• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DËSHMIA SI FAKT HISTORIK DHE ZBARDHJA E KRIMEVE TË KOMUNIZMIT NË SHQIPËRI

October 27, 2021 by s p

Sokol Paja/

New York më 26 Tetor 2021, Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA priti poeten Luljeta Lleshanaku, e cila erdhi si përfaqësuese e Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri. Nënkryetari i Vatrës Dr. Pashko Camaj uroi mirëseardhjen dhe foli rreth rëndësisë së zbardhjes së krimeve të diktaturës në Shqipëri. Në këtë takim Luljeta Lleshanaku ndau me vatranët dhe diasporën shqiptare në New York informacionin mbi punën e bërë nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, për transparencën e të shkuarës komuniste, por duke u ndalur konkretisht në rolin e pazëvendësueshëm dhe nevojën imediate të dëshmive të të mbijetuarve nga kampet dhe burgjet në diktaturë. Poetja Luljeta Lleshanaku u shpreh për të pranishmit se “Puna jone si Institut filloi vonë, shumë vonë: 20 vjet pas shembjes së regjimit. Nuk ka mbetur më pothuajse asnjë dëshmitar nga Kampet e Punës së Detyruar në Maliq që ka qenë një nga tmerret më të mëdha të atij sistemi…dhe shumë pak kanë mbetur gjallë nga kampet me tela në Tepelenë, Berat dhe Krujë…Pra, kemi humbur një pjesë të madhe të dëshmitarëve dhe vazhdojmë të humbim çdo ditë…Shumë nga numrat e mi të kontakteve në celular, janë jashtë funksionit tashmë, sepse zotëruesit e tyre kanë ndërruar jetë. Dhe duke humbur dëshmintë, po humbasim edhe historinë. Një pjesë e madhe e të mbijetuarve, pra dëshmitarëve, jetojnë në diasporë, dhe uroj që ky takim të shërbejë si një inkurajim a thirrje për ta. Do të mund të gjejmë mënyra të shpejta që secili prej tyre, të mund të japë dëshminë e tij me shkrim ose në formën e video-regjistrimit nga kudo që ndodhet. Rrëfimi e çdo individi që ka qenë objekt persekutimi, është mjaft i rëndësishëm për punën tonë, por  së pari unë e konsideroj si një çështje ekzistenciale dhe si një detyrim moral që ne, ju e keni ndaj vetes, të afërmve, bashkëvuajtësve dhe brezave të rinj që dinë shumë pak, ose pothuajse aspak mbi tmerret e komunizmit në Shqipëri”- përfundoi Luljeta Lleshanaku. Puna kërkimore në këtë Institut, tha Lleshanaku na përballi prej fillimi me një mungesë të theksuar dhe kaos dokumentacioni zyrtar, që janë pikërisht ato burime, që do ta bënin të pakontestueshëm çdo lloj pretendimi të palëve.  Bëhet fjalë për dokumente që nuk kanë ekzistuar kurrë (pra akte pa dokumente), dhe dokumemte që janë zhdukur; por edhe ato që ekzistojnë, në pjesën më të madhe nuk paraqesin seriozitet në aspektin formal, administrativ.  Pra jemi ndeshur me mendësinë e një shteti që: e para, kujdesj të mos linte asnjë gjurmë kompromentuese pas, duke iu fshehur madje edhe vetvetes, dhe e dyta: me një mungesë të theksuar profesionalizmi në administrimin e dokumentacionit, duke përmbysur kështu edhe një lloj miti të krijuar në popull,  sipas të cilit ‘shteti i Enver Hoxhës, edhe pse diktaturial, gjithsesi funksiononte si shtet.’ Në rrethana të tilla,kujtoi Lleshanaku,  roli i dëshmisë së të mbijetuarve nga persekutimi komunist merr rëndësi të jashëzakonshme. Dëshmitë plotësojnë hallka shumë të rëndësishme informacioni, kryesisht në këto momente: Internimet në kampe me tela me gjemba(1945-1954); kampet e internimit (1953-1990) dhe dëbimet; evidencat mbi torturat, keqatrajtimet, denigrimin, presionet psikologjike të çdo lloji, survejimin e vazhdueshëm– që përbëjnë ndoshta edhe nën më të errët e diabolike; databazat e sakta të vendeve të vuajtjeve të dënimeve; përvetësimin e pronave dhe grabitjen e arit, sekuestrimet e çdo lloji si pjesë e reformave komuniste në ekonomi — që gjithashtu janë pjesërisht të dokumentuara” përfundoi fjalen e saj Luljeta Lleshanaku. Pjesë shumë e rëndësishme e këtij takimi ishte leximi i letrave të kohës së burgut dhe përndjekjes në kampet e internimit nga Lek Mirakaj, 80 letra që tregojnë ferrin dhe persekutimin komunist mbi shqiptarë të pafajshëm. Në këtë takim shumë emocionues u bënë pjesë edhe studentët shqiptarë të ekselencës që janë mbështetur nga Fondi i Vatrës për studentët: Alesia Beqaraj, Elyssia Rukaj, Edma Arizaj, Mirea Hasanaj, Franka Veliu dhe Lorna Floqi e Anthony Evangelista që nuk mund të ishin present për arsye të distancës gjeografike. Dielli me rastin e numrit të Pavarësisë do përgatisë një speciale për të gjithë këta studentë që janë krenaria shqiptare dhe e ardhmja e diasporës e Vatrës në Amerikë.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

Kryeministri Kurti priti në takim Sonja Biserkon nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi

October 26, 2021 by s p

Prishtinë, 26 tetor 2021- Bashkëpunimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore mes shteteve të Ballkanit Perëndimor, ishin tema e takimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti me presidenten e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko.Në takimin e përbashkët me drejtoreshën e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Izabela Kisiq dhe Mark Baskin nga Qendra për Dialog Humanitar (Centre for Humanitarian Dialogue), kryeministri Kurti theksoi se paqja e qëndrueshme dhe stabiliteti afatgjatë me shtetet e rajonit dhe më tej, është parim i politikës sonë të jashtme, dhe se Bashkimi Evropian është vlerë dhe destinim për rajonin.Ai veçoi rëndësinë e demokratizimit të rajonit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, sundimit të ligjit dhe ballafaqimit me të kaluarën, si parakushte për marrëdhënie dhe bashkëpunim të mirë rajonal.Kryeministri falënderoi znj.Biserko për kontributin e jashtëzakonshëm intelektual dhe civil tash e tri dekada. U bisedua për projektet aktuale të Komitetit, që qysh nga themelimi në vitin 1994 është përpjekur të ekspozojë ideologjinë mbizotëruese të Serbisë – nacionalizmin – dhe të zbusë efektet fatale në fushën e të drejtave të njeriut, ekonominë e vendit, sundimin e ligjit dhe marrëdhëniet rajonale.

Filed Under: Kronike Tagged With: Albin Kurti

RIVALITETI MIDIS IRANIT, SHBA-VE DHE TALEBANËVE NË AFGANISTAN

October 26, 2021 by s p

* Dritan Demiraj, Ph.D. Ish ministër i brendshëm dhe autor i librave: “Al-Qaeda Tri Dekada Terror” (2020), “10 Komandat Strategjike të Al-Qaedës në Botë”, “Al-Qaeda në Afganistan-Pakistan” (2021), “Forcat Speciale dhe Lufta Asimetrike” (2021), “Afganistani-Një Paqe e Vështirë” (2014), “Ngritja dhe Rënia e Shtetit Islamik” (2017), “Nëpër Labirintet e Shtetit Islamik” (2015), “Al-Qaeda në Siri” (2019), “Al-Qaeda në Irak” (2019).

Ndërkohë që Kabuli ra krejtësisht nën kontrollin e Talebanëve, presidenti i vendit Ashraf Ghani u largua në Taxhikistan së bashku me zv/presidentin Amrullah Saleh dhe 30 milionë dollarë kesh, kaosi ka mbërthyer gjithë vendit, një krizë e madhe ekonomike, sigurie dhe refugjatësh duket se sapo ka filluar dhe zgjidhja duket e pamundur. Por si erdhëm në këtë situatë, kush është i interesuar për këtë situatë dhe cilat janë interesat dhe konseguencat e vendeve fqinje me Afganistanin? Qeveria afgane e përkrahur nga SHBA-të, ka qenë në pushtet në Afganistan prej pushtimit amerikan në dimrin e vitit 2001. Që nga ajo kohë, Talebanët kanë fituar kontroll të madh në disa pjesë të vendit dhe sipas marrëveshjes së nënshkruar mes SHBA-ve dhe Talebanëve në Doha në muajin shkurt 2020, të gjitha forcat e huaja duhet të largoheshin nga Afganistani deri në fund të muajit maj të vitit 2021, në këmbim të garancisë për siguri nga ana e grupit të Talebanëve. Këto negociata u urdhëruan nga ish Presidenti amerikan Donald J. Trump, i cili që në mesin e vitit 2020 kishte kërkuar që të përshpejtohej procesi i tërheqjes së trupave amerikane, duke deklaruar se dëshironte që ata të ktheheshin në shtëpi për festat e Krishtlindjeve.Ky konflikt në Afganistan gjatë dy dekadave ka krijuar rivalitet në marëdhëniet midis SHBA-ve dhe Iranit, Pakistanit, Indisë dhe Kinës. Armiqësia e Iranit ndaj SHBA-ve ka shërbyer si një katalizator për Iranin për të bërë një lojë të dyfishtë në Afganistan. Irani fillimisht mbështeti ndërhyrjen ushtarake të SHBA-ve kundër Talebanëve dhe luaji një rol të rëndësishëm në krijimin e qeverisë së parë të Afganistanit, por njëkohësisht më pas në mënyrë të fshehtë vazhdoi mbështetjen e Talebanëve afganë gjatë viteve pasuese kundër misionit të ISAF-it. Irani ndodhet në perëndim të Afganistanit, ndan me të 901 km vijë kufitare dhe ka lidhje të rëndësishme fetare, kulturore me popullin e tij. Pas rënies së regjimit të Talebanëve, qeveria e Afganistanit e ka cilësuar Iranin si: “Vëllezër dhe partnerë që na kanë ndihmuar shumë”. Të dyja vendet kanë njohur rritje të bashkëpunimit ekonomik nga fundi i vitit 2001, duke e bërë Iranin eksportuesin e dytë më të madh në vend pas Pakistanit. Por marëveshjet bilaterale për sigurinë midis Afganistanit dhe SHBA-ve janë kundërshtuar me forcë nga Irani, pasi prania e trupave amerikane dhe të NATO-s në “oborrin” e tyre konsiderohej e papranueshme. Në mënyrë të vazhdueshme Irani ka bërë thirrje për largimin e amerikanëve nga Afganistani.Pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, e cila rrëzoi një regjim 26 vjeçar të Pahlavit shënoi përfundimin edhe marëveshja e CENTO-s, duke filluar një konflikt të gjatë midis Iranit dhe SHBA-ve, i cili vazhdon edhe sot në mesin e vitit 2021. Të dyja vendet vazhdimisht akuzojnë njëra tjetrën si eksportues të terrorizmit, ndërkohë që SHBA-të e quajnë Iranin si “Boshti i së keqes”, Irani e quan SHBA-në “Shejtani i Madh”. Revolucioni Islamik qetësoi marëdhëniet e tensionuara me Bashkimin Sovjetik, megjithëse pushtimi i Afganistanit në vitin 1979 nga ana e Bashkimit Sovjetik shikohej si një kërcënim për Iranin. Gjatë këtij konflikti, Irani nuk ishte shumë aktiv në lidhje me mbështetjen e muxhahedinëve nga SHBA-të, Arabia Saudite dhe Pakistani. Kjo për shkak edhe të përplasjeve si pasojë e pushtimit të Iranit nga Iraku gjatë konfliktit 1980-1988 dhe mbështetjes së SHBA-ve për Sadam Hysein-in. Pas tërheqjes së Sovjetikëve nga Afganistani në vitin 1989, Irani filloi të angazhohej më shumë në rajon, duke vazhduar të mbështesë me mjete financiare dhe armatime aleatët e saj të Aleancës së Veriut, të cilët kishin lidhje fetare dhe të vjetra me Iranin, duke i mbështetur fuqishëm nga vitet 1992-2001 nëpërmjet njësive të forcave speciale al-Quds nën drejtimin e gjeneralbrigade Qasim Sulejmanit. Irani e zgjeroi përfshirjen dhe mbështetjen e komunitetit Shia Hazara në Afganistan dhe të grupeve muxhahedine që përfaqësonin ata. Kur në vitin 1994 u shpall lëvizja e Talebanëve dhe shumica e vendit ra nën kontrollin e tyre, atëherë Irani filloi mbështetjen e Aleancës së Veriut që drejtohej nga gjenerali i famshën Afgan me origjinë nga Taxhikistani Ahmad Shah Masoud. Kjo do të përbënte, bërthamën më të fortë të rezistencës anti-talebane nga viti 2006-2001. Pakistani me ndihmën e parave të Arabisë Saudite dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe ndihmoi në krijimin e Talebanëve Afganë, duke bërë që të tre këto vende të sfidonin influencën Shia të Iranit në Azinë juglindore. Në kohën kur Talebanët vranë tetë diplomatë dhe një gazetar iranian në qytetin verior të Mazar-e-Sharif-it në vitin 1998, ushtria e Iranit dislokoi rreth 120.000 trupa në kufirin me Heratin, e gatshme për një pushtim të Afganistanit. Irani e përshëndeti pushtimin e Afganistanit nga SHBA-të, pasi ky pushtim ndryshoi balancën e fuqisë në interes të Iranit. Pas rrëzimit të regjimit të Talebanëve, Irani-India-Rusia filluan të bashkëpunojnë me qëllim krijimin e një qeverie të re në Afganistan. Influenca e Iranit tek Aleanca e Veriut ishte shumë e rëndësishme për krijimin e qeverisë së Hamid Karzait. Presioni diplomatik i Iranit gjatë bisedimeve të paqes për krijimin e qeverisë i zhvilluar në Bonn të Gjermanisë, bëri që të arrihej një marëveshje për ndarjen e pushtetit në Afganistan. Qeveria e re i ofroi shumë pozicione ministrash Aleancës së Veriut dhe me këtë rast duke rritur influencën e Iranit në të ardhmen e Afganistanit. Për të forcuar ndikimin e tij, Irani përdori fuqinë e butë me qëllim ruajtjen e influencës në Afganistan, duke kundërshtuar në mënyrë të fshehtë SHBA-të dhe Talebanët gjatë gjithë kohës. Një nga mjetet e vazhdueshme që Irani ka përdorur në Afganistan, ka qënë fuqia e butë nëpërmjet përdorimit të mediave, duke harxhuar rreth 100 milionë dollarë në projekte civile, media sociale dhe ndërtimin e shkollave Shia. Në vitin 2002, Irani premtoi 570 milionë dollarë dhe rreth 100 milionë dollarë të tjera në vitin 2006 për procesin e rindërtimit të Afganistanit, shumica e të cilave u bënë realitet. Në vitin 2008, ata premtuan edhe 50 milionë dollarë të tjera dhe 300 milionë dollarë kredi për tre vitet e ardhshme (2009-2011). Gjatë viteve 2012-2013, sasia e tregtisë midis dy vendeve i kalonte 2 miliardë dollarët, duke e pozicionuar Iranin në rreth 35-40 për qind të sasisë së përgjithshme të tregtisë që Afganistani realizonte me vendet e tjera. Si Irani dhe SHBA-të ndajnë disa qëndrime të njëjta rreth Afganistanit. Të dy vendet dëshirojnë një qeveri të qëndrueshme me qëllim që të parandalojë kthimin e qeverisë së Talebanëve dhe të al-Qaedës në pushtet. Me marëveshjen e fundit të ndërmjetësuar nga SHBA-të, me sa duket kjo qasje do të ndryshojë. Marëdhëniet e tyre u përkeqësuan shumë kur presidenti Bush iu referua Iranit në vitin 2002 si “Boshti i së keqes” dhe në vitin 2003 kur u zbulua se Irani po ndërtonte fabrika për energji nukleare dhe përdorim ushtarak. Më pas, rivaliteti midis këtyre dy shteteve e vështirësoi shumë marëdhënien nga njëra anë me një shtet që ishte kundër Talebanëve dhe nga ana tjetër e një fqinji të rëndësishëm. Në kohën kur qeveria e Afganistanit firmosi një marëveshje strategjike me SHBA-të në vitin 2005, Irani kërkoi nga qeveria e Afganistanit që të firmosnin një marëveshje që SHBA-të nuk do të përdornin territorin e tyre për të realizuan operacione ushtarake kundër Iranit. Por SHBA-të i ushtruan presion Afganistanit që të mos e firmosnin një marëveshje të tillë. Në vitin 2012, Departamenti Amerikan i Thesarit i kërkoi me forcë sistemit bankar të Afganistanit dhe organizatave të biznesit që të mos bënin biznes me Iranin, pasi do të bëheshin objekt i sanksioneve të SHBA-ve. Megjithatë, Afganistani refuzoi që të ndalonte biznesin me Iranin. Një nga ngjarjet më të rëndësishme sa i përket marëdhënieve midis Iranit dhe Talebanëve është vizita e delegacionit të Talebanëve, me kërkesë së qeverisë së Iranit në Teheran në muajin qershor 2013. Pas këtij takimi, disa takime të tjera u realizuan përsëri me Iranin. Qëllimi i këtyre takimeve ishte normalizimi i marëdhënieve midis Talebanëve dhe Iranit. Gjatë këtyre takimeve, Teherani kishte shfaqur shqetësimin e tij rreth popullsisë Hazara në Afganistan, ndërkohë që Talebanët i kërkuan Iranit që të mos mbështesnin më kundërshtarët e tyre pas largimit të trupave amerikane nga Afganistani.

Filed Under: Politike Tagged With: Dritan demiraj

LAHUTA E MALËSISË”, KRYEVEPRA E GJERGJ FISHTËS

October 26, 2021 by s p

NIKË GASHAJ

Epopeja “Lahuta e Malësisë”(“Lahuta e Malcis”) është kryevepra e Gergj Fishtës dhe njëherësh njëra ndër veprat klasike të letërsisë shqiptare të traditës. Zotësia e Fishtës si poet i cili ka lënë emër pothuaj në të gjitha gjinitë dhe zhanret e krijimtarisë letrare, shprehet sidomos në “Lahutën e Malësisë”, në të tridhjetë këngët e së cilës poetizohet historia e popullit shqiptar nga Lidhja e Prizrenit e deri në pavarësinë e Shqipërisë më 1912. 

Tema e cila shtjellohet artistikisht në epopenë “Lahuta e Malësisë”(“Lahuta e Malcis”) është temë e rëndësishme kombëtare, është temë ekzistenciale e kombit. Me një forcë të rrallë epike, duke u mbështetur në kodin poetik popullor, në këtë vepër Fishta këndon luftën e popullit shqiptar për pavarësi të zhvilluar në dy drejtime: kundër Perandorisë Osmane në perudhën e shthurjes së saj, dhe luftën kundër coptimit të truallit etnik shqiptar nga Mali i Zi dhe nga Serbia. 

Shpirtin poetik të Fishtës e preukupon sidomos coptimi i truallit të lashtë etnik, rreziku i ri kombëtar që po i kanosej Shqipërisë dhe shqiptarëvet nga monarkitë ballkanike, aspiratat aneksioniste të të cilave gjenin mbështetje në Rusinë cariste, e cila ushtronte presion jo vetëm ndaj Perandorisë Osmane, por edhe ndaj Europës.

Poeti në Lahutë, sidomos anatemon, sidomos mallëkon Evropën, e cila në Kongresin e Berlinit i jepte të drejtë Malit të Zi dhe Serbisë t’i coptonin tokat stërgjyshore shqiptare. Rrezikun e copëtimit të truallit etnik shqiptar në poezinë tonë të traditës në mënyrë të plotë dhe në nivel të lartë artistik e ka realizuar, e ka ngritur për herë të parë në letërsinë shqiptare Gjergj Fishta. 

“Lahuta e Malësisë” është epopeja e parë në letërsinë shqiptare në kuptimin e mirëfilltë të fjalës,  në kuptimin e plotë të fjalës, të cilën kohë më parë u përpoqën ta krijojnë poetët arbëreshë si Engjëll Bazile, Gavril Dara, e sidomos Jeronim de Rada. Mirëpo, Fishta  ndryshe nga De Rada, i cili në Rapsodi më 1866 i bashkoi këngët  popullore arbëreshe në mënyrë mekanike, duke u përpjekur ta rikonstruktojë një tërësi të madhe, një poemë  që dikur kishin  pasur shqiptarët, nuk e ndjek      rrugën e tij.  Ai, përkundër konceptit mistifikues romantik të Jeronim  de Radës, epopenë “Lahuta e Malësisë” e krijoj  duke u mbështetur në poetikën e modelit epik të poezisë popullore shqiptare. Prandaj, pa e njohur mirë të gjitha format e krijimtarisë gojore epike, pa e njohur mirë strukturën artistike të eposit heroik popullor, nuk mund të kuptohet sa duhet dhe si duhet as “Lahuta e Malësisë”, sepse ajo është e ndërtuar, sepse ajo është ngritur mbi këtë traditë të këndimitm epik shqiptar. Në këtë drejtim, “Lahuta e Malësisë” nuk bën kurrëfarë përjashtimi nga epopetë e vjetra e të reja të letërsisë botërore, sepse edhe ato lidhen me traditën epike popullore.

Kështu mund të thuhet edhe për Iliadën e Homerit, edhe për Këngën e Rolandit, Këngën e Sidit, Këngën e Osianit etj. Lindja e kësaj vepre letrare në truallin ku bënin jetë aktive format më të shtjelluara të epikës gojore, siç është kënga tregimtare, nuk është e rastit. Ndërtimi i Lahutës nga materia orale e zonave të mirëfillta të epikës popullore shqiptare të veriut të cilat e ushqen me lëndë epike veprën e Fishtës,  jo më kot qenë truall i hulumtimeve të fenomenit homerik. Pikërisht në këto zona, më mirë se çdo kund gjetiu në Ballkan ishte ruajtur epika gojore. Prandaj, jo më kot homerologët e njohur amerikanë, profesorë të Universitetit të Harvardit, Milman Parry dhe Albert Lordi kishin bërë gjurmime të eposit popullor në relacion me fenomenin homerik. Këta studiues, sidomos Lordi, duke u mbështetur në morfologjinë e epikës popullore sjellin në shkencë tezën mbi origjinën orale të Iliadës së Homerit. 

Lahuta, e cila lindi në këtë ambient epik, edhe pse shumë e vonuar në krahasim me epopetë e letërsisë botërore, është një vepër që i mungonte më parë letërsisë shqiptare, është një vepër që e plotëson një hapësirë të letërsisë kombëtare shqiptare(Enver Mehmeti).

Fishta në Lahutë ka shfrytëzuar kryesisht dy forma të epikës popullore: këngën e lashtë epike ose këngën epike legjendare dhe këngën e re epike apo këngën historike. Përveç këtyre dy zhanreve të poezisë popullore, që kanë strukturë të qëndrueshme epike, sidomos kënga kreshnike, më rrallë është e pranishme edhe bota e baladave popullore legjendare, me syzhe të zhvilluar. Në këto dy forma kryesore të epikës popullore poeti gjeti në radhë të parë frymën heroike që është elementi kryesor i strukturës artistike të këtyre krijimeve foklorike. Përmes heroikës të shprehur në modelin epik folklorik në “Lahutën e Malësisë”, në të gjitha këngët e saj pasqyrohet lufta e popullit shqiptar për pavarësi nga Turqia dhe lufta kundër aneksimit të truallit kombëtar.

Në kët drejtim, burim i pashterrshëm i poetit ka qenë sidomos kënga historike e periudhës së Rilindjes Kombëtare, kurse nga bota e epikës së moçme popullore kënga kreshnike. Përmbajtja e heroikës në “Lahutën e Malësisë” është e njëjtë sidomos me atë të eposit popullor historik. Ndërkaq artistikisht të shumten kjo përmbajtje realizohet me mundësitë shprehëse letrare të këngës së vjetër epike, gjegjësisht të këngës kreshnike. Si në “Lahutën e Malësisë”, ashtu edhe në këngën historike kemi të bëjmë me një heroizëm të njohur historikisht, me një heroizëm historikisht të pëcaktuar, me një heroizëm me përmbajtje kombëtare dhe jo me heroizmin e lokalizuar, personal dhe fisnor të këngës së vjetër epike. 

Fryma kombëtare e heroikës që reflektohet edhe në veprën e Fishtës lidhet me kohën e krijimit të këngës epike historike. Kënga popullore epike e tipit historik, edhe pse daton që nga shekulli pesëmbëdhjetë, megjithatë formën e vetë stabile dhe të përkryer e ka arritur gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, përkatësisht në periudhën e formimit të kombit. Prandaj, aspiratat kombëtare për pavarësi, tërësi tokësore dhe jetë të përbashkët shpirtërore etnike poeti i mori  nga modeli i epikës historike. Ndërkaq pasurinë e këngës epike me shtrat legjendar, e cila pas pushtimit osman e kishte përfunduar fazën produktive, Fishta në Lahutë e funksionalizon rishtas. Nga ky tip i këngës epike merr elemente të shumta të strukturës së saj artistike. Në mënyrë të posaçme shfrytëzon sidomos rezistencën kundër nënshtrimit mesjetar sllav, të cilën poeti e përdor të ndryshuar, e përdor në përputhje me kontekstin e ri historik të rrezikut sllav. 

Temat dhe motivet e të tridhjetë këngëve të “Lahutës së Malësisë”(“Lahuta e Malcis”) para se nga Fishta, pra janë kënduar në këngët epike popullore. Fishtës i takon merita se modelin folklorik epik, se këto tema dhe motive folklorike i sintetizoi, i shkriu, i rikrioi në një tërësi prej 16.838 vargjesh, duke na dhënë kështu një vepër madhështore epike.

Edhe përmbajtja e protagonistit të poemave  të”Lahutës së Malësisë”(“Lahuta e Malcis”) është e njëjtë me përmbajten  e protagonistit të këngëve epike popullore. Etja për famë heroike është njëra ndër veçoritë themelore të tij. Ky tipar i heroit të Lahutës edhe këngëve epike lidhet  me ndjenjën e përjetimit epik të jetës te shqiptarët. Protagonisti i veprës së Fishtës është një sintezë e  protagonistit të këngëve historike dhe kreshnike. Nga bota e këngës historike është vetëdija e tij kombëtare, lufta për ta mbrojtur qenien kombëtare në përgjithësi, sidomos atdheun i cili  si në këngët historike është Shqipëria. 

Heronjtë e Fishtës i karakterizon gatishmëria për t’u flijuar për çështjen e atdheut, element ky që njihet në këngët popullore historike dhe jo lufta për mbrojtjen e bjeshkëve e të kullotave e këngës së moçme epike. Po ashtu ata nuk i shquan fryma aventuristike që është tipar karakterogjik i heroit të epikës kreshnike. Me botën e këngëve kreshnike heroin e “Lahutës së Malësisë” e lidh legjendarizimi. Ai mbi të gjitha është një hero legjendar, portreti fizik e moral i të cilit realizohet me hipërbollën mitologjike të këngës kreshnike. 

Heronjtë e Fishtës, sikurse heronjtë e ciklit të kreshnikëve, mëkohen nga zanat e malit(Ali Pashë Gucia). Heroi i tillë i madhërishëm, me fuqi kolosale fizike dhe shpirtërore si në “Lahutën e Malësisë”, ashtu edhe në eposin heroik legjendar, ushqen ndjenja të fuqishme ideoestetike, ideoemocionale dhe psikologjike te lexuesit. Kali dhe kalorimi, tagani, duelet(mejdani), respektimi i antagonistëve(shkjevet)  po ashtu janë nga epika e lashtë popullore. Protagonistë të këtillë, të njohur historikisht, të ngjajshëm me tipin e protagonistit të modelit më arkaik të epikës popullore shqiptare në “Lahutën e Malësisë”(“Lahuta e Malcis”) janë Oso Kuka, Ali Pashë Gucia, Tringë Smajli, Marash Uci, Çun Mula e të tjerë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Nike Gashaj

MËSIMDHËNËSIT E SHKOLLËS SHQIPE NË BAVARI DHE AUSTRI VIZITUAN MUZEUN E VJENËS, PËRKRENAREN E SKËNDERBEUT

October 26, 2021 by s p

Shkruan: Mustafë Krasniqi/

Takimi i mësimdhënësve dhe shkëmbimi i përvojave të tyre

Në takimin dyditor, më 23-24 tetor 2021, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH) në Bavari dhe Shoqata e Mësuesve Shqiptarë „Naim Frasheri“ (SHMSH) në Austri, organizuan një takim të përbashkët pune me mësimdhënësit në Vjenë, me temën: „Njohja, shkëmbimi i përvojave, ideve dhe bashkëpunimi në mes të mësuesve të gjuhës shqipe në Bavari dhe Austri, si dhe për masivizimin e rritjes së interesimit të numrit të nxënësve, për vijimin e mësimit të gjuhës shqipe në këto dy vende“.

Të pranishëm, në këtë takim ishin edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Vjenë, z. Roland Bimo së bashku me ambasadorin e Republikës së Kosovës, z. Lulzim Pllana, të cilit pas fjalës përshëndetëse, ata folën për kontributin e mësimdhënësve dhe i përgëzuan për punën dhe angazhimin e tyre, që bëjnë për ndërgjegjësimin e bashkëkombësit, për rëndësinë e shkollës shqipe.

Moderimin e këtij projekti e bëri Osman Ademi, kurse takimin e hapi kryetarja e SHMSH- së “Naim Frashëri” në Austri, Miradije Berisha dhe kryetari i LAPSH-it në Bavari, Milazim Ukaj. Berisha dhe Ukaj pasi i përshëndeten ambasadorët, Bimo, Pllana. Mësimdhënësit folën edhe për sfidat që po përballen mësimdhënësit, në përpjekje për ta ngritë vetëdijen e bashkëkombësve për t’i sjellë fëmijët në shkollën shqipe.

Zonja Berisha e falënderoi LAPSH-in për iniciativën e këtij projekti të nisur, ndërsa Ukaj foli për punën, suksesin dhe sfidat e LAPSh-it në Bavari, ku ndër të tjera tha: “ LAPSh-i në bashkëpunim me institucionet, konsullatat shqiptare në Munih, bashkëkombës, Këshillat e Prindërve, prindërit, shoqata dhe biznese, të cilët jetojnë dhe veprojnë në Landin e Bavarisë, janë të angazhuar që Mësimi Plotësues i Gjuhën Shqipe të jetë i pranishëm te çdo fëmijë mërgimtarë!

Ndërsa, koordinatori i LAPSh-it, z.  Mustafë Krasniqi, foli për vështirësitë që po përballen mësimdhënësit, ku ndër të tjera theksoi se ky takim i mësimdhënësve jo vetëm që ka një vlerë të shkëmbimit të përvojave dhe bisedave didaktike, në mes të kolegëve mësimdhënës, por mbi të gjitha është një porosi për prindërit:

Mos i ndalni fëmijët nga shkollën shqipe, por t’ua hapim dritaren, përmes të cilës njohja e gjuhës amtare ua ngroh zemrat fëmijëve mërgimtarë shqiptarë! Kemi edhe përgjegjësi për t’ ndërgjegjësuar prindërit shqiptarë, që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën shqipe, njëkohësisht dhe për të mos e lënë vetëm në këtë rrugë të përpjekjes, që është fakt shqetësues, që nuk shkojnë fëmijët e tyre,  në mësimin e gjuhës amtare!

Ne, mësimdhënësi, me përvojat profesionale duhet ta luajmë një rol të rëndësishëm, duke i nxitur prindërit, për ta kuptuar se gjuha amtare është vlerë shpirtërore, përmes të cilës fëmija e ruan gjuhën, kulturën, identitetin dhe ka njohuri mbi historinë! Por, megjithatë duhet ta pranojmë një realitet të hidhur se shkolla shqipe në diasporë është në krizë, me apo padashje, pjesa më e madhe e prindërve shqiptarë nuk po i sjellin fëmijët në shkollë. Prandaj, na duhet një bashkëpunim më i thellë me ministritë përkatëse të Shqipërisë dhe të Kosovës, ambasadat e përfaqësitë diplomatike, që të bashkëpunojnë ngushtë, për ta gjetur një rrugëdalje, sa nuk është bërë shumë vonë. Po ashtu me keqardhje duhet ta pranojmë një fakt shqetësues, se diaspora shqiptare në përgjithësi nuk e ka një strategji të përbashkët të veprimit, siç e kanë komunitetet tjera joshqiptare, që pa këtë strategji nuk mund të arrijmë deri te vizioni, misioni dhe qëllimi i realizimit të aspiratave tona për shkollën shqipe, tha Krasniqi. Krasniqi, para të pranishmëve, paraqiti ditarin e punës, të punuar me profesionalizëm nga Selim Hoti.

Nga ky takim i Vjenës, doli si kërkesë e përbashkët, që së bashku me të gjitha institucionet që janë me ndikim, të bashkëpunojmë për unifikimin e diasporës, për shkollën shqipe, njëkohësisht edhe kërkesë prindërve, që t’i dërgojnë fëmijët në shkollën shqipe!

Mësimdhënësit, vizituan edhe Muzeun e Vjenës, ku patën rastin të përkulen para përkrenares dhe shpatës së kryeheroit kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeu. Ndërsa, Osman Ademi foli për jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, luftën heroike të popullit shqiptar nën udhëheqjen e tij dhe për rrugëtimin e armëve të Skënderbeut deri në Muzeun e Vjenës! Pas vizitës në Muzeum, mësimdhënësit vizituan qendrën e Vjenës, Bibliotekën, Katedralen, Operën dhe bënë një shëtitje te parku i pallatit mbretëror në Schönbrunn. Kurse në orët e vona, shfrytëzuan kohën e lirë me këngë, humor, kuiz diturie dhe biseda kolegjiale.

Në përmbyllje të takimit, Osman Ademi, dhuroi për të gjithë mësimdhënësit, librin “Ja ku jam!”, botuar nga Ministria e Arsimit në Austri, për fëmijët që të mësojnë dhe përforcojnë njohuritë e tyre në gjuhës amtare, të përkthyer edhe në gjuhën shqipe! Përkthyes është edhe Ademi. Kurse një komplet të librave, autori i këtij kompleti, Mustafë Krasniqi, i dhuroi SHMSH “Naim Frashri” në Austri, kryetares Miradije Berisha.

Në fund, Ukaj falënderoi anëtarët e kryesisë dhe mësimdhënësit e LAPSh-it, Entin social të Mynihut, që mbështeti këtë projekt financiarisht, sekretarin Z. Avdi Kulukaj, Osman Ademin për moderimin, përfaqësuesin e Fondacionit „Besa“ Rexhep Nikçin dhe në fund z. Halil Jashari që u përkujdes për muzikën dhe fotografinë.

Filed Under: Kulture Tagged With: Mustafe Krasniqi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2774
  • 2775
  • 2776
  • 2777
  • 2778
  • …
  • 2934
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT