• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“KUR LIBRIN E SHKRUAN ZEMRA” NJË THESAR NË BIBLIOTEKËN TIME

December 16, 2021 by s p

Bashkim SALIASI

Dhjetor 2021. Ditë me shi. Mali Dajtit ka hedhur vellon e bardhë të dëborës, teksa fryn një erë e lagësht dhe  e ftohtë. Drurët po i dorëzohen dimrit, duke lëshuar andej – këndej gjethet e vyshkura, të cilat bien lehtë mbi pellgje uji, apo rrëmbehen nga rrjedhat, që kullojnë anash rrugëve dhe bulevardeve të kryeqytetit. 

Unë dhe miku im, shkrimtari Viron Kona, presim me padurim që të dalë nga shtëpia botuese dhe shtypronja “West Print” libri “Kur librin e shkruan zemra”. Është një libër për të cilin kam punuar muaj të tërë, duke përmbledhur me kujdes e  durim artikuj të shkruar rreth librave të Viron Konës, të këtij shkrimtari, tashmë me emër, i cili, ndonëse ka shkruar 50 libra artistikë, përsëri, edhe sonte, është i përfshirë në  ankthin e pritjes së librit, që i kushtohet krijimtarisë së tij. Gjithsesi ai gjen momentin dhe kujton një episod nga viti 1982, kur kishte shkuar në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” dhe kishte marrë 5 kopjet  e para të librit të tij të parë “Etje që shuhej”. Dikush, që e kishte parë të gëzuar, e kishte ndalur dhe i kishte thënë: ”-E di ti se, tani që ne po flasim, në botë po botohen miliona libra?” Kjo shprehje  e kishte zbehur dhe e kishte pezmatuar disi shkrimtarin, pra, siç thotë vet ai, “e kishte ulur me këmbë në tokë”; gjithsesi, – shton Vironi, – ajo gjuhë ironike e tjetrit “më bëri mirë, sepse më shtoi më shumë pasionin dhe vendosmërinë, që unë të shkruaj edhe më shumë, por, në radhë të parë, duke i kushtuar rëndësinë e duhur cilësisë dhe vlerave artistike. “Kur librin e shkruan zemra”, siç përmenda edhe më sipër, është një përmbledhje artikujsh e shkruar nga unë (Bashkim Saliasi) për librat e Vironit, të cilat nëpër vite janë vlerësuar nga kritika, studiuesit dhe lexuesit. Ato janë vlerësuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare, por edhe janë përkthyer, sikurse ka ndodhur me librin e tij shumë të suksesshëm “Eh, more Bubulino!” që është përkthyer në gjuhën suedeze dhe tashmë lexohet edhe nga fëmijët suedezë. Por, edhe shumë tregime të Vironit janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, hungrarisht, sikurse janë botuar edhe në disa antologji letrare  e poetike, apo janë pjesë letrare të disa teksteve shkollore … Të ulur në kafene, me nga një filxhan kafe dhe me nga një gotë raki përpara, vijojmë të bisedojmë rreth krijimeve tona artistike, rreth motiveve nxitëse dhe shohim herë-herë nga dera e shtëpisë botuese, që të dalë botuesi i West Print, Eduard Vathi, i cili, siç na premtoi, shpejt do të na sillte ai vetë përmbledhjen e shumëpritur. Më në fund Eduardi ia mbërriti. Miku ynë i ri, i ditur, komunikues dhe gjithnjë i qeshur, duke na  njohur emocionet, na ofroi librin qetësisht:

-Ja ku e keni, si ju duket, ju pëlqen? 

E falënderuam Eduardin dhe nisëm të shohim me interes, por edhe duke e shfletuar e ledhatuar atë librër, goxha voluminoz, me shumë faqe, me shumë fotografi, me shumë kujtime, opinione dhe vlerësime, një libër i tërë, një jetë e tërë për shkrimtarin Viron Kona, një tjetër përmbledhje e merituar kushtuar krijimtarisë së tij të gjerë e shumëplanëshe. 

B.Saliasi, E.Vathi, V. Kona. Tiranë, më 11.12. 2021

Libri me 932 faqe, ka redaktor shkrimtarin dhe publicistin Kadri Tarelli, recensent Dr. Bajram Mejdiaj, konsulent Prof. Dr. Hektor Veshi. ISBN 978-9928-250-03-2, i shtypur në shtypshkronjën West Print, 2021, botues Eduard  Vathi. 

Në hyrje është fjala ime si autor i kësaj përmbledhjeje dhe më pas radhiten emrat e profesorve, akademikëve, shkrimtarëve, publicistëve, lexuesve të vëmendshëm, që kanë lexuar dhe vlerësuar krijimtarinë e shkrimtarit.

Po radhis disa nga emrat e artikujshkruesve. Profesorët: Gjovalin Shkurtaj, Pajtim Bejtja, Koço Bihiku, Hektor Veshi, Arian Kadiu, Ilinden Spasse, Murat Gecaj, Qazim Dushku, Isak Ahmeti. 

Doktorët e shkencave: Bajram Mejdiaj, Fatmir Tereziu, Nuri Dragoj, Nazmi Xhomara, Petrit Teferiçi. Albaologu suedez Ullmar Qvick (Kvik). Gazetarët: Erik Jullander, Sokol Demaku, Bahtir Latifi, Hysen Ibrahimi, Qibrije Hoxha, Ismet Hasani, Sadulla  Zendeli-Daja, Hamit Gurguri, Imri Trena, Izet Abdyli, Vjollca Spaho, Bashkim Kozeli, Xheladin Mjeku, Kadri Tarelli, Alisa Veliaj, Delo Isufi, Luan Çipi, Sejdo Harka, Fran Gjoka, Bashkim Saliasi, Isa Ferizaj, Veledin Durmishi, Harallamb Fandi, Faruk Myrtaj, Gentiana Zagoridha, Gladiola Jorbus, Zabit Rexhepi, Dhimitër Xhoga, Alqiviadh Dede, Zhani Canco, Petrit Xhaja, Mehmet Deliu, Bujar Poçari, Mirela Kondi, Ndue Dragusha, Namik Selmani, Petrit Malushi, Faik Xhani, Mësuese Aurela, Çelik Petriti, Çaush Kullafi, Nikolin Papa, Maliq Qoku, Bujar Agalliu, Mal Buçpapaj, Ibrahim Hadarmataj, i cili mbyll librin me një artikull “profil” kushtuar protagonistit Kona. 

Botimi librit “Kur librin e shkruan zemra” vjen pas një pune përmbledhëse e studiuese. Ai vjen pas librave: 

1.“Blerimi i një fushe me krijime të bukura”, të përgatitur me kujdes nga publicisti Ibrahim Hadarmataj dhe i botuar në vitin 2010 nga shtëpia botuese West Print. Ai përmban 85 artikuj, të shkruar nga 67 autorë. 

2. “Parnasi sheh me bisht të syrit”, i cili rrëfen jetën dhe veprimtarinë krijuese të autorit nëpërmjet përshkrimeve, intervistave, esseve, etj. i shkruar nga unë, Bashkim Saliasi dhe është botuar në vitin 2019 nga shtëpia botuese “West Print”. Ky libër përmban 90 artikuj të shkruar nga 72 autorë, si dhe një varg opinionesh e shënimesh rreth personalitetit krijues të Viron Konës dhe krijimtarisë së tij letrare.

3. Ndërsa “Kur librin e shkruan zemra”, është libri i tretë kushtuar krijimtarisë së shkrimtarit Viron Kona, i cili përmban 167 artikuj, të shkruara nga rreth 70 autorë.

Në vazhdim, nga sot e tutje, çdo lexues do ta ketë mundësinë  e leximit dhe të shfaqjes së mendimeve rreth këtij libri, që, për mendimin tim, përcellë vlera për lexuesin.

I uroj shkrimtarit dhe mikut tim Viron Kona jetë të gjatë dhe krijimtari të frytshme, kurdoherë plot tharm e frymëzim. Urime dhe për botuesin Eduard Vathi, që jep kontributin e tij të ndjeshëm e të çmuar në botimet  tona.  

Kopertina e librit:  “Kur librin e shkruan zemra”

Faleminderit miq, një libër është një thesar!

     Libra kushtuar krijimtarisë letrare të shkrimtarit Viron Kona

Filed Under: Sofra Poetike

“BARDHËSITË E ATDHEUT”- LIBRI MË UNIVERSAL- GJITHËPËRFSHIRËS DHE MË I KOMPLETUAR PËR HERONJTË DHE SAKRIFICAT E ATDHEUT

December 16, 2021 by s p

Afrim Mustafa, „BARDHËSITË E ATDHEUT, Enciklopedia e dëshmorëve të luftërave të UÇK-së 1997 – 2002“, botoi: Autori, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së në Prishtinë, Radio “Zëri i Sharrit” dhe Shtëpia Botuese “NEWBORN PUBLISHING”, Prishtinë 2018, ISBN: 978-9951-8818-1-4

, Libri enciklopedik, “Bardhësitë e Atdheut” i publicistit, Afrim Mustafa, shtjellon fakte të shumta, pasqyron ngjarje dhe luftën e UÇK-së, të cilat edhe nëse i kemi dëgjuar, memoria e shoqërisë nuk i ka arritur t’i mbajë të gjitha në mend, andaj duke shfletuar këtë libër, i rikujtojmë ngjarjet e mëdha, e duke rikujtuar nuk i harrojmë ato sakrifica dhe ato flijime për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës… Jo vetëm për nga volumi, por më shumë për kah përmbajtja mbetet libri më i kompletuar i kësaj natyre, i botuar deri më tani në Kosovë dhe në trojet shqiptare. Prandaj, vetëm me një përkushtim të kësaj natyre dëshmohet e vërteta e Luftës së lavdishme të UÇK-së, UÇPMB-së dhe UÇK-së… Regjistrimi kaq i kujdesshëm për të rënët në Luftën e Kosovës, por edhe për dy luftërat e tjera është një respekt i drejtpërdrejt për këto  luftëra, ku vet autori ishte pjesëmarrës, është nderim dhe respekt për heronjtë dhe dëshmorët, si dhe të rënët e tjerë, por më shumë është një respekt për lirinë, për të tashmen dhe për ardhmërinë e këtij vendi…

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Vepra: “Bardhësitë e Atdheut”, është radhitur si libër enciklopedik me rëndësi kapitale për autorin, për shoqërinë dhe për historiografinë e Kosovës. Afrim Mustafa, shquhet si mbledhës i kujdesshëm i shënimeve për dëshmoret dhe të rënët në luftë, kurse libri është dëshmi e Luftës së Kosovës dhe luftërave të tjera në hapësirën shqiptare në Ballkan.  Libri “Bardhësitë e Atdheut” është ribotuar disa herë, (shqyrtimi ynë ka të bëjë me një botim të vitit 2014), por secili botim i mëvonshëm është plotësuar dhe është zgjeruar me portrete dhe të dhëna të reja për dëshmorët dhe heronjtë e Kosovës, duke e bërë librin një Enciklopedi e sojit të vet, një përkushtim i rrallë për t’i publikuar të gjithë dëshmorët, heronjtë dhe veteranë e luftëtarë të Luftës së Kosovës 1998-1999. 

Autori, është përkujdesur në aspektin profesional për të angazhuar emra të njohur të luftës, shkencës dhe fesë, me të cilët ka krijuar stafin e librit, një vlerë tjetër universale, e cila bartet edhe në brendësinë e librit. Në mesin e këtij stafi, janë: Dr. Jakup Krasniqi, Akad. Esat Stavileci, Akad. Pajazit Nushi, Dr. Don Lush Gjergji, Gjeneral, Kudusi Lama, Dr. Jahja Drançolli, dr. Teuta Hadri, Mr. Naim Tërnava etj. Ndërsa, diku në brendësi në një faqe të plotë është “Ekipi këshillëdhënës i monografisë”, që kanë ndihmuar autorin për mbledhjen e të dhënave, duke i falënderuar ata publikisht, e për vete autori ka dëshmuar vlerë intelektuale dhe qasje humane. Libri “Bardhësitë e Atdheut”, hapet me Tri emblemat e UÇK-së, të shoqëruara me tekstit e Betimit, të cilin e ka bërë ushtari në luftë. Pastaj, është fjala e kryerecensentit, dr. Jakup Krasniqi, atëherë, kryetar i Parlamentit të Republikës së Kosovës, e në vazhdim, janë prezantuar: Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Agim Ramadani, Adrian Krasniqi, Xhevë e Fehmi Lladroci, Ismet Jashari, Mujë Krasniqi, Ilaz kodra, Halit Geci, Gursel e Bajram Sylejmani, Salih Çekaj, Ilir Konushevci, Gjylsere Saiti, Bekim Berisha, Hyrë Emini, e shumë të tjerë.  Në parathënien e shkruar nga vet autori, ai ka vlerësuar kontributin e secilit intelektual, luftëtar dhe veprimtar për kauzën kombëtare, duke ua përmendur meritat, gjithësecilit. Këtë vlerësim, autori e ka bërë edhe për Presidentin Historik: dr. Ibrahim Rugova, për të cilin shkruan: “Pa mëdyshje, një nderim të jashtëzakonshëm me veprimet e TIJ Madhore e Thellëpërkushtuese për Kosovën, për Lirinë dhe për Pavarësinë e saj dhe për gjithë Shqiptarinë, na dha deri në fund të Jetës së tij, Presidenti Historik i Kosovës, Dr. IBRAHIM RUGOVA (1944 – 21 janar 2006). Rugova, Ky Binom i të Mirave Kombëtare, e veçanshëm Kontribuues dhe Ndërtues Unikat i Lirisë së Republikës së Kosovës, do të kujtohet e nderohet përjetë e mot, bashkë me të gjithë ata që dhanë edhe Jetën për Ditët që sot i jetojmë. Emri dhe Vepra e Presidentit Historik janë frymëzim dhe sinonim i unitetit të Veçantë e të Jashtëzakonshëm, që reflektoi AI në jetë, në veprim e në punë për Liri, Pavarësi e Sovranitet Gjithëkombëtar…”. Po me këtë elan, po me këtë përkushtim, ua përmend meritat edhe prof. dr. Fehmi Aganit, Anton Çettës, Ali Hadrit, Zekiria Canës, Gazmend Zajmit, si dhe ka shkruar për dhjetëra femra-dëshmore të UÇK-së, duke radhitur më pas, personalitete të shquara ndërkombëtare, të cilat kanë dhënë kontribut për lirinë e Kosovës, siç janë: Presidenti Amerikan Bill Clinton, bashkë me Hillari Clinton, Medlin Olbrajt, Wsli Clark, Riçard Hollbruk, Gjorgj Robertson, Xhemi Shea, Barak Obama, Toni Bler, Zhak Shirak, Viliam Valker, Angela Merkel e shumë të tjerë, të cilët kompletojnë më mirë angazhimin e secilit prej tyre për pavarësinë e Kosovës.

“Bardhësitë” … pasqyrë e atdhedashurisë

Në libër ka shënime të tjera për personalitete me ndikim, qoftë në aspektin humanitar e liturgjik siç është Nënë Tereza, por autori nuk ka ngurruar t’i citojë dhe përmendë të gjithë shqiptarët, që kanë ndikuar në imazhin pozitiv për Kosovën, siç janë sportistë e artistë të ndryshëm, këngëtarë e krijues artesh. të cilëve u janë theksuar meritat për përhapje të imazhit pozitiv për Kosovën. Natyrisht, kjo dyndje kaq e madhe, nuk ka kaluar pa shumë vështirësi e sakrifica, por qëllimi i autorit duket i qartë, ai mbron idenë për të ndërtuar konceptin e librit, duke e prezantuar sa ma mirë kontributin e secilit, sepse për të ardhur Vendi Ynë deri këtu, është dashur angazhim i secilit, andaj autori ka bërë përpjekje që t’i ketë të gjithë brenda librit të tij.  Një pjesë e madhe e kësaj enciklopedie u kushtohet dëshmorëve, heronjve, dhe luftëtarëve, prezantimet e tyre i nënshtrohen kriterit të alfabetit, për të cilët autori ka bërë edhe shënime biografike, të cilat janë shoqëruar edhe me fotografitë e protagonistëve. Me të njëjtën metodologji, autori ka vepruar edhe me dëshmorët dhe martirët e UÇPMB-së për Kosovën Lindore dhe të rënët në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare. Afrim Mustafa ka publikuar një listë me Dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku ka dhënë edhe një shpjegim se, lista nuk është përfundimtare, për të cilën ka shkruar se do të ndryshohet, do të shtohet dhe do të plotësohet nga botimi në botim. Në këtë kapitull, është publikuar edhe lista e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, si dhe për Dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, në trevën e Maqedonisë, si dhe një listë dhe fotografi, ku i ka prezantuar edhe 71 dëshmorë e luftëtarë nga Shqipëria, të cilët kanë qenë të angazhuar në luftërat e shqiptarëve për pavarësi, si dhe një listë e grave dhe vajzave shqiptare, të cilat,  janë dëshmore të lirisë së Kosovës.   “Bardhësitë e Atdheut”, është libri më universal, më gjithëpërfshirës dhe më i kompletuar që është botuar deri më tani. Aty, janë prezantuar protagonistët kryesorë të luftës, secili në kohën e vet, dhe secili në betejën e caktuar. Siç duket, Autori, nuk ka bërë ndarje, aq më pak anatemime për të rënët për lirinë e atdheut. Të gjithë ata që janë flijuar dhe kanë kontribuar për luftën, kanë zënë vend brenda Enciklopedisë “Bardhësitë e Atdheut”, me autor, Afrim Mustafa. Brenda librit, Afrim Mustafa, ka botuar, reportazhe, portrete dhe raporte nga fronti i luftës, nga tubime e manifestime të shumta, nga përvjetorë të caktuar, si dhe shumë mendime – recensione për librin “Bardhësitë…”. 

” Bardhësitë e Atdheut”- Përjetësim i heroit, ringjallje e kujtesës, faktit dhe dëshmisë së lavdisë…

Padyshim, Afrim Mustafa, ka punuar pareshtur, për ta kompletuar sa ma mirë veprën, e cila jo vetëm për kah volumi, por më shumë për kah përmbajtja mbetet libri më i kompletuar i kësaj natyre, i botuar deri më tani në Kosovë dhe më gjerë. Prandaj, mendojmë se, vetëm me një përkushtim të kësaj natyre mund të dëshmohet e vërteta, dhe autori ka kurorëzuar me sukses veprën e tij, e cila do të rrojë dhe do të dëshmojë edhe atëherë kur vet autori nuk do të jetë në mesin e të gjallëve … Përfshirja e portretit të Afrim Zhitisë, Jusuf e Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës, Rexhep Malës, Nuhi Berishës dhe të tjerëve, e bën lidhjen e një vazhdimësie të përpjekjeve për liri e pavarësi, që e kanë bërë breza të shumtë shqiptarësh, sikurse prezantimi i klerit mysliman dhe atij katolik e kompleton edhe më tej konceptin e Enciklopedisë, brenda së cilës krijohet përshtypja se është “Një Kosovë e Vogël”. Aty janë përfshirë, gazetarë, rapsodë, veprimtarë dhe mërgimtarë, si dhe qytetarë të tjerë, të cilët me angazhimin e tyre, me dijen e tyre kanë dhënë shumë për vendin, shoqërinë dhe njerëzimin, në mesin e të cilëve janë prezantuar: Afrim Maliqi, Haki Braha, intelektualë e shkrimtarë, si Fehmi Agani, Latif Berisha, Ymer Elshani, Bardhyl Çaushi, Bajram Kelmendi me fëmijët e tij etj. Kësaj enciklopedie ia shton vlerën edhe lista e dëshmorëve të Kosovës, të rënë mes viteve 1964-1992, të cilët autori i kategorizon. 1- Të vrarë me atentat, 2- Të vrarë në luftim, 3- Veprimtarë të mbytur në burg, 4- Të vrarë në demonstrata, e më pas, është publikuar edhe Lista e 114 dëshmorëve të rënë në Betejën e Kosharës, si dhe lista të tjera, statistika të shumta dhe fakte që tronditin secilin lexues, sidomos prekin ndjenjën e atyre që luftën e mbijetuan me sakrifica të shumta. Afrim Mustafa, me këtë vepër të përmasave enciklopedike, ka arritur të bëhet emër më i dashur, sepse t’i publikosh ngjarjet, të cilat i ka sistemuar në këtë Libër është një përjetësim i heroit, është një ringjallje e faktit dhe dëshmisë, por më shumë ringjallje e kujtesës për dëshmorin, a heroin që u flijua për lirinë. Kjo që theksuam, është një karakteristikë e rrallë, vlerë kjo që do të mbetet përgjithmonë, prandaj regjistrimi kaq i kujdesshëm për të rënët në Luftën e Kosovës, është një respekt i drejtpërdrejt për atë luftë, ku vet autori ishte pjesëmarrës, është nderim e respekt për heronjtë dhe dëshmorët, si dhe të rënët e tjerë, por më shumë është një respekt për lirinë, për të tashmen dhe për ardhmërinë e këtij vendi. 

Autori, duke qenë reporter i drejtpërdrejtë i luftës së UÇK-së, dhe duke kryer gjatë asaj lufte punë me rëndësi të veçantë, substanca e prezantuar në libër është koncept i asaj kohe, kur nuk dihej kush fiton, e kush shpëton, por si koncept mjaft i kompletuar dhe si mënyrë tejet fisnike. Afrim Mustafa, është ndër personalitetet e pakta, i cili zhvillimet e luftës nuk i sheh të ndara, ai në enciklopedinë e tij i ka përfshirë të gjithë dhe të gjitha kategoritë, libri shënon hapin konkret profesional për t’i përfshirë të gjithë dëshmorët e të tri luftërave të UÇK-së, sepse ideali i tyre, ishte Liria e Atdheut dhe përparimi i vendit. Në këtë pikë, Afrim Mustafa e ka përmbushur misionin e tij të luftëtarit për t’ia sjellë Kosovës Lirinë, kurse me misionin e gazetarit, sikur ka dhënë mesazh për t’u afruar edhe në fushat  e tjera të përbashkëta.

Përveç figurave të rëndësishme komanduese e udhëheqëse të luftës, Afrim Mustafa ka publikuar edhe një listë me ushtarët shqiptarë të vrarë në Armatën Jugosllave në mes të viteve 1981-1992. Në Enciklopedi, janë publikuar portrete me emrat e dëshmorëve, duke i formuar listat sipas rretheve e regjioneve dhe komunave të caktuara, por autori në enciklopedinë “Bardhësitë e Atdheut”, ka arritur t’i përfshijë, pothuajse të gjithë dëshmorët e rënë heroikisht në luftëra: UÇK në Kosovë, UÇPMB në Kosovën Lindore dhe UÇK në Maqedoni. Në këtë enciklopedi janë prezantuar dhjetëra-mijëra dokumente, dëshmi e fakte të rëndësishme për historiografinë kombëtare, duke filluar nga vitet 1900 e gjerë në vitin 2002. Me këtë vepër, autori ka treguar se, Lufta e Kosovës ishte vazhdimësi e përpjekjeve shekullore të shqiptarëve për lirinë e vendit, për të cilën janë sakrifikuar breza të tërë shqiptarësh, prandaj janë përfshirë edhe figura të rëndësishme të viteve 1943-1945, pastaj të viteve: 1968, 1981, 1989 etj. Pra, nga Shaban Polluzha e Mulla Idriz Gjilani te Fazli Graiçevci, nga Jusuf e Bardhosh Gërvalla me Kadri Zekën te Afrim Zhitia, Fahri Fazliu e Ylfete Humolli etj. dhe kjo nuk mund të jetë vetëm rastësi?!

Fotografia e Afrim Mustafa

Enciklopedia e z. Afrim Mustafa- qasja dhe përpjekja më reale e një autori për ta prezantuar luftën pa anime politike dhe pa ndikime rajonale…  

Por, siç e mban edhe titullin, enciklopedia i kushtohet Luftës së UÇK-së, në qendër të trajtimit janë: Adem, Shaban e Hamzë Jashari, Zahir Pajaziti, Agim Ramadanin e Salih Çekaj, Ilaz Kodra , Fehmi e Xhevë LLadrovci, vëllezërit: Gursel e Bajram Sylejmani etj; por edhe dr. Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Anton Çetta, Latif Berisha, Bajram Kelmendi dhe personalitetet të tjera, të cilat bëhen pjesë e “Bardhësisë intelektuale!”.

Në enciklopedinë “Bardhësitë e Atdheut”, janë përfshirë edhe dëshmorë të veçantë, siç janë shqiptaro-amerikanët, përkatësisht, vëllezërit: Mehmet, Agron dhe Yll Bytyçi, si dhe disa dëshmorë nga shtetet e huaja: Algjeriani, Murad Muhamed Ali, francezi, Arnaud Pierre Paillard dhe italiani, Françesko Bider Biella. Libri enciklopedik “Bardhësitë e Atdheut”, me autor, Afrim Mustafa, përmbyllet me fotografitë dhe shënimet për 45 presidentët amerikanë, që nga Xhorxh Washington e deri te presidenti aktual, Donalt Trump.

Shikuar në përgjithësi, enciklopedia e Afrim Mustafës, është qasja dhe përpjekja më reale e një autori, për ta prezantuar luftën pa anime politike dhe pa ndikime rajonale. Kjo vepër e bën Afrim Mustafën gjurmues dhe hulumtues të zellshëm, kryesisht i pasionuar pas të vërtetës dhe realitetit që ka ndodhur në rrethana të caktuara. Ai, duke shfrytëzuar burime të shumta dhe të ndryshme e ka bërë faktin më të besueshëm, kurse qasjen e trajtimit, mjaft serioze.

Sigurisht, pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e autorit në luftë ka ndikuar edhe në konceptin e Enciklopedisë, e cila si e tillë është libër mjaft i kompletuar. Këto gjurmime dhe hulumtime i bëjnë secilit nder, sepse mbledhja dhe publikimi i gjithë këtyre të dhënave brenda një libri, jo vetëm për dëshmorët e rënë për liri, por u ka bërë një nder të veçantë familjeve dhe familjarëve të tyre, duke i dhënë dimension më universal veprës “Bardhësitë e Atdheut”… Andaj,  do të ishte mirë, sikur institucionet e Kosovës ta ndihmojnë autorin, në mënyrë që enciklopedia edhe në aspektin teknik, të ketë parametra të lartë dhe libri, gjithsesi, të botohet me ngjyra… Në këtë mënyrë, rritet vlera artistike e veprës në njërën anë, kurse në anën tjetër tregohet edhe përkushtimi i shoqërisë për dëshmorët, sepse autori (edhe kështu siç është ky libër), e ka kryer misionin e tij në raport me ATA, që na sollën lirinë!

Autori, i pasionuar pas të vërtetës dhe realitetit që ka ndodhur në rrethana të caktuara…

Brenda, “Bardhësisë së Atdheut”, janë prezantuar dëshmi e fotografi për masakrat e terrorit serb, në fshatrat Reçak, Abri, Stagovë, Izbicë, Rakoc, Lybeniq, Suharekë, Kotlinë, Llashticë, si dhe në Sllupçan të Kumanovë, në maj të vitit 2001. Gjithsesi, libri enciklopedik, “Bardhësitë e Atdheut” i Afrim Mustafës, shtjellon fakte të shumta, pasqyron ngjarje dhe luftën e UÇK-së, të cilat edhe nëse i kemi dëgjuar, memoria e shoqërisë nuk i ka arritur t’i mbajë të gjitha në mend, andaj duke shfletuar këtë libër, i rikujtojmë ngjarjet e mëdha, e duke rikujtuar nuk i harrojmë ato sakrifica dhe ato flijime për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës…

Libri, “Bardhësitë e Atdheut”, i Afrim Mustafës, mund të trajtohet edhe në dimensione të tjera, sigurisht këtë do ta bëjnë specializantë dhe kompetentë në fusha përkatëse. Por, Afrim Mustafa dhe shoqëria jonë  kanë sfida të madha para vetës, për të vazhduar mbledhjen dhe sistemimin, pse jo edhe publikimin e atyre të dhënave, që nuk janë prezantuar këtu dhe në botime të tjera të autorit, si dhe nëpër librat e kësaj natyre me autorë të  tjerë. Këtë obligim karshi autorit, e kanë të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët dinë dhe kanë fakte të reja, duhet t’ia afrojnë autorit për t’i radhitur e sistemuar. 

Mendoj se, po me këtë përkushtim ndaj luftës dhe të rënëve, duhet të paraqiten edhe përpunues teknikë të fotografive, në mënyrë që fytyra e luftëtarit dhe e dëshmorit të duket pasqyrë e tashmes dhe e lirisë së Kosovës, tamam ashtu siç ishte e pastër Lufta e UÇK-së për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. 

Autori, Afrim Mustafa, e ka përmbushur misionin e tij prej luftëtari, i cili në Lirinë e Kosovës, historiografisë shqiptare ia dhuroi një vepër me përmasa të një enciklopedie nacionale!…

St. Gallen, 17 Dhjetor, 2018

Fotografia e Afrim Mustafa

Filed Under: Komente

Gjuha, ky amanet i madh i përbashkët që mban gjallë Kombin

December 16, 2021 by s p

Shkruan Blerim Ciroka

Të kënaqet shpirti kur i shikon futbollistët e përfaqësueseve të futbollit të Shqipërisë dhe Kosovës ose përsonazhe të njohur mediatik të cilët kanë lindur dhe janë rritur në shtete të huaj por gjuhën e Nënës e flasin sic i ka hije, pastër dhe me plot vetëbesim. Padyshim që ky është standardi dhe kështu duhet të veprojmë të gjihtë me fëmijët tonë që po rriten në vende të huaja.

Por ka edhe raste kur je në një ambient publik dhe fëmijët tonë flasin në gjuhë të huaj me ne, prindërit e tyre. Akoma më keq kur i pyet: Si je? Mirë. Sa vjec je? Mirë. Ku e ke shtëpinë? Mirë…  K raste që këto fëmijë e mësojnë edhe ndonjë `faleminderit` apo ndonjë `po`, dhe kjo është gjuha e tyre. Të vjen keq e turp që nuk dinë përgjigje tjetër. Kaq, madje akoma më shumë se kaq do të mësonte cdo i huaj nga gjuha jonë e bukur.

Gjatë verës kjo bëhet edhe më shqetësuese kur grumbodhohemi në vendet tona dhe fëmijët tonë i dëgjon të flasin të gjitha gjuhët e botës, përkatësisht gjuhët e vendeve ku jetojnë por vetëm gjuhëne nënës jo, thua se e bëjnë me marrëveshje inati.

T`i themi kompleks inferioriteti, t`i themi injorancë, t`i themi pakujdesi e prindërve, t`i themi mungesë respekti ndaj vetvetës ndaj asaj që jemi, t`i themi mungesë kohe për tu`a mësuar gjuhën me të cilën jemi krijuar, t`i themi se ne nuk ia dimë vlerën gjuhës tonë, të themi se sot është e veshtirë të mësosh një gjuhë të dytë-kjo është dhe duhet të jetë e para- kur dihet se sa mundësi të jep interneti, televizioni, etj., më thuaj c`farë t`i themi?

Janë po të njëjtët fëmijë, jemi po të njëjtët prindër që e bëjmë Shqiponjën me duar dhe i këndojmë këngët patriotike të bëra hite sa herë që na jepet mundësia për të shfaqur krenarinë tonë të natyrshme me identitetin tonë Kombëtar, që është dicka shumë e mirë. Por a thu që identiteti ynë kombëtar duhet të mbesin vetëm në nivelin folklorik larg realitetit dhe kuptimit të vërtetë? 

Intektualë nga e gjitha bota shpenzojnë vite e vite, pasuri e shumë energji për të mësuar një gjuhë të huaj, sepse një gjuhë më shumë vlen shumë. Universitet e ndryshme hapin katedra të gjuhëve të huaja duke shpenzuar shumë sepse një gjuhë e huaj meriton pasurinë, meriton kohën, meriton energji e sakrifica të tjera.

Po cfarë ndodh nëse ua mëson fmijëve tuaj gjuhen tënde dhe tregohesh i vendosur në këtë mission personal, njerëzor dhe kombëtar? Studimet shkencore kanë vërtetuar se fëmijët që dijnë më shumë senjë gjuhë shkojnë më mirë me mësime, kanë më shumë informacion, kanë më vetëbesim sepse ndjehen mirë më identitetin e tyre kombëtar në këtë rast, intelektualisht janë më aktiv, kanë përqendrim më të fortë, aftësitë për të zgjidhur probleme i kanë më të zhvilluara, kanë komunikim më të mirë, kanë memorie më të fortë, shërohen më shpejt nga sëmundjet e trurit kur ato shfaqen, kanë mundësi për t`i lexuar literaturën e asaj gjuhe në origjinalin e saj, ata që dinë një gjuhë të huaj e kanë shumë më të lehtë të mësojnë edhe një të dytë të huaj, etj.

Ku ka më mirë se ne të komunikojmë me brezin e ri të fëmijëve Shqiptarë, kur do e ku do të takohemi me ata, pavarësisht se kur janë lindur e rritur e ku jetojnë, të gjithë të flasim gjuhën tonë, gjuhën Shqipen, ndërlidhësen me të rëndësishme dhe më të pazëvendësueshme që ekziston. Ku ka më mirë se edhe në familjet ku njëri prind nuk është Shqiptar përsëri fëmijët e asaj familjeje kuptojnë dhe flasin gjuhën e bukur Shqipe, kur në këto familje kur prindi Shqiptar u flet fëmijëve të tij vetëm se Shqip këmbëngul me cdo kusht që fëmijët e tij të flasin Shqip. E pikërisht kjo këmbëngulje herët a vonë do t`i japin rezultatet. 

Ke kënaqësi të madhe kur dëgjon një pjesë të brezit të ri që ka lindur e rritu jashtë vnedit të origjinës se si i flasin dialektet e bukura që ka gjuha Shqipe, kur i shikon ata tek flasin Shqip me plot krenari dhe vetëbesim. Ku ka më mirë se gjyshërit gjyshet flasin e kënaqen kur flasin më nipërit e mbesa që jetojnë jashtë në gjuhën tonë Shqipe. 

Le ta ruajmë këtë gjyhë se është e jona, le ta ruajmë këtë gjuhë se vetëm përfitime kemi nga ajo, le ta ruajmë këtë gjuhë se me gjuhë fillon e mbaron vërtetësia jonë kombëtare. Gjuha është një amanet i madh e i përbashkët që mban gjallë Kombin.

Filed Under: ESSE

LIKUIDIMI I PARISË SË SHESTANIT

December 16, 2021 by s p

Dosja: Krimet e komunizmit

(75-vjetori i vrasjës së Lekë Macit Përkolaj)

Si në asnjë zonë e banuar me popullsi shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore(1941-1944), zona e  Shestanit në veri-perëndim të Krajës  kishte status neutral e udhëhequr nga Komiteti i Shestanit, në mbrojtje të popullsisë vendase, me qeverisje lokale, por me të përfunduar lufta e vendosjës së pushtetit të komunistëve, paria e zonës u burgos dhe u dënua me pushkatim duke i trajtuar ata  si armiq të pushtetit dhe të ideologjisë komuniste 

Nail  Draga

Ndër personalitetet më të njohura në Shestan në shek.XX, bën pjesë  Lekë Maci Përkolaj(1890-1046), i cili  ka lindur në vitin 1890 në Ndrekaj(sllavisht Karanikiq) në Shestanin Poshtë, në veri-perëndim të Krajës. Në sajë të kushteve të pavolitshme sociale, si shumë bashkëmoshatar të tij, mori rrugën e emigrimit në moshën 18 vjeçare, duke u vendosur në Stambollë, ku ma parë këtu ishte vendosur vëllau i tij Kola. Duhet cekur se në këtë kohë vendi me i preferuar për emigrimin e shqiptarëve  ishte Stambolla, vend ku ishin vendosur më parë edhe shumë banorë nga Shestani e tërë krahina e Krajës. Pas një kohe filloi të punojë në ambasadën e Francës  në Stambollë. Por, pas pesë viteve sa punoj aty Leka, në sajë të transferimit të ambasaorit francez në Tiranë(Shqipëri) ai e mori Lekën me vete, duke qenë pjesë e stafit të ambasadës. Leka dallohej me punë e korrektësi në shërbim, ndërsa përveç gjuhës shqipe e serbishte njihte edhe gjuhën franceze e ate spanjolle. Këtu punoi deri në vitin 1939, koha kur filloi Lufta e Dytë Botërore,kur Gjermania e pushtoi Francën, ndërsa ambasadori francez u largua nga Tirana dhe u vendos në Egjipt. Aty i ofroi mundësi edhe Lekës të jenë së bashku, por Leka e refuzoi sepse kishte vendosur të ishte pranë familjes dhe në vitin 1940, pas shumë viteve u rikthy në vendlindje në Shestan(Krajë).

Zona neutrale dhe Komiteti i Shestanit

Pas sulmit të Gjermanisë ndaj Mbretërisë së Jugosllavisë në prill 1941 dhe shkatërrimit të saj, populli i Shestanit në sajë të përvojës së hidhur nga e kaluara prej çetnikëve malazezo-serbë të njohur si “bjellashi” nga viti 1918-1929  të cilët vranë, djegën dhe  plaçkitën  popullsinë vendase vendosën të organizohen në vetëmbrojtje,  me qëllim që mos të përsëriten vuajtjet e tyre ma herët.

Pikërisht nga përvoja e hidhur  nga e kaluara populli i Shestanit, por edhe nga Muriqi e Ljarja në një tubim vendosën të shkojnë në Shkodër për të prezantuar shqetësimet e tyre, ku pushteti iu dha armë për mbrojtje e po ashtu u mbeshet idea për formimin e Zonës Neutrale të Shestanit, që u formu në fillim të vitit 1942, ku kryetar i së cilës u zgjodh Lekë Maci Përkolaj. Në kuadër të Komitetit të Shestanit çdo katund kishte përfaqësuesin e vet: 1.Lekë Përkolaj, kryetar, 2.Jakov Vresku, prif-sekretar, 3.Gjon Gjokmarkaj(Bardhaj-Gurrzë), 4.Maci Nikpalaj(Pecaj), 5.Gjon Malaj(Gjuraç), 6.Haxhi Murati(Muriq), 7.Isuf Osmani(Bes) dhe 8.Lekë Nilaj(Ljare). 

Kemi të bëjmë me periudhën 1941-1944, kohë e cila dëshmoi se statusi i zonës neutrale ka qenë pozitiv për Shestatin me qeverisje autonome lokale, sepse qytetarët nuk kanë qenë të rrezikuar nga gjendja e luftës e cila ishte në viset tjera, pa prani të fashistëve apo të partizanëve ku populli lëvizte lirishëm, kanë shkuar për tregti në Shkodër, e Tivar për furnizime me ushqime e çështje të tjera të nevojshme. Për të parën herë u hapën shkollat në gjuhën shqipe, në Dedaj mësues ishte Gjergj Vata ndërsa në Muriq Qazim Kraja. Ishte koha e  lirisë  së munguar dhe të  shpalosjës së identitetit kombëtar shqiptar.

C:\Users\123456\Desktop\Dokument për Krajën, Memorandumi i parisë së famullisë së Ljarës e Shestanit 1941\Komiteti i Shestanit dokumente\12A.jpg

Vula e Komitetit  dhe nënshkrimi i kryetarit Lekë Përkolaj

Në rrethan të tilla shoqërore, me 10 prill 1942 një delegacion i Komitetit të Shestanit shkon për vizitë në Tiranë të ministri i Punëve të Brendshme Maliq Bushati  dhe i paraqesin  Memorandumin nga paria dhe kleri i Famullisë së Ljarës dhe Shestanit i nënshkruar nga 13 persona që ishin paria e këtyre fshatrave. Kemi të bëjmë me kërkesa të ligjshme të popullsisë shqiptare të kësaj zone, të drejta të mohuara nga viti 1878, kur kjo zonë në sajë të vendimeve të Kongresit të Berlinit iu dhurua Malit të Zi. Në këtë Memorandum prej tetë pikash  në mes tjerash kërkohet edhe bashkimi me Shqipërinë(VI). 

Ndonëse gjatë Luftës së Dytë Botërore nga komunistët për të përfituar mbeshteje popullore  kundër pushtuesëve theksohej se si të  përfundoj  lufta do të lejohet deklarimi i lirë i qytetarëve se me cilin vend do të bashkohën. Madje një ide e tillë garantohej  edhe nga  Karta e Atlantikut,  por realiteti dëshmoj të kundërtën sepse të gjithë ata që kërkonin realizimin e idesë së tillë akuzoheshin  dhe janë ndjekur si armiq të pushtetit komunist. 

Burgosja dhe dënimi

Se pushtetit të ri i pëngonin  personat me autoritët e në veçanti paria e Komitetit të Shestanit  u dëshmu   me 29.6.1945,  ku OZN-a arrestoi fillimisht kryetarin e Komitetit, Lekë Perkoliqin, e dy shestanas tjerë prej Gjuraçit , Vuk Pjetër Malaj dhe Gjon Zef Malaj anëtar të Komitetit dhe i dërguan në burgun e Cetinës. Ndërsa  pas disa ditësh OZN-a përsëri  në Shestan  arrestoi dhe i dërgoi në burgun e Cetinës edhe katër shestanas të tjerë. Të gjithë këta u mbajtën në qeli e u torturuan plot katër muaj, duke u munduar t’i bëjnë të pranonin se kanë punuar për shkëputjen e Shestanit nga Jugosllavia dhe bashkimin e tij me Shqipërinë.

Ndonëse pushteti i ri ishe civil dhe udhëhiqej nga komunistët, realisht drejtohej nga policia politike, përkatësisht sigurimi i shtetit OZNA(UDBA). Ishte pikërisht UDBA e cila kishte përgatitur aktpadinë për prokurorin publik të qarkut kundër Lekë Macit Përkolaj dhe të akuzuarëve të tjerë(nr.197/133, 31.X.1945). Pas dëgjimit të të pandehurve dhe shumë dëshmitarëve të rrejshëm, në mesin e të cilëve shquhej shqiptari Vasi Pjetrit Macit, gjegjësisht Vasilije Llukiq, i cili veten nuk e konsideronte shqiptar, më 26 maj 1946 Gjykata Popullore e Rrethit në Cetinë shpalli aktgjykimin me të cilin Lekë Perkolaj, Gjon dhe Vuk Malaj u dënuan me vdekje,  ndërsa Kolë Nrekoviqi me 20 vjet burg, Palë Margjonoviqi me një vit burg, Pjetër Gjokgjuriqi me 18 muaj burg, ndërsa Gjon Vuçetiqi u lirua nga aktakuza.

Populli ishte në mbrojtje të Lekës

Duke marrë parasysh se kishte të drejtë në ankesë në këtë aktvendim, djali i Lekës Zefi për të paraqitur ankesën mbledh  280 nënshkrime nga shestanas, ljaras e muriqas e shestanas që jetojshin në Tivar dhe përgatitet për ta dërguar në  gjyq në Cetinë e ata me tutje në Gjykatën Supreme në Beograd. Por, një ditë para se  Zefi  të shkojë në Cetinë,  nga komiteti i Tivarit  e ftojnë dhe e kërcënojnë se ke vepruar gabim sepse nuk duhet të mbrohet një trathtar i popullit. Ishte ky një kërcënim, ku me pas ia morën lutjen, por, Zefi kishte pasur kopje të lutjës dhe një ditë më pas shkon në gjyq në Cetinë, duke i treguar gjyqtarit për ngjarjën e ndodhur. Nga gjyqi i Cetinës lutja është dërguar në Beograd, e ata më pas e kanë dërguar në Komitet të Tivarit  për të vërtetuar nënshkrimet e qytetarëve. Me të ardhë kërkesa nga Beogradi, nga komiteti i Tivarit angazhohen nga UDBA, dhe bashkëpuntorët e tyre vendas, duke friguar popullin dhe kërkuar nënshkrimin nga ana e tyre për të dënuar Lekën, ku arritën të mbledhin vetëm 20 nënshkrime(!?). Ishte kjo një dëshmi se populli ishte në mbrojtje të Lekës, se ai nuk kishte bërë krime por ka mbrojtë popullin si në Shestan dhe me gjerë. Por, gabimi i tij  ishte se ka qenë shqiptar, demokrat e  antikomunist dhe ndikoi në zgjimin e vetëdijës kombëtare shqiptare  në këtë zonë, që ishte e pa pranueshme për pushtetin e ri.  

Dhe nga një gjyq i tillë politik i dirigjuar nga OZNA në bashkëpunim me pushtetin komunist të instaluar, gjyqi la në fuqi vendimin për vdekje të cilin e realizoi me 16.9.1946, duke i pushkatuar të tre në Cetinë  në vendin Bjellashka Papratina. Ishte ky vendi i kobshëm për shqiptarët sepse dy ditë më parë aty ishte pushkatuar dom Nikollë Tusha, prifti i kishës së Shën Zefit në Ulqin.

Rivarrimi pas 56 viteve 

Ndonëse ka pasur nisma edhe më parë në lidhje mbi  rivarrimin e Lekë Macit në vendlindje,  deri më rënien e sistemit komunist ishte e pamundur! Por, në sajë të kërkesës së familjarëve me së fundit pas 56 viteve, pikërisht në vjeshtë të vitit 2002, u realizua rivarrimi në vendlindje në varrezat e kishës së Tuçilës në Gjuraç! 

Pasojat për popullsinë e Shestanit.

Vendosja e pushtetit të komunistëve në këtë  mjedis dëshmoi  se populli u ballafaqu me një realitet të ri të  imponuar. Shkolla shqipe e hapur në vitin 1941-44 u mbyll, duke u hapur në gjuhën serbe, njëjtë si në kohën e mbretnisë jugosllave. Se propaganda politike ishte kundër identitetit të shqiptarëve  u dëshmu edhe në sajë të regjistrimit të popullsisë të mbajtur më 1948. Të dhënat e publikuara se në Shestan nga  popullsia e përgjithshme prej 1461 banorëve si shqiptar    janë deklaruar vetëm 6 persona, ndërsa të tjerët  malazez, është dëshmi e politikës shkombëtarizuese, kundër  shqiptarëve në Mal të Zi e dirigjuar nga pushteti komunist! Dhe një politikë e tillë me pas pati efektet e veta negative  sepse popullsia shqiptare u asimilu në heshtje  duke u deklaruar si malazeze apo kroate kryesisht në Tivar.

Pikërisht duke marrë parasysh një qendrim të tillë të pushtetit deri më tash nuk kemi dëgjuar se ndonjë person nga Shestani është shkolluar  apo  ka bërë emër në profesionin e tij. Ndërsa e kundërta ka ndodhë me shqiptarët në pjesën tjetër të Krajës, ku është zhvilluar arsimi në gjuhën shqipe. Nuk ka dilemë se  eliminimi i parisë së Komitetit të Shestanit kishte këtë mision, ku pushteti ia ka arritur qëllimit, ku të dhënat e prezantuara në vitet më pas e dëshmojnë një konstatim të tillë! 

Përfundim 

Gjatë LDB(1941-1944) Shestani ishte me status të veçantë  që  drejtohej nga Komiteti i zonës neutrale duke qenë rast i veçantë, në viset shqiptare. Roli i tij ishte mbrojtja e popullsisë vendore nga sulmet e ndryshme serbo-malazeze e cila nga e kaluara ka pasur përvojë të hidhur nga viti 1918-1929, si dhe mos lejimin e pranisë së çetnikëve e partizanëve në këtë mjedis. Pikërisht ky status dhe qeverisja autonome nuk është pritur mirë nga komunistët të cilët këtu nuk kanë pasur mbështetjen e tyre ideologjike. Andaj pas përfundimit të luftës u realizua plani djallëzor i tyre për të eliminuar udhëheqësit e Komitetit të Shestanit, ku pasi i burgosën iu organizuan procesin gjyqësor politik duke i dënuar me pushkatim si armiq të pushtetit komunist. Eliminimi i parisë së Shestanit pati pasoja të mëdha për popullsinë vendore  që u dëshmu  sidomos në procesin e asimilimit  kombëtar.     (Dhjetor 2021)

C:\Users\123456\Desktop\img038.jpg

Lekë Maci Përkolaj(1890-1946)

Filed Under: Histori

SHQIPËRIA: NJË SHEMBULL TRAGJIK I DËSHTIMIT TË DEMOKRACISË

December 16, 2021 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidenceA e patë funeralin e demokracisë shqiptare të martën? A e shikuat paradën e 6 ambasadorëve — 6 vendeve më demokratike perëndimore, aleate të Shqipërisë — duke shkuar tek selia e Partisë Demokratike në Tiranë?

Nuk dua të merrem më me subjektin e ndërhyrjeve të ndërkombëtareëve në punët që nuk u takojnë, sepse kam reaguar dyzina herë me shkrimet e mia modeste gjatë viteve të fundit.  Frank Shkreli: Diktatura më e rrezikshme, është ajo që, paraqitet me maskën e demokracisë! | Gazeta Telegraf  Për këtë, fajin e ka, kryesisht, klasa politike shqiptare e dështuar, por edhe ndërkombëtarët duhen t’a dinë më mirë rolin e tyre. Se një shfaqje e tillë si kjo e ditës së martë, nuk është diplomatike, se i kalon të gjitha vijat e kuqe, se vërtetë përben një shkelje flagrante dhe është një ndërhyrje, e paskrupullët, në punët e mbrendshme të një partie. Unë shpesh e kam shprehur përbuzjen time ndaj klasës politike shqiptare, të periudhës, gjoja “post-komunitse” të këtyre tre dekadave të fundit, pa dallim partie.  Por, në saje të lirisë së fjalës që gëzoj si shtetas amerikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kam kritikuar, me arsye besoj unë, shpesh edhe sjelljet e diplomatëve të huaj në Tiranë, përfshir ambasadoren amerikane atje. 

Prandaj në këtë vijë, dua të them edhe kësaj heres se vizita e djeshëme e diplomatëve përendimorë – të ftuar ose jo — në selinë e Partisë Demokratike ishte gjithashtu e papranueshme dhe e njëanshme.  Kjo shkelë të gjitha normat diplomatike! Në sytë e një personi si unë që jetoj në Amerikë, një akt i tillë si ai, që u luajt në kryeqednrën e Partisë Demokratike të Shqipërisë ditën e martë më bindi se ju të nderuar diplomatë, përfaqsues të Amerikës dhe të Evropës në kryeqytetin e Shqipërisë, jeni në përplasje dhe në konflikt të drejt për drejt me realitetin politik me të cilin pëballet vendi ku ju shërbeni – në Shqipëri.

Një shfaqje e tillë, nga ana e juaj, nuk ndihmon zhvillimin e mëtejshëm të demokracisë në Shqipëri — kredibilitetin tuaj si ndërmjetës të paanshëm midis palëve, jo se jo, ndërsa  në radhët e shqiptarëve, qoftë përkrahësve të opozitës, qoftë edhe të pozitës keni humbur besueshmërinë plotësisht. Kur humb kredibilitetin, ke humbë çdo gjë, thotë një fjalaë e vjetër. “Nëqoftse humbë pasurinë, nuk ke humbur asgjë; nëqoftse humbë shëndetin, ke humbur diçka; por nëqoftse humb karakterin, ke humbur gjithçka.”  Woodrow Wilson 

Prandaj të nderuar diplomatë, një thënje tjetër, autori i të cilës nuk po më kujtohet, tani për tani, por thotë përafërsisht: Kur njerzit nuk kanë asgjë për të humbur, pasi kanë humbur çdo gjë, ata vërtetë e humbasin…Shumë shqiptarë, fatkeqësisht, po e “humbasin”, dhe me përbuzje ndaj zhvillimeve të këtyre viteve në vendin e lindjes, kryesisht, për arsye të mosaftësisë qeverisëse dhe konflikteve midis liderve tyre, por edhe për shkak të sjelljeve të ndërkombëtareve ndaj kësaj klase politike, shqiptarëve nuk u ka mbetur tjetër alterantivë veçse të largohen nga dheu i të parëve.

A group of people sitting at a table with flags behind them

Description automatically generated

Ambasadorët e vendeve mike të Shqipërisë dhe të shqiptarëve shkuan dje për të shprehur “ngushëllimet” e rastit – një gozhdë tjetër në arkivolin e demokracisë së vdekur në Shqipëri, sado e brishtë që ishte. Duket ambasadorët shkuan dhe dolën prej andej pas një ore e pak minuta, duke mos bërë as një deklaratë se kush i ftoi, se pse ishin aty, për çfarë u folë dhe kush ishte objektivi i takimit. Aq, sa për transparencën e diplomatëve përendimorë në Tiranë, duke ngritur një shkallë më lartë mosbesimin e shqiptarëve ndaj sjelljeve të diplomatëve të huaj dhe marrëdhënive të tyre me përfaqsuesit e kësaj klase politike të dështuar, e cila dita ditës por zbrazë atë vend, duke detyruar arratisjen e shqiptarëve nga atdheu i tyre si në kohën e komunizmit, por me të vetmin ndryshim se tani numri i të larguarve arrinë në qindra mijëra shqiptarë. Shqiptarët me të cilët unë bisedoj, më thonë se shumë prej tyre janë të bindur se perëndimorët kanë arritur në përfundimin e të pranuarit të Shqipërisë — jo si një demokraci e vërtetë – por si një shtet autoritar,  erdoganist ose putinist.

Ky takim i ambasadorëve në selinë e PD-së, ashtu si edhe të tjera takime të kësaj natyre në të kaluarën me politikanët shqiptarë, kaloi pa asnjë koment.  Sidomos në këtë periudhë krize të madhe politike në Shqipëri, shqiptarët duan të dinë se ç’po ndodhë në vendin e tyre, dhe për ke po bien këmbanat, gjë që më kujtoi atë frazën anglisht, “For Whom the bell tolls”,  që i referohet kambanës së kishës që bie kur vdes një njeri, por për të cilin nuk duhet të jemi aq kuriozë se kush është njeriu i vdekur. Shqiptarët duan të dinë nëse kjo kambanë po bie për të paralajmëruar “vdekjen” e demokracisë në Shqipëri, apo të ndonjë personi.  Por, ama, sipas predikuesit anglez të shekullit XVI,  “No man is an island, entire of itself; every man is a piece of the Continent, a part of the main… Any man’s death diminishes me, for I am involved in mankind. Any therefore never send to know for whom the bell tolls; it tolls for thee.”

Që pak a shumë – diplomatët perëndimorë duhet ta dinë domethënien e kësaj: mos pyet se për ke bie kambana, mos pyet se kush ka “vdekur”, sepse kambana bie edhe për ty, pasi edhe ju jeni pjesë e kësaj bote që e quajmë njerëzim, ashtuqë kur “vdes” dikush ose diçka, siç është demokracia, edhe një pjesë e juaja vdes, edhe e demokracisë tuaj. Ky është shpjegimi i kësaj thënjeje pra, se nëqoftse vdes demokracia shqiptare, pa dyshim, se do vdes edhe një pjesë e demokracisë në vendin që ju përfaqësoni në Republikën e Shqipërisë.

Atëherë, në minimum, nëqoftse nuk mund të ndihmoni në zhvillimin e një demokracie të vërtetë në Shqipëri, atëherë të pakën mos e pengoni një gjë të tillë.

Demokracia nuk pret për shqiptarët, të nderuar diplomatë.

Frank Shkreli

Demokracia e vërtetë në Shqipëri u lodh duke pritur, për 30-vjet. E destinuar të dështonte që nga fillimi, fatkeqësisht, pasi demokracia e vërtetë, nuk ka asgjë të përbashkët me trashëgiminë enveriste — zhduke kundërshtarin — që mbrohet edhe sot nga kjo klasë politike e cila refuzon të distancohet nga krimet e regjimit komunist, përballë heshtjeve arrogante të ndërkombëtarëve ndaj atyre krimeve. Shikoni pak më imësisht atë të kaluar dhe do të zbuloni shumë shpejt se pse Shqipëria gjëndet në situatën në të cilën është sot. 

Frank Shkreli

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2680
  • 2681
  • 2682
  • 2683
  • 2684
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT