• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MUSINE KOKALARI, PËRMENDORE ETNOGRAFIKE PËR KRIJIMIN E FAMILJES SË RE NË GJIROKASTËR

October 27, 2025 by s p

Kosta Nake/

Krijesa që po shqyrtoj, nuk ka ndonjë përcaktim letrar, por ka karakteristika të mjaftueshme për ta quajtur roman: Një subjekt linear me detaje dhe një retrospektivë për fëmijërinë e nuses, një numër personazhezh të individualizuar, një harmonizim të ndodhisë me mjedisin natyror e shtëpiak, portretizime, ndërsa fizikisht ka një vëllim prej më shumë se 300 faqesh.

Patën kaluar pesë vjet nga botimi i librit të parë “Siç më thotë nënua plakë” dhe ndjehet rritja cilësore e shkrimtares Kokalari, duke kaluar nga dialogu dhe ligjërimi i thjeshtë bisedor te rrëfimi në vetën e tretë dhe alternimi i mjediseve ku zhvillohet dasma e dy familjeve, përkatësisht në shtëpinë e Haxhi efendiut e Qibros që martojnë vajzën e tyre Xhemile dhe në shtëpinë e Mirteza agait e Ruhusë që martojnë djalin e tyre Nexhip. 

Romani hapet në mënyrë klasike me përshkrimin e mejdisit në një mëhallë të qytetit të Gjirokastrës, pastaj bëhet paraqitja e gruas së shtëpisë që ka dy djem dhe një vajzë për të martuar. Mjaft interesante është paraqitja e gjendjes së qytetit në trajtën e një kronike telegrafike: “Djali i Hasaf efendiut ndau gruan. Hasibesë në Palorto i vdiq djali në Amerikë. Xha Meteja ra nga shkallët dhe theu një këmbë. Tek mulla Seferi në Manalat u ndanë vëllezëria…” (f.24) Përshkrimet e natyrës dhe të mjedisve shtëpiake vijnë herë pas here si vëzhgime të personazheve me fjali të kursyera por mjaft shprehëse. “Nëna vate te penxherja, hapi xhamin dhe nderi kokën jashtë. Akoma s’kishte dalë mirë dielli. rrezet e para ngriheshin dhe humbitnin në qiellin e veshur me re të murme që dalëngadalë po ecnin nga njëra anë në tjetrën duke lënë hapët aty këtu nga një copëz qiell të kulluar.” (f.153)

Portreti i Xhemiles jepet fillimisht nga rrëfimi i Haxhos që ka rolin e shkueses: “…më të mirë se këtë s’ke ku të gjeç. E mirë e nga njerëz të mirë. E çapit dhe e vrapit, e gërshërës dhe e gjilpërës. Ç’i sheh syri, ja bën dora. Gojë ka e gojë s’ka. S’i dëgjohet zëri kallogresë. Mban shtëpinë në krahë me gjithë ata burra… Ç’të thom. Do të hapëç shtëpinë.” (f.14-15) Pastaj portretizimi vazhdon nga autorja: “Hyri Xhemileja. I dridheshin këmbët. Zinxhiri i florinjtë i  shquante në qafën e bardhë. Të verdhët e surratit u bë i kuq kur po afrohesh te vjehra. Mirrte frymë thellë dhe dendur. Zemra i kërcente si pulë. Leshrat e zeza pisë e të krehura mirë, vetullat pe, ai sy i math, ajo gojë si kuti…” (f.47) “Mir frymë thellë. Kosat e qenë ksepleksur dhe i mbulonin supet. Leshërat i kishin rënë në surrat. Sadeja përpara i qe zbërthyer. I dukesh gjoksi gjysmë i hapur.  I ulesh e i ngrihesh nga mir frymë dhe i çquanin kokallat e qafës. I kishte mbetur surrati sa një karavele.” (f.152)

Një nënë s’ka qetësi derisa ta fejojë vajzën që ka mbushur vitet e pjekurisë seksuale. Po qetësia e saj prishet kur vjen dita për ta përcjellë te “dera e botës”. Mos e martoi pak si shpejt? Mos e donte vajzën më pak se djemtë? “Si të vjen në atë çast ndarjeje. Të vjen si në të qarë. Të duket sikur do të nderç duart e ta zëç e mos ta lëç të iki.” (f.160)

Vendi i nuses së re te familja e burrit vjen bukur nëpërmjet këshillave të së ëmës: “Bënu e mirë me vjehrin dhe vjehrën, vetëm lepe e peqe. Sido që të vijë puna ti, si më e vogël, mos folë. Në mëngjes kur të ngrihen njerëzit e shtëpisë, të të gjejnë në këmbë…”(f.157)

Në morinë e atyre që kanë lidhje me dasmën shfaqet edhe Kako Pinua që bën rolin e bullës, gruas që e përgatit vajzën për martesë dhe e shoqëron edhe te shtëpia e burrit. Është po ajo Kako Pino që do të vinte më vonë edhe te “Kronikë në gur” e Ismail Kadaresë.

Libri është botuar në vitin 1944 dhe, çuditërisht, jo vetëm që nuk ndjehet atmosfera e luftës, por as që përmendet ndonjëherë. E konsideroj sfidë ndaj luftës vrastare që shpërthen e përhapet për interesa që s’kanë lidhje me aspiratat e popujve dhe i tërheqin thjesht si mish për top, nga ana tjetër lartëson traditat, zakonet dhe ritet që ushqejnë dhe zbukurojnë jetën me aktin më të shenjtë të krijimit të familjes, gjë që siguron vazhdimësinë dhe përsosjen e jetës. Mbaroi dasma, “një zogëzë e bukur bëri fole të re për jetë, një rreze drite hyri në atë shtëpi dhe tek hyn e del, qeshnin nga gazi divanet, muret e çdo gjë që ishte atje rreth.” (f.269)

Nuk përjashtohet mundësia që kjo heshtje të ketë lidhje me faktin që vitet e saj të studimit përkuan me vitet e pushtimit fashist dhe ajo që ndoshte në Shqipëri shikohej krejt ndryshe në Itali. Ndoshta dhe zhgënjimi që pësoi nga lidhja intime me një italian mashtrues, një ushtarak që luajti rolin e komedianit që maskohet me inteligjencën e vet.

Libri përbën një prerje kohore të ngrirë që pasqyron jetën qytetare të Gjirokastrës një shekull më parë, që bën një paradë të zakoneve dhe riteve prej fejesës deri pak ditë e javë pas përfundimit të dasmës, prek problemet që lidhen me traditën patriarkale të krijimit të familjes me shkuesi dhe zbulon xixëllonjat e para të ndryshimit. Rrëfimi pasohet edhe me një përmbledhje të asaj që u pasqyrua dhe përmbyllet me mesazhin e drejtpërdrejtë që pas pushtetit absolut të burrit në fatin e familjes, kishte ardhur koha për t’i dhënë gruas vendin që meriton: “Gruaja sot, nga bota e perënduar e djeshme zuri udhën e saj dhe kërkon të jetë përgjegjëse për veten dhe të marrë pjesë  në të gjitha ngjarjet e kohës, kërkon të dijë ku rron,  përse rron në jetë për të drejtën e saj si pjesë e pandarë e asaj që është.” (f.302)

Shkrimtarja Kokalari e shfrytëzon pasqyrimin e një prej momenteve kulmore të jetës, pjesës më të bukur të saj, siç është dasma, për të prekur edhe probleme të familjes shqiptare. Pas Haxhi efendiut lexuesi gjen atë grup parazitar e të papërgjegjshëm burrash që “pinte sa i dilte nga hundët, lonte kumar sa linte edhe këmishën e krahëve” (f.10-11) Përballë Haxhi efendiut lartohet portreti i krushkut. “Mirteza agaj rrinte në këmbë te pragu i portës me tas në dorë që e kish mbushur me oriz dhe me para. Fanella përpara i dukej e bardhë shkumë. Mëngët e kondosë i kishte të gjera. Tek xhamadani i varesh qosteku. Poturet e zeza i rrinin mirë. Brezin e bardhë e të leshtë e kishte rrotulluar tre herë pas mesit. I çquanin gajtanet. Dizbat e kuqe, lidhur te gjuri dhe kallcat e reja i kishte nga më të mirat. Këpucët me kapak të drejtë i rrinin pas këmbës.” (f.195-196)

Ishte koha kur fati kërkohej në fundin e filxhanit dhe njerëzit ishin nën trysninë e bestytnive dhe magjive. Merushja i vuri Xhemilesë nën jastëk një fre kali që ta kishte gjuhës të shkurtër para vjehrës. Tetua e Xhemilesë e përvëloi pragun e derës me ujë të nxehtë, kur doli nusja, për ta mbrojtur nga magjitë. 

Me detaje jepen lulet, gatesat, stolisja e nuses, paja që shkëmbejnë të dy palët, teatri gazmor i dasmës me gra që vishen si burra, etj.

Ishte shtrenjtuar jeta në rrafshin ekonomik. Më parë njeriu me një frangë ngrinte pazarin dhe e mbushte shtëpinë me një mijë të mira, kurse në kohën e dasmës dollari s’kishte duk dhe napoloni të ikte nëpër duar. Ishte behar dhe Gjirokastra vuante të nxehtin dhe mungesën e ujit. Me ndjeshmëri humane ka kapur autorja marrëdhëniet mes qytetarëve gjirokastritë dhe evgjitëve, në radhë të parë burrat instrumentistë, pastaj edhe gratë shërbyese që bëheshin pjesë e riteve dhe trajtoheshin me njerëzillëk.

*

Romani është një përngjitje e zakoneve dhe riteve me folklorin e pasur që karakterizon pasurinë shpirtërore të popullit tonë. Kënga kapërcen pengesat e mjedisit patriarkal dhe paralajmëron ndryshimin:

“Shoqetë më panë,

Ç’bën ashtu më thanë?

Puthem me jaranë.” (f.141)

“Do ta ndaj gruan e parë,

Do ta marr leskoviqare,

Ato kanë naze shumë,

Naze shumë e stoli shumë

Veshin rrobatë mbi gjunjë.” (f. 182)

Këngët popullore shoqërojnë ritet në çdo hap të tyre duke hedhur dritë farfuritëse mbi dhëndrin e nusen, duke hedhur në eter vargje plot humor sit e kënga e Xhevros për babanë sarhosh e kokëpakrehur, duke zgjeruar gjeografinë e zonave shqiptare me Beratin, Tiranën, Janinën, madje duke u hedhur deri në Stamboll, duke thirrur në mjedisin lirik dramën e kurbetit (f.257), ngjarje historike si ajo e Shemo hajdutit (f.219) apo e rrëmbimit të bejkës (f. 245), apo duke sjellë baladën e fjalës së dhënë me Kostandinin dhe Dhoqinën (f.255). 

Përshkrimi i riteve me detaje dhe përcjellja me këngë ditë pas dite dhe hap pas hapi e kësaj dasme ka vlerën e një studimi shkencor, çka dëshmon për një vëmendje të vazhdueshme dhe kërkimi të thelluar të Musine Kokalarit në përmbajtjen e tyre, në atmosferën festive që krijojnë dhe në mesazhet që përcjellin. Ky interes për foklorin do të shkëndijonte te Musineja që në moshën 10-vjeçare, do ta lartonte si studiuese kur ishte studente në Romë, do të rrezëllinte edhe në ditët e qëndrimit të shkurtër në Korçë, edhe kur u strehua për pak ditë në një familje arbëreshe, edhe kur kthehej në Tiranë.

 Është rasti për t’u ndalur te transformimi i thellë që ka ndodhur te dasma shqiptare sot: dikur me një raport harmonik mes riteve, dollive, këngëve e valleve, ku çdo dasmor e ndiente veten aktor në ceremoninë e bashkimit të dy të rinjve dhe dy familjeve. Sot dasmorët janë kthyer në shikues të spektaklit që fokusohet te këngëtarë të njohur, është ruajtur masiviteti në valle, emigracioni ka sjellë edhe valle greke, pastaj pjesa tjetër mbetet ushqimi. Ka humbur kënga popullore, një nga pasuritë e çmuara me shumëllojshmëri mahnitëse dhe një nga mënyrat më të mira për çdo dasmor që të lëshojë në atmosferë dhe mbi tavolina shpirtin dhe zemrën që mezi prêt të çlirohet nga hallet dhe stresi në një ditë gëzimi.

Përdorimi i shpeshtë i fjalëve tingullimituese përbën një tipar të stilit gjuhësor të shkrimtares Musine Kokalari dhe e ka burimin te objekti i veprës së saj – jeta familjare – ku komunikimi është emocional, mjedisi përfshin të gjithë brezat e shoqërisë. Shkrimtarja i shfrytëzon fjalët tingullimituese për ta bërë përshkrimin më të gjallë, më tërheqës, njëkohësisht për të pasqyruar mjedisin tingullor pa të cilin jeta njerëzore do të ishte tepër e varfër. Le të kujtojmë me këtë rast efektin që ka trokitja e gotave të qelqit ndër pijetarët.

Nga dy vëllimet e para të veprës së saj të zgjedhur kam veçuar 68 njësi tingullimituese që mëtojnë të sjellin tinguj dhe zhurma të jetës njerëzore, të kafshëve, të dukurive natyrore, të mjeteve të punës, etj.

Nga jeta njerëzore: auah, cim-cim, çu-çu-çu, dëng e dëng, ëh… ëh… fiu-fiu, gë-gë, gu-gu, pa-pa, pësh-pësh, pthë-pthë, vu-vu, xhër-xhër…

Nga kafshët: fësht, gër…gër…, ngëcë-ngëcë, pat-pat-pat, rën rën rën, roj-roj-roj,…

Nga natyra: kllul-klluk, për…për…, pik…pik…pik…, pllup-pllup… 

Nga mjetet e punës: bam bam, bram, cak, çak…çak…çak…, dum… dum… dum…, fësh e fësh, tik-tak, trakër-trukër…

Të tjera: daf e duf, fërc, kër, vërc…

Shembuj:  

Rrëmbeu nga sheshi një shkop të madh dhe bam e bam i ra kaq herë me radhë. (2 f.18)

Zunë çu-çu-çu me njëra-tjetrën. (2 f.82)

E pinte dëng e dëng rakinë. (2 f.100) 

Ç’janë ato të hyra e të dala, fërc tek njëra, fërc tek tjetra. (1 f.6)

Nëpër këmbë fësht i shkoi një gjë. (2 f.18)

Pllup pllup binte nga një lule e thatë. (2 f.16)

Trakër-trukër një djep që tundesh nga dora e nënës. (2 f.114)

Xhur-xhur i venin lotët. (2 f.148)

Fjalët tingullimituese paraqiten si një njësi e vetme ose si përsëritje dy dhe tri herë e së njëjtës trajtë: fësht, kllul-klluk,  çak…çak…çak…. 

Mund të dalë me dy pjesë që kanë zakonisht një tingull të ndryshëm: tik-tak, trakër-trukër.

Në vështrim drejtshkrimor fjalët tingullimituese me dy ose tri fjalë të përsëritura veçohen me vizë lidhëse, me presje me tripikëshin dhe nganjëherë mes tyre futet lidhëza “e”.

Libri në tërësi ka vlera të shtuara gjuhësore sepse e sjell mjedisin miks me greqishten në Gjirokastër dhe veçoritë e të folmes në atë zonë të toskërishtes tri dekada para Kongresit të Drejtshkrimit. Stili gjuhësor për të cilin shkrova për përmbledhjen “Kështu thotë nënua plakë” ruhet me të njëjtat karakteristika edhe te ky libër.

(Libri “…sa u tund jeta” i Musine Kokalarit, 1944 Vepra e zgjedhur 2, Tiranë 2017)

Filed Under: Sofra Poetike

DUKE LEXUAR VARGJET E POETIT FERIK FERRA

October 27, 2025 by s p

Prof.Dr.Fatbardha F.Hoxha

Kohë më parë pas botimit të vëllimeve “Duke kapërcyer shekullin” (2001), “Nën diellin e vështirë” (2002), “Diell i vështirë”, shqip e anglisht (2005), poeti Ferik Ferra do t’i jepte lexuesit edhe dy vëllimet e tij “Ëndrra e bregut tjetër” (2006) dhe “Nata pa agim” (2007) botuar nga shtëpia botuese “Ombra” GVG, Tiranë.

Në rrjedhën e prurjeve poetike të dekadave të fundit, lexuesi kritik provon rrallë befasi të këndshme që të imponojnë vëmendje dhe vlerësim. Tashmë janë të njohura rastet kur poetë të ardhur apo më drejt të përfshirë disi me vonesë në këto rrjedha, sjellin një krijimtari të kristaltë dhe plot vlera estetike. Edhe pse jo unikal, rasti i poetit Ferik Ferra, përcjell në çdo vëllim poetik vlimin e pashmangshëm për të derdhur qetë e qetë dhe pa bujë shumë frymë e shpirt nga qenia e tij, që përmban aq shumë lëndë emocionale, aq shumë perceptime poetike që s’ndalen dhe që shpërthejnë në vargje që të mbeten gjatë në mendje. Leximi edhe i dy vëllimeve të fundit të dhuron kënaqësi dhe të zgjon ndjesi të bukura, jo thjesht me idetë poetike dhe tharmin sa tradicional e modern, por edhe me përftesat poetike sa individuale aq edhe universale të prekshme e të zakonshme për çdo njeri.

Botimi në vëllimin “Nata pa agim”,  i kapitullit “Të mbetura në arkiv, rruga nga u nisën vargjet”, e bën të mundshme të njohësh rrugën në të cilën eci poeti drejt rritjes së natyrshme dhe asaj shkalle perfeksionimi që shfaq poezia e tij më e mirë në të gjitha vëllimet. Teksa ke lexuar të plotë lëndën poetike që të ofrojnë vëllimet e tij, nuk ke si të mos mendosh gjatë për atë marrëdhënie të thellë e të brendshme të njeriut modern, të shqiptarit në këtë kapërcyell shekulli dhe mijëvjeçari, të cilin brengat që ka kaluar, jo veç gjatë historisë së tij, por edhe në të kaluarën jo të largët nuk e kanë zbrazur shpirtërisht, por e kanë bërë që ta përcjellë botën me zhvillimet e saj të vrullshme jo si një qenie e ndrydhur, por shumë e ndjeshme dhe e zgjuar, duke u shfaqur si qytetar i botës të cilit pasuritë e saj të pafund nuk ia përthyejnë brishtësinë e shpirtit njerëzor por mbetet përherë dhe thellësisht i tillë. Kjo marrëdhënie nis me fëmijërinë e njerëzimit kur mbruheshin veprat e Homerit, Platonit e Katulit, për të vazhduar me Petrarkën, Danten, e Shekspirin, për të ardhur tek krijuesit modernë, simbolistët e fund-shekullit XIX, tek hermetikët e shekullit XX, nga eposi legjendar shqiptar tek Serembja, Fishta, Poradeci që mbeten poetët e adhuruar të tij. E gjerë dhe e pafund është edhe gjeografia e impulseve poetike të subjektit lirik të poezisë së Ferrës. Ajo shtrihet thellë në kohërat historike. Fillesat e saj i kanë rrënjët në lashtësinë greke e latine, në trevat ilire, në Epir dhe përtej kontinentit evropian. Subjekti lirik i poezisë së Ferrës shqetësohet e motivohet jo nga vogëlima, por nga gjëra të rëndësishme dhe me peshë që identifikohen me vetë qenien njerëzore.

Në gamën e gjerë të përjetimeve të subjektit lirik të poezisë së tij tërheqin mjaft poezi që shprehin variacione idesh dhe emocionesh, por gjithsesi duhet pohuar, se si të gjithë poetët e vërtetë ai nuk i shmanget motiveve historiko-qytetare që përbëjnë, për mendimin tonë, një nga vlerat e veçanta të poezisë së Ferrës. Dhe në trajtimin e kësaj teme ai ruan optikën e tij të veçantë origjinale. Tragjeditë e kombit ndër shekuj, dramat e sotme të shqiptarëve që të drithërojnë e të tronditin thellë në shpirt janë realizuar në një varg poezish. Në ciklin e lirikave qytetare që përbëjnë edhe një vëllim me peshe në poezinë e tij, ku do të përmendim “Natë ilire”, “Rozafa”, “Epiri”, “Albanoi”, si vijim i tyre qëndrojnë “Otrantonox”, “Dialog janari në det”, “Ëndrra e bregut tjetër”, ku subjekti lirik ka mpiksur aq shumë ndjeshmëri dhe brengë, aq shumë dashuri dhe mirësi që buron nga një shpirt i madh human që ka bërë të vetën, jo veç brengën e dhimbjen, por edhe ëndrrën dhe dëshirën e pafund të shqiptarëve për ta fituar lirinë, jetën më të bukur, më të mirë. Në këtë cikël gjithsesi do të veçoja një lirikë “Kombi” të botuar tek vëllimi “Ëndrra e bregut tjetër”, jo thjesht për ngarkesën emocionale qytetare që sjell, por për të shënuar se për shqiptarët, siç po e vërteton katërcipërisht edhe realiteti aktual, tema qytetare edhe këtë kapërcyell mijëvjeçari nuk resht së qeni aktuale, nuk resht së tërhequri artistët e të gjitha llojeve të artit. Ajo vazhdon të ngacmojë vetëdijen krijuese të shkrimtarëve dhe artistëve që nuk reshtin së sjelluri zbulime të reja estetike që receptohen, për arsye që dihen mirë nga të gjithë, me një intensitet ndjeshmërie për t’u lakmuar.

Në historinë e letërsisë shqiptare të kultivuar siç dëshmohet, tema qytetare mbetet temë kyçe. Krijuesit shqiptarë i kanë blatuar asaj shumë dritë nga shpirti i tyre, duke dhënë përjetime dridhëruese që nuk i zbeh asnjëherë koha. Do të kujtonim fillimisht shqiptarin e madh evropian Marin Barleti që do të trondiste vetëdijen humaniste të kohës së tij me mesazhin që artikulonte atë kohë kur hidheshin themelet e atdheut kombëtar, në Evropë. Humanisti do të shpallte atë që fare mirë mund të qëndronte si kryefjalë e çdo kohe për çdo njeri në botë: “Për atdheun asnjëherë nuk duhet menduar se është bërë shumë, se është derdhur tepër gjak, sepse dashuria për të, ia kalon çdo dashurie tjetër.” Me këtë porosi historiani shkrimtar do të hidhte tharmin që do të gjallëronte përherë letërsinë shqiptare.

Nuk mund të mos përmend edhe një tjetër poet, adhures të Lukrecit dhe të Katulit, shqiptarin evropian Mikel Maruli që ve para detyrimit moral të paret e vet, që kaptuan udhën e hidhur dhe të vështirë të mërgimit, me të cilin veprim, siç dëshmon tërë poezia e tij, ai nuk u pajtua asnjëherë, nuk u ndje i qetë. Dhe në portretin njerëzor që krijoi për nënën, ajo ndrit në parafytyrën e tij poetike, ajo fal gëzim, shpërndan dritë, se siç thekson në fund të poezisë Maruli ajo mbi të gjitha është “Gruaja që me shpirt donte atdheun”. Po ashtu mjafton të kujtojmë vargjet e Naim Frashërit të urtë teksa u fliste jo vetëm shqiptarëve në atë epokë të artë të Rilindjes Kombëtare për atë gjënë e shtrenjtë për të gjithë njerëzit në botë me mençurinë e filozofit dhe delikatesën e poetit: “Se njerëzit gjithë vdesin/Po jeta s’mbetet e shkretë/Gjuha, mëmëdheu mbesin/Të patundur për jetë” Dhe poeti Ferra “i falet” këtij rregulli të pashmangshëm për të gjithë njerëzit, por sidomos për shqiptarët. Në poezinë me titullin “Kombi”, me konceptimet e tij, me anaforën që përsërit fjalën që përbën argumentin poetik që zhvillohet si ide poetikisht përmes një vargu metaforash të arrira më shumë përmes intuitës së poetit të tipit “Mjalti që rrjedh në gjuhën e nënës”, “Trëndafil i gjakut midis shpatës e plumbit”, “Mishi i gurit” etj., ai u drejtohet të gjithë njerëzve, pavarësisht nga vendi apo koha me mesazhe që kanë shtrydhur deri në palcë përvojën shekullore të kombit të vet, duke dhënë një poezi vërtet emblematike, ku përmbajtja është formë dhe forma përmbajtje e mirëfilltë, që e bën krijimin të veçantë për vlerat e tij.

Kur lexon vargjet e Ferrës, nuk ke si të mos vësh re faktin se subjekti lirik, i ka të gjitha përmasat. Ai është qytetar i vendlindjes së tij dhe në të njëjtën kohë dhe qytetar i botës, që ndjen thellë të bukurën kudo që ajo shfaqet. Si të gjithë poetët e vërtetë njohja që ka për artin, letërsinë dhe historinë evropiane apo më gjerë, nuk e bën atë të ketë komplekse e aq më pak të nënshtruar ndaj asaj pasurie kulturore që afron njerezimi, përpos adhurimit që e provojnë shqipërimet e bukura të Ferrës që do të meritonin një studim të veçantë krahasues. Teksa lexon poezitë e tij, gjithnjë e më tepër njihet rregulli, që nuk përjashton poetët e vërtete, se të njohësh, vlerësosh identitete të tjera, nuk do të thotë të humbasësh identitetin tënd, përkundrazi, do të thotë ta pasurosh e ta përtërijsh në mënyrë të habitshme atë identitet të parë. A nuk kishte ndodhur kështu me Barletin, De Radën, Naimin, Samiun, Konicën, Nolin, Koliqin, Pipën dhe Camajn e të tjerë. Këtij rregulli i bindet edhe Ferra në poezinë e tij që vjen pa zhurmë dhe bujë, por me plot vlera. Dhe një fakt tjetër është i pashmangshëm për një sy të vëmendshëm. Për këdo që njeh sado pak jetën e poetit jo pak e trazuar në një të kaluar jo të largët, krijon respekt e vërteta, që poezia e tij ka fare pak hije nga ajo e kaluar që dallohej nga mungesa totale e lirisë. Poeti në kohët e lirisë që jetojmë sjell shumë më tepër dritë se hije. Poezia e tëra vibron nga ndjesi njerëzore që shprehin papajtueshmëri me pengimin e lirisë, por kurrsesi mllef a urrejtje që buron nga një shpirt i madh ne gen i poeti. Poezia e Ferrës ndonëse ka dimensione të ndryshme është një poezi ku mendimi dhe ndjenja shkrihen natyrshëm, duke krijuar formatin e një krijimi modern. Ajo është plot e përplot me asocacione që çlirojnë kuptime nga më të hapurat e më të larmishmet gjatë leximit, duke mundësuar më shumë se një të tillë. Vargjet e tij janë të pasura me përfytyrime dhe shqiptimë shprehëse, ku simbolet, metaforat janë të gjetura dhe të befasojnë.

Ai ka diçka nga simbolistët francezë të shek. XIX-të apo hermetikët italianë të shekullit XX, të cilët dhe i përkthen si Ungareti, Koasimodo, Montale. Po ai ka po kaq shumë nga filozofia dhe estetika e folkut shqiptar. Por ajo që vërehet anë e tej vargjeve të tij, është krijimi i strukturave dhe i mikrostrukturave të shumëfishta kuptimore, që tejkalojnë kuptimet e drejtpërdrejta gjuhësore. Nëse poezia është detaj, është figurë, kjo është e prekshme në vargjet e Ferrës, të cilat dendur të kujtojnë atë që pohonte mjeshtri i simbolistëve francezë, Stefan Malarmé: “Sikur fjalët të kishin vetëm një kuptim, atë të fjalorit, sikur një gjuhë e dytë të mos i ç’rregullonte dhe lironte ‘siguritë e ligjërimit’ nuk do të kishte letërsi”. Poeti Ferra luan mrekullisht me kohët e foljes në poezinë “Mjegulla”. Nëse në dy vargjet e para ai synon të japë një realitet spontan të përfunduar që ai e realizon me të kryerën e thjeshtë të foljes “me fshehë” si: “Mjegulla fshehu pyllin/Pylli fshehu vilat”. Në vargjet që pasojnë, që zbulojnë sipas një leximi tonë, realitete njerëzore të vetëdijshme, ose që janë produkt i tyre, për të arritur në realitete virtuale, ku përballet e mira me të keqen, që poeti i metaforizon me ditët dhe netët, siç ndodh në vijim, duke vënë në funksion të tashmen e foljes së lartpërmendur: “Vilat fshehin njerëzit/njerëzit fshehin ëndërrat/ëndërrat fshehin ditën/dhe ditët fshehin natën”. Dhe konceptimi i vargjeve që ndahen me presje si pjesë të një periudhe, kërkon të nënvizojë idenë e një realiteti kompleks e të pandërprerë dhe thuajse pashmangshëm kontradiktor e të papërputhur.

Me interes të veçantë është edhe cikli i poezive që poeti u kushton poetëve të mohuar ose të përndjekur, si lirikat kushtuar Fishtës (Nata e vdekjes së dytë), përkthyesit e shkrimtarit Gjon Shllaku (Në burgun e Iliadës), poetëve Vilson Blloshmi dhe Genc Leka (Korijeve të hënës), piktorit S. Ahmeti (Yje në grusht të greminës), të cilat shprehin një dashuri të pafund njerëzore dhe homazh për këta artistë martirë.

I ndjerë ndonëse larg vogëlimave, spikat edhe cikli me motive personale i poetit që është ndër më të realizuarit në këto botime dhe ku është fokusuar me plot finesë bukuria, kuptimi dhe vlera e jetës njerëzore. Të pashlyera mbeten lirikat që sjellin gjallërinë e jetës, rropamat dhe sakrificat e saj siç ndodh në poezine “Agimin qe nuk e pe”,”Duart”, “Nen shkemb te nates”, “Kenget e Danielit”, “Do te vije nje dite”, “Ne seline intime”, ku pas elementit personal subjekti lirik nenvizon ndjenjen univesale njerzore. Ne mjaft poezi te Ferres e ke te veshtire te dallosh kuptimin tematik, sepse shume syresh e kane gati te pamundur. Ato fare lehte mund ti konsiderosh deskriptive, kur jane po aq dhe lirika mendimi, apo me shume  elemente te tilla. Le te sjellim njeren prej tyre: “Lule limoni/flladi pupla engjejsh/arome terri ne pranvere/prushi i henes se kuqe/ku endrra pjek/floririn e frutave/i kuqerremte klorofili/deri ne vuajtjet e gjetheve/qe padashur gerricin,gervishtin,shpupurisin prushin e henes…” Ne lirikat e Ferres ka vertete gjera te krijuara me fantazi dhe finese poetike qe sjellin vlera kristalore te shume planeshe,por asaj asnjehere nuk i mungon ndjesia njerezore e thelle dhe e perjetshme sa eshte vete njerezimi. Jane jo te ralla rastet kur poezia arrin nje perceptim dhe shqiptim poetik me vlere,ato jane lirika te holla dhe delikate dhe qe japin mundesi te pafundme leximesh sic ndodh per shembull me liriken “Lulet kendojne”: “Kendojne lulet/mahnisin ngjyrat vetvehten/ku neper rreze/krehin driten ne shtat/e nuk ngopin veten/as me ere as me ngjyra”. Ne poezine e Ferres luan nje rol te papare fluksi i ngjyrave qe u jep drite hare poezise se tij.Spektri i ngjyrave i poezive te tij eshte tejet i pasur,ai te kujton simbolistet franceze,te cilet Ernest Koliqi i quan “vizatues me lapse ari”.Ngjyrat ne poezine e tij fitojne tejdukshmeri te ralle vecmas kur perdoren si atribute te fenomeneve abstrakte te blerte apo te gjelber,tingellim gri,etj. Dhe simboli mbetet nje interesante qe me sa kuptohet shpreh nje lloj antropomorfizimi te natyres moderne.Vetem keshtu mund te perfytyrosh gishtat e shiut apo duart e eres qe jane perberes te atyre lirikave me prirje te dukshme meditimi. Bota lirike e subjektit te poezive te Ferres eshte e gjere dhe e hapur si vete bota qe ate e rrethon,me te cilen ai krijon raporte te brendshme,te thella dhe jetesore. E ardhur mire si lirike e mirefillte ajo ka ditur qe te fuse ne perdorim krahas leksikut te standartit gjuhesor letrar edhe fjale dhe kuptime te dialektit verior qe e pasurojne dhe e gjallerojne leksikun poetik te Ferres. Eshte teper e veshtire,te thuhet nje fjale perfundimtare per nje krijimtari te vellimshme,por eshte pothuaj i dukshem fakti se duke lexuar e rilexuar keto vellime,bindesh per prurjet plot risi poetike dhe e ndjen se poezise bashkohore i shtohet edhe nje poet me vokacionin e tij te vecante qe e meriton te vleresohet per kontributin e sjelle ne rrjedhen e poezise sone me te arrire. 

Filed Under: LETERSI

FRANK SHKRELI, FJALA PËRSHËNDETËSE NË PËRVJETORIN E THEMELIMIT TË DEGËS SË FEDERATËS PAN-SHQIPTARE VATRA DHE TË HAPJES SË SHKOLLËS SHQIPE, “GJERGJ FISHTA”, NË LONG ISLAND NEW YORK

October 27, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli      

I nderuar Dr Paulin Marku:  Ju dhe stafin e shkollës “Gjergj Fishta” në Long Island ju falënderoj, përzemërsisht, për ftesën për të marrë pjesë me ju në këtë festë të përvjetorit të themelimit të Degës, “Vatra” Long Island dhe të shkollës “Gjergj Fishta”.  Më vjen shumë keq, që për arsye objektive, nuk kam mundësi të jem me ju për të festuar këtë përvjetor. 

Njëherazi, unë u jam mirënjohës për mundësinë që, të pakën, megjithse jo i pranishëm, ta shënoj këtë përvjetor me ju nga larg, me një përshëndetje të shkurtër, duke iu bashkuar ju themeluesve të Degës dhe anëtarve të Vatrës Long Island, drejtuesve të Shkollës   Long Island – e sidomos mësuesve në krye me Zonjën Fabjola Marku dhe bashkpuntorëve të saj, por edhe nxënsve që ndjekin mësimin në gjuhën shqipe, por jo vetëm.   Nxënësve, atyre bijave dhe bijëve të diasporës së re shqiptaro-amerikane në atë zonë, të cilët falë angazhimeve patriotike dhe edukative tuaja dhe të stafit tuaj të përkushtuar ndaj misionit të Degës dhe Shkollës “Gjergj Fishta, për të shërbyer si një qëndër me frymë kombëtare në Amerikën e Xhorxh Washingtonit e Thomas Xhefersonit – si një qëndër, “shpirtërore, edukative, patriotike, kulturore e komunitare për bashkimin e shqiptarëve në Long Island”, dhe më gjërë. 

Ashtuqë qysh në moshë të re nxënsit e shkollës “Gjergj Fishta”, të mësojnë gjuhën shqipe dhe të mbeten të ndërgjegjshëm dhe të vetdijshëm ndaj rrënjëve të tyre etnike, megjithse do rriten dhe të jetojnë në një botë të huajpor të lirë në krahasim me botën e prindërive dhe gjyshërve të tyre. Në këtë oqeanin e madh që e quajmë Amerika jonë e dashur –- ku ky brez i ri shqiptaro-amerikanësh, përveç gjuhës dhe kulturës shqiptare po brumosen nga ju, njëkohësisht, edhe me ndjenja kombëtare të orgjinës, por si qytetarë të denjë të këtij vendi me të drejta, liri dhe përgjegjësi të barabarta. Ndoshta nuk është e rastësishme që ky përvjetor i Shkollës që mban emrin e Poetit Kombëtar, po shënohet vetëm disa ditë pas përvjetorit të lindjes së tij (23 Tetor) — në Muajin Tetor – “Muaji i At Gjergj Fishtës”.  Dihet se Gjergj Fishta ishte një mbrojtës i flakët i arsimit shqip dhe veçanërisht, i gjuhës shqipe, si njëri prej mbrrojtësve më të mëdhej të fjalës  shqipe.  Vet Fishta – ashtu si edhe ju në ditët e sotëme në Amerikë –por më shumë se një shekull më parë, ishte njëri prej themeluesve të Shkollës Françeskane në Shkodër ku mësohej shqip, në një kohë kur mësimi i gjuhës amtare ndër shqiptarët ishte një aktivitet i ndaluar nga Perandoria e errët e pushtuesve osmanë. 

Sot në Amerikën e lirë e demokratike, në këtë oqean të madh shtet-planet, mësimi i gjuhës shqipe nuk është i ndaluar, siç ishte i ndaluar në Shqipërinë e kohës së Gjergj Fishtës nga otomanët, pushtuesit shekullorë të trojeve iliro-arbërore. 

Megjithse plot sfida siç e dini edhe ju vet, hapja dhe mbarëvajta e shkollës, siç është kjo e juaja nuk është i lehtë, pasi çdo ndihmë bëhet në baza vullnetare. Por, ama, është një aktivitet i nevojshëm kulturor dhe moral, nëqoftse komuniteti shqiptaro-amerikan – ashtu siç kanë bërë dhe bëjnë shumë grupe etnike evropiane në këtë vend — dëshiron të ruaj sadopak gjuhën dhe identitetin kombëtar në këtë shekull të ndryshimeve të mëdha integruese në botë. Për mbajtjen gjallë të kësaj flake përkushtimore – jo pa sakrifica — ndaj arsimit dhe mësimit të gjuhës shqipe, nevojitet një kategori njerzisht të veçantë të shqiptarëve të shpërndarë nepër botë.

Siç duket, brenda vetëm një viti aktivitet, nën drejtimin tënd Dr Paulin Marku me bashkpuntorë, ju kini vendosur një bazë të fortë  edukative dhe kulturore në komunitetin ku jetoni e veproni, duke frymëzuar brezin e ri të komunitetit shqiptaro-amerikan në Long island të Nju Jorkut të ëndërrojnë – në dy-gjuhësi — një të ardhme më të mirë për veten, familjen dhe komunitetin ku jetojnë, si shqiptaro-amerikanë të denjë dhe kontribues për një jetë më të mirë në vendin tonë të adaptuar – Amerikën tonë të dashur që na ka pranuar me krahë hapur duke na dhënë mundësitë për një jetë më të mirë për ne dhe familjet tona.

Për këtë punë të mundshme me plot sakrifica, por të kryer mirë, urimet e mia më të përzemërta në këtë prëvjetor, me uratën drejtë realizimit të plotë dhe me sukses të objektivave të misionit tuaj fisnik origjinal, në vitet e ardhëshëm, si për veprimtaritë e Degës së Vatrës Long Island ashtu edhe për shkollën “Gjergj Fishta”, në veçanti, në atë zonë të komunitetit shqiptaro-amerikan të Nju Jorkut.

Gjithë të mirat dhe kalofshi sa më mirë!

Frank Shkreli

E Dielë, 26 Tetor, 2025

Filed Under: Kronike

Mamdani një komunist i ri, apo nostalgjik i një utopie? 

October 27, 2025 by s p

Rafael Floqi/

Gjatë Luftës së Ftohtë, komunistët sovjetikë i referoheshin shpesh liberalëve amerikanë si “idiotë të dobishëm”. Edhe pse origjina e kësaj shprehjeje është e debatueshme (i atribuohet si Leninit ashtu edhe Stalinit), ajo përshkruante saktësisht shumë prej simpatizantëve të komunizmit pas Luftës së Dytë Botërore. Që nga universitetet elitare deri në Hollywood, shumë intelektualë të majtë përqafuan marksizmin pa e kuptuar thellësisht filozofinë dhe pasojat e tij.

Sot po shohim një brez të ri “revolucionarësh të kolltukut”, që bëjnë thirrje për gjithçka – nga rrëzimi i qeverisë amerikane deri te sekuestrimi i fabrikave dhe shtëpive. Në politikën amerikane po lind një brez i ri që e sheh veten si “revolucionar i ndërgjegjes”. Ata nuk bartin më flamujt e kuq të Leninit, por slogane të gjelbërta, fjali për “barazi”, “drejtësi racore” dhe “sekuestrimin e mjeteve të prodhimit”. Kjo valë e re nuk kërkon dhunë, por reformë të sistemit nga brenda, duke e veshur marksizmin me rrobat e progresizmit modern. Dhe në krye të këtij brezi po shfaqet një emër që po tërheq vëmendjen në Nju Jork: Zohran Mamdani.

Kush është Mamdani dhe pse po ngjall debat

Zohran Kwame Mamdani është biri i profesorit të njohur radikal të Columbia University, Mahmood Mamdani, dhe i producentës hollivudiane Mira Nair. Ai ka lindur në Kampala, Ugandë, dhe është rritur mes elitës kulturore të Nju Jorkut. Sot, si ligjvënës shtetëror i Queens-it dhe kandidat për poste më të larta, Mamdani është bërë fytyra më e zëshme e së majtës revolucionare në qytet.

Në një fjalim në konferencën e Young Democratic Socialists of America (YDSA), Mamdani deklaroi hapur: “Ne duhet të kemi guximin të flasim për qëllimin tonë përfundimtar — për sekuestrimin e mjeteve të prodhimit. Kjo nuk është çështje mode, por drejtësie.”

Në një tjetër rast, ai tha: “Pse duhet të kemi qindra apartamente bosh në Manhattan, ndërsa njerëzit flenë në rrugë? Duhet t’i marrim dhe t’i përdorim për të pastrehët.”

Këto deklarata – që dikur do të konsideroheshin radikale – sot po gjejnë jehonë në një Nju Jork të lodhur nga pabarazitë, qiratë e pamundura dhe kriza e banesave. Në një qytet ku një apartament mesatar kushton mbi 1 milion dollarë, çdo ide që sfidon tregun e pasurive të paluajtshme tingëllon si shpresë për brezin që nuk mund të blejë as një dhomë. Pikërisht këtu qëndron sekreti i suksesit politik të Mamdanit.

Ai ka kuptuar diçka që AOC dhe Bernie Sanders e shfrytëzuan me mjeshtëri: zemërimin e klasës së re të varfër urbane – studentë me borxhe, punëtorë me qira marramendëse, të rinj që jetojnë në një ekonomi që nuk shpërblen përpjekjen. Në këtë kontekst, slogani “sekuestroni mjetet e prodhimit” nuk tingëllon më si kërcënim komunist, por si akt moral ndaj padrejtësisë.

AOC, Bernie dhe radikalizmi i ëmbël

Zohran Mamdani është produkt i brezit të “AOC-izmit” politik. Alexandria Ocasio-Cortez (AOC), që nisi karrierën si kamariere e u bë kongresmene, e ka shndërruar socializmin amerikan në një markë politike: idealiste, e guximshme, por e përtypshme nga publiku. Ajo flet për “Green New Deal” dhe “Medicare for All”, por me kujdes shmang fjalën “komunizëm”.
Bernie Sanders, në anën tjetër, ka bërë që termi “socializëm demokratik” të hyjë në fjalorin politik amerikan pa frikë. Ai flet për taksa të larta ndaj korporatave, për shërbime publike universale dhe barazi ekonomike — por gjithnjë me shembuj nga Skandinavia, jo nga Bashkimi Sovjetik.

Mamdani, ndryshe nga këta të dy, nuk kërkon ta fshehë terminologjinë marksiste. Ai e përdor fjalën “seizure” (sekuestrim), “means of production” (mjetet e prodhimit) dhe “revolutionary solidarity” (solidaritet revolucionar). Ai nuk flet më për Skandinavinë, por për dëshirën për ta “rindërtuar Amerikën nga rrënjët”, sipas modelit të drejtësisë kolektive.
Në këtë kuptim, Mamdani nuk është thjesht progresist; ai është një neo-komunist moral, që e sheh revolucionin si proces shpirtëror dhe kulturor.

Nga Tirana e Hoxhës te Queens-i i Mamdanit

Por çfarë ndodh kur idealet e bukura për barazi përplasen me realitetin? Për këtë, Shqipëria është një rast studimor i përsosur.
Në vitet pas Luftës së Dytë Botërore, Enver Hoxha ngriti regjimin më izolues të Evropës nën të njëjtat parulla: “Mjetet e prodhimit në duart e popullit”, “Toka atyre që e punojnë”, “Barazi për të gjithë”.
Por shpejt, pas sekuestrimit të tokave dhe fabrikave, pronari i vërtetë nuk ishte populli — ishte shteti, pra Partia. Fshatarët që “fituan” tokë, u detyruan ta dorëzonin në kooperativa; punëtorët që “fituan” fabrikat, u kthyen në vegla të shtetit; intelektualët që ëndërruan lirinë, përfunduan në burg.

Në fund, barazia që u premtua u kthye në varfëri kolektive, dhe “drejtësia shoqërore” në kontroll total.
Ky është paradoksi i çdo projekti që kërkon të “sekuestruar mjetet e prodhimit”: sapo e bën, krijon një pushtet që asnjë qytetar nuk e sfidon dot.
Në Shqipëri, ky pushtet mori formën e një diktature 45-vjeçare; në vende të tjera, si Venezuela apo Kuba, mori formën e krizës së përhershme ekonomike dhe emigracionit masiv.

Kur Mamdani kërkon që shteti të marrë apartamentet bosh të Manhattan-it për t’ua dhënë të pastrehëve, ai përsërit logjikën e viteve ’40 shqiptare: “sekuestrimi në emër të barazisë”.
Në teori, tingëllon humane. Në praktikë, është fillimi i kontrollit mbi pronën private – një ndër shtyllat e lirisë individuale.

Po pse Mamdani po fiton në Nju Jork 

Megjithatë, Mamdani nuk është vetëm ideologjikisht i guximshëm — ai është politikisht inteligjent. Në Nju Jork, ai po shfrytëzon disa faktorë që e ndihmojnë: Kriza e banesave – qiratë e larta dhe apartamentet bosh krijojnë një ndjenjë revolte që ushqen çdo ide për konfiskim. Zhgënjimi me establishmentin demokrat – shumë votues të rinj shohin tek AOC, Bernie dhe Mamdani zërin e vërtetë të popullit kundër korporatave. Mbështetja nga rrjetet aktiviste – organizata si DSA (Democratic Socialists of America) kanë ndërtuar një aparat politik që mobilizon të rinjtë për kauza radikale. Simbolika identitare – si bir i emigrantëve, Mamdani përfaqëson brezin multikulturor të qytetit; ai flet për “drejtësi racore” dhe “dekolonizim” “për denigrim të islamit “ në një mënyrë që rezonon me votuesit e rinj.

Në këtë kuptim, ai po fiton jo sepse njerëzit duan komunizëm, por sepse janë të lodhur nga kapitalizmi i korporatave. Dhe në mungesë të një alternative reale, çdo retorikë që tingëllon “moralisht e pastër” bëhet tërheqëse.

Komunizmi si kulturë, jo si ekonomi

Në realitet, ajo që po ndodh në Amerikë nuk është rikthim i komunizmit klasik, por rishfaqje e tij kulturore.
Në universitete, profesorët si Melanie Yazzie apo Eman Abdelhadi flasin për “dekolonizimin e SHBA-së” dhe “shkatërrimin e projektit të vendbanuesve të bardhë”. Në këto ambiente, të jesh i majtë nuk është më zgjedhje politike – është shenjë morali dhe identiteti intelektual.
Zohran Mamdani është produkt i kësaj klime. Ai nuk është Enver Hoxha, por është pasardhës shpirtëror i atyre që besojnë se drejtësia mund të arrihet duke shembur sistemin ekzistues.

Por historia tregon se kur sistemi shembet, shpesh nuk ngrihet drejtësia, por tirania.
Shqipëria, me burgjet e Spaçit e Burrelit, me kolektivizimin e dhunshëm dhe me izolimin total, është dëshmi e gjallë e asaj që ndodh kur ideali zëvendëson lirinë.
Në këtë kuptim, kujtesa historike është mburoja jonë ndaj naivitetit. Brezi i Mamdanit nuk e ka këtë kujtesë, dhe ndoshta prandaj i duartroket sloganeve të tij.

Përfundim: mes utopisë dhe kujtesës

Zohran Mamdani po fiton sepse flet me pasion për padrejtësitë reale të sistemit, por ofron ilaçin e gabuar për sëmundjen e drejtë. Ai është simptomë e një epoke ku moralizmi ka zëvendësuar analizën, dhe ku fjala “revolucion” është bërë formë estetike e revoltës personale.

Në fund të fundit, Mamdani nuk është as Stalin, as Lenini, as Hoxha. Ai është një komunist i shekullit XXI – një që s’ka parë asnjë kamp pune, por ka lexuar shumë në Twitter; një që flet për “sekuestrimin e mjeteve të prodhimit”, por që paguan me kartë krediti latte-n e tij organike në Brooklyn.

Mamdani është ideal për ata që mund të quhen “Trotskistë me trust-fund”, pra bij të pasur që përqafojnë radikalizmin nga komoditeti i privilegjit. Ai përfaqëson fenomenin e quajtur “radical chic” në arsimimin amerikan, ku idetë ekstreme janë bërë modë e pranuar.

Mamdani e shet retorikën marksiste si të vërteta të vetëkuptueshme – një lloj “marksizmi të lehtë” që premton gjithçka, nga kontrolli i qirasë te sloganet populiste si “Halall për tetë dollarë përsëri.” Sipas tij, çështje si “falja e borxheve studentore” apo “Medicare për të gjithë” kanë mbështetje popullore, por kauza të tjera – si bojkotimi i Izraelit apo sekuestrimi i industrisë – “ende nuk kanë arritur nivelin e duhur të mbështetjes.”

Mamdani nuk jep detaje se si do të funksiononte një sistem i tillë në SHBA, kur ai ka dështuar në çdo vend ku është provuar. Ai madje ka kërkuar sekuestrimin e apartamenteve luksoze bosh në Nju Jork për t’i dhënë të pastrehëve. Me ide për supermarkete shtetërore e plane të ngjashme, shumë e shohin Mamdanin si frymëzues të një “socializmi amerikan”.

Sondazhet tregojnë se gjithnjë e më shumë të rinj mbështesin socializmin, madje edhe komunizmin. Në zgjedhjet paraprake në Nju Jork, Mamdani ka marrë mbështetje të konsiderueshme nga të rinjtë e pasur me arsim universitar. Por, si ai, edhe shumë prej tyre nuk kanë përjetuar realitetin e regjimeve socialiste: nuk e kanë parë kolapsin e Bashkimit Sovjetik, as krizën e Britanisë e Francës pas eksperimenteve socialiste të viteve ’60, as kalimin e Kinës drejt kapitalizmit për të shmangur dështimin ekonomik.

Megjithatë, siç e pranoi vetë Mamdani, e majta radikale duhet të presë “derisa të ketë mjaft mbështetje për ta bërë këtë”. Por ironia është se politikat socialiste, historikisht, krijojnë kushtet që justifikojnë më shumë kontroll shtetëror dhe më shumë varësi.

Pjesa më e madhe e propozimeve të tij do të ishte ose e paligjshme sipas Kushtetutës, ose do të çonte në falimentimin e qytetit. Për shembull, sekuestrimi i apartamenteve luksoze do të ishte një “marrje e paligjshme e pronës private” pa pagesë të vlerës së tregut – diçka praktikisht e pamundur.

Por historia, sado që të fshihet, mbetet aty: çdo herë që njeriu ka dashur ta shpëtojë botën duke i marrë gjithçka tjetrit, ka përfunduar duke e humbur edhe vetveten.
Dhe në këtë kuptim, pyetja nuk është nëse Mamdani është komunist, apo sepse e quan Trump “komunist” atë, por nëse brezi që e ndjek, e ka harruar se si përfundon çdo revolucion, që nis me premtimin për barazi absolute.

Filed Under: Fejton

Beogradi, Moska dhe instrumentеt е hegjemonizmit të ri jo më me tanke, por me narrativë

October 27, 2025 by s p

Beogradi dhe Moska veprojnë në prapaskenë, duke përdorur qeverinë maqedonase si instrument të hegjemonizmit të ri jo më me tanke, por me narrativë; jo më me dhunë, por me propagandë. Fushata kundër subjektit shqiptar që mishëronte frymën e Marrëveshjes së Ohrit nuk ishte konkurrencë elektorale, por hakmarrje historike për poshtërimin që Serbia përjetoi në qershor të vitit 1999. Ky projekt, i konceptuar në laboratorët politikë të Beogradit dhe i miratuar në Moskë, synon të dobësojë faktorin shqiptar, të ngadalësojë integrimin evropian dhe të krijojë një “zonë gri” në Ballkan, ku liria shqiptare do të shndërrohet në objekt kompromisi.

Nga Prof. dr. Skënder ASANI

Manifestimi i zhvilluar para disa ditësh të tetorit, në prani të zëvendëskryeministrit maqedonas, ambasadorit rus, përfaqësuesve të shtetit serb dhe autoriteteve lokale të Kumanovës, nuk mund të interpretohet si një rastësi protokollare. Ai përfaqëson një akt politik dhe simbolik me pasoja alarmante, që shpalos tentativën për rivendosjen e hegjemonisë serbe mbi territorin dhe kujtesën historike shqiptare. Ky manifestim është pjesë e një projekti më të gjerë destabilizues, ku Beogradi dhe Moska veprojnë në prapaskenë përmes instrumenteve të qeverisë maqedonase, duke përdorur ceremonitë dhe retorikën si mjete të sofistikuara të pushtetit për të manipuluar kujtesën kolektive dhe për të dobësuar pozicionin politik shqiptar.

Rreziku qëndron jo vetëm në veprim, por edhe në indiferencë. Shqiptarët përballen me një sfidë të trefishtë: mbrojtjen e kujtesës historike, forcimin e vetëdijes politike dhe ruajtjen e unitetit moral e politik, në mënyrë që historia të mos shkruhet pa ta. Ky është momenti i hyrjes në një fazë vendimtare një pikë kthese historike që kërkon vetëdije, përgjegjësi dhe veprim të koordinuar për të mbrojtur lirinë, dinjitetin dhe orientimin euroatlantik të vendit.

Pjesëmarrësit serbë, të shfaqur me uniforma ushtarako-policore, e kthyen vendin në një skenë intimidimi, duke dërguar një mesazh të qartë dominimi mbi kujtesën historike shqiptare. Që nga formimi i qeverisë së dalë nga zgjedhjet e vitit të kaluar, janë organizuar një sërë manifestimesh shtetërore jo vetëm në Zebrenjak, por edhe në qytete të tjera të Maqedonisë të cilat, nën petkun e përkujtimit, kanë promovuar frymën e hegjemonisë serbe dhe kanë synuar normalizimin e pranisë së saj mbi territorin dhe kujtesën shqiptare.

Në të njëjtin vend ku në tetorin e vitit 1912 nisi kasaphana serbe ndaj shqiptarëve, sot vendosen kurora nderimi mbi varret e pushtuesve. Ky akt provokues sfidon jo vetëm kujtesën, por edhe sensin e drejtësisë historike, duke vënë në provë unitetin dhe vigjilencën e popullit shqiptar. Nuk është thjesht një ceremoni, por një paralajmërim i hapur për çdo individ dhe institucion që guxon të harrojë ose të nënvlerësojë rrezikun e rikthimit të pushtetit të vjetër mbi territor, histori dhe ndërgjegje kombëtare.

Historia e vitit 1912 dëshmon këtë tragjedi: trupat serbe hynë në Shkup e Kumanovë me bekimin e Rusisë cariste, duke shndërruar lumin e Vardarit në shtrat gjaku shqiptar. Sot, më shumë se një shekull më vonë, historia po rishkruhet me duartrokitje diplomatike, ndërsa flamujt e ceremonive zyrtare mbulojnë hijen e një narrativi të ri që tenton ta shndërrojë pushtimin në “çlirim” dhe dhunën në “miqësi”. Ky nuk është përkujtim historik, por provokim politik: një strategji për të rikthyer ideologjinë e vjetër sllave në formë të sofistikuar, si pjesë e ndërgjegjes publike të një shteti që po humb busullën euroatlantike.

Retorika parazgjedhore e kryeministrit maqedonas, e evidentuar që nga zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar dhe e mbështjellë me slogane për “rikthimin e shtetit” dhe “rendin e ligjit”, shfaqet si hapi i parë i një projekti të koordinuar serbo-rus, që kërcënon ekuilibrin politik dhe institucional të ndërtuar me gjak dhe sakrifica pas Marrëveshjeve të Kumanovës (1999) dhe të Ohrit (2001). Gjatë fushatës për zgjedhjet lokale, kjo retorikë u shndërrua në sulm frontal ndaj forcës politike shqiptare të dalë nga lufta e vitit 2001, duke synuar shkatërrimin e saj dhe eliminimin e mburojës institucionale që mbron autonominë dhe integritetin e komunitetit shqiptar.

Ky horizont i trazuar tregon qartë se komuniteti shqiptar rrezikon të zhvendoset nga përfaqësimi i vërtetë; kauzat historike mund të dorëzohen nën ndikimin e jashtëm; dhe vendi mund të zhytet në orbitën e kontrollit të vjetër. Çdo heshtje apo nënvlerësim i këtij projekti shndërrohet në katastrofë institucionale, ku forcat që dikur mbronin të drejtat dhe ekuilibrin mund të fundosën nën presionin e një strategjie të mirëstudiuar dhe të pandëshkueshme.

Beogradi dhe Moska veprojnë në prapaskenë, duke përdorur qeverinë maqedonase si instrument të hegjemonizmit të ri jo më me tanke, por me narrativë; jo më me dhunë, por me propagandë. Fushata kundër subjektit shqiptar që mishëronte frymën e Marrëveshjes së Ohrit nuk ishte konkurrencë elektorale, por hakmarrje historike për poshtërimin që Serbia përjetoi në qershor të vitit 1999. Ky projekt, i konceptuar në laboratorët politikë të Beogradit dhe i miratuar në Moskë, synon të dobësojë faktorin shqiptar, të ngadalësojë integrimin evropian dhe të krijojë një “zonë gri” në Ballkan, ku liria shqiptare do të shndërrohet në objekt kompromisi.

Rreziku nuk qëndron vetëm në veprim, por edhe në heshtje. Heshtja e institucioneve, mediave dhe elitës akademike është bërë pjesë e strategjisë për normalizimin e ndikimit serbo-rus. Antishqiptarizmi po sofistikohet: infiltron tekstet shkollore, simbolet shtetërore dhe ceremonitë “miqësore”. Sot, shqiptarët përballen me armikun brenda sistemit të maskuar si politikë, institucion dhe heshtje kolektive.

Përballë këtij rikthimi të heshtur të hijes serbo-ruse, kujtesa shqiptare duhet të ngrihet si mburojë morale dhe politike. Ajo nuk është nostalgji, por instrument vetëmbrojtjeje kombëtare. Kujtesa duhet të bëhet akt politik një vijë e kuqe ndaj çdo përpjekjeje për të relativizuar të vërtetën historike. Kush nuk e mbron kujtesën, nuk mund të mbrojë as lirinë.

Ky është moment historik i zgjimit kombëtar. Manifestimi i tetorit dhe retorika e “rikthimit të shtetit” janë vetëm simptomat e një sëmundjeje më të thellë që synon të gjunjëzojë faktorin shqiptar. Reagimi duhet të jetë politik, strategjik dhe i bashkërenduar mbi tri shtylla:Kujtesa historike si mbrojtje kombëtare dhe dokumentim ndërkombëtar i krimeve të vitit 1912;Vetëdija politike, e orientuar drejt vizionit euroatlantik dhe shtetit qytetar;Uniteti moral dhe politik shqiptar, përtej ndarjeve, përballë një rreziku që kërcënon vetë qenien kombëtare.

Historia po hyn në një fazë vendimtare: përplasja ndërmjet projekteve destabilizuese dhe aspiratës për stabilitet është bërë më e dukshme se kurrë. Vetëm një vetëdije e koordinuar kombëtare mund të mbrojë orientimin euroatlantik dhe të ndalë ofensivën e projekteve që synojnë ta shkëpusin vendin nga bërthama e vlerave perëndimore.

Në tetorin e vitit 1912, Vardari rridhte i kuq nga gjaku i shqiptarëve; sot, ai rrezikon të rrjedhë i turbullt nga harresa. Ky është momenti i kujtesës, reagimit dhe përgjegjësisë kombëtare. Vetëm nëse politika shqiptare dhe faktori pro-perëndimor e kuptojnë këtë si pikë kthese historike, Maqedonia e Veriut mund të përballet me dinjitet me sfidat e së ardhmes jo si shtet i penguar, por si komb që njeh rrugën e vet dhe nuk lejon që historia të shkruhet pa të.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 263
  • 264
  • 265
  • 266
  • 267
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT