• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Duke kujtuar Asdrenin (11 prill 1872 – 11 DHJETOR 1947), autorin e tekstit te Himnit tone Kombetar, ne pervjetorin # 74 te vdekjes…

December 11, 2021 by s p

Saimir Z. Kadiu

Më 1937 u kthye në Shqipëri nga Bukureshti pas 48 vjetesh për t’u çmallur me atdheun. U prit me dashuri të jashtzakonshme. E paharruar qe vizita që bëri në Shkodër, së bashku me Lasgushin e ri, me këngëtaren Tefta Tashko dhe pianisten Lola Aleksi. Ditët kremtore, organizuar në Kinema Rozafat nga Ernest Koliqi, vunë në kontakt me intelektualët më të lartë të qytetit të Veriut, dy breza poetësh të mëdhenj: brezin e parë, përfaqësuar nga Atë Gjergj Fishta e Asdreni dhe brezin e dytë, nga Ernest Koliqi e Lasgush Poradeci. Ky takim u përjetësua përmes aparatit fotografik të Marubit. Fotografitë, të cilat sot na paraqiten si të rralla e të panjohura, qenë tepër të njohura për kohën, sepse u botuan në të gjitha organet kryesore të shtypit. Ishte ky një rast i jashtëzakonshëm për të dy poetët e mëdhenj të Toskërisë, që u njohën së afërmi me dy të mëdhenjtë e Gegënisë, e sidomos me Atë Gjergjin. Mbresat e jashtëzakonshme këtyre takimeve, ende të panjohura, do t’i shtonin faqe të reja jetëshkrimit të katër të mëdhenjve të letërsisë shqipe.Pas shtegtimeve plot mall nga Jugu në Veri, Asdreni u kthye rishtas në Bukuresht, ku vijoi jetën e tij prej murgu, kushtuar krejtësisht bashkësisë së shqiptarëve të Rumanisë, e jo më pak, gjithë shqiptarëve për të cilët, siç e tregojnë titujt e veprave të tij: ëndërroi, derdhi lote, dëshiroi rreze dielli e lirie. E mbylli sytë në një shtëpi që i ngjante më shumë kasolles, në rrethinat e Bukureshtit me 11 dhjetor 1947.

Filed Under: Histori

Djerrina morale dhe djerrina e autoritetit

December 11, 2021 by s p

Agim Baçi

“Një shoqëri postmoderne e njeh veten nëpërmjet imazhit që vjen nga syri i kamerës”, shprehet një nga njohësit dhe shpjeguesit më të rëndësishëm të filozofisë së komunikimit të sotëm, francezi Zhan Baudrillard. Ai parashikon një botë që do të vijë gjithnjë e më shumë të mbushet me imitime, ku njeriu shpesh rrezikon të jetë veçse pasqyrim i aktrimit të tij dhe ku idetë nuk do kenë dot vendin e tyre në përditshmërinë tonë. Kjo situatë i kthen shumicën e qytetarëve jo në individë që mendojnë vetë, por në enë që kërkojnë të mbushen, të riformatohen. Këtë situatë e ka përdorur më mirë se kushdo politika, e cila i trajton shumicën e qytetarëve si soditës të zellshëm të imazhit që ajo prodhon në median tradicionale dhe në rrjetet sociale.Përballë një situate të tillë nuk mund të flasim lehtë as për të drejtën e as për një perspektivë morale. Madje, profesori i Sociologjisë në Universitetin Ilinois, SHBA, Norman K. Denzin, thotë se “shoqëritë sot rrezikohen nga një pornografi e së dukshmes dhe një përjetim i fuqishëm i formuar nga ankthi, tjetërsimi dhe pakënaqësia”. Sipas tij, shkëputja nga provincat apo vendlindja e shumë njerëzve për t’iu drejtuar metropoleve ka koston e imitimit dhe kësaj pornografie të së dukshmes, një “pornografi” që ka lulëzuar sidomos në fundin e shekullit të kaluar dhe në dy dekadat e këtij shekulli. A nuk janë shumica e familjeve në dilemë të madhe sot se ku mbaron ajo që duhet t’i ndalojmë dhe ajo që duhet t’u lejojmë fëmijëve, duke parë se sa presion ushtron mbi ta kjo pornografi e së dukshmes? A nuk janë në dilemë sot dhjetëra e dhjetëra prindër për mënyrën sesi duhet t’u flasin fëmijëve për të vërtetën, për të drejtën, për të moralshmen dhe të ndaluarën?Kjo shoqëri që i është nënshtruar fuqisë së imazhit, rrezikon që më së pari të nëpërkëmbë ata që nuk arrijnë të kuptojnë problemet serioze, me të cilat ndeshen në përditshmëri. Mjaft prej atyre që janë nën efektet e imazhit që vjen nga syri i kamerës shfaqen të paaftë për të kuptuar nëse janë përgjegjës përpara së vërtetës apo duhet të jenë të tillë përpara pushtetit.Por, kush mund ta ndalojë këtë fuqi të imazhit, që, në vend të informimit, ka qëllim nënshtrimin, manipulimin? A janë intelektualët ata që duhet të na drejtojnë, apo nevojitet një gërshetim mes tyre dhe elitës fetare, që zgjimit të ideve të mos u mungojë e moralshmja, e drejta, e vërteta?Fatkeqësisht, elitat, prej shumë kohësh, janë në atë djerrinë morale, që filozofi dhe kritiku francez, Zhylien Benda, e cilësoi njëqind vite më parë si “Tradhtia e intelektualëve”. Ai parashikoi se e keqja e shoqërive do të kulmonte me shkatërrimin moral të atyre që paguhen për të edukuar breza. Dhe sot, në vend të debatimit për nevojat morale e kulturore të shoqërisë, debatohet për treg, për blerje dhe shitje, duke kaluar në plan të parë argëtimin. Kjo “tradhti intelektuale” ka sjellë më pas edhe djerrinën e madhe të autoritetit të tyre. Shoqëria shqiptare të paktën ka kohë që nuk i referohet ndonjë kënaqësie të debatit intelektual e as nuk i drejtohet më atyre për zgjidhje. Aq më pak duket e i merr në konsideratë politika, pasi autoriteti i tyre për të përballur jetën me dinjitet ka rënë, duke i dhënë fuqinë botës së spektaklit.Në këtë betejë kanë kaluar në thuajse në mosqënie edhe autoritetet fetare, të cilët nuk gjejnë hapësirën e duhur për t’u përballur publikisht me shqetësimet e sotme të shoqërisë. Ata kanë mbetur peng i së shkuarës së fitoreve historike dhe thirrjet e tyre janë si në fundin e një shpelle, ku i dëgjohet jehona, por jo fuqia e vërtetë e asaj që dëshirojnë të thonë. Madje, me përfaqësuesit e institucioneve të së shenjtës është krijuar një situatë cinike, pasi janë kthyer në koncepte muzeale të shoqërisë, pasi në mënyrë krejt të hapur kthehen në panair vizitorësh vetëm në raste festash, ndërkohë që në përditshmërinë tonë zëri i tyre është i papërfillshëm.Pra, në këtë kryqëzim, ku as elitat intelektuale e as ato fetare nuk mundet dot të frenojnë këtë dëshirë për argëtim – që nuk është veçse një dëshirë për t’iu larguar realitetit dhe vetes- manipulimi i mendjes do bëhet një art gjithnjë e më i lehtë nga ata që duan të dominojnë jetët tona. Kjo, edhe për faktin se mosdëgjimi i zërit të tyre i ka zhdukur kufijtë mes së mirës e së keqes dhe mes së vërtetës dhe gënjeshtrës. Një zhdukje e tillë kufiri na sjell në skenë atë njeri të parashikuar nga shkrimtari i madh Dostojevski, “njeriun që nuk do të ketë turp nga asgjë”. Dhe njeriu që nuk ka turp nga asgjë, është njeriu që me shumë kënaqësi i ikën së vërtetës për të jetuar në argëtim, në harresë. Për një njeri të tillë, debati moral nuk ekziston dhe pyetjet që kanë dominuar që në fillesat e saj botën, si “Përse ia vlen të rrojmë?”, “Përse të vdesim?”, “Çfarë është e shenjtë?”, “Çfarë është e drejtë?”, rrezikojnë të përfundojnë në një muze të së shkuarës.Për të shpëtuar nga kjo djerrinë, është e rëndësishme të gjejmë shtegun e pyetjeve morale. Kjo nuk do të thotë të shmangim komunikimin, por në syrin e kamerës të mos lejojmë të fitojë imitimi, por të bëjmë çdo përpjekje që të triumfojë bindja se njeriu është i lirë. Të paktën, elitat fetare kanë detyrë që të gjejnë çdo hapësirë për t’i kujtuar njeriut se nga çdo krijesë tjetër e dallon liria për të vendosur, liria për të gjykuar. Dhe këto elita duhet t’u drejtohen sidomos atyre që paguhen për të edukuar brezat.

