• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Tuneli i Llogorasë dhe llogaria e Llogorasë

November 22, 2021 by s p

Gezim Zilja/

Gara për tunelin e Llogarasë është nisur më 20 qershor 2020 dhe është anulluar tri herë. Sipas ish-kryetarit të KLSH, deputetit Bujar Leskaj :” .. Qeveria në mënyrë të pashpjegueshme, zgjodhi ofertën me vlerë 140 milionë euro, kur në mars të vitit 2021, për këtë prokurim, refuzoi një ofertë me vlerë 110 milionë euro të një konsorciumi të përbërë nga një kompani turke dhe një shqiptare!?Dëmi ekonomik dhe abuzimi në këtë vepër është jo pak, por 30 milionë euro!( Shih: Gazeta panorama 15.11.2021). Gjatësia  e Tunelit të Llogorasë do të jetë 5.9 km dhe do të bëjë kalimin nga Dukati në Palasë për 10 minuta. Nga porta hyrëse e tunelit, duke ndjekur rrugën e ekzistuese duhen 30 minuta deri në Palasë. A ia vlejnë miliardat e planifikuara, kur fitohen vetëm 20 minuta kohë dhe  turistët vështirë të braktisin Qafën dhe bukuritë mahnitëse të Llogarait për të fituar 20 minuta? A është Vlora gati ende për tunele, porte e aeroporte luksi? 

Qyteti vuan sidomos në verë mungesën e ujit. Janë mijëra vlonjatë që kthehen në verë për pushime në shtëpitë e tyre sidomos nga Italia e Greqia. Në gjendjen skandaloze të mungesës së ujit dhe rrugëve lidhëse brenda lagjeve  ata marrin shtëpi me qira në zonat me ujë ose mallkojnë veten dhe ia mbathin andej nga kanë ardhur. Zona turistike si Radhima, Orikumi, Dukati e Llogorai kanë ndëprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike. Lagjet informale pas fushës së aviacionit e deri në pyllin e sodës, jetojnë pa asnjë shërbim social. Mijëra njerëzve aty u mungojnë rrugët, ndriçimi, ujët e pijshëm, kanalizimet, kazanët e plehrave e shërbime të tjera bazike. 

Vlora ka rreth 130.000 banorë. Në standardet e sotme duhet që për çdo banor të ketë të paktën 7m2 deri në 8m2 sipërfaqe të gjelbëruar. Në vitin 2010 kjo shifër ishte 5m2/gjelbërim/banor. Sot të dhënat janë 1,7 m2/gjelbërim/banor me tendencë uljeje të mëtejshme. Kjo “përkthehet” që Vlora nga një qytet ku aroma e jodit dhe portokallit ndihej deri në Sheshin e Flamurit, sot ka ajër të ndotur dhe prania e dioksidit të karbonit (CO2) është tetëfishuar karahasuar me dhjetë vjet më parë. 

Zhdukja e gjelbërimit dhe betonimi i Vlorës, duke e katandisur në 1.7 m2/ gjelbërim për banor është krim mjedisor nga qeveria, dhe bëhhet thjesht për të vjedhur. Pak gjelbërim, shumë sëmundje kanceroze, të mushkrive, zemrës, etj. 

Gjatë ndërtimit të Shëtitores sipas ambientalistëve lokalë, veç zhdukjes së gjëlbërimit tradicional, është llogaritur që rilindja për çdo palmë qerose apo rrap (jo palma, bimësi e pemë tradicionale) të mbjellë, ka derdhur mbi 7 (shtatë) m3 beton. Lind nevoja urgjente e rivlerësimit të Kurorës së Gjelbër, që rrethonte qytetin, rehabilitimit të pyjeve të Sodës e të Zvërnecit dhe krijimi i parqeve të reja.

Shëtitorja nga Skela deri të tuneli ndotet nga ujrat e zeza (tetë kanale) që derdhen lirisht në det, prandaj Vlora nuk ka për të pasur kurrë jo turistë elitarë, por as nga ata që psonisin në marketet rrotull lagjeve. Shëtitorja nuk ka park çlodhës, teatër, kinema, librari, bibliotekë. galeri artesh, muze, podiume të thjeshta, ku mund të këndohet e kërcehet, vepra arti të traditës apo historisë. Madje nuk ka as as tualete apo një çezmë, ku të freskohesh ditëve të nxehta. Në krah të Kripores janë me dhjetëra hektarë tokë e pashfrytëzur, si toka të kripura. Aty mund të ndërtohet një qytezë sportive, ku të zhvillohen aktivitete sportive për të gjitha moshat. Nuk ka pse masakrohet pylli i Sodës, duke ngritur fusha sportive në mes të tij. Papunësia kap shifra alarmante. Qyteti ka pasur një kombinat ku konservoheshin nga frutat e perimet e krahinës deri mishi e sardelet. Aty punonin qindra gra e burra e prodhimi cilësor eksportohej në Europë. Kjo traditë është shkatërruar plotësisht. Flota e peshkimit një nga krenaritë e qytetit është degdisur në  Zvërnec në kushte primitive. Asaj duhet t’i kthehet krenaria e dikurshme, duke e sjellë sërish në Skelë dhe aty pranë të ndërtohet një merkato peshku moderne. Duhet të zhvillohet e  ringrihen institutet e ullirit, pemëtarisë e vreshtarisë. ku punonin shkencëtarë të vërtetë për shtimin e përmirësimin e kultivarëve të ullirit, pemëve frutore  e vreshtarisë të përshtatura për klimën vendase, të një cilësie shumë më të lartë nga këto që importohen..Vlora antike me muret e saj vazhdon të varroset në beton, dhe qytete antike si Amantia, Ploça e Oriku apo Kalaja e Kaninës janë në mëshirën e Zotit. Nga Vlora deri te Tuneli rreth 6km nuk ka asnjë vepër artistike, shtatore, monument, që të përjetësojë ngjarjet e figurat historike. Ç’lidhje ka Muzeu i Pavarësisë me piramidat buzë ujit, rrathët e betonit herë si kuleçë e herë si petulla me një pishë të tharë në mes dhe ai koçeku betonit që zgjatet pa kuptim? 

P.S. Paratë e hedhura për Rrugën Panoramike, ndërtuar mbi kodrinat e Vlorës, që u inaugurua këtë behar me tamtame  e tralala nga kryministri dhe ministrja Balluku, shkuan për për dhjam qeni. Numri i makinave në 24 orë nuk e kaloi kurrë atë të kokrrave të tespiheve të një turku mysliman.Tani në dimër nuk ka fare trafik dhe rruga shfrytëzohet nga çobanëria për të çuar e marrë nga kullotat delet, dhëntë, dhitë, cjepët e lopët. Kjo duket qartë nga kakërdhitë e bajgat me të cilat mbushet rruga panoramike çdo mëngjes e mbrëmje. Investimet miliardëshe që janë hedhur këto nëntë vjet në Vlorë kanë pasur ndikim të pa përfillshëm në përmirësimin e mirëqënies së banorëve dhe shtimin e vendeve të punës. Nëntë muaj vlonjatët pinë kafe, hanë trahana e presin beharin, të fillojnë të bubrrojnë. Tuneli, aeroporti dhe porti janë dhurata, që kryeministri i bën vetes, qeveritarëve, miqve oligarkë dhe mafies ndërkombëtare, që kanë pushtuar bregdetin. Asgjë nuk e lidh kryeministrin me këtë qytet të bekuar veç grabitjes, kapriçios dhe delirit të madhështisë.   

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Zilja

NË VATRËN ARBËRESHE TË AT ANTONIO BELUSHIT

November 22, 2021 by s p

Hazir MEHMETI, Kalabri

          Nata e mundur nga drita e diellit që lindte majë bjeshkës ndriçoi dhomën ku pushuam pas një rruge të gjatë deri në Kalabri. Fshati i njohur arbëresh Frascineto (Frashëri) me të mirënjohurin e tij At Antonio Belushi, të sillte në kujtesë Frashërin e Abdylit, Naimit e Samiut. Rruga shekullore e shtruar me rrasa guri, muret e gurta të shtëpive përplot tarraca të nxjerra sipër kalldrëmeve, zbërthenin rrezet e agimit në  një kolorit bashkëngjitur me flamujt e ngritur nga  At Antonio për të pritur mysafirët e tij.

 Ishte kjo dita e parë e rrugëtimit tonë në tokën kalabreze e njohur për arbëreshët e saj nëpër shekuj. Në pragun e portës së gurtë, i cili më kujtonte kullën e vjetër ku linda, u duk me buzëqeshjen e tij At Antonio. Një tufë pëllumbash fluturuan rreth ballkonit, sikur lajmëronin me krahët e tyre ardhjen e vëllezërve të një gjaku nga Atdheu përtej detit. 

At Antonio hapi krahët duke na marrë ngrykë me ngrohtësinë vëllazërore të gjithëve me radhë:

              -Mirë se vini! Më bëhet zemra mal që ju takoi! Jeni vëllezërit e mi, urdhëroni brenda!

Pas disa fotografive para ballkonit me flamuj, hymë brenda.  Shtëpia e tij ishte më shumë se një shtëpi, ishte muze etnografik, ishte arkiv, dhe mbi të gjitha ishte bibliotekë e pasur me libra e gazeta të ruajtura prej shumë viteve. Aty ishin të arkivuara shumë nga gazetat ditore të botuara në diasporë dhe atdhe viteve të shkuara. Muret me shumë fotografi flisnin mbi jetën arbëreshe, mbi historinë e tyre të pasur, mbi krenarinë kombëtare, por edhe të jetës së tij prej një veprimtari të madh në dobi të çështjes kombëtare. 

           Aty dëgjuam këngë të vjetra arbëreshe të trashëguara shekujve bashkë me mallin e Mëmëdheut përtej detit. At Belushi dhe motra e tij, Rina, ngritjen e dollisë së mirëseardhjes me kafen e mëngjesit filluan këngët arbëreshe, me ta edhe ne me plot zemër. Zëri i tyre melodik ishte i freskët, përkundër moshës mbi tetëdhjetë vjeçare. 

Motra e tij Rina, e fillonte këngën me mallin e shpirtit arbëresh dhe së bashku e mbaronim me refrenin kuptimplotë e porositës, “Kur ne jemi të bashkuar, Skënderbeu vjen nga qielli”, një simbolikë në partiturën e trashëguar moteve arbëreshe, ku figura e Gjergj Kastriotit kalonte vargjeve në sfera mitike. Askund nuk është ruajtur dhe përkujdesur figura e Heroit Kombëtar si tek arbëreshët. Kjo shihet në çdo hap: në sheshet qendrore të fshatrave arbëreshe me emrin Gjregj Kastrioti Skënderbeu shoqëruar me bustin e tij, në rrugë, shkolla, biblioteka, muze, shtëpi dhe kudo.


          Veglat e shumta të punës, muzikore dhe traditës vendore mbushnin shtëpinë e At Antonios, pa lënë asnjë zbrazëti, duke të dhënë përshtypjen se çdo gjë ishte vendosur aty për të ruajtur kujtesën e një kulture dhe gjuhe, e cila po tretet çdo ditë e më shumë. “Ishin mbi 200 fshatra arbëreshe para gjysmë shekulli e tutje, ndërsa tani kanë ngelur edhe 50 prej tyre ku ruhen akoma traditat dhe deri diku edhe gjuha arbëreshe”.  

Biblioteka e pasur e At Antonio Belushit të kujtonte më shumë arkivat e njohura, se sa thjeshtë një bibliotekë. U mahnitëm me arkivimin e shtypit shqiptar gjithandej globit me aq saktësi e respekt. Aty takuam gazeta të vjetra, të cilat të rikujtonin rolin e tyre me rëndësi të historisë sonë në ndërgjegjësimin shqiptar mbi gjendjen e kombit, në veçanti pjesës në viset e pushtuara të Atdheut.

           Drejtuesi i grupit tonë, gazetari Rexhep Rifati, bisedoi shtruar me At Belushin, me të cilin njihej që moti. Rexhepi sjell kudo energji pozitive me dashurinë dhe respektin e tij ndaj njeriut. Edhe këtu në bibliotekën e Frascinetit arbëresh, i shtohet asaj libri i tij i radhës, me qindra foto që flasin sa mijëra faqe libri. Një dhuratë e me vlerë e cila u mirëprit nga nikoqiri.

  
            –Jeni vërtet Apostull i Arbëreshëve,- tha At Antonio, derisa shpaloste librin e tij me gjithë shkrimet në katër gjuhë paralelisht. 

      Porosia duhet mbajtur, e kishim detyrim nga miku ynë në Kosovë Bedri Tahiri, në përshëndetje të vëllezërve arbëresh si dhuratë nga botimin e tij i dyzetë e shtatë. Aty pranë u regjistruan edhe dy librat e mi të fundit nga hulumtimet e  bibliotekave dhe arkivave. U ndjeva sikur dërgoja fëmijët e mi në ditën e parë të shkollës, me një “udhë të mbarë” të shumëpritur. 

        At Antonio Belushi falënderohej në çdo hap dhe dukej se nuk i mjaftonte koha që të çmallej. Ai dukej shumë i etur për bisedë dhe, po të rrinim disa ditë, nuk do ngopeshim me njëri-tjetrin. Shihej në sytë e tij, në fjalët e tij malli i takimit me Atdheun.

      Ngritja e dollisë së parë me rakinë e njohur kalabreze ishte për mirëseardhje, për Mëmëdheun, për Gjergj Kastriotin dhe shëndetin për të gjithë shqiptarët kudo në botë. 

Shpejt erdhi dollia e fundit prekëse, e përmallshme që na dha energji edhe për të nesërmen drejt rrugëtimit tonë më tutje. Përtej parmakëve të dritareve era luhaste degët përplot ullinj, duke na kujtuar vajin e ullirit kalabrez i shpallur më i miri në të gjithë globin.  

At Antonio Belushi i entuziazmuar me vizitën tonë na përcolli me respekt deri larg shtëpisë së tij, përtej kopshtit, i cili përfundonte me portën, ku shqiponja e flamurit e gdhendur me mjeshtri reflektonte atdhedashuri!

        Nga Frascinato udhëtuam në fshatin Çifti (Civito), pak kilometra larg nga Frashëri. Aty u mahnitëm me pamjen madhështore të fshatit, me Sheshin Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Një simbolikë monumentale, e cila tregonte fuqinë e mallit arbëresh për atdheun e robëruar, ku përtej detit ishte Kalaja e Krujës përballë grykës shkëmb thepisur. Kjo të sillte para syve bjeshkët shqiptare me Sofrën e Skënderbeut. Mes dy thepisjeve shkëmbore rridhte lumi i rreptë mbi të cilin qëndronte Ura e Djallit, një mrekulli arti në mes të natyrës. Udhëtimin tonë e shoqëroi udhërrëfyesi arbëresh Mikele Greco, i cili njihte çdo pëllëmbë të Kalabrisë. 

    Në mbrëmjen e tetëmbëdhjetë shtatorit, sikur me porosi, u gjendem bashkë me Televizionin Çek nga Praga i cili incizonte emision enkas për kulturën, traditën e gjuhën arbëreshe. 

  Njëri nga shoqëruesit tanë në qytezën e Ungrës e njohura Brunida L e tha: “Atë që bëjnë të tjerët, nuk e bëjmë ne”, dhe kishte të drejtë. 

Restoranti Kamastra shkëlqente nga të gjitha anët, veçanërisht nga ngjyrat e bukura të kostumeve arbëreshe. Kameramanët me ekipin xhirues kërkonin qetësinë me hapin e dritave. Kitara nxirrte tingujt e ëmbël nga loja e gishtave që lëviznin mbi shkëlqimin e telave. Kamastra është e njohur me gatimet e shijshme tradicionale të zonës dhe muzikën arbëreshe e cila adhurohet nga turistët e huaj. Çiftelia varur tregonte për kohën e re të bashkimit kulturor ndër shqiptarë viteve të fundit. Ishte ky një përjetim i bukur e shoqëror për ne, një krenari dhe habi, diçka që nuk e kishim ëndërruar.


      Pas xhirimit, darka e shijshme me gatime specialitete vendore në Çift na çlodhi shoqëruar me bisedat dhe mësimet që morëm nga vëllezërit arbëresh nën përkujdesjen e Mikele Greco, një veprimtar i dalluar me aktivitet e tij, gjithandej hapësirave shqiptare. Çifti apo i njohur si Civita, është fshati i peizazheve të pa harruara dhe festivaleve të organizuara nga banorët e tij, mes tyre më i njohuri festivali “Vallja” në pranverë gjatë ditëve të festës së Pashkëve. Ky festival i njohur tërheqë vizitor nga e gjithë Italia, kohëve të fundit nga diaspora shqiptare dhe Mëmëdheu.           

   Në çdo cep takoje arbëreshë, krenarë për origjinën e tyre edhe pse shumë nga ata dinin fare pak fjalë arbëreshe, por flisnin në gjuhën e vendit. Në rrugë e sipër përjetuam pamje mahnitëse të tokës kalabreze, të mbjella me ullinj dhe fruta të tjera mesdhetare si dhe kullota të pasura rrëze bjeshkëve. Sapo kaluam fshatin, tufa e deleve e shoqëruar me zërin idilik të kambanave e kufizoi shpejtësinë e veturës që e drejtonte me shkathtësi Agroni. U ndalëm për ta përjetuar më afër kënaqësinë që sjell tufa e deleve me qentë kujdestarë dhe Bariun e veshur në xhubletën e tij, për të cilën shkruan shumë poetë, e mbi të gjitha Naimi ynë i madh. Për çudinë tonë, bariu iu fliste deleve arbërisht, të cilat pas pak hapën rrugën duke u shpërndarë fushës në shpatin e gjerë.


            – Jam arbëresh, -t ha bariu me krenari.


            -Ne jemi nga Kosova, – iu përgjigjëm.  

Ai nga kënaqësia e tij që u takua me ne, foli me dashuri për veten dhe punën e tij, për arbëreshët dhe gjuhën që ai e ruante me aq xhelozi. Ishte një takim i papritur dhe i paharruar shoqëruar me fotografi të cilat do përbëjnë albumin e ri nga toka arbëreshe.


        Ta ruash kulturën, gjuhën dhe traditën kombëtare pas gjashtë shekujve është shembulli më i veçuar në historinë e popujve. Këta janë arbëreshët gjakshprishur, me shpirt e zemër të mbushur atdheun e të parëve, me gjak arbëror në rrjedhën e shekujve, me gjithë porosinë e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.  
    Rrugët lakadredhëse deri lart bjeshkëve, të shpalosnin pamje madhështore me fshatrat arbëreshë përmbi kodra, me shtëpitë e tyre të gurta dhe me shumë ballkone sipër shesheve e rrugëve. 

Gjithkund fliste guri në vend të njeriut. 

E, ne flisnim me heshtjen tonë të dhimbshme.

Filed Under: Mergata

Grubi: 113 vjetori i Alfabetit na gjen me gjuhën shqipe zyrtare

November 22, 2021 by s p

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi mori pjesë në ngjarjen përmbyllëse në kuadër të manifestimit kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit” me temë “113 vjetori i Kongresit të Manastirit dhe 14 vjetori i ITSHKSH-së në Shkup”. Grubi në fjalimin e tij potencoi rëndësinë e momentit historik të unifikimit të alfabetit shqip në vitin 1908 dhe vazhdimësinë e misionit të ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës shqipe në mënyrë institucionale në Maqedoninë e Veriut duke çmuar lartë veprimtarinë e Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut që pikërisht sot shënon 14 vjetorin e themelimit të saj. Ai mes tjerash potencoi se ky 113 vjetor na gjen me gjuhën shqipe zyrare në Maqedoninë e Veriut. Të pranishëm në këtë ngjarje të shënimit të 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit Shqip mes personaliteteve të shumta vendore ishin edhe drejtori i ITSHKSH-së Skender Asani, ambasadorja e SHBA-ve në vend znj. Kate Marie Byrnes, ambasadorët e Francës, Italisë dhe Izraelit – z. Baumgartner, z. Silvestri dhe z. Oran. Në vazhdim fjalimi i plotë i Zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi:  “Kënaqësi e veçantë që në hapësirat e Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, shënojmë një nga datat më të rëndësishme kombëtare, ditën e Alfabetit të gjuhës shqipe. Një popull nuk rron dot pa ideal, pa një qëllim që e bën të punojë, të përpiqet e të përparojë. Ideali ishte i qartë dhe plotësisht i drejtë, të ruhet gjuha e të parëve, shqipja si vlerë në mesin e gjuhëve europiane. 113 vjet u bënë sot nga konkretizimi i një ideali që përcaktoi fatin tonë ekzistencial të asaj kohe për të pasur gjuhë të shkruar. Tashmë 14 vite me rradhë po e dëshmojmë edhe në mënyrë institucionale, përmes institucioneve tona që me përpikmëri realizojmë hulumtime shkencore, aktivitete arsimore dhe kulturore për të promovuar vlerat identitare të shqiptarëve të këtij vendi. Uroj drejtorin Asani dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij për përvjetorin e Institutit dhe për përkushtimin në drejtim të realizimit të programit. Padyshim se në këtë rrugëtim misionesh, ky institucion ka përkrahjen e madhe të Qeverisë së vendit. Uroj vazhdimësi progresive të punës së Institutit dhe festë të mbarë për të gjithë shqiptarët. Gëzuar!”

Filed Under: Kronike

NJË GRUSHTDHÉ GJITHMONË ME VETE

November 22, 2021 by s p

ERINA ÇOKU

GRUSHTDHE


Atdhé, mëmëdhé, fëmijëdhé,bukëdhé, ujëdhé, ajërdhé,mirëdhé, keqdhé,ridhé, largdhé, afërdhé,ikjedhé, ardhjedhé, malldhé, asdhé,thjeshtdhé, mbidhé, nëndhé,dhé – dheu bré!
I varur, i pavarur, i ndërmjetëm,i përkohshëm, i jashtëkohshëm, i brendakohshëm,dhé në dhé,dhé, çka dheu të dha,dhé, çka dheut i dhe.

KANGË SHQIPTARËSH 1


Shqiptarët kanë mbetë në mshirë të Zotitsi gjâja e pastrehë dikur motit,mbi krye mbajnë nji gurë t’rândëu kputen degë e u shkulen rrânjë.
Shqiptarët ikin në mshirë të Zotitsi shpendë të egër vakut të motit,shpirtin e lidhun nji filli t’hollëdheun n’shpinë e kurrgjâ n’dorë.
Shqiptarët lindin n’mshirë të Zotitme dritë e ujë kaherë motit,por kryt e bukur ua shtijnë n’ dhèe dritën ua marrin korbat e vet.
Shqiptarët rrojnë në mshirë të Zotittu u përpjekë gjithherë motit,kryet plot mend e zemren plot gazt’parat ua zbrazin me i zanë lak.
Shqiptarët janë damë në mshirë të Zotitpse uni çakejtë i ka pasë marrë motit,e mbajtën shushuja, e mbajnë çakejt’damë a t’bashkumë kurr tu u marrë vesh.
Shqiptarët kanë vjelë dhunti prej Zotitmale, pyje, ujnue motit,po malet i hangrën e pyjet i prenëlumin e pinë e detin s’e gjejnë.
Shqiptarët kanë vend me pritë e përcjellëmshirën e Zotit e Zotin vetë,Zoti i ka bekue me dhè shumë të mârëpo s’ditën të mjerët me mbjellë asnji farë.
Shqiptarët kanë mbetë në mëshirë të Zotitqysh se kanë pjellë zezonat motit,mbjellin gramë nper fusha të vetatuj pritë me i korrë, me i ba çyreka.
Shqiptarëve Zoti asht pikllue tu u dhanë budallve e kta tu e lshue,pse kryet tyne mbjellë me gramëdashninë për vedin kurr s’e nxanë.
Shqiptarët kanë mbetë pa shteg e dritëe s’dinë kah shkojnë, kahdo kanë pritë,do hije t’zeza m’qafë u kanë hypëmakute t’shemtuta si s’dinë me zdrypë.
Shqiptarëve ua kanë marrë mshirën e Zotite i kanë haperdà si zogjtë e korbit,do bjerren larg e do shkëlqejnëdo ndrrojnë feste, do kurrë mâ s’kthejnë.
Shqiptarët e mbetun pa mshirë të Zotitn’dhè t’vet sikundër motit,kurrë krye s’munden me ngrejtëse kanë çakejtë si kanë pjellë vetë.
Shqiptarët kahdo kur Zoti i shef diçka t’hyjnis m’ta e njef,po kurr s’e panë rriskun e vete lamsh u shkon si jetë, si dekë.
E kshtu mor Zot i mshiruemsi shkon e vjen m’kyt vend t’bekuem,shqiptarët shifi e qaj për tàmje kur t’hupen e t’mos jenë mâ.

ME MUE VJEN PRANVERA NË PEJË


Shqipnue shpirtnat tanë mkojnë tokat e pranverësme rranjët e tyne t’ gjata kah m’kah ktij dheu,dhembja na i njeh ngastrat, bashkue e ndamëe andja e jetës shpesh na duket veçse nji andërr e largët.Un vij prej nji ane tu t’kërkue ksaj ane.Pash gjakun e tokës e t’qiellit, si njisoj e kena,ti ku je?
Asht pranver’, gjithçka ndihet me kraharor,fjalët e pemve për rranjët e tyne kuptohen mâ mirë,asht pranver, çka çeli ka m’u bâ frut,nuk do ‘desim uni, tashmâ.Pash kangt e pemve e t’barit, si gjallë ta mbajnë frymën,ti a je?
Pranveren jam tu mbledhë si nji fill t’gjatëprej pragut tim n’Pejë e prej Peje n’pragun tim,kadalë tu mendue, për mue e ty,për nâ si nji u bamë, por nji nuk mbetëm, kadalë tu ndie dashnin n’ rrema përqafue me shpirtin e gjanë e t’lartë përky uji,kadalë tu e bâ nji shtrojë të re për njeriunme u njoftë e me u plotnue brenda kresë.Pash, shpirtin si afrue e largue na nget,ti a je, sikundër jam?
Udha asht nji kurm me brinjë e degë,t’gjitha janë tu m’dhembë nan lekurëe t’gjitha jam tu i ndi’ si rrema t’kuq trupit tim.Pash kryet e maleve n’kryet tand, perngja me mue,ti si je?
N’Prizren kam me qenë dikur,kur t’shkoj, saora ke m’u shkru n’fytin tim nuk di pse, e nuk di qysh.Nesër, sot e dje m’janë bâ lamsh.Pash udhën, si drejt duhet me e marrë,ti pse je?
N’Gjakovë kam lanë do kodra t’blerueme,zaje t’bardha m’bien prej zemree uji i syve m’i merr e m’i çon larg,peng i kputun, i përjetshëm.Pash ujin, si durve t’mija me buzën tande e ke pi,ti qysh je?
Lumi shket n’Pejë tu u lmue gurve t’shpirtite zajet e mija t’bardha ngucen breguttu harrue plagët thellë në ujë.Pash çatinë mbi dritore, si zemren ta ndrit,ti çka je?
Pemët mbledhin shiun n’Pejë,era e dheut asht historia e rranjës tande,po mendimet bahen turrë mbi ura të voglatue zanë brigje e shtigje, për mue dhe ty.Pash zgjimin e ujit n’zemër, si gjallnimin ta jep,ti kah je?
Malet kanë bâ prag e janë afrue me lindë n’zemër edhe njëherë,e krye m’krye e kacarrojnë luminsi shket i lmueshëm diçka tu’ përkundësa ura e lidh prapë shpirtin e zgjidhun,pa lanë dert për penj të trishtë.Pash andrrat, si shenjë t’lanë n’ballë,ti je a s’je?
Pranvera asht e kadaltë në Pejë,nuk ngutet me ardhë, nuk ngutet me ikë,trandafila t’verdhë shpirtnohen n’hundëtu’ e ba dhembten ma t’durueshmee krahanorin t’shelbuem me eter.Pash dritën si t’puthet amel sysh,ti ji.
Pranveren e heq zhag kahdo shkoj,pranvera m’heq zhag kahdo vij,streha m’sheh nan vetull butë,pragu m’sheh drejt buzës urtë,Pash jetën, si asht thelbi ynë i pastërpash jetën, si e ruejmë n’trupat tanë t’përkohshëm,pash jetën, si ka me kenë edhe kur na t’mos jemi,kurrë mos thuaj se s’je, tash si unë jam.

VENDNUMËRO NË DHEUN E ATIT

Na kanë varur gurënë këmbë të mendimevee krahët na i kanë lidhurnë vitet që s’mbarojnë së qeni përbindsha të mrrolët e ngatharakëqë hanë muza të buta e të hajthmeme kotheren e mykur. Na kanë numëruar me turmën qepalla të ngjitura në padijee kujtojnë se tullat e xhamta nuk do na duken më murpo muri është mur çfarëdo që të veshëshpatullat ia ndjejnë burgunqë qenies i ka ardhur rrethaq i lartë e me qiell të hirtë përmbi. Brazda pikëllimi secili hap mbi krye të vetme gërryerjen e ecjes në kurrkund. Dyert i kanë çelësat të gurëzuarnë tatëpërpjetën e Sizifit.Kjo është e vërteta,teksa egërsirat na kanë ngrënë supete as udhën e dënimit s’e ndërrmarrim dot. Ha një kothere!

VENDI I UJIT


Qyteti shter në pikë të ditësme dialektikën e vet të mbledhur shukdielli e djeg,shiu e myk,era i kalon anash e fryn gjithmonë në orën e gabuar.
Qyteti shter e tërheq zvarrë në plasat e vetafigura të përçatura njerëzish,figura ngushtake që nuk nxënëveçse një gram shpirtnjë thërrime, një cifël,diçka që nuk mbrun asgjëveçse një hukatje të verdhë.
Qyteti shterti mos ki frikë,ti nuk je brenda tij,je një shpirt me gojën plot ujëe sy të kapsallitur,ngjyra e tyre më kujton aromën e dheuttë ngopur me shi.
Mos ki frikënë shpirtin tënd ka ujë.
Qyteti shterunë nuk kam frikë,shqisat ndiejnësi bërtet korja e dheutdhe plasat zgjerohen,marrin brendafigurat e njerëzve,fjalët, heshtjet, gurët.
Shter, shter,shteret qyteti,nuk kam frikësytë e mi janë plot me ujë.

KËNGË KOCKASH

pezull mbi qytetrri një ishull i blertëprej kraharorit tim dalë. numrin e brinjëveshtoma qielljanë pak, sa pak.asgjë nuk mbajnë. tejzat e zemrëszgjaten e zgjatenpa u ndalë,do më shpërthejnëprej trupie arratinë do të marringjer te ti. pezull mbi qytetujana ndien baticat e vrullit të platitur. gjatoji krahët e mimbi pemët e tua të gjelbramatanë brengave ishullore,gjatoji gjer në hënëtë kalamendeme mendimettë më bien të plota mbi dhefruta të ngrënshmepër krijesatë vogla ikanake. pezull mbi qytetrri unë si një re e vranëtme shiun mbështjellë në gjigati për vërshim. shtomi kockat qiellpilët’i bëjnë pritë lumit që mbledhzaje për brigjet e mia. palca më këndonbrenda eshtraveme një zë tjetërmishi i flet lëkurëse gjaku gulfe-gulfemblidhet,ndijim, ndijuar, ndijë. prej ndijoreveera fryne tingujt m’i mbart lart, lartlarg, larg. shtomi këngët qiellasht më ashttë lidhen nyjattë ruhet dashnianinëzave thellë. eja në asht qielltë lidhen nyjatnyjat të lidhentë lidhen, të lidhennyjë, nyjë,nyjat, nyjattë mbahet krijesakrijesa e gjithanë një.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Erina Coku

ARAB TIMES (1990) / THIRRJA E LEKA ZOGUT I PËR LIRINË E KOSOVËS

November 22, 2021 by s p

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Nëntor 2021

https://www.darsiani.com/…/arab-times-1990-thirrja-e…/

“Arab Times” ka botuar, të martën e 30 janarit 1990, në faqen n°6, thirrjen e Mbretit Leka Zogu I për lirinë e Kosovës, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :Bruksel, 29 janar (Reuter) : Pretendenti në mërgim (ekzil) për fronin shqiptar, “Mbreti” Leka, bëri sot thirrje për pavarësi për krahinën jugosllave të Kosovës, ku policia qëlloi për vdekje shqiptarët etnikë gjatë demonstratave të fundjavës. “Në vitin 1913 Kosova ishte viktimë e copëtimit të territorit shqiptar. Mbi të gjitha, ajo është bërë një republikë e pavarur, krejtësisht më vete”, tha Leka në një intervistë për gazetën belge “La Dernière Heure”.“Kosova, një enklavë prej 1.7 milionë shqiptarësh etnikë kryesisht myslimanë në Republikën Jugosllave të Serbisë, duhet të bëhet përfundimisht pjesë e Shqipërisë”, tha Leka.Tani jeton në Afrikën e Jugut me gruan dhe djalin e tij, por Leka ishte vetëm dy ditësh kur një pushtim gjerman dhe italian (në fakt italian) detyroi të atin, Mbretin Zog, të ikte nga Shqipëria në vitin 1939.Leka, i cili thotë se synon të përmbysë regjimin stalinist të Shqipërisë për t’i hapur rrugën demokracisë së stilit perëndimor, ishte në Bruksel në një turne në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara për të mbledhur (marrë) mbështetjen e të mërguarve shqiptarë për një kryengritje.

Filed Under: Uncategorized Tagged With: Aurenc Bebja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2729
  • 2730
  • 2731
  • 2732
  • 2733
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT