Analizë / nga Eugent Kllapi
Sipas studiuesit francez Bertrand Bareilles, në vitin 1938, Shqipëria kishte 420 të diplomuar në shkollat më të rëndësishme të nivelit universitar. Në sistemin universitar në vitin akademik 2017-2018, INSTAT thotë se janë 129,394 studentë, kurse për vitin akademik 2016-2017 kishte 139,607 studentë. Interesant është fakti që numri i studentëve për 80 vjet nga viti 1938 në 2018 është rritur 308 herë. Sipas INSTAT per 6 vjet studimi kemi 810 mijë studentë. Në një vit akademik me rrumbullaksim kemi 120 mijë studente në mos më shumë. Ky është një triumf i arsimimit dhe njëkohësisht disfatë për jetën, ndryshe quhet paradoks. Me shtimin që shoqëria do të arsimohet, me më shumë fuqi ajo është në mungesë dhe e papapunë. Një në 3.5 të rinj janë student në shkollat e larta. 23 për qind është raporti i studentit me tërësinë e studentëve e aq më shumë ata nuk kanë punë. Etnopsikologu Gustav lë Bon në librin e tij ‘Psikologjia e popujve dhe e turmave’ në lidhje me arsimin masiv rreth viteve 1900, flet pikërisht për të njëjtin problem në Evropë. Shumësia nuk do të thoshte cilësi në arsim dhe do të thoshte sipas tij shkretim qytetërimi të Evropës. A po duket ky shkretim sot në Evropë, kjo është analizë më vete dhe e gjatë në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, por Shqipëria po ndjek të njëjtën linjë. Ndryshe, amerikanët specialistë të shkolluarit e brezit të sotëm me të meta i kanë quajtur ‘analfabetë funksionalë’. Kjo armatë pas 10 vjetësh arrin përafro 1 milion dhe pas 20 vjetësh një në dy persona mund të jetë me shkollë të lartë. Të rinjtë që do të duan të futen në shkollë të lartë pas 10 vjetësh do të përballen me një brez të vjetër që janë të shkolluar. 80 për qind do të jenë të gjithë me shkollë të lartë. Dhe sigurisht e ardhmja është më e dhimbshme, të gjithë të rinjtë pa sigurime shëndetësore dhe shoqërore neser pasnesër do i flakë sistemi si lecka, për të mos thënë që kj odo jetë një nga krizat më të mëdhaja të Shqipërisë në të ardhmen.
Njerëz me diplomë ujqër për njeriun me diploma.
Në këtë lloj situatë krijohet një ‘ushtri industriale moderne’ që do vetëm fitil për të shpërthyer si baruti, që bën presion dhe protestë përkundrejt kushteve, si dhe kthehet mbrapsht të zhvillimit ekonomik, pra e kundërta e zhvillimit, krizë. Ndryshe kjo ushtri është quajtur nga Karl Marks, si ‘ushtria rezervë industriale’. Kur kemi një fazë aktuale të kapitalizmit, e cila ndërthur sistemin demokratik me monopole, oligopole, duaopole a forma të përqendrimit të kapitalit rikthehemi në teorinë e Marksit mbi kritikën që i bën ai ekonomisë së lirë të tregut në stadin e demokracisë klasike, ose të hershme (fazat e para të saj). Për t’u kuptuar, kjo nuk është kritikë e demokracisë së konsoliduar nga ai, por ka tipare të hershmërisë së kapitalizmit të egër ose formë klasike e të bërit kapitalizëm në një demokraci difektoze dikur ne vendet evropiane dhe amerikane. Po e shtjellojë pak më qartë problemin aktual me një citim të marrë nga një studiues filozof, Karl Poper. Në librin e tij ‘Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj’, ai citon Marksin për kapitalin që ‘përqendrohet në pak duar’ dhe akumulimi i kapitalit do të thotë, “rritje e prodhimtarisë, rritje e pasurisë dhe përqendrim i pasurisë në pak duar”, “rritjen e mjerimit dhe e varfërisë, punëtorët mbahen me pagat sa për të ekzistuar ose vdesin urie, kryesisht nga fakti që punëtorët e tepërt, të quajtur ‘ushtria rezervë industriale’ mban pagat në nivelin më të ulët të mundshëm, që ndodh si centralizim i kapitalit”. Evropa dhe Amerika e rirregulloi këtë politikë me Ligjin e Pronës, Ligjin Antirust, shërbimet sociale, etj., kurse në Shqipëri asgjë. Sa më tepër është rritur shkollimi këtë 10 vjeçar, aq më tepër Shqipëria është në stadet e fundit në çdo aspekt të jetës së saj në lidhje me vendet evropiane, rikthehemi në fis. Me fjalë të thjeshta, studenti sa do të mundohet të marrë dije të kompletuara përballet me një varfëri në rritje, falë diplomës ai ka pothuajse asgjë dhe është i fundit i Evropës përballë evropianit që ka shkolla profesionale më të shumta dhe është shumë herë më mirë se ai. Tregu i punës kërkon më shumë njerëz teknikë profesionale, sa me atë forcë shtohet dëshira e të rinjve për të shkuar në shkolla të larta.
Çfarë thonë faktet e këtyre viteve?
Në anketa që Shërbimi Kombëtar i Punësimit ka bërë në vitet 2008, 2010 dhe 2012 me bizneset, ka gjetur se mungesa e aftësive është e pranishme në të gjithë sektorët e ekonomisë. Këshilli i Investimeve, në një anketë, referoi se mungesa e kualifikimit të punonjësve ishte një ndër gjashtë shqetësimet kryesore.Qeveria i jep një rëndësi të madhe arsimit profesional nga mandati i saj nga 2013 në 2018 por shikohet se duhet profesionalizuar më mirë trupa mësimore, ambientet dhe laboratorët e praktikave mësimore që janë krejt të vjetruara, ndërsa arsimi profesional ndiqet nga nxënësit më të dobët të ciklit nëntëvjeçar. Informacionet demografike tregojnë se numri i nxënësve që u regjistruan në arsimin e mesë, klasa 10, do të zbresë nga 60,139 nxënës (për grupin e personave të lindur në vitin 1998) te 39,612 nxënës (për ata të lindur në vitin 2005). Në vitin arsimor 2016-2017, në shkollat profesionale u regjistruan 20,981 nxënës, me një rënie të lehtë nga viti 2015-2016. INSTAT raportoi se për vitin shkollor 2014-2015 në shkollat profesionale u diplomuan vetëm 4,702 nxënës. Ndryshe nga sa thuhet se dëshira po drejtohet për nga profesionet dhe nga shkollat profesionale. E para dhe më e rëndësishmja është se investimet e huaja sipas Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bashkimi Evropian po shkojnë më shumë në Serbi dhe Maqedoni. Shqipëria nuk i plotëson kushtet për të thithur investime masive. Madje dhe kinezët e dikurshëm me mall për Shqipërinë po shkojnë drejt vendeve të tjera të Ballkanit. Investimet më të mëdha në Ballkan po shkojnë në Serbi, Maqedoni, Mal të Zi. Për vetë faktin që ish-Jugosllavia nuk i prishi gjithçka që i doli para, e ka ruajtur strukturën e zhvillimit dhe ndërtimit industrial. Pesha e investimeve të industrisë në Ballkan shkon për nga Serbia dhe Kosova. Kjo të lë të kuptosh se Shqipëria nuk ka peshë në industri, sipas raportit të fundit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ajo e ka peshën e saj ekonomike në administratën publike. Mungon teknika dhe prodhimi. Nga ky fakt del që pikërisht në Shqipëri çalon lënda e parë e punës profesionale. Industria dhe bujqësia, sidomos blegtoria dhe përpunimi i tyre. Puna profesionale është e lidhur zinxhir me të gjitha hallkat e tjera prodhuese deri te ajo e shërbimit. Një rritëm të shpejt Shqipëria po proklamon agro-kulturën, fshatra të zgjedhur për ndërtimin e turizmit dhe agrikulturës, megjithatë projekti ‘100 fshatrat’ duan shtysën e fshatrave të tjerë që po zhduken nga faqja e dheut dhe ku po humbasin sasi të mëdha natyrore. Pa këto kushte shkollat profesionale janë invalidë dhe të paralizuara, nuk ka asnjë vlerësim dhe asnjë perspektivë për to. Turizmi nuk mundet dot të mbajë gjithë këtë peshë mbi supe. Edhe Greqia, vendi fqinjë që është pararojë në turizëm ka ngritur rëndësinë e fshatit, teknikës që në vitet 1980 dhe ngre bujqësinë bashkëkohore.
Ku ndodhet udhëkryqi i shkollimit?
Deri tani jemi në këtë situatë. Piramida e madhe është me më shumë studentë në arsim të lartë, një piramidë e vogël është me nxënës të shkollave profesionale. Nevoja kërkon punë të profesioneve të ndryshme. Punët për shkollë të lartë sa vijnë e ulen, punë për njerëz me formim profesional sa vijnë e rriten, kurse nga ana tjetër me prirjet e sotme ndodh e kundërta, shumica duan shkollat e larta ku kanë një vetëbesim më të lartë për veten dhe të ardhmen e tyre. Ky vetëbesim shkatërrohet kur kërkojnë punë dhe gjejnë punë profesionale teknikë të mesëm, elektricist, hidraulik, sekretare, kamerierë, agjente shërbimesh, shitëse, kryesisht shërbime. Neve si shtet dhe si shoqëri nga ana tjetër na duhet të xhirojmë sistemin tonë të dështuar me prirje nga shkencat shoqërore, ku të gjithë kërkojnë të bëhen filozofë dhe dalin të papunë. I gjithë populli është filozof, si dikur i gjithë populli ushtar, tashmë i gjithë populli filozof, poet, gazetar, ne na duhet i gjithë populli teknicien. Në këtë mënyrë piramida e madhe e shkollave të larta dalëngadalë shteron dhe piramida e vogël e shkollave profesionale ngrihet.
Kjo piramidë mund të shtohet në disa mënyra.
– Duke i ngritur shkollat profesionale me kushtet moderne, laboratorë, infrastrukturë, burime njerëzore, literaturë bashkëkohore. Kjo rrit profesionalizmin.
– Duke iu dhënë një premisë shkollarëve teknikë se mund të jenë armata profesionale e institucioneve shtetit në radhë të parë dhe e PPP në radhë të dytë në punët private. Privatët kërkojnë punonjës të specializuar që mund të gjenden fare mirë aty me bashkëpunimin publik-privat.
– Duhet certifikim serioz mundësisht ndërkombëtar për të krijuar atë besimin e humbur të zanateve dhe profesioneve të profilizuara, kjo rrit premisën e ndjekjes së këtyre shkollave.
– Duke i dhënë një rrogë mujore normale për të jetuar normal për stadin e jakave të bardha. Kjo rrit premisën për shtresën e mesme dhe për vrullin e zhvillimit shoqëror.
– Duke i krijuar një strategji kombëtare për rëndësinë e punësimit të shkollimit profesional, me kusht thelbësor dhe qenësor që rroga të jetë e nivelit normal, te themi më e ulëta 400 mijë lekë.
– Kjo bëhet vetëm me forma keinsianizmi nga institucionet shtetërore në ekonomi dhe në institucione, apo në forma mikser të ekonomisë, pra duhet hequr dorë nga kapitalizmi i hershëm ku nuk ka as sigurime, kontrata, mbështetje, sindikata, aksione.
I njëjti model është në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që pas luftës së dytë botërore. Dalëngadalë për 10 vjet piramida e madhe e shkollave profesionale do të arrinte në 129 mijë punëtorë të profesionalizuar që mund t’i shërbenin si institucioneve dhe vendit, si privatit dhe institucioneve, si vetes dhe shoqërisë, si shoqërisë dhe zhvillimit të përgjithshëm kombëtar. Zhvillimi i tillë i burimeve njerëzore do të kthehesh nga ‘ushtri rezervë industriale’ dhe një bombë sociale për shpërthime krizash në ushtri industriale që do të zhvillonte më pas shtetin, shoqërinë dhe vetë kuptimin e shkollave të larta.
Çfarë po ndodh sot në Shqipëri?
Në përgjithësi ekonomia e shërbimeve ka tiparin mekaniko-automatik të bërjes së punëve. Kjo nuk do të thotë që më shumë se punëtorë mekanikë, kërkohen individë automatë për kryerjen e punëve, që do të thotë që kërkesat për punësim, nuk varen më shumë nga arsimi i lartë në profesionalizëm, sesa nga elektronizimi a automatizimi i mjeteve të prodhimit, që kërkon individë të përqendruar rreth një procesi automat, me status të ulët profesional, punëtorë robot dhe punëtorë të nënshtruar. Jo më kot kërkohet ose shikohet me mëdyshje specializimi, ekspertiza, profesionalizimi, sesa përvoja në punë që zhvleftëson jo rrallë certifikimin dhe në pamje të parë duam shoqëri me stade të specializuara. Shumë punë nuk duan CV-të por miqësitë për punësim, duna sekserin, ndërhyrësin, nuk i duan notat dhe i mëshojnë fort eksperiencës. Për paradoks, gjithë biznesmenët, apo kapitalistët e rinj me një kulturë të re kapitaliste (anadollake me tipare feudalizmi dhe amatorë në kapital, injorantë që nuk dinë të ngrenë kapital), kur shikojnë që u troket në derë një ekspert, i kthejnë kurrizin. Ka dalë dhe shprehja e famshme “Je tepër i kualifikuar, nuk bën për ne”. Shërbimet motivojnë bindjen, propagandimin shabllon sesa idetë novatore të individëve, krijimet e tyre. Ato nuk përfillen nga një kuadër i përcaktuar i bizneseve si mënyrë e të sjellit të kompanive, për këtë mendojnë kompanitë nëna që prodhojnë platforma strategjike ideore. Vetëm një 10 për qind e tyre kanë fatin të konkurrojnë me kualifikimin, pjesa tjetër bëhen specialistë të shumtë. Shumica e ushtrisë së radhës së parë të shërbimeve si bletë punëtore apo milingona luftuese janë femra telekomunikacion, postë, biblioteka, media, tatime, arsim në marrëdhëniet publike të shumë institucioneve, shitëse butikësh, etj. Me këdo të takohemi në hapin dhe në zyrat e para, do të shihet kjo tendencë. Kapitalisti ankohet shpesh se “ka punë, por nuk ka specialistë”. Në vendet e zhvilluara ka vende për punë të specializuara, ka trajnime, specializime, në mos shkollë të specializuar që u bëjnë punonjësve drejtuesit e bizneseve, ka partneritet siç përflitet privat-shtet mbi politika përzgjedhëse që në bankat e shkollave. Më shumë se arsyetimi duhet bukuria. Dhe njëkohësisht armata e të papunëve rritet në përpjesëtim të zhdrejtë me punët që ekzistojnë në treg. Kurse shkollat teknike të larta si inxhinieritë, arkitektet, etj., janë në masë më të vogël burimesh njerëzore dhe kanë më shumë punë, madje nuk i përballojnë dot. Një teknik kompjuteri i rritet paradoksalilsht mundësia për punët në 10, 20 raste, një në shkencat shoqërore i ulen mundësitë në 10, 20 raste.
Paradoksi vazhdon, institucionet mërzejnë
Në fjalimin kur Sokrati ndodhej përpara dhe kundër gjithë parisë së aristokratëve athinas në antikitet, që në një farë mënyre quheshin oligarkë në kuptimin e sotëm dhe të djeshëm pasi kishin marrë gjithë pasuritë e mundshme dhe nuk linin që të mbizotëronte e vërteta në Athinë, ai shprehet me një sentencë, “meqë jap gjykimin më të saktë se ju të gjithë, siç duket, mua më përket të marr edhe pagat tuaja”. Sokratë ka pak në këtë botë, sigurisht që ata nuk mund të jenë në anën tonë të kufirit, ‘sokratidë’ ka sa të duash. Në shumësinë e atyre që do të këmbëngulnin se shkollat profesionale janë kyçi i suksesit në këtë ‘demokraci’ dhe në këtë lloj rendi me forcë të bërtituri nga trotuari në trotuar, ‘kapitalizëm’ shumë do të thoshin se po, megjithatë kjo ‘po’ do të thotë gjithçka dhe njëkohësisht asgjë. Qeveria dhe kryeministri Edi Rama argumenton se shkollat profesionale janë çelësi i suksesit të rinisë së sotme këtu në Shqipëri. Unë do të isha me kryeministrin po mos të më sëmbonte thënia e famshme, se “më shumë mik se ty, kam të vërtetën”. Pikë së pari, duhet të diversifikohet popullsia dhe të kontrollohet migrimi i popullsisë. Ky faktor kyç do të çojë në decentralizimin e qendërzimit të burimeve natyrore dhe njerëzore, profesionale si dhe ekonomike në rrafshin qendror dhe rajonal. Shumë ekspertiza botërore tregojnë se centralizimi i burimeve sjell krizën në qytetërim, është paradigmë e pakundërshtueshme. Jemi në kushtet kur ndodh qendërzimi i burimeve natyrore, njerëzore, ekonomike dhe kulturore që lulëzon gjithçka, kthehet kundër vetvetes, vdes gjithçka. Ndodh centralizimi i çfarëdolloj pushteti në çdo aspekt të jetës, jo decentralizimi shoqëror, kulturor, ekonomik politik ose ndryshe patriarkalizmi, elitarizmi ekstrem, monopolizimi, kulti i individit dhe udhëheqësia. Këto çojnë në krizën e qytetërimit. Zhvillimi teknologjik ka arritur në stadin e robotizimit në revolucion postindustrial, një përzierje të mekanikës me elektronikën, ne duhet t’i rikthehemi mekanikës po me stade moderne. Kapitalistët duhet të motivojnë vetë që punëtorët të jenë të kënaqur që të mos ketë konflikte social-politike. Madje kapitalistët e paditur, amatorë në kapitalin e tyre 30 vjeçar kthehen kundër si vetë shkollat, vetë politikat, vetë dëshirat e të rinjve. Pra, duhet që politika të ndërmarrë nisma konkrete ekonomiko-politike për shërbime sociale. Pas luftës botërore në Britani të Madhe ishte një moto “Përkujdesje e individit nga lindja deri në varr”. Ka 28 vjet që në Shqipëri shteti do ta vrasë individin, do ta shkatërrojë dhe po e shkatërron, nuk do të përkujdeset, pasoja duket shoqëri që do të arratiset në emigrim. Pas luftës së dytë botërore mendimi filozofik ra në pikëpyetje dhe hodhi pyetjen ekzistenciale për individin.
Ku kemi gabuar?
Mulliri duhet të lëvizë, niseni nga armata profesionale, si dikur Napoloni me ushtrinë e vet profesionale! Në këto kushte, kush nuk do të donte të bëhesh Napolon.