• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËRFAQËSIMI AUTENTIK ELIMINON ASIMILIMIN POLITIK

November 18, 2021 by s p

Nail  Draga/

Në sajë të analizës  tridhjetëvjeçare te pluralizmit politik, kur bëhët fjalë për përfaqësimin autentik të popujve pakicë  në Mal të Zi, del qartë se  pushtetit i intereson përfaqësimi sa më formal i partive nacionale në parlament, pa ndikim në vendimmarrje dhe në popullsinë e përfaqësuar, duke injoruar  raportin e  partneritetit si parim i demokracisë parlamentare, që është në kundërshtim me barazinë qytetare e nacionale sipas standardëve ndërkombëtare

Organizmi i qytetarëve përmes subjekteve  politike apo atyre nga shoqëria civile mori përmasa të mëdha mënjëherë pas miratimit të pluralizmit(1990). Dhe nuk ka si të ishte ndryshe, sepse sistemi monist ndalonte organizimin e lirë të qytetarëve, sepse çdo gjë e kishte nën kontroll partia-shtet  përmes organizatave te tyre, përmes parullës ideologjike  të “vëllazërim-bashkimit”, që ishte fasadë e vendeve të ish kampit socialist.

Nga një politikë të tillë përfide të  ideologjisë së kohës  më së shumti ishin të dëmtuar  kombësitë,  që ishte sinonim për pakicat kombëtare, përkatësisht popujt e ndarë. Në ketë aspekt ne pozitë më të pavolitshme ishin ata që ishin numërikisht më të pakët, ku shqiptarët në Mal të Zi, ishin rast tipik i kësaj kategorie. Kemi të bëjmë me kohën e sfidave  dhe mbijetesës për  ruajtjën e  identitetit kombëtar në këtë mjedis. 

Propaganda  kundër partive nacionale

Nga ana e pushtetit  themelimi i partive nacionale nuk është pritur mirë, sepse përmes tyre   demaskohej politika moniste në lidhje me  çështjet e  pabarazisë nacionale për  pjesëtarët e popujve pakicë, në Mal të Zi. Ishte  koha e mohimit të  lirisë se fjalës dhe shprehjes së mendimit, për rreth pesë dekada të kohës së monizmit, me pasoja për pjesëtarët e popujve pakicë. Duke qenë të vetëdijshëm se pluralizmi politik ishte realitet se ka kaluar koha kur  të gjithë i kishte  nën obrrelen e vet, pushteti u angazhu me  propagandë përfide kundër  partive nacionale, sidomos për shqiptarët dhe boshnjakët. 

Një propagandë e tillë ishte në sinkron me kohën kur shteti i përbashkët ish-Jugosllavia ishte në prag të shkatërrimit  si rezultat i politikës hegjemoniste serbe, që si aleat besnik  në atë kohë e kishte edhe Malin e Zi.

Të pa përgatitur emocionalisht se koha e monizmit ka përfunduar pushteti nuk kishte guxim të pranojë pabarazinë praktike të popujve pakicë andaj ka munguar shpjegimi nga ana e tyre  se cilat ishin arsyet e formimit të subjekteve të tilla politike që ishin në favor të përfaqësimit politik të popujve përkatës në këtë mozaik multinacional.

Pikërisht në rrethana të reja(1991), në vend që DPS-i të kishte qendrim kritik për kohën e kaluar e madje të kërkonin falje ndaj popujve pakicë siç quhen këtu pakicat kombëtare,   ata  vazhduan kursin e vjetër si në monizëm pa përfillur kërkesat e pakicave. Qendrimi i tillë i ngurtë dhe propaganda ndaj subjekteve nacionale të posaformuara,  duke proklamuar konceptin e shtetit qytetar  nën vellon e hegjemonizmit dëshmoi  strategjinë e pushtetit ndaj subjekteve të tyre!

Koha e mbijetesës dhe fushata antishqiptare

Nëse në monizëm, koncepti i përfaqësimit autentik ishte sintagmë e panjohur, sepse çdo gjë filtrohej nga partia-shtet, me qellim të përfaqësimit formal  me pjesëtarë të pakicës kombëtare, me individ me identitet të zbehtë kombëtar. Dhe nga të tillët ku në rend të parë ishte përshtatshmëria politike ka qenë iluzion të  angazhoheshin në avancimin e pozitës dhe statusit të shqiptarëve. Edhe pse ka pasur përjashtime, ata ishin të rrallë, sikurse ishte periudha kohore nga viti 1968 e më pas, kur edhe u realizuan disa të drejta të mohuara të shqiptarëve në Mal të Zi. Ndërsa periudha më e errët është koha pas vitit 1981, kur u zyrtarizu politika antishqiptare nga pushteti i kohës, për të luftuar gjoja dukuritë e “nacionalizmit” e “irredentizmit” shqiptarë në Mal të Zi, që pati efekte negative në këtë mjedis, sidomos në fushën e arsimit. Dhe nga një veprim i tillë i pushtetit shqiptarëve iu mohuan edhe ato pak të drejta të realizuara në praktikë, që zgjati deri më miratimin e pluralzmit politik(1990). Ishte kjo koha e mbijetesës së shqiptarëve në hapësirën e tyre etnogjeografike me pasoja shumëdimensionale, që janë të pranishme deri në ditët tona.

Nga opozitë në  koalicionin qeveritar

Me miratimin e pluralizmit, përfaqësimi i shqiptarëve filloj të realizohej përmes përfaqësuesve të tyre nga ana e subjektëve politike nacionale. Eshtë tjetër gjë se sa është arritur në këtë drejtim, por angazhimet nuk kanë munguar përmes deputetëve në Kuvendin e Malit të Zi. Duhet cekur se nga viti 1991-1997, çdo tentim i përfaqësuesve shqiptarë në Kuvendin e Malit të Zi injorohej, sepse kishim vazhdimësi të mentalitetit politik si në monizëm, ndërsa ndryshimi filloj nga viti 1997. Ishte kjo kohë e kthesës politike, me ndarjen në dy pjesë së partisë shtet(DPS), ku shqiptarët për të parën herë u bënë pjesë e Qeverisë(1998), me vendin e ministrit në Ministrinë e popujve pakicë. Duke qenë pjesë e koalicionit qeveritar, disa çështje filluan të ndryshojnë në aspektin pozitiv, por është dashur të arrihet më shumë sepse shqiptarët kanë dhënë kontribut në demokratizimin e Malit të Zi, ndërsa  votat e tyre ishin vendimtare në pavarësinë e këtij vendi(21 maj 2006). 

Përfaqësuesi i partisë nacionale, në nivele të ndryshme qeveritare duhet të angazhohet për  përfaqësim të denjë autentik  në resorët përkatës për të dëshmuar jo vetëm përfaqësim nacional por edhe dëshmi profesionale. Andaj subjektët politike duhet të jenë të kujdesshëm kur përzgjedhin individët të cilët duhet të jenë profesionist të dëshmuar dhe të guximshëm për tu ballafaquar me çështjet e ndryshme, e jo oportunist apo vazal të pushtetit, sepse të tillët janë të dëmshëm për  subjektin që e përfaqësojnë. 

Përfaqësimi autentik obligim e përgjegjësi

Në spektrin politik dallimi ne mes partive politike nacionale e atyre qytetare është  se ata nacionale janë në mbrojtje të drejtave të popullatës përkatëse  ndërsa ata qytetare janë identike si nga koha e monizmit, me përfaqësim të përgjithshëm të qytetarëve. Nëse ne monizëm ishte rrezik të trajtohej pozita dhe statusi i pakicave kombëtare në pluralizëm një mundësi e tillë është praktike. Pikërisht në lidhje me këtë çështje u themeluan partitë nacionale, që të jenë zëdhënëse e popujve të tyre, për avancim të pozitës dhe statusit të tyre. Dhe nga një moment i tillë na paraqitet edhe sintagma përfaqësimi autentik, që nënkupton përfaqësuesit e partive nacionale, duke eliminuar një mundësi të tillë atyre shqiptarëve që janë në partitë qytetare-malazeze. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse shqiptarët në partitë malazeze  nuk kanë  trajtuar kërkesat e shqiptarëve për barazi nacionale e qytetare. Më një fjalë ata janë aty për interesa të ngushta personale dhe si të tillë janë të pazëshëm për çështjet preokupuese të popullsisë shqiptare, sepse të tillat sipas tyre janë në ingerencë të partive nacionale. Pikërisht një qasje e tillë dëshmon dallimin ne mes shqiptarëve në partitë qytetare-malazeze dhe ata nacionale! 

Injorohet parimi i  partneritetit

Në sajë të analizës  tridhjetëvjeçare te pluralizmit politik, kur bëhët fjalë për përfaqësimin politik të popujve pakicë  del qartë së pushtetit i intereson përfaqësimi sa më formal i partive nacionale në parlament, pa ndikim në vendimmarrje dhe pa efekte pozitive për popullsinë e përfaqësuar, duke injoruar  raportin e  partneritetit si parim i demokracisë parlamentare.

Madje në këtë linjë nga ana e pushtetit(DPS) janë bërë ndryshime në ligjin zgjedhor(2011) ku pakicave(boshnjake e shqiptare) iu është rezervuar 0.7% e votave të vlefshme për pjesëmarrje në ndarjen e mandatëve që më së shumti mund të jenë 3 mandate deputeti, ndërsa për kroatët kjo përqindje është 0.35%. Nga një formulim i tillë shqiptarët humbën të drejtat e arritura, që u dëshmu nga zgjedhjet vijuese(2012) e më pas. Ndryshimi i ligjit zgjedhor, në favor të popujve pakicë, sipas standardëve ndërkombëtare duhet të jetë obligim shtetëror, sepse vetëm përfaqësimi autentik eliminon asimilimin politik.

Përfundimisht del qartë se pushtetit i konvenon që pakicat të jenë të përfaqësuar sa me pak deputet, e mundësisht edhe ata të jenë formal me kostumin e pushtetit, pa ndikimin e duhur në vendimarrje, ku në një situatë të tillë pakicat humbin peshën e tyre politike, ndërsa pushteti ka realizuar objektivin e vet duke zbehur apo eliminuar identitetin politik të popujve pakicë. 

                                                                                                            (Nëntor 2021)                                                                                                          

Filed Under: Analiza Tagged With: Nail Draga

PRINCI VILHELM VIDI NË SHQIPËRI DHE QËNDRIMI I AT GJERGJ FISHTËS NË REVISTËN “HYLLI I DRITËS”

November 18, 2021 by s p

Sokol PAJA/

Të gjitha besimet fetare në Shqipëri që nga koha e Rilindjes Kombëtare e deri në Shpalljen e Pavarësisë u shndërruan në një element bashkimi të fortë dhe atdhedashurie. Vuajtjet e gjata që përjetonte populli shqiptar prej pushtuesve, konfliktet e vazhdueshme me fqinjët, luftërat ballkanike, qëndresa e vazhdueshme e popullatës për mos copëtimin e territoreve shqiptare, lobimit në kancelaritë Perëndimore për promovimin e vendit në arenën ndërkombëtare, ishin faktorë themelorë që e mbajtën gjallë frymën e bashkëpunimit në popull si dhe midis klerit fetarë, të cilët e konsideronin një domosdoshmëri dhe detyrim kombëtar. Veprimtaria shpirtërore, atdhetare, diplomatike, klerikale e mediatike e klerit katolik pati një rol te rëndësishëm dhe kontribuoi në bashkimin e shqiptarëve për interesa kombëtare. Në kushtet e tensioneve dhe rebelimeve të vazhdueshme në Ballkan, shqiptarët kishin qëllim kryesorë ruajtjen e paprekshmërisë së Shqipërisë së Pavarur dhe konsolidimin e Shtetit në rang Kombëtarë dhe Ndërkombëtarë. Klerikët katolikë me në krye At Gjergj Fishtën patën ndikim pozitiv dhe mbështeste ardhjen në Shqipëri të Princit, Vilhelm Vidi Vidi. Princ Vidi erdhi në Shqipëri në 7 mars 1914 dhe gjeti mbështetjen e klerit katolik duke shpresuar se do të gjenin shpëtim kombëtar edhe për shkak se Ai ishte perëndimor dhe gëzonte mbështetjen e Austro-Hungarisë si dhe për faktin se Perandoria Habzburge ishte mbrojtëse e krishterimit në Evropë. Për ardhjen e princ Vidit dhe për politikën që do të ndiqte në Shqipëri shkruan gazeta dhe revista të ndryshme të kohës. Në këtë publikim do të veçoja shkrimet e revistës “Hylli i Dritës”, drejtuar prej At Gjergj Fishtës, kryesisht në numrin 6 e 7 të vitit 1914. Shkrimeve e botuar ne revistën“Hylli i Dritës”,  referohen  me titujt përkatës: “Kena Mretin tonë” dhe “Kohë e re n Shqypnijë”. Aty  tregohet qartë se me ardhjen e princ Vidit në Shqipëri, vendi do të ndryshohet për së miri dhe do të forcohet më shumë aparati shtetëror dhe politika e jashtme. Në shkrimin e parë vërehet dhe del në pah pritja me entuziazëm e Princ Vidit, shpëtimi dhe autoriteti që do të vendoste Princi i huaj për forcimin e shtetit shqiptar. Po aty citohet se Fishta nuk harron së theksuari se nuk mjaftonte që të thërrasim rroftë Shqipëria por që të gjithë të ndërgjegjësohemi dhe të punojmë për të mirën e atdheut tonë dhe për ndërtimin e shtetit shqiptar. Dita e ardhjes së Princit, sipas Fishtës është një ditë e madhe për kombin shqiptar pasi e konsideronte si shpresë dhe mundësi e mirë për të shuar problemet e brendshme të krerëve të ndryshme shqiptar dhe për konsolidimin e Shtetit në gjeopolitikën perëndimore. Më e rëndësishmja dhe themelorja sipas Fishtës në këto dy shkrime del formimi dhe përdorimi i një statuti  bazë si ligjë që drejton shtetin dhe institucionet. Gëzimi dhe përkrahja shfaqet në mënyrë maksimale dhe entuziaste në faqet e revistës “Hylli i Dritës” me titull: “Koha e re n’Shqpnije” në numrin 6, faqe 169 të vitit 1914. Citoj: “Kaa Shqypnije kaa. Edhe pak ditë e Mreti po vjen me xanë vendin që i takon e selinë e tij, e armiqtë e Shqypnijës që janë mundue me paat shkimun e t’hupun prej ftyrës së tokës popullin dhe komin shqiptar, kanë më cuce ambasadorët e vet me përshëndetë Mretin e Shqiptarevet Vidin. Shqypnija u ba mretni vetëm prej Evropet, e jo prej noj veprimit të vedit, por për me gjallnue e për me gzue duhet me veprue. Me dashtë me e majtë n’jetë mretninë tonë të Shqypnijes lypet qi qeveria posa e ndertueme, do të jetë e pamvarme e as s’do të jete e detyruese me i dhanë arsye kërkujt për punët e veta, pose Mretit tonë dhe kombit”. Ardhjen e Princ Vidit klerikët katolikë e personifikonin me rilindjen e shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe me vendosjen e një rregulli të gjithëmbarshëm. Vetëm mbreti Vilhelm Vid mund ta shpëtonte një vend si Shqipëria që vinte me ato trazira dhe një robërie 500 vjeçare osmane. Shqipëria sipas Fishtës do të bëhet dhe do të eci sa më lart në rrugën e zhvillimit dhe të përparimit të kombit dhe të shoqërisë shqiptare. Pra, ardhja e Mretit u prit me shumë entuziazëm dhe pëlqim pasi tek ai vareshin shpresat e kombit dhe të rindërtimit të shtetit dhe të administratës shtetërore shqiptare të brishte. Ky shtet sipas Fishtës do të ndërtohej dhe nuk do të ishte i detyruar që të jepte llogari tek askush veç do të punonte më ç’të mundte për një zhvillim dhe përparim të shtetit shqiptar. Revista “Hylli i Dritës” në botimin pasardhës, numër 7, viti 1914, faqe 203 titullohet: “Kena mretin tonë” At Gjergj Fishta shprehet: “Ky Mret  tue u dhanë mendve shqiptare shkas kish diea, kaa me i ardhë vendit përparmi i vërtetë, e lirija e popullit tonë s’ka me kënë ma e aq e kundërshtueme. Ky Mret ka me ditë me avitë zëmrat e popullit që për fat të zi u gjetne larg njana-tjetrës , e drejtësie qi ky ka me çue zanin e vet kundra njatyne qi n’çdo mndyrë trazojnë qetësinë e vendit, apo me shkrrye visaret e kombit. Kena Mretin tonë teri lotët moj nanë shqiptare e gzou, gzoju ti qi tuj përkunde foshnjen e gatoshe vetun per me u ba aj fli n’therore të atdheut”. Fishta bën thirrje në “Hyllin e Dritës” për përkrahje të përgjithshme për Princ Vidin pasi do të quhet me plot gojën si një shpëtimtar për popullin shqiptar. Sipas At Fishtës, ardhja e Mbretit Vidi duhet të gëzonte të gjithë sepse Ai do të ndriçojë mendjen e shqiptarëve, do të mbrojë Shqipërinë nga çdo agresion i jashtëm dhe do ta forcojë automatikisht shtetin shqiptar me diturinë dhe personalitetin e tij siç ishte Mbreti i shqiptarëve në një kohë kur vendi kishte më shumë se kurrë nevojë për bashkim. Në këto shkrime del qartë se kleri katolik, me në krye at Gjergj Fishtën shprehu besueshmëri dhe optimizëm në suksesin e Princ Vidit në për stabilizimin e vendit dhe për konsolidimin e Shqipërisë në aspektin politik të brendshëm dhe atë të jashtëm.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

DOKTOR RIFAT LATIFI: ME EMËRIMIN TËNDË, FITON KOSOVA

November 18, 2021 by s p

Një shënim personal

Nga Frank Shkreli

See the source imageZ. Kryeministër Kurti, ke marrë më të mirin që kemi në këto anë, këndej oqeanit. Zgjodhe dhe emërove një Ministër të Shëndetësisë për Republikën e Kosovës, njërin prej më të mirëve — jo vetëm të botës shqiptare – por edhe njërin ndër më të mirët e Amerikës dhe të botës, Dr. Rifat Latifin.

Të martën që kaloi, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti njoftoi se ka emëruar Prof. Dr. Rifat Latifin, Ministër të Shëndetësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës.  Emërimi i tij u bë i ditur në një konferencë të përbashkët për shtyp të Kryeministrit Kurti dhe Dr. Rifat Latifit.  Zoti Kurti vlerësoi përvojën profesionale dhe arritjet akademike të Doktor Latifit – i njohur mirë për ekspertizën e tij në Shtetet e Bashkuara dhe në botë – përfshir Kosovën dhe Shqipërinë.  Dr. Latifi ka punuar gjatë dekadave të kaluara në disa prej universiteteve dhe qendrave spitalore më të dalluara dhe më me zë të Amerikës, përfshir atë të fundit, Westchester Medical Center në Nju Jork.

Siç theksoi edhe Kryeministri Kurti gjatë paraqitjes së tij, Doktor Latifi, megjithse jetonte dhe punonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për dekada, ai kurrë nuk u nda as nuk e harroi vendlindjen e tij – Kosovën.  Gjatë gjithë kësaj kohe Dr. Latifi ka promovuar zhvillimin e një mjedisi shëndetësor më të mirë e më të denjë për Kosovën dhe për Shqipërinë, përfshir edhe themelimin e Telemedicinës atje dhe në shumë vende të botës.  Në të vërtetë ishte rreth katër dekada më parë që e kam njohur për herë të parë Dr. Rifat Latifin. Më kujtohet sikur të ishte dje, një mjek i ri, plot entuziazëm dhe energji, pat ardur për të vizituar Zërin e Amerikës, për herë të parë. Por kishte ardhur edhe për një qëllim tjetër: dëshironte një intervistë me Zërin e Amerikës në gjuhën shqipe, për të folur për një ide të re që ai kishte në mendje dhe të cilën donte t’ia njoftonte botës shqiptare dhe më gjërë: TELEMEDICINA– Telemjekësia.  Ne shikuam njëri tjetri, pasi ishte një term që nuk e kishim dëgjuar më parë, jo vetëm ne, por besoj nuk përdorej as në qarqet mjekësore të kohës – dhe filluam të qeshnim.  Po, mirë i thamë, ti shpjegoje se për çfarë e ke fjalën. Nejse, e gjithë kjo është histori tani, ne të Zërit të Amerikës ishim gabim që dyshonim në atë kohë Dr. Latifin për idenë e tij të telemedicinës dhe me kohë, ai ka provuar se kishte të drejtë.  Si rrjedhim i asaj vizite të parë, për një kohë, Dr. Latifi paraqitej rregullisht në programet e Zërit të Amerikës duke iu përgjigjur pyetjeve të dëgjuesve mbi telemedicinën dhe shëndetin, në përgjithësi. Sot, kontributi i Dr. Latifit në fushën e telemjekësisë njihet, nderohet, çmohet dhe adhurohet këtu në Shtetet e Bashkuara dhe anë e mbanë botës, siç vlerësohen edhe veprat shkencore të tija, të botuara gjatë viteve, e që përdoren në universitetet më të mira të mjekësisë në Amerikë dhe më gjërë.  Është autor dhe bashkautor i mbi 350 punimeve shkencore apo kapitujve të librave shkencorë, ndërsa, njëkohësisht, shërben edhe si anëtar i bordit editorial të disa revistave shkencore.

Gjatë gjithë kësaj kohe ai ka promovuar zhvillimin e një mjedisi shëndetsor më të mirë e më të denjë për Kosovën dhe për Shqipërinë, përfshir edhe themelimin e telemedicinës atje, dhe në shumë vende të botës. Doktori ynë i mirë, përveç gjithë këtij aktiviteti të madh në fushën e ekspertizës së tij, një pjesë të madhe të karierës së tij, ai ia ka kushtuar gjithashtu edhe vullnetarizmit – një dukuri kjo që fatkeqësisht nuk është aq e përhapur në shoqërinë shqiptare – por Dr. Latifi edhe në këtë fushë ka dhënë ndihmesën e tij me shembëllin e tij të ofrimit të shërbimeve mjekësore, pa pritur ndonjë përfitim financiar ose ndonjë privilegj tjetër. Edhe për këtë fushë, Dr. Latifi është i njohur ndërkombëtarisht.  Dr. Latifi është nderuar për kontributin në ngritjen e telemjekësisë në zonat rurale të SHBA-së dhe në vendet e dala nga konfliktet apo fatkeqësitë natyrore në botë, përfshir Kosovën dhe Shqipërinë.

Lista e arritjeve të Dr. Latifit është tepër e gjatë për tu përfshir në një shkrim si ky, por duhet përmendur se në kohën më kritike të pas luftës në Kosovë, Dr. Latifi dhe ekipi i tij, ndër të tjera, ngriti atje një qendër telemjekësie që përfshinte infrastrukturën teknike, një bibliotekë elektronike dhe programe të edukimit virtual. Qendra të tjera, pastaj, ai krijoi në Shqipëri dhe Afrikë, që tani quhen International Virtual E-Hospital (IVeH). Pastaj, i quajturi Sistemi Spitalor, me seli në qytetin Hope të shtetit amerikan Idaho dhe një tjetër në Brazil i është përkushtuar rindërtimit të sistemeve të kujdesit shëndetësor në zonat e thella e të varfëra të atij vendi. Dr. Latifi, si president i organizatës, ka punuar me kolegët për të zhvilluar një model të njohur si Inicimi-Build-Operim (IBOT) për të siguruar qëndrueshmërinë e programit. Sipas një njoftimi, nga www.facs.org, modeli përfshin ndërtimin dhe forcimin e burimeve të sistemit, vendosjen e pajisjeve dhe zhvillimin e mundësive të arsimit dhe trajnimit, nga të cilat kanë përfituar qindra universitete, qendra mjekësore dhe organizata shëndetsore në dhjetëra vende kanë transmetuar qindra aktivitete edukative dhe leksione përmes sistemit ndërkombëtar, IVeH.  Veprimtaria e Dr. Latifit është vlerërsuar mjaft edhe nga ente qveritare ndërkombëtare nga të cilat ka marrë edhe grante për veprimtarinë e tij, siç janë Agjencia Evropiane për Rindërtim, Departamenti Amerikan i Shtetit, Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), qeveria e Sllovenisë, dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, ndër të tjera.


Vitet e fundit, Dr. Latifi ka punuar si profesor dhe Drejtues i Departmentit të Kirurgjisë në Kolegjin e Mjekësisë së Nju Jorkut, drejtues i Departamentit të Kirurgjisë në Qendrën Mjekësore të zonës Westchester, Spitalin për fëmijë të “Maria Farerit” dhe spitalin rajonal të krahinës Mid-Hudson.  Ishte pikërisht në këtë spital, ku unë u shtrova, para disa muajsh, për një operacion shumë të rëndë – një operacion që falë kujdesit të jashtzakonshëm të Dr. Rifat Latifit, kirurgut tim Dr. David Spielvogel dhe ekpit më të gjërë të mjekëve dhe infermiereve që mbikqyrte miku im Dr. Latifi – operacioni im, ndonëse tepër serioz për nga natyra – kaloi mirë dhe tani disa muaj më vonë e ndjejë veten shumë mirë. Në këtë botë ka lloj-lloj heronjsh. Për mua, ekipi i Dr. Latifit në Qendrën Mjekësore Westchester janë heronjtë që bënë ndryshimin në rastin tim.  Respekti që ekipi i tij kishte për Dr. Latifin – si profesionist dhe si drejtor dhe bashkpuntor – vihej në dukje në çdo bisedë që kisha me mjekët dhe infermieret gjatë qëndrimit tim në Westechester Medical Center. Dola prej atij spitali – ku Dr. Rifat Latifi nderohej dhe respektohej aq shumë prej të gjithëve. Dola prej atij spitali, krenar për një shqiptar i arritjeve të përmasave të tilla dhe aq i respektuar nga kolegët e tij. Dola

nga spitali me ndjenjën se heronjtë i takon rëndom çdo ditë, heronjë që luftojnë për të shpëtuar jetë, që luftojnë për kauza fisnike, heronjë që krejtë, qetësisht, dhe pa zhurmë, pa rrahur gjoksin se bëra këtë e kështu – ndajnë dashurinë e tyre për njerëzimin. Se për ta, dashuria për të tjerët është, vërtetë, ajo që mjekët dhe infermierët ndajnë me botën dhe njerëzimin.

Në fjalën e tij në konferencën e përbashkët me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti, Ministri i sapoemëruar i Shëndetësisë në qeverinë e Kosovës,Dr. Latifi falënderoi kryeministrin Kurti për nderin e madh dhe besimin për këtë detyrë me përgjegjësi të jashtëzakonshme. Dr. Latifi u zotua se, bashkë me ekipin e tij, do të angazhohen që në mënyrë afatgjatë të ngrisin standardet mjekësore në Kosovë. Unë nuk kam asnjë dyshim se Ministri i ri i Shëndetësisë në Kosovë, Dr. Rifat Latifi, kur flet për standard ka në mend standardet amerikane, dhe se do përpiqet me gjithë qenjen e tij njerëzore dhe profesionale, të vendosë një kulturë dhe një përvojë amerikane në mjedisin shëndetsor të Kosovës, në dobi dhe për dashuri që ai ka për njerëzimin dhe për Kosovën-Dardaninë e tij të dashur, e kur të harruar, siç theksoi edhe Kryeministri Kurti. Me emërimin e Dr. Latifit në detyrën e Ministrit të Shëndetësisë në qeverinë e Kosovës, Kryeministri i Kosovës tregon seriozitetin e qeverisë së tij për të emëruar në detyra kyçe të qeverisë së Republikës së Kosovës, shqiptarë që kanë bërë karierë në vendet perëndimore – në këtë rast në një mjedis, ku ka jetuar e punuar Dr. Latifi – një mjedis shumë konkurues, me më të mirët e Amerikës dhe të botës. 

Z. Kryeministër na e more më të mirin e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe një ndër më të dalluarit e Amerikës – në fushën e tij profesionale të telemedicinës dhe jo vetëm. T’a bëjmë hallall që e more, Dr. Latifin, se Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për njerëz të tillë.  Mikut tim Dr. Latifit i uroj sukses në detyrën e tij të re. Urimet e mia edhe Kryeministrit Kurti për një emërim të shkëlqyeshëm. Uroj që ky vendim të hapë dyer të reja që Kosova dhe Shqipëria të fillojnë të konsiderojnë, më në fund dhe pa paragjykime politiko-ideologjike, emërime të tilla të shqiptarëve të dalluar në profesionet e tyre në diasporë. Shqipëria dhe Kosova, vetëm do të përfitojnë nga individë të përgatitur siç është Dr. Rifat Latifi. 

 Natyrisht, se për komunitetin tonë këtu në Amerikë dhe për disa shqiptaro-amerikanë si unë, që e kemi njohur Dr. Latifin për një kohë të gjatë – vërtetë, do na mungojë shumë prania e tij në takime, darka e dreka të komunitetit, ku ishte shpesh i pranishëm. Në të vërtetë, para disa javësh kur komunikova me anë të një mesazhi me Dr. Latifin, më premtoi se me të këthyer nga Kosova, do të takoheshim së shpejti, “për një gotë verë, për të celebruar jetën”, sipas fjalëve të tija, një referencë kjo siç duket ndaj përmirësimit të shëndetit tim pas operacionit në spitalin Westchester Medical Center, ku ai ishte Drejtor i Departmentit të Kirurgjisë.  Ani, i dashur Doktor Latifi, gota e verës së kuqe pret, besoj se do të kemi rast.  Kosova ka më shumë nevojë për ty, sot. Me emërimin tëndë, Kosova fiton!

Frank Shkreli

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

                                              Dr. Rifat Latifi

Graphical user interface, website

Description automatically generated

Filed Under: Politike

Mateo Mandala, mjeshtër i letërsisë dhe i filologjisë arbëreshe

November 18, 2021 by s p

Shkup, 18 nëntor 2021 – Sot në kuadër të manifestimit tradicional kulturor–shkencor “Ditët e Alfabetit” në ITShKSh, u mbajt sesioni shkencor kushtuar njërës nga figurat qendrore të letërsisë dhe i filologjisë arbëreshe, Matteo Mandala.

Në fjalën e hapjes, udhëheqësja e Departamentit të Gjuhës Shqipe në ITShKSh, Hidajete Azizi, tha se manifestimi tradicional “Ditët e Alfabetit” me temë qendrore për këtë vit “Gjuha, letërsia, kultura dhe tradita arbëreshe”, i organizuar me rastin e 113 vjetorit të Kongresit të Manastirit, ka për qëllim që të kontribuojë për njohjen, për pasurimin e prurjeve shkencore dhe krijimin e një komunikimi më të afërt me kulturën dhe traditën e krijuar ndër shekuj nga arbëreshët e Italisë.

“Sesioni i sotëm shkencor, i katërti me radhë në kuadër të këtij manifestimi, i kushtohet prof. dr. Mateo Mandala, profesor në universitetin e Palermos dhe për shumë vjet përgjegjës i seksionit të albanologjisë në këtë universitet. Meritat e tij për filologjinë arbëreshe në përgjithësi dhe për filologjinë moderne shqiptare, në veçanti, janë të shumta. Mbi bazën e këtyre meritave, do të vlerësohet si njëri ndër albanologët më të shquar të kohës dhe njëri ndër themeluesit e filologjisë moderne shqiptare. Prurjet origjinale të tij në këto fusha, do ta ngrenë në piramidat më të larta të mendimit shkencor shqiptar në qarqet akademike universitare”, tha Azizi.

Studiuesi nga Kosova, Anton Nikë Berisha, referoi në temën: “Matteo Mandalà studiues i mirëfilltë dhe gjurmues i përkushtuar i trashëgimisë arbëreshe”, duke shkoqitur disa sekuenca me interes për veprën e madhe shkencore të prof. Mandalasë. 

Përmes një video – prezantimit, prof. Françesko Altimari nga Universiteti i Kalabrisë në Kozencë, referoi në temën: “Prof. Matteo Mandalà filolog dhe studiues i letërsisë”, dhe Emin Azemi nga ITShKSh foli për “Disa vlerësime të prof. Matteo Mandalà rreth poemës Kënka e sprasme e Balës e Gavril Darës”.

Në fund, vetë prof. Matteo Mandalà nga Hora e Arbëreshëve të Italisë në Sicili, përmes një video-prezantimi falënderoi për respektin e bërë dhe interesimin e zgjuar të ITShKSh-së në Shkup për të trajtuar këto tema të gjuhës, letërsisë, kulturës dhe traditës arbëreshe.

Dita e nesërme në “Ditët e Alfabetit -2021” do t’i kushtohet Anton Nikë Berishës, studiues i letërsisë së arbëreshëve të Italisë. Aktiviteti fillon në ora 10 në ambientet e Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, e cila është mbështetëse e këtij manifestimi. 

Filed Under: LETERSI

I PARI BIOGRAF I GJERGJ KASTRIOTIT SKENDERBEUT NGA VITI 1481 MARTIN SEGONI

November 18, 2021 by s p

Ballina e librit ku eshte doreshkrimi i botuar i Segonit
Nga doreshkrimet e Segonit – doreshkrimi i Firences – f. 4r
Nga doreshkrimet e Segonit – doreshkrimi i Firences – Biografia e Skenderbeut – f. 32
Nga doreshkrimet e Segonit – titulli i doreshkrimit te Firences

Prof. Dr. Musa AHMETI

Center for Albanian Studies, Budapest

Martin Segoni-njëri ndër autorët e parë që shkroi biografinë e Gjergj Kastriotit Skenderbeut no vitin 1481.-Segoni ishte bashkohës i Skënderbeut.-Ai i vuri kurorën martesore Marin Biçikemit me Katerina Dabre.-Segoni me përkatësi kombëtare është dalmatinas nga Kotorri, nuk është as shqiptar e as serb.-Pohimet dhe të pavërtetat e historianëve jokompetentë për Martin Segonin dhe dorëshkrimet e tij.-Kemi arritur t’i konsultojmë të gjitha dorëshkrimet e njohura deri me sot, por në të njëjtën kohë kemi siguruar edhe skanimin e mikrofilmimin  e tyre, si në origjinal, ashtu edhe përshkrimeve të mëvonshme dhe të përkthimeve të Firencës.-Dorëshkrimet e M. Segonit i shfrytëzuan: Barleti, Frangu, Biçikemi, Muzaka, etj.-Botojmë të përkthyer në shqip, biografinë e Gj. K. Skenderbeut, nga dorëshkrimi i Firencës.

“Do të duhej përroi i rrëmbyeshëm i Demostenit

dhe deti i pamasë i Ciceronit, për t’i qarë me lot mjerimet tona.

Se po të dëshironim të thurnim historinë e atyre të zezave,

për përshkrimin e tyre të denjë nuk do të gjenin fjalë as Herodoti, as Tuqiditi,

nuk do të gjente fjalë as Salusti aq me nam e në zë për vërtetësi historike,

as Livi që shkëlqen me një gojëtari aq të rrjedhshme e të kulluar.”

M. Bicikemi, 1504

Prof. Dr. Musa AHMETI

Center for Albanian Studies, Budapest

Për të ndriçuar në përgjithësi, një epokë të caktuar apo një personalitet të veçantë, të shquar në histori, siç është Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, domosdo duhet mbështetur në burime dokumentare që ruhen nëpër arkiva të ndryshme, qofshin ato të botuara, pjesërisht të botuara apo të pabotuara; të cilat janë si një hallkë ndërlidhëse në mes historisë kombëtare shqiptare, me historinë e vendeve të Balkanit, Lindjes së Afërme dhe Evropës në veçanti. Shumë herë, një gjë e tillë është e pamundur, për shkak të mungesës së burimeve të shkruara; por në raste të caktuara, edhe kur ato ekzistojnë, faktori njeri, me veprimet e tij, të njëashme, tendencioze dhe të mbrapështa, ka bërë që shumë fakte, ngjarje e data, të shtrembërohen, të keqinterpretohen, deri në skajshmëri ekstreme, për qëllime të caktuara.

Kohëve të fundit është shkruar disa herë, se janë zbuluar dorëshkrimet e Martin Segonit nga Agostino Petrusi! Pohime të tilla, kanë bërë disa historianë, të cilët kanë shfrytëzuar burime të tërthorta, pa u thelluar në studime dhe kërkime shkencore, duke mos pasur në dorë asnjë nga dorëshkrimet e M. Segonit, pos atyre gjërave që kanë botuar /servirur/ të tjerët dhe kryesisht sllavët, duke ju shtuar këtyre edhe hipotezat e tyre fantastike, të cilëve si duket duhet treguar ajo përralla “e fëmijëve me dhëmbë të arit.”

Dorëshkrimet e Martin Segonit, kanë qenë të njohura dhe të botuara, kështuqë nuk kishte nevojë që ato “të zbuloheshin” në ndonjë arkiv ose bibliotekë, ngase për to dihej, të paktën që nga viti 1522, kur ato i boton në veprën e tij: IoannisCuspiniani, De Caesaribus atque Imperatoribus Romanis opus insigne…, Vienae: Ioannes Singrenius Chalcographus. Cum gratia et priuilegio Imperiali ac Regio. 1522; por me emër tjetër, përkatësisht të Felice Petantio, që në të vërtetë është kroati Feliks Petançiq. Kroati F. Petançiq, boton me emrin e tij disa nga dorëshkrimet e Martin Segonit, me titull: “De Itineribus in Turciam libellus.” Ndonjë historian, duke mos njohur F. Petançiqin dhe veprat e tij, pohon se ai ishte austriak!!! gjë që ngatërron edhe më shumë të vërtetën për dorëshkrimet e M. Segonit.

Disa nga autorët më të njohur që kanë shkruar për M. Segonin

dhe dorëshkrimet e tij

Për Martin Segonin, veçanërisht, si dhe për dorëshkrimet tij kanë shkruar ndër të tjerë: Bongarsa, Rerum…, Hanoviae, 1604, f. 610-615; Checchetti, La donna…, Venedik, 1886, vëll. XXXI, f. 309-311; Conringii, De bello…, Helmestadi, 1664, f. 401-409; Cuspiniani, De Caesaribus…, 1522, 1540; 1541; 1561; 1601; 1654; Eubel, Hierachia…, Monasteri, 1901, vëll. II, f. 162; Farlari, Illyricum…, Venetiis, 1817, vëll. VII, f. 258; Gams, Series…, Ratisbonae, 1873, f. 412; Gelcich, La storia…, /Prefazione/, Ragusa, 1903, f. XXIV; Jorga, Notes…, Bucarest, 1915, vëll. IV, (1475-1500), f. 57-58; Katona, Historia…, Pest, 1790, vëll. XIII-XVIII, f. 4-5; 280; 300; Kniewald, Feliks…, Beograd, 1962, vëll. 350 /lib. 12/, f. 1-162;Matković, Petančić…, Zagreb, 1879, Rad, 49, f. 103-164; Oporini, Machumetis…, Basilea, 1543, f. 148-153; Paschini, Il carteggio…, Vatican, 1948, vëll. 137, f. 128 e 148; Petrusi, I primi…, Firenze, 1971, vëll. 12, f. 465-552; Petrusi, Maritino…, Roma,  1981, vëll. 128-130, f. 1-421; Pray, Anales…, Budae, 1801, vëll. IV, f. 229; Pray, Histroiae…, Budae, 1801, vëll. II, f. 327-332; Razzi, La storia…, Lvcca: 1595; Ragusa, 1903, f. XXIV; Reusner, Hodoepericum…, Lipsiae, 1596, f. 116-126; Schwandtneri, Scriptores…, Francofurti, 1604, f. 867-873; Thallóczy, Studien…, München-Leipzig, 1914, f. 436-439; Wecheli, Rerum…, Francofurti, 1600, f. 612-615; Zeno, Disertazioni…, Venedik, 1753, vëll. II, f. 410 si dhe sllavët Ćirković, Dinić dhe shqiptarët, A. Buda, M. Ahmeti, Dh. Shuteriqi,  K. Frashëri, E. Sedaj, dhe ndonjë tjetër historian i parëndësishëm.

Studimet dhe shkrimet e autorëve të ndryshëm për M. Segonin, mund t’i kategorizojmë në tre grupe duke pasur për kriter qëndrimet e tyre, posaçërisht ndaj dorëshkrimeve të tij. Në grupin e parë, bëjnë pjesë të gjithë ata autorë, të cilët nuk dëshirojnë të pranojnë se dorëshkrimi i botuar nga Feliks Petançiq, është plagiat, përkatësisht përvetësim i punës së Segonit, duke fshirë vetëm emrin e autorit të vërtetë [M. Segonit] dhe duke vënë emrin e tij; në grupin e dytë mund të llogarisim ata autorë, të cilët vënë në dyshim dorëshkrimet e M. Segonit, si p.sh. K. Frashëri në veprën e tij «Skënderbeu», Tiranë, 2002, f. 11, referenca nr. 2, duke pohuar se: «prifti italian i fundit të shek. XVI nuk është përkthyes /është fjala për S. Razzin/ por autor (…) dhe e ka hartuar përmbledhjen duke u mbështetur te M. Barleti, të cilin na ka servirur si vepër origjinale të M. Segonit»  e disa të tjerëve, të cilët as nuk kanë arritur të konsultojnë dorëshkrimet origjinale e as të studiojnë literaturën dhe studimet e botuara që nga fillimi i shekullit XVI e deri me sot; si dhe grupin e tretë, të cilët, duke shfrytëzuar dorëshkrimet origjinale dhe ato të përkthyera, mbështesin autorësinë e M. Segonin.

Është menduar se studimi i Agostino Petrusit, «Martino Segono di Novo Brdo vescovo di Dulcigno. Un umanista serbo-dalmata del trado Quatrocento. Vita e opere», Romë, 1981, fasc. 128-130, të «Studi Storici» i botuar post mortum, përfundimisht i ka zgjidhur të gjitha dilemat dhe problemet si për figurën e ipeshkvit Martin Segoni ashtu edhe për dorëshkrimet e tij! Megjithatë, A. Petrusi, përkundër një pune të çmuar, të vëllimshme dhe mjaft serioze, duke përdorur kritere shkencore dhe metodat e reja hulumtuese kritike, nuk ka arritur të bëjë shumë, përkatësisht, nuk ka arritur të zbërthejë enigmën e personalitetit të Martin Segonit dhe veprës së tij në dorëshkrim. Ky është njëri nga shkaqet, që disa historianë, kryesisht shqiptarë dhe sllavë, nxjerrin përfundime të gabuara si për M. Segonin ashtu edhe për veprën e tij.

Kush është ipeshkvi i Ulqinit, dr. Martin Segoni dhe

përkatësia e tij kombëtare

Për jetën dhe veprën e ipshkvit Martin Segoni, nuk ka shumë të dhëna. Nuk dihet me saktësi viti i lindjes, por vendlindja është Novo Brda. Mund të pohojmë me siguri se i ati tij quhej Joanini de Segonis dhe ishte banues në Novo Brda të Kosovës.

Në lidhje me përkatësinë e tij kombëtare Martin Segoni flet vetë, dhe nuk lë vend për hamendësime, edhe pse historianët shqiptarë e serbë përpiqen që ta përvetësojnë atë si autor të tyre. Në dorëshkrimin origjinal autograf që ruhet në Bibliotekën Ambrosiana të Milanos, në fillim të dorëshkrimit ai shkruan: “Opusculum reverendi domini Domini Martini de Segonis natione Catharensis origine autem Serviani ex Novomontio aliter Novobardo dicto Dei gratia episcopi Olchinensis.” (Mss. Q. 116, f. 157v). Nga ky pohim është e qartë që ai ishte me prejardhje nga Kotorri, pra nuk ishte shqiptar. Nuk mund të ishte as serb, sepse përndryshe do të ishte i ritit ortodoks. As prindërit e tij nuk mund të kenë qenë të ritit ortodoks, sepse po të ishte kështu, sipas të Drejtës Kanonike të Kishës Katolike ai nuk do të mund të bënte karrierë kishtare. Si rezultat, Martin Segoni mbetet që të ketë qenë dalmatinas nga Kotorri. Në favor të këtij pohimi shkon e dhëna tjetër se në asnjë nga rregjistrat e ndryshëm të regjistrimit popullsisë, ku gjejmë të dhëna për Novo Brdan, nuk haset mbiemri Segoni, gjë që tregon se ata ishin të ardhur në Novo Brda. Nga ana tjetër, mbiemri Segoni ndeshet në Kotorr në shekullin e gjashtëmbëdhjetë, gjë që përforcon idenë e prejardhjes së tij nga Kotorri.

Përsa i përket aktivitetit të Martin Segonit, të dhënat më të hershme i kemi nga viti 1474 ku thuhet që Segoni shërbente tashmë si presbyter dhe kanonik në kishën e shën Mërisë në Novomonte. Nga ana tjetër, po në vitin 1474, përkatësisht më 11 qershor, ai përmendet se ishte ende student në «Collegio Campionis» në Padovë “Die XI Iunni 1474, presbitero Martino de Novomonte studenti in collegio Campionis civitatis Paduae” ndërsa më 18 shkurt të vitit 1475 doktoron në të Drejtën Kanonike: «Die sabbati XVII mensis Februarii in loco examinum consueto: Licentia privati examinis et publica doctoratus in iure canonico venerabilis ac doctissimi viri domini presbiteri Martini de Novomonte (…) canonici Sancte Marie de Novomonte». Temën e mbron përpara: dominium Joannem de Roma; vicarium rectoris Joannis Scroffa, domino Angelo de Castro, domino Alexandro del Nexo, domino Batholomeo de Capitibusliste et domino Georgio de Priolis. [Arch. Cur. Acivesc. Padova. Petrusi dhe Ahmeti]. Pas marrjes së titullit të doktoraturës, qëndroi për ca kohë në Padovë dhe në Venedik, për t’u kthyer më vonë në Ulqin, ku shërbeu si vikar i ipeshkvit të Ulqinit, Paganinus (2. VI. 1441-26. V. 1481), i cili në vitet e fundit të shërbimit të tij, nuk qëndroi në Ulqin, [Shuteriqi, Petrusi] në selinë ipeshkvnore, por në Bresha të Italisë. Pas vdekjes së Paganinus, Martin Segoni emërohet ipeshkv i Ulqinit më 20 mars të vitit 1482, nga papa Sixti IV. Vdiq në Ulqin, në tetor të vitit 1485. [Eubel, Petrusi, Gams, Ahmeti, etj].

Meqenëse Segoni, ishte tashmë presbyter në vitin 1474, mund të llogarisim me përafërsi vitin e lindjes së tij, duke u mbështetur në rregullat e të Drejtës Kanonike të Kishës Katolike që ishin të detyrueshme për emërimet në hierarkinë kishtare. Sipas Koncilit të Katërt Lateran (1215) rregullat e të cilit ishin të vlefshme deri në Koncilin e Trentit (1545), pra edhe gjatë gjithë shekullit të pesëmbëdhjetë, mosha minimale për t’u emëruar presbyter ishte 30 vjeç. Nëse do të supozojmë që Martin Segoni është emëruar presbyter, më së voni në vitin 1474, atëherë, sipas të Drejtës Kanonike, në këtë vit ai duhet detyrimisht të ketë qenë të paktën 30 vjeç. Nga një llogaritje e thjeshtë, na del që Martin Segoni duhet të ketë lindur jo më vonë se viti 1444. Nëse pranojmë që ka lindur më së voni në vitin 1444, atëherë del që ai ka vdekur 41 vjeç, d.m.th. shumë i ri. Sido që të jetë, është e sigurt që kur Skënderbeu vdiq, Segoni ka qenë të paktën 24 vjeç. Koncepti i shkrimit për Skënderbeun që na është ruajtur në përkthimin italisht në katër faqe është shkruar Segoni, i cili duhet të ketë qenë pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i ngjarjeve dhe luftrave të Skënderbeut.

Vëllimet me dorëshkrime të Martin Segonit që ruhen në biblioteka të ndryshme të Evropës: Budapest, Firence, Dubrovnik, Kotorr, Milano dhe Vjenë

Deri me sot, dorëshkrime origjinale /autografe/ të njohura, të ipeshkvit të Ulqinit, Martin Segonit na janë ruajtur vetëm në Bibliotekën Ambrosiane të Milanos, ndërsa në bibliotekat e tjera, kemi vetëm kopje të dorëshkrimeve origjinale ose përkthime të tyre.

Pas botimit të studimit të A. Petrusit, në vitet e fundit, kur na është dhënë mundësia, kemi bërë hulumtime dhe kërkime shkencore në arkiva dhe biblioteka të ndryshme, me qëllim të kompletimit të biografisë së M. Segonit dhe informacioneve për dorëshkrimet e tij. Nuk kemi arritur të bëjmë kërkime vetëm në Kotor, ku sipas një informacioni të një kolegie studiuese, atje në një Arkiv ruhen dorëshkrimet origjinale, në pergamen, autografe të Martin Segonit, të cilat at Serafino Razzi i përktheu nga latinishtja, në italisht në vitin 1589. Shpresojmë se së shpejti do kemi fatin e mirë që edhe ato dorëshkrime, t’i konsultojmë me ndihmën e koleges sonë, e cila punon në Universitetin e Budapestit.

Është një situatë tjetër me dorëshkrimet e M. Segonit, për të cilat ekzistojnë informacione për vendin ku ruhen, edhepse jo të sakta dhe me gabime të shumta, qoftë për vendndodhjen e tyre, signaturat apo titujt dhe përshkrimin fizik si të dorëshkrimeve ashtu edhe të vëllimeve ku ato ruhen.

Kemi pohuar më lart, se botimi i studimit të A. Petrusit, llogaritet deri më sot si më i kompletuari, përkundër mangësive dhe lëshimeve të ndjeshme që ndeshen aty. A. Petrusi, si duket, nuk ka pasur mundësi të kishte në dorë dorëshkrimet që ruhen në bibliotekat e Budapestit dhe Vjenës. Ne, kemi arritur t’i konsultojmë ato dorëshkrime, por edhe të tjerat, si në Milano ashtu edhe në Firencë e Dubrovnik, dhe në të njëjtën kohë kemi arritur të sigurojmë skanimin dhe mikrofilimin  e të gjitha dorëshkrimeve të njohura deri me sot, si të atyre në origjinal, të përshkrimeve të mëvonshme dhe të përkthimeve të Firencës.

Dorëshkrimet origjinale të M. Segonit nga Ambrosiana e Milanos

Biblioteka Nacionale Qendrore, Ambrosiana e Milanos, në fondin e saj të dorëshkrimeve ruan dy vëllime me dorëshkrime të ndryshme, në të cilat gjenden edhe ato të Martin Segonit, të cilat janë autograf, por që në margina dhe poshtë tekstit kanë shënime dhe komente të shumta të bëra nga dora e skribit Giovanni Battista Pinelli dhe të një personi tjetër, të panjohur për ne.

Dorëshkrimi i parë ndodhet në vëllimin me signaturë: Mss. Q. 116, (signatura e vjetër: Mss. F. n. 146 R), f. 149r-166v. Në f. 165r është një hartë ku paraqiten tokat e pushtuara nga turqit, ndërsa janë boshe f. 149v, 150r, 151r, 164r dhe 166v. Dimensionet e këtij vëllimi janë: 23.4 x 36.6cm /21.2 x 31.3cm/. Dorëshkrimi i M. Segonit mban titullin: “Opusculum reverendi domini domini Martini de Segonis natione Catharenis origine autem Serviani ex Novomontio aliter Novobardo dicto Dei gratia episcopi Olchinensis” /f. 151v/.

Vëllimi i dytë ruhet në signaturën: Mss. I. 204, (sign. e vjetër:  Mss. F. n. 146 R), 16r-30v; (olim, 209r-223v. Dimensionet: 17.6×32.3cm /15.5×22.9cm/. Edhe ky dorëshkrim është origjinal, i cili ka komente dhe shenime në margina nga dy duar të ndryshme. Njëra dorë është ajo e skribit Giovanni Battista Pinelli, ndërsa për të tjetrën nuk kemi informacione të sakta, përkundër përpjekjeve tona të shumta dhe të kolegëve specialistë nga biblioteka Ambrosiane. Dorëshkrimi i dytë ka ndryshime të vogla gjuhësore dhe gramatikore me vëllimin e parë, si dhe ka më shumë shkurtesa.

Titujt e kapitujve të dorëshkrimeve nga të dy vëllimet janë pa ndryshime dhe kanë këtë renditje, gjithnjë sipas dorëshkrimeve origjinale të Martin Segonit nga Biblioteka Ambrosiane e Milanos:

  1. Tractatus de provisione Hydronti et de ordine militum Turci et eius origine; a) De provisione Hydronti; b) De ordine militum Turci; c) De origine Turcorum;
  2. Quos terrarum limites quasve gentium regiones adeant in Turcos expeditionem affectantes et ex quibus Dalmatiae finibus iidem barbari in Germania agros excursiones faciant; a) Prima via superior ex trauectu Belgradi per superiorem partem Mysiae et Rhodopem versus Thraciam dirigens;
  3. Altera via inferior quae ex eodem Belgrado per Dardanos et Tribaldos montem Haemum transgressa prope Hebrum cum superiori via coniungitur;
  4. Tractatus de cognomine et situ Romaniae;
  5. Alius locus unde ex Panonia tracitur in Mysiam iuxta Salson oppidum;
  6. Via quae ex Pannonia per Transilvaniam mittit Thraciam versus et Pontum;
  7. Via per quam ex Varbosania itur a Turcis versus mare et montes Corbaviae;
  8. De via quae ex Cluzi oppido Hun fluvium versus progreditur;
  9. De situ Crovatiae et montium Corbaviae;
  10. Via Egnatia ex Epiro sive Dirachio per Emathiam in Thraciam progrediens;
  11. De ortu, coniunctione et cursu utriusque Drinae;
  12. Via Candaviae maritimia ex Apollonia ad fauces Propontidis extensa;
  13. Epilogus exhortatorius contra Turcos;
  14. Argumentum contra eos qui arbitratur Valonam et Apolloniam eandem esse;
  15. Tractatus de Mysiae Superioris seu Serviae /et Minoris/descriptione.

Dorëshkrimi në italisht për Gjergj Kastriotin Skenderbeun që ruhet

në Firence dhe rëndësia e tij

Fillimisht dorëshkrimet e Martin Segonit kanë qenë të shkruara në latinisht, në pergamen dhe të lidhura në një vëllim. Këtë kodik [vëllim] në pergamen që ruhej në bibliotekën e Giovanni Battista Drago [Gjon Drago] e kishte në dorë Serafino Razzi, kur i përshkroi ato, në Kotorr në vitin 1589. Sot, dorëshkrimi i Serafino Razzi-t, ruhet në Bibliotekën Nacionale Qendrore të Firencës, në signaturën Conv. Soppr. G. 7. 100, dhe mban titullin: “Dell’origine, della milizia e delli costumi de i Turchi. Narrazioni Mons.re Martino Segonii, vescovo di Dulcigno, a Sisto IV. Fatte di latine volgari da fra Serafino Razzi dell’Ordine dei Predicatori e Theologo della Provincia Romana nel 1589.”

Dorëshkrimi ka kopertina kartoni gjysmë të fortë, të bardha. Në kopertinën e parë ka të shënuar: Angeli N. 1003. Tetë faqet e para janë boshe dhe të papaginuara. Në f. 1r është titulli: “Dell’origine, della Miliziia e delle Costumi dei Turchi. Narrazioni de Monsg. Martino Segonii Vescovo di Dulcigno. A’Sixto quarto. Fatte di latine volgari da fra Serafino Razzi dell’Ordine dei Predicatori, e Theologo, della Provincia Romana nell M.D.LXXXIX. /1589/.”

Pastaj, në faqet në vijim janë këta tituj: f. 1r-v “Fra Serafino Razzi, A’benigni Lettori;” f. 1v-3v: “Cattalogo delle Imperatori Ottomanni;” f. 4r-16v: “Dell’origine dei Turchi;” f. 16v-25v: shkrimi nuk ka titull, por teksti fillon: “A’Muametto, come altri scrivono, succede Baiazzitto secondo, Il quali scrite molte…” f. 26r-29v: “Il Rever.mo Mons.ore Martino Segonio, scrivendo à Papa Sixto quatro, sopra la ricuperazione della Terra d’Ottranto;” f. 29v-30r: “Annotazioni dei costumi dei Turchi, ricavate da certi altre scritte a manno latini, per il sopra detto fra Serafino Razzi Domen.no;” f. 30r-31v: “Annotazione della Terra Santa ricavata dalle memorie latine del prefato Mons.re Mart.no Seg.io ves.o di Dulc.o per f. Ser.no Raz. Teoo.Dom.no;” f. 32r-34v: “Narrazione di Georgio Castriotto, da i Turchi, nella sua lingua loro, chiamato, Scander beg cioè Alesandri Magni. Scanderbeg .i. Akessandri. Beg. i Signore.”

I tërë dorëshkrimi është shkruar nga një dorë, përkatësisht është autograf i at Serafino Razzit. Paginimi përfundon në f. 88r. mirëpo tekst të dorshkrimit ka deri në f. 85v. Çdo faqe ka nga 21 rreshta me shkrim të lexueshëm lehtë. I tërë dorëshkrimi është në italisht. Paginimi është lart në të djathtë, në këndin e sipërm të faqes recto.

Meqenëse kemi pasur në dorë të gjitha dorëshkrimet e njohura deri me sot të Martin Segonit, qofshin ato autograf, qofshin përshkrime apo përkthime, mendojnë se përkthimi në italisht nga at Serafino Razzi në vitin 1589, është më i kompletuari, më i sakti, i cili pothuajse është i njejtë me dorëshkrimet autografe të M. Segonit. Ne mendojmë se Agostino Petrusi është gabuar kur nuk ka marrë si tekst kryesor për botim kritik këtë vëllim me dorëshkrime, por është shërbyer me pjesë të ndryshme, të cilat, asesi nuk përbëjnë një tërësi, sikurse dorëshkrimi i Firencës. Përveç kësaj, botimi i A. Petrusit vuan edhe nga gabime të shumta të cilat i kemi vënë në dukje gjatë krahasimeve të bëra me dorëshkrimet që ai ka botuar. Kësaj radhe nuk do merremi me këto gabime-lëshime të tij.

Me sa na është e njohur deri me sot, nëse nuk llogarisim informacionin që kemi për kodikun me dorëshkrime autograf të M. Segonit në njërin nga Arkivat e Kotorrit, vëllimi me dorëshkrime i Firencës është i vetmi që ka një skicë-studim për jetën dhe bëmat e Gj. K. Skenderbeut.

Jemi plotësisht të sigurtë, se ky dorëshkrim është i Martin Segonit, jo vetëm prej pohimeve të A. Petrusit, por, prej analizave dhe krahasimeve të bëra me dorëshkrimet e tjera të njohura të M. Segonit dhe të atyre të botuara nga autorët e tjerë. Rezervat e shfaqura me këtë rast për autorësinë e këtij teksti, se gjoja është i përkthyesit, janë qëllimkëqija, tendencioze dhe pa asnjë mbështetje, qoftë burimore, qoftë nga literatura apo nga ndonjë rrugë tjetër. Pohime të tilla janë si rezultat i mosnjohjes së tërësishme të krijimtarisë së M. Segonit.

Martin Segoni –  njëri ndër autorët e parë që shkroi biografinë e

Gjergj Kastriotit Skenderbeut

            Biografia e Gj. K. Skenderbeut e shkruar nga Martin Segoni, është njëra ndër të parat, por më e sakta dhe pothuajse më e kompletuara.

            Studimet dhe analizat e mëvonshme për këtë shkrim të Segonit për Skenderbeun nga autorë eminentë si: Petrusi, Buda, Shuteriqi, Ahmeti, etj, kanë nxjerrë në dritë mjaft momente interesante dhe të dhëna me vlerë, të cilat janë rezulat i studimeve krahasuese me shkrimet, librat dhe studimet e botuara më vonë.

            Nuk ka fije dyshimi se Marin Barleti ka shfrytëzuar dorëshkrimet e Martin Segonit. Po ashtu, këto dorëshkrime, natyrisht edhe atë për Gj. K. Skenderbeun, i kanë shfrytëzuar autorët shqiptarë si: Marin Beçikemi, Dhimitër Frangu, Gjon Muzaka, etj., të cilët, veprat e tyre i kanë shkruar në mërgim, ndërsa M. Segoni, sipas të gjitha gjasave pjesën më të madhe të dorëshkrimeve të tij e shkroi në Ulqin e ndoshta edhe në Novobërdë. Është interesant se nga koha e Martin Segonit, ne kemi edhe inkunabulën e parë nga territoret shqiptare të njohur deri më sot. Kjo inkunabulë nga ipeshkvi i Tivarit, Shtjefni /Stephanus, 1473-1485/ mban titullin: “Stephani archiepiscopi Antibarensis sermo habitus in materia fidei contra Turcorum persecutionem ex solennitate gloriosi apostoli et evangeliste Johannis.” Ajo është botuar në vitin 1481, dhe origjinali i saj ruhet në Bibiliotekën Apostolike të Vatikanit. Sot mban signaturën: Incun. IV/543, int. 7.

            Tekstin origjinal të përshkruar në gjuhën italiane, dhe përkthimin në gjuhën shqipe po i sjellim në vazhdim:

NARRAZIONE DI GIORGIO CASTRIOTTO, DAI TURCHI NELLA LINGUA LORO CHIAMATO SCANDER BEG, CIOE ALESSANDRO MAGNO         Nacque Giorgio Castriotto di Gio-vanni, Signore dell’Albania, parte di Macedonia al mare Adriatico. Il quale signore Giovanni non potendo resistere all’armi tuchesche ottene da Amuratte la pace con certe condiz-ioni, una delle quali fu che gli desse i suoi figliuoli per ostaggi, e tra questi fu Scanderbeg. Il quale allevato nella corte del Turco et ammaestrato nelle lettere turchesche e nello essercizio delle armi, fe’ tale profitto che di dic-iannove anni fu creato sangiacco cioè conduttiere di una banda di cavalli. E portando un’aria di volto reale fu tanto grato da Amurate che lo mandò prima nell’Asia contra al re di Cicilia, nella quale guerra si acquisto credito massimamente havendo combattuto a corpo a corpo con uno illustre tartaro et occisolo e similm-ente un cavaliere persiano. Onde Amurate soleve publicamente dire come egli era il suo braccio, l’occhio suo destro e singul-arissimo difensore del suo stato. Venuto intanto il padre suo Giovanni a morte, l’armi turchesche occuparono quel regno; da che piangendo Scanderbeg fu da Amurate consolato con darli speranza di presto investirne la persona sua. Ma non ne facendo poi altro, anzi havendo fatto morire de veleno gl’altri suoi fratelli, egli con astuzia e lettere contrafatte itonese in Albania s’impatroni di alcune principali fortezze; poscia, congregati i popoli detta provincia e di Macedonia tutta, fu da loro riconosciuto per legitimo principe e gridato re, onde, fatti tagliare a pezzi quanti Turchi che non vollono batt-ezzare, hebbe poi gloriose vittorie contra di Amurate e di Maumetto suo figliuolo. Vinse sette bascià, andò condottiere della milizia albanese in aiuto del re di Napoli Fernando molestato dagli Angioini, e col voler suo rompendo le genti franzese salvò quel reame. Dopo havendo Maometo espugnato lo impero di Trebisonda e quello di Constantinopoli, tentò di espugnare Croia, ma difendendola Giorgio Scanderbeg ruiscì ogni suo sforzo vano. Fu poscia da Pio secondo chiamato in Italia per farlo capitano generale nella impresa che sua Beatitudine meditava contra il Turcho. Ma interponendosi la morte di detto Pontefice non segui altro.   Ritornossene per tanto in Albania e mentre che in Alessio, sul fiume Drino, consultava col proveditore veneto intorno alle cose della guerra, sopragionto da una contagiosa febre se ne passò a miglior vita l’anno di Nostro Signore mille quattrocento sessanta sette, di sua età sessantratre, havendo prima raccomandato Giovanni suo figliuolo ancora giovanetto con tutto lo stato suo alla illustrissima signoria di Venetia. Trattene Scanderbeg seco con pietà e liberalità grandissima sempre mai una scelta di soldati veterani con i quali egli soleva dire che si acquistavano le vittorie più agevolmente che con la moltitudine di soldati nuovi. Non voltò egli mai le spalle a nimici suoi, ma sempre coraggiosa-mente combatté. Non fu mai da loro ferito, se non una volta leggiermente con una frescia, cotanto era egli avventurato e benne armato. Così bene in tutta la vita e persona sua era dispo-sto di tanta allegrezza negl’occhi e di così animonsa eloquenza che, compariva in publico armato, di maniera infiammava gli animi de soldati che non solamente divenivano valorosi nel combattere, ma anco ferocissimi disprezzatori degli inimici. Fu sempre de primi a entrare nelle bataglie e degli ultimi a ritrarsene. Conosceva tutti gl’ufficiali suoi per proprio nome, così buona memoria teneva.  Ammazò di sua mano in diverse bataglie più di due mila Turchi adoperando una sua scimatarra con la quale in un colpo solo partiva un toro per mezzo. Intendendo Maometo II di detta spada, la mando a chiedere e l’ottenne da esso Giorgio; e attene fare la prova alla presenza sua da un tartaro da lui stimato gagliardissimo, ma invano, ne gli rimandò et intese come la vera scimatarra ma non il braccio suo che l’adoperava mandato gl’havea. Onde non parendo a Maometo di privare un tanto capitano di così nobil’ arme, con alcuni presenti ne gli fe’ riportare, dopo la seconda volta mandatagli. Fu pianta la morte di questo gran cavalliere non solamente dalla Grecia tutta, ma ettiamdio da tutti i principi di Europa et anche dagli i stessi Turchi, i quali, dopo la morte di lui, insignoritisi di tutta l’Albania e ritrovato nella chiesa di san Nicolò, cattedrale di Alessio città, il corpo suo, divotamente lo riverirono. E seguendo la loro superstizione cavando le felici ossa del sepolcro religiosamente le saccheggiarono, credendo ciascuno di rimanere nelle bataglie sicuro, havendo sopra di se legata una minima particella di osso di cosi invitto capitano.TREGIM NGA TURQIT PËR GJERGJ KASTRIOTIN, NË GJUHËN E TYRE I QUAJTUR SKANDER BEG, DOMETHËNË ALEKSANDËR I MADH                     Gjergj Kastrioti, zot i Shqipërisë, [që ishte] pjesë e Maqedonisë në detin Adriatik, lindi nga Gjoni. Ky zotëri, Gjoni, duke mos mundur t’u qëndronte armëve turke, bëri paqe me Muratin me disa kushte, njëra prej të cilave ishte, që ai [Gjoni] t’i jepte djemtë e tij peng, e në mes tyre edhe Skenderbeun. Ky i fundit, i rritur në oborrin e Turkut, dhe i arsimuar në literaturën turke e në ushtrimin e armëve, përfitoi kaq shumë sa që në moshën nëntëmbëdhjetë vjeçare, u bë sanxhakbe, domethënë udhëheqës i një njësiti kalorësish.                 Meqë kishte një pamje mbretërore të fytyrës, u pëlqye shumë nga Murati, i cili në fillim e dërgoi në Azi, [për të luftuar] kundër mbretit të Çiçilisë, në të cilën luftë, fitoi nam të madh, duke luftuar trup me trup me një tartar të shquar të cilin e vrau dhe me një kalorës persian. Pas kësaj, Murati bëri zakon të pohonte publikisht që ai [Skenderbeu] ishte krahu i tij dhe syri i i tij i djathtë, si dhe mbrojtësi i papërsëritshëm i shtetit të tij.                 Ndërkaq, pasi i erdhi vdekja, të atit të tij, Gjonit, ushtritë turke pushtuan atë mbretëri, për të cilën Skenderbeu i dëshpëruar u ngushëllua nga Murati me dhënien e shpresës se së shpejti do ta pajisë [investojë] personin e tij me të, [mbretërinë]. Por, [Murati] duke mos bërë asnjë veprim më tej në këtë drejtim, përkundrazi duke bërë që vëllezërit e tij të vdisnin të helmuar, ai [Skenderbeu] me shkathtësi dhe letra të fallsifikuara, u kthye në Shqipëri dhe u bë zot i disa kështjellave kryesore, pastaj, pasi u mblodhën në kuvend, popujt e provincës në fjalë dhe të tërë Maqedonisë, u njoh prej tyre princ i ligjshëm dhe u  quajt mbret. Pastaj, ai preu copë-copë ata turq që nuk dëshiruan të pagëzoheshin dhe kështu pati një fitore të famshme kundër Muratit dhe të birit, Mehmetit. Ai mundi shtatë pashallarë; si prijës së bashku me ushtrinë e tij shqiptare, i shkoi në ndihmë mbretit të Napolit, Ferrantes, i cili ishte i sulmuar nga Anzhuinët, dhe me dëshirën e tij, e shpëtoi atë mbretëri duke mundur francezët.                 Pasi Mehmeti fitoi mbi perandorinë e Trapenzunti [Trebisonda] dhe atë të Konstantinopojës, ai u përpoq të mposhtë edhe Krujën, por, duke e mbrojtur atë, Gjergj Skenderbeu arriti të mposhtë të gjitha përpjekjet e tij të kota.                 Më vonë, u thirr nga [papa] Piu II në Itali, për t’u emëruar komandant [capitano] i përgjithshëm, në fushatën, që shenjtëria e tij planifikonte kundër turqve. Por e ndërprerë nga vdekja e papës në fjalë, ajo [fushata] nuk u vazhdua nga të tjerë.                 Ndërkohë, ai u kthye në Shqipëri, dhe ndërsa po konsultohej në Lezhë, mbi lumin Drin, me qeveritarin [proveditorin] venedikas, në lidhje me çështjet e luftës, e zuri një ethe ngjitëse dhe kaloi në një jetë më të mirë, në vitin 1467, të Zotit tonë, në moshën gjashtëdhjetë e tre vjeçe, pasi më parë ia kishte besuar, Gjonin, birin e tij akoma të ri, me gjithë shtetin e tij, Sinjorisë së shkëlqyer të Venedikut.                 Skenderbeu mbante gjithmonë me vete, me mëshirë dhe bujari të madhe një grup të zgjedhur ushtarësh veteranë, për të cilët zakonisht thoshte që me ata i merrte fitoret më lehtë se sa me turmën e ushtarëve të rinj.                 Ai nuk ua ktheu kurrë shpatullat [shpinën] armiqve të tij, por gjithmonë luftoi me guxim. Nuk u plagos kurrë nga ata, përveçse një herë, lehtësisht me një shigjetë,  kaq me fat dhe kaq mirë i armatosur ishte.                 Në tërë jetën dhe personin e tij, ishte kaq mirë i pajisur me alegri në sy, dhe me elekuencë të gjallë, sa që kur shfaqej në publikun e armatosur, me qëndrimin e tij ndizte shpirtërat e ushtarëve të cilët jo vetëm që bëheshin trima gjatë luftimit por edhe me të egër e përbuzës për armiqtë. Ai ishte gjithmonë ndër të parët për të hyrë në beteja dhe i fundit për t’u tërhequr. I njihte të gjithë oficerët e tij, emër për emër, kaq kujtesë të mirë kishte.                 Në beteja të ndryshme, vrau me dorën e tij më shumë se dy mijë turq, duke përdorur një shpatë të tij, me të cilën, vetëm me një të goditur, ndante në mes një dem.                 Kur Mehmeti II, mori vesh për shpatën në fjalë, dërgoi që t’ia kërkojnë dhe e mori nga vetë Gjergji; dhe me të [shpatën] në praninë e tij, [Mehmetit] bëri një provë një tartar që vlerësohej pa masë nga ai, por më kot. Ia riktheu shpatën [Skënderbeut] dhe kuptoi që ai i kishte dërguar shpatën e vërtetë, por jo krahun e tij që përdorte. Mehmetit nuk iu duk me vend që të privonte prej saj një komandant të armëve kaq fisnike, kështu ia ktheu bashkë me disa dhurata, pasi qe dërguar për të dytën herë.                 Vdekja e këtij kalorësi të madh u vajtua jo vetëm nga gjithë Greqia, por edhe nga gjithë princërit e Evropës, madje edhe nga vetë turqit, të cilët pas vdekjes së tij, duke qenë zot të gjithë Shqipërisë, dhe pasi gjetën trupin e tij, në kishën e Shënkollit [san Nicolò], katedrale e qytetit të Lezhës, e nderuan me devotshmëri. Duke ndjekur bestytninë e tyre, nxorrën nga varri eshtrat fatlume, plaçkitën në mënyrë fetare, duke besuar se do të ishin të sigurtë në beteja po të kishin lidhur mbi vete një pjesë sado të vogël të eshtrave të komandantit të pamposhtur.  

Filed Under: Featured Tagged With: Musa Ahmeti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2736
  • 2737
  • 2738
  • 2739
  • 2740
  • …
  • 2938
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT