• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA FTON SHQIPTARËT NË DARKËN E FLAMURIT KOMBËTAR MË 28 NËNTOR 2021

October 30, 2021 by s p

Dielli

Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra fton të gjithë patriotët shqiptarë në Amerikë, Kanada e kudo tjetër që të bashkohen për të festuar së bashku Festën e Flamurit Kombëtar me rastin e 109 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në festën e sivjetshme të Flamurit Kombëtar, Vatra fton të gjitha shoqatat dhe organizatat shqiptare në Amerikë e Kanada, mediat shqiptare, bashkësitë fetare, bizneset shqiptare, bashkatdhetarët e spikatur, selitë diplomatike, organizatat e ndryshme dhe klubet patriotike e kulturore që të marrin pjesë në darkën e festës së Flamurit kombëtar që do të organizohet më 28 NËNTOR 2021 NË ORËN 6:00 PM në Restorantin: EASTWOOD MANOR:3371 EASTCHESTER RD, BRONX, NY 10469. Këngëtarët që do performojnë janë: Aranit Hoxha, Fahrije Zogaj, Barbana Dini, dhe Gëzim Nika “Mjeshter i Madh”. Hyrja për person kushton 100 Usd me të gjitha të përfshira dhe çdokush që dëshiron të vijë duhet të prenotojë te z.Anton Raja në numrin 646-594-4747 dhe z.Kujtim Funiqi në numrin 347- 723- 2112.

Filed Under: Opinion Tagged With: Vatra

KRISTO FLOQI, KOHA DHE VEPRA E TIJ LETRARE

October 30, 2021 by s p

Prof. as. dr. Jonela Spaho, Dekane, Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë, Universiteti “Fan S. Noli” Korçë, rrëfen për gazetën ‟Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, studimin “Kristo Floqi, koha dhe vepra e tij letrare” ku paraqet jetën dhe veprën e gjërë të Kristo Floqit në politikë, media, jurisprudencë, kulturë, komedi, dramaturgji, poezi por fokusohet veçanërisht te veprimtaria e Kristo Floqit si Ministër i Arsimit, deputet i Dibrës dhe i Korçës dhe Këshilltar Shteti ku Floqi ishte një nga juristët më të shquar të kohës, sepse ishte organizues i drejtësisë shqiptare në Qeverinë e Ismail Qemalit, Kryetar i Gjykatës së parë në Shqipëri, botues dhe përkthyes i literaturës juridike në shqip. Me Prof. as. dr. Jonela Spahon bisedoi Editori i ‟Diellit” Sokol PAJA.

KRISTO FLOQI, NJË PERSONALITET POLIEDRIK

Kristo Floqi është një personalitet poliedrik, vepra e të cilit ngjall kureshtje dhe ngacmon çdo studiues të interesuar, veçmas, për periudhën e gjysmës së parë të shekullit XX. Edhe pse i diplomuar në fushën e jurisprudences, roli i tij si njeri aktiv në fushën e kulturës dhe mendimit shqiptar duhet çmuar, veçanërisht në kontekstin kohor si një nga lëvruesit sasiorë dhe cilësorë të gjinisë dramatike, vepra e të cilit u pëlqye dhe u receptua gjerësisht nga audienca e kohës, nëpërmjet vënies në skenë nga, pothuaj, të gjitha trupat e teatrove amatore të Shqipërisë në atë kohë, veçanërisht komedia e tij nëpërmjet së cilës ai u bë autori më prodhimtar dhe më popullor i periudhës. Horizonti i pritjes për komeditë e Kristo Floqit ka qenë më i ndjeshëm ndaj shfaqjeve në skenë të veprave të tij, sesa ndaj tyre si tekst letrar. Në këtë kuptim, është e përligjur vëmendja që mund t’i kushtohet dhe aspektit të pritjes, apo receptimit të veprës së tij nga publiku, nëpërmjet vënies së saj në skenë. Lidhur me figurën e Kristo Floqit është folur pak dhe kritika rrallë eshtë marrë me të, sepse për një kohë të gjatë, gati gjysëmshekullore, emri dhe vepra e tij u mbuluan  me heshtje dhe autori u anatemua dhe u përndoq.

KRISTO FLOQI NGA MINISTËR I ARSIMIT, DEPUTET I DIBRËS DHE I KORÇËS E KËSHILLTAR SHTETI

K.Floqi ka një aktivitet të dendur në fushën politike të gjysmës së parë të shekullit XX, si Ministër i Arsimit, deputet i Dibrës dhe i Korçës dhe Këshilltar Shteti. Ai ka qenë një nga juristët më të shquar të kohës, sepse është organizues i drejtësisë shqiptare në Qeverinë e Ismail Qemalit, Kryetar i Gjykatës së parë në Shqipëri, botues dhe përkthyes i literaturës juridike në shqip.Veçanërisht duhet përmendur aktiviteti i tij si patriot dhe publicist sepse ai ishte pjesëmarrës i rretheve patriotike për dëbimin e pushtuesve të huaj, delegat i Kongresit të Triestes, themelues i Federatës Panshqiptare “Vatra”, në Amerikë, bashkë me F.Nolin dhe F.Konicën dhe Komitetit ”Shqipëria e Re” në Milano, bashkë me Xh.Skiroin dhe K.Seremben. Gjithashtu, ai ka refuzuar në mënyrë të vendosur ndryshimin e sistemit qeverisës në Shqipëri; nga republikë në monarki, duke dalë hapur dhe i vetëm me fjalimet e tij ne parlament kundër shpalljes së Zogut si mbret i shqiptarëve.

KRISTO FLOQI SI BOTUES I MEDIAVE “DIELLI”, “AGIMI” E  “INDIPENDENCA SHQIPTARE”

Kristo Floqi është botues i së përjavshmes “Dielli” në Boston, “Zëri i popullit”, në Nju Jork, i të përmuajshmes “Agimi” në Shkodër, i gazetës “Indipendenca Shqiptare” në Tiranë etj. Por Kristo Floqi është dhe një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të periudhës  i cili shkroi dhe botoi rreth 20 komdi dhe farsa, tre drama, një tragjedi, ndërsa si poet ai u paraqit me vëllimet “Tingëllimat e zembrës”, ”Shkëndija ose antologji shkollore” dhe me poemat “Dëshmorët e Rilindjes” dhe “Shqyptarët”. Për të studiuar e pozicionuar më mirë veprën e tij dramaturgjike duhet ta shohim atë, së pari, në rrafshin e premisave historiko–letrare të zhvillimit të dramaturgjisë shqiptare, deri në gjysmën e parë të shekullit të XX. Në këtë periudhë dramaturgjia shqiptare, megjithëse nuk u zhvillua deri në atë masë që u zhvillua poezia dhe proza, njohu një zhvillim të ri. Në dramaturgjinë e kësaj periudhe u bënë përpjekje për krijimin e figurave artistike dhe karaktereve dramatike me botëkuptimin dhe prirjen realiste të pasqyrimit të realitetit historik dhe shoqëror, me gjithë notat e sentimentalizmit e melodramatizmit që e karakterizonin atë. Në suazën e zhvillimit të llojeve dramatike dallohet zhvillimi i komedisë, e cila ishte më e ndjeshme ndaj problemeve shoqërore. Në këtë periudhë (1912-1927), K.Floqi shkroi rreth 20 komedi dhe farsa, të cilat u botuan më vete, ose në organe të ndryshme të shtypit të kohës.

KRISTO FLOQI SI KOMEDIAN

Për analizimin e komedive të K.Floqit është e rëndësishme të vërehet tipologjia e llojit. Kështu, nëse do të flisnim për një tipologji të veprës së tij komike, duke u mbështetur dhe në përfundimet e studiuesve, mund të themi se në krijimtarinë komike të Kristo Floqit gjejmë dhe komedinë dhe farsën. Pas analizimit të përbërësve komikë, rezulton se pjesa më e madhe e krijimtarisë së tij janë komedi, për nga problematika që trajtojnë, për nga mënyra si janë realizuar karakteret dhe situatat komike, apo mënyrës si janë strukturuar subjektet dhe ndërtuar kontradiktat komike. Ndërsa një pjesë e krijimtarisë komike janë farsa, pra vepra komike me një përmbajtje të lehtë që provokojnë gëzim dhe hare, për shkak të humorit që shndërrohet si qëllim në vetvete, situatave absurde, ngjarjet e pamundura, ekzagjerimi i vesit etj. Komeditë e K.Floqit patën një reagim pozitiv nga publiku, pasi ai vuri në qendër të tyre probleme të mprehta që shqetësonin shoqërinë e kohës kur ai i shkroi ato, apo probleme që kishin të bënin me aspekte të ndryshme të jetës familjare. Koha kur Kristo Floqi krijoi pjesën më të madhe të komedive dhe farsave të tij, përkoi me ndryshime të rëndësishme politiko-shoqërore. Për këtë arsye, një pjesë e komedive të tij kanë në fokus problematikën politiko-shoqërore. Si njohës dhe vrojtues i mirë i problemeve të realitetit shqiptar, duke parë nga afër problemet, prapaskenat dhe dështimet e disa qeverive ai satirizoi me guxim klika e personazhe negative, që po e çonin vendin drejt kaosit. Gama e problemeve që trajton ai, në komeditë e tij, është e gjerë dhe duket se autorit nuk i ka shpëtuar asnjë fenomen dhe dukuri negative. Ai preku probleme të rëndësishme që kishin të bënin me gjendjen e arsimit shqiptar, me sistemin gjyqësor, me financat dhe infrastrukturën e vendit. Në to veprojnë një galeri e tërë personazhesh që fillojnë që nga majat e pushtetit e shkojnë deri te njerëzit e thjeshtë, të cilët janë bartësit e veseve dhe deformimeve morale. Në këto komedi, me këtë problematikë, ai dënon paaftësinë në detyrë, akraballëkun, abuzimin me postin, lakminë për pushtet, pafytyrësinë, mënyrën jo të ndershme të përfitimit, korrupsionin etj. Komeditë e K.Floqit shquhen gjithashtu për mjeshtërinë e realizimit të gjuhës së personazheve, me anë të së cilës ai arrin t’i individualizojë ato. Gjuha e personazheve të tij është në përputhje me shtresën, mjedisin, botëkuptimin dhe kulturën që ata përfaqësojnë, pra me thelbin shoqëror të tyre. Shpesh, nëpërmjet gjuhës ai zbulon te personazhet injorancën, lakminë, pafytyrësinë, hipokrizinë dhe budallallëkun, duke shfrytëzuar me mjeshtëri mundësitë e frazës për të zbuluar kontradiktën komike dhe për t’u pozicionuar ideoemocionalisht.

KRISTO FLOQI SI DRAMATURG

Kristo Floqi shquhet po ashtu edhe si një nga autorët e mirënjohur të dramave të kësaj periudhe. Ai në dramat e tij do ta drejtonte vëmendjen tek problemet me të mprehta të kombit shqiptar, do të vinte në qendër të tyre dedikimin e shqiptarit ndaj idealit të lirisë, do të pasqyronte botën e  pasioneve të bashkatdhetarëve të tij dhe aftësinë e tyre për të përballuar sfidat më të mëdha në luftën për ekzistencë. Me mjeshtëri artistike, K.Floqi ka përhapur në dramat e tij aspiratat jetike dhe problemet e shpirtit dhe mentalitetit shqiptar, ka artikuluar anët më të ndërlikuara të problemeve ekzistenciale, me të cilat përballej populli në çastet e tij më dramatike. Duke pasqyruar, pikërisht këto probleme esenciale, të gjitha dramat e tij u bënë të pëlqyeshme dhe të mirëpritura nga publiku i kohës. Duke mos iu përmbajtur plotësisht të dhënave historike, autori ka ndjekur rrugën e dramaturgjisë së Rilindjes Kombëtare me subjektivizmin e ngjarjeve dhe me mitizimin e historisë, gjithnjë duke u nisur nga motive të pastra patriotie. Subjekti i këtyre dramave ndërtohet në mënyrë të thjeshtë, sipas parimit kronologjik. Ngjarjet ndjekin njëra – tjetrën në rendin e tyre kohor, por janë ndërtuar edhe sipas parimit shkak – pasojë. Autori parapëlqen, kryesisht prezantimin e personazhit kryesor që në fillim të veprës, nëpërmjet monologut dhe ndërkohë përgatit situatën për hyrjen në skenë të personazheve të tjera. Kësisoj, subjekti i ndërtuar si skema e marrëdhënieve midis personazheve, krijon një varësi të drejtpërdrejtë nga mënyra se si shfaqen personazhet në rrjedhën e veprimit dramatik dhe nga roli i tyre në zhvillimin e intrigës dramatike. Ndërtimi i subjekteve të tij është i ngjashëm me skemat e thjeshta të ndërtimit të subjektit të dramave me temë patriotiko – shoqërore të periudhës. Qëllimi dhe mesazhi kryesor i këtyre dramave ishte atdhedashuria, prandaj dhe rrjedha e shtjellimit të subjektit i është nënshtruar këtij mesazhi. Kristo Floqi nuk doli, me pak përjashtime, nga kuadri i ndërtimit të dramës shqiptare më këtë temë të periudhës në fjalë. Ndoshta ndërtimi i subjekteve, i veprimit dramatik dhe i situatave dramatike do të kërkonte forcë më të madhe realizimi artistik, për të shmangur një lloj shabllonizmi që vihet re jo vetëm në dramat e tij, por në gjithë dramat e periudhës. 

KRISTO FLOQI DHE KRIJIMET E TRAGJEDISË

Në krijimtarinë dramaturgjike të Κristo Floqit hyn dhe tragjedia “Pirro Neoptolemi”, me të cilën ai u bë lëvruesi i gjithë tipologjisë dramaturgjike në atë periudhë. Duke e vënë veçanërisht theksin mbi zbulimin e disa të vërtetave historike, ai është munduar në këtë tragjedi t’i qëndrojë sa më besnik historisë, duke u konsultuar me burime të hershme dhe duke bërë krahasime midis tyre. Ndryshe nga Rasini dhe Euripidi, që e përfundojnë tragjedinë me vrasjen e Pirros, Kristo Floqi e mbyll këtë tragjedi me vdekjen e Andromakës dhe Hermionës. Kjo tragjedi sjell skena të realizuara mbi mënyrën se si zhvillohet jeta në kushtet e mungesës së dashurisë respektive, kur ajo zëvendësohet me vese, kur ngec vetëdija dhe kur margjinalizohen çështjet ekzistenciale, deri në masën e vetmashtrimit. Fataliteti i heroinjve këtu shihet si pasojë jo e fatit, por e veprimeve njerëzore dhe e paaftësisë së tyre për t’i baraspeshuar pasionet me arsyen.

KRISTO FLOQI SI POET

Tiparet kryesore të stilit poetik të autorit, që shfaqen në këtë vëllim janë, lirizmi i thellë, psikologjizmi që buron prej tij, introspeksioni, sinqeriteti, shpërthimi i ndjenjës dhe përshkrimi. Lirizmi i thellë dhe depërtues që qëndis gjithë perlat dashurore të tij, krijohet prej faktit që kjo poezi është një lirikë, e pasur me konkretësinë e ndjenjës, dhimbjes dhe gëzimit të çastit. Lirika e tij mund të themi se është e varfër nga mendimi por është e pasur me alternim gjendjesh. Duke qënë në thelb një poezi me nota të theksuara autobiografike, por dhe një poezi e lokalizuar në një mjedis të caktuar shpirtëror dhe shoqëror, poezia e tij pasqyron në thelb qerthullin e ndjesive njerëzore që marrin spunto dhe ngacmohen nga shfaqje të ndryshme të natyrës dhe marrëdhënieve njerëzore, që në këtë vëllim janë specifikuar si marrëdhënie mes vajzës dhe djalit, të cilët si pjesë e një ambienti të caktuar, me guximin e tyre për të realizuar dashurinë dhe lumturinë që buron prej saj, sjellin notat e një emancipimi kulturor të trevës së cilës i përkiste autori. Në lirikën e Kristo Floqit vërehet dukshëm dhe ndikimi nga poezia popullore në mjetet stilistikore dhe në figuracionin popullor që përdoret dendur, sidomos në përshkrimin e portretit të vajzës.   

Filed Under: Featured Tagged With: Jonela Spaho

PARTITË E POPUJVE PAKICË – VLERË E JO DEFEKT I PLURALIZMIT POLITIK

October 30, 2021 by s p

Nail  Draga/

Nga formimi i tyre  dhe pjesëmarrja në zgjedhje lokale apo shtetërore partitë politike të popujve pakicë janë në sulm të vazhdueshëm nga partitë të vetquajtura qytetare, sepse iu sulmohet elektorati votues  përkatësisht kohezioni i tyre, duke u dobësuar me pasoja për eliminimin e tyre në skenën politike, ku skena politike në Mal të Zi, është dëshmi transparente e një konstatimi të tillë. Ndërsa e kundërta ndodhë në mjediset demokratike sepse partitë e popujve pakicë nga pushteti trajtohen si partner në avancimin e çështjeve kontestuese të popujve përkatës, që është në favor të pluralizmit politik dhe të barazisë qytetare e nacionale

Në mjediset me traditë demokratike diversiteti në skenën politike vler[ësohet  si vlerë e demokracisë parlamentare, ndërsa e kundërta ndodhë në vendet të cilat kanë qenë pjesë e ish kampit socialist në Evropën Juglindore, të cilat vuajnë nga sIndromi i monizmit edhe në pluralizëm. Pikërisht, një qasje e tillë në sajë të pabarazisë praktike shtetërore ka ndikuar që popujt e ndarë kanë formuar partitë e tyre politike, të cilat janë në mbrojtje të identitetit kombëtar të popullit përkatës. 

Lufta speciale kundër partive nacionale 

Në Mal të Zi çështja e pluralizmit politik  të pjesëtarët e popujve pakicë ka pasur defektet e veta, sepse ata nuk kanë trashëguar përvojë politike dhe kuadra të përgatitura për tu ballafaquar me sfidat e kohës. Pikërisht, nga një qasje e tillë në mungesë të infrastrukturës partiake partitë politike të popujve pakicë nga themelimi i tyre në vitin 1990 e më pas vazhdimisht janë ballafaquar  me vështirësitë funksionale, si nga anëtarësia e tyre por edhe nga ana e pushtetit. Përfaqësimi i popujve pakicë me përfaqësuesit e tyre autentikë nuk ishte sipas vullnetit të pushtetit, duke bërë çmos që të dëmtojnë kohezionin politik të elektorati votues shqiptar në Mal të Zi, i cili në zgjedhjet e para pluraliste(9.12.1990) mbeshteti në mënyrë plebishitare subjektin politik nacional(LDMZ). Pikërisht pas tyre zgjedhjeve e më pas të elektorati votues shqiptar filloi luhajtja e dekompozimi i tyre që u dëshmu në praktikë pas vitit 1998. Kemi të bëjmë me dekompozimin në nivel të pushtetit qendror, me ndarjën e DPS-it në dy pjesë që ishte në favor të demokracisë parlamentare, që ndikoj të elektorati votues shqiptar. Eshtë pikërisht kjo kohë kur pushteti filloi të veproi për të rikthyer “besimin” të elektorati i humbuir shqiptar duke u paraqitur si shpetimtar i tyre, por me retorikë pluraliste, duke mbeshtetur ish vazalët e pushtetit monist të cilët ishin  të përshtatshëm për pushtetin si në kohën e monizmit. Kësaj kategorie i janë bashkangjitur edhe karrieristët e ndryshëm dhe të tjerë për interesa të ndryshme personale, të cilët janë angazhuar për mbeshtetjen  nga elektorati votues në zgjedhje.

Nihilizmi nga injoranca politike

Në favor të këtij konstatimi nga 1998 e më pas qarkullon  një propagandë speciale me moton se nëse bëhët koalicion me partinë malazeze(DPS) atëher ma mirë  e votoj  vetë ate, se sa përmes partisë shqiptare e cila bën koalicion me te, e me pas  vota ime shkon atje. 

Deklaratat e tilla përhapën nga injorantët politikë, të cilët nënçmojnë subjektet nacionale dhe  si duket janë bërë pishman qe kanë votuar me herët partinë nacionale. Kësaj dukurie i japin iso ata të cilët janë pjesë e strukturave të pushtetit apo votojnë partitë malazeze. Ndikimi i tillë është më mundësi reale të personat e luhatshëm, sidomos të intrigantët të cilët iu besojnë premtimeve të qarqeve të ndryshme shtetëtore. 

Nuk ka dilemë  se çdo kush përgjigjet për votën e vet, por është e pahijshme të veprohet në këtë formë dhe të nxitët një propagandë e tillë! 

Kostumi sipas shijes personale

Sepse thënë ma qartë  çdo kush e vesh kostumin sipas shijes personale  e jo me kostumin qe ia servirë dikush tjetër. Dhe është pikërisht ai kostum qe e bën të dallohet  në atë mjedis. Por, nëse i dorëzohet partisë malazeze aty  ai është pjesë e tyre e jo e identitetit personal me kostumin e tij. Madje ata   mund ta akuzojnë se një kostum i tillë nuk është me ngjyra  sipas shijes së partisë së tyre. Andaj për të qendruar aty i patrazuar i duhet ose ti përshtatet rrethanave të reja apo të largohet  nga ai grupim politik.

Identiteti dhe partneriteti 

Nga dukuria e tillë del qartë se kemi të bëjmë me  dallimet konceptuale  identitare, sepse votimi i partisë nacionale, paraqet identitetin  kombëtar dhe  në vehte ka partneritetin, çështje e njohur në mjediset multinacionale e multikulturore.   Ndërsa votimi  i drejtpërdrejtë në partinë qytetare-malazeze  nuk kemi të bëjmë me partneritetin por humbjen e identitetit gjoja për kauzën qytetare, që është politikë përfide e pushtetit që shkon në drejtim të asimilimit politik të pakicave kombëtare.

Autoritarizmi  dëmton partinë politike

Në këtë refuzim politik dhe pakënaqësi nuk ka dilemë se rol negativ kanë pasur  udhëheqësit e partive politike nacionale të shqiptarëve, të cilët me qendrimin e tyre autoritar  dhe  atavizmin politik, kanë ndikuar në demoralizimin e elektoratit votues për tu distancuar dhe mos i votuar, apo votuar partitë tjera. Por, duhet të themi se jo çdo individ në kuadër të partisë nacionale lufton kundër dukurisë së asimilimit  politik, sepse në pyetje janë interesat personale apo të klanëve të ndryshme, që nën maskën e angazhimit politik  realizojnë përfitimet e tyre.

Mbrojtja e identitetit  sfidon asimilimin politik

Pa marrë parasysh rrethanat shoqërore  elektorati votues shqiptar duhet të mbeshtesë subjektët nacionale  nëse duan të sfidojnë asimilimin politik,  sepse  çdo gjë mbetën në vetëdijen e ndërgjegjën tyre, në mbrojtje të identitetit kombëtar, sepse partitë nacionale janë vlerë në mozaikun e skenës politike të çdo mjedisi, duke kriuar raporte të parneritetit në favor të avancimit të pozitës dhe statusit të tyre politik.

Në këtë aspekt në Mal të Zi mbetët shumë për tu bërë, ku duhet të eliminohet mentaliteti  i monizmit, duke i trajtuar partitë nacionale të popujve pakicë si partner në skenën politike e qeverisje  e jo duke ndikuar në dobësimin e tyre përkatësisht  të elektorati  votues shqiptar në këtë mjedis.                                                                                                                

(Tetor 2020)

Filed Under: Komente Tagged With: Nail Draga

Planifikimi i buxhetit të Kosovës edhe për Luginë duhet përshëndetur

October 30, 2021 by s p

Shkruan:Refik HASANI 

Sot, kabineti qeveritar i Republikës së Kosovës ka miratuar, projektbuxhetin për vitin 2022, e në të cilin është planifikuar edhe vija buxhetor për krahinën shqiptare që përfshin Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë.  Duhet përshëndetur, që  për herë të parë kemi që nga viti 1999, që është buxhetuar me mbështetje për Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, në shumë prej 2 milionë euro.Kujtoj që Qeveria Kurti I, për Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, ndau gjysmë miloni euro e tani ka parapar edhe vij buxhetore të rregullt që ishte domosdoshmëri e kohës.Edhe në takimin e pērbashkēt të qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës do të duhej miratuar projekte e investime  për Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Është domosdoshmëri  që edhe një konferencë e donatorëve të mbahet për këtë krahinë dhe të ndahen mjete për formimin e një Universiteti publik në Gjuhën shqipe, por dhe në Arsimin shqip gjitha nivelet, mbulimin e aktiviteteve dhe manifestimet kulturore, Rini dhe Sport, në Monumente të Trashigimisë kulturoro-historike  furnizim më libra, në media të shkruara dhe lektronike, e të ngjashme, etj.Jo vetëm Qeveria Kosovës, por mjete të rregullta buxhetore do të duhej të ndan edhe qeveria e Shqipërisë  për Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Refik Hasani

SHBA – KINA: TAIVANI DHE RREZIQET E PASHIKUARA

October 30, 2021 by s p

Nga GIUSEPPE SARCINA/


Dalja e prerë e Joe Biden-it mbi Taivanin ka shkaktuar kundërveprimin e ashpër të Pekinit, por ka befasuar edhe politikën amerikane dhe bashkësinë ndërkombëtare. Të enjten në mbrëmje presidenti mori pjesë në një takim me publikun, t’organizuar nga CNN në Baltimorë. Tema kryesore ishte veprimi ekonomik, në vështirësi në Kongres. Por mjaftoi pyetja e një studenti të Connecticut për të urdhëruar titujt e hapjeve të mediave amerikane. “President, çfarë do të bënit nëse Kina do të sulmonte Taivanin? A do të urdhëronit një veprim ushtarak?” Biden-i u përgjigj dy herë “po”, duke shpieguar: “Kemi marrë një zotim të shenjtë për të mbrojtur Taivanin”. Vjen e natyrshme pyetja nëse udhëheqësi amerikan e bëri këtë deklaratë qëllimisht apo, thjesht, qe një gabim, një rrëshqitje komunikimi. Anojmë më shumë në këtë hamëndjen e fundit, edhe sepse pikërisht dje më parë Shtëpia e Bardhë e më pas Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, u nxituan t’i hiqnin nervin fjalëve të Biden-it: “Qëndrimi i ynë mbi Taivanin nuk është ndryshuar. Jemi për status quo”. Pastaj është brendia. Kjo Administratë e ka bërë marrëdhënien me Kinën një element përcaktues jo vetëm për politikën e jashtëme, por edhe për përcaktimin e vetë identitetit politik të brëndshëm, të vetë “misionit historik”. Amerika duhet të zbatojë reforma rrënjësore për të mbajtur hapin me kundërshtarin e madh aziatik. Në këtë kuadër futet “dosieri Taivan”, për dhjetëvjeçarë një vullkan i shuar në barazpeshat botërore: kushti ideal për të gjithë presidentët amerikanë, përfshirë edhe këtë të sotmin. Por Biden-i duhet të bëjë llogaritë me synimet e planet e Xi Jinping-ut. Presidenti kinez është i vendosur t’a risjellë Ishullin rebel nën zotërimin e Pekinit. Washingtoni është në siklet e ky siklet dalngadalë po shndërrohet në vështirësi politike. Në këto nëntë muaj Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit janë orvatur të bindin presidentin kinez për të hapur një bisedim të përgjithshëm, për të vërtetuar, qoftë edhe nëpërmjet mënjanimit të argumentave, se mbi çfarë temash mund të ketë një marrëveshje. Lista është e gjatë: ndryshimet klimatike, pandemia, cyber security, terrorizmi ndërkombëtar. Por shenjat janë kundërthënëse. Nga një anë (15 shtator) amerikanët lajmërojnë një marrëveshje edhe ushtarake me Australinë dhe Mbretërinë e Bashkuar (Aukus). Nga ana tjetër (22 shtator) Biden-i shfaqet në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara e deklaron solemnisht se ”nuk don një luftë të ftohtë me Pekinin”. Në ditët e para të tetorit Xi Jinping-u dërgon 156 aeroplanë gjuajtës për të mbikqyrur hapësirën ajrore ngjitur me Taivanin. Dhe ja pardje, me daljen e Biden-it dhe fjalën në Kongres të Nicolas Burns-it, i emëruar ambasador në Pekin. Burns-i tha se duhet t’i jepet “mbulesë bërthamore Taivanit”, duke shtuar se Kina “është rreziku numër një” për Amerikën. Problemi i vërtetë është se qëndrimi tradicional i Shteteve të Bashkuara mbi dosierin Taivan – Kinë mbështetet mbi baza historike tashmë të tejkaluara. SHBA kanë njohur Republikën popullore kineze më 1979. Në të njëjtin vit lindi “doktrina e dykuptimësisë strategjike”, e ngulitur në një ligj që parashikon, veç të tjerave, furnizimet me armë e mbrojtjen e Ishullit. Strategjia e Xi jinping-ut ve në krizë këtë skemë, sepse, së fundi detyron Washingtonin të zgjedhë ndërmjet mbrojtjes së Taivanit dhe luftës pak a shumë “të ftohtë” me Kinën. Në Baltimorë presidenti amerikan qe i “prerë”. Por ekonomia, politika dhe udhëheqja ushtarake nuk janë të thukët. Taipei është sigurisht themelor për sistemin prodhues. Me koreanët e Samsungut është furnizuesi kryesor i gjysëmpërçuesve, thelbësorë për zbatimet elektronike të përdorura nga industritë kryesore të kompiuterëve e të automobilëve. Veç asaj Taivani është tregu i dhjetë për eksportimet e SHBA. Megjithatë është e pamendueshme për ndërmarrjet amerikane të heqin dorë nga gjithshka përfaqëson Kina, në terma tregu dhe shpërnguljeje të prodhimit. Lobet industrialë, pra mbrojnë gjëndjen e tanishme e sigurisht nuk kanë çmuar përgjigjen e Biden-it. Shumë të matur edhe gjeneralët e Pentagonit, qoftë duke ruajtur gadishmërinë në bazat e zonës, në Okinava e në Guam. Një shtysë e ndryshme vjen nga Kongresi, ku po rritet rryma që kërkon të thyejë dykuptimësinë, duke përfunduar një traktat të vërtetë ekonomik me Taivanin, duke përforcuar edhe praninë ushtarake. Gjithshka e përmbajtur në një projekt-ligj të paraqitur në 25 mars 2021 nga senatori republikan Marco Rubio, i vështruar me interes nga disa demokratë, si senatori Ed Markey. Ky rrjeshtim mëton të përfaqësojë shumicën e opinionit publik dhe përmend në vzhdimësi hulumtimin e kryer në gusht nga Chicago Council on Global Affairs që, për të parën herë, shënon se shumica e amerikanëve (52 %) është në dobi të një veprimi t’armatosur për të mbrojtur Taivanin. Por pëvoja na mëson të mos u besojmë zbulimeve të përcjella në të ftohtë. Humoret, kundërveprimet mund të ndryshojnë me shpejtësi kur lufta bëhet e vërtetë.
“Corriere della Sera”, 22 tetor 2021 Perktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2768
  • 2769
  • 2770
  • 2771
  • 2772
  • …
  • 2934
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT