• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nga stuhia e përçarjes drejt heshtjes së urtësisë politike

October 22, 2025 by s p

Çdo vonesë ose mosveprim do të thotë dhënie e një avantazhi të papërballueshëm për ata që synojnë të destabilizojnë vendin dhe rajonin. Çdo dështim për të ruajtur unitetin shqiptar nuk është thjesht humbje politike; është rrezik për stabilitetin e të gjithë rajonit. Një Maqedoni e destabilizuar mund të shërbejë si katalizator për tensione të reja në Kosovë dhe Bosnjë, duke i hapur rrugë ndërhyrjes së forcave rajonale dhe globale që synojnë të dobësojnë pozitën shqiptare dhe orientimin evropian.

Nga Prof. dr. Skënder ASANI

Në historinë e çdo kombi ekzistojnë çaste që nuk mund të injorohen, çaste që nuk i përkasin kohës së zakonshme, që nuk presin indiferencë dhe që nuk tolerojnë as frikë, as kalkulim. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut ndodhen sot pikërisht në një prej këtyre çasteve. Nuk është çështje numrash apo pushteti të përkohshëm; është çështje bashkimi, vizioni të përbashkët dhe vendosmërie për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtën për përfaqësim të barabartë në shtetin që ata vetë kanë ndihmuar ta ndërtojnë.

Ky nuk është thjesht një apel për reflektim; është alarm. Përçarja, indiferenca ose heshtja e gabuar do të ishin dorëzim përballë një procesi të qartë dhe të mirëmenduar për dobësimin e pozitës kushtetuese të shqiptarëve. Ky proces ka pasqyra të qarta dhe ka nisur me faza të planifikuara mirë, që synojnë devijimin e kauzës shqiptare drejt përfitimeve personale apo ndikimeve të huaja. Historia ka treguar qartë: kombet që humbin unitetin, humbin edhe të ardhmen dhe shqiptarët nuk mund ta lejojnë këtë.

Javët e fushatës parazgjedhore ishin një stinë e vërtetë tensioni. Retorika e kryeministrit Mickovski ndërtoi dy shtylla strategjike: nga njëra anë, përpiqej të grabiste çështjen shqiptare dhe të deformonte rolin kushtetues të shqiptarëve; nga ana tjetër, punonte për të fragmentuar partitë politike shqiptare, duke i shndërruar ato në instrumente manipulimi dhe duke neutralizuar çdo zë që mund të kundërshtonte propagandën e pushtetit.

Synimi ishte i qartë: shqiptarët të shfaqeshin si fajtorë për çdo destabilizim të mundshëm në Maqedoni, të shtyheshin drejt radikalizmit dhe të bllokoheshin përballë çdo përpjekjeje për orientim evropian të vendit. Kjo strategji nuk ishte thjesht politikë lokale; ajo kishte pasqyra rajonale dhe ndërkombëtare, duke synuar hapjen e rrugës për ndikimin e Serbisë në Kosovë dhe Bosnjë, e duke kërcënuar stabilitetin e të gjithë rajonit.

Në çdo qytet dhe fshat, shqiptarët përballeshin me fushata agresive, me mesazhe që tentonin të thyenin unitetin dhe të nxirrnin përçarje të brendshme. Por përtej tensionit dhe fjalëve të zjarrta, shumica e qytetarëve shqiptarë qëndruan të qetë, duke kuptuar se beteja nuk është për një ditë apo për një votë të veçantë, por për të ardhmen e brezave.

Projekti i përgatitur me kujdes, që kishte për synim krijimin e një narrative përplasjeje gjatë ditës së zgjedhjeve lokale, dështoi në mënyrën më domethënëse të mundshme. Në vend të tensionit të parashikuar, dita e zgjedhjeve u shndërrua në një manifestim të pjekurisë politike shqiptare, ku qytetari shqiptar, me një vetëdije të rrallë historike, zgjodhi rrugën e qetësisë dhe të arsyes. Aty ku pritej provokimi, mbizotëroi maturia; aty ku pritej reagimi instinktiv, triumfoi reflektimi demokratik. Shqiptarët, si asnjëherë më parë, dëshmuan se dinë të administrojnë procesin politik me standarde që kujtojnë demokracitë skandinave, duke e kthyer heshtjen në armën më të fuqishme kundër manipulimit. Kjo heshtje nuk ishte mungesë zëri, por shenjë autoriteti një mesazh se legjitimiteti nuk buron nga zhurma, por nga dinjiteti. Në këtë mënyrë, shqiptarët dëshmuan se janë jo vetëm faktor shtetformues, por edhe garantë të rendit politik, duke treguar se projektet e përplasjes mund të hartohen, por nuk mund të triumfojnë përballë vetëdijes së pjekur kombëtare.

Rezultatet e rundit të parë të zgjedhjeve kanë shërbyer si pasqyrë e qartë e nevojës urgjente për një unitet të ri strategjik brenda spektrit politik shqiptar. Ato nuk janë vetëm shifra elektorale, por tregues i një gjendjeje që kërkon ndërgjegjësim kombëtar dhe përgjegjësi historike. Shqiptarët duhet ta lexojnë këtë sinjal jo si dështim të përkohshëm, por si thirrje për bashkim rreth një platforme gjithëpërfshirëse, që do të hartojë qartë orientimet e përbashkëta për mbrojtjen e pozitës së shtetformësisë shqiptare dhe për zhbllokimin e proceseve eurointegruese të vendit. Vetëm një strategji e tillë, e bazuar në konsensus, vizion dhe veprim të përbashkët, mund ta rikthejë subjektin politik shqiptar në rolin e tij historik si faktor vendimtar i stabilitetit dhe i orientimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Çdo hezitim, çdo ndarje apo përpjekje për përfitime të ngushta do të thotë zbehje e fuqisë kombëtare, ndërsa çdo hap drejt unitetit do të jetë hap drejt konsolidimit të shtetformësisë dhe drejt të ardhmes evropiane të shqiptarëve.

Në këtë kohë, shqiptarët kanë treguar se fuqia nuk matet me zhurmë, por me durim, vendosmëri dhe vizion. Kohezioni i tyre është arma dhe mburoja më e fuqishme për të mbrojtur pozitën kushtetuese dhe orientimin evropian të vendit. Pa unitet, shqiptarët do të mbeten objekt manipulimi dhe nuk do të mund të parandalojnë destabilizimet e jashtme që synojnë të minojnë drejtimin evropian të Maqedonisë dhe të hapin rrugë ndikimeve të huaja në rajon.

Diaspora shqiptare luan një rol kyç në këtë proces. Ajo nuk është thjesht kujtesë historike; është forcë diplomatike dhe politike aktive, që mund të mobilizohet për të mbështetur unitetin dhe për të garantuar respektimin e legjitimitetit shqiptar. Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë promotorë të këtij uniteti, duke mbështetur subjektin politik shqiptar në detyrën historike për të kthyer Maqedoninë në kursin evropian dhe për të avancuar shtetformësinë shqiptare. Çdo ndarje e brendshme, çdo ambicie personale dhe çdo mungesë vizioni është goditje ndaj flamurit shqiptar dhe identitetit kombëtar. Vetëm përmes bashkimit dhe vendosmërisë morale mund të ndërtohet një front i palëkundur që mbron interesin e përbashkët dhe e kthen sfidën në mundësi historike.

Veprimet konkrete paszgjedhore janë të qarta: formimi i një platforme të unifikuar të forcave shqiptare, që i japin zë dhe forcë kohezionit; dialog i hapur dhe koordinim me diasporën, për të mobilizuar fuqinë diplomatike dhe institucionale në mbështetje të kauzës shqiptare; monitorim i vazhdueshëm i çdo rreziku rajonal dhe kundërshtim i çdo përpjekjeje për destabilizim; promovim i unitetit politik dhe vizionit evropian në bashkëpunim me Kosovën dhe Shqipërinë, duke krijuar një rrjet solidariteti që mbështet orientimin evropian të Maqedonisë dhe ruan shtetformësinë shqiptare.

Çdo vonesë ose mosveprim do të thotë dhënie e një avantazhi të papërballueshëm për ata që synojnë të destabilizojnë vendin dhe rajonin. Çdo dështim për të ruajtur unitetin shqiptar nuk është thjesht humbje politike; është rrezik për stabilitetin e të gjithë rajonit. Një Maqedoni e destabilizuar mund të shërbejë si katalizator për tensione të reja në Kosovë dhe Bosnjë, duke i hapur rrugë ndërhyrjes së forcave rajonale dhe globale që synojnë të dobësojnë pozitën shqiptare dhe orientimin evropian.

Heshtja e shqiptarëve nuk është dobësi; ajo është flamur dhe ligj i autoritetit të vërtetë. Legjitimiteti nuk matet me fjalë të larta, por me besimin dhe durimin që ndërtohet në qetësi. Ata që e kuptojnë fuqinë e heshtjes dhe artin e bashkimit do të udhëheqin të ardhmen; ata që jo, do të mbeten peng i zhurmës dhe i iluzioneve të përkohshme.

Historia nuk pret. Kombi nuk pret. Bashkimi, vizioni dhe përgjegjësia janë armët më të fuqishme. Ky është çasti i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për të treguar se dinjiteti nuk kërkohet, por fitohet; se uniteti nuk imponohet, por ndërtohet; dhe se shtetformësia nuk është dhuratë, por përkushtim. Nga kjo heshtje e fuqishme duhet të lindë një rend i ri politik mbi besim, vizion dhe unitet jo mbi frikë, iluzion ose zhurmë.

Ky është çasti historik për të ruajtur pozicionin kushtetues dhe për të kthyer Maqedoninë në kursin evropian, duke e forcuar shtetformësinë shqiptare për brezat e ardhshëm.

Në këtë moment të ndjeshëm historik, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut qëndrojnë në kryqëzimin mes stuhisë së përçarjes dhe heshtjes së urtësisë politike. Çdo veprim, çdo vendim dhe çdo heshtje kanë pasoja të drejtpërdrejta për të ardhmen e tyre dhe për stabilitetin e të gjithë rajonit. Bashkimi i qëndrueshëm, vendosmëria morale dhe vizioni i përbashkët nuk janë thjesht ideale; ato janë armët dhe mburojat që mund të shpëtojnë kauzën shqiptare nga manipulimet, destabilizimet dhe ndikimet e huaja. Historia nuk do të falë asnjë gabim, dhe brezat e ardhshëm do të gjykojnë mbi veprimet e këtij brezi. Prandaj, shqiptarët duhet ta shndërrojnë heshtjen në forcë, unitetin në strategji dhe përkushtimin në veprim të vendosur, duke siguruar që Maqedonia e Veriut të mbetet në rrugën e saj evropiane dhe që shtetformësia shqiptare të konsolidohet për të ardhmen. Ky është amaneti dhe detyra jonë historike.

Filed Under: Fejton

Profesor Albert Paparisto, një personalitet i kulturologjise muzikore shqiptare, ne 100 vjetorin e lindjes (1925-2025)

October 22, 2025 by s p

Akad. Vasil S. Tole/

Sot eshte ditelindja e 100 e profesor Albert Paparistos. Të shkruash për Albert Papariston, si kompozitor, pedagog, muzikolog dhe administrator i kulturës nuk është aspak një punë e lehtë. E themi këtë pasi periudha historike gjatë të cilës u lind, u shkollua dhe në të cilën ai formësoi personalitetin e tij është një me vetë lindjen dhe zhvillimin e muzikës profesioniste shqiptare. Për këtë na duhet të pohojmë qysh në fillim se përmasat e personalitetit dhe veprës së Prof. Paparistos janë ende të pahulumtuara dhe njohura sa duhet. I shkrirë mes pedagogjisë muzikore, administrimit të institucioneve artistike, kompozimit dhe muzikologjisë, së pari duhet që t`i cmosh të gjitha sa me sipër për t`ju afruar sadopak figures së tij.

Si pinjoll i familjes së njohur të Paparistove, ra në kontakt me muzikën qysh në moshë të vogël. Ishte kjo periudhë e rëndësishme e jetës së tij e cila ndikoi se tepërmi, që pas clirimit të vendit më 1944, ish-partizani Paparisto t`i përkushtohej studimeve muzikore në konservatorin e Moskës, në degën e muzikologjisë. Ajo që vlen të theksohet për këtë periudhë është fakti, se Paparisto shkëlqeu në përvetësimin e disiplinave muzikore, gjë që e bëri atë një ndër emrat më të njohur të studentëve. Eshtë pikërisht njohja e teknikave muzikore dhe disiplinave të tjera, që ndër të tjera, Paparisto të hedhë në pentagram, me sigurinë e një profesionisti, tashmë si kompozitor edhe krijimet e para të tij, të cilat zënë fill qysh në vitet `50 të shek. XX. Ndoshta modeste, por harmonizimet e tij të para të këngëve popullore me piano, qofshin ato shkodrane, elbasanase apo korcare, janë edhe mbeten si treguesi më i mirë i faktit se një kompozitor kishte lindur tashmë brenda shtatit të muzikologut të parë profesionist shqiptar.

Duke pasur parasysh mirë vecorinë e situatës muzikore të Shqipërisë të atyre viteve, veprimtaria e Paparistos e dimensionon bindshëm rolin e tij në disa fusha. Së pari, Prof. Paparisto u bë një ndër themeluesit e konservatorit shtetëror të Tiranës e padyshim njëri prej administratorëve të parë të institucioneve muzikore në Shqipëri. Kontributi i tij në Ministrinë e Arsimit e në mënyrë të veçantë si Drejtor i Teatrit të Operas dhe Baletit konsiderohen me shumë rëndësi për të ardhmen e kulturës sonë muzikore, ndërkohë që e gjithë kjo veprimtari u zhvillua pa ndërprerë asnjë ditë mësimdhënien si dhe aktivitetin publicistik në mediat e shkruara kushtuar problemeve të krijimtarisë dhe interpretimit muzikor etj.

Padyshim qe opusi i tij muzikologjik dhe etnomuzikologjik, i shpërndarë tej e këndej në faqet e shtypit dhe në botime te ndryshme, do të jetë për një kohë të gjatë një nga dokumentat më seriozë të veprimtarisë së Prof. Paparistos në këtë fushë, veprimtari e cila nuk njihet sa duhet, sepse, ndoshta për modesti të autorit deri më sot nuk ka qënë e përmbledhur në një botim të vetëm.

Lidhur me kompozimet e tij do të thosha se ato kanë përfshirë kryesisht muzikën vokale dhe atë instrumentale. Ajo që të bije menjëherë në sy është e lidhur me faktin se Paparisto shfaqet si kompozitor i muzikës së dhomës, dhe si i tillë ai dukshëm të emocionon me kompozimet e tij. Kjo vepër, tashmë e përmbledhur në këtë botim, do të sjellë padyshim një përqëndrim dhe vëmëndje, si dhe një rikthim të domosdoshëm të të gjithë muziktarëvë shqiptarë ndaj saj. Kjo për faktin, se e shkruar në kohën kur Shqipëria ishte e izoluar, kur nga autorët kërkohej bindje politike në krjimtari etj, Paparisto shkruan një muzikë të pa indoktrinuar, pra ashtu thjesht, sic është vetë muzika, për njerëzit e të gjitha kohëve. Kjo gjë mund të vihet re fare kollaj edhe në titujt e kompozimeve të tij, tituj të cilët flasin për shpirtin lirik dhe të frymëzuar të artistit Paparisto. Edhe për këtë arsye, kompozimet e tij muzikore do të jetojnë gjatë, pasi kjo krijimtari në thelb është e njëjtë me artin e muzikës, si një art i cili buron vetëm aty ku mendohet dhe shkruhet për të dhe ku kompozitori me fantazinë e tij ngjitet në qiell.

I paharruar profesori ynë i shquar Albert Paparisto!

www.vasiltole.com

Filed Under: Kulture

“No Kings”, kur protesta pa ide, shndërrohet në karnaval kombëtar

October 22, 2025 by s p

Dhe Trump qesh, ndërsa ata bërtasin.

Nga Rafael Floqi

Nëse protestat e fundit kundër Donald Trump kanë provuar ndonjë gjë, është se rezistenca amerikane di si të bëjë spektakël. “No Kings”, që sipas disa vlerësimeve ishte demonstrata më e madhe njëditore në mbi 50 vjet, nuk kishte më një mesazh të vetëm, por një kor zërash që shndërrohej në kakofoni: nga pankarta që citonin Dhiatën e Re te teoritë e komplotit për Epstein-in; nga flamujt për kriptovaluta te bluzat me mbishkrime në spanjisht që i thoshin MAGA-s çfarë mendonin realisht për të. Ishte protestë për hir të protestës – një ritual publik ku qëllimi nuk ishte ndryshimi i politikës, por vetë performanca e mos-pajtimit.

Dhe në qendër të këtij spektakli… një bretkosë gjigante e fryrë me ajër.

Nëse ka një gjë që lëvizja No Kings ka bërë mirë, është të duket qesharake. Dhe kur them “qesharake”, e kam fjalën absolutisht qesharake. Këta demokratë të zemëruar marshojnë në rrugë kundër dikujt që tashmë ka fituar zgjedhjet me shumicë – po, Trump – dhe e bëjnë këtë me një vetbesim që vetëm të humburit mund ta shfaqin. Ata i thonë “No King Trump”, si të “ No Kings ishte një mbret i paautorizuar, duke injoruar faktin e thjeshtë: presidenti është i zgjedhur ligjërisht, me mandate dhe mbështetje. Kjo është ironia bazë: protesta e tyre përbën një akt rebelimi… ndaj dikujt që nuk po e kërcënon. Dhe në këtë absurditet, No Kings nuk është thjesht një lëvizje; është një teatër për veten e tyre, një shfaqje e vazhdueshme e rebelizmit që nuk ka objekt.

Portland Frog: simboli i absurditetit

Nëse po kërkoni simbolin që përmbledh gjithë kontradiktën e No Kings, mos kërkoni më larg se Portland Frog – bretkosën gjigante të fryrë me ajër që marshon me pankarta “Frogs Together Strong”. Seth Todd, 24 vjeç, themeluesi i padashur i fenomenit, nuk kishte tjetër qëllim përveçse të bënte qesharak presidentin dhe të gjithë agjencitë federale që Trump pretendonte se sfidoheshin nga Antifa. Dhe rezultati? Absolutisht i qeshur.

Ky simbol është më shumë se një mem; ai është filozofi politike në formën e tij më të pastër: absurditeti që duket si rezistencë, por në fakt është spektakël. Dhe në mënyrë paradoksale, Portland Frog e bën opozitën të duket jo vetëm e padëmshme, por edhe e arritshme për pjesëmarrësit e pasigurt – ata që duan të jenë pjesë e lëvizjes, por nuk dinë se çfarë po bëjnë.

Protesta pa ide: spektakli mbi mesazhin

Këtu futet edhe No Kings në tërësi: një lëvizje ku çdo pankartë, slogan dhe meme duket sikur thotë, “Shiko sa rebelë jemi – edhe pse nuk po ndryshojmë asgjë.” Disa protestues kritikojnë pjesëmarrësit e tjerë sepse nuk janë të koordinuar; të tjerë ironizojnë mbi vetë protestën; dhe disa thjesht marshojnë për të qenë të pranishëm. Askush nuk ka përgjegjësi; askush nuk pritet të bëjë diçka konkrete.

Pankartat janë një larmi e çuditshme: citime të Dhiatës së Re, teorira komplotiste për Epstein-in, slogane si “Chinga tu MAGA”, bluzat me kriptovaluta dhe meme që askush nuk i kupton. Një grumbull zërash, ideve dhe simbolesh që nuk bashkohen dot, dhe megjithatë secili ndihet protagonist i vetvetes. Kjo është kontradikta më e madhe: protesta për t’u dukur e fuqishme, kur në fakt askush nuk po shqetëson askënd.

Frivoliteti si taktikë

Sociologët dikur e quanin këtë “tactical frivolity” – protestën që i përgjigjet shtypjes me humor dhe absurditet, siç bënin “Yippies” e viteve ’60. Sot, interneti e quan ndryshe: shitposting në jetën reale.

Siç shkruan Sarah Jeong në The Verge, shitpost-i nuk synon të krijojë kuptim, por ta shkatërrojë atë. Të thotë: “Mos e merr kaq seriozisht. Është veç një bretkosë.”

Por pikërisht ky nihilizëm i lehtë është që e bën protestën më përfshirëse. Kur njerëzit kanë frikë të dalin në rrugë, një bretkosë fryrëse ua heq barrën e rrezikut moral: nuk po shpall revolucion – po bën humor. Dhe në një epokë ku çdo deklaratë interpretohet si sulm, humori është arratia më e sigurt.

Karnavali i absurditetit

Disa mund të thonë: “Po kjo është lëvizje serioze, ata kërkojnë drejtësi, liri, transparencë.” Po, sigurisht, dhe një krokodil mund të premtojë të bëhet politikan. Në realitet, No Kings është një teatër vetë-përmbushës. Çdo pankartë, çdo slogan, çdo meme është një deklaratë për vetveten, jo për realitetin. Askush nuk shqetësohet; askush nuk ndalon.

Në këtë kontekst, Portland Frog dhe No Kings janë pjesë e të njëjtit univers: absurditeti bëhet armë, qesharaku bëhet simbol. Dhe ndërsa protestuesit bërtasin për lirinë dhe drejtësinë, ata po krijojnë një spektakël që është më shumë selfie masive se sa rezistencë reale. Trump mund të qeshë në Oval Office, ndërsa ata bëjnë shfaqjen e tyre teatrale.

Bob Ferguson: një paralelizëm i qesharak

Në këtë absurditet, mendja kthehet te Bob Ferguson në One Battle After Another – një disident që nuk fiton betejën, por e bën rezistencën të duket më qesharake dhe më e afërt. Bob ndez fishekzjarre ndërsa të tjerët çlirojnë burgje për emigrantë; Portland Frog tund pankartën ndërsa askush nuk shqetësohet.

No Kings është versioni real i kësaj filozofie: jo udhëheqje, jo strategji, vetëm qeshje dhe teatrin e vetes. Ata nuk do të rrëzojnë Trump-in, nuk do të ndryshojnë zgjedhjet dhe nuk do të krijojnë një valë revolucionare. Por e bëjnë rebelimin të duket qesharak – dhe në këtë qesharak, ekziston një lloj fuqie morale.

Bretkosa që buzëqesh para stuhisë

A është kjo mënyra e duhur për t’u përballur me autoritarizmin? Ndoshta jo. Por ndoshta është e vetmja që funksionon kur gjithçka tjetër duket e konsumuar. “Portland Frog” dhe Bob Ferguson nuk janë vanguardë të revolucionit – janë shenja të një lodhjeje kulturore që i përgjigjet frikës me tallje, dhunës me buzëqeshje, autoritetit me fryrje plastike.

Ata nuk do ta ndryshojnë botën. Por mund të na ndihmojnë të mos e humbasim mendjen ndërkohë që përpiqemi. Dhe ndoshta, ndoshta, kjo është një formë e re rezistence – ajo që fryhet, kërcehet dhe qesh në fytyrën e absurditetit politik.

Mësimi i absurditetit

Në fund të ditës, No Kings nuk është lëvizje, është karnaval; Portland Frog nuk është lider, është filozof i qeshur. Dhe në këtë kombinim, absurditeti bëhet i fuqishëm: e bën rezistencën më të afërt, më argëtuese dhe ndoshta më të kuptueshme për pjesëmarrësit e paqartë.

Filed Under: Politike

BISEDIMET NË PARLAMENTIN E SHQIPËRISË PËR BAJRAM CURRIN

October 22, 2025 by s p

Prof.Lush Culaj*/

Me fitoren e marsit 1922 mbi kundërshtarët politikë të Qeverisë Ypi, Ahmet Zogu u tregua një figurë e përshtatshme për vendosjen e rendit dhe për ta kapërcyer anarkinë. Shmangia e gjakderdhjes u mirëprit nga pjesa dërrmuese e qytetarëve dhe nga kjo përfitoi Ahmet Zogu si ministër i brëndshëm, reputacioni i të cilit u ngrit. Nga Qeveria u krijua një gjyq ushtarak për ndjekjen penale të kundërshtarëve qeveritarë. Kundërthëniet ndërmjet nacionalistëve nga Kosova dhe Qeverisë Shqiptare u ashpërsuan edhe më shumë. Nga ky shkak Bajram Curri dhe shumica e luftëtarëve të çetave të Kosovës në përpjekjet e tyre për rrëzimin e qeverisë ishin të ndjekur nga Qeveria Shqiptare e Tiranës, pothuaj aq sa edhe nga Qeveria e Beogradit.

Fillimet e kundërthënieve në raportet ndërmjet dy grupimeve politike ishin edhe më të hershme, por ato u vërejtën qartazi me rastin e themelimit të kabinetit qeveritar të Hasan Prishtinës, më 7 dhjetor 1921.

Në vitin 1922 konsiderohej se në Zonën Neutrale të Junikut nën udhëheqjën e Bajram Currit, Hasan Prishtinës, Sadik Ramës Azem Bejtës etj numri i të arratisurve ishte mbi 2.000 vetë. Në rrethanat e krijuara Qeveria Shqiptare ishte e interesuar për vëndosjën e rendit dhe qetësisë në mbarë kufijtë shtetëror.

Këshilli i Lartë e caktoi, më 2 dhjetor 1922, Ahmet Zogun në postin e kryeministrit. Në fjalën që ai mbajti në Parlament propozoi një varg masash për përmirësimin e gjendjes së brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë. Ai vuri në dukje se Shqipëria, si shtet i vogël që ishte, duhej të ndiqte një politikë të jashtme të qartë dhe pa iluzione. Pas ardhjës të Zogut si kryeministër në mes drejtuesve të Komitetit të Kosovës u zhvilluan debate lidhur më qëndrimin që do të mbante kjo organizatë. Bajram Curri, Hasan Prishtina e disa të tjerë ishin kundër çdo lloj bashkëpunimi me Qeverinë e Zogut duke u treguar të vendosur të fillonin një kryengritje të armatosur kundër kësaj qeverie. Pjesa tjetër e nacionalistëve kosovarë si Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Beqir Vokshi etj, kërkonin arritjen e një marrëveshtje me qeverinë, duke u deklaruar se ndërmarrja e veprimeve të armatosura kundër saj dëmtonte interesat e shtetit.

Bajram Curri, Hasan Prishtina, Sadik Rama Hysni Curri etj, të pa kënaqur me pushtetin që kishte Zogu, organizuan në janar të vitit 1923 një goditje të re të armatosur kundër forcave qeveritare në Prefekturën e Kosovës. Ata zunë Tropojën dhe rrethuan Krumën, por edhe kjo kryengritje dështoi. Pasi u thyen nga forcat qeveritare kryengritësit kaluan në Zonën Neutrale të Junikut.

Edhe pas shuarjës të Zonës Neutrale Bajram Curri, Hasan Prishtina dhe mbështetësit e tyre nuk hoqën dorë kundër qeverisë të Zogut. Në pranverë të vitit 1923, ata kishin hartuar një plan veprimi për debimin e trupave ushtarake të qeverisë shqiptare në viset e Shqipërisë Veriore. Me 13 prill 1923, qeveria miratoi kërkesat e drejtuesve të forcave ushtarake në terren për ti sulmuar kryengritësit por udhëzoi që, nëse pranonin Bajram Curri dhe Hasan Prishtina tu jepej leje që të dalin jashtë shtetit, kurse mbeshtetësit e tyre të çarmatoseshin.

Për veprimtarinë e tij antiqeveritare Bajram Curri ndiqej këmba-këmbës. Në mbledhjen e 31 majit 1923 kryetari i Parlamentit Eshref Frashëri e vendosi në rend dite faljen e disa personave të dënuar për faje politike. Nga kryetari i komisionit për Drejtësi, Ali Këlcyra, lexohet raporti i cili kishte vendosur njëzëri që personat që ishin në listë të faleshin. Komisioni propozon të amnistohen edhe Abdi Toptani, Ismail Haki Kuçi, Bajram Curri e Kadri Prishtina.

Kelcyra i ftoi deputetët në ndërgjegjen patriotike e njerëzore dhe mbi armiqësitë personale ta vënë dorën në zemër dhe të deklarohen se a mund të jenë tradhtarë dhe të rrezikshëm për atdheun njerëzit që i kanë bërë kaq shumë shërbime kombit? Kryeministri Zogu theksoi se Ali Këlcyra foli si patriot gjaknxehtë pa i vështruar faktet. Duke i propozuar Parlamentit që të pranohet vetëm lista e paraqitur nga Qeveria kryeministri tha: “Ali Këlcyra thotë se kanë qenë patriotë. Mund të kenë qenë por e kaluara nuk i fal për një faj të tillë për përpjekjet për përmbysjen e shtetit.” Edhe deputeti Luigj Gurakuqi, kërkon që të falët edhe Bajram Curri. Në vijim deputeti Ali Këlcyra, duke e quajtur ironi të fatit që atij po i takonte ta mbronte Bajram Currin dhe Abdi Toptanin në Parlament deklaron se në asnjë mënyrë nuk mund ta pranoj që të tillë njerëz të quhen tradhtarë. Duke parashtruar pyetjen: Pse luftohet sot Bajram Curri? Pse akuzohet si tradhtar? Çka bërë kundër këtij atdheu? Në sallë dëgjohen zëra se ai ka marrë armët dhe po i vret ushtarët tanë. Deputeti Këlcyra përgjigjet se ka të drejtë t’i marrë armët kushdo të jetë kur e sheh se miqtë dhe shokët i harrojnë shërbimet e tij e po dëshirojnë ta vrasin në pyjet e Malësisë.

Sot nuk po e mbroj Bajram Currin e Abdi Toptanin, por dinjitetin dhe nderin e kombit shqiptar. Kryeministri Zogu, u shpreh se nuk thashë që Bajram Curri asht i rrezikshëm por po vret edhe njerëz. Sot në grykë të Dragobisë janë vrarë dy ushtarë. Përballë këtyre fakteve a është e nevojshme të tregohet patriotizmi i kaluar?

Deputeti Bedri Pejani, në fjalimin e vet, ndër të tjera, do të theksonte: “Bajram Curri është përpjekë mjaft për çështjen shqiptare dhe unë e kam pasur nderin që për njëzet vjet të bashkëpunoj më të, por duhet ta dini se kurrë patriotizmi nuk i jep të drejtë një njeriut të përdorë armët kundër atdheut të vet. Ata kanë përdorur armët kundër një shteti që është formuar me ligje, kundër një shteti të dobët që ka arritur në këtë shkallë falënderuar qindra sakrificash. Duke përmendur edhe sakrificat e popullit të Kosovës për çështjen kombëtare Pejani shprehet se një atdhe që është bërë me kaq sakrifica e pengesa të mëdha kundër këtij atdheu nuk ka të drejtë askush t’i përdorë armët.”

Deputeti Halim Gostivari në vijim do të theksonte: “ Patriotët e vërtetë lavdërohen pasi të vdesin, në mënyrë që të jetë i pandryshueshëm gjykimi që do të bëjë historia mbi ta. Me lavde që bani Ali Këlcyra në vend që ata t’i puthi i hëngri. Përfundimisht Parlamenti vendos që t’u falet dënimi vetëm 80 personave emrat e të cilëve figurojnë në listën qeveritare. Në këtë listë nuk gjenden emrat e Bajram Currit dhe Abdi Toptanit.

Me gjithë problemet e natyrave të ndryshme në vitet 1920-1924 në Parlamentin shqiptar çështja e Kosovës ishte e pashmangshme. Karakteristike është se ajo u ridimensionua në hapësirat e politikës dhe realpolitikës shqiptare të kohës. Mu për këtë çështja e Kosovës në Parlament nuk u shtrua si çështje e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Madje, për shkak të rrethanave lëvizja irredentiste ka qenë objekt kritikash, ndonëse këtë lëvizje e udhëhiqnin personalitete të shquara kombëtare.

Arsyet e armiqësisë ekstreme të Bajram Currit ndaj qeverisë të Zogut ishin komplekse. Këtu ndikonte edhe armiqësia përsonale me Ahmet Zogun si dhe qëndrimi i moderuar i qeverisë ndaj Kosovës. Bajram Curri nuk luftonte për pushtetin e tij përsonal, por për idealin e tij, për Kosovën. Vlen për tu theksuar se Curri nuk e kuptonte mënyrën e funksionimit të një shteti modern dhe nuk arrinte ta ndante opozitarizmin nga armiqësia ekstreme politike e personale. Pra Bajram Curri nuk arriti të kuptonte se objektivat e tij dhe kërkesat që kishte ai ndaj qeverisë për çeshtjën e Kosovës ishin të pa realizueshme. Një politikë ngacmuese dhe pretenduese kundër Mbretërisë SKS mund ta fuste shtetin e brishtë shqiptar në konflikte që mund ta rrezikonin edhe vet Shqipërinë londineze.

Për meritat e tij dhënë çështjes kombëtare, ndonëse kishte kundërthënie dhe divergjenca me qeveritarët e Tiranës, Parlamenti i mori në konsideratë meritat e tij. Në mbledhjen e 30 tetorit 1926 me qëllim që t’u lehtësohet gjendja e vështirë financiare familjeve të Bajram Currit dhe Hysni Currit u jepet pension mujor.

*Kumtesë e mbajtur në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës më 17. 10. 2025, me rastin e 100 vjetorit të vrasjës së Bajram Currit.

Filed Under: Histori

Dr. Diamant Lulaj – Kardiologu shqiptar që lartëson emrin e vendit në arenën ndërkombëtare

October 22, 2025 by s p

Albert Z. ZHOLI/

Në një kohë kur vendi ynë ka nevojë për figura që e përfaqësojnë me dinjitet në çdo fushë, emri i Dr. Diamant Lulaj, spikat si një shembull i përkushtimit, profesionalizmit dhe vlerave njerëzore. Ai është një nga atamjekë që e bën Shqipërinë të ndihet krenare, jo vetëm përarritjet shkencore, por edhe për mënyrën e përulur e fisnikeme të cilën i shërben jetës njerëzore.

Rruga e një mjeku që nisi nga Shkodra

I lindur dhe rritur në qytetin e kulturës, Shkodrën, Diamant Lulaj tregoi që herët pasionin për dijen dhe shkencën. Arsimin e mesëm e kreu në “Turkish College Hasan Riza Pasha”, një ndër institucionet më të njohura në veri tëvendit, ndërsa më pas ndoqi Fakultetin e Mjekësisë nëUniversitetin e Tiranës, ku u diplomua me rezultate tëshkëlqyera.

Pas diplomimit, zgjedhja e tij nuk ishte e lehtë , por ishte e qartë: të thellohej në një nga fushat më të ndërlikuara të mjekësisëmoderne, kardiologjinë invazive. Ky specializim e çoi drejt Turqisë, ku u formua profesionalisht në nivelet më të lartatë praktikës spitalore dhe kërkimit shkencor.

Ekspertizë dhe përkushtim në Spitalin Amerikan.

Pas kthimit në atdhe, Dr. Lulaj vendosi dijen e tij nëshërbim të pacientëve shqiptarë. Sot, ai është kardiolog në Spitalin Amerikan 3 në Tiranë dhe një nga mjekët më tërespektuar në fushën e kardiologjisë invazive, duke kontribuar në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve tëzemrës me teknologjitë më të avancuara.

Puna e tij përfshin jo vetëm ndërhyrje delikate, por edhekujdesin e përditshëm njerëzor që e bën pacientin të ndiejësiguri dhe besim. Ai është dëshmi se profesionalizmi nukmatet vetëm me tituj, por me rezultate konkrete dherespektin që fiton çdo ditë në praktikë.

Një shqiptar që nderon flamurin kudo që shkon.

Përveçse në Shqipëri, Dr. Diamant Lulaj është pjesëmarrësaktiv në konferenca dhe trajnime ndërkombëtare, kupërfaqëson me dinjitet shkollën shqiptare të mjekësisë. Nëçdo dalje profesionale ai mbart me vete flamurin kuqezidhe tregimin e një vendi të vogël, por me njerëz tëmëdhenj.

Ai është pjesë e brezit të ri të mjekëve që po ndërtojnë njëmodel modern të mjekësisë shqiptare, ku bashkohenpërgatitja shkencore, etika profesionale dhe dashuria përnjeriun.

Një frymëzim për të rinjtë

Shembulli i Dr. Diamant Lulaj është një thirrje për të gjithëtë rinjtë shqiptarë që synojnë lart: me përkushtim, mund, dhe besim në vetvete, çdo ëndërr është e arritshme.

Në një epokë ku shumë profesionistë kërkojnë rrugë jashtëvendit, ai zgjedh të shërbejë këtu, në Shqipëri, duke sjellëdije dhe përvojë ndërkombëtare në shërbim të pacientëveshqiptarë.

Në një Shqipëri që përballet me sfida të shumta, njerëz siDr. Diamant Lulaj janë dëshmi e qartë se vendi ynë ka potencial, energji dhe vlera që vlejnë për t’u njohur në çdoskaj të botës.

Ai është më shumë se një kardiolog i suksesshëm , ështëfytyra e mjekut shqiptar që punon me shpirt, me dinjitetdhe me dashuri për njeriun.

Në një kohë kur bota ka nevojë për shpresë, ai mbetetdëshmi se shpresa është këtu, në duart e një mjeku që nuklodhet kurrë së shpëtuari jetë.

Në një kohë kur shumë mjekë e shohin profesionin sikarrierë, Dr. Lulaj e jeton atë si shërbesë. Ai ështëgjithmonë i pranishëm, qoftë në sallën e ndërhyrjeve, qoftënë telefonin e një pacienti që kërkon ndihmë në mes tënatës.

“Kur bëhesh mjek, nuk mund të ndalesh. Zemra e pacientitështë përgjegjësi që s’të lë të pushosh,” shprehet shpesh ai me përulësi, duke treguar thelbin e një profesionisti tëvërtetë.

Ky përkushtim e ka bërë të nderuar dhe të dashur jo vetëmmes kolegëve, por edhe mes njerëzve të thjeshtë, që shohintek ai fytyrën e vërtetë të mjekut shqiptar.

Në çdo rast, ai mbart me vete një mision të qartë: të tregojëse edhe këtu, në Shqipëri, mund të bëhet mjekësi me standarde të larta dhe me zemër të madhe.

Ambasador i Shqipërisë në arenën mjekësore

Në konferenca dhe trajnime ndërkombëtare, Dr. Diamant Lulaj përfaqëson me dinjitet mjekësinë shqiptare. Ai ështëndër ata profesionistë që mban flamurin kuqezi me punëdhe jo me fjalë, duke dëshmuar se vendi ynë ka mjekë tëaftë të konkurrojnë në çdo klinikë të botës.

Por, ndryshe nga shumë të tjerë që zgjedhin të qëndrojnëjashtë, ai kthehet gjithmonë në Shqipëri, për t’i shërbyernjerëzve të tij dhe për të ndarë përvojën me brezat e rinj tëmjekëve.

Ai është jo vetëm një mjek i shkëlqyer, por edhe njëambasador i heshtur i Shqipërisë moderne , i këtij vendi qëngrihet përmes dijes, përkushtimit dhe dashurisë për jetën.

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 271
  • 272
  • 273
  • 274
  • 275
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT