Nga FRANCO VENTURINI
“Corriere della Sera”, 4 dhjetor 2021 Përktheu: Eugjen Merlika
A ndoshta do të vdesim për Kievin, ashtu si baballarët tanë vdiqën për Gdanskun? Për fat pyetja është ende retorike, por mund të mos jetë ashtu nëse ndeshja e shahut ndërmjet Fuqive të mëdha, që po luhet mbi lëkurën e Ukrainës do të shpëtonte nga kontrolli i lojtarëve. Amerika e Biden-it qorton Rusinë e Putinit se ka sjellë 90 mijë vetë në formacion luftimi pranë kufirit lindor të Ukrainës, në parashikimin e “veprimeve të rëndësishme sulmuese” dhe e paralajmëron se do të shkojë drejt “pasojash të rënda” nëse nuk ndryshon rrugë. Kremlini mohon se është duke planifikuar një mësymje, padit Washingtonin se ka zhvilluar në nëndor një stërvitje ajrore për një sulm bërthamor ndaj Rusisë, qorton Perëndimin që të mos kalojë “vijat e kuqe” të Moskës dhe paralajmëron se nuk do të pranojë hyrjen e Ukrainës në NATO.
Që nga fundi i luftës së ftohtë, më shumë se tridhjetë vite më parë, Amerika dhe Rusia nuk kishin qënë kurrë kaq pranë përroskës së një përplasjeje të drejtpërdrejtë. Prova m’e dukëshme e rreziqeve që ngrihen është në takimin e ngutshëm ndërmjet ministrave të Jashtëm Blinken dhe Lavrov t’enjten e shkuar në Danimarkë, ndërsa pasnesër do të zhvillohet një bisedë në videokonferencë ndërmjet Biden-it dhe Putinit. Duhet të ftohet shkallëzimi i padive të ndërsjellta më parë se të jetë shumë vonë, në një Evropë të hutuar nga Covidi por që rrezikon të kthehet së qëni fushë beteje, siç ka ndodhur shpesh në tragjeditë historike.
Biden-i e Putini a do t’arrijnë të ndalin rrotën tashmë në lëvizje që n’a kërcënon? A do të bëhemi përsëri “sonambulët” që nuk ndaluan luftën e Parë botërore e që i ka përshkruar kaq mjeshtërisht Christofer Clark? Rruga është në ngjitje. Perëndimorët kanë tashmë të gatëshme një paketë sanksionesh skajshmërisht të ashpër kundër Rusisë, në rastin kur mësyemja do të zhvillohej pikërisht mbas fundit të janarit, siç thonë shërbimet e fshehta ukrainase. Por ka edhe një shteg dykuptimësie që mund t’a këshillonte Putinin të vinte në provë vullnetin e Biden-it e të shkaktonte një “efekt Kabul” në mes t’Evropës. As presidenti i SHBA, as sekretari i Shtetit Blinken nuk kanë thënë ndonjë herë se do t’a mbrojnë ushtarakisht Ukrainën në rast sulmi. Ndoshta Kievi nuk është në katrorin e Paqësorit si Taivani, ndoshta nuk hyn në kundërvënien me përparësi ndaj Kinës, prandaj duhet të kënaqet me furnizimet e mëdha të armëve të marrura (edhe nga Turqia, që ka vendosur dronët e saj tejet të efektëshëm). Ngasja për të provuar është sigurisht e pranueshme në Kremlin. Por në krizën ukrainase ka edhe një ngasje amerikane. Nëse gjëndja do të rëndohej, a nuk do t’ishte mënyra m’e mirë për të mbrojtur Ukrainën ajo e futjes në NATO menjëherë, duke e bërë kështu përfituese nga Neni 5 që parashikon një ndërhyrje ushtarake të përbashkët në mbrojtje të Vendit të sulmuar (t’a zemë se Neni 5 e ka ruajtur besueshmërinë e tij)? Prej shumë vitesh Shtetet e Bashkuara përkrahin hyrjen e Ukrainës në Aleancë me detyrën që të shërbejë si vijë e parë kundër-ruse, e kanë frenuar evropianët perëndimorë, që nuk duan të kenë një kufi me Rusinë, ku edhe sot ka një luftë, me 14 mijë të vdekur nga 2014 (bashkëngjitja e Rusisë) e deri sot.
Për të shmangur më të keqen Biden-i dhe Putini duhet të bëjnë saktësisht këtë: të heqin dorë nga ngasjet e ndërsjellta. Pak vëzhgues besojnë me të vërtetë që presidenti i SHBA dëshëron të zotohet në një luftë evropiane, e tillë është në vështrimin e saj strategjik përparësia absolute e përballjes së Kinës. Por Putini, për të zbritur temperaturën, ka thënë se cilat janë kërkesat e tij kushtëzuese, e nuk bëhet fjalë për pak gjë. Që nga rënia e Murit të Berlinit në 89, NATO-ja nuk ka reshtur kurrë së zgjeruari territorialisht drejt Lindjes, në mënyrë krejtësisht të ligjëshme, duke pranuar kërkesat e Shteteve të pavarur me një proçedurë të shkurtër. Rusia pohon se kishte një marrëveshje me Amerikën, pikërisht për të shmangur afrimin e NATO-s kufijve të saj. Por kjo marrëveshje, nëse ka qënë, nuk ka marrë kurrë formë të shkruar dhe zotuese. Tani Putini kalëron provën e fuqisë mbi Ukrainën për të kërkuar “garanci sigurie” këtë herë formale, që përjashtojnë një zgjerim të mëtejshëm të territorit NATO drejt lindjes. Për të filluar, përjashtojnë hyrjen e Ukrainës në Aleancë. Çfatë duhet të bëjmë, shpjegon Kremlini, nëse një Ukrainë atllantike do të rrjeshtonte në kufijtë tanë raketa t’afta të arrinin Moskën pa na dhënë kohë të përgatisim mbrojtjen? Por Bideni nuk mundet, sëpaku zyrtarisht, të sigurojë Rusinë që NATO do të sprapsë kërkesat e një Shteti sovran tashmë të rrjeshtuar në pozita perëndimore. Loja e shahut do të kërkojë lojtarë të nivelit të lartë, lëvizje përtëritëse dhe një masë të mirë sinqeriteti jo politik nëse dy fuqitë më të mëdha bërthamore të botës do të vlerësojnë ndershmërisht vënien në lojë. Pra ne evropianët.
“Corriere della Sera”, 4 dhjetor 2021 Përktheu Eugjen Merlika