• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

QENDRA ISLAME SHQIPTARE NË TORONTO SI VATËR FETARE, EDUKATIVE DHE ATDHETARE

December 17, 2021 by s p

Adnan Berbatovci Imam i Xhamisë Shqiptare në Toronto – Kanada në një rrëfim ekskluziv dhënë Editorit të Gazetës Dielli Sokol Paja, përshkruan me detaje historikun e xhamisë shqiptare në Toronto, xhaminë si qendër islame dhe vatër fetare, atdhetare, sociale dhe edukative, aktivitetet, ndihmat për atdheun dhe ligjionin në kushtet e pandemisë globale.

HISTORIKU I QËNDRËS ISLAME NË KANADA

Qendra Islame Shqiptare në Toronto, mund të themi se kjo është qendra e pare e këtij lloji në Kanada. Kjo falë atdhetarëve tanë të dëvotshëm të cilët erdhen herët qysh në vitet 1920 e tutje, vlen të theksohet Imami i nderuar nga Korça z. Rexhep Asimi, Meri Kerimi, si dhe biznesmeni Shqiptar gjithashtu nga Korca z. Seid Ali Kerimi, ku me iniciativën e tyre u themelua së pari Shoqëria islame e Torontos. Në këtë shoqëri apo xhemat kishte njerëz edhe të kombeve tjera si boshnjak, Turq, arab, Pakistanez etj normalisht që shumica e xhematit ishte Shqiptar. Kjo Shoqëri u formua diku rreth vitit 1950-ve, më pas secili komunitet e bëri qëndrën e vet, e Shqiptarët po ashtu e bënë këtë qendër në të cilën jemi ne sot. Pra blene këtë objekt, dhe vazhduan me aktivitetin fetar e kombëtar si gjithëherë.

QËNDRA ISLAME SI VATËR DHE OAZ FETAR, ATDHETAR, SOCIAL DHE EDUKATIV

Vlen të theksohet se kjo qendër ka eduakuar breza të tërë të Shqiptarëve këtu në Toronto por ka shërbyer edhe për të gjithë Shqiptarët në zonat përreth Torontos, si me kryerje të obligimeve fetare, si namaze ditore, të xhumave, për Bajrame etj. Krahas kësaj kjo vatër ka qenë edhe bosht themelor i aktiviteteve kombëtare të të gjitha aspekteve, si për festën e flamurit, Lidhjes se Prizrenit, mësimin Shqip, programe të ndryshme të larmishme kombëtare e shumë e shumë gjëra të tjera në të mirë të kombit Shqiptar. Vlen të përmendim punën e palodhshme të udhëheqësve të Xhamisë, atyre që e formuan po edhe të z. Bedri Bylykbashit dhe Sedem Hysenit, Halit Hoxha, Minire Omeri, Nuri Shefkiu, Behadin Qafleshi etj që ka qenë Kryetar në 2015-2017, astaj Ismet Mirena kontribues dhe Sekretar 2015- 2021, Zemri Sallai kryetar 2017- 2021, të cilët ishit në krye të detyrës me dekada duke bërë punë të palodhshme si në aspektin fater ashtu edhe në atë kombetarë. Vlen gjithashtu të theksojmë se gjithmonë ka patur takime pos tjerash me rastin e dy Bajrameve, ku janë organizuar mbrëmje të Bajrameve apo darka për komunitetin Shqiptar, ku me këtë rast kanë shuajtur sado pak mallin e atdheut duke u bërë së bashku familjarisht.

QËNDRA ISLAME DHE AKTIVITET E ZHVILLUARA DHE NË VAZHDIM

Aktivitetet e qendrës sonë janë të larmishme, si aktiviteti brenda xhamisë dhe jashtë saj. Brenda Xhamisë kryejme obligimet fetare dhe takimet javore me xhematlinje pas namazit te xhumase, gjithashtu kemi edhe mesim besimin fetare e kombetar te dileve, por qe nga pandemi e ketej kemi marr vendim qe te mos rrezikojme shendetin e femijeve duke i bere se bashku, kjo si preventive mbrojtese qe shpresojme se shume ne te ardhmen e afert do te fillojme serish. Aktiviteti yne arsimor përqëndrohet në leximin Shqip, mesimi kryesisht behet ne gjuhen Shqipe ne menyre qe femijet tane te degjojne Shqip dhe te familjarizohen me te gjate mësimit. Pastaj vazhdojme me mesimet baze te fese islame, Histori te Pejgambereve, dhe ngjarje me karakter edukativ e shoqëror. Të them të drejtën kemi patur deri në 35 nxënës gjatë mesim- besimit ku interesimi ka qënë mjaft i madh, dhe kemi arritur progres goxha të madh në këtë aspekt. Dhashtë Zoti e të vazhdojmë kështu edhe ditëve në vijim.

QËNDRA ISLAME DHE NDIHMAT PËR ATDHEUN

Sa i përket ndihmave për vëllezerit tanë në Atdhe, mund të themi se ato nuk kanë munguar asnjëherë qysh prej fillesave të kësaj qëndre. Ndihma nga më të ndryshmet duke patur parasysh gjendjen e vëllezërve tanë në vatan. Ndihmat janë organizuar në mënyrë transparente duke dhënë llogari për çdo aktivitet që është nderrmarrë. Kjo perfshin ndihma humanitare, kurbane, vitra, dergimin e pakove me veshmbathje, paisje te mjekesise per njerez me nevoja te veçanta, ndihma Bashkesive Islame e po ashtu edhe atyre joqeveritare e po ashtu edhe atyre qeveritare e keshtu me radhe. Gjithmone duke u nisur nga parimi se kemi obligim ti ndihmojme atij qe ka nevoje, por edhe nga shtytja e dashurise per atdheun qe e kemi per obligim ta ndihmojme gjithmone. Vlen te theksohet se nje shtepi e qendres se mjekesise familjare eshte ndertuar po nga kjo Xhami ne fashatin Nikaj te Drenices, pastaj jane dhuruar donacione edhe per nje qendre tjeter mjekesore ne Tetove ku jane pajisur me aparat qe bene kontrollimin e syve. Me nje fjale aq sa kane patur mundesi te ndihmojne vellezerit tane ketu, gatishmeria ka qene gjithmone ne nivel. Vlen të permendet se ndihma kane marru edhe veteranet e njerez qe kane sherbyer ne te mire te atdheut. Kontributi ynë vazhdon sot e kesaj dite ku ne si Xhami çdo here dergojme Kurbane ne te gjitha trevat Shqiptare si ne Shqipëri, Kosovë e Maqedoni në mënyrë që sado pak të ndihet dora jonë atje.

RELIGJIONI NË KUSHTE PANDEMIE

Sa i përket praktikimit të fesë në ksuhte Pandemie mund të themi se është paksa i vështirë duke patur ne konsiderate se masat jane te kufizuara, aktiviteti gjithashtu, por se megjithate deri me tani kemi kaluar mirë pa ndonje problem në aspektin shendetesor. Nga ana tjetër, Religjioni apo feja i jep shpresë njeriut gjithmonë se pas vështirësisë vjen lehtësimi, prandaj ne duhet ta kemi parasysh se nuk jemi të vetëm në këtë situatë, është çështje globale, dhe me ndihmen e Zotit pastaj me ndihmën e mjeksisë dhe me kujdesin tonë do të arrijmë ta tejkalojme edhe këtë sfide të radhës. Duhet ta dime se kjo jete eshte plot sfida, sa kalon njera vje tjetra, kështu që njeriu kalitet permes sfidave dhe vetedijesohet qe tua dijë vlerën gjërave, qoftë shoqërisë, familjes, ushqimit, ujit, kohës e kështu me radhe. Ta dimë që gjëja më me vlerë te njeriu padyshim është shëndeti, kur e ke këtë i ke të gjitha, pastaj kuptohet vijnë në radhe prioritet tjera pa të cilat nuk mund të jetojmë. Me një fjalë sa të jemi gjallë do hasim në sfida e vështirësi por se i fortë është ai që i tejkalon me durim dhe maturi e kujdes. Ne si komb kemi patur sfida shumë më të mëdha se kjo dhe kemi arritur t’ia dalim, edhe pse me sarifica madhore por megjithatë kemi dalë në breg. Zoti na ndihmoftë në punë të mira e të mbara, e ruajt popullin tonë dhe na bëftë të punojmë për të mirën e kombit e të gjithë njerëzisë.

Filed Under: Featured

Nisi punimet konferenca ndërkombëtare: “Gjuhët e rrezikuara dhe diaspora”, me fokus të veçantë mbi arbërishten si gjuhë në rrezik

December 17, 2021 by s p

QSPA

Tirana është kthyer dje në kryeqendrën e tubimit më të madh akademik ndërkombëtar, ku studiuesit më të rëndësishëm prej vendeve të ndryshme të botës kanë diskutuar mbi gjuhët që rrezikojnë të zhduken. FEL (Foundation for Endargered Languages) me seli në Londër dhe Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) po organizojnë konferencën ndërkombëtare: “Gjuhët e rrezikuara dhe diaspora”, ku një vëmendje e madhe i kushtohet edhe gjendjes së arbërishtes dhe studimeve mbi të si gjuhë e rrezikuar e diasporës. Kjo është hera e parë që organizohet një konferencë e përmasave të tilla ndërkombëtare, ku marrin pjesë 54 studiues prej universiteteve e qendrave kërkimore-shkencore më me emër në botë, të cilët për katër ditë me radhë, përkatësisht nga data 16-19 dhjetor 2021, në mjediset e godinës universitare “Liria”, po paraqesin rezultatet e punës së tyre studimore në lidhje me gjuhët që rrezikojnë të zhduken në ditët e sotme.Në ceremoninë hyrëse të ditës së parë përshëndetën veprimtarinë drejtuesit e institucioneve organizatore të konferencës, ku fillimisht profesoresha Eda Derhemi si drejtoreshë e edicionit të 25-të të FEL u ndal mbi rëndësinë e kësaj konference në arenën ndërkombëtare, duke theksuar rolin e madh të nxitjes së kërkimit shkencor mbi ruajtjen e gjuhëve të rrezikuara të diasporave. Gjithashtu, ajo falënderoi për mikpritjen dhe punën e madhe organizative të këtij edicioni nga ana e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA). Më tej, fjalën e mori drejtoresha ekzekutive e QSPA-së, Prof. Diana Kastrati, e cila pasi falënderoi të pranishmit, theksoi se ekzistojnë tri “primizie”, (që ndodhin për herë të parë) të cilat shënjojnë këtë ngjarje të sotme: Së pari, për herë të parë konferenca e përvitshme e FEL-it, këtij Fondacioni dinjitoz, organizohet në Shqipëri e, përkon me një shifër: të 25-tën e tij;Së dyti, për herë të parë vjen në qendër të vëmendjes të mjediseve akademike e studimore shqiptare, por edhe të qendrave albanologjike në Itali e gjetkë, një argument i tillë: debati mbi gjuhët e rrezikuara, një çështje tejet e rëndësishme jo thjesht për ndjeshmëritë e gjuhëtarëve e të sociolinguistëve. Në këto ditë do të kemi 70 kumtues, 14 nga të cilët nga Shqipëria; 56 nga Europa (Britani, Francë, Itali, Zvicër, Maqedoni, Gjermani, Federata Ruse, Greqi, Turqi, Austri, Suedi, Poloni, Kroaci), Izrael, ShBA, Australi, Malajzi, Pakistan; dhe 6 keynote (lektorë të ftuar), ndër të cilët njëri është për arbërishten. Nga 36 kumtesat në seancat plenare në 3 ditët, 11 janë për arbërishten, kryesisht nga studiues arbëreshë, italianë, apo vende të tjera të Europës – deri për arbëreshët në Kanada. Ka dhe një panel ditën e 4-t nga studiues jashtë zonave arbëreshe: Akademia e Shkencave, QSPA, Universiteti i Elbasanit, Un. Durrësit, Un. “Nënë Tereza” Shkup.Kjo çështje mbart peshë kombëtare. Por ajo që na intereson drejtpërdrejtë, është fakti se do të diskutohet për herë të parë në mënyrë absolute për arbërishten dhe statusin e saj si gjuhë në rrezik e shpallur nga UNESCO që nga shekulli i kaluar. Referuar Atlasit të gjuhëve ne rrezik i publikuar nga ky organizëm përcaktohen 4 stade apo seksione: vulnerabël, në rrezik, në situatë kritike, të zhdukura pas 1950. Konkretisht në Itali nga 31 gjuhë të shpallura nga ky Atlas, 5 janë seriozisht në rrezik, kurse 22 në rrezik, ndërmjet të cilave arbërishtja. Pra, stadi i dytë. Mendoj se kumona e alarmit nuk mund të flasë më në mënyrë elokuente se kaq. E këtu vijmë tek “primizia” e tretë, por që në gjykimin tim rezulton më e rëndësishmja: qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj këtij tharmi të identitetit tonë kombëtar. Për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, në 2019, miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave ngritja e një Qendre studimesh dhe botimesh për Arbëreshët, e para qendër me fokus ekskluziv ndaj këtij universi gjuhësor, kulturor, antropologjik që si rrallëherë në historinë e njerëzimit akoma sot pas thuajse 6 shekujsh shpërnguljeje mban sytë tek shteti amë, veneron identitetin e tij pa mëdyshje, kompromis. Përpos detyrimeve institucionale e shtetërore, më lejoni t’ju them se kjo Qendër që në fillimin e punës më 11 mars 2020, ka ndjerë detyrimin moral sa në nivel personal a kolektiv që ky “tren kalon vetëm një herë” e, përgjegjësia është dyfishuar”. Me tej, drejtori i Fondacioni për Gjuhët e Rrezikuara (FEL), prof. Nicholas Ostler bëri një vështrim panoramik të aktivitetit të përvitshëm të FEL dhe u ndal në rëndësinë e temës speciale të edicionit të 25-të, ku arbërishtja përbën një rast unik të mbijetesës gjashtëshekullore si gjuhë dhe si kulturë, tezë të cilën ai e zgjeroi edhe gjatë seancës së dytë me temën e tij mbi hapat për ruajtjen e kësaj gjuhe. Të pranishëm në konferencë ishin edhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, si dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme në vend, të cilët përshëndetën punimet e kësaj konference. Në emër të ministres Olta Xhaçka, përshendeti zv.ministria e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, Znj. Megi Fino. Ajo theksoi rolin e madh që arbëreshët kanë pasur në Rilindjen Kombëtare Shqiptare, por edhe në intensifikimin e marrëdhënieve mes Italisë dhe Shqipërisë. Sipas saj, komuniteti arbëresh meriton më shumë vëmendje nga shteti ynë dhe të rinjtë e një gjaku këtej e andej Adriatikut duhet ta njohin më mirë njëri-tjetrin. Ndërsa në emër të ambasadorit të Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci përshëndeti të pranishmit znj. Lucia Cucciarelli, shefe e zyrës së arsimit pranë Ambasadës italiane në vendin tonë, e cila theksoi hapat institucionalë që bërë vendi pritës për diasporën historike dhe atë të sotme shqiptare.Konferenca “Gjuhët e rrezikuara dhe diaspora” do të vijojë deri ditën e diel në panele të veçanta, ku pritet të trajtohen disa nga temat më të prekshme mbi rrezikun që i kanoset gjuhës së diasporës në përgjithësi dhe arbërishtes në veçanti. Punimet e konferencës janë botuar të plota nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) në bashkëpunim me FEL dhe janë në dispozicion të të gjithë të interesuarve mbi këtë lëmi studimore.

Filed Under: Kronike

Gjuhët e rrezikuara dhe diaspora

December 17, 2021 by s p

Prof. Dr. Diana Kastrati*

*Fjala përshëndetëse në Konferencën e 25-të të FEL

Në emër të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, kam kënaqësinë t’ju uroj mirëseardhjen në këtë tubim studimor. E nderuara zj. Megi Fino, zvMinistre e Punëve të Jashtme dhe Evropës; Shkëlqesia Juaj z. Fabrizio Bucci, Ambasador i Italisë në Shqipëri; Shkëlqesia Juaj  Z. Zlatko Kramarić, Ambasador i Kroacisë në Shqipëri; I vyeri z.Nicholas Ostler, President I FEL; Të nderuar studiues e akademikë të pranishëm në sallë e ju që për arsye të ditura të pandemisë nuk mundët të vinit të kumtonit fizikisht, por që do të jemi bashkë përgjatë këtyre ditëve on line! Ka tri “primizie”, (që ndodhin për herë të parë) të cilat shenjojnë këtë ngjarje të sotme (më lejoni ta quaj kështu): 

  • Për herë të parë konferenca e përvitshme e FEL-it, këtij Fondacioni dinjitoz, organizohet në Shqipëri e, përkon me një shifër: të 25-tën e tij;
  • Për herë të parë vjen në qendër të vëmendjes të mjediseve akademike e studimore shqiptare, por edhe të qendrave albanologjike në Itali e gjetkë, një argument i tillë: debati mbi gjuhët e rrezikuara, një çështje tejet e rëndësishme jo thjesht për ndjeshmëritë e gjuhëtarëve e të sociolinguistëve. Në këto ditë do të kemi 70 kumtues, 14 nga të cilët nga Shqipëria; 56 nga Europa (Britani, Francë, Itali, Zvicër, Maqedoni, Gjermani, Federata Ruse, Greqi, Turqi, Austri, Suedi, Poloni, Kroaci), Izrael, ShBA, Australi, Malajzi, Pakistan; dhe 6 keynote (lektorë të ftuar), ndër të cilët njëri është për arbërishten. Nga 36 kumtesat në seancat plenare në 3 ditët, 11 janë për arbërishten, kryesisht nga studiues arbëreshë, italianë, apo vende të tjera të Europës – deri për arbëreshët në Kanada. Ka dhe një panel ditën e 4-t nga studiues jashtë zonave arbëreshe: Akademia e Shkencave, QSPA, Universiteti i Elbasanit, Un. Durrësit, Un. “Nënë Tereza” Shkup.
  • Kjo çështje mbart peshë kombëtare. Por ajo që na intereson drejtpërdrejtë, është fakti se do të diskutohet për herë të parë në mënyrë absolute për arbërishten dhe statusin e saj si gjuhë në rrezik e shpallur nga UNESCO që nga shekulli i kaluar. Referuar Atlasit të gjuhëve ne rrezik i publikuar nga ky organizëm përcaktohen 4 stade apo seksione: vulnerabël, në rrezik, në situatë kritike, të zhdukura pas 1950. Konkretisht në Itali nga 31 gjuhë të shpallura nga ky Atlas, 5 janë seriozisht në rrezik, kurse 22 në rrezik, ndërmjet të cilave arbërishtja. Pra, stadi i dytë. Mendoj se kumona e alarmit nuk mund të flasë më në mënyrë elokuente se kaq. E këtu vijmë tek “primizia” e tretë, por që në gjykimin tim rezulton më e rëndësishmja: qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj këtij tharmi të identitetit tonë kombëtar. Për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, në 2019, miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave ngritja e një Qendre studimesh dhe botimesh për Arbëreshët, e para qendër me fokus ekskluziv ndaj këtij universi gjuhësor, kulturor, antropologjik që si rrallëherë në historinë e njerëzimit akoma sot pas thuajse 6 shekujsh shpërnguljeje mban sytë tek shteti amë, veneron identitetin e tij pa mëdyshje, kompromis. Përpos detyrimeve institucionale e shtetërore, më lejoni t’ju them se kjo Qendër që në fillimin e punës më 11 mars 2020, ka ndjerë detyrimin moral sa në nivel personal a kolektiv që ky “tren kalon vetëm një herë” e, përgjegjësia është dyfishuar.

Objekti i punës konsiston në tri drejtime: 

  1. studimi i trashëgimisë së shkruar e jomateriale arbëreshe; 
  2. botimi i trashëgimisë së shkruar arbëreshe por edhe mbi arbëreshët; 
  3. divulgimi i kësaj kulture dhe sensibilizimi në territorin shqiptar. 

Në mënyrë telegrafike, këto tri misione, nga marsi i 2020 kur filloi punën stafi deri më tani, janë sendërtuar në:

  1. Krijimin e rrjetit të bashkëpunëtorëve, studiues, akademikë, por edhe të protagonistëve të skenës së përditshme arbëreshe si në nivel politik, po aq edhe në nivel të jetës kulturore e publicistike. Në harkun kohor të 10 muajve janë firmosur 16 Marrëveshje bashkëpunimi me thuajse të gjitha institucionet akademike e kulturore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe ndër Arbëreshët e Italisë; 
  2. Janë ngritur dy linja botimi: kolana “Thesaurus” (është pagëzuar me këtë emër nisur nga kuptimi që mbartte në Mesjetën e hershme ku nënkuptohej shkrimi i veprave me karakter enciklopedik jo domosdoshmërisht kronologjik) e cila vjet u përurua me botimin e një dorëshkrimi të emblemës së arbëreshëve, Jeronim De Radës. Linja tjetër e botimit janë vepra të studiuesve arbëreshë e të huaj mbi gjuhën, kulturën, etnografinë, psikologjinë, antropologjinë kulturore. 3 syresh u botuan vjet.
  3. Njëkohësisht, doli edhe numri i parë i Revistës studimore të Qendrës, me titullin “Continuum”, 400 faqe, me kontribute të kolegëve të institucionit tonë, e të albanologëve të tjerë të huaj e vendas.

Për këtë vit që po mbyllet janë përgatitur për botim 6 vepra të tjera, saktësisht: 

1. “Fyletia e Arbenore prej kanekate Laoshima”, (1867) Dhimitër Kamarda, botim i zgjeruar kritik përgatitur nga studiuesi prof. Dhori Qirjazi, 430 fq. 

2. “Historia e letërsisë shqipe” (1959) e Giuseppe Schirò Junior, 185 fq.

3. “La figlia maledetta”  (1863) e Francesco Santori, 203 fq. 

4. “Kolonitë shqiptare të Italisë dhe letërsia e tyre” (1908)  Michele Marchianò , 67 fq.

5. “Mbi origjinën, zakonet dhe gjendjen e tanishme të shqiptarëve të Mbretërisë së Napolit” (1807) e Angelo Masci, 61.5 fq.

6. “Studime dialektore arbëreshe; Pjesa I, II, III, IV, të Maximilian Lambertz; Jul Variboba; Jul Variboba (Fund); Të folmet arbëreshe në Itali“, 318 fq.

Në një projekt afatgjatë, synohet drejt hartimi të Fjalorit Enciklopedik të Arbëreshëve, që lips bashkërendimin dhe bashkëpunimin e të gjitha forcave akademike brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Njëkohësisht, synohet edhe ndaj një projekti sensibilizimi të popullatës shqiptare brenda territorit tonë mbi trashëgiminë arbëreshe. Ky projekt konsiston në krijimin e Shtëpisë së Arbëreshëve, apo Vatrës së Arbëreshëve në Tiranë, një qendër multifunksionale që do të bëjë të mundur jo thjesht konservimin, por edhe ridimensionimin ndërveprues të Arbëreshëve me vendin amë. Kjo Shtëpi do të strukturohet në tri hapësira: në bibliotekë të hapur e në shërbim të publikut, ku synimi kryesor është ai i shndërrimit të kësaj biblioteke në një vend të frekuentuar nga studiuesit, por edhe nga studentët e drejtimit të Gjuhës dhe letërsisë shqipe për të realizuar tema diplome dhe doktorature me tema mbi Arbëreshët. 

Hapësira e dytë do të shërbejë si Arkiv, ku materialet që do të vijnë nga miqtë tanë përtej detit, do të depozitohen aty në bazë të rregullave të njohura të mirëmbajtjes së dokumenteve e dorëshkrimeve. Më lejoni t’ju them se që tani janë gati një sasi e mirë dokumentacioni të ndryshëm që do të bëhen pjesë e kësaj Shtëpie. 

Hapësira e tretë do të shërbejë për ngritjen e një Muzeu të përhershëm mbi Arbëreshët, e cila do të përmbajë brenda edhe një hapësirë për ekspozita të përkohshme pikture, skulpture apo fotografike, apo edhe librash, me pjesëmarrjen e artistëve e krijuesve arbëreshë e shqiptarë. 

Kjo Konferencë e sotmja vjen në vijim të dy konferencave të tjera të zhvilluara nga QSPA. Kuvendi i parë është zhvilluar në 27-29 Shtator me temë “Gjendja aktuale e studimeve arbëreshe”, me pjesëmarrjen e studiuesve të fushave të ndryshme si gjuhësi, letërsi, etnografi, antropologji kulturore, të akademikëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Italia, Greqia. Ky Kuvend synonte të evidentonte situatën aktuale të studimeve të kryera në shekullin e kaluar e në këtë fillimshekulli në të gjithë trevat shqipfolëse, por edhe nga albanologët e huaj nëpër botë. 

Veprimtaria e dytë akademike u zhvillua më 19 nëntor në bashkëpunim me Institutin e Historisë të Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë, me temën “Politikat e shtetit shqiptar ndaj komuniteteve arbëreshe nga krijimi i tij deri më sot”. Edhe në këtë rast, objektivi madhor ishte njohja diakronike dhe sinkronike e strategjive në një shekull shtet shqiptar ndaj universit arbëresh. Pra, nisur nga përfundimet e këtyre dy konferencave, kemi mundësinë të kuptojmë cilat janë përparësitë e punës së Qendrës sonë, jo vetëm në rrafsh studimor, por edhe në atë praktik. Këto të fundit, janë nxjerrë edhe nga hetimi direkt në terren i nevojave parësore të komuniteteve arbëreshe të Italisë së Jugut. 

Konferenca e përbashkët me FEL-in, vjen si kurorëzim i kësaj përpjekjeje të institucionit tonë për hartimin e strategjive të saj të brendshme, hullive në të cilat do të ecë puna për të paktën 5 vitet e ardhshme. E dimë fort mirë që në 1999 Senati italian miratoi Ligjin nr.482 të 15 dhjetorit mbi tutelimin e pakicave gjuhësore historike. Nga ana e Qendrës, identifikimi i problemit të arbërishtes si gjuhë në rrezik është bërë që nga fundi i vitit të kaluar. Por propozimi që na u bë nga ana e FEL-it për ta zhvilluar në Tiranë konferencën e përvitshme të Fondacionit, duke patur si nëntemë të aktivitetit çështjen e arbërishtes si gjuhë në rrezik, erdhi në momentin e duhur për punën tonë. Nga dhjetori i kaluar e deri më sot kanë qenë muaj adrenaline për të përballuar një vëllim pune aspak indiferent. Por, Vizioni i Qendrës parasheh si hap të parë krijimin e një tryeze pune me aktorët që lidhen drejtpërdrejtë me çështjet më prioritare të universit arbëresh: përfaqësuesit e komuniteteve arbëreshe (politikanë e protagonistë të jetës kulturore e akademike), institucionet shtetërore shqiptare gjegjëse të këtyre çështjeve, homologëve italianë.  për të përpunuar strategji të reja të përbashkëta në nivele politike më së pari, të cilat të mund të përkthehen në një kabinë regjie me një skaletë të qartë hapash për t’u ndjekur në terren. 

Shpresëmirë për vijimin e kësaj pune, do ta mbyll me titullin simbolik të revistës së Qendrës, një latinizëm që si gjithë shprehjet e tjera të kësaj gjuhe kanë fituar “qytetarinë” prej shekujsh: Continuum qoftë! (Quid continuum est)

Filed Under: ESSE

KRIZA E PUNËSIMIT: SHKOLLIMI PROFESIONAL PËRBALLË UNIVERSITETIT

December 17, 2021 by s p

Analizë / nga Eugent Kllapi

Sipas studiuesit francez Bertrand Bareilles, në vitin 1938, Shqipëria kishte 420 të diplomuar në shkollat më të rëndësishme të nivelit universitar. Në sistemin universitar në vitin akademik 2017-2018, INSTAT thotë se janë 129,394 studentë, kurse për vitin akademik 2016-2017 kishte 139,607 studentë. Interesant është fakti që numri i studentëve për 80 vjet nga viti 1938 në 2018 është rritur 308 herë. Sipas INSTAT per 6 vjet studimi kemi 810 mijë studentë. Në një vit akademik me rrumbullaksim kemi 120 mijë studente në mos më shumë. Ky është një triumf i arsimimit dhe njëkohësisht disfatë për jetën, ndryshe quhet paradoks. Me shtimin që shoqëria do të arsimohet, me më shumë fuqi ajo është në mungesë dhe e papapunë. Një në 3.5 të rinj janë student në shkollat e larta. 23 për qind është raporti i studentit me tërësinë e studentëve e aq më shumë ata nuk kanë punë. Etnopsikologu Gustav lë Bon në librin e tij ‘Psikologjia e popujve dhe e turmave’ në lidhje me arsimin masiv rreth viteve 1900, flet pikërisht për të njëjtin problem në Evropë. Shumësia nuk do të thoshte cilësi në arsim dhe do të thoshte sipas tij shkretim qytetërimi të Evropës. A po duket ky shkretim sot në Evropë, kjo është analizë më vete dhe e gjatë në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, por Shqipëria po ndjek të njëjtën linjë. Ndryshe, amerikanët specialistë të shkolluarit e brezit të sotëm me të meta i kanë quajtur ‘analfabetë funksionalë’. Kjo armatë pas 10 vjetësh arrin përafro 1 milion dhe pas 20 vjetësh një në dy persona mund të jetë me shkollë të lartë. Të rinjtë që do të duan të futen në shkollë të lartë pas 10 vjetësh do të përballen me një brez të vjetër që janë të shkolluar. 80 për qind do të jenë të gjithë me shkollë të lartë. Dhe sigurisht e ardhmja është më e dhimbshme, të gjithë të rinjtë pa sigurime shëndetësore dhe shoqërore neser pasnesër do i flakë sistemi si lecka, për të mos thënë që kj odo jetë një nga krizat më të mëdhaja të Shqipërisë në të ardhmen.

Njerëz me diplomë ujqër për njeriun me diploma.

Në këtë lloj situatë krijohet një ‘ushtri industriale moderne’ që do vetëm fitil për të shpërthyer si baruti, që bën presion dhe protestë përkundrejt kushteve, si dhe kthehet mbrapsht të zhvillimit ekonomik, pra e kundërta e zhvillimit, krizë. Ndryshe kjo ushtri është quajtur nga Karl Marks, si ‘ushtria rezervë industriale’. Kur kemi një fazë aktuale të kapitalizmit, e cila ndërthur sistemin demokratik me monopole, oligopole, duaopole a forma të përqendrimit të kapitalit rikthehemi në teorinë e Marksit mbi kritikën që i bën ai ekonomisë së lirë të tregut në stadin e demokracisë klasike, ose të hershme (fazat e para të saj). Për t’u kuptuar, kjo nuk është kritikë e demokracisë së konsoliduar nga ai, por ka tipare të hershmërisë së kapitalizmit të egër ose formë klasike e të bërit kapitalizëm në një demokraci difektoze dikur ne vendet evropiane dhe amerikane. Po e shtjellojë pak më qartë problemin aktual me një citim të marrë nga një studiues filozof, Karl Poper. Në librin e tij ‘Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj’, ai citon Marksin për kapitalin që ‘përqendrohet në pak duar’ dhe akumulimi i kapitalit do të thotë, “rritje e prodhimtarisë, rritje e pasurisë dhe përqendrim i pasurisë në pak duar”, “rritjen e mjerimit dhe e varfërisë, punëtorët mbahen me pagat sa për të ekzistuar ose vdesin urie, kryesisht nga fakti që punëtorët e tepërt, të quajtur ‘ushtria rezervë industriale’ mban pagat në nivelin më të ulët të mundshëm, që ndodh si centralizim i kapitalit”. Evropa dhe Amerika e rirregulloi këtë politikë me Ligjin e Pronës, Ligjin Antirust, shërbimet sociale, etj., kurse në Shqipëri asgjë. Sa më tepër është rritur shkollimi këtë 10 vjeçar, aq më tepër Shqipëria është në stadet e fundit në çdo aspekt të jetës së saj në lidhje me vendet evropiane, rikthehemi në fis. Me fjalë të thjeshta, studenti sa do të mundohet të marrë dije të kompletuara përballet me një varfëri në rritje, falë diplomës ai ka pothuajse asgjë dhe është i fundit i Evropës përballë evropianit që ka shkolla profesionale më të shumta dhe është shumë herë më mirë se ai. Tregu i punës kërkon më shumë njerëz teknikë profesionale, sa me atë forcë shtohet dëshira e të rinjve për të shkuar në shkolla të larta.

Çfarë thonë faktet e këtyre viteve?

Në anketa që Shërbimi Kombëtar i Punësimit ka bërë në vitet 2008, 2010 dhe 2012 me bizneset, ka gjetur se mungesa e aftësive është e pranishme në të gjithë sektorët e ekonomisë. Këshilli i Investimeve, në një anketë, referoi se mungesa e kualifikimit të punonjësve ishte një ndër gjashtë shqetësimet kryesore.Qeveria i jep një rëndësi të madhe arsimit profesional nga mandati i saj nga 2013 në 2018 por shikohet se duhet profesionalizuar më mirë trupa mësimore, ambientet dhe laboratorët e praktikave mësimore që janë krejt të vjetruara, ndërsa arsimi profesional ndiqet nga nxënësit më të dobët të ciklit nëntëvjeçar. Informacionet demografike tregojnë se numri i nxënësve që u regjistruan në arsimin e mesë, klasa 10, do të zbresë nga 60,139 nxënës (për grupin e personave të lindur në vitin 1998) te 39,612 nxënës (për ata të lindur në vitin 2005). Në vitin arsimor 2016-2017, në shkollat profesionale u regjistruan 20,981 nxënës, me një rënie të lehtë nga viti 2015-2016. INSTAT raportoi se për vitin shkollor 2014-2015 në shkollat profesionale u diplomuan vetëm 4,702 nxënës. Ndryshe nga sa thuhet se dëshira po drejtohet për nga profesionet dhe nga shkollat profesionale. E para dhe më e rëndësishmja është se investimet e huaja sipas Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bashkimi Evropian po shkojnë më shumë në Serbi dhe Maqedoni. Shqipëria nuk i plotëson kushtet për të thithur investime masive. Madje dhe kinezët e dikurshëm me mall për Shqipërinë po shkojnë drejt vendeve të tjera të Ballkanit. Investimet më të mëdha në Ballkan po shkojnë në Serbi, Maqedoni, Mal të Zi. Për vetë faktin që ish-Jugosllavia nuk i prishi gjithçka që i doli para, e ka ruajtur strukturën e zhvillimit dhe ndërtimit industrial. Pesha e investimeve të industrisë në Ballkan shkon për nga Serbia dhe Kosova. Kjo të lë të kuptosh se Shqipëria nuk ka peshë në industri, sipas raportit të fundit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ajo e ka peshën e saj ekonomike në administratën publike. Mungon teknika dhe prodhimi. Nga ky fakt del që pikërisht në Shqipëri çalon lënda e parë e punës profesionale. Industria dhe bujqësia, sidomos blegtoria dhe përpunimi i tyre. Puna profesionale është e lidhur zinxhir me të gjitha hallkat e tjera prodhuese deri te ajo e shërbimit. Një rritëm të shpejt Shqipëria po proklamon agro-kulturën, fshatra të zgjedhur për ndërtimin e turizmit dhe agrikulturës, megjithatë projekti ‘100 fshatrat’ duan shtysën e fshatrave të tjerë që po zhduken nga faqja e dheut dhe ku po humbasin sasi të mëdha natyrore. Pa këto kushte shkollat profesionale janë invalidë dhe të paralizuara, nuk ka asnjë vlerësim dhe asnjë perspektivë për to. Turizmi nuk mundet dot të mbajë gjithë këtë peshë mbi supe. Edhe Greqia, vendi fqinjë që është pararojë në turizëm ka ngritur rëndësinë e fshatit, teknikës që në vitet 1980 dhe ngre bujqësinë bashkëkohore.

Ku ndodhet udhëkryqi i shkollimit?

Deri tani jemi në këtë situatë. Piramida e madhe është me më shumë studentë në arsim të lartë, një piramidë e vogël është me nxënës të shkollave profesionale. Nevoja kërkon punë të profesioneve të ndryshme. Punët për shkollë të lartë sa vijnë e ulen, punë për njerëz me formim profesional sa vijnë e rriten, kurse nga ana tjetër me prirjet e sotme ndodh e kundërta, shumica duan shkollat e larta ku kanë një vetëbesim më të lartë për veten dhe të ardhmen e tyre. Ky vetëbesim shkatërrohet kur kërkojnë punë dhe gjejnë punë profesionale teknikë të mesëm, elektricist, hidraulik, sekretare, kamerierë, agjente shërbimesh, shitëse, kryesisht shërbime. Neve si shtet dhe si shoqëri nga ana tjetër na duhet të xhirojmë sistemin tonë të dështuar me prirje nga shkencat shoqërore, ku të gjithë kërkojnë të bëhen filozofë dhe dalin të papunë. I gjithë populli është filozof, si dikur i gjithë populli ushtar, tashmë i gjithë populli filozof, poet, gazetar, ne na duhet i gjithë populli teknicien. Në këtë mënyrë piramida e madhe e shkollave të larta dalëngadalë shteron dhe piramida e vogël e shkollave profesionale ngrihet.

Kjo piramidë mund të shtohet në disa mënyra.

– Duke i ngritur shkollat profesionale me kushtet moderne, laboratorë, infrastrukturë, burime njerëzore, literaturë bashkëkohore. Kjo rrit profesionalizmin.

– Duke iu dhënë një premisë shkollarëve teknikë se mund të jenë armata profesionale e institucioneve shtetit në radhë të parë dhe e PPP në radhë të dytë në punët private. Privatët kërkojnë punonjës të specializuar që mund të gjenden fare mirë aty me bashkëpunimin publik-privat.

– Duhet certifikim serioz mundësisht ndërkombëtar për të krijuar atë besimin e humbur të zanateve dhe profesioneve të profilizuara, kjo rrit premisën e ndjekjes së këtyre shkollave.

– Duke i dhënë një rrogë mujore normale për të jetuar normal për stadin e jakave të bardha. Kjo rrit premisën për shtresën e mesme dhe për vrullin e zhvillimit shoqëror.

– Duke i krijuar një strategji kombëtare për rëndësinë e punësimit të shkollimit profesional, me kusht thelbësor dhe qenësor që rroga të jetë e nivelit normal, te themi më e ulëta 400 mijë lekë.

– Kjo bëhet vetëm me forma keinsianizmi nga institucionet shtetërore në ekonomi dhe në institucione, apo në forma mikser të ekonomisë, pra duhet hequr dorë nga kapitalizmi i hershëm ku nuk ka as sigurime, kontrata, mbështetje, sindikata, aksione.

I njëjti model është në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që pas luftës së dytë botërore. Dalëngadalë për 10 vjet piramida e madhe e shkollave profesionale do të arrinte në 129 mijë punëtorë të profesionalizuar që mund t’i shërbenin si institucioneve dhe vendit, si privatit dhe institucioneve, si vetes dhe shoqërisë, si shoqërisë dhe zhvillimit të përgjithshëm kombëtar. Zhvillimi i tillë i burimeve njerëzore do të kthehesh nga ‘ushtri rezervë industriale’ dhe një bombë sociale për shpërthime krizash në ushtri industriale që do të zhvillonte më pas shtetin, shoqërinë dhe vetë kuptimin e shkollave të larta.

Çfarë po ndodh sot në Shqipëri?

Në përgjithësi ekonomia e shërbimeve ka tiparin mekaniko-automatik të bërjes së punëve. Kjo nuk do të thotë që më shumë se punëtorë mekanikë, kërkohen individë automatë për kryerjen e punëve, që do të thotë që kërkesat për punësim, nuk varen më shumë nga arsimi i lartë në profesionalizëm, sesa nga elektronizimi a automatizimi i mjeteve të prodhimit, që kërkon individë të përqendruar rreth një procesi automat, me status të ulët profesional, punëtorë robot dhe punëtorë të nënshtruar. Jo më kot kërkohet ose shikohet me mëdyshje specializimi, ekspertiza, profesionalizimi, sesa përvoja në punë që zhvleftëson jo rrallë certifikimin dhe në pamje të parë duam shoqëri me stade të specializuara. Shumë punë nuk duan CV-të por miqësitë për punësim, duna sekserin, ndërhyrësin, nuk i duan notat dhe i mëshojnë fort eksperiencës. Për paradoks, gjithë biznesmenët, apo kapitalistët e rinj me një kulturë të re kapitaliste (anadollake me tipare feudalizmi dhe amatorë në kapital, injorantë që nuk dinë të ngrenë kapital), kur shikojnë që u troket në derë një ekspert, i kthejnë kurrizin. Ka dalë dhe shprehja e famshme “Je tepër i kualifikuar, nuk bën për ne”. Shërbimet motivojnë bindjen, propagandimin shabllon sesa idetë novatore të individëve, krijimet e tyre. Ato nuk përfillen nga një kuadër i përcaktuar i bizneseve si mënyrë e të sjellit të kompanive, për këtë mendojnë kompanitë nëna që prodhojnë platforma strategjike ideore. Vetëm një 10 për qind e tyre kanë fatin të konkurrojnë me kualifikimin, pjesa tjetër bëhen specialistë të shumtë. Shumica e ushtrisë së radhës së parë të shërbimeve si bletë punëtore apo milingona luftuese janë femra telekomunikacion, postë, biblioteka, media, tatime, arsim në marrëdhëniet publike të shumë institucioneve, shitëse butikësh, etj. Me këdo të takohemi në hapin dhe në zyrat e para, do të shihet kjo tendencë. Kapitalisti ankohet shpesh se “ka punë, por nuk ka specialistë”. Në vendet e zhvilluara ka vende për punë të specializuara, ka trajnime, specializime, në mos shkollë të specializuar që u bëjnë punonjësve drejtuesit e bizneseve, ka partneritet siç përflitet privat-shtet mbi politika përzgjedhëse që në bankat e shkollave. Më shumë se arsyetimi duhet bukuria. Dhe njëkohësisht armata e të papunëve rritet në përpjesëtim të zhdrejtë me punët që ekzistojnë në treg. Kurse shkollat teknike të larta si inxhinieritë, arkitektet, etj., janë në masë më të vogël burimesh njerëzore dhe kanë më shumë punë, madje nuk i përballojnë dot. Një teknik kompjuteri i rritet paradoksalilsht mundësia për punët në 10, 20 raste, një në shkencat shoqërore i ulen mundësitë në 10, 20 raste.

Paradoksi vazhdon, institucionet mërzejnë

Në fjalimin kur Sokrati ndodhej përpara dhe kundër gjithë parisë së aristokratëve athinas në antikitet, që në një farë mënyre quheshin oligarkë në kuptimin e sotëm dhe të djeshëm pasi kishin marrë gjithë pasuritë e mundshme dhe nuk linin që të mbizotëronte e vërteta në Athinë, ai shprehet me një sentencë, “meqë jap gjykimin më të saktë se ju të gjithë, siç duket, mua më përket të marr edhe pagat tuaja”. Sokratë ka pak në këtë botë, sigurisht që ata nuk mund të jenë në anën tonë të kufirit, ‘sokratidë’ ka sa të duash. Në shumësinë e atyre që do të këmbëngulnin se shkollat profesionale janë kyçi i suksesit në këtë ‘demokraci’ dhe në këtë lloj rendi me forcë të bërtituri nga trotuari në trotuar, ‘kapitalizëm’ shumë do të thoshin se po, megjithatë kjo ‘po’ do të thotë gjithçka dhe njëkohësisht asgjë. Qeveria dhe kryeministri Edi Rama argumenton se shkollat profesionale janë çelësi i suksesit të rinisë së sotme këtu në Shqipëri. Unë do të isha me kryeministrin po mos të më sëmbonte thënia e famshme, se “më shumë mik se ty, kam të vërtetën”. Pikë së pari, duhet të diversifikohet popullsia dhe të kontrollohet migrimi i popullsisë. Ky faktor kyç do të çojë në decentralizimin e qendërzimit të burimeve natyrore dhe njerëzore, profesionale si dhe ekonomike në rrafshin qendror dhe rajonal. Shumë ekspertiza botërore tregojnë se centralizimi i burimeve sjell krizën në qytetërim, është paradigmë e pakundërshtueshme. Jemi në kushtet kur ndodh qendërzimi i burimeve natyrore, njerëzore, ekonomike dhe kulturore që lulëzon gjithçka, kthehet kundër vetvetes, vdes gjithçka. Ndodh centralizimi i çfarëdolloj pushteti në çdo aspekt të jetës, jo decentralizimi shoqëror, kulturor, ekonomik politik ose ndryshe patriarkalizmi, elitarizmi ekstrem, monopolizimi, kulti i individit dhe udhëheqësia. Këto çojnë në krizën e qytetërimit. Zhvillimi teknologjik ka arritur në stadin e robotizimit në revolucion postindustrial, një përzierje të mekanikës me elektronikën, ne duhet t’i rikthehemi mekanikës po me stade moderne. Kapitalistët duhet të motivojnë vetë që punëtorët të jenë të kënaqur që të mos ketë konflikte social-politike. Madje kapitalistët e paditur, amatorë në kapitalin e tyre 30 vjeçar kthehen kundër si vetë shkollat, vetë politikat, vetë dëshirat e të rinjve. Pra, duhet që politika të ndërmarrë nisma konkrete ekonomiko-politike për shërbime sociale. Pas luftës botërore në Britani të Madhe ishte një moto “Përkujdesje e individit nga lindja deri në varr”. Ka 28 vjet që në Shqipëri shteti do ta vrasë individin, do ta shkatërrojë dhe po e shkatërron, nuk do të përkujdeset, pasoja duket shoqëri që do të arratiset në emigrim. Pas luftës së dytë botërore mendimi filozofik ra në pikëpyetje dhe hodhi pyetjen ekzistenciale për individin.

 Ku kemi gabuar?

Mulliri duhet të lëvizë, niseni nga armata profesionale, si dikur Napoloni me ushtrinë e vet profesionale! Në këto kushte, kush nuk do të donte të bëhesh Napolon.

Filed Under: Analiza

Shkolla Shqipe në Zvicër, hap pikën shkollore në Rotkreuz të Kantonit Zug në Zvicër

December 17, 2021 by s p

“Shkolla shqipe” – Zvicër – Sektori për informim.

Vazhdon suksesi i “Shkollës Shqipe – Zvicër”. Janë hapur dhjetëra e dhjetëra shkolla në mbarë Zvicrën, qindra e qindra nxënës kanë filluar gjatë këtij viti shkollor orët mësimore në gjuhën amtare.  Kjo është pika e tretë shkollore (pas Cham, Baar) në Kantonin e Zug-ut. Me të drejtë thuhet: “Aty ku punohet nuk mungon suksesi”. Kjo thënie vjetër dëshmohet dita -ditës në kuadër të pikave shkollore. Të mërkurën, me datën 15 dhjetor 2021 edhe zyrtarisht filloi mësimi në pikën shkollore në Rotkreuz, të Kantonit Zug, në Zvicër.

Ein Bild, das Person, drinnen, Gruppe, Personen enthält.

Automatisch generierte Beschreibung

“Ne mësojmë shqip, në jemi shqiptarë”, – A ka gëzim më të madh se të dëgjosh këto fjalë nga fëmijët shqiptarë, të cilët edhe pse të lindur larg atdheut zemra ju rrah për gjuhën shqipe, për Kosovën, për Shqipërinë. Kështu ishte dje në klasën e mësueses Lumnije Klinaku – Neziri. 

A ka gjë më të bukur se të shohësh klasën plot nxënës nga të gjitha trojet shqiptare, të cilët hynë në klasë të motivuar për ta mësuar gjuhën amtare. Kështu ndodhi këtë të mërkure dhjetori ku dhjetëra nxënës nga Rahoveci, Dardana, Ohri, Gjilani, Ferizaji, Shkupi, Presheva, Ulqini etj., filluan mësimet në klasën e mësueses Lumnije Klinaku – Neziri. Një shkëlqim i veçantë kishte pushtuar fytyrat e nxënësve të cilët reflektonin optimizëm dhe dashuri ndaj gjuhë shqipe. Një buzëqeshje që dëshmonte një gjë të tillë shihej te të gjithë nxënësit të cilët filluan mësimet me qëllim që t`ia dalin kësaj sfide. Gjuha dëshmon atdhedashurinë, prandaj edhe kjo sfidë është një rast i rrallë në jetë për këta fëmijë të cilët edhe pse kanë lindur larg atdheut dëshirën për ta mësuar gjuhën e nënës e kanë motiv jete. Sa më herët që të fillojnë me mësimet në gjuhën shqipe, aq më lehtë do ta mësojnë atë. 

Ein Bild, das Text, drinnen, Decke, Boden enthält.

Automatisch generierte Beschreibung

Në orën mësimore të gjuhës amtare;  Sarah, Fiona, Nora, Alla, Merlindi, Ermal, Erjani, Joni, Erini, Lorani, Erjoni, Hana, Erina, Arina,  Arbiani,  Melodia,  Eliza,  Redoni  Neyla, Trëndelina, Armina, Erda etj. me përkushtim mundohen t`i dallojmë ndryshimet në mes alfabetit të gjuhës së vendit – gjuhë gjermane dhe gjuhës shqipe. 

Vlen të theksohet se mësimi zhvillohet çdo të mërkure në dy grupe, nga ora 13.15 deri në orën 15.00, dhe grupi i dytë nga ora 15:00 -16:45, në shkollën fillore Rotkreuz, në komunën Risch të Kantonit Zug.

Nxënësit  e grupit të dytë të pikës shkollore në shkollën Rotkreuz, të Kantonit Zug së bashku me mësuesen Lumnije Klinaku – Neziri

Dhe në këtë fund viti, stafi pedagogjik i “Shkollës Shqipe – Zvicër” ka shumë arsye për të festuar, veçanërisht me hapjen e njëpasnjëshme të pikave shkollore në mbarë Zvicrën. Çdo pikë shkollore është festë më vete, sepse lumturinë që sjellin fëmijët në klasat ku zhvillohet mësimi në gjuhën amtare është diçka e veçantë. Ky vit ishte dhe është një dëshmi e fortë se aty ku bëhen bashkë nxënës – prindër, mësues dhe veprimtarë të gjuhës shqipe suksesi nuk mungon. Po ashtu duhet të theksohet edhe ndihma institucionale e Ambasadave tona Kosovë – Shqipëri, dhe në veçanti  e Ambasadës së R. së Shqipërisë, e cila me gjithë stafin e saj ka qenë dhe është në shërbim të hapjes së klasave të reja dhe funksionimit të tyre, për ta organizuar sa më mirë.  

“Shkolla shqipe” – Zvicër – Sektori për informim

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2677
  • 2678
  • 2679
  • 2680
  • 2681
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT