionet e saja të njohura ndërkombëtarisht”.

Ishte ajo gazeta Rilindja që në jubileun e 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në 28 Nëntor 2002, doli me botim special festiv, siç theksonte në ballinë, me shkrime të autorëve dhe personaliteteve të shquara nga gjithë bota shqiptare, ndërsa u shpërnda në të gjitha trojet etnike shqiptare – në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë të Preshevës, Ulqin e lokalitete tjera në Mal të Zi…

Filed Under: Kronike

KUSHTRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT – SKËNDERBEUT

January 17, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli/

See the source image Me 15 Janar, 1975 ndërroi jetë në Romë,  shkrimtari, poeti, profesori dhe përkthyesi,  Ernest Koliqi. Ndërsa me 17 Janar, 1468 shkoi në amshim në moshën 62-vjeçare, Heroi historik kombëtar, i përgjithëmonshmi i Shqiptarëve, Zot i Arbërisë, Gjergj Kastrioti – Skenderbeu. Njëri i shpatës e tjetri i penës.

Frank Shkreli: Me rastin e 550-vjetorit të Gjergj Kastriotit-Skënderbe | Gazeta Telegraf

Frank Shkreli: Amaneti i Koliqit për Shkollën Shqipe | Gazeta Telegraf

Në këtë ditë të 17 Janarit që shënon kalimin në amshim të Gjergj Kastriotit-Skënderbe, sjellim një vjershë – në përvjetorin e ndarjes prej nesh edhe të Poetit e shkrimtarit, Ernest Koliqit, (1903–15 Janar, 1975), që ai i ka kushtuar Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, poemë e cila thuhet se ishte e para vepër letërare e Ernest Koliqit, botuar në vitin 1924.

ERNEST KOLIQI: Kushtrimi i Skanderbeut

Ç’asht moj Zanë kjo gjamë nga malet,
Ç’asht kjo ushtimë që kurr nuk ndalet,
L’shon kushtrimin Skanderbeu,
Dridhet toka, tundet dheu.

N’kambë shqiptarë ju me u çue,
Me ngjesh armët me luftue,
Ka ardhë dita e Lirisë,
Dërmen me ia dhanë Turkisë.

N’kala t’Krujës valon krenar,
Njaj flamuri fitimtar,
Njaj flamuri kuq e zi,
Që në shekujt veç ka pri.

N’Lezhë shpejt mblidhet nji kuvend:
Flasin princat rend me rend,
Skanderbeu nji fjalë ka thanë:
Të bashkuem t’jemi të tanë.

Lezhë qytet i Ilirisë,
Mblodhe burrat e Shqipnisë,
N’krye qëndron GJERGJ KASTRIOTI,
I Shqiptarve Princ Kryezoti.

Pa ndigjo Sulltan Murati,
Për njat kryq që mbaj në gji,
Me marrë Krujën je ba gati,
Gjithë ushtrinë kam me ta gri!

Fort tërbue asht Sulltani,
E ka dyndun gjithë ushtrinë,
Rrethim Krujës veç i bani,
Ban hesapet pa hanxhinë.

Se jo, Kruja nuk dorzohet,
Skanderbeu fort e mbron,
Njaj Murati krejt tërbohet,
Prej trishtimit ma nuk rrnon.

Gjith Evropa n’kamb asht çue,
Mbretën, Roma e Venediku,
Skanderbeu qoftë nderue,
Na ka mbrojt prej çdo rreziku.

Emni i tij me shkronja t’arta,
Rrin i shkruem në Histori,
Me levdatat ma të larta,
Përjetsisht i qoftë lavdi!

Çdo shqiptar për të krenohet,
Për kët Princ e luftëtar,
Brez pas brezi do të kujtohet,
Si Heroi ma i madh Kombëtar!

1924

A child standing next to a statue

Description automatically generated with medium confidence

            Fotoja e marrë nga facebook , “Gjergj Kastrioti -Skenderbeu”

Me rastin e “kremtimeve kastrotjane”, (1968 në Romë) në 500-vjetorin e kalimit në amshim të Kryeheroit të Shqiptarëve, poeti i shekullit të kaluar, Ernest Koliqi do shkruante, ndër të tjera se, “Skënderbeu derdhi mund e gjak. Me mijëra Shqiptarë u bënë flije në luftime të udhëhequra prej Tij. Megjithëkëtë Shqipëria ra në një robëri shekullore. (Por) Ai la të mbjellur në zemër të popullit, dëshirën e lirisë dhe në mendje vegimin e një Shqipërie të bashkuar…”.  Por, Koliqi shpreh shqetësim dhe paralajmëron se, “Ne nuk i njohim forcat e fshehta brenda gjakut arbënuer”, ndërsa shton se megjithëkëtë, “duhet të bindemi se kur ndiesitë vëllazërore çlirohen nga fundi i shpirtit tonë, ato davarisin tymnajën e ndeshtrashave të zeza, duke ndezur në natën e mjerimit, hyjtë xixëlluesa të shpresës”.   

Kam drojë se duke marrë parasysh se si trajtohet sot Gjergj Kastrioti -Skenderbeu nga vet shqiptarët, por dhe nga të ashtuquajturit “miqtë e tyre strategjikë”, (kujt i duhen armiqët, me miq të tillë strategjik!?) — Koliqi mund të ketë qenë tepër optimist në entuziazmin e tij, “për hyjtë xixëlluesa të shpresës”.  Uroj në këtë përvjetor të shkuarjes në amshim të Gjergj Kastriotit– Skenderbe se Perendia nuk e ka harruar Kombin shqiptar, se më në fund, me një “marrëveshje vëllazore”, do të mund të plotësohej porosia që ka lenë Skënderbeu.  Sot me 17 Janar, 2022, në këtë përvjetor të vdekjes së Kryetrimit, më ka mbuluar “duhma e qelbur e kënetës së dyshimeve”, se shqiptarët mbrenda dhe jashtë trojeve të veta do të ruajnë, besnikërisht, porositë e Gjergj Kastriotit – Skenderbe.  Atij Skenderbeu, i cili shqiptarëve u dha “Atdhe, Arbërin dhe shqiponjën, si simbol fluturimesh të lira dhe la nji trashëgiumi të çmueshme nderi e fisnikërie”.

Edhe në këtë përvjetor të 17 Janarit të shkuarjes në amshim të Gjergj Kastriotit Skënderbeu — normalisht, tragjeditë që ka pësuar Kombi shqiptar gjatë historisë, do duhej të ishin një shkak bashkimi dhe fuqizimi mbarëkombëtar — dhe jo shkak përçarjeje për shqiptarët në rrënjët e tyre të identitetit arbëror mija-vjeçar.  Në një përvjetor si ky, duhej të kishte dhe një mësim, që as sot të mos humbet as të mos harrohet drejtimi as rruga që njerzit e mëdhej të Kombit shqiptar – si Gjergj Kastrioti-Skenderbeu, i kanë përcaktuar Kombit. 

Sot, në këtë përvjetor të ndarjes së tij nga kjo botë, shekuj më parë, Skënderbeu i Madh jep kushtrimin duke bërë thirrje për rrugën që duhet të ndjekin sot Shqiptarët, para se të jetë tepër vonë!

Frank Shkreli

See the source image

                                    Besëlidhja e Lezhës, Mars, 1444

A picture containing wall, indoor

Description automatically generated

                   Në Muzeun Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu

Filed Under: Politike

Figura e Skënderbeut në një baladë angleze të shekullit XVII

January 17, 2022 by s p

Ikonografi skënderbegiane – Pjesa IV

Me rastin e 554 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit

Nga Fotaq Andrea & Dritan Muka

1. Skenderbeu nga Bellini.jpgQë figura madhështore e Heroit Kombëtar Shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeut është trajtuar dhe glorifikuar historikisht nga emra të shquar të klasicizmit, humanizmit e iluminizmit europian e botëror, në mbushulli veprash historike, letrare e artistike – të cilat qëndrojnë në themel të shkencës skënderbegiane –, kjo përbën, me të drejtë, ajkën e krenarisë sonë kombëtare. Por që figura e tij të vihet edhe në qendër të baladës angleze të shekullit XVII Shën Gjergji dhe Dragoi, recituar e kënduar si litani në kishat anglikane, duke e bërë Skënderbeun tonë të barabartin e mbi 50 heronjve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, – ja një veçanti e madhërishme për ikonografinë skënderbegiane. Për më tepër që kjo baladë angleze përbën në vetvete një lloj himni për kombin e ndritur anglez që ka për shenjt mbrojtës pikërisht Shën Gjergjin.

Dita e Shën Gjergjit – përcaktuar dikur 23 prilli, ka qenë festa tradicionale angleze dhe vetë kryqi i kuq i Shën Gjergjit në sfond të bardhë është flamuri i Anglisë. Deviza anglo-normande që e shoqëron “Hony soit qui mal y pense”  – Mallkuar qoftë kush keq mendon, përbën emblemën e Urdhërit të Zharëtierës, urdhri më i lartë i kalorësisë britanike. Tepër i habitshëm është edhe fakti që Shekspiri (1564-1616), dramaturgu më i madh anglez e botëror, lindi dhe vdiq pikërisht më 23 prill, ditën e Shën Gjergjit.

Ballada angleze “Shën Gjergji dhe Dragoi” vë në dukje para së gjithash madhështinë e Shën Gjergjit, tek tingëllon si një rivendikim identiteti anglez. E shfaq Shenjtin Mbrojtës përmbi Heronjtë e mëdhenj të të gjitha kohërave duke shprehur në formë refreni ndjenjën e fuqishme të krishterë se vetëm kreshnikëria e Shën Gjergjit që u përball e mposhti Dragoin, simbolin e së keqes e të djallit është bëma më e lartë fisnike kalorësiake, e pakrahasueshme me kurrfarë tjetër dhe se të mohosh një gjë të tillë është e turpshme, mjaft që ta shkosh nëpër mend.

Balada apo romanca kalon kësisoj në “revistë” tërë heronjtë mitikë, antikë, klasikë e figura të ndritura të kombit anglez, francez dhe kombeve të tjera, gjithësecili me bëmën e vet karakteristike, me kreshnikërinë e vet të mahnitshme, por përsëri të pakrahasueshme me Bëmën e Lartë të  Shën Gjergjit. 

Pa u ndalur në karakteristikën fisnike të çdo Heroi a Princi, të çdo lloj kohe, që la gjurmë të pashlyeshme në Histori me Bëmën e vet, në emër të humanizmit e njerëzimit, ja ku na shfaqet në Baladë figura e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut për bëmën e tij madhështore, atë luftë çerekshekullore kundër ish superfuqisë së kohës Perandorisë osmane. Brenda një vargu, në formë sintetike e me kundërvënie të fuqishme shfaqet, thjesht e prerë vetë kreshnikëria kastriotine: “Skanderbegun e madh Pasha Muhameti frikë e kish”(!) 

Krejt qëndresa heroike shqiptare përfshihet këtu, brenda këtij vargu esencial: Një Pasha Mehmet II, në krye të hordhive të tij 130-150 mijë vetëshe, në luftë të pareshtur 25 vjeçare me Skënderbeun e Madh në krye të gardës së tij pretoriane me 5 mijë kalorës dhe me një ushtri që nuk i kalonte më shumë se 20 mijë këmbësorë. Shpërpjestime të tilla numerike të kujtojnë me të drejtë luftën e Davidit kundër Goliatit, kur cilësia, virtyti, ndjenja e mbrojtjes dhe vetëdija kombëtare marrin përparësi e ngadhënjejnë ndaj sasisë numerike, vesit dhe ndjenjës për pushtim, gllabërim, mposhtje e poshtërim. Është kjo, përballja historike në dualitetin “E mirë – E keqe” sintetizuar gjatë kristianizmit në luftën e Shën Gjergjit kundër Dragoit. 

Dy vargje të tjera që pasojnë vargun e mësipërm janë po aq kuptimplota: “Eshtrat e tij fitimtare, hajmali u bënë si u varros në kishë;/ Bejlerbegët e tij mbi krye mbanin brirët e dhisë, tek e quanin Gjergj Kastriot.” Nuk ka më bukur! Heroi shqiptar ngadhënjimtar Gjergj Kastrioti, shpallur nga papati “Atleti i Krishtit”, në paralelizëm të plotë me Heroin  e krishtërimit Shën Gjergjin! Këtë paralelizëm e kemi shtjelluar tashmë në studimin tonë “Figura e Skënderbeut që bashkoi Nolin me Konicën”, botuar në këtë forum të Zemrës Shqiptare/Zemra jonë: 

http://www.zemrashqiptare.net/news/40298/fotaq-andrea-skenderbeu-bashkoi-nolin-me-konicen.html 

Nga ana tjetër, kemi në këto vargje edhe dy elementë themelorë simbolizues që përjetësojnë lavdinë kastriotine: “eshtrat hajmali të Skënderbeut” dhe “brirët e dhisë në përkrenaren e tij”. Balada angleze duket sikur e thotë açik: “ushtarët turq mbanin në gjoks eshtra hajmali të lavdisë skënderbegiane”, eshtra këto që na shfaqen si “të shenjtëruara”, teksa “kreshnikët shqiptarë (bedjlerbegët) mbanin mbi krye brirët e dhisë”, ato brirë që të kujtojnë historikisht Pirron e Epirit, Aleksandrin e Madh, vetë “dhinë mitologjike Amaltea”. 

Është e njohur se arma simbol e Shën Gjergjit është ushta. Është po aq e njohur se edhe arma kryesore e stradiotit shqiptar  – në themel të Kalorësisë së Lehtë Europiane me Gjergj Bastën në krye, që bëri Histori në shekujt XIV-XVII – është gjithashtu ushta, nga ku madje edhe fjala e bukur shqipe “ushtar”, “njeriu i ushtës”, “njeriu i zanatit të luftës”, siç është cilësuar historikisht vetë shqiptari. Gjë që nënkupton se çdo “ushtar” shqiptar ka mishëruar në vetvete një “Gjergj Kastriot”, një “Shën Gjergj”, nga ku edhe guximi i tij i pamatë dhe shpërthimi i ndjenjës së tij të fuqishme të Mbijetesës së lavdishme historike shqiptare.    

Po japim më poshtë romancën lutësore angleze, pa hyrë në hollësitë domethënëse të bëmave të Heronjve të Mëdhenj apo të gjesteve të tyre mitike e simbolike, si guri i hobesë së Davidit të Vogël, apo nofulla e gomarit të Samsonit, e më tej preshi i simbol i Shën Davidit, shenjtit mbrojtës të Vendit të Galëve, etj. Janë simbole kuptimplota, po aq sa eshtrat-hajmali të Skënderbeut dhe brirët e dhisë që përmenden në baladë. Po e japim përkthimin e kësaj balade të plotë në nderim të popullit anglez dhe të kujtimit të Bajronit të Madh që i bëri të njohur shqiptarët në botë me vargjet e tij të pavdekshme, me kostumin shqiptar që mbajti të veshur aq hijshëm.

Më në fund, një recitim i shkëlqyer artistik i baladës në gjuhën origjinale angleze, me një zë melodioz sublim, që mbush kubetë dhe kupolat e kishave anglikane për të oshëtirë në pafundësi si lutje e mesazh hyjnor, që depërton për t’u mishëruar në çdo pore të besimtarit të krishterë dhe të vetë qenies njerëzore, mund të ndiqet me dëgjim në rrjetin: 

isize-reduced.php.jpg

Baladë angleze e shekullit XVII për Shën Gjergjin dhe Dragoin

kënduar si lutje në kishat anglikane

Përse u dashka mburrë Artur e kalorës të tij,

Kur ua njohim ato luftëra plot bëma e kreshnikëri ;

Përse u dashka folë për Sir Lansëlo të Liqerit,

A për Tristan të Leonisë, që për zonjëza u ndeshën ndezur nga dashuri; 

Lëçitini ato të lashta histori dhe do shihni për bukuri,

Se vetëm Shën Gjergji, Shën Gjergji dragoin e mposhti gjithë trimëri,

Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,

Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Palé për mbretër e monarkë sa gjatë do mund të flisni,

Apo për Romakët e lashtë që vetes i dhanë shkëlqim,

Me Hanibalë e Skipionë që luftuan plot guxim;

Palé të flisni për kalorësin kreshnik Rolandin Tërbimë;

Për Remin e Romulin që Romën ngritën në këmbë; 

Por vetëm Shën Gjergji, Shën Gjergji dragoin vu nën këmbë;

Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,

Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Njerëzit në luftë se ç’i shpunë Jefte e Gideon,

E të gjithë muarrën arratinë, Gibonitë e Amonitë,

Bëmë e Herkulit ndodhi aty, në luginën Bass; 

Me nofull gomari njëmijë të vrarë Samsoni la pas; 

E kur u verbua, Tempullin rrafshoi nga dhéu,

Por Shën Gjergji, Shën Gjergj dragoit shpinën ia theu 

Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,

Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Valentin e Orson gjak të Pepinit kishin në vena, bënin hata,

Alfred e Aldrikus kalorës kreshnikë qenë, plot bëma të mëdha;

Katër bijtë e Amonit me Karlin e Madh luftuan, 

Fisniku Hugh i Byrdosë dhe Godfrej i Bujonit,

Të tërë kalorës frëngj qenë, paganëve fenë ua ndryshuan;

Por Shën Gjergji, Shën Gjergji zemrën ia shkuli dragoit,

Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,

Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Henri V, Francën nën këmbë e vuri, e pushtoi, 

E duke marshuar plot lavdi, krejt armët ia dërrmoi,

Shembi kala, shembi  e shkretoi mbarë qytete,

Kurorë të dyfishtë e trefishtë në krye vu mbi vete,

Frëngjit i theu e në dhé të vet u kthye krenar pa njohur tutë

Por Shën Gjergji, Shën Gjergji, e bëri dragoin qingj të urtë

Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,

Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Shën Davidi, siç e dini, djathë të shkrirë e preshin do, 

E Jasoni ish ai që bashkën e artë e solli, kërkuar ngado;

E Patriku –  mirë e dini -, Shën Gjergjit i shërbeu, 

E, para se t’ia vjedhë, plot shtatë mote kalin ia ruajti, ia ushqeu, 

Për këtë vepër aq të ndyrë, skllav mbet, e skllav të tillë askund nuk has;

Por Shën Gjergji, Shën Gjergji Dragoin goditi, e vrau,

Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,

Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Tamberlani, perandori, brenda në kafaz kurorëzuar,

Flamuj të përgjakur shpaloste qytete më qytet të rrënuar;

Skanderbegun e madh, Pasha Muhameti frikë e kish,

Eshtrat e tij fitimtare, hajmali u bënë si u varros në kishë;

Bejlerbegët e tij mbi krye mbanin brirët e dhisë, tek e quanin Gjergj Kastriot;

Po Shën Gjergji, Shën Gjergji Dragoin coptoi atë mot,

Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,

Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Otamon Tartari nga racë e Persëve ish,

Mongoli i madh gjoksin gjithë hekur dhe gozhdë e kish;

I riu grek Bucefalin kalëronte gjithë krenari,

Por ata nëntë kreshnikët Shën Gjergji i shihte me qesëndi;

Gustav Adolfi, i Suedisë ishte mbret, luftëtar i rreptë, të tërë i theu,

Por Shën Gjergji, Shën Gjergji, bishtin plot helm Dragoit ia preu,

Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,

Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Poldragon e Cadwallader, për gjakun anglez ishin krenarë,

Por edhe pse Xhon i Gandit armiqtë i tmerroi, veç Shën Gjergji  triumfoi;

Agamemnoni, Klemedoni e Maqedoni bënë tërë ato kreshnikëri,

Por përmbi ta, veç kampioni ynë shkëlqeu në trimëri;

Kalorësit guximtarë të Maltës, në luftë me turqit, shpatat i vringëllinë,

Por Shën Gjergji, Shën Gjergji, me Dragoin u ndesh, aty në shesh;

Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,

Kush keq mendon, përjetë mallkuar qoftë, siç e nisi.

Amazona Bidia, me bëmën e vet, Poetusin e mposhti, pa njohur tutë,

Me po aq egërsi sa një vandal, got, saraçin e çifut,

Të fuqishmit Holofernus, nderur në shtrat,

E urta Judit, kokën ia fluturoi me shpatë,

Trimi Qiklop me Jupterin u ndesh pa pyetur për rrufetë e tij,

Por Shën Gjergji, Shën Gjergji e vrau Dragoin, a s’është kjo një mrekulli?

Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,

Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Që Mark Antoni u ndesh me mbretëreshë të Egjiptit, s’ka dyshim,

Sir Eglamori, ky kalorës kreshnik, s’kish njohur dështim;

Fuqi e Gorgonës kish marrë dhenë, e plakun Bevis kush nuk e kish frikë,

Mirmidonët e Prester Xhonët, përse vallë s’u njohën kalorës fisnikë?

Trimi Spinola qytetin Breda shtiu në dorë, Nassau, krahët ia mbuloi,

Po Shën Gjergji, Shën Gjergji Dragoin e dërrmoi,

Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,

Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Filed Under: ESSE

Kryeministri Kurti përkujton Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën, në 40 – vjetorin e vrasjes së tyre

January 17, 2022 by s p

Dubovik, Deçan, 17 janar 2022

Në 40 – vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, vizitoi kullën e familjes Gërvalla në Dubovik.

Aty u pritën nga znj.Suzana Gërvalla, bashkëshortja e Jusuf Gërvallës dhe znj.Donika Gërvalla, e bija e tij, si dhe familjarë e miq të veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare.

Nga aty, Kryeministri Kurti, Presidentja Osmani dhe Zëvendëskryeministrja Gërvalla, bën homazhe dhe vendosen kurorë me lule, te varrezat e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës.

“Ne erdhëm sot në Dubovik, në 40 vjetorin e vrasjes së trefishtë në Shtutgart, më 17 janar 1982, kur u vranë Kadri Zeka e Jusuf e Bardhosh Gërvalla, që të vizitojmë kullën e lindjes, jetës dhe rritjes së tyre, por edhe varrin ku prehen ata, për të treguar kujtimin e pashlyeshëm dhe nderimin e pafund që kemi për këta heronj, të cilët na e dëshmojnë një luftë edhe para luftës çlirimtare. Meqenëse në vitet e ‘80-ta shqiptarët jo vetëm që persekutoheshin e burgoseshin, por edhe vriteshin nga regjimi i atëhershëm okupator, për shkak se dëshironin liri, republikë, demokraci e përparim”, tha kryeministri.

Si institucione të Republikës, si Qeveri e Kosovës, ne do të bashkëpunojmë me shtetet e tjera, në veçanti me Republikën Federale të Gjermanisë, në mënyrë që të marrim vesh sa më shumë e që të zbardhet e vërteta edhe sa i përket edhe urdhërdhënësve edhe ekzekutorëve, bindjet dhe orientimi dhe qendra e të cilëve natyrisht se dihet, mirëpo emrat e përveçëm të atyre natyrisht se duhet të ndriçohen dhe asisoj të mundësohet drejtësia e ndëshkimi, tha ai.

Kryeministri Kurti theksoi se jemi të vetëdijshëm për kufizimet që kemi, që pas kaq shumë kohësh të arrijmë përnjëherë të zbardhim gjithë ato vrasje, meqenëse janë të shumta, ndërkohë që edhe regjimet, të cilët kanë marrë pjesë në ato vrasje, nuk është se kanë vdekur përfundimisht e në plotni. 

Në nderim të tre veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare, Kryeministri i Republikës së Kosovës, sot, në 40 – vjetorin e vrasjes së tyre, organizon Akademi Përkujtimore në Prishtinë.

Filed Under: Analiza

Erdogani inaguroi pushtimin ekonomik

January 17, 2022 by s p

Ilir Levonja/

Në internet qarkullon një foto se si një makinë vinç, me dy ustallarë në kovë, mbulojnë faqen e shembur të një banese. Arsyeja, nga që do vi Erdogani. Apo aty diku kalon Erdogani dhe që mos të dukemi për ibret të Zotit, po e mbulojmë. Nga kjo kuptojmë se godina në fjalë ndodhet në Laç ku sot Erdogani dha çelsat e 522 shtëpive etj., për më tepër bash në ditën e pervjetorit të ndarjes nga jeta të heroit tonë kombëtar. Unë nuk po merrem me këtë fakt se sot po çahet interneti me patriotizëm nga njëra anë dhe nga ana tjetër me heshtje varri nga përkrahësit e Ramës. Por një fjali shkurt duhet thënë, sa për Turqinë dhe Erdoganin që tashmë ka dy dekada në pushtet, të gjithë ishat janë çmendur nga dashuria për ‘të. Me Fatos Nanon, me Sali Berishën, pa diskutim dhe ky qillotaxhiu. Kjo rrjedh nga edukata tashmë gangrenë e jona, ndihmat. Tek ne ndihma nga jashtë është mendësi shekujsh. Mirë për çështje të mëdha a kur të duhet lëvizësh malet, por edhe për thërrimet, ne jemi gati të hapemi dyersh. Ndaj mos u habisni sot me faktin se përse Erdogan po vjen bash përvjetorin e ndarjes nga jeta të heroit tonë kombëtar. Ju ka blerë, totalisht… aq të dëshpëruar jemi sa mbulojmë rrënojat me mushama të vizatuara, mushama murale. Kur e pyet dikë në lidhje me këtë fakt, të thotë nuk kemi. Megjithëse është një planifikim bajat se nuk besoj që një bashki, a një komunitet, a një biznes të mos ketë pesë muratorë e dy bojaxhinj për të ndrequr një fasadë. Mirëpo, të mbysin, të thonë nuk kemi. Dhe është e logjikshme sepse, aq shumë pagesa sa ishin bërë për qokë, nga fond i gjoja inceneratorëve, përqindje kjo e ajo, mediash e këshilltarësh. Me emra i publikoi ai zotria, por shqiptarët po merren me luftën Berisha-Basha, për më tepër u mjaftuan me arrestimin e Lefter Kokës dhe aq. Megjithëse faqe të tëra prokurash ishin aty me përqindje të dhëna në dorë, deri gjoja këshilltarë për Bashkitë më të humbura të vendit. Bordero paralele, një për vete një për shtetin, informalitet apo krimi ekonomik i mirëfilltë. Por prapë shtypi merret me Berishën, merret me Bashën. Lekun e tyre e kanë vjedhur ata që bëjnë të kulluarit nëpër studiot e telvizioneve, vet televizionet, gazetarët, shqiptarët i dëgjojnë me sytë zgurdulluar. Ore, ju kanë vjedhur, ata janë hajdutë, nuk e kanë për turp të dërgojnë fëmijët nëpër shkollat e botës me lekët tuaj, ju shqyheni sysh. Puthni ekranin kur shajnë Berishën. Nuk thonë një gjysmë fjalë se ju kanë rjepur, jo vjedhur, por rjepur. Evokojnë konfliktin, jo vjedhjen. Kurse qeveriu evokon ”miqësinë” tradicionale të vëllait, ndihmën këtë gangrenë të shqiptarëve, edhe pse janë po aq inteligjentë sa hollandezët apo hebrejtë. Nuk ka vendi ynë as tulla e as llaç. Nuk kemi as krahë punë…, pika neve. Dhe i gëzohemi Erdoganit si kalamajtë plakut të krishtilindjes a plakut të vitit të ri siç e quanin komunistët, përfshi bllokmenët shqiptarë. Vjedhin Shqipërinë për vete dhe e ndertojnë atë me ndihma sikur të jemi popull invalid. Ky është realiteti shqiptar, jo ai që thotë Edi Rama dhe kompania e tij. Erdogani ju ka ndërtuar xhamitë, shtëpitë, spitalet, ju bën të mbuloni fasadat e rrënuara me mushama, ju kërkon rishikimin e historisë etj. Ka të drejtë, sepse na kanë mbytur invalidët, jo shtetarët. Shkurt jemi kthyer në një vend invalid. Vend pordhaxhinjësh.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2631
  • 2632
  • 2633
  • 2634
  • 2635
  • …
  • 2948
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Posta nga Haga – Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, 12.04.2026
  • Bedri Dedja (20 nëntor 1930 – 13 prill 2004)
  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel
  • Shtypi shqiptar në vitet e fundit të sundimit osman
  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT