Saimir Z. Kadiu
Më 1937 u kthye në Shqipëri nga Bukureshti pas 48 vjetesh për t’u çmallur me atdheun. U prit me dashuri të jashtzakonshme. E paharruar qe vizita që bëri në Shkodër, së bashku me Lasgushin e ri, me këngëtaren Tefta Tashko dhe pianisten Lola Aleksi. Ditët kremtore, organizuar në Kinema Rozafat nga Ernest Koliqi, vunë në kontakt me intelektualët më të lartë të qytetit të Veriut, dy breza poetësh të mëdhenj: brezin e parë, përfaqësuar nga Atë Gjergj Fishta e Asdreni dhe brezin e dytë, nga Ernest Koliqi e Lasgush Poradeci. Ky takim u përjetësua përmes aparatit fotografik të Marubit. Fotografitë, të cilat sot na paraqiten si të rralla e të panjohura, qenë tepër të njohura për kohën, sepse u botuan në të gjitha organet kryesore të shtypit. Ishte ky një rast i jashtëzakonshëm për të dy poetët e mëdhenj të Toskërisë, që u njohën së afërmi me dy të mëdhenjtë e Gegënisë, e sidomos me Atë Gjergjin. Mbresat e jashtëzakonshme këtyre takimeve, ende të panjohura, do t’i shtonin faqe të reja jetëshkrimit të katër të mëdhenjve të letërsisë shqipe.Pas shtegtimeve plot mall nga Jugu në Veri, Asdreni u kthye rishtas në Bukuresht, ku vijoi jetën e tij prej murgu, kushtuar krejtësisht bashkësisë së shqiptarëve të Rumanisë, e jo më pak, gjithë shqiptarëve për të cilët, siç e tregojnë titujt e veprave të tij: ëndërroi, derdhi lote, dëshiroi rreze dielli e lirie. E mbylli sytë në një shtëpi që i ngjante më shumë kasolles, në rrethinat e Bukureshtit me 11 dhjetor 1947.