Filed Under: Politike

Si mësojmë?

December 11, 2021 by s p

Nga Fatjona R. Lubonja Ed.D

Edukim, Neuro-shkence, Shkenca Aplikuese

Si mësojmë? Të mësuarit për trurin është çelësi i zhvillimit nga momenti i lindjes dhe përzgjat gjatë rrugëtimit të jetës. Proçesi i të mësuarit nuk është një proçes i thjeshtë. Aftësia individuale për të mësuar është një proçes kompleks (Bassett, et al., 2015). Disa nga faktorët mund të jenë neuro-gjenetik (Chomsky, 1959; Lanennberg 1964), arkitektura e rrjetit të qelizave nervore, aftësia e plasticitet synaptik, struktura qelizore, elasticiteti i trurit, aftësia për të marrë informacione nga mjedisi dhe vet-rregullimi i veprimtaris së qelizave nervore në përputhje me rrethanat (Kandel, 2014).  

Përse disa individë kanë aftësi të mësojnë më shpejtë ndërsa disa të tjerë kërkojnë më shumë kohë për të mësuar?

Ka shumë faktorë që ndikojnë në aktivitetin a trurit gjatë proçesit të akumulimit të informacionit dhe kuptimit të tij. Aftësia individuale për të mësuar, përveçse shumë faktorëve të tjerë, mund të influencohet nga aktiviteti i qelizave të trurit dhe rrugëtimi që ato marrin gjatë këtij proçesi. (Bassett, et al., 2015) Përshembull, rrugëtimi i të mësuarit të disa individëve (fëmijë apo të rritur) që duan më shumë kohë të mësojnë, aktivojnë apo vënë në punë edhe pjesë të panevojshme apo jo specifike të trurit, faktor që bën të aktivizojë më shumë rrugëtime të qelizave nervore, gjithashtu kërkon më shumë kohë. Ndërsa truri i disa individëve (fëmijë apo të rritur) që kërkon më pak kohë të mësojnë, ka aftësi ta kufizoj aktivitetin e qelizave nervore vetëm në pjesët e nevojshme të trurit (Bassett, et al., 2015). 

Si të mbështesim ç’far na udhëzon neuro-shkenca në procesin e edukimit?

Rrugëtimi i të mësuarit fillon me lindjen e fëmijës apo më herët. Aktiviteti i qelizave nervore është i rëndësishëm për proçesin e memories (Kandel, Dudai, & Mayford, 2014) një faktor ky themelor në proçesin e të mësuarit. Një shëmbull është spontaniteti i të mësuarit të folurit/gjuhës komunikuese tek fëmijët që është unike tek individët (Chomsky, 1959; Lanennberg 1964). Megjithëse ky proçes është një ndër shumë aktivitetet që ndodhin në tru është i rëndësishëm në zhvillimin e qelizave nervore brënda strukturës së trurit (Basett, et, al 2015), dhe si rrjedhojë, është i rëndësishëm në proçesin e të mësuarit. Duke u bazuar në gjetjet e neuro-shkencës, struktura e të mësuarit duhet të zhvillohet në përshtajte me fëmijën përgjatë zhvillimit/rritjes duke ndryshuar sistemin apo tabunë e mendimit që të gjithë fëmijët mësojnë njësojë. Në mënyrë më të thjeshtë mund të shpjegohet që metoda mësimore mund të modifikohet dhe përshtatet bazuar sipas ç’do individi duke aplikuar në raste të vecanta metodat e studiuara nga shkenca aplikuese (ABA). Shumë të rëndësishëm janë vitet e para të edukimit kur hasen problem tek fëmija sic janë ato të disleksisë apo përqëndrimi dhe leximi duke u bazuar në studime që diskutojnë aktivimin a disa regjioneve në tru (Van Phan, T., Sima. D., et . al., 2021).

*Fatjona R. Lubonja mban titullin Dr. e Shkencave në Edukim, ka studiuar Neuro-Shkencë dhe Edukim në Universiteti i Kolumbias (Columbia University) në New York dhe është specializuar në Universitetin e Harvard.

Filed Under: Opinion

Kryeministri Kurti: Nuk ka marrëveshje me Serbinë pa u zgjidhur çështja e të zhdukurve me dhunë

December 10, 2021 by s p

Prishtinë, 10 dhjetor 2021


Nuk ka marrëveshje me Serbinë pa u zgjidhur çështja e të zhdukurve me dhunë, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës në pritjen e organizuar nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Kryeministri tha se ka respektuar kërkesën e familjarëve për t’ju qasur çështjes së të zhdukurve me seriozitet të plotë, duke ushtruar ndikimin te mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë.“Unë besoj që e keni përcjellë edhe ju që personalisht kam qenë tejet i zëshëm dhe në secilin takim publik e jo publik me akterët relevantë ndërkombëtarë e kam ngritur çështjen e personave të zhdukur me dhunë si çështje edhe me prioritet e urgjencë”, tha kryeministri.Ai theksoi se për të si kryeministër dhe për Qeverinë e Kosovës është me shumë rëndësi që prioritetet t’i kemi të qarta.“Megjithatë është njësoj e rëndësishme që t’i flasim zëshëm pengesat që i kemi, e jo që secila ngecje është rezultat i mos përpjekjes sonë. E them këtë vetëm për të qenë të sinqertë me njëri-tjetrin në të gjitha veprimet tona”, tha kryeministri Kurti, duke uruar që takimet si ky i sotmi të mos duhet t’i mbajmë edhe gjatë. “Shpresojmë, sepse punojmë, që të arrijmë të bëjmë më të mirën për t’ju mbyllur plagët e hapura edhe juve, e besa edhe neve”, shtoi ai.Puna e institucioneve të Republikës së Kosovës, sfidat dhe bashkëpunimi me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë gjatë vitit 2021, në proceset lidhur me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë, u prezantuan nga z. Andin Hoti, Kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Delegacionit për Bisedime për Çështjen e Personave të Zhdukur.Gjatë vitit 2021, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, Instituti i Mjekësisë Ligjore, Prokuroria, Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera relevante, së bashku me shoqatat e familjarëve dhe partnerët ndërkombëtarë, janë angazhuar me përgjegjësi dhe përkushtim në hulumtimin, identifikimin dhe zgjidhjen e rasteve, duke insistuar njëkohësisht në dy parime themelore: dinamizimin dhe humanizimin e procesit, tha z. Hoti.Gjatë këtij viti, është trajtuar me prioritet lokacioni i varrezës masive në Kizhevak të Serbisë. Gërmimet e filluara atje që në vitin 2015, pesë vjet më vonë kishin konfirmuar ekzistimin e varrezës masive me gjetjen e disa mbetjeve mortore në nëntor 2020. Gërmimet, që kanë përfunduar më 26 maj 2021, kanë rezultuar me gjetjen e mbetjeve mortore të 9 viktimave të luftës: shtatë identifikime të reja dhe dy raste ribashkimi me eshtrat e viktimave të zhvarrosura në lokacionin e Rudnicës, një varrezë tjetër masive në rajonin e Rashkës.Pas identifikimit përmes analizës së ADN-së është konfirmuar se mbetjet mortore iu përkasin viktimave të masakrës së Rezallës të kryer më 5 prill 1999. Riatdhesimi i viktimave në Kosovë është bërë më 30 shtator, ndërsa u janë dorëzuar familjeve për rivarrim më 9 tetor.Përtej vështirësive dhe pengesave nga zvarritja e gërmimeve, gjetja e mbetjeve të dy personave në lokacione të ndryshme, dëshmon po ashtu qasjen dhe tendencën e Serbisë për të fshehur dhe për t’i zhdukur gjurmët e krimit.Ndërkaq, në territorin e Republikës së Kosovës gjatë këtij viti janë kryer gërmimet në 9 lokacione të ndryshme: varrezat në lagjen Brekoc të Gjakovës; varrezat në lagjen Arbanë të Prizrenit; varrezat e besimtarëve muslimanë në veri të Mitrovicës; varrezat e Qytetit në Shtime; varrezat në fshatin Petrovë të Shtimes; varrezat në fshatin Marinë të Skenderajt; një lokacion në fshatin Strellc të Deçanit; një lokacion në fshatin Planej të Prizrenit, si dhe lokacioni në fshatrat Dreth e Kalludër të Zubin Potokut, në dy prej të cilave janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore të dy personave, një në Brekoc dhe një në Arbanë.Sa i përket hulumtimit të lokacioneve të dyshuara në Kosovë, gatishmëria e institucioneve vazhdon të sfidohet në masë të madhe prej informatave jo të besueshme nga Serbia. Megjithatë, tashmë janë lëshuar edhe 5 urdhëresa nga gjykata për gërmime në lokacione të ndryshme, lidhur me të cilat jemi në fazën e koordinimit për fillimin e punimeve.Bazuar në procedurat ligjore dhe në respektim të kërkesave e traditave familjare, gjatë këtij viti u janë dorëzuar familjeve për rivarrim mbetjet mortore të 25 personave, prej të cilave 21 raste të reja, 4 raste ribashkimi dhe 1 rast asistence, duke përfshirë 5 nga komuniteti serb. Me kërkesë të familjes dhe në prani të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur të Serbisë njëri prej tyre është rivarrosur në Pejë, ndërsa 3 të tjerë i janë dorëzuar Komisionit të Serbisë në Merdar më 24 shtator.Ndërkaq, ceremonitë e rivarrimit janë organizuar me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Departamentit të Mjekësisë Ligjore, zyrtarëve komunalë dhe shoqatave të familjarëve të këtyre personave.Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, së bashku me Ambasadën e Zvicrës u lansua edhe fushata mediale për promovimin e linjës telefonike 038 8000 1600, për familjarët e personave të zhdukur, e cila do ta ndihmojë procesin përmes informatave nga qytetarët dhe ndërveprimit të vazhdueshëm me familjarët. Linja është pa pagesë dhe të gjitha komunikimet do të jenë plotësisht konfidenciale.

Filed Under: Kronike

Një muze për pendesën dhe faljen

December 10, 2021 by s p

Agim Baçi/

“Kushdo që mendon se regjimet komuniste të Europës Qendrore ishin vepër ekskluzivisht e kriminelëve, nuk kupton një të vërtetë thelbësore: regjimet kriminale nuk u krijuan nga kriminelë, por nga entuziastë, të bindur se kishin zbuluar të vetmen rrugë për në parajsë. Ata e mbrojtën me aq vendosmëri atë rrugë, sa u detyruan të vrisnin shumë njerëz. Më pas u bë e qartë se nuk ekzistonte asnjë parajsë dhe se entuziastët ishin vrasës”, shkruante shkrimtari i famshëm Milan Kundera, teksa përshkruante atë shembje të shoqërisë në diktaturë, ku gjithçka njerëzore futej në një të tatëpjetë të pamundur për t’u ngritur nga asnjë Sizif. Por, kaq vite pas rënies së asaj diktature, ata të lindur në fund të viteve ’80 dhe ata pas vitit 1990, që fatmirësisht nuk e kanë jetuar atë tmerr, që nuk janë përballur me shkallët e errëta të asaj ligësie njerëzore, kanë merituar nga ne të paktën një muze – një muze që nis nga fjala që duhet ta thonim me zë të lartë për atë njerëzore të rrëzuar dhe rrënuar, një muze që duhet të niste nga rishkrimi i historisë, nga thënia e të vërtetave të dhimbshme për ata që u pushkatuan pa gjyq, që u internuan, që iu mor prona, që u poshtëruan dhe turpëruan vetëm e vetëm se nuk ishin pjesë e tmerrit, se nuk pranuan të ishin turma e tundjes së kokës për të aprovuar të keqen. E megjithatë, nuk është kurrë vonë të kërkojmë ndërtimin e muzeut të dhimbjes dhe të mos ngurrojmë të përfshijmë jo vetëm atë dhimbje që do të drithëronte edhe Danten teksa shkruante “Rrathët e Ferrit”, por edhe atë dhimbje për secilin nga ne, të paktën nga ne që ishim të rritur në atë kohë, që nuk këmbëngulëm që ajo e shkuar të shkruhej me të gjitha gërmat e errësirës, me të gjitha penelatat e tmerrit që prindërit apo gjyshërit tanë i bartën në kurrizet e përditshmërisë së tyre. Ky ngurrim i shoqërisë sonë ndaj zbardhjes së të shkuarës, shkaktoi atë që nuk ndodhi në ansjë vend tjetër që kaloi rregjime gjakatare si shoqëria shqiptare, ne përfunduam një shoqëri pa të penduar për krimet dhe terrorin. Duke mos pasur të penduar, u mohuam fuqinë dhe mirësinë e faljes atyre që, edhe kur panë persekutorët e tyre përballë, u treguan më fisnikë se sa ata, duke mos notuar në urrejtje, e aq më pak në hakmarrje. Shumë nga ata që mbijetuan në atë tmerr, zgjodhën të hakmerreshin duke jetuar, duke ndërtuar jetën, edhe pse në muret e përditshmërisë së tyre mungonte guximi ynë që t’ia zbardhnim si duhet të shkuarën dhe të dërgonim në dyert e pendesës ata që guxuan të ishin ideatorë apo gardianë të së keqes. Ky ishte mëkati ynë i dyfishtë, sepse mbetëm pa njerëz që të pranonin fajin e tyre. Kjo pafuqi e jona, ky dështim, bëri që një pjesë prej atyre që ishin kalorës të së keqes, të riktheheshin e të jepnin leksion për demokracinë, leksion për ta ardhmen. Poshtë xhaketave të fjalimeve të tyre dallohej ajo veshje e brendshme e ngjyrës së të shkuarës, që i mbartte fort nëpër trup, duke i rrethuar lëkurën, rrahjen e zemrës, e duke lënë nostalgjinë e së shkuarës së diktaturës të vallëzojë pa frikë përballë nesh.Duhet ta themi hapur: Moszbardhja e së djeshmes kriminale në diktaturë nuk është thjesht çështje historie. Ajo e shkuar, fatkeqësisht, ka vijuar të jetë dominuese në mjaft nga institucionet e arsimore-shkencore, në institucionet ligjvënëse, në institucionet ligjzbatuese, duke lejuar që të mbetet e fuqishme mes nesh ajo kulturë dhe ajo ideologji e asaj kohe, ku “njeriu i ri” mori gjithçka në dorë duke persekutuar, burgosur, vrarë e injoruar atë që dinte, atë që besonte në Zot, atë që kish njohur pronën dhe vlerat njerëzore. Media dhe studiuesit e rinj duhet medoemos të kontribuojnë në leximin e së shkuarës. Jo thjesht për të ndëshkuar ndokënd me burg, siç bënë ata dikur. Por për të kuptuar se si një e keqe ideologjike mund të shndërrojë njeriun në adhurues të krimit dhe të zhdukjes së njerëzores, edhe pse për jetën në diktaturë janë prej kohësh janë bërë publike qindra apo mijëra fakte persekutimi, dhunimi e zhdukjeje të atyre që guxuan të mos e pranojnë humbjen e qenies njerëzore.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2690
  • 2691
  • 2692
  • 2693
  • 2694
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT