
Më 8 nëntor përkujtojmë datën e shkrimit të dokumentit kishtar të kryeipeshkvit të Durrësit, imzot Pal Engjëllit. Shkruar në latinisht (gjuha kishtare e kohës), në këtë dokument dëshmohet për herë të parë “FORMULA E PAGËZIMIT” në gjuhën shqipe: “Un te pagezonj pr’emen’t Atit e t’birit e t’shpirtit shenjt”, që deri më sot konsiderohet si dokumenti më i hershëm i njohur i gjuhës shqipe (8 nëntor 1462).
Dokumenti i kryeipeshkvit shqiptar imzot Pal Engjëlli, mik, këshilltar e bashkëpunëtor i ngushtë i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, ruhet në Bibliotekën Laurentiane të Firencës dhe u zbulua për herë të parë nga historiani rumun Nicolae Iorga më 1915.
Ky dokument është fryt i vizitës baritore që imzot Pal Engjëlli ndërmori si udhëheqës shpirtëror nëpër kishat famullitare të kryedioqezës së Durrësit. Në përfundim të saj, ai paraqiti një pasqyrë të gjendjes së organizimit të Kishës, situatës së vështirë dhe rreziqeve që i kanoseshin popullsisë, duke u lënë porosi priftërinjve dhe besimtarëve që t’i pagëzonin foshnjat në rrezik vdekjeje me formulën e njohur shqip, e cila në shqipen e sotme përkthehet: “Unë po të pagëzoj në emër të Atit, e të Birit, e të Shpirtit Shenjt”.
Së fundi, në këtë dokument Pal Engjëlli i drejtohet Selisë së Shenjtë për të ndihmuar popullsinë e varfër e të vuajtur të këtyre viseve.
Duke evokuar këtë dëshmi të rëndësishme, studjuesi Karl Gurakuqi shkruante në revistën “Shejzat” (1969): “Kryeepiskopi shqiptàar i Durrsit, Pàl Engjëlli (rreth vjetve 1417-1470), mik e bashkëpuntuer i Skënderbeut, njerí shum fetár, me ndiesí të forta atdhetare, pat bânji vizitë baritore tue u sjellë nepër të gjitha viset e Shqipnísë… pat vû re shërregullime… prandej Bariu i tyne, Pali, shkroi disá udhëzime e rregullore, me anën e të cilave u mësonte priftënvet se qysh lipsej të silleshin në shërbesat e kishës.