• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

15 DHJETORI 1944 DITA E ÇLIRIMIT APO E RIPUSHTIMIT TË TUZIT

December 15, 2021 by s p

NGA NDUE  BACAJ

Tuzi me rrethinat (troje të Malësisë Madhe të mbetura nën Malin e Zi, që nga kongresi i Berlinit 1878 dhe Konferenca e Londres 1913), me çfardo organizmi (komunë e varur nga Podgorica apo  komunë me të drejta të plota si çdo komunë në Mal të Zi…), perkujton e feston  15 dhjetorin, si ditën e çlirimit nga nazifashistët. Kjo ditë perkujtimi e festimi i perket vitit 1944 , kur  forcat gjermane në terheqje largohen nga Tuzi e troje të tjera për-rreth të Malësisë së Madhe. Per hirë të vertetës duhet të themi se këto troje të Malësisë e Shqiperisë Etnike, pas pushtimit fashist , dhe memorandumit të 12 majit  1941 të parisë së Tuzit e trojeve të tjera të Malësisë Madhe, me dekretin e dates 7 gusht 1941 të Francesko Jakomonit, (mbëkëmbësit  të mbretit të Italisë Fashiste në Shqipëri) , keto troje u ribashkuan me Malësinë e Shqiperinë, ku qendra e N/Prefekturës së Malësisë Madhe u transferua nga Kopliku në Tuz , ku edhe u vendos N/Prefekti, administrata perkatëse, dhe institucionet të tjera në sherbim të Trojeve të bashkuara me Shqipërinë nanë. Siç dihet bashkimi i ketyre trojeve me Shqiperinë , ndonse kishte edhe qellime propogandistike nga pushtuesi fashist , ai u bë  realitet i prekshëm nga malësorët e ketyre trojeve etnike shqiptare të pervluem me u ribashkua me Shqipninë nanë. Një ribashkim i till solli jo pak gëzim ndër malësor , pasi kufiri i padrejtë me miratimin e Europës plakë, kishte ndarë vëllan prej vëllaut dhe votren prej votres. Këtë ribashkim të trojeve etnike shqiptare e urrenin hapur çetniket mbretëror të Jugosllavisë, të kapitulluar e dorzuar para pushtimit fashist, por e urrenin fshehtas edhe kumunistët e partizanët e tyre serbo-malazez e jugosllav. Këtë e tregojnë disa beteja luftarake, që u është dashur  të zhvillojnë në mbrojtje të trojeve të tyre etnike  malësorve shqiptar , kundër çetnikëve  dhe partizanëve komunist malazez , që kerkonin tu prishnin “endërren” e ribashkimit që po jetonin me Shqipninë nanë, si dhe ti friksonin për të ardhmen. Betejat janë konkrete, me data, me emra luftëtaresh , por edhe të rënësh malësorë në luftë me çetniket mbretëror dhe partizanët komunist malazez-jugosllav, që per nga  antishqiptarizmi nuk ndryshonin thuajse aspak. Komunistët jugosllav pasi krijuan bijen e tyre , Partinë Komuniste të Shqiperisë, per tu dukur si “bashkohorë” kishin hellur për konsum rrenën e madhe, se pas fitores mbi fashizmit , edhe shqiptarët e ketyre trojeve (Tuzit , Malësisë e më gjërë) , kanë të drejten e vetvendosjes per t’u bashkuar me Shqiperinë. Dhe këtë e  deklaronin se ua garantojnë të drejtat e liritë njerzore të popujve dhe lufta antifashiste, luftë që sipas rrënës sllavo-komuniste i kishte vëllazëruar malazezët pushtues dhe malësorët e pushtuar… Pati mjaftë malësor e shqiptar që besuan këtë rrenë me bisht sllave, madje edhe luftuan e dhanë jetën së bashku me partizanët (komunist) malazez e jugosllav , kunder pushtuesve fashist italian e gjerman. Si për ironi të fatit me datën 15 dhjetor (1944) , (që perkujtohet e festohet si dita e çlirimit të Tuzit), kanë ra duke luftuar kundër  ushtrisë gjermane pesë malësor (nga Hoti e Gruda), të cilët besonin në premtimet e komunistëve malazez-jugosllav-shqiptar, e si per inatë të historisë kjo  betejë zhvillohet në Deçiqin e Flamurit Kombëtar të 6 prillit 1911… Edhe pas kësaj date  bien duke luftuar (me18 dhjetor) kundër ushtrisë gjermane dy grudas e tjerë.  Besimin në rrenën-premtim të komunisteve jugosllav e shqiptar e forcuan për ta besua , forcat partizane komuniste shqiptare që erdhen në ndihmë të atyre jugosllave,  me në krye general Gjin Markun. Këto forca partizane në të vertet zhvilluan disa beteja kundër ushtrisë gjermane në terheqje , ku dhanë jetën edhe  partizan shqiptar.  Si simbol kujtese i kësaj ndihme të ushtrisë partizane shqiptare ndaj “vëllezërve” jugosllav, do të qendronin deri në vitin 1991 dy pllaka në Hot (në anën e shtetit shqiptar),  njëra pllakë kishte shkrimin: këtu me 28 nëntor 1944 kaloi brigada e VI-të sulmuese  e ushtrisë nac-çl të Shqipërisë per të ndihmuar çlirimin e popujve të Jugosllavisë , ndersa në pllaken tjetër shkruhej : në fillim të dhjetorit 1944 këtej kaluan forcat e brigades VII-të sulmuese të ushtrisë nacional-çlirimtare  të Shqiperisë , të cilat luftuan dhëmb për dhëmb me armikun deri në Vishegrad… Si çdo rrenë që  thotë populli i ka këmbët e shkurtëra edhe kjo i pati të tilla… 

Me daten 07 shkurt 1945 , në fushë të Tuzit do të detyronin të mblidhen të gjithë burrat e aftë për armë të Tuzit e Malësisë. Në tribunë do të zejshin vend Shfeqet Peçi me shokë të shtabit të tij nga ana e qeverisë Shqiptare dhe Gjeneral Gjoku Mirasheviç me një sasi të madhe autoritetesh civile e ushtarake jugosllave. Takimin e hapi Shefqet Peçi, i cili me fjalë të parë i lajmëroi malësorët se janë të rrethuar nga çdo anë prej divizioneve Shqiptaro – Jugosllave, dhe i porositi për qetësi duke i ftuar të dorëzojnë armët aty për aty. U komunikoi shkuarjen e kufirit prapë në Han të Hotit, ndersa i porositi ata burra shqiptarë t’i duan Serbo – Malazezët, me të cilët gjoja i kishte vëllazëruar lufta… Mandej u kthye  Shefqet Peçi nga gjeneral Gjoku Mirasheviç me shokë e u tha: “Qe ku po ua dorëzojmë këta derra reaksionarë që t’i bani turbiet, pse neve nuk na duhen gja, prandaj mos u kurseni me ta. Qe dajakun që t’i rrihni, qe fishekun që t’i vrisni në qoftë se nuk ju duan e nuk ju ndigjojnë. Ky tubim do të pasohej nga një tjetër ku vet  Mehmet Shehu në Tuz do tu komunikonte Malësorve shkuarjen e kufirit në Han të Hotit e ribashkimin me Malin e Zi… E pas këtyre takimeve ku komunistët shqiptar i bënë “lanet” malësorët , ustadharet malazez me në krye Bajo Stankoviçin, Aleksandër Rankoviçin “viça e viqa” të tjerë do të pushkatonin e masakronin dhjetra nacionalista malësorë , me të vetmin “faj” se i donin trojet e tyre me nanën Shqiperi e jo me Jugosllavinë e Malin e Zi. Ndersa shqiptarët e Kosovës do ti “gostisnin” me masakren e Tivarit , ku rreth 5000 shqiptar do ti bënin “kurban” të dashurisë Tito-Enver… Enveri si shperblim do të dekoronte ata malazez, serb e jugosllav që  kryen masakrat mbi shqiptaret nën Malin e Zi , nën Serbi dhe në Kosovë… Pas ketij akti malësorët e Tuzit , Grudës , Trieshit , Kojes , Traboinit e tjerë u lanë në doren e atyre me të cilët  i ndanin lumej gjaku e dete mjerimesh . Se si u katandisen këto troje per 45 vite nën hyqametin e komunzmit jugosllav , këtë e tregojnë banoreët që u detyruan të lënë të shkreta shtepi , kulla e troje per të cilat kishin luftuar e qëndruar mote e shekuj. Këtë e tregon edhe sot gjendja ekonomike e sociale, dhe standarti i të drejtave kombëtare të shqiptarëve në trojet e veta etnike, që zbatohet edhe sot në Mal të Zi. E tregoi edhe fitorja e veshtirë (e 2019-tës) , që u arrit pas disa viteve në zgjedhjet lokale për  komunën e Tuzit, me rezultatin 50% , kur banorët shqiptar në ketë komunë janë realisht mbi 80% .  

Për këto të “mira me thes” që u solli data 15 dhjetor 1944, Tuzit e trojeve të tjera nën Malin e Zi , duke i çliruar nga pushtuesi gjerman (që po ikte) , por njëkohësisht edhe duke i çliruar  nga bashkimi me Shqiperinë nanë, per ti ribashkuar (perdhunshëm) me Malin e Zi dhe ish Jugosllavinë , mua më shkon mendja “për dreq” që këtë “çlirim” ta quaj ripushtim të Tuzit e trojeve të tjera të Malësisë nga Mali i Zi (e ish Jugosllavia)…  Me gjithë këtë vështrim ndryshe për datën 15 dhjetor, nuk kam qellim t’ju prish sado pak “festen” e “çlirimit” të Tuzit , atyre që e kujtojnë e festojnë ditën për diell , por as atyre që diten per diell hiqen si atdhetarë shqiptar… , ndersa naten hiqen para malazezëve zvarrë… Qofshin këta me banim në Tuz, në troje të tjera apo në dhenat e botës… 

Voo: Të gjitha ato që cilësova “kalimthi” në këtë veshtrim per 15 dhjetorin (si diten e “çlirimit” të Tuzit…), më hollesisht, me data , emra e mbiemra,  me referenca dhe dokumente janë të shënuara në librin tim me titull: Malësia e Madhe Kundër…, botuar në vitin 2018.

Filed Under: Komente

Pas 69 vjetësh në Lezhën e Kastriotit e të Besëlidhjes Shqiptare, përjetësohet busti i të përndritshmit, mons. dr. Zef Oroshit

December 15, 2021 by s p


Shkruan: Lekë Mrijaj 


Busti i përjetësuar i Prelatit e intelektualit Merditor, mons. dr. Zef Oroshi, veç tjerash është edhe një mbamendje e rikujtesë e përgjegjësisë për shqiptarët si dhe për gjeneratat pas nesh për të rikujtuar përjetësisht dhe shprehur mirënjohjen tonë të thellë ndaj figurës madhore të këtij studiuesi e atdhetari monumental shqiptar.

Ndaj sot, me 13 dhjetor, apo pas 69 vjetësh në “Lezhën e Besëlidhjës – Besa Besë”, falë nismës dhe kontributit kyç të studiuesit të mirënjohur, Tomë Mrijaj, Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Tretë Shqiptare të Prizrenit, sot, në sheshin: Papa Gjon Pali II, është përjetësuar në bronz busti i të përndritshmit, mons. dr. Zef Oroshi. 

Një kontribut tjetër rreth bustit ka dhenë edhe mjedologu shqiptarë e studiuesi i mirënjohur, dom Nikë Ukgjini etj. Vepra e skalitur në fjalë është realizuar nga mjeshtri i mirënjohur, maestro prof. Sadik Spahia.

Mons. dr. Zef Oroshi, ishte bashkëpuntor i ngushtë i Fan S. Nolit, me Arqipeshkvin e Bostonit, Eminencën e Tij Kardinal Cushing, njëkohësisht edhe klerin e bashkësisë islame shqiptare të diasporës amerikane si dhe bashkēpunonte dhe kishte letërkēmbime me prof. Ernest Koliqin, prof. Karl Gurakuqin, prof. Rexhep Krasniqin, prof. Martin Camaj, fra Daniel Gjeçaj O.F.M..  Mons.dr. Zef Oroshi perveq një krijuesi e studiuesi të rrallë, ishte edhe një poliglot që zotëronte latinishten, italishten, greqishten e vjetër e të re, serbokroatishten, gjermanishten dhe anglishten.

Vlen të thuhet flas nga këndveshtrimi im se mons Zefin, e kam njohur edhe më shumë përmes bashkfamiljarit tim, veprimtarit e studiuesit, Tomë Mrijaj nga Nju Jorku, i cili për afro 15 vite të fundit me radhë më ka rrëfyer gjerë e gjatë për historikun e tij (pasi ishte edhe një njeri besnik e kumbarë të familjes), i cili përherë më thoshte: “Lekë i dashtun, mons. dr. Zefi, nuk ishte i lidhur ngushtë veç me besimin fetar të Kishës Katolike Shqiptare, por edhe me kulturën dhe historinë e re dhe të lavdishme të kombit shqiptar e njerēzimit vullnetmirë në botë”. 

Pra, ky korife, bazuar në plotni me deshmit e hulumtuara dhe të dhënat e studiuesit Mrijaj, e shohim qartë në majat e një atdhetari tamam të mirëfilltë dhe vertetë ishte një klerik, katekist e teolog i kishës apostolike, erudit karizmatik e atdhetar i shquar i kulturës dhe i shqiptarizmit. Veç tjerash, ishte edhe një Pionier i Bashkimit të Shqiptarëve pa dallim feje (deshmi sipas “New York Times”), themelues dhe udhëheqës i Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, përkthyes në gegnishtën shqipe të Shkrimeve Shenjte – “Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujvet”, të cilën vepër menjëherë pas shqipërimit në vitin 1979, Ati i Selisë Shënjt-Papa Pali VI i dhuroi me autograf Selisë së Shenjtë në Vatikan ndaj edhe më vonë nga Papa mori titullin : Monsinior. Veq tjerash përktheu edhe një doracak me uratë “Visarthi Shpirtnuer”, “Ungjillin e Shen Mateut” si dhe drejtoi për shumë vite revistën “Jeta Katholike Shqiptare”.

Edhe unë përmes një shkrimi reflektues të artikuluar disa muaj më parë (botuar në “Bota Sot”, në shumë media të tjera shqiptare, me datën, 15 mars 2021), të titulluar: “Mons. dr. Zef Oroshi, kam konstatuar veç tjerash se: mons. dr. Zefi, ishte një mozaik me vlera shumdimensionale i historisë shqiptare e qe kishte një taban të lartë fetar, kombëtar e kulturor”, qe do të thotë se në historinë e një vendi, jo të gjithë personazhet, shtetërorë, apo klerik të kishës katolike që janë pjesë e saj, lënë gjurmë dhe realizojnë kthesa shumëdimensionale historike, fetare, kombëtare e kulturore. Pra në këtë mozaik të historisë së kulturës mbarë Shqiptare, hyjnë edhe një nga personalitetet komplekse siq ishte mons. dr. Zefi, që la një protokol e arkiv historik, kulturor, patriotik, diplomatik në historinë tonë të lavdishme. Për këtë korife të fesë e shqiptarizmit siq ishte mons. dr. Zefi ( i cili kishte kerkuar statusin e azilit politik qe vëndosur i plagosur në trajtim në Mitrovicë), kam dëgjuar edhe nga axha i babait tim-Nikolla (Zyrtar i Lartë në Zyrën e vendit në ish Komunën e Zllakuqanit) i cili sbashku me françeskanin, fra Tom Xhaja, famullitar i Kishës “Shën Gjon Pagëzuesi” e kishin vizituar në fund të vitit 1952 në Mitrovicë. Madje Nikolla, edhe me krenari nëpë shumë takime thoshte: “Dom Zefi, ishte një antikomunist i përbetuar kundrejt bandave enveriane e pasardhësve të tij komunistë”, sepse edhe vet familjarët e tij – mons. Zefit, ia kanë burgosur, persektuar, internuar e vrarë në kampet e përqëndrimit në shumë skëterra mesjetare. 

Në Amerikë mons. Zefi, bashkëpunonte me personalitet të shquara të diasporës antikomuniste duke veçuar shtëpin e Kapidanit të Merditës- Ndue Gjon Markut si dhe me shumë të tjerë, prof. Zef Luka, prof. Zef Neka, Rexhep Krasniqi, kolonel Xhemal Laçi, Kolë dhe Pal Mirakaj, Pal, Nue e Martin Lalaj, Bardhok Ndreu, Ndue Mëlyshi, Kolë Çuni, Gjon Gjini, Gjon dhe Zef Çupi, Pjetër Gjoci, Pjetër Kimza , Llesh Tarazhi, Nikollë e Pjetër Shkoza, Kolë Bajraktari, Prendush Gega, Fran Sokoli etj. Njëkohësisht pas kalimit në amshim të mons. Zefit, autorit e studiuesit Tomë Mrijaj, (bazuar në librin “Një jetë i përgjuar” f. 14,15), i cili ishte edhe kumbarë me dom Zefin, vetë Kapidani i Merditës-Ndue Gjon Marku, ia kishte shtërnguar dorën duke i thenë: “Tomë, ti me kumbarën tand mons.dr. Zef Oroshin, ke krye nji detyrë sa njerëzore aq edhe hyjnore. Të kam shqetësue shumë herë në netë e vona, për me përcjell meshtarin tonë deri te Kisha katolike dom Zefin,, sepse e disha se asht në vezhgim të vazhdueshëm nga spiunat e enverit këtu… Nëse do ta kishin vra dom Zefin, do tu bante nji gjakderdhje e madhe mes shqiptarve në Nju Jork, gjakderdhje qe do ta gëzonte Qeverin Komuniste në Tiranë. Edhe pse u vritshin njerëzit e tyne aty këtu (spiunat), ata nuk kanë pas problem, vetëm që të vritet dom Zefi dhe të nderpritet veprimtaria e tij antikomuniste në ShBA…”

Vlen të potencohët se falë fisnikërisë, bujarisë e atdhetarizmit të Kapidanit të Merdites-Gjomarkajve, ishin ata të cilët mons. Zefit i ofruan garanci administrative, financiare e ligjore për ta zhvendosur në mënyrë legale nga Kosova për Itali e deri në Amerikë. Ai, pas shkuarjës në Amerikë e kishte themeluar edhe Kishën e parë katolike shqiptare “Zoja e Kshillit t’Mirë”, sot “Zoja e Shkodrës” Nju Jork dhe pas plotë shtatë vitesh arriti që në Natën e madhe-Krishtlindjes së vitit 1969 të bejë kremtimin e Meshës së Shenjtë të përuruar në Kishën e parë katolike shqiptare në Amerikë, atë të “Zonjës së Shkodrës” . Mons. Zef Oroshi, kaloi në amshim me  15 mars 1989 në Bronx të Nju Jorkut. Ndaj bazuar edhe në librin “Monsinjor Zef Oroshi, Një jetë e shkrirë për fe e atdhe” të autorit Tomë Mrijaj, pikërisht aty gjejmë veq tjerash edhe të dhenat e ish të burgosurit politik e studiuesit të mirënjohur shqiptar , Bep Kuqani, të cilit po ia citoj fjalët e tij për veprimtarin e dom Zef Oroshit, i cili veq tjerash thotë:- E tash në lidhje me nji shënim të Z. Ndue Melyshi, ku thuhet: “Meqenëse ishte Komitet klandestin, nuk mund të zgjidhej kryetari me vota të lira të popullit, prandaj antarët në brendësine e Komitetit caktojshin nji kryetar…”, dishroj të plotësoj këtë mendim, tue shtue, se ne “brendësinë e këtij Komiteti”, kje zgjedhë si Kryetar Dom Zef Oroshi dhe Sekretar Jak Perjaku, i cili, kje vra në mal, në përpjekje me forcat e ndjekjes të Sigurimit. Këtë ma ka thanë përveç të tjerëve, që do t’i permendi ma poshtë, edhe vetë i vëllai: Gjon Perjaku, që u kap n’atë përpjekje, i plagosun randë dhe me të cilin kam ndejtë në burgun e Burrelit. Veç kësaj, kam pasë rastë me njohë personalisht edhe katër antarë të këtij Komiteti, nga të cilët per Karlo Çoben, avokat, i biri i Ndoc Çobës, që ka kenë Kryetar i Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar dhe Sulë Hafizin, Kryemyfti i Lezhës, nuk e kam ditë se ka kenë Antar i Komitetit të Maleve; ndërsa për Haki Bushatin, i vëllai i ish – Kryeministrit Maliq Bushati, që u pushkatue bashkë me At Anton Harapin O.F.M, dhe Lef Nosin dhe Ndrek Kakarriqin e kam dijtë dhe, edhe këta më kanë thanë se “kena pasë për Kryetar Dom Zef Oroshin”.  Njëkohësisht e ka përmendur edhe Haki Bushatin të cilin thotë se e kam njoh vetëm për nji periudhë të shkurtë kohe në burgun e Tiranës; ndersa Ndreken e kam njohë qysh se kam kenë në moshë adolishente, se ka kenë mësues në Kolegjin Saverian, kryetar i Shoqatës “Rrethi Don Bosco” (krijue nga At Pjetër Meshkalla); kam ndejt në burg të Burrelit, mbasi kje denue 17 vjet si antar i atij Komiteti, i arrestuem në Lezhë, vetëm pak muej mbasi kishte fillue punën si avokat. Miqësinë e kena vazhdue edhe mbas daljes nga burgu, deri në ditën që vdiq. Për Dom Zef Oroshin, duhet dijtë edhe kjo: Qysh nga dita e arratisjes, që hoqi veladonin e doli në mal, e deri që iku në Jugosllavi, banorët e Mirditës dhe të malësisë së Lezhës e kanë njohë ma fort se prift, si Kryetar të Komitetit të Maleve, si organizator i “Çetave të Shpagimit”, si luftëtar shumë trim dhe si antikomunist i vendosun” (pjesë e një deshmie studimore nga ish i burgosuri, studiuesi, Bep Kuqani) 

Edhe njëherë mirënjohje për të gjithë mbështetësit e sipërpërmendur, pa perjashtuar edhe Bashkinë e Lezhës, e gëzofshim bustin e këtij kleriku, katekisti, i cili ishte një personalit shumdimensional qe mbetet një enciklopedi e gjallë e qe pas 69 -vjetësh kthehet vëndin e tij qe aq shumë e deshti pra Lezhën e Gjergj  Kastriotit – Skendërbeut e të Besëlidhjes Shqiptare.

Filed Under: Komunitet

Kosova, vendi më pro-NATO-s dhe BE-së në rajon

December 15, 2021 by s p


 -Ministri Mehaj mori pjesë në konferencën e Ministrave të Mbrojtjes të Organizatës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qendrore: Kosova sot është plotësisht e përkushtuar për të demonstruar solidaritetin e saj dhe për të kontribuar për paqen dhe sigurinë globale/ 

PRISHTINË, 15 Dhjetor 2021-Gazeta DIELLI/

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, sot mori pjesë në konferencën e Ministrave të Mbrojtjes të Organizatës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qendrore (CEDC).Temat e kësaj konference ishin “Çështja e kredibilitetit: Nxitja e partneritetit të ngushtë si mënyrë për të avancuar Integrimin në BE të Ballkanit Perëndimor” dhe “Akordimi i duhur në orientimin strategjik drejt BE-së”.Në fjalën e tij, gjatë sesionit të parë përmes video-lidhjes, ministri Mehaj theksoi angazhimin dhe të arriturat e Republikës së Kosovës në menaxhimin e sfidave të sigurisë rajonale siç ishte pandemia me COVID-19, si dhe vizionit shtetëror për ofrimin e kontributit në parandalimin, reagimin dhe menaxhimin e sfidave tjera që cenojnë mjedisin e sigurisë rajonale dhe më gjerë.Gjithashtu, ministri Mehaj theksoi edhe angazhimin e tij në zbatimin e konceptit “Smart Defense” në bashkëpunim me homologët e tij rajonalë, si formë shumë e suksesshme dhe racionale për reagim dhe menaxhim të krizave që mund të cenojnë sigurinë e vendeve dhe qytetarëve të rajonit.Ndër të tjera, në këtë konferencë ministri Mehaj theksoi se: “Republika e Kosovës me ndihmën dhe mbështetjen e vendeve mike, është ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Kjo është arsyeja pse, përkundër propagandës së ashpër anti-perëndimore dhe dezinformatave, Kosova është ende vendi më pro-NATO-s dhe BE-së në rajon. Kjo është arsyeja pse Kosova sot është plotësisht e përkushtuar për të demonstruar solidaritetin e saj dhe për të kontribuar për paqen dhe sigurinë globale”.Në konferencën e sotme, të kryesuar nga ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë, Mario Banozic, morën pjesë ministrat e mbrojtjes së vendeve anëtare të CEDC si: Austria, Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria, Sllovenia dhe Kroacia, vendet me status të vëzhguesit si Polonia si dhe vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia.

Filed Under: Rajon

LODRA TË RREZIKSHME MBI KIEVIN

December 15, 2021 by s p

Nga FRANCO VENTURINI

“Corriere della Sera”, 4 dhjetor 2021   Përktheu: Eugjen Merlika

A ndoshta do të vdesim për Kievin, ashtu si baballarët tanë vdiqën për Gdanskun? Për fat pyetja është ende retorike, por mund të mos jetë ashtu nëse ndeshja e shahut ndërmjet Fuqive të mëdha, që po luhet mbi lëkurën e Ukrainës do të shpëtonte nga kontrolli i lojtarëve. Amerika e Biden-it qorton Rusinë e Putinit se ka sjellë 90 mijë vetë në formacion luftimi pranë kufirit lindor të Ukrainës, në parashikimin e “veprimeve të rëndësishme sulmuese” dhe e paralajmëron se do të shkojë drejt “pasojash të rënda” nëse nuk ndryshon rrugë. Kremlini mohon se është duke planifikuar një mësymje, padit Washingtonin se ka zhvilluar në nëndor një stërvitje ajrore për një sulm bërthamor ndaj Rusisë, qorton Perëndimin  që të mos kalojë “vijat e kuqe” të Moskës dhe paralajmëron se nuk do të pranojë hyrjen e Ukrainës në NATO. 

Që nga fundi i luftës së ftohtë, më shumë se tridhjetë vite më parë, Amerika dhe Rusia nuk kishin qënë kurrë kaq pranë përroskës së një përplasjeje të drejtpërdrejtë. Prova m’e dukëshme e rreziqeve që ngrihen është në takimin e ngutshëm ndërmjet ministrave të Jashtëm Blinken dhe Lavrov t’enjten e shkuar në Danimarkë, ndërsa pasnesër do të zhvillohet një bisedë në videokonferencë ndërmjet Biden-it dhe Putinit. Duhet të ftohet shkallëzimi i padive të ndërsjellta më parë se të jetë shumë vonë, në një Evropë të hutuar nga Covidi por që rrezikon të kthehet së qëni fushë beteje, siç ka ndodhur shpesh në tragjeditë historike.

Biden-i e Putini a do t’arrijnë të ndalin rrotën tashmë në lëvizje që n’a kërcënon? A do të bëhemi përsëri “sonambulët” që nuk ndaluan luftën e Parë botërore e që i ka përshkruar kaq mjeshtërisht Christofer Clark? Rruga është në ngjitje. Perëndimorët kanë tashmë të gatëshme një paketë sanksionesh skajshmërisht të ashpër kundër Rusisë, në rastin kur mësyemja do të zhvillohej pikërisht mbas fundit të janarit, siç thonë shërbimet e fshehta ukrainase. Por ka edhe një shteg dykuptimësie që mund t’a këshillonte Putinin të vinte në provë vullnetin e Biden-it e të shkaktonte një “efekt Kabul” në mes t’Evropës. As presidenti i SHBA, as sekretari i Shtetit Blinken nuk kanë thënë ndonjë herë se do t’a mbrojnë ushtarakisht Ukrainën në rast sulmi. Ndoshta Kievi nuk është në katrorin e Paqësorit si Taivani, ndoshta nuk hyn në kundërvënien me përparësi ndaj Kinës, prandaj duhet të kënaqet me furnizimet e mëdha të armëve të marrura (edhe nga Turqia, që ka vendosur dronët e saj tejet të efektëshëm). Ngasja për të provuar është sigurisht e pranueshme në Kremlin. Por në krizën ukrainase ka edhe një ngasje amerikane. Nëse gjëndja do të rëndohej, a nuk do t’ishte mënyra m’e mirë për të mbrojtur Ukrainën ajo e futjes në NATO menjëherë, duke e bërë kështu përfituese nga Neni 5 që parashikon një ndërhyrje ushtarake të përbashkët në mbrojtje të Vendit të sulmuar (t’a zemë se Neni 5 e ka ruajtur besueshmërinë e tij)? Prej shumë vitesh Shtetet e Bashkuara përkrahin hyrjen e Ukrainës në Aleancë me detyrën që të shërbejë si vijë e parë kundër-ruse, e kanë frenuar evropianët perëndimorë, që nuk duan të kenë një kufi me Rusinë, ku edhe sot ka një luftë, me 14 mijë të vdekur nga 2014 (bashkëngjitja e Rusisë) e deri sot.

Për të shmangur më të keqen Biden-i dhe Putini duhet të bëjnë saktësisht këtë: të heqin dorë nga ngasjet e ndërsjellta. Pak vëzhgues besojnë me të vërtetë që presidenti i SHBA dëshëron të zotohet në një luftë evropiane, e tillë është në vështrimin e saj strategjik përparësia absolute e përballjes së Kinës. Por Putini, për të zbritur temperaturën, ka thënë se cilat janë kërkesat e tij kushtëzuese, e nuk bëhet fjalë për pak gjë. Që nga rënia e Murit të Berlinit në 89, NATO-ja nuk ka reshtur kurrë  së zgjeruari territorialisht drejt Lindjes, në mënyrë krejtësisht të ligjëshme, duke pranuar kërkesat e Shteteve të pavarur me një proçedurë të shkurtër.  Rusia pohon se kishte një marrëveshje me Amerikën, pikërisht për të shmangur afrimin e NATO-s kufijve të saj. Por kjo marrëveshje, nëse ka qënë, nuk ka marrë kurrë formë të shkruar dhe zotuese. Tani Putini kalëron provën e fuqisë mbi Ukrainën për të kërkuar “garanci sigurie” këtë herë formale, që përjashtojnë një zgjerim të mëtejshëm të territorit NATO drejt lindjes. Për të filluar, përjashtojnë hyrjen e Ukrainës në Aleancë. Çfatë duhet të bëjmë, shpjegon Kremlini, nëse një Ukrainë atllantike do të rrjeshtonte në kufijtë tanë raketa  t’afta të arrinin Moskën pa na dhënë kohë të përgatisim mbrojtjen? Por Bideni nuk mundet, sëpaku zyrtarisht, të sigurojë Rusinë që NATO do të sprapsë kërkesat e një Shteti sovran tashmë të rrjeshtuar në pozita perëndimore. Loja e shahut do të kërkojë lojtarë të nivelit të lartë, lëvizje përtëritëse dhe një masë të mirë sinqeriteti jo politik nëse dy fuqitë më të mëdha bërthamore të botës do të vlerësojnë ndershmërisht vënien në lojë. Pra ne evropianët.

“Corriere della Sera”, 4 dhjetor 2021   Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Emigracion

Dorëshkrimi i vitit 1652 gati në 2022, vjetërsia e gjuhës shqipe dhe përdorimi i termit shqiptar

December 15, 2021 by s p

Përgatiti: Eneida Jaçaj

Një dorëshkrim i vitit 1652, me autor Fra Giacinto nga Sospello e Francës, në atë kohë Vikar Apostolik i Albanisë”, i cili do të vijë në formën e një libri vitin që vjen, dëshmon se sa e vjetër është gjuha shqipe. Studiuesi Mark Palnikaj bën të ditur lajmin ekskluzivisht për gazetën “Dielli”. Libri është shkruar në gjuhën italiane afro 380 vjet më parë, dhe në të janë gjetur dy fjali në gjuhën shqipe me germa latine, me alfabetin e përdorur nga Buzuku dhe Bogdani. Përpos vjetërsisë së gjuhës shqipe, ky dokument ka edhe një rëndësi tjetër, ku autori francez banorët e vendit ku ai ishte i caktuar si Vikar Apostolik i Vatikanit, nuk i quan arbër, por shqiptar. Është thënë se termi shqiptar është përdorur i shkruar për herë të parë në fjalorin me titull “Dittionario Italiano – Albanese” nga Françesko Maria da Leçe në vitin 1702, por dorëshkrimi dëshmon të kundërtën. Libri është i ndarë në gjashtë kapituj, ku gjenden të dhëna historike me rëndësi të jashtëzakonshme, për historinë e Shqipërisë, për zakonet, traditat, kushtet sociale dhe problemet e asaj kohe. Libri është përfunduar në qytetin e Kotorrit në vitin 1652, por i shkruar rreth pesëmbëdhjet vite më pare se viti 1652. Më poshtë do të gjeni intervistën e plotë me studiuesin Mark Palnikaj.

Fjalitë në gjuhën shqipe

Në faqen 189 të tij, janë të shkruara edhe dy rreshta në gjuhë shqipe me këtë përmbajtje:

“otune mose astè maa baam turco, maa paara Mordie….”.

“Zotyne mos e dhashtë me u bam turk, ma para Mordie”, ku me fjalën mordie sinjifikon vdekjen.

Dhe më poshtë shkruhet:

“Ah bregdis Chauuri iȣȣ schiepatar anst per pertembytunè…..”

“Ah bregdis Kaurri ju shqiptarët asht për përtembytune”, pra shqiptarët ishin për t’u vrarë.

Ky shkrim, foton e të cilit po e publikojmë më poshtë, është shkruar nga një francez, që frëngjishten e kishte gjuhën e nënës dhe librin me përjashtime të vogla me disa shtesa në gjuhë latine, e ka shkruar në gjuhën italiane. Prandaj është e pritshme që ky autor, të mos e shkruajë me korrektësi gjuhën shqipe, qoftë edhe të asaj kohe. Sipas dokumentit, të cilin po e publikojmë në origjinal, në rreshtin e parë, lexohet qartazi viti 1639.

Rëndësia e këtij dokumenti është fakti që ai në shkrimin e tij, banorët e vendit ku ai ishte i caktuar si Vikar Apostolik i Vatikanit, nuk i quan arbër ose me ndonjë emër tjetër, por shqiptar.

Studiuesja e njohur për studime për shkrimet e vjetra shqipe, Profesore Anila Omari, ishte e para që reagoi menjëherë pas publikimit të dokumentit nga ana ime dhe vuri në dukje rëndësinë e këtij dokumenti për studimet mbi gjuhën shqipe të shkruar dhe për dokumentimin 63 vjet para Da Leçes të përdorimit të emrit “shqiptar”.

Dorëshkrime, shek XVII

Para gjysmës së parë të shek XVII, pra deri në vitin 1650, kemi fare pak dorëshkrime në gjuhën shqipe, në ato dorëshkrime që njihen deri sot, te asnjëri nuk shkruhet fjala “Shqiptar”.

Autori i shkrimit, Fra Giacinto nga Sospello e Francës, në atë kohë Vikar Apostolik i Albanisë”, siç e quan ai veten në faqen Cr (C recto), në fjalën përmbyllëse të shkruar me datën 12 qershor 1652 në qytetin e Kotorrit, librin e tij me 513 faqe dorëshkrim, na e paraqet si një historik të 16 misioneve të kryera nga ai për rreth pesëmbëdhjet vjet, nga viti 1634 deri në vitin 1649.

Mbetet disi e pashpjegueshme që në faqen 506 , e cila, sipas radhitjes është faqja e fundit e dorëshkrimit, mbas një shkrimi liturgjik prej 8 faqesh në gjuhën latine të shkruar në dy kolona, shënohet viti 1644 dhe firma e Padre Paulos nga Mantova dhe si vend i shkrimit shënohet famullia e Perastit në Mal të Zi. Në pjesën e përparme të dorëshkrimit dallohet qartas që janë shtuar dy fletë me 4 faqe të shkruara në formën e një dedikimi ku shënohet si vend i shkrimit Kotorri dhe si datë 12 qershori i vitit 1652.

Biografia e misionarëve

Në kapitullin e gjashtë dhe të fundit, ai na paraqet një biografi të shkurtër të të gjithë misionarëve të asaj periudhe, rreth 38 të tillë nga vende të ndryshme jashtë territorit të Arbërisë, kryesisht nga provincat nga Veriu i Italisë së sotme. Informacionet që jepen të shkruara në këtë libër, japin të dhëna me shumë rëndësi për studimin e historisë së trevave që ai ka përshkruar me detaje gjatë ekspeditave të tij, nga Veriu në Gug të vendit tone.

Pushtuesit turq

Duke folur për dhunën e jashtëzakonshme që ushtronin pushtuesit turq për ndryshimin e besimit të besimtarëve në trojet tona, ai na ka dhënë në faqen 189 të librit të tij katër rreshta të shkruar në gjuhën shqipe me germat që ai kishte në përdorim, duke e folur gjuhën tonë ashtu si ai ka mundur ta shqiptojë. Është e njohur vështërsia e shkruarjes dhe e shprehjes nga të huajt në gjuhën shqipe, sepse sllavët dhe latinët, gjuhët e tyre i shkruajnë me më pak karaktere sesa ne. Ata kanë nga 27 shkronja, kurse gjuha shqipe ka 36. Germat dhe tingujt që mungojnë në gjuhën e tyre, kur shkruajnë ose lexojnë fjalë të gjuhës tonë, ata ose nuk mund t’i shqiptojnë, ose i tjetërsojnë duke u munduar t’i riprodhojnë per lexuesit e tyre. Karakteret dhe fonemat, ata i tjetërsojnë duke e vështërsuar kuptimin e asaj që ata shkruajnë në gjuhën shqipe.

Në rastin tonë, autori deri diku ka qenë korrekt me shkrimin në gjuhë shqipe dhe puna e tij meriton të lavdërohet, nëse marrim parasysh kushtet kur u shkrua ky shkrim.

Me gjithë këtë vështirësi, rëndësia e këtyre shkrimeve, gjetja, publikimi dhe studimi i tyre, ka një rëndësi të jashtëzakonshme për studimin e gjuhës shqipe nga studiuesit e fushës.

Besoj se me gjetjen dhe publikimin e këtij dokumenti, të kem sjellë një ndihmesë sado të vogël në këtë fushë.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2681
  • 2682
  • 2683
  • 2684
  • 2685
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT