Prishtinë, 10 dhjetor 2021
Nuk ka marrëveshje me Serbinë pa u zgjidhur çështja e të zhdukurve me dhunë, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës në pritjen e organizuar nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Kryeministri tha se ka respektuar kërkesën e familjarëve për t’ju qasur çështjes së të zhdukurve me seriozitet të plotë, duke ushtruar ndikimin te mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë.“Unë besoj që e keni përcjellë edhe ju që personalisht kam qenë tejet i zëshëm dhe në secilin takim publik e jo publik me akterët relevantë ndërkombëtarë e kam ngritur çështjen e personave të zhdukur me dhunë si çështje edhe me prioritet e urgjencë”, tha kryeministri.Ai theksoi se për të si kryeministër dhe për Qeverinë e Kosovës është me shumë rëndësi që prioritetet t’i kemi të qarta.“Megjithatë është njësoj e rëndësishme që t’i flasim zëshëm pengesat që i kemi, e jo që secila ngecje është rezultat i mos përpjekjes sonë. E them këtë vetëm për të qenë të sinqertë me njëri-tjetrin në të gjitha veprimet tona”, tha kryeministri Kurti, duke uruar që takimet si ky i sotmi të mos duhet t’i mbajmë edhe gjatë. “Shpresojmë, sepse punojmë, që të arrijmë të bëjmë më të mirën për t’ju mbyllur plagët e hapura edhe juve, e besa edhe neve”, shtoi ai.Puna e institucioneve të Republikës së Kosovës, sfidat dhe bashkëpunimi me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë gjatë vitit 2021, në proceset lidhur me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë, u prezantuan nga z. Andin Hoti, Kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Delegacionit për Bisedime për Çështjen e Personave të Zhdukur.Gjatë vitit 2021, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, Instituti i Mjekësisë Ligjore, Prokuroria, Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera relevante, së bashku me shoqatat e familjarëve dhe partnerët ndërkombëtarë, janë angazhuar me përgjegjësi dhe përkushtim në hulumtimin, identifikimin dhe zgjidhjen e rasteve, duke insistuar njëkohësisht në dy parime themelore: dinamizimin dhe humanizimin e procesit, tha z. Hoti.Gjatë këtij viti, është trajtuar me prioritet lokacioni i varrezës masive në Kizhevak të Serbisë. Gërmimet e filluara atje që në vitin 2015, pesë vjet më vonë kishin konfirmuar ekzistimin e varrezës masive me gjetjen e disa mbetjeve mortore në nëntor 2020. Gërmimet, që kanë përfunduar më 26 maj 2021, kanë rezultuar me gjetjen e mbetjeve mortore të 9 viktimave të luftës: shtatë identifikime të reja dhe dy raste ribashkimi me eshtrat e viktimave të zhvarrosura në lokacionin e Rudnicës, një varrezë tjetër masive në rajonin e Rashkës.Pas identifikimit përmes analizës së ADN-së është konfirmuar se mbetjet mortore iu përkasin viktimave të masakrës së Rezallës të kryer më 5 prill 1999. Riatdhesimi i viktimave në Kosovë është bërë më 30 shtator, ndërsa u janë dorëzuar familjeve për rivarrim më 9 tetor.Përtej vështirësive dhe pengesave nga zvarritja e gërmimeve, gjetja e mbetjeve të dy personave në lokacione të ndryshme, dëshmon po ashtu qasjen dhe tendencën e Serbisë për të fshehur dhe për t’i zhdukur gjurmët e krimit.Ndërkaq, në territorin e Republikës së Kosovës gjatë këtij viti janë kryer gërmimet në 9 lokacione të ndryshme: varrezat në lagjen Brekoc të Gjakovës; varrezat në lagjen Arbanë të Prizrenit; varrezat e besimtarëve muslimanë në veri të Mitrovicës; varrezat e Qytetit në Shtime; varrezat në fshatin Petrovë të Shtimes; varrezat në fshatin Marinë të Skenderajt; një lokacion në fshatin Strellc të Deçanit; një lokacion në fshatin Planej të Prizrenit, si dhe lokacioni në fshatrat Dreth e Kalludër të Zubin Potokut, në dy prej të cilave janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore të dy personave, një në Brekoc dhe një në Arbanë.Sa i përket hulumtimit të lokacioneve të dyshuara në Kosovë, gatishmëria e institucioneve vazhdon të sfidohet në masë të madhe prej informatave jo të besueshme nga Serbia. Megjithatë, tashmë janë lëshuar edhe 5 urdhëresa nga gjykata për gërmime në lokacione të ndryshme, lidhur me të cilat jemi në fazën e koordinimit për fillimin e punimeve.Bazuar në procedurat ligjore dhe në respektim të kërkesave e traditave familjare, gjatë këtij viti u janë dorëzuar familjeve për rivarrim mbetjet mortore të 25 personave, prej të cilave 21 raste të reja, 4 raste ribashkimi dhe 1 rast asistence, duke përfshirë 5 nga komuniteti serb. Me kërkesë të familjes dhe në prani të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur të Serbisë njëri prej tyre është rivarrosur në Pejë, ndërsa 3 të tjerë i janë dorëzuar Komisionit të Serbisë në Merdar më 24 shtator.Ndërkaq, ceremonitë e rivarrimit janë organizuar me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Departamentit të Mjekësisë Ligjore, zyrtarëve komunalë dhe shoqatave të familjarëve të këtyre personave.Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, së bashku me Ambasadën e Zvicrës u lansua edhe fushata mediale për promovimin e linjës telefonike 038 8000 1600, për familjarët e personave të zhdukur, e cila do ta ndihmojë procesin përmes informatave nga qytetarët dhe ndërveprimit të vazhdueshëm me familjarët. Linja është pa pagesë dhe të gjitha komunikimet do të jenë plotësisht konfidenciale.