• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nga Durresi në mbarë botën — Si po shkëlqejnë këtë tetor artistët shqiptarë në arenën ndërkombëtare

October 27, 2025 by s p

Nga Dr. Bledar Kurti/

Në një kohë kur bota duket e vetëizoluar, me individin kryeulur për nga aparati i celularit, kur e bukura e vetë gjeneza e lindur dhe ndjesitë e brendshme të pafundme humane shpesh humbasin kontaktin me natyrën, identitetin, dhe me rrënjët, shumë figura artistike të lidhura apo me origjinë durrsake në këtë tetor po përçojnë një mesazh të rëndësishëm në të gjitha anët e globit. Pas veprës së saj Të Lirë, Lea Ypi po i paraqet botës në shumë gjuhë librin e ri Të Poshtëruar, Gëzim Myshketa, vazhdon të shkëlqejë në skenat më të njohura operistike botërore, shumë figura të tjera po krenojnë qytetin dhe kombin në zemrat e qytetarëve të botës, duke kumbuar fort të vërtetën e patjetërsueshme se arti është ura midis lokalizmit dhe universalizmit, materies dhe frymores, reales dhe koncepteve krijuese që ceken e ndihen vetëm përmes sirtarëve të pavetëdijshmes dhe përtej dyerve të perceptimit.

Durrësi i pasqyruar në reflektimin e çelikut të Helidon Xhixhës, çelësat e Alfred Mirashit dhe ndërtesat e konceptet ikonike të arkitektit Indrit Hamiti.

Në këtë tetor, tre personalitete të njohura të artit dhe arkitekturës, Helidon Xhixha, durrsaku me emër të madh ndërkombëtar, Alfred Mirashi “Milot” i lidhur ngushtësisht me Durrësin, si ish student në shkollën e mesme artistike “Jan Kukuzeli” dhe Indrit Hamiti, arkitekti i godinave ikonike në Durrës, kanë arritur të tejkalojnë jo vetëm kufijtë gjeografikë, por edhe ato perceptualë, duke e vendosur artin dhe krijimtarinë bashkëkohore në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.

Më 10 tetor, Xhixha dhe Mirashi prezantuan veprat e tyre në Muzeun e Artit të Guandongut në Guangzhou, Kinë. Në ekspozitën e organizuar nga kjo galeri, e titulluar “Rifrazioni e Dritës – Yan Laichao & Milot” kuruar nga. Ji Shaofeng, çelësat e Mirashit, pasaporta artistike e tij, që tejkalojnë fiziken, kohën e validetit, e madje edhe kufijtë e kombeve, hapin portat e metafizikës. Kujtojmë se “metafizikë” nga greqishtja e vjetër: “meta” (përtej) dhe “physika” (natyra, fizika), pra, realiteti përtej asaj që perceptohet nga shqisat, është konsideruar gjithnjë si një pelegrinazh abstrakt i qenies, për të cilin Mirashi i ofron botës çelësin, mjetin e afërt e të prekshëm për ndërlidhjen e realiteteve, i stilizuar në forma të panumërta për të gjitha ndjesitë, idetë, fantazitë, shpirtrat, zemrat, kombësitë, kohët dhe kufijtë e panumërt real apo perceptual. Çelësat e Mirashit hapin kafazet e mendjes njerëzore, prangat e shpirtrave të ndrydhur, vargonjtë e skllavërisë krijuese, zinxhirët e fajeve historike të epokave të shkuara dhe portat yjore të së ardhmes. Çelësat e Mirashit hapin kapitë e vetë kohës.

Bukuria e artit të kulluar është thjeshtësia. Simbolika e çelësit i shërben si mendjeve kërkuese eshtu edhe njerëzve të thjeshtë, pasi çdo individ mban një çelës (shtëpie, zyre, etj) një “momento mori” që të kujton rëndomësinë e jetës vdekatare, por celësat e Mirashit janë një “momento vivere” që kujtojnë vendmbërritjet e pafundme përtej horizonteve të gjithësisë e plotësisë.

Në këtë event të rëndësishëm në Muzeun e Artit të Guandongut në Guangzhou u inaugurua edhe skulptura monumentale “Obelisku i Dritës”, e artistit më të njohur durrsak në botë Helidon Xhixha.

Dimë nga historia se obelisku shërbente si një monument falik për të lartësuar e përjetësuar fitoret dhe arritjet e lavdishme të faraonëve, mbretërve e perandorëve vdekatarë por Xhixha përlëvdon lavdinë dhe përjetësinë e dritës, si burimin e pashtershëm të jetës. Dritën, forcën sublime e të pamanipulueshme që jetëzon kombet, ushqen vëllazërinë njerëzore e është omniprezente si pasqyra e vetme e ekzistencës dhe e së vërtetës.

Ky tetor shënon triumfin e përsëritur artistik të Xhixhës në Kinë. Pas një serie të gjatë suksesi të prezantimit të veprave të tij në hapësirat më monumentale botërore, në Bienalen e Wuhan-it 2024, vepra e tij “Koka e kolonës së çelikut” u vendos jashtë pavijonit Qintai, dhe u dhurua për muzeun. Xhixha dhe Mirashi u shpallën fitues të bienales së Wuhan-it 2024 duke na krenuar sërish ndërkombëtarisht, si ambasadorët tanë më të mirë të artit e kulturës në botë duke ndihmuar që Shqipëria, dhe Durrësi, mos të jetë thjesht vend origjine, por gjenezë reale kulturore ndërkombëtare.

Çelësi i Tokës

Një vepër tjetër që e krenoi Shqipërinë ndërkombëtarisht është “Çelësi i Tokës” vepra e mrekullueshme arkitekturore e Alfred Mirashit dhe Indrit Hamitit e cila u prezantua në konkursin ndërkombëtar në Arabinë Saudite. Ky projekt është një pllakë monumentale dhe instalim skulpturor që përfaqëson trashëgiminë e pasur kulturore dhe shpirtin e Arabisë Saudite dhe botës arabe. Artisti Alfred Mirashi dhe arkitekti i njohur durrsak Indrit Hamiti kapërcyen identitetin e tyre gjeografik duke hyrë thellë, mrekullisht e denjësisht në bërthamën e kulturës së lashtë e moderne arabe.

Projekti i prezantuar “Çelësi i Tokës” është një ankorë poetike, frymëzuar nga poeti saudit Princi Badr bin Abdulmohsin, vargjet e të cilit pasqyrojnë shpirtin e kësaj hapësire: “Ne jemi populli i fillimit, dhe drita që hap rrugën. Nga rëra u ngritëm, dhe për te yjet tani ne shkojmë.” Poezia e tij na kujton se progresi duhet të qëndrojë në thellësi kulturore, dhe mençuria e së kaluarës është një dritë për drejtimin e së ardhmes.

Skulptura qendrore përbëhet nga një çelës gjigant, duke simbolizuar pikërisht këtë: “Kultura është çelësi për një të ardhme të përbashkët globale.”

Amfiteatri i përshtjelluar shpalos se si shumë shtigje të historisë bashkohen në një kulm në formën e një vorbulle, me rrjedhën e tij të qetë drejt pikës së takimit, me secilin shteg që simbolizon kontributet e çmuara të kulturës arabe në çdo aspekt të jetës në historinë dhe qytetërimin botëror, duke i ftuar njerëzit të mblidhen, të reflektojnë, të flasin, ashtu siç bënin dikur paraardhësit në tregjet e zhurmshme dhe forumet e hapura të të mësuarit.

Vepra krijon një urë kohore, duke lidhur të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen në një vizion mbresëlënës. Është një monument për të kujtuar se shumë kohë para se bota moderne e sotme të merrte formë, studiuesit arabë hartonin yjet, llogaritnin algjebrën, shkruanin poezi të përjetshme dhe tregtonin ide nëpër kontinentet e tjera.

Vepra integron më së miri motive arkitekturore arabe, shkallë fluide rrethore të amfiteatrit që tregojnë unitet, dialog dhe bashkim kulturor. Dallohet një orientim i hapur drejt horizontit, që evokon eksplorimin, lidhjen dhe pafundësinë e shtrirjes intelektuale arabe; një homazh, një arenë publike reflektimi, bashkëveprimi dhe festimi.

Ky projekt është një hapësirë ​​për mbledhje të komunitetit, ngjarje kulturore dhe dialog global. I projektuar si për vendasit ashtu edhe për vizitorët ndërkombëtarë, një urë lidhëse midis qytetërimeve. Sheshi bëhet një muze i gjallë, duke treguar se si kultura arabe vazhdon të formësojë vlerat dhe aspiratat globale. Bota arabe gjithmonë i ka hapur dyert shkencës dhe bukurisë. Dhe përmes kësaj vepre, shprehet qartësisht edhe një herë, se bashkë me të kaluarën e saj të lavdishme, ajo vazhdon të jetë një çelës drejt së ardhmes.

Elita jonë krenare

Ky tetor na dëshmoi se kur disa artistë nga një qytet ose një vend që për shumë njerëz nuk konsiderohet “qendër arti” arrijnë të ekspozojnë në hapësira dhe evente të mëdha ndërkombëtare ata po thyejnë kufij të perceptimit. Ata po e thyejnë mitin se “arti i madh” lind vetëm në metropole, se vetëm aty lind fuqia për të vendosur standardin. Xhixha, Mirashi, Hamiti tashmë e kanë përdorur forcën e krijimtarisë së tyre dhe vetë artin si një mënyrë për të forcuar pozitën e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare jo më si dikur, një vend konsumator i kulturës, por si kontribuues dhe ideator i standardeve të reja. Dje, ne i referoheshim gjithmonë mjeshtërve ndërkombëtarë duke drejtuar gishtin, mendjen dhe nderimin përtej kufijve, ndërsa sot, ata janë ndër ne, midis nesh, pranë nesh, lindur këtu, në Durrës, Shqipëri, trevat tona, elitë krenare kombëtare por me ndikim të madh në çdo rrëzë të globit.

Filed Under: Sociale

Zef Zorba: “Një gozhdë e ngulur thik në mur”

October 27, 2025 by s p

Prof. Viola Isufaj/

Një gozhdë e futur thellë në mur, një gozhdë

e futur thellë në mur, një gozhdë e futur.

Një gozhdë e ngulur thik në mur, një gozhdë

e ngulur thik në mur, një gozhdë e ngulur…

Një gozhdë e mbetur thatë në mur, një gozhdë

e mbetur thatë në mur, një gozhdë e mbetur.

e ngulur thik…

e futur thellë ….

e mbetur thatë… (Zef Zorba, NJË GOZHDË)

***

Duket se teksti poetik i Zef Zorbës “Një gozhdë” do të shihet si tekst i formës së pastër të artit për art. Është sikur të themi se kemi përpara një poezi që, edhe pa asnjë interpretim, i mjafton vetvetes. Letërsia, ajo flet për letërsinë.

Një instrument i fortë dikur ka goditur. Vetëm se goditja na vjen sot e shurdhët, si vetë natyra e bashkëtingëllores th te ndajfoljet thikë/thellë/thatë – ky tingull i përsëritur, pa zë, si vetë dhimbja na fut përsëri në mjegulli. Një goditje ritmike dhe pas pak, harmonia ka marrë tone të zymta. Vetë rock-u karakterizohet nga një natyrë ambigue e përfshin tema nga më të ndryshmet. Ashtu si gjuha e rock-ut, është përdorur këtu një gjuhë harmonike dhe e thjeshtë, por që bëhet e komplikuar, shumë e komplikuar gjatë kombinimeve. Cilësimi i ritmit rock nga vetë autori në shënimet në fund të librit mundet që të ketë të bëjë me një ironi:

Ironia e fatit mbi diç që kurrë nuk supozohej të mbetej thatë apo të mbetej vetëm por që mbeti pikërisht ashtu.

Në poezinë e Zorbës shpesh një skenë apo një ngjarje e veçantë shprehet me anë të rrethanave të jashtme, duke komunikuar emocionet që provokojnë pikërisht këto rrethana; a janë të nevojshme të përcaktohen rrethanat vetë? Të kërkosh për realitetin-do të thotë mbase të gabohesh për letërsinë. Po çfarë përvoje-prapë e pyesim veten-është pështjellë, esencializuar, transformuar në imazhin e pashlyeshëm pamor e tingullor dhe ka lejuar mbishtresimin e disa kuptimeve e shumë të tjerave?

Në vend që të syrgjynosim qëllimin, ne mund të qëndrojmë të përngjashmimi, ose më mirë përfaqësimi i referencës për ta lidhur me vlera ekstraletrare (ekzistenciale, etike) dhe momente historike.

Elipsa do ta bëhet pëfaqësim i një “heqjeje” diku në botë, ngase gozhda është ngulur thellë, prandaj më pas ka mbetur kaq thatë; e sikur të mos ish ngulur kaq thellë, nuk do të kish mbetur kaq thatë.

***

Një ditë, për shkak se vajza e poetit ndiente dhimbje të fortë dhëmbi, i ati e shoqëroi në ambulancë.

Në momentin që hyjnë atje, gjejnë si çdo ditë, varur në mur portrete të anëtarëve të byrosë politike, por ndryshe nga çdo ditë, një vend ishte bosh: sapo e kishin hequr portretin e Beqir Ballukut. Krerët e shtetit diktatorial po godisnin njëri-tjetrin dhe pas një dënimi e ndëshkimi, kishte mbetur një gozhdë, thatë në mur, pa foton. Vajza e vëren dhe i tregon gozhdën pa portret, futur thellë në mur. Ai e pa dhe qeshi.

Më vonë, Zef Zorba do të shkruante:

“Një gozhdë e ngulur thik në mur, një gozhdë… “

***

(Viola Isufaj, disa fragmente nga “Baladë dritash per Zorbën”, Akademia e Shkencave e Shqiperise, 2024, nderuar me:

1. Çmimi për veprën studimore më të mirë për kontributin në historiografinë letrare shqipe Panairi i Librit, 2024 – Shoqata e Botuesve Shqiptarë

2. Çmimi për veprën studimore më të mirë të vitit– Panairi i Librit, Ulqin 2024)

Filed Under: ESSE

KAMPION I BOTËS IBO – ËNDRRA U BË REALITET

October 27, 2025 by s p

Jurgen Uldedaj/

Sot është dita që kam ëndërruar gjithë jetën time.

Pas shumë viteve sakrifice, mundi dhe besimi në Zot, u shpalla Kampion i Botës IBO në peshën cruiser.

Ky titull nuk është vetëm i imi – është për gjithë shqiptarët kudo që janë. 🇦🇱

Për ata që besuan tek unë, për ata që më mbështetën, dhe për çdo djalë apo vajzë që ka një ëndërr — asgjë nuk është e pamundur nëse nuk dorëzohesh.

Faleminderit ekipit tim, familjes, trajnerëve dhe çdo personi që ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi.

Sot shkruam histori për Shqipërinë! ❤️

Filed Under: Sport

Festivali i 33-të Shqiptar në New York, fjala e Famullitarit të Kishës “Zoja e Shkodrës” Dom Pjetër Popaj

October 27, 2025 by s p

Mirëmbrëma dhe mirëserdhët në Festivalin e 33-të Shqiptar, organizuar nga Qendra “Nana Tereze” e kishës sonë, Zoja e Shkodrës, në Hartsdale, Nju Jork. Përshëndetje me respekt të veçantë të të ftuarve tanë të nderuar duke filluar nga klerikët, politikanët dhe përfaqësuesit e organizatave të ndryshme.

Viti pas viti mblidhemi në këtë festival për të promovuar, ruajtur dhe kultivuar traditën, kulturën dhe gjuhën tonë shqipe të shprehur bukur në këngë dhe valle nga të gjitha trevat e ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Këto festivale nuk do të egzistonin pa ndihmë dhe dedikimin e komisionit organizativ që gjithëherë i bëjnë festivalet me sukses.

Shumica e artistëve në këtë mbrëmje janë lindur këtu në Amerikë. E veçanta është se ata e duan të jenë pjesë e këtij festivali dhe janë të përgatitur me përkushtim. Kjo tregon dashurinë e tyre që janë shqiptarë. Gjithashtu kemi ftuar këngëtarë profesionistë të shquar nga Veriu, Qendra dhe Jugu i Shqipërisë.

Le të shijojmë së bashku programin dhe të kalojmë momentet e bukura duke e përkrahur me mbështjetjen dhe praninë tonë. Ju urojmë një mbrëmje të këndshme. Zoti ju bekoftë.

Foto: M.GJ

Filed Under: Komunitet

Vatra Michigan dhe Teqeja Bektashiane Shqiptare e Baba Rexhebit ju ftojnë në festën e Flamurit Kombëtar më 23 Nëntor 2025

October 27, 2025 by s p

Vatra Michigan dhe Teqeja Bektashiane Shqiptare e Baba Rexhebit ju ftojnë në festën e Flamurit Kombëtar më 23 Nëntor 2025.

Filed Under: Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 264
  • 265
  • 266
  • 267
  • 268
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT