• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Demir Gjergji ishte një zë

January 17, 2022 by s p

Aleksandër Çipa/

I kishte territoret e veçanta të vetvetes: atë të poezisë dhe radiofonisë, të ligjërimit poetik dhe komunikimit publik. I mbajti këto territore të mbështjella në modestinë natyrale të vetvetes si raport me të tjerët dhe publikun. Vetëshquhej në zë dhe në fjalë. I donte perimetrat e gjerë duke qenë besnik rigoroz i perimetrave të ngushtë, duke spikatur si qytetar artist e gazetar dhe duke ushqyer ambicien e artistit si qytetar. Demir Gjergji është një poet që udhëtoi pa stacionime të gjata dhe pushime të kota, në poezi. Ai qëndroi gazetar i fjalës dhe mendimit në radio, duke mos e zbehur kurrë emocionin e timbrit dhe theksimit komunikues para mikrofonit. Demir Gjergji ishte respektues i emocionit të tjetrit dhe shtues i emocionit të vetes. E kërkoi progresin estetik të fjalës në kohë të vështira dhe në kohë të padëgjueshmërisë. Me gjuhën e tij të brendshme kërkoi dhe këmbënguli pa e hequr kurrë veshjen e modestisë si virtyt njerëzor, për të gjetur dhe zotëruar intuitën e gjërave.Demir Gjergji ra në heshtjen e gjithëjetshme papritur, befas dhe në refuzim të zhurmës së ikjes, duke lënë pas shenjën e vetes dhe shenjat e vetvetes. Një ndër këto të fundit është edhe studio ” De Rada”. Një laborator rishtar në të cilin përmes zërit të tij u regjistruan qindra krijime miqsh, poetesh dhe poetësh, për t’i dhënë në ajrin e mbizhurmshëm të kësaj shoqërie, një zë estetik të poezisë dhe autorëve me ndjenjë të hapësirës së sotme shqiptare.Demir Gjergji heshti në pikun e të qenit energjik, në çastin e mbramë të kapjes së një ngjitjeje më të mbramë, për pasionin me talent të vetvetes dhe në një kapërcyell ndërprerjeje me radiofoninë publike. Dekada të tëra, zëri i tij bëri ngjyrë dhe pati timbër publik, përmes Radio Tiranës. I fitoi shumë horizonte dëgjimi dhe i theu shumë gardhe pengimesh për dëgjim, ndër hise dhe vise shqiptare. Demiri mbeti rogorozisht adhurues dhe shërbëtor i estetikës së simpatikes. E bëri këtë, deri sa ndau frymën nga trupi, por jo për konkurime dhe gara jubilarësh. Në dekadat e fundit të jetës u pri dhe gatoi poezi-shkurtima sikur të donte të mishëronte ndërgjegjen e poetit dhe gazetarit konçiz. Nuk e humbi kurrë ndërgjegjen e lartësisë së vetvetes në raport me të tjerët dhe në referencë me peshën reale të vetvetes.Demiri ishte mik me shumë dhe mbetet mik, me më shumë. Me dhimbjen e ikjes së beftë, këta të dytët, janë edhe më të shumtë. Ndër ta dhe tek të shumtët Demir i dashur, ke tashmë të vetmen mundësi, të shohësh duke mos qenë me prani fizike, dritën e shpirtit tënd mbi ne, e cila ndrit përmes frymës që gjallon dhe zërit që të kumbon. Na e ngrite fytyrën tënde në ajri dhe na le me fjalën që e kemi për lexim dhe rilexime në pakohësi. Tani që nuk të tokim dot me dorën e takimeve, do të të ndjejmë përmes fjalës tënde me zë dhe estetikë.Me ndjenjën e përhershme të mikut që nuk ndërron, Sandri.

Filed Under: Sofra Poetike

PSIKOLOGJIA E NJOHJES DHE KULTURAT

January 17, 2022 by s p

Prof. Dr. Ylli Pango/

Te duash nje kulture, nje popull, nje vend tjeter;duhet te njohesh historine, kulturen, gjuhen, shpirtin, e tij. Të hash buken e te pish veren a rakine e tij, te lahesh ne ujra te lumenjve a detrave qe e lagin…te shkosh e te vish s’andejmi jo pak here. Të udhetosh neper trupin e tij. e te takosh plot njerez te atij vendi. Ndonjehere edhe ta falesh ate per moskuptime a dhimbje qe mund te te vine prej disa njerezve te paformë të tij per shkak padije a ligesie te tyre. E te mos harrosh se gjen jo pak njerez te vegjel edhe ndêr vende te kulturave te medha. ( Po nuk jane ata i gjithe vendi. As ambasadoret e tyre ndonjehere)…E pasi t’i besh te gjitha keto, duhet të kesh edhe aq shpirt sa tê ndjesh se ke rene ne dashuri me te ..Megjithese nuk do te te mjaftonte nje jete të beje dashuri me te. Kesisoj mund të arrish tê duash jo vetem italianet e Italinë. Por edhe arabët e Arabinë, greket e Greqine edhe me fqinjesine, ruset e Rusine, ndofta me gjithe sllavinë, Afriken me Afrikanet….e racat mbarë, turqit e Turqine madje edhe me turqizmat…Jo nuk do te te quajne kozmopolit i shtire. Ndofta Njerezim-dashes.Kulture-dashes…Mund të arrish të ndjesh, edhe per kulturat e vogla e mbartesit e tyre, pasi t’i kesh njohur, ne ndoca ishuj te vegjel diku ne Oqeanin Indian Paqesor, Lindje te Larget a Karaibe. Lere pastaj ç’mund te ndjesh, per oqeanet e kulturave te medha ku do te vazhdosh të pish e të pish pa u nginjur e te dashurosh, pa të mjaftuar, siç nuk po të mjafton, jeta e brezave te tere. Po si e qysh atehere kur nuk do te na mjaftonin disa jete per te dashuruar kaq shume e shume “ partnere”…Epo pikerisht sepse, per te mos i dashur keta qe shpesh i quajme “te tjeret”, “te huajt”, per t’i share pa sens a per te quajtur vehten me te mire, do te ishte shume me e lehte. Do te duhej thjesht te mos i njihje fare, te mos doje t’i njihje fare. Te ishe i shurdher karshi muzikes se tyre, i verber karshi bukurise se artit te tyre, amnezik per te kujtuar se te eshte dyfishuar jetegjatesia nga mendja e ndritur e esculapeve e dijetareve te tyre, aestetik per te vleresuar se te eshtw zbukuruar e lehtesuar jeta nga shijehollet e shpikesit e tyre, i pakembe e dembel a i padeshire per te ecur ne fusha e male te trupit te tyre. …Do ishe pra thjesht, RAHAT,..me ate “tënden”. Pastaj, ne rastet extra, do te te mjaftonte t’i bije gjoksit e te thoshe se “s’ka si vendi yt ne bote”( jo vetem per ty po per gjithe boten mbare“),se ne jemi me të mençurit nê bote, më të bukurit, më trimat…”. Pas kesaj do kerkoje të quheshe a të te jepnin titullin “ Patriot mbi patriotë”, dhe do te ikje andej matanë kesaj bote, i lumtur, goxha i paditur, por Patriot. Do ikje siç ka ikur nga kjo bote. nje pjese jo e vogel e bashkatdhetareve te tu: pa e mesuar kurre se:Që tê duash, jo vetem te tjeret por bashkë me ta edhe vehten, duhet te kesh deshire e vullnet së pari t’i njohesh, të mesosh e më pas të dish si t’i njohesh,pastaj t’i ndjesh, e së fundmi t’i dashurosh vetiu ata. Ata që emigruan e dinë më mirë se kushdo këtë. Atdheu mbetet atje, ku lindën e nuk harrohet kurrë. Vendi ku emigruan, është vendi që e njohën e i njohu, vendi që mësuan ta duan.

Filed Under: Fejton

Sot, përkujtojmë 554-vjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1405-17 janar 1468)

January 17, 2022 by s p

Muzeu Historik Kombëtar

Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Hero Kombëtar i shqiptarëve, strateg dhe burrë shteti i madh, udhëhoqi luftën për liri e pavarësi kundër pushtimit osman, për bashkimin politiko- shtetëror të popullit shqiptar. Ai personifikon jo vetëm figurën më të rëndësishme të popullit shqiptar, por dhe një epokë të tërë të historisë kombëtare. Figura e heroit tonë kombëtar lidhet më luftën më se njëshekullore kundër pushtimit osman.Lufta e shqiptarëve me në krye prijësin e tyre shënon një kthesë vendimtare në organizim politik të vendit, si dhe në forcimin e bashkimit kombëtar. Pasi çliroi Krujën më 28 nëntor 1443 ngriti flamurin e Kastriotëve dhe më 2 mars të vitit 1444, në Katedralen e Shënkollit të qytetit të Lezhës, Skëndërbeu mbajti Kuvendin e Parë Kombëtar. Si drejtues i Kuvendit theksoi domosdoshmërinë dhe rëndësinë e bashkimit të Shqiptarëve. Ai ishte kuvendi ku u hodhën themelet e bashkimit kombëtar. Mobilizimi masiv i forcave shqiptare që filloi në Dibër, erdhi duke u zgjeruar në të gjithë vendin, e cila u kthye brenda pak kohëve në një kryengritje të përgjithshme. Brenda muajve të parë u çliruan disa principata dhe pjesa me madhe e trojeve shqiptare. Forcat shqiptare me në krye Skëndërbeun fituan një sërë betejash kundër ushtrive osmane, si në fushat e Pollogut, të Dibrës, së Ohrit e të Domosdovës, grykat e luginat e Shkumbinit, fushat e Ujit të Bardhë, të Livadit pranë Ohrit, të Vajkalit etj.Pas vitesh lufte e rezistencë ndaj pushtimit osman, duke udhëhequr luftën e shqiptarëve për liri, Gjergj Kastrioti Skënderbeu vdiq në Lezhë. Figura e tij dhe lufta që udhëhoqi, u bënë një burim frymëzimi gjatë luftërave për lirinë e pavarësinë e Atdheut dhe sidomos gjatë Rilindjes Kombëtare.

Filed Under: Histori

ZBULOHET KSOMBLA ORIGJINALE “EMBSVAME E CHRÆSTERÆ” E LEKË MATRANGËS NGA VITI 1592 QË RUHET NË BIBLIOTEKEN ANGJELIKE TE ROMËS

January 15, 2022 by s p

Kohë më parë u gjet ksombla  e dytë e veprës së arbëreshit Lekë Matranga “Embsvame e chræsteræ” e cila  ruhet në Biblioteca Angelica të Romës dhe është në gjendje shumë të mirë.-Ishte arbëreshi Matteo Mandalà që e shfrytëzoi i pari këtë ksombël.- Përfundime të reja për jetën dhe veprën e botuar dhe për dorëshkrimet e L. Matrangës.-Fate të çuditshme të  veprave të shkruara në gjuhën shqipe.

Prof. Dr.  Musa AHMETI

Center for Albanian Studies – Budapest

Albanologjia shpesh pasurohet me zbulime të reja, por ka raste edhe kur varfërohet, pas humbjeve, vjedhjeve ose shkatërrimeve të librave të rrallë, me peshë të veçantë, ngase ato përfaqësojë ksombla  të vetme dhe unikate të njohura. I tillë ishte rasti me veprën “Embsvame e chræsteræ” të Lekë Matrangës, përkthyer dhe botuar në vitin 1592 në dialektin jugor të gjuhës shqipe, dhe që llogaritet si teksti i parë i shtypur italo-arbëresh me alfabet latin.

Vepra në origjinal e Lekë Matrangës ruhej në Biblioteca Apostolica Vaticana në Vatikan, deri në vitin 1947 kur “zhduket” pa lënë gjurmë. Ky libër ishte shfrytëzuar në këtë bibliotekë nga Mario Roques dhe Justin Rrota, dhe ishte pikërisht ky i fundit ai që e kishte sjellë një fotokopje të tërë veprës në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës, fotokopje kjo që edhe pse shumë e dëmtuar nga koha, ruhet edhe sot e kësaj dite në këtë bibliotekë [sig. BK. An. V/4D]. Për të bërë krahasimet dhe analizat e duhura me ksomblën origjinale, e konsultuam edhe këtë fotokopje të Tiranës

Pas humbjes së librit nga Biblioteca Apostolica Vaticana, në vitin 1947,kërkimet për gjetjen e ksombles së “zhdukur” apo të ndonjë ksomble tjetër të panjohur vazhduan për vite më radhë, dhe më në fund, vërtetë u arrit të gjendet një e tillë, e panjohur më parë.

Kështu, albanologjia, pasurohet me një ksombël të re të veprës së Lekë Matrangës “Embsvame e chræsteræ” nga viti 1592. Ajo ruhet në Biblioteca Angelica të Romës me sign. O. 10. 42,-int. 2. I pari që e bëri të ditur lajmin për ekzistencën e kësaj ksomble, studiuesi arbëresh, Matteo Mandalà.

Duke vazhduar hulumtimet, e konsultuam ksomblën origjinale, dhe e krahasuam atë me tre dorëshkrimet që ruhen në Biblioteca Apostolica Vaticana, duke pasuruar kështu njohuritë ekzistuese me të dhëna të reja rreth kësaj vepre. Tre dorëshkrimet që ruhen në Biblioteca Apostolica Vaticana, janë të kaligrafive të ndryshme, kanë autorë të ndryshëm dhe ruhen në një vëllim të vetëm.

Ne mendojmë që autorët e këtyre dorëshkrimeve duhet të jenë Lekë Matranga, Tomasso Ragja dhe Aleksandër Komuloviq. Lekë Matranga është autori i dorëshkrimit të tretë; këtë përfundim e kemi nxjerrë pasi kemi konsultuar edhe dorëshkrime e dokumente të tjera nga disa fonde të Biblioteca Apostolica Vaticana dhe të Archivio Segreto Vaticano, të cilat kanë të bëjnë me autorin L. Matranga, dhe me kohën kur u shkrua kjo vepër. Të gjitha këto të dhëna u krahasuan me ato që ruhen në Biblioteca Angelica të Romës, ku ndodhen shumë dokumente me interes të veçantë për këtë vepër dhe autorin e saj.

Si rezultat i këtyre hulumtimeve u saktësua se ksomblën në fjalë e solli në Biblioteca Angelica të Romës, në vitin 1598, Angelo Rocha, i cili ka bërë edhe një shënim autograf në kopertinat e vëllimit që sot ruhet vepra e L. Matrangës, “Dottrina christiana in lingua Albanese…” Angelo Rocha ishte vëllai i Pietro Rocha-s, përkthyesit të librit të Marin Barletit, “Histori e Skenderbeut” në intalisht, gjë që dëshmon lidhjen e vazhdueshme të familjes Rocha me intelektualët shqiptarë dhe arbëreshë, të cilët kishin si mecenë të përbashkët familjen fisnike shqiptare të Engjëllorëve, e cila financoi edhe botime të tjera të rëndësishme të autorëve shqiptarë dhe të huaj.

Vepra “Embsvame e chræsteræ” ruhet në një vëllim, së bashku me dy vepra të tjera. Në vëllim ajo është e lidhur si e dyta dhe vjen pas një vepre në italisht, ndërkohë që ndiqet nga një vepër e tretë në kroatisht. Kjo e treta ka për autor një intelektual të lidhur ngushtë me shqiptarët, përkatësisht Aleksandër Komuloviqin, i cili në vitin 1584 botoi 500 katekizma në gjuhën shqipe dhe i shpërndau ato në të gjitha trojet etnike shqiptare. Për fat të keq, ne ende nuk kemi gjetur asnjë ksombël të këtyre katekizmave.

Libri i L. Matrangës ka këto dimensione: 7.5 x 13.1 cm; është i shtypur në letër të cilësisë së lartë, pa shenja uji, filigranes. Është i lidhur me kopertina pergameni të fortë, të bardhë dhe si vëllim ka gjithsej 28 faqe, me një paginim lart majtas-djathtas. Numri i rreshtave nëpër faqe është i ndryshëm, por nuk i kalon të njëzetë e tetë rreshtat.

Përveç faktit që kemi në dorë një vepër që konsiderohej “e zhdukur”, kjo ksombël ka edhe një rëndësi tjetër të veçantë: ajo dallon nga fotokopja e “Embsvame e chræsteræ” që ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës dhe që më parë ishte në “Biblioteca Apostolica Vaticana”. Në faqet 14, 15 dhe 16 teksti është i ndryshëm jo vetëm nga forma por edhe nga përmbajtja, gjë që na bën të konkludojmë se kemi të bëjmë me dy botime të shpejta brenda një viti, dhe jo siç pohon M. Mandalà: “me të njëjtën vepër, por me gabime e lëshime të shtypshkronjës.” Një pohim i tillë është i nxituar, ngase nuk mund të kishte ndryshime kaq të theksuara, pra “gabime shtypshkronje”, si në rastin konkret, veçanërisht, kur bëhet fjalë jo vetëm për “Iniciale,” por edhe për tekst tjetër, sidomos atë në fund të faqeve!

Mesa duket, për këtë vepër kishte interes mjaft të madh gjë që e shtyri botuesin e saj Guglielmo Facciotto, që brenda një kohë të shkurtër, prej vetëm disa muaj, ta ribotojë atë përsëri. Tashmë që kemi në dorë, një ksombël origjinale dhe një fotokopje të një ksomble tjetër, me vula dhe shenja të tjera dalluese që është nxjerrë nga Biblioteca Apostolica Vaticana, kemi shumë mundësi për të bërë krahasime dhe analiza shkencore, qasje nga këndvështrime të ndryshme dhe verifikime të të gjitha natyrave për të nxjerrë përfundime të sakta dhe të vlefshme, si për autorin ashtu edhe për veprën. Hapin e parë në këtë drejtim e ka bërë Matteo Mandalà, me ribotimin fototipik [anastatik] të veprës së Matrangës, si të ksomblës së shtypur ashtu edhe të tre dorëshkrimeve që ruhen në sektorin e dorëshkrimeve në Biblioteca Apostolica Vaticana, të cilat ishin botuar edhe më parë nga arbëreshi, Matteo Sciambra, që punonte në atë bibliotekë.

Tri dorëshkrimet që ruhen në sektorin e dorëshkrimeve të Biblioteca Apostolica Vaticana, [sign: Mss. Barb. Lat. 3454], janë një çështje e veçantë dhe albanologjia ende nuk e ka thënë fjalën e fundit rreth tyre, përkundër faktin se ato janë botuar më shumë se njëherë të plota, si faksimile, të transliteruara dhe të transkriptuara. Me sa dimë ne, ky është rasti i parë i një vepre të botuar të autorëve të lashtë, që na është ruajtur edhe në dorëshkrim, përkatësisht varianti autograf dhe përshkrim i përgatitur për botim, nëse përjashtojmë rastin e dorëshkrimit autograf të Pjetër Bogdanit, të veprës “Çeta e Profetëve”, i cili ruhet në një nga arkivat e Dubrovnikut dhe është konsultuar vetëm nga dy studiues deri me sot, dhe nuk është botuar asnjë fragment prej tij.

Në fund të dorëshkrimit të tretë të veprës së Lekë Matrangës, që sot ruhet në Biblioteca Apostolica Vaticana, Tomë Ragja është personi i cili e aprovon botimin e  veprës: “Embsvame e chræsteræ.” Përveç kësaj, nga studimi që i kemi bërë origjinalit, kemi vërejtur se dallohet shumë qartë, që T. Ragja ka bërë edhe korrekturë dhe ndërhyrje në tekstin e dorëshkrimit të tretë, duke bërë edhe një paginim tjetër të faqeve nga numër 1 deri në numrin 15, që i korrespodon paginimit: 73-87. Sipas kësaj, mendojmë se katekizmi i vitit 1584, edhe pse për 8 vjet më i ri se vepra e Lekë Matrangës, ka një vazhdimësi logjike, të paktën në personin e Tomë Ragjës. Një mendim tjetër ka studiuesi arbëresh, M. Mandalà, i cili shkruan: “Edhe unë jam i bindur se Ragius ndërhyri në tekstin e Matrangës, por ndryshe nga mendimi juaj [M.A.], ai redaktoi tekstin e dytë (drsh. B), ndërsa korrigjoi variantin e tretë (drsh. C), të cilin e kishte shkruar materialisht një kopist tjetër dhe që më vonë u dorëzua në shtyp. Ka shumë të dhëna filologjike që e vërtetojnë këtë. Për atë që ju [M.A.] mendoni për numërimin në drsh. C, kam këtë mendim: 1) numërimi i parë që lexohet në krye të faqeve është i pari që u bë sipas tekstit në dorëshkrim për t’i shërbyer tipografit në fazën e shtypit; 2) kur në tipografi morën vesh që radhitja nuk ishte e përshtatshme, u bë një numërim tjetër që lexohet në mes të faqeve, duke qenë i shënuar me një dorë tjetër. Ky numërim i fundit është ai që del edhe në kopjen e exemplarit të shtypur.”

Pra ne mendojmë se përfundimet e kolegut Mandalà nuk qëndrojnë, për vetë faktin, se ai nuk pranon që njëri nga dorëshkrimet është autograf i L. Matrangës, përkundër dëshmive arkivore, se dorëshkrimi i tretë (drsh. C) është autograf i vetë L. Matrangës dhe si i tillë, ky ka shërbyer edhe për botimin e librit të cilin ne e kemi në dorë. Nga dëshmitë arkivore mund të përmendim fondin nga ASV, Arch. Borgh. Ser. III, 5, vëll. 124, dhe nga BAV, fondet Barb. Lat. 8479 dhe Barb. Lat. LVIII, vëll. 33; f. Cas. Cod. Mss. X, vëll. 6; Mss. Cod. Ottob. 1941, vëll. 1, 2, në të cilat pohohet qartë që Lekë Matranga është autori i dorëshkrimit të tretë.

Rigjetja e veprave të tilla është një sfidë e re për studiuesit dhe hulumtuesit, por edhe një inkurajim për ta që të vazhdojnë kërkimet dhe hulumtimet shkencore më me këmbëngulje, me shpresën se një ditë mund të gjendet ndoshta edhe një ksombël të dytë e “Mesharit” të Gjon Buzukut, apo ndonjë ksombël të “Katekizmave” nga viti 1584 ose e librave të tjerë të shumtë të shtypur që nuk janë inkunabula, por libra të rrallë dhe presin dorën fatlume të studiuesve shqiptarë, arbëreshë apo të huaj.

Filed Under: Opinion

Deklaratë e Përbashkët e Institucioneve të Republikës së Kosovës, pas takimit me ambasadorët e QUINT-it dhe përfaqësuesin e BE-së

January 14, 2022 by s p

Dielli/

Deklaratë e Përbashkët e Institucioneve të Republikës së Kosovës, pas takimit me ambasadorët e QUINT-it dhe përfaqësuesin e BE-sëInstitucionet e Republikës së Kosovës, në një takim të përbashkët me Ambasadorët e Quint-it dhe përfaqësuesin e BE-së, paraqitën qëndrimin e tyre të koordinuar dhe të përbashkët lidhur me mbajtjen e referendumit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës. Përveç se u ritheksua se qytetarët serb të Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, pra nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse, institucionet bënë të qartë se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare. Për më tepër, një akt i tillë është shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës. Institucionet i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që në raport me Kosovën të aplikohen standarde të njëjta sikurse me çdo shtet tjetër, meqë pavarësia e shtetit tonë jo vetëm që është njohur nga shumica e vendeve demokratike anekënd botës, por edhe është vulosur nga GJND-ja. Kushtetuta e Kosovës, ligjet e aplikueshme në Kosovë si dhe e drejta ndërkombëtare dhe praktika ndërkombëtare nuk e njohin të drejtën e një shteti për të realizuar referendum në territorin sovran të një shteti tjetër. Prandaj, praktikat e deritanishme të aplikuara që nga viti 2012, kanë qenë kundërkushtetuese, e si rrjedhojë nuk i obligojnë institucionet e tanishme të Republikës së Kosovës të dala nga vullneti i qartë i qytetarëve i shprehur më 14 shkurt 2021. Aq më tepër kur këto praktika kanë rezultuar vetëm me fuqizimin e strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë. Për më tepër, institucionet e Kosovës kanë theksuar se çështja nuk është roli i OSBE-së, por roli i Serbisë dhe strukturave të saj paralele e ilegale në Kosovë. Sepse, para se OSBE-ja të bënte mbledhjen e votave, do të mbahej një proces tërësisht ilegal i hapjes së qendrave të votimit e kutive të votimit në territorin e Republikës së Kosovës për një referendum të një shteti tjetër, pra Serbisë, e ky proces do të organizohej nga strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë. Ashtu siç dëshmohet në letrën e dërguar OSBE-së nga ana e autoriteteve serbe, arsyeja pse Serbia insiston t`i hapë vendvotimet edhe në Kosovë është sepse e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj. Prandaj edhe dëshiron ta shfrytëzojë referendumin si mjet të shtrimit të sovranitetit të saj mbi Kosovën. Rrjedhimisht, qëndrimi i institucioneve të Kosovës nuk ka fare të bëjë me OSBE-në, por me kundërshtimin e kësaj tendence të vazhdueshme të Serbisë, e cila dëshmon pretendime të qarta territoriale ndaj Kosovës. Institucionet e Kosovës mbesin falënderuese ndaj shteteve të Quint-it dhe të gjitha shteteve të tjera demokratike që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe shprehin mirënjohjen që edhe sot në takim u rikonfirmua mbështetja e tyre ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit tonë. Duke qenë kështu, institucionet e Kosovës i bëjnë thirrje të gjitha shteteve demokratike që ta mbështesin Kosovën në përpjekjet e saj për t`i ndalur veprimet e vazhdueshme të Serbisë që minojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe shtetësinë e Kosovës. Për më tepër, kjo praktikë e Serbisë, që po e ndjekë modelin rus, ka mbështetjen e plotë të Federatës Ruse, duke dëshmuar kështu tendencat e tyre për destabilizim të shpejtë të rajonit tonë dhe zhbërjen e sukseseve që Kosova dhe rajoni i kanë arritur në partneritet me vendet mike demokratike. Mosmbajtja e referendumit serb në territorin sovran të Republikës së Kosovës është hap i duhur në betejën tonë të përbashkët kundër autokracive dhe avansim i praktikave demokratike, përkushtim të cilin Kosova e ka dhënë së fundi edhe në Samitin për Demokraci të organizuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2633
  • 2634
  • 2635
  • 2636
  • 2637
  • …
  • 2948
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Posta nga Haga – Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, 12.04.2026
  • Bedri Dedja (20 nëntor 1930 – 13 prill 2004)
  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel
  • Shtypi shqiptar në vitet e fundit të sundimit osman
  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT