• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidentja Osmani në KS të OKB: Pavarësia e Kosovës në përputhje të plotë me të Drejtën Ndërkombëtare

October 16, 2021 by s p

-Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB:  Statusi i Kosovës u përcaktua një herë e përgjithmonë, më 17 Shkurt 2008, kur u shpall pavarësia e Kosovës, e cila, sipas Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ishte në përputhje të plotë me të Drejtën Ndërkombëtare… Ne i bëjmë thirrje Serbisë që ta respektojë ligjin ndërkombëtar, sikur që i bëjmë thirrje secilit anëtar që ende mund të ketë dyshime për pavarësinë e Kosovës që ta njohë atë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

NJU JORK,15 Tetor 2021/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot në Nju Jork mori pjesë   në takimin e rradhës së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, lidhur me raportimin periodik të Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për zhvillimet në Kosovë.

Në këtë takim të Këshillit të Sigurimit, Presidentja Osmani paraqiti të arriturat e deritashme të shtetit të Kosovës, sfidat dhe perspektivën, duke theksuar se, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) ka konfirmuar se Rezoluta 1244 ishte e vlefshme vetëm deri në momentin e përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës. 

“Ky status u përcaktua një herë e përgjithmonë, më 17 Shkurt 2008, kur u shpall pavarësia e Kosovës, e cila, sipas GJND-së ishte në përputhje të plotë me të Drejtën Ndërkombëtare, siç ishte paraparë në propozimin e të dërguarit special të OKB -së, Presidentit Ahtisaari”, tha Presidentja Osmani.

Ajo theksoi se, me kërkesën e Serbisë, AP e OKB-së i kërkoi GJND-së të vendoste mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe vendimi ishte i qartë: Asnjë dispozitë e së Drejtës Ndërkombëtare nuk është shkelur. Kështu që ne i bëjmë thirrje Serbisë që ta respektojë ligjin ndërkombëtar, sikur që i bëjmë thirrje secilit anëtar që ende mund të ketë dyshime për pavarësinë e Kosovës që ta njohë atë.

Presidentja Osmani përkujtoi se,  ka kaluar më shumë se një dekadë nga koha kur gjyqtari Trinidade qe pjesë e vendimit të GJND -së, i cili vendosi që shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë në pajtueshmërinë të plotë me ligjin ndërkombëtar, dhe që atëherë, njerëzit e Kosovës me të vërtetë janë bërë zotër të fatit të vet. “Pra, të dashur miq, ju nxis që të vini të flisni me ne, të dëgjoni anën tonë të historisë, ta shihni vetëm të vërtetën, ta vizitoni Republikën e pavarur të Kosovës dhe të shihni vetë progresin që kemi bërë, dhe të bëheni dëshmitarë të dorës së parë të ngrohtësisë së njerëzve që unë i përfaqësoj.

Republika e Kosovës angazhohet që t’ju bashkohet në adresimin e sfidave dhe përballjen me to, si dhe që bashkë me ju t’i festojë sukseset tona të përbashkëta, si pjesë e familjes së gjerë të kombeve të bashkuara”, tha Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në takimin e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

FJALA E PRESIDENTES SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS VJOSA OSMANI NË KËSHILLIN E SIGURIMIT TË KOMBEVE TË BASHKUARA

I nderuar President,

Zonja dhe zotërinj!

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit,

Është nder i madh për mua që të jem sot këtu me ju, si presidente e Republikës së Kosovës.

22 vjet më parë unë po i dëgjoja takimet e Kombeve të Bashkuara mbi fatin e popullit dhe të kombit tonë, ndërsa kërkoja strehim në male për të shmangur granatimet dhe granatat e Ushtrisë Serbe kundër secilit pjesëtar të popullit tim.

Sot, 22 vjet më pas, si presidente e zgjedhur vetëm pak kohë më parë i Republikës së Kosovës, kam privilegjin që ta përfaqësoj popullin tim, GJITHË popullin e Kosovës.

E vërteta është kjo: Unë jam sot këtu mes jush për shkak të vendosmërisë, këmbënguljes dhe luftës çlirimtare të popullit të Kosovës për ta parë vendin tonë të lirë nga shtypja dhe represioni i një regjimi gjenocidal, si dhe për ta parë atë të pavarur dhe sovran.

Kjo u bë e mundur vetëm falë ndihmës së aleatëve tanë, të cilët besuan në të drejtën tonë për vetëvendosje dhe shtet të pavarur. Ata qëndruan pranë nesh në ditët më të errëta dhe më të ndritura. Për të gjithë ju që besuat në ne atëherë dhe vazhdoni të ecni përkrah nesh ndërsa ne po hapim kapituj të rinj të progresit, dua ta përdor këtë moment për t’ju thënë në emër të popullit të Republikës së Kosovës: faleminderit përzemërsisht!

Ne kemi bërë një rrugë të gjatë që nga ditët së cilave iu referova në krye të kësaj fjale. Historia jonë ende nuk është rrëfyer plotësisht, ndërsa potenciali ynë po përmbushet ditë pas dite – por e ardhmja jonë është e ndritshme dhe unë kam besim të plotë se një ditë ne do t’ju bashkohemi në këtë tryezë, si pjesë e familjes së kombeve që përbëjnë Kombet e Bashkuara.  

Shumë kohë ka kaluar nga ajo periudhë. Historia jonë s’është përmbyllur ende dhe shumëçka tjetër nga potenciali ynë pret të shpaloset – por e ardhmja jonë është e ndritshme dhe unë kam besim të plotë se një ditë do të bashkohemi me ju në këtë tryezë, si pjesë e familjes së kombeve që sot përbëjnë Kombet e Bashkuara

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit!

 Ne kemi përjetuar shumëçka dhe sakrifica jonë ka qenë aq e madhe sa të mos na lejojë të bëjmë hapa prapa. Kjo është arsyeja pse ne shikojmë drejt së ardhmes me forcë, guxim dhe besim në veten tonë dhe në potencialin që Republika jonë e re e ka.

Republika e Kosovës, siç e përshkroi dikush kohët e fundit, është një fener shprese për rajonin. Populli i Kosovës beson fort në lirinë, në të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë. Ai beson në vlerat që e bëjnë këtë botë një vend më të mirë dhe në vlerat për të cilat kjo organizatë punon shumë për t’i promovuar. Por, shpresa lulëzon vetëm kur ka besim. Qytetarët tanë besojnë në një të ardhme me mundësi më të mëdha punësimi dhe sundim të ligjit. Sot ata besojnë në një Kosovë në të cilën mbizotëron barazia, gjithëpërfshirja dhe respekti ndaj të gjithëve – dhe po punojmë shumë për t’i kthyer pritjet e tyre në realitet.

Besimi i njerëzve në institucionet e tyre nuk ka qenë kurrë më i lartë.

Nga një vend i shkatërruar nga lufta e një vend i goditur rëndë sot nga pandemia, mund të them me krenari se Kosova është shfaqur si një nga demokracitë më të gjalla në rajon. Këtë vit ne po e përjetojmë perspektivën e një rritjeje dyshifrore të BPV-së.

Investitorët e huaj potencialë do të gjejë sot në Kosovë një vend me një të rinj me të vërtetë të talentuar, me aftësi të larta në teknologji, njohës të shumë gjuhëve të huaja, vendin në të cilin 70% e popullsisë është nën moshën 35-vjeçare. Ata do të gjejnë një vend me sistem taksash të ulëta dhe jashtëzakonisht konkurruese; infrastrukturë të re ligjore, të përputhshme me legjislacionin e BE-së; një vend me normë depërtimi të internetit prej 90%, që na ka mundësuar të bëhemi qendër teknologjike në rajonin tonë.

Sot produktet e Kosovës po bëhen gjerësisht të njohura në tregje si Gjermania, Zvicra, Italia dhe Shtetet e Bashkuara – por jo vetëm në to. Produktet tona madje po bëjnë rrugën drejt vendeve të tilla si Ukraina, India dhe Kina  dhe shpresojmë që marrëdhëniet politike së shpejti do t’i pasqyrojnë këto lidhje ekzistuese ekonomike.

Me fjalë të tjera, Kosova po ia dëshmon botës frymën e saj transformuese në shumë fusha të ekonomisë, por edhe në sektorë të tjerë. Pavarësisht se është vendi i fundit në Evropë që ka filluar administrimin e vaksinave, Kosova sot jo vetëm që është duke e kryer vaksinimin shumë më shpejt, por i ka tejkaluar vendet e rajonit, si dhe disa vende të BE-së përsa i takon përqindjes së popullsisë së vaksinuar kundër COVID-19.

Mbi të gjitha, Kosova po e jeton një epokë të stabilitetit dhe besim të pashembullt institucional. Reformat tona për të forcuar sundimin e ligjit po kryhen në një nivel rekord dhe ne shpresojmë të bëhemi një shembull i qeverisjes efektive dhe meritokratike jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.

Unë mund t’ju jap statistika të pafundme për sukseset tona. Historia e Kosovës ka qenë gjithmonë histori e njerëzve të saj. E tillë është edhe sot.

Sot, këtë histori na e dëshmojnë tri gra medaliste të arta olimpike: Majlinda, Nora dhe Distria, të cilat e kanë kthyer Republikën tonë të re, pjesëmarrëse në dy palë lojëra olimpike, në fituese të trefishtë të medaljes së artë olimpike.

Ose, historia vërtet frymëzuese e Fahrije Hotit dhe e grave të Krushës – e portretizuar në mënyrë të përkryer në filmin “Zgjoi”, të cilin ju ftoj ta shikoni, fitues i çmimit të trefishtë të Kosovës në Sundance dhe, shpresojmë, së shpejti fituese e Oscar-it, si dëshmia më e fuqishme për pasojat e luftës dhe mishërim i përsosur i elasticitetit, mbijetesës dhe triumfit.

Historia e Kosovës është historia e vendit të pavarur gati 14-vjeçar, në të cilin njëra ndër deputetet më të votuara është Vasfije Krasniqi – një e mbijetuar e guximshme e përdhunimit seksual gjatë luftës, e cila flet hapur për dhunën e përjetuar, ose Saranda Bogujevci, e mbijetuar e një masakre kundër të gjithë familjes së saj, e cila tani është nënkryetare e Kuvendit. Ajo është histori e vendit në të cilin në zgjedhjet e fundit votat e qytetarëve prodhuan një kuvend të përbërë nga më shumë gra deputete sesa mesatarja e BE -së, vend që sot, për herë të dytë në historinë e tij, udhëhiqet nga një grua.

Krahas këtyre sukseseve të pafundme brenda vendit, diaspora jonë jashtëzakonisht e angazhuar dhe e suksesshme në të gjithë botën vazhdon të shpërthejë me krenari. Nga Dua Lipa dhe Rita Ora, te futbollistët, akademikët dhe shkencëtarët me famë botërore – faleminderit që jeni ambasadorët tanë më të mëdhenj dhe po i tregoni botës më të mirën e Kosovës.

Sot vendi ynë është shembull i një vendi paqedashës i cili ndihmon në kultivimin e paqes gjithandej. Ushtarët tanë shërbejnë përkrah trupave amerikane në misione paqeruajtëse. Ushtarët tanë vazhdojnë të tregojnë profesionalizëm të lartë.

Në mes të njërës ndër krizat më të mëdha në historinë e kohëve të fundit, njerëzit tanë dhe institucionet tona i hapën zemrat dhe mendjet e tyre për qytetarët e Afganistanit që kërkonin strehim. Ky veprim nuk është vetëm pasqyrim i traditës sonë si popull, por edhe konfirmim i gatishmërisë sonë për të qëndruar pranë aleatëve tanë dhe për t’i përkrahur në mënyrë aktive synimet e bashkësisë ndërkombëtare. Duke qenë vetë ish-refugjatë, askush nuk i kupton më mirë vuajtjet e tyre sesa populli i Kosovës. 

Kemi edhe përplot gjëra nga historia jonë për t’i ndarë me ju, por tani për tani dua vetëm t’ju lus që t’i mbani zemrat dhe mendjet tuaja të hapura për njerëzit e Kosovës. Ne do ta bëjmë pjesën tjetër.

Ju siguroj, vendi më i ri në Evropë jo vetëm që do t’i tejkalojë pritjet tuaja dhe do të vazhdojë të forcojë shtetësinë e tij, por do të vazhdojë t’ bëjë krenarë aleatët tanë.

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit,

Ndërsa diskutojmë për Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, dua t’ju drejtohem për një çast të gjithë juve si anëtarë të këtij forumi.

UNMIK-u u krijua 22 vjet më parë, në rrethana krejtësisht të ndryshme nga këto të sotmet. Pas ndërhyrjes së NATO -s për të ndaluar krimet serbe të luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin kundër popullit të Kosovës, ky Këshill autorizoi krijimin e një pranie civile ndërkombëtare, për të siguruar një administratë të përkohshme – e përsëris: TË PËRKOHSHME.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konfirmuar se Rezoluta 1244 ishte e vlefshme vetëm deri në momentin e përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës. Ky status u përcaktua një herë e përgjithmonë, më 17 shkurt 2008, kur u shpall pavarësia e Kosovës e cila, sipas GJND-së ishte në përputhje të plotë me të Drejtën Ndërkombëtare, siç ishte paraparë në propozimin e të dërguarit special të OKB -së, Presidentit Ahtisaari.

Me kërkesën e Serbisë, AP e OKB-së i kërkoi GJND-së të vendoste mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe vendimi ishte i qartë: Asnjë dispozitë e së Drejtës Ndërkombëtare nuk është shkelur. Kështu që ne i bëjmë thirrje Serbisë që ta respektojë ligjin ndërkombëtar, sikur që i bëjmë thirrje secilit anëtar që ende mund të ketë dyshime për pavarësinë e Kosovës që ta njohë atë.

Republika e Kosovës sot është vend i lirë, sovran, i pavarur dhe gjithnjë e më i begatë. Kjo duhet të shërbejë si dëshmi e mjaftueshme për ta bërë të qartë për të gjithë se jo vetëm që UNMIK –u  e ka tejkaluar mandatin e tij, por është gjithashtu në kundërshtim me interpretimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

Teksa i falënderojmë për punën e tyre në të shkuarën, ju nxisim ju, anëtarët e Këshillit të Sigurimit, që ta përdorni buxhetin tuaj për më mirë. Ndërkohë që e përdorin buxhetin tuaj, i ftoj ata që të jenë të paanshëm dhe të mos dërgojnë masazhe krejtësisht të shtrembëruara për atë që ndodhi në veriun e Kosovës, duke treguar njëanshmëri të skajshme dhe duke kontribuar në ngritjen e mëtejme të tensioneve në rajonin tonë.

Shkëlqesi!

Është ironi e dhimbshme që Kosova, një ndër kampionët më të mëdhenj të paqes dhe sigurisë në botë, ende nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara. Çdo qytetar i Republikës sonë të re e kupton shkatërrimin që sjell lufta dhe dëshiron që ajo të mos ndodhë kurrë në asnjë vend. Por, po kështu, populli i Kosovës dëshiron ta shohë veten pjesë të bashkësisë ndërkombëtare. Ai dëshiron që ta shohë botën, t’i ushqejë marrëdhëniet me njerëzit gjithandej botës dhe të krijojnë marrëdhënie të reja me ta.

Ne jemi pro-evropianë të pasionuar, po atë pasion e ruajmë ndaj NATO-s. Ne besojmë në një Evropë të bashkuar, si projekt politik të bazuar në vlera. Ne besojmë në paqe dhe në stabilitetin që e ofron NATO-ja.

Por, po kështu, ne besojmë thellësisht në një botë të udhëhequr nga vlerat që i mishërojnë Kombet e Bashkuara. Për sa kohë që Kosova do të jetë jashtë organeve të OKB -së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, përpjekja e kësaj familjeje të kombeve do të jetë gjithmonë larg përmbushjes së plotë të misionit të saj. Projektet e përbashkëta për parandalimin e pandemive të ardhshme, luftimin e ndryshimeve klimatike, përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, ose luftimin e krimit ndërkombëtar po ashtu nuk do të mund të përmbushen plotësisht.

Prandaj, them se është e domosdoshme, ngase jemi vonë , që Kosova të bëhet anëtare e organziatave sikur janë OBSH-së, UNESCO -s, INTERPOL-it dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, si dhe që t’i jepet vend i merituar në Konferencën e ardhshme të Palëve, që të jetë në gjendje që të diskutojë së bashku me ju mbi fatin e përbashkët të njerëzimit.

Pa dyshim, ne e konsiderojmë OKB-në, agjencitë e saj dhe anëtarësimin në organizata të tjera ndërkombëtare si kurorëzim të përpjekjeve tona historike për ta promovuar mirëqenien, paqen dhe sigurinë brenda dhe jashtë vendit. Kjo është arsyeja pse këto anëtarësime janë të rëndësishme për ne dhe pse ato përbëjnë njërën nga shtyllat kryesore të përpjekjeve të politikës sonë të jashtme.

Kosova është gjithashtu e vetëdijshme se bashkëpunimi rajonal është në qendër të ambicies sonë për t’u bashkuar në BE. Por këto iniciativa duhet të jenë të bazuara në rregullat e BE -së dhe kjo është arsyeja pse ne jemi bërë me krenari pjesë e procesit të Berlinit, nisma e vetme që synon anëtarësimin e rajonit tonë në BE.

Më lejoni të sqaroj një gjë në rast se dikush dyshon ende: Kosova ka qenë gjithmonë fqinj paqësor; që nuk i përdor institucionet e tij për të ndërhyrë në punët e brendshme të tjetrit; nuk i përdor institucionet e tij për të krijuar gjithashtu destabilizim të të tjerëve, fqinj që ushqen dhe krenohet me sukseset e të tjerëve. Pikërisht në këtë frymë e shohim edhe bashkëpunimin rajonal.

Rajoni ynë është i vogël, por miqtë e Kosovës brenda tij janë të shumtë. Miq që e njohën luftën tonë dhe realitetin tonë, miq që ecën krah për krah nesh drejt arritjeve tona të përbashkëta dhe ndanë me ne sfida të përbashkëta. Fatkeqësisht, nuk mund të themi se kështu ngjau edhe me Serbinë. Por, ajo që mund të them sot është se, si Kosovë, ne jemi të përkushtuar ta bëjmë këtë edhe me Serbinë.

Dialogu midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë është disejnuar për ta arritur këtë synim. Kosova jo vetëm do të vazhdojë të ulet në tryezë, por do të angazhohet në mënyrë aktive në dialog, qëllimi përfundimtar i të cilit duhet të jetë njohja e ndërsjellë.

Por, nuk është e mundur: që ky dialog të provojë ta shpëtojë karrierën personale të asnjë politikani në Serbi të përfshirë në proces, ose që dialogu të zbresë në aventura të rrezikshme që i përkasin shekullit XIX. Nuk është dhe nuk do të jetë kurrë e mundur – siç do të mund të dëshironin homologët tanë – që të diskutohet për statusin e Kosovës, i cili është zgjidhur njëherë e përgjithmonë në vitin 2008, me përkrahjen e shumicës nga ju. Dialogu zhvillohet midis dy palësh të barabarta, të cilat duhet të trajtohen të tilla.

Më e rëndësishmja, ky dialog duhet t’u shërbejë atyre që janë përfituesit e fundit: qytetarëve, popujve të të dyja vendeve, duke përmirësuar jetën e tyre dhe duke ndërtuar një të ardhme më të begatë dhe më të sigurt për ta. Pavarësisht se ka qenë viktimë e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit, Kosova sot vazhdon të jetë një avokate e fortë për paqen dhe e tillë është përfshirë edhe në dialog me Serbinë.

Këtë e kemi dëshmuar qenë gjatë muajve të fundit, kur Kosova vazhdimisht ka sjellë ide në tryezën e bisedimeve, ndërkohë që Serbia refuzonte gjithçka pa e trajtuar fare përmbajtjen. Serbia duhet të inkurajohet që të vijë në tryezë me mendje të hapur dhe me ide që do ta çojnë rajonin tonë përpara. Dhe, më e rëndësishmja, ajo duhet ta kuptojë se realiteti i Kosovës së pavarur nuk do të ndryshojë kurrë.

Por, ne do të jemi të durueshëm, do të vazhdojmë të jemi palë konstruktive në dialog, duke i paraqitur po ashtu interesat e vendit tonë në mënyrën më të mirë dhe duke kërkuar drejtësi për të zhdukurit me forcë gjatë luftës dhe duke kërkuar mënyra për të siguruar paqe të qëndrueshme.

Nëse duam të jemi të suksesshëm në këtë përpjekje, kemi nevojë që homologu ynë të fillojë zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Kosova ka zbatuar shumicën dërrmuese të marrëveshjeve, sipas Brukselit.

Sa i takon krijimit të  një shoqate monoetnike, siç specifikohet në vetë marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel, ajo u paraqit për një vulë miratimi nga gjykata jonë kushtetuese. Kjo gjykatë ka vlerësuar që marrëveshja paraqet shkelje të qartë të kushtetutës sonë, sepse çdo gjykatë që interpreton kushtetutën tonë – kushtetutë e bazuar në idenë e promovimit dhe të përqafimit të shumë etnive – nuk mund të qëndrojë prapa një marrëveshjeje që do të përfundonte duke bërë të kundërtën.

Nga ana tjetër, sipas vetë Bashkimit Evropian-garantues dhe ndërmjetësues i këtij dialogu-Serbia nuk ka zbatuar dy të tretat, DY TË TRETAT e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara. Prandaj ju lutemi, z. Selakoviç mos na mbani ligjërata mbi moszbatimin. Kjo, në të vërtetë, nuk është hera e parë që Serbia injoron detyrimet e saj ligjore. Pastaj, si mund të presim që ky të jetë një proces i besueshëm nëse ata nënshkruajnë, por nuk i zbatojnë ato?

Pavarësisht marrëveshjes së arritur më 2013, së cilës z. Selakoviç iu referua disa herë, Qeveria në Beograd ende nuk i ka shpërbërë strukturat ilegale kriminale që ekzistojnë në veriun e Kosovës. Ata vazhdojnë t’i terrorizojnë dhe t’i frikësojnë serbët që jetojnë në veri të Kosovës, duke mos i lejuar ata që të integrohen në shoqëri. Ata gjithashtu i sfidojnë  institucionet tona të cilat po përpiqen ta sigurojnë sundimin e ligjit në atë pjesë të vendit tonë.

Por, anëtarë të nderuar të këtij Këshilli, më lejoni të jem e qartë për këtë: Lufta kundër krimit të organizuar, pavarësisht nëse ndodh në veri ose në jug, është e panegociueshme dhe duhet të jetë e pakompromis. Të negocioni dhe të bëni kompromis me krimin do të thotë të bëheni pjesë e tij.

Përpjekjet e së mërkurës për sundimin e ligjit nga policia dhe institucionet multietnike të Kosovës nuk mund të etiketohen në asnjë rrethanë si një “veprim në veri”, sepse janë shtrirë në pjesë të ndryshme të Kosovës, kundër personave të etnive të ndryshme, të cilët kishin një gjë të përbashkët: ishin të angazhuar drejtpërdrejt në kontrabandë dhe në krim të organizuar.

Më lejoni t’ju informoj mbi realitetin atje dhe përpjekjet për vendosjen e rendit dhe të ligjit.

Prokurori dhe gjyqtari që kryen hetimin kundër këtij krimi të organizuar ishin të dy serbë, dhe të tillë janë shumica e policëve në veri. 8 shtetas të Kosovës u arrestuan – 6 prej tyre shqiptarë, 1 boshnjak dhe 1 serb, të gjithë shtetas të Kosovës. Si NATO /KFOR-i, ashtu edhe Ambasada e SHBA -ve dhe ambasadat e tjera të vendeve të Quint-it qenë të qartë se ky veprim është ndërmarrë kundër krimit të organizuar në gjithë Kosovën.

Pra, meqë po citonim, më lejoni të sqaroj se cili është pozicioni i vërtetë publik i KFOR-it:

Sipas KFOR-it operacioni u zhvillua në disa komuna, përfshirë ato në veri. Sa i përket miratimit, policia e Kosovës ka autoritetin dhe përgjegjësinë e plotë për ushtrimin e veprimeve për sundimin e ligjit, dhe kur e ndërmerr veprime për ta jetësuar këtë, NUK KA NEVOJË për leje shtesë.

Më lejoni t’i citoj edhe SHBA-të:

SHBA-të janë të shqetësuara nga përgjigja kundër aksionit të policisë, i cili ishte veprim në favor të sundimit të ligjit, në të gjithë Kosovën. Dhuna e drejtuar ndaj policisë, medieve dhe qytetarëve është e papranueshme, ajo duhet të adresohet qartë.

Sipas Mbretërisë së Bashkuar:

Veprimi kundër krimit të organizuar është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe ne mbështesim Qeverinë e Kosovës në veprimet e ndërmarra gjithandej vendit për sundim të ligjit. Përpjekjet për të penguar këtë veprim me dhunë si dhe retorikë nxitëse, shërbejnë vetëm për të ndihmuar ata që kërkojnë të krijojnë ndarje midis komuniteteve në Kosovë.

Ndërsa, sipas Gjermanisë:

Padyshim që pas deklaratës së serbëve, ata thanë “STOP” krahasimi i aksionit të sotëm të policisë me një natë të kristaltë është i papranueshëm dhe një krahasim i tillë i kontribuon narrativës mbi shtrembërimin dhe mohimin e holokaustit. Mbroni faktet. Kjo është pikërisht ajo që unë jam duke bërë, shkëlqesi, duke mbrojtur faktet dhe gjithashtu ftoj PSSP -në që t’i përfshijë këto citate në raportin e tij të ardhshëm.

Anëtarë të nderuar të Këshillit!

Dallimi thelbësor midis asaj që ka ndodhur në të kaluarën dhe asaj që po ndodh janë përpjekjet tona për zbatim të ligjit: krimi i organizuar nuk njeh etni.. Por, tani lufta kundër krimit ilegal është shumetnike.

Policët shqiptarë të Kosovës dhe serbët policë të Kosovës, njëri pranë tjetrit po luftojnë kundër këtij krimi të organizuar. Gjyqtarët serbë, gjyqtarët shqiptarë, prokurorët serbë dhe prokurorët shqiptarë po e luftojnë krimin e organizuar së bashku. Pra, ky është ndryshimi. Lufta kundër krimit të organizuar është shumetnike, kështu që do të ketë sukses.

Por, ka edhe diçka tjetër: ne jemi dëshmitarë të kërcënimeve të vazhdueshme nga strukturat ilegale të Serbisë në veri dhe të dhunimit të çdoditshëm prej tyre të jetës së serbëve të Kosovës. Por, ndoshta më shqetësuesja është se ne kemi qenë dëshmitarë të përdorimit të kësaj dhune ndaj tyre edhe gjatë disa palë zgjedhjeve të kaluara, siç është detajuar edhe në raportet e BE-së dhe të Departamentit të Shtetit të SHBA –ve.

Sa i takon marrëveshjes për targat, për fat të keq, gjatë dekadës së fundit, Serbia kurrë nuk iu përmbajt marrëveshjes për to. Në vend të kësaj, ata i detyruan qytetarët e Republikës së Kosovës që t’i largonin targat e tyre në mënyrë poshtëruese dhe çnjerëzore sa herë që ata duhej ta kalonin kufirin.

Kur kjo marrëveshje skadoi, Kosova ndërmori parimin e reciprocitetit, siç parashikohet në vetë marrëveshjen. Në këmbim, Serbia përdori strukturat e saj ilegale për të nxitur dhunë dhe për të kryer veprime terroriste, pasi ata dogjën pronat publike duke i sulmuar ato me eksploziv. Ndërkohë, ata i sollën automjetet e tyre ushtarake dhe avionët luftarakë rusë, MIG, në vetëm 1 km larg kufirit tonë. Dhe në një akt të paparë, të panevojshëm dhe armiqësor, ambasadori rus në Beograd, së bashku me atasheun e tyre ushtarak, u shfaq për t’u dhënë trupave serbe fjalë përkrahjeje.

Të dashur miq, cili komb i ashtuquajtur paqedashës kërcënon stabilitetin në mënyrë kaq flagrante në Evropën e shekullit XXI?

Historia jonë nuk fillon në tryezën e negociatave në Bruksel. Ne të gjithë jemi mjaft të rritur për të kujtuar shkatërrimin që ndodhi gjatë viteve ’90 në Ballkanin Perëndimor. Nuk është rastësi që përpjekjet e Serbisë për destabilitetit po ndodhin njëkohshëm në Kosovë, Bosnjë -Hercegovinë dhe Mali të Zi. Ky plan ka një autor, emri i tij është qeveria serbe. Kjo duhet të ngrejë kambanat e alarmit në të gjithë botën, veçanërisht ndër aleatët tanë, që punuan me ne për ta sjellë paqen në rajon.

Vuçiç  shpreh qartazi synimet e tij kur thekson idealet e tij ambicioze dhe të rrezikshme, madje nuk bën asnjë përpjekje për ta fshehur admirimin e tij për ish -shefin e tij, kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviç. Sipas tij, Millosheviçi ishte “udhëheqës i madh serb, synimet e të cilit ishin sigurisht të mira, por rezultatet tona ishin shumë të dobëta”.

Më lejoni të flas për rezultatet e atij regjimi:

Rreth 140.000 njerëz të pafajshëm humbën jetën gjatë luftërave gjenocidale të Millosheviçit në ish -Jugosllavi. Mbi 13.000 njerëz u vranë brutalisht vetëm në Kosovë, 20.000 gra dhe burra u përdhunuan, mbi 1600 të zhdukur me forcë ende mungojnë, ata janë në varre masive në Serbi. Ne kemi numrin më të madh të fëmijëve të humbur për frymë nëse krahasohet me ndonjë luftë tjetër në ish-Jugosllavi. Më shumë se 1 milion shqiptarë u pastruan etnikisht nga shtëpitë e tyre në Kosovë.

Ajo që ndodhi në Kosovë dhe në rajonin tonë, ndodhi para syve tuaj e syve të botës. Asnjë përpjekje e vetme e Serbisë për t’i mohuar krimet e saj ose për të rishikuar historinë nuk do të jetë kurrë e suksesshme për sa kohë që ne kemi një zë.

Por, të dashur kolegë, fjalët “Kurrë mos harroni” nuk duhet të jenë thjesht një slogan. Ne kurrë nuk duhet ta harrojmë fytyrën e vërtetë dhe qëllimet e vërteta të regjimit serb. Fatkeqësisht, ministrat e Millosheviçit po e qeverisin vendin fqinj sot. Strategjia e tyre mund të ketë ndryshuar, por qëllimi i tyre mbetet i njëjtë, ngase ndihmohet nga propaganda e ngjashme me atë që keni dëgjuar sot këtu.

Kur Vuçiç flet për aftësinë e tij, po e citoj, “për të qëlluar objektiva nga një distancë prej 9 kilometrash … thellë brenda territorit të armikut”, ai nuk nënkupton vetëm Kosovën. Brenda atij perimetri përfshihen tetë vende të rajonit, gjashtë nga të cilat janë anëtare të NATO-s. Kur flet për krijimin e një “bote serbe”, ai nënkupton “Serbinë e Madhe”, sintagmë të cilën e keni dëgjuar pambarimisht gjatë viteve ‘90. Nuk mjafton të thuash që beson në idealet evropiane dhe gjithashtu të jesh prodhuesi masiv i ndarjes etnike dhe urrejtjes në të gjithë Ballkanin.

Nuk mjafton të thuash që beson në të drejtat e njeriut, ndërsa ti abuzon në mënyrë sistematike me të drejtat e pakicave përmes pasivizimit të adresave në Luginën e Preshevës dhe zona të tjera të populluara nga shumica shqiptare. Pasivizimi është spastrim etnik përmes mjeteve administrative. Nuk mjafton të thuash që beson në sundimin e ligjit, nëse nuk tregon shenja të luftimit të krimit dhe korrupsionit; nuk mjafton të predikosh lirinë e shprehjes e, në anën tjetër, të ushtrosh fuqishëm kontroll ndaj mediave.

Te dashur kolegë,

Ne kemi një kancer në zemër të Evropës, të nxitur nga dëshirat fashiste për të krijuar një “Botë Serbe” dhe të ndihmuar nga aleati i saj, Rusia. Nëse të gjithë nuk ballafaqohemi urgjentisht me këtë fakt, kam frikë se do të jemi dëshmitarë të ringjalljes së agresionit të Serbisë.

Pavarësia e Kosovës është e përhershme dhe e pakthyeshme, dhe sa më shpejt të gjithë të pajtohen me këtë realitet, aq më mirë do të jetë për paqen dhe stabilitetin jo vetëm në rajonin tonë, jo vetëm në Evropë, por edhe në botë. E drejta e Republikës së Kosovës për të ekzistuar nuk mund të mohohet, nuk mund të ndalet dhe, më e rëndësishmja, nuk mund të injorohet.

Shumica e botës e ka njohur Republikën tonë të re, ka ardhur koha që ju të tjerët ta bëni këtë. Sikur thoshte gjyqtari Trinidade nga Brazili, gjyqtar në GJND, i cili, kur po gjyqi po merrte vendim për deklaratën tonë të pavarësisë, i komentoi krimet e Serbisë në Kosovë:

“Shtetet ekzistojnë për njerëzit dhe jo anasjelltas. Asnjë shtet nuk mund të thirret në integritetin territorial për të kryer shkelje të rënda të ligjit humanitar ndërkombëtar, dhe pastaj të përpiqet ta përdorë këtë si një mburojë ose strehë për të shpëtuar nga arritja e ligjit dhe për të gëzuar pandëshkueshmërinë pasi tronditi ndërgjegjen e njerëzimit”. Më tej ai vazhdon: “Një organizatë ndërkombëtare si OKB -ja, e krijuar në emër të popujve të botës, ka plotësisht të drejtë të ndihmojë njerëzit e Kosovës që të bëhen zotër të fatit të tyre, pasi në këtë mënyrë OKB -ja do të veprojë për zbatimin e Kartës së saj”.

Zonja dhe Zotërinj: Ka kaluar më shumë se një dekadë nga koha kur gjyqtari Trinidade qe pjesë e vendimit të GJND -së, i cili vendosi që shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë në pajtueshmërinë të plotë me ligjin ndërkombëtar, dhe që atëherë, njerëzit e Kosovës me të vërtetë janë bërë zotër të fatit të vet. Pra, të dashur miq, ju nxis që të vini të flisni me ne, të dëgjoni anën tonë të historisë, ta shihni vetëm të vërtetën, ta vizitoni Republikën e pavarur të Kosovës dhe të shihni vetë progresin që kemi bërë, dhe të bëheni dëshmitarë të dorës së parë të ngrohtësisë së njerëzve që unë i përfaqësoj.

Republika e Kosovës angazhohet që t’ju bashkohet në adresimin e sfidave dhe përballjen me to, si dhe që bashkë me ju t’i festojë sukseset tona të përbashkëta, si pjesë e familjes së gjerë të kombeve të bashkuara.

Faleminderit për vëmendjen tuaj!

Filed Under: Featured Tagged With: Vjosa Osmani

NANË, KTHEJU

October 16, 2021 by s p

Përgatiti: Fritz RADOVANI

Melbourne, 16 Tetor 2021

Poezi nga AT PJETER MESHKALLA S.J

Si shkambi n’për rrymë të shekujve,

muret qendrojnë jetike

ngulun për rranzë thëmeleve,

të Rozafës sonë kreshnike.

   Dhe sot, që, féja nipave

   shpresët e të Parëve ndritoi,

   lè të shkruhet mbi ballë të mureve:

   “Nanës, që na vorfnoi!”.

Njâsaj, që’i ditë prej sulmeve

të kulçedrës me shtatë krena,

na u bâ mburojë e, të nêmuna

s’duroi t’ i shohë këto dhena.

    Njasajë, por vaj, na fajeve

    në verbim s’u vume cak

    e Nanës iu randue zemra,

    iku edh’e la këte prak!

O ju, që parzme hekuri

luftuet për bésë e fé,

idhtë tue valvitun Flamurin,

Shejtnue me gjak e bé,

   zgjonju nën rrasa të heshtuna,

    ngrihnju me pa mjerim!

    Ndihma e Arbënisë, e pamposhtuna

    ç’u ba? Si drita u shkim!

Po a kurr, thue, ma kurr Virgjina

me gjâmë kah thrret Shqipënia,

s’do të ndrisë, si ndriti moteve

përbrijë Rozafës  M A R I A ?!

    Tepër lënguem këso shtigjeve

    si fëmija mbetë pa Nanë,

    për né ma dritë nuk lëshuene

    as hyj, as diell, as hanë!

Po a kurr, ma kurr, s’do të ngrohemi?

Pa shpresë do të rrijmë e të presim?

Po a heshtun gjithmonë vallëja

do të ngeli, në terr kah dënesim?!

    Jo, jo! Pse qiellëve të epëra

    Zoti me dorë të vet

    ka shkrue: “E Zojës asht Shkodra,

    e, Zoja e Shkodrës së vet !”

Qé, ké ato mure të ndrituna,

zemra m’a ndiën, qé’i zani

një populli në hov të galdimave,

tue brohoritë: “O ngâni!

    Ktheu, N A N A !” O, ditë ma e bukra

    që Arbënia prét, ago!

    Nanë ktheju, e, në mburoje të hireve

    në Fé Shënjte na vëllazno!

Shkodër, 1927.

16  TETOR…

Afer Rozafës së Shkodres…

Zoti me dorë të vet

    ka shkrue: “E Zojës asht Shkodra,

    e, Zoja e Shkodrës së vet !”.

Përgatiti: Fritz RADOVANI.

Melbourne, 16 Tetor 2021.

Filed Under: Kulture Tagged With: Fritz Radovanai

POROSITË E KUVENDIT TË SHKUPIT, NJË REFLEKTIM PËR POLITIKËN SHQIPTARE

October 16, 2021 by s p

Shikuar nga kjo retrospektivë historike, rezulton që Kuvendi i Shkupit ishte kambana e fundit që po alarmonte opinionin ndërkombëtar mbi rrezikun që po iu kanosej trojeve shqiptare nga Aleanca e shteteve ballkanike. Por, ky Kuvend pati edhe një mesazh tjetër se Lëvizja jonë kombëtare, që pati ideolog Hasan Prishtinën, e kishte pikasur Shkupin si epiqendrën e shtetit të ri shqiptar që do të formohej pas dëbimit të Perandorisë Osmane.

Nga Mehmet PRISHTINA/

Lëvizja Kombëtare Shqiptare në kapërcyll të shek.19 dhe shek.20, kishte intensifikuar betejat diplomatike dhe ushtarake për ruajtjen e tërësisë territoriale pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane.  Pasi që revolucioni xhonturk nuk solli lirinë e premtuar për shqiptarët dhe popujt tjerë të shtypur, përkundrazi forcoi Perandorinë Osmane, duke e centralizuar edhe më shumë pushtetin qëndror, lëvizja kombëtare në krye me Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, Dervish Himën, Çerçiz Topullin etj, gjatë viteve 1909-1911 organizuan kryengritje të armatosur gjithandej viseve etnike shqiptare të cilat patën epilog çlirimin e Shkupit më 12 gusht të vitit 1912.  Më 19 gusht “Times “, raportonte se kryengritësit shqiptarë me 12.000 burra kishin çliruar Shkupin të enjten e kaluar… Nga Shkupi grupe kryengritësish marshuan drejt Tetovës, Kumanovës e Preshevës dhe i çliruan edhe këto qytete, duke liruar gjithashtu të burgosurit. Një grup kryengritësish u drejtua për në Veles. Udhëheqësit kryesorë të kryengritjes të cilët hynë në Shkup ishin, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Idriz Seferi,  Zefi i Vogël, dhe Bajram Daklani. Për rrjedhojë, kryengritja u përhap edhe ne viset e tjera të Kosovës dhe Shqipërisë. Qeveria osmane thuajse i pranoi pjesërisht 14 pikat autonomiste të parashtruara nga Hasan Prishtina, të mbështetura edhe nga Austro-Hungaria (propozimi i Vjenës i 13 gushtit), ndërsa Fuqitë e Mëdha kundërshtuan dhënien e autonomisë dhe caktimin e kufijve të Shqipërisë, sepse u druheshin shteteve ballkanike dhe interesave të tyre mbi territoret shqiptare, ndaj edhe qeveria osmane e quajti çështjen shqiptare problem të brendshëm të saj. 
Platforma ideologjike e Kuvendit të Shkupit ishte përgatitur nga kolosi Hasan Prishtina, mirëpo pjesëmarrja e tij në këtë Kuvend ishte pamundësuar për shkak se ai bashkë me  Said efendi Hoxhën burgosen në hyrje të Shkupit dhe dërgohet në burgun e Kalamegdanit. Kjo ishte edhe arsyeja se pse Hasan Prishtina nuk ishte i pranishëm edhe në Kuvendin e Vlorës gjatë shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor, 1912.

Rrethanat në të cilat u organizua Kuvendi i Shkupit, janë të ndërlidhura me ngjarje të bujshme të cilat sollën ndryshime radikale në skenën politike të Ballkanit.   Zhvillimet në terrenet luftarake, ku Turqisë gjithnjë e më tepër po  zbehej fuqia ushatrake e politike, sidomos pas fillimi të luftës italo-turke (në fund të shtatorit 1911), diktuan që harta e Ballkanit të pësojë ndryshime në favor të shteteve shoveniste fqinje dhe në dëm të territoreve shjqiptare. Për t’i parandaluar këto pasoja më 12 janar 1912 në Stamboll u mbajt një mbledhje e krerëve të lëvizjes kombëtare, ku u vendos që në katër  vilajetet shqiptare të organizohet një kryengritje e përgjithshme. Aty u vendos që kryengritja të fillonte në Kosovë e pastaj të zgjerohet edhe në krahinat tjera të Shqipërisë. Hasan Prishtina u ngarkua, të organizonte kryengritjen e përgjithshme, fillimisht në Kosovë…, ndërsa Ismail Qemali të siguronte armë dhe përkrahjen diplomatike nga shtetet evropiane për këtë rrugë të nisur.

Kryengritja e përgjithshme shqiptare dhe lufta italo-turke (në Jemen…), i dhanë goditje të reja sundimit pesë shekullorë turk në Ballkan. Nga këto zhvillime, ndonëse gjatë verës së vitit 1912 perandoria turke, po i numëronte javët e fundit në Ballkan, në zgjidhjen e çështjes shqiptare do të inkuadrohen edhe fuqitë e mëdha. Austro-Hungaria, duke e kuptuar funksionin historik të Shqipërisë si digë para zgjerimit sllav, filloi t’i bëjë trysni Turqisë që të tregojë më tepër mirëkuptim për 14 kërkesat e parashtruara të shqiptarëve, që ishin bërthama e platfmormës ideologjike të Hasan Prishtinës. Konti austro-hungarez  Berthold, (ministri i jashtëm) u propozoi Fuqive të Mëdha që të ndërmarrin masa për decentralizimin e Turqisë evropiane në aspektin etnik, ku do të përfshiheshin edhe katër vilajetet shqiptare, Vilajeti i Kosovës, i Shkodrës, i Manastirit dhe Vilajeti i Janinës.  Këtë propozim e kundërshtoi fuqishëm Rusia, e cila me planet e saj ogurzeza, synonte që tërë Ballkanin ta bënte sllave-ortodokse dhe për fat të keq në këtë drejtim ajo kishte përkrahjen e Francës dhe të Anglisë. Për këtë çështje, reagoi edhe Porta e Lartë, e cila deklaroi se çështja shqiptare është “çështje e brendshme e Turqisë” dhe për të dëshmuar këtë gjë ,përfaqësuesit turq, ndryshuan rrënjësisht  konkluzat e marrëveshjes të arritur me krerët shqiptar, më 18 gusht 1912 në Shkup. 

Fatkeqësisht këto manovrime dhe marifetllëqe të autoriteteve turke  i hapën rrugë formimit të aleancave të shteteve ballkanike (Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë) për pushtimin dhe coptimin e tokave shqiptare. Planet serbe për një “luftë kundër Turqisë”, kishin filluar me bisedat e fshehta me Bullgarinë. Diplomacia ruse në krye me carin Nikollajin e II, ishte shumë e interesuar që sa më parë të nënshkruhet aleanca luftarake në mes Bullgarisë e Serbisë, për ndarjen e Shqipërisë etnike.  Kjo ishte edhe arsyeja që qarqet sunduese të Sofjes dhe Beogradit ua ndaluan krerëve bullgaro-maqedonas të Maqedonisë që të bashkpunojnë dhe të përkrahin kryengritjen e Përgjithshme Shqiptare të vitit 1912. Për rrjedhojë pas disa takimeve të shumta midis  kryeministrit serb Milovanoviq dhe atij bullgar Geshov, me ndihmën e Rusisë, më 13 mars 1912, Serbia lidhi një aleancë të ashtuquajtur “Traktati  miqësisë” me Bullgarinë, ku si synim parësor kishin kundërshtimin e formimit të çfarëdo shteti shqiptar në Ballkan dhe coptimin e tokave shqiptare. Një aneks sekret i këtij traktati parashikonte veprime eventuale të përbashkëta kundër Perandorisë Osmane, ku parashihej që Serbisë t´i takonte mbarë territori në veri të maleve të Sharrit. Krahas bisedimeve serbo-bullgare u zvilluan edhe bisedimet bullgaro-greke, të cilat përfunduan më 29 maj 1912  me nënshkrimin e një marrëveshjeje mbrojtëse në rast sulmi nga ana e Turqisë.

Pjesë e kësaj Aleance, pas bisedimeve të carit rus me Kral Nikollën, u bë edhe Mali i Zi. Këto shtete ortodokse të “aleancës…” përfundimisht ,në emër të luftës kundër “robërisë osmane” në tetor 1912 filuan Luftën e Parë Pallkanike për pushtimin dhe coptimin e tërsisë së tokave shqiptare.

Për ta alarmuar faktorin e brendshëm dhe të gjitha kancelaritë e fuqive të mëdha, për rrezikun që po i kanoset popullit shqiptar  dhe trojeve etnike shqiptare nga qëllimet ekspansioniste të Aleancës Ballkanike, më 14 tetor 1912 në Shkup, në shtëpinë e atdhetarit Sali Gjuka, Komiteti “Shpëtimi” që në popull njihej si ”Komiteti i Shpëtimit Kombëtar” dhe organizata ”Shoqëria e Zezë për Shpëtim” mbajtën një Kuvend të jashtëzakonshëm. Në këtë kuvend, të kryesuar nga Nexhip Draga, morën pjesë: Mit´hat Frashëri, Sali Gjuka, Rexhep Mitrovica, Nexhip Draga, Bedri Pejani etj. Pasi u konkludua se ”Turqia po i numëronte ditët e fundit në Ballkan…” u morën këto vendime:

1. Me ia drejtue një proklamacion Fuqive të Mëdha;

 2. Me formue një delegacion për mi shkëputë Malet e Shkodrës prej lidhnisë që patën ba me Malin e Zi (Malësia e Shkodrës ishte lidhur me Malin e Zi për luftë të    përbashkët  kundër forcave osmane në Shkodër).

   3. Ky delegacion ka me pas edhe një kompetencë të plotë për t´u marrë vesh me krahinat e tjera të Shqipnisë për të shpëtue atë prej rrezikut të coptimit.”

Në zbatim të këtyre vendimeve, Kuvendi më 16 tetor 1912 në Shkup ia dorëzoi konsullatës austro-hungareze dhe gjermane një proklamatë, ku thuhet: ”…Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Mali i Zi kanë shpallur luftë me qëllim të zgjerimit  tokësorë ose për përhapjen e ndikimit politik, prandaj edhe ne shqiptarët po rrokim armët për të mbrojtur tokën tonë. Përveç kësaj vemë në dijeni Fuqitë e Mëdha se nuk do të njohim emërtime të tilla si ”Stara Serbija” (Serbia e vjetër”dhe “Epir”, ose forma politike dhe administrative të posaçme lidhur me disa pjesë përbërëse të atdheut tonë”. Ndërkohë edhe përfaqësuesve diplomatik rus, francez, anglez dhe atyre italianë u është dorëzuar një proklamatë me vulë të ”Shoqërisë së Zezë për Shpëtim”, në të cilën thuhet: ”Shqipnia i ka rrokur armët jo për me forcue dominacionin e Turqisë në Ballkan, por për me i dalë zot tanësisë tokësore e lirisë së Shqipnisë. Pra, qysh prej sodit po ju deklarojmë se sido që të jetë fati i armëve, shqiptarët nuk kanë me pranue për katër vilajete veç se një formë politike e një formë sundimi, dmth një formë të vetme qeverisjeje”. Pra, këto dokumente dëshmojnë qartë se në Kuvendin e Shkupit u vunë themelet e Pavarësisë së Shqipërisë, gjegjësisht u kalua nga kërkesa e autonimisë në kërkesën për pavarësi.

Kuvendi i Shkupit caktoi edhe një delegacion (Mit´hat Frashëri, Sali Gjuka, Rexhep Mitrovica dhe Bedri Pejani), i cili u ngarkua  të përgatisë terenin për mbajtjen e një Kuvendi gjithëkombëtar që do të mbahej në Vlorë më 28 nëntor, 1918. 

Kuvendi i Mbledhja e Shkupit arriti në përfundimin se Perandoria Osmane do ta humbiste luftën dhe vendosi t’u njoftonte Fuqive të Mëdha se populli shqiptar po i kapte armët jo për të forcuar sundimin e Turqisë në Ballkan, por për t’i dalë zot tërësisë tokësore e lirisë së Shqipërisë, që po rrezikohej nga Aleanca Ballkanike e shteteve shoveniste fqinje. Gazeta “Liri e Shqipërisë” shkruante se Kuvendi i Shkupit prodhoi vendime që të drejta dhe realiste, që u përgatitën në formë të një dokumenti që i u dorëzuan përfaqësuesve të fuqive të huaja në Shkup më 16 tetor.

Ndërkohë ushtritë e aleatëve ballkanikë brenda një kohe të shkurtër e shpartalluan ushtrinë turke në të gjitha frontet.  Më 15 tetor filloi mësymja e trupave serbe në rajonin e Vranjës, ndërsa më 18 tetor u hodh në sulm gjithë ushtria prej 286 000 vetash, në drejtimin Nish-Manastir-Elbasan, Nish-Manastir-Selanik dhe Kurshunli-Prizren-Durrës. Forca të tjera sulmuan nga veriu, në drejtimin Rashkë-Mitrovicë-Pejë dhe Javor-Priepolje.

Turqia u gjend e papërgatitur për luftë dhe vendosi të formonte repartet e armatosura vullnetare shqiptare, që do të pajiseshin me armë nga depot e shtetit. Doli edhe një urdhër i ministrit të Luftës për t’u dërguar shqiptarëve 50 000 pushkë. Megjithatë nuk u dërgua asgjë, shqiptarët u lanë pa armë, në mëshirën e fatit. Qeveria xhonturke nuk qe në gjendje të përfitonte nga forca e madhe e shqiptarëve dhe nga gatishmëria për të mbrojtur atdheun e tyre.

Më 24 tetor ushtria turke u thye përfundimisht në Kumanovë. Pas pushtimit të Kumanovës, më 26 tetor forcat e Armatës së parë serbe pushtuan pa luftë Shkupin. Me pushtimin e Shkupit përfundoi faza e parë e Luftës Balkanike. Periudha e dytë ishte ajo e luftës për pushtimin e territoreve shqiptare në pjesën perëndimore të vilajetit të Kosovës, në vilajetet e Manastirit, të Shkodrës e të Janinës.

Sikurse shkruajnë gjeneralët turq, pjesëmarrës në këto beteja, shqiptarët luftuan me trimëri të madhe për të mbrojtur atdheun e vet, tokën amtare. Ata nuk e braktisën asnjëherë frontin dhe shpesh luftuan edhe pasi ushtria turke kishte braktisur vijën e luftës. Në Betejën e Kumanovës u vra gjithë efektivi i batalionit të ushtarëve të Gjilanit. Ndërsa numri i përgjithshëm i shqiptarëve, që u vranë në këtë betejë, arrin në 10 000 veta.

Shqiptarët, të braktisur nga ushtritë osmane, edhe pse luftuan kudo me trimëri, nuk qenë në gjendje të ndalnin sulmin e kombinuar të aleatëve ballkanikë, të përgatitur ushtarakisht prej dhjetëra vjetësh dhe të armatosur deri në dhëmbë. Në fillim të dhjetorit të vitit 1912 ushtritë serbo-malazeze kishin pushtuar pjesën më të madhe të Shqipërisë dhe arritën në jug deri në luginën e Shkumbinit, në vijën Durrës-Kavajë-Peqin-Elbasan-Pogradec-Strugë.

Ndërkohë edhe ushtria greke, pasi theu forcat turke në Thesali e në Epir, mori Selanikun, rrethoi Janinën, shtiu në dorë Sazanin dhe zbarkoi në Himarë, të cilën e pushtoi bashkë me disa fshatra përreth.

Shikuar nga kjo retrospektivë historike, rezulton që Kuvendi i Shkupit ishte kambana e fundit që po alarmonte opinionin ndërkombëtar mbi rrezikun që po iu kanosej trojeve shqiptare nga Aleanca e shteteve ballkanike. Por, ky Kuvend pati edhe një mesazh tjetër se Lëvizja jonë kombëtare, që pati ideolog Hasan Prishtinën, e kishte pikasur Shkupin si epiqendrën e shtetit të ri shqiptar që do të formohej pas dëbimit të Perandorisë Osmane. Mirëpo ky synim mbeti vetëm një ëndërr e parealizuar e krerëve shqiptarë, ndërkohë që Shkupi do të vazhdojë të frymojë shqip edhe në saje të ideve dhe perosive të Hasan Prishtinës, të cilat mund të përmblidhen në një nocion kuptimplot: HASANIZMI. 

Prishtinë, 14 tetor, 2021

Filed Under: Opinion Tagged With: Mehmet Prishtina

Thjeshtësia madhështote në krijimtarinë e Kristofor Mërkurit

October 16, 2021 by s p

(Poeti që tjerr ende dhëmbjen për Nënën)

Kristo Çipa/

Ku ta marr atë gur të bardhë shpirtëror që nxjerr lot dhëmbshurie për jetën dhe njerzit dhe që nuk ka marrë mbi faqen e tij natyrale asnjë shenjë të vetme të daltës majëhollë tl modernizmit? Ku ta gjejmë atë rrëfim ëngjëllor të pastër si ujët e gurrës për fatin dhe njeriun? Ku ta gjejmë forcën për të folur aq shumë e aq thellë për detin e Sarandësë dhe dallgët e shpirtit?- Lexoni vëllimin poetik të Kristofor. Mërkurit “ Puthja e fundit”. Ma dha “ vëllazërisht” në Pilur në një kohë të mbushur me rrëmujën turistike dhe zhurmërimin që bënin emigrantët me gurët e vendlindjes. E urova dhe e vura në raft për një kohë më të përshtatshme. Dhe vjeshta e mendimit erdhi e unë u poqa përsëri me “ Puthjen e fundit”. E lexova dhe e rilexova duke e parë fillimisht si një të panjohur dhe për herë të dytë si një të afërm shpirti që më bëri të qortoja veten pse e kisha aq larg vëmendjes kur ky është identiteti orgjinal i njerëzve të mi të gjakut dhe të penës. Është një vëllim që nuk të lodh me meditime por të kthjellon në mendime. Gjithëçka që lexon e kupton menjëherë dhe menjëherë e përthith. Në të gjithë vëllimin dhëmbja për ikjen e shpejtë të Nënës qysh pa gdhirë mirë dita e jetës është shoqëruese dhe të duket se shtëllunga e kësaj dhëmbjeje tiret hollë, bukur e ngadalë nga furka e muzës poetike pikuar nga vajtimet ligjëruese të gjyshes Fotinë. Nëse shpesh në krijimtarinë mijlravjeçare të popullit , Nëna ka ligjëruar me vaje, logatje e mërmërimë dhëmbjen e fëmijës së ikur parakohe, Kristofori me melodramën e tij jetësore i drejtohet Nënës:

Kush e lan, kush e veshi?

Kush i dha një palë shollë?

Se ata që shumë i deshi

Preheshin nl shën Kollë

Mjaftojnë ketëa katër vargje të thjeshta në madhështl por të dhëmbshura deri në palcë për të kuptuar honin e thellë të dhëmbjes për Nënën dhe fillin trashëgues të bonjakllëkut të asaj familjeje. Kristofori sa herë ka marrë penën në dorë i është çfaqur muzë, nëna e tij Nicë. Nëse Nica plakl e Kadaresë i hodhi tek këmbët eshtrat e kolonelit të zi, gjeneralit të ushtrisë së vdekur, Nica nënë e Kristoforit na shfaqet e veshur në rininë e saj e mbështjellur me mjegullën e bardhë dalë nga vesa e pikëllimit për të shkuar lart në qilimin e amanetit me profil kthyer nga meraku i përjetshëm Kristofori. Nga Nica e Kristoforit lexuesi mëson edhe toponomastikën e fshatit të orgjinës së saj Pilurit. Edhe pse në vëllim na përshkuhet Çentrali i vjetër dhe Saranda e dikurshme, Korami i Pilurit me rrugën e tij llahtarisht të rrezikshme përshkuhet aq realisht sikur të ketë shkuar vet me qindra herë. Por kjo kuptohet se ka shkuar Nëna Nicë në atë udhë dhe hapat e saj i dhëmbin në kraharor Kristoforit. Kambana e lisit madhor të kishës së shën Kollit aty ka qënë por tingulli i fundit rënë për Nënën Nicë është kumbimi i përmallshëm për Kristoforin. Në atë tingull ai mban peshë tallazet e jetës dhe bunacat e shpirtit dhe i transmeton aq thjeshtë e aq bukur sa duken se janlë darametet e tua që përshkruhen atje në vëllim. Nuk dua të zgjatem shumë me analizën e hollësishme të vëllimit se aty ka xhevaire sa të duash por edhe vërejtje mund të bësh me racionalitet por unë u mrekullova me thjeshtësinë madhështore të Kristofor Mërkurit dhe ngjizjen që ajo bën me poezidashësin sa që shumë vargje e strofa janë bërë si të mijat dhe mund të “ grinden” me këdo për autorsin e tyre Kristoforit i uroj suksese në penë dhe e uroj që tufën me borzilok e jargavanë të na i dhurojë ne pranverë e vjeshtë para dimrit të ashpër që ti kemi për zjarrin e shpirtit.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Kristo Cipa

INSTITUCIONALIZIMI I GJUHËS SHQIPE NËPËRMJET KONGRESIT ARSIMOR TË LUSHNJES 15-29 GUSHT 1920

October 16, 2021 by s p

Prof. Dr. Etleva LALA/

Eötvös Loránd Tudományegyetem (Universiteti ELTE)

Programi i Albanologjisë, Budapest, Hungari

(PJESA E PARË)

Institucionalizimi i një gjuhe historikisht është bërë në dy mënyra kryesore: nëpërmjet fesë, dhe nëpërmjet politikës. Gjuha shqipe edhe pse është aq e vjetër sa edhe vetë populli shqiptar, nuk e pa dritën e institucionalizimit deri në gusht të vitit 1920, as nëpërmjet fesë, siç ndodhi në mesjetë me greqishten, latinishte, sllavishten, apo osmanishten dhe as nëpërmjet ndonjë formacioni politik, siç ishte rasti i hungarishtes, gjermanishtes, frengjishtes apo të gjitha gjuhët e tjera evropiane që u institucionalizuan gjuhën e tyre sapo u bënë mbretëri e të tjera, sapo u bënë shtete. Në këtë kontekst, Kongresi Arsimor i Lushnjes është po kaq i rëndësishëm sa edhe vetë 28 Nëntori 1912, sepse për herë të parë të gjithë shqiptarët lidheshin në mënyrë të detyrueshme me njëri-tjetrin me fjalën e shkruar në gjuhën e tyre.  

Kongresi Arsimor i Lushnjës për fat të keq nuk është aq i njohur në historinë e Shqipërisë. Ai nuk përmendet fare në vëllimin III, të Historisë së Popullit Shqiptar të botuar në vitin 2007 nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë që mbulon Periudhën e Pavarësisë nga 28 nëntor 1912 deri më 7 prill 1939,[1] edhe pse në vitin 1990, me rastin e 70-vjetorit të mbajtjes së këtij Kongresi u organizua një sesion shkencor, kumtesat e të cilit sot ruhen në dosjen 366[2] të AQSH.[3] Kongresi Arsimor i Lushnjës nuk e meriton një heshtje të tillë, sepse ai është jo vetëm gjuhësisht kongresi më i rëndësishëm për shtrirjen masive të gjuhës shqipe në të gjithë Shqipërinë e madje përtej asaj politike duke zhdukur analfabetizmin që ekzistonte deri në atë kohë, por edhe politikisht, sepse për herë të parë në historinë e shqiptarëve, rrjeti arsimor do të shtrihej në mënyrë të detyrueshme në të gjithë trojet shqiptare, gjë që ishte një sipërmarrje madhore, po të mbahet parasysh që duhej ngritur dhe duhej mirëmbajtur një ngrehinë gjigante shkollash, arsimtarësh, materialesh didaktike e gjithçka tjetër që ka lidhje me arsimimin e që ne sot e marrim për të mirëqenë.

Kongresi Arsimor i Lushnjes ishte ai që për herë të parë bëri që çdo fëmijë shqiptar pa përjashtim të ishte i detyruar të kryente shkollën fillore (3 vjet në fshatra dhe 5 vjet në qytete). Për herë të parë në historinë e shqiptarëve, të gjitha shkollat do të kishin jo vetëm të njëjtat libra shkollorë, për të cilat 219 terma të përbashkëta për gjuhën, aritmetikën dhe gjeometrinë u vendosën po në ato ditë të Kongresit, por edhe të njëjtën mënyrë administrimi (orare, dëshmi shkollore, amza, regjistra të përditshëm dhe të përjavshëm).

Kongresi i Lushnjës që zhvilloi punimet në janar të vitit 1920, nga ku doli qeveria kombëtare me kryeministër Sulejman Delvinën është sigurisht mjaft i njohur. Ishte ky kongres që caktoi si ministër të arsimit Sotir Pecin, një njëri me mjaft eksperiencë në arsim dhe vizionar.[4] Më 26 korrik 1920, Sotir Peci i shkruajti Këshillit të Ministrave: “Duke pasur nevojë që të njësojmë programet e metodën për të gjitha shkollat e Shqipërisë, të cilat kanë vepruar deri me sot të ndara (sipas ish-zonave të pushtimit), kemi menduar të formojmë një komision teknik, në të cilin do të marrin pjesë fuqitë më të mira arsimore prej të gjitha viseve. Ky komision të mblidhet në Lushnjë, si vend historik”.[5]

Edhe në këtë kontekst është interesant fakti që zv. Prefekti i Beratit, Mahmut Sula i dërgon një telegram Ministrisë së Punëve të Brendshme më 25 gusht 1920 ku shkruan: “Po lajmëroheni se në lushne bahet nji kongres paratogjik nga mbledhja e të cillët si prefektura ashtu dhe zyra arrësimit nuk kanë njoftim.”[6] Duke qenë se historia nuk të fal, injoranca e zyrtarëve jovizionarë del në pah jo vetëm nga mungesa e informacionit për aktivitetin më të rëndësishëm të jetës së tij, e madje të një kombi të tërë, por edhe nga mënyra sesi e përdor ai vetë gjuhën: ‘lushne’ është shkruar me shkronjë të vogël, ‘paratogjik’ duhet të ishte ‘pedagogjik’, ‘arrësimi’ nuk duhej ngatërruar me arrat, por të shkruhej ‘ar(ë)sim’.

Qeveria dhe Ministria e Arsimit kishte ngarkuar nënperfektin Hiqmet  B. Delvina dhe kryetarin e Bashkisë së Lushnjës, Besim Nurin, që ta organizonin Kongresin Arsimor në bazë të përvojës së shtatë muajve më parë, që kishte qenë një sukses pa as më të voglin hije dyshimi. Pritej pra që të vazhdohej po me të njejtën frymë dhe organizim. Komisioni i Kongresit përbëhej nga kryepleqtë e nënprefekturave për të realizuar me sukses vazhdimësinë e punës së kongresit politik të janarit dhe të gjithë ndjenin përgjegjësinë që kishte ky aktivitet për të ardhmen e shqiptarëve në të gjitha trojet, gjë që e tregon edhe harta gjeografike e delegateve që morën pjesë në këtë kongres: Prishtina, Prizreni, Gjakova,Shën Mitër Korona, [Arbëreshet e Italisë], Zara, [Koraci] Shkodra (Gaspër Mikeli, Ndue Paluca, Kolë Margjini, e Ismail Anamali), Peshkopia, Tirana (Jozef Fekeçi), Durrësi, Elbasani (Aleksandër Xhuvani, A. Gashi), Pogradeci (Mihal Bellkameni), Korça (Aleko Kondili e Dhimitër Mborja), Permeti, Gjirokastra (Thoma Papapano, Ilia Dilo e Petref Pogoni), Saranda, Himara, Vlora, Fieri dhe Lushnja.[7]

Pritja e delegatëve (misive) ishte modeste, por e mirorganizuar, me civilë, ushtarakë dhe mësues të vendosur në të dyja anët e nënprefekturës dhe e shoqëruar me ato pak vegla muzikore, e me lule e flamuj letre në duart e nxënësve të shkollës plotore e asaj femërore, duke i dhënë kongresit solemnitetin e një ngjarjeje simbolikisht të rëndësishme shtetërore dhe kombëtare. Edhe pse modeste, kjo pritje i ka të gjitha elementet simbolike të një aktiviteti solemn, gjë që tregon se pavarësisht mundësive reale, organizatorët i kushtonin rëndësi çdo detaji simbolik shtetëror.

Në lidhje me simbolikën dhe solemnitetin ritual, mua më tërhoqi vëmendjen edhe fakti që Kol Margjini nxorri një leter të Ministrisë së Arsimit edhe sipas porosisë që kishte pasur ia dorëzoi delegatit më të moshuar Aleko Kandilit, i cili e hapi letrën dhe ia dorëzoi përsëri Kolë Margjinit që ta lexonte. Respekti ndaj më të moshuarit te shqiptarët është jo vetëm në traditën gojore, por dokumentohet në formë të shkruar që në shek. XIV në Statutet e Drishtit. Letra u lexua, pra, para Kongresit Pedagogjik dhe më pas për rëndësinë e Arsimit për Shqiperinë folën Gaspër Mikeli, Aleko Kandili, e Dhimitër Mborja me fjalë të tilla si “një popull pa arsim s’mund të rrojë e s’ka të drejtë të rrojë.”

Hiqmet B. Delvina (nënprefekti) dhe Besim  Nuri (kryetari i Bashkisë) bënë hapjen e Kongresit duke falendëruar pjesëmarrësit si dhe duke theksuar rëndësinë e këtij aktiviteti për shqiptarët, por sigurisht që ata të pavetëdijshëm për gjithë ndikimin që ky kongres do të kishte më vonë në identitetin shqiptar, që tani po vendosej mbi dokumente të shkruara e jo më mbi traditën gojore siç kishte ndodhur deri në atë kohë. “Shkronjat i shkatërruan piramidat” kishte shkruar Viktor Hugo një shekull më parë, , kështu që përqafimi i shkronjave ishte bërë tashmë misioni kryesor i shqiptarëve të shekullit XX, që t’u mbijetonin influencës së kulturave të shkruara dhe agresive të fqinjëve.

Duke kuptuar rolin e jashtëzakonshëm që duhet të luante në luftën me penë që duhet të bënin shqiptarët, Ministria e Arsimit kishte përcaktuar si detyra kryesore të Kongresit Arsimor (pedagogjik) të Lushnjës pikat e mëposhtme:

  1. Hartimi i programit sintetik për shkolla fillore e qytetse
  2. Zhvillimi i programit analitik të daem javë në javë për shkolla fillore 4 e 5 klasëshe e për shkolla fillore 3 klasëshe të katundit.
  3. Vendim për botimin e tekstave shkollorë si librave të këndimit, gramatikave e numeratoreve.
  4. Caktim i njij gjuhe të përbashkët, mbas të cillës do t’u shkrueshin prej tashi të gjith librat shkollorë.
  5. Bisedim e vendim për botimin e e njij të përkohëshmes pedagogjike.
  6. Caktim e herorve shkollorë, i rregjistrave të përditshëm e të përjavshëm, i amzave, dishmive shkollore e i të tjerave librave zyrtare, qi do të mbajë drejtorija e secillës shkollë.
  7. Dishire e paravûme të Kongresit çkâ i përket sidomos çâshtjes së përmirsimit t’organizimit të shkollave.[8]

Krahas delegatëve të ftuar në kongres ishin edhe disa mësues lushnjarë, midis të cilëve: Ikonom Kozma Dhima, Elmaz Boce, Anastas Laska, Naun Prifti (Doko), Theodhor dhe Aleks Rista, Roza Kakarriqi si dhe organizatorët Jani Minga dhe Tefik Zoto.

“Mbassi muer fund festimi i të çilunit të Kongresit, në mbledhjet e përditshme qi u mbajtën për gjiih ditë prej orëve 9-12 para dreke e 3-6 mbas dreke, u zbatuen këto pika të programit që po i rreshtojmë këtu poshtë:

  1. U caktuen fjalëskajet mâ me randsí e mâ të nevojshme të secilles landë mësimi.
  2. U hartuen programat sintetik të shkollave fillore e qytetse.
  3. U zhvilluen programat analitik të daem javë në javë të shkollave fillore 4 e 5 klasëshe të qytetit e 3 klasëshe të katundit.
  4. U vendue qi botimi i librave shkollorë e i të përkohëshmes pedagogjike t’i ngarkohet Komisis letrare i sâ mâ parë do t’u mëkambte në gjí të Ministrís s’Arësimit.
  5. Tekstat shkollorë, qi do të hyshin në përdorim ndër shkolla fillore, do t’ishin këto: Libri I, II, III, IV e V i këndimit – Libri I, II, III, IV e V i numerntores – Libri i gramatikës do të hítë në përdorim çë prej klasës së dytë, tue pasë secilla ka nji libër në vedi e tue përmbajtë secilli vetëm landën qi paravên programi i secilles klasë.
  6. Çë prej klasës III e përpjetë u vendue qi t’u përdorote në secillën klasë edhe ka nji libër Dheshkrojet, Historijet, e nji libër Historijet e Ditunijet të natyrës tue përmbajtë secilli vetëm aq landë sa parashkruen programi i secillës klasë.
  7. Si gjuhë letrare, mbas të cillës do t’u shkrueshin librat shkollorë, u muer për themel djalekti i Elbasanit me disa permirsime tue i ruejt do ndryshime typike, qi u përkasin formavet etymologjike të fjalëvet të rujtuna mâ mirë në djalektin tosknisht e në disa ndërdialekte gegenishte.
  8. U vendue qi libri I i këndimit të jetë i shkruem thjeshtë gegnisht o thjeshtë tosknisht; libri i II të jetë i përziem me copa leximi në djalektin gegnisht e tosknisht e librat e këndimit për klasët të tjera t’u hartoshin vetëm në gjuhë letrare tue e marrë për themel dialektin e Elbasanit.
  9. Deri sa mos t’ishin botuem librat qi u përmendën sypri u dâ, qi shkollat t’i përdoroshin ata libra qi kishin pasë përndore deri më sot.[9]
  10. U shkruen mostrat e herorve, dishmimeve shkollore, amzave, registrave të përditshme e të përjavshëm e u vendue qi çë do shkollë të përdori: 1. Nji Regjistër Amzë – 2. Nji Regjistër të përditshëm për ç’do klasë – 3. Nji Regjistër të përjavshëm për ç’do klasë – 4. Nji Inventar veglash e orëndish shkollore – 5. Nji Inventar për bibliotekë – 6. Nji Protokoll konferencash e – 7. Nji Libër kronikash, ku do të shkruhet çdo ngjarje a punë e madhe a e vogël qi lidhet me shkollën, sikurse edhe historia e sajë e shkrueme shkurtas.
  11. U vendue qi nxânësve të shkollave fillore t’u ipen në vijim të vjetit shkolluer nota bimestrale e nxanësve të shkollave qytetse, normale etr. Nota semestrale si në sjellje ashtû edhe në cenë e në përparim.
  12. U dá, qi prej klasës III fillore e përpjetë, t’u mësote edhe nji gjuhë e dytë, të cillën kishte për t’a caktuem Ministrija e Arësimit.
  13. U vendue qi orët e besimit t’i caltoj secilla Inshpektori në marrëveshtje me të parët e besimit.
  14. Si të kremte fetare e kombtare ndër të cillat do të mbaheshin shtyllat u caktuen:
  15. Për Katolikët:
  16. Dita e parë e vjetit (Motmoti i ri) – 2. Dita 6 e Kallëndorit (Ujt e bekuem) – 3. Dita 19 Marc (Shën Jozefi) – 4. Dita 25 Marc (Zoja e lajmueme) – 5. Dita 29 Qershuer (Shën Pjetri e Pali) – 6. Dita 15 Gusht (Të ngjitunit e Zojës në qiell) – 7. Dita 8 Shtatuer (Të lemit e Zojës) – 8. Dita 1 Nanduer (Të gjithë Shêjtnat) – 9. Dita 8 Dhetuer (Zoja e papërlyeme) – 10 Krishtnellat 4 ditë (24-27 Dhetuer). – 11. Pashkët 6 ditë – 12. Dita e Shelbuemit – 13. E hanja e Rrshajvet – 14. Korpi i Krishtit – 15. Dita e kishës së vendit (po qe zakon).
  17. Për Myslimanët:
  18. Kurban Bajrami 5 ditë. – 2 Ramazan Bajrami 3 ditë. – 3. Mevludi 1 ditë. – 4. Nata e Gajipit nji ditë. – 5. Nata Mirazhid 1 ditë. – 6. Nata e Beretit 1 ditë. 7. Nata e Kadrit 1 ditë. – 8. Nata e Nevruzit 1 ditë.

Në kohë të Ramazanit u dá, qi mësimet të bahen 3 orë në ditë tue i mësuem vetëm landët mâ të nevojshmet. Caktimi i kohës s’orëvet i u la në dorë t’inshpektorit e të mësuesavet. Dy ditë para Ramazan Bajramit u dá qi mos të bahet mësim.

  • Për Orthodoksët: (mbas Kalendarit Julian).
  • Dita e parë e vjetit (Shën Vasili.) – 2. Dita 6 7 Kallënduer Shën Joan Pagëzori – 3. Dita e tre irarkvet (30 Kallënduer). – 4. Dita 2 Fruer (Ipapandi) – 5. Dita 25 Marc (Evangjelizmo). – 4. Dita 6 Mâj (Shën Gjergji). – 7. Dita 21 Maj (Konstantini e Helena). – 3. Dita 8 Shtatuer (Lindja e Shën Mrís) – 9. Dita 14 Shtatuer (Shën Kryqi) – 10. Dita 26 Tetuer (Shën Mitri.). – 11.[10] Dita 8 Nanduer (Shën Mëhilli) – 12. Dita e 21 Nanduer (Isodhia) – 13. Dita 6 Dhetuer (Shën Kolli) – 14. Krishtnellat 4 ditë (24-27 Dhetuer) – 15. Pashkët 6 ditë – 16. Dita e Shelbuemit – 17. E hanja e Rrshajvet – 18. Dita e kishës së vendit (po qe zakon).
  • Si të kremte kombtare u njofën:

Dita e flamurit (28 Nanduer) – e Dita e fronit (7 Marc).

  1. Ndër shkolla, kû jânë të përfaqësuem nxânëst e të dy besimeve (të krishtenë e mysliman) më nji numër të njinjishëm a po gadi të njinjishëm atëherë të gjitha të kremtet e naltpërmunduna (myslimane katolike apo orthodokse) u vendue qi të mbahen si të kremte të përgjithëshme d.m.th. prej të gjith shkollës.
  2. Ndër shkolla, ku nxânëst e njanit apo tjetrit besim jânë të përfaqësuem me nji numër mâ të vogël, atëherë të kremtet e atij besimi, qi âsht, i përfaqësuem me numër të vogël u da qi të mbahen vetëm prej nxënësvet t’atij besimi, por jo prej të gjith shkollës.
  3. Nder shkolla të ndjekuna vetëm prej nxânësh myslimanë u vêndue qi të gjitha të premtet të jenë ditë pushimi e përveç kësaj’ edhe nji ditë (apo dy gjysma ditësh mbasdreke) tjetër e javës e cilla mund të caktohet mbas nevojës së vêndit.
  4. Për shkolla të ndjekuna vetëm prej nxânësh të krishtênë u caktue në vend të premtes e diellja si ditë pushimi.
  5. Nder shkolla të ndjekuna përpjestisht si prej nxânësh myslimanë si prej të krishtênësh u vêndue qi të mbahet e premtja e e diellja si ditë pushimi, por jo ndo nji ditë tjetr e javës.
  6. U vêndue qi shkollat të mbyllen më 30 Qershuer e të hapen më 10 shtatuer tue vijuem nënshkrimet deri më 14, prej së cillës ditë do të filloj mësimi regullisht në të gjitha shkollat.
  7. U caktue qi Drejtorit e Arësimit të deritashme të shuhen, tue qenë se punën e Drejtorive t’Arësimit mund t’a kryjshin lehtas inshpektorat, qi do të jenë në çdo qândër.
  8. U vêndue qi shkollat fillore, të cillat s’kanë së pakut 40 nxânës qi ndjekin shkollën rregullisht, të mbyllen. Nji përveçní u bâ vetëm për shkolla propagande a politike, të cillat edhe me mâ pakë nëxanës mund të vijojshin në veprimin e vet, porse në këto shkolla të veproshin mësojës mjaftë të zotët e jo çfaredo.
  9. U da qi se i cilli qark të ketë nji numër të mjaftë mësuesash êndësa (ambulantë), qi të mësojnë fëmit e atyne katundeve, qi janë pá shkollë.
  10. Ata mësuesa qi nëpër të mbyllunit e shkollave do të jesin pá punë nga të cillët mund të pritet nji dobí u vêndue qi të ndjekin nji kurs të shpejtë në Normale të kryeqytetit, e cilla në fillim të këtij vjeti kolluer duhet të çilet.
  11. U vêndue qi përveç kësaj të çilet nji internat në Korçë, nji në Gjinokastër, nji në Berat, nji n’Elbasan, nji në Tiranë e nji në[11] Shkodër. Në këto internate do të mirren fëmij mentarë shtëpijash së ndershme në qarqe të qyteteve të naltpërmendun, qi s’kanë rasën të ndjekin nji shkollë të rregullshme në vênd të vet. Nga numri i nxânësvet, qi ndjekin internatët, do të zgjidhen ata qi do të bâhen mësuesa edhe nëpunës tjerë të shtetit, kush tue ndjekun shkollat e mjesme të vêndit, kush tue u derguem në shkolla të përjashtme.
  12. U da qi rroga e mësuesavet të jét e kategorizueme mâ mirë se ajo e nëpunësave ttjerë të shtetit.
  13. U vêndue, qi ç’në ketë vjetë të themelohet një fond e nji ligjë pensionesh për mësojës.
  14. Së pakut nji herë në vjetë u dá qi të bâhet nji mbledhje inshpektorash në kryeqytet, kû do të rrahen e të përfliten çashtjet aktuale të degës arësimore.
  15. U vêndue qi së pakut njiherë në vjetë të bâhet në secillin qark ndën kryesí t’inshpektorit të vendit nji mbledhje e përgjithëshme e mësuesavet t’atij qarku, kû do të rrahen e do të përfliten nevojët e çashtjet arësimore të qarkut. Mbas kësaj mbledhje do të bâhet në kryeqytet mbledhja e inshpektoravet.
  16. U dà qi në çdo Inshpektorí të jét nji këshillë arësimore e qarkut e në çdo vend, ku ka shkollë, nji këshillë shkollore e vêndit. E para do të jét e përbâme prej prefektit (ndënprefektit) ase zâvendsit të tij, kryetarit e dy këshilltarve të bashkís, inshpektorit e prej priftit apo hoxhës së vêndit. E dyta do të jetë e përbâme prej mâ të vjefshmit drejtuer të ndo nji shkollës së vendit, prej priftit a hoxhës a prej dy myftarve të vêndit.
  17. U vendue qi të gjitha shkollat private të veprojnë mbas programit të shkollave qi i mbanë shteti e të jenë ndën kontroll e inshpektim t’Inshpektoris s’Arësimit.
  18. U da qi mësuesat të klasifikohen nder këto kategorina: 1. Profesora qi kanë mbarue universitetin, – 2. Mësuesa qi kanë mbarue nji normale t’Europës, – 2. Mësuesa qi kanë mbarue nji gjimnaz të plotë bashkë me nji kurs pedagogjik, – 4. Mësuesa qi kanë mbarue nji shkollë qytetse e nji kurs të shpejtë të Normales, – 7. Mësuesa qi kanë mbarue nji shkollë fillore e nji kurs të shpejtë të Normales.
  19. Për mësuesat e të gjith këtyne kategorinave u vendue qi të merrën para sŷsh aftësija e vjetët e sherbimit qi ka se i cilli.

(PJESA E PARË)


[1]Nëvëllimin e tretëtëHistorisësëPopullitShqiptartëbotuarngaAkademia e ShkencavetëShqipërisënëvitin 2007, KongresiArsimoriLushnjësnukpërmendet fare. Shih Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Historia e PopullitShqiptar, vëll. III (Periudha e Pavarësisë 28 nëntor 1912-7 prill 1939), (Tiranë: BotimetToena, 2007).

[2]ArkiviQendrorShtetëror, Tiranë. Fondi: KomitetiEkzekutiviRrehtittëLushnjës. SkesioniiArsimit. Dosnja: 366, viti 1990. “Referate, mbipërvjetorin e zhvillimittëKongresitArsimornëLushnjënëvitin 1920,” f. 1-16.

[3]Gjejrastintefalëmnderojpublikishtarkivistinpranë AQSH, zotin Myrteza Sharra, për gatishmërinë e treguar për të na ofruar dokumentat e kërkuara pranë AQSH, duke na i vënë në dispozicion ato brenda një kohe rekorde.

[4]Sotir Pecin ishte diplomuar për matematikë dhe fizikë në Athinë dhe që kishte marrë pjesë në Kongresin e Manastirit, në Normalen e Elbasanit, në Komisinë Letrare të Shkodrës dhe që ishte me një kulturë të gjërë pedagogjike, didaktike e sidomos metodike. Ai kishte hartuar edhe tekste shkollore si p.sh. Viti premtar i gramatikës (Kl. III dhe IV fillore), Shkencat natyrore, si dhe programe e plane mësimore të shkollave shqipe që ekzistonin. Sotir Peci ishte pra një personalitet i gjithanshëm. Ai synonte organizimin kombëtar dhe të njësuar të arsimit në të gjitha trojet shqiptare, që ishte një ndër problemet themelore të kohës, të cilit qeveria e Lushnjës iu qas me shumë guxim që në janar të vitit 1920.

[5]K[olë] M[argjini]. “Kongresi Pedagogjik i Lushnjës, 15 gusht 1920” in Shkolla e Re, Organ i Mësuesavet. E drejton: Gaspër Mikeli. Drejtuer i Shkollës Qytetëse të Shkodrës, vëll. I, nr. 1-2 (Shtypshkronja e së Papërlyemes: Kallnduer-Fruer, 1921): 22-26.

[6]AQSH, Ministria e Punëve të Brendshme, Fondi 152, viti 1920, dosje 36, f. 1. 

[7]Falenderojmë zotin Engjëll Zerdelia për vënien në dispozion të shumë prej këtyre informacioneve dhe burimeve për t’u thelluar akoma më shumë në kërkime shkencore rreth këtij kongresi kaq të rëndësishëm. Zoti Engjell Zerdelia është njëri ndër studiuesit që ka dhënë kontribut të vyer shkencor duke botuar një monografi dhe disa studime për Kongresin Arsimor të Lushnjes të gushtit 1920. Titujt kryesor të këtij studiuesi janë: Engjëll Zerdelia, Kongresi arsimor i Lushnjes. Tiranë: Morava, 2012; i njëjti, “Rëndësia e Kongresit Arsimor të Lushnjës: [gusht 1920]”. Shekulli, Nr. 3059 (Tiranë, 17 gusht 2010): 14; i njëjti, “Zëri i tyre jehon përjtësisht në zemrat shqiptare: [Kongresi i Lushnjes, gusht 1920].” Telegraf: e përdyjavshme e Federatës Sindikale e PTT. Nr. 194 (18 gusht, 2010): 18; i njëjti, “Kongresi Arsimor i Lushnjes (95 – vjetori, 15-29 gusht 1920: [Kongresi i Lushnjes, gusht 1920].” Telegraf: e përdyjavshme e Federatës Sindikale e PTT. Nr. 199 (Tiranë, 19 gusht, 2015): 17.

[8]Margjini, Shkolla e Re, f. 22. 

[9]Shkolla e Re, f. 23.

[10]Shkolla e Re, f. 25.

[11]Shkolla e Re, f. 26.

Filed Under: Featured Tagged With: Prof.Dr Etleva Lalal

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2791
  • 2792
  • 2793
  • 2794
  • 2795
  • …
  • 2932
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit
  • MËKATET E ZONJËS EMA
  • GAZETA “DIELLI” SYRI I DRITËS SË SHTYPIT SHQIPTAR NE AMERIKË
  • Banda “Vatra” në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar
  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT